• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

JU LUTEM Z.MINISTËR GJUHËN E SHTETIT TIM MOS MA MOHONI!

February 4, 2013 by dgreca

Letër të hapur ministrit z.Blerim Bexhetit/

  I nderuar Ministër!/

Më datë 1 Shkurt 2013 parashtrova kërkesë në gjuhën shqipe për një certifikatë kurorëzimi, certifikatë që unë e marr çdo vit pranë zyrave të gjendjes civile në Tetovë dhe që janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë (kështu më thanë punonjësit e asaj zyre). Ditën e premte nuk kishin mundësi të ma jepnin këtë certifikatë me arsyetimin se janë shumë të ngarkuar me punë dhe sipas logjikës njerëzore e lamë që të hënën më 4 Shkurt të marr certifikatën. Të hënë më japin certifikatën vetëm në gjuhën maqedonase dhe unë kërkoj përse nuk është në gjuhën shqipe, punonjësit e tuaj më thonë se nuk ke bërë kërkesë që duhet të jetë edhe në gjuhën shqipe. Por unë si shtetas i Shqipërisë dhe që nuk kam njohje fare të gjuhës maqedonase u them se ajo është mbushur vetëm në gjuhën shqipe dhe është logjike që certifikata të duhet të jetë në dy gjuhë në bazë të Kushtetutës së RM. (Gjatë pranimit të kërkesës punonjësit më pyetën tre herë se për ku e dua certifikatën dhe u them për në Tiranë, pra në dy gjuhë e dua). Punonjësit ngulmojnë se me gënjeshtra se nuk jepen certifikata të martesës në gjuhën shqipe, atëherë unë i nxjerr certifikatën e vitit 2011 në gjuhën shqipe. Më tej këta gjakprishës shqiptar të cilët mohojnë gjuhën e mëmës së tyre, gjuhën e shtetit tim shqiptar më thonë se makineria nuk e njeh gjuhën shqipe.

Z.Ministër! Deri kur ju dhe ministria që drejtoni do talleni me gjuhën shqipe të Republikës së Shqipërisë? Ju them me gjuhën shqipe të Shqipërisë sepse ju gjuhën e mëmës suaj e mohoni personalisht, këtë ua vërtetoj. Ju vazhdoni të talleni edhe përse janë aprovuar ligje me gjuhën e shqipe bashkë me punonjësit tuaj gënjeshtar dhe analfabet. Unë po të shkruaj shqip e shkurt, pa prapavija politike, pa ndonjë luftë personale, por dua që gjuha ime amtare si shtetas i Republikës së Shqipërisë të respektohet në bazë të marrëveshjeve reciproke, të njohura edhe me vulën APOSTILLE.

Me respekt për postin që keni

Arben Llalla

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Blerim Bexheti, leter, Ministrit

REFLEKSIONE NGA ZHVILLIMI I VEPRIMTARISE ATDHETARE PER SKENDERBEUN

February 3, 2013 by dgreca

 

NGA A RTUR VREKAJ, WORCESTER, MA/

Programimi i veprimtarive me temë kombëtare/

Është domethënës programimi dhe përkushtimi për të organizuar një veprimtari atdhetare përkujtimore në Amerikë, sidomos për figura shqiptare që e kalojnë përmasën kombëtare kur bie fjala për Gjergj Kastrioti Skënderbeun.Ne, anëtarët e shoqatës “KOMBI” në Worcester, Massachusetts kemi tashmë më shumë përvojë nga organizimi i Simpoziumit për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit (2008), i festimit të 100-vjetorit të lindjes së Nëne Terezës (2010), i festimit të Pavarësisë së Kosovës (2011) apo edhe së fundi nga festimi me madhështi i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë (2012). Pra, është përmbushje e misionit tonë atdhetar, por edhe bazë e programit tonë të Identitetit Kombëtar. Aq më tepër që, festimet apo përkujtimi i përvjetorëve historikë për ngjarje dhe figura të shquara janë një domosdoshmëri për ta mbajtur gjallë edhe veprimtarinë tonë,  shoqatën Atdhetare Kulturore “KOMBI” dhe dashurinë për Shqipërinë dhe shqiptarët si dhe për kombin amerikan.

Vlerësimi dhe bashkëpunimi me njerëz të letërsisë, artit dhe shkencës.
Në veprimtari të tilla për simbole kombëtare shqiptare siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu audienca, diaspora, shqiptarët në Ballkan apo edhe komuniteti shqiptar i Amerikës është më i ndjeshëm për informacionin e ri që përcjellin simpoziumet. Dhe informacionin më të studjuar, më të qëmtuar s’ka kush ta sjellë tjetër përvecse historianët, shkrimtarët, poetët dhe gazetarët e mirëfilltë.

Për fatin tonë, në Amerikën e Veriut (nga Hartford,CT , Worcester, MA e deri në Boston,MA  (zona e Anglisw së Re) banojnë disa njerëz të letrave shqipe si : Aristotel Mici, autor i librave “Prejardhja e emrit shqiptar” dhe “Himni i Flamurit” ku është përfshirë edhe trajtesa  “Shtegtimi i armëve të Skënderbeut”. Është Rozi Theohari,  autore  e librit “Jehona Skënnderbeg-jane” dhe një aktiviste e palodhur  për Identitetin Kombëtar shqiptar në shtetin e Massachusetts.

Është Raimonda Moisiu, autore e disa librave dhe artikujve ku bie në sy edhe përkushtimi i saj për të pasqyruar punën e aktivistëve të çështjes kombëtare siç është libri i saj me 61 Intervista me figura veprimtarësh shqiptarë të Diasporës.  Është Lediana Stillo, poete dhe përkthyese, Skifter Këllici shkrimtar, Fuat Memeli poet dhe gazetar, Rita Saliu poete, Rezarta Reso përkthyese, Vasil Rrakaj skulptor, Dhimitër Cika ikonograf, Ardian Murraj gazetar dhe dokumentarist e disa të tjerë.
Në këtë zonë banojnë njerëz të shkencës si PhD Maksim Ilirjani, (njohës i historisë shqiptare), PhD Petrit Skënde, akademik dhe fizikan i njohur si dhe PhD Peter Christopher, profesor i WPI si dhe një nga matematicienet më të shkëlqyer që ka sot Amerika, që megjithëmend i meritojnë gradat shkencore për kontributin e tyre në shoqërinë shqiptare dhe amerikane, në universitetet amerikane  si dhe në komunitetin shqiptar të Massachusetts.
Janë me dhjetëra shqiptarë me grada shkencore master dhe profesor doktor në fushën e mjekësisë si PhD Denis Kola, Dr. Gani Abazi, kimisti i talentuar Mikel Sharrëxhi , Rolanda Dhimitri, kimiste gjithashtu dhe shumë të tjerë në disa fusha të shkencave ekzakte dhe shoqërore. Ka profesorë shqiptarë që japin mësim si Meri Treska, fizikane në MIT  apo në Harvard University, Vesel Kucuku dhe Tomi Stefani në Quinsigamond College etj. Dhe kjo s’është pak. Ne po tregojme vëmendje për të vlerësuar kontributin e tyre, sepse na nderojnë me nivelin e arritjeve dhe përfaqësimin e tyre në kompanitë dhe audiencat e kolegjeve amerikane.

Përbashkimi si nevojë e ditës…
Me këtë ne shqiptarët e Amerikës që jetojmë në Massachusetts nënkuptojmë sensibilizimin, ndërgjegjësimin dhe edukimin e brezit mw të ri me vlerat botërore dhe kombëtare të historisë së shqiptarëve. Nënkuptojmë përcjelljen tek brezat e rinj dhe shoqatat shqiptare në Amerikë se vetëm të bashkuar mund të bëjmë më shumë për Identitetin Kombëtar dhe komunitetin shqiptar, pse jo dhe për çështjen Kombëtare në tërësi. Nënkuptojmë gjithashtu edhe gjithëpërfshirjen e të gjithë brezave të shqiptaro-amerikanëve që janë ose aktive në programet e Identitetit Kombëtar të Komunitetit shqiptar. Nënkuptojmë edhe bashkimin e vërtetë të njerëzve veprues që janë busulla e veprimtarisë atdhetare në cdo qytet amerikan ku banojnë shqiptarë, sidomos në Worcester dhe Boston të Massachusetts, në Harftford dhe Waterbury të Konektikat apo edhe në Nju Jork. Po me këtë fjalë”përbashkim”  nënkuptojmë edhe një riprogramim të punës së shoqatave apo dhe institucioneve fetare shqiptare për të bashkëvepruar për një përfaqësim sa më dinjitoz në komunitet. Sepse ne kemi kombin si mision mbi gjithcka. Ndaj edhe suksesi ynë për veprimtari masive  me cilësi nuk ka munguar.
Përbashkimi i shqiptarëve të Amerikës është nevojë e ditës, është kërkesë e kohës edhe për faktin, sepse vërehet një situatë gjumi, një në vendnumëro e mbuluar me lavdinë e brezit të fillimshekullit të kaluar. Ende s’ka një vizion të ri për Ardhmërinë dhe Identitetin Kombëtar, një strategji më saktë për të gjithë shqiptarët e Amerikës. Por ajo që është më e rëndësishmja, përbashkimi po merr konturet e  tij kur vërtet bëhen veprimtari me cilësi siç ishte simpoziumi për Skënderbeun i organizuar në Worcester si askund në Diasporë apo edhe në Shqipëri apo Kosovë.

Ne shqiptaro-amerikanët e ardhur pas 1990-ës në Amerikë përcjellim një mesazh të fortë edhe tek shqiptarët e lindur këtu në Amerikë para ardhjes sonë, por edhe tek shqiptarët në tërësi, sepse kur ka përkushtim për programin e Identitetit Kombëtar ka edhe sukses. Dhe ne harrojmë gjithë vështirësitë e kësaj pune vullnetare që na dalin përpara, sepse dimë të organizojmë e t`i paraprijmë suksesit me botime periodike, me libra dhe artikuj, me dokumentarë dhe ekpsozita, me simpoziume, me ligjërata të shkruara dhe këtu në Amerikë, me pasqyrim në kohë e me cilësi për gjithë shqiptarët e Amerikës dhe Kanadasë, me një njoftim në vazhdimësi për programin tonë edhe me rrjetet sociale apo faqet e internetit, www.kombiusa.org, në Facebook apo me takime të drejtpërdrejta me shqiptarët, me bashkëveprim të ndërsjelltë me liderë aktivë të çështjes Kombëtare Shqiptare.

Bashkëpunimi midis organizatave shqiptare është baza e suksesit
Nuk është hera e parë që Shoqata “KOMBI” e Worcester, Massachusetts bashkëpunon e programon veprimtari të tilla përbashkuese me organizata të tjera shqiptare në shtetin Massachusetts apo dhe më gjerë në shtetet e zonës së Anglisë së Re.

Ne organizuam Javën e Kosovës në vitin 2011 për Pavarësinë e Kosovës në tre qytete, Springfield, Worcester dhe Boston për 4 ditë rresht bashkë edhe me shoqatën Kosova të Boston dhe hodhëm kështu hapin e parë drejt bashkimit të programeve dhe ideve por edhe të njerëzve.

Ndaj edhe duam ta bëjmë sa me real Ribashkimin. Ndaj, ne këmbëngulim shumë për të risjellë në skenë thirrjen e një Kuvendi Mbarëkombëtar në Amerikë për ta mishëruar këtë Vizion për Programe të mirëfillta të Gjuhës Shqipe dhe Qendra Kulturore në cdo qytet amerikan me shumicë shqiptare! Dhe jemi në rrugë të mbarë! Edhe në New York ka organizata që na mbështesin për programin e Identitetit Kombëtar që zbatojmë ne.

Kështu, vërtet ne e organizuam simpoziumin me organizatën më të fuqishme shqiptaro-amerikane, LQSHA e New York që lobon në Uashington për Cështjen Kombëtare për 24 vjet, por programuam e zhvilluam këtë veprimtari edhe me pjesëmarrje përfaqësi të shoqatave si më poshtë: Shoqata e Shkrimtarëve, New York; e studentëve shqiptarë të Universitetit të Konektikat; e Kosovës në Boston; e MassBesa në Boston, e Bletës (Dardha) në Boston dhe aktivistë të komuniteteve shqiptare në Rod Ajlend, Hartford dhe New York. Ndaj edhe programi dhe informacioni që përcolli kjo veprimtari ishte i qëmtuar me kujdes dhe i larmishëm për nga temat që u shtjelluan për të plotësuar figurën e Skënderbeut në të gjitha drejtimet, sepse u njoftuan të gjithë pa dallim, të gjithë shqiptaro-amerikanët që kanë punuar e janë ende në vijën e parë kur bie fjala për festimin apo përkujtimin e ngjarjeve të tilla madhore me temë kombëtare. Plus, ne nxjerrim mësime nga cdo veprimtari, ne përfitojmë nga shkëmbimi i përvojës me Bordet Drejtuese a me këdo që është i hapur të diskutojë e të ndihmojë me ide që cojnë në përmbushjen e misionit tonë atdhetar.

Tjetër. Ndikon shumë edhe prezantimi i punës së shoqatave shqiptare, pavarësisht se ato veprojnë në qytete të ndryshme sic është zona gjashtë shtetëshe e Anglisë së Re në Amerikën e Veriut. Pra, ne e shohim ardhmërinë  të sukseshme edhe për arsye se po punojmë për të që sot, duke afruar dhe brezin e ri, duke i promovuar ata që me të vërtetë kanë dhunti për tu perkushtuar  më shumë për punën atdhetare. Dhe ne dimë ta bëjmë këtë. Ne kemi studentë të shkëlqyer si Josian Golemi, Astela Hoxhallari, Enxhi Qatipi etj të angazhuar me Shoqatën KOMBI. Dhe po synojmë te zgjerojme grupin e studentëve. Shqiptarët e Massachusetts janë të kthjellët se duhet të ribashkohemi dhe ne duam ta shohim sa më afër lidhjen Worcester-Boston-Hartford-Waterbury  jo vetëm për hir të gjeografisë por edhe për hir të misioneve tona që janë njëlloj: Trashëgimi e Identitetit Kombëtar! Ndaj edhe i bëjmë programet më të kordinuara.

Historia çerekshekullore e DioGuardit
Joseph Diouardi u shkrua përfundimisht në historinë e kombit shqiptar si misionar i shqiptarisë në periudhën e fundfillimshekujve 20-të dhe 21. Ai është për ne shqiptarët  një nga figurat madhore të lëvizjes kombëtare për çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës dhe për më shumë të drejta njerëzore të shqiptarëve në Kosovën Lindore, Mal të Zi, dhe Maqedoni. Ish-kongresmeni amerikan me origjinë arbëreshe  u përball me Milloshevicin për të dënuar dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe genocidin serb për spastrimin etnik të territoreve të banuar nga shqiptarët në Ballkan në territorin e Ish-Jugosllavisë.

Aktiviteti diplomatik e patriotik i DioGuardit në Amerikë, Europë dhe në Australi tregon për një udhëheqje largpamëse dhe për gjithëpërfshirjen e shqiptarëve në çështjen Kombëtare Shqiptare. Ndaj ai edhe sot është krah nesh për më shumë ndërgjegjësim e përkushtim për çështjen kombëtare.
Kështu, organizimi i veprimtarise përkujtimore per Skënderbeun nga Shoqata “KOMBI” e Worcester,MA  bashkë me organizatën më të fuqishme lobiste në Uashington për çështjen Shqiptare për më shumë se 20 vjet e sidomos me referues Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloeys DioGuardi i dha një dimension kuptimplotë përbashkimit të vlerave edhe të shqiptarëve të letrave shqipe këtu në Amerikën e Veriut, sidomos në New England dhe New York. Kush më mirë se DioGuardi mund të rrëfeje historinë e Skënderbeut në Kongresin Amerikan dhe në qytetet amerikane ku ka shumicë shqiptare apo edhe para audiencave universitare? Sepse ai është trashëgues e përçues i vlerave të vërteta kombëtare edhe për arsye të rrënjëve të tij arbëreshe që lidhen pikërisht me Skënderbeun.

Dhe natyrshëm, Uashingtoni e besoi DioGuardin për Kosovën. Sepse kongresmenët amerikanë të udhëhequr e këshilluar nga DioGuardi panë me sytë e tyre në Prishtinë dhe Beograd  ç`po ngjiste në Kosovë  në fillimvitet e 1990-ës!
Jospeph DioGuardi është ambasadori i vërtetë i shqiptarëve të Ballkanit në Amerikë, që prej vitit 1986. Eshtë me rrënjë arbëreshe nga fshati Greci, vendbanim i ushtarëve të Skënderbeut nga rrjedh edhe familja e tij. Pra, ka një histori trashëguese të Identitetit edhe pse gërshetohen tek familja e tij  tre kombësi: amerikane, shqiptare(arbëreshe) dhe italiane.

Nuk ka një figurë tjetër pas Nolit dhe Konicës në Amerikë, në periudhën shekullore 1912-2012 përvec DioGuardit që ka një angazhim total politik, diplomatik, atdhetar, humanitar dhe bashkëveprues me Presidentët Amerikanë , Kongresin Amerikan, Senatin Amerikan, liderët shqiptarë të Ballkanit apo dhe me aktivistë të Diasporës Shqiptare në botë. Edhe pse Diaspora shqiptare në Amerikë është e paqartë për një ribashkim të ri,  DioGuardi ka ditur të udhëheqë me largpamësinë e tij për ta promovuar Shqipërinë, Kosovën dhe çështjen Shqiptare në tërësi.
“Sikur të mos këmbëngulnim për Kosovën më 1992, kur edhe hartuam Rezolutën për Pavarësinë e Kosovës, zor se do të bëhej Kosova e Lirë dhe e Pavarur kaq shpejt”,- thotë me siguri DioGuardi. Lum kombi dhe Kosova për DioGuardin!

Rezoluta për Skënderbeun  – dokument historik
Udhëheqësit e Lidhjes Shqiptaro-Amerikane Ish-Kongresmani DioGuardi dhe Zonja DioGuardi, një analiste e zonja për çështjen Shqiptare kanë formuluar Rezolutën për Skënderbeun, që u votua në Kongresin Amerikan në kuadrin e 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Ajo është një dokument i rrallë  me vlera historike për këtë figurë shqiptare kaq të studjuar,  vlerësuar e përkujtuar si strateg ushtarak që në moshë të re, si mburojë e Krishtërimit edhe pse me ushtri vullnetare e të pakët në numër, si diplomat që zotëronte disa gjuhë të huaja, si udhëheqës e inspirues për bashkimin e shqiptarëve dhe të Botës Kristiane, si kampion i qëndresës për Liri e Pavarësi të shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.
Risjellja e kësaj rezolute në anglisht, në simpozium e përcjelle nga një studente aktive në punën atdhetare sic është Krisela Karaja me shoqatën e studentëve shqiptare të Universitetit të Konektikat është edhe një mundësi më shumë për të promovuar figurën e Skënderbeut tek amerikanët, por edhe për ta bërë më shumë të njohur tek brezi i ri i shqiptarëve që kanë lindur në Amerikë në këto dy shekuj. Por duke patur mes nesh DioGuardët, hartuesit origjinalë të Rezolutës është edhe një natyrshmëri shqiptare për t`i falenderuar për këtë punë  kaq vizionare për ne shqiptarët e Amerikës por edhe për shqiptarët në tërësi  si komb i lashtë, sepse ne identifikojmë me këtë figurë kombin, flamurin dhe Shqipërinë.

Një dhuratë speciale për miqtë e shqiptarisë
Mikja e shqiptarëve të Amerikës, shkrimtarja dhe poetja Rozi Theohari nga Dardha e Korcës, kur i telefonova t`i jepja lajmin e organizimit të një  veprimtarie përkujtimore për Skënderbeun në kuadrin e 545- vjetorit të  vdekje (1468-2013) , në Worcester, MA-SHBA u gëzua si gjithmonë kur mëson ndodhira të tilla që na mbajnë gjallë këtu në Amerikë për të mos harruar nga kemi ardhur.Pasi mësoi programin e simpoziumit që do të bëhej më 26 Janar 2013 ishte e natyrshme të më tregonte se ka një dhuratë të vecantë për çiftin DioGuardi!

Ajo për mua është shqiptarja e Amerikës që dhuron lulen përmetare Barbarosa ! Dhe na sjell në mendje qytetin simbol të luleve -Përmetin. E mbaj mend në takimin për nder të themelimit të Kishës së Shën Gjergjit në Boston,MA-SHBA  nga Noli në mars, në vitin 2009 kur i dhuroi lulen Barbarosa priftit me origjinë shqiptare At Artur Liolin,pasardhësit të Nolit. Dhe të gjithë u mahnitën dhe e duartrokitën për dhuratën me një histori tashmë përmbi njëqindvjecare. Një lule të tillë, zonja Rozi ja dhuroi edhe Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga në Boston, më 2012, në vitin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

… 26 Janar 2013. Libraria Qendrore  Worcester, Massachusetts,SHBA. Simpoziumi për Skënderbeun i organizuar nga Shoqata “KOMBI” dhe Lidhja Qytetare e DioGuardit kishte marrë udhë. E morën fjalën ish-Kongresmani  DioGuardi dhe Shirley Cloeys DioGuardi, këshilltare për Ballkanin, një nga ligjërueset më të zjarrta për çështjen Kombëtare Shqiptare në Kongresin dhe Senatin Amerikan. Dhe me radhë ligjëruan shkrimtarë dhe poetë nga New York, (përmbi tre orë e gjysëm me makinë nga vendi ku  u zhvillua veprimtaria); nga Hartford i shtetit Konektikat , nga shteti Rode Ajlend, nga Boston i Massachusetts .I erdhi radha të përshëndeste shkrimtarja dhe poetja Rozi Theohari, njëra nga aktivistet e mirënjohura në Massachusetts për gjallërinë dhe bukurinë e fjalës së saj. Ajo u paraqit në podium me librin e saj “Jehona Skenderbeg-jane” dhe pikërisht edhe me dhuratën speciale: Lulen Barbarosa. Dhe si një fisnike, si një mërgimtare kur përfundoi fjalën e saj, ajo i dhuroi ciftit DioGuardi, Joseph dhe Shirley lulen e ardhur përmbi njëqind vjet nga Përmeti, të kultivuar në Amerikë nga një familje shqiptare së bashku me librin “Jehona Skënderbeg-jane”.
Salla u elektrizua ! Sa domethënëse kjo dhuratë për një grua, shkrimtare dhe poete! Po sa u mrekulluan DioGuardët kur mësuan për historinë e lules Barbarosa që edhe pse mbi 100 vjet në Amerikë ajo thirrej po Barbarosa dhe ka për mbiemër vendlindjen Përmeti. Ky ishte dhe casti më pikant, më kuptimplotë i dhurimit sipas traditës shqiptare të njerëzve të letrave shqipe: libra dhe lule! Mërgojnë e trashëgohen shqiptarët, librat shqip, simbolet kombëtare dhe…lulet shqiptare!
Sa bukur! Na le një kujtim të bukur zonja Rozi! Të urojmë mbarësi e shëndet për fjalëurtën tënde që e ke shqipëruar në Amerikë, që ta trashëgojmë traditën e bukur të letërsisë shqipe brez pas brezi.

Promovimi i librit “Rrethimi i Shkodrës” në anglisht i autorit David Hosaflook Është i pari promovim në Amerikë dhe i dyti një javë më pas veprimtarisë në Muzeun Historik Kombëtar. Jo vetëm që është një mundësi më shumë për ta lexuar e mësuar për qëndresën dhe shpirtin luftarak të shqiptarëve edhe 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, por edhe është një mesazh i qartë se kur qëndron për dicka të drejtë sic është Liria dhe Pavarësia suksesi është i padiskutueshëm! Dhe fakti është që Kalaja e Rozafës nuk u muar me luftë nga Turqit. Këto dy rrethime dramë më 1474 dhe 1478 janë një frymëzim i pashembullt për kineastët amerikanë dhe shqiptarë për të projektuar një film në Hollivood për një nga ngjarjet më të mëdha të shekullit të pesëmbëdhjetë në Europë ku sillet në detaje  dyluftimi i një ushtrie vullnetare shqiptare shumë të vogël në numër, gati sa një gjysmë divizioni kryengritësish në njërën anë  me turqit e Perandorisë Osmane që kishin një armatë disa qindra mijëshe të armatosur, me topat më moderne të kohës, me gjylet disa qindra kilogramëshe, që nuk arritën dot të shkatërrojnë bedenat e kalasë së Rozafës.

Cfarë kuptojmë me fjalën Calabria?

DioGuardi shpjegoi edhe prejardhjen e provincës në Itali me emrin Calabria. Cala = Kal+a(bria); abria= a(r)bria ose Kalaja e Arbrit! Sepse arbëreshët e Italisë janë shqiptarët e qytet-kalave shqiptare.

Mesazhi i punës atdhetare
Të punojmë së bashku! ” Gur-gur bëhet mur”! Ky është  mesazhi që përcjellim ne në Worcester në radioprogramin Ora Shqiptare e drejtuar nga Andrea dhe Rebeca Tanaca, www.wcuw.org cdo të shtunë nga ora 2 deri në 4 pasdite me orën e Shqipërisë si dhe në takimet e drejtëpërdrejta me njerëzit apo edhe në veprimtaritë tona atdhetare e kulturore. Ne vërejmë edhe në Worcester, MA, se ka grupe në qytet apo individë që duan ta përdorin komunitetin shqiptaro-amerikan për influencë dhe interesa personale, por jo për t`i kthyer gjallërinë e duhur për Identitetin Kombëtar. Këtu në Amerikë flasin për Nolin, por kur u themi hapur për ta nderuar me një shtatore as që u bie në mend! As kudo.  Dhe bëjnë e be e rrufe për Nolin! Noli i bëri bashkë shqiptarët dhe ndihmoi Shqipërinë ,por ende nuk e ka marrë nderimin që i takon as në Shqipëri as në Amerikë.
Prandaj, shoqata KOMBI u bën një pasqyrim më real vlerave kombëtare, kur  themi se këtu në Worcester,MA njëqind e një vjet më parë erdhi Noli dhe Konica e përndezën Bashkimin  e madh të shqiptarëve të Amerikës. Këtu këndoi zotin në shqip At Stath Melani, dëshmor i kombit shqiptar apo prej Worcester,MA u nisën djemtë e Bandës Kombëtare që ngritën Shqipërinë më këmbë më 1920 me këngën e Thoma Nasit “Vlora-Vlora”!

Ne shqiptarët jemi komuniteti i vetëm nç Worcester si edhe në tërë SHBA nga më të vjetrit që s’kemi një qendër kulture të mirëfilltë! Dhe ndaj u kërkojmë kujtdo që ka dëshirë e dashuri  për kombin dhe Shqipërinë: Ejani të bashkohemi , ta bëjmë dhe Qendrën Shqiptare të Kulturës në cdo qytet amerikan me shumicë shqiptare që t`i rikthejmë dinjitetin  Identitetit tonë kombëtar akoma edhe më shumë!
Që ti mbajmë të gjalla rrënjët tona kombëtare me më shumë veprimtari atdhetare, që të mos harrojmë nga kemi ardhur!

 

Filed Under: Opinion

Ç’duhet bërë për të rregulluar ligjet e imigracionit

February 3, 2013 by dgreca

Nga Rafael Floqi/

Përpjekjet për reforma të reja në imigracion e kanë detyruar  Presidentin Barak Obama të nderrmarrë një  fushatë për të siguruar mbështetje publike, për refomuar sistemin e imigracionit në Shtetet e Bashkuara. Presidenti ritheksoi angazhimin e tij për reformat në imigracion në fjalimin e tij javën e kaluar. “Rrugëtimi ynë nuk është i plotë deri kur të gjejmë një mënyrë më të mirë për të pritur imigrantët punëtorë, të cilët e shohin Amerikën si tokën e mundësive, deri kur studentë dhe inxhinierë të aftë të  përfshihen në forcën tonë punëtore, në vend që të dëbohen nga Amerika”.

Nderkohë ligjvënësit amerikanë po punojnë për një projekt-ligj me mbështetje dypartiake, e cila do t’u ofronte një mundësi legalizimi miliona shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme, si dhe për të forcuar sigurinë kufitare në vend. Senatori republikan  John McCain deklaroi se “Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht në kushtet kur 11 milionë vetë jetojnë në këtë vend nën hijen e statusit të  paligjshëm. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht në kushtet kur fëmijët që kanë  lindur këtu, apo që u sollën në SHBA  nga prindërit në moshë të vogël, të jetojnë gjithashtu në hije. Ka ardhur koha për veprim.

Megjithatë nuk ka marrëveshje të gjerë dypartiake që Amerika të ketë nevojë për një zgjidhje legjislative për politikën amerikane  të emigracionit që të jetë me të vërtetë “e plotë”.  Po qe se zgjidhja është vetëm administrative  që  rregullohet vetëm me një  “goditje të stilolapsit” nga ekzekutivi,  si urdhëri I Presidentit Obama  nuk  mund të shkojnë shumë larg. Krahu legjislativ Kongresi mund dhe duhet të luajë një rol të madh në reformën e imigracionit. Si një yll në rritje Republikane, Rubio mund shpresojë  për një fushatë presidenciale më 2016 nga drejtues të reformës së imigracionit përmes Senatit. Një grup dypartiak Senatit që përfshin Rubio arritur marrëveshje gjatë kësaj jave per një plan të gjerë të emigracionit që përfshin një dispozitë  të nështetësisë. Republikanët e tjerë janë duke lëvizur në këtë çështje. Një grup dypartiak në Shtëpinë është duke punuar në një propozim të ngjashëm. Javën e kaluar në Charlotte, NC, shumica e anëtarëve të Komitetit Kombëtar Republikan ranë dakord se GOP duhet të përmirësojë tonin e saj dhe mesazhin e mbi emigracionin. Ish guvernatori i Floridës Gov Jeb Bush, një anëtar me ndikim i partisë, përdori një pjesë të opinionit publik në Ëall Street Journal që ta nxisë kombin të “kapë momentin” bipartizan për reformën. Megjithatë, politika e emigracionit të mbetet e rrezikshme për ndonjë republikan.  GOP shikon rrezikun e tjetërsimit mbështetësve pasionante të linjës së ashpër  të politikave  të imigracionit. Përkundër Rubio  i mirë-pranuar në terren nga konservatorët si spikeri me influencë i radios Rush Limbaugh dhe Sean Hannity, janë në pozita kundërshtuese.
“Fatura e Rubios është asgjë tjetër , por veç amnistia,” shkruante kolumnistja konservatore Ann Coulter, duke iu referuar asaj si “një ujk në veshje qingji”.
Çdo zgjidhje e vërtetë, do të duhej të përmbante një minimum prej katër elementesh.

 

 

Që janë: 1. Rritja e sigurisë kufitare. 2. Dokumentimi  i të pa dokumentuarve. 3. Adresimi i mangësive të procesit aktual të emigracionit në SHBA . 4. Krijimin e një programi të fuqishëm punësimi sezonal.

Të gjitha këto elemente të reformës janë bërë më të lehtë për të zbatuar nga përparimet e teknologjisë. Çdo shtet duhet të jetë në kontroll të plotë  të kufijve të tij, dhe është e qartë se përpjekjet e bëra që pas  9/11 kanë përmirësuar aftësinë SHBA-ve  për parandalimin  e emigrimit ilegal  por jo sa duhet .  Në përgjithësi, qëllimi i reformës së emigracionit të vërtetë duhet të jetë që të tërheqë më të mirët dhe  më të zgjuarit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ende të ruajë  ndjeshmërinë e  mjaftueshme  si një komb  emigrantësh,  që të mos harrojmë  vlerat e  bashkimit familjar dhe mirë pritjes  me  dhembshuri të refugjatëve dhe emigrantëve.

Një efekt anësor i një sistemi më të sigurt kufitar, është se ai do ta  përmbante  popullatën që tashmë  është e  padokumentuar në SHBA.  Duke bërë që të mëos kishim drama të ndarjeve të dhimbshme të familjeve siç kanë për jetuar mjaft shqiptarët.  Kështu, ndërsa ne duhet të bëjmë më shumë për të mbajtur kufijtë tanë të sigurt, duhet të pranojnë gjithashtu se popullsia të padokumentuarve  tashmë është këtu dhe nuk po shkon askund dhe se duhet të trajtohet  në mënyrë efikase, efektive, dhe me dhembshuri. Kjo do të çonte në arritjen  e një zgjidhje konstruktive për legalizimin e të padokumentuarve,  duke e treguar e e kujdesshme për të lënë jashtë këtyre politikave elementë ndëshkues të tillë si gjobat tepër të mëdha,që të  ndalojnë mundësinë e  një rruge drejt natyralizimit, apo përpjekjet në tjetërsimin e doktrinës aktuale në lidhje me shtetësinë e fituar qysh në lindje në SHBA

Për fat të mirë, në kontrast me procesin e ndërmarrë në vitin 1986, prania e mjeteve te teknologjisë së lartë si smart fones, laptopët, dhe qasja në internet do ta bëjë më të lehtë  regjistrimin dhe përpunimin e një numër të madh njerëzish  për qëllime të  imigracionit. Kjo mund të bëhet ashtu sic  e bëjnë tani me  teknologjite e njohura on-line të  bankave, paraqitjen e taksave, dhe të shërbimeve të tjera.

Një punë e rëndësishme në vetvete për qeverinë është  tëharrja nga ata që kanë kryer krime, parandalimi i mashtrimevet, dhe vlerësimi me kujdes i kërcënimeve potenciale ndaj sigurisë sonë kombëtare, si dhe marrja e vendimeve përfundimtare për të caktimin e personave  që do të largohen dhe  do të qendrojnë në SHBA.

Ashtu si çdo organ tjetër i së drejtës, edhe ligjet e imigracionit ne SHBA duhet gjithashtu të mbajnë ritmin e kohës  dhe të jenë mjaft fleksibël për t’u përshtatur me natyrën e ndryshueshme të lëvizshmërisë popullatës njerëzore  globale.

Shumë është thënë dhe shkruar rreth nevojës për viza sipërmarrëse për ta mbajtur Amerikën konkurruese dhe për të rritur ekonominë amerikane . Por ka fusha të tjera në të cilat sistemi ynë i tanishëm Imigracionit nuk jep zgjidhje në lidhje me situatat e zakonshme  te punësimit – të tilla si përkthyes të pavarur apo tëvetë punësuar që dëshirojnë të punojnë ligjërisht në SHBA për një periudhë të caktuar kohe.  Reformimi i ligjeve të imigracionit për të lejuar disa lloje të tjera të punësimit, si dhe vetë-peticionet do të na lejonin mundesi për të arritur më shumë nga përfitimet e aktiviteteve  ekonomike  të palicensuara që ne tashmë e dimë se ndodhin  brenda kufijve të SHBA..

Individët të cilët janë sjellë në sistemin formal të imigracionit nëpërmjet një programi me shkallë të gjerë të legalizimi, ose përmes opsioneve shtesë për statusin e punësimit do të bënin që të rriteshin aplikimet  për numra  sigurimesh  shoqërore, patenta, licenca biznesi, dhe dokumentet e tjera që të futen  “në sistem” nga ata që do të duhet  t’i përdorin në baza ditore.

Kjo është një gjë e mirë, sepse ajo do të sjellë  të ardhura të konsiderueshme  afatgjata (në formën e gjobave, tarifavet të aplikimit dhe të përpunimit taksave)  federale, shtetërore dhe të pushtetit lokal, si dhe dhe do të zgjerojë bazën tatimore në përgjithësi.

Sistemi amerikan i Social Security ka nevojë dëshpërimisht për të shtuar punëtorë të rinj në listat e veta tatimore. Vendi do të përfitojnë më shumë nga futja e  11.000.000-12.000.000 e më shumë njerëzve në sistemin tone formal ekonomik.

Per të kuptuar të ardhmen e reformës emigracionit,  është e dobishme që të shikojmë në të kaluarën e afërt. Në kohën kur Presidenti George Ë. Bush filloi mandatin e tij të dytë, reforma e emigracionit ishte gjithashtu në krye të axhendës. Puna e bërë, atëherë për të shqyrtuar një program shkëmbimi punëtorësh sezonalë  mund të sherbejë edhe  tani . Nje sistem i mirë i punesimit sezonal mysafir që përfshin dhënien e   kursimeve të stilit  401 (k) dhe të llogarive të  investimeve,  vetëm kur këta punëtorët zezonale të kenë dalë nga  SHBA  dhe jenë kthyer në vendin e tyre të origjinës, mund të ndihmojë në kapercimin e  hendekut mes nevojës se vendit për  krahë pune si dhe nje afat për të rregulluar popullsinë më të madhe të padokumentuar në mënyrë që si punëtori i kualifikuar dhe ai I  pakualifikuar të gjenë punë dhe të jenë në treg .

Procesetet ekzistuese e të  emigracionit SHBA  sjellin jo vetëm valë të freskëta të individëssh  të cilët jo vetëm që shtojnë ndryshueshmërinë  kulturore, talentin, dhe zellin e  sipërmarrës të popullsisë amerikane por edhe një shkallë të lartë e lindshmrie  në mesin e emigrantëve  gjë që ndihmon në mbajtjen e  shkallës e lindshmërisë së lartë në vend afër nivelit të zëvendësimit të popullsisë.

Në përgjithësi, qëllimi i reformës së emigracionit  të vërtetë duhet të synojë  tërheqjen e punonjësve  më të mirë dhe më te aftë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ende ka ndjeshmëri të mjaftueshme  për bashkimet familjare dhe trajtimin  me dhembshuri të refugjatëve dhe emigrantëve. Ashtu si energjia, emigracioni është një nga ato subjekte ku sa më  më i shume të kesh  më mirë është . Dhe tani është koha për ndryshime.

Filed Under: Opinion Tagged With: immigracioni, ligjet, Rafael Floqi

NE PRAG TE DITELINDJES, 104 VJETORIT TE DIELLIT- GJURMIME MBI LETËRSINË SHQIPE TEK «DIELLI»

February 3, 2013 by dgreca

Nga Sevdai Kastrati/

Kam kënaqësi të veçantë që mund të marrë pjesë në këtë përvjetor të rëndësishëm: përvjetorin e njëqint të gazetës Dielli. E quajmë këtë përvjetor të rëndësishëm sepse është përvjetor i jashtëzakonshëm i gazetës me jetëgjatësinë më të madhe në gjuhën shqipe: ju përshëndes dhe ju falënderoj që më ftuat.

Kur flas për gazetën Dielli unë jam i vetëdijshëm se flas për njërën nga gazetat më të rëndësishme të botës shqiptare. Them kështu, sepse në gazetën Dielli janë botuar poezitë, prozat, dramat, polemikat, ligjërimet, kritikat letrare, gjuhësore dhe politike, letërkëmbimet, shkrimet historike që kanë të bëjnë për Shqipërinë në veçanti dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi prej krijuesve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Dielli është gazeta e parë që i kushton një rëndësi përkthimeve, duke sjellur në gjuhën shqipe disa nga veprat më të njohura të letërsisë botërore.

Pa dyshim, gazeta Dielli është bërë shkollë për shqiptarët e Amerikës, tribunë e lirë për shprehejen e mendimeve, mburojë për të drejtat kombëtare, i ka përkrahur dhe mbrojtur të shtypurit, e ka çmaskuar natyrën ballkanike dhe orientale të politikanëve shqiptarë (për këtë është ndaluar të futet në Shqipëri), i ka luftuar shtypësit dhe tiranët (hiq një periudhë të shkurtër kur vihet në shërbim të regjimive monarkiste dhe komuniste), e ka mbajtur të ndezur kandilin kombëtar shqiptar në Amerikë.

 

Në këtë kumtesë dëshiroj të flas sot para jush mbi një vështrim të letërsisë shqipe te Dielli prej 1909 deri më 1971, pra rreth poezisë, prozës dhe dramaturgjisë.

Ndonëse Dielli në fillim ishte i përqëndruar kryesishit në përkthime të letërsisë botërore, si  tregime, novela, komedi të autorëve më të dëgjuar të Evropës dhe Amerikës e, që në fund të vitit parashikonte t’i botonte në një vëllim të veçantë. Edhe pse një botim i tillë s’u bë ndonjëherë.

Megjithëse letërsia shqipe ka një shtrirje të gjatë kohore te gazeta “Dielli”, ku poetë, prozatorë e dramaturgë i takojnë periudhave të ndryshme kohore: romantizmit, mes romantizmit, realizmit dhe simbolizmit, letërsisë sociale dhe letërsisë së sotme. Për dallim nga metoda e realizmit socialist që mbizotëronte në Shqipëri, letërsia shqipe në diasporë u zhvillua pa censurë e pa trysni politike.

Dy vjershat e para do të botohen në Dielli i përkasin vitit 1910, pra më 29 prill, në numrin e 57, Kënga e Abecesë prej Ali Maksutit  që demaskon propagandën për të shkruar gjuhën shqipe me alfabetin arab dhe vjersha kushtim  Shoqërisë «Mbarësi» të Luarasit prej Spiro Nini Luarsait. Në një shënim të Faik Konicës thuhet: DIELLI tha që në krye se nuk boton vjersha, dhe s’ka botuar gjer më sot. Po me që u dhamë fjalë ca pajtimtarëve, dalim nga regulla një herë dhe botojmë dy copë, të cilat kanë tri të mira që na i porositnë: 1) Flasin për të ngjara të ditës, dhe të tila vjersha boton ç’do gazetë politike (Frënq’ i quajnë këto les pièces de circonstance); 2) Janë të shkurta; 3) Kanë masë të dreqtë. Në marçim edhe të tjera vjersha që i mbushin këto të tri pika, ndofta munt të dalim prapë jashtë regullës.

Gjatë këtij viti do të botohen dy vjersha të tjera me frymë romantike, një nga këto është një vjershë portret që i kushtohet Faik Konicës.

Më 1912 botohet Kushtrimi – Ora e Shqypniis nga poeti kombëtar Gjergj Fishta, një vjershë profetike dhe  Kryengritja e Shqypniis prej Kambardhit (pseudonim i Risto Siliqit).

Vjersha e Fan S. Nolit Thomsoni dhe kuçedra do të botohet më 1915, si dhe vjershat e Ramiz Harxhit me pseudonimet Dullga dhe Top’ i Dullgës, Loni Logori, Kristo Floqi, Asdreni, Murat Toptani etj. Me ardhjen e Faik Konicës në Boston më 1921 gazeta Dielli bëhet vërtet një gazetë serioze dhe me një rëndësi të veçantë për letërsinë.

Derisa në kolonitë e tjera shqiptare do të vijnë duke u zvogëluar gjithënjë e më dukshëm numri i gazetave e i revistave, saqë edhe do të pushojnë fare, gazeta Dielli do të jetë e hapur për të rinjtë shqiptarë që studiojnë në Evropë : Lasgush Poradeci, Eqrem Çabej, Odise Paskali, Lame Kodra, Llambi Gjergo, arbëreshi Agostine Ribecco e të tjerë e, që do t’i botojnë krijimet e tyre poetike.

Një zë i veçantë në satirë është, pa dyshim, Merko Koroni. Është poet me dhunti krijuese, veçse i pa vënë re nga kritika letrare. Pothuajse të gjithë vjershat e tij janë të botuara në faqet e gazetës Dielli.

Një nga tingëllimat më të mira në letërsinë shqipe është Helena e Trojës i Faik Konicës. E shkruar më 1916 dhe e botuar më 1937, kur e shkroi ishte 41 vjeç e jo siç pohon Jup Kastrati 61 vjeç (Jup Kastrati: Faik Konica, New York, 1995, f. 426).

Në tingëllim tjetër i Faik Konicës është shkruar me 3 qershor 1938, me titullin Diplomati e, që ka satirë, sarkazmë, ironi dhe tallje.

Në vitet ’40 ribotohen vjershat e Fan S. Nolit: Hymni i flamurit, Anës lumenjve të Babilonisë, Kënga e Kirenarit, Krishti me Kamçikun, Moisiu në mal, Rent, or Marathonomak, Shën Pjetri në Mangall si dhe krijimet e reja poetike Plak topall, dhe ashik dhe Sofokliu dhe Ferid Asllani nën pseudonimin Bajram Domsdova.

Në vitet 50 shquhen Constantina Christ dhe Stefan Thanasi. Ky i fundit s’ka shkruar shumë gjithsej 8 vjersha, por kjo s’do të thotë se nuk është poet. Në historinë e letërsisë përmenden si vjershtorë që kanë shkruar vetëm dy-tri vjersha, dhe nuk përmend fare të tjerë që kanë shkruar me qindra. Thuhet se, ka pasur vjershëtor që është pranuar si anëtarë në Akademinë Frënge vetëm për një vjershë, për një tingëllim, por ama të përsosur.

Stefan Thanasi i larguar nga Shqipëria para apo gjatë Luftës së Dytë Botërore në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, sigurisht si emigrant ekonomik, siç ishin pothuajse shumica dërmuese e Shqipërisë së Jugut ai do të shkruajë një nga vjershat më emocionuese për nënën me titullin Mëmës t’ime. Në të gjejmë gëzimin, hidhërimin dhe frikën e nënës për birin e saj që nga ditët e djepit e deri në ditët e mërgimit:

 

…Bir or bir i nënës, ti po më largohesh

Oh! buzët më dridhen, zëmra më coptohet

 

apo porosia e nënës:

 

Pa ty, bir i nënës, mbetem si e mjerë,

Mos harro të kthehesh, të të shoh dhe nj’ herë.

 

Kurse në vargjet pasuese poeti shpreh sesa e domosdoshme është prania e nënës në lumturinë e njeriut dhe sa e dhimbshme është mungesa e saj:

 

 

Malli më ka marë, mëma im’ e dashur,

Gjatë kësaj kohe si nuk paskam plasur?

 

Malli i nënës ishte plagë e hapur për një pjesë të madhe të shqiptarëve në Amerikë. Jo vetëm për ata emigrantë ekonomikë, por edhe për ata refugjatët politikë. Për këta të fundit edhe më keq, sepse nënat e tyre do ta kalojnë jetën në internime.

Shqiptarët e Amerikës deri para ardhjes së komunistëve në pushtet kishin lidhje pronësore me atdheun, por me mbylljen e Shqipërisë ata i shkëputën të gjitha lidhjet pronësore, ashtu sikur arbëreshët dikur, sado jo edhe lidhjet shpirtërore.

 

Në vitet 60 dhe 70 botohen poezitë e Fan S. Nolit, Arshi Pipës, Vex-it, Bardhit, Demo Labit, Agron Himariotit, Nick Kreshpanit, Bilal Xhaferit (i cili e lufton tiraninë komuniste), Nexhat Peshkëpia etj.

 

E rëndësishme është gazeta Dielli edhe se i përket botimit të poezive në dorëshkrim të Faik Konicës (gjithsej 5, Drit’ e shpirtit tim, Fitova moj zëmbër, Një të dashur kush ka gjetur prej tyre dy janë në anglishte In memory of a young girl dhe To a revolutionary leader) dhe të  Andon Zako Çajupit (gjithsej dy Hymni kombëtar, Faik Konica dhe një variant Hymni shqiptar). Ky i fundit do të shkruaj një himn, ashtu siç shkruanin pothuajse shumica e poetëve të Rilindjes Kombëtare. Ia dërgon për botim gazetës Dielli miku dhe bashkëfshatari i tij Sofakli Çapi. Vjersha Hymni kombëtar është e panjohur për lexuesit dhe studiuesit e Çajupit. Nuk është përfshirë në veprat e tij as në Prishtinë, e së fundi (në përgatitje të Jorgo Bulës) as në Tiranë.

E shkruar ndoshta më 1913-1914, të njëjtën kohë me vjershën Mbretit të Shqipërisë që është botuar në revistën Zgjimi të Korçës (1914, nr. 5, f. 232-235) ku  thuhet:

 

Mos u gëzo, moj Janinë,

Sot për sot jemi të ndarë;

Po Shqiptarët do vinë

Se s’lënë gjaknë pa marrë.

 

Në vjershën Hymni kombetar Andon Zako Çajupi do të përkujtojë se kufijtë e 1913-ës kanë lënë jashtë shtetit shqiptar gjysmën e trojeve etnike:

 

Zot, kufit’ e Shqipërisë

Nukë janë tek u-shtuan,

Se armiqt’ e drejtësisë

Shumë vise zotuan.

Po me pahir nuk mbahen

Se nga Shqipëria s’ndahen;

Kur të vemi t’i shpëtojmë

Si dragonj do të luftojmë!

 

apo në vargjet pasuse:

 

Një meleun shqipëtarë

Sot ndënë zgjedhë rënkojnë,

Dhe na presin duke qarë,

T’u-vemi, që të shpëtojnë.

 

ndërsa për fqinjët tanë thotë:

 

Sot gjitonët s’na nderojnë

Shitiren sikur s’na peshojnë,

Po një ditë, çpejt a vonë,

Kur t’u-vemi, do të shonë!

 

dhe në fund jep kushtrimin:

 

Si lum’ i Vardarit

Gjaku le të rrjedhë!

Zverk’ i shqiptarit

Nuk duron zgjedhë.

 

Sa i përket prozës do të ndalem shkurtimisht në prozën e Faik Konicës. Proza E bija e mbretit edhe trëndafijtë «Dielli»,  1910, 4 shkurt, nr. 45, f. 1, pastaj prozën historike Jeta e Skënder Beut. Jup Kastrati pohon se është shkruar nga 8 gushti 1912 deri më 17 nëntor 1918 (Kastrati 1995). I të njëjtit mendim është edhe Nasho Jorgaqi (Konica, vepra V, 2001, f. 434). Ky është një shembull se si marrin të dhënat nga fjalët e të tjerëve, pa i parë shkrimet origjinale. Në të vërtetë është botuar në nëntë vazhdime nga 8 gushti – 17 tetor 1912. Dielli», Boston Mass, 1912, 8 gusht, nr. 161, f. 2, 3; 15 gusht, nr. 162, f. 2, 3; 22 gusht, nr. 163, f. 2, 3; 29 gusht, nr. 164, f. 2, 3; 5 vieshtë [shtator], nr. 165, f. 2, 3; 12 vieshtë [shtator], nr 166, f. 2; 19 vieshtë [shtator], nr. 167, f. 2; 26 vieshtë [shtator], nr. 168, f. 2; 17 vieshtë II [tetor], nr. 171, f. 2. Tregimi Katër pralla nga Zullulandi, prej të cilave është botuar vetëm një me titullin Një ambasadë e Zulluve në Paris  (11 mars 1922), ndonëse tregim për një popull tjetër, në të vërtetë ka të bëjë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kurse proza ese Shqipëra si u-duk është një vepër që duhet të lexohet dhe të rilexohet, sepse është shumë aktuale. Faik Konica kishte ndërmend të shkruante mbi zotrit e çifligjeve, dhe mbi ata njerës që i vënë rëndësi më tepër diplomës se sa zotësisë së njohurive.

 

Në Dielli janë botuar nga letërsia botërore romanet: Myshteret e Parisit (1920) prej Eugene Sue, i përkthyer prej Andon Frashërit; Kapedani i Jeniçerëve ose Skënderbeu (1922-1923) prej James M. Ludlow, i përkthyer prej A[ndon] S. Frashërit;  Arthyr Gordon Pym (1923-1924) prej Edgar Allan Poit;  Bota me 2000 A.D.(1930) prej Edward Ballamy, i përkthyer prej Aqile Tasit kurse nga letërsia shqipe dy romanet e Foqion Postolit Për mprojtjen e atdheut dhe Lulja e kujtimit; romani  i Faik Konicës Dr. Gjëlpëra zbulon rënjet e dramës së Mamurrasit (1924) si dhe fragmente të romanit Ra Berati  (1971) të Bilal Xhaferit.

Sa i përket dramaturgjisë është botuar më  1911-1912 drama Fe dhe kombësi  prej Kristo Floqit, dramë me 4 akte dhe 4 pamje; XOXA, ZOI M.: Kurora shqiptare (1923) prej Zoi M. Xoxa, dramë me pesë akte, Tri njolla të mërgimit (1935) prej Nelo Drizari, dramë me një punë dhe një pamje. Ëndrat e punëmirës dhe shpresat e shoshës (1935) prej Hito Sadikut, si dhe Për mbrojtjen e atdheut (1957-1958) prej Peter R. Priftit.  Dramë me tre akte. (Bazuar në novelën “Për mprojtjen e atdheut” prej F. Postolit).  Komeditë Tregëtari i Vlorës(1909-1910) prej Chamfortit, komedi në një akt dhe në prozë. E adaptoj shqip Faik be’ Konitsa; Martesa me pahir (1910) prej Molierit, komedi në një akt dhe në prozë. E adaptoj shqip F. S. N.; Dhëndër me pahir  dhe Merre t’a marrim (1912) prej K. Floqit, komedi me një pamje.

Pra siç shihet në gazetën Dielli botohen veprat e krijuesve më të shquar të saj, si Faik Konica dhe Fan S. Noli e që kanë një ndikim të madh në letërsinë shqipe.

Në fund do të doja të përfundoj duke përmendur dialogun e Fan S. Nolit me një minstër të qeverisë komuniste për dërgimin e trupit të Faik Konicës në Shqipëri: «Dërgojeni po deshtë, po trupi i tij do të dalë përpara Gjykatores së Popullit që të gjykohet në bëri mirë apo keq për Shqipërinë» thotë ministri dhe përgjigjia e Fan S. Nolit: «Po, zoti ministër, i vdekuri s’ka gojë që të mbrojë veten përpara gjykatores!»

*Kumtese e mbajtur me rastin e 100 vjetorit te gazetes Dielli, qershor 2009

Filed Under: Kulture Tagged With: Gjurmime, mbi pervjetorin e Diellit, Sevdai Kastrati

LETËRSIA ARTISTIKE NË FAQET E GAZETËS “DIELLI”

February 3, 2013 by dgreca

Nga Naum Prifti*/

Kur flasim për letërsinë artistike në faqet e Diellit, kemi parasysh si letërsinë origjinale nga autorë shqiptarë, ashtu edhe letërsinë e përkthyer nga gjuhët e tjera, prozë e poezi, meqë ato përbëjnë një binom të pandarë.

Duke shfletuar Diellin befasohemi nga larmia e shkrimeve artistikë të botura qysh kur filloi botimi i tij më 1909. Në faqet e tij shihen  autorë me famë ndërkombëtare, e midis të tjerash vlen të shënohet se janë botuar jo vetëm tregime të shkurtra, dhe poezi që praktikisht zenë pak vend dhe preferohen nga gazetat, por edhe novela që vazhdonin disa numra me radhë. Përzgjedhja e veprave të botuara dëshmon kulturën e gjerë të editorëve të Diellit,  njohuritë e tyre për letërsinë botërore dhe po ashtu kontaktet me kritikën bashkë kohëse. Fan Noli, Konica dhe kryesia e Vatrës synonin t’i njihnin emigrantët shqiptaro-amerikanë, me disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, edhe pse shumica e lexuesve të Diellit ishin analfabetë, ose vetëm me disa klasa të fillores. Ata e shihnin letërsinë si mjet efikas për edukimin artistik të emigrantëve dhe njëkohësisht patriotik. Nga ana tjetër botimi i letërsisë artistike, sidomos përkthimet ndihmonin të hidheshin poshtë denigrimet e pasosura për gjuhën shqipe nga shovinistët grekë, si  gjuhë barinjsh, e pa aftë të shprehte ndjenja të holla, mendime artistike e filozofike.

Në kohën kur në ShBA doli në dritë “Dielli” në trojet etnike shqiptare, dua të them në katër vilajetet e saj, nuk kishte asnjë gazetë, asnjë revistë shqip, mbasi qeveria turke i quante subversive. Patriotëve Rilindës s’u mbeti rrugë tjetër veç t’i botonin gazetat, revistat e librat shqip jashtë kufijve të perandorisë Otomane. Shtegun e çeli  De Rada  me botimin e revistës  “Fiamuri i Arbërit” në Itali më 1883, e  përmuajshme politike, shoqërore, kulturore. Pastaj botimi i gazetave e  revistave mori hov nëpër kolonitë shqiptare Bukuresht, Sofie, Athinë, Kairo.

Në Amerikë patrioti Sotir Peci nisi botimin e gazetës “Kombi”  më 1906. Aty punoi disa kohë edhe Fanoli dhe përvoja e fituar e ndihmoi të drejtonte me sukses gazetën “Dielli.” Noli ka qenë editori i saj i parë, ai që e vuri mbi themele të shëndosha, çka e dëshmon jetëgjatësia e saj një shekullore. Gazeta si organ i Federatës Panamerikane “Vatra” kishte karakter politik, shoqëror e kulturor, pra t’i shërbente komunitetit dhe atdheut.  Letërsia artistike zakonisht në gazetat jo specifike qe e rastësishme,  anësore, jo e përhershme. Nuk ka asnjë gazetë tjetër që ta ketë kundruar letërsinë si pjesë integrale të punës së saj. Nga kjo anë  gazeta “Dielli” shënon një rekord në shtypin shqiptar të para luftës dhe të pas luftës II botërore, si brenda e jashtë atdheut.

Merita i takon konceptit që kishte Noli, editori i Diellit, për rolin dhe vlerën e letërsisë artistike. Pikpamjet e tij gjetën përkrahje si nga Konica, ashtu edhe nga Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, njerëz me kulturë e vizion për të ardhmen.

Te koleksioni i Diellit, vërehen emra autorësh të antikitetit, sikurse Eskili, Herakliti, te ata të Mesjetës, Shakespeare, Moliere, Cervantes, Khajam, te klasikët Gëte, Heinrich Heine, Ibsen, Victor Hugo, Maksim Gorki, Tolstoi, Mopassan, Stendhal, Alphons Daudet, Ibanez, Longfellow, Irving Washington e deri te kontemporanët Fridrih Niçe, Rudyard Kipling, Edgar Allan Poe, Bjornson, etj.  etj.

Shumë nga përkthimet mbajnë firmën e Nolit, ose psudonimet që përdorte. Te libri “Noli i panjohur” Efthim Dodona, me hulumtimet për jetën e Nolit në Harvard, ribotoi edhe përkthimet e tij botuar te “Kombi” dhe te “Dielli.” Ai vëren se komedinë me një akt “Martesa me pahir” të Molierit, Fanoli e quan adaptim mbasi ndryshoi, më sakt shqiptarizoi  emrat e personazheve, spostoi vendin e veprimit në Korçë dhe latinizmat i ktheu në greqizma duke vënë në lojë elementët progrekë. Atje ku profesori grek e pyet me ç’gjuhë do t’i flasë, latinisht, gjermanisht, frëngjisht, turqisht, protagonist ngulmon “Jo! Shqip, shqip, shqip!” Noli e përfundon komedinë me thirrjen “Rroftë Hyrieti. Rroftë Korça greke! Poshtë Masonët!” duke e aktualizuar që të shijohej nga shikuesit emigrantë.

Novelën e Stendalit “Vanina Vanini” Noli e zgjodhi për të theksuar dramën e heroinës, e cila për të fituar të dashurin denoncon kryengritësit karbonarë, por pëson disfatë se Misirili e neverit sapo merr vesh ngjarjen. Dashuria e tij për atdheun është më e madhe se për Vaninën, çka na kujton vargjet e Petëfit “Për dashurinë jap jetën/Për liri jap dashurinë”.

Te “Dielli” gjejmë përkthime nga Faik Konica, Kost Çekrezi, Dennis Kambury, autor i fjalorit të parë anglisht-shqip (1917), Shevqet Bënça, Dhionis Karbunara, të cilët janë të periudhës më të hershme.

Veç përkthimeve të spikatura nga Anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, rusishtja, jidishtja, disa prej të cilave zunë vend në antologjitë e shkollave, sikurse “Korbi” dhe “Anabel Lee” të Edgar Allan Poes, Noli botoi mjaft poezi origjinale, midis të cilave edhe “Jepni për Nënën,” (25 maj 1917) një manifest që ngriti peshë zemrat e shqiptarëve tej e mbane Amerikës. Dy vargjet e saj “Mbahu Nëno, mos ki frikë/ Se ke djemtë nëAmerikë” u kthyen në shprehje popullore. Epopeja u përsërit gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, (1999) me ndihmat kolosale materiale nga emigrantët  dhe me vullnetarët e “Batalionit Atlantiku” që rrëfyen se në rembat e shqiptarëve vazhdonte të rridhte gjaku i Isë Boletinit dhe Adem Jasharit.

Gjatë një shekulli “Diellin” e kanë drejtuar një sërë editorësh, të cilëve u shprehim mirënjohjen për aftësitë dhe zellin e treguar. Pa përjashtim të gjithë kanë mbajtur lart dashurinë për atdheun, të pandarë nga dashuria për liri. Përkulemi me nderim pëpara kujtimit të Kostë Çekrezit, Qerim Panaritit, Xhevat Kallajxhiut, Refat Gurazezit, Eduard Liços, Arshi Pipës dhe shprehim respekt për editorin e fundit poetin dhe studiuesin Anton Çefa. Kërkojmë falje që nuk po i përmendim të gjithë.

“Dielli” u bë tribunë e mendimit shqiptar, jashtë vargojve te censurës komuniste. Në shkrimet letrare të kësaj periudhe shprehet malli për vendlindjen, vuajtja nga mbyllja hermetike e kufijve, dëshira për ta parë atdheun të lirë. Do të sjell si shembull poezinë e Xhevat Kallajxhiut “Si e dua Shqipërinë,” jo aq për bukurinë e vargjeve, se sa për mendimin që ngërthen.

“Un’ e dua Shqipërinë

Të fortë, të lulëzuar,

Me dy bijat të bashkuar

Me Kosov’ e Çamërinë,

Nga Mitrovica n’Janinë.

Un’ e dua Shqipërinë,

Që të hy e dal lirisht,

Të flas haptas, sinqerisht,

Pa frikë dhe kërcënime,

Pa burgje dhe internime.”

Poeti i poemit “Vallja e Vdekjes” bëhet kësisoj zëdhënës për ndjenjat dhe mendimet e të mërguarve politikë.

Do të sjell edhe një shembull tjetër, poezinë e Agim Karagjozit kushtuar dhimbjes për vdekjen e Nënës, hidhërimit që nuk iu ndodh në çastet e fundit, një poezi e ndjerë, mbrujtur me mallëngjim.

Në bazë të copave të botura te “Dielli,” Qerim Panariti redaktoi librin e Konicës “Shqipëria Kopshti shkembor i Europës Juglindore,” dhe po ashtu mblodhi krijimet e Fanolit te “Album “ (II) me krijimet e pambledhura në Albumin e parë, duke evidencuar trashëgimin e Nolit. Refat Gurazezi botoi një historik të Vatrës, Arshi Pipa botoi një sërë studimesh per De Radën e letërsinë shqipe, Eduard Liço hartoi përmbledhjen e bukur “Flamurtar i Kombit” për figurën e Nolit nga autorë që e kanë njohur së afërmi.

“Dielli”e pasuroi letërsinë shqipe, me përkthime cilësore të autorëve të huaj, prozë e poezi. Shumë nga ato vepra, si “Vanina Vanini,” “Madam Fifi,” “Martesë me pahir,” “Dy miqtë” u ripërkthyen dhe u botuan në vitet ’60-70, dhe ne i lexuam me kënaqësi, pa e ditur se ato ishin përkthyer e botuar te “Dielli” gjysmë shekulli më parë. Ky fakt tregon se përzgjedhja e autorëve ka qenë cilësore. Në 100 vjetët e rrugëtimit të tij historik “Dielli” ka qenë tribunë e mendimit demokratik të pa censuruar, e njëkohësisht tribune për krijimet artistike të emigrantëve politikë dhe të emigrantëve të rinj pas vitit ‘90.

Botimet e letërsisë artistike te “Dielli” ruajnë vlera të larta estetike dhe njëkohësisht gjuhësore.

*Kumtese e mbajtur ne 100 vjetorin e Gazetes “Dielli”- New York -qershor 2009

Filed Under: Featured Tagged With: e Gazetes Dielli, Letersia artistike, Naum Prifti, ne faqet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT