• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

Mësuesi i Merituar Neki Babamusta nderohet nga Kryetari i Senatit Amerikan

August 4, 2013 by dgreca

Nga Agron Berisha/

Profesor Neki Babamusta u vlerësua nga Kongresi Amerikan me nderimin e lartë “Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë 2013” (International Advocacy of Democracy) për mbrojtjen dhe përhapjen ndërkombëtare të idealeve të paqes dhe demokracisë. Çertifikata e njohjes dhuruar Neki Babamustës nga Senatori Harry Reid në emër të Kongresit Amerikan vlerëson shërbimin e tij të shquar për demokraci dhe liri në Sh.B.A., Shqipëri dhe Kosovë, shërbimin e tij për arsim prej 40 vite, dhe kontributin e fisit Babamusta dhe Cani për ndërtimin dhe forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane.

Neki Babamusta është fitues i nderit të lartë ‘Mësues i Merituar’, dekoruar dy herë nga Kongresi Amerikan për mbrojtje të vlerave demokoratike në Washington DC si dhe i dekoruar për vlera patriotike në Tiranë, Shqipëri. Vajza e tij, Ermira Babamusta pranoi dekoratën në emër të babait dhe familjes në ceremoninë zhvilluar në Kongresin Amerikan me 1 gusht 2013 nga senatori Harry Reid, Kryetar i Shumicës në Senat.

“Ndjehem shumë shumë i nderuar familjarisht për respektin e lartë që senatori Reid, Kryetari i Senatit Amerikan më dha si “Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë 2013”, duke vlerësuar punën time dhe të familjeve Babamusta-Cani për demokraci, dhe për forcimin e miqësisë midis dy popujve tanë, miqësi e cila do të rrojë shekull pas shekulli, siç ka theksuar e nderuara Senatore Hillary Clinton. Ky vlerësim i qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe Kongresit Amerikan është një mirënjohje e jashtëzakonshme e miqësisë tradicionale 100 vjeçare të familjeve Cani-Babamusta ndaj popullit amerikan dhe Sh.B.A.-së. Mbi të gjtha vlerësoj miqësinë midis dy kombeve tona. Ky dekorim i dytë nga Kongresi Amerikan i dedikohet të gjitha vlerave demokratike të kombit shqiptar, të cilët e shohin kombin e madh Amerikan si aleat të përjetshëm dhe besnikun historik të kombit tonë. ShBA-ja, Shtëpia e Bardhë, Kongresi Amerikan dhe qeveria e saj janë promotorët kryesorë për përhapjen e vlerave demokratike dhe të vendosjes së paqes në botë,” deklaroi prof. Neki Babamusta, Mësues i Popullit.

 

Veprimtaria patriotike e familjeve Babamusta-Cani

 

Diktatura komuniste izoloi Shqipërinë për 50 vite nga bota e perëndimit. Diktatura siç ka theksuar ish-kryeminstri Çërçill e bëri Shqipërinë një xhungël të izoluar. Ky izolim solli pasoja tragjike për popullin shqiptar ku pati dhjetëra mijë të vrarë, të burgosur, të internuar, etj.

Për dy fiset Cani dhe Babamusta pasojat qenë tepër të rënda: 20 vetë të burgosur (të vdekur edhe nëpër burgje), të përndjekur, mohuar e drejta e arsimit dhe sekuestrim pasurie. Nga dy fiset dolën patriotë demokratë të denjë si Ramazan Cani: (Hero i Popullit, Mësues i Popullit, bashkëluftëtar me Bajram Currin dhe me vëllezërit Myslim dhe Shyqyri Peza), Ramazani dhe i ati, Mustafa Cani u vranë nga reaksioni feudal (Verlaci), Kastriot Cani (Veteran i Rezistencës, ish-pjestar i Frontit të Rezistencës Anti-Komuniste, me pseudonimin “Furtuna”, ish adjutant i Mustafa Gjinishit, pushkatuar nga diktatura si pjestar i Rezistencës), Dill Cani (Nënkryetar i Frontit të Rezistencës për rrëzimin e komunizmit, dënuar me 101 vjet burg), Përparim Cani (dënuar me burgim nga diktatura), Beqir Babamusta (i persekutuar, vdekur nga ataku në zemër prej kërcënimeve nga diktatura), Qemal Babamusta ( i biri i Beqirit, i burgosur politik, ish-pjestar i Frontit të Rezistencës dhe Veteran), Murat Babamusta (vëllai i Beqirit, Patriot i Kombit, i dekoruar), Ibrahim Babamusta (Mësues i Popullit, ish-pjestar i Frontit të Rezistencës, lauruar me Medaljen e Artë të Perandorit të Austrisë, Franz Ferdinant), Agron dhe Neritan Babamusta (djemtë e Ibrahimit, akademikë të shkencave egzakte), Hasan Babamusta (i persekutuar politik me 101 vjet burgim, i vdekur në burg), Halit Babamusta (i persekutuar politik, i dënuar 2 herë nga diktatura), Regip Babamusta (anti-fashist dhe patriot), Mehmet Babamusta (Dëshmor i Kombit, ish-pjestar i Frontit të Rezistencës bashkë me vëllanë e tij Isuf Babamusta, bashkëpunëtorë me Mustafa Gjinishin, i pushkatuar nga diktatura), Neki Babamusta (i persekutuar, Mësues i Merituar, dekoruar dy herë nga Kongresi Amerikan dhe i dekoruar për vlera patriotike në Shqipëri), Suzana Babamusta (e shoqja e Nekiut, e persekutuar, pushuar nga puna), Qazim Tufa (burri i tezes së Suzanës, dënuar me 101 vjet burgim) dhe Halit Dervishi (shpalluar armik i popullit nga diktatura). Vëllezërit Cani (Kastriot dhe Skënder Cani) u klasifikuan nga diktatura familje raksionarësh dhe u internuan. Ndërsa motra e tyre Tuja Cani, internuar dhe burri i saj Xhuf Sufali, i burgosur politik  (Arshiva e Shtetit, 1945).

Neki Babamusta në shtator 1964 nuk pranoi t’i shërbente sigurimit të shtetit gjatë komunizmit, në Shërbimin Diplomatik jashtë shtetit, për të cilën u përndjek ashpër  nga diktatura. Këshilli Bashkiak i Kavajës, me miratim nga Prefektuara Tiranë i miratoi atij në shkurt 1996 marrjen e një pensioni të veçantë për merita patriotike-demokratike. Ndonëse vendimi ishte ligjor, i formës së prerë, kjo e drejtë iu mohua Nekiut, pas fitores së demokracisë në Shqipëri, dhe akoma nuk i është dhënë sot.  Po ashtu atij iu mohua edhe e drejta e studimit nga diktatura. Studimet universitare në degën “Histori, Letërsi dhe Histori Botërore” Nekiu i vazhdoi me korrespondencë, duke i kryer studimet në kohë rrekord.

Të dy fiset ndjehen krenarë për kontributin që kanë dhënë për çështjen e Rilindjes Kombëtare: me çetë të armatosur dhe luftëtarë morën pjesë në mbrojten e vendit kundër serbëve dhe pushtuesve të tjerë të Ballkanit dhe Evropës, kontribuan për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Ndihmuan direkt patriotin e madh Ismail Qemali ku në fisin Babamusta ai u prit një natë, iu dhanë kuaj, ushqime, para dhe përcjellës. Ndërsa fisi Cani me Ramazan Cani dhe Bajram Xhani, dy miq të ngushtë të fisit Babamusta, me dy çetat e tyre të armatasoura, e shoqëruan Ismail Qemalin për në Vlorë me 26 tetor 1912. Patrioti Ramazan Cani, priti në Durrës dhe i shpëtoi jetën Avni Rustemit, duke e strehuar në një vend të sigurtë, pasi ai vrau tradhtarin Esat Pashë Toptanin në Paris me 13 qershor 1920.  Të njëjtën kontribut fisi Cani dha dhe për Kongresin e Lushnjes, ku Ramazan Cani (krahu i djathtë i patriotit Aqif Pashë Elbasani) bashkë me çetën e tij siguruan mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit të Lushnjes, në janar 1920.

Dy fiset Cani dhe Babamusta iu bashkuan Luftës çlirimtare kundër pushtuesve italo-gjerman në vitet 1940-44, duke i dhënë luftës ndihma të mëdha ekonomike dhe financiare. Si ideal lirinë e kombit shqiptar e shihnin të lidhur me idetë e Perëndimit, pa komunizmin. Prandaj dy fiset u lidhën në vitin 1944-46 me Organizatën Anti-Komuniste, Fronti i Rezistencës, themeluar nga Hamdi Frashëri (kryetar), Dill Cani (nënkryetar), Mustafa Gjinishi, Shyqyri Peza, etj. Qëllimi i kësaj organizate kombëtare ishte rrëzimi i komunizmit në Shqipëri, në bashkëpunim me zbulimin anglo-amerikan. Pjesmarrësit patën pasoja tragjike pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, ku ndër të tjerë edhe bashkëpunëtorë patriotë si Shyqyri Peza, Cen Kruja, Rexhep Greca (pjesmarrës aktiv në luftën përkrah Frontit të Rezistencës kundër komunizmit, i burgosur politik në kohën e ish-ministrit të brendshëm, Koci Xoxe), Adem Qose (dënuar me 101 vjet burgim të përjetshëm), Aqif Averiku, etj, pësuan të njëjtin fat nëpër burgjet komuniste. Po ashtu familjet dhe fëmijët e të burgosurve politik u izoluan, internuan dhe iu mohuan të gjitha të drejtat njerëzore, si arsimini dhe punësimi. Fronti i Rezistencën luajti një rol të madh në luftën për rrëzimin e komunizmit në Elbasan, krahinën e Peqinit dhe zonën e Kavajës. Pranë Shtabit të Përgjithshëm në Pezë ndodheshin edhe oficerët anglez.

Gjatë Luftës çlirimtare në shtator 1943 prindërit e Neki Babamusta (Beqiri dhe Rabihane Babamusta) shpëtuan nga gestapo hitleriane 6 ushtarë dezertorë italian dhe një familje rrobaqepësish izraelite prej 4 vetësh. Ndërsa në kohën e “Operacionit të Florit” ku sigurimi i shtetit sekuestrone pasurinë e tregtaraëve, e ëma e Nekiut, Rabihania bashkë me Nekiun shpëtuan disa familje nga burgimi në 1953-56. Në kohën e luftës së klasave gjatë kohës së diktaturës Neki Babamusta shpëtoi nga vëllavrasjet politike, burgime dhe internime 80 jetë njerëzish, gjatë viteve 1953-84 në qytet dhe fshatëra e zonës Kavajës. Ai dhe familja e tij disa herë janë përballur me vdekjen.

 

Fillimi dhe forcimi i lidhjeve Shqipëri-Amerikë-Kosovë dhe familjes Babamusta

 

Bashkëpunimi i familjes Babamusta me Amerikën fillon në 1920 me hapjen e shkollës së parë amerikane në Golem, Kavajë. Kjo lidhje vazhdon me pritjen madhështore në 15 mars 1992, që i bëri Kavaja, patriotët, të persekutuarit, dhe pjesëtarët e fisit Babamusta të dërguarit të parë të Sh.B.A.së, ambasadorit amerikan Reilson me të shoqen e tij, bashkë me z. Sali Berisha. Familja Babamusta i dhuroi ambasadorit Reilson historikun e shkollës amerikane.

Aktiviteti i familjes Babamusta vazhdon me krijimin e shoqatës Patriotike Kombëtare “Bajram Xhani” (1992-2004), për të forcuar miqësinë shqiptare me Sh.B.A-në dhe Perëndimit dhe për të mbrojtuar vlerat demokratike dhe të persekutuarve nga komunizmi.

Në korrik 1999 familja Babamusta dha një kontribut të vyer në Detroit, Miçigan duke u lidhur me radion shqiptaro-amerikane Alba për forcimin e miqësisë me Sh.B.A.-në, për mbrojten e vlerave demokratike dhe në veçanti për luftën heroike të popullit martir të Kosovës.

“Të dy vizitat në Sh.B.A. janë kujtime të përjetshme për familjen time. Mikpritja, repsekti, dashuria, përkrahja që treguan familjet amerikane, kongresmenët, senatorët amerikanë dhe qeveria e Shteteve të Bashkura ndaj familjes Babamusta janë të paharruara. Vizita ime e parë në Amerikë në 1999 më la mbresa të jashtëzakonshme, ku njoha vlerat e vërteta të Demokracisë dhe lirisë, të një kombi që është ndërtuar mbi vlera demokratike. Qëllimi i vizitës ishte të njihej populli amerikan me luftën heroike të popullit të Kosovës kundër pushtuesve serb, me Millosheviçin në krye. Kjo na dha mundësi si familje të flisnim për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me komandant z. Hashim Thaçin dhe Adem Jasharin, Hero Legjendar, për rolin dhe vlerat e larta që pati presidenti Rugova për vendosjen e paqes dhe themelimin e shtetit të Kosovës dhe për ndryshimet e mëdha që pati Shqipëria në rrugën drejt Demokracisë. I jam mirënjohës kontributit që ka dhënë Amerika, sidomos Presidenti Klinton për ndërhyrjen që bënë forcat aleate, dhe presidentët në vijim Bush dhe Obama. Si hulumtues historie kam shkruar artikuj të ndryshëm, kumtesa historike që i dedikohen vlerave kombëtare dhe politike të Kosovës dhe Shqipërisë,” tha profesor Neki Babamusta.

Në gusht 2003 familja Babamusta u prit nga senatori Tom Harkin dhe senatorë të tjerë në Kongresin Amerikan, të cilët falenderuan në emër të qeverisë amerikane Ermira dhe Neki Babamusta, fisin Babamusta dhe Cani për veprimtarinë e tyre demokratike dhe miqësinë diplomatike me Amerikën. Gjatë  takimit të  familjes Babamusta me Senatorin Tom Harkin, familja Babamusta i dhuroi një  shqiponjë që  përfaqëson simbolin e lirisë  të  kombit shqiptar. Senator Harkin u përgjigj, “Dhe ne kemi të njëjton simbol për liri, shqiponjën” dhe senatori u ul në gjunë me respekt përpara simbolit të lirisë.

Senator Harkin iu drejtuar Neki dhe Suzana Babamustës: “Ju falenderoj ne emër të popullit amerikan, të Kongresit dhe të qeverisë të Shteteve të Bashkuara. Jemi krenarë që kemi mik dhe aletë të shtrenjtë Shqipërinë, dhe veçanërisht ndaj Familjes Cani dhe Babamusta jemi po aq krenarë për kontributin tuaj dhe që keni prodhuar fëmijë të shkëlqyer. ” Ndërsa Ermirës Senator Harkin iu drejtua më këto fjalë: “Me bindje e ke vendin këtu në Kongres, ashtu siç erdha edhe unë me shumë sakrifica.”

Në verë 2004 me propozim të Kongresmenit Mark Kennedy, Kongresi Amerikan dha tre nderime për Neki Babamustën, Kastriot Canin (gjyshin e Ermirës) dhe Ermira Babamusta, ku mbi Kongresin Amerikan u ngritën tre flamuj. Në Korrik 2013 Familja Babamusta (Neki dhe Ermira Babamusta) marin nderimin e dytë nga Kongresi Amerikan si dhe çertifikata njohje për kontributin diplomatik-demokratik.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Amerikan, Neku Babamusta. nderohet nga Senati

Një libër për lulet dhe jetën

August 4, 2013 by dgreca

Nëpërmjet krijimtarisë së Astrit Xhaferit/

Shkruan Reshat KRIPA/

Duke lexuar librin me tregime “Rrëfime për njerëzit dhe lulet” të Astrit Xhaferit, me duket sikur ndodhem në një lulishte të mrekullueshme dhe ndiej aromën e dhjetra luleve që, në të vërtetë, janë personazhet kryesorë të këtyre tregimeve. Më duket sikur ndiej aromën e “Kalikantosit” që lulëzon në mesin e dimrit, pikërisht kur bryma dhe akulli kanë mbuluar gjithshka. Ndiej aromën e “Cidonias” që sapo çel lulen dhe lidh farën ndahet nga kjo botë. Ndiej aromën e lules “Lotët e vajzave”, që në antikitet shoqëronte nuset që derdhnin lot para ndarjes me familjen. Ndiej aromën e “Gipsofillës”, lules së Shën Valentinit që më vonë do të merrte emrin “Velloja e nuses”. Ndiej aromën e karafilit “Filodendron” ose “Lules që qan” që, siç shkruan autori, e ka origjinën nga pasioni i dashurisë së perëndeshës Diana, ndaj një bariu që s’iu përgjigj kësaj dashurie dhe ajo e zemëruar nga refuzimi, ia nxorri sytë e ia hodhi larg, e nga këta sy të rënë në tokë, mbin lulet e bukura të filodendronit.

Autori i librit nuk është florikulturist. Ai ka mbaruar Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në degën bio-kimi dhe ka punuar për një farë periudhe si mësues biologjie, por hija e zezë e biografisë së tij, që e ndjek në çdo hap të jetës, e largon nga kjo detyrë. Detyrohet të punojë si punëtor i thjeshtë. Së fundi mundi të sistemohet në lulishten e qytetit ku realizoi një ëndërr të vjetër të rinisë së tij. Kryente shërbimin ushtarak në një repart të kryeqytetit. Një mbrëmje shkoi në kinema. Para fillimit të filmit u shfaq një dokumentar mbi punën e një agronomi të qytetit të tij, që kishte ngritur , diku në periferi, një fidanishte lulesh. Që nga ai çast i lindi pasioni për to. Ja si shkruan ai:

“Tani, mbas tridhjetë vjetësh, ndihem shumë mirë në botën e luleve, në botën e krijesave të gjalla më “naive” të kësaj toke. Duke mbjellë e prurë në jetë miljona e miljona prej tyre, kam dashur e kam menduar se kam sjellë po kaq bukuri, gëzime e dashuri, për vete e për të tjerët”.

            Në lulishten e qytetit punoi me nje përkushtim të paparë, por edhe këtu nuk e lanë. Në vitin 1977 arrestohet dhe dënohet. Dënohet pse gjoja paska thënë se trëndafilat hollandezë qenkan më të bukur se ata shqiptarë. Kjo ju quajt  agjitacion e propagandë. Në vendimin e gjykatës thuhet:

“Agjitacionin e propagandën, i pandehuri Astrit Xhaferi, e ka zhvilluar në këto drejtime: Ka ngritur lart filmat e vendeve perëndimore dhe modën e huaj, mbajtjen e leshrave të gjata, veshjen e minifundeve, ka mburrur dramat “Shtëpia në Bulevard” dhe “Doktor Aleksi” të armikut Fadil Paçrami, ka interpretuar shtrembër përmbajtjen e gazetës “Zëri i Popullit” se gjoja në vendet kapitaliste nuk ka greva e demostrata dhe papunësi, dëshiron likujdimin e udhëheqjes së Partisë”.

E pra, Astriti, një tip i qetë dhe mjaft i matur që kurrë nuk mund të shkiste në këto gafa. Megjithatë ajo akuzë atij i kushtoi nëntë vjet burg në kampin famëkeq të Spaçit.

Por le të kthehemi përsëri në librin e tij. Ai është shkruar me një gjuhë dhe stil të sigurtë. Pasioni i tij për letërsi është i hershëm, Qysh në rininë e tij kishte krijuar disa skica e tregime. Një pjesë prej tyre kishte arritur t’i botonte, por hija e “luftës së klasave”, ia kishte mbyllur përgjithmonë rrugën e botimit.  Pas ndryshimeve demokratike filloi përsëri të shkruajë. Deri tani ka botuar pesë libra me tregime. Karakteristikë e këtyre është se në to ndihet gjithmonë aroma e ëmbël e luleve, pasionit të tij.

Ai shkruan me një pasion të veçantë për  dy  simbole  të  vendlindjes  së  tij,  Llogaranë  e

mrekullueshme që, në të vërtetë, është një kopësht botanik më vete, dhe kryeveprën e  saj, pishën

flamur, simbolin e pavarësisë së vendit.

Me një dhimbje të thellë përshkruan historinë e “Cedrit” që, gabimisht, e mbolli në oborrin e shtëpisë së tij, megjithë këshillën e Ilia Mitrushit për të mos e mbjellë aty, pasi nuk këshillohej, por që më vonë, kur ajo u rrit aq shumë sa u bë pengesë për bimët dhe lulet e tjera, u detyrua ta presë. Kjo ishte brenga e tij më e madhe.

Një tregim mjaft i goditur është edhe ai i titulluar ”Çifti i moshuar”. Një çft të moshuarish që me pasion e kishin kthyer kopshtin e tyre në një bahçe të lulëzuar. Plaka i prashiste, i tëharrte, i vadiste, ndërsa plaku, me gërshërë e biçak në dorë, i krasiste, i shtonte, i shartonte. Një mbrëmje autori i gjen të trishtuar tej mase. I pyet se përse kjo gjendje. Ata i përgjigjen: “Na vdiq Araukaria”, njësoj sikur do të jepnin lajmin e kobshëm të vdekjes së ndonjë fëmije. Araukaria ishte një lule që e mbanin në vazo  në sallon, të cilën ata e kishin të veçantë.

Mjaft të goditura janë edhe tregimet “Akacia” dhe “Nuk e harroj”, me subjekt nga periudha e burgut. Në të parin autori përshkruan dhimbjen që ndjeu kur komandanti i kampit urdhëroi prerjen e akacies që lulëzonte në mes të kampit, vetëm e vetëm sepse ajo kishte penguar rojet të vrisnin të burgosurin Alem që ishte drejtuar drejt telave me gjëmba për t’u vetëvratë, ndërsa në të dytin historia e të gjithë të burgosurve politikë që kur po shkonin për në minierë dhe panë në rrugë të lulëzonte lulen “Tussilago farfara” ose “Thundër mushke” i thoshin njeri-tjetrit: “Kujdes, mos e shkel!” dhe lulja nuk u shkel. Një detaj mjaft i goditur që tregon botën e madhe shpirterore të atyre që regjimi i kishte mbyllur brenda.

Galerinë e tregimeve të goditura e plotëson më së miri ai i titulluar ”Zonja e heshtur”. Një artiste e dëgjuar, mjaft e bukur, një e apasionuar pas luleve që, kur ishte kthyer nga jashtë shtetit për një turne, kishte sjellë një lule që mahniti bashkëqytetarët e saj. Ajo lule hante insektet dhe quhej “Dionea Muscipula”. Por qetësinë e kësaj zonje ia prishi Sigurimi i Shtetit që, më së fundi e theu. Ajo nënshkroi deklaratën e turpshme të bashkëpunimit dhe deponoi një djalë të ri që përfundoi në burg, prej nga nuk mundi të dalë më. Me ngjyra të gjalla autori përshkruan luftën e brendëshme shpirtërore që zhvillohet në zemrën e saj, brerjen e thellë të ndërgjegjes, gjë që e bënë, sidomos pas përmbysjes së madhe, të ndahet nga njerëzit, të mbetet e vetmuar në depresion, madje të ndahet edhe nga lulet e saj.

Tregimet ndjekin njeri-tjetrin.  Në të parakalojnë lloje të shumta lulesh që nga panjat, kaktuset, eukaliptet deri te jargavanët, trëndalilat, tulipanët, mimozat, narçiset dhe manjolat. Të gjitha këto i japin një kolorit të veçantë tregimeve të librit, duke e bërë atë të pa arritshëm në llojin e vetë.

Një karakteristikë tjetër e këtij libri është se në të autori përshkruan me një admirim të madh, madje edhe me një dhimbje të thellë për ata që nuk jetojnë më, florikulturistët më të shquar të vendit tonë, me të cilët ai ka bashkëpunuar. Përmendim këtu, Liri Dingun, drejtoreshën e kopshtit botanik, Mustafa Demirin, drejtuesin e punimeve për ngritjen e këtij kopshti, Zonjën Mari, hungarezen e bukur, bashkëshorten e profesor Ilia Mitrushit, florikulturistit të shquar, Edit Çelikun, hungarezen tjetër të apasionuar pas luleve që u detyrua të ndahej nga i shoqi shqiptar dhe të kthehej me lot në sy në atdheun e saj, Skënder Rusin, majën e florikulturës shqiptare, Zako Mustafarajn, agronomin e shquar nga Vlora që i ishte përkushtuar luleve, por edhe Hamit Qytezën, Karafil Starovën, Ligor Sqapin, Bardhyl Burimin, Edmond Numanin, Vasil Shqaun, Vasil Janin dhe Raimonda Hadon. Nuk mund të le këtu pa përmendur bahçevan Ferrikun, kopshtarin e apasionuar, që ngriti “milet baçenë” e Vlorës në një copë truall që Nuredin Bej Vlora ia kishte falur bashkisë së qytetit.

Natyrisht, për ata që e njohin autorin dhe që lexojnë librin e tij  çdo  gjë  është  e  qartë, se

kanë të bëjnë me një autor të formuar plotësisht por që dhuna totalitare  e   la  në  hije. Të tjerë që

nuk e njohin  por lexojnë veprën e tij do të pyesin të habitur:

– Si ka mundësi që nuk e kemi njohur më parë një autor të tillë?

Unë do t’iua  ktheja atyre me këtë kundërpërgjigje:

– Çfarë shkrimtari do të ishte bërë ky njeri po të mos i kishte rënë mbi krye “Shpata e Damokleut”?

Këtë përfytyrojeni vetë. Unë do t’iu thosha se sot në Shqipëri ka plot talente të tilla që hierarkia e djeshme i la dhe, ndoshta, edhe ajo e sotmja vazhdon t’i lerë në heshtje. Megjithatë ata vazhdojnë të shkruajnë megjithse, ndoshta edhe sot, veprat e tyre mbeten ende “Kangë të pakëndueme” Sidoqoftë do të vijë një ditë që ato do të hyjnë në rradhën e veprave më të njohura të letërsisë shqipe.

Kjo do të jetë e ardhmja e kësaj letërsie dhe një nga këta përfaqësues është, padyshim, edhe Astrit Xhaferi.

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Xhaferi, reshat kripa

Pse shpërfillet suksesi i futbollit kukësian?!

August 4, 2013 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/

Një fenomen shqiptar mediatik po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e opinionit publik. Injorimi i ngjarjes. Mospërfillja mediatike si shprehje e pozicionimit të botuesve, pronareve. Ose shpërfillja e ndodhive pozitive, si mjet për të mos çuar te qytetarët suksesin, përkushtimin, energjinë e njerëzve që e ndërtojnë të sotmen e të ardhmen e këtij vendi. Pra, bojkoti i suksesit, siç dijnë të bojkotojnë censorët e sotëm mediatikë. Skuadra e futbollit të Kukësit është shembulli tipik i kësaj fytyre të shëmtuar të medias shqiptare. Të enjten e kaluar kuësianët shënuan dy gola kundër një prej skuadrave më me emër të futbollit europian, asaj Metalurg të Ukrainës. Kukësi sfidoi në ndeshjet e superligës shqiptare dy nga skuadrat me emër te futbollit, perkatësisht Flamurtarin e Tiranën, duke u ngjit në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Dhe gjithçka me meritën e përkushtimit, të punës dhe të energjisë së jashtëzakonshme. Vendi i dytë i dha kësaj skuadre të drejtën të luajë si nënkampione në superligën europiane. Kukësi kapërceu dy etapa të rëndësishme të superligës europiane, duke e rrëmbyer fitoren kundër Sarajevës, një skuadër me emër në Europën Juglindore si dhe kundër skuadrës estoneze.

Turin e tretë Kukësi e filloi me një skuadër tjetër me emër në Europë, atë të Metalurg të Ukrainës. Mbrëmjen e 1 gushtit futbollistët e tij shënuan dy gola në Qemal Stafa, duke mos e lejuar kundërshtarin të prekë rrjetën e kukësianëve, edhe pse arbitri dha një goditje me penallti për skuadrën ukrainase. Ky rezultat i pastër dhe i merituar për shkak të lojës brilante që lojtarët e mrekullueshëm të Kukësit bënë në praninë e mijëra spektatorëve, jep shanse që Kukësi të shkojë me tej me performancën e tij në ndeshjet e ardhshme të superligës europiane.

Kanë shkruar e folur për ngjarjen surprizë dhe fitoren e kukësianëve të gjitha mediat boshnjake, kur skuadra e qytetit verilindor luajti me Sarajevën. Kanë shkruar e folur po ashtu gazetat e mediet e tjera estoneze. Ndërsa në rastin e fitores me skuadrën e Ukrainës në Tiranë, njoftuan jo vetëm mediet e Kievit, por edhe portalet e mediet europiane, ndër to portali i FIFA-s. Ishte vërtet një sukses i merituar dhe i paparashikuar. Ndërkohë shumica e medieve tona shqiptare të pozicionuara politikisht përdorën heshtjen vrastare për ta ndëshkuar suksesin e Kukëit. Asnjë televizion shqiptar nuk e transmetoi ndeshjen drejtpërdrejt. As Televizioni Publik Shqiptar, i cili ngadalw po pwrshtatet t´i shkojw e tw futet nwn bishtin e kalit tw ri tw qeverisjes. Asnjë medie nuk organizoi një tryezë të rrumbullakët e të flasë me ekspertë, gazetarë e specialistë të sportit për këtë ngjarje historike në sportin shqiptar. U shfaq në mënyrë unanime, me një mirëkuptim të heshtur apo të aranzhuar përmes kabllove telefonike, një bojkot mediatik i pashembullt. Nuk e bënë një bojkot të tillë mediet e huaja, por e bënë mediet tona të vitit 2013, ato media, të cilat çdo ditë e çdo orë shesin moralin e “së drejtës” dhe “peshores” në shoqërinë, në politikën, në jetën sociale e morale të shqiptarëve. E bënë televizionet e ndara në dy kampe “armiqësore” në politikë, të ashtuquajturat të djathta dhe televizionet e majta. E bojkotuan Kukësin mediet e shkruara. Një televizion që ushqehet nën sqetullën e PS-së, të cilin e mbaj mend kur dy orë radhazi, çdo minutë përsëriste më 23 qershor urdhërin partiak të rremë se “Në Laç është vrarë një komisioner i Partisë Socialiste”, nuk gjeti as edhe një sekondë të shqiptojë fitoren e Kukësit. Thashë të rremë, se viktima rezultoi qw s´kishte të bënte me PS-në. Pra, një stacion televiziv, i cili manipuloi dy orë qytetarët shqiptarë me qëllime politike, për arsye ideologjike nuk pranon të anonçojë një lajm suksesi, qoftë ky edhe në fushën e sportit.

Rasti i bojkotit mediatik për Kukësin, ose më saktë rasti i injorimit të një prej ngjarjeve më të mëdha të sportit shqiptar, e cila bën krenar jo vetëm çdo kukësian, por edhe çdo shqiptar, rasti i shpërfilljes ekstreme mediatike të fitores së datës 1 gusht në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës duhet ta bëjë çdo njeri të mendojë thellë për atë çfarë ndodh me medien e për pasojë me shoqërinë shqiptare. Shoqëria shqiptare thuhet se është deformuar. Dhe nëse e pranojmë këtë fakt, atëherë duhet thënë e vërteta se është deformuar shtylla e katërt e pushtetit në këtë vend, janë deformuar mediet shqiptare. Kur bëj përgjithësimin e medies në tërësi, besoj se do të ma falin këtë gabim ato pak media që përpiqen të jenë objektive, të ndershme e të ekuilibruara në informimin e qytetarëve. Por fatkeqësisht duhet pranuar se kësaj medie ia kanë zënë frymën mediat që kanë mbërritur këtu ku janë si rezultat i shkathësive mafioze dhe bashkëpunimit të dyshimtë jo thjesht me krahët e politikës shqiptare.

E di se dukem pak idealist me konstatimet e mia. Por e ndjek prej më shumë se dy dekadash ecurinë e mediave tona dhe fatkeqësisht ndjesitë negativiste vetëm se përforcohen çdo ditë e sa herë përballesh me emisionet “famëmëdha” të butaforikëve moderatorë të televizioneve shqiptare. Shiheni emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. A nuk i kemi parë prej 15 vitesh të njëjtat fytyra analistësh në këtë emision?! A nuk ju duket sikur shohim të njëtin arsyetim në debatet e tij si para 15 vitesh, e nërkohë vetë moderatori famoz bën moralin e ndryshimit dhe evolucionit! Kur njerëzit e medies krijojnë vetë një rreth vicioz, nga Nexhmija deri te Vitoja, nga Sulo Gradeci, te ai hetuesi nga Korça e nuk dalin prej vrimave të skuadrës së futbollit të Dinamos e Partizanit, si mund të presim që ata të bashkohen ne suksesin e Kukësit?!

Ka prej atyre njerëzve, të cilët pozicionimin e medies e justifikojnë me ekonominë e tregut. Në fund të fundit media është private, thonë ata. Në të vërtetë mediet vetëm nga pikëpamja financiare janë private. Ato janë krijuar për të komunikuar me publikun e për këtë shkak janë pronë e publikut. Nëse pranojmë këtë fakt unë besoj se publiku ka nevojë shumë herë më tepër për informim kur një skuadër, si kjo e Kukësit, arrin sukses të merituar e spektakolar si askush tjetër në Shqipëri, sesa ngjarjet e tjera sportive. Ndërkohë te ne ndodh e kundërta. Gazetat, televizionet, radiot i hapin emisionet e tyre me lajmin për falimentimin e Flamurtarit. Një vëmendje e jashtëzakonshme pati para një viti një ndeshje e politizuar midis Flamurtarit dhe Laçit. Por aspak vëmendje për një sukses të paparë të sportit shqiptar, për pesë fitoret e mrekullueshme të futbollistëve kukësianë.

Ndërkohë mediat kryesore televizive te ne janë edhe në aspektin moderativ private. Ato nuk janë pronë e publikut, por janë pronë e editorit. Pronari përcakton cilat pamje filmike do të transmetohen. Pronari urdhëron pasqyrimin ose jo të veprimtarive kulturore, politike, ekonomike, sportive, shkencore, letrare, në Tiranë e më gjerë. Pronari urdhëron që një person të afërt të tij ta shfaqin çdo javë në televizion me intervista të njëjta e pandërprerje, thjesht se dëshiron ta promovojë këtë person, në një anë dhe largimin nga kronikat të një personi tjetër, ndonëse shumë të suksesshëm. Pronari vendos kush të marrë pjesë e kush jo në enisionet e shumta televizive, kush të shfaqet bukur e kush i shëmtuar, kush të vejë makiash e kush jo, cilit kriminel t´i shqiptohet origjina e cili të hiqet nga emisioni i lajmeve, cili politikan të bombardohet me pyetje provokative në debatet televizive e cilit t´i jepen pyetjet një javë më parë, me qëllim që të rritet performaca e tij në ekran. Pronarët e TV-ve vendosin gjithçka, kontrollojnë çdo fjalë, bëjnë analizën ideologjike e politike të gjithçkaje që thuhet e emëtohet, duke kritikuar gazetarët rebelë e duke i nxjerrë ata në rrugë, kur nuk i binden joprofesionalizmit.

Nuk ka fushë e aspekt shoqëror që mediat tona nuk e bëjnë objekt të diskutimit e debatit. Madje edhe perzervativët e viagrën i kanë në fokus të vëmendjes së tyre e madje i lidhin me politikën e politikanët, jo me shoqërinë. Por nuk u gjet e udhës që të bëhet një diskutim jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe më gjerë, psikologjik, analitik sa i përket drejtimit e menaxhimit të një skuadre të tillë të sukseshme ,siç është skuadra e futbollit e kukësianëve. Kur para gati tetë vitesh Greqia u shpall kampione e Europës, e gjithë bota mediatike u përqëndrua te aftësitë e trajnerit të saj gjerman. Por askush nuk kujtohet të thotë se shqiptarëve u ka trokitur në derë një trajner kalibri, si Armando Cungu. Kur Bajerni kap majat e suksesit, presidenti i tij është në faqet e para të të gjitha gazetave dhe stacioneve televizive gjermane e më gjerë. Ato hapin të gjitha emisionet e lajmeve me ngjarjen sportive të ditës. Ndërkohë presidenti i skuadrës së Kukësit, Safet Gjici, është bërë i njohur më shumë nga një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, sesa nga suksesi që korri në fushën e gjelber të Qemal Stafës natën e 1 gushtit 2013, ose në Sarajevë e në fushat e tjera të futbollit europian.

Nuk zunë ekranet televizive as presidenti Gjici, as trajneri Cungu, as kapiteni i skuadrës, Hallaçi, as ndonjë golshënues e lojtar tjetër sulmues, mesfushor ose në mbrojtje në rastin e fitoreve të njëpasnjëshme në ndeshje me skuadrat europiane. Duket sikur të gjithë këta po ndëshkohen. pasi konsiderohen se “kanë bërë njëkohësisht edhe një sfidë morale për nostalgjikët ideologjikë të Dinamos e Partizanit”, kanë bërë një “krim” tjetër, se “dolën nga shpellat e po vijnë të na dëshmojnë ne se ç´është futbolli e si arrihet suksesi”. Kanë bërë sfidën e tretë, se në kushtet e krizës ekonomike, një “malok” tjetër kukësian gjen burime financiare e jo vetëm mban gjallë një ekip, por shpërblen lojtarët e tij për çdo fitore, ndërkohë që të tjerë biznesmenë harxhojnë shumë herë më tepër se Gjici për të shkuar në sallën e parlamentit. Kjo ndoshta është sfida qytetare më e spikatur, sepse paratë e Gjicit shohin suksesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që paratë e atyre që ulën në karriken e deputetit janë përdorur në mënyrë mafioze për blerje e shitje votash.

Kukësi ka një veçori, me të cilën çdo medie serioze dhe e pandikuar do të merrej me të. Eshtë skuadra e vetme që luan për herë të parë jashtë Shqipërisë. Dhe për herë të parë shkon në superligën europiane më larg se çdo skuadër tjetër tradicionale shqiptare. Në vend të zbardhjes së ketij fenomeni, medien tonë e ka zënë sëmundja e xhelozisë dhe fanatizmit ideologjik, për të mos shkuar më tej, pra për të mos përmendur sëmundjen e afeksionit “malokist” të “civilizimit” mediatik, i cili mburret me HD, sepse nuk ka asnjë shans të mburret me paanësinë, me pasqyrimin e të vërtetës, me profesionalizmin mediatik edhe kur kjo shkon përtej opsionit ideologjik të botuesve e pronarëve të kësaj medie të uzurpuar shumëfish, nga pikëpamja e interesit të pronarit, nga politika, nga interesat financiare e ekonomike, madje të dyshimta e mafioze, që shkojnë deri te lidhja me krimin e organizuar.

Në kushte të tilla të një gjendjeje mizerabël të medies shqiptare, (të më mirëkuptojnë disa stacione televizive dhe gazeta, të cilat nuk bëjnë pjesë në këtë kategori fëlliqëisrash mediatike), pres që edhe shumë kohë në mediat tona të gjallojë nihilizmi e të injorohet suksesi, të shfaqen shëmtitë e këtij vendi e këtij kombi e të lëvdohen vetëm sukseset e qeverive, por jo edhe të qytetarëve, të sundojë mentaliteti provincial, për tu gjendur me kamera te qyteti e fshati i lindjes së pronarit, por jo 5 metra larg godinave të TV-ve, në rastin konkret te stadiumi “Qemal Stafa”.  Kukësi dhe skuadra e tij e futbollit na dha një mësim të vlefshëm. Zbuloi sëmundjen mediatike të rrezikshme për shoqërinë shqiptare, zbuloi lëngatën e medieve tona nën efektin e censurës së diktaturës. E ndonëse diktaturat rrëzohen lehtë, është vështirë të rrëzohet diktatura mediatike e ndërtuar në më shumë se dy dekada përmes aferave të pista në këtë vend.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, futbolli, kuksian, pse shperfillet

SADIKU I MEZHGORANIT DHE MISS DURHAMI

August 4, 2013 by dgreca

NGA GEZIM LLOJDIA/

Dëshmitë për shoqëruesin/

Meri,anglezja piktore, udhëtare , shkrimtare (1863–1944) Edih Durhami,në librin e saj “Brengat e Ballkanit “,(The burden of the Balkans 1905 (Brenga e Ballkanit)u botuar në fundvitet ‘80 në shqip në Tiranë,shkruan,për një Sadik,që e solli nga Tepelena në Vlorë.Ajo thotë se Sadikun e kishte njohur në nënprefekturën e Tepelenës dhe e kishte marrë si shoqërues,që ta zbriste nga vendet e ashpra malore,për tek deti në perëndim,në Vlorë.Sadik,do të thotë “besnik”,shprehet ajo. Po kush është Sadiku ?Rron ,apo nuk rron ?Ky personazh shqiptar i vizatuar me kaq kujdes nga Meri,në të vërtetë quhej Sadik Hoxha. Burimin e parë e sjell studiuesi F.Rr në vitin ‘94 kur me përmendi emrin e shoqëruesit të Durhamit. Ai ishte plaku nga Mezhgorani që kishte shëtitur në botë.Në vitin ’91 gjurmova  në rrethin e Tepelenës rreth faktit që anglezja simpatike shkruante për shoqëruesin e saj,pasi kisha lexuar më parë librin. Rastësia është mbret i botës. Në një dasmë në një fshatë të tij gjeta të dhëna që i afrohen atij personazhi që përmend anglezja simpatike. Dhe duket se këto gjurmë të shpien tek personazhi që shoqëroi Miss Durahmin në Vlorë,nëpër shtigje dhe nën një mot të egërsuar. U tregova për një angleze që kishte marrë një shoqërues nga Tepelena dhe që quhej Sadik. Shiko më thanë,ka qenë plaku i kësaj shtëpie ku zhvillohet dasma. Ai kishte pasur flori,kishte njohur të huaj dhe e kishte molloisur disa herë udhëtimin e tij,ndër pleqtë e fshatit si një histori të largët të hareshme dhe pa ndonjë interes të veçantë.

Në fshat fisi Hoxha ishte me emër dhe pasuri.Sadiku ishte nga dera e Hoxajve,një derë e madhe me emër që kishte gjezdisur nëpër botë.

Ndërkohë që libri i Miss Durhamit është shfaqur në Shqipëri ka qenë fundviteve ’80 kur ,ky personazh prehej në varrezën e thjeshtë të fshatit të tij,larg kësaj bote tonën.

Kërkimet në fshatë

Kërkimet i përqendrova në Tepelenë,fshati ku kishte lindur shoqëruesi i Miss Durhamit.

Në fshatin Mezhgoranë të Tepelenës,një fshat  njohur nga kënga:”Një zë po vjen nga gryka e Mezhgoranit”,një grykë e rëndë e thellë,gati misterioze me vërshimin e Vjosës shfaqej në pamje të parë,zbulova tre fakte.

1- Një person nga fshati ishte  takuar me një angleze.

2- E dyta ishte  paguar me flori për një udhëtim.

3-Ky person quhej Sadik,siç e kishte përshkruar Durhami,kohë më të cilin përputhej historia e vajzës angleze. Kishte po atë moshë dhe përkonte me përshkrimin e saj nga anglezja.

Vendlindja dhe më tej

Sadiku është nga Tepelena,më saktë ka lindur në Mezhgoranë,në vise të ashpra,me male të larta, me dimër të ftohtë. Mezhgorani është një fshat “karakoll” në lartësi malesh. Trebeshina,”barrëngritjsa e dëborës” dimërore është  mali përball. Burimet e kanë origjinën nga thellësia e malit. Kthjelltësinë,nga mali,ftohtësinë nga dëbora. Origjina e tyre e hershme është vargmali jugor. Nën këmbët e tij,Vjosa çapitet ngadalë ujëshumë e zhurmëmadhe në dimër.

Sadik Hoxha,ka lindur  para viteve 1900,por  besohet mbi vitet 1800. Vendlindja është ky peizazh malor i katundit Mezhgoran.

Shtëpia e Sadikut,në këtë katund, është në zemër të tij .Fare pranë sot është edhe një tyrbe dervishi bektashi. Ibrahim Përmeti,deshifrohet në hyrje të saj .Ky dervish ishte kunati i Sadikut,i arsimuar në Arabi. Asnjëherë shpjegojnë  familjarë nuk u martua . Ishte dervish në sojin e Haxhi Bektashit. Duke parë shtëpinë e Sadikut ajo ka një hark guri të gdhendur me elegancë,nga mjeshtër të ndërtimit. Flitet për një vit ndërtimi 1926 .Shprehet kështu  në gurin e latuar. Këtu është rritur Sadiku .Shoqërimin me anglezen,në një farë soji,rrugëtimi i tij drejt Vlorës ku përcolli anglezen Meri është përmendur rrallë,prej tij. Në fshat dihej diçka,por  jo e saktë. Dihej pershëmbull se Sadiku ka rrugëtuar me një angleze,po kush ishte kjo,çfarë u bë më vonë,s’u muar dot e vërteta .Arsyet ishin se ai njihte gjuhën e Edit Durhamit,njihet zakonet evropiane,ishte i shëtitur në botë. Ka punuar për 8 vjet ne SH.B.A (Cikago) me pas ne France për 6 vjet dhe në fund në Izmir te Turqisë një jetë ne emigrim ,thotë nipi i tij Arjan Hoxha.Disa legjenda rreth këtij fisi janë:Fisi kishte grumbulluar flori aq sa kur i zbrazën tek shtëpia mbulohej një njeri me ato shkreta verdhuca. E gjithë kjo sasi floriri shkoi dëm,dikush përfitoi nga puna e tyre. Nga ky fis dikush shkoi deri në Turqi,këtej la katandi e shtëpi dhe u martua andej. Hartat e tokave atje,pra pasurin që disponon atje, Brahimi e ka të vizatuar vetëm nëpër harta dhe skicime turke.

Familjarë të tij në këto lartësi malore shpjegojnë se kanë mësuar se ai e shoqëroi deri në hanin e Vlorës,por mungesa e të dhënave për Edih Durhamin,ka bërë të vetën,me kohë plasi lufta,ndërkaq ngjarja u harrua fare.

Harresa

Lufta botërore,plagët,hallet pse jo edhe nënvlerësimi i një evenimenti të tillë,nga intelektualët,që bashkëjetuan me xha Sadikun,kanë bërë që sot nuk kemi asgjë të shkruar nga kujtimet e tij për …”anglezen e gjallë shtatvogël e engjëllore,me një kujtesë të jashtëzakonshme”.Në qoftë se ata fshatarët e varfër atje në katundet e errtë kaq larg vendit e haruan, si harroi anglezja ata . Meri,shkroi me emocion,çfarë pa,çfarë dëgjoi dhe ku shkeli Nuk harroi as shoqëruesit e saj,që rrugëtuan me të nën llohë dimri nëpër shkrepa të paudha në Shqipërinë e viteve 13. Sadiku zë dy-tre faqe nga libri i misis Durhamit.

Por ai këtë nuk e mësoi dot,megjithëse rrojti 94 vjeç. Ai ka punuar për 8 vjet ne SH.B.A (Cikago) me pas ne France për 6 vjet dhe ne fund ne Izmir te Turqisë një jetë ne emigrim ,thotë nipi i tij Arjan Hoxha.

Sadiku,shoqëruesi i udhëtares angleze ka 35 vjet,që nuk rron më. Prehet trupi i tij në katundin e largët malor të Mezhgoranit,por shpirtin e ka në qiell. As Meri,anglezja shtatvogël, studiuesja nuk rron më. Por libri i saj dhe rrëfimi i saj ,ruhet atje në katundin Mezhgoran,kaq larg provincës Tepelenë,kur e gjeta të freskët në fillim-viteve ’90,por sot banorët e këtij karakolli malor e kanë braktisur fshatin .Bashkë me këtë braktisje janë haruar edhe shumë të vërteta dhe ngjarje që kanë mbajtur banorët në gjirin e tij,sipër maleve,dy orë rrugë në këmbë,atje ku ndriçimi i vetëtimave është një  shpërthim drite dhe mjegullat mbulojnë fushëpamjen në kohë llohe dimri të mërzitshëm.

Letër nga New Jork

Poetja dhe gazetarja Kozeta Zylo,që sjell më të freskët këto ngjarje më ka shkruar:Jam tërësisht e befasuar, e shtangur para ekranit, qe me aq bukuri gjuhe ke ditur te sjellësh kulturën e lashte te Mezhgoransve.Po e kisha dëgjuar këtë, por ju me sollët pranë Plakun e urte, ndjese paste, Xha Sadik Hoxha, qe pikëza loti me shkojnë për këtë burrë, një burrë i mençur qe i peshonte fjala dhe qe e kishte marr gruan nga një dere e madhe, mbaj mend Imami…

Ne fshat thoshin qe i ndrinte cipa e faqes, dhe me nikoqirllëkun e saj dhe pasurinë ja doli mbanë vështirësive te panumërta te fshatit.

Njëherë kur isha e vogël, dhe qe ti e njeh mire atë perle gryke, te Mezhgoranit, ku qengjat hane majën e barit, u lodha duke ecur për te arritur ne fshat, atëherë Xha Sadiku me mban ne krah një cope rruge, për ta ndihmuar sadopak babin tim…

Ai ishte një plak vërtetë i hijshëm, ne mos gabohem dhe me mustaqe te bardha, pak sa te përdredhura mbi buze.

Dera ime dhe sot e ruan te pastër miqësinë me Hoxhat dhe kane qene kurdoherë bashke ne te mire dhe ne te lig si i themi ne andej nga ato ane. Fshati Mezhgoran, Dragot, Luzat dhe Dames, futen ne fshatra te Dervenit.Shpesh thuhej te pish nje kafe ne Mezhgoran… deri tek Dragoti i Sten Dragotit, qe janë shume afër si fshatra dhe qe kane dhënë e kane marr bashke.Po kështu dhe Becishti i Ali Pashait, janë ne varg me njeri-tjetrin. ..Mezhgorani është një fshat derë e kurbet, shume prej tyre emigruan ne Amerike, ne fillimet e shekullit te kaluar, pa le Greqinë dhe Turqinë se i çanin me këmbë. Vajza e bukur angleze, Meri nuk kish se si te mos i besonte atij djaloshi me flori, me sytë blu si deti, i pashëm, por mbi te gjitha i besës, qe e shoqëroi Edit Durhamin ne vendin e caktuar.  Eh kohet…kushedi se ç’fare mund te bëjmë ndonjë gjë, me djemtë e Xha Sadikut, Ibrahimin …te cilët thank God qe janë dëshmi e gjalle për atë kohe.

Jo me kot shkrimtari i madh Qamil Buxheli shkroi tekstin” Një zë po del nga gryka e Mezhgoranit, ku u interpretua nga Mentor Xhemali, një nga baset me te mëdhenj te muzikës shqiptare… pikërisht ai e gjeti muzën aty tek ai fshat, qe është midis malesh, me përrenj ne mes, qe derdhen si argjend ne lumin Vjosa…Dhe tani me lejoni ta ilustroj me një poezi Mezhgoranin tim, te Xha Sadikut qe me bujari dhe besnikëri priti dhe shoqëroi Edit Durhamin, një nga miket e shquara te popullit shqiptar.

Marr nga libri “Pranvere pa Mimoza”

NË PORTAT HIJERËNDA

Në shkofshi ju stërnipër në shtëpitë e të parëve,

Udhëve të monopatit do të gjeni gjurmë,

Në krojet e shumta me burime nga mali ,

Në gjethen e lofatës, vini për pak buzën,

Aty do të shuani etjen per uje.

Bisedoni përqark me zogjtë e malit,

Sec gjyshër jetonin në Mezhgoranin e lashtë,

Edhe pse së largu dëgjohet troku i kalit,

Zogjtë do çuçurrisin është legjendë e rrallë.

Edhe nëse portat kanë ngelur si gërdalla,

Me kyce gojë hapur të ndryshkur nga koha,

Qëmtoni me kujdes gurët e sokakut,

Në carjet e tyre do të gjeni plagëdhimbjet tona.

Me vellon e rënde të trishtimit hedhur,

Mbuluar do të jenë shtëpitë e gurta,

Nga pllakat e portave me hije të rënda,

Do të pikojnë lotët për gjurmët e humbura.

Keze (Kozeta) Zylo, NY

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gezim Llojdia, Miss Durham, Sadiku i Mezhgoranit

Happy Birthday Mr. President Obama!

August 4, 2013 by dgreca

Dear President Obama,

Happy 52nd Birthday! I would like to convey my heartwarming birthday wishes to you. May this birthday bring you and the lovely Mrs. Michelle Obama happiness, prosperity and joy. I am proud of your great achievements thus far and your immense courage and dedication in fulfilling all of our dreams as American citizens.
I am thankful for the true American-Albanian friendship and your wonderful leadership in building peace and democracy in Albania and Kosovo, which has further strengthened this bond. Congratulations for bringing beautiful change in America and around the world. You and First Lady Michelle, are such an inspiration to me and I wish you both many birthdays to celebrate together.
Special greetings from my parents Neki and Suzana Babamusta who express their gratitude and appreciation to you and the great nation of United States. May God be with you and bless you in your honorable mission!
“Birthdays will give us Fresh Hope,
For a better future Birthdays will give us a fresh start,
For all our new endeavors!!
Birthdays give us new confidence
To face all the challenges ahead.
Wishing you a birthday that Give you.
Hope, Confidence on all your new endeavors!”
Sincerely,
Ermira Babamusta, Ph.D., New York

Filed Under: Komente Tagged With: Ermira Babamusta, happy birthday, mr. President

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT