• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

KUÇI I LABËRISË, NË PENËN E SEIT ALIKAJ

September 25, 2013 by dgreca

Rreth veprës së studiuesit Seit Alikaj/

Nga Enver Lepenica/

Kohet e fundit Seit Alikaj doli para lexuesit shqiptar me vëllimin e gjashtë: “Kuçi i Labërisë ndër shekuj” Me punë të pa lodhur, me pasion, ai ka arritur të krijojë dhe ngrejë korpusin e veprave të historisë dhe gjenealogjisë të vendlindjes, Kuçit të Labërisë, dhe jo një e dy, por plot gjashtë vëllime me mbi 500 faqe sejcili, duke u lënë brezave atë që ne nuk e patëm nga paraardhësit tanë, historinë e lavdishme të tyre, e duke e futur edhe Kuçin e Labërisë në udhën e vendeve të kulturuara.

I thjeshtë, e me trup të vogël, por  me zemër e mëndje të madhe atë do ta shohësh çdo ditë para Bibliotekës Kombëtare, gjithnjë i qeshur që të kujton atë thënien e famëshme të Rusoit se një fytyrë që nuk qesh nuk është kurrë e mirë.

Agronom nga profesioni, punëtor i madh në të ri, punëtor akoma më i madh në pleqëri, ky është njeriu i dashur Seit Alikaj nga Kuçi i Vlorës, por që me veprën e tij tashmë i përket gjithë Labërisë dhe Shqipërisë.

Veprava e tij të shtin në mendime: Si ka mundur një njeri u vetëm, të përballojë, e të bëjë një volum pune kaq të madhe?  Është dashuria, dashuria e madhe për vendlindjen, për atdhuen, që e ka shtyrë atë, të na japë një vepër shumë vlerëshe.

Punëtor i pa lodhur dje, në fushën ideologjike me rininë, në fushën e bujqësisë e veçanërisht në kurorën e gjelbër me ullinj e vreshta kodrave të Vorës dhe Marikajt e Tiranës edhe në pension ai nuk mund të rrinte duarkryq, përkundrazi i udhëhequr nga dashuria për vendlindjen dhe për atdheun e tij, tani ai do të punonte natë e ditë, do të lodhej e kapitej më shumë se kur ishte i ri e zbukuronte dhe pasuronte Shqipërinë, por në një fushë tjetër, në atë të kulturës dhe të historisë.

Kaq e rëndësishme ky korpus i veprave të Seit Alikaj prej gjashtë vëllimesh sa që mund ta shpreh vetëm me fjalët e një profesori tim të mënçur i cili më thoshte: “Enver! Dallojmë nga kafshët se e dimë kë kemi paraardhës, d.m.th. njohim historinë tonë”

Kështu edhe Seit Alikaj na njeh me paraardhësit tanë, na bën optimist pët të ardhmen, e na fut kështu në udhën e kulturës e të përparimit.

Një punë dhe një krijimtari e mundimshme, e lodhëshme sa s`ka ku të vejë më, jo vetëm nga volume i punës, por veçanërisht e kryesisht nga mundimi për të trokitur derë më derë, e bibliotekë më biliotekë e për tu mbushur mendjen njerzëve të pa ditur, që të bashkëpunojnë në interes të tyre dhe të të ardhmes së tyre, shkurt punë që mund ta bënte vetëm Seit Alikaj dhe askush tjetër.

Para veprës së tij çdo vlonjat e më gjerë çdo lab, ashtu si dhe unë, e ndien veten të detyruar,  prandaj edhe unë, vendosa t`i bëj një tufë me lule të bukura, lule të mendimit për veprën e tij të kultivuara nga personalitete të shquara të kulturës sonë. Unë po vë vetëm një  fill për t`a lidhur këtë tuf me lule të bukura, me këtë artikull, si shenjë mirënjohje e vlerësimi për punën e tij ne fushën e kulturës dhe historisë së Labërisë, duke u bashkangjitur edhe mendimin tim mendimeve të personaliteteve që janë shprehur për veprën e Seit Alikaj si më poshtë:

*     *      *

Prof. Dr. Ismet Elezi : “Dalja në dritë e këtyre librave u prit me interes të madh jo vetëm nga të interesuarit, bashkëfshatarët e autorit, por edhe nga opinioni shoqëror e shkencor…

Sipas mendimit tim, duke u mbështetur në përmbajtjen e librave dhe në veprimtarinë e gjatë e tepër të vështirë të autorit, i konsideroj si libra model dhe autor model…Libra model sepse janë të parat e këtij lloi jo vetëm në Labëri, por ndoshta në tërë Shqipërinë e më gjerë. Ato do të lozin një rol të rëndësishëm nxitëse dhe për fshatra, fise e  familje në gjithë vendin, që të bëjnë botime të tilla”.

*    *    *

Prof. Dr. Xhemil Frashëri: “Me librin “Kuçi i Labërisë ndër shekuj”, Seiti ka bërë një punë të madhe dhe të lavdërueshme, e për këtë meriton respektin tonë. Synimi tij për t`i dhënë Kuçit, këtij fshati të lavdishëm, të njohur në Historinë e Shqipërisë, për kontributet e tij atdhetare, një libër, i cili përbën një kujtesë të shkruar për të dhe këtë e ka arritur, duke merituar mirënjohjen dhe respektin e brezave të bashkëfshatarëve tij e më gjerë”.

*    *    *

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”: “Unë gëzohem pa masë për libra të tillë sepse ata ndriçojnë e fisnikërojnë Labërinë. Seiti si agronom, me kulturën e dashurinë e tij, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka mbjellë një Rrap në Buronja, brezat që do të vijnë, pa dyshim që do të rrijnë nën hijen e tij”.

*    *    *

Prof. Dr. Thoma Çomora: “Jam i mendimit që, për ato që ka shkruar Seiti për Kuçin, të propozohet nga kuçiotët për të marrë urdhërin “Nder i Kombit”, sepse nuk kanë bërë më shumë të tjerët, ndërsa Seiti ka bërë shumë për Mikropolitinë Kuç”.

*    *    *

Prof. Dr. Hasan Banja: “Leximi i librit më ngjall emociome të forta sepse bën fjalë për Labërinë, e në mënyrë të veçantë për Kuçin, fshatin më të madh, e më të njohur të sajë, ku lindi, u rrit, u burrërua e punoi autori i librit Seit Alikaj, për historinë shumë shekullore që humbet në mjegullën e kohës, por që vjen gjithnjë e re, e freskët dhe e pasur, mësimdhënëse e shpresdhënëse për mesazhet që përcjell nga brezi në brez, e që rrezaton fuqishëm në ditët tona”.

*    *    *

Prof. Dr. Besnik Baraj: “Botime të tilla janë fragmente të themeleve të historisë sonë kombëtare dhe shprehje e zhvillimeve civilizuese, të krahasueshme me kombet e përparuara të kontinentit tonë…”

*    *    *

Prof. Dr. Bernard Zotaj: “Seit Alikaj ka bërë një monument sa vetë malet e Labërisë, që kur e lexon, dashurohesh me gjithë peisazhin, luftën, natyrën, pyjet, qiellin, burimet, njerëzit dhe e ndien veten krenar, që në trupin tonë rrjedh gjak nga ky vend, që edhe perënditë e kanë zili”.

*    *    *

Izet Çuli, shkrimtar:  “Seit Alikaj i ka ngritur fshatit të lindjes një përmendore, për të cilën kuçiotët duhet t`i jenë mirënjohës  përjetë dhe të krenohen me të, ashtu siç duhet të krenohet mbarë Labëria”.

*     *      *

Mexhit Kokalari, studiues:  “Me këtë vepër, Seit Alikaj lidhet sa më ngushët me vendlindjen e tij ku i ka rënur koka, me historinë e lavdishme të Kuçit, me këtë kryeqëndër të Labërisë, që vazhdimisht armiqëve u ka qëndruar me këllëç në dorë”.

*    *    *

Viron Kona, shkrimtar:   “Duke lexuar me vëmëndje këtë libër, krijon mendimin se ke përpara një libër me vlera të shumëanëshmë, njohëse, kulturore, historike, gjeografike. I parë në këtë këndvështrim, vlerat e librit kalojnë kufijtë e një fshati apo të një treve, ato janë përgjithësuese dhe të dobishme dhe do të lexohen me ëndje nga çdo lexues”.

*    *    *

Rasip Hoxhaj, publicist:  “Libri i zotit Seit Alikaj, jep një dritë oqeanike, për mentalitetin praktik të kësaj treve për liri e pavarësi kombëtare. S`besoj se mund të ketë ndonjë arkeolog që mund të ketë gërmuar, zbuluar, ndarë  dhe renditur këtë thesar kaq të madh historik për Kuçin, Kurveleshin dhe për mbarë Labërinë”.

*    *    *

Abdulla Kënaçi, gazetar:  “Seit Alikaj me dashuri e pasion, me qartësi dhe me elokuencë, po u lë brezave që vijnë një vepër të veçantë në lloin e vet, model për të gjithë ata që kanë nderim për vendlindjen.  Ky libër është një shembull i mirë, që duhet ndjekur për të gjithë ata që marrin përsipër të bëjnë histori”.

*    *    *

Kostandin Hoxha, publicist:  “Homazhin që iu bëni popullit të fshatit tuaj, heronjëve të së kaluarës, kapedanëve të parë të kohës së Tanzimatit, të Rilindjes Kombëtare, të Luftës heroike të Vlorës, të Luftës Nacionalçlirimtare dhe nëpërgjithësi të mbarë popullit të Kuçit e të Labërisë, na mbush me frumëzim edhe ne të tjerëve e na bën të ndihemi krenar për paraardhësit tanë”.

*      *      *

Lirim Deda, poet, gazetar:  “Duke qëmtuar hershmërinë, veprimtarinë dhe lavdinë e të parëve të Kuçit, Seit Alikaj, me një ndjenjë të thekshme atdhetare, si dhe me zotësinë e një largpamësi si historian, arrin që të nxjerrë në dritë ato veti e virtute që i kanë trashëguar kuçiotët dhe që janë manifestuar në luftërat e popullit shqiptar  për liri e mëvetësi, edhe në treva të tjera”.

*    *    *

Sokrat Zoraqi, ekonomist: “Atdhedashuria për vendlindjen e tij, për Kuçin e kuçiotët, që e kanë lindur, rritur dhe kanë kalitur tek personi i tij cilësitë më të mira njerzore si kuadër, familjar i pastër, i ndershëm e tani së fundi edhe si studiues”.

*     *     *

Lutfi Koçibelli, ekonomist:

“Seit Alikaj na prezanton “Kuçi Legjendar”, që duke perifrazuar, Ismail Kadarenë ka prodhuar më shumë heroizma se grurë”.

*     *     *

Agim Perlat Gjoleka: “Të lexosh këtë libër është kulturë, ta bësh atë tëndin, është pasuri…”

*   *   *

Rrapo Dervishi, pensionist: “Merreni dhe lexoni këtë libër të rrallë, i cili është një kryevepër kolosale mbi 3100 faqe, ku janë pasqyruar 25.209 emrat e 136 fiseve që ka Kuçi, të paraqitura në tabela gjenealogjike, me rreth 2900 fotografi ilustruese, me 9500 persona ose 37 për qint e gjith emrave… Befasuese, mahnitëse, një hajmali, një pasuri, një stoli për në shtëpi, një enciklopedi e rrallë dhe e veçantë…”

*    *    *

Xhelil Gjoni, pensionist: “Kush ja ka vënë këtë kurorë të gjelbër me ullinj kodrave të Vorës e Marikajt, të Tiranës, do të pyesin brezat e rinj? Me siguri do të gjejnë emrin e njeriut punëtor e të apasionuar që quhet Seit Alikaj”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Enver Lepenica, Kuci i laberise, Seit alikaj

EMRA TË SHKËMBINJVE QË SHKËLQEJNË NË GJI

September 25, 2013 by dgreca

AFIRMIMI I LETËRSISË SHQIPE NË BOTË-TË TJERËT PËR NE/

Esse nga ANDRZEJ ZANIEWSKI */

   …” Dhe si luftëtar i varfër

           që mbështet kryet mbi gurë

           gjer të nisë lufta prapë

           dua kokën ta mbështes

           mu në gjoksin tënd prej dielli…”

                         (Po trokas në zemrën tënde)

Biografitë e shkrimtarëve i lexoj nganjëherë porsi poezi apo epose të përbëra nga shumë poezi. Ndërkaq, shpesh ndodh që të kuptosh në tërësi synimin dhe kuptimin e këtyre rrëfimeve dhe tregimeve, përpiqem të arrij deri tek skutat më të largëta të letërsisë së tyre kombëtare, në këtë rast, deri tek historia e gjuhës së krijuar përmes mijëvjeçarëve. Mbaj mend, në vitin e kaluar kanë kaluar  550 vite nga data e lindjes dhe e krijimit  të dokumentit më të vjetër të shkrimit shqip ‘Formula e Pagëzimit’ (1462) e peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit. Ndërkaq, i pari monument i madh i shqipes së shkruar dhe i pari libër i botuar është “Meshari” i autorit Gjon Buzuku, i botuar më 1555, derisa Fjalori latinisht-shqip i Bardhit (1635), e cila ishte e para vepër  e llojit të veçant për gjuhën shqipe me rreth tre mijë fjalë.Së këndejmi, mjafton të vështrosh me vëmendje hartën e Shqipërisë bashkëkohëse dhe vendet përreth, për të kuptuar gjenealogjinë-a thua të gjuhëve? – popujt që jetojnë këtu, pastaj historia e kulturës së tyre, arrijnë deri tek periudhat më të largëta dhe, që janë të ndërlidhura ngushtë me lindjen e qytetërimit mesdhetar.Ndaj, këto janë kohët dhe epokat e Argonautëve e të Heraklitit, lufta e Trojes dhe e Homerit, Odiseut-Uliksit, Eneut, perëndive, titanëve, heronjve, nimfave… Këtej u zhvillua një lidhje tregtare, luftarake dhe natyrisht mitologjike, deri sot shumë hulumtues bëjnë zbulime në skajet e saj Ogigie – Ishulli i Vdekur. Harta fsheh sekrete, mijëra sekrete. Një çikë sepse tashmë sot dihet për Ilirët, Enkelejtë, Molosët, Pellazgët, përveç sigurisë, që mbrojtën me guxim dhe forcë selitë e tyre, brigjet e tyre shkëmbore para të huajve. Greqia arriti në rreth pak a shumë ku dhe sot. Mëtej fillonin tokat saktësisht të panjohura, shpella misterioze dhe tatëpjetë deri në nëntokë, male të egra, terrene gjuetie për robërit, sepse ne punën e tyre e kanë bazuar fuqine e vet Helada demokratike dhe Roma krenare. Këto zona filluan  të njihen pas Itakës së famshme dhe ishujve Leukos, Paksos dhe Korkira – Korfuzi i sotëm, e banuar përmes Feakëve, gjatë, po më kot duke mbrojtur pavarësinë e vet.

    Relativisht jo larg kësaj vije, në vendin ku Deti Jon është afër Detit Adriatik, shtrihet Vlora – dikur Aulona, ku lindi Fatos Arapi.Vendlindja zakonisht përcakton identitetin e poetit. Megjithatë nuk vendos per talentin, prirjen, sepse për këtë vendosin zotat, koincidencat e shumë rrethanave. Megjithëkëtë, me siguri një ndikim të thellë  kanë në jetë, në ngjarjet, në zgjedhjet e rrugëve.

    Fatos Arapi – një poet i një ndjeshmërie të jashtëzakonshme, i pajisur ndaj me një dhanti nga vetë fati: shushurima e valëve të detit antik, ngurtësia e shkëmbinjve, në të cilat ndoshta pushoi Odiseu dhe fiqtë e gjelbër, drurët e ullinjtë dhe korijet me lisa. Poetin gjithnjë e shoqëronin shqiponjat  ndoshta dhe shpendë grabitqarë, e me siguri pulëbardhat dhe grumbulli i zogjve shtegtarë, te cilat shtigje këtejpari shpiejnë.

     Perënditë kanë dhënë shenja. Pjesa tjeter është varur nga poeti, shtegtari, këngëtari që zgjodhi fatin, drejtimin e udhëtimit, udhëkryqet, ndryshe fatin  e vet. Duke lexuar këto poezi brilante, mendohem se çfarë shenja ka parë atëherë  autori i poezive “Vëllezër Hamletë” dhe “Stuhia” :

     “Njërin krah të pulëbardhës

     Tjetrin krah tramundana

     Në gojë të dallgëve e reve

     Klithje e zogut digjej nën shira.

     Mbi mua e nën mua:  shpirti

     apokaliptik i një perëndie të egër”

                                     (Stuhia)

Poeti polak Władysław Broniewski me të drejtë shkroi: ‘Dhe njëri krah i poezisë  është vdekja / derisa krahu tjetër është dashuria’. Dhe menjëherë kam vënë re ngjashmëritë në dramatizimin  e brendësisë të veprës- kësaj hapësire të ëndërrimit  të autorit. Në veprat e Fatos Arapit na rrethojnë dhe, jo vetëm vizionet e stuhisë , dhe jo vetëm zogu që lufton me erën e fortë, edhe poeti ndien frymëm ogurzezë dhe të tmerrshme. Dy forca, dy vektorë të qartë etik vigjiluakan mbi djaloshin nga Deti Jon, duke e shpënë atë në thellësirat e fatit. Kjo një energji e pashtershme e Jetës dhe një nevojë e pamposhtur e Lirisë. Me një mirëkuptim të thellë e lexoj poezinë emblematike “Ti mos më ler vetëm” duke e lexuar si një manifest kundër vetmisë si lutje, si kërkesë mbi praninë e mikut të përjetshëm. Ajo është e bukur, ndonëse marrësi vë maskën. A thua mos vallë është femra? Apo Zoti? Apo Fati?  Apo zogu mbi dallgët e detit? E parëndesi! Na mahnit kompozicioni dhe lutja e fashitur…

Një rol i jashtëzakonshëm dhe me dy kuptime në poezitë e Fatos Arapit i përket detit, tërësisht sikur vetëdija e pranisë së tij të ia përtërij poetit forcën dhe guximin. Për poetin shqiptar dhe heroin antik si elementi më i rëndësishëm ishte deti – vetë deti. Tiresiasi ia paralajmëron vdekjen Odiseut, që vjen nga deti, pas shumë viteve të përhumbura në mërgim dhe pas fitores prfundimtare. Për Fatos Arapin – deti është një substancë jetëdhënëse, një hapësirë iluzion i lirisë, duke i lejuar për mallin e ngashëryer, të ëndërroj, të luftojë dhe të kujtoj.

      “Përse paskam frikë t’i afrohem detit

       Kaq kohë pa e parë… Kaq kohë pa u parë…

       Unë e Joni… rritur me njëri-tjetrin…

        Së largu më mbështjellin zëra të njohur

        Gjëmimi i përmallshëm, hutues i detit”

                   (Përse paskam frikë t’i afrohem detit)

Deti bëhet për poetin një qenie shumë e afërt dhe e rëndësishme, një lidhje e ngushtë, të cilin nuk e harron dot dhe askurrë.

         “ Po nisem pa u përshëndetur me detin.

              Vetëm kësaj radhe

          nuk dola në brigjet e njohura të përfalesha

          me pulëbardhat e mia…

          Nuk e durokam dot më ndarjen prej tyre

         Më duhet të nisem?

         Pa  kthyer kryet pas!”

              (Duke u larguar prej Vlore)

Na rrethon një atmosferë e afërt me panteizmin. Krijuesi –

ose forca misterioze jetësore e përmbush me praninë e vet natyrën. Ekziston si në fluturimin e zogut ashtu edhe në reflektimin e valëve, në lulet e portokallit  dhe në thellësirat e lëna në brigje të detit përmes shputave të këmbëve të djelmoshave. Këtu gjeta një nga poezitë më të bukura për bukën…

“Mbrëmë

Kur nëna ndante bukën në tryezë

mora  një copë në duart e mia.

dhe m’u duk sikur ngrita ashtu

një grusht dheu të ngrohët”

               ( Në tryezë)

 Vizionet e poetit ndërlidhen, shndërrohen, pësojnë një metaformozë në një koherencë të plotë. Buka kthehet në poezi-kryevepër kushtuar atdheut, ndaj, në këtë temë jashtëzakonisht të vështirë, për shkak se nuk kërkon vetëm njohuri, po edhe ndjenja…

    “Atdheu është buka e uritur

    Të ikën nga duart e dot nuk e ngop

     Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur

     Me sytë n’errësirë vetveten kërkon.”

                             (Atdheu)

A nuk është kjo një poezi e hidhur karshi një realiteti brutal, ku ndihet i zhgënjyer zëri i trishtë i poetit, fjala e një vetëdije tragjike, koncepte të afërta me dëshpërimin e poetit. Kjo nuk është dëshpërim i vrullshëm, po dëshpërim i shoqëruar me shqetësimet e mëdha të poetit, që vihej në mbrojtje të dinjitetit dhe të vetëdijes kombëtare. Si të mos shqetësohej shpirti i trazuar i poetit që gjithnjë kërkonte një shoqëri të pastër e dinjitoze, kur vështronte në atdheun e vet se si po nëpërkëmbeshin vlera, nderi dhe dinjiteti.Sepse buka  e shtëpisë së familjes mbetet po ajo bukë nga metafora për atdheun, sepse edhe toka nën shputat e këmbëve mbetet po ajo. Dhe ato janë gurra të pashtershme të fuqisë dhe shpresës, duke u përtërirë pareshtur… Hijet  ngjallen,kthehen si ”poetët e fatit tragjik” Vazhdon edhe mëtej gjendje e dëshpërueshme, por jo e disfatës…”Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka “. Në poezinë miniaturë “Një pikëllim i lirë” Fatos Arapi mban tërë hidhërimin dhe pikëllimin e fatit të vet, po njëkohësisht dhe vetëdijen e fitores.Sepse nuk është e mundur ta marrësh  pikëllimin, nuk mund ta shlyesh nga kujtesa, nuk mund të ndalosh mendimet- ndaj kjo është liria! E pamposhtur, liria jote, e cila të lejon ta ruash dinjitetin… Koncepti i ‘lirisë’ kthehet jo vetëm njëherë në këto poezi dhe nuk e lë të qetë poetin…

Vdekja është rimarrje e kësaj pjesëzë të lirisë që e zotërojmë. Tek varri i lirisë – tek varri i vëllait – duke kujtuar Vllasin ‘Qiririn tënd  të ndezur/ mbroj në grushtet e mia’ . Dhe mbi këtë varr përkulet druri i tmershëm i shkaqeve dhe pasojave…

     “Dhe të mendosh pastaj:

     Çfarë peme e çuditshme që qenka liria!

     Me rrënjët e saj

    Në eshtrat e tua, të këtija e atija

     Mijëra…mijëra… mijëra

     Milionë…milionë…milionë për lirinë e vdekur

    nga poli në pol

    nga populli në popull

    nga shekulli në shekull”

            (Dhe të mendosh pastaj…)

Bota bëhet e tmerrshme dhe e rrezikshme… “ Është lodhur me ty vdekja populli im” –  kjo poezi i drejtohet drejtpërdrejt  Shqiptarëve, një vendi që është pjesë  e Evropës. Shqipëria bëhet një vend i një malli e nostalgjie të parealizuar, i një lirie  të varrosur, i ëndërrimeve të humbura, i “shpresës së çmendur”. Dhe kështu u krijua imazhi i vërtetë, sugjestiv i një populli të pamposhtur, duke vazhduar me shpresat e vet…

      “Të mjerët Shqiptarë

      me vdekjen në sy,

      kërkojnë të çmallen me vdekjen diku.

      Dhe çan Evropës me sytë nën këmbë

      Shpresa e çmendur”

                 (Shpresa e çmendur)

Poeti sikur do të ikte Evropës, i cili nuk do të lirohej dot nga malli i therur : “Të çmallesha me vëllain e vrarë”, i ndihmon poetit shkëlqimi i detit mbyllur nën qepalla dhe në një det kujtimesh, ku gjithnjë e shoqëron poezia – poezi të mrekullueshme shkruar përmes tërë jetës. Temat epike i ndihmon këtu arti brilant i fjalës poetike të bardit lirik. Gjithnjë mahnitemi me shtigjet e tij poetike deri te mbretëria e fjales poetike dhe e konceptëve aq të thjeshta, po që janë tej kohore dhe të përjetshme , të zakonshme po që janë të shkruara në mënyrë të jashtëzakonshme. Na magjeps guximi dhe forca e zërit, autenticiteti  i rrëfimit poetik, qartësia dhe tejdukshmëria e komunikimit. Fati nuk e kurseu poetin nga dhembja, pikëllimi pas vdekjes  për të afërmit, lamtumirat dhe vdekjet pa lamtumira. Përsosmëria në ndërtimin e frazave, në saktësinë e lidhjeve dhe të asociacioneve, në krijimin e imazheve simbolike, të fituara në ndeshje me cinizmin, mizorinë, poshtërsinë, indiferencën.

Është vështirë të vlerësosh çmimin se si poetët rëndë e paguan për madhështinë e vet – për vërtetësinë dhe ndjeshmërinë e ndërgjegjës. Në poezinë “Pse erdha në jetë” autori shpjegon…

   “ Un’ nuk erdha në jetë që të lus perënditë;

  Që profetët e mykur mësonjës t’ i kemi;

Që duke biseduar të pyes: a u mërzite

Dhe i qetë në shtrete të lëçit pasdite,

Nëpër vargje budallë, poetët budallenj “

 

Nga poezitë e Fatos Arapit aq shum kam mësuar për Shqipërinë dhe Shqiptarët, për fatin e poetëve shqiptar dhe të jo poetëve, për emigrantët që përshkuan shumë kontinente, duke mos harruar askurrë se nga e kanë prejardhjen dhe mbi bukurinë magjepsëse të natyres përreth, dhe gjithashtu për “zogjtë që urrejnë qiellin”, për “parazitë moçal dhe krime, për skajet e pista dhe zilitë e shëmtuara”. Filozofia e dëshpërimit e ngjashme me idetë dhe botëkuptimet e Jean Paul Sartre’s të “Rrugëve të Lirisë” deri te bindjet e errëta të Mircea Eliade’s, këtu ballafaqohet dhe ndeshet me rezistencën e brendëshme të poetit të pamposhtur, me vetëdijen e  trashëgimisë antike, që atë e krijoi. Para pesimizmit, defetizmit, dekurajimit të pafuqishëm poetin e mbrojnë brigjet e Detit Jon, hijet stërgjyshore, vargmalet e Vitoshes dhe zëri i përmallshëm i fyellit që arrin nga Tomori. Udhëtimet apo ndoshta bredhjet endacake bëhën universitete te letërsisë. Dhe  kthehet e kaluara e thellë… Gjej Skënderbeun e famshëm të njohur nga medaljoni në portën e Ndërtesës së Artë në rrugën ”Długa”në Gdańsk. Sulltan Murati bisedon me Shqiptarin me pranga të vëna  në Fushë-Kosovë më 1389. Historia përhapet dhe zgjerohet përtej kufijve. Kjo tashmë nuk është vetëm Shqipëria, jo vetëm Gadishulli Ballkanik… Poeti vete, arrin edhe më larg. Deri te kampi i përqëndrimit në Dahau, deri te Ditari i Ana Frankut, dëshiron të takohet me poetin e vdekur francez Robert Desnon , me te burgosurin e Auschwitz-it dhe të Terezinit, sepse edhe i betohet dashurisë së vet…”Unë do të vi, do të vi, do të vi…/në jetën tënde të larë prej dielli”.

Një realitet i mrekullueshëm, me ngjyra, tërheqës – bota e grave , e vetmja dhe gjithnjë e veçant, vetëm e jotja, vetëm imja, ku fjalët e dhëna të mirëbesimit, që tashmë shekuj me radhe po ato fjalë, nuk vjetërohen kurrë dhe nuk humbin as ngjyrat e veta. 

Fatos Arapi është një mjeshtër i rrallë i lirikës intime, të rrëfimëve dhe lutjeve më subtile…  Dhe ia përkujtova vetvetes ngazëllimin dhe entuziazmin tim, ngritjet dhe rëniet, të gjitha çastet e lumtura dhe të gjitha disfatat e mia… Dhe zëri poetik i poetit si madhështi hyjnore…

 „Po ecin përmbi taka të holla e të shpejta

Dëgjoni trokëllimën e rrëmbyer të tyre ?

Nën trokëllimat – ritme të këmbëve të lehta,

Me një gëzim të kthjelltë,

Drejt dashurisë rend jeta…”

           (Miliona dashuri)

 

Femra, muza, kujdestarja, nëna, e dashura, e vetmja… Invokimet  mbesin paemër, po ato i përmbush malli, gjakimi, shpresa e njëjtësuar me dashurinë. Ndodhitë, përjetimet nga jeta e poetit, të skicuara me një delikatesë, ndonëse të trishtuara dhe tragjike, të ngërthyera në ritmin e poezisë, që marrin pjesë në krijimin e rrëfimit, me një qasje mjeshtërore artisti…

  “E ndolla me sy

 Dhe në heshtje i thashë:

–          Sonte kam nevojë

Më pritet fryma”

 *    *    *   *

  ( Kishte çelur lulja e ullirit )

 

Na tërheq thellësia e këtyre mendimeve, përsiatjeve, rrëfimeve… E ndjejmë situatën dramatike, në të cilën lind dhe krijohet poezia, dhe njëkohësisht rritet para nesh

ai muri i fshehtë i misterit. Poezi për familjën, për më të afërmit.  Dhe klithma e brendëshme e poetit, përzier me dhembje e mall të lektisur, mbi varrin e babait, të nënës, të gjyshës, të gjyshit …

 

“Të gjithë po hedhin nga një grusht dhe

Po unë mbi te hedh

Dy-tri copëra qielli…”

*     *    *     *

  (Një grusht dhe mbi varr)

Dhe, dielli i vogël me luleshqerra në varrin e nënës. Poeti i vetmuar me arkëzën mbi supe duke shkuar. Dhe varri i gjyshit i gjetur në varrezat e Stambollit… Evokimi për poetët e vdekur  Nazim Hikmetin dhe Orhan Veliun…  Gjithnjë më kujtohen ato varreza në Stamboll, që vizituakam verës më 1975…E ndiej dhe e kuptoj dhembjen e thellë të poetit, sepse edhe babain tim e pushkatuan në Oswiencim më 1943, dhe varr nuk ka[

Vetëm vdekja i rrethon dhe i bashkon poetët, i afron ata në mes vete… Vetëdija se kohën  nuk mund ta zmbrapsësh, sepse ‘tufëzën e pjekur të kujtimeve’ vetëm mund ta këputësh, se duhet të pajtohemi me kalimin e kohës në pakthim, se njohuria jonë rrjedh nga ngjarjet, të cilave nuk mund t’i shmangemi dot , dhe na ndihmon që ta kuptojmë vetveten…

“Jeta është stacion ndarjesh e takimesh.

 Jemi përherë udhëtarë

dhe kemi ndër duar bagazh të pandarë,

një valixhe të vogël

përpjekjesh, sulmesh, kujtimesh”.

                         (Jeta)

Poezitë e Fatos Arapit  janë ese të ngjeshura intelektuale.Nuk mjafton vetëm t’i lexosh, po para së gjithash duhet t’i përjetosh, të përsiatësh gjatë leximit. Sepse të kuptosh poezinë e Fatos Arapit duhet të kesh një përgatitje intelektuale. Sepse çdo poezi mund të jetë si një fillim i shqyrtimeve të mëtejshme ekzistenciale, morale, filozofike. Zatën poezitë e këtilla i lexojnë dhe i vlerësojnë njerëzit me një ndjeshmëri të thellë, që kanë një përvojë të madhe,me një bagazh përjetimesh , duke gjurmuar nëntekstet e fjalëve, që nuk pajtohen me botën e prapët dhe realitetin brutal dhe tragjik, e njëherazi duke ruajtur distancën kundruall ngjarjeve dhe qetësinë ndaj fjalëve, të cilat ata i plagojnë…Ndaj, të gjithë duke nxituar brigjeve të detit – antik dhe bashkëkohës.

Artistët …” Poetët shpejtojnë përherë për diku” me besim dhe shpresë, se liria është pranë e pranë.

 Po,  liria nuk dhurohet, por fitohet. Me gjak.

* Andrzej Zaniewski – poet, prozator dhe kritik i njohur polak në botë.

(Parathënie e librit me poezi të zgjedhura: “Dajcie mie imie” (Më jepni një emër) i poetit tonë të mirënjohur Fatos Arapi.Librin e përkthyen nga gjuha shqipe në gjuhën polake Mazllum Saneja & Eva Smietanska. Librin e botoi Shtëpia e njohur Botuese ‘Komograf’, Varshavë, tetor 2013. ( Përktheu nga polonishtja:MAZLLUM  SANEJA )

Filed Under: Kulture Tagged With: Andrzej Zanieewski, Emra te shkembijve, Fatos Arapi, qe shkelqejne

MERGIMI I POETIT HALIL QENDRO OSE RRËZIM I RRAPIT TË PROGONATIT

September 25, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/

Është ndarë nga jeta poeti dhe shkrimtari Halil Qëndro.Ikja e poetit kurveleshas ka hidhëruar miqtë  etij poet dhe lexues.Ata e krahasojnë ikjen etij me rrëzimin  errapit shekullor në qëndër të katundit Preogonat,Tepelenë.

Kush ishte poeti Halil Qëndro?

Halil Qendro – Poet, autor librash. Lindi në Progonat, më 1936. Mbaroi të mesmen në shkollën ushtarake “Skënderbej”. U diplomua pranë Universitetit të Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi. Ka punuar gazetar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Për qëndrimet e tij kritike ndaj skemës së Realizmit Socialist u internua për 22 vjet, duke iu hequr edhe e drejta e botimit. Ka botuar në poezi e prozë.Botime në poezi: “Dashuri e shqetësuar”, “Këngët e Progonatit”, “Loti i diellit”, “Hemorragji”, “Endacaku i shpresës”, “Jam tepër i lodhur”, “Ezopi në gjyq”;Botimet në prozë: “Si në balada” (tregime e novela), “Rrëfimet e pasmesnatës” (tregime e novela), “Pasqyrë pas shpine” (roman), “Dimra të Shqipërisë në dy kohë” (roman).Si e vlerësojnë miqtë e tij?

Myrteza Mara :Ndarja nga jeta e intelektualit te shquar, e njeriut te mire, te urte e te mencem, e poetit dhe shkrimtarit, e patriotit dhe veprimtarit te shquar Halil Qendro eshte me shume se dhembje, eshte humbje e vertet. Ai diti aq bukur te buzeqeshte edhe kur i erresuan diellin, edhe kur i mohuan ajrin. Edhe kur i vrane fjalen ai diti te flas me heshtjen e tij sepse ishte mbi te gjitha NJERI! Halil Qendro la pas jo vetem krijimtarine e tij ne fushen e letersise dje publicistikes, por dhe emrin e tij te lare me driten e diellit. Kam patur fatin dhe nderin ta njoh nga afer, te lexoj edhe nje pjese te krijimeve te tije dhe kurr nuk me hiqet nga mendja nje varg tek vellimi “Loti i Diellit”: “Me lehte nga te gjithe vritet poeti” Veprimtar shoqëror, kryetar i parë i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” zgjedhur nga Kuvendi i Parë i saj, në qershor 1998. Klubi i Shkrimtareve “Petro Marko” Vlore mer pjese ne kete hidherim dhe i dergon ngushellimet me te sinqerta familjes dhe te afermeve te tij!

Sejmen Gjokoli:Ej, po ç’po bëhet kështu…Po na ikin një nga një burrat e Labërisë, poetët e gojëtarët e shquar të viseve labe.

U këput dhe një rrap apo shkëmb Progonati, që bënte hije dhe kur hijen ja zinin…që këndonte e ligjëronte dhe kur grykën donin tja prisnin.

Na miqësoi puna e përbashkët në Shoqatën “Labëria” kur e patëm në krye por më parë na kishte miqësuar vargu i këngëve të tij botuar në disa vëllime.

Për mua një humbje e madhe e letrave shqipe, e Progonatit me “ vulë” , por edhe e Kurveleshit e Labërisë të tërë…

Lamtumirë i dashur Poet, i shtrenjti njeri, i palodhuri veprimtar i Labërisë, i miri Halil Qendro !

Të ndriftë kujtimi si pena e vargu yt i përflakur !

 Poezi nga Halil Qëndro

Anijet e mërgimit

S’mjaftojnë as anijet e botës

të bartin mërgimin tënd,

gulçojnë të fundosen nën mbipeshën e dhimbjes,

detet e tu

shkretëtira shresash,

ujënaja të kripura lotësh.

Po ti vetë fatin tënd të verbër e zgjodhe,

mezi ruaje zjarrin e paktë te vatra,

e kyçur në marrëzi të vetmisë

i kanoseshe botës me një gur hobeje,

tundje një çokane ogiçi dhe ngjirreshe

e tani e tëra në një det të trazuar,

të presin bankina të lakuriqta

dhe brigje me fenerë të shuar,

shpresëpashuara ime e cfilituar,

Shqipëri !

1991

________________________________________

Halil Qëndro

Pranvera e këtij viti

Si na zuri kaq befasishtë këtë vit pranvera !

Lulet dhe zogjtë kaq pranë

dhe s’i vëmë re as ngjyrat, as këngët,

jemi harruar pas bisedave të nxehta për pluralizmin,

të mbledhur rreth sofrës së varfër vëllezërit

si s’vendosën mes tavolinës një buqetë me lule

për të kujtuar Pranverën dhe fytyrën e Nënë.

Si na zuri kaq befasisht këtë vit pranvera !

I kanë humbur mes tyre kufijtë

lulet dhe plagët,

udhëkryqi dhe shtegu i dritës,

a diçka që s’di si ta them se është tej kufirit të fjalëve,

a diçka që s’di si ta shpreh

se është tej kufirit të dashurisë e urrejtjes.

 

Si na zuri kaq befasisht këtë vit pranvera !

1991

Filed Under: Kulture Tagged With: dielli, Gezim Llojdia, Halil Qendro

Kronike nga darka me Presidentin e Republikes se Shqiperise, z.Bujar Nishani ne Troy-Michigan

September 25, 2013 by dgreca

Presidenti i Republikes se Shqiperise, Z. Bujar Nishani vizitoi komunitetin shqiptar ne Detroit ne datat 22 dhe 23 Shtator 2013. Gjate kesaj vizite u krye edhe dekorimi i kater institucioneve fetare te Michiganit me medaljen e larte “Nderi i Kombit”, propozuar nga Dega e Vatres Michigan, qe para nje viti. Institucionet te cilat u nderuan me kete dekorate te larte ishin: Teqeja Bektashiane e Baba Rexheb-it ne Taylor Michigan, Kisha e Shen Palit ne Rochester Hills, Qendra Islamike Shqiptare ne Harper Woods dhe Kisha Zoja Pajtore ne Southfield.Ne darken solemne organizuar nga Dega  e Vatres Michigan ne bashkepunim me bashkesite fetare, posaçerisht per kete rast ne hotel “Marriot”,  ne qytetin e Troy-t ne Michigan, ishin te ftuar edhe politikane si: Perfaqesuesi i Shtetit te Michigan-it ne Kongresin Amerikan, z. Gary Peters, Kryetaret e bashkive te qyteteve: Sterling Heights, Rochester Hills, Southfield si dhe administratori i qytetit Shelby Township, perkatesisht:  Bryan Barnett, Mayor i Rochester Hills,Richard Notte, Mayor i Sterling HTS, Rick Stratakis, Supervisor i Shelby Twp, Brenda Lawrence, Mayor e Southfield

Darka solemne per dhenien e dekoratave/

Ceremonia filloi ne oren 9:00 PM ne nje salle te dekoruar me shije ku spikasnin ngjyrat kuq e zi te flamurit kombetar. Pas hyrjes se presidentit Nishani i shoqeruar nga zonja e pare dhe ne mes te duartrokitjeve te qindra te pranishmeve, te ftuarit perjetuan me emocion te veçcante dy hymnet kombetare te SHBA-ve dhe Shqiperise te interpretuara me mjeshteri nga sopranoja Ermelinda Paparisto.Me pas, moderatori i darkes, z. Nevrus Nazarko iu drejtua President Nishanit me fjalen e meposhtme:Z. President, ju urojme mireseardhjen ne mesin e komunitetit Shqiptar ne Detroit dhe njekohesisht ju falenderojme per vleresimin Tuaj per kontributet e ketij komuniteti, ne mbeshtetje te çeshtjes shqiptare qe e ka zanafillen qysh pas luftes se Pare Boterore me perfaqesuesit e saj ne Federaten Panshqiptare Vatra e deri ne ditet e sotme. Z. President, komuniteti shqiptar ne Detroit eshte nje komunitet solid dhe qe gjithmone ka vene çeshtjen shqiptare mbi çdo interes te çastit, apo mosmarreveshje sporadike, ndaj eshte nder per ne qe t’ju kemi sot ne mesin tone dhe te jemi pjesemarres ne kete ceremoni Tuajen ne mirenjohje te ketyre kontributeve.Me pas z. Nazarko ia dha fjalen per te pershendetur Kongresmenit dhe kandidatit per ne Senatin Amerikan, z. Gary Peters, i cili falenderoi Presidentin per viziten dhe theksoi lidhjet mjaft te ngushta qe egzistojne midis Shqiperise dhe Shteteve te Bashkuara te Amerikes. Gjithashtu, z. Peters si anetar i kaukusit te Shqiperise ne kongresin Amerikan, theksoi mbeshtetjen e tij per proceset demokratike ne Shqiperi dhe falenderoi komunitetin shqiptar te Michigan-it per dinamizmin e tij dhe mbeshtetjen qe ky i fundit jep ne jeten politiko sociale te shtetit.

Ne pershendetjen e tij konsulli i nderit te Shqiperise ne Michigan, z. Ekrem Bardha falenderoi Presidentin per viziten dhe theksoi kontributin e paçmueshem te diaspores ne ngjarjet madhore te kombit tone qysh nga lufta e pare boterore, permbysja e diktatures ne Shqiperi dhe se fundmi Pavaresia e Kosoves.

Kreret e komuniteteve fetare, te cilet moren pjese ne kete ceremoni dekorimi ishin:  Udheheqesi shpirteror i kishes se Shen Palit, Dom Fran Kola, udheheqesi shpirteror i Qendres Islamike ne Detroit Imam Shuaip Gerguri,  i Kishes Ortodokse Father Dimitrie Vincent,  i kishes Zoja Pajtore Dom Ndue Gjergji , dhe ne emer te Teqese Bektashiane dhe te Baba Arshiut, Dervish Eliton Pashaj.

Ne fjalen e tyre, te gjithe kreret e komuniteteve fetare falenderuan Presidentin per nderin e madh dhe vlersimin qe po ju behet institucioneve te cilat drejtojne dhe theksuan historikun e mardhenieve shume te mira nder-fetare te ketyre komuniteteve. Po ashtu, ata vleresuan edhe nevojen e vazhdimit te kesaj tradite te mrekullueshme, e cila karakterizon gjithe kombin tone.

Presidenti Nishani ne fjalen e , mes te tjerash tha: “Shqiptarët, të bashkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe shqiptarët në Detroit si pjesë e saj, kanë shfrytëzuar maksimalisht hapësirat e lirisë së pafund dhe shpirtin Uillsionian të kombit të madh amerikan, për të mbështetur aspiratat liridashëse të shqiptarëve dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje. Dora e fortë e diasporës dinamike shqiptare të Amerikës është ndjerë në të gjitha ngjarjet me përmasa historike, si: mëvetësimi i Republikës së Shqipërisë, Pavarësia e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe çdo përpjekje e shqiptarëve për avancimin e të drejtave të tyre dhe zgjerimin e hapësirës demokratike, kudo ku ata jetojnë…”

Pas dhenies se dekoratave “Nderi i Kombit”  nga Presidenti per kater institucionet e lart permendura, te pranishmit kaluan çaste te bukura ne darken e shtruar me kete rast. Te pranishmit perjetuan çaste emocionuese kur president Nishani, duke “shkelur” paksa protokollin e paralajmeruar, shkoi ne çdo tavoline dhe shterngoi duart me te gjithe pjesemarresit nje e nga nje. Ne kete rast nuk munguan edhe fotografi te çastit, te cilat kane kryer tashme “paraden” e rradhes ne faqet e facebook. I gjithe aktiviteti u pasqyrua edhe nga dy televizionet lokale ne Michigan, Televizioni i Shqipetareve te Amerikes me pronar z. Gani Vila dhe Albanian Community Television me pronar z. Armando Shtiza

Koressp. i “Kuvendit”

Filed Under: Featured

DASVIDANJA MARRËDHËNJEVE RUSO-AMERIKANE?

September 25, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Luftën e filloi i pari presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me botimin e një artikulli në gazetën amerikane Nju Jork Tajms për të argumentuar qendrimin e tij  kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri dhe duke kritikuar Presidentin  e Shteteve të Bashkuara Barak Obama, i cili ka përkrahur një ndërhyrje të tillë pas përdorimit të armëve kimike kundër popullësisë civile të pafajshme, ku kanë mbetur të vrarë qindra gra e fëmijë.

Në mendë të tij këjo ishte një përpjekje e diplomacisë publike për të bindur lexuesin për pikëpamjet e tija se pse bota nuk duhej të ndërhynte në Siri, por në të vërtetë  shkrimi i Putinit është një hipokrizi  dhe i turpshëm në ekstrem.  Dikatori sirian Assad e di mirë se aleati i tij i ngushtë,  Putini do ta përkrahë atë me çdo kusht nga ndërhyrjet ushtarake ndërkombëtare, dhe për më tepër, se Rusia e Putinit  –megjithë vrasjet që kanë arritur mbi 100.000-veta – do ta furnizojë atë me armë të rënda dhe të lehta, të cilat ai nuk hesiton t’i përdori kundër popullësisë së vet civile.

Përveç kritikave që bëri kundër politikës amerikane në Siri dhe në përgjithësi kundër politikës së jashtëme dhe ushtarake të Uashingtonit, në artikullin e tij udhëheqsi rus kritikoi deklaratën e Presidentit Obama se Amerika është e “veçantë’’ dhe si e tillë, sipas tij, duhet  t’u vijë në ndihmë dhe të mbrojë viktimat e pafajshme në Siri.  Këjo kritikë u bë ndërkohë që Rusia ka bllokuar tri herë, duke përdorur veton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezolutat që kishin për qëllim të detyronin  presidentin sirian Assad t’i jepte fund dhunës dhe të dorëzonte armët kimike.

S’do mendë se artikulli i Vladimir Putinit në Nju Jork Tajms shkaktoi reagime të ashpëra në Amerikë, sidomos në Kongresin amerikan.  Reagimi më i ashpër erdhi nga njëri prej ligjvensve më kritikë të Kremlinit, Senatori republikan dhe ish-kandidati për president i kësaj partie, Xhon Mëkejnë.  Në një artikull  që u botua në Rusi, në përgjigje të shkrimit të Putinit, Senatori Mëkejnë e quan udhëheqsin rus, “një tiran në vendin e tij dhe mik i tiranëve jashtë vendit…si dhe armik i të shtypurve dhe i pabesueshëm nga vendet të cilat përpiqen të ndërtojnë një botë më të sigurtë, më në paqë dhe me begati.”

Në artikullin  e tij të ashpër, Senatori  veteran amerikan u drejtohet rusëve duke u thënë se sundimtari i tyre është, “i korruptuar, shtypës dhe përdhunues”.  Senatori Mekëjnë, i cili historikisht ka qenë shumë kritik ndaj politikës së mbrendëshme dhe të jashtëme të Rusisë, e ngarkoi Putinin me akuza të rënda, ndër të tjera, për shkelje të të drejtave të njeriut, për vjedhjen e votave  në zgjedhjet  dhe për përkrahjen e miqëve të tij politikë dhe njëkohsisht dënoi ashpër politikën e jashtëme të Rusisë së Vladimir Putinit.   Në shkrimin e tij, Senatori Mekëjnë kritikoi bllokimin rus të rezolutave mbi Sirinë në Këshillinin e Sigurimit  të OKB-së  duke  e cilësuar Putinin si një udhëheqës që, “përkrah  një regjim që është duke vrarë me dhjetëra mijëra veta nga radhët e popullit të vet, vetëm e vetëm, për objektivin për të qëndruar në pushtet.”  Ai kritikoi ashpër  Rusinë se jo vetëm që nuk po merr asnjë masë për të mbrojtur  të pafajshmit, por edhe për faktin se Moska refuzon madje edhe të dënojë me fjalë maskarat  që po ndodhin në Siri.   Senatori amerikan, vazhdoi artikullin e tij në përgjigje  të  shkrimit  të udhëheqsit rus, duke u thënë rusëve se Putini dhe bashkpuntorët e tij, “Dënojnë dhe hakmerren ndaj kundërshtarëve politikë duke i burgosur ata.  Ata vjedhin votuan tuaj. Ata kontrollojnë mediat tuaja. Ata kërcënojnë dhe mbyllin organizatat të cilat përpiqen të mbrojnë të drejtat tuaja për vet-qeverisje.”

Senatori Mekejnë u drejtohet rusëve duke thënë gjithashtu se, udhëheqsit  e tyre me në krye Putinin, “Po përjetësojnë pushtetin e vet duke mbështetur përhapjen e korrupsionit të pafrenuar në sistemin tuaj gjyqësor dhe në ekonominë tuaj, ndërkohë që ata terrorizojnë,  e madje edhe vrasin gazetarët të cilët përpiqen të demaskojnë korrupsionin e regjimit.”    Udhëheqsit  e Kremlinit, u tha rusëve Senatori Xhon Mekejnë, “nuk respektojnë dinjitetin tuaj as nuk pranojnë autoritetin tuaj si sovrani mbi ta.”  Duke iu përgjigjur akuzave se ai është anti-rus, Senatori Mekëjnë tha se ai nuk është anti-rus, përkundrazi shtoi ai, “Unë jamë më pro-rus se regjimi që u keq qeverisë ju.”

Përveç Senatorit Mekejnë dhe ligjvensve të tjerë amerikanë nga të dy partitë kryesore,  artikulli i udhëheqsit rus, Vladimir Putin u kritikua, ndër të tjerë edhe nga organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch, për hipokrizinë që përmban, si dhe për ato që nuk i thotë Putini në artikullin e tij.    Anna Neistat, bashkputore e kësaj organizate thekson  se udhëheqsi rus në artikullin e tij  nuk përmendë krimet dhe masakrat e tmershme që kanë ndodhur në Siri, të dokumentuara nga Kombet e Bashkuara dhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si edhe nga një mori gazetarësh nga mbarë bota.  Ajo thotë se Putini nuk flet as për dërgimin e vazhdueshëm të armëve ruse regjimit të Asadit gjatë dy tre vjetëve të fundit.  Ana Neistat shkruan se thirrja e Putinit për të përdorur Këshillin e Sigurimit të OKB-së si mjet për zgjidhjen e krizës, në sipërfaqe mund të duket si jë kërkesë e arsyeshme, por jo për ata që e dinë se Rusia tanimë  ka përdorur tre herë veton në këtë organ ndërkombëtar, duke bllokuar rezolutat që mund t’i sillnin sadopak ndihmë  popullësisë civile të Sirisë ose të mbanin përgjegjës të gjithë  aktorët e krimeve kundër civilëve të pafajshëm. Ndërsa,  thotë ajo, Putini fajëson  opozitën pa paraqitur asnjë provë, për sulmin kimik të 21 gushtit,  Rusia kundërshton ashpër që Siria t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare, gjë që është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar me qëllim  për të hetuar krimet e të gjitha palëve në konfliktin në atë vend.

Marrëdhënjet ruso-amerikane  kanë rënë në pikën më të ulët të zhvillimit të tyre ç’rej luftës së ftohët.  S’do mendë se këjo gjëndje nuk është e favorshme as për marrëdhënjet amerikano-ruse, dhe as për marrëdhënjet ndërkombëtare.  Pa marrë parasyshë se çfarë shkruan udhëheqsi rus në Nju Jork Tajms  — në përpjekje për të bindur amerikanët dhe botën se politika e tij është paqësore — është e qartë se Vladimir Putin  vazhdon të jetë pengesa kryesore në përpjekjet ndërkombëtare, amerikane dhe europiane, për të sjellur sadopak ndihmë për viktimat e pafajshme civile në Siri.

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dasvidanja, Frank shkreli, marrdheniet ruso-turko

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT