• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2013

Në Kukël u hap viti jubilar i 100-vjetorit të Kishës së Mjedës (1913-2013)

April 12, 2013 by dgreca

Nga Klajd Kapinova/

 Sikurse tregojnë bashkëatdhetarët tanë në vendlindje (të pranishëm në tubimin festiv), të dielën, më 7 prill 2013, në Qendrën Muzeore “Ndre Mjeda”, në Kukel, u zhvillua Veprimtaria e çeljes se vitit jubilar, të 100-vjetorit të Kishës së Mjedës  (1913-2013).

Për të ndarë gëzimin e përbashkët, ishin mbledhur shumë banorë të Kuklit, të zonës për rreth, të ardhur nga Lezha e Shkodra. Morën pjesë klerikë dhe personalitete të kulturës dhe arsimit. Me këtë rast, Kisha e i gjithë mjedisi kishte marrë pamje të bukur festive.

Në ambientet e brendshme të Kishës, ishte vendosur posteri festiv, ku, shkruhej: “Jubileu i 100-vjetorit të Kishës së Mjedës 1913-2013”.

Në tubimin kulturorë dhe përkujtimor, nderonin me pjesëmarrjen e tyre autoritetet e pushtetit qendror nga kryeqyteti, si: zv/Ministrja e deritanishme e Arsimit dhe Shkencës Nora Malaj, zv/Ministri i Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Turizmit Abaz Hado, drejtori i Monumenteve të Kulturës për rrethin e Shkodrës, Ervin Gjini, deputeti Gjok Uldedaj.

Gëzimin e kësaj kremte e shtuan, ardhja e atyre miqve të nderit, që pakursyer gjithnjë me zemër e bujari, kanë ndihmuar në ringjalljen e “Qendrës Muzeore Ndre Mjeda”  në Kukël, si: kryetari i Komunës Bushatit, z. Zef Hila, Konsulli i Nderit i Austrisë në Shkodër, z. Gjergj Liqejza, nga New York-u kishte ardhur Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit z. Tomë Mrijaj me bashkëshorten zj. Liza Mrijaj, nga Detroiti, ish famullitari i Kishës së ‘Shën Palit’, atdhetari i shquar i çështjes shqiptare, Dom Anton Kçira, etj. Më ketë rast, u veçua dhe falënderua ngrohtësisht, për gjestin bujar donatori i bankave ulëse të Kishës, bashkëatdhetari ynë nga New York-u, besimtar i devotshëm i Kishës ‘Zoja e Shkodrës’ (Harsdale) z. Ndoc Lacaj.

Takimin e hapi drejtori i Qendrës Muzeore kombëtare “Ndre Mjeda”, famullitari i Kuklit,  studiuesi Dom Dr. Nikë Ukgjini, i cili,  theksoi se kjo ngjarje zhvillohet nën moton e vetë poetit:  “Ma mirë me kënë, se me u dukë“.

Kjo theksoi oratori, do të thotë  se programi do të zhvillohet  në heshtje, lutje dhe reflektim, trinome këto, të cilat e kanë shoqëruar në tërë jetën, veprimtarinë klerikale, shoqërore, letrare dhe shkencore të poetit tonë të shquar Mjeda.

Ndër të tjera, studiuesi Ukgjini, përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Arqipeshkvit Metropolitan të Shkodrës Mons. Angelo Massafra, dhe prezantoi Dom Anton Kçirën, i cili e udhëhoqi  Eukaristin (Meshen), për shpirtin e përsonalitetit të shquar të botës shqiptare Dom Ndre Mjedës.

Për më tej, folësi përcolli falënderimet e përzemërta në adresë të misionarit tonë shqiptaro-amerikanë, Të Përndershmit Dom Anton Kçira, i cili, punoi e veproi me përvujtëri dhe përkushtim, në shërbim të grigjës së Zotit në emigracionin e largët të Amerikës (Detroit, MI), si ndërtuesi i Qendrës shqiptare, organizuesi i shumë takimeve fetare, atdhetare, kulturore dhe politike për çështjen shqiptare etj.

Në fjalën e vet hulumtuesi i palodhur i Kishës së Kuklit Dom Dr. Nikë Ukgjini, shpalosi në vija të përgjithshme programin e Vitit Jubilar, si: “Botimi i Vëllimit I, “Studime mjedologjike”, Qendrës Muzeore “Ndre Mjeda”, organizimi i ditëve të Mjedës më 1 gusht, restaurimi i Shtëpisë së Muze të Mjedës, organizimi i Konferencës shkencore kushtuar Mjedës, me rastin e ditëlindjes më 20 nëntor, kthimi i tryezës 100-vjeçare të Mjedës, e cila është ende në depot e Muzeut të Shkodrës, duke u shkatërruar nga pakujdesia e pushtetit lokal.

Hulumtuesi Dr. Ukgjini, mbajti kumtesën: “Sinonimet fetare në poezitë e Mjedes”, ku, nder të tjera theksoj, se në të gjitha poezitë e Mjedës, janë të pozicionuar, sinonimet, si: Hyji, Zoti,  Ngjallja,  Jeta e pasosur, Parajsa, Altari etj.

Ndërsa,  studiuesi i mirënjohur pasionant i Mjedës, Dr. Mentor Quku, foli mbi temën: “Mjeda dhe botimet teologjike”.

Botimet teologjike të Mjedës, mbeten një nga fushat më të rëndësishme dhe më interesante për t’u studiuar në historinë e letërsisë shqipe. Autori Mjeda, vetë botimet teologjike, i klasifikoi në tri periudha. Studiuesi Dr. Quku, në ligjëratën e tij shkencore, u ndal disa prej pikave kryesore të kësaj fushe.

Kështu në hyrje studiuesi, në essence, tha se: “Mjeda, gjatë tërë jetës së tij pati si synim gjurmimin dhe zbulimin e veprave të shkrimtarëve të vjetër shqiptarë, transkriptimin, studimin, si edhe ribotimin e tyre. Në këtë fushë, ai mbetet paleografi më i shquar shqiptar për kohën.

Ai ndoqi shembullin e Buzukut, Bogdanit, Budit, Bardhit, duke botuar në shqip, vepra të përkthyera, apo të përshtatura nga autorët klasikë botërorë, por edhe  vepra origjinale teologjike.”

Ndërsa në vijim hulumtuesi shkodran, doli me përkufizimin e bazuar në argumente historisë, se Mjeda, na dhuroi kryevepra teologjike, jetë shenjëtorësh, etërish, që mbeten kryevepra të prozës shqipe. Ato mbeten kryevepra stili, të shprehura me një leksik të pasur dhe me një strukturë gramatikore  nga më modernet.

Në tre argumentet apo pikat e fundit të kumtesës ligjëruesi i shquar Dr. Mentor Quku, tha se:  “Mjeda, synoi, që përmes botimit të veprave teologjike në shqip, të kontribuonte për pasurimin dhe studimin e gjuhës shqipe, për unifikimin e alfabetit shqip, si edhe për një drejtshkrim të letrave shqipe. Ai, na dhuroi tekste shkollore dhe katekizma  të historisë biblike por edhe të mësuarit e mësimit të krishterë, hartuar me metodat didaktike më të përparuarat e kohës.”

Ndërsa në mbyllje të kumtesës Dr. Quku, shtoi se: “Mjeda, kontribuoi në prirjen e klerit katolik shqiptar, për t’a kthyer liturgjinë kishtare në gjuhën shqipe, si edhe që drejtuesit e hierarkisë të ishin vendas, me qëllim që të rritej kontakti shpirtëror me popullin.”

Me aktivitete të pasur festive vijoi dita, me vizita në mjediset e Shtëpisë së Mjedës, që pritet të restaurohet së shpejti. Dy zv/ministrat pjesëmarrës, u njohën me problematikat e këtij restaurimi, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek fati i tryezës së Mjedës, që duhet të shpëtohet urgjent nga shkatërrimi, duke u restauruar dhe vënë në vendin e vet të origjinës, në dhomën e Mjedës, mjedisi kryesor i Shtëpisë së poetit.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: 100 vjetori i Kishes, Klajd Kapinova, Kukel, se Mjedes, shkoder

KRYETARI I VATRES, DR. GJON BUCAJ, LETER KRYETAREVE TE DEGEVE

April 12, 2013 by dgreca

Kryetarëve të Degëve të Vatrës/

Të dashtun bashkëpuntorë,/

Edhe nji herë po ju njoftoj se Kuvendi do të mbahet ditën e shtunë me 27 prill 2013, prej orës10 para dite FIKS, në Regency Hotel, 165 Tuckahoe Road, Yonkers, NY 10710, Tel. (914) 476- 6200 ose (1-800) 215- 3858.

Në të njajtin hotel janë angazhue disa dhoma për ata që u duhet të vendosen për fjetje, prandej duhet të bani rezervimet sa ma parë, tue cilësue se jeni nga VATRA, për nji çmim me zbritje.

Programi i Kuvendit nuk asht hartue ende por, përgjithësisht, do të zhvillohet në dy seanca, para dreke dhe pas dreke. Në seancën e parë do të kemi mysafirë të Vatrës, disa nga të cilët do të përshëndesin. Do të lexojnë raport Kryetari, Arkëtari, Kryetari i “Vatra Foundation, Inc.” Kryetari i  “Vatra Educational Foundation”, si dhe Editori i “Diellit”. Do të përshëndesin shkurtimisht edhe kryetarët e degëvet.

Në seancën e pasdrekes do të zhvillohen punimet e Kuvendit, ku delegatët do të bajnë propozime dhe do të votojnë për vendime të ndryshme, si për ndryshimet në Kanunore ashtu dhe për pika tjera. Në sallë mund të jenë prezent çdo antar që dëshiron, por të drejtë vote kanë vetëm delegatët.

Mbas punimeve të Kuvendit, të shtunën në mbramje, do të shtrohet një darkë me delegatët.

Ditën e dielë nuk do të ketë aktivitete të Kuvendit, prandej ata që dëshirojnë mund të këthehen në vendbanimet e veta, ose mund të qëndrojnë dhe mund të vizitojnë qendrën e Vatrës, sidomos ata që nuk e kanë vizitue ndonjiherë.

Shpenzimet e udhëtimit dhe të hotelit i paguejnë degët. Kuvendet nuk mbahen gjthmonë në të njajtin qytet dhe degët do të paguejnë shpenzimet e delegatëve të vet kur Kuvendi e ka radhën të mbahet në tjetër vend. Kështu ka qenë në të kaluemen, por Kuvendi mun t’a ndryshojë për të ardhmen.

Ju lutem na dërgoni emnat e delegatëve që do të përfaqësojnë degën, mundësisht t’i kemi para Kuvendit. Nji delegat përfaqëson 10 antarë të rregulltë të Degës.

Gjithashtu, ju lutem, na dërgoni listat e anëtarve të rregulltë të degës që t’i kemi për regjistrin kryesor, me këto të dhana:

 

emni dhe mbiemni;

adresa postare;

adresa elektroniker (e-mail)

numri i telefonit.

 

Ju falënderoj nga zemra për bashkëpunimin dhe ndimën shumë të dobishme për suksesin e Kuvendit dhe për të mirën e Vatrës.

 

Përshëndes ju dhe të gjithë bashkëpunëtorët tuej dhe ju dëshiroj shëndet,

 

Gjon Buçaj.

PS: NJOFTIM PER ANETARET E KESHILLIT-RIKUJTESE

Pershendetje!

Ju lutem mos harroni mbledhjen e Keshillit Drejtues te Vatres kete te shtune me 13 prill n’oren 11 para dite te Vatra. Kjo mbledhje u caktue ne mbledhjen e fundit me 30 mars. Ne krye dy javesh asht Kuvendi!

Mire u pafshim ne mbledhje.

Gjon Buçaj.

P.S.: ne kete e-mail asht perfshi edhe z. Nick Markolaj, kryetari i deges ma te re te Vatres.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: dr. Gjon Bucaj, leter degeve

KQZ NJË INSTRUMENT POLITIK DHE PA INTEGRITET I ABSOLUTIZMIT PARTIAK

April 12, 2013 by dgreca

Partitë e kanë kthyer në pronë të tyre private KQZ dhe e kanë kthyer drejtësinë në një derivat të pushtetit të tyre. Në Shqipëri nuk njihet formula „të gjithë të barabartë përpara ligjit“ – sepse kush ka në dorë pushtet politik është i privilegjuar, pasi e bën ai vetë ligjin. Prandaj në Shqipëri shteti i së drejtës është një iluzion. Për shembull, Ilirjan Celibashi ish kryetar i këtij Komisioni, sot është kandidat për deputet i PS, dhe kështu me rradhë edhe nga krahu tjetër! /

Nga Elida Bucpapaj/

Prej dje po dëgjojmë që faktori ndërkombëtar po e vë theksin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të jetë apolitik dhe i paanshëm! Natyrisht ashtu duhet të jetë!

Po ku kemi qenë ne këta 22 vjet? Po partitë ku kanë qënë? Që të jetë apolitik dhe i paanshëm do të duhej që anëtarët e tij përfshi kreun të jenë figura me një integritet të pacënushëm prej influencës e jashtë ndikimit e të mos u thonë lepe peqe me përulje urdhërave të kryetarëve të partive!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri është thellësisht politik dhe i anshëm, sepse ky Komision zgjidhet pikërisht nga partitë, të cilat përzgjedhin aty njerëzit më luajalë, jo ndaj ligjit, por ndaj kreut të partisë, ku kreu i partisë përkthehet me atë sentencën aq të njohur të Luigjit të XIV se “Ligji jam Unë”, ndërsa Kushtetuta është copë letër.

Dhe kjo formulë, i zgjedhur prej partive, e ka kompromentuar Komisionin Qendror Zgjedhor, i ka hequr besueshmërinë. Opozita nuk i beson a priori vendimet që merr shumica në këtë Komision, sepse ka parasysh se si vepronte ky Komision kur opozita kishte maxhorancën. Dhe vice versa. Prandaj rezultatet kontestohen gjithnjë nga humbësit.

Asnjë parti në Shqipëri këta 22 vjet, përjashto zgjedhjet e 22 marsit 1992, nuk e ka respektuar formatin e KQZ si një institucioni demokratik, që KQZ të jetë apolitik, i paanshëm dhe i pavarur nga partitë!

Ndërkohë KQZ ka patur rol kryesor sa i përket të gjitha proceseve zgjedhore që janë mbajtur në Shqipëri.

Më 1996 fitorja e PD do të ishte normale sepse shqiptarët posa ishin ndarë nga një regjim kriminal dhe sistemi piramidave kishte krijuar një farë prosperiteti ekonomik, por kjo fitore u komprometua nga një rezultat që shkoi mbi 90%, pra ishte e qartë se pati manipulim. Zgjedhjet e 1997 u zhvilluan pas shembjes të shtetit për pasojë të krizës së piramidave nën terrorin e bandave kriminale të Zani Çaushit dhe shokëve të tij, ku e majta u kthye në pushtet me dhunë. Natyrisht që fitorja e PS ishte e manipuluar, sikur u manipulua edhe rezultati i referendumit të Mbretit Leka Zog, ku populli votoi për Monarkinë. Edhe zgjedhjet e 2001 u manipuluan nga PS dhe provat e manipulimit ishin aq flagrante sa faktori ndërkombëtar e detyroi PS që zgjedhja e presidentit të Republikës së Shqipërisë të bëhej nga PD, ku Berisha zgjodhi për President Alfred Moisiun, një gjeneral dhe bir gjenerali të Enver Hoxhës, me të cilin pastaj pati marrëdhënie shumë të acaruara. Edhe e zgjodhi vetë, edhe pastaj nuk e suportonte po ai vetë. Rotacioni i PD më 2005 ishte shumë legjitim pasi qeverisja e majtë kishte dështuar plotësisht, por ky rotacion u bë e mundur vetëm në sajë të Fatos Nanos, paçka se atij kjo i kushtoi karrierën politike, sepse Ruçi me kompani kërkonin me çdo kusht fitoren dhe e kontestuan rezultatin e 2005. Fatos Nano, si kryetar i PS-së kishte qënë edhe kritikues i ashpër i qeverisjes nga Ilir Meta dhe shkak i largimit të tij sepse e kishte denoncuar Metën për afera korruptive sepse vendi ishte gërryer nga trafiqet, mafia dhe keqqeverisja.

 

Mandati i parë i PD-së e nxori Shqipërinë nga listat e zeza. Rruga e Kombit dhe hyrja në NATO ishin kartat e fitores për një mandat të dytë më 2009, paçka se pala humbëse nuk e njohu rezultatin, por pas zgjedhjeve të 2009 Sali Berisha në vend që t’i përkushtohej ruajtjes të profilit politik të PD, si parti e qendrës së djathtë, jo vetëm që hyri në aleancë me Ilir Metën, por i braktisi idealet e dhjetorit dhe e degjeneroi PD në një parti të majtë, pasi i humbi lidhjet me ish-të përndjekurit, me ish-pronarët dhe me njerëzit që e mbështetën, të cilit nuk kishin patur skeletë nëpër dollapë gjatë diktaturës. Qeverisja ndërkohë u gërrye nga militantizmi arrogant, nga nepotizmi dhe hipokrizia e lidërshipit.

Partitë ndërkohë e kanë kthyer në pronë të tyre private KQZ dhe e kanë kthyer drejtësinë në një derivat të pushtetit të tyre. Në Shqipëri nuk njihet formula „të gjithë të barabartë përpara ligjit“ – sepse kush ka në dorë pushtet politik është i privilegjuar, pasi e bën ai vetë ligjin. Prandaj në Shqipëri shteti i së drejtës është një iluzion. Për shembull, Ilirjan Celibashi ish kryetar i këtij Komisioni, sot është kandidat për deputet i PS, dhe kështu me rradhë edhe nga krahu tjetër!

Nëse do të ishte apolitik ky Komision, dhe ashtu do të duhej të ishte, dhe po të ishte ashtu, partitë politike, por edhe shqiptarët do ta bënin gjumin e qetë, se integriteti i votës të tyre, dmth vota e Sovranit do të mbetej e pacënuar.

Po sot e shihni si shqetësohen aq shumë të gjitha palët? Po çmenden, po kalojnë në çmendi. Sepse pushteti politik në Shqipëri nuk e njeh pavarësinë e institucioneve! Në një sistem demokratik pushtetet janë të pavarura, mediat po ashtu. Në Shqipëri, jo, të katër pushtetet janë të varura dhe ndërvarura nga partitë! Kështu edhe institucioni i KQZ.

Dhe sipas logjikës të absolutizmit të pushtetit politik në Shqipëri, kryetarët e partive ngjajnë si feudalë anadollakë dhe deputetët bujkrobër qyqarë.

Me daljen nga koalicioni me PD, largimi i anëtarit të LSI-së nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ugual me largimin e ministrave, nënministrave, drejtorët e drejtorive dhe nënkryetarit të Bashkisë të Tiranës! Kjo është logjika. Logjika e Ed Ramës, e Sali Berishës dhe e Ilir Metës, të cilit Berisha me katër deputetë prej 2009 deri në prill 2013, pra pothuaj për katër vjet rresht, i dha në tabaka 40% të posteve më të larta dhe administratës publike! Sot Ilir Meta po e akuzon Berishën si diversant! Nuk e di se si do t’i përgjigjet nesër Sali Berisha.

Ky është realiteti i hidhur dhe i turpshëm, se pushteti politik i partive ka 22 vjet që e ka cënuar integritetin e KQZ dhe e ka shndërruar në një institucion, të cilit nuk i zë besë asnjëra palë kur kalon në opozitë. Prandaj sot shqetësohen aq shumë kryetarët e partive, sepse KQZ është 100% i politizuar dhe një instrument politik në duart e tyre.

Çfarë mund të bëhet? Po të kishin patur minimumin e vullnetit politik, kryetarët e partive kishin votuar në mënyrë unanime një KQZ të përbërë nga njerëz të ndershëm dhe me integritet, të cilëve pak u interesojnë partitë, kur venë në balancë interesat e vendit të tyre. Dhe Shqiptarë të tillë ka. Por kryetarët e partive pëlqejnë zakonisht njerëzit e njollosur që ata t’i përdorin si marioneta.

Sa i përket formatit që ka sot, ky Komision nuk ka më kredibilitet dhe si i tillë nuk mund t’i mbijetojë sistemit të vlerave të demokracisë. Zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të kontestuara. Sepse kontestimin e prodhon pikërisht politizimi i tej skajshëm që ka KQZ, çka do të thotë se ky Komision nuk është as apolitik dhe as i paanshëm. Kështu e kanë katandisur politikanët, të cilët kanë shkelur me këmbë Kushtetutën! Po, po, kryetarët e partive kanë shkelur me të dy këmbët Kushtetutën e Shqipërisë! Dhe shkelësit e Kushtetutës dihet se ku e kanë vendin!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, KQZ, opinion, politik

KISHA ORTODOKSE E ELBASANIT KERKON NDRYSHIMIN E KUSHTETUTES

April 12, 2013 by dgreca

KISHA ORTODOKSE PAVARUR KOMBETARE SHQIPTARE SHEN MARIA ELBASAN/

KONFERENC PER SHTYPIN DHE MEDIAT VIZIVE/

/Elbasan 12/04/2013/

Kisha Ortodokse Kombetare Shqiptare, kerkon ndryshimin e kushtetutes ne kapitullin ku sanksionohen besimi fetar dhe te drejtat e ushtrimit te tije ne Shqiperi. Komunitetet fetare nuk mund te bejne marveshje me qeverine,kur ne krye te komuniteteve mund te jene partner te huaj apo subjekte jashte kombit Shqiptar.

Besimtaret ortodoks shqiptar, te bojkotojne cdo ceremoni fetare apo meshe ku flitet ne greqisht, perjashtuar fshatrat me popullsi minoritare greke jo autoktone.

Drejtues te shtetit, si dhe deputete e drejtues partishe, ta bojkotojne Anastas Janullatosin ne kremtimin e Pashkeve Ortodokse me 5 Maj 2013. Anastas Janullatos eshte shovinist grek, ne sherbim te antishqiptareve ne te kaluaren si Sebastionos, Napolon Zerve dhe tani Agimit te zi Grek. Duhet ta dine te gjithe keta perfaqsues te popullit, ne nivele te ndryshe se, Anastasi perdor ne dem te kombit Shqiptar, fene, ekonomine dhe politiken, panvarsisht se Janullatos eshte ne grahmen e tije te fundit ku perendia i ka caktuar edhe vendin e prehjes ne Greqi.

Anastas Janullatosit ti hiqen titujt qe ka dhene zoti Topi president dhe Edi Rama ish kryetar bashkie Tirane. Keto tituj u takojne shqiptareve dhe jo grekeve antishqiptare.

Kisha Serbe, te ndale thirrjet e saja drejtuar shtetit Serb me date 6 prill 2013 per te mos njohur pavarsine e Kosoves. Veprimet e kishes Serbe, jane veprime luftnxitese ne Ballkan dhe sidomos ndaj kombit Shqiptar.

Krishti eshte ngjallur dhe per kombin Shqiptar, keshtu qe ne, nuk kemi nevoje per Pashke qe ti lutemi Zotit me kryeagjentin e shovinizmit kanibal Grek Anastas Janullatos se bashku me Vangjel Dulen dhe injorantin Vasil Bollano.

Veprimi i deputetit Dule ne komisionin e jashtem parlamentar, ku shqyrtohej rezoluta per shqiptaret e Camerise, ishte i qarte ne favor te genocidit Grek ndaj shqiptareve te Camerise. Bijte dhe bijat e kombit Shqiptar nuk jane rrugace. Rrugac dhe i shitur tek armiqte e kombit Shqiptar eshte vete Dulja me papune e tije Janullatos dhe dallkaukun Vasil Bollano. Per veprimin e fundit te Dules dhe disa anti shqiptare ne te kaluaren, Kisha Ortodokse Kombetare Shqiptare e ckisheron, deri ne reformimin e shpirtit te tije ne dobi te shtetit ku jeton.

Ndryshimi i statutit ne vitin 2006 nga Janullatos dhe sherbetoret anti shqiptar, eshte i paligjshem dhe perben veper penale me dashje, ne dem te identitetit fetar Ortodoks Shqiptar.

Kisha Ortodokse e Pavarur Kombetare Shqiptare, uron besimtaret Katolik te kombit Shqiptar per zgjedhjen e Papes Francesku-I.

Pashket e 5 Majit 2013 deshirojme dhe lutim Perendine, qe te jene Pashket e fundit te Janullatosit ne Shqiperi bashke me gjithe antishqiptaret qe ka rreth vetes tije.

KESHILLI KISHES

AT NIKOLLA MARKU

 

Filed Under: Kronike Tagged With: AT Nikolla Marku, e Kushtetutes, kerkon ndryshimin, Kisha Shen Maria, ne Elbasan

Ismail Kadare në garë për çmimin britanik “The Independent”

April 11, 2013 by dgreca

Gazeta britanike ‘The Guardian’ botoi ditën e sotme listën e shkurtër me emrat e 6 shkrimtarëve botërorë që janë në garë për çmimin ‘The Independent Foreign Fiction Prize 2013’, ku përfshihet edhe emri i shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

Kadare do të garojë për çmimin e rëndësishëm me romanin e tij ‘Darka e gabuar’ i përkthyer nga shqipja nga John Hodgson, që është vlerësuar shumë nga kritika.

‘The Independent Foreign Prize’ është i vetmi çmim britanik për letërsinë e huaj të botuar gjatë një viti në Britaninë e Madhe. në listën e shkurtë të kandidatëve për këtë çmim, veç e Ismail Kadare me ‘Darka e gabuar’ janë edhe: Enrique Vila-Matas, nga Spanja me ‘Dublinesque’, Gerrband Bakker nga Danimarka me ‘The Detour’, Andrés Neuman nga Spanja me ‘Traveller of the Century’, Chris Barnard nga Afrika me ‘Bundu’ dhe Dasa Drndic nga Kroacia me ‘Trieste’.

Fituesi i këtij çmimi do të shpallet më 20 maj në ‘Royal Institute of British Architects’, në Londër. Vlera e tij është, 10.000 paund të cilat ndahen në mënyrë të barabartë mes shkrimtarit dhe përkthyesit.

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: cmimi, Indipendent, Kadare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT