Nga Bardhyl Ukcamaj/ Stamford/ Connecticut/
Për disa nga anëtarët e kryesisë së tashme të PD-së, që nuk kanë shumë lidhje me të kaluarën historike të kësaj partie, një kujtesë për Kastriot Islamin.
Islami ka qenë Ministër i Arsimit i Partisë së Punës së Shqipërisë nga 21 shkurti 1991- 10 maj 1991, kundërshtar i egër Lëvizjes Studentore Shqiptare. Është pikërisht Kastrioti, ai që mbylli Universitetin e Tiranës, në mënyrë që të paralizonte Lëvizjen.
Në fundvjeshtën e vitit 1991, Islami ishte kryetar i Kuvendit të Punistëve (në dominancë), kur u arrestuan disa nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore si Myftar Gjana, Arben Lika e Pal Serreqi me motivacionin “Për organizim të paligjshëm të demonstratave”.
Pas këtij arrestimi, unë Bardhyl Ukcamaj së bashku me disa nga drejtuesit e LS kam organizuar një miting të madh në “Sheshin Demokracia”.
Mijëra studente kanë nisur marshimin drejt Sheshit Skënderbej ku na janë bashkuar mijëra e mijëra qytetarë të Tiranës dhe minatorët e Valiasit.
Në shesh kam bërë thirrje të rrethonim parlamentin e punistëve dhe të kërkonim lirimin e menjëhershëm të shokëve tanë.
Pasi jemi tubuar para parlamentit, kam kërkuar takim urgjent me kryetarin e Parlamentit të Punistëve dhe u kam dhënë 10 minuta kohë për të ndërprerë seancën plenare ose ndryshe do të hynim në sallë.
Ne kishim rrëzuar një nga diktaturat më të egra në Europë dhe nuk mund të na frikësonin hijet e sistemit të vdekur.
Seanca plenare është ndërprerë menjëherë dhe unë, Xheni Tanini, Theodhori Dhimitri, Mirel Sharxhi, Arben Gabraj jemi pritur nga Islami në zyrë.
Më është drejtuar me fjalët: “Shteti ka ligje djalë”. Duke goditur fort tavolinën dhe me zë të çjerrë, por të fortë, i jam drejtuar: “Nëse drejtuesit e LS nuk do të lirohen menjëherë, ne do të pushtojmë parlamentin dhe do ta bëjmë tani, ti bëj tënden. Sa për ligjet, po t’i referohemi udhëheqësit tuaj shpirtëror, E. Hoxhës, ligjet i bën populli dhe populli do ta pushtojë këtë parlament”.
Ai është zverdhur, dridhej! Pas meje kanë folur me të njëjtën vendosmëri edhe miqtë e mi, mes të cilëve më mbetet në kujtesë Theodhori Dhimitri, Xheni etj.
Ai telefonoi dhe studentët u liruan menjëherë. U ndamë ashtu si u takuam, pa u përshëndetur, ne në rrugën tonë e ai në të tijen. U ndamë atëkohë dhe mbetemi të ndarë!
Kaq për sot, së shpejti do të shkruaj me kujdes një analizë më të gjatë për atë që metaforikisht thirrej Kaçi i Zi.
E theksoj, do të shkruaj në kujtesë të disa drejtueseve të tashëm, zëshurdhër e zullumtarë (jo të atëhershmit) të partisë, që themeluam e drejtuam në momentet më të vështira, por edhe më të lavdishme të historisë së Shqipërisë.
Archives for May 2013
SPECIALE: EULEX akuzon Naser Kelmendin për krim të organizuar
Është liruar nga kosovarët e pastaj arrestuar nga evropianët.
Kështu vepruan të martën mbrëma policët e EULEX-it, të cilët pas lirimit të Naser Kelmendit nga paraburgimi, i vunë sërish prangat dhe e dërguan prapa për të dytën herë në qeli.
Vendimin e nxorën prokurorët e misionit evropian, të cilët gjetën arsye për ta mbajtur ende prapa grilave të shumëkërkuarin e Bosnjës dhe Hercegovinës, për krim të organizuar.
Pas skadimit të afatit prej 48 orë në paraburgim, Naser Kelmendin e liroi Gjykata Themelore e Prishtinës pak para orës 20 të martën mbrëma.
Arsyet e lirimit të tij ende nuk janë dhënë nga gjyqësori zyrtarish, mirëpo reagimi i EULEX-it ka qenë i menjëhershëm, pasi kanë lëshuar vet një urdhër tjetër arresti për Naser Kelmendin.
Françoise Lambert, nga EULEX-i i tha Radios Evropa e Lirë, se i dyshuari po hetohet përveç veprave që e ngarkon prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës, edhe për një vepër të dyshuar të kryer në Kosovë.
“I dyshuari po hetohet, përveç veprave të tjera, edhe për krim të organizuar”, tha zyrtarja e lartë EULEX-it për medie Lambert.
Pas arrestimit dhe mbajtjes në paraburgim për 48 orë në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar, Gjykata Themelore e Prishtinës për rastin e Naser Kelmendit është dashur edhe të vendosë nëse ka bazë për ekstradimin e tij në Bosnjë e Hercegovinë.
Ai kërkohet nga autoritetet boshnjake për krim të organizuar dhe vepra tjera penale.
Kushtetuta e Republikës e ndalon ekstradimin e një shtetasi të Kosovës tek një shtet tjetër, i cili kërkon atë të dyshuar, dilemë kjo në të cilën EULEX-i nuk kishte zyrtarisht përgjigje gjatë tërë ditës.
Por kjo çështje është zgjidhur të martën mbrëma, kur avokati i të dyshuarit, Osman Cucoviq, tha për Radion Evropa e Lirë, se klienti i tij ka nënshtetësinë e Kosovës.
“Ai është qytetar i Kosovës, dhe kurrfarë ekstradimi nuk lejohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kështu që, ai është privuar nga liria jashtëligjshëm. Kosova nuk do ta dorëzoj assesi, sepse kjo do të paraqiste thyerje të Kushtetutës dhe ligjit”, pohoi ai.
Mirëpo, kjo nuk e ndaloi që menjëherë pas lirimit të tij, Naser Kelmendi të arrestohet prapë shumë shpejt, siç shpjegon Cucoviq.
“Zoti Kelmendi ka bërë dy hapa, jashtë ndërtesës së policisë, dhe aty e kanë prit policët e EULEX-it, ku ia dorëzuan vendimin e dytë, për 48 orë të tjera paraburgim”, tha Osman Cucoviq për Radion Evropa e Lirë.
Avokati mbrojtës shpjegoi edhe se lirimi i tij pas paraburgimit prej 48 orëve, policia e Kosovës e ka arsyetuar me një vendim që ka pranuar nga autoritetet gjyqësore, ku zoti Kelmendi lirohet nga paraburgimi, “meqë nuk janë përmbushur kushtet që ai të mbahet edhe më tutje në paraburgim”.
Sipas EULEX-it, Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka nis hetime kundër Naser Kelmendit, ku në bashkërendim me prokurorët e EULEX-it, policia evropiane nga njësia e krimit të organizuar vetëm sa ka zbatuar arrestimin e sërishëm të të dyshuarit.
Siç mësohet, Misioni Evropian për Forcimin e Sundimit të Ligjit në Kosovë, ka pranuar dosjen nga prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës, kundër Naser Kelmendit.
Ky dokumentacion është i nevojshëm për ekstradimin e të dyshuarit në shtetin boshnjak, nënshtetësinë e të cilit vend e ka i dyshuari.
Mirëpo, sipas zyrtares për informim në EULEX, Françoise Lambert, dorëzimi i Naser Kelmendit tek organet e drejtësisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, nuk është çështje e mbyllur.
“Për këtë do të shohim në të ardhmen e afërt”, tha ajo për Radion Evropa e Lire.
/Arrestohet Naser Kelmendi/
Është arrestuar Naser Kelmendi, një afarist me origjinë shqiptare nga Kosova, me nënshtetësi të Bosnjës e Hercegovinës.
Kelmendi është për një kohë të gjatë në listën e më të kërkuarve të Policisë së Bosnjës, dhe po ashtu kryeson listën e personave më të rrezikshëm në Evropë, të administratës amerikane.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Naser Kelmendi është arrestuar nga forcat e rendit, të dielën.
Bashkë me Kelmendin sipas Policisë së Kosovës, është prangosur edhe një person tjetër për dhënie të ndihmës të dyshuarit Kelmendi.
“Mund të konfirmojmë se me datën 5 maj rreth orës 20, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar, njëri prej tyre i kërkuar me flet arrest ndërkombëtar. Ndërsa personi i dytë është arrestuar për ndihmë të personit të kërkuar me fletarrest ndërkombëtar. Tani të dy personat janë dërguar në qendrën e ndalimit policor”, tha Kelani për Radion Evropa e Lirë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama, në qershor të vitit të kaluar, pati dërguar në Kongres emrin e Naser Kelmendit, duke e apostrofuar si një njeri të rrezikshëm.
Emri i Naser Kelmendit në “listën e zezë” të presidentit amerikan, gjendet përkrah atij të liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.
I lindur në Pejë në vitin 1958, Naser Kelmendi kërkohet si shtetas i Bosnjë e Hercegovinës.
Sipas autoriteteve boshnjake, Kelmendi, dyshohet të jetë i përfshirë në shumë aktivitete të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka kohë që është në arrati, dhe vazhdon të mohojë akuzat njëra prej të cilave e cilëson atë si organizator kryesor në tregtinë me drogë në Ballkan.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës Baki Kelani ndërkaq tha për Radion Evropa e Lirë, se për ekstradimin e tij do të vendosin autoritetet gjyqësore.
“Tani mund të flas vetëm për punën e cila bie në domen të policisë dhe për çështje për procedurat e ekstradimit, janë çështje që i përkasin njësive përkatëse”, tha Kelani.
Këshilltari i ministrit të Drejtësisë Driton Lajçi tha për Radion Evropa e Lirë se do të jetë vështirë të gjendet procedurat ligjore për ekstradimin e të arrestuarit Naser Kelmendi, por se kjo gjë do të ndodh meqë bëhet fjalë për respektimin e konventave ndërkombëtare.
“Me Bosnjën çështja e ekstradimit është pak e komplikuar, për faktin e ky shtet nuk e njeh shtetin e Kosovës. Me Bosnjën nuk kemi marrëveshje për ekstradim, siç kemi me disa shtete të rajonit dhe disa shtete të BE-së”, tha ai.
“Mirëpo me këtë rast duhet të kërkojmë ndihmën e EULEX-it, sepse EULEX-i ka kontakte direkte me autoritetet e Sarajevës, dhe natyrisht ne jemi që të respektojmë këto konventa ndërkombëtare, dhe gjithashtu të kontribuojmë në luftën e krimit të organizuar dhe çfarëdo dukurie negative në rajon”, tha ai.
Sipas këshilltarit politik të ministrit të Drejtësisë, Kosova dëshiron të ketë bashkëpunim me autoritetet e Bosnjës, dhe në pamundësi të kësaj është e detyruar që çështjen e Naser Kelmendit t’ia lë në duart e EULEX-it.
Kjo për arsye siç thotë ai se në kuadër të rregullave dhe marrëveshjeve bilaterale, është misioni evropian ai i cili mund ta bëjë ekstradimin e Kelmendit, i cili siç tha ai, do të ndodh.
“Jo nuk e besoj [se nuk do të ekstradohet], për faktin se autoritetet e EULEX-it kanë mundësi, sepse ai është misioni i BE-së, dhe si me thënë, do t’i gjendet baza legale që të bëhet ekstradimi. Nuk do të jetë e lehtë, është komplekse, për një fakt të rëndësishëm, jo për fajin e Kosovës, por, për faktin se Bosnja e Hercegovina nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe ata nuk duan që të kenë autoritete direkte me autoritetet e Kosovës”, sqaroi Driton Lajçi për Radion Evropa e Lirë.
EULEX konfirmon ndërmjetësimin, Policia e Kosovës jep detaje shtesë
Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se ekspertët e saj do të punojnë rreth ekstradimit të Naser Kelmendit.
Françoise Lambert, zëvendësdrejtorja e zyrës së medieve të EULEX-it, sqaroi se ekspertët i këtij misioni në Ministrinë e Drejtësisë “do të jenë të përfshirë në ndërmjetësimin” mes Bosnjës dhe Kosovës për të “marr kërkesën zyrtare të ekstradimit.”
“Kur kjo [kërkesa zyrtare] të jetë marr, një prokuror vendor do të pyet një gjykatës kompetent që të marrin vendim për ekstradimin”, ka thënë Lambert në përgjigjen e saj dërguar të hënën Radios Evropa e Lirë.
Në orët e pasdites ndërkaq, edhe policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për arrestimin e Naser Kelmendit.
Forcat e rendit shpjegojnë se i kërkuari me flet arrest ndërkombëtar Naser Kelmendi ishte zënë bashkë me Fuad Nikqi i lindur më 1981, në rajonin e Prishtinës. Ky i fundit është arrestuar për ndihmën dhënë Kelmendit.
Sipas forcave të rendit, gjatë operacionit policor janë bastisur edhe dy objekte në shfrytëzim të personave të dyshuar, ku janë “konfiskuar dëshmi të ndryshme, përfshirë dy vetura”.
Reagimet në Bosnje e Hercegovinë dhe aktakuza kundër Naser Kelmendit
Përkundër njoftimit të Policisë së Kosovës, një konfirmim zyrtar thuhet të mos ketë arritur në prokurorinë e shtetit të Bosnjës e Hercegovinës, për kapjen e Naser Kelmendit.
Zëdhënësi Boris Grubeshiq, është cituar nga mediet boshnjake dhe serbe të ketë thënë se “kur te marrim informatën zyrtare do të veprojmë ashtu siç e parasheh ligji”.
Televizioni federal boshnjak (federalja.ba), citon ministrin e sigurisë së Bosnjës e Hercegovinës Fahrudin Radonçiq të ketë thënë se kanë informatë jozyrtare për arrestimin e Naser Kelmendit, por që pas marrjes së konfirmimit zyrtar atëherë do të nisin procedurat e ekstradimit.
“Ligji është shumë i qartë, ai [Naser Kelmendi] duhet t’i dorëzohet Bosnjes e Hercegovinës bazuar në kërkesën e prokurorisë së shtetit. Pastaj ai do të burgoset dhe organet e drejtësisë duhet ta kryejnë punën e tyre”, ka thënë Radonçiq për televizionin Federalna.
Prokuroria e shtetit të Bosnjës e ka akuzuar Kelmendin për veprat penale të krimit të organizuar dhe shitje të substancave narkotike.
Mbi të po ashtu rëndon akuza për vrasjen e Ramiz Dellaliqit, i njohur si Qeli. Kelmendi është në arrati tash e tetë muaj, pas ngritjes së akuzave kundër tij, gjatë një operacioni policor të koduar “Lutka”.
Drejtori i asociacionit të shefave të policisë së vendeve të Evropës Jug-Perëndimore, Zllatko Milletiq ka thënë javë më parë se Naser Kelmendi ishte cak i aksionit policor “Besa”.
Në këtë operacion ndërkombëtar, të kryer në vitin 2011 janë arrestuar 440 të dyshuar, ndërsa ishin konfiskuar mbi 1000 kilogram substancash narkotike.
Naser Kelmendi, deri më tani nuk është dënuar për asnjë vepër të rëndë kriminale, përveç një dënimi me 10,000 euro, të cilat është dashur t’i paguaj për ndërtimin ilegal të hotelit të tij “Casa Grande” që e ka në Sarajevë.
Kelmendin e “shpëton” shtetësia nga ekstradimi
Vetëm një vendim politik mund të bëjë që Naser Kelmendi të ekstradohet prej Prishtinës në Bosnje e Hercegovinë, nëse i arrestuari është shtetas i Kosovës, thotë një zyrtar i lartë i shtetit.
Për këtë gjë, të shumëkërkuarin e Bosnjës e mbron Kushtetuta e Kosovës, shpjegon kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani.
“Një nga kushtet që është pengesë për ekstradimin, në mesin e kushteve tjera, është edhe në Kushtetutë është barrierë, apo pengesë kushtetuese, ku thuhet se nuk mund të ekstradohet shtetasi i Kosovës”, tha Hasani për Radion Evropa e Lirë.
Ai tha se kjo pengesë ligjore ka një përjashtim, i cili deri më tani nuk është aplikuar, por në vendet e rajonit janë bërë lëshime në këtë drejtim.
“Përjashtimit, dispozitat e tanishme, ose dispozitat e kohës së re, edhe në rajon edhe tek ne, janë më fleksibile, për faktin se lejon mundësinë edhe shtetasi i shtetit nga i cili kërkohet ekstradimi, të lejohet mundësia e ekstradimit. Por duhet të ekzistojë marrëveshja. Domethënë marrëveshja ndërshtetërore, mes shteteve”, shpjegoi Hasani.
Naser Kelmendi është arrestuar të dielën mbrëma në orën 20, në lagjen Mati 1 të Prishtinës.
Bashkë me të është kapur edhe Fuad Nikqi, një shtetas i Malit të Zi, i cili dyshohet se ka ndihmuar Kelmendi të fshihet nga autoritetet.
Kelmendi një afarist me prejardhje nga Peja, ka nënshtetësi të Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa është ende e paqartë nëse ka edhe nënshtetësi të Kosovës.
Këtë dilemë kanë si Policia e Kosovës ashtu edhe misioni i EULEX-it, të cilët nuk japin përgjigje të prerë nëse Naser Kelmendi është shtetas i Kosovës apo jo, me të cilin fakt do të ndryshonin parametrat ligjor për ekstradimin e tij në Bosnje.
Por Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i cili vizitoi dy të arrestuarit që po mbahen në qendrën e paraburgimit të Prishtinës, thotë se Naser Kelemdi është shtetas i Kosovës.
Kryetari i KMDLNJ-së Behgjet Shala, i tha Radios Evropa e Lirë, se i arrestuari përveç se është rrëfyer që ka nënshtetësi të Kosovës, ka kërkuar edhe që të mos ekstradohet në Bosnje e Hercegovinë.
“Ai ka deklaruar se është shtetas i Kosovës, dhe ka kërkuar që në përputhje me të drejtën e tij, dhe në përputhje me të drejtat e njeriut, ai kërkon si qytetar i Kosovës, që nëse ka ndonjë implikim eventual, ndonjë vepër penale, atëherë të gjykohet në Kosovë dhe të mos ekstradohet në Bosnje. E sikur ai s’do ta kishte shtetësinë e Kosovës, s’do të kërkonte që mos të ekstradohet në Bosnje”, shpjegon Behgjet Shala.
Sipas ligjit, Naser Kelmendit në orën 20 i skadon koha e paraburgimit, por në rast se autoritetet boshnjake dërgojnë komplet dosjen për të dyshuarin, atëherë mund të merret një vendim për zgjatjen e paraburgimit të tij deri në 40 ditë.
Zyrtarë të misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, i thanë Radios Evropa e Lirë se EULEX-i po i ndërmjetëson këto raporte, të cilat janë të komplikuara për shkak të mos njohjes reciproke të Kosovës dhe Bosnjës.
“EULEX-i po lehtëson dhe po ndërmjetëson kontaktet ndërmjet BH dhe Kosovës, me qëllim që të sillet dosja e ekstradimit”, i tha Radios Evropa e Lirë, Françoise Lambert nga zyra e EULEX-it për medie.
Autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës ende nuk kanë dërguar në Prishtinë, dosjen e lëndës së Naser Kelmendit, i cili u arrestua në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar.
Vendimi për ekstradimin e të shumëkërkuarit nga autoritetet boshnjake, pritet të merret pas një kërkesë zyrtare që duhet të bëjnë autoritetet në Sarajevë, ç’gjë ende nuk është plotësuar.
Sipas kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Naser Kelmendi mund të rri tutje në burg vetëm në bazë të një kërkesë të Interpolit, ku do të vlente zgjatja e paraburgimit të tij për 40 ditë tjera.
“Tash çështja se si do të procedohet, unë nuk mund të spekuloj për faktin se ajo do të jetë në rrafshin politik, se përndryshe sipas ligjit, janë ato pengesat ligjore që shtetasi i Kosovës nuk mund të ekstradohet në shtetin e tretë, me përjashtim nëse ekziston marrëveshja. Tani se si do të procedohet, se a do të arrihet ajo marrëveshja apo s’do të arrihet, është çështje e segmentit të politikës që s’ka të bëjë me ne me gjyqësorin”, tha Fejzullah Hasani për Radion Evropa e Lirë.(Kortezi Fatmir Aliu-Europa e Lire)
Samuel Zbogar: Jo vetëm Beogradi, por edhe Prishtina të bisedojë me veriun
Zbogar: Jo vetëm Beogradi, por edhe Prishtina të bisedojë me veriun
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të vendosin komunikimin me serbët në veri dhe të mos ia lënë gjithë punën e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit në atë pjesë vetëm Serbisë./
Nga Zijadin Gashi/
Zbogar, ka inkurajuar Prishtinën zyrtare që të provoj t’i bindë serbët e veriut se marrëveshja Prishtinë – Beograd është në të mirën e tyre.
Këto komente, zyrtari i lartë evropian i ka bërë pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa.
“Mendoj se nuk është vetëm Serbia ajo që duhet t’i bindë serbët në veri në lidhje me planin dhe marrëveshjen, ngase mendoj po ashtu se edhe njerëzit në Prishtinë duhet të vazhdojnë t’i inkurajojnë dhe mundohen t’i bindin ata se marrëveshja e arritur është në interesin e tyre”, ka thënë Zbogar.
Zbogar është shprehur i bindur se Kosova dhe Serbia do të dakordohen rreth planit të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit të arritur në dialogun midis kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.
Fillimisht presim marrëveshjen rreth planit dhe më pas edhe zbatimin e saj në praktikë, ka thënë Zbogar.
Marrëveshja ka të bëj kryesisht me fillimin e vendosjes së normalitetit të komunat veriore të Kosovës, ku autoritetet shtetërore të Kosovës nuk kanë qasje për shkak të kontrollin mbi atë territor që kanë strukturat paralele serbe.
“Është një marrëveshje e rëndësishme. Zbatimi i saj do të jetë mjaftë kompleks, por është me rëndësi që të dyja palët të ndihen rehat me planin e zbatimit i cili do të jetë tejet i detajuar me afatet kohore dhe veprimet që duhet të ndërmerren në terren”, ka thënë Zbogar.
Optimizmin e tij se delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi do të arrijnë marrëveshje rreth planit të zbatimit ka shprehur edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq. Ai u ka thënë medieve në Beograd se pret marrëveshjen qysh këtë javë.
“Në Bruksel gati se çdo ditë aq shumë bisedohet dhe shpresoj se këtë javë do të vjen deri te përmbyllja e planit të zbatimit të marrëveshjes”, ka thënë Daçiq.
Sipas tij, Beogradi dëshiron që Serbia të jetë një lajm i mirë në botë, sikurse që ky vend pret lajme të mira nga Brukseli.
Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi po i vazhdojnë edhe sot bisedimet në Bruksel në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes Thaçi – Daçiq rreth kompetencave të asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
Pas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë të arritur me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, zbatimi i saj në terren konsiderohet si një çështje shumë komplekse dhe sfiduese marrë parasysh qëndrimin refuzues të popullatës lokale serbe në veri të Kosovës.
“Heroizmat” e ushtrisë ruse pas kapitullimit të Gjermanisë më 9 maj
U përdhunuan 2 milionë gra gjermane, të mbijetuarat e Aushvicit dhe ish-gruaja e Helmut Kohlit/
Rreth dy milionë gra janë përdhunuar nga Ushtria e Kuqe pasi Berlini ra në maj të vitit 1945. Ky është vlerësimi i Gabriele Kopp në librin “Unë duhet të isha vajzë”, i cili bën fjalë për krimet seksuale të kryera nga ushtarët sovjetikë. Është libri i parë që botohet me emrin e vërtetë të viktimës, asokohe vetëm 15-vjeçe, ndërsa sot i ka kaluar të ‘80-at. Kopp tregon se ushtarët ishin të inkurajuar nga vetë lideri i tyre Josif Stalin, që ta shihnin përdhunimin e grave si plaçkë lufte pas luftës që kishin bërë me Hitlerin. Një javë pas rënies së Berlinit plasi epidemia e përdhunimeve, aq shumë sa dhe vetë Kisha Katolike në Vatikan pati sugjeruar abortin nga viktimat. Sot zonja Kopp thotë se ka probleme me gjumin, pasi i shfaqen ende në sy ato skena. Ajo kurrë nuk ka pasur një lidhje dashurie që pas asaj ngjarjeje. “Nuk kam qenë në gjendje të ndieja asgjë, imazhi im për seksualitetin ishte vetëm dhuna”, – rrëfen ajo. Në lidhje me këto ngjarje ishte shkruar edhe një libër tjetër në Berlin, por autorja e tij ka mbetur anonim. “Ndryshimi është se autorja e atij libri në atë kohë ka qenë tek të 30-at, ndërsa unë vetëm 15-vjeçe. Nuk ka qenë e lehtë ta shkruaja këtë histori, por në mos unë kush tjetër do ta bënte këtë”, – thotë Kopp. Libri i zonjës Kopp flet për shumë nga viktimat. Ekspertët e asaj kohe vlerësuan se shumë femra ishin përdhunuar deri në 12 herë nga ushtarët e kuq. Viktimat varionin nga 8 vjeçe deri në moshë të madhe mbi të 60-at dhe shumë prej viktimave nuk arritën t’i mbijetonin përdhunimit shtazarak. Në një rrëfim për “Der Spiggel” në vitin 2010 Kopp tregon se atë mbrëmje e ëma i kishte thënë të bëhej gati shpejt se po mbërrinin rusët dhe duhej të largohej nga qyteti. Asokohe ata jetonin në Schneidemuhl në rajonin gjerman të Pomeranias, që tani është një qytet në Poloni me emrin “Pila”. Të nesërmen herët në mëngjes ajo së bashku me motrën e saj hipën në vagonin e një treni mallrash që transportonte bagëti për t’u nisur drejt Berlinit. Por rrugës u bombarduan nga artileria ruse. “Dera e vagonit të përmbysur ishte e mbyllur, me shumë mundim arrita të zvarritem drejt dritares. Në atë zallamahi motrën e lashë pas dhe nuk e pashë më kurrë. Mbërritëm në një fshat, ku gjetëm strehë te vendasit, por të nesërmen mbërritën rusët dhe si të tërbuar kërkonin vajzat e reja”. Kopp tregon se është përdhunuar dy herë atë ditë dhe një herë të nesërmen në mëngjes. Ishte një grua, që për të shpëtuar veten më shtyu në krahët e një oficeri të babëzitur”. Fati i saj i hidhur vazhdoi për rreth dy javë, derisa u fsheh në një fermë dhe i shpëtoi babëzisë komuniste. Ajo u ribashkua me të ëmën 15 muaj më pas në Hamburg, por tregon se nëna i qëndroi ftohtë dhe nuk deshi të dëgjonte për vuajtjet e saj. “Mendoj se ndihej fajtore për mua dhe motrën që na la të iknim vetëm”, – tregon Kopp.
Përdhunohen të mbijetuarat e Aushvicit
Duket se krimi i përdhunimeve nuk ka pasur të ndalur jo vetëm te gratë çifute, por edhe tek të mbijetuarat e kampeve të përqendrimit. “Gëzimit për çlirimin nga kampi iu shtua një tjetër makth, që deri në atë kohë s’na e kishin bërë as nazistët”, – rrëfen Eva Mozes, një hebreje, në atë kohë 10-vjeçe, e mbijetuar nga kampi nazist i Aushvicit së bashku me të motrën binjake Miriam, e cila rrëfen se, pavarësisht krimeve që kishin ndodhur në këtë kamp, rusët ishin të pandjeshëm ndaj çifutëve dhe menjëherë filluan përdhunimet.
Një histori tjetër është ajo Helena Citronovës, në atë kohë rreth të 20-ave, dhe motrës së saj më të madhe, e cila megjithëse vetëm 10 vjet më e madhe, dukej mjaft e plakur, si të ishte nëna e saj. Pas daljes nga Aushvici ato po endeshin rrugëve të Polonisë për të gjetur ushqim e strehim dhe një mjet transporti për të shkuar në Çekosllovaki, ku ishte shtëpia e tyre. Ato vunë re se me rënien e muzgut ushtarët rusë dilnin në kërkim të femrave, sidomos atyre çifute, për t’i përdhunuar. “Ishin krejtësisht të dehur dhe suleshin në mënyrë të pabesueshme, si kafshë të egra”. Motra e fshihte Helenën herë pas here dhe përpiqej të dukej edhe më e vjetër dhe e shëmtuar për të mbrojtur veten nga përdhunimi. “Ka pasur raste që femrat vdisnin nga përdhunimi dhe askush nuk ishte në gjendje t’i ndihmonte. Shumë herë ktheja kokën nga ana tjetër në vendin ku fshihesha që të mos shikoja. Ata bënë gjëra të tmerrshme, që s’i kishim menduar se mund të ndodhnin nga ata që duhej të ishin çlirimtarët tanë. Mendoja se, nëse nuk vdiqëm nga gjermanët, do të vdisnim patjetër nga rusët”, – shprehet Helena. “Një ditë, rreth dy apo tri javë pasi kisha dalë nga kampi, kisha arritur të gjeja një biçikletë dhe mendova të dilja një shëtitje në rrethinat e qytetit, ku mendoja se do të isha larg syrit të rusëve. Ky ishte momenti më i bukur pas viteve që kisha kaluar në kamp. Por rrugës kaloi një rus me motoçikletë, që sa më pa ndaloi menjëherë motorin dhe m’u vërsul. Filloi një betë për vetëmbrojtje. Në një moment arrita t’i them se isha çifute e mbijetuar nga kampi, pasi tërë kohës më pyeste nëse isha gjermane. I tregova numrin e krahut dhe çuditërisht ndaloi. Mendoj se do të ketë qenë dhe vetë hebre nga Rusia”, – tregon Helena, një nga fatlumet që i shpëtoi përdhunimit.
Gruaja e Kohlit
Ndërkohë përdhunimit të vitit 1945 nuk i ka shpëtuar as gruaja e ish-kancelarit Gjerman Helmut Kohl, e cila vdiq në vitin 2001. Në një biografi të sajën të shkruar nga Herbert Shwan Hanelore Kohl ajo ka rrëfyer se ishte përdhunuar nga ushtarët sovjetikë në maj të vitit 1945, asokohe vetëm 12 vjeçe. Përdhunimit nuk i ka shpëtuar as nëna e saj. Hanelore kurrë nuk u rikuperua nga ai përdhunim shtazarak derisa vdiq në moshën 68-vjeçare. “Ajo përherë kishte shqetësim erën e djersës së mashkullit, erën e hudhrës dhe gjuhën e folur ruse”, – shprehet biografia. Hanelorë kreu vetëvrasje në vitin 2001 me mbidozë droge nga vuajtjet që i shkaktonte dhimbja e shpinës, si dhe një alergji, që e bëri të humbiste flokët. Në librin “Gruaja në krah të tij” Shwan shkruan se “ajo u përdhunua dhe u hodh si një thes me patate nga dritarja e katit të parë të shëtisë së saj”.
Falja e Stalinit
Të gjitha krimet janë bërë me bekimin e Stalinit. Një film gjerman i shfaqur në vitin 2008, “Një grua në Berlin”, bën fjalë për ndikimin direkt të liderit rus në masakrën e kryer ndaj grave gjermane dhe çifute. “Ato që na kanë bërë neve gjermanët nuk lahen me asgjë. Falen të gjitha vrasjet dhe përdhunimet e bëra nga ushtarët”, – mësohet të ketë thënë Stalini. Marta ishte një nga dy milionë gratë e përdhunuara nga ushtarët e kuq. Ky ishte një tipar se si komunistët e Stalinit sollën lirinë për popullin gjerman. Kur historiani Antoni Bevor shkroi librin “Rënia”, ku rrëfente pikërisht aktet mizore të kryera ndaj 2 milionë grave gjermane, ambasadori rus në Londër e akuzoi për blasfemi. “Kjo është një shpifje ndaj heronjve që shpëtuan botën nga nazizmi”, – do të shprehej Karasin. Për shumë gra gjermane ky ka qenë një kujtim i hidhur dhe shumica e tyre kurrë nuk folën me burrat për atë që u kishte ndodhur. Lufta mes BS-së dhe Gjermanisë ishte mizore, por ideja e Armatës Ruse për t’u hakmarrë në këtë formë ishte dhe më mizore. Gjetën gra, fëmijë dhe plaka të pambrojtura për të shfryrë etjen e tyre shtazarake seksuale. Shumë prej tyre u detyruan të abortojnë ose të mjekohen nga sifilizi. Në dijeni të ngjarjeve Stalini do të shprehej: “Në rast se një ushtar ka përshkuar qindra kilometra, duke vënë në rrezik jetën e tij, nuk është ndonjë gjë e madhe se po bën pak qejf me gratë e kundërshtarit”.
Përdhunimet e Berias
Po ndërsa Stalini falte krimet e ushtarëve të tij, kishte shefin e tij të policisë, Leontiev Beria, një përdhunues serial. Aktorja ruse Tatjana Okunevskaja dhe truproja e tij kanë qenë dëshmitarë të të gjitha përdhunimeve të Berias. Ata kanë treguar se Beria shëtiste me makinë rrugëve të Moskës, por dhe qyteteve të tjera, kryesisht në Evropën Lindore, dhe gjente vajza adoleshente, që i hipte me forcë në makinën e tij dhe po me forcë i çonte në shtrat. Të mos harrojmë se Beria ka qenë drejtori i NKVD-së, e cila më pas u shndërrua në KGB-në e famshme “Ju jeni nën mbikëqyrjen time tashmë. Duhet të silleni mirë që të mos keni pasoja”, – u drejtohej ai. Më shumë se 100 vajza adoleshente janë përdhunuar në mënyrë të tillë nga shefi i policisë sekrete ruse.
Mbyllje
Me pak fjalë, këta ishin heronjtë që e shpëtuan Rusinë. Populli gjerman për shumë arsye nuk i mëshoi shumë fort kësaj historie. Ndoshta dhe për vetë fisnikërinë e tij, pasi e mendoi si një haraç që duhej të paguante ndaj politikave të Hitlerit. Por kohët ndryshojnë dhe të vërtetat dalin. Pavarësisht se shumë prej atyre që u përdhunuan kanë vdekur, sërish ka dëshmi që tregojnë për mizoritë ruse dhe idealin e tyre komunist. Lufta e Dytë Botërore duhet parë në të gjitha aspektet. Asgjë nuk e justifikon atë që bëri Gjermania, por aq më pak të justifikohet një përdhunim masiv i orientuar dhe i dirigjuar nga vetë lideri komunist. Prandaj, kur festohet 9 maji si fitore kundër nazizmit, është e udhës që të kujtohen dhe viktimat e këtij akti të shëmtuar në më shumë se 2 milionë gra të pambrojtura.
Ali Ahmeti në Çikago: Ky shekull është i shqiptarëve
Raport special nga takimi i Delegacionit të udhëheqësve të lartë të BDI-së, me komunitetin shqiptar/
Raporton nga Çikago, Beqir SINA/
CHICAGO – ILLINOI : Delegacioni i udhëheqësve të lartë të BDI-së, në vijim të vizitës disa ditore në Shtetet e Bashkuara, u ndalën fillimisht në Çikago. Ata zhvilluan një takim me diasporën shqiptare. Kryetari i kësaj partie zoti Ali Ahmeti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Musa Xhaferri, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, shefi i kabinetit të tij Artan Grubi, mbajtën takimin me Komunitetin Shqiptaro – Amerikan të shtetit Illionis, në Qendrën Kulturore, e cila ka qenë dhe nikoqire e këtij takimi.
Në këtë takim morën pjesë më shumë se 500 vetë, lider të këtij komuniteti, veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare nga Illinois, Wisconsin dhe shtet për rreth. Në mesin e pjesmarrësve ishin edhe gazetarë, afaristë dhe biznesmen të sukseshëm, shkrimtarë dhe artistë, klerikë, studentë dhe aktivistë, kryesishtë nga Kërçova, dhe zonat për rreth saj, por, edhe shqiptarë të tjerë nga trevat e tjera shqiptare në Maqedoni, shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Lugina e Preshëvës dhe Çamëria.
Delegacioni i lartë të BDI-së, në këtë vizitë e shoqëronte edhe Konsulli i Përgjithshëm i Maqedonisë, në Çikago zoti Jakup Rexhepi Kurse, nga New Yorku, në këtë takim kishin ardhur kryetari i Akademisë Shqiptaro Amerikane, professor Skëndër Kodra, presidenti i Institutit Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, Rrape Ruci, sekretari i shoqatës Çamëria në SHBA, inxhinier Sali Bollati, veprimtari i dalluar i komunitetit dhe zoti Ylber Pilku.
Pas intonimit të dy hymneve kombëtare, Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, tubimin e hapi Kryetari i Komunitetit Shqiptaro – Amerikan (KSHA) për Illinoi, zoti Luan Elezi, i cili përshëndeti delegacionin e BDI-së, duke i dëshiruar mirëseardhje. Ndërkohë, që me këtë rast, ai shpalosi edhe një historik të shkurtër mbi aktivitetin e komunitetit dhe veprimtarinë e tij dhe foli pak edhe pjesmarrjen masive nga diaspora në zgjedhjet e fundit në Kërçovë.
Me këtë rast në fund të këtij tubimi, i cili shkoi mjaft mirë, kreut të BDI-së, zotit Ali Ahmeti në emër të Komunitetit Shqiptaro – Amerikan (KSHA) për Illinois, nga kryetari i kësaj shoqate i`u dorëzua një pllkat Mirënjohje për kontributin e tij në çështjen shqiptare. Ky komunitet më pllakat Mirënjohje nderoi gjithashtu edhe nën/Kryeministrin e Maqedonisë zotin Musa Xhaferrit, mirënjohje kjo që iu dorzua nga Azem Begzati kryetar i Këshillit të kësaj qendre, dhe një mirënjohje Kërçovarët kishin rezervuar edhe për kryetarin e ri zotin Fatmir Dehari, mirënjohje kjo që u dha nga drejtori i Shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” zoti Nuri Ibrahimi.
Lideri i BDI-së, zoti Ali Ahmeti në takimin me komunitetin, pasi ka faleminderuar komunitetin shqiptaro amerikan për kontributin e tyre, në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, luftën në Maqedoni, dhe së fundi për zgjedhjet atje, sidomos në fitoren e Kërçovës, ku pas 70 vjetëve shqiptarët e morën Kërçovën, ka folur edhe mbi zhvillimet e tjera aktuale në Maqedoni, çështjet dhe sfidat e shqiptarëve si dhe nevojën e integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike.
Në fillim të fjalës së tij zoti Ahmeti tha se “Me theks të veçantë do të doja të shprehja mirënjohjen e lartë për ardhjen tuaj në votimet lokale për zgjedhjet në Kërçovë dhe fitoren e kandidatit Fatmir Dehari. Mobilizimi dhe ardhja juaj nga Amerika, tha Ahmeti, ishte inspirim për sakrificën e të tjerëve dhe se ishte ngritje morali për të gjithë në Evropë. Ky mobilizim i mërgatës, e bëri të mundur të pamundurën. Fitorja në Kërçovë ishte historike dhe tani kjo komunë menaxhohet nga shqiptarët”, theksoi Ahmeti, duke shtuar se Dehari dhe këshilli i ri komunal ka nisur proceset e reja në këtë komunë dhe krijimin e kushteve të reja për të gjithë qytetarët, si dhe njoftoi se së shpejti do të ngrihet një Memorial për të rënët gjatë luftës në Maqedoni, ku është përcaktuar vendi dhe zgjedhur edhe skulptori”
Ali Ahmeti në fjalën e tij theksoi se kishte ardhur në Çikago, për të shprehur faleminderime dhe mirënjohje për kontributin e kësaj diaspore të çmuar që sipas tij ka dhënë për çështjen shqiptare në përgjithësi. “Vizita ime këtu, tha zoti Ahmeti, është në shenjë respekti për ju të gjithë, mërgatën shqiptare, mbasi ju keni një kontribut të veçantë në ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare, e cila ka luftuar dhe ka punuar për realizmin e idealve të tyre kombëtare. Edhe në se sot në Maqedoni gjërat kan ndryshuar për së mbari dëshirojë të theksoi tha ai se ajo që i ndryshoi këto është Ushtria Çlirimtare Kombëtare UÇK-ja”.
Ai foli edhe për Universitetin e Tetovës, për të cilin tha ai, ka një simbolik të veçantë në të gjithë botën – mbasi është i vetmi tempull i dijes në botë, që është hapur me gjak – dhe me gjak shqiptari.
“Maqedonia, sa është e Gruevskit, po aq është edhe e imja, sa është e Cervenkovskit po aq është edhe e imja, mirëpo, lojaliteti i një shteti është sa lojal tregohet shteti ndaj komuniteteve të saj.” tha lideri i BDI-së, duke shtuar se ne si pjesë e qeverisë si parti kemi qenë vazhdimisht të angazhuar për avancimin e çështjes shqiptare dhe realizimin e të drejtave të barabarta. “Ky proces, nënvizojë Ahmeti, megjithëse është i vështirë, por po ecën rrugën e mbarë. Për këtë arsye shtoi ai inkuadrimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike është çështje me prioritet për BDI-në, sepse, sipas tij me këtë do të krijohen kushte për demokratizimin e vendit dhe Ballkanit si dhe kushte të reja për punësime dhe siguri”.
Në ndërkohë zoti Ali Ahmeti, duke komentuar edhe çështjen e ngecjes së zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë, ka theksuar se shqiptarët janë të interesuar që Maqedonia sa më shpejt të gjejë mënyrë dhe rrugë për ndryshimin e emrit, gjë e cila sipas tij nuk i pengon shqiptarët që kanë qenë , janë dhe do të jenë në këto troje. Ndërkaq shefi i kabinetit të Ahmetit, Artan Grubi disa medieve në Maqedoni, para udhëtimit për në SHBA, u ka thënë se qëndrimi i BDI-së dhe VMRO DPMNE-së për çështjen e emrit është i njëjtë, ashtu si i të gjithë subjekteve të tjera politike në Maqedoni, të cilat angazhohen për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike
Ahmeti ka faleminderuar të gjithë mërgimtarët Kërçovarë për shkuarjen e tyre masive për fitoren e Kërçovës në zgjedhjet e fundit lokale.
“Me theks të veçantë do të doja të shprehja mirënjohjen e lartë për ardhjen tuaj në votimet lokale për zgjedhjet në Kërçovë dhe fitoren e kandidatit Fatmir Dehari. Mobilizimi dhe ardhja juaj nga Amerika, padyshim që ishte inspirim për sakrificën e të tjerëve dhe se ishte ngritje morali për të gjithë në Evropë. Ky mobilizim i mërgatës e bëri të mundur të pamundurën. Fitorja në Kërçovë, tha ai ishte historike dhe tani kjo komunë menaxhohet nga shqiptarët”, theksoi zoti Ahmeti, duke shtuar se Dehari dhe këshilli i ri komunal ka nisur proceset e reja në këtë komunë ku tani nçdo mjedis valon flamuri kuqezi, dhe krijimin e kushteve të reja për të gjithë qytetarët.
Lidhur me fitoren në zgjedhjet e 24 marsit, zoti Ahmeti ka vlerësuar shumë sovranin shqiptarë për besimin që i dha kësaj partie. ” Të kthehet edhe një herë ajo fitore si e 2002-shit, , tha zoti Ahmeti pas 11 vjetësh, do të thotë se ky është një vlerësim i lart i shqiptarëve të Maqedonisë, që nga ne kërkon jetësimin e fitores dhe materializimin e saj”.
Ahmeti i theksoi ndryshimet e arritura me Marrëveshjen e Ohrit, për të cilën tha se çështje të hapura sheh në statusin e gjuhës shqipe dhe nevojën nga punësimet e mëtutjeshme të shqiptarëve në administratën publike dhe tha se në SHBA është që të punojë edhe në përmirësimin e imazhit të Maqedonisë në botë. Ai disa herë faleminderoi Brukselin dhe SHBA në veçanti për ndihmesën që japin në drejtim të paqes dhe sigurisë në Ballkan.
Më shumë se 18 mijë shqiptarë janë punësuar në punë të ndryshme, përfshirë policinë, administratën shtetërore dhe lokale, prej se kur ne jemi në qeveri, tha në mes të tjerave zoti Ahmeti, duke shtuar se pa hapjen e vendeve të reja të punës nuk shtrohet ndonjë prespektivë, sidomos, për rininë shqiptare në Maqedoni.
Ai ftoi diasporën shqiptare që të investoi në vendlindjen e tyre, se ne tha ai i krijojmë të gjitha mundësit dhe u japim prioritet investimiteve të mërgimtarëve tanë. “Krijimi i kushteve të mira për investime, hapja e vendeve të punës, është një kauzë, që duhet t’i kontribojmë të gjithë,” tha ai.
Më pasë lideri shqiptarë në Maqedoni, zoti Ahmeti theksoi se : “Ky shekull me të drejtë është quajtur Shekulli i Shqiptarëve”
Më pasë, ai ka folur edhe për nënshkrimin e Marrëveshjes mes Kosovës e Seerbisë . “Para pesëmbëdhjet vjetësh, Kosova, tha zoti Ahmeti, as që mendohej se do të ishte shtet i pavarur i lirë , një ëndërr, kjo e cila sot është bërë realitet, duke shtuar se Marrëveshja e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit, është një marrëveshje e integrimit të qytetarëve të saj në kuadrin e shtetit të Kosovës.” Megjithse, ka nënvizuar ai se nuk ka marrëveshje në botë që arrihet pa kompromisë, dhe nuk ka marrëveshje që të kënaqi të dy palët.
“Kosova, shtoi ai duhet të njihet dhe të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe pas negociatave për heqjen e vizave të fillojnë edhe negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian ashtu sikurse, për shqiptarët e Maqedonisë, nevojitet zbatim i tërësishëm i Marrëveshjes së Ohrit, që shqiptarët të jenë të barabartë me maqedonasit.”
Sot, u shpreh zoti Ahmeti, është koha e pajtimit përfundimtar midis popujve të Ballkanit, të 100-vjetorit të luftërave të përgjakshme në Ballkan, kur të gjithë ishim viktima, edhe shqiptarët edhe maqedonasit, edhe të tjerët. “Nëse kanë mundur Franca dhe Gjermania ta heqin kufirin mes vete, në vende ku mijëra fëmijë janë vrarë në luftërat mes tyre, pse të mos mundemi edhe ne? ka sqaruar ai duke shtuar se kam thënë se, nëse dëshirojmë Shqipëri të madhe, atë mund ta kemi vetëm në Bashkimin Evropian, nga Athina deri në Stokholm”, deklaroi lideri i shqiptarëve të Maqedonisë zoti Ali Ahmeti.
Kryetari i BDI-së, zoti Ali Ahmeti më pas është pyetur nga mërgimtarët e tubuar lidhur me pyetje të ndryshme. Ndërsa ai kërkoi për nevojën e kthimit të ekspertëve shqiptarë apo kuadrit të ri të shkolluar në shkollat amerikane, për të ardhur në vendlindje dhe për tu përfshirë në trendet e reja të punësimeve. Folësit, në diskutimet e tyre kërkuan institucionalizimin e mërgtatës në SHBA, pajisjen e tyre me dokumente biometrike, për të qenë në gatishmëri për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ahmeti në këtë takim edhe një herë mënyrë të veçantë ka falënderuar diasporën Kërçovare për përkrahjen e madhe që i dhanë, ata kandidatit të BDI-së në ditën e zgjedhjeve. Ai gjithashtu para mërgatës shqiptare, ka shpjeguar gjendjen politike në Maqedoni, përparimin e statusit të shqiptarëve dhe të arriturat të pas konfliktit të vitit 2001.
Në diskutim u përfshi edhe Zëvendës/Kryeministri i Maqedonisë për Marrëveshjen e Ohrit, zoti Musa Xhaferri, i cili nga që ju kërkua nga të pranishmit, shpalosi edhe problemin e shtetësisë së Maqedonisë, një problem që ballafaqohen shumë shqiptarë. Ai theksoi se po punohet në këtë drejtim dhe kanë parasysh shqetësimet e disa shqiptarëve, por sipas tij, ky problem dalngadal do të zgjidhet.
Në këtë takim ka folur shkurtimisht edhe kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili shprehur faleminderime të thella për angazhimin e diasporës shqiptare nga SHBA për fitoren e zgjedhjeve. “Para dy muajve kërçovarëve i premtuam me Izet Mexhitin se Kiçevën do ta bëjmë Kërçovë, tha ai dhe në fund ndodhi kjo. Ne këtu kemi ardhur për t`ju shprehur faleminderime për mobilizimin dhe pjesëmarrjen masive në votimet për zgjedhjet atje”, theksoi Dehari. I cili o shoqërua gjatë me duartrokitje të forta nga bashkëqytetarët e tij këtu në diasporë.
Në fund, Kryetari i BDI-së, zoti Ali Ahmeti, i cili i prinë delegacionit, tha se: “Kam një agjendë mjaft të ngjeshur këto ditë në Uashington, do të kemi takime me Departamentin e Shtetit, në Pentagon, dhe në Shtëpinë e Bardhë, me Këshillin e lartë të sigurisë gjithashtu. Ndërkohë, që në Kombet e Bashkuara në New York, do të kemi një takim edhe me ndërmjetësuesin për kontestin e emrit z. Metju Nimic”, deklaroi kreu i kësaj partie zoti Ali Ahmeti, i cili po udhëheq delegacionin BDI-së në përbërje të cilit janë edhe Zëvendës/Kryeministri i Maqedonisë, zoti Musa Xhaferri, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, si dhe shefi i kabinetit të tij Artan Grubi,
- « Previous Page
- 1
- …
- 38
- 39
- 40
- 41
- 42
- …
- 50
- Next Page »