• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2013

NUK MUND TË HARROHET AMERIKA

June 20, 2013 by dgreca

Shkruan: Neki Lulaj/ Gjermani/

Në kuadrin e fotografive të shumta dallohen: Një pikturë e rrallë e Presidentit historik Dr. Irahim Rugova në biblotekën e Vatrës; moment duke ia dhuruar librat me poezi Kryetarit të Federatës Panshqiptare “Vatra”, Dr. Gjon Buçaj; Znj. Nikoleta Buçaj dhe editori i gazetës” Dielli”, Dalip Greca; atdhetari Adem Saliu dhe kryetari i Vatrës duke m’i dhuruar disa libra; unë me  kryetarin e Vatrës, Dr Gjon Buçaj dhe editorin e gazetës “Dielli”, duke shfletuar ca dokumente interesante nga arkivi; mysafiri i Vatrës nga Gjermania duke firmosur në librin e përshtypjeve të Vatrës; pamje në sallën e Konferecave të Vatrës mes dy kolosëve, Nolit dhe Konicës; me Rita Saliun dhe Lisa Gregory në Kishën Ortodokse në Massachusetts; me Gregory Steffon dhe Rita Saliun në Massachusetts; moment duke ia dhuruar librin “Balada e heshtje” Kryetarit të Festivalit të 15 Shqiptar, Zt. Frankli Zdrulli; në foltoren e Fan S. Nolit në Boston; kosovari i Gjermanisë në karrikën e Nolit në Boston; pranë varrit të editorit të parë të Diellit, Fan S. Noli, në Forest Hills Redwooo Ave 36; pranë pllakës përkujtimore të Konicës në Forest Hills Redwooo Ave 29, eshtrat e të cilit tashmë prehen në Atdhe.

***

Ç’është jeta pa dritën që ta jep dashuria, pyeste Schileri në kohën e tij. Një vizitë në Nju York, por edhe një ribashkim i përmallshëm me antarët e ngushtë të familjes së ndodhur larg trungut të Atdheut, i dha impuls përforcimit të dashurisë. Një vizitë në tokën e premtuar, tejmatanë brigjeve të mëndafshta rë Oqeanit, të bind se edhe këtu jetohet, madje më mirë se në disa vende tjera të globit tonë. Në ceremoninë e parapërgaditjes për një dasmë madhështore dugagjinase, zotit të dasmës Xhevat Lulaj dhe bashkëshortes së tij, Emines, u qeshët fytyra nga gëzimi për martesën e djalit të vetëm.

Lëvizje të palodhshme njerëzish në përhapje të dasmës. Pritje e përcjellje grupesh të ndryshme bashkatdhetarësh nga Shqipëria e Kosova dhe trevat e tjera të banuara me shqiptarë. Të gjitha këto m’i ripërkujtojnë ngazëllimet e moçme të trevave të Dukagjinit. Harroja se ku jam. Më dukej se isha në Kosovë, por kur dilja jashtë dhome t’i prisja e përcjellja dasmorët, para syve më dilnin ndërtesat e larta me një arkitekturë të përkryer, bulevarde të gjera dhe rrugë moderne me një infrastrukturë tipike amerikane. E dija se jam larg Kosovës, në Njy Jorkun e famshëm të Amerikes mike.

Më bëri përshtypje fakti se edhe këtu ruhen me xhelozi traditat tona, pritja, përcjellja, shërbimi me mirëseardhje, shërbimi me cigare e kafe, dhe pritje tjera të përzemërta. E unë, në heshtje, lexoj në fytyrat e secilit brengat e familjes, të vendlindjes, dhe mallin për Atdhe. Po qasej mbrëmja dhe njërëzit nuk kishin të ndalur. Ishte nata e parë për mua përtej oqeanit, edhe pse këtu koha ndryshon për gjashtë orë me atë të Europës. Si për çudi unë nuk ndjeja kurrfarë lodhjejeje. Në çdo anë ndjehej një atmosferë e veçantë dhe e papërshkruar gëzimi.

Rreth orës 18.00, në Odën e burrave, me një celular në dorë hyri vajza e vëllait, Albulena, dhe m’u drejtua: Xhaxhi im i dashur, një telefonatë për Ju! Në anën tjetër të telefonit më lajmërohet Rita Saliu, më fjalë shumë të ngrohta: Vëlla Neki, mirëse ke ardhur në shtetin tonë! Po si e kalove rrugëtimin, si e ke lënë familjen dhe si i gjete më të dashurit tu në New Jork? Uroj që të kaloni mirë! Rita, pa vonuar kalon në temë: Neki vëllai! Ademi dhe unë vijmë nesër në mëngjes, dhe shkojmë së bashku për t’a vizituar Federatën Panshqiptare të Vatrës. Takimin zyrtar e kemi pregaditur me kohë, andaj kaloni mirë deri nesër!

Oda e Nju Jork-ut, me burra nga Kosova, kishte renë në qetësi duke e përcjellur me vëmendje telefonatën time me motrën end të dashur, Rita. Daja im që ka lënë të tetëdhjetat, e then qetësinë e end duke mu drejtua me këto fjalë: Valla bre lum daja, ne këtu jetojmë qe sa dekada, e Vatrën ende nuk kemi pasë rastin ta vizitojmë. E ty dhe mikut end që te ftoi në telefon, I lumtë! Kurse unë nga modestija nuk doja që të bisedoja para kohe për këtë vizitë të caktuar, për kohën e rezervuar enkas për mua nga miku im, Ademi dhe Rita Saliu, andaj doja të kalonim në një temë tjetër. Një zile tjetër ndërpreu bisedën dhe një grup bashkëkombasish, erdhën me rastin e dasmës dhe vërtetë u ndryshua tema e bisedës.

Tani, në shpirtin tim kishte filluar të ndërtohet porta e një muri të ri të fantazisë për vizitën që do t’ia bëjmë nesër Federatës Panshqiptare ”Vatra”, Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, çerdhes së ngrohtë të organizatës më të fuqishme patriotike të diasporës shqiptare dhe organizatës më jetëgjatë të emigracionit shqiptar gjatë shek. XX, aty ku dikur Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica dhe patriotët e tjerë shkrinë kohën, mundin dhe pasurinë për çështjen e shenjtë në ndihmesë të shtetit I cili gjendej në udhëkryqin më të rrezikshëm, me ç’rast, më 20 dhjetor 1912, siç pat shkruar një analist I kohës “kish lindur Shqipëria, fëmija më I vogël I Europës, një fëmijë I vogël e I sakatuar, me kumbar”. Sir E. Grein. (“N.Jorgaqi, Jeta e Fan S. Nolit, fq. 278).

 

Vatra e bekuar e rilindsëve tanë /

 

Të nesërmen në mëngjes herët, mysafirë të parë në përharje ishin Adem e Rita Saliu, ku pas një qëndrimi të shkurtë vazhduam rrugëtimin në drejtim të Federatës Panshqiptare “Vatra” në New York. Makina na ndali para hyrjes ku bëmë përpjekje që t’i bejmë ca foto, por pa pritur u hap dera dhe u duk një burrë i pashëm që në shiqim të parë lënte përshtypjen e një diplomati amerikan. Në shoqeri me Ritën u ngjitëm shkallëve të Vatrës. Burri para derës na uroi mirëseardhje në shtëpi, duke na u prezentuar me emrin Dalip Greca, dhe na shoqëroi në dhomën e pritjeve zyrtare. Urdhëroni e uleni se kryetari pasë pak do të vijë. Është këtu, por për momentin i zenë me një delegacion.

Veprimtarja e pa lodhur dhe aktivistja e humanistja e çështjes shqiptare, Znj. Rita Saliu, si bija e shtëpisë në Vatër, bëri prezantimin tim para miqve në pika të shkurta. Njëkohësisht edhe mua më njoftoi me Nikoletë Buçaj, si dhe me Dalip Grecën, ish editorin e Illyrisë dhe editorin aktual të Gazetës Dielli. Pastaj filloi biseda e njoftimeve miqësore e individuale. Ne selinë e Federatës Panshqiptare “Vatra” na rrethonte një ambient i rrallë e i paparë. Më dukej se muret dhe të gjitha ato foto historike në kornizë, përshpërisnin dhe buzëqeshnin shqip. Më dukej se krenoheshin me punën e tyre, e bashkë me ta krenohesha edhe unë. Mua që m’u dha rasti t’i vizitoj, falë Adem dhe Rita Saliut, të cilën vizitë e kisha ënderruar që nga koha kur kisha lexuar e mësuar për emrin e Fan Nolit, Kristo Floqit dhe Faik Konicës. Shpalimet historike për aktivitin e shqiptarëve që bashkëvepronin me Federaten Panshqiptare ”Vatra” janë të paharruara.

Biseda jonë e përzemërt vazhdonte tempon e vet, sikur të ishim miq të vjetër, si nga ana e sekretareshës së Vatrës, si nga ana e editorit të Diellit. Nga kjo pritjeje e përzemërt e miqësore unë ndjehesha para një befasie të këndshme të një ambienti të ngrohtë. Në bisedë e sipër, Zt. Adem Saliu rrëfente diçka shumë interesate për aktivitetin e Vatrës, për punën e vatranëve dhe të komunitetit shqiptar në Nju York e mbarë Amerikës. Papritur u hap dera dhe të gjithë brofëm në këmbë në shenjë respekti. Edhi Kryetari i Federatës Panshqiptare të “Vatrës”, Zt. Ghon Buçaj. Edhepse e kishte njoftuar me kohë për vizitën tonë, Ademi bëri prezentimin tim: Është Neki Lulaj, një veprimtar dhe një poet nga Europa. Në shtrëngim duarsh e përqafim e sipër si dy vëllezër të një gjuhe e të një gjaku, mua më tradhëtuan ndienjat dhe me rrodhën lotët e përmallimit.

Biseda jonë miqësore dhe e përzemërt vijoi në një ambient të shoqëruar nga miqtë e Vatrës, Adem e Rita Saliu, Dalip Greca dhe prania e Znj. Nikoleta Buçaj, si dhe me blicat e foto kamerave në sallë. Kryetarin rrjedhimisht e njoftova për aktivitetin dhe punën time në Gjermani, pastaj e njoftova për rrjedhat e Akademisë solemne qe u organizua nga Lidhja e Shqiptarëve në Botë me qendrën në Frankfurt, që u mbajt më 20 tetor të vitit 2012 në shenjë të 100 vjetorit të Pavarësisë, ku kërkoi falje për pamundësinë e pjesëmarrjes së tij në atë manifetsim shkencor, duke theksuar se me kohë ka qenë i ftuar. Pastaj e njoftova për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrespodencën e rregullt që e kemi me një veteran nga diaspora shqiptare e Rumanisë, duke folur shkrutimisht edhe mbi aktivitetin e Lidhjes së Shoqatës së Shkrimtareve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, nënkryetar i cilës jam.

 

Në shenjë respekti Krytarit Buçaj ia dhurova pesë librat e mia me të poezive dhe antologjinë ”Trinomi i lirisë”, të bashkautorve Lulaj dhe Qyqalla. Ishte shumë i kenaqur për punën dhe aktivitetin që e zhvillon diaspora shqiptare e  Gjermanisë me Bukureshtin dhe me dy gazeta të famshme, Bota sot dhe Zemra Shqiptare, duke na uruar suksese të mëtejshme. Më pastaj, me insiativën e krytarit Buçaj, vizituam bibliotkën e Vatrës, duke na njoftuar me një mori gjërash shumë të vjetra si thesar i trashëgimisë së vatranëve me një lashtësi mbi një shekullore, pastaj me procesverbalet që nga koha e Nolit dhe e Konicës, si dhe e patriotëve të tjerë shqiptarë që kishin kontribuar në mbajtjen gjallë të kësaj “Ambasade” shqiptatre. Njëkohësisht, ata më dhuruan libra, broshura e studime që janë bërë për ”Vatrën” dhe disa ekzemplarë të gazetës “Dielli” e shumë gjëra të tjera me vlera të veçanta kombëtare.

Nga Kryetari Buçaj mësova për punën e palodhur studioze në sistemimin e arkivit dhe gjërave të tjera interesante që i bën editori i palodhur i gazetës “Dielli”, Zt. Dalip Greca, një shqiptar i pajisur me një vullnet të pashoq dhe me një pedantëri të rrallë. Në bibliotekë kishte shumë fotografi interesante të kohërave dhe dekadave të ndryeshme: At Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica, Paskal Aleksi, Kristo Kirka, Lambri Çirkozi, Elia Tromara, Kosta Vasili dhe të delegacioneve të ndryshme shqiptare që kishin vizituar Amerikën. E pamë edhe shtypshkronjën e vjetër të vatranëve tanë, pastaj uniformën e parë ushtarake shqiptare të vitit 1916, një gjë që nuk e kisha parë kurrë më parë. Një vend të veçantë ishte një pikturë e madhe e presidentiti të parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova me flamurin dardan dhe shumë objekte tjera interesante.

Njëkohësisht m’u ofrua libri i përshtypjeve të mia që mes tjerash shkrova: “Këtu, përtej Oqeanit takova botën shqiptare, njerëzit e vyer, Gjon Buçaj, Dalip Greca, Nikoleta Buçaj, vravashkat që së bashku me aktivistët e tjerë shqiptarë nuk e lejojnë kurrë të shuhet kjo prushnajë mbarëshqiptare. Lavdi! Pas shumë fotosh e njoftimesh që patëm atë ditë me një shpirt të pasuruar me një mësim të ri mbi figurat e kombit të cilë shkrijnë djersë, mund e pasuri për shqiptarinë, u ndamë me shtërngime duarsh e me një shpirt të zhurritur nga malli, duke i dëshiruar njeri-tjetrit punë të pa lodhur e mbarësi në jetë. I shoqëruar nga aktivistët Adem e Rita Saliu, vizituam Qendrën Tregtare Shqiptare në Bronx, ku edhe drekuam së bashku në një restoran shqiptar. Në mbremje u përshëndetëm me kujtimet më të bukura që i fitova unë, falë Ademit dhe Ritës.

 

Dasma shqiptare në trojet amerikane /

 

Dita e Dielë. Dasma në Nju York ishte tipike kosovare. Ndryshonte ngase dasmorët niseshin për te shtëpia e nuses me dy flamuj, ate amerikan dhe shqiptar, dhe se krushkët shkonin të gjithë një një autoveturë speciale, kurse krushqit me autovetura të tjera. Edhe tek miqët e ri çdo gjë ishte e traditës. Për mua kishte karakteristika të tjera, sepse pata fatin të takohem me bashkëmoshatarët e mi të studimeve, profesorë të mi të dikurshëm dhe bashkëfshatarë qe i kisha takuar para njëzete e pesë viteve. Edhe te miqët e ri pat muzikë burimore shqiptare të traditës. Çifti i ri me i lumtur, Alberti dhe Shkurta, ishin aktorët kryesorë të kesaj dite dhe mbrëmjeje të hareshme e që dasma e filluar pasditën e shtunë, do fa ketë kulmin e saj në restorantin e zgjedhur për karërqind dasmorë, të cilët i argëtoi muzika e zgjedhur popullore dhe vallëzimet tipike shqiptare, të ruajtura brez pas brezi me një xjelozi dhe besnikëri të pashoqe, ketu përtej brigjeve të mëndafshta të oqeanit Atlantik.

Rëndësi të veçantë pati edhe një vizitë në Mannhetan, të shoqëruar me dhëndërrin e ri, Albertin, unë dhe mesuesi im i dikurshëm në tetëvjeçare, vëllau i madh Demushi, tashmë i pensionuar. Një sheti e vizitë nga Bronxi, Albany e Mannhetani, buzë oqeanit. Çfarë të shikonin sytë më shumë se ndërtesat e mëdha që preknin me buzë majat e qiellit të kaltërt! Pasoi pastaj një vizitë Biblotekës me të vjetër të New Yorkut, e posaçërisht Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë, që ta përkujton me keqardhje tragjedinë e Shtatorit të Zi (2001), kur humbën jetën mbi tremijë njerëz të pafajshëm.

U kthyem në mbrëmje pas një lodhjeje të këndshme. Një ditë e veçantë për mua ishte dita kur pata caktuar t’i bëj një vizitë motrës sonë Rita. U takuam së pari në shtëpi, e më pastaj na u dha rasti të rrugëtojmë së bashku për në Boston. Kisha plane të ndryshme se si të shkoja, por fati i prin njeriut që për pakë ditë nuk mund ta shohë Amerikën. Nipi im, Zt. Fatmir Krasniqi, me banim në Nju Xhersi, më lajmërohet me telefon dhe më thotë: Dajë, nesër kam huazuar nga puna e përditshme një ditë të lirë, dhe jam në dispozicionin tënd që të shkojmë kah t’i kesh ti planet! Mos llogarit në asgjë se unë jam në disponimin tënd! Mirë, i përgjigjem, nesër e kisha në plan ta vizitoj motrën Rita Saliun dhe bashkë me të kemi një takim të paralajmeruar me Adem Saliun që të takohemi me At Arthur Liolini, pasardhësin e At Fan Nolit në Boston.

Diku rreth orës gjashtë të mëngjesit jam aty dhe fillojmë rrugëtimin. Kaluam disa qinra kilometra dhe arritëm tek shtëpia e Adem e Rita Saliut. Një mikpritje bujare në një dhomë modeste e dekoruar për mrekulli. Në një vend të veçantë kishin zenë medaljet, diplomat, mirënjohjet, dekoratat, fotografitë me President Rugovën e president Bil Klintonin, me Merlin Olbrajtin, me President Bamir Topin, me Akademik Mark Krasniqin, me Vesley Clarkun, me shumë foto refugjatësh nga Kosova që i kishin strehuar bashkëshortët Saliu në shtëpinë e tyre muze. Veprimtarja, humanistja, atdhetarja e poetja Rita Saliu ishte shumë e përmbajtur dhe nuk lavdërohej për shërbimin e bërë bashkatdhetarëve tanë, të sëmurëve e të plagosurve që i kishte marrë vullnetarisht nga Kosova në shërbime vetanake. Ajo kurrë nuk ishte ndjerë lodhje për mundin e vullnetin dhe punën e saj 24 orëshe, pa pushim e gjumë dhe lodhje mes tjerash pohon: “Nuk është kurrë lodhje as molisje kur njeriut i jepet shansi të sakrifikohet e të puojë për Atdheun e vet.” Dhe, pas një kaftjalli të lezetshëm dhe një kafeje tradicionale, e morrëm rrugën për në Boston.

 

Kryekisha Orthodokse Shqiptare e Bostonit me vlera të shejta

 

Gjatë rrugës bisedat ishin ndër më të ndryshmet. Rita na shpjegonte se në cilat pjesë të Amerikës gravitojnë me shumë shqiptarë përveç Nju Yorkut. Me t’u ofruar në Massachusetts, më njofton se më 31 maj dhe 1 e 2 qershor, në Kishën Ortodokse shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë”, mbahet Festivali i 15-të Shqiptar, ku pritet të marrin pjesë mbi 20 mijë bashkatdhetarë. Neve rastësisht gjendeshim pranë asaj Kishe, dhe i them unë Fatmirit: “Pa ndale çik këtu, të lutem, se ajo Shqiponjë e madhe po me jep me kuptue se jemi dikund afër, në komunitetin shqiptar.” Me të ndaluar, shof një pllakatë të madhe në gjuhën shqipe ku shkruate YLIRIA. E Rita na thotë se pikërisht për këtë kishë e pata fjalën, se mu në këtë kishë kam mbajtur disa takime në Informimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës. Posa e ndalëm makinën, ajo nxitoi tek hyrja e Kishës kur doli një grua e cila na urdhëroi të hyjmë brenda. Unë u prezentova, por edhe ajo më tha: “Më quajnë Lisa Gregory. Prindërit e mij janë të ardhur moti nga Drenova e Korçës, por unë nuk di mirë të flas shqip.”

Sa bukur dhe sa dhembshëm, flisja me vetëveten: Asdreni i Drenovës dikurë në Bukuresht, dhe Lisa Gregory me origjinë drenovare sot në Amerikë. Me të hyrë në Shtëpinë e Zotit, para se të arrijmë te altari, më ranë në sy librat e zeza me shqiponjë ngjyrë ari në kopertinë. Me të shfletuar, pamë se gjysma ishin anglisht e gjysma shqip. Të gjitha freskat bukura të punuara ishin vetëm në gjuhën shqipe. Bëmë ca foto të bukura dhe pa u përngutur dolëm jashtë, dhe në dalje u takuam me famullitarin e kishës, Zt. Gregory Steffon dhe me Zt. Frankli Zdrulli, me të cilët bëmë ca foto dhe na ftuan në Festivalin e 15 Shqiprar, kurse unë ua dhurova librat “Balada e Heshtjes” dhe “Bukuri e bekuar”.

Pasi u përshëndetëm përzemërsisht me ta, vazhduam rrugën për në Boston, ngase atje e kishim orarin e caktuar të një takimi të ri. Ishte pakë sa e gjatë rruga dhe nuk mundëm të arrijmë me kohë që të takohemi më At Arthur Linolinin (pasuesin besnik të Nolit), por ai ngase kishte paur një takim tjetër kurse ne ishim vonuar duke e porositur sekretareshën që të takohemi bashkë në Kryekishën e Orthodokse Shqiptare ne Boston, themeluar nga Fan Noli.

Mikprita ishte e shkëlyeshme me një buzqeshje bujare në sallën e rezidencës për mysafirë. Çdo gjë ishte e nivelit të lartë, nga sekretaresha e Kishës e cila e fliste një shqipe të pastër duke pohuar: Unë nuk di shumë fjalë shqipe, por vehten e ndjej si shqiptare. Pastaj nga ajo mësuam për aktivitetin e shqiptarëve në Boston dhe rrethinë, si dhe mbi punën shumëvjeçare të pasardhësit besnik të Nolit. I shoqeruar nga Rita Saliu dhe Fatmir Krasniqi, bëmë disa foto në foltoren e Nolit. Si shumë bij të shquar të shqipes që e kanë vizituar këtë vend të shenjtë, edhe unë pata rasti që të ulem në karrikën e Nolit.

Sekretareshës së Kishës ia dorëzova për bibliotekë pesë përmbledhjet e poezive të mia dhe  pas ca fotove tjera u ndamë miqësisht me një lamtumirësi të përzemërt jetësore. Neve vazhduam rrugëtimin për në varrezat Forest Hills-Boston, në Redwooo Ave 36, ku pushon trupi i pa jetë i Fan S. Nolit, dhe mu në të njejtën rrugë është Pllaka përkujtimore ku deri para ca vitesh kanë pushuar eshtrat e Faik Konicës. Ne të tre, me tufa lulesh dhe me nga një minutë heshtjeje, i uruam lavdi jetës dhe veprës së pavdekshme të Nolit dhe Konicës. Pas qëndrimit dhe shoqërimit dyorësh me burrat e kombit, neve vazhduam rrugën e kthimit për në Mansfield në shtëpinë e Adem e Rita Sliut.

Pas një darke solemne me Ademin, Veliun babain e Ritës, Fatmirin, dhe pas shumë dhuratave (Kompleti i Nolit nga studijuesi Nasho Jorgaqi që ma dhuroi Adem Saliu dhe disa dhuratave të tjera), në mbrëmje udhëtuam për në New York, pas një dite të ngjeshur me aktivitete kulturore, falë çiftit të mrekullueshëm bashkëshortor, Adem e Rita Saliut. Në ndarje Rita më premtoi se do përpiqet të ma mundësojë një takim me Editorin e gazetës Iliria, Vehbi Bajrami, që ishte shumë i zënë, ndaj këtë e lamë për një herë tjetër, për një takim të ri me Amerikën mike. Të gjitha këto vizita, mbresa, e takime do të më ngelën ndër kujtimet më të çmueshme të jetës sime. Më vjen keq, sepse për një kohë kaq të shkurtë, nuk mund të shifet krejt Amerika.

 

 

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: amerika, neki Lulaj, nuk mund te harrohet

KUJTESË FUSHATËS ZGJEDHORE

June 20, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/

Fushata zgjedhore e vitit 2013 hyri në metrat e saj të fundit. Mitingjet e forcave politike nuk njohën asnjë pushim në të gjitha anët e një Vendi që duket se ende ruan entuziazmin e njëzet viteve të shkuara, po të gjykohet nga turmat e qytetarëve që mbushin sheshet apo sallat e takimeve dhe konferencave.

Shqipëria e sotme nuk është më ajo e fillimit të viteve 90, ndryshon në pasurinë e saj të paluajtëshme, mbasi pamja e qyteteve dhe qëndrave të saj të banimit është krejt tjetër. Ndërtimet, si treguesi më i saktë i një forme zhvillimi të një shoqërie, është një dukuri që paraqet , në vetvete, dy fytyra : atë të jashtëmen, që reklamon mirëqënien, dhe atë të brëndëshmen, të padukshmen, që lidhet me fondet, me lejet e ndërtimit, me allishverishet, me korrupsionin, me shkatërrimin e mjedisit, me mos  respektimin e rregullave, me fitime të mëdha që shpërndahen në disa drejtime … Kur flitet për ndërtimet atyre  u shtohen dhe elementët e tjerë të infrastrukturave si rrugët, ujësjellësat, bonifikimet etj., që, të marra së bashku, japin tabllonë e një Vendi, për të cilin politika, në këtë fushatë zgjedhore, ka dy qëndrime krejtësisht të kundërta : njëra, ajo qeveritare, duke tejzmadhuar rezultatet kërkon kapitalin e saj politik, duke i veshur vetes meritat e duke u munduar të ushqejë shpresa që, në synimin e saj, duhet të kthehen në vota për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit. Ndërsa tjetra është ajo opozitare, që kërkon t’a fitojë pushtetin, duke nxirë dhe asgjësuar gjithshka që, në vitet e shkuara, ka kryer kundërshtari politik në timonin e drejtimit të Vendit.

Rezultati është një varg gënjeshtrash që vërtiten pa pushim në mëndjet e trallisura të  shqiptarëve që, ende sot, mbas gati një të katërt shekulli të tjetërsimit të sistemit, mendojnë si të gjejnë mënyrën për t’u larguar nga Shqipëria, gjë që tregon se sa pak i besojnë premtimeve të politikës, tepër bujare në këto ditë të nxehta qershori, në përshkrime mjedisesh prrallore të viteve t’ardhëshme.

Premtimet rrokin të gjitha problemet e shqiptarëve, nga qindra mijra vëndet e reja të punës deri tek rritje marramendëse rrogash e pensionesh, nga asgjësimi i taksave tek projektet faraonike të infrastrukturave apo të energjitikës deri në kufijtë e “superfuqive”. Pa hyrë në analizën e tyre, që nuk duan ndonjë zgjuarsi të veçantë për të kuptuar se i shëmbëllejnë më shumë fantazisë së autorëve të letërsisë fëminore se sa parashikimeve të shtetarëve të urtë e realistë, bën përshtypje fakti se ka një premtim, për të cilin nuk flitet fare, që mbetet jetimi i vetmuar i këtyre zgjedhjeve, të trumbetuara me kaqë zhurmë.

Është fjala për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, për të cilët duket se politika ka një alergji të hershme, mbasi ndoshta, nga llogari të thjeshta shifrash kalemxhinjsh të saj, nuk paraqesin ndonjë interes të veçantë, sepse nuk janë të organizuar edhe se paraqiten me disa shoqata që janë kthyer në pronësi vetiake të kryetarëve të përjetshëm, janë lehtësisht të manipulueshëm e nuk përbëjnë një pellg të madh votash. Të gjitha këto konsiderata mund të jenë të saktësuara nga logjika cinike e politikës. Ajo që nuk mund të përligjet është fakti se prej më shumë se njëzet vjetësh Shteti shqiptar, në borxh për shfrytëzimin rreth gjysëm shekulli të punës së papaguar të mijra njerëzve, të dënuar nga diktatura për krime të ndërgjegjes, megjithëse ka marrë një vendim e ka hartuar një projekt dëmshpërblimi, një projekt që në vetvete respekton një logjikë jo të drejtë, sepse nuk mban parasysh kohët e ndryshme të dënimeve, ende sot është mjaftuar me shlyerjen e një të tetës së detyrimit. Projektet “madhështore” të shumicës qeverisëse në fund të mandatit i kalojnë sipër këtij detyrimi, e shkelin me të dyja këmbët, sepse në fund të fundit këto janë “mundësitë” e shtetit, se borxhin duhet t’i a “kërkojnë Enver Hoxhës”, se të tjerët (socialistët) nuk e njohin një detyrim të tillë.

Ky është mendimi jo zyrtar, i pa shprehur haptas, por zotërues në dhomat e pushtetit të koalicionit qeverisës  me përfundimin që pohova më sipër : nga tetë këste të përcaktuara është paguar vetëm një, duke shkelur paprerë të gjitha afatet kohorë të lajmëruar prej vetë përfaqësuesve të Qeverisë. Shteti ka kursyer përsëri me djersën dhe gjakun e viktimave të dhunës komuniste. Një qëndrim i tillë, tallës e sorollatës ndaj të mbijetuarve të ferrit komunist, qoftë zyrtar i maskuar nga hipokrizia “demokratike”, qoftë pasojë llogarish burokratësh të zyrave “demokratike”, akoma më keq mos njohje e problemit nga partia socialiste, ndryshon shumë pak nga brutaliteti dhe mizoria e komunizmit enverist.

Fakti që, edhe në morinë e pafund të premtimeve të këtyre ditëve, nuk thuhet asnjë fjalë për këtë detyrim madhor të Shtetit e të shoqërisë shqiptare, është tregues i një imoraliteti të theksuar, jo vetëm politik, administrativ, ekonomik, ligjor, por mbi të gjitha njerëzor. Kjo vlen për ata që qeverisin, e akoma më tepër për Opozitën ish komuniste, që shqetësohet me të tepër për pensionet e ushtarakëve, ushtrues drejtpërsëdrejti të dhunës komuniste, që kanë qenë edhe përfituesit më të mëdhenj të privilegjeve të regjimit, ndërsa heshtin me mospërfillje për problemin kryesor të ish të përndjekurve politikë. Në këtë vështrim sllogani i famshëm “të gjithë bashkëvuajtës e të gjithë bashkëfajtorë”, i kthyer në një parim ndikues edhe në vizionin e këtyre problemeve, është një shtrembërim i papranueshëm dhe tepër revoltues për ata që kanë kaluar dhjetëvjeçarë të gjatë të jetës së tyre në burgjet dhe kampet e internimit të diktaturës së kuqe shqiptare.

Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se të përndjekurve të diktaturës askush nuk po u bën një nder, se Shteti shqiptar ka një borxh që nuk është ai i nderit, por real që ka të bëjë me punën e papaguar t’atyre njerëzve, burra e gra të dënuar nga ligjet e diktaturës me privim lirije për motive politike, por të detyruar nga komandat e kampeve të punës  të punonin duke realizuar e tejkaluar çdo ditë normat e përcaktuara në të gjitha proçeset e punës, duke filluar nga tharja e kënetave të Maliqit, Thumanës apo Tërbufit, në brezaret e Borshit apo fushat e Belshit, në ndërtime uzinash,  aeroportesh, apo lagje qytetesh e deri në shfrytëzimin e minierave të Spaçit apo Qafë Barit. Për ato punë kolosale Shteti shqiptar nuk ju ka paguar asgjë të dënuarve, ato para janë depozituar në arkat e tij. Ka një ligj universal, të respektuar në të gjitha demokracitë, që i njeh njerëzve të konsideruar të dënuar pa baza, dëmshpërblimin për gjithë kohën e dënimit, mbas fitimit të pafajësisë. Një vendim pafajësije, për të gjithë të dënuarit e ndërgjegjes në sistemin komunist, e  shpalli Kuvendi i parë i Shqipërisë paskomuniste. Kërkesa për dëmshpërblimet e ish të përndjekurve është pasojë e atij vendimi, dhe mënyra si është trajtuar ligjërisht tregon se është mbajtur parasysh një minimum të drejtash. Sot edhe ai minimum rrezikon fshirjen e plotë.

Themelet e Shtetit komunist shqiptar janë të mbushur me gjakun e viktimave të tij. Mbi atë themel u ngrit godina “demokratike”. Por ende, mbas gati një të katërt qindvjeti nuk shfaqet vetëdija, ndershmëria e guximi për të pastruar gjakun nga themelet. Ai gjak, simbas logjikës kriminale ende të përligjur në një pjesë shqiptarësh, duhet të jetë si kurmi i Rozafës, çmimi për të ruajtur kalanë të pashkrehur. Kthimi i dëmshpërblimeve ish të përndjekurve, më të shumtët tani të ikur nga kjo botë , në një kohë të shpejtë e pa sorollatje të mëtejshme, do të ishte veprimi i parë në drejtim të përmirësimit të imazhit të politikës e të Shtetit. Do të ishte shenja e parë domethënëse e shkëputjes nga e kaluara, e dënimit të saj efektiv e jo të rremë. Kundërveprimi ndaj ndonjë shprehjeje apo projekti të të malluarve të diktatorit gjirokastrit për të ngritur bustet e tij, është një shashkë tymosëse për të verbërit kundrejt faktit, që Shteti dhe politika shtyjnë në kalendat greke borxhet e gjakut e të djersës  së viktimave të diktaturës.

Nuk ka e nuk mund të ketë asnjë justifikim për këtë moskokëçarje të madhe të Shtetit kundrejt pjesës më të dobët të shoqërisë e fakti që, në lumenjtë e propagandës zgjedhore, askush nuk tregon kurajën të ballafaqohet me problemin, qoftë edhe formalisht, tregon se sa e papërgjegjëshme dhe sa larg problematikës reale e thelbësore të këtij Vendi është klasa e tij politike. Në fakt është po e njëjta e vitit 1991, ajo e parafabrikuara nga tezat e Katovices, një mori bijsh e bijash të vazhdimësisë ramiziane, të mbrujtur nga gjiri i nënës me urrejtjen për “armiqtë e klasës”. Këtë urrejtje, në pjesën më të madhe të saj, për leverdi konjukturale nuk e shpreh haptas, por e shfaq tërthorazi, nëpërmjet qëndrimit tërësisht negativ kundrejt kërkesave, më se të ligjëshme, të ish të përndjekurve politikë.

Kryetarit të Opozitës dhe bashkëpuntorëve të tij, që valëvisin pa prerë flamujt e “Rilindjes shqiptare”, vlen t’u kujtohet se rilindja duhet të jetë, në rradhë të parë, dënimi me plot gojën e pa dyshimin më të vogël të atij sistemi që çoi në vdekjen klinike të Shqipërisë. Krahas atij dënimi bëhet i detyrueshëm shërimi i plagëve të hapura që ai la në shoqërinë shqiptare, përfshirë këtu dhe dënimin e krimeve e të autorëve të tyre. Ky proçes, që në një Vend normal e në një rrjedhë normale zhvillimesh demokratike gjatë pothuaj një të katërt shekulli, sot duhet të kishte qenë i mbyllur, duhet rihapur me forcë, duke patur në qendër të tij, pikërisht zgjidhjen e shpejtë e përfundimtare të dëmshpërblimit të ish të përndjekurvet politikë.

Ky nuk duhet të jetë objektiv i vetëm një force politike apo i një koalicioni qeverisës. Për sendërtimin e tij duhet një marrëveshje e përgjithëshme dhe e sinqertë mes të gjitha palëve. Pa këtë marrëveshje demokracia jonë do të jetë e mangët dhe rakitike, edhe nëse do të ketë arritje në fushën ekonomike, edhe nëse do të respektojë parametrat e Evropës, edhe nëse do të bëhet pjesë e saj.

Qershor 2013                                      Eugjen Merlika (ish i përndjekur politik)

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika, kujtese per fushaten, zgjedhore

THIRRJE E FEDERATES PANSHQIPTARE TE AMERIKES PER ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT

June 16, 2013 by dgreca

VATRA i konsideron zgjedhjet e 23 qershorit shume te rendesishme per te ardhshmen e afert dhe te larget te fateve te vendit dhe te zhvillimeve demokratike ne atdhe, prandaj i bene thirrje popullit shqiptar te marre pjese masivisht ne zgjedhje, te votoje me qetesi dhe te shprehe vullnetin ne menyre te lire. Ti tregoje botes demokratik e, pjese e se ciles, aspirojme te jemi, se ne e meritojme integrimin dhe bashkejetesen ne bashkimin europian.

VATRA, si organizate patriotike, e pa rreshtuar as majtas as djathtas, por qe shqetesohet per fatet e atdheut dhe me nje histori te gjate antikomuniste, i bene thirrje popullit shqiptar te votoje kunder ardhjes ne pushtet, ne çfaredo forme, te partise komuniste, si rrezik real per fatet e demokracise se brishte shqiptare;

Te votoje kunder rivendosjes te permendores se diktatorit ne sheshet e qyteteve shqiptare; nje synim te tille VATRA e konsideron fyerje dhe provokim qe vene ne prove memorjen e fresket te shoqerise shqiptare;

Te votoje kunder riberjes se gjygjeve politike per ish te perndjekurit politike. Te mos mbeshtese inisjativa te huazuara nga praktikat komuniste qe realizohen vetem me dhune dhe diktature;

VATRA i kujton popullit shqiptar se rilindje e dyte qe dhjetori 1990 qe permbysi diktaturen enveriane, se simbolika e bashkimit te kater partive komuniste ashtusi ndodhi ne tetor 1941 nuk eshte rilindje e popullit shqiptar, por rilindje e “8 nendorit”;

VATRA i bene thirrje popullit shqiptar qe te mos votoje per forcat politike te cilat nuk distancohen dhe nuk prishin aleancen me “rilindjen 8 nendoreshe,” por te votoje vetem ato forca politike qe jane kunder rikethimit te komunisteve ne pushtet, qe jane per integrimin dhe progresin demokratik. Ti kujtoje ato se e ardhmja nuk ndertohet as me slloganet e te kaluares as me simbolet e diktatures.

Popull shqiptar, voto masivisht sot, neser do jete vone!

Filed Under: Opinion Tagged With: Federata Panshqiptare e Amerikes, per zgjedhjet, Thirrj, Vatra

NJË MËSIM NGA BRIGJET E BOSFORIT

June 16, 2013 by dgreca

“ Në sheshet e në rrugët kryhet një provim pjekurie për qeverinë turke që duhet të  vërtetojë se mbron opinionet e të gjithë përbërësve të shoqërisë.”-  EMA BONINO (Ministre e jashtëme e Italisë)/

Shkruan: Eugjen Merlika/ Itali/

Parku Gezi, me 600 drunjtë dhe florën e tij, përbën “mushkërinë e gjelbër” të një qyteti të madh, të lashtë e bashkëkohor, me një histori mijra vjeçare e famën e njërit ndër qytetet më të bukura të Mesdheut, Stambollit.

Dhjetë vitet e fundit, zhvillimi ekonomik i vrullshëm i Turqisë, që renditet sot në rradhët e para të shteteve të zhvilluara, me tregues ekonomikë e financiarë për t’u patur zili, në një kohë kur Evropa dhe Amerika lëkunden mes krizash të pazakonta, e kanë kthyer edhe Stambollin në kantiere të fuqishme ndërtimi. Ky bum ndërtimesh, në të cilin ndërthuren interesa nga më të ndryshmet, dha një vendim ekzekutimi edhe për parkun Gezi, sepse në vendin e tij duhej të ndërtohej një mbitreg i madh dhe një xhami, në një metropol në të cilin në vitin 2007 ishin aktive 2944 të tilla. Por organizatat e ndryshme (rreth tetëdhjetë) mjedisore e të tjera, kur panë se filluan të priten drujtë e të vetmit park të madh të qytetit të tyre, u muarën vesh me njëra tjetrën për të kundërshtuar këtë vendim të shtetit. Më 31 maj qytetarët, kryesisht të rinj, mbushën sheshin Taksim, për t’i bërë të ditur autoriteteve se, për qytetarët e Stambollit, parku Gezi është i paprekshëm, i padhunueshëm, është oazi i çlodhjes dhe freskisë, prodhuesi i oksigjenit aq i domosdoshëm për milionat që jetojnë në atë qytet.

Manifestimi nuk u prit mirë nga Qeveria turke dhe Kryetari i saj, Rexhep Tajip Erdogan. Nuk u kërkua një ballafaqim i qetë argumentash me përfaqësuesit e protestuesve, nuk u mbajt parasysh fakti se ajo protestë ishte nisur nga një nevojë jetike e qytetarëve, nga mbrojtja e mjedisit që sot është kthyer edhe për papërgjegjshmërinë e shumë administratave në botë, në një nga problemet më të mprehta të shoqërisë njerëzore. Qeveria zgjodhi rrugën e përballtjes, të shpërndarjes me forcë të demostruesve e vuri në dispozicion të këtij projekti repartet e policisë, të pajisura me mjetet më të ndryshme, që nga shkopinjtë e gomës,tek pompat e ujit dhe bombat me gaz lotsjellës.

Përfundimet e përleshjeve gjatë disa ditëve qenë mbi 500 të plagosur, katër të vdekur, qindra të arrestuar, një tabllo që e vuri në një dritë të keqe imazhin e Turqisë, kryesisht të drejtuesve të saj aktualë, me në krye dorëfortin Erdogan. Sukseset në qeverisje arrijnë të zbehin arsyen, deliri i madhështisë errëson vizionet deri në absurditet që i kthen vartësit në numura, që duhet të zbatojnë pa asnjë lloj diskutimi urdhërat e Kryetarit, sepse vetëm ai di, “i njeh problemet”, i shërben “interesave të atdheut e të popullit”. Kjo mendësi çoi në “tolerancën zero”, në ultimatumet për të zbrazur parkun apo sheshin Taksim, në evokimin e “komploteve të jashtëme”, për të destabilizuar Turqinë, në etiketimin e demostruesve si “terroristë”, në qindra arrestime njerëzish të paarmatosur. Madje kulmi u arrit me arrestimet e 70 avokatëve të të ndaluarvet, jo në sheshet e demostratave por në hapësirat e gjykatave, ku kryenin detyrën e tyre. Besoj se kjo masë nuk ka asnjë rast të ngjajshëm në të gjithë botën perëndimore, përfshirë këtu dhe sistemet e saj autoritare në kohë të ndryshme.

Vëzhguesi i paanshëm pyet me kërshëri : si ka mundësi që një udhëheqës apo një udhëheqje që, në vitet e fundit, kanë patur merita të padiskutueshme në zhvillimin dhe modernizimin e Vendit të tyre, të rrëshqasin mbi një lëkurë bananeje e të arrijnë në një shkelje kaqë të shëmtuar të të drejtave të qytetarëve të tyre ? Spjegimi, veç motiveve vetiake apo kolektive që burojnë nga qëndrimi i gjatë në pushtet, i cili, për vetë natyrën e tij brejtëse, ka prirjen të ndryshojë personalitetin e pushtetarëve, nuk përjashton edhe mundësinë e ndërthurjes së interesave të mëdha financiare që lidhen me persona t’afërt të Kryeministrit. Në këtë vështrim shtypi i huaj flet për interesa të lidhura me emrin e dhëndërrit të tij.

Këto pohime kanë nevojë të vërtetohen, për t’u marrë si argumenta të mirëqëna, por nuk mund të hidhen poshtë a priori. Ndërthurja e interesave të pushteteve me ekonomitë, në Vende ku sistemet e kontrollit e të kundërpeshave lënë për të dëshëruar, krijojnë një lëmsh që i ngjet një mine lëvizëse, e cila mund të shpërthejë, me pasoja herë herë shkatërrimtare, nga një çast në tjetrin.

Politologu i njohur italian Sergio Romano i ve në të njëjtin plan Kryeministrin turk dhe Presidentin e Rusisë, duke analizuar pikat e kontaktit që bashkojnë përvojat e tyre në drejtimin e shteteve :

“Parabola e Putinit është shumë e ngjajshme me atë të udhëheqësit turk Rexhep Tajip Erdogan. Kanë patur gjithmonë një stil autoritar, por familjariteti i gjatë me pushtetin i ka bërë të dy përbuzës dhe të padurueshëm ndaj çdo pengese që shfaqet në rrugën e tyre. Të dy janë të bindur se identiteti kombëtar është dhe identitet fetar dhe Putin po shlirohet nga kundështia liberal – demokrate në të njëjtën mënyrë, me të cilën Erdogani ka shkrehur ledhin laik të shtetit të themeluar nga Qemal Ataturku.”

Mbas disa ditësh përleshjesh e dhune nga ana e policisë, mbasi Kryeministri lëshoi mbi turmat e demostruesve “rrufetë e Zeusit”, duke marrë mbi vete kërkesat për dorëheqje të Opozitës dhe qortimet, jo shumë miqësore të aleatëve të jashtëm amerikanë, evropianë, apo të organizmave ndërkombëtare, një ndryshim i menjëhershëm solli një sqarim që premton mjaft në brigjet e Bosforit. Qeveria pezulloi prerjen e pemëve në parkun Gezi dhe premtoi se do t’i a kalonte çështjen vendimit të një gjykate dhe më pas një referendumi në ish kryeqytetin e perandorive Bizantine e Otomane.

Shpresojmë që kjo të jetë një zgjidhje e drejtë e një problemi që, për logjikën normale, nuk duhej as të ekzistonte. E them këtë mbasi një vendim si ai për parkun Gezi fyen dhe arsyen më të thjeshtë, sepse në një demokraci të arrirë nuk mund e nuk duhet të merret pa një miratim paraprak të popullsisë, mbasi është i lidhur drejtpërdrejt me jetën e saj, me shëndetin, me mënyrën e jetesës, me të shkuarën dhe t’ardhmen e saj. Në këtë kontekst dhe n’atë të marrëdhënieve të mira me republikën e Turqisë, duam të shohim n’atë Vend përfytyresën e një shoqërie e të një shteti në të cilët të jenë të siguruara e të respektuara të gjitha vlerat e demokracive të përparuara.

Përvoja e këtyre ditëve plot trazira në Anadollin e largët na sjell dy mësime të rëndësishme, që mendoj se duhet t’i mbajmë parasysh për të sotmen dhe t’ardhmen tonë. I pari i përket klasës politike, që duhet të dijë të ruajë jo vetëm barazpeshat e saj e të pushtetit, por dhe respektimin e parimeve themelore të demokracisë, ndër të cilët më kryesori është vullneti i lirë i shoqërisë civile. Në këtë drejtim duhet shmangur pushtetomania me çdo kusht e dehja prej saj, shpërdorimi i pushtetit në dobi të interesave vetiake, të kastave, të tarafeve, të klientelave, të partive, duke mbjellur e kultivuar korrupsionin. Vetëm në këtë mënyrë ajo do të jetë në gjendje të plotësojë imazhin e saj të domosdoshëm për të sendërtuar projektin e saj historik, atë të bashkimit me Evropën.

Mësimi i dytë i drejtohet qytetarëve shqiptarë, që duhet të ndërgjegjësohen t’a shohin pushtetin me sy kritik e jo të hipnotizuar, sepse kur ai bëhet autokrat e merr vendime në kundërshtim me të drejtat e tyre të ligjëshme e të natyrshme, duhet të kenë guximin t’i mbrojnë ato të drejta, duke paguar edhe çmimin e nevojshëm. Qëndrimi kritik ndaj pushtetit, i çfarëdo ngjyre qoftë, mospajtimi me degjenerimin e tij të çfarëdo forme, është kura më e mirë parandaluese e sëmundjes së tij të mundëshme. Ai qëndrim na jep neve atë dinjitet e prestigj që, së bashku me dëshirën dhe mundin tonë për të shkuar në rrugën e zhvillimit, do të ishin kartat tona të kreditit në bashkimin me kontinentin.

Itali, Qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: e Bosforit, Eugjen Merlika, mesim nga brigjet, Taip Erdogan

NJOFTIM MORTOR- ZEF GJONAJ NDERROI JETE NE NEW YORK

June 15, 2013 by dgreca

Familja Gjonaj njofton komunitetin shqiptar në SHBA si dhe në vendlindje se në New York ndërroi jetë, i ndjeri Zef Gjonaj, bashkëshorti i Rozës, baba i Mark, Elsa dhe Pal Gjonaj. I ndjeri mbylli sytë në orën 4 të mëngjesit të datës 15 Qershor pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rëndë. Vdekja e të ndjerit Zef Gjonaj ka hidhëruar dhe ka lënë në pikëllim familjen, bashkëshorten, djemtë dhe vajzën, miqtë dhe të gjithë të njohurit. Ai ishte një burr i mrekullueshëm, baba, gjysh, xhaxha, kushëri dhe mik mjaft i dashur dhe i respektuar. Të gjithë ndjehen të pikëlluar nga kjo humbje.

Komuniteti mund t’i afrojë ngushëllime famlijes Gjonaj gjatësShërbimeve funerale që organizohen të Hënnën me 17 Qershor 2013 nga ora 14.00 pm deri në orën 9.00 pm në adresën e mëposhtme:

Farenga Brother Funeral Home

920 Allerton Avenue

Bronx, New York 10469

Tel (718) 654-0500

Mesha në nder të të ndjerit Zef Gjonaj mbahet Ditën e Martë, 18 Qershor, ora 11.00 am në Kishën Zoja e Shkodrës, e cila ndodhet në adresën:

361 West Hartsdale Avenue

Hartsdale, New York 10530

Indjeri Zef Gjonaj, sipas amanetit të tij, do të varroset në vendlindje, Rec, Ulqin.

Filed Under: Kronike Tagged With: nderroi jete, Njoftim mortor, Zef Gjonaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT