• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

Bilbilat e Gjuhës Shqipe në Diasporë

September 22, 2013 by dgreca

Nga Kozeta Zylo/

Me një ditë të bukur plot diell dhe cicërima zogjsh në pemë ku dëgjohej një fëshfërimë e lehtë gjethesh pranë xhamave të dritareve filloi dita e parë e shkollës shqipe në Staten Island të lejuara nga Bordi i edukimit të shtetit të Nju Jorkut.  Në mjediset plot komoditet të një shkolle amerikane të cilët kanë vite që na e kanë vëne në dispozicion të mësimit të gjuhës shqipe erdhën fëmijë, prindër dhe mësues të gëzuar.  Nxënësit e vjetër grupe-grupe takoheshin dhe përqafoheshin me njeri-tjetrin, ndërsa të rinjtë shihnin plot kurreshtje përreth.

Sa shumë janë prej tyre që mezi e presin mësimin e abetares dhe të gjuhës shqipe, edhe pse në komunikim me ta ka shumë vështirësi për të folur lirshëm shqip.  Disa prej tyre kishin shkuar me pushime gjatë verës në Shqipëri dhe ata jo vetëm që kishin përmirësime, por dhe ndihej që ishin ngarkuar me një barrë këshillash nga gjyshërit e tyre.  Ja tha Edia një nxënëse e bukur me prindër nga Dibra se: mua nëna gjithmonë më thotë që unë nuk të kuptoj anglisht duhet të flasim shqip.  Po kështu dhe Fitimi një djalë tjetër plot talent më thotë se ne prindërit dhe gjyshërit në shtepi nuk na lejojnë të flasim gjuhë tjetër vetëm shqip.  Ndërsa nxënësja e re Aurora me sy gjithë dritë që u regjistrua sivjet për herë të parë kishte ardhur me vëllain Aronin dhe me gjyshen përdore.  Gjyshja e vet fisnike më tha se Aurora mezi po priste të vinte sot në shkollë dhe ndjehej shumë e gëzuar se sa shumë do ta lumturonte ajo drejtorin e shkollës, njëherazi dhe miku i babait të vet.   Të rriturit si Brian, Oresti, Marvi, Aroni, Aduson, Irsa, Andri, Rafaeli, Elio, Davit, Almira, Elsa, Edon etj…po tregonin herë në shqip dhe herë në anglisht se si kishin kaluar pushimet e verës dhe njëkohësisht mbresat gjatë dy javëve në shkollën amerikane.             Nxënëset më të vogla në moshë duke filluar me Dean, Vivian etj herë pas here vizatonin ndonjë lule në dërrasë ose ngjyrosnin në fletoret e tyre përkatëse dhe kur i mbaronin kishin mjaft dëshirë t’i shikonin punët e tyre.  Ndërsa Ari një djalë i vogël simpatik i cili u regjistrua për herë të parë kishte dëshirë të rrinte më shumë me gjyshen dhe të ndjente ndihmën e saj.

Hapja e shkollës shqipe filloi me dy himnet kombëtare shqiptar dhe atë amerikan.  Programin e shkollës Shqipe e ka prezantuar Dr.Valbona Watkins, profesore në universitet dhe drejtore e programeve të shkollave shqipe.  Paraqitja e programit të pasur ku përfshihen dhe aktivitete kulturore për të ruajtur traditën shqiptare u mirëprit me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit.

Nxënësit, mësuesit dhe prindërit i ka uruar sopranoja e shquar shqiptare Lindita Mezini Lole njëkohësisht mësuese e muzikës në Nju Xhersi e cila së bashku me pianistin e talentuar, prof.Petrika Melo kanë dhënë një kontribut tepër të vyer në shkollat shqipe.  Ndërsa z.Qemal Zylo themeluesi i shkollave dhe president i TV Alba Life iu ka uruar gjithë nxënësve mirëseardhjen dhe ndërkohë ka prezantuar mënyrën e organizimit të shkollave shqipe në Staten Island, Brooklyn dhe më gjerë.  Z.Zylo vlerësoi punën e palodhur të mësueseve që do të japin mësim këtë vit si: Valbona Kostrista, Ornela Melo, Dita Kacubaj, Mimoza Salillari dhe mësueses më të re në punë znj.Liza Pëllumbi të cilat janë dipllomuar në Shqipëri si mësuese dhe disa prej tyre janë në proces për konvertimin e diplomës së tyre nga Bordi i edukimit të Nju Jorkut.  Eshtë tejet emocionante të ndodhesh pranë nxënësve, është ngazellyese t’i shikosh me abetaret shqip përpara duarve të tyre, por ndërkohë nuk ke se si të mos mendosh se sa shumë punë kemi për të bërë përpara.  Kjo për vetë faktin se ka shumë fëmijë në Diasporë që asimilohen, nuk flasin fare shqip .  Dhe kjo duhet të jetë problem i ditës për qeveritë shqiptare dhe të Kosovës, për gjithë organizatat në Diasporë, duke i lënë pritjet dhe përcjelljet plot bujë që ju bëhen qeveritarëve, por ato pritje të kthehen në punë, të kthehen në ndihmë për shkollat shqipe.  Do të dëshiroja të shikoja një qeveritar, nje kryeministër, një president, të ulej pranë bankave të shkollës, apo të merrte shkumësin në dërrasë dhe t’ju shkruante fëmijëve shkronjat shqipe, ashtu siç ka bërë senatori amerikan Golden i cili do të ngelet gjatë në kujtesën e nxënësve.  Do të dëshiroja që një ditë të inagurohej një godinë e shkollës shqipe ku të mësohej çdo ditë rregullisht shqip ashtu siç i kanë shumë komunitete të fuqishme në Diasporë, si hebrenjtë, rusët, kinezët, grekët, ndërsa ne na shkoi jeta me qera në shumë fusha kryesore.

Kjo gjuhë e Shqipërisë që është dhe gjuhë e Perëndisë siç thotë Naim Frashëri do një bashkëpunim dhe vëmendje tejet të posacme për t’i thënë: Stop asimilimit të Gjuhës Shqipe!  Me sa duket atë do ta bëjnë vetëm Bilbilat e Gjuhës Shqipe në Diasporë.

21 shtator, 2013

Staten Island, New York

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: bilbilat e gjuhes, Kozeta Zylo, shqipe

Në Ditën Ndërkombët​are të Paqes

September 22, 2013 by dgreca

Nga Kozeta Zavalani/

Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, e cila festohet në të gjithë botën nën moton “Edukimi për Paqen”,  Federata e Familjes për Paqe Botërore  në kuadër të projektit në ndihmë të arsimit për fëmijët jetimë, në Hotel Tirana International shpërndau mjete mësimore falas për 100 fëmijë në nevojë, që fillojnë vitin e ri shkollor 2013-2014. Merrte pjesë edhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Znj.Lindita Nikolla, njëkohësisht edhe Ambasadore për Paqen. Ky projekt është ndërmarrë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar për Integrimin e Fëmijëve Jetimë që ka identifikuar fëmijët që përfituan nga kjo iniciativë. FFPBB Shqipëri përmbylli kështu projektin veror, gjatë të cilit një grup prej 7 vullnetarësh udhëtuan nëpër disa qytete të Shqipërisë, për të mbledhur fonde për këtë qëllim për fëmijë të moshave 6-15 vjec, që u mungojnë njëri nga prindërit ose të dy. Gjithashtu pjesë e përfituesve ishin edhe 40 fëmijë të ngujuar për shkak të gjakmarrjes në qarkun e Shkodrës.Në fjalën e saj Ministrja e Arsimit dhe Sportit midis të tjerash theksoi:”Vullnetarizmi është një akt human që promovon mirësinë dhe përmirëson cilësinë e jetës tonë, duke treguar standarte të larta të emancipimit qytetar dhe kulturor për shoqërinë. Unë personalisht jo vetëm qe e çmoj, por dhe e promovoj, që ai të shtrihet në mënyrë kapilare brenda vlerave tona si popull.

Ju sot me të drejtë përcillni mesazhin për më shumë vëmendje e mbështetje për fëmijët jetimë, fëmijët në nevojë e për ata fëmijë që për shkak të fenomenit absurd të gjakmarrjes janë të detyruar të ngujohen në shtëpitë dhe kullat e tyre prej frikës së gjakmarrësit. Këtyre fëmijëve u është privuar e drejta e tyre hyjnore për të jetuar të lire. Prandaj ne jemi të angazhuar, të mos lejojmë që ky fenomen, të shkatërrojë pa të drejtë jetën e pafajshme të brezave tanë.

Sfidat që gjenden përpara nesh janë të shumta dhe të panumërta dhe për këtë nevojitet dhe ndihma juaj, që ne sëbashku të ngremë themelet e një shoqërie të shëndoshë dhe të sigurtë si kriter zhvillimi për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

Si Ministre e Arsimit dhe Sportit do të ofroj gjithë ndihmesën dhe asistencën e duhur, për të mundësuar shkollimin cilësor të këtyre fëmijëve (jetim, të ngujuar dhe në nevojë), pasi e drejta për te zgjeruar dhe zhvilluar kapacitetin e tyre kulturor dhe intelektual, është një e drejte universale.

Misioni juaj fisnik, sëbashku me ndihmën dhe detyrimin tonë ndaj jush, duhet të jetë qëllim në vetvete, për të promovuar vlerat tona humane, për të ndihmuar këdo që është në nevojë. Ne duhet të sigurohemi, që gjeneratat

dhe brezat tanë të rinj, mos të jenë më viktima e asaj pjese të së shkuarës sonë që nuk i ka hije vendit dhe kombit tonë.”

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Kozeta Zavalani, ne Ditene Paqes

Ëndrrat e parealizuara

September 22, 2013 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

Sot po afrohem te tetëdhjetat. Flokët janë zbardhur. Protezat kanë zëvendësuar dhëmbët.  Hedh vështrimin larg, shumë larg, në rininë time. Ishin vite të vështira. Nuk e di nëse mund ta quash rini atë tonën. Rini e rritur nën hijen e pleqërisë. Mjegulla e kohës që sundonte në vend, e kishte mbuluar. Donim të studjonim, por nuk na linin për të studjuar. Donim të punonim, por nuk na linin për të punuar. Donim të jetonim, por nuk na linin as për të jetuar. Këto mund t’ju duken si mendime abstrakte por, në atë kohë, jetohej në një botë abstrakte

Jetoja në botën e ëndrrave. Vetëm ëndrrat nuk mund të m’i ndalonte njeri. Mbi të gjitha, ëndrra më e bukur, ishte ajo për një botë më të mirë. Kjo ishte ëndrra e fëminisë time. Por edhe këtë ma ndërprenë. Shpata e Damokleut ma ndërpreu në mes. Më përplasën në rrethin e nëntë të ferrit, ku mbizotëronin tri gojët e Luçiferit. E përse do të thoni ju? Do t’ju duket e pabesueshme, por vetëm e vetëm sepse shkruaja nëpër mure: “Rroftë Shqipëria?”

Kështu filluan për mua, aventurat e tmerrshme të Sigurimit të Shtetit, burgut të Vlorës, kampeve të punës së detyruar të Urës Vajgurore, Vlashukut, Shtyllasit dhe Bulqizës. Ëndërroja të studioja dhe të dilja jurist, inxhinier, mjek, artist apo shkrimtar. Por kjo ëndërr nuk u realizua. Mbarova shkollën e vuajtjeve, shkollën e urisë, shkollën e torturave. Megjithatë pata fatin që mbeta njeri dhe kjo për hir të atyre burrave të shquar që munda të takoj në atë skëterrë, që më hodhën dorën dhe nuk më lanë të bija në greminë. Ata u bënë për mua prind, mik edhe shokë.  Ata u bënë mësuesit e mi.

Së fundi u ktheva përsëri në gjirin e familjes.Kisha një dëshirë. Kisha një ëndërr. Të shkruaja poezi, tregime dhe romane. Por druhesha se a do të më botoheshin vallë? Viti 1957. Vazhdoja vitin e parë të gjimnazit të mbrëmjes. Ora e hartimit. Profesor Milo Duni na dha temën. Ishte një temë e lirë mbi fillimin e vitit të ri shkollor. Shkruajta një prozë poetike të titulluar: “Dalçë faqebardhë!”

Erdhi ora e korigjimit të hartimeve. Mora fletoren dhe vura re se profesori i nderuar nuk kishte vënë notë. Në vend të saj kishte shkruar me laps blu:

 

Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime…

 

Ndërsa më poshtë vazhdonte me laps të kuq, të vendosur në thonjëza:

 

“Po të kesh kohë të lirë”.

 

I nxitur nga ky shënim shkruajta një tregim mbi jetën e një jetimi, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e luftës, Në fund të tregimit, jetimi gjendet i vdekur në mes të një pylli. E dërgova për botim në një gazetë letrare të kohës. Prita përgjigjen, por ajo nuk erdhi kurrë. Atëherë u binda se për mua do të mbeteshin të mbyllura për gjithnjë dyert e botimit. Edhe kjo ëndërr e imja mbeti e parealizuar.Vendosa të mos shkruaja më. Nuk e di, nëse bëra mirë apo keq, por kështu e mendova. U mbylla në veten time.  U bëra njeri i heshtur që vetëm ëndërronte. Sikur të jetonte Erih Maria Remarku do të më kishte quajtur “ I fundmi i romantikëve”, si heroin e romanit të tij.

Vitet kaluan. Kuçedra ra së fundi nga piedestali ku qëndronte prej  vitesh.  Një  botë  e  re

filloi të lulëzonte. Mendova se kishte ardhur koha që të filloja përsëri karrierën time letrare. Ishin ditët e eksodeve të mëdha të vitit 1991. Flitej për të vrarë dhe shkrehje armësh. Flitej për të plagosur, madje edhe për të humbur. Vetëm televizioni shtetëror heshte.  Shkruajta një artikull me këtë temë që e titullova “Quo vadis R.T.SH.?” E dërgova për botim në të vetmen gazetë të djathtë që botohej atëherë. Kësaj here përgjigja erdhi negative. Kryeredaktori më njoftonte se nuk mund ta botonte pasi, gjoja, nuk mund të bënte polemikë me televizionin dhe se për eksodin na paskëshin qenë shkruar mjaft deri atëherë. Në të vërteë, për këto tema, gazeta vazhdoi të shkruante edhe për shumë kohë. Madje, edhe sot, vazhdohet të shkruhet.

Një gjë e tillë më habiti jashtë mase. Nuk i jepja dot shpjegim. Fillova të mendoj me veten time:

– Mirë deri dje që nuk na lejonin, pasi i përkisnim kampit kundërshtar, po sot, në demokraci, ende do të vazhdojë çensura e shtypit?

Megjithatë, kësaj here, nuk veprova si disa vite më parë. Fillova përsëri të shkruaj dhe t’i botojë nëpër organe të ndryshme të shtypit, madje edhe në atë gazetë që ma refuzoi shkrimin e parë. Kam shkruar një mori artikujsh qysh atëherë. Shkruajta edhe një libër me tregime dhe një me kujtimet e fëminisë të cilat i botova me ndihmën e fëmijve të mi. Botova edhe dy romane për të cilat më sponsorizuan dy miq. Tani kam gati për botim një libër me përmbledhjen e publicistikës së viteve 1991-2012, një përmbledhje me poezi modeste dhe dy romane. Gjendja ime financiare është e tillë që nuk kam mundësi të përballojë botimin e tyre. Kisha dëshirë të botoja së pari përmbledhjen publicistike. Kërkova ndihmën e Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, shoqatë në cilën bëj pjesë edhe vetë. Ajo u tregua e gatshme të më ndihmojë.

Me shkresën Nr. 484 protokolli, datë 31.07.2012, shoqata iu  drejtua Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, për sponsorizimin e botimit të librit tim. Pas një periudhe prej dhjetë muajsh, më në fund njoftohem se bordi i kësaj qendre kishte miratuar sponsorizimin e botimit dhe, në mbështetje të këtij vendimi, me shkreësën Nr. 343 protokolli, datë 21.05.2013 lidha kontratën-tip me këtë qendër, që u nënshkrua nga unë dhe Kryetari i Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës. Mora takim edhe me kryetarin dhe sqaruam disa pika të ndryshme të librit në fjalë.

Në pikën “A” të nenit 3 të kontratës thuhet:

 

“ 40% të shumës së akorduar subjekti e përfiton menjëherë me lidhjen  e  kontratës tip.

20% të shumës së akorduar, e  përfiton  pas  realizimit  dhe  përfundimit  të  projektit.

40% të shumës së akorduar e përfiton pas dorëzimit të gjithë dokumentëve  origjinalë                      justifikuese të projektit.

 

Qysh nga ajo datë kanë kaluar gati katër muaj dhe unë nuk kam marrë ende 40% e parë nga qendra. Jam interesuar pranë zyrave të saj por nuk më kanë dhënë asnjë arsye. Kam kërkuar të takojë kryetarin, por deri më sot ka qenë e pamundur. Më datën 16.08.2013 i kam dërguar një letër por, çuditërisht, edhe ai nuk më është përgjigjur. Heshtja e tij më kujtoi një thënie të luftëtarit të madh për të drejtat e njeriut, Doktor Martin Luter Kingut:

 

“Ajo që është më e rrezikshme nuk është vetëm njeriu i keq, por dhe heshtja e njerëzve të mirë.”

 

Është pikërisht kjo heshtje që më vret më tepër. Nuk mund të imagjinoj që një nëpunës i një institucioni demokratik të heshtë përpara kërkesave të qytetarëve, aq më tepër, kur një kërkesë e tillë është bërë nga një shoqatë si ajo e të përndjekurve politikë, shtresës më të përvuajtur nga rregjimi komunist.

Ëndrrat e mia të parealizuara vazhdojnë. Tani, kur kthehem në shtëpi, hap kompjuterin dhe shkruaj diçka. Këto ua dërgoj organeve të shtypit, të cilat e botojnë ose jo, sipas orientimit të tyre. Unë vazhdoj të shkruaj, pamvarësisht nëse botohen ose jo. Fëmijtë e mi, kur të kenë mundësinë, le t’i botojnë. Në të kundërt le të qëndrojnë aty. Koha do të bëjë të vetën. Tani po punoj për një roman të ri.. Kapitujt e tij i lexoj dhe i rilexoj. Më duken si “Kangët e pakëndueme” të Migjenit.

Dhe në ato çaste më kujtohen vargjet e tij:

 

“O kangët që fleni, reliket e mia,

Q’ende s’keni prekun asnji zemën t’huej,

Vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija,

Unë djepi juej, ndoshta vorri juej!”

Filed Under: Kulture Tagged With: endrrat e parealizuara, reshat kripa

Bisede per Marie Logorecin, ikonen e pavdekshme te skenes dhe ekranit shqiptar

September 21, 2013 by dgreca

Intervistë e bashkëpunëtorit të Diellit ne Jacksonville-Florida, Lek Gjoka me të birin e Marie Logorecit, Pjerin Logoreci, qe ndodhet keto dite ne Florida/

Maria lindi në Shkodër më 23 Shtator 1920. I jati Palok Çurçia ishte zejtar kurse e ëma Roza, shtëpiake. Paloka ishte një nga themeluesit e “Shoqërisë punëtore” një shoqëri sindikaliste.  Që në vegjëli Marien e thirrën me përkëdheli Tushi. Ajo ndoqi shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, ne Shkoder, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative.

Në gjimnaz filluan të duken prirjet e para, Maria vizaton bukur, këndon dhe më vonë fillon t’a shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e Besimit. Por kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Ne Arkivin Privat Logoreci ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe në të cilat dëshmojne një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent.

Brenda një kohe të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut. Njohja dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Marien. Të jatit kur i thonin se Tushi është e shkathët si djalë, bisedon me të rriturit këndon dhe i bie mandolinës shumë mirë, ai përgjigjej: – “Po, por nuk është djalë!” …Kujtonte kështu fëmijën e parë, djalin që I kishte vdekur.

Duke shfletuar ne Arkiv fletoren e hartimet e shkollës së kësaj periudhe ndeshim një me titull: “Dje në Tiranë…sot në Shkodër…”

Më 27 të Nandorit shkova në Tiranë me e pritë kremtjen e flamurit. Atje ndeja edhe do dit të tjera me e pa ma mirë kryeqytetin,… – dhe pasi përshkruan bukuritë e Tiranes, vazhdon – Mbasi e njofta mirë, ktheva në Shkodër e u kujtova se më kishte marrë malli për njato pak dit që ndenja atje.

Mandej thashë: dje në Tiranë sot në Shkodër, ma mirë sot se dje, se si i thonë një fjalës: Vendin e huej ta lëvdoshin, por mbrendë mos i shkosh.

Por nuk kaluan as 6 vjet dhe Maria shkoi përgjithmonë në Tiranë. Ajo u largua nga Shkodra në vitin 1937. Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi. Pranë “Miqve të muzikës” kishte ndjekur për pesë vjet mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën. Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhërit të Skënderbeut”. Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit) një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me bisedat e Matisë me Fishtën, Koliqin, Çabejin, Xhuvanin dhe me kujtimet për Luigj Gurakuqin, e Mjedën qe sapo kishte vdekur të cilin Matia e kishte djalë halle.

Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.

Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme.Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.

Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien dhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, duke e ndihmuar që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj. Kështu në Nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor.

Rruga e saj skenike kaloi me perpjekje, por me kënaqësinë, e përmbushjes së pasionit dhe suksesit.Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errta, tek rolet Alisa Lengton, ne “Rrënjët e thella”, Kristina Padera, ne “Komplloti i të dënuarve”, Gertruda, tek “Hamleti”, Fatimja, te “Halili dhe Hajria”.

Bernarda Alba, tek :Shtepia e Bernarda Albes , Lady Milford ne “Intrige e dashuri” Gjela tek “Permbytja e madhe” etj.

Kush e ka parë, nuk u emocionua e nuk fshiu një lot të fshehtë nga interpretimi i Maries në Loken te “Toka jonë”.

Kështu në veprat e Shekspirit, Molierit, Lorkës, Gorkit etj., si dhe në veprat kombëtare të Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës etj.,

Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, :Femijet e saj dhe në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën.

Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj duke mbetur per artdashesin simboli I nenes shqiptare Lokja.

Rolet më të suksesshëm të saj sipas kritikes janë: Xhesi te “Çeshtja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te “Toka jonë”, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, Nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”, Mara te “Përkolgjinajt”, Plaka te “Çatia e të gjithëve”, Nëna te “Cuca e maleve”, Gjela te “Përmbytja e madhe” etj.Marie Logoreci eshte vleresuar disa here per punen e saj artistike. Ajo mban titullin me te larte artistik “Artiste e Popullit”.Perfitova nga rasti qe keto dite Pjerini eshte ketu ne Florida per ta takuar dhe per te bere nje bisede me te ne lidhje me kete pervjetor te Marie Logorecit.

Me 23 shtator eshte 93 vjetoi i lindjes se Marie Logorecit. Si e perjetoni dhe si festonit kur ishte gjalle?

Sigurisht qe nuk eshte nje dite e zakoneshme, zakonisht shkojne disa dite perpara qe ne cdo rast pergatis dicka ne lidhje me Marien qe se bashku me materialet e pergatitur nga gazetaret apo koleget e saj perbejne ate qe po e quaj tufa e luleve ne kujtim te Maries. Fatkeqesisht duhet te them te verteten se mendoj qe tani i kushtojme me teper kohe ditelindjes se saj se sa kur ishte gjalle. Edhe ajo vete nuk i kushtonte shume rendesi. Sigurisht qe shpesh pervec nesh, dmth. familjes vinte edhe ndokush tjeter dhe kaq. Perkundrazi e madhe behej ne ate kohe ditelindja ime.

A mund te na thoni disa fjale per familjen Logoreci, cilet jane njerezit e saj te permendur?

Po them fillimisht se Maria mbiemrin e saj e kishte Çurçia, nje familje qe vazhdon te jetoje ne Shkoder e Tirane, ne Itali, ne Mal te Zi dhe Serbi. Te njohur nga kjo familje jane Arqipeshkvi Luigj Curcia, Gasper Curcia, trombisti dhe drejtuesi i orkestres se muzikes se lehte ne RTV. Ne familjen Logoreci Maria shkoi nuse.  Logorecet kane pasur dhe kane njerez te njohur, Arqipeshkvi Andrea Logoreci,  Mati
Logoreci gjuhetar (nipi I Andreas) Kole Logoreci economist (I biri I Matise), Anton Logoreci gazetar (I nipi I matise), sot eshte Susan Logoreci Ilustratore (stermbesa e Matise)

Cila ishte jeta ne familjen e Maries?

Ka qene nje jete normale e intelektualeve te asaj periudhe, ku kryesisht familja merrej me preokupimet e mbarevajtjes se shfaqeve. Bisedat kryesore ishin gjithashtu te lidhura me artin. Shpesh babai I binte violins kryesisht valseve te Shtrausit. Shume me rralle Maria I binte mandolines. Ajo gjithnje e me teper lexonte, degjonte muzike . Une meqe punoja ne Radio Tirana (ne ate kohe) kujdesesha qe te regjistroja per magnetofonin muziken qe ajo donte, qe ishin vepra klasike simfonike dhe operistike.

Me pak fjale Jeten e Maries shoket e saj e kane percaktuar keshtu. Cohej shpejt ushqente qente, macet, pellumbat, gatuante dhe nisej vone per ne pune. Sander prosi thoshte “Maria niset nga shtepia ne oren 9 dhe do te arrije ne pune ne 9 pa pese”

Mbasditja gjithashtu ishte e ngarkuar edhe kur nuk kishte shfaqe, sepse kishte deshire ti ushqente vete breshkat qe mbante, te lagte lulet, dhe ne fund ulej te lexonte. Autoret e saj te preferuar, ishin Shekspiri, Cehovi, Balzaku, Dostojevski…

A do te kete ndonje organizim me rastin e ketij pervjetori?

Jo, zakonisht organizojme dicka ne pervjetore te plote te lindjes apo edhe te vdekjes. Ky eshte 93 vjetori, keshtuqe do te kete dicka me te madhe me rastin e 95 vjetorit. Ne kete pervjetor mbaron ripunimi I faqes se internetit www.marielogoreci.com, u publikua ne Apple ibook dhe apple iTunes ne 51 shtete libri elektronik Marie Logoreci ne tre gjuhe, anglisht, italisht dhe shqip per perdoruesit e celulareve iphone dhe tableteve te apple. Dhe keto dite po ky liber, gjithmone pa pagese do te publikohet ne google books dhe google play, per celularet dhe tabletet qe perdorin android.

Faleminderit Pjerin

Ju faleminderit Juve Lek!

Filed Under: Kulture Tagged With: Interviste, Lek Gjoka, Marie Logoreci, Pierin Logoreci

VAZHDIMËSI APO NDRYSHIM ?

September 21, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika /

Gjatë pothuaj një viti të fushatës zgjedhore P.S. dhe kryetari i saj shpalosën, në të gjitha shfaqjet e saj, idenë e ndryshimit që do të sendërtohej në jetën e Shqipërisë, mbas vendimit të “sovranit”, të shprehur më 23 qershor 2013.

U deshën më shumë se dyzet ditë që ky vendim të bëhej zyrtar. Kjo qe anomalia e parë e këtij proçesi zgjedhor, për të cilin entuziazmi i politikës, i mediave, madje dhe i të huajve shkoi në qiell, një tregues i hapur i një bindjeje, tashmë të rrënjosur thellë në të gjithë opinionet, se akti i votimeve, veprimi më i thjeshtë, më i natyrshëm e, njëkohësisht, më i rëndësishëm në jetën e një demokracie, në Shqipëri nuk mund të jetë kurrë në kufijtë e së zakonshmes. 23 qershori 2013 duket se, deri diku, e hodhi poshtë këtë postulat, të krijuar në më shumë se dy dhjetëvjeçarë të kalesës, mbasi, fatmirësisht, pala humbëse pranoi përfundimin, mjaft i prekshëm, për të mos lënë shumë shtigje për kundërshtime, ankimime apo shfaqje të tjera të vërtetuara në vitet e shkuara. Megjithatë afati i pritjes së shpalljes së përfundimeve tregon mbrapambetjen e theksuar të administratës dhe legjislacionit shqiptar në mbarështimin e proçesit kyç të jetës demokratike. Si ka mundësi që Vende të tjera, me dhjetra miliona votues, janë në gjëndje që, brënda 12 orëve të shpallin rezultatet, ndërsa ne na duhet një muaj e gjysëm për të numuruar më pak se dy milionë skeda zgjedhore ?

Një tjetër motiv i diskutueshëm është prirja mohuese e politikës shqiptare, për të hapur, realisht, proçesin zgjedhor ndaj shqiptarëve të mërguar. Prej vitesh politika, në të dy krahët e saj, ka spekulluar mbi këtë argument pa e kanalizuar asnjëherë atë në hullinë e një vendimi zyrtar të Kuvendit, që do t’i jepte mundësinë qindra mijra shqiptarëve të mërguar të thonë fjalën e tyre, në përcaktimin e barazpeshave të jetës politike të Atdheut të largët. Është një praktikë e zbatuar në shumë Vende të botës dhe krejtësisht e mundëshme të sendërtohet, pa organizuar karvanë autobuzësh apo makinash nga Greqia, apo premtime të pambajtura për pagesa biletash aeroplanësh nga Italia ose Vëndet e tjera. Nuk dekretohet votimi në qendrat konsullore apo nëpërmjet internetit, nuk dihet se pse…. Është një lloj frike apo mospranimi që i bëhet opinionit të atyre që kanë lënë Shqipërinë duke ruajtur lidhjet me të, sepse ajo i la ata pa asnjë mundësi dinjitoze jetese apo t’ardhmeje, por që, në këta dy dhjetëvjeçarë të kalesës, kanë dhënë një ndihmesë të çmuar, jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për qëndrueshmërinë financiare të vetë Shtetit shqiptar. Ky i fundit, si shpërblim, shfaq mospërfilljen….

Nga përfundimi i zgjedhjeve, deri në formimin e hyrjen në fuqi të Qeverisë së re, kaluan gati tre muaj. Ky është një tjetër paradoks i legjislacionit tonë, nuk di a ka ndonjë rast tjetër të tillë në botë. Në absurditetin e saj kjo gjëndje prodhon ato dukuri si kontrata, dhënie sipërmarrjesh, emërime etj., të cilat sot kundërshtohen fuqishëm e  kërcënohen me pezullime dhe asgjësime, duke vënë në lojë humbje financiare e, akoma më shumë   besueshmërinë dhe seriozitetin e vetë Shtetit dhe përfaqësuesve të tij.

Kryeministri i ri, Edi Rama, në daljet e tij në publik e në skenën ndërkombëtare, ka shpalosur ide e synime që meritojnë vëmëndje. Shumë e dobishme ideja për të vënë në sitën e ndonjë institucioni të njohur ndërkombëtar gjëndjen financiare të Vendit, që ka nevojë për një diagnozë të saktë n’atë drejtim. Vëmëndja ndaj Kosovës e bashkërendimi i veprimtarive të dy qeverive është me shumë interes, nëse do të ketë si synim strategjik jo interesa kastash por ata kombëtarë.

Takimet me përfaqësues të lartë të institucioneve të B.E. e të NATO-s, veç ritualit të zakonshëm të paraqitjes së një qeverie të re , lënë të shpresohet në një tjetër mendësi, që i hap rrugën një shpejtimi të proçesit të integrimit evropian të Shqipërisë, për të cilin duket se ka një prirje të përgjithëshme miratuese. Kryeministri shqiptar vlerësoi zyrtarisht punën e paraardhësve të tij para autoriteteve të Brukselit, duke theksuar edhe shumë detyra të tjera që mbeten për t’u kryer. Nuk i përcolli në tryezën e dëshëruar për të qenë i ftuar, akuzat e ndërsjellta e të pafund që kanë shoqëruar, në gjithë këta vite, përfytyresën e politikës shqiptare. Edhe se është në kuadrin e një etike, do të thosha të domosdoshme në një jetë politike normale, meriton vlerësim  nëse mbajmë parasysh realitetin tonë.

Kryeministri zotohet brënda e jashtë Vendit se do të luftojë me rrënjë korrupsionin, jo thjesht si një kalë beteje të zakonshme, por si një strategji që do t’i sigurojë jetëgjatësi, duke paraqitur ajo dukuri pengesën më të madhe në rrugën e Evropës. Nuk mund të mos jesh i një mëndjeje me të kur ai shpall solemnisht se asnjë zyrë shteti nuk do të bëhet fole prodhuese postesh pune në funksion të interesave vetiake, familiare, të  klanit, të partisë etj. “Shumë e bukur për të qenë e vërtetë” thotë një proverb italian. Sikur të realizohej dhe gjysma e këtij synimi do të ishim të lumtur të konstatonim faktin se kemi bërë një nga kthesat më të rëndësishme në jetën e shoqërisë shqiptare. Por…. ka shumë arsye që bëjnë skeptik edhe optimistin më të zjarrtë të “rilindjes” shqiptare.

Ai mosbesim rrjedh, kryesisht, nga aktorët që do të sendërtojnë këtë “hop” të madh cilësor në Shqipërinë e njëmijë problemeve. Duke mbajtur parasysh faktin e risisë së një pjese të mirë të Qeverisë, që shprehet në moshë e funksione, kursi i ri do të ketë “bekimin” e  rojes së vjetër të trashëgimisë ramiziane, të ngritur në fushën e politikës në vitet e fundit të regjimit e në fillimet e dhjetorit 1991. Çfarë sigurie mund t’i japin këtij kursi të ri drejtues si Gramoz Ruçi, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo e të tjerë si këta ? Vitet e kalesës së pambaruar e të dështuar të sistemit Shqipëri mbajnë vulën e pashlyer të këtij brezi politikanësh që, së bashku me “kundërshtarët” e tyre në PD e kanë monopolizuar në trajta  berluskoniane jetën politike. Jemi i vetmi Vend ish komunist që kemi në drejtimin e Shtetit dhe të politikës të njëjtët njerëz që e përcaktuan atë në 1991. Ky fakt, më shumë se të na bëjë të mendohemi, duhet të na bëjë të skuqemi, sepse provon katërcipërisht paaftësinë tonë për të shkuar përpara, për t’u ripërtërirë politikisht, për të lënë mbas krahëve mallin për socializmin, bëmat dhe idetë e tij, për të pëvehtësuar mendësinë e respektimit të vlerave qytetëruese, që shprehet në forcimin e shtetit ligjor që bëhet pengesë e pakapërcyeshme për ato dukuri që çojnë në paralizat e shoqërisë.

Koha do të tregojë se sa do të jetë në gjëndje ekipi i ri i kryeministrit të vejë në zbatim nevojat e domosdoshme të ripërtëritjes mendësore të politikës shtetërore, se sa do të përfaqësojë ndërrimin brezor, duke e shoqëruar atë me evolucionin e nevojshëm botkuptimor. Sigurisht kthimi në glorifikimin e konferencës së Pezës nuk shkon n’atë drejtim, ashtu siç nuk është një tregues pozitiv fakti që Qeveria merr një vendim të heqë nga zyrat e shtetit portretin e Kryetarit të tij. Edhe duke mbajtur parasysh vlerën e personit, përkatësinë dhe mënyrën e zgjedhjes së tij që, ndoshta për mjaft qytetarë mund të jenë të diskutueshme, nuk do të nguroja t’a quaja atë vendim një shkelje të etikës politike, një veprim të panevojshëm, madje të dëmshëm.

Në shumicën dërmuese të vendeve demokratike portreti i Kryetarit të Shtetit është i pranishëm në të gjitha zyrat qeveritare. Kjo është një praktikë e konsoliduar që mban parasysh çastin real e nuk ka lidhje me të shkuarën dhe historinë.  Ideja për të vënë portretin e firmëtarit të parë të Pavarësisë së Shtetit shqiptar nëpër zyra, në dukje kërkon të ngrejë në piedistal një vlerë madhore historike, në fakt është një mënyrë jo shumë e zgjuar për të asgjësuar de facto autoritetin e Kryetarit aktual të Shtetit, duke e arkivuar si të parëndësishme figurën. Sigurisht Bujar Nishani nuk ka e nuk mund të ketë peshën dhe personalitetin e themeluesit por, që nga çasti i zgjedhjes në funksionin e Presidentit, ai bëhet qytetari i parë i Republikës, simboli i bashkimit të saj e si i tillë respekti për të bëhet i domosdoshëm. Puna dhe veprimtaria e tij mund të jenë objekt kritikash edhe t’ashpra por, përderisa ai mos të ketë kryer ndonjë veprim që, simbas kushtetutës, i jep të drejtë Kuvendit të kërkojë shkarkimin, ai mbetet një figurë ndaj së cilës asnjë lloj qeverie nuk ka të drejtë t’a verë në diskutim.

Zoti Ilir Meta u shpreh se heqja e fotografive të Presidentit është kryer më parë nga paraardhësja e tij në funksion, zonja Topalli. Se sa pak bazë logjike mund të ketë një argument i tillë justifikues është në sytë e të gjithëve. Fatkeqësisht ajo tregon nivelin e ulët të politikës shqiptare në përgjithësi, që është në gjëndje të asgjësojë edhe vlerat më parake të bashkëjetesës institucionale për teka vetiake, për mospërputhje interesash, idesh e konceptesh. Nëse znj. Topalli ishte bërë nismëtare e heqjes nga zyrat e saj të  fotografisë së ish Kryetarit Topi, zoti Meta, si autoriteti i dytë i qeverisë Berisha, duhej të kishte ndërhyrë për t’a kritikuar ashpër atë veprim e jo t’a quante një preçedent për t’u imituar simbas kohës e njerëzve. Veprimi është i dënueshëm në të gjitha rastet e habit fakti që ai, në të shkuarën ka kaluar pa u “vënë re” nga organet e medias e nuk ka patur kundërveprime.

Mendoj se duhet të jëmi të vetëdijshëm se, duke shkelur edhe rregullat më të thjeshta të bashkëjetesës institucionale, do t’i hapim rrugën vetëm mohimit të vlerave shtetformuese, për pasojë anarkisë së koncepteve, dukuri këto që na bëjnë të shkojmë jo drejt Evropës por drejt Haxhi Qamilit. Nëse duam të nderojmë gjithmonë kujtimin e Plakut të Vlorës, mund të miratohet në Kuvend një ligj që e bën të detyrueshëm vendosjen e fotografisë së tij në të gjitha zyrat, krahas asaj të Kryetarit aktual të Shtetit. Të dy mund të qëndrojnë njëkohësisht, njëri simbol i vlerave të përjetëshme të Kombit e tjetri përfaqësues i Shtetit aktual, dëshmi e aftësisë për të fuqizuar institucionet e për t’i respektuar ata. Në të kundërt, nëse pranojmë si të ligjshëm çdo lloj improvizimi politik të çfarëdo partie apo qeverie, rrezikojmë që të kemi, simbas bindjeve e paragjykimeve historike, në zyrat e Shtetit tonë portrete të ndryshme, duke mos përjashtuar edhe ndonjë që e kemi mbajtur për dhjetëvjeçarë pa fund.

U mundova të skicoj përciptas disa aspekte të periudhës pas zgjedhore e fillimit të punës së Qeverisë Rama. Është ende shumë shpejt për të vlerësuar veprimtarinë e saj. I rëndësishëm është që ky vlerësim, sido që të jetë, të shkëputet nga paragjykimet e të përcaktohet vetëm nga faktet, sa e nxisin apo e frenojnë ata përparimin e Vendit e të shoqërisë shqiptare. Do t’ishte edhe ky një hap i madh përpara drejt qytetërimit.

Shtator 2013

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Vazhdimesi apo ndryshim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT