• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

SHBA-SHQIPERI: Donald Lu, nga Nju Delhi-Indi, zyrtarisht ambasador i SHBA në Shqipëri

July 26, 2013 by dgreca

Donald Lu është zyrtarisht ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në  Tiranë, i cili do të zëvendësojë Aleksandër Arvizu pasi këtij të fundit i ka mbaruar mandati. Presidenti amerikan Barak Obama emëroi diplomatin Donald Lu si ambasador i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.Përmes një deklarate për shtyp, Obama njoftoi për kandidaturën e Lu si dhe kandidaturat e tjera për poste të rëndësishme administrative .“Këta individë kanë treguar njohuri dhe pëkushtim gjatë gjithë karrierës së tyre. Ndjehem mirënjohës që kanë pranuar të marrin mbi vete role të rëndësishme dhe mirëpres punën me ta në muajt dhe vitet në vijim” theksohet në deklaratën e shefit të Shtëpisë së Bardhë.Donald Lu është një diplomat karriere dhe aktualisht është Zëvendës Shef i Misionit Diplomatik amerikan në Nju Delhi të Indisë. Më parë ai ka shërbyer në ambasadën amerikane në Baku të Azerbajxhanit si i Ngarkur me Punë nga viti 2009-2010 dhe si Zëvendës Shef i Misionit nga 2007-2009.
Nga viti 2003-2006, Lu ka qenë Zëvendës Shef i Misionit Diplomatik amerikan në Bishkek të Kirgistanit. Donald Lu ka shërbyer si Zëvendës Drejtor i Zyrës për Azinë Qendrore dhe Cështjet e Kaukazeve të Jugut nga viti 2001-2003 dhe si Asistent I Posaçëm i Ambasadorit për Vendet e Sapo-Shpallura të Pavarura nga 2000-2001.
Ndër funksione të tjera diplomatike përfshihet: Asistent i Posaçëm i Ambasadorit në Misionin Diplomatik amerikan në Nju Delhi; Zyrtar i Konsullatës amerikane në Tbilisi të Gjeorgjisë; Zyrtar Politik në Konsullatën amerikane në Peshavar të Pakistanit.Donald Lu ka qenë në Sierra Leone nga 1988-1990 si vullnetar me Korpusin e Paqes. Ai ka diplomën e studimeve universitare dhe pasuniversitare nga Universiteti i Princetonit.(Ora news tv)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: ambasador ne Shqiperi, Donald Lu, zyrtarisht

Pesha e qiellit të vendlindjes

July 26, 2013 by dgreca

Ese për fjalën e mençur të kombit tim/

 Nga Namik Selmani/

 Kur isha i vogël e këmbët e njoma bënin ritualin e vjetër sa edhe mbarë bota, atë të hapave të parë, me atë kalamendje magjke mes rrëzimit e trupngritjes, të ecjes drejt një udhe që të dërgonte te loja, te shkolla, te lumi, te lëndina, të ara e mbjellë, te mali që gjethonte çdo pranverë, më shfaqej i bukur, i paanë, emblematik, i çuditshëm, i kaltër, i stërmadh në atë thellësi të tij, për të cilin prindërit e mësuesit tanë të parë na thanë se quhej  QIELL.Ajo hapësirë e kaltër që shpesh i ngjante dhe syve të të afërmëve të mi, më ngjante për nga forma me atë furrë të nxehtë ku nëna ime e mirë fuste çdo ditë bukën e përditshme, fuste klumushtorët, birjanët që bëheshin e oriz e me mish, tavat me patate, ëmbëlsirat e ditëve të shënuara fetare apo edhe familjare e të atyre ditëve kur në katin e dytë të shtëpisë vinin  nga larg miqtë e babait e të familjes, apo edhe udhëtarë që i zinte nata në rrugë. Edhe nëë një natë do të mungonin miqtë në odën e madhe, ato duhet që të përgatisnin gjellë dhe bukë për burrat që do të vinin nga arat, lëmenjtë, nga stanet e  tërë ditën apo edhe natën kishin hedhur sa e sa herë të lodhur sytë nga qielli, nga yjet, nga hëna, nga dielli. Në vatrat i prisnn gratë, që iu vinin përpara gjunjëve të lodhur  gjellë, bukë, dashuri. Pasi e bënin si duhet detyrën e tyre, nënat nuk harronin që në këto furra të vogla çdo mbrëmje të linin diku, në një qoshe pranë derës ca shkarpa të holla, të thata për të bërë më të lehtë zjarrndezjen e të së nesërmes.

 Lart qielli i vendlindjes sime merrte formën e drurëve që e ndërprisnin paksa atë hartë të kaltër pa kufinj. Kështu qielli fshihej mes fletëve, mes minareve de kryqeyve të kishave hijerënda, mes oxhakëve të odave që tymosnin papushim sidomos mbrëmjeve kur duhet që të mundej i ftohti trimërosh i  dimrit. Ndoshta kështu duhet t’i ketë ndodhur edhe mbarë njerëzimit në fosnjërinë e tij në atë ecejake marramendëse  për të ndërtuar jetën sa më mirë e sa më dobishëm. Për vete e për brezat që do të vinin. E qielli i fëmijërisë bëhej pak nga pak si një flamur i blertë  shumë më parë se një copë flamur kuq e zi të shpalosur para syve të mi në dasmat me aq tinguj buzëqeshje dhe urime, apo kur mbulonim arkivolët mes vajit të nënave dhe motrave. Një flamur të kuq që na vinte si kryemik në gazin e festave kombëtare apo në sepetet e nënave çame e të atyre të Kosovës për t’iu fshehur sa të mundeshin atyre që i frikësonte gjer në pikën e fundit të gjakut nga pamja. Të atyre që  frikësoheshin edhe me emrin që kishte kombi që udhëhiqte ky flamur.. të atij flamuri që do të dërgonte baballarët  drejt luftrave të panmërta, apo fëmijët do t’iu hynte në sy që kur do të shkelnin në pragun e një shkolle

Po para se ti të kuptoje se i takoje një shteti, një kombi, apo edhe një feje të caktuar, qielli i vendlindjes ishte flamuri i parë që të mbetej në sy. Një himn-fjalë pa muzikë, pa tamtame tribunash, pa muzikë fanfarash në rrugët e qyteteve të mëdhenj e të vegjël. E himni i tij i përjetshëm është vetë kujtesa e meditimi ynë fëminor për të deri sa një ditë të ndaheshe nga kjo jetë. Qielli i vendlindjes na ka sjellë shumë herë shiun pikëlor që na njomi supet, sytë, fytyrën e njomë, këmbët e baltosura, duart që mbanin fletoret e detyrave dhe kallamarin  e bojës, me të cilën bënim detyrat në klasë e në shtëpi, këmishën e vetme që shpesh të e lanim dhe prisnim që të thahej apo na e arnonim nënat në  ca vende të grisura, këpucët që numëronin ngatërrueshëm hapat tanë të brishtë që shkonin në ca udhë që nuk do të mbaronin kurrë, kurrë. Në atë prekje të shiut pikëlor askujt nga ne nuk i shkonte në mendje që të gjente një rrobë të zezë me tela që quhej “çadër” për të mbuluar supet kur ishim në kulmin  e lojës. Në atë çast ndoshta ngjizej konflikti e ndeshja më e bukur e skenës–jetë. Ajo skenë ku prindërit tanë të shqetësuar na kërkonin ne, fëmijët, ne, si lojëtarë, si gjykatës të vetvetes, vazhdonim të luanim me një seriozitet aq të madh sa nuk e dalloje edhe te më akademikët e moshuar. As që mund të na ndalte shtizimin dritësor të qiellit mbi supet tanë, mbi drurët, arinjtë e rrallëruar gjumashë të pyllit të paprerë (nëse kishte të tillë), gurët, shpatet, ullishtat, burimet, në udhët që na dërgonin larg, larg,.Diku kuptuam se qielli merrte formën e një saçi të kaltër. Herë herë të murrëtyer me re shtrëngate, me re që sillnin shpeshherë ca flokë të bardhë, për të cilën na thane një ditë se ishte DËBORA.. Po ashtu shfaqej qielli i madhërshëm, i kudondodhur në supe ditësh që një ditë do të a shihnin të thinjur, të kërrusur me ca hapa të matur e të menduar.Ajo bardhësi e madhe e reve puplore shumë herë më dukej se ishin si ca shtëllunga leshi, që nëna i prekte me dorë e i merrte kur të dinte, sepse  me to shumë herë ajo kalonte netët e gjata duke fijëzuar leshin e duke thurur pambarimisht triko, çorape, qilima,  O, nëna ime nuk ishte si Penelopa që priste Odisenë e ikur 10 vjet më parë. Në këngët e kurbetit që ia përcillnin erërat dhe qielli  Odiseja  i saj ishte në arë, në udhët e afërta që e prisnin për punë në ugar. Mjaftonte që të dilje në prag të derës dhe me një zë të fortë të djalit të shtëpisë që ta mblidhte dora e vënë para gojës, ai të vinte vrap e në shtëpi dhe gjellën nuk e hante në arë, por në sofër. Para emrave të vënë nga Këshilli i të Urtëve të familjes para emrave të burrave apo edhe due u hequr ato nga qarkulimi në thirrjen për to vihej fjala “aga” ose “efendi” që ishte një lloj princërimi evropan kur edhe vetë Evropa porsa po krijonte traditën e familjeve të mëdha të saj .Pamja e furrave të nxehta  shfaqej në disa zona me saçet e nxehtë  ose çerepët si e kërkonte leksiku i një zone të caktuar. Mbi të vihej hiri i nxehtë i dalë nga prushi i një zjarri aty pranë për të pjekur një tepsi të mbushur me brumë buke, me perime, me byrekë. Para atij saçi faëqenxehtë monologonim: “Bukën tonë të përditshme o Zot, falna sot!” Dhe sytë i drejtonim nga qielli.

Dikur edhe kur dielli dilte në qiell apo edhe kur ai fshihej mes reve, dëgjonim se si shumë nëna, burra të moshuar betoheshin me shumë seriozitet: “Për atë qiell!” Nuk e dinim se pse ata duhet të besoheshin në këtë betim sa pagan aq edhe modern para nesh,  por serioziteti dhe solemniteti, me të cilin ata e thonin atë përbetim, të bindëte shumë  mirë për një gjë të tillë. A thua ishte prova e forcës së vërtetë e ndershmërisë së tyre? A thua se pesha e qiellit të pamatë i sundonte në zemër  e ata duhet që të kishin GJYKATËS për atë që bënin e për atë  mendonin???Kur ishim në mëdyshej hamletiane pranë një gjëme të paralajmëruar, sërish qielli si metaforë na vinte mes nesh / E thonim thjesht se nuk ishim “as në tokë e as në qiell”.Ata që futeshin në dyert e xhamive në kohën më të saktë të ritit të faljes  ishin  dhe e kanë përherë brenda vetes një copë të madhe qielli për të shtrirë sytë, duart e thata drejt tij me fytyrën e për t’iu falur Zotit në madhështinë e këtij riti. Ata që shkruanin vargje poezish nuk harruan që të mateshin me gjërësinë e tij për të treguar se sa të mençur ishin në ato vargje që stiseshin ditën, natën, në agim në muzg. Ata që dinin të bënin ballona letre për t’i valëvitur në një lëndinë pa tela elektrike në qiell, një ditë i bënë prej hekuri dhe bota krijoi ballonat, avionët e detit të kaltër që quhet “qiell“. Për të shkuar në të tjera vende, qytete, kontinente, në të tjera dyer shtëpish, shkollash,

E, në këtë udhëtim modern të avionëve e të fjalëve të thëna, na ka munduar dëshira përrallore për të peshuar nganjëherë copëzën e qiellit që na ka takuar të ishte yni, të rrokim me sytë e me shpirtin tonë. Të paktën, qielli e vendlindjes sonë, në pamundësi për të parë, për të prekur copëzat qiellore që mbeten në sytë e miliarda njerëzve  të lindur e të ikur nga kjo botë.

Shumë e shumë vite na  e kanë lidhur e na e kanë mbushur me një telnajë të pafund kloni qiellin tone. Si të ishte një kone e bukur, të cilën dikush e ka lidhur me zinxhirë si për t’i thënë: “Sus! Sus! Këtu do të rrish! Do të ikësh kur të dua unë! Do të hash atë që do të sjell unë. Do të të jap bukë kur të dua unë!”  “Do të të shuaj etjen kur të dua unë??”. Pak a shumë edhe me qiellin tonë të bukur kështu po ndodhte. Kufinjtë e tij duhet të jepeshin kur të donte dikush tjetër. Madje shumë herë ata qiellin e kanë bërë  të shfaqet në pamjen e një qelie të ftohtë pa dritë, vetëm e vetëm se një ditë ai qelibanuesi kishte guxuar të pushonte e të punonte nën një qiell tjetër.

Pesha e qiellit tim më bën që ta peshoj edhe më shumë fjalën e shkruar. Shumë më tunduese se urtia koniciane që i lutet zotit për të heshtur kur nuk ke se çfarë të thuash. Nën këtë saç të kaltër të gjithë ne ëndërrthurësit themi këngët e para, hedhim vallet e para. Përpiqemi që me të gjithë forcën e dashurisë të lidhemi me të. Qielli i zemrës, qielli i shpirtit, – themi shpesh në fjalët e poezive. Portat e qiellit u hapën kur u tha fjala magjike: “Të dua!” Edhe dhimbja njerëzore në të u nda me bolorimat dhimbjembushura. Diku, në dritaret qiellore, shkrimtarët vunë me kujdes personazhet e tyre .Piktorët vunë fantazinë, realitetin varfërinë, pasurinë, pa harruar që kaltërsa të bëhej “kryefjalë” e mendimit të tyre estetik.

Sot qënkam një Don Kishot i vërtetë tek dua të matem çmendurisht me peshën e qiellit tim . Gjithëse e dua. E dua. E dua gjer në dhimbje. E dua deri në belbëzimin  e fundit tingullor. E duaaaaa deri në tingullin e këngës së pambaruar!. E dua deri në damarin e fundit të kaltërsisë së tij Edhe atëherë kur më përcjell fjalëmblat e mallkimet e mia.

Nazik për ato rreze diellore që i jep ushqim jete luleve, ullinjve, supeve të nuseve, hapave të udhëtarëve, syve dhe rrëfimeve të malluara të emigrantëve anembanë botës së paanë, barit të virgjër të varreve, monumenteve të bronxëruar në mbarë botën, dyerve të shkollave, portave të shtëpive që akoma nuk i kemi hapur ende, këngëve të pakënduara. librave të pashkruara e të palexuara, udhëve të largëta detare …Por edhe para portave të rënda të burgjeve ku njerëzit numëronin me një kod të veçantë ditën e hyrjes e ditët e daljes, ku qiellin e shihje në një formë shumë më të veçantë se në të gjithë vendet e tjera.

Qielli i vendlindjes ma e vidhka vikamën, piskamën, bolorimën. E ma mban fort si një kristalinë mrekulluese brenda pafajësisë së tij kaltërore. Si për të garuar me mua në atë KACEK të stërmadh dhimbjeje që më ka mbetur në kurrizin tim sizifian në shekuj. Pak a shumë edhe sot kur shumë njerëz flasin më tepër me gurët, me valët, me celularët se me njëri-tjetrit.E bëhem shpesh div përralash tek dua të hedh drejt qiellit gurët e rëndë. E bëhem Hamlet, Promete, vajatore leshralëshuar në erën e egër apo mushtullak (lajmërues i lindjes së djemve tek njerëzit e afërt të babait ose të nënës së tij).

Në “autostradën“ qiellore pa policë me shenjat karakteristike pa trafik e pa duar që lëvizin pambarimisht në një natyrë paksa edhe komike gati të automatizuar,  është edhe Autostrada e ëndrrave tona. Është kujtimi i të parëve i të larguarve nga jeta që një ditë të shfaqen në disa lajmërime  kornizëmbuluar me njgjyrën e zezë..Është edhe flamuri i kombit tonë që mbush sytë, kraharorët e na bën më krenarë kur e mbajmë në duar.Edhe te poezia fjalëshkruar në hapësirat e zemrës që shfaqet diku e brishtë në jetën e përditshme për të ngrohur të ftohurit e kësaj bote, duket se shohim atë  ngarendje që i ngjan sadopak edhe qiellit. E, nëse mban mbi sy, në qelizën më të vogël të vargut tënd, në mençurinë e secilës fjalë, të cilës i rri bukurisht me një fjongo kaltërore, si një ushtar që e di saktësisht detyrën e vendrojes, atëherë ajo, poezia, nuk ka qenë e nuk do të jetë kurrë një krijim që shkon  drejt zemrave të njerëzve të lodhur, të stresuar

Atëherë ajo vetë, poezia, ka bërë vetë ritin e peshimit të qiellit. Një rit që i jep asaj lavdinë më të madhe njerëzore por edhe modestinë e fshehur në ca kutiza ku çelësi është hedhur në Detin e Kohës  Herë shfaq dhimbje, herë ngazëllim.

Qënka fort e bukur të matësh peshën e qiellit tënd! Shumë e vështirë, po aq sa edhe e bukur…(Dielli-arkiv)

Filed Under: Kulture Tagged With: namik Selmani, pesha e qiellit, te vendlindjes

Edhe unë jam patriot!

July 26, 2013 by dgreca

Nga Mitrush Kuteli/

Nuk kam dashur të dal sheshit e ta bëj fora, po ja që e solli puna e zamani. Doli i biri i botës në gazetë edhe lëvdoi veten se është patriot kombëtar i zjarrtë dhe për mua nuk tha një fjalë! Dale, mor zotni, dale, se edhe na hamë bukë e pimë raki me meze! Edhe bile, raki të fortë, pa një pikë ujë! Në keni për të pyetur për patriot të vërtetë, unë jam! Unë jam e s’ka tjetër! Dhe jo vetëm s’ka, po as do të ketë. Patriotizmi im është më i vjetër se i atij mikut që u lëvdua në gazetë me kukurec e me raki. Se unë rakinë e pi pe rrushi edhe kukurecin e ha me gishtërinjtë e dorës, që t’i lëpij mirë.Kur u bë, mor zotni, Shqipëria republikë kombëtare më 1925, unë kam thirrur i pari majë ballkonit të prefekturës ku ish mbledhur mileti pa brekë.
-Popull kreshnik pa brekë! Rroftë Republika shqiptare! Rroftë Presidenti! Rroftë qeveria kombëtare republikane shqiptare e arbërore me gjithë trimat e saj dëshmorë që u vranë për Shqipëri e na bënë buxhet për rrogat tona!
Bile asaj dite historike kam mbajtur edhe një fjalë të madhe përpara miletit pa brekë se trajta më e mirë e qeverisë është republika, se ne ngaherë kemi qenë republika të vogla e tani duhet të bëjmë një republikë të madhe e kreshnike kombëtare atdhetare, e cila t’i bjerë Evropës ta bëjë shesh e lëndinë, të lozë macja me minë. Kam hequr pastaj edhe një telegram urimi në emrin e popullit pa brekë e pa misër dhe kam marrë përgjigje. Këtë përgjigje e kam vënë në xhep si hamajli e më ka hyrë në punë shumë herë kur kam pasur ngatërresa me kontrabandat e me të dhjetat që nuk i kam paguar, si patriot kombëtar që jam. Kur më shtrëngonin fort, vija e u tregoja talegrafin dhe e trembja drejtorin e Financave se kam miq e do ta dërgoj në Pukë edhe ai më jepte një afat të ri gjersa borxhi harrohej dhe vinte berajeti.
Me këto para edhe me disa të tjera që mora kur nga Bashkia, kur nga Prefektura kur bënim donomara (nga dhjetë festa në vit) kur këtej e kur andej, bëra një ndërtesë të madhe që ia dhashë me qira shtetit, si patriot që jam, sepse shteti paguante qira të madhe. Vendin ma dha dikush, si rryshfet biçimi, për një punë që s’duhet ta dijë populli kreshnik pa brekë. (Vetëm juve mund t’ju them në vesh: ia kallëzova djalin atij mikut se bën polatikë edhe e tremba se ia djeg shtëpinë e ia shuaj farën…. Edhe ai tha: hap gojën e kërko. Unë, domosdo, e hapa gojën time patriotike edhe mora vendin.)
Ndonjë tjetër allishverish të madh nuk kam bërë, po për të rrojtur kam rrojtur mirë, edhe, shyqyr, ca flori e kam për ditë të zeza. Kur u mërzit bota me republikë – se e mirë është jahnia, po s’hahet çdo ditë… – mblodha përsëri miletin edhe thirra: Popull kreshnik! Isaf, bre, me republikë! Ne frëng nuk jemi, po shqiptarë, bre! Ne duhet të jemi mbretëri si në kohën e Skënderbeut edhe po s’fituam botën ja unë këto mustaqe i hedh ku të doni! Pra poshtë republika dhe rroftë mbretëria!
Menjëherë u ngrita e hoqa një tel në Tiranë, se është mbledhur populli dhe kërkon mbretëri.
Me mbretëri më vajti mjaft mirë, bereqaversën, se kisha mjaft allishverish. Çunat i dërgova me bursë në Evropë; mallin e shtova, bëra ca ndërtesa të reja e napolonat me gjel i mblodha në kotec të tyre.
Po njeriu mërzitet duke ngrënë përditë pilaf e hoshaf. Edhe unë e pashë se populli u mërzit me mbretëri. Ç’të bëj? A të kthemi prapë në republikë? Jo! Atëherë haj të bëhemi perandori kombëtare! Si pashë se u qelb puna e nuk paguhen rrogat e pensionet, u ngrita e i hoqa një tel Duçes të vijë me axhele të na shpëtojë nga tirania. Kur erdhi Italia, më gjeti majë ballkonit veshur teptil si lugat.
-Mirëseerdhët, o shpëtimtarë të këtij populli kreshnik pa brekë! – thirra unë. Jemi kryenaltë të hyjmë nën zgjedhën tuaj fisnike. Po,amani, ca para, se u fikëm!
Pastaj, si e do puna, thirra:
Duçe! Duçe! Duçe!
Eviva!
Që aty hipa në automobil teptil me devizë, së bashku me të tjerë shokë patrioë kombëtarë kreshnikë, hipëm në pampor të ujit e dolëm në Romë. Kurorën e Skënderbeut ia dhamë Viktor-beut, edhe na i mbushi xhepat me napolona.
Vajta me shokë ne Duçja edhe dolëm në resme bashkë. Po këto resme tashi duhen djegur se na bëjnë rezil në gazetë.
Me atë reme jam bërë mik me kaq xheneralë edhe kolonelë italianë, edhe kam fituar napolona shumë. Ushqimet e ushtrisë unë i kisha, nozullimet unë, gazin unë!
Ç’të them, tre a katër vjet vjet puna më vajti majë më majë, gjersa u ngritën ca jezitë e ma prenë yryshin patriotik.
Tashi Viktorbeu ra. Kurorën ia mora prapë, se vëlla me babanë nuk e kisha e Viktorbenë e as Duçe-vezirë. Edhe atij paraja iu unj e iu bë kartë…
Si patriot që jam, pres ta shes edhe një herë, kush jep më shumë.
Unë katër a pesë telegrame, sipas punës, i kam në xhep.
Sa të ndreqet puna, vete edhe ia heq atij që do vijë pas Viktorbeut edhe do të mbaj një fjalë që të çuditet bota.
-Më pyetët ç’zanat kam?
-Zanat? S’ke turp të më pyesësh kësilloj? Ç’zanat mund të kem, kur unë jam patriot kombëtar? Ky është zanati im!( Botuar më 1943 )

Filed Under: Kulture Tagged With: edhe une jam patriot, Mitrush Kuteli

Skenderbeu qe kerkon historine dhe kundershtari i ardhshem Shakhter Karagandy

July 26, 2013 by Administrator

Nga Albano Kolonjari

Skenderbeu do te luaje ne turin e trete perballe kampioneve te Kazakistanit, Shakhter Karagandy. Takimi i pare do te luhet ne Kazakistan me daten 30 korrik, ndersa takimi i kthimit do te luhet ne Tirane ne stadiumin “Qemal Stafa”, nje jave me vone. Shakhter eleminoi ne turin e dyte kampionete e Bjellorusise me rezultatin 1-0 dhe 1-0. Fakti qe Skenderbeu do te luaje takim e pare jashte eshte nje plus me shume qe skuadra korcare te synoje edhe kalimin e ketij turi. Sipas te dhenave te para Shakhter eshte nje skuader e cila pese vjet me pare eshte denuar per trukime te rezultatevene futboll nga federata vendase. Ne vitin 2008 FC Shakhter dhe FC Vostok u skualifikuan nga Liga Superiore per fiksim rezultatesh. Tekniket dhe menaxheret e te dyja skuadrave u denuan me nga 60 muaj perjashtimnga futbolli. Klubi eshte themeluar ne 1958 dhe i luan takimet ne stadiumin :”Astana Arena“, me nje kapacitet 19 mije vendesh. Skuadra ka ne perberje lojtare vendas por edhe te huaj, si tre futbolliste nga Bosnje-Hercegovina, nje serb, nje sulmues nga Kolumbia. Ne Ligat e Europes Shakhtar ka luajtur gjashte here, ka kaluar nje tur dy here dhe kjo eshte hera e pare qe kalon turin e dyte.

Takimi do te gjykohet nga gjyqtari rus Aleksei Nikolaev. Intersant eshte fakti qe ky gjyqtar ka drejtuar edhe takimin France-Shqiperi 3-0.

Josa bekohet ne krye te Skenderbeut!

200 mije euro shperblimm per kalimin e turit te trete

Mirel Josa do te jete trainer i Skenderbeut edhe per sezonin e ardhshemm. Presidenti i klubit Ardjan Takaj konfirmoi per mediat vendimin e tij:”Josa nuk ka qene asnjehere ne dyshim edhe perpara ketij suksesi. Ata qe flisnin per nje largim te mundeshem te tij kane qene zera te pankonfirmuar tifozesh. Bashkepunimi yne me Josen do te vazhdoje per nje kohe te gjate”. Presidenti i Skenderbeut Ardjan Takaj beri te ditur se:”Mendoj se kemi nje shans te mire per te kaluar turin e trete. I kemi te gjitha mundesite te bejme historine e futbollit Shqiptar duke u bere ekipi me i mire i te gjitha koherave. Kundershtari eshte nje ekip i forte dhe qe duhet respektuar. Mos harroni qe ata kane eleminuar nje ekip te mire si Bate Borisov”.

Per presidentin Takaj fakti qe Skenderbeu do ta luaje takimin e kthimit ne Tirane dhe jo ne Korce, pasi stadiumi vendas nuk i ploteson kushtet e vendosura nga UEFA, nuk perben problem. “Tirana eshte shtepia jone. Jam i bindur qe stadiumi do te jete i mbushur. Ne do te udhetojme 9 ore drejt Kazakistanit per te realizuar synimet tona. Besoj se nuk do te jete problem per tifozet qe te udhetojnen 150 km per te mbeshtetur ekipin drejt historise . Ne kemi vendosur qe te shperblejme ekipin ne rast kualifikimi me 200 mije euro”.

Filed Under: Sport

New York: Një grua shqiptare fitoi në Lotari 1 milion dollarë

July 26, 2013 by dgreca

Dy banorë me fat në Bronks kanë fituar miliona dollarë mbrëmë prej llotarisë së Nju Jorkut.

NEW YORK CITY:New Yorku ka dhjetra mijëra dyqane që shesin lojra lotari dhe milona klientë që provojnë fatin çdo ditë por nuk është e thënë që çdo njeri prej tyre të jetë me fat, pra të jetë më fatlum se të tjerët, se ata që gëdhihen në andrallën e milonave.
Kësaj rradhe në një lagje të vogël me dyzet e shtatë dyqane jashtë qytetit të Nju Jorkut dhe Long Island kishin pesë ose më shumë fitues të cilët fituan 5 milion dollarë, thotë zyra qendrore e lotarisë së New Yorkut në Albany.

Sipas një portali shqiptar në internet (www.fishmedia.info), thuhet se njëri prej tyre është i sapodiplomuari nga Bronx College, Junior Julian Etwaroo me një çek prej 5 milionë dollarësh, kurse nëna shtëpiake, Flora Pllumaj, fitoi gjithashtu një shumë të majme prej 1 milion dollarësh.

Po ky portal shkruan se një nga biletat fituese është blerë në Discount Mart në Westchester Avenue dhe se pronari i dyqanit tha se ishte hera e parë që kishte shitur një biletë një milion dollarëshe./Beqir Sina/

 

Filed Under: Kronike Tagged With: fiton 1 milion, Flora Pllumaj, Gruaja shqiptare, Lotari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT