• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

Familja e Pando Gjinit në vorbullën e luftës së Klasave

August 3, 2013 by dgreca

Ne Foto:Vangjel Pando Gjini, i lindur në fshatin Rrapëz të rrethit Lushnjë, kishte kryer studimet dhe ishte diplomuar në Liceun e Korcës. Ai vdiq më 1978, i mënjanuar dhe i persekutuar, duke marrë në varr edhe titullin, që i kishin dhuruar komunistët ”kulak”./

 nga Athanas Papa*/ Worcester, Massachusetts/

 Leter Editorit/

 I nderuar z. Dalip/

Jam lexues i rregullt i Gazetës “Dielli”. Ju lutem botojeni këtë shkrim në Gazetën e nderuar Dielli. Kam kaluar fëmijërinë te njerëzit e nënës time, tek Gjinallarët e Rrapëzës në Lushnjë. Kjo ishte një familje e persekutuar nga diktatura komuniste. Si pasojë e luftës së klasave njerëzit e kësaj familjeje humbën të gjithë pasurinë, po humbën dhe jetën e tyre. Të gjithë djemtë dhe vajzat e shtëpisë u përfshinë në vorbullën e luftës së Klasave,- të vuajtur e të diskriminuar, mbetën pa u martuar, pa gëzuar asnjë të mirë nga jeta, vdiqën beqarë dhe të mënjanuar.

  Ndjej detyrim ndaj tyre si shenjë dhembshurie e nderimi, për ta që qenë viktimë e sistemit komunist.

 Po ju shkruaj këtë letër, me shpresën se Ju do t’më kuptoni dhe do të gjeni mundësinë t’a botoni këtë shkrim. Do t’ju jemë shumë mirënjohës dhe ju falenderoj pa masë. Do t’më jepnit një kënaqësi po t’më dërgonit një përgjigje.

Me respekt

Athanas Papa

      ***

 Kur isha fëmijë shkoja, kohë pas kohe, tek njerëzit e nënës, tek gjyshi dhe gjyshja, tek dajat dhe tezet në Rrapëz të Lushnjes, ku ata ishin pronarë të ligjshëm tokash deri në vitet 1949-50. Si fëmijë ndjeja gëzim sa herë ndodhesha atje midis njerëzve të nënës, tek fisi i madh i Gjinallarëve, të cilët ishin në gjendje të mirë dhe jetonin në bollëk.
     Po një ditë papritur fëmijëria jonë u trondit. Ne, si fëmijë, u llahtarisëm kur pamë të lidhur me litar gjyshin, dajë Vangjelin, Llazar Gjinin, Kovi Gjinin, Tuni Gjinin dhe Kostandin Gjinin. Duke qenë se ishim të vegjël, as e kuptonim e as e merrnim me mend përse-në e kësaj ngjarjeje.
  Por kur u rritëm, morëm vesh të vërtetën rreth kësaj ndodhie. Ai veprim i dhunshëm ishte shprehja më e dukshme e luftës së klasave që kishte filluar dhe që do të thellohej me shpronësimet dhe heqjen e triskave të frontit. Në fakt, shpronësimet ishin një abuzim i shtetit komunist, i padrejtë, i pamotivuar me ligj. Ishte një shkelje e dukshme e të drejtës së njeriut mbi pronën e tij, pjesë e praktikës së shëmtuar të luftës së klasave, ku shumë njerëzve pasi u merrej prona, u hiqej triska e frontit dhe cilësoheshin “kulakë.” Kështu, në atë kohë, u deklaruan “kulakë” edhe gjyshi im Pando Gjini, bijtë e tij dhe disa nga fisi i Gjinollarëve. Mirëpo, deklarimi “kulak” ishte një damkë të cilën e vuante gjithë familja dhe fisi.
      Mjerë kujt i binte ai fat i zi nga dora mizore e regjimit. Në të vërtetë dua, të nënvizoj se si gjyshi im Pando Gjini, si dajua Vangjel Gjini si dhe të gjithë Gjinallarët nuk i kishin bërë ndonjë të keqe askujt. Pasurinë e kishin krijuar me punë dhe djersë prej disa brezash, pa i rënë në qafë kurrkujt; as fshatit e as popullit. Përkundrazi, me pasurinë e tyre patën ndihmuar në raste të ndryshme banorët e fshatit si dhe vetë forcat partizane.
Shënojmë për më tepër, se nipi i gjyshit, Kristaq Gjini, pati dalë partizan, që luftoi gjatë Luftës Nacional-çlirimtare dhe pas çlirimit shërbeu si oficer i ushtrisë. Mirëpo, me gjithë rregullsinë dhe korrektesën e fisit, si rrjedhojë e thellimit të luftës së klasave dhe e cilësimit “kulak” gjyshi dha daja Vangjeli u dënuan me burg dhe i dërguan në kampin famëkeq të Vloçishtit, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes gjyshja plakë, dajë Trifoni i sëmurë, tezet Naumka dhe Themia, pasi u përzunë nga fshati, shkuan në vende të tjera për të mbijetuar.
Ndërkohë, nga fisi i Gjinallarëve do të shquhej në mënyrë të veçantë dajua Vangjel Gjini, i cili u arsimua në Liceun e Korçës. Në Lice, Vangjeli u frymëzua me ide përparimtare dhe demokratike. Ai nuk e pranoi pushtimin fashist italian dhe u radhit në krahun e lëvizjes për çlirimin e vendit, duke ndihmuar me ide dhe të mira materiale. Mirëpo, pas çlirimit, me largpamësinë që e karakterizonte, ai nuk u pajtua me administratën e diktaturës komuniste që po instalohej në Shqipëri. Kjo ishte dhe arsyeja pse do të diskriminohej e përndiqej nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.
      Si përfundim, familja e gjyshit tim Pando Gjini si dhe bijtë e tij Vangjeli, Trifoni, Themija dhe Naumka u persekutuan në vazhdimësi, duke iu shkelur çdo e drejtë njerëzore nga diktatura komuniste. Për më keq si pasojë e diskriminimit nga lufta e klasave ata e patën të vështirë të krijonin familje dhe të gjithë e ngrysën jetën pa u martuar.
    Sot, minimumi që mund të bëjmë për këta njerëz, është të shkruajmë për ta, që të paktën, kujtimi t’u mbetet gjallë.

Filed Under: Histori Tagged With: Athanas Papa, e Luftes se Klasave, Familja e Pando Gjinit, ne vorbullen e

Falimenton Flamurtari! Sulmuesi kuqezi Migen Memelli:”Me keqardhje po largohem nga Vlora”. Presidenti Gjika:”Nuk ka para”.

August 3, 2013 by Administrator

Nga Albano Kolonjari

“Nuk ka me para. Futbollistet kryesor te ekipit do te largohen”. Tekniku i Flamurtarit Ernest Gjoka, ka bere te ditur per mediat sportive vendimin e klubit kuqezi. Skuadra e Flamurtarit e cila deri disa dite me pare, ishte shume aktive ne merkato, duke afruar lojtare te tille si portieri Lika, apo edhe futbolliste si Dushku dhe Smajli, ka shpallur papritur falimentimin. I pari qe ka shpallur largimin e tij nga klubi i Flamurtarit eshte sulmuesi i njohur Migen Memelli. Ne faqen e tij ne Facebook Memelli shkruan:”Me keqardhje po largohem nga Vlora, qyteti që adhuroj dhe ku gjeta miqesine e shume njerezve. Personalisht jam njeri i kuptushem dhe per kete s’bej me faj askend per situaten ne te cilen po ndodhemi. Do jeni ne zemren time gjithnje dhe sdo ju haroj kurre….”.  Skuadra e Flamurtarit e cila shikohej si nje klub pretedent per titullin kampion per sezonin 2013-2014, nuk do te jete e tille. Vendin e lojtareve profesioniste do ta zene lojtare qe vijne nga ekipi i te rinjeve. Sipas teknikut Gjoka:”Klubi do te beje nje gershetim midis lojtareve qe do te qendrojne dhe atyre qe do te vijne nga ekipi i te rinjeve”. Vete Gjoka ende nuk ka vendosur nese do te qendroje tek Flamurtari apo do te largohet nga drejtimi i skuadres kuqezi. Falimentimi i Flamurtarit eshte nje shenje e keqe edhe per sezonin e ri, pasi rivaliteti i skuadrave do te bjere ndjeshem. Objektivat e Flamurtarit per kete sezon mesa duket do te jete mbijetesa ne Kategorine Superiore.

Filed Under: Sport

Kongresi Amerikan nderon Ermira Babamustën “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare”

August 3, 2013 by dgreca

Ne Foto: Ermira-Babamusta-me-dekorimet-nga-Kongresi-Amerikan-dhe-Senatori-Harry-Reid-Washington-DC/

Nga: Nora Kalaja/

Washington DC- Kongresi Amerikan ka nderuar atë e bijë, Neki dhe Ermira Babamusta për herë të dytë për veprimatarinë e tyre demokratike dhe diplomatike midis dy kombeve shqiptaro-amerikane (2004 & 2013). Me rastin e pavarësisë të Amerikës, dhe kontributin e dhënë nga familja Babamusta në ndërtesën e Kongresit Amerikan (U.S. Capitol Hill)  janë ngritur dy flamurë me datë 4 korrik 2013. Në ceremoninë solemne “Mirësevini në Washington” të organizuar nga Senatori Harry Reid, Udhëheqës i Shumicës në Senat (Senate Majority Leader) në dhomën e senatit “Lyndon Baines Johnson Room” në Kongresin Amerikan, me 1 Gusht 2013, e ftuara Ermira Babamusta ka pranuar njohjen nga senatori dhe dy dekorimet: Ermira Babamusta – Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013 dhe Neki Babamusta –  Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë 2013. Ermira gjithashtu pranoi dekoratën në emër të babait dhe familjes.

Gjatë takimit Ermira i dhuroi senatorit Harry Reid një punim tradicional me simbolin shqiptar, shqiponjën me dy krena, si shenjë respekti të forcimit të lidhjeve kulturore-diplomatike Sh.B.A.-Shqipëri-Kosovë. Pas ceremonisë stafi i senatorit Harry Reid e shoqëri Ermirën, si të ftuar nderi për një vizitë të Kongresit Amerikan, duke përfshirë dhe vizitat në Galerinë e Senatit Amerikan dhe Dhomën e Përfaqësuesve, pamjen e replikës të dokumentit historik me principe të kushtetutës amerikane “Magna Carta” brenda ndërtesës së Kongresit Amerikan si dhe Dhomën e vjetër të Gjykatës të Lartë (1810-1860) dhe dhomën e vjetër të Senatit Amerikan (1810-1959)

Dr. Ermira Babamusta u vlerësua nga Kongresi Amerikan me nderimin e lartë “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013” (International Humanitarian Efforts) për punën e saj të jashtëzakonshme humanitare – diplomatike, si një zë i fuqishëm dhe inspirues për Amerikën dhe Kosovën në promovimin dhe mirkuptimin e dy kulturave shqiptaro-amerikane, dhe fuqizimin e rolit të gruas në Kosovë dhe botë. Çertifikata e njohjes dhuruar Ermira Babamustës me këtë rast nga senatori Harry Reid vlerëson kurajon, udhëheqjen dhe kontributin e saj në zhvillimin dhe përhapjen e kulturës dhe historisë midis dy kombeve. Ermira Babamusta është gjithashtu edhe fituesja e çmimit “Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos” nga Instituti i Paqes Kessel, Sh.B.A.

“Falenderoj Kongresin Amerikan dhe senatorin Harry Reid për vlerësimin që më dhanë si “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013”, për punën time humanitare diplomatike në Kosovë. E vlerësoj këtë takim me Senatorin Harry Reid si moment historik për marrëdhëniet tre palëshe – Sh.B.A. –Shqipëri-Kosovë dhe përkrah përpjektet amerikane në këtë drejtim. Gjatë takimit me senatorin Harry Reid në Kongres theksova rëndësinë e marrëdhënieve Sh.B.A.-Shqipëri-Kosovë dhe potencialin e bashkëpunimit midis këtyre vendeve, si dhe falenderova qeverinë amerikane për kontributin e jashtëzakonshëm për interesin e përbashkët të paqes dhe demokracisë. Senatori Reid foli për vizitën e tij në Shqipëri dhe përshtypjet e mira që kishte. Po në Kongresin Amerikan në 2004 jam takuar me ish-sekretarin e shtetit Colin Powell dhe kam folur para Senatit Amerikan ku kam falenderuar qeverinë amerikane për mbështjetjen e fortë ndaj Shqipërisë dhe kam ngritur çështjen e Pavarësisë të Kosovës. Do vazhdoj më tej përpjekjet e mia për të fuqizuar lidhjet midis vendeve tona, për çështjen shqiptare, mbrojtjen e lirisë, demokracisë, drejtësisë si dhe mbrojten e drejtave të grave, dhe vlerave  kulturore-artistike-historike të shqiptarëve në vend dhe diasporë,” theksoi Ermira Babamusta.

 “Jam krenare që Kosova ka patur sukses në platformën ndërkombëtare në rrugën e njohjes së shtetit. Përgëzoj udhëheqejen e Kosovës dhe Sh.B.A-së, për punën e tyre të jashtëzakonshme në këtë drejtim, në veçanti: Presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi, zv. Kryeministrin Bexhet Pacolli, zv. Kryeministren Edita Tahiri, ministrin Enver Hoxha, Ambasadorin Akan Ismaili, Ambasadoren Tracey Jacobson, Presidentin Obama dhe Clinton, zv. Presidentin Joe Biden dhe senatoren Hillary Clinton, Konsullin Dritan Mishto, etj. I uroj shtetit kosovar një progres të mëtejshëm ekonomik, politik dhe social. Kosova dhe Shqipëria kanë mundësinë të bëhen perlat e Europës nëse forcohen akoma më shumë standartet vendore,” shtoi Dr. Ermira Babamusta, eksperte e punëve të jashtme.

isioni diplomatik-kulturor i Ermira Babamustës në Kosovë dhe mbrojta për paqe e drejtësi

Në 2007 dhe 2012-13 Ermira Babamusta kreu dy misione diplomatike-kulturore në Kosovë për njohjen e pavarësisë në Kosovë, mbrojten e paqes, demokracisë dhe drejtësisë në vend, dhe lobimin e integrimit europian të Kosovës. Ermira Babamusta është angazhuar që në fillim të viteve 90-të për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, nëpërmjet organizatës patritoke themeluar nga babai i saj, Neki Babamusta. Në vitin 1999 Ermira vazhdon lobimin për çështjen Shqiptare në Miçigan, Sh.B.A. Me angazhimin dhe punësim në Kongresin Amerikan, Ermira e ngren çështjen e pavarësisë së Kosovës para senatit amerikan në 2004 me ish-sekretarin e shtetit, Colin Powel.

Në takimin me Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan gjatë punës së saj në Departamentin e Paqes, Ermira Babamusta shprehu qëndrimin për përcaktimin e statusit final të Kosovës. Në takimet zhvilluar në 2010 me Komitetin Europian në Strasburg, Gjermani, Luxemburg, Hollandë dhe Francë Ermira Babamusta shton përpjeket për të siguruar bisedimet dhe njohjen e pavarësisë të Kosovës. Në korrespondencën me Presidentin Obama dhe zv. Presidentin Joe Biden dhe sekretarin e shtetit John Kerry Ermira ka falenderuar përkrahjen e Amerikës dhe ka kërkuar mbështetje nga Sh.B.A.-ja si dhe ka theksuar rëndësinë e një punimi të afërt me Kosovën në rrugën e saj drejt demokracisë dhe integrimit rajonal.

Puna e Ermirës në administratën e Presidentit Obama dhe promovimi i vlerave demokratike në botë

Në 2008 dhe 2012 Ermira Babamusta punoi për administratën e Presidentit Obama, si drejtoreshë gjatë zgjedhjeve presidenciale në amerikë në shtete të ndryshme, duke patur përsipër shtete kyçe gjatë fushatës si Florida, Ohio, Pennsylvania, Colorado, etj. Gjithashtu Ermira Babamusta ishte një nga drejtueset që organizoi për 75,000 amerikanë Kuvendin Nacional të Partisë Demokratike në Colorado, në 2008 ku senator Barack Obama pranoi nominim e partisë demokratike për president dhe dha fjalimin. Ermira mori ftesë nga Shtëpia e Bardhë në janar 2009 dhe 2013 në Washington DC për të qenë pranishëm në inagurimin e President Obamës me rastin e fitores. Në korrik 2013 Ermira Babamusta shërben si drejtoreshë rajonale e organizatës bamirëse “Projekti Borgen” që e pati nismën nga një aktivist amerikan pas misionit të tij me refugjatët e Kosovës në 1999. Kjo punë humanitare e Ermirës është pjesë e programit “Shërbimi Vullnetar i Presidentit” (President’s Volunteer Service Program), themeluar në 2003 në bashkëpunim me zyrën e Presidentit të Amerikës.

“Dua të ndjek në hapat e zonjës së parë, Michelle Obama, e cila ka dhënë kontribut të veçantë për komunitetin amerikan, sidomos për të rinjtë dhe familjet e veteranëve. Misioni im humanitar dhe për paqe për Kosovën, Shqipërinë dhe botën është një pasion i imi për të dhënë kontributin tim humanizmit, në mbrojten e të drejtave të njeriut, përhapjen e vlerave kulturore, demokratike dhe të paqes si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturave të ndryshme të botës,” tha Ermira Babamusta, Gruaja Humanitare Ndërkombëtare 2013 dhe Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos.

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Gruaja Humanitare Nderkombetare, Kongresi Amerikan, nderon Ermira babamusten

Zbulohet raporti i SHBA për Shqipërinë në OKB në 1955

August 2, 2013 by dgreca

Ne Foto:Rudina, vajza e gjenerali Hysni Dema me nënën dhe një bashkëvuajtëse në një nga kampet e internimit/

*Raport i qeverisë amerikane në OKB për të drejtat e njeriut./
“Më e tmerrshme situata në 10 burgjet politike, ku 10.000 fatkeqë trajtohen në mënyrë çnjerëzore të pabesueshme”/
“Kolonitë e Burrelit, Bedenit, Maliqit e Vloçishtit, geto çnjerëzore”/
“Kampet e vdekjes për kundërshtarët e regjimit”/

“Qeveria shqiptare nuk bën as orvatjen më të vogël për të fshehur punën skllavëruese që zbaton me kundërshtarët politikë dhe të tjerë, shumica e të cilëve u përket ish-borgjezëve dhe pronarëve të tokave”. Jo rastësisht raporti që qeveria e SHBA i adresonte  OKB-së në vitin 1955 për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, fillonte me një konstatim të tillë.

Ndjeshmëria e qeverisë amerikane për dallimet klasore dhe dhunimin e lirive themelore në përgjithësi përbën shtyllën kryesore të këtij dokumenti, që shqyrton me imtësi realitetin shqiptar në diktaturë. Në morinë e raporteve vjetore të qeverisë së SHBA për situatën globale, ai i vitit 1955 e rendit Shqipërinë në kreun e vendeve që dhunojnë brutalisht të drejtat dhe liritë e njeriut, duke tejkaluar madje edhe simotrat e saj të Europës Lindore. Vendosja me ligj e punës së detyruar për shtetasit nga 16 deri në 70 vjeç, mobilizimi ushtarak për plotësimin e brigadave të punës, sanksionimi në Kushtetutë i punës vullnetare, alias punës së papaguar, çelja e kampeve të punës për pinjollët e familjeve të shpallura kundërshtarë të regjimit, ekzistenca e kolonive të punës skllavëruese, janë ndër çështjet kryesore të kapitullit “Punë e detyruar në Shqipëri” të raportit të Departamentit të Shtetit. Për herë të parë, zyrtarët amerikanë arrijnë të zbulojnë krijimin e kampeve të vdekjes, siç i cilësojnë ata vendizolimin e të burgosurve politikë, që përfshijnë ministra, deputetë, nëpunës të tjerë të qeverive të para luftës, të kohës së luftës, të pasluftës dhe njerëz të tjerë që kanë kundërshtuar ose kanë qenë të dyshimtë si kundërshtarë të regjimit komunist. Në raportin e vitit 1955 bie në sy panorama rrëqethëse në kampet skllavëruese të Burrelit, Bedenit, Tepelenës, Maliqit, Vloçishtit, ku punohej në kushte çnjerëzore për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave, për tharjen e kënetave, për fortifikimin e rajoneve ushtarake, për ngritjen e qytezave urbane etj. Të dhënat e publikuara, konfirmon raporti, janë siguruar nga burime katërçipërisht të besueshme, ndër të cilat veçon ato nga trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, nga shtypi zyrtar e Radio Tirana, por edhe nga burime konfidenciale, sikundër kanë qenë kontaktet dhe bisedat me të arratisurit shqiptarë, viktima të luftës së klasave. Gazeta “Panorama” ka siguruar kopjen e raportit që përfaqësuesi shqiptar në OKB ia ka dërguar të përkthyer ministrit të Jashtëm menjëherë pas publikimit zyrtar. Në numrin e sotëm po zbardhim kapitullin “Puna e detyruar në Shqipëri”, që është pjesa e parë e dokumentit…

PUNË E DETYRUAR NË SHQIPËRI
A-Legjislacioni
1-Varietete të punës me përdhunë që zbatohen.
Qeveria e sotme shqiptare nuk bën asnjë orvatje të fshehtë faktin se ajo kërkon punë me detyrim nga personat kundërshtarë të politikë dhe “dembelë”, shumica e të cilëve janë klasa ish-borgjeze ose pronarë tokash. Veç kësaj, ajo imiton dhe tejkalon shembullin e zakonshëm satelit në ushtrimin e kontrolleve të saj mbi punën dhe përdorimin në masë të së ashtuquajturës “punë vullnetare” (në të vërtetë me dhunë) në projektet industriale, të ndërtimit dhe ato bujqësore.

PUNA E DETYRUESHME ME KUSHTETUTË
Si punëtorët e krahut, ashtu edhe të mendjes janë të detyruar të punojnë për shtetin në bazë të ligjeve dhe rregullave të përshtatura qëkur regjimi erdhi në pushtet në fundin e vitit 1944. Principi kryesor i punës së detyrueshme u mishërua në Kushtetutën komuniste të vitit 1946, neni 22 i së cilës, në një vend thotë se: “Në Republikën Popullore të Shqipërisë puna është nder dhe detyrë”. Kjo u përforcua akoma më shumë edhe në Kushtetutën e vitit 1950, neni 13, në të cilën thuhet se: “ai që nuk punon, nuk ha”. Disa dispozita u vendosën edhe para se të botohet Kushtetuta e 1946-s. Kështu, më 15 dhjetor 1944, pak javë pas çlirimit të Shqipërisë nga komunistet, të gjithë të aftët për punë dhe profesionistët u deklaruan të mobilizuar nga shteti dhe në prill 1945, ligji Nr. 48 parashikonte që të gjithë personat e emëruar në çdo zyrë publike dhe shtetërore, qoftë përkohësisht ose të përhershëm, të ishin të mobilizuar.

POLICIA DHE KAMPET E PUNËS
Mbasi gjithë ndërmarrjet ekonomike u shtetëzuan më 1945-1946 dhe u vunë në funksionim nga shteti, gati çdo punëtor u bë nëpunës shteti. Njëkohësisht, kontrolli i fortë iu vu të gjithë punëtorëve në Bashkimet e Punëtorëve, të cilat në vetvete janë organizata fronti për plotësimin e politikës dhe programit të partisë e qeverisë në fushën e punëve. Ligji për mbrojtjen e punëtoreve dhe mbrojtjen e punës përshtatur më 9 korrik 1945 dhe i rregulluar më 20 prill dhe 31 gusht 1946 u siguronte Bashkimeve të Punëtoreve fuqi të plota të rregullonte orët, rrogat, konditat e punëve dhe mëditjet e pushimet nga puna, si të punëtorëve të krahut, ashtu edhe të mendjes. Veç kësaj, statuti i bashkimit të punëtoreve dhe urdhëresa për rregullimin e punës në të gjitha ndërmarrjet parashikonte disiplinë të fortë për të gjithë punëtorët dhe vinte në dukje me hollësi detyrat dhe detyrimet e tyre. Ligji nr. 372, i 12 dhjetorit 1946, mbi krijimin e Policisë Popullore, autorizonte policinë të arrestonte individë dhe t’i dërgonte nëpër burgje apo kampe për pune të detyrueshme. Një vendim qeveritar karakteristik i marrë më 30 korrik 1947 parashikonte që në të gjithë administratën qeveritare, në fabrikat dhe në të gjitha qendrat e punës, puna që mund të bëhet nga gratë nuk duhet të bëhet nga burrat dhe burrat duhet të bëjnë pune që nuk mund të bëhen nga gratë.

 URDHËR USHTARAK PËR PUNË
Më 13 gusht të këtij viti, Radio Tirana njoftoi se qeveria ishte vendosur të vinte në veprim punën e detyrueshme, sipas së cilës gjithë personat që u kishin shërbyer regjimeve antipopullore dhe ishin pa punë, do të mobilizoheshin dhe futeshin në punë ndërtimi. Përsëri më 28 shkurt 1948, Radio tha se qeveria sapo kish nxjerrë urdhrin që parashikonte futjen në punë të të gjithë qytetarëve të aftë 16-50 vjeç, të cilët si rezultat i dembelizmit i largoheshin punës.
Drejtoria e Punës së Shqipërisë më datë 6 maj 1947 u ngarkua të mobilizonte dhe grumbullonte ushtarakisht gjithë punëtorët me anë të zyrave të punës. Funksioni kryesor i këtyre zyrave u përkufizua në “Gazeta Zyrtare” e 16 janarit 1948, si shpërndarja e punëtorëve në ndërmarrjet, institucionet ekonomike etj., si shtetërore, ashtu dhe private në bazë të planit ekonomik shtetëror.
Sipas ligjit, ndërmarrjet ekonomike mund të gjejnë punëtorë vetëm nëpërmjet Zyrës së Punës. Ligji nr. 726 i gushtit 1949 zgjeroi fuqitë e grumbullimit të punëtorëve nga ana e qeverisë. Neni 1 i këtij ligji thotë se disa kategori të punëtorëve të aftë dhe profesionistë, duke përfshirë edhe mësuesit, specialistët e tjerë e gjithë punëtoret e kualifikuar që janë të aftë për punë, mund të urdhërohen të punojnë në qendra prodhimi, ndërtimi ose në shërbim të shtetit. Punëtorëve që nuk u binden këtij urdhri, u janë ngarkuar gjoba të rënda.
Ligji nr.747 i 30 dhjetorit 1949 parashikon mobilizimin e gjithë popullsisë mashkull 18-45 vjeç për një numër ditësh për ndërtim e për mirëmbajtje rrugësh. Ligje të tjera që merren me disiplinime të rrepta në punë, parashikojnë dënime të renda për punëtoret që ikin pa leje nga puna, thyejnë disiplinën ose vijnë vonë në punë.

PROCESE GJYQËSORE PËR PUNË
“Gazeta Zyrtare” e Shqipërisë është mbushur plot me thirrje gjyqi ose vendime që thërresin punëtoret për t’i gjykuar dhe i kanë dënuar me dënime të renda për thyerje kaq të vogla për vajtje në punë me 20 minuta vonesë.
Midis dekreteve që merren me zhvendosjen e detyrueshme ose mbërthimin e punëtoreve në vendet e tyre, është vendimi nr. 137 i 2 marsit 1950 i Këshillit të Ministrave, mbi kontratën e përbashkët, e cila thotë se me qëllim që të plotësohet plani ekonomik i shtetit për vitin 1950 para kohe, është i nevojshëm një mobilizim i përgjithshëm i masës punonjëse. Një vendim i tillë i njëllojtë u lëshua edhe më 30 qershor 1951, i cili parashikonte:
1-Gjithë punëtorët e specialistët duhet të mbeten në projektet e ndryshme industriale pas 1 korrikut, pavarësisht nga kontratat e tyre derisa të mbarohen këto projekte.
2-Gjithë nëpunësit civilë dhe punëtorët 16-55 vjeç në qytetet e Tiranës, Korçës dhe Elbasanit duhet të punojnë në një minimum prej 10 ditësh në muaj në disa projekte të veçanta industriale shtetërore dhe duhet të plotësojnë normat më minimale të punës.
3-Ministria e Kontrollit të Shtetit ngarkohej të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi. Nga 6 korriku 1952, gjithë grave 18-55 vjeç u është kërkuar të punojnë në projekte pune të ndryshme, sidomos në hidrocentralin “Enver” në lumin e Matit.

PARADOKSET E KODIT PENAL
-Parashikime për punë në Kodin e ri Penal.
Kodi Penal i ri i Shqipërisë, i cili u përshtat nga Kuvendi Popullor më 23 maj 1952 dhe hyri në fuqi më 1 shtator 1952, është bazuar, ashtu siç tha ministri i Drejtësisë Bilbil Klosi, kur ia paraqiti për miratim Kuvendit Popullor, “me parimet e luftës së klasave” dhe “drejtësisë revolucionare” dhe mishëron parimet kryesore të drejtësisë sovjetike. Kodi është në dy pjesë, që përmbajnë përkatësisht parashikimet e përgjithshme dhe të veçanta.
Parashikimet e përgjithshme (nenet 1 – 63) shtrojnë qëllimet e Kodit e si atë që i shërben dhe ruan “diktaturën e proletariatit” dhe cakton si elementin kryesor të krimit “rrezikun e shoqërisë socialiste”, “rrezikun shoqëror”, më tej është përcaktuar si një aktivitet i drejtuar kundër bazave ekonomike e politike të shtetit socialist kundër pushtetit popullor dhe pasurisë socialiste. Mosha më e vogël përjashtuar nga përgjegjësitë e përgjithshme penale është vendosur 14 vjeç, por përgjegjësia penale për krimet kundër shtetit, dëmtimit të pasurisë shtetërore dhe sabotimit ekonomik është vendosur mosha 12 vjeç (neni 6). Shumica e dënimeve të parashikuara nga Kodi janë me vdekje, burgime dhe internime në punë korrektonjëse (neni 16). Internimi përcaktohet si “heqja e të pandehurit nga vendbanimi dhe detyrimi që të jetojë në një vend të caktuar me ose pa “punë korrektonjëse” (neni 21). Internimi si një dënim i rëndë, shton ky nen, jepet për një kohë 1–10 vjet. Dënimi për punë korrektonjëse numëron nga 15 ditë–1 vit dhe e vuajnë në një punë të caktuar nga vendimi i gjyqit, ose në vende të caktuara nga organet ekzekutive të shtetit (neni 23).
Parashikimet bazë që merren me punën, janë përmbledhur në pjesën e dytë të Kodit, sidomos nenet nga 90–205. Neni 90 thotë se prodhimi i sendeve industriale me cilësi të dobët, jo në sasi të mjaftueshme, ose kundër standardeve të caktuara nga drejtori, inxhinieri ose ndihmësi dhe përgjegjësi të ndërmarrjes industriale, dënohet me punë korrektonjëse ose burgim deri në 5 vjet. Neni 201 thotë se ikja nga puna pa leje e një punëtori ose nëpunësi nga ndonjë ndërmarrje shtetërore ose shoqërore ose institucioneve dënohet me punë korrektonjëse deri në 6 muaj dhe, në rastet e rënda, deri në burgim me 4 muaj. Neni tjetër parashikon se mungesa në punë e një punëtori ose nëpunësi shteti, ose ndërmarrje shtetërore, ose institucioneve pa arsye të justifikueshme, dënohet deri në 6 muaj punë korrektonjëse. Neni 203 parashikon dënime që arrijnë nga 0.6–4 vjet burg për punëtorët ose nëpunësit që nuk i binden urdhrit që e zhvendos atë nga një ndërmarrje në një tjetër. Dënime më të rrepta që përshijnë deri në 2 vjet punë korrektuese, parashikohen nga neni 204 kundër atyre që nuk u binden urdhrave, që i ngarkon ata të punojnë vazhdimisht ose përkohësisht për kryerjen e planeve shtetërore të prodhimit e ndërtimit.

PUNA NDËSHKUESE

Kampe përqendrimi dhe punë e ndëshkueshme 1-Punë nga të burgosur politikë. Në Shqipëri nuk bëhet asnjë dallim i mprehtë midis të dënuarve me punë të rëndë, si pasojë e veprimeve gjyqësore dhe atyre të grumbulluarve kot dhe të vënë në punë. Shumica e mijëra të burgosurve politikë që sot janë vënë në punë të rëndë, janë dënuar para botimit të Kodit Penal të ri të 1952, në bazë të nenit 18 të ligjit mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake (janar 1945), i cili dënonte persona të akuzuar si “bashkëpunëtore fashistë” me gjobitje në të holla ose me punë të detyrueshme deri në 20 vjet. Të tjerët kanë qenë mobilizuar nga veprime administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme në bazë të parashikimeve të të famshmit dekret të 26 shkurtit 1951, lëshuar pak ditë më vonë se hedhja e bombës në Legatën sovjetike në Tiranë, dhe parashikonte dënimin kapital ose të tjera pa formalitete të nevojshme ligjore, për secilin që merret me aktivitete terroriste. Burgjet politike në Shqipëri që përfshijnë ministra, deputetë, nëpunës të tjerë të lartë qeveritare të para luftës, të kohës së luftës dhe të pas luftës dhe shumë njerëz të tjerë që aktualisht kanë kundërshtuar ose kanë qenë të dyshimtë kundërshtarë të regjimit komunist, janë internuar në vende të tilla vuajtjeje, si në Burrel, Beden, Maliq dhe VLoçisht (të quajtura kampe vdekjeje) dhe kanë qenë të futur në punë kryesisht për hapje kanalesh, ndërtime hekurudhash dhe portesh, ngritjen e barakave ushtarake, fortifikimin etj. Madhësia e këtyre kolonive është lëkundur që nga mbarimi i luftës sipas nevojave lokale. Drejtori i Byrosë së Statistikave të Shqipërisë në zyrën shtetërore të hetimeve, i cili u arratis nga burgu më 1948-n, ka deklaruar se në fund të vitit 1947 ishin 18 mijë të burgosur politikë, veç kampeve të përqendrimit. Disa si këta, Kostaq Kotta – kryeministri i fundit para pushtimit fashist më 1939-n, kanë vdekur si rezultat i jetës së keqe në koloninë e famshme në Burrel. Të tjerë si Kolë Kuqali, një nëpunës i Legatës amerikane më 1922–1938, i cili në fillim u përpoq të bashkëpunonte me Frontin dominuar nga komunistët, vrau veten në burgun politik të Tiranës.
Midis deklarimeve të kategorisë së parë rreth kolonive penale, ajo e dhënë nga Skënder Dume, i cili kaloi 5 vjet në këto kampe para ikjes së tij në Greqi në prill 1951. Sipas tij, deri në atë kohë kishte 10 burgje politike në Shqipëri, prej të cilave 10 mijë vetë jetonin në kushte tmerruese. Torturat e tyre dhe trajtimi çnjerëzor ishin përshkruar si të pabesueshme. Vetë Dume shërbeu në dy koloni ndëshkuese në kampin e vdekjes në Vloçisht, afër Korçës, ku nga 1.200 persona, kryesisht njerëz të ligjit, doktorë, studentë, ish-oficerë të lartë, klerikë katolikë dhe myslimanë, tregtarë dhe në kampin e Bedenit në Kavajë. Të burgosurit në kampin e parë punonin në projektin e shpallur të Maliqit, ndërsa ata të tjerët në kanalin kullues Peqin–Kavajë. Në kampin e vdekjes në Vloçisht, të burgosurit zgjoheshin në orën 3:30 dhe fillonin punën në kanal në orën 6:00, ktheheshin në kamp ora 20:00. Disa nga shokët që ishin shumë të sëmurë për punë, aktualisht varroseshin të gjallë në kanal, midis këtyre ishin edhe prifti Josif Papamihali – kryetari i kishës unite në Korçë, nënkolonel Sulejman Vuçiterna, hoxha Qazim Melçani, nënkolonel Tefik Hoxha, Riza Qako, Jaçe Zleusha, Luigj Luli, Ali Elezi dhe të tjerë. Për arsye të një thyerje rregulli, një student u lidh nga rojet e burgut me një kolonë dhe u la aty për 72 orë.
Kampi në liqenin e Maliqit mund të preket si një shembull tjetër, që tregon se si kalojnë të burgosurit politikë në Shqipëri. Të burgosurit në këtë kamp janë organizuar në 12 brigada pune, secila e përbërë nga 120–140 burra. Secila përbëhet nga 3 kompani dhe secila prej tyre prej 3 skuadrash. Personeli që komandon njësitë e ndryshme, përbëhet nga shokë të tyre që quhen të dëmshëm nga komandanti i kampit, megjithëse çdo brigadë është nën mbikëqyrjen e fortë të një oficeri të Policisë. Të burgosurit banojnë në baraka dërrasash, me një brigadë në secilën barakë. Ato nuk janë të ndara në dhoma, gjatë mureve janë dy rreshta koçekësh me dy krevate, njëri mbi tjetrin, ku flenë të burgosurit. Shteti nuk i jep ndonjë mbulesë dhe ata të burgosur që nuk kanë, duhet të flenë ashtu siç janë, mbi kotecin e zhveshur. Barakat nuk janë të mbrojtura prej kohësh. Çdo të burgosuri i kanë dhënë vetëm një palë rroba pune të përbërë nga një pallto, pantallona dhe një këmishë, të cilat shpejt grisen, se puna e të burgosurve ka të bëjë me tharjen e liqenit të Maliqit dhe duhet që ata shumicën e kohës të punojnë në ujë. Nëse i burgosuri nuk ka rroba të tij për t’u ndërruar pas pune, duhet të mbetet me veshjen e punës së lagur. Si rregull, punojnë 10 orë punë në ditë, nëse nuk shtohen me urdhër të komandantit të brigadës. Në gërmimin e kanalit për tharjen e liqenit të Maliqit, shumica e të burgosurve janë zakonisht në ujë që arrin deri në gjunjë, e disa herë deri në brez. Në kundërshtim me këtë kusht, puna vazhdon pa marrë parasysh kohën ose stinën e vitit. Një rrezik tjetër i punës është numri i madh i shushunjave në kanal, që sulmojnë të burgosurit. Si rezultat, shumë të burgosur u sëmurën dhe shpesh rreth 150 syresh kishin nevojë mjekësore të përditshme. Vetë doktori i kampit është i burgosur përjetë. Megjithëse është doktor i mirë, ai nuk ka as veglat dhe as barnat e nevojshme.
Veç skenës së punës së rregullt, që fillon nga ora 4:00 dhe përfundon në orën 16:00, me dy orët që nevojiten për ecje nga barakat në punë, puna shpesh vazhdon për 1 ose dy orë më shumë. Pushimi jepet 3 herë në ditë. Racioni i bukës është 500 gramë, një përzieje gruri dhe thekre, zakonisht e papjekur, që u jepej në drekë. Ushqimi i zier u jepet vetëm për mëngjes dhe darkë. Zakonisht përbëhet nga një supë uji me makarona, fasule ose kunguj. Çdo i burgosur duhet të marrë 100 gramë mish në ditë, megjithëse kjo ndodh rrallë. Kohë pas kohe, të burgosurit lejohen të marrin pako me ushqime për të shtuar dietat e tyre.(Kortezi AFRIM IMAJ-PANORAMA)

Filed Under: Histori Tagged With: ne OKB, per Shqiperine, Raporti i ShBA

“ Sa të bukur, sa të freskët ishin trëndafilat ! “

August 2, 2013 by dgreca

NGA HARALLAMB   FANDI/

“  Diku…dikur…shumë vjetë më parë, mbaj mend të kem lexuar një vjershë. Vjersha ka kohë që është harruar, po vargu i saj i parë ka mbetur i pashlyer në kujtesën time:  Sa të bukur, sa të freskët ishin trëndafilat !”.

       E gjithë kjo,  nuk është veçse fillimi i një proze poetike të Turgenjevit. Kur isha i ri, nxënës në vitin e tretë të gjimnazit, profesori i rusishtes na  e kishte dhënë për ta mësuar përmendësh atë dhe unë i gëzohesha bukurisë së origjinalit. Por ja që, më pas, ashtu si shkrimtari i madh që e harroi vjershën dhe ruajti në kujtesë vetëm vargun e parë, edhe unë vetëm rreshtat parë, me vargun për trëndafilat, mbajta mend.       Shumëkush do të çuditej se si mund të harroej aq lehtë nje krijim i shkruar per mrekulli dhe që, për më tepër,  m’u bë pjesë e një kujtimi sedërpërkëdhelës  për një kohë të  gjatë. Se, për mua, kujtimi ka qënë vërtetë i këndshëm, ndonëse u shoqërua me një shije paksa të hidhur të një zhgënjimi që iu ngjit nga pas. Dhe, sikur të mos ishte ky i fundit, do të ndruhesha ta tregoja, thjesht ngaqë do të rrezikoja të kaloja kufijtë e modestisë.

Ishte profesori i rusishtes, M. Sh., që në një mëngjes të bukur, ( unë do të shtoja dhe pranveror, se i tillë ishte dhe i pranvertë më vjen ndër mend ), në oborrin e shkollës plot dritë dhe zhurmë nxënësish, më ndaloi dhe më tha: “ Kam diçka interesante për ty “. Duhej të recitoja rusisht në sallën e teatrit të qytetit, në një mbrëmje miqësie, përpara dy-treqind rusëve, prozën poetike të shkrimtarit të tyre të dashur. Profesori s’mbaroi me kaq. Unë do të isha i vetëm në skenë, i veshur me frak e papijon ( veshje që, “për të qënë brenda”, censorët e quanin me përçmim “borgjeze”, po nuk guxonin ta pengonin, kur u thuhej se kështu do ta pëlqenin “vëllezërit sovjetikë”). Në errësirën e skenës së ndriçuar vetëm nga një qiri, do të shquhej paksa një pianiste ( profesore N. ), e cila do ta shoqëronte recitimin me melodinë e njohur “ Liqeni i Como-s” . Gjithshka i kushtohej kujtimit të një dashurie pa një puthje, që sot, për shumë të rinj, do të tingëllonte humbje kohe . ( “ Dashuri koti “, do të vinte i menjëhershëm reagimi i tyre ). Po atëhere qe kohë tjetër. Tjetër ishte dhe për ne, kur shumë nga mësuesit herëpashere gjenin rast dhe i mëshonin fort shprehjes: “ S’ka ç‘ju duhen dashuriçkat. Shikoni mësimet!”. Ne, domosdo, mësimet shikonim, por, kur e binte rasti dhe, në ndonjë film apo në disa rreshta të ndonjë libri, gjenim atë që na e ndalonin, fillonte festa. Këtë festë prisnin të gjithë dhe nga unë. Po nuk paskish qënë aq e lehtë. Provat që filluan  mirë, ngaqë s’kisha vështirësi me gjuhën, një ditë prej ditësh  ngecën. Të gjithë prisnin më shumë, po hajd’ ta gjeje atë më shumë.

“ Ore, ke dashuruar ndonjëherë ti ?”, thuajse më bërtiti në një pasdite provash profesor T . E dija që më donte dhe ngacmimi ishte më shumë intim, po si mund t’i thosha unë “ Po “?… Sa të merrej vesh do të tundej gjithë gjimnazi! “Jo”, i thashë me gjysmë zëri dhe me fytyrën flakë. “ Pse s’thua ti që ne po lodhemi kot “, tha ai, duke vërvitur me inat një shkumës, që mbante në dorën e zbardhur nga fërkimi tërë nevrik i shkumësit. ° Profesor…”, nxitova të flas pas pak, për ta rregulluar disi  situatën.“ Ç‘profesor, profesor!…”, më ndërpreu ai, “ pjesa është me ‘dashuri. Këtu mungon ndjenja. Si mund të shprehesh ti kur nuk ke dashuruar asnjëherë ?”. “ Po unë kam dashuruar”, thashë,  i penduar që e lëshova me nxitim atë bombë . Fytyra e profesorit  ndryshoi dhe, nga gjithë nuancat e shprehjes, unë kapa vetëm ngrohtësinë e vështrimit, që u përforcua me një goditje dashamirëse grushti në gjoksin tim. Që prej atij  çasti ndryshova “ kursin”, u hapa, natyrisht jo menjëherë, se kisha frikë mos fillonin romuzet. Po kaq mjaftoi që provat dhe shfaqja të pëlqeheheshin aq sa, pas skenës, shoket më përqafonin dhe nga salla nuk vonoi  të vinte shprehja: “… të gjitha gratë ruse, duke të dëgjuar, kanë qarë “.   Po njëra, ama, nuk qau …

…Çefranova.  Ajo s’ishte në sallë dhe më dëgjoi më pas, në hollin e Shtëpisë së Kulturës, ku zhvillohej konkursi për Shkollën e Lartë për Aktorë. Unë nuk shkova kot atje. Besoj se kryesorja që më shtyu ishte dëshira e papërmbajtur për të mos u ndarë nga arti. Deri atëhere pikturoja, shkruaja, bile kisha botuar dhe prozën e parë poetike, por s’desha të isha amator. Dhe ja, papritur, u shfaq mundësia e artë : konkursi . Konkuruesit nuk ishin shumë dhe as që isha interesuar për përgatitjen e tyre, sepse…naiviteti më bënte të fluturoja : unë që kisha bërë të qanin të gjitha gratë ruse, me recitimin tim do t’i a nxirrja dy lotë dhe Çefranovës. Ajo ishte kryetarja e komisionit dhe vendimet i merrte vetë. Atypëraty, me shumë takt dhe me gjuhë të ëmbël, ajo më tha  “Nuk fiton”. M’u desh një kohë e gjatë për ta marrë veten dhe të bindesha që kishte të drejtë. Unë s’kisha zë për aktor, pa le që më pas nisa ta kruaja shpeshherë laringun për ta pastruar zërin duke bezdisur dhe të tjerët.

Gjithsesi, arti jo vetëm që nuk më la të mërzitem, po më ka dhënë për vite të tëra kënaqësi të pafund. Sidomos nga ato që s’i mbaj dot për vete. Më është bërë zakon që kur gjej diçka të bukur apo interesante , ashtu si fëmijët, dua me domosdo t’ua tregoj të tjerëve. Nuk tërhiqem edhe sikur dikujt mund të mos i duket e tillë. Ja, edhe në këtë rast,  me Turgenjevin. E kam pyetur, vërtetë, shpeshherë veten : Si ka mundësi që kujtesën vetem të fillimit poetik, si Ai dhe unë , ta kemi pasur njëlloj ?… Mirë, do të thoshte dikush, po kjo tingëllon  ca e pabesueshme, duket si e sajuar. E çë, do të thosh ndonjë tjetër, me këtë fakt pa peshë e rastësor, për të mos thënë lartësues pa meritë të vetes, kërkon të na mbushësh mendjen se qëdron pranë e pranë me shrimtarin e madh?

Unë nuk do të ndruhesha për të thëne: “Po”. Sepse, asnjë nga të mëdhenjtë nuk ka qënë qiellor. Më të mirët kanë qënë ata që i kanë patur këmbët në tokë, që kanë qënë njerëz dhe, si njerëz, kanë patur gjëra të përbashkëta deri në hollësi me të tjerë. Një hollësi e tillë, e thurrur si filigranë, kushedi nga ç’ADN, më erdhi përpara syve, duke parë dhe dëgjuar një mëngjes shushurimëllokoçitjen e valëve të detit në bregun shkëmbor të qytetit tim. “Mos pe gjë trëndafilat nëpër dallgë dhe t’u kujtua Turgenjevi?…” mund të pyeste dikush. Unë do të isha i lumtur ta njihja atë dikush dhe t’i thosha pa nguruar: “Po”. Kushdo që të ishte. Mjaft që ai hyri në atë lekundje të ëndërrt trëndafilash, duke krijuar kështu një treshe njerëzish, që  arti i lidhi me nje varg në dukje të thjeshtë, po që në kujtesën e tyre shfaqet përherë si mrekulli:

“ Sa të bukur, sa të freskët ishin trëndafilat ! “

31 KORRIK 2013

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Harallamb fandi, ishin trendafilat, sa te fresket

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT