• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2013

NJË KRYEHERO, HERONJ E DËSHMORË

March 1, 2013 by dgreca

Ndodhem në familjen e Jasharëve,

atje ku nisi një flakë e madhërishme,

flaka e lirisë, që e ndriçoi krejt Prekazin,

e pas tij Drenicën e pas tij mbarë Kosovën.

Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën dhe botën.

Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë

për të nuk zbehet kurrë.

Ndodhem këtu i prekur thellë, si rrallë herë në jetën time.

Marr prej kësaj shtëpie një kumt që çdo njëri kujton se e di,

por që ka nevojë që përherë të përsëritet.

Ju faleminderit, pasardhës të Jasharëve legjendarë./

Ismail Kadare/

dt. 20 nëntor, 1999/

Nga Muhamet Mjeku-New York/

Sivjet po kremtojmë 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, epokën që shembi robërinë serbe në këtë hapësirë ballkanike dhe la pas shumë vuajtje të shqiptarëve duke hapur një kapitull të ri mbi një histori të dhunshme serbe.

Në anënë tjetër, vetëm para pak muajsh, në mynyrë dinjitoze u shënua 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje që mund të përsëritet vetëm një shekull pas, atëherë kur ne s’ do të jemi as spektatorë. Prandaj, këta dy përvjetorë t’ i përjetojmë si gëzim, fat dhe si motiv për një të ardhshme më të konsiliduar shqiptare. Të gjitha këto s’ duhet t’ i shohim vetëm si histori, por edhe si projektim të një shoqërie shqiptare tjetër nga ajo që ka qenë dhe nga kjo që është. Shumëçka ka ndodhur në këtë hapësirë jashtë Shqipërisë londineze dhe brenda saj. Pjesa e pushtuar nga serbët, malazezët dhe grekët, përjetoi shumë dhunë dhe shumë vuajtje. Edhe përkundër mizorive që ngjanë, lufta për liri nuk u ndal asnjëherë. Me gjithë përpjekjet, fati deshi të mos jetë aleat i ynë. E ardhshmja e një populli të vogël, siç jemi ne shqiptarët, gjithnjë është varur edhe nga rrethanat e jashtme, duke mos mohuar edhe faktorin e brendshëm, i cili ka qenë i egër dhe përçarës. Një popull i vogël pa miq gjaku, i rrethuar me armiq të vjetër e ka pasur të vështirë mbijetesën historike. Dhe, pas shumë përmbysjeve shekullore, fat i shqiptarëve buzëqeshi me luftën dhe sakrificën e tyre, me mbështetjen e parezervë të Washingtonit dhe të disa vendeve të Evropës Perëndiimore.

 

***

Më 28 nëntor 1955, kur lindi Adem Jashari, Kosova ishte në dëshpërim të thellë nga mizoritë e policisë shtetërore dhe asaj sekrete serbe të kriminelit Rankoviq, dhe kush do të mendonte se, në këtë kohë të egër, djepi që po rriste këtë fëmijë në Prekaz të Drenicës, pas 43 vjetësh do të ndryshonte historinë e Kosovës dhe të një pjese të Ballkanit. Po nga Prekazi, kishin nisur edhe histori e luftërave tjera. Nga frangjitë e kullës së Ahmet Delisë, kishte filluar lufta kundër xhonturqve për çlirimin e Shqipërisë, më 1945 ishte likuiduar shtabi i çetnikëve nën maskën e partizanëve, ndërsa më 13 maj 1981Tahir Meha me forcë kundërshtoi policinë jugosllave në mbrojtje të dinjitetit kombëtar të familjes së tij, pas demostratave në Kosovë të vitit 1981, duke tronditur Jugosllavinë e AVNOJ-it. Me Prekazin lidhen edhe shumë trimëri që ndodhën në periudha të ndryshme, me motiv të njëjtë, të lirisë. Adem Jashari, është figura më sublime e këtyre ngjarjeve, i cili luftës së Kosovës i dha frymëzim, moral dhe popullaritet. Komandanti i fuqishëm i UÇK-së, hapi portën e lirisë për Kosovën, e cila ishte mbyllur forcërisht që nga viti 1912, kur kjo pjesë shqiptare u shkëput dhunshëm nga ushtria serbe e, një vit më vonë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, pa drejtësisht ju dha Beogradit. Liria nuk vjen vetë: një gjë e sprovuar me shekuj. S’ e more, ajo rri larg. Për këtë sllogan, që nga viti 1912 e këndej, në forma të ndryshme për Kosovën, u sakrifikuan shumë breza me idealin e tyre të pa mposhtur, atdheun para vetë jetës.

***

Ngjarjet e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar në Ballkan ishin më të shpejta sesa parashikuesit e tyre. Problemet që ishin grumbulluar për pesëdhjetë vjet në kohën e komunizmit, dhe shumë më tepër nga pushtimi i gjatë serb mbi Kosovë dhe tokat tjera shqiptare- shpërthyen pandalshëm në Jugosllavinë e atëhershme kontraverze. Serbët që dominonin politikën, ushtrinë dhe kapitalin, impononin ligjet dhe forcën mbi të tjerët. Ata s’ mund të pajtoheshin me faktin se po mbyllej dera e joshjeve dhe privilegjeve të tyre. Beogradi fashist asnjeherë nuk ka menduar se një ditë do të humbte Bosnjen dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kosovën, vende këto që në mes të dy luftërave botërore i konsideronte territore serbe. Politika e iluzioneve dhe e miteve serbe, që nga beteja e Kosovës 1389, kishte filluar të përmbysej në fundshekullin e kaluar, jo pse serbët nuk gëzonin admirim nga një pjesë e madhe e Bashkësisë Ndërkombëtare, por për faktin se askush më nuk ishte i gatshëm që brenda Jugosllavisë të jetonte me krimin, urrejtjen, përbuzjen dhe pretendimete tyre ekspansioniste.

Pas shkëputjes së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjes dhe Maqedonisë për Kosovën erdhi momenti të jesh apo jo! Kjo thënie mund të lexohej edhe kështu: Liri, me dhe pa viktima”. Në të kundërtën ky sllogan do të interpretohej ikje nga ajo.

Meqenëse në Konferencën e Dayton-it më 1995 u vendos një zgjidhje për Bosnjen, çështja e Kosovës, për shkak të rrethanave politike, nuk u mor fare parasysh. Pas këtij tubimi, opcioni paqësor s’shihej si çështje e zgjidhjes së problemit të Kosovës, dhe kështu nisi intensifikimi i përgatitjeve për kryengritje të armatosur që Adem Jashari me grupin e tij, dhe luftëtarë të tjerë të UÇK-së, i kishin filluar që nga viti 1991. Grupi pas disa stërvitjesh në Shqipëri, kthehet në Drenicë dhe vazhdon ushtrimet në periferi të Prekazit. Policia serbe i bie në gjurmë këtij formacioni që përbëhej nga Adem, Rifat dhe Hamëz Jashari, pastaj Fadil dhe Ilaz Kodra, Sahit Jashari e të tjerë. Më 30 dhjetor 1991 policia serbe mësyen Prekazin, por aty has në rezistencë të këtij grupi dhe tërhiqet. Rifati pas pak ditësh ishte kthyer në Gjermani, ku ndodhej me punë atje. Nga Neë Yorku, për gazetën Illyria, me z. Rifat Jashari, realizova një intervistë, ku përshkruante përpjekjet e policisë serbe për të hyrë në Prekaz, dhe rezistencën e grupit të Adem Jasharit dhe të tjerëve që ju kishin bashkuar. Nuk mund të bësh një vepër të madhe kombëtare pa sakrificë individuale, familjare e kolektive dhe nuk mund të bësh një vepër historike pa e dashur atdheun dhe pa e kuptuar peshën e robërisë. Të tillë, heronj e dëshmorë, që u sakrifikuan për liri, në të kaluarën tonë, ka pasur dhe do të ketë, por sakrifica e familjes Jashari është diçka e veçantë, e pa kompromis dhe unikat në përmasa globale. Nuk ishte e rastit thënia e Bernard Kushnerit, administratorit të parë në Kosovë, pas luftës, se “sikur të ekzistonte çmim nobël për trimëri, do t’ i jipej kësaj familje”.

Adem Jashari ka qenë i bindur se lufta do të ndodhte, dhe se kësaj duhej përgjigjur me të gjitha mjetet, pa marrë para sysh se çfarë haraçi do të paguhej. Atë e ka mbajtur besimi për gadishmërinë e popullit për sakrificë. Ndërgjegja ndaj atdheut ka qenë mbi të gjitha për të, dhe kjo ndërdije s’ u krijua brenda ditës dhe brenda vitit. Në fakt, vetëdija e atdhedashurisë, trimërisë dhe sakrificës u brumos brenda konceptit që kishte vetë familja Jashari, në radhë të parë babai i tij, Shabani, i cili ishte edhe inspiratori kryesor i edukimit të fëmijëve të tij në këtë frymë.

Pas bërjes publike të UÇK-së nga Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi në Llaushë të Drenicës, në nëntor të vitit 1997, me rastin e varrosjes së mësuesit Halil Geci, i vrarë nga forcat serbe, u u hoq dilema se a ekzistonte apo jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pas rënies heroike të Adem Jasharit dhe Jasharajve tjerë në Prekaz, radhët e UÇK-së u shtuan shumë shpejt, jo vetëm në Drenicë dhe jo vetëm në Dukagjinë. Shumë të rinj nga të gjitha viset shqiptare u bënë ushtarë të saj: erdhën edhe nga Zvicra, Gjermania, SHBA dhe vendet tjera perëndimore. Një numër i madh i këtyre të rinjve sistematikisht ishte dëbuar nga një terror i egër shtetëror i regjimi të Millosheviqit. Tani këta po ktheheshin të luftonin për lirinë e atdheut, kundër atij që ua kishte mohuar kthimin në Kosovë. Nga ta, në fushëbetejë, ranë shumë dëshmorë. Ngjarjeve të vitit 1997 u kishin paraprirë edhe shumë të tjera. Me këtë dua të them se lufta për liri ka një kontinutet të gjatë historik. Ky kontinuitet kap shekullin por, fatkeqësisht, rrethanat e jashtme gjithherë ishin në disfavor tonin. Dhe më në fund, edhe përkundër padrejtësisve të mëdha dhe propagandës serbe se shqiptarët janë e keqja më e madhe e Ballkanit, Administrata Amerikane dhe shumë shtete të Evropës perëndimore e kuptuan të vërtetën mbi Kosovën dhe të vërtetën tjetër mb shqiptarët.

Se cila luftë për liri nxjerrë një kryehero, shumë heronj, shumë dëshmorë dhe martirë. Kryeheroi i luftës së Kosovës, është Adem Jashari dhe emri i tjij është simbol, identitet, krenari dhe mburrje për të gjithë shqiptarët dhe historinë tonë kombëtare.

Do të ishte iluzore se, përkundër sakrificës së madhe të popullit shqiptar, pa mbështetjen e sinqertë të SHBA-ve dhe e disa vendeve perëndimore evropiane, nuk do të ishim këtu ku jemi, as Koosova, as Shqipëria e as shqiptarët tjerë që jetojnë jashtë këtyre dy shteteve.

Vlerat e luftës respektohen vetëm me vlera të ndërtimit të shtetit të ligjshëm, me vlera demokratike dhe me një zhvillim ekonomie të tregut evropian. Kosova në këtë drejtim ka ecje dhe ngecje, por e ardhmja e shqiptarëve do të jetë e tyre.(Dielli, shkurt, 3013) Ne Foto:Permendorja e Heroit Adem jashari

 

Filed Under: Histori Tagged With: Adem Jashari, Kryeheroi, Muhamet Mjeku

NGA MËRGIMI-KRUSHK LIRIE PËR KOSOVË

March 1, 2013 by dgreca

(Vezir Ademaj -“Alfredi”)/

Në shenjë respekti dhe përkujtimi në përvjetorin e 5-të të Pavarësisë së Kosovës/

Ne FOTO: Deshmori Vezir Ademaj, portret i realizuar nga piktori Nazmi Hoxha-New York/

Shkruar nga Shkumbin Tetaj/New York

Kam mbështetur gjoksin në parzmën e atdheut  dhe marr  frymë me mushkeritë e kësaj toke… Jehona e një  pushke m’i shpërndanë mendimet dhe përmes  frangjisë së një kulle, jo shumë larg kufirit në mes të atdheut,  përplaset shkrepave të larta atje ku shqiponjat rrijnë  me diellin… Ishte kohë e pranvertë e vitit ’71 e çerekut të fundit të shekullit të kaluar,  kur  në  Sheremetaj  ajo krismë ndjellamirë  ishte lajmëtare e lindjës së një djali në votrën e Hysen Ademajt. Traditës së trungut familjar iu shtua edhe një  krah i fortë pune, ziles së shkollës edhe një zë i ëmbël fëmije e varganit të gjatë të krushqëve të  lirisë  edhe  një  sy i mprehtë pushke për të mirën e Kosovës, për nderin  e Atdheut… E pagëzuan Vezir që të vezullojë si rrezet e arta në këto anë ku krenaria e plisave të bardhë thuase prek qiellin. Aty, në Sheremetaj nisë jetën Vezir Ademaj-në livadhet bleroshe përjeton lojën dhe aromën e gëzimit fëmijëror e më  vonë  në shkollën e këtushme fillon ta thithë nektarin e diturisë. Krahas mësimeve të shkollës, në kullën e vjetër e cila stoikisht u qëndroi fortunave të kohës,  në odën e burrave  pranë oxhakut ku  ndizej kuvendi i trimave, ai mësoi; mikpritjen, bujarinë, respektin dhe dashurinë për njerëzit…Epikat e rapsodëve  dhe legjendat e mbrëmjëve e mbrujtën djalin me ndjenjën e patriotizmës dhe atdhedashurisë tek shkriheshin  n’melosin e folklorit për trimëritë e Oso Kukës e Mic Sokolit. Dhe, sa herë që fillonte biseda apo kënga, Vezirin e përshkonte një zjarr krenarie i cili sa vinte e i shtohej për këtë tokë. Shpesh herë  në odën e vjetër kur në oxhak digjej cungu qindvjeçar, mësoi për sulmet barbare dhe masakrat e kralit të  vjetër e të ri të  Serbisë, të  atyre hijenave karpatiane, që  siç shkruan Fishta: “ kur Ilirët dinin zakone të mbara, ata ushqeheshin me molla të tharta në viset e Uralit”. Kur dëgjonte për masakrat  që i ishin bërë shqiptarisë, mbushej mëri, ndërsa në anën tjetër e ndiente dhimbjen krenare për heronjtë e rënë. Demonstartat e vitit 1981 ishin platrofrmë  e drejt  e “rebelimit”  të  studentëve shqiptarë, ngase ia lëkunden themelet asaj përbërje gjeografike, duke ia thyer “mitin” e paprekshmërisë  dhe kundërshtimit. Pra, shqipatërt janë të parët që filluan t’a groposin krijesën artificiale të quajtur Jugosllavi.. Mirëpo, edhe kjo nismë i kushtoi mjaft shtrenjtë këtij populli liridashës në trojet e veta…Që nga ky vit fillojnë netët e gjata të golgotës së përndjekjeve, diferncimeve, largimeve nga puna, burgosjeve dhe vrasjeve…! Dhe, kjo ishte koha kur shfaqet edhe shëmtia më e madhe që mund të bëhet-vrasja e ushtarëve shqiptarë dhe sjellja e tyre në arkivole hermetikisht  të mbyllura me të njëjtën diagnozë: ”Vetvrasje”!!!

Në vitet e pastajme Vezir Ademaj  vijon mësimet në shkollën e mesme “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit  ku i përfundon me sukses. Dhe, si çdo i  ri që  në thesarin e ëndërrimeve të tij, ka synimet për arritje arsimore, ai regjistrohet në Universitetin e Prishtinës  në  drejtimin e Fizikës. Por, në  shtator të  vitit 1989, barbarët serbë  ia shuajnë  dritën akademike dhe  dhunshëm e dërgojnë  në aradhat  e  ushtrisë  jugosllave. Nën peshën e rëndë të ngjyrës së petkut dhe komandës në gjuhën e huaj, fillon shërbimin ushtarak  dhe atë  në  Tivar !…I bëhej se bregdeti akoma erëmonte gjak shqiptarësh të masakruar me 1945, dhe ky qytet ferr për shqiptarët ia krijonte përshtypjën e urrejtjës  dhe të  pasigurisë, andaj në një natë pa yje e hënë arratiset prej andej…Në Sheremetaj  e miklon ngrohtësia e vendlindjes, por njëkohësisht e sëmbonte  edhe  njëfarë  droje, ngase makineria sllave kishte mobilizuar  lakejt  gjurmues, të  cilët me tërë  arsenalin kërcënues ishin vënë  në  ndjekje të  bijve dhe bijave më  të  mira të  këtij  trualli. Arrestimet dhe burgosjet e njëpasnjëshme të të rinjëve shqiptarë, nuk i ngopnin apetitet e këtyre çakejve.  Ata u vërsulën edhe mbi gjeneratën krejtësisht të pa fajshme…helmuan fëmijët në të gjitha shkollat fillore të Kosovës! Vlen të theksohet ketu, se një kontribut të  veçantë, duke ndihmuar  me  trajtime mjekësore,  ka dhënë edhe vellai i Vezirit, dr. Hasan Ademaj, student i mjekësisë në atë kohë.

…Kur vrushkujt e gjakut njomin truallin-

thonë liria  nuk është larg…

Dy trokëllima përplasën në  dyert e shqiptarëve dhe secila në  mënyrën e vet-vret si shpata, therë  në  damarët e popullit duke sjellur errësirë  mbi këtë dhe. Njëra trokëllimë  vinte nga skamja, pesha e së  cilës rëndonte cdo ditë  e më shumë, duke vendosur  në  të  gjitha shtigjet e jetës  dyer të hekurta-punëtorët  largohen nga puna e nxënësit dëbohen nga shkollat…! Ndërsa,  trokëllima tjetër vinte nga trokitjet e xhandarmerisë  në  dyert shqiptare, natën e ditën në kërkim të  armëve, në  kërkim të  njerëzve. Nyjët e lidhura vështirë  zgjidhën…prapa e para skëterrë,  silueta vertikale barbarësh që endën mëngjeseve e para mbrëmjëve si bisha të etura për gjak.  Në këtë katrahurë  shumë të rinjë nisën rrugëve të botës, rrugëve të pasosura të mërgimit; kush për t’a vrarë skamjën, kush për t’i shpëtuar vrasjës.  Sirenat  e trenave dhe autobusëve trishtueshëm grisin qiellin e Kosovës dhe këtij karvani sa hijerëndë aq enigmatik  për ta marrë botë në sy-i bashkohet edhe Vezir Ademaj.  Me lotin e kristaltë që i krijoi kjasina mbi mollëzat e faqeve, iu thotë mirëmbetshi familjarëve, kullës së motnuar, fshatit e Kosovës. .. Sikur u  thoshte në atë heshtje me një zë të brëndshëm: n’kohë të ligë poi u lë, por  do kthehem  kur  t’a ndiej si këngën majekrahut – thirrjën tuaj!… Rrugetimi iu duk  i gjatë dhe i pa mbarim kur po ndalonte në  satcionin e  fundit në një qytet të ftohtë të Alpeve. Në shtetin e rehatshëm  plot qetësi dhe drita të Zvicrës, krahas punës që sillte përfitime materile, angazhohet edhe në sportin luftarak të  “Kik-boksit”  në të cilin arrin suksese rekorde për  pak vite. Dhe shih, edhe përgjatë tërë kësaj përiudhe, dashurinë  për  flamur dhe atdhe nuk e kishte të zbehur në  asnjë  moment. Çdo herë në paraqitjet e tij në  gara sportive, kërkonte që edhe flamuri i kuq me shqipen e zezë të qëndisur në mes t’i mbulonte krahët. Ngase, kështu i dukej se merrte zemër e i vinte forcë tek ngjitej shkallëve të suksesit  për t’a prekur olimpin e kampionit të  Europës  në këtë discipline  sportive.

…Thirrja e Atdheut

Ndër grushta shtrëngon mallin e viteve për të afërmit dhe atdheun.  I duket se dielli i perëndimit  ka filluar të  lindë pritueshem e të përëndoj  pa meshirë. Dritat e qytetit, rrugët, sheshet, jeta komode dhe medaljet sportive nuk po e tërheqin më.  Fasadat e ndërtesave i  dukën të  huaja e të  ftohta si gurë varresh. Po perëndon jeta në  mëgrim… Lajmet nga vendlindja nuk janë të mira…Zingjirët e tankeve sllave kanë filluar t’a shkyejnë hartën  e atdheut. Televizionet dhe gazetat në  përgjithësi thonë  se toka e Kosovës  po njomet  me gjakun e bijve të  vet. Në radhët e UÇK-së  kanë filluar të rreshtohen shtatë e shtatëdhjetë dhe krismat e para të  pushkëve të lirisë ndihen anëmbanë  Kosovës.

Si e rrahura e daullës  po i kumbon në ndërgjegje kushtrimi i Rilindasve:

Kush në gjak e ka lirinë

Dhe kush nënë e thërret Shqipërinë

Kush është  burrë e don mëmëdhenë

Don shqiponjën dykrenare

Të  shtrëngojë  pushkë  e penë

E  t’ lidhë  besën shqipëtare

Dhe,  përsëri hapësiren e mbulon heshtja…mirëpo, thonë  se gjëmimet më  të fuqishme janë ato që fshihen nën vellon e  heshtjës  dhe si rrufe nga mali vjen një vendim i prerë…pritëm nënë Kosovë, se tek  ti  po vij. Si shqiponjë krahëhapur në një buzëmbrëmje vere hyn në oborrin e shkollës dhe për  një  çast rreth kokës i sillet e tërë e kaluara e përvuajtur  e njerëzve dhe vendit… Thekshëm u degjua breshëria e automatikut  në muzgun  e asaj  stine, kur e plandosi për tokë  bustin e Perkoviqit-emrin e të  cilit vite më  parë  mbante  shkolla e fshatit Sheremetaj.  Reliket e pushtuesve as të  gurëzuara nuk mund të  qëndrojnë  në  këtë  vend, ngase hijet e errëta  të  tyre nuk po i lënë  rrezet e lirisë  të  agojnë  mbi korën e kësaj toke. Ky ishte lajmi  se  nga mërgimi po i kthehen djemtë  vatanit…Pushka e Vezirit filloi të  jehonte kudo, në Junik, Smolicë e Rahovec.  Me nofkën “Alfredi” inkuadrohet në radhët e UÇK-së.  Angazhimi dhe guximi i  tij  u bënë shëmbull për shumë luftëtarë të asaj zone, sidomos për dy vëllezërit e tij më të rinj: Shaqirit dhe Rasimit që tashmë ishin ushtarë të rregullt në njesitet  ushtarake. Atyre iu shtua edhe më tepër vullneti për luftë kur mbështetnin shpinën për vëllain e drejtonin grykat kah armiku. Morali dhe strategjia e tij luftarake u jepte  kurajo edhe udhëheqësve  të tjerë të luftës  nëpër  zonat e Rrafshit  të Dukagjinit. Ai tani vepronte si komandant “Komando” në rajonin e Rekës së Keqe dhe kudo që e kërkonte nevoja pa iu trembur syri në asnjë moment. Afërsia, dinjiteti dhe sjellja njerëzore e bënin  që t’ishte i  dashur prej të gjithëve. Nga dita në ditë luftimet ashpërsoheshin, mirëpo këtë trim të paepur  kjo ashpërsi nuk e trembte, vetëm sa ia  shtonte elanin dhe kalitjen  nga fronti në front. Ishte korriku i vitit 1998. Dielli përcëllonte fushat që kësaj vere kishin mbetur djerrë. Fushat e etura për ujë po ujiteshin me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të popullit… Shqiponjat një ditë frikshëm fluturuan andej kreshtave të Gjeravicës. Rrezet e diellit  ftohtë shëndrisnin  Junikun dhe fshatrat për rreth. Në Kallavaj në përpjekje ballë për ballë  me forcat sllave, bie heriokisht Vezir Ademaj. Trupi i përgjakur i  ngjante shtizës së flamurit. Ra në fushën e betejës për ta prekur dheun e tokës amë-për të mos vdekur kurrë, por për t’u përmendur  përjetësisht në kujtimet krenare të brezave në kalim…

Sot, shkolla  fillore  në Sheremetaj i mban të  gravuar në obelisk, emrat e dy heronjëve të kësaj ane, që jetën e dhanë  për Lirinë e Kosovës: VEZIR ADEMAJ e HYSEN ARIFI.

Shkruar me 17 shkurt 2013

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Krushk lirie, per Kosove, Shkumbin Tetaj, Vezir Ademaj

SKANDALI MË I FUNDIT NË POLICINË E SHTETIT

March 1, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Këta muaj kanë qenë shumë tragjikë për Policinë e Shtetit shqiptar, sepse në një periudhë gjashtë mujore janë vrarë tre kryekomisarë të kësaj Policie. Dhe kur janë në rrezik komisarët e Policisë të Shtetit, e cila ka detyrë të mbrojë jetën e qytetarëve të Republikës të Shqipërisë, merreni me mend sa sa në rrezik janë jetët e qytetarëve të thjeshtë!

Vrasja e kryekomisarit Dritan Lamaj ishte e treta në rradhën e vrasjeve. Dhe do të kishte kaluar, ashtu si kaluan dy të parat, nëse në shtypin shqiptar nuk do të ishin botuar fotografi të të akuzuarit për këtë vrasje Arben Frrokut me katër zyrtarët më të lartë, thënë ndryshe kupolën e policisë të Shtetit, përjashto Nr.1 Hysen Burgajn. Në këtë foto biznesmeni Arben Frroku ka pozuar gjatë një dreke a darke në një restorant në zonën e Dajtit me Agron Kuliçajn, zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Tonin Vocajn, drejtor i Krimeve të Rënda në Polici, Muhamet Rrumbullakun, zv.drejtor i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe Nikolin Bala, drejtor i Forcave Lëvizëse Operacionale.

Pas botimit të fotos, të lartpërmendurit që ishin përfshirë në hetimin e vrasjes të kryekomisarit, u deklaruan se tërhiqeshin. Lind pyetja nëse ata të pestë, që bëheshin gjashtë me të zotin e restorantit, nuk do të kishin bërë foto asaj dreke apo darke, të cilat nuk do të ishin botuar pastaj në shtypin e Tiranë dhe këta njerëz do të kishin vazhduar hetimet ?! Sepse sa takime dreka e darka bëhen privatisht pa dritën e blicave dhe kamerave!

Disa kohë më parë, në Tiranë u diskutua edhe për një darkë ku mori pjesë pronari i ABCNEWS me eksponentë të opozitës, e cila u pa me shqetësim si lëvizje kahu e këtij Mediumi nga qendra e djathtë tek e majta! Sepse politikës i intereson fitorja dhe pushteti, dhe për pushtet e hedh shtetin e së drejtës në kosh të plehrave.

Duke iu kthyer kronikës të vrasjes të kryekomisarit, i akuzuari për vrasjen e Dritan Lamajt u arrestua në Greqi në mënyrë të menjëherëshme, që të linte të kuptonte se ata që e arrestuan, shkuan menjëherë tek Arben Frroku, pa kryer asnjë hetim.

Dhe kjo kapje po konsiderohej „një sukses“ i Policisë të Shtetit, nëse pas dy ditësh nuk do të botoheshin fotot ku i akuzuari për vrasje do të shfaqej në një tryezë me kupolën e Policisë. Çka vetëm si fakt përbën skandal. Hysen Burgaj, drejtori i kësaj Policie në daljen e tij për mediat, tha se asaj kohe Arben Frroku nuk kishte precedent kriminal.

Por ky deklarim i Hysen Burgajt nuk mjafton për të fshehur skandalin. Për raportin morboz që ka biznesi me politikën apo për raportin morboz që ka biznesi i mediave me politikën, që janë raporte shtetshkatërruese, raporte që po shkatërrojnë sistemin demokratik në Shqipëri, sepse edhe biznesi, edhe mediat kanë lidhje interesash përfituese me politikën dhe viceversa. I japin politikës, me qëllim që t’i marrin privilegje. Kur qëllimi i tyre do të duhej të ishte mirëinformimi. Orientimi nuk ndalet, edhe bashkëpunimi, por kur nuk cënon as integritetin e mediumit dhe as të politikës. Shohim zgjedhjet e fundit në SHBA. New York Times deklaroi se do të mbështeste Presidentin Obama, por kjo s’do të thotë se emrat e shquar që shkruajnë në atë gazetë si Paul Krugman, Maureen Dowd, Roger Cohen, Thomas L. Friedmando të dalin nga roli që kanë për të mbrojtur interesat e vendit të tyre.

Kështu, pas këtij skandali, u prit më kot që gazetaria investigative të thoshte fjalën e saj, sepse në Shqipëri gazetaria investigative nuk ekziston, kështu që ngjarja u fokusua sipas interesave të palëve.

Sokol Balla në emisionin e tij Top Story nxori në dritë disa të vërteta të rëndësishme, sepse për çdo gazetar të ndershëm perëndia e tij nuk është partia apo bosi i TV ku merr rrogën, por e vërteta dhe interesat e vendit ku ti ke lindur e do të lindësh e rritësh fëmijët e tu.

Sokol Balla kishte ftuar Shemsi Prençin, oficer kariere i përjashtuar nga Policia e Shtetit në fillim të 2012, pas akuzash reciproke midis palëve, Saimir Tahirin, Henri Çilin dhe Andi Bushatin.

Saimir Tahiri u bë personazh në Parlament kur midis tij dhe Ministrit të Brëndshëm u shkëmbyen replika. Ministri Noka e humbi kontrollin me akuza shumë të neveritëshme, ku në vend që të jepte shpjegime për ato që gjithë opinioni publik i pa me sytë e ballit, akuzonte opozitën se kishte lidhje me të akuzuarin. Skena shumë vulgare që i shohim rëndom në Parlamentin e Shqipërisë.

Në Top Story u sollën edhe deklarimet telefonike të Arben Frrokut nga Greqia, ku gjithë opinioni publik dëgjoi me veshët e tij se Frroku tha shprehimisht se i kishte të njohurit e tij personazhët e fotografisë dhe bile ka plot miq deputetë!

Po ashtu Shemsi Prençi vuri re se i ndjeri Dritan Lamaj është emëruar dhe shkarkuar tri herë nga detyra e kryekomisariatit nr.6 që bie në zonën e Kombinatit. Është emëruar në këtë detyrë sa herë që postin e Ministrit të Brëndshëm e ka marrë Bujar Nishani. Pra sipas një supozimi del se është emëruar nga Bujar Nishani dhe shkarkuar nga kupola e Policisë të Shtetit, e cila përbëhet nga ata që ishin të përfshirë në foto plus Hysen Burgajn. Kësisoj u la kuptohet se Dritan Lamaj kishte mbështetje nga Bujar Nishani.

Ndërkohë, shkarkimet e tij janë të habitëshme, kur kemi parasysh se si u përcoll i ndjeri Dritan Lamaj në banesën e fundit, me nderimet më të larta nga Policia e Shtetit, nga Ministria e Brëndshme dhe kryeministri, si oficer me merita ! Atëherë e përse është shkarkuar tri herë nga detyra lind një pyetje tjetër!

Duke u nisur nga deklarimet telefonike të Arben Frrokut dhe nga fotografia e publikuar në shtypin e Tiranës, del qartë se i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit dhe vëllai i tij që ka një restorant në Kombinat kanë patur lidhje me Kupolën e Policisë të Shtetit, në foto mungonin vetëm Burgaj dhe Ministri Ndoka.Lidhje ose ndërlidhje interesi përmes partisë.

Kjo sipas një logjike të thjeshtë, sepse vetëm një njeri me influencë mund t’i bashkonte katër kryepolicë të Policisë të Shtetit si bëri ai tek restauranti afër Dajtit.

Shemsi Prençi tha tek TopStory se politika ndikon dhe nuk e lejon Policinë e Shtetit të kryejë detyrën. Kjo përkon edhe me deklarimin që e dëgjuam të gjithë përmes telefonit, kur Arben Frroku pohoi se kishte drekuar apo darkuar me të lartpërmendurit me të cilët njihej dhe se po ashtu ai njihte edhe deputetë!

Midis debatit, ishte interesante një pyetje që i erdhi përmes Twitter-it ish oficerit të lartë të Policisë të Shtetit Shemsi Prençi nga një cicërues„neutral“, ku „neutrali“ e pyeste Prençin, se pas daljes të tij tek Top Story a do të fitonte ndonjë post deputeti nga lideri i PS. Përgjigja e Prençit tregoi se ai ishte simpatizant i PD-së! Fati i Prençit është si i shumë simpatizanëve të PD-së, të cilët i ka ndjekur gjuetia e shtrigave brënda klaneve të PD-së.  Gjithnjë ky tranzicion barbar ka bërë që të ballafaqohemi me segmentin biznes-politikë, ku në Shqipëri ky segment është shumë i kompromentuar. Partitë politike janë të interesuar që të marrin mbështetjen e biznesit dhe kur janë në pushtet ua shpërblejnë. Kulmi arrin kur biznesmenë që mbështesin partinë kërkojnë mbështetjen e institucioneve të saj për të hequr qafe dhe shkarkuar dikënd në Policinë e Shtetit që ia prish qejfin. Sepse këto janë forma të qarta të kapjes të shtetit të së drejtës.

Sa i përket skandalit më të fundit, opinioni publik ka në dorë fotot, të cilat i pa me sytë e ballit; ka në dorë deklarimin telefonik të Arben Frrokut, të dyshuarit për vrasjen e kryekomisarit,– si dhe deklarimet e zyrtarëve më të lartë të Policisë të Shtetit, ku sipas Burgajt „kur u fotografuan, Frroku nuk ishte nën hetim“ apo sipas katërshes të fotos njëri syresh tha se „nuk e njoh Frrokun“, tjetri tha se „e njoh Frrokun po me ne ndejti vetëm 10 minuta“ – e kështu me rradhë, ndërkohë që Ministri i Brëndshëm akuzoi kreun e opozitës se„është takuar me Arben Frrokun, para dy javësh“, pa asnjë provë, ndërsa ka në dorë provat materiale që janë fotoja dhe telefonata, të cilat i zhurmon me sharje dhe fyerje vulgare.!  Nga faktet që kanë dalë publikisht, deshifrojmë qartë lidhjen e politikës me biznesin. Dhe nëse një biznesmen arrin deri atje sa vret, kjo tregon se ky biznes është kriminal. Nga këto të dhëna shohim edhe dramën e Policisë të Shtetit dhe oficerëve të lartë të saj sepse fati i tyre varet nga politika dhe nga plotfuqishmëria e klaneve, i më të fortëve. Policia e Shtetit do të duhet të përfaqësohet me figura të përkushtuara dhe me integritet dhe jo shërbëtorë të partisë në pushtet, sepse Policia e Shtetit duhet të jetë shërbëtore e Shtetit dhe qytetarit dhe jo politikës dhe orekseve të saj. Fati i oficerit të Policisë të Shtetit nuk duhet të jetë në mëshirën e pamëshirshmërisë të politikës në funksion të pushtetit që bie ndesh me shtetin ligjor, sepse shteti ligjor mbahet e mbrohet nga vlerat e meritokracia. Ky problem bëhet edhe më dramatik, kur kemi parasysh se sëmundjen e Policisë të Shtetit e ka edhe Drejtësia, edhe Mediat, pasi edhe ato janë nën varësinë e politikës dhe biznesit, sepse nëse do të ushtronin me përgjegjshmëri detyrën e tyre ndaj opinionit publik për t’i treguar të vërtetën si është, atëherë vendi nuk do të rrezikonte sistemin. Sepse edhe demagogu më i madh i rruzullit nuk do të pranonte kurrë të deklaronte se qytetarët e Shqipërisë jetojnë të sigurt në shtëpitë dhe qytetet e tyre kur brënda një periudhe kohe prej pesë gjashtë muajsh vriten tre kryekomisarë. Pastaj kur Policia e Shtetit shpall se e ka kapur vrasësin dhe dy ditë më vonë opinioni publik zbulon se si i akuzuari për vrasje pozon me çifteli me kupolën e Policisë të Shtetit, kryepolitika në vend që të shkundet, na ofron të dëgjojmë çiftelinë e Flamur Nokës. Quo vadis kështu Shqipëri!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e shtetit, Elida Buçpapaj, me policine, skandal

“NANA KATRINË…”, NANA E PROF. KOLË PRELËS…

March 1, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Baba na la të vegjel jetima…Mbas një viti që “hyne këta…” nuk përfituem as pension mbasi u konsiderue gjithë fisi “reaksionar”…Na shtetizuen dhe një shtëpi që kishim me qera… Të ardhuna tjera nuk kishim. Dajat filluen Kalvarin që në 1945…ndërsa, daja Don Kolec vdiq në vitin 1950…Na ndihmonte mos me shkue në “preventorium” halla Gjyzepinë, e cila punonte infermjere në spitalin civil të Shkodres…I vetmi burim jetese ishte “shitja e plaçkave” të shtëpisë për me hangër bukë. Mbas shitjes së disa mobiljeve dhe tavolinave…Nana filloi me shitë pajen e vet të përgatitun me duert e saja qyshë vajzë sigurisht me çmime që po ti tregoj me siguri askush nuk do ti besonte, sëpse ishin të qendisuna me gjylpanë nga duert e Saja t’ arta… Nga Nana pata fatin me trashigue artin e pikturës për të cilin Ajo, asht kenë dallue në shkollën e Motrave Stigmatine të Shkodres. Një stole që përdorin klerikët e punueme nga duert e Saja kur ishte 9 vjeç pra në vitin 1918, i asht dhurue Papës nga një delegacion që ka shkue në Romë.

Bana këte hymje për me tregue se cila ishte vlera e punimëve që vinim kokën sipër kur binim me fjetë… Nana hapte baulen e nusisë dhe caktonte njenin çarçaf ose sofrabez…që i duhej me shitë. Ato pak pare porsa i sillte “tallallesha” shkonin drejtë e tek dyqani i bukës së misrit, o me pague borxhin e ditëve ma përpara e shpesh, me ble bukën e freskët si “tullë”…

Kjo ishte gjendja ekonomike e shumë shtëpijave të “prekuna” politikisht në Shkoder… Po nuk duhet harrue se kur në 1946 filloi “dera” e burgut, që nuk u mbyll përsa vjetë, atëherë edhe paret e “tallalleshës” hidheshin në pusin e pangopun të burgjeve që të merrnin shpirtin…

Oh, sa me gëzim pritej thirrja e zanit të “tallalleshës” kur i trokiste derës së shtëpisë!!

Edhe na si fëmijë vraponim me i hapë derën me shpejtësi për mos me e lanë me pritë mbas dere, e ftonim me hy mbrendë po, Ajo shumë rrallë pranonte ftesën tonë se, si na thonte Nana, Asaj i vinte randë me hy për me pi kafe “mbasi edhe Ti o Vidë, i ke këto pare për me i çue ushqim tek burgu si unë”, kështu i thonte Ajo Nanës seme kur iu vente me hy mbrendë…

Ajo ishte një grue e shkurtë e veshun me një fustan të zi e të gjatë dhe gjithmonë e kujtoj me shami të zezë…kishte zanin pak të trashë, grue shumë e qeshun po me tipare të theksueme malësorje kur fliste…Edhe na mësueme nga Nana jonë emnin e Saj dhe gjithmonë e kemi thirrë shkurt “Nana Katë..!” pra, Nana Katrinë…Kjo ishte “tallallesha”…që vinte tek ne…Kur dilte me shkue gjithnjë përsëriste të njajtën thanje: “Në dorë të Zotit…u baftë vullnesa e Tij..!”.

Ma vonë kur filluem me u rritë Nana na shpjegoi se Kjo “tallalleshë”, që shiste rroba të vjetra e të reja ishte Nana e Prof. Kolë Prelës, që i biri kishte përfundue universitetin jashtë dhe kishte kenë profesor në Gjimnazin e Shtetit në Shkoder, e mbas 1945 ishte edhe deputet i njohtun i Dukagjinit. Ishte arrestue kur po dënohej dijetari At Gjon Shllaku OFM. krejt i pafajshëm. Në atë gjyq Prof. Kolë Prela flitej se i ka dalë zot pafajsisë së At Gjonit, dhe për atë arësye e kishin arrestue edhe prof. Kolën, i cili nuk ka dalë ma nga burgu, madje as në gjyq. Një ditë Nanës Katë, tek dera e hetuesisë polici i ka thanë: “Mos siell më ushqime… se djalin t’a kemi pushkatuar se ai ishte ‘armik i Popullit’..!” dhe, Nana Katë, u ishte përgjegjë: “Po, prandej Populli e pat ba deputet të vetin pse ishte ‘anmik’ i Tij..?” dhe ashtu e pikllueme kishte marrë strajcën me plaçka e shkue në shtëpi të vet, e mbasi i kishte hapë në jerevinë ku jetonte kishte pa njollat e gjakut të djalit ndër ndrresa nga torturat…kishte kja disa ditë mbi ato rroba dhe i kishte futë në një arkë të vjetër ku Ajo, i ruente si rrelike…Mësuem se Nana Katë jetonte vetëm mbasi edhe djalin tjetër Markun, ia kishin arrestue dhe e kishte të dënuem shumë vite…

Një ditë në pragun e festës së Pashkëve, aty nga viti 1949 Nana më mori me vete dhe u nisëm nga Ara e Pashës, posa dolëm në Ballabane kaluem në krahun e majtë nga një rrugicë e vogël që quhet Rruga Daijej, pothuej në fillimin e saj Nana trokiti dhe më tregoi se aty ishte me banim Nana Katë…Ajo doli menjëherë dhe na për mos me na pa kush pse kishim shkue u afruem tek jerevia ku jetonte Nana Katë, tek dera nxorëm një tas të mbështjellun me mësallë, ku Nana eme kishte përgatitë për drekë dishka ma tepër me ia çue për ditën e Pashkëve edhe Asaj.

Kështu mësova atë vend ku Nana e Prof. Kolë Prelës, kalonte jetën në vetmi dhe në një vorfni të papërshkrueshme…që askush nuk di me e mendue. Përveç mureve të hapuna, jerevija nuk kishte as tavan as dysheme, shiheshin hatllat sipër e toka poshtë pa asnjë drrasë si dysheme …ku në një skutë mbasdere një batani mbi dy drrasa tregonte vendin ku Nana Katë flente…

Kishte një komodin tek koka dhe një fugure të Zojës së Shkodres…pranë kishte një stol.

Aq më bani përshtypje sa edhe sot mendoj me vete: “Si mund të jetojë njeriu në kushte aq të vështira e sidomos në kohë dimni e ngrice që Shkodres nuk i kanë mungue kurrë..?”

E, megjithate…Ajo ishte optimiste, se një ditë djali tjetër Marku do të lirohet, “se këta” nuk kanë me kenë gjithmonë…”një ditë… do ti hajë dreqi edhe ‘këta..!”, thonte Ajo…

Shumë vite kaluen. Nana Katë vazhdonte me strajcen e vet me dalë me shitë rroba…

Kushdo që kishte nevojë me ble ndonjë plaçkë kërkonte tek tregu fshatarë një plakë të vjetër “tallalleshën” e njohtun në Shkoder, mbasi secili mendonte edhe me e ndihmue Até…me dishka të vogël sëpse të gjithë e dinin hallin e Saj…e mbi të gjitha valën e jetës që e kishte përpi e përplasë ndër brigjet ma të pamëshirshme tue i rrembye të dy djelmët si dy lule…

U gëzuen edhe gurt e sokakut kur u hap lajmi se Nanës Katë ju lirue Marku nga burgu!

I madh e i vogël e ndalonte Nanën që fluturonte nga gëzimi me i ba urimet e djalit…

Edhe kush s’ e njihte do tu ndalonte me i shterngue dorën, toktë kokën me “tallalleshën” për me i urue ardhjen e Markut në shtëpi…e kush nuk e shihte do ta ndalonte Ajo, tue e ftue për një gotë raki për gëzimin e madh që i kishte sjellë ardhja e djalit tek shtëpia. U dynd Shkodra tek ajo jerevi që i gëzonin edhe hatllat… “Hajde, mirse u ka prue Zoti…!” ndihej deri tek rruga e madhe zani i Burrneshës së Dukagjinit…Shumë shpejtë Zoti e gëzoi edhe me fejesen e Markut…

Por, njeriu që nuk ka fat në jetë sado i mirë kjoftë kurrë nuk mund të parashikojë se Nana Katë …nuk mundi ti shpëtojë “mjerimit” edhe pse njihej se nuk ka krye asnjë vepër të keqe. U hap lajmi si rrëfeja se Katërinë Preles papritmas i ka vdekë edhe djali tjetër i vetëm Marku…

“Asht kenë vullneti i Zotit kështu…!” thonte Nana e mjerë…Po lot jo, kurrë, nuk kishte përfaqe…vazhdonte traditën e Malëve…Burrneshat nuk kjajnë! Asht vështirë me kuptue forcën e një Nane që kishte mbetë në këte botë pa asnjenin djalë…me një “forcë” të pakuptueshme..!

Një ditë kushrinjtë e morën me vete e shkuen tek shtëpija e vet në Dukagjin bashkë me Nanën Katë, ku Ajo gjetë atje “djelmët e Malit” tek të Parët e Trojeve të veta, ku mbylli edhe jetën e Saj nën kujdesin, dashtninë dhe bujarinë e Tyne…

Jam i sigurt se edhe shkrepat e Malit do të kenë vajtue vdekjen e Nanës Katë…

E bashkë me Ta këto pak rreshta le të jenë mirënjohja eme ndaj Asaj Nanë, që Shoqet e veta me “shamija të zeza” i ka me mija edhe sot, në të katër anët e Shqipnisë…

Asaj Nanë…Burrneshë të Alpeve tona.., që na mësoi fjalën “qendresë”..!

Shenim: Ju, lutem mos ngatrroni fjalën “qendresë” me fjalët “harrës”,”moskujtesë” etj.

që përdorën sot në institucionet e “Drejtësisë” moderne…të “demokracisë” shqiptare..!

 

Melbourne, 2013.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Nana Katrine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT