• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

FJETJA E SHEN MERISE

August 15, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/

Rrugëtimi/

Kisha dëgjuar për manastirin :”Fjetja e Shën Mërisë në ishullin e Zvërnecit .15 gushti është një ditë e nxehtë vere . Rruga ka një mbulesë asfalti të re por është  e ngushtë për dy makina që këmbehen  afër ish gërmadhave të Sodës .Pylli i egër .Kthemi majtas  ,ecim drejt dhe zbresim më poshtë .Shfaqet  ishull i Zvërnecit .Një pyll dhe disa ndërtesa në të verdhë .Përpara kemi një urë druri .Imazhi I saj dhe godina e manastirit gjenden përherë në fotot turistike si dhe në  botimet për kishat dhe manastiret bizantine .Ura mund të jetë mbi 130m e gjatë e ngushtë .Drurët e saj vende-vende kanë filluar të kalben . Ka një tabelë që sinjalizon se ky është vend i shenjtë dhe se si duhet ët zbatosh rregullat . Kur ura përfundon je në cep të një bankine  rreth 1m betoni dhe ndesh tregtarët , që pjekin misra dhe shesin gjithfarë gjerash .. Manastiri i është i vogël dhe nga kompleksi i ndërtesave aty ,shquhet lehtë. Mënyra e ndërtimit tipi dhe stili i tij është tërheqës .Aty  po mbahej edhe mesha  e paradites .Futemi brenda .Kthina e parë ku digjen qirinjtë . Ka shumë qirinj të ndezur . Prifti që mbanë meshën flokëthinjur me veshjen e zezë . Ajo që më tërheq është gjuha e mbajtur . Shqip . Kupton mirë qëllimin e kësaj dite . Shikoj ikonostasin në dru .Kryqin e madh .Pas kësaj i hedh një sy varrit të Marigos .Me mermer të zi dhe germa të mëdha lexohet  :Marigo Pozio . Ç’po qëndis moj Marigo …. më vijnë ndër mend vargjet .Nisemi për nga pylli .I egër dhe madhështor . Hijezim .Aty këtu banorët këpusin dafinë në tufa të mëdha .Mesa shikoj ajo gjendet në gjendje të egër .Më tërhoqi një dhomë e veçantë e manastiri vendi i murgjve . Mbështetëset prej druri ku vareshin murgjit në përhumbjen e madhe . Dritare të vogla vend për meditim dhe pastrim shpirti .

Cbënë këtu ti Marigo ?

Sipas rrëfimeve të ish drejtuesve të Komitetit ekzekutiv një letër e  ardhur nga Kolonja tregonte manastirin si vend ku prehej Marigoja . Ajo ishte varrosur sipas të dhënave aty në vitin 1932.  Besimi i Marigosë e kishte sjellë në dyert e një vendi mitik ku preheshin dhe shpirtrat e murgjve nga koha e mjegullës së përhimët deri në vitet kur ligji i viti 1967 ,prishi dhe kyci dyert  e manastireve .Aty pranë ka edhe disa varre të tjera mes tyre një mbishkrim grek . Arsye dhe përse është në këtë gjuhë nuk ta shpjegon askush në këtë ditë feste ,ku njerëzia vërdallosen sa në manastiri rreth tij e larg tij në pyll .

 

Studiuesi Meksi për manastirin

 

Sipas studjuesit të saj Pr.Dr. Aleksandër Meksit kisha e Shën Mërisë së Manastirit të Zvërnecit është e tipit “kryq i lirë” me kupole. Ajo mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re. E vjetra përbëhet nga Naosi (salla) dhe Narteksi (parasalla). Naosi ka formën e një kryqi të lirë, ku krahet lindore dhe perëndimore janë më të gjatë se krahët jugore dhe veriore. Ai përbëhet nga absida, një protezis gjysmërrethor dhe diakonikoni. Pjesën më të madhe të tij e zë tamburi me kupolën, i cili është ndërtuar me gurë e copa tullash të vendosur me llaç midis tyre. Narteksi është pjesa tjetër e ndërtimit të vjetër që përfaqësohet nga një zgjatim katërkëndor. Ndërsa pjesa më e re e kësaj kishe përbëhet nga ekzonarteksi (Portiku) dhe këmbanorja.Ekzonarteksi është ndërtuar me të njëjtën teknike si pjesa e vjetër e kishës dhe është shtuar më vonë. Fasada e tij përbëhet nga shtatë harkada të mbështetura në gjashtë kolona, të cilat janë ndikim i arkitekture romake në atë bizantine. Në pjesën perëndimore të kishës ndodhet këmbanorja, e cila mund të jetë e të njëjtës kohë ndërtimi me ekzonarteksin. Restaurimi i fundit i këtij objekti është bërë në vitin 2003. Per percaktimin e kohes se ndertimit te kesaj faltore kristiane ekzistojne disa mendime. Studjuesi shqiptar A. Meksi argumenton se kisha i perket shek XIII-XIV. Ndersa çifti i studjuesve austriake Helmut dhe Herta Bushhausen mendon se koha e ndertimit i perket shek. te X. Kurse nje tjeter studjues Krauthemeri mendon se ky tip e ka marre stilin arkitektonik nga mauzoleumet romake dhe eshte ndertuar larg qendrave urbane midis shekujve X-XI. Kjo ide duket interesante sepse çuditerisht brenda kishes ne naos ndodhet ne dyshemene e saj edhe nje pllake varri. E shkruar ne greqishten Bizantine, ajo ka sherbyer si mbulesa e nje sarkofagu, i cili ose ka qene aty qysh ne fillim, ose eshte marre nga ndertuesit per tu vendosur ne dyshemene e salles se kishes. Autori Theofan Popa duke ju referuar shenimeve te Historianes Bizantine Ana Komnena mendon se: varri duhet te kete qene i Dukës Argjiro KARANXHAS, i cili u dërgua në këtë rajon në shekullin e XI nga Perandori Bizantin Aleks Komneni.

Argjiro Karanxha ishte komandant i gardës Perandorake Bizantine (Eteriarh). Ai u dërgua në vitin 1091 nga Perandori Aleks Komneni me mision në Durrës, i paisur me dy letra. Njëra ishte për Joan Komnenin Dukën e Durrësit, ndërsa tjetra ishte për parinë e këtij qyteti. Argjiro Karanxha u nis drejt këtij qyteti me qëllim të dyfishtë. Si fillim ai do të dorëzonte letrën e parë, e cila i kërkonte Dukës Joan, që të shkonte në Kostandinopol, për të dhënë shpjegime, pasi dyshohej për veprimtari komplotiste ndaj Perandorit. Qëllimi kryesor i Argjiros ishte ta bindte Dukën Joan, që të kthehej në Kryeqytet dhe vetë të merrte kontrollin e Durrësit. Ndërkohë që letra e dytë me të cilën Perandori e kishte ngarkuar Karanxhasin ishte tepër sekrete. Atë ai do ta përdorte në rast se vërtetohej fakti se Duka Joan ishte vërtet komplotist. Atëherë Argjiro Karanxhas do ta përdorte këtë letër, duke i kërkuar në emër të Perandorit Parisë së Durrësit ndihmë, për të arrestuar Dukën Joan, që ishte njëkohësisht nip i Perandorit. Por në këtë mision u përdor vetëm letra e parë, sepse Joan Komneni u bind nga Argjiroja dhe u nis drejt Perandorit, që ndodhej në Filipol të Bullgarisë. Këtu Perandori e priti dhe pasi u bind se akuzat e përhapura për të nipin ishin të rremë, e nisi përsëri drejt Durrësit ku e “thërriste detyra”. (Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek X-XV, Tiranë 1975, fq fq 107). Ky ishte njoftimi që na jep në librin e saj Aleksiada (vëll II. Lib VIII, 7.8 fq 19-23) historiania bizantine Ana Komnena për misionin e Komandantit Argjiro Karanxhas, i cili u dërgua në Durrës për të marrë drejtimin e kësaj theme në vitin 1091. Argjiro duhet të ketë qëndruar në Durrës për një periudhë të shkurtër pothuajse dy mujore. Për fatin e tij nuk dihet gjë se ç’ndodh më tej. Por erdhi dita kur studjuesi i monumenteve të kultit kishtar i ndjeri Theofan Popa, publikon në librin e tij: “Mbishkrime të kishave të Shqipërisë”, një mbishkrim nga Kisha e Manastirit të Shën Mërisë në Zvërnec të Vlorës. Mbishkrimi ndodhet në dyshemenë e sallës së kishës mbi një pllakë varri prej guri gëlqeror të gjatë 1.87 m e të gjerë 0.67 m. Ai është vendosur në një fushë të sheshtë. Pllaka anash është zbukuruar nga imitimi i dy kolonave korintikë, sipër të cilave qëndron një hark. Mbishkrimi përbëhet nga 3 rreshta dhe përmban këtë tekst: “Këtu prehet Kondos Karanxhas, burrë fisnik me preardhje prej një fisi fisnik, degë fisnike”. Poshtë mbishkrimit dora e e një skulptori ka gdhendur me shumë art një kafkë njeriu, rrethuar prej një gjarpri e të kurorëzuar prej dy kockash simbol i cili nuk është shpjeguar deri më tani.

 

                     Vendinternimi

 

Djali i Mark Ndojës, Leka poeti dhe përkthyesi  e takuam tek panairi i librit në Vlorë. Poeti dhe mësuesi Vangjel Pici më tha se kishte njohur Markun kur ishte i izoluar në Zvërnec. K pasur edhe shumë politikanë të tjerë apo krijues që u mbyllën në Zvërnec . Kur kishat panë ditën e errtë të kohës , murgu i fundit iku sy lotuar për djegien e bibliotekës më të madhe .Ishulli i Zvërencit është i rrethuar nga ujërat e ndenjura që nuk kapin 30-50 cm lartësi .Gjithë faqja lindore dhe veriore e manastiri ka këtë fushëpamje .Ujëra .Dikur murgjit udhëtonin nëpër llumbërtirën me kripë, leshterikë .Pas manastirit është pylli me drurë të lartë . Pjesa tjetër rrethohet nga uji ku gjendet Kisha e Shen Triades .

 

             Pakomi themeluesi

 

Nga enciklopedia Ëekpedia e lirë  morra këtë material që po e citoj të plotë lidhur me të dhënat .Themeluesi i jetës manastiriale ishte Pakomi i cili lindi dhe jetoi në Egjipt gjatë shekullit IV. Ai krijoi komunitetin e parë të njerëzve që jetonin të veçuar dhe i përkushtoheshin vetëm besimit. Këta njerëz u quajtën murgj dhe jetonin në kuvende, nga ku i largoheshin jetës së përditshme dhe kërkonin në vetmi paqen dhe qetësinë. Ata kishin si detyrë kryesore që ti luteshin zotit së bashku kurse pjesën tjetër të kohës e kalonin duke ju përkushtuar zejeve, shkrimit të librave, kopjimit të traktateve, veprimtarive të tjera, etj.

Pakomi përcaktoi edhe rregullat e para të këtij shërbimi siç ishin: betimi, besimi, dhe bindja ndaj kryemurgut . Manastiri është një institucion i veçantë që vepron Brenda kishës si organizatë fetare zyrtare. Ai përbëhet nga një objekt në formë katërkëndëshi ku në qendër të tij është vendosur kisha, e cila zakonisht mban emrin e një figure të Panteonit Kristian. Kisha rrethohet nga një oborr i gjerë rreth të cilit janë vendosur një kishëz më e vogël, banesat e murgjëve, mensa (trapezeria), punishtja, depot, stallat, etj. Manastiret ndërtoheshin në vende të veçuara, dhe të mbrojtura larg qendrave të banuara. Në ta zhvillohej monakizmi, jeta e murgjeve , që zyrtarisht nisi në vitin 471, kur Murgu Italian Benedeto i Norçias formuloi “Rregullin e Mjeshtrit”, i cili rregulloi veprimtarinë e jetës monastike. Manastiri i parë u ndërtua në Kampanjë pranë Napolit prej tij në vitin 530. Megjithatë Manastiret rrethoheshin nga ndërtesa dykatëshe dhe mure të lartë. Ato kishin disa porta por ajo kryesorja ishte e tipit monumental e paisur edhe me kullë fortifikimi.

Njerëzit që jetonin në Manastire quheshin murgj. Ata ishin persona që në mënyrë individuale e kishin braktisur jetën e përditshme dhe i ishin kushtuar këtij shërbimi, për të arritur bashkimin me zotin. Nën drejtimin e kryemurgut (Abatit, Igumenit) ata bënin një jetë të thjeshtë, të bindur, dhe të përkushtuar. Në manastire ishin hapur shkolla, ishin ngritur punishte etj, ishin krijuar anekse të veçanta për të sëmuret psiqike. Pranë tyre zhvilloheshin panaire, ndërsa në to murgj të specializuar shkruanin libra, kodike, traktate si dhe kopjonin vepra te autoreve te shquar. Në rrethana të tilla në manastire u realizuan kodike, ikona, afreske, epitafe dhe vepra të tjera artistike e kulturore. Diku rreth shekullit të VI kjo traditë nisi të aplikohej edhe në vendin tonë, duke krijuar traditën e saj edhe në rajonin e Vlorës, ku nuk mungonin vendet e përshtatshme dhe të vetmuara për ngritjen e manastireve.

Filed Under: Kulture Tagged With: Fjetja e Shen merise, Gezim Llojdia, Zverneci

HASAN DOSTI,NJË JETË NË LUFTË

August 15, 2013 by dgreca

Shkruan Eugen SHEHU/

Lindur e kaluar në paqë e begati , një jetë  natyrshëm ka hiret e veta. Lindur e kaluar në luftëra, megjithë privacionet e mëdha sërish ka hiret e saj. Për më tej , kur këto luftëra i frymëzon ideali hyjnorë i lirisë së kombit , atëherë jeta e njeriut gjen kuptimin e saj më të shenjtë. Një jetë e tillë është ajo e Hasan Dostit ndryshe e thirnin Hasan Kosova.

I lindur në fshatin Kardhiq të Gjirokastrës , në vitin 1895 , Hasani që në fëmijëri do të tregonte dashuri të madhe për librat. Prindërit e dërgojnë në Janinë e posaçërisht në gjimnazin e dëgjuar „Zosimea“ aty ku vite më parë ishin shkolluar edhe Frashërllinjtë. Spektri i gjërë i kulturës që përmblidhte gjimnazi,ndikuan në formimin e një edukate të fortë morale të Hasan Dostit deri sa mbylli sytë në moshën 96 vjeçare. Janina përveç asaj diturie të marrë prej bangave të shkollës , e paisi Hasanin e vogël nga Kardhiqi edhe me një sqisë tjetër,atë të krenarisë kombëtare. Kënga e Birbilenjëve,historinë e trimave shqiptarë të detit , kalaja krenare e Ali Pashë Tepelenës,do të shoqëronin netëve pothuaj gjithë djalërinë e „Zosimesë“ duke iu kujtuar një histori sa tragjike aq edhe krenare të kombit të tyre.

Më pas,gjithmonë me nota të larta , Hasani mbaron gjimnazin turk. Diçka ka filluar të zgjohet tani në shpirtin e trimit Kardhiqas. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore solli një det trazirash e vuajtjesh për shqiptarët. Coptimi tragjik i kufijve të cilit 1913 , sulmet e shkallëzuara të andartëve grekë në Jug dhe egërsia e sllavëve në brigjet e Drinit e komplikonin më tej situatën. Po t’i shtosh këtij tërbimit të fqinjëve pushtues edhe anarkinë e mbrendshme, do të mund të kuptosh fare lehtë se Shqipëria i ngjante një varke prej druri lënë nën mëshirën e dallgëve të rrezikshme mes oqeanit të trazuar.Pa mbrojtje , pa timonier , e vetme , kjo varkë natyrisht që do të bënte çfarë ish e mundur të delte nga vrundujt e stuhisë.

Andartët grekë , ndërkohë djegin më tepër se gjysmën e shtëpive të Krdhiqit. Ata po përparonin drejt Tepelenës duke vaditur ëndrrën e tyre të „Vorio-Epirrit“ me gjak të pastër e të pafajshëm shqiptarësh. Familja e Hasanit , së bashku me qindra të tjera gjirokastrite detyrohet të marrë udhën e të largohet prej „tokës së djegur“ që praktikuan ushtritë greke në territorin shqiptar shekullorë. Ata vendosën në Vlorë ku zjarri i shovenëve grekë gjithsesi nuk kishte mbërritur. Tanimë jeta e Hasan Dostit kishte marrë një udhë tjetër. Intuitivisht,djaloshi prej Kardhiqi po e kuptonte se brezit të tij përpos trimëria e dituria do t’i duhej të ushqeheshin parreshtur me ndjenjat e nacionalizmit të ndershëm.Miqtë dhe shokët e Hasan Dostit do të ishin tani djelmëria atdhetare e Vlorës,ata që organizuan dhe udhëhoqën rezistencën greke,ata që në krah të baballarëve shkruan me gjak epopenë e luftës së Vlorës.

Duke parë në karakterin e Hasanit mjaft virtyte , Qeveria nën udhëheqjen e Sulejman Delvinës, e emëron djaloshin prej Kardhiqi në detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Prefekturës së Gjirokastrës.Këtu , Hasani shquhet jo vetëm për ndershmëri por edhe për korrektesë e maturi ndaj disa elementëve shqiptarë me qëndrime filogreke. Miqtë e tij të kësaj kohe janë Bajo Topulli dhe Kolë Tromara. Së bashku organizojnë edhe një shoqatë,programi i së cilës kishte të bënte përpos të tjerave,me nxitjen e ndjenjës kombëtare,me njohjen e historisë dhe të traditave të krejt trojeve etnike shqiptare,me idenë e bashkimit sa më të shpejtë të këtyre trojeve në trungun e shtetit amë.

Ka qënë viti 1922 kur Hasan Dosti merr prej shtetit shqiptar një bursë për të studiur në Francë.tanimë ai është i pjekur në gjykime dhe tepër i aftë të kuptojë gjëndjen aktuale dhe rrugët e ndryshimeve për të ardhmen e Shqipërisë. Mbaron me rezulltate të shkëlqyera degën e drejtësisë në Francë dhe përfundon studimet duke mbrojtur gradën e Doktor në Drejtësi. Gjatë viteve të studimeve,në rrethet intelektuale franceze debaton mbi të drejtat e nëpërkëmbura të popullit të vet duke rikujtuar shpesh historinë. Së bashku me nacionalistë të tjerë që s’ishin pajtuar me regjimin monarkik,Hasan Dosti hedh idenë e një lëvizjeje popullore demokratike ku liritë e njeriut të zinin vëndin që meritonin në jetën sociale.Sado që sfondi social i Shqipërisë në monarki ishte tepër i errët,idetë dhe veprimtaritë e nacionalistëve të emigracionit nuk kaluan pa u vënë re.

Me ardhjen në Shqipëri,Hasani realizon një ëndër të vjetër të tijën.Pikërisht t’i shërbejë popullit të vet duke i dhënë (brënda kuadrit ligjor) drejtësinë aq të mohuar nëpër vite.Por duhet thënë se në një masë hierarkitë e shtetit të atëhershëm shqiptar,natyrshëm vuanin prej atij mentalitetit  të rryshfeteve dhe pazareve.Kështu,duke mos qenë dakord me qëndrimin e shtetit ndaj të drejtave elementare të individit,Hasan Dosti kundërshton hapur disa urdhëra arbitrarë. Për më tej i paisur me llogjikë e guxim,Dosti preferon të gjykojë e publikojë mjaft shkelje me gjykatën e Diktimit ku punonte.Është kjo arsyeja që rebeli Hasan Dosti pushohet me disa kolegë të tij nga puna në këtë gjykatë. Sidoqoftë,idetë e nacionalizmit,nuk do ta dekurajonin askurrë Hasanin.Ai përmes tyre do të lidhej këtej e tutje me burra trima e të mënçur,fjala e të cilëve do të skalitej thekshëm në konturret e viteve të 30-ta.Së bashku me Hysni Lepenicën,Bilal Golemin,Skënder Muçon e të tjerë,në fillim të viteve 30-të,Dosti ndërmerr krijimin e organizatës „Lëvizja e Vlorës“.Përpos kërkesave për demokratizimin e krejt aspekteve shqiptare të kohës,kjo organizatë duke kthyer sytë nga perëndimi,parashihte Republikën si regjim më të përshtashëm të qeverisjes në Shqipëri. Këtë regjim pjestarët e kësaj shoqate e lidhnin sidomos me mentalitetin dhe traditat e popullit tonë.

Goditja që mori më pas „Lëvizja e Vlorës“ tregoi për atë çka forca të caktuara në Shqipëri,të përkrahuara edhe prej zyrtarëve dhe ushtarakëve të lartë të administratës,ndosht nuk ishin të afta të kuptonin prosperitetin e kombit të tyre. Për më tej,këto forca shihnin interesat personale duke harruar interesat madhore të atdheut.Në rradhët e të dënuarve të kësaj organizate ishte padyshim edhe Hasan Dosti i cili që nga 15 vjet vuajti më shumë se tre vjet burg,falë amnistive të herë pas hershme të dekretuara prej Mbretit Zog.

Ora e madhe e nacionalizmit bie në fillimprillin e vitit 1939.Castet në rrokullime të kohës,kishin mbi supe peshën e madhe të tragjedisë dhe historisë së re të shqiptarëve.Një dokument i zbuluar kohët e fundit hedh në dritë mbi datën e vërtetë të krijimit të „Ballit Kombëtar“ duke përgënjeshtuar historiografinë komuniste që e shpie këtë ditë në fundin e vitit 1943.Në këtë dokument përpos të tjerave thuhet ;“, Siç është e ditur,Shqipëria në 7 prrill 1939,ditën e premte të zezë,u invadua prej italisë fashiste.Menjëherë që në javën e dytë të atij muaji,u formua në Tiranë një Komitet i mshehtë nën kryesinë e patriotit Mid’hat Frashërit i pagëzuar me emrin „Balli Kombëtar“.Komiteti harton një program veprimi që ka përbrënda kufijve të mundësive një farësoj rezistence …. Një nga anëtarët thmelues të Komitetit ka qënë H.Dosti …(„Koha“ 30 maj 1998-„Hasan Dosti ose historia e vërtetë „).

Tanimë rruga e patriotit nga Kardhiqi i Gjirokastrës,ishte përcaktuar plotësisht.si një ndër udhëheqësit e „ Ballit Kombëtar“ai dëgjohet kudo ku vete.Fjala e tij ka forcën e gjykimit.Veprimi i tij është i prerë dhe në kohë.Në miqësi të ngushtë me Mid’hat Frashërin dhe Faik Qukun,Hasan Dosti punon për vënien në jetë të programit të tetë pikave të nacionalizmës më vonë me disa korigjime kohore programi i quajtur DEKALOGU,si një ndër thirrjet më të fuqishme të kohës, aktualiteti i së cilës mbetet akoma për ne shqiptarët në këtë fundshekull. Edhe pse kish studiuar për drejtësi, gjeografia dhe historia e lashtë e arbërorëve do të mbeteshin pasioni i madh deri në fund të jetës së tij.Në vitet e okupacionit fashist,krahas detyrave të ngarkuara prej „Ballit Kombëtar“,Hasani bashkëpunon ngushtë me atdhetarin,studiuesin e palodhur dhe nacionalistin Ahmet Gashin dhe të dy së bashku përpilojnë hartën e parë etnike të Shqipërisë.Juristët e Kosovës,do të mbeteshin gjithashtu ndër shokët dhe miqtë më të afërt të Dostit.

Mukja do të ishte një pikë kulmore në jetën dhe veprimtarinë e krejt nacionalistëve shqiptarë. Të bindur për një bashkim të plotë,të krejt forcave politike kundër okupatorit,nacionalistët u ulën në tavolinën e bisedimeve me disa prej udhëheqësve komunistë njëlloj si vëllai me vëllanë. Ata nuk paragjykuan askënd,por përkundrazi gjetën gjuhën e përbashkët duke rikujtuar kuvendet e mëdha të besës shqiptare. Mukja vendosi krijimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërizë dhe njëzëri,nga të gjithë pjesëmarësit,unanimisht u votua në krye të këtij Komiteti,Hasan Dosti.Nacionalistët dhe komunistët e Mukjes,parapanë tek Hasan Dosti jo vetëm trimëria  e guximi djaloshar por edhe aftësinë e veçantë të tij për gjykimin e ftohtë të krejt stuatave.

Ajo çka ndodhi më pas me Mukjen,dihet. Miqësia e komunistëve shqiptarë me ata jugosllavë do të shërbente si thikë në shpinë të vëllazërisë shqiptare.Gjaku i rrjedhur prej asaj plage akoma edhe sot nuk ka të ndalur.Plaga rrjedh e rënkon.Brenda këtij rrënkimi që nuk soset kurrë janë jetët e mijëra shqiptarëve të marra prej dhelpërive sllavo-komuniste.

Së bashku me ata që muarën rrugët e mërgimit në vjeshtën e vitit 1944 ishte edhe Hasan Dosti Gjermanët,në largimin e sipër i djegin nacionalistit të shquar shtëpinë e vet në Tiranë dhe i pushkatojnë gruan dhe vëllain.Kjo do ta ligështonte trimin e pafrikshëm.por gjithsesi ai ndjen ngrohtësinë e bresit të tij të nacionalistëve që i ngjante atij zjarri të pafikur në ngricat e jetës. Në  kampet e refugjatëve kudo ku ish, Hasani do të ulej të punonte,të shkruante,të hidhte dritë mbi të vërtetat. Veçmas,për nacionalizmin shqiptar do të gjente dhe ndriçonte të gjitha rrugët për bashkimin e forcave të djathta si të vetmen mundësi për të luftuar komunizmin.

Me vdekjen misterioze të Mid’hat Frashërit,ai do të zgjidhej në krye të Komitetit „Shqipëria e Lirë“. Ky Komitet u bë çerdhe e ngrohtë e krejt shqiptarëve të mërguar dhe bazë e luftës kundër rregjimit komunist.Në funksionin e kryetarit të Komitetit „Shqipëria e Lirë“,Dosti luajti një rol të madh për demaskimin e regjimit të Tiranës Ishte krahu Radikal i Ballit Kombëtar. Në një mesazh të transmetuar në Radio Londrën në vitin 1950 , me atë zërin e tij burrërorë,me duart që i dridheshin prej emocioni ai u drejtohej shqiptarëve :

„Një vit tmerri komunist,disa vite torturash,gjakësish e vuajtjes,kaluan në kalendarin shqiptar si në kohët më të zeza që ka njohur historia jonë.As vrulli i barbarëve nuk shkatoi kaq mjerime përmbi tokën tonë ku mbretëron uria dhe frika e keqe prej ditës fatale që një grup agjentësh të egzaltuar hipotekuan Shqipërinë në kadastrën e Beogradit eMoskës .. »(Fjalimi në BBC.1950).

Kudo në Itali,Francë,Gjenevë e deri në Los Anxhellos,veprimtaria e këtij nacionalisti ishte e ndjeshme.Zemra natyrisht i dhimbte sepse Qeveria e Tiranës i kishte mbyllur në brigje djemtë e tij duke mbajtur peng për idetë dhe veprën e të jatit.Por ai s’i shkëmben për asnjë çast hallin e madh të Atdheut me interesat vetiake të çastit.Kështu,derisa zemra i pushoi së rrahiri në janarin e vitit 1991.

  Cka ndjerë ajo zemër e madhe në rrahjet e fundit të saj ? Vështirë të përgjigjesh.Por sytë janë mbyllur me imazhin e bukur të demokracisë që po vinte në Shqipëri.(Ne Foto:Hasan Kosova Dosti- 1895-1991)

     Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Hasan dosti, nga Eugen Shehu

DONIDA KA NEVOJË PËR NDIHMËN E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË AMERIKË

August 15, 2013 by dgreca

A mund ta ngremë në këmbë këtë shpirt që vuan? Pse, jo?

Kjo vajzë që shihni në fotografi është Donida e cila u operua dy herë  bë Beth Izrael Hospital në Boston për të hequr një tumor  të rrezikshëm në shpinë . Operacioni është vlerësuar i sukseshëm, por Donida edne nuk mund të ecë. Ajo ka nevojë për terapi për disa muaj në mënyrë që të rifitojë aftësinë e saj për të ecur. Donida, familja e saj, dhe miqtë e saj shpresojnë se komuniteti shqiptar do të tregojnë veten sërish bujarë e humanë, nuk do ta lënë vajzën e re që të dergjet në vend, por do ta ndihmojnë që të plotësojnë shumën mijëra dollarëshe që kjo vajzë të rikthehet në jetë.

Është një shoqatë në Boston/ Masachussetts,Maasbesa që ia ka nisë aksionit dhe deri tani i ka mbledhë $4600.00. Shoqata synon që të mbledhë $20.000.00. Ne po ju dërgojmë adresën e linkut të saj, ku ju mund të kontribuoni (http:/icanhelp.maasbesa.org/.

Le të bashkohemi të gjithë, individë dhe shoqatat dhe fondacionet dhe ta ndihmojmë vajzën që po pret plot shpresë nga të gjithë ne.A mund ta ngremë në këmbë këtë shpirt që vuan? Pse, jo?

Filed Under: Komunitet Tagged With: Donida, ka nevoje, per shqiptaret e Amerikes

SHKRIMTARI VIRON KONA: LIBËR PAS LIBRI, ME PAPAGALLIN E TIJ…

August 15, 2013 by dgreca

Nga: Murat Gecaj

1.

Është e njohur që, shkrimtarë të ndryshëm, në udhën e krijimtarisë dhe botimeve të tyre, krijojnë figura të gjetura letrare. Ato nuk bëhen të njohura e të dashura vetëm për autorët, por edhe për lexuesit. Ndërsa po i shkruaj këto radhë, mendja më shkon në qytetin e madh bregdetar të Suedisë, Goteborg. Në muajin prill të vitit të kaluar, së bashku me shkrimtarin e njohur Viron Kona, gazetaren e moderatoren e RTSH-së Kozeta Hoxha dhe arsimtaren e publicisten Kadrije Gurmani, ishim ftuar dhe morëm pjesë në festimet e 5-vjetorit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Dituria” e revistës, po me këtë emër, në qytetin Boras të atij vendi të bukur skandinav. Në planin e veprimtraive të mikpritësve tanë, ishte dhe një vizitë në Goteborg. Ndër të tjera, aty vizituam me kënaqësi Muzeun e Natyrës, nën shoqërinë e bashkatdhetares Exhlale Shipoli. Kur po kalonim nga një pavion në tjetrin, vura re se Vironi ishte ndalur para një pamjeje të veçantë dhe shumë tërheqëse për të. Nga kureshtja u afrova edhe unë. Përpara kishim papagaallë të bukur, shumëngjyrësh, të balsamosur. Sakaq, duke e ditur dëshirën e kolegut e mikut tim, e shkrepa aparatin tim fotografik. Mbeti kështu një kujtim tjetër i Vironit pranë personazhit të dashur, Papagallit, të cilin e ka pagëzuar Çate.

Ditët e fundit të këtij gushti, ai më ftoi për një kafe bashkë me arsimtarin e publicistin Sejdo Harka. Kishim ca kohë pa u takuar bashkë, si shkak i një sëmundjeje dymujore timen. Sigurisht, shprehëm të tre kënaqësinë për këtë takim të radhës. Pasi u përshëndetëm, Vironi nxori nga një zarf i madh dy libra. Mënjëherë, pashë se në koperetinë ishte një papagall. Ai m’i kishte shkruar dy libra, njërin për mua dhe tjetrin për mbesën Dorelë. “O, miku im, përsëri ti me Papagallin?- e pyeta, duke buzëqeshur.-Po atë foton, nga Muzeu i Goteborgut, a e kë vënë diku, në këtë libër të ri?” Ai u ndodh paksa ngusht dhe, me buzëqeshjen e tij dalluese, m’u përgjigj se këtë gjë do ta ketë parasyshë për një libër tjetër. Bashkë me Sejdon, e uruam nga zemra  këtë shkrimtar të njohur, sidomos në botimin e librave për fëmijët. Shpesh, ai na e bën suprizë, duke na dhuruar libra të tillë, që i nxjerr njëri pas tjetrit, si “simite” të ngrohtë e të “shijshëm” për të vegjëlit, nga ”furra” e krijimtarisë së tij. Ndër figurat ose personazhet artistike më të dashura të tij, si Bubulino, Dardi, Erlindi, Këmbëgjati etj., padyshim, është edhe Papagalli Çate.

2.

Tani, pas kësaj hyrjeje disi të gjatë, po e shfletojmë këtë libër të ri të shkrimtarit Viron Kona. Ky është i 32-ti, në serinë e botimeve të tij, me libra të bukur dhe në gjini të ndryshme. Disa nga ata kanë tematikë udhëtimet e tij jashtë Shqipërisë, si në Hungari, Suedi, Greqi e Turqi.

Në faqet e para janë pak radhë të autorit, i cili rrëfen se si një pasdreke, vogëlushja Ana, ku ishte i pranishëm edhe i vëllai i saj, Erlindi,  iu lut Papagallit Çate t’i rrëfente disa ndodhira të bukura nga jeta e tij. Papërtuar, ky nisi të flasë, pa u ndalur: “Një mëngjes, bashkë me Çeçelin,  shokun tim të ngushtë, na u mbush mendja që të mos shkonim në shkollë…”. Erlindi buzëqeshi e po dëgjonte, sy e veshë. Më tej, tregoi se shkuan dhe u futën në një pyll të gjelbëruar, ku  sipas premtimit do të hanin banane të pjekura. Po çfarë u ndodhi më tej atyre? Shkrimtari, në gojën e personazhit të tij, na përballë me disa të panjohura për ta. Kështu, vijon pjesa se si Papagalli Çate u plagos në këmbë dhe, papritmas, u takua me Gjysh Ariun. Ky ishte aq i mirë, sa i ndihmoi dy vogëlushët të ktheheshin në shtëpitë e tyre, duke u kujdesur që edhe mos t’i shihte Mbreti i Pyllit, Luani i Dytë, i cili do t’i ndëshkonte për fajin, që kishin bërë, duke mos shkuar në shkollë. Po, të papariturat e Papagallit Çate nuk mbarojnë me kaq. Nga plaga, që kishte marrë në këmbë, detyrohet të kryejë një operacion, të cilin ia bëri prod.dr. Gjarpëri dhe pacienti i tij u tregua trim e nuk derdhi asnjë pikë loti.Ndodhi pas ndodhije, duke ndjekur tregimin e Papagallit Çate, lexuesi njihet edhe me një ndodhi tjetër, pra se si Gjysh Ariu bëri vizitë në shkollën e tij. Ky u takua e bisedoi me drejtor Tigrin e zëvendësin e tij, Leopardin. Befasi e këndshme për ta ishte takimi me dirigjentin,  Ujku i Bardhë. Me këtë rast, Gjysh Ariu u tregoi një ngjarje tërheqëse, pra u foli për “Vallen e Ujqërve”. Në fund të takimit, drejtor Tigri u paraqiti atyre: Strucin kërcimtar, Ketrin skulptor, Kangurin humorist,  Fazanin piktor dhe Gjirafën mësuese të gjeografisë…

Trego e trego dhe Papagalli Çate nuk dinte të mbaronte. Ai u rrëfeu fëmijëve edhe për sa e sa ngjarje tjera të bukura e të këndshme për të vegjëlit. Nuk dua t’ua tregoj të gjitha atyre, se pastaj nuk e lexojnë librin. Por vetëm u them se në libër flitet edhe se si Fazani pikturonte pamje nga natyra; se si bënë një bisedë interesante me Drerin, mësuesin e filozofisë;  se si Puma merr mësime private nga drejtor Tigri; se  si Sorkadhja shpëtoi nga sulmi i Tigrit; se si Gjyshi Ari mori në mbrojtje Lepurin e mbetur jetim ose se si Skifteri mbretëror kishte marrë një diplomë të gënjeshtërt. Interesante janë edhe rrëfimet tjera, si ajo për Elefantin dhëmbargjend, Pelikanin kaçurel, Lejlekun këmbëgjatë, Strucin mburravec, Kunadhen, Derrin e egër, Breshkën “e shpejtë”, Patën e egër dhe për një shpend, që vetëlavdërohet, duke thënë: “Buf-buf-buf, si unë nuk është askush!” Kërshëria e fëmijëve, për ta dëgjuar Papagallin Çate ishte e madhe. Po ai u lodh duke folur dhe nuk vazhdoi me ndodhira të tjera. Pasi hëngri mirë e mirë, gogësiu dhe fluturoi në kafazin e tij, që të flinte gjumë.

Megjithëse nuk është në mbarim të këtij libri, si përmbyllje e tij e bukur, shërben pjesa me titullin “Koncert i madh festiv”.  Drejtor Tigri dhe mësues Syziu e ftuan gjysh Ariun për drekë. Pëllumbi lajmëtar e kërkoi të vinte kuzhinieren më të mirë të pyllit,  Dhelpërën bishtgjatë.  Në pritje të gatimit të shumë gjellërave të shijëshme, u organizua një koncert festiv.  I pari, nisi të këndojë Gjeli i egër: “Më kap dot,/ s’më kap dot,/ më të bukur/ s’gjen në botë!…”. Nërsa në operetën muzikore të mjelmave  thonin: “Këndoj unë,/ këndon ti,/ jetë të gjatë,/ Gjysh Ari!” Por dhe kori i dallëndysheve u pëlqeu të gjithëve dhe të pranishmit e duartrokitën nxehtësisht: “Ciu, ciu, ciu,/ ne të gjithë gëzojmë, /Pranverën  e bukur/ shumë e falënderojmë!”

…Është një libër i këndshëm dhe tërheqës për të vegjëlit, me 36 rrëfenja nga jeta e kafshëve të pyllit. Por ai u shërben edhe prindërve e mësuesve në punën e përditëshme. Përmes tyre, fëmijët njohin shumë kafshë e shpendë, të cilat janë paraqitur edhe me figura. E përgëzojmë autorin për këtë botim të ri dhe presim libra të tjerë nga ai.

Tiranë, 15 gusht 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: dhe Ppagalli, liber i ri, Viron Kona

DE BIAZI EKSPERIMENTON DHE FITON 2: 0 ME ARMENINË

August 14, 2013 by dgreca

Shqipëri-Armeni 2:0. Kjo ishte një ndeshje eksperimentuese dhe traineri Italian i Komëbtares shqiptare ia arriti qëllimit. Pra eksperimentoi dhe fitoi.Falë Telvizionit Shtetëror Shqiptar e pamë edhe këtu në SHBA këtë ndeshje edhe pse nuk kishte ndonjë interes të vecantë. U pa kjo edhe në stadiumin e  boshatisur. Ndeshja duhet vlerësuar pozitivisht megjithë 2-3 gabime fillestarësh në mbrojtje, njëra prej të cilave i takon kapitenit Cana, që si përherë nuk harroi të vetndëshkohej edhe me një Karton të verdhë(themi vetndëshkim sepse kartonin nuk e mori në mbrojtje, por në sulm) . Gjithësesi de Biazi eksperimentoi duke i lënë jashtë formacionit disa nga gardianët e Kombëtares si Bogdani, Salihi, Curri, Bulku, apo Mehja, e të tjerë. Në vend të tyre ishin emrat e rinj që u eksperimentuan dhe rezultuan të suksesshëm.

Vecanërisht shkëlqeu i riu Ergys Kace, jo vetëm pse shënoi një Eurogol nga distanca, dy minuta pasi kishte hyrë në fushën e lojës por edhe për grintin e lojës në mesfushë dhe gjuajtjet e rrepta në portë. Pozitivisht vlerësohet loja e Valdet Ramës, edhe pse u zëvendësua, e Januzajt, vellezërve Basha, Abrashit, Kapllanit, Odise Roshit, Gashit, Gjasulës e të tjerëve.

Deri në minutën e 20 dukej një ndeshje e përgjumur, por janë miqtë që kërcënojnë dhe falë guximit të Eetrit Berishës porta e kuqezinëjve mbeti e paprekur.

Është Valdet Rama që paralajëmron kundërshtarët se nuk do të kenë të lehtë në Qemal Stafa. Në minutën e 21 ai pasi merr një top të shkëlqyer që niset nga këmbët e Dalkut- do të ngrerë në këmbë tifozërinë e pakët që mbushte shkallët e stadiumit, pasi topi i gjuajtur fort nga ai, devijon pas prekejs të një mbrojtësi armen. Një minut më vonë ishte Ansi Agolli që mund të kishte shënuar golin e dytë.

Miqtë do ta kërkonin barazimin pas zgjimit por gardiani i portës kuqezi do të ishte i pakalueshëm. Pjesa e parë u mbyll 1 me 0 për komëbtaren shqiptare të drejtuar me mencuri nga italiani De Biazi.

Edhe 20 minuta e pjesës së dytë kanë një farë përgjumje. Abrashi jep një sinjal të fortë në minutën e 65, por gol nuk ka. Një minut më vonë, në  minutën e 66-të, i porsafuturi në fushën e lojës, Ergys Kace, do të shënonte një eurogol që portieri i dytë armen, që ka zënë vendin e kapitenit në portën armene, do ta shoqëronte i dëshpëruar  pas hedhjes akrobatike, pasi kurrësesi nuk mund ta ndalte. Kace duhet nderuar edhe për faktin se ndaj dy kërkesave, asaj të Kombëtares Helene dhe të Kuqezive, preferoi të dytën pas këmbënguljes të De Biazit që udhëtoi vetë deri në Selanik.

Me rezultatin 2 me 0 lojtarët shqiptarë fituan siguri. Ata luanin shpejt dhe me kombinime të sakta. Nuk munguan as gjujatjet nga distanca. Një e tillë e Ergys Kace në minutën e 82, sa nuk solli golin e dytë të tij.

Kjo fitore i jep zemër ekipit shqiptar për ndeshjen e shtatorit në Lubianë me Komëbatren Sllovene.Kjo fitore ka ërndësi sepse nuk është se u luajt ndaj një ekipi të dobët, edhe pse s’kishin ardhë të gjitëh titullarët( e njëjat gjë edhe për Shqipërinë), ekipi armen e ka cuditur botën e futbollit me ata fitore të madhe me katër gola kundër  Danimarkës para dy muajësh. Po ashtu ndaj ekipit tonë ata kishin bilanc pozitiv para kësaj ndeshje. Ishte një fitore e pastër që na jep shpresa për të ardhmen.

De Biasi ishte shumë i kënaqur me paraqitjen e Kombëtares shqiptare në ndeshjen kundër Armenisë, të cilën e fituan me rezultat 2:0.

Ai u shpreh pas ndeshjes se: “Ekipi i Armenisë ishte shumë i mirë në aspektin fizik. Duke patur parasysh se të githë lojtarët sapo janë kthyer nga pushimet, ne kemi luajtur shumë mire. Sigurisht që mora sinjal pozitiv nga të gjithjë të rinjtë. Presim edhe më shumë nga ky grup, që të na sjell gëzime”,

De Biasi po ashtu është i kënaqur me prurjet e reja, Shkëlzen Gashin, Amir Abrashin, Vullnet Bashën dhe Jurgen Gjasulën, të cilët debutuan me ekipin kuqezi.

Italiani ka thënë se ka edhe tri javë kohë për tu përgaditur për dy ndeshjet e radhës, kundër Sllovenisë dhe Isalndës, të cilat do të zhvillohen në muajin shtator, në kuadër të eleminatoreve për Botërorin ‘Brazili 2014’.

Ne Foto: Goli i Valdet Rames

 

Filed Under: Sport Tagged With: 2 me zero, Shqiperi-Armeni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT