Klubi i Patriotëve të Rinj ndjek me shqetësim vazhdimin e fyerjes së dinjitetit dhe inteligjencës së shqiptarëve, nëpërmjet proceseve maskaradë të zhvarrimit të eshtrave të rreme të ushtrisë pushtuese greke në Shqipëri. Kërkimi i eshtrave në qendër të qytetit të Korçës, ku nuk ka pasur asnjë luftim nga ushtria pushtuese greke, apo edhe më keq në Hormovë, ku ushtria greke ka masakruar me qindra shqiptarë përgjatë Luftës së Parë Botërore, përbën një akt të shëmtuar që nuk duhet toleruar. Klubi i Patrioteve te Rinj i kërkon shtetit shqiptar që të ndalojë çdo tendencë të tillë nga pala greke dhe kolaboracionistët e saj në Shqipëri. Klubi i Patriotëve të Rinj është i gatshëm për të mos lejuar përsëritjen e maskaradës së Kosinës, ku eshtrat e fëmijëve dhe pleqve shqiptarë u zhvarrosën dhe u “pagëzuan”si ushtarë grekë.
Archives for February 2013
Ish-kryetari i PD-së Selami, “i gatshëm për t’u rikthyer nëse e ftojnë”
Në intervistën e tij në emisionin Opinion zoti Selami u shfaq me një qasje tjetër ndaj partisë demokratike dhe udhëheqjes së saj/
Në Shqipëri ish kryetari i partisë demokratike dhe një prej ish themeluesve të saj Eduard Selami i cili prej 15 vitesh jeton tanimë në Shtetet e Bashkuara tha mbrëmë se ai është i gatshëm të rikthehet në radhët e partisë demokratike nëse do të ketë një ftesë për t’u përfshirë në garën elektorale. Në një intervistë në emisionin Opinion në televizionin Klan, ai tha se për këtë kishte patur kontakte edhe me drejtues të PD. Në ndryshim nga qëndrimet e tij kritike në të kaluarën për zhvillimet në vend dhe në partinë demokratike, këtë herë zoti Selami foli me tone pozitive duke vlerësuar arritjet dhe sukseset që sipas tij mund t’I japin partisë demokratike fitoren për një mandate të tretë në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm
Ashtu si shumë nga figura të larta të Partisë demokratike që në vite ishin shkëputur prej saj, por u rikthyen në prag të zgjedhjeve të 2005, edhe ish kryetari Eduard Selami deklaron se është I gatshëm ti bashkohet sërish forcës nga e cila u nda në mesin e viteve ‘90 përmes polemikave jo të pakta. “Nëse Partia demokratike do të kërkojë të më kandidojë unë me kënaqësi do t’I përgjigjesha”.
Në intervistën e tij në emisionin Opinion zoti Selami u shfaq me një qasje tjetër ndaj partisë demokratike dhe udhëheqjes së saj, ndryshe nga kritikat e tij publike të viteve të fundit kur ai kishte folur per mungesën e demokracisë së brendshme në këtë parti apo kur ishte shprehur për një demokraci jofunksionale në vend: “Mendoj se është një forcë progressive, tërësisht integruese, e cila akoma ka potencila për të kontribuar dhe ka një bilanc mjaft pozitiv në zhvillimin dhe progresin e Shqipërisë”
Zoti Selami tha se në zgjedhjet e ardhshme të qershorit partia demokratike ka arsye pse të kërkoj një mandate të tretë. Ndërsa ka vlerësuar se shfaqja në skenë e Frymës së re demokratike të ish presidentit Bamir Topi nuk rrezikon t’I krijojë probleme demokratëve, ai ka vlerësuar pozitivisht aleancën në 2009 me Lëvizjen socialiste për integrim. “Mendoj se i ka shërbyer Shqipërisë sepse ka bërë hapa më progressive në këto atër vjet, dhe ka futur një element të ri në kulturën politike shqiptare. Ka të tjerë që mendojnë se kjo është në kufijtë e pazareve politike, por unë e shikoj si shenjë maturie nga ana e partisë demokratike”
Zoti Selami ka vlerësuar pozitivisht mënyrën se si qeveria e kryeministrit Berisha përballoi krizën ekonomike: “Një nga të mirat e Partisë demokratike është që politikën e saj ekonomike, fiskale dhe financiare gjithmonë ka qenë productive. Eshtë identifikuar me biznesin me ekonominë dhe ka një politikë shumë të suksesshme ekonomike”.
Zoti Selami tha se ai vazhdon të jetë kritik rreth disa zhvillimeve, porse tani nuk ishte koha e duhur duke qenë se vendi ëhtë afër zgjedhjeve të ardhshme:“Kur vjen fushata elektorale, nëse unë dukem pak më blu është se unë i përkas PD. Në fushata elektorale, edhe në SHBA e vende të tjera, mbyllet kapitulli i kandidimit brenda, dhe dilet në një formacion. Përderisa ardhja ime ka përkuar më këtë nuk është vendi për kritika”.
Se cili do të jetë fati i ardhshëm i ish kryetarit demokrat, kjo i takon javëve që do të vijnë. Zoti Selami e bëri hapin e tij, Mbetet për t’u parë nëse vetëm kaq mjafton për t’i hapur atij rrugën e rikthimit.(Zeri i Amerikes
NJË AMERIKAN NË MINESOTA, NË KËRKIM TË “RRËNJËVE” SHQIPTARE…
-Ndërsa shumëkush kërkon “amerkanizim” sa më të shpejtë, një 30 vjeçar në jug të qytetit të Mineapolisit, pas dy gjeneratash, hulumton për paraardhësit e vet shqiptarë….
Nga Shefqet Meko/Minneapolis/
Ishte miku im Ridvan Hajrullahu, një shqiptar i suksesshëm nga Kosova, që në funjdjave më ftoi të pinim një kafe në verilindje të qytetit. “Dikush kërkon të njihet me shqiptarë, të flasë shqip, të mësojë shqip, të diskutojë për shqiptarët…Thotë se është amerikan me gjyshe shqiptare dhe kërkon të pimë një kafe…” do të më dërgontë një mesazh mua dhe Uljan Çobos. Më erdhi mirë nga kjo ftesë e beftë e mikut tim nga Kosova. Ridvani ka vetëm 3 vjet në Minesota, por ka bërë progres më të shpejtë dhe të suksesshëm, se ata që kanë 10 vjet e më shumë. Ky djalosh kosovar, të bën të ndiesh mirë të ulesh e pish kafe me të, sepse thellë thellë është sa shqiptar aq edhe amerikan moderrn me një perceptim realist për hapësirën pa kufi që të ofron Amerika, por edhe “Bateritë e karikuara” shqiptare… E kam njohur për herë të parë në Festën e Pavarësisë, ku me kureshtje të plotë mori librin tim “Unë, Ikanaku shqiptar..” Ai midis ishte midis atyre miqve të mirë që do të komentonte me pasion essen e atij libri per babanë. “Riktheju dhe bëje libër më vete Meko…është unike, është e shkruar plot ndjenjë…Botoje online, përktheje në anglisht. Do kesh sukses…” do të më këshillonte ky djalosh që me pasion e këmbengulje të rrallë, ka krijuar një profil tipik intelektual shqiptar në Minesota. Nxitja dhe sugjerimi i tij ende gëlon brënda meje…
Atë të shtunë, i gjeta të tre miqtë në kafe. Pasi shtrënguam duart si miq e shokë, rufita kafen duke pyetur mysafirin në tavolinë për emrin. “Më quajnë Kesi Kluge…(Gërmëzohet Kasey).Unë e kam gjyshen nga Shqipëria…” do të më thoshte ky djalë i imët rreth të 30ave me një fytyrë pak të hequr, me një shprehimi ekspresive shqiptare. Ishte punë sekondash, që “akulli” i porsanjohjes të shkrihej lehtazi. Uljani dhe Ridvani duket se kishin bërë prezantimet e veta. Qysh në belbëzimin e parë të Kesit, munda të mësoja se “rrënjët” e tij do të ishin diku nga jugu shqiptar. Pak anglisht, pak shqip,ai do të më thoshte se shqipja e tij “ishte e ligë…” Qesha lehtë me këtë përpjekje modeste të bashkëkombasit të saponjohur. Ai e përdori atë shprehjen “e ligë” dhe më zhyti papritmas në disa fjalëza me konotacion krahinor shqiptar. “Duket se rrënjët e tua janë diku në jug të Shqipërisë…E them nga mënyra se si e përdor fjalën “e ligë” i thashë Kesit. “Po, po, unë e kam gjyshen nga Përmeti… Atë e quajnë Margarita… Qysh femijë mi ka mësuar ca fjalë shqip dhe dua shumë të “zbuloj” rrënjët e parardhësve të mi…” thotë qetësisht Kesi Kluge. Na tregon se familja e gjyshes së vet ka ardhur në Amerikë në fillimet e shekullit të 20të, por erdhën përmes Greqisë dhe perdorën mbiemra grekë. Madje edhe pashaporta greke. Por në të vërtetë janë shqiptarë të kulluar. Ata ishin vendosur diku në Miluaki të shtetit Uiskonsin dhe gjyshja ishte martuar me gjyshin e tij gjerman. “Gjyshja ime gjithmonë më ka folur me dashuri për Shqipërinë, bile më ka mësuar edhe të bëj lakror, na tregon Kesi. “Unë gatuaj shumë mirë lakruar shqiptar…Unë do t’u sillja lakror që sot, por gruaja ime, që është me origjinë meksikane, më tha se është herët.Herën tjetër kur të pimë kafe, unë do sjell lakrorin shqiptar…”
Gati kërceva përpjetë nga një gëzim që më zgjon ky amerikan me gjak shiptari. Mu kujtua lakrori që gatuante përditë nëna ime në fshat. Ai lakror që e kapërdimin me ndonë gotë dhallë, ishte thuajse ushqimi ynë i përdishëm… Lakror me domate, lakror me gjizë, lakror me hithra…. Ato dy petza të tërhollura nga nënat tona, të shtruara nëpër tepsi e çerepë, të pjekurra në nën saç dhe mbi prush, na rritën në atë varfëri mjerane dhe ajo shije e djeshme duket se na zgjon aq ëndrra dhe nostalgji për sofrat tradicionale shqiptare. “I dashur Kesi, i them. A e di se lakrori ka qënë menuja jonë e përditshme… Shija e atij lakrori edhe tani na bën të na lëngëzojë goja…Do ta provojmë me dëshirë…” Ai qesh dhe nuk e beson se tema e lakrorit na zhyti të gjithëve në një botë të shkuar, por edhe në një traditë gatimi të admirueshme.
Nuk e di se si kaluan më shumë se dy orë biseda. Folëm për këngët, gjuhën, politikën, traditën, të shkuarën dhe të ardhmen shqiptare… Folëm të gjithë dhe dëgjonte secili. E pyes Kesin se çfarë e shtyu të kërkojë “rrënjët” shqiptare. “Kam mbaruar kolegjin dhe një grupi ynë mori një udhëtim studimi dhe njohje në Greqi dhe Turqi…Aty pyeta veten për herë të parë: “Kush jam dhe nga vij…Më erdhën në mendje rrëfimet e gjyshes dhe ndieva emocion… Ishim diku në veri të Greqisë. Pyeta për Shqipërinë dhe dikush më tha: “Ai mali i lartë tutje është mal shqiptar…Përtej është Shqipëri…” Mu kujtua gjyshja ime, vajzë e re, e bukur, me ëndrra…Andej tutje, në ato pllaja malesh mbase ka luajtur si fëmijë…Aty janë rritur prindërit e saj, motrat, vëllezërit, kushërinjtë… Dhe kisha mall, emocion, dëshirë të madhe të shkoja deri atje, por nuk mundja… Atë moment vendosa të kërkoja më shumë për përkatësinë time shqiptare…” Duket se është edhe një arsye tjetër madhore që shtyn amerikanin e ri drejt “rënjëvë” shqiptare. Ai pret të bëhet baba për herë të parë, dhe kjo ndjesi pritje e të qënin prind, duket se e ka zgjuar dëshirën e zbulimit të pjesës së identitetit të tij shqiptar.
Biseda rrëmbehet nga pyetjet dhe diskutimet. Është një “simpozium” miqsh që duan krenarisht Shqipërinë, sikurse çmojnë Amerikën, që u jep shanse të tilla emocionale. Uljan Cobo përpiqet të përshkurajë tipiken mes burrave të jugut dhe të veriut, Ridvani flet për gjuhën dhe shpirtin patriot, për Skënderbeun dhe mbretin, për diktaturen dhe komunizmin. Po tani, është demokraci Shqipëria?- pyet Kesi, njeriu që kërkon rrënjët e veta shqiptare.Secili nga ne jep një gjykim ndërsa unë veçova: “ E keqja e jonë më e madhe janë qeveritë tona…Historikisht ata që vijnë në pushtet dhe qeverisje në shoqërinë shqiptare, nuk e shohin veten si aktorë të përkohshëm të progresit, por duan të diktojnë përjetësi pushteti…Këtë bëri Zogu, Hoxha dhe vetë pushtetmbajtësit e sotëm…Gjithë lufta bëhet si të mbash pushtetin, jo si ti shërbesh pushtetit dhe shoqërisë…” Natyrisht Kesi e ka të vështirë ta perceptojë këtë realitet të hidhur shqiptar dhe bën një pyetje të beftë: “ Çdo të thotë Xhaxhi në shqip?…” Ridvan Hajrullahu drejtohet nga unë dhe më thotë jo pa shaka: “ I thuaj se xhaxhi, dmth Enver….”
Duke qeshur me atë që thotë Ridvan Hajrullahu unë përpiqem të shpjegoj konotacionin e fjalës së pyetur:”Xhaxhi osa Xhaxha përdoret në jug për të respektuar më të rriturit. Dmth një fëmijë nuk mund t’i drejtohet një 30- 40-50 vjeçari direkt me emër, por përdoret “xhaxhi” si respekt moshe. Në fakt gjatë komunizimit (Në vitet e fundit) kur thoshim xhaxhi ( në politikë kuptonim Enver Hoxhën, si njeriun që diktonte çdo gjë…”
“Unë pyes për fjalën xhaxhi, sepse ajo përdorej shpesh nga gjyshja kur fliste për xhaxhin. Ishte dikush në atë fis që të gjithë i drejtoheshin me “xhaxhi”. Madje ky “xhaxhi” ka përfunduar në Amerikë pa këmbë, dhe gjithë familja i shërbente denjësisht duke e mbajtur në kurris e duke e ngjitur e zbritur në shkallë… Ky rrëfim më është ngulitur si respekti dhe shërbimi më i madh ndaj të moshurave. “Ky është virtut…” kam thënë që në moshë të hershme. Kesi na tregon se ende ka një foto të “Xhaxhit” të vet me mustaqe spice, me veshje tradicionale dhe armë në brez…Është një foto e çmuar familjare që dua ta zbërthej më tej… “ pohon me emocion Kesi. Ridvani ndërhyn duke thënë se “duhet kërkuar ky “xhaxhi” se mund të ketë qënë njeri i infulencës së asaj kohe…Të ishte në gjëndje të kishe foto në funded e shekullit të 19të, do të thotë se ishe dikush…Gërmo për “xhaxhin” se mund të befasohesh nga ato që mund të gjesh” sugjeron Ridvan Hajrullahu.
Po rakija? – pyet Kesi. Si është zakoni se baba më ka thënë se kur shkonin në fundjave tek njerëzit e gjyshes, fillohej e pihej që në mëngjes, dhe në drekë, thuajse gjithkush ishte i dehur, e flitej me zë të lartë, me zë diktues e këndohej në shqip…
Natyrisht folëm edhe për rakinë. Folëm për gjellët dhe këngët, për dollitë dhe gjuhën tonë si gjënë më të çmuar trashëgimore. Ishte një kohë kafe magjepsëse në Verilindje të qytetit. Të nesërmen prisnim stuhinë e borës. Fiollat e para po fillonin të binin qetësisht. “Unë kam shumë dëshirë të shkoj në Shqipëri… Unë do vete në Shqipëri…” bën premtimin e vet amerikani Kesi Kluge. “Por premtimi më i afërt është se herën tjetër do t’u sjell lakruar shqiptar që më ka mësuar gjyshja ime 88 vjeçare”…
Ishte një kafe e paharruar në verilindje të qytetit tim, Mineapolis. U ndamë plot mbresa dhe fill mbas ndarjes ne filluam t’i tekstonim njëri tjetrit: “Mirënjohje Rido që na fale këtë të shtunë të pashlyeshme në këtë ditë shkurti” dhe Ridvani komenton mbresshëm: “…ishte interesante kur shikon dy anët e shqiptarëve, ata të cilët duan të “amerikanizohen” apo “evropianizohen” me çdo kusht, dhe ata që pas dy gjeneratave kërkojnë “rrënjët” shqiptare”.
Kesi Kluge: “Shumë famelinderit që më takuat sot. E çmoj pa masë… Mezi pres të shihemi sërish dhe të hamë lakror shqiptar…” Kjo më bën të besoj se nuk do lakojë shumë kohë kur ne do të mund të shtrëgojmë duart me zonjë Margarita, shqiptaren më të hershme në Mineapolis, që mosha mund tj’a ketë fashitur kujtesën, por jo vetëdijen shqiptare. Margarita nga Përmeti ynë,meriton një vizitë zakoni shqiptar… Ajo mund të jetë “thesar” në Minesota… Më vijnë këto mendime në mendje dhe ja tekstoj Ridos. Ai më përgjigjet: “Si jo bre burrë…është nder për ne si shqiptarë të Minesotës…”
Dëbora vijon e dendësohet…Një furtunë dëbore po afrohet në Mineapolis. Nuk e di pse kjo “përleshje” në hapësirën gri qiellore të flokëve të bardha të borës, më kujton furtunat shqiptare, rrugëkryqin historik shqiptar, mbijetesën tonë triumfale ndaj atyre që kanë predikuar zhdukjen tonë, dhe luftën tonë me vetveten që nuk mbaron dhe nuk duket se do të mbarojë. Në gjithë këtë lëvizje shekullore dhe tragjike, për fatin tonë të madh,“vektorët” e kombit tim gjithsesi kanë pasur një kah pozitiv triumfues…
Minneapolis, 10 shkurt 2013
BOTA REAGON NDAJ DORËHEQJES SË PAPA BENEDIKTIT TË XVI
Nga Frank Shkreli /
Lajmi se Papa Benedikti i XVI ka vendosur, që për arsye shëndetsore dhe të moshës, do të jap dorëheqjen në fund të këtij muaji, habiti dhe shokoi jo vetëm katolikët anë e mbanë botës, por edhe udhëheqsit politikë botërorë, të cilët menjëherë reaguan ndaj vendimit të paprecedencë të Papa Benediktit, i cili me vendimidn e tij u bë Papa i parë në pothuaj 600 vjetë që jepë dorëheqjen.
Udhëheqsit politikë botërorë, nga të gjitha kontinentet, shprehën admirimin e tyre për punën e tij pastorale, nënvijuan përvuajtshmërinë e tij dhe theksuan sinqeritetin e përpjekjeve të Papës Benedikt për të bashkuar popujt e e botës. Shumë prej tyre e shikuan vendimin e tij për tu larguar nga detyra e udhëheqsit shpirtëror të një miliard e 200-milionë katolikëve, si një vendim me kurajo, duke venë në dukje kontributet e tija jo vetëm për Kishën Katolike por për mbarë njerëzimin.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama me dashuri kujtoi takimin që kishte pasur me Papën në vitin 2009, duke e falenderuar Benediktin e XVI për ”bashkpunimin me të gjatë katër vjetëve të kaluar.” Presidenti Obama, në reagimin e tij ndaj vendimit të papritur të Papës , tha se ”Kisha Katolike luan një rol kritik në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, dhe u dëshiroj çdo të mirë atyre që së shpejti do të mblidhen për të zgjedhur pas ardhësin e Shënjtërisë së Tij Papa Benediktit të XVI”, tha udhëdheqsi amerikan në deklaratën e tij.
Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, në reagimin e tij ndaj dorëheqjes së Papa Benediktit u shpreh se, ” Ai është një burr veprash dhe parimesh, i cili ka punuar për promovimin e të drejtave dhe dinjtetit të njeriut anë e mbanë botës, ku këto vlera e të drejta, shpesh u mohohen njerëzve….Siç pat thënë Papa Benedikti gjatë një meshe në Washington, pothuaj pesë vjetë më parë, Amerikanët mbeten një popull me shpresë dhe se Amerika është një vend i lirisë dhe i mundësive njerëzore.” Sekreatri i ri amerikan i Shtetit, tha gjtihashtu se, ”Papa beson, ashtu siç besojmë edhe ne, se cilësitë që e kanë bërë të fortë kombin tonë mund të kontribojnë dhe të ndihmojnë që edhe botën ta bëjnë më të lirë dhe më të drejtë. Jemi të nderuar për bashkpunimin me Selinë e Shënjtë gjatë këtyre tetë vjetëve të fundit që ai ishte Papë, dhe presim të vazhdojmë këtë bashkpunim edhe në të ardhmen në fusha të interesit të përbashkët midis kombit tonë dhe të Kishës Katolike”, përfundon mesazhin e tij Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.
Edhe udhëheqsi i republikanëve në Dhomën e Deputetëve të Shteteve të Bashkuara, John Boehner tha se vendimi i Papës për t’u larguar nga detyra e tij, ”tregon një përvuajtshmëri të jashtzakonshme dhe dashsurinë e tij për Kishën.”
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel tha se ka ”respektin më të thellë” për vendimin e Papa Benediktit, i cili me kombësi është gjerman. Zonja Merkel, bij e një prifti protestan, tha se “fjalët e Papës do të qëndrojnë me mua për një kohë shumë të gjatë”, dhe lavdëroi bashkombasin e saj, për atë që ajo tha se ishte” interesimi i madh që ai kishte për procesin e bashkimit evropian si edhe për promovimin e dialogut ndërfetar, në botë. ” Kancelarja Merkel vazhdoi duke vlerësuar Papën Benediktin si ”Njërin prej mendimtarve më të dalluar fetarë të kohës sonë’’.
Kryeminsitri britanik David Cameron tha se Papa Benedikti i XVI ka punuar pa pritesë për të forcuar marrëdhënjet midis Britanisë së Madhe dhe Vatikanit, dhe shtoi se vizita e tij në Angli në vitin 2010 mbahet mend me shumë dashuri, nga populli britanik. Kryeminsiutri britanik tha gjtihashtu se mesazhi i Papës gjatë asaj vizite “për të punuar për të mirën e përbashkët”, bëri jeonë anë e mabnë vendit të tij.
Presidenti francez Francois Hollande tha se nuk ka ndonjë koment të posaççm për të bërë për vendimin e Papës, vendim, i cili shtoi ai, është i respektueshëm, një vendim që do të çojë në zgjedhjen e një pape të ri. Republika franceze, tha ai, përshëndet Papën për vendimin që mori.
Ndër udhëheqsit e tjerë botërorë që reaguan menjëherë duke shprehur keqardhjen e tyre ndaj dorëheqjes së Papa Benediktit, dhe duke i uruar çdo të mirë e shëndet në të ardhmen, ishin edhe Kryeminsitri i Kanadasë, Stephen Harper, Presidenti i Filipineve Benigno Aquino dhe shumë udhëheqës të tjerë politikë e fetarë nga e gjithë bota.
Bota mbarë u habit dhe u ”shokua” nga vendimi i Papës Benediktit të XVI, për tu tërhequr nga detyra si udhëheqës shpirtëror, kryesisht sepse një gjë e tillë nuk kishte ndodhur në 600- vjetët e kaluara të historisë së Kishës Katolike, megjithëse një gjë e tillë nuk ndalohet nga ligjet kishtare. Guximi i Papa Bendiktit të XVI për të dhënë dorëheqjen pasi ”fizikisht dhe mentalisht” nuk e ndiente veten të aftë për të kryer detyrën në mënyrë efektive, është për tu admiruar. Sikur edhe udhëheqës politikë dhe të tjerë, anë e mbanë botës, që mbajnë pozita të larta, do të kishin guximin dhe kurajon civile të marrin të njëjtin vendim kur për arsye të moshës ose për arsye të tjera të të kenë kurajon që të largohen vullnetarisht nga detyrat e tyre, ndonëse aftësitë e tyre mendore dhe fizike nuk janë të njëjtat me ato kur ata ishin në moshën 40-ose 50-vjeçare. Vendimi i Papës Benediktit të XVI duhet të jetë një shembull i mirë për të gjithë se si duhet përballuar mosha dhe ngadalsimet mendore dhe fizike që sjellë ajo.
PËRJETËSIA E NDJENJËS SHQIPTARE
(Eduard M. Dilo, Vargu në përjetësi, Amanda Edit, Bukuresht, 2013)
Nga Baki Ymeri/Bukuresht/
Poeti është mbret, ndërsa sintagma e Mëhill Velajt, “Bota më së miri lexohet në shpirtin e poetëve”,është motoja me të cilën hapet antologjia e dytë e Eduard Dilos nga New Yorku. Libri del konform idesë paradisavjeçare të Mardena Kelmendit nga Italia, duke patur për këshilltar editorial Vitore Stefa Lekën. Në Kuadrin e parathënies, autori i kësaj vepre thekson: Para nesh kemi një album të ri poetik që vjen në duart e lexuesit me krijues moshash të ndryshme, nga të gjitha viset shqiptare, duke përfshirë autorë të njohur dhe të panjohur nga trojet tona etnike, si dhe nga bijtë e shqipes të shpërndarë an’e kënd globit. Një vepër e re duket e bukur po qe se mbart në gjirin e saj shumë mall, dashuri, patriotizëm.
Në kuadër të kësaj vepre të re ballafaqohemi me vargje të një ndjeshmërie të ëmbël për nënat tona si krijesat më të shtrenjta në botë. Këtu defilojnë vargje kushtuar dashurisë, si një ndjenjë e bukur që e përlind botën. Në këtë kontekst nuk mungojnë as vargjet për Shqipërinë tonë në 101 vjetorin e Pavarësisës së Saj, dhe as subjekte tjera atraktive dhe interesante. Antologjia respektive, duke respektuar kriteriumet e moshës, prezanton poetë të talentuar, mjeshtër të penës, mendimtarë dhe atdhetarë të mrekullueshëm, si i mirënjohuri Prof. Vangjush Ziko, apo mjeshtri i shquar i lirikës erotike dhe sarkastike, Kalosh Çeliku, poeti i stinëve, Ramiz Kuqi, Ismet Hasani nga Suedia, Rashit Gashi, Ali M. Lajçi, Sadbere Gagica, Ramadan Asllani, Shahadije Lohaj dhe Hasnije Beqiri, nga Kosova, Silva Tërnava nga Zelanda e Re, Anna Hoxha, Arben Dulaj, Jani M. Duda, dhe poetesha më e re që i jep bukuri, ëmbëlsi dhe freski vargut të saj, është vogëlushja nëntëvjeçare, Altina Zeqiri.
Duke shfletuar faqet e “Vargut në përjetësi”, ka shansin të përfshihesh edhe vetë në të, dhe të bëhesh njësh me botën e brendshme të poetëve. Kështusoj e gjen vetëveten ndër vargje, gjen ëmbëlsinë e gjuhës sonë, e konsideruar nga rilindësita tanë si “Gjuha e Perëndive.” Vargjet e poetëve janë të freskëta, të brishta, të ëmbla, impressive, të bukura e gurgulluese si ujërat e pastra e të ëmbla të bjeshkëve tona. Janë vargje zemre me meditime magjike dhe margaritarë që të sjellin kthjelltësi mendimi, të mbeten në kujtesë dhe të shoqërojnë kudo që të shkonsh.
Vangjush Thoma Zikou lind në qytetin e Korçës në vitin 1931, ku kreu dhe arsimin e mesëm. Arsimin e lartë për letërsi e bëri pranë Institutit të Letërsisë “M. Gorki” në Moskë. Punoi si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe si pedagog i letërsisë dhe i gjuhës ruse në Universitetin “Fan Noli” në Korçë. Shkruan poezi,dramë dhe perkthen nga gjuha ruse. Vëllimin e parë me poezi dhe dramën e parë i botoi në vitin 1959. Është kryesisht një poet lirik. Poezia e tij dallohet për lirizmin meditativ me ngjyrime filozofike. Drama e tij ka natyrë psikologjike. Ai i është përkushtuar gjithashtu përkthimit të poezisë lirike ruse. Ka botuar përmbledhje të veçanta të poezive të Pushkinit, Eseninit, Eftushenkos si dhe Antologjinë e Lirikës Ruse (katër vellime), ku ka përfshirë rreth peseqind poezi të më shumë se treqind poetëve rusë që nga fillimi i shekullit të tetëmbëdhjete gjer në fund të shekullit të njëzetë.
Është autor i një sërë studimesh, eseshë dhe skicash letrare, si dhe bashkautor tekstesh të letërsisë. Ka marrë pjesë aktive në jetën kulturore dhe letrare të rrethit të Korçës dhe në ndihmë të talenteve të reja dhe ka qënë aktivizuar në botimin e disa revistave periodike kulturore. I është dhënë Urdhëri “Naim Frasheri”i klasit të parë dhe “Kurora e Krijimtarisë 2006” nga Klubi Letrar “Bota e Re” për krijimtarine e tij letrare. Që prej shtatorit të vitit 2004 jeton në Kanada pranë femijëve të tij. Në faqet e kësaj antologjie, Vangjush Ziko defilon me poezitë Kam fluturuar. Gdhihem dhe ngrysem, Krahët e mi, Shtëpia e vjetër, Ikona jote, Gjerdani yt, Më zgjoi pulëbardhë e Noes. Autori fluturon gjithandej në botë, porsi një engjëll: “Kam fluturuar në re dhe përmbi re./
Kam fluturuar kur dielli lind dhe hëna fle./
Kam fluturuar nga kontinenti në kontinent,/
Nga mall’ i vjetër në mall’ i ri që po më pret./
Kam fluturuar me krahë ëndrre dhe dashurie./
Kam fluturuar mbi shpinë brenge dhe xhelozie./
Kam rrëshqitur dhe jam zvarritur si hidhërimi../.
Mbi gurë të varrit më gdhendni krahët e fluturimit.”
Sipas kriteriumeve të moshës pason Rashit A. Gashi nga Kosova. Pas bio-bibliografisë autori vjen me poezitë “S’u durova pa të kujtuar”, me kujtimet vijnë vërdallë, si valëdeti valë e valë, kur plisi i bardhë të kishte hije, e mikpritja e bujaria, me traditat e shqiptarit. „Në ballë të vendit kur ti rrije,/ Plisi i bardhë të kishte hije,/ Duke qeshur e duke folur”, me fjalë të urta e fjalë burrërie, atmosferën e freskoje, i hareshëm dhe gazmor, me atë plis të bardhë në ballë, mendjendritur si malësor, i buzëqeshur dhe krenar. Interesante janë edhe poezitë „Refugjati”,„Vajtimi i motrës binjake”, kur „Pa ty drita më bëhet terr,/ Edhe vera më bëhet dimër,/ Për mua lulet më s’kanë erë”, etj. Ismet Hasani, autor i librit „Urti poetike”, zbret në shtypshkronjën e Bukureshtit nga brigjet nordike të Suedisë me poezitë „Gjuhën shqipe mos e harroni”, „Suedia, vendlindja ime e dytë”, „Fjalë të mençura” dhe „Lavdi”, ku parakalojnë valët e jetës me brenga, përgëzime, mallëngjime e shqetsime, nostalgjia ndaj vendlindjes, urtia popullore etj.
Ramiz Kuqi me banim në Norvegji, vjen nga Kotlinë të Kaçanikut, autor i disa librave (shqip, suedisht, anglisht), dhe magjistër i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Është njëri nga poetët më të frymëzuar të diasporës shqiptare. Meditim nate, Kjo muzë (që vjen e trishtë në kopsht, për të mbjellur dredhëza), Udhëve të mërgimit (me ëndrrat që më tundin si lundrën nëpër valë), Monolog (i fushëbetejave me fjalë), Do vijë nata (me shi e me erë në sytë e mi), Kur bie nata (bredh nëpër qiellin e atdheut, kur vdes e sërish ringjallem, sepse jeta është këngë), janë disa nga margaritarët e frymëzimit të tij, prezente në këtë vepër. Pason Kalosh Çeliku, autor i një numri të konsideruar veprash letrare, që shkëlqen me vargje erotike, satirike dhe humoristike, shkrimtar i shquar dhe kryeredaktor i revistës “Stili 97”. Ja disa nga titujt e poemave të tij: Protestë në Shtëpinë Publike, Rebelimi, Nata pa Hënë, Pagjumësi, Dritare kah Dielli, Mesditë, Dardha Gorrice, Çafkë, mos ma prek vargun, Konferencë kombëtare etj.
Ali M. Lajçi vjen nga Peja e Dardanisë. Personalitet krijues letrar e poliedrik. Shkruan poezi dhe prozë, për të rritur dhe për fëmijë. Deri tash ka botuar këto vepra poetike: 1996 – “Mashtrimet e shevarit”, poezi për të rritur; 2000 – “Dhelpra flet me bisht”, poezi për fëmijë; 2005 – “Pranvera ma fali një vetull”, poezi për fëmijë; 2007– “ Këmisha e diellit”, poezi për të rritur, “Merrja pak etje”. Me profesion është avokat, jeton dhe vepron në Pejë. Gjethi i klorofiltë, sipas tij, luan me puhinë dhe puthet me diellin. Impresionuese janë vargjet Me frymë rebelë/ kemi rrënuar sarajet prej kashte/ kolonë pas kolone vinin/ sjellësit e absurdit,/ babai ia kishte vu gjoksin bjeshkës. // Me hapa rebelë/ Kemi marrë në sy rrugët/ Edhe për ta thyer qafën/ Në akullin mbi Tokë Kosovë/…/ Babai ia kishte vu gjoksin bjeshkës/ Nëna ia kishte vu Hënës/ Shaminë e shapuar mbi kokë// Unë i numëroja kolonat/ Që vinin njëra pas tjetrës/ Duke menduar në forcën time/ për rrënimin e absurdit rë tyre,/ Babai ia kishte vu gjoksin bjeshkës”.
Jani Duda vjen nga Sheperi i Zagorisë. U lind në vitin 1955. I dalluar që në vegjëli për vjershat të cilat i krijonte ashtu thjeshtë e bukur dhe i këndonte mbështetur në tabanin e traditën e familjes, të gjithe këngëtarë. Ka mbaruar shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera. Nndërkohë, për arsye biografike nuk iu dha e drejta të vazhdonte më tej. Emigroi me ndryshimet e sistemit, fillimisht në Greqi, kurse tani jeton familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkruan kujtime për vendlindjen dhe kohën e shkuar, për vizita familiare e përgëzime gjatë kremteve fetare e kombëtare. Shkruan për Çajupin që e lexon me admirim, duke kujtuar një botë tjetër me njerëz të sinqertë, që ndihmonin njëri-tjetrin. “S’mbaronin vizitat/ Në festa e gëzime/ Askush s’te ndërhynte/ Në jetën intime/ Ishin zemër bardhë/ Të mençur të zgjuar/ Po tani ç’po ndodh vallë? Sheh njerëz të ftohtë/ Me kokën menjanë/ Edhe njëri-tjetrit/ Hile ia kanë/ Miletit të shkretë i iku gëzimi/ Se kudo që shkonte/ Ishte sigurimi”. Pasojnë disa poema të gjata për të liqtë, për lakrorin pranë burimit etj.
Ramadan Asllani u lind në Smirë të Vitisë, më 1957. Studioi Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe, dhe kreu magjistraturën në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Profesor, gazetar, redactor dhe autor i veprave “Pranverë ilire“, “Avdyl Dura me bashkëluftëtarë për Shqipërinë Etnike“, Bardhok Kaçaku –kujtime dhe dëshmi“, “Dr. Tefik Idrizi”, “Kohë të serta“, “Fadil A. Berisha“, “Hasan Remniku – luftëtar për etninë shqiptare“. Ka edhe disa vepra në dorëshkrim: prozë e poezi. Jeton dhe krijon në Ferizaj. Është një nga poetët më të frymëzuar të kësaj antologjie. Zotërojnë subjektet meditative, patriotike dhe, pse jo, edhe erotike: “Nuk doja t’i prisja flokët e shprishura/ Ku kisha përkëdheliet e dashurisë:/ Duar e buzë e shtrëngim të ashpër/ T’m’i shkelte në tokë kush mundet// Nuk doja t’i laja sytë e ngjyrosur/ Që kishin përjetuar pikturën lakuriq/ As ndonjë cuk-cuk buze me e pa buzëkuq/ Në kopshtin trupor të mbretëreshës// Nuk do të doja të lahesha heeej/ T’i laj puthjet e prekjet dashurore/ As majat e kënaqësive epshore/ Të mëkatoj dua edhe në vdeksha!”
Duke respektuar kriteriumet e moshës, defilon Eduard M. Dilo, poet dhe publicist. U lind më 1958 në Sheper të Zagorisë. Rrjedh nga një familje intelektuale e cila gjatë diktaturës komuniste u persekutua në mënyrë barbare. Babai i tij, Margarit Ilia Dilo, ka kryer studimet në Universitetin e Athinës (1936). Ai ishte nxënës i shkollës Amerikane, ndaj edhe u burgos e syrgjynos gjatë diktaturës staliniste të Enver Hoxhës. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, të njëjtin fat e përjetuan edhe familjarët e tjerë. Edi është nip i patriotit dhe gjuhëtarit erudit Ilia Dilo Sheperi, si dhe i Pano Xhamballos dhe Jani Dilos, të cilët luftuan për Shqiptarë të lirë në një Shqipëri të lirë. Ka kryer me skarifica të mëdha gjimnazin në Gjirokastër, Tiranë dhe Fier, pasi e përjashtonin për arësye të biografisë. Më vonë e përfundoi shkollën e mesme ekonomike në Fier, pa shkëputje nga puna, ndërsa më vonë mbaroi Institutin dyvjeçar Globe Institut Tecnology në New York. Është bashkautor i librave “Zemra Prindërore” dhe “Diloiada”, autor i antologjisë “Kështjella e ëndrrave”, i përfshirë me poezi edhe në disa antologji tjera. Ka botuar shkrime të ndryshme, duke bashkëpunuar edhe me revistat elektronike Zemra Shqiptare, Tribuna shqiptare, Forumi Shqiptar etj. Vëllimi i tij i parë mban titullin “Shpirt i trazuar” (2010). Aktualisht jeton me familjen në SHBA. Është anëtar i bordit të “Vatrës” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej dhjete vitesh, dhe anëtar i Lidhjes së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Shkruan për engjëj, për diellin e lirisë, për hijeshitë e pranverës, për heronjtë e Kosovës, për arrdhmërinë kombëtare, për jetën, për ëndrrat mërgimtare dhe Bashkimin Kombëtar. Sipas tij, “Kur zemra rreh vetëm për Atdhe/ S’ka përkulje, kompromise e hile”.
Arben Dulaj u lind në Fier më 2 Gusht 1961. Rrjedh nga një familje patriotike. Ka mbaruar 8 vjeçaren në Levan të Fierit dhe shkollën e mesme Industriale në Fier. Në poezitë e tij me vlera të pakontestueshme, përveç imagjinatës, është i theksuar sinqeriteti, humanizmi, dashuria ndaj njeriut dhe ndjenja patriotike. Kohëve të fundit, Arbeni jeton dhe krijon në Jaksonville, Florida. Në spektrin e vargjeve të tij, autori i beson Zotit dhe drejtësisë, dritës së diturisë, vendlindjes dhe atdhedashurisë, gjakut dhe trashëgimisë, bashkimit dhe vëllazërisë, humanizmit dhe dashurisë, tolerancës dhe çiltërsisë, dhe jo vetëm kaq. Sipas tij, respekti, sinqeriteti dhe trimëria, mençuria, durimi dhe bujaria, besa shqiptare, urtësia dhe lumturia, janë veti primordial të ekzistencës sonë në botë. Pasojnë vargje tjera mbi Zotin e Qiellit e të Tokës, mbi burimet që krijojnë lumenj e liqenj ku jeta gjallëron, mbi botën e yjeve e të lashtësisë sonë, mbi osmanllinjtë që në emër të Allahut vrisnin, përdhunonin, rrëmbenin e digjnin, mbi barbarët e tjerë që tentonin ta zhduknin nga faqja e dheut shqiptarinë. “Nga mali Tomorrit dua të hedh vetëtimat e mija,/ Dhe ta marrë vesh gjithë bota mbarë,/ Se unë jam Zeusi, zëri i së Vërtetës,/ Drita juaj jam unë, Zeusi Shqiptar.”
Shahadete Lohaj u lind më 1965 në Shkup, ku ka kryer dy klasë të shkollës fillore. Me shpërnguljen e familjes në Ferizaj, ka vazhduar dhe mbaruar tetëvjeçaren. Si nxënëse e shkollës së mesme është marrë me veprimtari atdhetare, e cila dënohet me tri vjet burgim. Pas kryerjes së burgut, Shahadia mbaroi shkollën e mesme dhe regjistrohet në ish-Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj. Për dy provime komitetlinjtë e atëhershëm ia ndërpresin të drejtën për studime – si “e papërshtatshme politikisht”. Në vitet e nëntëdhjeta regjistroi studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë e Universitetit të Prishtinës. Më 1997, policia serbe kërkoi për ta arrestuar me një proces gjyqësor në Ferizaj, me akuzën “Ndihmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Atë vit, Gjykata serbe në Prishtinë e dënoi me dy vjet burgim në mungesë, e cila detyrohet t’i ndërpres studimet, duke qëndruar ilegalisht në Prishtinë dhe Tiranë. Më 1999, kur u çlirua Kosova, Shahadia kthehet në Kosovë, ku edhe i përfundoi studimet më 2002. Ajo tani është mësimdhënëse e gjuhës dhe e letërsisë shqiptare në shkollën fillore “Gjon Sereqi” të Ferizajt, ku edhe jeton me familje. Është lexuese e pasionuar, por edhe krijuese e një lirike të rrallë, që mund të hasim te brezi i poeteshave të Kosovës. Ka të botuar librin poetik “Ëndrrat për Atdheun” (2009), duke patur në dorëshkrim edhe një vëllimin tjetër poetik. Lutjet tona (me zjarrin e përflakur dhe avujt e dashurisë), Duart e Mëmëdheut (që e kafshonin shekujt e robërisë), Liri e leckosur, Melodi e heshtur (ditiramb për invalidët e luftës), Dhelindje, Eja mere nusen nga Kosova, janë disa nga titujt e poemave të saj të përjetësuara në faqet e kësaj antologjie.
Hasnije Beqiri u lind në Prishtinë vitin 1976 qysh në femijëri u mëkua dhe edukua me dashurinë e pa kufishme, si për Dardaninë që vuante nën zgjedhën e pushtimit jugosllav, po aq dhe me dashurinë për Amën Shqipëri. Qysh në bangat e shkollës filloi të shkruante dhe të recitonte poezi të bukura. Çdo gjë në ambientin ku rritej dhe edukohej, përbënte një material edukimi dhe subjekt për të shkruar. Shkrimet e asaj kohe i rrëmbeu zjarri i luftës, por pasioni është pasion, talenti është talent, dhe si e tillë Hasnija nuk e braktisi penën e frymëzuar të saj. Falë këtyre cilësive, ajo është pjesë e kësaj Antologjie me krijimet e saj, sa të bukura, po aq edhe patriotike e mbresëlënëse. Sipas Eduard Dilos, Hasnija shkruan me ndjenjë dhe me një dashuri të pakufishme për gjithçka që ka aromë shqiptare. Shkruan me qartësi dhe bindshmëri për çdo gjë, vragu i saj duke u shndërruar në një sentiment të veçantë. Sa për ilustrim po japim strofën e pare të poezisë Sofra dhe vargun e fundit: “Në sofrën po gatuaja duke përzier lotët me miell/ Edhe pse buka bëhet nga misri./ Në vend të ujit me lotët përzija këtë miell./ Po shiu i qiellit, s’më çonte dot në qiell./…/ Ç‘vlerë kanë ardhjet e mia nëse s’do ishin pritjet tua?!”
Silva Ternava u lind në Fushë Kosovë dhe kreu studimet në Universitetin Pedagogjik të Prishtinës. Është rritur në një familje me taban të fortë patriotik, ku qysh në djep është mëkuar me dashurinë e zjarrtë për Kosovën e pushtuar. Qysh e vogël ishte e dhënë shumë pas tregimeve e këngëve të trimërisë, që duke i dëgjuar të risin sigurinë, krenarinë në vetvete dhe të bëjnë të ndjehesh e fortë dhe e denjë për vendin ku ke lindur. Ashtu e urtë nga natyra, Silva merr lapsin qysh fëmijë dhe nis të shkruajë poezitë e para. Shkruante dhe dërgonte për botim në gazetat dhe revistat e kohës. Ka botuar te “Kosovarja”, “Zëri i Rinisë ” dhe revista të tjera. Letrat dhe shkrimet e saj janë mirëpritur dhe vlerësuar në atë kohë, e shumë prej tyre janë lexuar dhe në emisionet e ndryshme të Radio Prishtinës. Ësht fituese e disa çmimeve dhe pllakave muzikore që jepeshin si stimulim. Në moshën 17 vjeçare shkruan romanin e pabotuar kurrë, sepse dorëshkrimi i këtij libri, së bashku me shumë fletore tjera të mbushura me poezi e tregime, i rrëmbeu flaka e luftës. Tani vjen në rradhët e poetëve, me një debutim dinjitoz. Poezitë e saj pëlqehen nga lexuesi dhe ka vlerësime shumë inkurajuese, sidomos te Zemra Shqiptare. Jeton me familjen e saj si refugjate në New Zeland, me një zjarr dhe mall e dashuri të pashuar për Kosovën ku e ka shpirtin e saj. Është e martuar, ka dy fëmijë dhe ëndërron kohën kur të kthehet e të punojë e jetojë në Atdhe. Zonja Ternava defolon në faqet e Vargut në përjetësi me poezitë Dëbora e lagjes sime, Fëmijët e lagjes, Anita, Nëna ime, Amaneti i fundit, Vapë në Prishtinë, Udhëtimi në përjetësi (Kushtuar viktimave të Himarës) etj.
Sadbere Gagica u lind në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesmen e ndoqi në qytetin e lindjes, për të cilin ajo ruan edhe sot kujtimet më të bukura të jetës së saj. I kujton ato me nostalgji edhe sot. Belbëzimet e para poetike i ka bërë kur ishte nxënëse e shkollës fillore. Lexonte me pasion të veçantë shkrimet e Ali Huruglicës, Hysen Këqikut e shumë të tjerëve. Ka një varg shkrimesh letrare, kryesisht poezi për të rritur, të cilat kjo krijuese ëndërron t i botojë një ditë. Autorja vjen para opinonit me poezinë „Ëndrrat i vishja me fustan të kuq”, kur „Një trëndafil ia veja mbi veshë/ Fshehurazi ia kafshoja natës buzët/ Në Kopshtin e dashurisë Ti/ Personazh lirik/ Në shtrat kthehesha me buzëqeshjen tënde/ Brenda tërë margaritarë”, apo: „Si flutur ndalesha mbi buzët tua/ E sot/ Qytet kujtimesh/ Stinë e gdhendur/ Në fjalë vargu/ Çdo ditë më kafshon me dhembje/ Një përmallim i tretur”. „Fjalori i buzëve” është një poezi tjetër e frymëzuar (ku malli djeg e loti pikon), apo poema „E shpirtin e arnoj me ëndrra”: S’më ndal asnjë uragan drej cakut tim/ Vrapoj me orën që plisin e shekujve ledhaton/ Udhëve të përmendoreve nga një lule vë/ Koha bart plagë mall lot mbi kurriz/ E shpirtin arnoj me ëndrra/ Në guacën e vetmisë/ Në qiell shoh pëllumba të bardhë/ Që fluturojnë trungut të Ilirisë”. Mund të thotë kush se nuk kanë vlera, frymëzime dhe imagjinatë, autorët e kërij albumi poetik?
Altina Zeqiri, sipas Eduard Dilos, ndoshta është sot poetja më e re në letërsinë shqipe. E thjeshtë, e bukur, e qeshur, me çiltërsinë e sinqeritetin e një fëmije, ajo vjen për herë të pare para opinionit me vargjet e saj. Është e lindur në Gjilan (2003), në një familje shumë patriotike, ku Nëna qysh në djep, kur i këndonte ninulat e saj, së bashku me qumështin i mëkonte edhe dashurinë për Kosovën që sapo kishte gëzuar Lirinë. E lindur poete, e apasionuar pas këngëve, librave, lapsit e fletoreve, qysh në fëmijëri filloi të mësojë, të shkruajë e të lexojë. E sot kjo vajzë e talentuar, e lindur poete, na dhuron poezi, lexon romane, është nxenëse e shkëlqyer dhe ëndërron të bëhet poete. Poezitë e saj kanë një rrjedhë tërheqëse. Në gjirin e tyre shpaloset aq bukur dashuria për Gjuhën Shqipe, për prindërit, për të vëllain, për shoqet dhe mësuesën. Kjo lule e bukur, sipas Edit, është një gonxhe trendafili e sapo çelur, dhe një zbukurim i faqeve të kësaj Antologjie. Edhe Ana Xh. Hoxha, me të cilën e përmbyllim shkrim, prezente në faqet e fundit të këtij libri, është poete e re dhe e talentuar. Shkruan me një ndjeshmëri karakteristike, si për Atdheun, poashtu edhe për dashurinë dhe gjithçka që e rrethon dhe është e bukur.. Shkruan për erën që e mbyti vetminë, për hijeshinë e vezullimit të yjeve në qiell, për paqen e botës, për dashurinë dhe tradhëtinë, për shpirtin dhe vlerat e tij, për ëndrrat plot mistere dhe imazhet që përjetuam. Jeton dhe krijon në SHBA
- « Previous Page
- 1
- …
- 24
- 25
- 26
- 27
- 28
- …
- 48
- Next Page »