Një tjetër sulm me armë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara, që ka lënë 4 viktima, mes tyre edhe personi i dyshuar si autor i sulmit.
Sulmi ndodhi në shtetin e Kolorados, vetëm 6 kilometra larg vendit kur korrikun e kaluar ndodhi incidenti me armë zjarri në Qendrën tregtare Aurora, ku u vranë 12 vetë dhe dhjetra të tjerë u plagosën në kinemanë që po shfaqej filmi “The Dark Knight Rises”.
Sulmi ndodhi brenda në një shtëpi, ku u gjetën të vrarë dy burra dhe një grua, si dhe personi që mendohet se kreu vrasjet. Një fqinj lajmëroi policinë, që qëlloi me armë zjarri, duke e vrarë autorin e sulmit. Nuk janë bërë të njohura motivet e këtij sulmi.(VOA)
Archives for January 2013
ANA FRANK E KOSOVES: PSE, VERTETE QAJNE DHE SHKIJET?
NGA PETRIT PALUSHI*/
Po përcjellim disa fragmente nga ditari i çuditshëm i Rreze Abdullahut (vajzës nga Ferizaj – Kosovë), që po përgatitet për shtyp. Rrezja ka mbajtur shënime, në një fletore shkolle, në pranverë të ’99, kur asokohe qe vetëm 9 vjeçe. Në nëntor të 2012-s, e gjeti atë fletore dhe, me mirëdashjen e vet, na e ofroi ditarin, që të marrë udhën e botimit.Tani, rreth 14 vjet mbas asaj kohe që shkroi ditarin, Rrezja është studente e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Në këtë ditar, është përshkrimi i luftës dhe gjithçka përreth me sytë e një fëmije. Drama e atyre ditëve është e pranishme në çdo fletë. Dhe, Rrezja, nuk e sheh luftën si lodër, por si realitet. Ajo veneron edhe imtësi, të denja për një prozë të kultivuar artistike. N’ato ditë dramatike ajo gjen kohë edhe të ëndërrojë: kur të rritej, të shkonte në Amerikë, të bëhej gazetare e të shkruante çfarë kishte pa me sytë e saj, duke harruar se, pikërisht mu në moshën 9-vjeçare, ajo po linte dëshminë e saj tronditëse. Në ditar, janë edhe shënimet e datës 10 prill 1999, ditën kur Rrezja mbushte 9 vjeç. Krejt fleta e ditarit më bëri përshtypje, por sidomos fraza: “Unë veç s’po due me vdekë, po due me qenë gjallë… “, e cila më kujtoi nji varg të poetit të njohur I. Sarajliq: “Të gjitha i kam provuar, përveç vdekjes”. Fleta e ditarit përmban edhe të papritura të tjera. Rrezja shkon te ushtari serb që i ruante dhe i thotë se kishte ditëlindjen dhe e pyet se a kishin me i vra. Ushtari nis e qan. Rrezja befasohet se kishte kujtuar se “shkijet nuk qajnë”.
Në vitet e Luftës së Dytë botërore, Ana Frank dëshmoi për Holokaustin. Në vitin 1999, thuajse 70 vite më vonë, Rreze Abdullahu dëshmoi për mizorinë e ushtrisë dhe milicisë serbe mbi Kosovën. Analogjitë s’janë të rastit dhe do të jenë të pranishme, derisa bota të shlirohet nga eksperimentimi i metodave mesjetare edhe në kohnat moderne.
Ditari i Rreze Abdullahut është dëshmi e asaj çka ndodhi në Kosovë në 99-n. Natyrisht, nji dëshmi reale, jo fiktive dhe e pakontestueshme.
Nuk kam bërë asnji ndryshim në tekstin e saj, përveç do ndryshimeve të vogla gjuhësore.
Ja disa fragmente nga ditari.
Nga RREZE ABDULLAHU
1.
Krejt po folin për luftën, krejt po thojnë: Luftë, luftë.
Gjyshja ka thanë se veç Zoti mundet me na ndihmu. Un po i ndij tue folë për luftën, edhe pse krejt po dojnë me e mshefë. Nganjiherë edhe po qajnë. Në televizion kanë thanë se kanë vdekë do njerëz. Un, kur i kam vetë n’shpi, m’kanë thanë që nuk asht kjo puna e fmijve. Ne, veç duhet me luejtë. Po ne nuk jemi budallë. Un krejt e dij çka ka me u ba n’luftë. Ndoshta kanë me na vra.
Beja ka thanë: “Un ju marr në Zvicer se atje kurrë nuk bahet luftë”.
2.
Ka ardh Beci me ndejtë, edhe kanë qenë tue fol me hallën. Beci ka thanë: “Janë do shkije, e kanë emrin Dora e zezë, me maska…”.
Ata kishin dashtë me marrë edhe nji djalë, te ne, e kanë kapë për setre e ai e ka zhveshë setrën e u ka ikë. Un s’muj me nga shpejt, ata mujnë me m’zanë mu, po Albani mundet me nga shpejt. Ata s’mujnë me zanë Albanin. Un e kam vetë babin, babi m’ka thanë se mos m’u tutë. Krejt burrat e mahallës hiç nuk flejnë, na ruejnë neve. Ka thanë mos m’i kallzu kërkujt: as Albanit, as Dardanit, as Ardit. Ata nuk kuptojnë sikur un. Edhe babi ka thanë se un jam princeshë e shkijet princeshat nuk i marrin. Po un nuk jam princeshë përnjimend, veç për babin. E dorës zezë hiç nuk i intereson a jam un princesha e babit a jo!
Un e kam vetë babin: “A mujna me shku n’Amerikë?”. Babi ka thanë: “Mbas lufte se ne kemi me qenë gjallë!”. Un kam m’u rritë, m’u ba e madhe, m’u ba gazetare, me shku vetë n’Amerikë, ata na dojnë ne. Un kam me taku plot njerz e kam me u kallzu për luftën tonë, për shkijet, për dorën e zezë, për fëmijtë që i kanë vra, për UÇK – në, për Adem Jasharin, për krejt, për krejt, për krejt.
5.
Janë ba dy javë e ne sot kemi shkue në shkollë. Kur kemi shkue në shkollë, na ka shti msusi me lexu. Un kam qenë tue lexu. E kemi ndi oshëtimën, po nuk e kemi ditë çka ashtë tue u ba. Mirëmbajtësi i shkollës ka bërtitë që po vijnë shkijet, me ndi krejt. Mësusi e ka çelë derën e klasës, ka dal me kqyrë te dritarja edhe i ka pa shkijet te shitorja e bacit Haki, me tanke, me pushkë t’mdhaja. Mësusi na ka thanë me hy ndër banka edhe mos me qajtë. Ne jemi tutë, ama s’kemi qajtë se ka thanë mësuesi. Kemi ndejtë pak ashtu derisa ata kanë shku. Hiç s’na kanë vra këtë herë. Kam shku shpejt te klasa e Dardanit dhe e Ardit; i kam marrë ata dy dhe jemi përqafu. Kemi ndejtë mbrenda n’klasë derisa ka ardhë gjyshi me na marrë. Kur ka ardhë gjyshi s’ka mujtë gati frymë me marrë. Gjyshi plak u lodh dhe u tut shumë për ne. Kur kemi ardhë te shpija kanë qenë tue qajtë krejt. Masandej mami na ka mbaru nji tortë, ka dashtë me na gëzu. Ka thirrë Beja prej Zvicre në telefon, edhe axhi Sylë; janë mërzitë shumë dhe kanë thanë me u incizu nji video. Ne jemi veshë mirë dhe kemi recitu vjersha me i pasë ata për kujtim prej nesh, nëse kanë me na vra shkijet.
11.
Kam pa andërr mbramë.
Kishin ardh shkijet këtu keshe i kanë vra babin, gjyshin, Albanin, Dardanin dhe Ardin. I kanë marrë m’u rritë nji herë (e) m’i vra. Mami keshe nuk dojke me ja dhanë shkijeve e tani e kanëë plagosë. Masandej mue ma kanë marrë fletoren, ma kanë lexu e kanë pa që un kam thanë se shkijet janë si dreqi, kanë dashtë me më vra, po nana u kaë dal përpara dhe e kanë vra nanën. Kishe ka mbetë veç mami plagostë edhe halla, e keshe mue m’kanëë marrë me m’çu n’Serbi. Jo,jo. Oh Zoti jem, un s’po du me shku n’Serbi, u kam than keshe shkijeve se ma mirë me m’vra. Un kisha qenë tue fol jerm, më ka thirrë mami, ma ka dhan do ujë me pi, edhe m’ka marrë n’gji, kemi fjetë bashkë, un s’tutna kur flej me mamin, asaj i vjen era mam. Oh Zoti jem, sa shumë e du un mamin, nuk du m’i ba kërkush keq, un luftoj edhe me shkijet për mamin! Mami i ka bërtitë Flamurit, i ka thanë: “Mos me na folë ma fjalë për luftën, as për masakra!”
Natën e mirë!
13.
Mami m’ka kallzu kur ka qenë n’shkollë, studente, ka nisë lufta. Mami me shoqet e veta kishin ba demonstratë për Kosovën Republikë… Shkijet i kishin marrë mamin dhe shoqet e veta n’burg… I kanë lshue, po ma nuk i kanë lanë me shku n’shkollë. Mami, gjynah, se ka mësue shumë. Mami n’burg e kish pas emrin Tringa, mu m’ka pëlqy shumë. Mami, gati menjiherë mbas lufte, u feju dhe u martu… na ka lindë neve. S’pari ka lindë Rrezja, motra jeme qe ka vdekë, ajo kish qenë shumë e bukur.
Kahnjiherë s’po tutna me vdekë se shkojna në qiell, në qiell e takoj un motrën teme atje veshun njejtë. Nëse ne na vrajnë, ajo del me na pritë ne. Në qiell nuk ka luftë, në qiell nuk ka shkije, ka veç engjuj.
Natën e mirë!
14.
Sot kemi ik prej shpije, kemi dalë krejt me traktora.
Shkijet na kanë kalu përrethi, na kanë thanë me shku në Varosh e m’u kthy me vonë. Ne kemi shku krejt, po qentë na kanë mbetë te shpija: Buci edhe Benxhi. Më ka ardhë gjynah prej Benxhit se ashtë qen plak. Un kam qeshë sot pak me gjyshin, e kam pa qe ai ka mbathë kpucat ndryshe.
Mbasdite na kanë thanë m’u kthy prap te shpija.
Oh Zoti jem, kur i kemi pa krejt shpijat tue u kallë! Njerzit kanë bërtitë shum, kanë qajtë, kanë nga. Un jam habitë, veç kam bërtitë dhe ma s’kam mujtë me lëvritë prej vendit. Tani dada Zylë ma ka mëshu shuplakë të madhe. Kemi kcy prej traktorit, krejt kemi nga te shpija, kemi dashtë me i shkymë. Un e kam pa Benxhin, e kanë plagosë. Oh Zot, Benxhi e ka pasë plumbin në qafë. Ka shku gjyshi e ka kapë në krah, kemi provu krejt me ia hjekë plumbin. Oh Zot, Benxhi po vdekë, Benxhi po cofë. Zoti jem, shkijet e kanë vra Benxhin! Pse ata e kanë vra, pse Benxhi ka qenë shumë i urtë! Benxhi nuk u ka ba keq shkijeve. Benxhi gjyshin e ka kqyrë në sy, n’drita t’synit. M’ka thanë me i ndihmu. Un s’kam mujtë, kërkush nuk ka mujtë. Oh Zoti jem, Benxhin e kanë mbytë! Mami më ka thanë mos m’e harru kurrë ket ditë. Un kurrë nuk kam me harru, kurrë nuk kam me harru Benxhin…
17.
Sot asht 10 Prill.
Un sot e kam ditëlindjen. Hiç nuk jam tue e festu, askërkush nuk ma ka uru. Po un nuk jam hidhëru hiç me kërkand, un e dij, un kuptoj që asht luftë, kanë vdek shumë njerëz, i kanë vra plot fëmi, gra, pleq, edhe gra shtatzana. I kam pa në televizion, edhe i kam ndij në shpi tue folë, kanë thanë se edhe ne jemi në rrezik. Tash ne na kanë djegë krejt shpinë, na janë djegë krejt gjanat. Mue krejt fletoret, librat, kukullat prej Zvicre, aparati. Mami ka thanë se si të kryhet lufta t’i blejmë tjera. Un e kam pa, un e dij që ata janë mërzitë shumë që na kanë djegë shpinë tonë të re, jam mërzitë edhe un, krejt shoqet më kanë thanë se na e kemi shpinë shumë të mirë. Edhe un për ditëlindje kam pasë me i marr krejt klasën te shpija, me thirrë edhe mësusin. Po tash hiç ma nuk po du me festu ditëlindjen, nuk po du as me me ble kurgja. Un veç s’po du me vdekë, po du me qenë gjallë bashkë me shoqet e mija, mamin, babin, nanën (gjyshen), gjyshin, hallën, dajtë, tetën, msusin e krejt njerzit që un i du shum. Un po du krejt njerzit me qenë gjallë.
Nuk po du me na masakru sikur në televizion qysh kanë kallzu.
Sot ka shku mami te shpia, prej malit me marrë bukë, un kam ikë prej traktorit edhe kam shku te nji ushtar i Serbisë, që ka qenë tue na ruejtë. I kam thanë që e kam ditëlindjen edhe e kam vetë a kanë me na vra. Ai ja ka nisë me qajtë, un gjith kam mendu që shkijet nuk qajnë, un jam tutë shumë edhe kam ikë shpejt, shpejt…
Ndoshta ata nuk na vrajnë neve, fëmijve, po çka me ba na fëmia vetë, nëse ata i vrajnë këta tjerët, qysh kemi me jetu na vetë?!
19.
Na kanë than m’u nisë, me dalë prej ktu, na kanë përzanë prej vendit tonë, prej Kosovës. Rrugës kemi pa plot kafshë, edhe ato kanë mbetë pa shpi, edhe ato janë tue u tutë. Shkijet na kanë lypë pare rrugës, ama nuk e kanë vra kërkand, kta shkije kishin qenë ma të mirë. Janë tue na çu në Maqedoni, atje ka plot shqiptarë. Jemi n’kufi t’Maqedonisë, jemi tue pritë qe s’di sa orë. Po na japin ndihma, po na japin ushqim, mbulojë. Dita ka shkue me i ndihmu t’smutit, ka shumë njerz qe janë t’smutë, edhe nana u s’mu, pa vetdije, gati asht tue vdekë, gjyshi asht smutë pak ma pak. Veç po vjellin, kanë marrë ilaçe. Un s’po du me vdekë nana dhe gjyshi; kemi shpëtu gati prej shkijeve, veç edhe pak dhe kufinin kemi me kalu.
25.
Nuk e di po un sot shumë jam mërzitë.
Nji ditë ka me ardhë liria e ne kemi m’u kthy n’Kosovë, n’vendin tonë, n’shpijat tona, në shkollën tonë.
Këtu njerzit janë shum t’mirë, po un s’po dukem sikur te shpija! Po më duket sikur zemra jeme asht krejt e zbraztë. Ktu po folet edhe maqedonisht, po më duket mue sikur janë shkije. Ne po na shtijnë me lexu, me msu maqedonisht. Msuesja hiç s’po na don. Nuk e di, nuk e di, n’shpi, n’Kosovë krejt janë ma t’mirë. Edhe mue m’kanë dhanë plot kukulla, po un s’po muj m’u knaqë ma, s’po muj. Mue shpesh po më kujtohen krejt. Edhe Benxhi, sytë e Benxhit me lot. Ktu edhe gjumi po më vjen ma ndryshe. Ndoshta n’Shqipëri me shku isha knaqë ma shumë se janë krejt shqiptarë. Krejt sendet po m’vijnë pa lidhje edhe pse jemi gjallë. Kurgja nuk asht si n’shpi, kurgja. Nuk kam ma çka kam pasë n’shpi, krejt jeta ka ndryshu.
Mami na ka thanë nji ditë: “Lufta u ka rritë para kohe”.
26.
Un nuk e di a ka me u ba ndonjiherë jeta normale, a kemi m’u kthy qysh kemi qenë. Kjo nuk mundet me ndodhë, njerzit kanë vdekë edhe s’mujnë m’u ngjallë, ata që janë gjallë s’kanë ma pare me i mbaru shpijat.
Ne nuk mujna me harru luftën kurrhiç, bash kurrë.
Edhe pse gati po vjen liria, ne po gzohemi, po çka për ata që ju kanë vra familjet? Un nuk po muj me ditë a asht gzim apo çka! Më ka marrë malli me dalë n’mal, me shetitë, m’ka marrë malli me vrapu, m’ka marrë malli me luejtë me shoqe, m’ka marrë malli mos m’u tutë, m’ka marr malli me kqyrë nji film vizatimor edhe me qesh shumë.
Lajme, lajme, veç lajme. Luftë, luftë, luftë, veç luftë.
Mirë ka thanë mami. Po më duket sikur nuk jam hala fmi, jam e madhe duhet me kuptu edhe luftën që e bëjnë njerzit e mdhaj. Kahnjiherë po më duket sikur prrallë, prrallë e keqe me përbindsha që na tregojke gjyshi. Po prrallat e gjyshit u kryhshin, kjo jo, hiç s’po kryhet. Me prrallat e gjyshit ne flejshim e me kta s’po na nxe gjumi.
Ah, kur t’kthehemi te nji ditë te shpija, sa shumë malli m’ka marrë e t’i ndihmoj mamit me mbjellë lule, lule t’kuqe edhe t’bardha, lule me erë të mirë, mos me ardhë ma era luftë. Kur t’shkojmë n’shkollë, ta përqafoj msusin me duer e shoqet t’i shtrëngoj shumë. Kur vjen dita me shku te shpija, kur edhe pse ma s’kemi shpi, ne atje e kemi shpinë, kemi m’u kthy n’oborr me fjetë.
Shpija jonë e djegtë, Benxhi jonë i vdektë, m’ka marr malli shumë!
27.
Po kthehemi n’shpi, po shkoj.
Shkijet kanë ikë prej Kosove. Kosova asht e lirë. E di, ne s’kemi shpi ma, s’kemi kurgja, po ne e kemi Kosovën e lirë, Kosovën pa luftë.
Ne s’kemi me u tutë ma, kemi me jetu sikur n’krejt botën. Ne jemi gjallë. Ne po shkojmë te shpija. Krejt po qajnë prej gzimit. Un e kam dijtë që liria asht e mirë, po jo kaq shumë!
Po shkojmë te shpija, te Kosova ime me lot e me gjak. Te Kosova ime e djegtë, te Kosova ime e lirë.
Të dua, Kosovë!
Rreze Abdullahu, një Ana Frank shqiptare?!
Nga Ben Andoni
Prozatori i njohur Petrit Palushi këmbëngul që ky ditar, i cili po botohet për herë të parë, është autentik dhe ai po ia dhuron “Milosaos” me mirëkuptimin e autores. E marrim të mirëqenë dhe urojmë të jetë i tillë.
Në faqet e ditarit mund të shikosh përcjelljen e jehonës së luftës nga një fëmijë që di të shkruaj, por luftën e sheh shumë “çuditshëm”, ashtu si mund ta shikoj një fëmijë në moshë të tillë. Pa notat e zakonshme të lavdisë (por që edhe asaj çuditërisht nuk i mungojnë), dhe me një qashtërsi fëmije ajo tregon për gjyshin e vet, nënën, qenin plak, familjen, mësuesin, Maqedoninë dhe ushtarin serb që i ruan dhe shumë e shumë gjëra të tjera?!
Atë që ke parasysh nga imazhet e stacioneve të huaja televizive për Luftën në Kosovë, në këtë rast, ke mundësi ta shikosh direkt nga dëshmia e një fëmije vetëm 9 vjeç. Me një gjuhë që është gjithnjë më e largët për ne në Shqipëri, por që është e justifikuar sepse është nga dora e një fëmije, vajza rrëfen gjithçka, ëndrrat, dëshirën, mësuesit dhe realitetin që e rrethon. Njerëzit mundohen që tek fëmijët lufta të vijojë sa më e vogël, por edhe tek Rrezja e asaj kohe ky kumbim i tmerrshëm nuk mund tw fshihet dot. Ditari, nëse është vërtetë autentik, ka shumë vlera dhe ia vlen që të botohet por edhe të ekranizohet. Nëse s’është i tillë dhe kjo botë për dreqin është e mbushur me raste të tilla, atëherë do të rreshtohet si një shembull i keq, deri ku mund të arrijë keqësia njerëzore për protagonizmin. Gjithsesi, gjuha e përdorur, por edhe gjendja e letrës, si thotë kuratori i saj z.Petrit Palushi i cili po merret me të, nuk lë vend për diskutime dhe i takon realisht kësaj kohe. Për ne, nëse do e merrnim të mirëqenë këtë fakt, do të thoshim se një letërsi e tillë i bën nder Kosovës dhe Shqipërisë dhe është një subjekt i jashtëzakonshëm për Luftën e Kosovës. Faktet e thjeshta sesi fëmija e shikon luftën, por më shumë akoma dashurinë për jetën tregojnë se lufta s’është aq ‘e tmerrshme’, por njerëzit që e bëjnë atë janë mostra. Serbët janë njerëz, ashtu si edhe shqiptarët, që urrehen prej tyre, janë po ashtu. Të gjithë kanë problemet e tyre, kanë fëmijë, kanë familje dhe e duan jetën. Por, kokënxehja e disave që nuk e shikojnë fare jetën është e tmerrshme. Dhe, këtë solli lufta të cilën analistët mund ta lidhin me lloj-lloj gjërash që shpjegohen me gjeostrategjinë. Për Rrezen e vogël këto s’kanë rëndësi. Ajo na jep dëshminë me vetë sytë e saj. Na tregon ëndrrat, eksodin, ikjen në Maqedoni, mundësinë që s’ua jep mësuesi maqedon dhe pikëllimi i saj është se ditën e saj të lindjes nuk ia uroi askush. Madje ka frikë se do ta vrasin. Por, ushtarit serb që i ruan, kur e pyet nëse do i vrasë, ai e shikon i çmeritur, sepse ndoshta edhe vetë e presin fëmijët në shtëpi. “A do më vrasësh sot, që kam ditëlindjen?” A vriten njerëzit kështu?! Por më mirë le të flasë vetë kjo vogëlushe e mrekullueshme, që fati e la gjallë për të na dhënë këtë dëshmi të jashtëzakonshme:
“Edhe un për ditëlindje kam pasë me i marr krejt klasën te shpija, me thirrë edhe mësusin. Po tash hiç ma nuk po du me festu ditëlindjen, nuk po du as me me ble kurgja. Un veç s’po du me vdekë, po du me qenë gjallë bashkë me shoqet e mija, mamin, babin, nanën (gjyshen), gjyshin, hallën, dajtë, tetën, msusin e krejt njerzit që un i du shum. Un po du krejt njerzit me qenë gjallë.
Nuk po du me na masakru sikur në televizion qysh kanë kallzu.
Sot ka shku mami te shpia, prej malit me marrë bukë, un kam ikë prej traktorit edhe kam shku te nji ushtar i Serbisë, që ka qenë tue na ruejtë. I kam thanë që e kam ditëlindjen edhe e kam vetë a kanë me na vra. Ai ja ka nisë me qajtë, un gjith kam mendu që shkijet nuk qajnë, un jam tutë shumë edhe kam ikë shpejt, shpejt…
Ndoshta ata nuk na vrajnë neve, fëmijve, po çka me ba na fëmia vetë, nëse ata i vrajnë këta tjerët, qysh kemi me jetu na vetë?!”(Kortezi MILOSAO)
Vlera memorialistike të një autori nga Kosova
Besnik Lajqi, Tregime, Amanda Edit, Bukuresht 2013/
Nga Baki Ymeri/
Nga “recetat” e mençurisë indiane dhe hebraike, kuptojmë se tri janë rrugët e pasurimit: tregtia, dituria dhe lëmosha. Shqiptari nuk e korit vetëveten duke kërkuar lëmoshë, por duke e siguruar ekzistencën me punë, mundim e djersë. Një nga ta është edhe autori i këtij libri që i lë pa brekë disa pseudokomandantë që ia nxinë fytyrën vetëvetes duke u implikuar në kurvëri politike, mashtrim, hajdutllëk, korupcion dhe vrasje. Tregimet e Besnikut strukturohen në dy kapituj: “Kujtime të paharruara” dhe “Lepujt e Kosovës në Tiranë.” Në kuadrin e kapitullit të dytë, autori shkëlqen edhe me një serë polemikash që dëshmojnë se ai ka sinqeritet, humor dhe çiltërsi mendimesh. Edhe ky libër, me një lëndë prej 100 faqesh, del në dritë në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksinë e revistës Shqiptari.
Nga biigrafia kuptojmë se Besnik Lajqi është pjestar i një familjeje me tradita të larta patriotike nga Kosova. U lind më 11 shtator 1965 në Pejë, në gjirin e një familjeje me prirje të moderuara europiane, ku mbi të gjitha zotëronte sakrifica dhe lufta që të mbijetojnë shpirti, gjuha, tradita, kultura dhe arti shqiptar nën pushtimin serb. Sipas shënimeve të tij kuptojmë se “Lagja e jonë ku ishim në qytet, e quanin Kalaja. Kala e quanin se në kohët e vjetra kishte qenë aty një kala e vjetër. Por me ardhjen e pushtusve osmanë dhe serbë, ajo ishte rrënuar që nga themeli. Brenda në kala kishte qenë garnizoni i ushtrisë turke në atë kohë. Se si u zhduk kjo kala, askush nuk tregon në ndonjë shkrim. Në vitet 60-ta fillon hapja e fabrikave në qytet. Shumë fshatarë nga rethet e Pejës i lëshuan fshatrat që të hyjnë në punë në fabrika, për një jetë më të mirë. Në mesin e tyre ishim edhe ne si familje, si dhe shumë e shumë familje tjera të rrethit të Dukagjinit e më gjerë.”
Mençuria ndërlidhet me pasurinë e vërtetë, atë shpirtërore, sepse njeriu që punon ndershmërisht, pa shije paranoike për të grumbulluar pasuri, din t’i ndihmojë edhe të tjerët. Ndihmat që ka dhënë Besnik Lajqi për zbutjen e varfërisë në Kosovë e Shqipëri, janë një subjekt tjetër që meriton një kapitull të veçantë. Çdukush prej nesh e din se pasuria vjen e shkon, ndërsa kujtimet mbeten. Kujtime nga fëmijëria ime në Kosovë, Aty ku ka rrugë, ka punë e gjallëri dhe jetë të lumtur, Kulla e Berishëve dhe morali ushtarak, Një dashuri tragjike në Rekën e Llagës, Fëmijëria ime në mesin e një familjeje katolike shqiptare, Shqipëria në sytë e mi më 1989, Diktatura më e egër në botë, Zeka i zi dhe rrezillëqet e tij, Ish/luftëtarja dhe gjenerali vagabond, Zagari i zi i diplomacisë jugosllave, Komandantët e pulave të Kosovës në Tiranë, Biografia e zezë e Komandant Faqeziut, Detaje të reja lidhur me vrasjet politike në Kosovë, Nuk është në rregull ta luani rolin e hetuesit, janë disa nga subjektet që trajton ky autor vlerash të rralla memorialistike.
Libri përmbyllet me disa komente si: „Mua më duket se Besnik Lajqi është duke i lënë pa brekë komandantët e vetëshpallur që i likuiduan kuadrot ushtarake më të afta dhe më besnike të Dr. Ibrahim Rugovës. Besnik Lajqi ka një biografi briliante për të cilin garantojnë të gjithë ata që e njohin, sepse e ka ngulur i pari pllugun në brazdë, jo vetëm për këtë subjekt të nxehtë, sepse ai ka shkruar me bindje e besnikëri, sepse shkruan e do të shkruajë edhe më tej: me sinqeritet, pa prapavijë dhe pa dorëza.”Sipas Bujkut, „Besniku e njeh shumë mirë Komandant Zezën që e ka njohur personalisht, dhe ende nuk e ka përmendur me emër e mbiemër, sepse artikujt e tij kanë vlera reale, letrare dhe artistike, dhe i vjen keq pse ka patur punë me këtë “njeri”, i cili ende nuk ka patur guxim të dalë me ndonjë koment apo reagim, sepse, siç thot njëri nga ata që e ka njohur këtë dhe disa komandantë tjerë të vetëshpallur: “Këta janë komunista dhe këta nuk kanë Atdhe, sepse këta i ka bashkuar gënjeshtra, mashtrimi, korupcioni, vjedhja, shantazhi dhe vrasja e bijve më të mirë të kombit.”
Pas shkollimit elementar, Besnik Lajqi e braktis Kosovën për të siguruar ekzistencën në Perëndim, që në moshën 15 vjeçare. Ka ndjekur disa shkolla të ndryshme daneze (http://www.ipc.dk/), Kolegjin internacional për komunikim me nacionalite të ndryshme nga gjithë bota. Një vit pastaj ndjek një shkollë të lartë (Krabbesholm Højskole. http://www.krabbesholm.dk/). Merret me art/design, arkitekturë e tjera. Ka qenë pronar i disa lokaleve gastronomike për shumë vite, duke e vazhduar edhe sot e kësaj dite këtë punë. Është koleksionar i shumë eksponateve etnografike të motshme e të rralla shqiptare. Është pronar i Kolonisë së Artit dhe Amfiteatrit në një lokacion me nivelin mbidetar më të lartë në botë. Ka dhënë nam kontributesh vullnetare për infrastrukturën e vendlindjes, për familjet e varfëra dhe çështjen kombëtare. Njihet si ish/luftëtar që nga ditët e para të UÇK-së. Dikush e ka mashtruar duke u bazuar në zemërgjerësinë e tij, por ai nuk e ka shfrytëzuar përvojën aziatike për ahmarrje fizike. Rugova është vendfrymëzimi i tij. Besnik Lajqi posedon prirje të lindur për memorialistikë, prozë, tregime dhe reportazhe të botuara në shtypin e shtypur (Bota sot) dhe massmedian elektronike (Zemra Shqiptare, Gazeta Kritika etj.). Ky është libri i tij i parë, pas të cilit pason një libër tjetër kushtuar Rugovës dhe vlerave të saj.
RECESIONI GLOBAL DHE NDIKIMI I TIJ NË EKONOMINË SHQIPTARE
Botime Universitare/
”Shifrat nuk e drejtojnë botën, por ato na mësojnë se si duhet drejtuar ajo”- G ë t e/
Nga Enver Memishaj, ekonomist/
Historia na mëson se studjuesit në përfundim të analizës që bëjnë për plagët e shoqërisë, konfliktet dhe krizat arrijnë gjithmonë në përfundimin se konfliktet e krizat kanë ndodhur sepse ata që drejtojnë shoqërisë, politikanët dhe burrat e shtetit nuk kanë dëgjuar, specialistët, njerëzit e ditur që janë profetët që Zoti dërgon mbi tokë.
Në kohën e sotme gati e gjithë bota po kalon një krizë financiare, nje recesion i cili preku të gjitha fusht e jetës. Amerikanët si gjithnjë, shembulli i administrimit model të një shoqërie të drejtë, nxorrën nga buxheti i shtetit mbi miliarda dollarë për bankat private dhe shpëtuan falimentimin e tyre.
Ne shqiptarëve na shkon menjëherë mëndja tek viti 1997, dhe sot mendojmë sa mirë do të ishte sikur shteti jonë të kishte vepruar si Amerika, të kishte marrë përsipër shlyerjen e borxhit të firmave piramidale dhe nuk do të kishte ndodhur ajo katastrofë që ndodhi e cila si nga ana ekonomike ashtu edhe në dëme njerzore e morale ishte shumë më e madhe se detyrimi që firmat piramidale u kishin qytetarëve të tyre.
Sot Shqipëria kërcënohet nga recesioni global dhe gjendet në prag të një depresioni, ndikimi i të cilit u pasqyrua qartë gjatë vitit 2012.
1. Ç`duhet të bëjmë ?
Kësaj pyetje duhet ti përgjigjemi me një fjali të vetme, që vjen nga përvoja historike e botës dhe e vendit tonë: Të dëgjojmë zerin e ekonomistëve, zërin e njerzëve të mënçur.
Një zë i tillë është edhe zeri i Prof. Dr. Alqi Naqellarit, i shprehur në dhjetra konferenca brenda dhe jashtë Shqipërisë, në intervista televizive dhe në auditoret e disa universiteteve në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë.
Kjo veprimtari shkencore e publiçistike e ka bërë sot në fushën e ekonomisë një zë të respektuar dhe të njohur profesor Alqi Naqellarin. Autor i 10 teksteve universitare, 3 monografive në fushën e ekonomiksit të botuar vetëm dhe në bashkëpunim me autoritete të fushës së ekonomisë, autor i më shumë se 20 artikujve shkencorë të botuar në revista prestixhioze ekonomike brënda dhe jashtë Shqipërisë, në shqip dhe në anglisht.
Tani së fundi ai vjen me veprën e tij të njëmbëdhjetë “Recesioni global dhe ndikimi i tij në ekonominë shqiptare”, botim i Universitetit Ndërkombëtar të Strugës dhe Universitetit Mesdhetar të Tiranës, Strugë 2012.
Kjo vepër është një bashkëpunim i suksesshëm ndërmjet Profesor Alqi Naqellarit dhe ekonomistëve të rinj që po hedhin hapa të suksesëshëm përkrah profesorit: Magjistër Robert Maliqit dhe Magjistër Almarin Naqellarit. Bashkëpunim që është për t`u përshëndetur si nga guximi të rinjëve që premtojnë shumë për të ardhmen, ashtu edhe nga fisnikëria dhe mënçuria e profesorit në përkrahje dhe bashkëpunim me talentet e reja, një shembull qytetarie dhe profesionalizmi që duhet përshëndetur dhe ndjekur.
Libri voluminoz prej gati 600 faqesh, që analizojmë duhet të shërbejë si manual për ekonominë tonë në kohën e sotme.
2. Përmbajtja e librit.
Libri ndahet në gjashtë kapituj:
Në kreun e parë është përshkruar pamja e ekonomive të rajonit dhe vendeve kufizuese të këtij rajoni, veçanërisht e parë ndërmjet viteve 2008-2011.
Në kreun e dytë janë analizuar modelet ekonomike që aplikohen sot në botë.
Në kreun e tretë janë analizuar treguesit kryesorë makro ekonomikë dhe është arritur në përfundimin se që nga viti 2009, ekonomia shqiptare duke përjashtuar treguesin e inflacionit, në treguesit e tjerë nuk ka pasur rezultate të kënaqëshme.
Në kreun e katërt janë analizuar politikat ekonomike që janë aplikuar gjatë periudhës së recensionit 2008-2011, dhe është arritur në konkluzionin se Banka Qëndrore nuk ka aplikuar politika ekspasioniste në mbështetje të politikave ekspasioniste fiskale të aplikuar nga qeveria.
Në kreun e pestë janë analizuar mundësitë dhe prespektivat e ekonomisë shqiptare.
Në kreun e gjashtë janë dhënë konkluzinet e nxjerra nga studimi dhe analizat që bëhen në këtë vepër.
Nga kjo paraqitje e shkurtër e përmbajtjes së kësaj vepre del e qartë se kjo është një vepër e çmuar, që vjen në kohën e duhur, si një shërbim i madh që i bëhet shoqërisë dhe që ju shërben në radhë të parë burrave të shtetit dhe politikanëve që kanë për detyrë të influencojnë për të orjentuar ekonominë e vendit në drejtimin e duhur. Është kjo arsyeja që autorët u kanë dhuruar nga një kopjo të librit partive politike dhe shoqatave që kanë peshë në shoqërinë tonë.
Vepra është e vlefshme gjithashtu për profesoratin e universiteteve tona, për intelektualët, për studentët dhe jo vetëm të ekonomisë dhe për të gjith shoqërinë që të mësojnë të vërtetat mbi ekonominë tonë e për pasojë të dinë të orjentohen drejt në ekonominë e tregut dhe në votën që duhet t`u japin partive politike.
Disa çështje të rëndësisë së veçantë, që trajtojnë autorët në libër.
Siç paraqitëm në krye të fjalës sonë problemet në këtë vepër janë trajtuar me profesionalizëm dhe janë të shumta, por ne do të ndalemi në disa prej tyre të cilat përfshijnë edhe çështjet për të cilat ne nuk po flasim direkt për to.
Prej fillimi deri në fund vepra herë e thënë direkt dhe herë indirekt, përshkohet nga çështja se cili është modeli ekonomik që duhet të ndjekë Shqipëria për t`i shpëtuar rënies në krizë dhe për ecur në udhën e rritjes ekonomike.
Fillimisht na duhet të sqarojmë se nuk bëhet fjalë për ndryshime të themeleve të ekonomisë së tregut ato janë dhënë njëherë e përgjithmonë, por bëhet fjalë për reformat ekonomike me një këndvështrim të gjërë dhe politike që duhet të ndiqen për rritjen ekonomike të vendit.
Konkretisht në Shqipëri:
– Mungon mirëkuptimi politik ndërmjet partive për reforma themelore të cilat do të japin frytet e tyre për një kohë të gjatë dhe jo 4 apo 8 vjet sa ç`vijnë e shkojnë partitë. Kjo mungesë marrëveshje ka sjellë pasoja, pasi kur një qeveri flet për një reformë opozitarët deklarojnë se sapo të vijnë ata në pushtet do ta anullojnë reformën.
Kjo gjendje sjell pasigurinë e investitorëve të huaj e për pasojë ngadalësimin e rritjes ekonomike, si dhe marrjen e vendimeve të rëndësishme strategjike.
– Buxheti i vitit 2012, nuk ishte planifikuar realisht dhe për pasojë solli ndryshime të shumta gjatë vitit.
– Sistemi pensioneve sot është pranuar se ka dështuar dhe ende nuk janë marrë reformat e duhura për ta nxjerrë këtë sistem nga kolapsi.
– Amnistia fiskale nuk u bë maksimale si shembulli i Italisë, por gjysmake dhe që nuk dha rezultatet e dëshëruara dhe të pritura.
– Megjithse flitet shumë se ndarja e territorit të republikës duhet të bëhet sipas kushteve gjeografike dhe ekonomike dhe jo sipas interesave elektorale ende nuk është arritur në mirëkuptimin e partive dhe ndarja vazhdon të rëndojë ekonominë dhe të mos ketë efektivitet. Po kështu ka institucione të administratës publike paralele si Këshilli i Qarkut me Prefektin e Qarkut.
– Gjykata administrative kaq e nevojshme për ekonomine dhe drejtësinë ende nuk po funksionon në vendin tonë, etj etj
Guximshëm autorët kanë dalë në dy konkluzione të rëndësishme: i pari që modeli ekonomik i aplikuar në Shqipëri pas viteve 90 ka dështuar dhe i dyti që është vijim i të parit edhe sistemi financiar i aplikuar ka dështuar.
Modeli ka dështuar sepse në përgjithësi është i bazuar në tre shtylla, në remitanca, në shitjen e pasurisë shtetërore dhe në kredi dhe jo në zhvillimin dhe rritjen e sektorëve të prodhimit. Tre të parat janë të shtershme ndërsa rritja e faktorëve ekonomik të brendshëm duke shfrytëzuar resurset e vendit është baza e rritjes ekonomike. Industria nxjerrëse e përpunuese, bujqësia e shërbimet duhet të jenë baza e rritjes permanente. Sistemi financiar ka dështuar, kjo nga modeli i gabuar që u aplikua dhe vazhdon të aplikohet. Privatizimi total ishte një gabim i madh, ishte kalimi nga njëri ekstrem në tjetrin. Nuk u zbatua sistemi bursë-bankë si në perëndim por e kundërta bankë –bursë si në lindje. Privatizimi i Bankave shtetërore të nivelit të dytë ishte sipas autorëve gabimi fatal. Pasojat e këtij privatizimi duken në frenimin e rritjes ekonomike pasi Bankat private nuk i ndjekin dhe shoqërojnë më politikat monetare të Bankës Qëndrore.
Pra, autorët arrijnë në përfundimin se Shqipërisë i duhet një model i ri ekonomik, sa më shpejtë aq më mirë.
B o r x h i :
Analiza e borxhit është komplekse dhe e gjithanëshme. Mendimet e dhëna se borxhi duhet të kontrollohet e kufizohet me kushtetutë nuk është i drejtë, pasi ka shumë institucione brenda vendit që mund ta kufizojnë atë.
Problemi dytë me rëndësi është se për çfarë merret borxhi? Në se borxhi merret për investime në ekonominë e vendit të cilat pritet të japin efektivitetin e tyre në rritjen ekonomike atëherë marrja e borxhit është e drejtë dhe e pa kritikushme. Po kështu duhet të anlizohet edhe dinamika e shlyerjes së borxhit.
Pra kur rritja ekonomike nuk është në nivelin e duhur niveli i borxhit bëhet një barrë e rëndë për ekonominë.
Sot në Shqipëri niveli i borxhit është 62.6 % dhe ka një rritje prej 4 %, në një kohë që për vende si Shqipëria niveli borxhit duhet të jetë në kufijtë 40-50%, veçanërisht kur nuk evidentohen burime të reja të rritjes ekonomike.
Një problem tjetër me rëndësi është nxitja e konkruencës midis bankave, zgjerimi kreditimit dhe monitorime me rreptësi, veçanërisht ndikimi i shtetit me anë të dispozitave ligjore për funksionimin normal të bankave dhe influenca e tyre në ekonominë shqiptare. Një ekonomist i madh italian ka thënë se “ Me jepni kredi tu rregulloj gjith botën” Por ç`ndodh me bankat shqiptare? Sot niveli i kredive të këqia është 22 deri 23 % dhe bankat nuk arrijnë të veprojnë e operojnë shpejt sepse ka mungesë të legjistacionit, ka pengesa administrative dhe vonesa të stërgjatura në ekzekutimin e vendimeve.
Në vitin 2013, siç kanë deklaruar burimet vendase dhe të huaja do të ketë një farë stabiliteti dhe nje rritje ekonomike, por autorët e veprës që analizojmë na tërheqin vëmëndjen duke na thënë se treguesi i rritjes ekonomike duhet parë në gjërësi dhe në thellësi pasi nuk është i vetmi tregues që tregon zhvillimin e vendit dhe të ekonomisë.
Në këtë rritje do të kenë influecën e vet edhe vendet fqinj si Italia dhe Greqia.
Tek ky tregues duhet të mbështetemi kur ai harmonizohet dhe vjen në unitet me tregues të tjerë të ekonomisë.
Por viti 2013, duke qënë një vit elektoral, parashikohet që 6/mujori parë do të ketë një rritje ekonomike për shkak të interesave elektorale ndërsa në 6/mujorin e dytë do të ketë një keqësim të treguesve.
Ne ekonominë e një vendi dhe në përballimin e krizës rëndësi të veçantë ka edhe gjendja psikologjike e cila infuencon në jetën e njerzëve dhe zhvillimin ekonomik më shumë se vetë varfëria. Autorët na thonë se sot në Shqipëri papunësia është në nivelin e 13-14 %, si dhe ka një pakësim të konsumit të brendshëm, një ulje të investimeve të brendëshme dhe të huaja. Bizneset punojnë nën kapacitetin e tyre, importet për investime janë pakësuar, ka një rritje të depozitave në banka, çka do të thotë se njerzit presin situata më të favorshme.
Rëndësia e veprës.
Autorët theksojnë se në kohën e sotme autoritete të shteteva të mëdha të botës kanë deklaruar se kriza nuk ka përfunduar, prandaj duhet të jemi të vëmëndshëm dhe në studim të çështjes më qëllim që efektet e krizës të jenë minimale pasi jemi ne njerzit që bëjmë që ligjet e zhvillimit të shoqërisë t`i ngadalsojmë apo t`i shpejtojmë.
Bark Obama ka kërkuar që t`i kushtohet vëmëndja e veçantë difiçitit buxhetor, rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve nuk është udha më e mirë që duhet ndjekur.
Merkel e Gjermanisë ka deklaruar se viti 2013 do të jetë një vit i vështirë, sepse beteja nuk është fituar, por nuk duhet të dekurajohemi dhe të vazhdojmë luftën me anë të reformave ekonomike, sepse ato të marra deri tani kanë sjellë efektet e dëshëruara.
Këto konkluzione duhet të na bëjmë të lexojmë me vëmëndje librin ”Recensioni global dhe ndikimi i tij në ekonominë shqiptare” prej së cilës, drejtuesit e ekonomisë shqiptare, do të nxjerrim mësime të vlefshme.
Ku mbështeten autorët Alqi Naqellarit, Robert Maliqit dhe Almarin Naqellarit në konluzionet e tyre? Në konkluzionet që ata na kumtojnë ne lexuesve të interesuar kanë arritur nëpërmjet një analize të thellë të mbështetur në të dhëna të shumta numerike dhe statistikore, mjafton të përmendim se autorët i mbështesin konkluzionet e tyre në 146 tabela numerike, statistikore, dhe grafike që tregojnë si në pasqyrë përfundimet e arritura.
Gëtja i madh, ai gjeniu gjerman ka thënë se: ”Shifrat nuk e drejtojnë botën, por ato na mësojnë se si duhet drejtuar ajo”, pra autorët e kësaj vepre që analizojmë na paraqesin pasqyrën e të dhënave numerike dhe grafike për të na mësuar e udhëzuar se si duhet drejtur dhe ç`farë modeli ekonomik duhet të ndjeki ekonomia shqiptare.
Siç thamë në krye në se profesorati jonë do të kuptojë dhe zbatojë konkluzionet e arritura në këtë vepër të rëndësishme të kohës sonë atëhere ekonomia jonë do të shpëtojë nga rënia dhe do të ketë rritje të të gjithë treguesve ekonmiko financiar.
Autorët kanë qënë shumë të kujdeshëm dhe kanë përdorur një gjuhë të thjeshtë me shëmbuj të shumtë për ta bërë veprën lehtësisht të kuptueshme për një masë të gjerë të lexuesve dhe kjo përbën një vlerë dhe meritë të autorëve.
* * *
Morëm përsipër t`i bëjmë me dije botës shqiptare vlerat dhe rëndësinë e një vepre të fushës ekonomike me interes të gjërë, pasi flitet për ekonominë që është baza e zhvillimit dhe mirëqënies së së vendi. Kufijtë e një artikulli të vetëm na kufizojnë për të folur më gjërë për rëndësinë dhe mësimet që nxjerrim nga kjo vepër.
ATA QE VEC E FSHIKIN PAKSA JETEN TONE…
Ne kujtim te Vehip Hoxhes, qe vdiq ne kampin e internimit ne Saver te Lushnjes/
Nga Jozef Radi/
Ka njerëz që veç ta fshikin paksa jetën tënde, po brenda asaj fshikje është krejt magjia e së përjetshmes dhe ai mesazh i tyre, paksa i heshtur, pa e ditur as vetë pse, të merr dhe përcjell ngado që vërtitet jeta jote. Vërtet mund të harrosh shumçka të rëndsishme të jetës tënde, po magjia që ai njeri, pothuaj i panjohur, ka lënë …tek ti është aq e madhe dhe e pabesueshme, sa ti e ke jo të pamundur ta harrosh, po e ndjen të domosdoshme ta kujtosh në at përmasë të veçantë, që edhe pse vështirë të kuptohet se ç’është; sepse ajo çka ke lexuar, mësuar e leçitur në jetë s’ta ka dhënë at çelsin e duhur të mbrritjes tek e vërteta e asaj vogëlsie që ka lënë nji gjurmë të madhe, të dukshme e të pashlyeshme…
E nisur diku prej fëminisë së hershme ajo sërish të ndjek ngadoqë ti vërtitesh: ndër kohra, hapsira dhe njerëz… derisa gjen ditën e disi përdhunshëm, të thotë: “Ajo e vërteta që të përkiste ty duhet të jetë edhe e të tjerëve…!”
Dhe ky personazh i jetës sime nuk vjen prej asnji fantazie, prej asnji përralle, prej asnji trimërie; ai thjesht ishte aty në jetën time deri at mbasdite, kur më mori përdore dhe me hijen e nji gjyshi të munguar dhe të nji mësuesi që mosha s’ia kish shterrur pasionin e parë, më tregoi se dashuria për çdo vogëlsi të jetës bëhet pasuria më e madhe, e njeriu atë mund ta fitojë përditë, në shpërfillje të ashpërsisë së jetës, pa iu nënshtruar rrethanave edhe kur ato shfaqen të përbindëshme!
Ky plak i urtë përtej të shtatëdhjetave quhej Vehip Hoxha, e derës së Hoxhatëve të Gjirokastrës, arratisja e djalit të vetëm Asafit, në fund të viteve ‘50, vërtet e kish degdisur Myzeqesë, po s’kish mundur t’ia cënonte at pamjen e tij prej dendy, as veshjen gjithnji perfekte si i posadalë kutie, as sjelljen prej fisniku, as shikimin e mprehtë që s’i shpëtonte asgjë, veçanërisht e bukura, as ecjen e hijshme e të ngadaltë, e pothuaj të përditshme drejt qytetit; aq sa të krijonte idenë se ishte nji krijesë jashtë realitetit komunist… dhe jo nji i dënuar rëndomtë i gulageve shqiptare!
Vehip Hoxha kishte qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër, drejtor banke në Korçë gjatë viteve ‘30, nëpunës i lartë Banke për shumë kohë në Tiranë… burrë i emnacipuar, baba i tenistes së parë shqiptare: Andan Hoxhës, dajko i Nedim dhe Vedat Kokonës, u detyrua forcërisht, edhe pse mbi të shtatëdhjetat, bashkë me tri vajzat: Andanin, Suzanën e Nerimanin dhe gruan, Zonjën Nalo, nga fisi i Bejove, të kalonin vite pafund mes baltrat aspak mikpritëse të Myzeqesë… aty ku përbaltesh jeta e shumë familjeve të nderuara shqiptare e aty ku sapo kish mbirë fëminia ime dhe e shumë sivllezërve të mi.
Ishte pamja e tij tejet serioze, që më shtynte ta shihja Xha Vehipin, si nji sfidant të regjimit, si nji shpërfillës të madh, si njeriu që edhe ndaj baltës së madhe myzeqare “vishte dy palë këpucë!!”, bile nji shoku im, që mori përsipër t’ia pastronte palën e përbaltur duke u tallur, provoi edhe shijen e bastunit të tij… që ende sot e ka të freskët!
Edhe pse ndër më të moshuarit, Xha Vehipi gjithë grave të kampit u thoshte Zonja dhe gjithë burrave Zotëri… aq sa edhe unë që s’kisha më shumë se 7-8 vjeç, një mbasdite u shfaqa si “zotëri” edhe pse përdore më ftonte në shtëpinë e vet, duke iu drejtuar gruas dhe vajzave: “Ku është djali i zotit Lazër dhe miku im i vogël, prej sot kët zotni ju duhet ta nderoni dhe respektoni si burrë të madh!” Dhe toni dhe fjala e tij ishte ligj!
Xha Vehipi, ishte sigurisht filatelisti më i zellshëm shqiptar… albumet e tij të pullave postare ishin të panumërt dhe koleksionet e tij nga më të pasurat që kishte Shqipëria!
Filatelia u bë afërsia e madhe mes nesh!
Unë do të përpiqem t’i jap gjithë bisedat si nji e vetme, mbasi ato ishin aq të bukura dhe të shtrira në vite… duke u rrekur të jap thelbin e tij prej mësuesi, njeriu dhe vizionari!
Duke më treguar albumet e tij të shumta më thoshte: “I sheh këto pulla poste, duket sikur s’kanë asnji rëndësi, duken si ca gjëra pavlerë që shoqërojnë veç letrat dhe kartolinat! Jo, s’është kështu… çdo pullë ka një informacion të shkëlqyer! Ja shikoje: së pari tregojnë shtetin nga vjen, së dyti tregojnë vitin kur është emetuar, së treti aty mund të gjesh nji ngjarje, nji personazh, nji lule, nji qytet, një kafshë, një sport, një olimpiadë… e ku e di unë, pra po të jesh i vëmendshëm, ti pa pyetur askënd merr vesh shumë gjera. Fjala vjen ti nga pullat mëson se Ingliterra s’ka mbret po mbretëreshë, dhe s’ka pullë të mbretërisë së saj të pashoqëruar nga figura e mbretëreshës… E di si quhet mbretëresha…? Ja s’e di! Queen Elisabeth! Ja pra e mësove dhe këtë… Po do mësosh se figurën e Mbretëreshës s’e kanë vetëm pullat e Mbretërisë, po edhe të gjithë kolonive si fjala vjen Australia, Zelanda e Re, Kanadaja, e shumë koloni të vogla. Mëson kryeqytetet e botës, mëson emrat e udhëheqsave, mëson gjeografinë, mëson historinë, mëson edhe politikë… Mëson si t’i mbledhësh pullat, si t’i pastrosh, si t’i vendosësh nëpër albume, si t’i shkëmbesh ato që i ke me shumicë, me të tjera që ti s’i ke… si të bësh miq në Shqipëri pse jo dhe nëpër botë. Pullat së pari të pasurojnë me kulturë, me informacion, e shpenzon kohën e lirë për nji pasion tëndin, pse jo mund të bëhesh edhe i pasur, shpirtërisht e sigurt, po edhe me para sepse po t’i mungojë një koleksionisti të njohur një pullë që e ke vetëm ti… ai ta paguan sa frëngu pulën… Pra, po të jesh i zoti e kupton se ajo pulla e parëndësishme, befas bëhet e madhe e të ndihmon në jetë, që çdo që gjë ta shohësh me interes… Se ai që di të vlerësojë nji pullë, pra nji copë letre; ai di të vlerësojë një libër, di të vlerësojë nji ngjarje, nji grua, nji aeroplan, një personazh… atij që s’i hyn në sy ajo pulla e vogël që kushton pak qindarka, atij s’i hyn në sy asgjë e kësaj bote! Ai lind kot, jeton kot dhe vetëm vdes plot… kurse ai që jeton me interesa dhe mendon për diçka të rëndësishme, ai e jeton jetën me të vërtetë, dhe mos harro se ka mjaft prej atyre që edhe pse vdesin u lenë vlerë emrit dhe vështirë se harrohen! Ja edhe ato pullat që ti i sheh me tallje të mësojnë ta bësh bukur jetën tënde!!!”
Nuk e di se ç’ngjyra mund të ketë pasur fytyra ime fëminore gjatë atyre shpjegimeve magjike të atij njeriu, i sigurt jam se drita e tij edhe mbas katër dekada ka mbetur e paprekur brenda meje, atë dritë s’mundi të ma shkulë askush! Sepse në jetë ndodh rrallë të takosh personazhe të kësaj përmase, po më e rëndësishmja është që nëse fati të ndihmon t’i takosh, të paktën ruaje me kujdes dhe shpërndaje imazhin e tyre që mos të harrohen…
Xha Vehipi, më percillte nëpër oborrin e barakës, ku kishte dy trëndafilë të mëdhenj rozë dhe me gërshërë këpuste nji gonxhe dhe më thoshte: “Merre se e meriton, më dëgjove me vëmendje dhe s’u mërzite, jam i bindur se ajo çka të thashë, do të shërbejë…”
Dhe mbeti mësuesi më i madh i jetës sime!
Xha Vehipi vdiq papritur në vitin 1967! Grupit të interrnuarve që e shoqëruan në varrezat e qytetit at ditë do t’i ngjitesha edhe unë, mbasi iu luta me lot ndër sy tim eti! Isha i vetmi fëmijë që përcillja një mikun timin të Madh, një mësues të papërsëritshëm, që edhe pse i hedhur midis baltës, jetoi dhe vdiq si Zotni!
Xha Vehipi, është prej atyre që veç e kanë fshikur paksa jetën time, po brenda asaj fshikje ka mbetur krejt magjia e së përjetshmes dhe ai mesazh i tij, paksa i heshtur, pa e ditur as vetë pse, më merr dhe më përcjell ngado që vërtitet jeta ime…
- « Previous Page
- 1
- …
- 36
- 37
- 38
- 39
- 40
- …
- 47
- Next Page »