• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2013

Sinqeriteti-garanci e qendrueshmërisë

May 31, 2013 by dgreca

Në takimin me Albin Kurtin në Kishën e Shën Palit në Detroit/

Nga Pjetër Jaku/

Me datën 30 Maj 2013, Kryetari i Levizjes “ Vetëvendosja”, parti parlamentare ne Republiken e Kosoves pati një takim prej më shumë se 1 orë e 30 minuta në Kishën e Shën Palit në Detroit, konkretisht në bibklioteken e saj. Në takim merrnin pjesë Don Fran Kola, famullitar i kësaj qendre kombëtare dhe fetare, Kolë Gjokaj, kryetar i Këshillit të kësaj Kishe, Kryetar i Këshillit të Xhamisë Shqiptare në Detroit Nexhmedin Qafleshi, Pjetër Jaku nënkeryetar i degës së Vatrës në Detroit dhe botues i Revistes “ Kuvendi”, aktivistja Donika Bardha, ish kryetari i Fondacionit “ Vendlindja thërret” aktivisti Luigj Gjokaj, i cili e shoqëronte, administrator i ACTV, Armando Shtiza, Kujtim Qafa aktivist i njohur i komunitetti shqiptar të Detroitit, njëkohëshëm anëtar i kryesisë së degës së Vatrës, ish ushtari i UÇK-se Nikollë Perkaj, gazetari Agim Vuniqi dhe student ( Kryetar i Grupit Rinor) Ylli Zhubi.

Pas vizites në sallën e lutjeve ku Don Frani e informoi se, që prej aty kanë marrë rrugë gjithë nismat kombëtare në ndihmë të çeshtjes shqiptare, qoftë luftës kundër komunizmit, qoftë Pavarësisë së Kosovës, Albin Kurti vizitoi klasat e mësimit të gjuhës shipe dhe dy sallat e kësaj Qendre të mirëfilltë kombëtare.

Gjatë bisedës, e cila në të vërtetë pati frymën e mirëkuptimit dhe të diskutimit të sinqertë, Kryetari i Levizjes “ Vetëvendosja”, u njoh nga Dom Frani me mendimet jo vetëm të tij, por edhe të grupit pritës, në lidhje me zhvillimet më të fundit në Republikën e Kosovës, prej nga vinte Albin Kurti, në krye të Partisë së tretë parlamentare, ne të njëjtën kohë edhe Kryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin e Kosovës. Don Frani theksoi se, me rëndësi është futja e kultures demokratike në Institucionet e Kosoves, sidomos në politikë, dëgjimi i njëri-tjetrit, fryma bashkëpunuese në kryerjen e të gjithë detyrimeve politike, sidomos në marrëveshjet me sovranin, duke mos pranuar kompromiset e dhimbshme, veçanërisht me gjakun e derdhur për Lirinë e Kosovës, kujdesi i vazhdueshem për shqiptarët jashtë kufijvë të Shqipërsië dhe Kosovës, luftën kundër përçarjeve mbi baza fetare, sidomos në shqiptarët nën Mal të Zi, etj…

Albin Kurti nënvizoi se, të qënit e disa feve në Shqipëri dhe Kosovë është pasuri kombëtare. Tek ne nuk bëhët më fjalë për tolerancë ndërfetare, pasi kemi arritur një shkallë më lartë, në atë të bashkëpunimit ndërfetar. Në aspektin kombëtar “ Vetëvendosja” është e njohur që në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ndërsa në arenen ndërkombëtare këtë koncept e solli Willsoni me shpëtimin që i bëri Shqipërisë. As lufta, as paqa, nënvizoi Kurti, -nuk janë të mundshme pa juve, pa diasporën, në veçanti mergatën shqiptare të Amerikës. Veç aspektit politik, diaspora ka një rëndësi të madhe edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës, pasi rreth 600 miljon euro në vit hynë nga emigrantët. Qeveria duhet t’i kushtoj shumë kujdes ekonomisë, zhvillimt të prodhimit vendas dhe nxitjes me përparësi të tij, pasi nuk kemi pse t’i marrim pulat nga Brazili, ose farërat nga Egjypti. “ Vetëvendosja” nuk është ajo që e ka cilësuar politika kosovare. Ajo nuk ka qënë dhe nuk është kurrë kundër paqes, kundër marrëveshjeve, dhe as do të jetë kurrë pro marrëveshjeve të verbëra në dëm të shqiptarëve të Kosovës, në dëm të trojeve autoktone të Kosovës, në dëm të asgjëje, sado e vpgël në dukje, që cënon integritetin komëbtar, që cënon lirinë tonë. E drejta, sinqeriteti dhe e vërteta do të fitojë, sado vonë…

Lidhur me aspektin fetar, Kurti nënvizoi : “ Zoti të jep qënien, qënia të jep mundësinë, mundësia duhet përdorë. Ideja e pronësisë mbi besimin nuk është aspak produkt i fesë. Kisha ortodokse serbe kërkon prona edhe atje ku nuk ka qoftë edhe një serb të vetëm, në vend që t’i rikthehet bashkëpunimit në ndihmë të besimtarve të saj”.

Në mbyllje të takimit, Nexhmedin Qafleshi bëri dy pyetje në lidhje me mundësinë e bindjes së Europës për problemet e Kosoves dhe, se sa ata ( eurpianët ) i kanë kuptuar politikanët e këtij vendi? Së dyti, nëse është i mundur bllokimi i marrëveshjes Thaqi-Daçiq. Kujtim Qafa, pasi foli në lidhje me bashkëpunimin e kishës ortodokse serbe dhe shtetit, si dhe shejtinimin e disa luftëtarëve serbë nga kjo kishë, për analogji përmendi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeun, i cili mbrojti katolicizmin, por nuk u bë shejt, perkundrazi mundohen te hedhin baltë mbi figuren e tij. Konkretisht, Kujtimi pyeti në lidhje me strategjinë e “ Vetëvendosjes” për bashkimin kombëtar.

Pjekuria politike dhe kultura e bisedimit tregojnë se në krye të kësaj Levizje është vërtetë përsoni që do ndihmoi konkretisht zhvillime pozitive në Kosovën e lirë!

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, Pjeter JUaku, takim ne Detroit

NJË VIT PËR TË KUJTUAR PRESIDENTIN JOHN KENNEDY

May 31, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Xhon F. Kennedy u betua në detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara më 20 Janar, 1961. Fjalimi i tij me atë rast mbahet mendë si një prej fjalimeve më të rëndësishme dhe më të cituar, në të cilin ai u bëri thirrje amerikanëve që të aktivizohen, duke thënë:  “Mos pyet se çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet se çka mund të bëjsh ti për atdheun tëndë.”   Duke iu drejtuar vendeve të botës, ai u bëri thirrje që  ato të bashkohen në luftën kundër atyre që ai i cilësoi, si “armiqtë e përbashkët të njeriut: tiranisë, varfërisë, sëmundjeve dhe luftës.”
Viti 2013 shënon 50-vjetorin e vitit të fundit të jetës së ish-Presidentit të ri amerikan, dhe kalendari i këtij viti është i mbushur me aktivitete përkujtimore nga jeta dhe veprimtaria e presidentit më të ri amerikan i cili u vra në Dallas të shtetit Teksas, 50-vjetë më parë.  Janë planifikuar një numër përkujtimesh me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së njërit prej udhëheqsve më të admiruar jo vetëm në Amerikë por edhe në botë, si përkrahës i lirisë dhe i demokracisë.    Presidenti Barak Obama, do të vizitojë Berlinin në Qershor për të kujtuar  50-vjetorin e fjalimit të famshëm anti- komunist të presidentit Kennedy, “Ich Bin Ein Berliner”, kur u ka thënë berlinasve të izoluar e të bllokuar nga komunistët, se unë jam me ju, ndonëse edhe “unë jam një berlinas”.   Qyteti Dallas ku është vrarë Presidenti Kennedy do të kujtoj 50-vjetorin e vrasjes dhe është në plan të botohen një numër librash të reja mbi jetën dhe veprimtarinë e John F Kennedy.
Përveç shqetësimeve të tij të mbrendshme të Amerikës në atë kohë,  Xhon Kennedy ishte posaçërisht i shqetësuar mbi mundësinë e shpërthimit të një lufte bërthamore midis kampit komunist të kryesuar nga Bashkimi Sovjetik dhe botës përendimore, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara,  luftë nga e cila miliona veta mund të kishin vdekur.   Lufta e Ftohët, megjithëse nuk kishte rezultuar në ndonjë përleshje të armatosur midis dy kampeve, ishte diçka ndryshe.   Përveç tjerash, ishte një luftë midis sistemit diktatorial komunist sovjetik dhe sistemit demokratik amerikan të qeverisjes.   Ishte një luftë që shpesh i çoi të dy palët në prag të luftës bërthamore, siç ndodhi me krizën e lindur nga vendosja e raketave bërthamore sovjetike në Kubë, në vitin 1962 dhe  me krizën  në qytetin e ndarë të Berlinit.
Presidenti Kenndy mbahet mendë, megjithëse me një mandat të shkurtuar nga plumbat e një vrasësi, si një president që donte që Shtetet e Bashkuara të shkonin përpara drejtë së ardhmes, me zbulime të reja në shkencë e teknologji, me përmirësime në fushën e arsimit, punësimit e të tjera.   Por mbi të gjitha, ai donte demokracinë dhe lirinë për të gjithë njerëzit në botë.
Në këtë drejtim, ai themeloi, Korpusin e Paqës, një program ky i cili edhe sot bën të mundur që amerikanët të shkojnë si vullnetarë për të punuar kudo në botë, ku ndihet nevoja dhe  në fusha të ndryshme, si për shembëll në arsim, bujqësi, përkujdesje shëndetsore, ndërtimtari, e tjera.   Presidenti Kennedy mbetet në histori gjithashtu si presidenti amerikan i cili bëri të mundur që Shtetet e Bashkuara të ishin vendi numër një në eksplorimin e hapësirës. “Asnjë vend, që pret të udhëheq vendet e tjera, nuk mundë të mbetet mbrapa në garën për eksplorimin e hapësirës”, ka thënë Xhon Kenned.   Si përfundim i përkushtimit të tij në këtë fushë, Shtetet e Bashkuara qenë të parat që dërguan astronautët në Hënë.
Presidenti Kennedy, gjatë mandatit të shkurtë të tij u përball me një seri problemesh të mbrendshme këtu në Shtetet Bashkuara, mbi të gjitha me problemin e diskriminimit racial të asaj kohe.   Ndasia raciale ishte tepër e theksuar, megjithëse Gjykata e Lartë kishte vendosur se ishte kundër kushtetutës, disa shtete jugore praktikonin gjithnjë diskriminimin kundër zezakëve.Vdekja e Presidentit Kennedy pat shkaktuar dhëmbje të madhe në radhët e amerikanëve dhe anë e mbanë botës.   Megjithë mandatin e shkurtër të presidentit John Kennedy, ai gjithnjë konsiderohet si një ndër presidentët më të mirë të Amerikës dhe mbahet mend për një trashëgimi si udhëheqës i fortë me një personalitet dhe realizime dhe suksese të dukshme, kur të merret parasyshë periudha e shkurtër që ai ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë.    Ai mbahet mend për gjakftohësinë përballë marrjes së vendimeve shumë të vështira, siç ishte vendimi se ç’duhej bërë në lidhje me raketat bërthamore që komunistët sovjetikë kishin vendosur në Kubën e Fidel Kastros në vitin 1962.   Ai njihej gjithashtu si një orator elokuent, fjalimet e të cilit ishin shumë frymëzuese dhe konsiderohen gjithnjë aktuale edhe sot pas 50 vjetësh.   Megjithëse ai vetë vinte nga një familje e pasur, John Kennedy kujtohet  për programet qeveritare dhe legjislacionin në mbështetje të të varfërve, dhe të moshuarve.   Presidenti Kennedy, si çdo udhëheqës tjetër ka bërë gabime, por gjithmonë shprehte një entuziazëm të madh për të ardhmen, duke besuar se çdo problem mund të zgjidhet me bashkpunim me njëri tjetrin, për derisa interesat e vendit janë mbi të gjitha interesat e tjera.

Ndonëse njëri me mendime  liberale dhe tjetri konservator, në krahasim me presidentë të tjerë, biografi i Presidentit Kennedy, Robert Dallek i tha gazetës USA Today se,  “Presidenti Kennedy dhe  Presdienti Reagan i dhanë këtij vendi një frymë optimizmi dhe shprese.   Ata përfaqësonin vlerat më të mira të këtij vendi.”    Si Presidenti Kennedy ashtu edhe Presidenti Reagan besonin fuqimisht në lirinë dhe demokracinë jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë popujt e botës — ata besonin në shkëmbimin e lirë të informacionit dhe në të drejtat e njeriut.   Pasi ky vit shënon gjithashtu edhe 70-vjetorin e Zërit të Amerikës, ia vlenë të përmendet vizita dhe fjalimi i Presidentit John Kennedy me rastin e 20-vjetorit të Zërit të Amerikës me ç’rast ai ka thënë se, “liria e informacionit është një e drejtë themelore e njeriut”, dhe shtoi se, “Ky është kodi i Zërit të Amerikës.   Ne mirëpresim mendimet e të tjerëve.  Ne kërkojmë shkëmbimin e lirë të informacionit matanë kufijve, oqeaneve dhe perdeve të hekurta dhe murve prej guri.   Ne nuk kemi frikë t’i paraqesim popullit amerikan të vërtetën mbi të mirat dhe të këqiat, as nuk kemi frikë nga idetë dhe fillozofitë e huaja dhe as nga vlerat konkuruese.    Një komb i cili ka frikë të lejojë popullin e vet të gjykojë dhe të vendosë vet,  për të vërtetën dhe gënjeshtrat në një treg të lirë të ideve, ai është një komb i cili ka frikë nga populli i vet.   Prandaj Zëri i Amerikës mban një përgjegjësi të madhe, pasi barra e së vërtetës nuk është e lehtë.”   Në atë fjalim tek Zëri i Amerikës, 50-vjetë më parë, presidenti Kennedy parashikoi revolucionin dhe modernizimin e teknologjisë së medias dhe të shpërndarjes së informacionit nepërmjet internetit, duke thënë se 20-vjetët e ardhëshme do të paraqisnin mundësi  jashtzakonisht të mëdha por edhe sfida të ndërlikuara në fushën e teknologjisë së informacionit.

Nepërmjet Zërit të Amerikës, që në atë kohë ishte i vetmi mjet komunikimi me popujt e botës,  John Kennedy, në fjalimin e tij me rastin e betimit si president i ri i Amerikës, lajmëroi botën se Shtetet e Bashkuara kishin një udhëheqës të  ri, i cili  e konsideronte përhapjen e komunizmit si një plagë për njerëzimin që vetëm me përdorimin e forcës detyronte zbatimin e një ideologjie kundër vullnetit të popujve të robëruar, një ideologjie që ai e konsideronte si e kundërta e lirisë dhe demokracisë.   Qëndrimin e tij të vendosur  në lidhje me komunizmin ndërkombëtar të kohës, John Kennedy e bëri shumë të qartë kur tha këto me rastin e betimit si president: “Le ta marrë vesh çdo komb, pa marrë parasyshë nëse na e don të mirën ose të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do të durojmë çfardo barre  dhe do të përballemi me të gjitha vështirsitë, se ne do të përkrahim çdo mik, do të kundërshtojmë çdo armik, me qëllim për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë në botë”.   Më tej, John Kennedy vazhdoi paralajmërimin e tij në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, duke shtuar se, “në historinë e gjatë të botës, vetëm disa brezave u ka takuar të luajnë rolin e mbrojtësit të lirisë në kohën e rrezikut më të madh ndaj saj.   Unë nuk tërhiqem nga këjo përgjegjësi, përkundrazi unë e mirpres atë.   Unë nuk besoj se ndonjëri prej nesh do të ndërronte vendin me  ndonjë popull tjetër ose  brez  tjetër.    Energjia,  besimi dhe devocioni që ne sjellim drejtë këtij qëllimi, do të shëndrisë vendin tonë dhe të gjithë ata që i shërbejnë atij dhe – drita nga ky zjarr, me të vërtetë, do të ndriçojë mbarë  botën.”

Fjalimet e John Kennedy janë të llojit që frymëzojnë gjeneratat e të gjitha kohërave,  kur thonte se, “nuk duhet të mbyllim sytë ndaj ndryshimeve që ekzistojnë midis nesh, por le të vlerësojmë interesat e përbashkëta dhe mënyrat me të cilat mund të zgjidhen ndryshimet midis nesh.   Dhe nëqoftse nuk mund t’i zgjidhim tani ndryshimet  që ekzistojnë midis nesh, atëherë të pakën të përpiqemi që të bëjmë këtë botë më të durueshme dhe më të pajtueshme ndaj ndryshimeve që ekzistojnë midis njerëzve.   Sepse, më në fund,  janë lidhjet bazë dhe gjërat e përbashkëta mes njëri tjetërit si banorë të këtij planeti të vogël, ato që kanë rëndësi.   Ne, të gjithë marrim frymë nga i njëjti ajër.  Të gjithë ne punojmë dhe shpresojmë për një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë.   Dhe të gjithë ne jemi të vdekshëm.”

Paqëja në botë ishte për te një vizion i realizueshëm.   “Paqëja në botë”, ka thënë John Kennedy, “sikurë dhe paqëja në komunitete, nuk nevojitë që çdo njeri ta duaj të afërmin e vet, por kërkon vetëm që ata të jetojnë së bashku duke toleruar njëri tjetrin, duke u përpjekur që mosmarveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore.”

Siç thuhet edhe në portalin e përkujtimit të 50-vjetorit të vdekjes së John Kennedy, “le të shërbejë ky përvjetor për të celebruar të kaluarën, duke zgjuar të ardhmen”,  dhe të nxjerren mësime dhe shpresa për të ardhmen e njerëzimit nga  një udhëheqës i ri amerikan me kurajo dhe vizion, nga një moment tepër kritik në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe të botës – jeta e të cilit u ndërpre para kohe nga plumbi i një vrasësi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, nje vit, per te kujtuar, presidentin Kennedy

NEW YORK ASSEMBLYMAN MARK GJONAJ IS HOSTING THIS EVENT!

May 31, 2013 by dgreca

NEW YORK ASSEMBLYMAN MARK GJONAJ IS HOSTING THIS EVENT!

Filed Under: Kronike Tagged With: Mark Gonaj is Hosting, yhies event

Lufta e UÇK-së nuk ishte luftë fetare, Ju dashamirt e kombit!

May 31, 2013 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

Ne si shqiptarë jemi të ballafaquar me një përplasje të madhe interesash, e pasaçerisht nga ana e fqinjëve tanë, që me gjakftohtësinë më të madhe po i zbatojnë strategjitë e tyre dinake. Edhe pse e drejta është në anën tonë, pa kurrfarë arsyeje po tregohemi të paaftë për të udhëhequr me pozitën tonë gjeografike dhe me të kaluarën dhe të ardhmen tonë historike.

Derisa, forca të errëta mendojnë dhe shpresojnë që civilizimi perëndimor do të rrënohet, ne pa kurrfarë kriteresh dhe pa e shikuar interesin tonë gjithëkombëtar iu mbështetemi atyre forcave duke rrënuar pa pikë mëshire të ardhmen tonë. Nga goja e popullit tonë dhe përvoja e tij mijëra vjeçare mësojmë se “ një herë të vjen vera kah dera”: trimat tanë që deshën t`i dalin zot atdheut u shfaqën në skenën tonë kombëtare duke i treguar asaj ndërkombëtare se ja ku jemi.

Jemi UÇK-ja, një forcë kohezive e një populli të tërë, një populli të mbarë dhe e bëmë atë që e dëshironim – L i r i n ë.

Si i kaluam ato kohëra? Fqinjët dhe vetë armiku me strategjinë e tyre gjakëftohtë na e paraqitkan luftën tonë si luftë fetare. Që nga koha e paraluftës së Kosovës është folur dhe përfolur nga propaganda serbe, greke dhe ajo sllave në përgjithësi, për celulat e terroristëve islamikë në mesin tonë, në Kosovë, duke u përdorur si arma më e fuqishme kundër përpjekjeve tona për pavarësi.

A ishte UÇK-ja islamike?

Serbia dëshironte që luftën tonë çlririmtare në Kosovë, ta kthejë në luftë fetare. Atëherë sikur lufta jonë të hidhej në përkufizimet fetare ajo luftë nuk do të kishte përfunduar kurrë. Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës iu bashkëngjitën me mijëra djem e vasha nga Kosova, shqiptarë e shqiptare nga Amerika, Gjermania, Franca, Zvicra, Britania e Madhe, të mos i përmend të gjitha shtetet, kurse propaganda serbe dhe ajo antishqiptare thoshte për mijëra muxhahedinë nga Lindja e Mesme dhe pjesëve tjera të botës që po iu bashkohëkan UÇK-së në luftë kundër Serbisë.

E pranoi UÇK-ja këtë propagandë sa armiqësore aq edhe ndjellakeqe? JO. E pranon UÇK-ja, se në mesin e tyre paska pasur shumë shqiptarë që kanë folur rrjedhshëm gjuhën arabe për t`u marrë vesh lehtë me muxhahidinët? JO.

Por, edhe më i keq ishte lajmi nga Pakistani, në tetor 1998, ku mbahej Konferenca Islamike “se separatizmi shqiptar në Kosovë e Metohi karakterizohej si “gjihad “.(luftë e shenjtë). Me të vërtetë, lufta e UÇK-s ishte luftë e shenjtë kombëtare por jo, kurrën e kurrës fetare. Derisa para dhe gjatë luftës “raportohej” për ardhjen e luftëtarëve islamikë për t`iu bashkuar UÇK-së, gazeta “The TIMES”( Londër, 26. 11.1998) shkruante: ”Derisa për shqiptarët muxhahidinët paraqesin një katastrofë publike, presidenti Millosheviq e forconte regjimin e tij duke portretizuar luftën e Serbisë si luftën e tyre të mbrojtës së Evropës nga Islami.

Pse, ne paskemi qenë ata dhe tani jemi ata që po ia hapkemi dyert islamizmit në Evropë? E pranon UÇK-ja këtë? E pranojnë të gjallët e UÇK-së t’iu shtrembërohet qëllimi i luftës së tyre? Them unë, themi të gjithë se JO.

Edhe serbët e dinë, edhe bota myslimane e ajo e krishtere e di shumë mirë që në radhët e UÇK-së ka pasur shqiptarë të të gjitha besimeve, jo vetëm si ushtarë por edhe si komandantë dhe se kanë kontribuar me të holla e armatim shqiptarët e të gjitha konfesioneve fetare. E gjithë bota e di se shqiptarët e të gjitha feve e besimeve kanë qenë të masakruar, të çnjerëzuar, të djegur e të dëbuar e të depërtuar. Të gjithë që nga Lindja e Perendimi, nga Veriu e Jugu e dinë që polici, ushtari, paraushtaraku serb nuk ka vrarë se pse ishim myslimanë, apo sepse ishim katolikë, por se pse ishim shqiptarë.

“The Scotsman”, më 30.11. 98, nga gazetari Chris Stephen raportonte nga Prishtina: ”Përafërsisht një e katërta e UÇK-s janë shqiptarë jomyslimanë dhe se gjatë gjithë kohës lufta me serbët ortodoksë, lufta e shqiptarëve nuk është luftë fetare por kombëtare.”

“The Scotsman” i cekte burimet e larta të UÇK-së: “ Është qëndrim i qartë se ne nuk i duam ata (muxhahidinët) në mesin tonë, dhe asgjë nga ata. Edhe pse ishim të këshilluar nga miqtë tanë, ne kemi pasur parasysh këtë edhe më herët“.

Ju, të nderuarit e luftës na thuani a ishte kjo e vërtetë?

Në librin e tij Ahmet Davudoglu “Thellësi strategjike – Pozita ndërkombëtare e Turqisë” (Logos , Shkup, 2010) shkruan: ” Kriza ballkanike ajo kosovare dhe boshnjake, pothuaj se u shndërrua në operacion likuidimi të identitetit islam dhe osman”. Publicisti dhe historiani francez Thomas Ferrier shkruan se ka qenë fat dhe mençuri e shqiptarëve që nuk kanë marrë pjesë në luftën e Bosnjës.

Serbia nëpërmjet të elaborateve të Garashaninit, Çubriloviqit, Andriqit dhe më herët gjatë kohës së osmaneve në rend të parë e kishte synimin në ndryshimin e dhunshëm të strukturës etnike të Kosovës. Me raprezaliet e tyre qëllimi kryesor i tyre ishte jo mbrojtja e Evropës nga Islami, por zhbërja e shqiptarëve. Nëse për ministrin Davutoglu ”çdo xhami e shembur në Ballkan, çdo institucion islam, çdo element tradicional, janë një gur themeli i shkulur nga ndikueshmeria e Turqisë në këtë zonë, është e pashmangshme mbrojtja e gjallë e kulturës otomane-islame “ (Thellësia strategjike), atëherë duhet t`i themi se nëse e kanë kullotur livadhin, nuk do të thotë që t’iu jepet e drejta kadastrale mbi ato kullosa tona.

Duhet gjerësisht lexuar i respektuari shkencëtari francez Alain Ducellier, i cili thotë, se “sllavët janë ata që erdhën në shekullin 7-të në një rajon iliro –shqiptar të lashtë sa vetë Antikiteti”.

Kurse zonja Giselle Kurti-Clerc shkruan: ”Shqiptarët dhe historia e tyre janë ende objekt i dhimbshem i manipulimeve. Kështu çdo popull tenton të përvehtësojë një pjesë të historisë së tyre në mënyrën e një recepti, të një kuzhine, të së cilës i shtohen mëlmesa në mënyrë që historia ta ruajë shijen speciale të dëshirës së tyre.”. Kjo referencë e ka një të kaluar fiktive që bëhet shkak i argumenteve pseudo-historike të politizuara dhe bëhet armë e rrezikshme në duar të atyre që duan të nxjerrin përfitime. Në intervistën dhënë revistes “Turkish Review” Davutoglu thotë: ”Në një mjedis krize dhe kaosi nevojitet një elitë e re, dhe Turqia i ka kapacitetet e saj dhe afron potencial të pashoq që t’i përmbushë nevojat e atij vendi. Turqia duhet t`i rizbulojë rrënjët e veta”.

Në një rast tjetër ai deklaron: “Koha Otomane në Ballkan ishte një sukses i madh. Ajo duhet të kthehet përsëri.” Nuk guxojmë të harrojmë “zemërgjerësinë” e tij kur thotë që “ Turqia është parajsë dhe vend – shtëpi e sigurt për boshnjakët, çeçenët dhe shqiptarët dhe nuk është vështirë të shkruhet mbi të bardhën” .

UÇK-ja e pranon këtë?

Duhet cekur se Serbia nuk përmendet në asnjë nga deklaratat e tij. Duhet menduar mirë se si jemi të përkëdhelur në mënyra të ndryshme nga këndi Alfa i trekëndëshit brinjëndryshëm ABC. Pra, në këto përplasje interesash ne merremi me emocione, nuk tregohemi aspak të atillë që jemi duke e parë të vërtetën në sy.

Filed Under: Komente Tagged With: Fahri Xharra, Lufta e UCK-se, lufte fetare, nuk ishte

HALID FRASHËRI I DORËZON BABA ALUSHIT JETËT E FËMIJËVE

May 31, 2013 by dgreca

Shkruan: Msc.GËZIM LLOJDIA/

 Fillimnisja e një rrugëtimi të gjatë/

Aty në atë teqe,pak përpara se të vdiste Halid Frashëri ka shkuar atje.Duke parandjerë largimin nga jeta,ngase ditët e numëruara,po i fironin, Halid Frashëri i ka kërkuar baba Alushit të birit të Dalib Frashërit, fëmijtë ti edukonte nën frymën e teqes.Frashëllinjte ishin shquar për inteligjencë, pra arsimi i tyre duhej plotësuar. Në vitin 1862, Emine Myteveli, gruaja,që u dha jetë fëmijëve mbartës të mbiemrit Frashëri,bie në gjumin e amshuar,në moshën 48 vjeçare.

Një mëngjez baba Alushi i teqes,pas lutjeve u mor me edukimin e tri djemve të Halid Frashërit.Baba Alushi i veshur me pelerinën e bardhë ka pritur duke prirë vizioneve të tyre drejt rrugës kombëtare. Dritëza në sytë e tyre premtonte dituri.Shkreptima e shfaqur në bebëzat e syve prezanton një inteligjencë në rritje. Baba Alush Frashëri u mësoi doktrinën bektashiane.Baba Alushi,babai i kësaj teqeje të largët një mëngjez përcolli,për në Janinë Abdylin,më vonë dy të tjerët,duke u bekuar rrugën.Baba Alushi pagoi shkollimin e tyre.Nga fondi i teqes u nxorën të hollat,për të shkolluar tre frashëllinj.Ky investim jetik për të tre djemte e Halidit do të kthehej një ditë në tre gurë smeraldi.Që do të ishin diplomacia, letërsia, dituria.Ky investim i teqes u bë për shpresën,që do të përcillnin tek shqiptaret,dritëzën,që u mungonte. Abdyli i investoi energjitë e tij me Lidhjen e Prizrënit e më tej,ishte diplomat dhe politikan i shkëlqyer.Samiu me diturin “Shqipëria ç`ka qënë,çèshtë,ç`do të bëhet”. (Shemshedin Sami bej Frashëri 1850-1904,autor i enciklopedis turke Kamylys al-a’lan.)Po të shtroheshin vargjet e Naimit,të kapej e të bëhej litar,të niste në gurin e parë kilometrik,ajo do tu binte dy tre herë rreth e rrotull,trojeve shqiptare. Fytyra engjëllore të tre djemve të Halid bej Frashërit,do ta gjenin teqenë, shtëpinë e Zotit,si pjesë të ngrohtësisë së tyre,përpara se një ditë Abdyli të vishte frak diplomati,Naimi të ligjëronte me arin vjershëror dhe Samiu të gdhihej shkencëtar.

 

UDHA JU BËFTË DRITËZIM

 

Kur nisi rrugëtimi i tre frashëllinjëve në dyert e teqesë së Frashërit

Qiellor.Shpërthimi i tre frashëllinjve nuk ka koiçidencë të rastit. Përpara se të linin pas,korijet e gjelbëruara të Frashërit, vështrimin e fundit e hidhnin nga teqeja.Së largu i përcillte baba Alushi: “Udha ju bëftë dritë”.Ndërkaq foklori nuk ka munguar të shprehet :

…Dhe sëlarti na vështron/na vështrondhe na thërret/Përpiqi për mëmëdhen…”

Premtim i plotësuar.Ju sigurojme baba Alush,deri në frymën e fundit…” Tre burrat e lindur në Frashër do të kishin tiparet e tyre. Por nuk do të njiheshin as nga ngjyra e syve,as nga vrundujt e zemrës, por nga fushat, që do të “pushtonin”.

 

TRE FRASHËLLINJTË NË TEQEN E BABA ALUSHIT PËR CESHTJEN SHQIPTARE

 

Fakte.Aty nga vitet 1877,Baba Alushi ndiehej i shqetësuar për fatin e Shqipërisë.Një vit më vonë,thuhet se takohen në Sarandë tre vëllezërit Frashëri,ku epiqëndra ishte shkrimet për Shqipërinë.13 qershori 1878,kongresi i Berlinit i ka tronditur së tepërmi rilindasit.Bisedojnë për mbledhjen në teqen e Baba Alushit mes krerëve shqiptar në një itifak turqisht (beslidhje),emërtuar si fillesë “Lidhja e Prizrenit”.Të shkruara, në librin e vendimeve në, 18 qershor, zeri i saj ishte:ruajtja territorriale.Përfaqësues i Sarandës dhe bregdetit do të ishte poeti Naim për në mbledhjen e Frashërit në teqen malore,mes tyre dhe tre frashëllinjtë që u kishte mëkuar atdhetarinë,në një kuvendim rëndësor,e udhëhiqte Baba Alush Frashëri.

 

SI NDIKOI BABA ALUSHI NËSHFAQJEN E VIZIONEVE NAIMJANE

 

Shenja të veçantisë:Baba Ali Tomori ka prurë një dokument që përbënë interes,për të kuptuar rrugëngjitjen e frashëllinjëve.Është biseda e Abdyl Frashërit me Baba Alush Frashërin.Shfaqet potenciali i fuqisë së shpirtit të Baba Alushit,prirësit të vizioneve tek Frashëllinjt.Kur Baba Alushi e ka pyetur Abdyl bej Frashërin se ç’farë kishte menduar për vëllezërit,ai i është përgjigjur se më parë ai kishte nevojë për uratën e tij dhe këshillat e këtij shenjtori.Përvijohet biseda,që përbënë një veçanti ,ndoshta të pathëna tek jetët e shenjtorëve.Është një dokument i rrallë,që zbulon ose më mirë deshifron,që do të shprehi se ç’prirje do tu jepte shenjtori Baba Alush Frashëri,frymëzimit poetik të Naimit.Ndiqni ritmin e bisedës.Në përmbajte shfaqet e qetësuar,e zakonshme,gati e rëndomtë,mirëpo brendia e saj është plot thesare.Thesarët e kësaj bote, nuk fshihen në brendi të tokës,por rrojnë në thellësitë e shpirtërave . Kapjen e fillit,që shenjtori Baba Alushi,bënë për ti paraprirë poezisë,delli i pashfaqur ende i Naimit,nuk dihej rruga, që do të ecte,traga dhe fushpamja që do të përshkonte , gjurmët nuk shiheshin qartazi,por brendia e shpirtit pluskonte lëvizje sizmike.Si e përcakton magmën që vlonte ,brenda atij shpirti poetik por të pazbuluar.Duhet vlersuar edhe kontributi i Baba Tomorrit,që ka sjellur këtë dokument që është rruga e transkiptuar ,leximi i të cilës është paraprirë nga fryma e Baba Alushit.

 

BISEDA E BABA ALUSH FRASHËRIT ME ABDYL FRASHËRIN

 

Baba Alushi :-Ju mor bir keni përpara një voli të madhe që mund të mbeti me emër të pavdekur . Eshihni”Hadika-n” e Fuzuliut,që ka përkthyer nga turqishtja në shqipe im atë Dalib Frashëri?Sado,që kjo libër është sot për sot epashtruar nga fjalët arabishte dhe persishte,prapë kur këndohet nëpër teqera gjatë dhjetë ditëve të Matemit,e bën popullin të mallëngjehet,sepse populli nga kjo libër ngjarjen e Qerbelasë e dëgjon në gjuhë të tija dhe e kupton.Mua mor Dule,sado që më zuri pleqëria,më vjen të fluturoj me krahë,kur kujtoj se gjuha shqipe,më e pasur në zanore dhe më e tingëllueshme në gjuhra të tjera,mund të ketë shpejt a vonë librat me shkronjat e posaçme.Eshtë një gjuhë që ka shtatë shkronja zënore aeëiouy,kurse shumë gjuhë të tjera,që njohim,lanë të shumtën deri pesë zanore,është një gjuhë e pasur edhe nga fjalët,por kjo pasuri sot për sot është e fshehur si një thesar i mbuluar në truall.Abdyli ;O i shenjti baba,unë përfytyroja si të bënj për Naimin dhe Samin,e shenjtëria juaj më futët në ca thelësira,që më hutuan.Baba Alushi:-Ja,këtu qëndron e tërë çështja biro.Ti me të shpejtë mblidhi gjithë ç’ke dhe shpjerë tët vëllezër në gjimnazin e Janinës,nga do të dalin shumë të mësuar.Por tët vëllezër ti i ke në qafë,kur të dalin nga shkolla,t;u kujtosh të ngjallin librin e gjuhës fjeshtë shqipe,qe kësi mënyre të zgjuhet e të ngjallet populli shqiptar.Shkruar nga Gjysh Ali Gjirokastra.Në të vërtet është emri i Baba Ali Tomorrit.Shkrimtar,publicist.Bektashi me gradën Baba.

 

SHQYRTIM I BISEDËS

 

Depërtim në shpirtin e Naimit.Babai i asaj teqeje malore të Frashërit,ky baba Alushi i i urti, frymën poetike të atit Dalib Frashëri,shkrimtar bektashi,myhyb i teqes së Frashërit,përkthyes i Hadikatusuada të Fuzuliut ,në gjuhën shqipe me gërma arabe 1845,ia transkipton labirintheve të fshehta,por të kthjellta të zemrës së Naimit.Duke depërtuar nëpër mjegullina të kohës mësohet se Dalib Frashëri ka patur potenciale të mëdha.Hadikaja është shkrirë në gjashtëdhjetë e pesë mijë vargje.Hixhretiu ka qënë një farë kohe pseudonimi i tij.Ndërkaq nga rrapi i frashëriotëve është edhe ungji i Baba Alushit.Shahin Frashëri në 1868 me 12 mijë vargje bëri historinë e Myftarit në ballinën të së cilës shkruhej Myfternameja.Që në fëmijërin e hershme kur Naimi mbyllej në teqe,i ulur pranë zjarrit me dru lisi,dëgjonte i mahnitur Hadikanë e kthyer me kaq ëmbëlsi në shqip nga Dalib Frashëri,ky frashëriot shqiptar,bektashi dhe atdhedashës. Pikërisht fryma poetike e këtij bejetexhiu nuk humbi.Era nuk e rrëzoi në përruan e thellë.E zgjoi atë ëndërr të fshehur,shpirti i lartësuar i baba Alushit të Frashërit.Prandaj ndikimi i baba Alushit nuk shfaqet rastësor,i beftë,por është përcaktues është një lloj skalitje siç bënë me gurin skulptori,ky shenjtor me frymën e tij paracaktoi një fat duke i dhënë drejtim tragës poetike,që Naimit i shquhej,përveçse zbulimit,do ti përkiste shenjtorit Baba Alushi.Ky shenjtor me potenciale të fuqishme e pa se fusha,që do të pushtonte Naimi ishin letrat shqipe,gjurma e tij ka mbetur në këtë letërsi,pikërisht në saj të forcës,që i dha fryma e shenjtorit Alush Frashëri.Duke zënë fillin e kësaj bisede i hyjmë një shqyrtimi me disa variante,për të zbardhur ose më saktë për të ndriçuar pjesët e errta,të thelluara të mbetura nëpër labirinthet e shpirtit.Kur Baba Alushi është i interesuar të dijë se ç’farë mendonte Abdyl Frashëri,pra duke dashur të zhbiroj me zemër rrugët,që do të rrihnin tre frashëllinjtë,Abdyl Frashëri një djalosh intelektual,e ka kuptuar rëndësinë e frymës duke e shprehur me përmbledhjen efjalëve”…por unë më përpara kam nevojë për uratën tënde dhe këshillat tuaja…”

Abdyl Frashëri njeh mirë uratën e bektashinjëve.E kërkon këtë uratë për të mësuar rrugët që do ti paraprinin dy vëllezërit e tjerë.Nuk është e vështirë për Baba Alushin të përcaktonte në këtë takim rrugënisjen e Naimit drejt letrave dhe rrugëçelësi ishte pikërisht dora e këtij shenjtori bektashi.Madje thuhet se ky Baba Alushi ka patur frymën e një imami.D.m.th pas fytyrës së tij,pra trashëgohej fryma e imamëve të shenjtë, interevenohej, zbriste qiellor me rendje flatrash në qiellin e shpirtit.E segmentojmë të gjithë bisedën për arsyen e këtij qëllimi.Këshillat.Në të vërtetë e zbërthyer kjo fjali është një urim shenjtorësh,që merret.Dhe në atë hapësirë të ngushtë shumë pak vetë kishin njohuri nga çaste të tilla të frymëzimit.Ndërkaq patrioti Abdyl Frashëri zotëronte një farë njohurie nga kjo fushë,për të cilën ai ishte koshentë se mrekullit e duarve të shënjtorëve nuk ishin rastësi dhe Baba Alushi ishte mbartësi i kësaj fryme të shenjtë,në një shkallë të lartë përsosmërie.Ai ishte vizitor i përhershëm i teqes ,që ishte në një farë mënyrë shtëpia e tyre,pas largimit të Halidit dhe shuarjes së Emines, teqeja ishte pikëmbështetja e vetme.Ndjekim gjurmët e fjalive të Baba Alushit.

1-Fjalia e parë:Ju mor bir keni përpara një voli të mëdha që mund të mbeti me emër të pavdekur…

Shqyrtim.Ndriçon,një përgjigje e thjeshtë? Kurrësesi. Por pas mjegullës së dy shekujve.Naimi është bukurisht,poeti më i bukur.Më tërheqësi.Më interesanti . Naimi mbylli sytë në vjeshtën e ftohtë,kur ëngjëlli e nxori përtej këtyre horizonteve.Atje ku humbet mjegulla dhe qielli ka veç përjetësi.Dhe prej atij momenti.Naimi jeton.Dhe vazhdon të jetoj.Kur dielli lind në lindje,perëndon në perëndim,fryma e Baba Alushit lind,por s’perëndon. Kurse Naimi rilind,prej hirit të vet.Ku ka fluturuar shpirti i shenjtorit Baba Alushit,për të ndriçuar zona të errta?Zbritja e thënies se ky baba ka patur frymën e një imami mbështet një vërtetësi.Vetëm imamët janë zbulues të thellësive,kërkues,deshifrues. Ata, vetëm, zbresin atje.Në të vërtetë ngjiten atje.Ecin mjegullisht, lehtësisht,portën e zemrës e zhvendosin. Lexojnë me sy të shpirtit nëpër përmendje,gdhëndjet e fatit të skalitura kushedi nga cila dorë e padukshme. Identifikojnë dorën e bekuar të Baba Alushit.

 

Përkufizimi i Baba Alushit

 

2-Përkufizimi i Baba Alushit:..që mund tëmbeti të pavdekur…

Shqyrtim.Pritja e gjatë një shekull.Dhe para tij s’ishin bërë zbulime të kësaj natyre,ose nuk njiheshin.Tre frashëllinjtë nga dera e ndritur e frashëllinjëve mbetën me emrin e paharrueshëm,ndonëse koha ka një largësi të madhe nga kohëlargimi i tyre.Emri i Abdyl Frashëri është i pavdekur.Është emri, që ka lidhur bashkimin e shqiptarëve në ditët e rilindjes.Emri i Samiut është i pavdekur në literaturën shkencore turke dhe kulturën shqipe.Emri i Naimit është i pavdekur.Naimi më i bukur,nga zëri i poetëve shqiptar.Mirëpo pas “kuintave” mbeti përcaktues i fateve të tre frashëllinjëve Baba Alushi, i heshturi, i mençuri,shpirtndrituri.Ka një të vërtetë. Edhe në përvojën botërore kohëbërësit marrin të gjithë vlersimet.Ndërkaq qëndrojnë në hije,inspiruesit e tyre, fatëpërcaktuesit , urimdhënësit,rrugëçelësit.Yjet xixëllojnë, por kush i ndrin yjet? Shpesh njerëzia rend, pas yjeve,duke haruar bërësin e yjeve.Po sikur bërësi i yjeve ta linte shkretinë,kupën e qiellit,pas kujt do të rendëte njerëzimi?Frashëllinjtë u bënë të ditur,të mirë, shqiptarë, rilindas, poet, diplomat, shkrimtar,por personazhi ,që lexohet pas këtyre figurave,shenjtori që u ndihu fatit të tyre,quhet Baba Alushi.Kujt do ti kërkonin shpëtim,tre djemt e Halidit dhe Emines,atje në Frashërin e largët,nëse baba Alushi nuk do të ekzistonte?Si do të shkolloheshin ata,kur në varret e prindërve të mirë Halid dhe Emine, bari ishte rritur një pëllëmb,nëse Baba Alushi nuk do të zgjidhte qesen e buxhetit të vogël të teqes,për ti dërguar për shkollim në Janinë?Cili ishte ai që u pa dritëzën,që shkëlqente në sytë e tre frashëllinjëve?

Qelqor zbarthimi, që kryen Baba Alushi,por një vështrim hidhni me imtësi në ritmikën e bisedës. Vrojtimi është një element përcaktues.Por si i përcakton fatet e tyre sidomos të Naimit,baba Alushi?

3-Zbardhim fjalin e dytë.Thënia e Baba Alushit:”…E shihni “Hadika-n e Fuzuliut,që kapërkthyernga turqishtja në shqipe imë atë Dalib Frashëri…

Shqyrtim.”Hadikaja”është një krijim i shkëlqyer i Fuzuliut,nxjerrur brilantet në sy të dynjas.Këtë vepër të madhe,një farë soji një thurrje shpirtërore për shenjtorët e rrëzuar në Qerbela e nxorri në bregun e shqipes,por me gërma arabisht Dalib Frashëri,”Hixhretiu”.Ky Hixhretiu frashëriot e patriot ishte një bektashi i mirë.Flitet se ai ishte i inspiruar thellë me bektashizmën.Ishte edhe myhib i teqes së Frashërit. Bektashizmën,ua trashëgoi pasardhësve të vet.I biri Alush Frashëri u fut thellë në këtë rrugë,mori dorë dhe ndoqi parimet fetare të tij duke u lartësuar sa arriti gradën Baba dhe thuhet se ka një rëndësi të madhe në përgatitjen e lëvizjes dhe realizmin e Lidhjes së Prizërenit.Dalib Frashëri siç ka qënë edhe tradita e shkollave të kohës njihte arabishten dhe turqishten,persishten,gjuhë në të cilat zinte vend literatura fetare.Duke qënë një bektashi dhe myhib i teqes së Frashëri ai kishte vrojtuar se në 10 ditë, që mbahej matemi,d.m.th agjërimi i zisë për dëshmorët e Qerbelasë në mejdane të teqes lexohej “Hadikatus suada”në gjuhët e huaja,kryesisht turqisht, mbasi kjo e fundit ishte bërë gjuha qëndrore,kur lidershipi i islamit u përqëndrua në duart e sulltanëve.

Dalib Frashërit ju shfaq në ëndër.Ka rrahje dhe gjaku shqiptar.Duke qënë se njihte mirë gjuhët origjinale përmbi të cilat ishin derdhur shkonjat e Fuzuliut,dhuntia e Fuzulit,për dëshmorët e Qerbelasë.Dalib Frashëri kishte një farë mbarësie për njohjen e gjuhëve, mirëpo brenda vetes e brente ndërgjegjia përsa kohë vall do të heshte Hadikatus duke mos folur në gjuhën e tij,mbas një punë të gjatë ka përkthyer “Hadikus suada –turqisht në “Kopshtin e të nderuarvet”, në shqip.Kjo vepër filloi të lexohej në teqe.Libri lexohej shqip,pavarësisht se ishte shkruar me gërma arabe.Fillë pas kësaj thuhet se ka patur një interes për bektashizmin.Një arsye mbetet se në të gjitha kultet,literatura fetare ishte në gjuhët e huaja si gjuha arabe,turke.Veprimi D.Frashërit është fillëpërpjekja për të çliruar gjuhën shqipe dhe kryesisht literaturën fetare nga ngecja.Gjurmët e këtij ndikimi ishin rëndësore për ardhmërinë e literaturës shqipe tek kultet e bektashinjëve.Megjithëse sot ka më tepër mjegull, paqartësi arkivat tona janë të boshatisura nga faktet të tilla,por rikujtesa e bektashinjëve është një admirim i vecantë për shekullin e XIX,ku jetoi D.Frashëri,të dhënat deshifrojnë se ka qënë një talent në poezi,bejte vjershërim,traditë që u njihet bektashinjëve. Ndërkohë në një krijim të D.Frashërit,gjejmë disa elementë të panjohur,të dhënat që përcjell D.Frashëri mbeten të habitshme për mënyrën e zbulimit që Fuzuliu i Bagdatit është ndikuar nga Imami i lartë Aliu,për të hedhur dritëzim rubin për të vrarët dëshmorë në rërën përvëlonjëse të vendit të quajtur Qerbela. D.Frashëri tesktualisht përmend:”Veç Sulltan Fuzuliu-qe serri hiqmet/I kandisi Aliu,i dha isharet…

Sulltan Fuzuliu ishte shkrimtar,që nxorri në dritë “Hadikatus suada” ose “Kopshtin e të nderuarvet” . Gjithë pesha,dhimbja, që përshkruat atje është mishërim i tragjedisë njerëzore,kur qielli heshtje yjesh u fali të vrarëve dëshmorë,rrëzuar,masakruar barbarisht në rërë,në shkretëtirën e Qerbelasë.Edhe qielli i quajti mëkatar jezitët,farën e keqe të mauvinjëve,që pabesisht ishin të gatshëm të kthenin çdo lule,që sjell pranvera në vdekësirë.Bota me ardhjen e muavinjëve,aprovoi djallëzin, marrëzinë,poshtërësinë,ekzistenca e të cilëve ishte burim i pashtershëm vuajtjesh.Fuzuli sulltani,çdo mëngjes kur zgjohej klithma rënkonte për të vrarët në Qerbela.Ndërsa gjurmët e krimit kërkonin ti fshihnin jezitët,mauvinjtë,Fuzuli sulltani bëri një vepër të mirë,që ndalonte edhe rrahjet e zemrës,ndonëse kemi shekuj përpara, që nga koha e saj ende përkujtohen me po atë nderim,dëshmorët e frymës së shenjtë të rrëzuar në Qerbela.Thuhet se Fuzuli sulltani mund të jetë inspiruar nga fryma e Imam Aliut gjë që besohet si e tillë,për të ndërtuar një vepër ku dhimbja është prezente dhe mesazhet e qartësuara.Prandaj zemër mos e harro Qerbelanë,për të mos harruar harresën,duke qënë se janë bërë mauvinjtë,i vetmi qëllim i ekzistencës së tyre.Është e çuditshme,por Naimi është quajtur “Fuzuliu i Shqipërisë”.C’lidhje mbetet në të dy krahët,në të dy shpirtërat e lidhur mes Naimit dhe Fuzuliut?Të dy derdhën,lot dhe brengë trishtimi përshkruan denjësishtë një histori njerëzore,që asnjëherë kurrë nuk do të harrohet ngjarja tronditëse e Qerbelasë.Por si do të gjykojmë faktin,që Baba Alushi,gdhend,emrin e Fuzuli Sulltanit në atë bisedë në teqen e malore të Frashërit? Përse duhet ta identifikojë emrin e tij.Emri i Fuzuli sulltanit nuk erdhi befasisht në mëndje.Ai ishte i gdhendur brenda pareteve të konturuara të shpirtit poetik të Naimit.Lëvizste brenda tij,sëbashku me të.Duke qënë se logjika nuk shkonte aq thellë, Baba Alushi i pa sytë e tij brenda këtij shpirti,kur po lindte dielli i Naimit.Ndërkaq ne gjejmë të dhëna ,që shpresonim të mos kishin humbur se shumë vite më vonë,poeti që mori uratën në këtë teqe malore u quajt:

”Fuzuliu i Shqipërisë”.Shpirti lëvizës i Fuzuli sulltanit ka blatuar,brenda shpirtit të Naimit.Kur perëndonte shpirti i Fuzuli sulltanit,ose mjegullisht po mbulohej, muzgu po riniste,rilindte drita e Naimit,saktësisht,një ditë pranvere në teqe të Frashërit.

4-Fjalia e tretë.Vijojnë thëniet e baba Alushit.

…Sado,qëkjo libër është sot përsot e pastruar nga fjalët arabishte dhe persishte,prapë kur këndohet nëpër teqera gjatëdhjetë ditëve të Matemit,e bënë popullin të malllëngjehet,sepse populli nga kjo libërngjarjen e Qerbelasë e dëgjon në gjuhëte tija dhe e kupton……..

Shqyrtim.Përmes mijëra syve,lexon dritën.Përmes fjalëve të baba Alushit shqyrton Qerbelanë e mpiksur në shpirt që pluskon,por ai shpirt duhet të vihej në lëvizje sizmike.Po nuk u lodh shpirti,fortësisht zgjuar , çuditërisht nuk mbetet gjurmë,por dhimbje.Kush e zgjoi ëndërrën,që flinte tek Naimi?Naimi do të përgjigjej:Më zgjoi dora e shenjtë e baba Alushit ?

PRURJA E MADHE“QERBELAJA”

Si do të shfaqet “Qerbelaja” nga dora e Naimit?10 mijë vargje.Pas ndonjë formule të fshehtë të Baba Alushit,Naimi me një kthjelltësi pranverore,solli prurjen më të madhe,10 mijë vargje Qerbelanë, poemën drithëruese,për 72 të vrarë pranë lumit Eufrat,në Qerbela.

PJESË NGA POETIKA E NAIMIT PËR QERBELANË

Zot i madh!për Qerbelanë!Për Hysejn’ e për Hasan!per ata të dymbëdhjet!/që hoqën aq keq në jetë!/….Shqipërinë mos e lerë/të prishet e të bjerë/po të jetë gjallë për jetë/ gjithë çiduhet,ta ketë/të rroj’ e të mbretërojë/të jetë lulez e zonjë/fali të vetës urat/që të jetë gjatë//Shqiptari trim me fletë/si ka qënë,le të jetë/të ketë gjithë urtësinë/të vdesë për mëmëdhenë/Si Myftari për Hysejnë/të ngjajë me Ibrahim/Edhe me Eby Myslim/të jetë trim e i mirë/po të mos jetë egërsirë/të jetë i qytetëruar,/i ditur e i mësuar/t’i apë nder Shqipërisë/U bëftë e Perëndisë.

 

PREZENCË E PËRHERSHME SHQIPTARE

 

Maj 1878.Koha e baba Alushit është një kohë me,njerëz të çuditshëm,patriotë të pazakontë.Në këtë teqe baba Alushi mbajti të ngrehur prezencën e përhershme të një ndjenje kombëtare.Shërbimi i teqes vihet në realizim të programit të rilindjes.Baba Alush Frashëriishte drejtuesi i punimeve të kuvendit të kazave të jugut.Teqeja e Baba Alushit.Eshtë një ditë,që nuk i ngjiste tjetrës.Dita e fundit e majit 1878.Teqeja e baba Alushit,në lartësi të këtyre maleve,të Kokojkës, ndjeu shkelqimin,që afronin burrat e shquar të trevave jugore ditën,kur ata, hynë në mejdanin e teqes.Organizimi ndërkrahinor i përfaqësuesve të kazave të vilajetit aty pati fillesë.Vali i Janinës Mustafa Asim Pasha,përdori forcën,por teqeja në Frashër,ishte në largësi nga qëndra e vilajetit.Kryeqëndra e shqiptarizmës në hartën e teqeve ishte Frashëri.Kryeqëndra,një teqe e thjeshtë, pushtuar nga gjelbërimi i korijeve.Atje ku netëve merrte udhë komunikimi me Krijuesin,burrat e shquartë trevës jugore,kërkuan “rrugëkalimin”,për të ndalur coptimin e trojeve.Kjo teqe e katundit Frashër,një çast të jetës së saj do të rilindte duke pritur ditën,kur krerët shqiptare,formuan atje“Lidhjen e vogël të Prizrenit”.Për baba Alushin dhe dervishët e saj ishte krijuar bindja se pa trojet e tyre,besimi i tyre,njëmend do të mbetej pa qënë asnjëherë shqiptare.Feja më e mirë e këtyre shqiptareve të mirë,mbetej ruajtja e tërrësisë territoriale.Kështu baba Alushi dhe klerikët e tjerë e kuptuan se koha nuk ishte kur të binte muzgu,për të qarë fatin e keq të kombit,por duhej hapur shpirti. Ajo kataklizmë,që po afrohej me stërbim, duhej gjetur menyra për ta shmangur.Kështu ata,ju vunë punës, pa ndjerë lodhjen e shpirtit të tyre,përpara dhimbjes së madhe.Kështu teqeja e Frashërit shkruan prologun më të ndritur të ditëve të rilindjes.Në strehën e largët jugore të Frashërit, kaq larg mesvedit,u ngjiz një çështje jetike për shqiptaret.Ishte Zoti vet,nën fytyrën e të urtit baba Alush Frashëri,që paratha shumë gjëra.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Baba Alushi, Gezim Llojdia, Halid Frasheri, vellezerit Frasheri

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT