Është liruar nga kosovarët e pastaj arrestuar nga evropianët.
Kështu vepruan të martën mbrëma policët e EULEX-it, të cilët pas lirimit të Naser Kelmendit nga paraburgimi, i vunë sërish prangat dhe e dërguan prapa për të dytën herë në qeli.
Vendimin e nxorën prokurorët e misionit evropian, të cilët gjetën arsye për ta mbajtur ende prapa grilave të shumëkërkuarin e Bosnjës dhe Hercegovinës, për krim të organizuar.
Pas skadimit të afatit prej 48 orë në paraburgim, Naser Kelmendin e liroi Gjykata Themelore e Prishtinës pak para orës 20 të martën mbrëma.
Arsyet e lirimit të tij ende nuk janë dhënë nga gjyqësori zyrtarish, mirëpo reagimi i EULEX-it ka qenë i menjëhershëm, pasi kanë lëshuar vet një urdhër tjetër arresti për Naser Kelmendin.
Françoise Lambert, nga EULEX-i i tha Radios Evropa e Lirë, se i dyshuari po hetohet përveç veprave që e ngarkon prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës, edhe për një vepër të dyshuar të kryer në Kosovë.
“I dyshuari po hetohet, përveç veprave të tjera, edhe për krim të organizuar”, tha zyrtarja e lartë EULEX-it për medie Lambert.
Pas arrestimit dhe mbajtjes në paraburgim për 48 orë në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar, Gjykata Themelore e Prishtinës për rastin e Naser Kelmendit është dashur edhe të vendosë nëse ka bazë për ekstradimin e tij në Bosnjë e Hercegovinë.
Ai kërkohet nga autoritetet boshnjake për krim të organizuar dhe vepra tjera penale.
Kushtetuta e Republikës e ndalon ekstradimin e një shtetasi të Kosovës tek një shtet tjetër, i cili kërkon atë të dyshuar, dilemë kjo në të cilën EULEX-i nuk kishte zyrtarisht përgjigje gjatë tërë ditës.
Por kjo çështje është zgjidhur të martën mbrëma, kur avokati i të dyshuarit, Osman Cucoviq, tha për Radion Evropa e Lirë, se klienti i tij ka nënshtetësinë e Kosovës.
“Ai është qytetar i Kosovës, dhe kurrfarë ekstradimi nuk lejohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kështu që, ai është privuar nga liria jashtëligjshëm. Kosova nuk do ta dorëzoj assesi, sepse kjo do të paraqiste thyerje të Kushtetutës dhe ligjit”, pohoi ai.
Mirëpo, kjo nuk e ndaloi që menjëherë pas lirimit të tij, Naser Kelmendi të arrestohet prapë shumë shpejt, siç shpjegon Cucoviq.
“Zoti Kelmendi ka bërë dy hapa, jashtë ndërtesës së policisë, dhe aty e kanë prit policët e EULEX-it, ku ia dorëzuan vendimin e dytë, për 48 orë të tjera paraburgim”, tha Osman Cucoviq për Radion Evropa e Lirë.
Avokati mbrojtës shpjegoi edhe se lirimi i tij pas paraburgimit prej 48 orëve, policia e Kosovës e ka arsyetuar me një vendim që ka pranuar nga autoritetet gjyqësore, ku zoti Kelmendi lirohet nga paraburgimi, “meqë nuk janë përmbushur kushtet që ai të mbahet edhe më tutje në paraburgim”.
Sipas EULEX-it, Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka nis hetime kundër Naser Kelmendit, ku në bashkërendim me prokurorët e EULEX-it, policia evropiane nga njësia e krimit të organizuar vetëm sa ka zbatuar arrestimin e sërishëm të të dyshuarit.
Siç mësohet, Misioni Evropian për Forcimin e Sundimit të Ligjit në Kosovë, ka pranuar dosjen nga prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës, kundër Naser Kelmendit.
Ky dokumentacion është i nevojshëm për ekstradimin e të dyshuarit në shtetin boshnjak, nënshtetësinë e të cilit vend e ka i dyshuari.
Mirëpo, sipas zyrtares për informim në EULEX, Françoise Lambert, dorëzimi i Naser Kelmendit tek organet e drejtësisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, nuk është çështje e mbyllur.
“Për këtë do të shohim në të ardhmen e afërt”, tha ajo për Radion Evropa e Lire.
/Arrestohet Naser Kelmendi/
Është arrestuar Naser Kelmendi, një afarist me origjinë shqiptare nga Kosova, me nënshtetësi të Bosnjës e Hercegovinës.
Kelmendi është për një kohë të gjatë në listën e më të kërkuarve të Policisë së Bosnjës, dhe po ashtu kryeson listën e personave më të rrezikshëm në Evropë, të administratës amerikane.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Naser Kelmendi është arrestuar nga forcat e rendit, të dielën.
Bashkë me Kelmendin sipas Policisë së Kosovës, është prangosur edhe një person tjetër për dhënie të ndihmës të dyshuarit Kelmendi.
“Mund të konfirmojmë se me datën 5 maj rreth orës 20, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar, njëri prej tyre i kërkuar me flet arrest ndërkombëtar. Ndërsa personi i dytë është arrestuar për ndihmë të personit të kërkuar me fletarrest ndërkombëtar. Tani të dy personat janë dërguar në qendrën e ndalimit policor”, tha Kelani për Radion Evropa e Lirë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama, në qershor të vitit të kaluar, pati dërguar në Kongres emrin e Naser Kelmendit, duke e apostrofuar si një njeri të rrezikshëm.
Emri i Naser Kelmendit në “listën e zezë” të presidentit amerikan, gjendet përkrah atij të liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.
I lindur në Pejë në vitin 1958, Naser Kelmendi kërkohet si shtetas i Bosnjë e Hercegovinës.
Sipas autoriteteve boshnjake, Kelmendi, dyshohet të jetë i përfshirë në shumë aktivitete të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka kohë që është në arrati, dhe vazhdon të mohojë akuzat njëra prej të cilave e cilëson atë si organizator kryesor në tregtinë me drogë në Ballkan.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës Baki Kelani ndërkaq tha për Radion Evropa e Lirë, se për ekstradimin e tij do të vendosin autoritetet gjyqësore.
“Tani mund të flas vetëm për punën e cila bie në domen të policisë dhe për çështje për procedurat e ekstradimit, janë çështje që i përkasin njësive përkatëse”, tha Kelani.
Këshilltari i ministrit të Drejtësisë Driton Lajçi tha për Radion Evropa e Lirë se do të jetë vështirë të gjendet procedurat ligjore për ekstradimin e të arrestuarit Naser Kelmendi, por se kjo gjë do të ndodh meqë bëhet fjalë për respektimin e konventave ndërkombëtare.
“Me Bosnjën çështja e ekstradimit është pak e komplikuar, për faktin e ky shtet nuk e njeh shtetin e Kosovës. Me Bosnjën nuk kemi marrëveshje për ekstradim, siç kemi me disa shtete të rajonit dhe disa shtete të BE-së”, tha ai.
“Mirëpo me këtë rast duhet të kërkojmë ndihmën e EULEX-it, sepse EULEX-i ka kontakte direkte me autoritetet e Sarajevës, dhe natyrisht ne jemi që të respektojmë këto konventa ndërkombëtare, dhe gjithashtu të kontribuojmë në luftën e krimit të organizuar dhe çfarëdo dukurie negative në rajon”, tha ai.
Sipas këshilltarit politik të ministrit të Drejtësisë, Kosova dëshiron të ketë bashkëpunim me autoritetet e Bosnjës, dhe në pamundësi të kësaj është e detyruar që çështjen e Naser Kelmendit t’ia lë në duart e EULEX-it.
Kjo për arsye siç thotë ai se në kuadër të rregullave dhe marrëveshjeve bilaterale, është misioni evropian ai i cili mund ta bëjë ekstradimin e Kelmendit, i cili siç tha ai, do të ndodh.
“Jo nuk e besoj [se nuk do të ekstradohet], për faktin se autoritetet e EULEX-it kanë mundësi, sepse ai është misioni i BE-së, dhe si me thënë, do t’i gjendet baza legale që të bëhet ekstradimi. Nuk do të jetë e lehtë, është komplekse, për një fakt të rëndësishëm, jo për fajin e Kosovës, por, për faktin se Bosnja e Hercegovina nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe ata nuk duan që të kenë autoritete direkte me autoritetet e Kosovës”, sqaroi Driton Lajçi për Radion Evropa e Lirë.
EULEX konfirmon ndërmjetësimin, Policia e Kosovës jep detaje shtesë
Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se ekspertët e saj do të punojnë rreth ekstradimit të Naser Kelmendit.
Françoise Lambert, zëvendësdrejtorja e zyrës së medieve të EULEX-it, sqaroi se ekspertët i këtij misioni në Ministrinë e Drejtësisë “do të jenë të përfshirë në ndërmjetësimin” mes Bosnjës dhe Kosovës për të “marr kërkesën zyrtare të ekstradimit.”
“Kur kjo [kërkesa zyrtare] të jetë marr, një prokuror vendor do të pyet një gjykatës kompetent që të marrin vendim për ekstradimin”, ka thënë Lambert në përgjigjen e saj dërguar të hënën Radios Evropa e Lirë.
Në orët e pasdites ndërkaq, edhe policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për arrestimin e Naser Kelmendit.
Forcat e rendit shpjegojnë se i kërkuari me flet arrest ndërkombëtar Naser Kelmendi ishte zënë bashkë me Fuad Nikqi i lindur më 1981, në rajonin e Prishtinës. Ky i fundit është arrestuar për ndihmën dhënë Kelmendit.
Sipas forcave të rendit, gjatë operacionit policor janë bastisur edhe dy objekte në shfrytëzim të personave të dyshuar, ku janë “konfiskuar dëshmi të ndryshme, përfshirë dy vetura”.
Reagimet në Bosnje e Hercegovinë dhe aktakuza kundër Naser Kelmendit
Përkundër njoftimit të Policisë së Kosovës, një konfirmim zyrtar thuhet të mos ketë arritur në prokurorinë e shtetit të Bosnjës e Hercegovinës, për kapjen e Naser Kelmendit.
Zëdhënësi Boris Grubeshiq, është cituar nga mediet boshnjake dhe serbe të ketë thënë se “kur te marrim informatën zyrtare do të veprojmë ashtu siç e parasheh ligji”.
Televizioni federal boshnjak (federalja.ba), citon ministrin e sigurisë së Bosnjës e Hercegovinës Fahrudin Radonçiq të ketë thënë se kanë informatë jozyrtare për arrestimin e Naser Kelmendit, por që pas marrjes së konfirmimit zyrtar atëherë do të nisin procedurat e ekstradimit.
“Ligji është shumë i qartë, ai [Naser Kelmendi] duhet t’i dorëzohet Bosnjes e Hercegovinës bazuar në kërkesën e prokurorisë së shtetit. Pastaj ai do të burgoset dhe organet e drejtësisë duhet ta kryejnë punën e tyre”, ka thënë Radonçiq për televizionin Federalna.
Prokuroria e shtetit të Bosnjës e ka akuzuar Kelmendin për veprat penale të krimit të organizuar dhe shitje të substancave narkotike.
Mbi të po ashtu rëndon akuza për vrasjen e Ramiz Dellaliqit, i njohur si Qeli. Kelmendi është në arrati tash e tetë muaj, pas ngritjes së akuzave kundër tij, gjatë një operacioni policor të koduar “Lutka”.
Drejtori i asociacionit të shefave të policisë së vendeve të Evropës Jug-Perëndimore, Zllatko Milletiq ka thënë javë më parë se Naser Kelmendi ishte cak i aksionit policor “Besa”.
Në këtë operacion ndërkombëtar, të kryer në vitin 2011 janë arrestuar 440 të dyshuar, ndërsa ishin konfiskuar mbi 1000 kilogram substancash narkotike.
Naser Kelmendi, deri më tani nuk është dënuar për asnjë vepër të rëndë kriminale, përveç një dënimi me 10,000 euro, të cilat është dashur t’i paguaj për ndërtimin ilegal të hotelit të tij “Casa Grande” që e ka në Sarajevë.
Kelmendin e “shpëton” shtetësia nga ekstradimi
Vetëm një vendim politik mund të bëjë që Naser Kelmendi të ekstradohet prej Prishtinës në Bosnje e Hercegovinë, nëse i arrestuari është shtetas i Kosovës, thotë një zyrtar i lartë i shtetit.
Për këtë gjë, të shumëkërkuarin e Bosnjës e mbron Kushtetuta e Kosovës, shpjegon kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani.
“Një nga kushtet që është pengesë për ekstradimin, në mesin e kushteve tjera, është edhe në Kushtetutë është barrierë, apo pengesë kushtetuese, ku thuhet se nuk mund të ekstradohet shtetasi i Kosovës”, tha Hasani për Radion Evropa e Lirë.
Ai tha se kjo pengesë ligjore ka një përjashtim, i cili deri më tani nuk është aplikuar, por në vendet e rajonit janë bërë lëshime në këtë drejtim.
“Përjashtimit, dispozitat e tanishme, ose dispozitat e kohës së re, edhe në rajon edhe tek ne, janë më fleksibile, për faktin se lejon mundësinë edhe shtetasi i shtetit nga i cili kërkohet ekstradimi, të lejohet mundësia e ekstradimit. Por duhet të ekzistojë marrëveshja. Domethënë marrëveshja ndërshtetërore, mes shteteve”, shpjegoi Hasani.
Naser Kelmendi është arrestuar të dielën mbrëma në orën 20, në lagjen Mati 1 të Prishtinës.
Bashkë me të është kapur edhe Fuad Nikqi, një shtetas i Malit të Zi, i cili dyshohet se ka ndihmuar Kelmendi të fshihet nga autoritetet.
Kelmendi një afarist me prejardhje nga Peja, ka nënshtetësi të Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa është ende e paqartë nëse ka edhe nënshtetësi të Kosovës.
Këtë dilemë kanë si Policia e Kosovës ashtu edhe misioni i EULEX-it, të cilët nuk japin përgjigje të prerë nëse Naser Kelmendi është shtetas i Kosovës apo jo, me të cilin fakt do të ndryshonin parametrat ligjor për ekstradimin e tij në Bosnje.
Por Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i cili vizitoi dy të arrestuarit që po mbahen në qendrën e paraburgimit të Prishtinës, thotë se Naser Kelemdi është shtetas i Kosovës.
Kryetari i KMDLNJ-së Behgjet Shala, i tha Radios Evropa e Lirë, se i arrestuari përveç se është rrëfyer që ka nënshtetësi të Kosovës, ka kërkuar edhe që të mos ekstradohet në Bosnje e Hercegovinë.
“Ai ka deklaruar se është shtetas i Kosovës, dhe ka kërkuar që në përputhje me të drejtën e tij, dhe në përputhje me të drejtat e njeriut, ai kërkon si qytetar i Kosovës, që nëse ka ndonjë implikim eventual, ndonjë vepër penale, atëherë të gjykohet në Kosovë dhe të mos ekstradohet në Bosnje. E sikur ai s’do ta kishte shtetësinë e Kosovës, s’do të kërkonte që mos të ekstradohet në Bosnje”, shpjegon Behgjet Shala.
Sipas ligjit, Naser Kelmendit në orën 20 i skadon koha e paraburgimit, por në rast se autoritetet boshnjake dërgojnë komplet dosjen për të dyshuarin, atëherë mund të merret një vendim për zgjatjen e paraburgimit të tij deri në 40 ditë.
Zyrtarë të misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, i thanë Radios Evropa e Lirë se EULEX-i po i ndërmjetëson këto raporte, të cilat janë të komplikuara për shkak të mos njohjes reciproke të Kosovës dhe Bosnjës.
“EULEX-i po lehtëson dhe po ndërmjetëson kontaktet ndërmjet BH dhe Kosovës, me qëllim që të sillet dosja e ekstradimit”, i tha Radios Evropa e Lirë, Françoise Lambert nga zyra e EULEX-it për medie.
Autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës ende nuk kanë dërguar në Prishtinë, dosjen e lëndës së Naser Kelmendit, i cili u arrestua në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar.
Vendimi për ekstradimin e të shumëkërkuarit nga autoritetet boshnjake, pritet të merret pas një kërkesë zyrtare që duhet të bëjnë autoritetet në Sarajevë, ç’gjë ende nuk është plotësuar.
Sipas kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Naser Kelmendi mund të rri tutje në burg vetëm në bazë të një kërkesë të Interpolit, ku do të vlente zgjatja e paraburgimit të tij për 40 ditë tjera.
“Tash çështja se si do të procedohet, unë nuk mund të spekuloj për faktin se ajo do të jetë në rrafshin politik, se përndryshe sipas ligjit, janë ato pengesat ligjore që shtetasi i Kosovës nuk mund të ekstradohet në shtetin e tretë, me përjashtim nëse ekziston marrëveshja. Tani se si do të procedohet, se a do të arrihet ajo marrëveshja apo s’do të arrihet, është çështje e segmentit të politikës që s’ka të bëjë me ne me gjyqësorin”, tha Fejzullah Hasani për Radion Evropa e Lirë.(Kortezi Fatmir Aliu-Europa e Lire)