“ARTI DHE FAMILJA”, EKSPOZITË FOTOGRAFIKE NË NEW YORK E AKTORIT ALEKSANDER RRAPI
Aleksandër Rrapi, një ndër aktorët emigrant më të aktivizuar në Europë , në New York vjen me ekspozitën fotografike “Arti dhe Familja”. Ekspozita do të hapet me 25 Maj 2013, ora 18.00 në Art Studio NALLBANi, që ndodhet në adresën:
368 Broadway St. #412, NY 10013
Archives for May 2013
SHOQERIA E PARE SHQIPTARE NE AMERIKE”MALLI I MEMEDHEUT”
Shoqeria “Malli i Memedheut” u themelua ne 1905 ne Jamestown, NY, si e para shoqeri me fryme kombetare ne Amerike.Arkitekt ishte martiri i shkronajve shqipe, i shkolles Shqipe, Petro Nini Luarasi, i cili kishet gejte strehe ne vendine lirise, Amerike.
Në prill 1904, P.N.Luarasi ishet arratisur nga burgu ku ishte mbyllur nga qeveria turke dhe u strehua në Shtetet e Bashkuara, si emigrant politik. Në Sh.B.A. Petro Nini Luarasi zhvillon një aktivitet të gjërë. Krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane : “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”, ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës autoqefale shqiptare në Sh.B.A., themeloi librarinë e parë me libra shqip e anglisht, bashkëpunoi ngushtë me Kristo Dakon , lider i protestantëve shqiptarë në Sh.B.A., për të futur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët ishin të tërhequr e të frikësuar nga reaksioni shovinist mbi familjet në atdhe. Petro Nini Luarasi përçoi kudo tezën: “Kombi mbi të gjitha”.
Më 1908 u kthye në Shqipëri së bashku me disa miq e farefis, për të luftuar si komitë për çlirim. Në atë kohë u shpall Hyrieti e ai filloi veprimtarinë patriotike legale duke u lidhur ngushtë me misionarët protestantë amerikanë, çiftin Kenedi. U helmua me 1911 nga armiqtë e kombit. Por fjala e tij u përjetësua në vepër: “Ruamani gjakun, se do të duhet për shkrimin e gjuhës shqipe…Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi !”
SHEMBULLI I TRAFIKIMIT TË NARD NDOKËS, SHENJË E DEGRADIMIT TË SISTEMIT POLITIK
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Demokracia në Shqipëri është duke përjetuar traumën më të thellë. Atë të trafikimit të deputetëve, i cili është kthyer në gangrenë për sistemin politik.
Trafiku i deputetëve, kalimi sa majtas-djathtas, i të njëjtave fytyra, me qëllimin e vetëm për të uzurpuar pushtet paraqet sot fenomenin më negativ, ku amoraliteti i politikës është kthyer në modë, duke rënë në veshin e shurdhër të mediave dhe shoqërisë civile. Dhe përbën një dramë të madhe fakti që zëri kritik luftohet me të gjitha mjetet, dhe ata gazetarë të paktë që guxojnë të kritikojnë, sulmohen nga skalionet e zagarëve të militantëve si „tradhtarë“ të idealeve të partisë të Sali Berishës apo si „të shitur“ tek opozita apo të ashtuquajturit kundërshtarë. Them të ashtuquajtur, sepse sot ata janë armiq për vdekje midis tyre, nesër janë aleatë të përbetuar. Shembulli tipik është Sali Berisha-Arben Imami, Berisha-Meta, Rama-Meta tj.
Trafikimi i deputetëve ka goditur në zemër standardet, vlerat dhe parimet e demokracisë, sepse mbajtja e pushtetit apo marrja e pushtetit është kthyer në paranojë, duke rrezikuar stabilitetin e vendit.
Nëse mediat do të operonin me mjete të ndershme, plagët kishin shans të kuroheshin. Ndërsa kur mediat operojnë me mjete të pista, kur tregojnë atë që kanë interes të tregojnë dhe fshehin atë që kanë interes të fshehin, duke e privuar opinionin publik nga e vërteta, dhe duke e dirigjuar opinionin publik atje ku duan ata, si duan ata dhe për kë duan ata, atëhere vendi jonë po rrezikon të kthehet në një shtet rogue, të paaftë për të qeverisur bazuar në shtetin e së drejtës, ku tre pushtetet duhet të ushtrojnë në mënyrë të pavarur detyrimet kushtetuese, sikundër edhe pushteti i katërt, që duhet të jetë barrikadë në mbrojtje të demokracisë.
Fati i gjithçkaje është në dorën e njëshit dhe interesave të tij. Deputetët hyjnë e dalin nga listat si të jenë dele. Dalin pa zhurmë dhe futen pa zhurmë.
Nuk ka garë, nuk ka meritokraci, ka trafik dhe memecëri. Nuk po marr këtu të diskutoj rastin e Kastriot Islamit, siç po e diskutojnë disa, të mbetur jashtë listave sot, si „Kaçi i zi“. Profili i Kastriot Islamit si politikan ka ndryshuar, ka qënë konsekuent në kritikat e tij për hir të interesave madhore të vendit. Do të ishte e ndershme që Islami të krijonte parti të tijën të majtë, se sa të ndryshonte kravatën nga të kuqe në blu, por ky është stili.
Do të fokusohem tek Nard Ndoka, jo si person, por si një prototip i deputetit të trafikuar.
Si kryetar i Partisë Demokristiane, Nard Ndokës në zgjedhjet e 23 qershorit, i është dhuruar karrikja e deputetit, pasi është i katërti në listën e PD në Shkodër.
Në të largmen e afërme, në protestën e „puçit“ të 21 janarit 2011, ishte i rreshtuar me puçistat ose thënë ndryshe ishte njëri prej puçistave.
Nard Ndoka, po ashtu, është nga më agresivët që nuk i ka ndalur akuzat dhe sulmet kundër Nr.2 të PD, zonjës Topalli. Jo më larg se 17 tetori 2011, Nard Ndoka e quante Topallin publikisht « kone e përkëdhelur e Berishës që shpesh krijon tensione“. E akuzoi edhe për vjedhje votash më 2009, por pas numërimit doli se kishte dy-tri vota më shumë nga sa duhej. Tani Jozefina Topallit do t’i duhet të dalë në fushatë me Nard Ndokën. Situatë shumë bizare.
Në faqen zyrtare në Facebook të Partisë Demokristiane, ku Nard Ndoka ka vendosur deri fotot më të fundit nga takimi i djeshëm tek Top Story i Sokol Ballës, po të hedhësh një sy kurioz dhe të zbrezësh në 19 marsin e 2012, do të shohësh publikimin e një interviste të kryetarit të saj që mban datën 19 mars 2012, ku Nard Ndoka e akuzon Berishën se „e ka shndrruar Partinë Demokratike në kazermë ku individët trajtohen si merecenarë”.
Por nuk kalojnë as 11 ditë, dhe më 30 mars 2012, Partia Demokristiane e Nard Ndokës publikon po në faqen e saj zyrtare në Facebook se“ PDK po shqyrton ofertat e bashkimit me PD“.
Më tutje shohim mbërritjen e „ofertës“, goxha të majme, ku më 1 tetor 2012, Nard Ndoka emërohet zvministër i brëndshëm nga kryeministri i Shqipërisë! Dhe para disa ditësh iu fut Jozefina Topallit në listat e Shkodrës! Tani shtypi rozë i Tiranës po thotë se zonja Topalli nuk po e përmend më emrin e Berishës nëpër mitingje! Po si t’ja përmendë! Ajo ka ba « hara kiri » politik për të!
Ju pyes, ju njerëz të nderuar, a ka moral këtu? Kush e ka tradhtuar Sali Berishën dhe PD: ne apo vetë ai, ka tradhtuar veten e tij dhe PD dhe shpresat tona, që e mbështetëm për njëzet vjet, sepse besuam që e djathta shqiptare do të kishte rolin kryesor, edhe në ndërtimin e shtetit ligjor, edhe për të krijuar një klasë politike me standarde Perëndimore!
Nard Ndoka s’ka lidhje me asnjë standard perëndimor, veç me trafikun, i cili mund t’i kthehet Berishës në një bumerang me efekt të menjëhershëm, kur të gjithë të listuarit e importuar nga PS dhe pseudoaleancat e tij, të rikthehen nga ardhën. Për një « ofertë » më të mirë! Diçka e ngjashme me Ilir Metën, por jo tre muaj para zgjedhjeve, si veproi kryetari i LSI, por disa ditë a javë pas 23 qershorit! Dhe pastaj Berisha do t’i kërkojë llogari vetvetes se si ia shiti shpirtin Nard Ndokës!
Zhgënjim i Berishës ndaj Nard Ndokës, gjithësesi do të jetë i vogël, po të krahasohet me zhgënjimin tonë 20 vjeçar! Sa të marrë paskemi qënë !
Po gjithësesi tani na janë hapur sytë!
Më mirë vonë se kurrë!
NJE DITE QE HARROHET-DITA E JETIMËVE… “20 MAJI”
Nga Fritz RADOVANI/ Melbourne-Australi/
20 Maji asht “Dita Nderkombtare e Jetimëve”! Ndoshta, nder ma të veçantat…
Hana ka një pjesë të sajen që njerzimi nuk e ka pa kurrë! Edhe Toka ku jetojmë na ka një pjesë të veten që shumica e njerzimit nuk e ka njohtë kurrë këte emen! Ata janë “jetimët”!
Asht kohë e gjatë, shumë e gjatë, që mendoj me shkrue per këte ditë, me të cilen, më lidhi perjetsisht data 13 Tetor 1943. Plot 70 vjet! Një pjesë e trunit tim nuk dijti kurrë me thirrë Babë!
Të gjitha luftat në Botë, sjellin nder mija e mija fëmijë perditë “harresen” e emnave ma të dashtun, ma të shtrenjtë dhe të pazevendsueshem për ta në gjithë jeten, Emnat “Nanë e Babë”!
E sa pak “jetimë” janë bijtë e atyne perbindshave që i fillojnë e i mbarojnë ato lufta!
Shqipnia asht një nder shtetet ku fjala “jetim” asht e kudondodhun, mbasi rrethanat e saj historike në të gjitha kohët kanë “punue” me shtue perditë e pernatë këte mjerim dhe tmer në shumë nga familjet që perjetsisht, rritën e ushqyen me shumë sakrifica jetimët e tyne. Sa shumë do të shkruhej po të donim me tregue se kush punoi dhe vazhdon pa pikë mëshire me i shtue në Botë këta fëmijë që perjetsisht thirren “jetima”, dhe shpesh, edhe perbuzen se janë pa prind. Me një mimikë ftyre të perçudnueme ashtu si kanë edhe zemren ndigjon nga goja e tyne: “Lene mor ma, as mos u merr me té, ai asht jetim i rritun nder brefotrofe…”, sikur flet per lebrozë… E të tilla raste nuk janë të pakta aq sa mos me u perfillë nga shoqnia e sotme. Menjëherë mbas Luftës së Dytë Botnore, ndryshuen shumë koncepte në shumë shtete. Edhe jetimët u perfshine aty me ata ndryshime, dhe ma vonë kur filluen me u rritë, u percaktue edhe “kllasa” së ciles i perkiste edhe pse gjithë jeten e filluen dhe e mbyllen në vorfni pa njohtë fare prindët e vet.
Kujdesi per jetimët perfshihej nder grupe të percaktueme kryesisht nga prejardhje e tyne. Ndoshta, kjo bante që porsa fillonte një jetim me u rritë, ai duhej të percaktohej menjëherë edhe me etiketen “i kënaqur ase i pakënaqur”, që kushtëzohej me prejardhjen familjare të tij. Jo pak prej tyne ma vonë u shpallën të “pakënaqur” dhe banin pjesë në grupimin e “luftës së kllasave”. Ndersa, “ata” që mendoheshin të “besueshem”, vazhdonin shkollat e nalta ose në “specializime sekrete”, prej ku vinin kuadro të “besuara”…dhe, u sigurohej puna dhe e ardhmja e tyne…
Sot, mbas sa vjetësh, nepermjet këtij shkrimi due të tregoj se jo gjithmonë PPSh, ka pasë sukses në “rritjen e këtyne jetimëve”, në sherbimin e saj. Lexuesit duhet të me falin per tregimin tim me siglat FS, të emnit të nderuem per të cilin due me shkrue, mbasi ka mbi 25 vjet që nuk i dij rrethanat e personit. Ishte ditë vere e vitit 1969. Trokiti në derë dhe e ftova me hy mbrendë. Erdhi në dhomë dhe mbasi u pershndet me gruen time, e cila shkoi me pergatitë kafet, kjo më tregoi se një mësues që kishim punue me té, i kishte kerkue nder ato ditë, që kjo, me pranue per me denoncue per mue se “unë i kam tregue atyne barceleta me karakter politik kunder pushtetit”, gja e cila nuk ishte aspak e vertetë. Kjo me një qendrim autoritar të natyrës së saj, menjëherë e kishte shikue me perbuzje dhe i kishte thanë: “Çfarë më kujton ti mua, si mund të keni guxim jo vetem per të shpifur per Fritzin, per diçka që nuk e kam dëgjuar kurrë nga ai, por edhe kerkoni që të bëni edhe të tjerë shokë si veten shpifës, per të shkatrruar familje dhe jetë njerëzish! Turp të kini per këte dhe të lutem, mos e zini më emrin tim në gojë, se nuk dua t’iu shikoj as fëtyren!”
Mbas tri ditësh ka ardhë tek unë dhe më ka sinjalizue për këte tradhëti të organizueme nga ai bashkpuntorë i sigurimit të shtetit… Nuk po e publikoj emnin e tij (FL) se ka ngordhë.
Ju them të verteten se kushedi sa kohë kam ndejë tue mendue me vete: “Si mundet me ngja që një vajzë që e njihja shumë pak, dijshe se asht jetime, po jo, se asht Burrneshë e vertetë.”
Ajo nuk ishte as nga Shkodra…ndersa, spijunët organizatorë banonin tek çinari…
Ajo ishte rritë deri në moshen 20 vjeçare pa njoh as Nanen e vet dhe as baben, të cilët e kishin braktisë fëmijë disa ditësh nder brefotrofe…e ma vonë në shtëpija fëmije, po duhet thanë dhe një e vertetë, se Ajo kishte pasë fatin me punue në arësim katundesh dhe me bashkjetue me shumë mësues të perfshimë nga “lufta e kllasave”, gja që i kishte brumosë në Shpirtin e Saj, një dhimbje dhe keqardhje të madhe, per persekucionin që u bahej nga komunizmi njerzëve vetem tue u nisë nga prejardhja e tyne shoqnore e mjaft shpesh, edhe krahinore apo fetare.
Ajo ishte shumë e sinqertë dhe, si e tillë, nuk i pranonte veset e gënjeshtres, mashtrimit, perbuzjes klasore, urrejtjes së besimtarëve katolikë…e per ma teper të shokëve të punës.
Ndoshta, sot mbas 40 e sa vjetëve, shumë kujt mund t’i duken të pabesueshme ngjarjet që kemi jetue para sa kohe, nder rrethana me rrezik jete…Por, jo vetem, i kemi jetue këta tmere, po as nuk duhet ti harrojmë edhe ata që vuejten me ne, e pra këta ishin “jetimë”…që PPSh mendonte me i pasë per vete dhe në sherbimin e saj, në sigurimin e shtetit terrorist…
Nuk duhet harrue thanja popullore: “Njeriu i lajmëruem, gjysë i shpetuem”!
Kushtet e jetës së tyne i detyruen me kenë nder konvikte apo shtëpija fëmije ku mengjesi dhe mbramja mbyllej me fjalët “parti Enver”…nga kujdestarët e atyne institucioneve.
Kam njoh prej tyne njerëz të mbrekullueshem që në dukje qendronin të ndrojtun, por në të vertetë mbrenda Shpirtit tyne ndrynin virtytet ma të mira të edukatës qytetare.
Shqiptarët sot duhet të krenohen per Figuren Botnore të Nanë Terezës, e cila në qendren e Shpirtit Saj, kishte të ruejtun dashunin dhe sakrificen per jetimët e gjithë Botës…
Per një fakt jam shumë i sigurtë se Jetimët, as nuk mendojnë, as nuk andrrojnë, as nuk e dishrojnë dhe, as nuk punojnë kurrë dhe asnjëherë, gjithë jeten e vet, që nga veprat e tyne Bota që i rrethon me pasë të pakten edhe një jetim ma shumë se ka!
Nga zemra iu uroj atyne fatzezëve që kanë këte emen, që e ardhmja të mos iu randojnë sado pak ndergjegjen e tyne me pamundsinë me i sherbye familjes e shoqnisë, me evitue në çdo kohë mundsinë me shtue edhe një jetim ma shumë në çdo vend ku i ka shpernda jeta.
Me shumë dashuni, u uroj jetimëve Diten e Tyne… 20 Maji 2013 !
Melbourne, Maji 2013.
Ismail Kadare: Në diktaturë, liria e vetme e shkrimtarit është gjuha e tij
Numri i parë i revistës filozofike franceze “NOOR” hapet me intervistën e shkrimtarit Ismail Kadaré dhe një tregim të Ylljet Aliçkës. Janë dy shqiptarë që zënë një vend me rëndësi në një botim të çdo përgjashtëmuajshëm, në një revistë të themeluar nga një grup i njohur intelektualësh francezë.
Në intervistën e tij Kadare ndër të tjera thekson se “Shqipëria nuk do kishte ekzistuar, nëse ne nuk do kishim tolerancën mes myslimanëve dhe krishterëve” dhe se “ishte jeta jonë e vështirë që na bëri të kuptojmë logjikën dhe nevojën e tolerancës”. Revista gjashtëmujore “NOOR” u shfaq suksesshëm këtë pranverë si një ide e një grupi filozofësh të njohur si Malek Chebel, Mark Ferro, etj, me synimin “të nxisë debate dhe reflektime mbi spiritualizmin dhe laicitetin, mbi racizmat dhe radikalizmat në ngjitje, sinjale këto të një bote që po vdes nga frika dhe që ushqehen gjithnjë e më shumë nga absolutizmi i mendimit dhe nga humbja e pasioneve kolektive”.
fa.ni.
Librat e tij janë të çuditshëm dhe me një finesë të madhe, që e bëri të njohur Shqipërinë në krejt botën, vend ky në zemër të Ballkanit, hyrja e të cilit në Bashkimin Europian ka mbetur në ‘stand-by’. Emri i tij është cituar vazhdimisht si favorit i çmimit Nobel. Është i martuar me shkrimtaren Helena Kadare, ndër shkrimtaret e para femra, që e ka botuar librin e saj të parë në vitin 1970.
Botimi i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i solli atij famën ndërkombëtare, falë përkthimit të Jusuf Vrionit. Në librin e tij të fundit “Mosmarrëveshja” (2012), ndër të tjera Kadare evokon fajet e vendit të vet, i rikthehet historisë së Shqipërisë dhe më konkretisht, duke kaluar nga gjysmë mijëvjeçari i zgjedhës otomane, deri në formimin e republikës, monarkisë, pushtimit hitleriano-musolinian, komunizmit stalinian e më pas atij maoist, para një kthimi hezitues ndaj demokracisë, teksa troket në portat e një Europe, e cila duket se po i sorollat ca…
Në tetor 2012 Këshilli Europian i parashtroi Shqipërisë një listë “prej tri kriteresh kyçe” për marrjen e statutit të vendit kandidat. Mes këtyre kritereve ajo duhet të garantojë funksionimin demokratik të parlamentit të saj, të reformojë administratën dhe të luftojë seriozisht korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Vendi juaj, nën regjimin e Hoxhës ishte i vetmi vend mbi planet që u deklarua krejtësisht ateist, duke frenuar të gjitha fetë. Cila ishte arsyeja e kësaj mase të jashtëzakonshme. Si reagoi populli shqiptar? Po ju vetë, si e përjetuat zhdukjen e Zotit me dekret?
Hoxha e justifikonte vendimin e tij, si përgjigje ndaj “kërkesës” së rinisë shqiptare. Kur e vuri në jetë këtë vendim në vitin 1968, ai përfitoi nga konteksti i lëvizjeve të atij viti në disa vende europiane, koha e lëvizjeve studentore dhe e revoltave sociale, ku ndër të tjera pati dhe lëvizje kundër kishës. Hoxha u përpoq ta justifikonte si një lëvizje progresiste. Edhe sot, unë ende nuk e kuptoj arsyen e vërtetë të këtij vendimi. Apo mos ndoshta kjo ishte një çmenduri e pastër e Hoxhës, një trill i një diktatori megalomaniak? Apo mos ndofta donte të imitonte “miqtë tanë” kinezë, në mënyrë që të fitonte simpatinë e tyre? Kush e di?
Si reagoi populli? U rebelua për t’i mbrojtur këto vende kulti?
Populli pothuajse nuk reagoi. Njerëzit kishin probleme të tjera, jeta e përditshme ishte tmerrësisht e vështirë. Kishat dhe xhamitë ishin braktisur prej 20 vjetësh më parë në diktaturë.
Ju vetë, prindërit tuaj ishit të besimit bektashi. Si e përjetuat këtë diktat?
Unë jam rritur në një shtëpi intelektualësh. Nuk shkonim as në xhami, as miqtë tanë të krishterë nuk shkonin në kishë. Një ndër krenaritë tona të rralla është bashkëjetesa paqësore e tri besimeve, shprehje e një tolerance fetare të jashtëzakonshme. Nuk do desha të them se kjo është rezultat i një pjekurie specifike shqiptare, ne nuk jemi më të ndriçuar se të tjerët. Ndofta ishte rezultat i jetës së vështirë, që na bëri të kuptojmë logjikën dhe nevojën e tolerancës. Edhe para ardhjes së turqve ne ishim mësuar me bashkëjetesën e dy besimeve të krishtera. Më pas u bënë tri besime, s’kishte arsye të ndryshonim.
Pse u konvertuan shqiptarët me ardhjen e ushtrisë otomane?
Një pjesë e popullsisë së varfër, u detyrua të konvertohej me dhunë. Disa të tjerë ndërruan kamp për arsye ekonomike, disa të tjerë për një fenomen tepër të rëndësishëm për shqiptarët, pasi vetëm një mysliman kishte të drejtë të mbante armë. Shqiptari ishte para dilemës: si do mundte ai të mbronte dinjitetin e familjes së tij pa armë? Ndodhte që një vëlla i po të njëjtës çati konvertohej dhe një tjetër jo. Pra, psikologjikisht ne ishim të përgatitur ndaj një jete sociale të tolerancës. Por pushtimi otoman nuk krijoi asnjë liri, pavarësisht iluzioneve, duke nxitur konfliktet mes klaneve. Feudalët ishin “të lirë” të bënin luftë mes tyre. Sot, nëpërmjet fesë së Islamit, Turqia përpiqet përsëri të ndikojë dhe modifikojë konceptin tonë të jetës sociale. Perandoria otomane duket se po rivjen në një tjetër formë.
Pas rënies së diktaturës, fetë e mëdha, nëpërmjet emisarëve të tyre u përpoqën të riinvestojnë shoqërinë shqiptare?
Ka tendenca radikalizimi dhe kjo s’është gjë e mirë. Prej mbi 20 vjetësh shoqëria shqiptare përpiqet të rindërtojë identitetin e saj kulturor, social e politik, që i përshtatet. Por pavarësisht mjaft rindërtimeve të xhamive apo kishave, unë nuk shikoj ndonjë ndryshim të rëndësishëm në zakonet e bashkëpatriotëve të mi. Nga ana tjetër, disa madje tentojnë të rishkruajnë historinë tonë duke minimizuar veprën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që sipas meje duhej të ishte përfshirë në historinë europiane. Padyshim që politika kërkon të përfitojë nga gjithfarëlloj radikalizmash, fundja si kudo.
Ju vetë jeni shënjuar nga literatura antike dhe mitologjitë helenike. Atëherë çfarë influencash keni pasur?
Letërsia më ka mbrojtur nga çdo influencë, ideologjike apo fetare. Ashtu dhe populli im, i cili ka të tjera probleme për t’u ndikuar. Ne shqiptarët jemi popull i emancipuar, ndofta më i emancipuari në botë. Europa duhet ta marrë seriozisht në konsideratë tolerancën tonë. Ajo duhet ta mbrojë dhe mbështesë vendin tonë, pasi ne përfaqësojmë një shembull unik dhe tepër të çmueshëm.
Çfarë rreziku paraqet në vendet e Europës Lindore “nacionalizmi” i ri?
Patriotët shqiptarë, shumë përpara se Shqipëria të ekzistonte si komb, kanë zgjedhur Marsejezën si himnin e ardhshëm kombëtar, pasi ajo simbolizonte lirinë, vëllazërinë, barazinë.
P.Hajnrih Bël ka thënë “Gjuha ime është djepi im”. Nëse ju zëvendësoni termin djep me komb, atëherë nuk është i njëjti kuptim?
Në diktaturë, liria e vetme që i mbetet një shkrimtari është gjuha e tij. Për këtë arsye ne lexonim male me libra. Për pasojë realiteti zhdukej pas këtyre librave……
(Kortezi Gazeta Shqiptare)
- « Previous Page
- 1
- …
- 22
- 23
- 24
- 25
- 26
- …
- 50
- Next Page »