• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

Çamëria, vazhdimësi Pellazgo- Iliro-Shqiptare, që u masakrua nga Konferenca e Londrës

September 16, 2013 by dgreca

–         Duke shfletuar librin e Prof. Dr. Selman Sheme” Monumentet Natyrore dhe Kulturore të Çamërisë”/

–         Si u realizua Spastrim etnik nëpërmjet një genocidi të egër ndaj popullsisë shqiptare të besimit mysliman./

–         Kur nisën imigrimet, kur erdhën kolonët, shpërnguljet, masakrat…pakicat greke në Shqipëri shfaqen në fillim të Shekullit XIX/

–         Kthimi i fesë nga ortodoksë në myslimanë në Çamëri nisi në Shekullin e XIX/

Nga Dalip GRECA*/

Ne Foto: Pamje nga promovimi qe u organizua nga Federata Panshqiptare e Amerikes. Ne promovim ishte i pranishem edhe autori i librit Prof. dr. Selman SHEME/Është kënaqësi për mua që të prezantoj para jush librin e Prof . Dr. Selman Sheme”Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë” që është unikal në llojin e vet. Profesor  Sheme ka arritur që të na sjellë një tablo të gjallë të Çamërisë, jo vetëm me përshkrimin gjeografik tërësor dhe rajonal të Çamërisë, por përmes albumit të ilustruar për çdo rajon, ai na ka sjellë para syve pamjet e mrekullueshme të Krahinës së Çamërisë së mohuar shqiptare. Krahas kujtimeve që popullsia çame i ruan të freskëta, krahas dokumenteve, tapive, pamjeve tragjike të të parëve të tyre të masakruar para syve, apo shtegtimi i mbramë i tyre plot dhimbje drejt Shqipërisë,në fundluftën e Dytë Botërore, studiuesi, që është vetë një bir Çamërisë martire,familja e tij është shpërngulur nga Çamëria,  na shton edhe monumentet natyrore dhe kulturore të Çamërisë, duke u ndalur veçmas në secilin rajon dhe në tërsinë gjeografike të Çamërisë. Para syve tanë kalojnë rajonet e Çamërisë si; Filati, Gumenica, Paramithia, Margëlliçi, Parga, rajonet e Prevezës, Artës e Janinës, si dhe gjeneza historike e rajoneve çame të fiksuar në hartografinë historike të Kohës.

Përmes këtij libri album, Çamëria përshkruhet si tërësia jonë Kombëtare, ndaj dhe studiuesi e ka parë atë si pjesë e trojeve shqiptare. Studiuesi ka përshkruar fillimisht trojet shqiptare në tërësi dhe regjonalizimin etnografik dhe më pas sjellë veçori të përgjithshme fiziko-Gjeografike, kufijtë natyror e gjeografiko-etnologjikë të Çamërisë, përshkrimin e peisazhit të krahinës, si një oaz Klimatik tipik mesdhetar, përshkruan ekosistemin natyror dhe gjelbërimin e përhershëm, pasurinë ujore,bregdetin, lumenjtë etj.

Monumnetet Natyrore dhe Kulturore të Çamërisë nis me një vështrim historik të trojeve shqiptare, argumenton shkencerisht autoktoninë e shqiptarëve si populli më i lashtë në Ballkan, duke e vënë theksin tek Ilirët, si trashëgimtarë të Pellazgëve. Prof Sheme sjell argumentet historikë dhe arkeologjikë që vërtetojnë autoktoninë  Ilire, që nënkupton formimin etnik në vend mbi bazën e vazhdimësisë së gjërë kulturore, e cila ka pësuar ndryshime në kohë, duke  marrë edhe nga kultura e popujve fqinjë apo popujve të ardhur në Ballkan, duke ruajtur tiparet e veta etnike. Ilirët banonin në të gjithë pjesën Perëndimore të Gadishullit Ballkanik, që nga degët e Danubit, lumenjtë Sava e Drava në veri e deri tek Gjiri i Ambrakisë në Jug, kurse në lindje banonin edhe në Maqedoninë Perëndimore.

Profesor  Selamn Sheme përshkruan fiset ilire, vendbanimet e tyre, duke u ndalur në secilin prej tyre, trojet ku banonin, si: Enkelejtë, Taulantët, Ardianët, Dardanët, Paionët, Dalmatët, Albanët, Molosët, Thesprotët etj.

Pa u ndalur në periudhat historike dhe pushtimet e ndryshme , për evolimin ndër shekuj, po qëndrojmë në të dhënat e messhekullit të XIX, ku hapësira etnike shqiptare zinte një sipërfaqe  prej 75 .000 km katrore dhe në katër vilajetet e saj banonin 1.700.000 banorë, ndërsa në vitin 1912 numëroheshin 2.354.000 banorë. E administruar në katër Vilajete, popullsia shqiptare ishte e ndarë në këtë mënyrë: Vilajeti i Kosovës kishte 909.700 banorë, ku popullsia shqiptare zinte 61,4 për qind (558.900 banorë); Manastiri 694.800, popullsia shqiptare përbënte 54,1 për qind(275.800 banorë); Janina 559.700, shqiptarët përbënin 59.1 përqind(330.800 banorë); Shkodra 190.000, shqiptarët përbënin 98.2 përqind( 186.500 banorë.

Në Vilajetin e  Janinës ndodhej edhe krahina e Çamërisë, ku shqiptarët përfaqësonin 59.1 përqind të popullsisë, grekët 24 përqind, vllehët 10.4 për qind. Krahinat e Janinës, Kosturit, Follorinës kanë qenë të banuara masivisht nga shqiptarët. Në gjysmën e parë të shekullit XX shqiptarët janë dëbuar me forcë nga trojet e tyre(veçanërisht elementi myslimanë). Pas vitit 1912 janë dëbuar me forcë nga Follorina dhe Kosturi rreth 35 .000 shqiptarë.

Trojet në jug të Vurgut të Delvinës e të Vrinës e deri në Gjirin e Artës përbëjnë viset shqiptare të Krahinës së Çamërisë. Historikisht, deri në vitin 1912 Çamëria ishte në Juridiksionin e Janinës. Pas shpalljes së Pavarësisë  më 1912 kufijtë e shtetit shqiptar u masakruan nga Konferenca e Londrës më 1913, ku vetëm një rrip verior i Çamërisë mbeti brenda kufijëve të Shqipërisë Londineze. Në kohën e Mbretërisë së Zogut, në atë zonë u krijua një njësi e vetme administrative, që u quajt”Nënprefektura e Çamërisë”. Konferenca e Ambasadorëve e ’13-tës në Londër, i hoqi Shqipërsië pjesën më të madhe të Çamërisë; rrethet Filat, Gumenicë, Margëlliç, Prevezë, Artë etj. Kjo krahinë shqiptare iu aneksua Greqisë.

Libri i Prof Shemes ndalet në ndarjen regjionale etnografike të Shqipërisë në shek  19-20. Po ndalemi vetëm tek Çamëria;  e cila përbëhet nga tre rajone:

1-    Çamëria Veriore-krahina në veri të lumit Kalama e deri në kufi me Labërinë. Gjatë mesjetës ajo është quajtur VAJONETË.

2-    Në jug të lumit Kalama deri në lumin Akeron(lumi i Zi + Gliqia) shtrihej Çamëria e Mesme në të cilën përfshihet edhe krahina e Sulit.

3-    Në Jug të lumit Akeron(Lumi i Zi) deri në gjirin e Artës shtrihej Qasopi(Çamëria Jugore) në të cilën përfshihej edhe qyteti i Nartës. Konferenca e Londrës i shkëputi trungut shqiptar Janinën dhe qarkun e saj, ku përfshihej Meçova dhe Konica,- gati e tërë Çamëria me rrethet e Filatit , të Gumenicës, të Margëlliçit(ku përmblidhej dhe qyteti i Pargës) dhe qarku i Prevezës(ku futej dhe qyteti Llurë me rrethinat e tij). Trungut të Shqipërisë iu shkëputën edhe Follorina, Kosturi, dhe tërë fshatrat përtej Gramozit. Brenda Shqipërisë Londineze mbeti vetëm një pjesë e Çamërisë Veriore, qyteti i Konispolit dhe disa fshatra të pellgut të lumit Pavlla në Jug të Vurgut e të Vrinës.

Në një kapitull më vete autori i ka kushtuar veçorive të përgjithshme Fiziko Gjeografike, duke u ndalur në: 1- Kufijtë natyrorë Gjeografiko-Etnologjikë të Çamërisë,

2-Peisazhet e krahinës; duke sjellë karakteristikat e secilës zones dhe duke përshkruar bregdetin karakteristik, reliefin, lumenjët, klimën, ekosistemin natyror etj.

Me interes janë të dhënat që sjell autori për Strukturën gjeoetnike dhe identitetin regjional të Çamërisë; ku e vë theksin tek lufta më shumë se një shekullore e procesit të asimilimit dhe helenizimit të krahinës së Çamërisë. Ky proces u intensifikua pas vitit 1913 me pushtimin e Çamërisë, ku filloi një trysni e pandërprerë  e shtetit dhe forcave ultranacionaliste greke për shkombëtarizmin e kësaj krahine shqiptare me synim helenizimin total të saj.

Cila ka qenë strategjia e helenizimit dhe çfarë rrugësh janë përdorur?

Prof. Dr. Selman Sheme veçon tri rrugë:

1- Spastrim etnik nëpërmjet një genocidi të egër ndaj popullsië shqiptare të besimit mysliman. Për këtë qëllim janë përdorur të gjitha mënyrat, si: Grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesmarrja në administrate shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, torturat e rënda, burgimet, dëbimi me dhunë e deri në masakrat e përgjakshme.

Së dyti; Ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë nëpërmejt kolonizmit të krahinës me imigrantë grekë e vllehë të ardhur nga pjesë të ndryshme të Greqisë dhe nga Azia e Vogël.

Së treti:Asimilimi i popullsisë shqiptare të besimit Ortodoks nëpërmjet dhunimit(mohimit) të identitetit të saj kombëtar, ndalimit të përdorimit të gjuhës shqipe dhe mësimit të saj në shkolla, perfshi dhe ato fillore.

Profesor Selman Sheme, konstaton se fakeqësisht kjo strategji dhe praktikë shkombëtarizimi është mbështetur dhe mbështetet edhe në kohën tonë nga konceptet gjoja ”shkencore” të disa studiuesve grekë ,që pretendojnë  se”gjithë fiset që jetojnë në Epirin e lashtë i takonin etnisë greke” dhe se’ deri në lumin Shkumbin kishin qenë tokat e Epirit, që ishin banuar nga Grekët”. Brenda konceptit “shkencor” grek është përfshirë  edhe popullsia çamë ortodokse që jeton sot në Greqi. Këta studiues kanë rënë nën ndikimin e doktrinës së “MEGALI IDE-së”, duke dëmtuar imazhin akademik dhe duke u vënë me ose pa dashje në shërbim të qarqeve shoviniste reaksionare greke.

Studimet rigoroze shkencore shqiptare dhe të huaja, të mbështetura në kulturën materiale dhe dokumentet e shkruara , dëshmojnë katërcipërisht autoktoninë dhe vazhdimësinë pellazgo-ilire-arbërore edhe të popullsisë çame në trevën më skajore  të hapësirës etnike shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Në një kapitull të veçantë, studiuesi Selman Sheme trajton një objekt të rëndësishëm demogjeografik të identitetit regjional të Çamërisë; etnogjenezën dhe strukturën gjeoetnike. Ai ndalet në autoktoninë ilire dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të krahinës së Çamërisë, sjell dëshmitë historike, arkeologjike dhe etno-kulturore. Në ndihmë i vijnë gërmimet arkeologjike të kryera në Çamëri në disa stacione prehistorike si në Shpellën e Kreshmoit në Konispol, Shpellën e Shën Marinës në Mile, vendbanimin fushor të Xarës e të tjerë.

Për autoktoninë ilire dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të popullsisë së Çamërisë në trojet e veta gjenden shënime të bollshme në veprat e autorëve klasik si: Skylaksit, Herodotit, Strabonit, Tulqidit, Ptolemeut, Plinit, Stefan Bizantinit, që studiuesi i citon.

Më pas ai sjell dëshmi të fushës së onomastikës, toponimisë, antropologjisë, numismatikës e të tjera, që vërtetojnë  vazhdimsinë iliro-shqiptare të Çamëve.

Materiale  të shumta historike sillen në këtë libër, si: dëshmi të mbishkrimeve që vërtetojnë autoktoninë e shqiptarëve në trojet e veta çame. Do të mjaftonin rreth 50 emrat me prejardhje ilire të zbuluara në Dodonë, ose citimi i historianit Grek S. Llambros në një dokument të shek XV, ku thuhet se “gjithë Epiri sot banohet nga shqiptarët, popull ilir.” Apo studiuesi tjetër Theodore Spandugino Cantacuzino që pohon se”Janina ishte Kryeqyteti i Mbretërisë së Shqipërisë”. Po ky autor shkruan se “Kur Sulltan Murati pushtoi Artën, tha se hyri në Shqipëri”. Do të duhej shumë kohë e shume faqe që të sillnim citimet, dokumentete të studuesvë të shumtë , të albanologëve, që hedhin dritë mbi të vërtetën e autoktonisë të çamërisë shqiptare, por që ndodhen me shumicë në këtë libër-album.

Studimi i Prof. Dr Skënder Sheme përfshinë edhe strukturën fetare dhe etnike të Çamërsië deri në pushtimin grek. Ai ndalet tek vepra e kronistit heleno-epirot,  P. Arvanito, ku renditen të gjitha vendbanimet e  vilajetit të Janinës,  të ndara në Sanxhaqe, dhe këto në Kaza,  dhe Nahije,  dhe për çdo vendbanim jep numrin e shtëpive, gjuhën që flitej nga banorët dhe besimin fetar. Nga regjistrimi i Arvanitos del se në Sanxhakun e Delvinës, ku përfshihej një pjesë e konsiderushme e Çamërisë, shqiptarët përbënin shumicën në të gjitha kazatë e saj. Kazatë e Delvinës, të Filatit, të Paramithisë, të Margëlliçit dhe të Fanarit kishin gjithsej 13,217 familje shqiptare dhe 7030 familje greke. Prof Sheme pohon se”Nga llogaritjet e përafërta që ai ka bërë, del se në gjysmën e shek. XIX, Çamëria  dhe trevat e tjera shqiptare pranë saj kanë pasur një popullsi prej mbi 150.000 banorësh.

Ai sjell dhe të dhënat që jep Sami Frashëri në “Fjalorin e përgjithshëm të Historisë dhe gjeografisë”(Kamus-ul alam-1889), sipas të cilit krahina e Çamërisë bënte pjesë në dy sanxhaqe të vilajetit të Janinës, në Sanxhakun e Janinës dhe në Sanxhakun e Prevezës. Sanxhaku i Janinës  përbëhej nga 6 kaza, 2 nahije dhe 439 fshatra me një popullsi prej 166.691 banorësh. Në Kazanë e Janinës, të Meçovës dhe të Konicës popullsia ishte me etni të ndryshme(Shqiptarë, greke, Vllehë, kurse në kazatë e Filatit, Ajdonatit(Paramithisë), e Leskovikut, popullsia ishte tërësisht shqiptare dhe shumica e fesë muslimane.

Popuillsia shqiptare në Çamëri deri në fillim të shek XVIII ishte pothuase e gjitha e besimit ortodoks. Besimi u ndërrua vonë, shek XIX. Duhet veçuar fakti se në të gjithë fshatrat e Çamërisë ka qenë i përhapur zakoni i lashtë i shqiptarëve për bashkëjetesë dhe vëllazërim midis besimeve fetare. Dallimi ishte vetëm në ushtrimin e riteve fetare.

Autori sjell dëshmi se si depërtuan kolonët grekë në krahinën e Çamërisë, ku krahas dyndjes së popullsisë greko-vllehe, që  me shumicë u dyndën edhe në Luginën e Dropullit, edhe në Vurgun e Delvinës, pati dhe ardhje të bujqëve.Prurjet e popullsisë greke e vllehe erdhën edhe për shkak të marrjes të bujqëve grekë nga pronarët shqiptarë. Pra pakicat greke janë të pranishme në tokat shqiptare në  shek XIX.  Dhe në gjysmën e dytë të  shek XIX  nis vënia në jetë e programit politik me emrin “MEGALI-idea”(Idea e Madhe) nga qarqe të caktuara nacionaliste greke, që nxitën konflikte etnike dhe fetare për aneksimin dhe shkombëtarizmin e trojeve shqiptare të Çamërisë dhe të Shqipërisë së Jugut. Sipas konceptit politik të mbretërisë greke, Epiri përfshinte territoret nga Janina në Durrës.

Me plotë fakte dhe analiza është bërë prej autorit trajtimi i Shëprnguljes me dhunë të popullsisë çame dhe kolonizmi i saj. Gjurmët e shpërnguljes me forcë ndeshen që në shek XIX, pas  Luftës Ruso-Turke 1877-1878. Pas lufrave ballkanike ky proces i shëprnguljes së dhunshme u fut në rrjedha tragjike për popullsiën çame. Pushtimi i Çamërisë pas Konferencës së  Londrës pat pasoja tragjike.U përdorën metoda të ashpra të trysnisë, dhunë, grabitje e tokave, ndalimi i komunikimit në gjuhën shqipe,ndalimi i arsimit shqip, tortura, vrasje, burgime deri në masakra të përgjakshme. Në këto kushte shumë familje u detyruan që të emigrojnë në Shqipëri dhe Turqi. Megjithë koeficentin e lartë të shtimit natyror, numri i popullsisë shqiptare erdhi gjithëmonë duke rënë.

Memorandumi i vitit 1921, vërtetuar nga Bedri Pejani, jep këtë tabelë të popullsisë së Çamërisë: Në Filat popullsia shqiptare ishte 22. 348, ndërsa grekë 5.125, në Gumenicë 19.126 shqiptarë, dhe nuk ak grekë; Ajdonat 13.780 shqiptarë, grekë 2575; Margëllëç kishte 15.723 shqiptarë, nuk ka grekë, Pargë 800 shqiptarë, 500 grekë, në total 62.777 shqiptarë dhe 9.200 grekë. Vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore u përzunë nga trojet e tyre stërgjyshore 10.000 shqiptarë të Çamërisë. Me zbatimin e Traktatit të Lozanës (1923) për shkëmbimin e  popullsisë midis Greqisë dhe Turqisë u shpërngulën me dhunë dhe u dërguan me forcë në Turqi 35.000 shqiptarë të Kosturit dhe Follorinës dhe 55.000 shqiptarë myslimanë  të Çamërisë, pjesa më e madhe nga rrethet e Janinës, Prevezës dhe Pargës. Pas shumë protestash procesi u ndërpre më 1926, kur në krye të qeverisë Greke ishte Pangallos.

Masakra më e fundit është ajo në fundluftën e Dytë Botërore, ku maskarat e Zervës mbi popullsinë e pafajshme çame, njohën një barabarizëm mesjetar dhe tepër tragjik. Dëshmitarë të asaj tragjedie janë ende gjallë sot, madje dhe në komunitetin shqiptar të Amerikës.

Siç jemi në dijeni trysnia dhe politika e helenizimit u bë fakt i kryer edhe gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ku grekët kishin dorë të lirë të bënin ç’të donin, pa pasur asnje oponence nga qeveria shqiptare, ndërkohë që edhe komuniteti çam në Shqipëri, u dyshua, u përndoq, u shpallën grupe armiqësore, u burgosen e  u pushkatuan.

Mendoj se ky libër përbën një dëshmi shkencore që ia vlen ta shpërndajmë e ta çojmë kudo, mundësisht edhe tek politika amerikane, studuesit amerikanë, në shkolla e librari,  ndërsa për ne shqiptarët ai është më se i domosdoshëm ta kemi në dorë sa herë të flasim për Camërinë. Për fat libri-album është në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht, çfarë jep mundësi përdorimi edhe nga të huajët, vecanërisht këtu në SHBA, ku është qendra e politikës botërore. Mendoj se duhet të jemi më të drejtëpërdrejtë në punën tonë për ndërkombëtarizmin e mëtejshëm të çështjes çame, më bashkëpunues me njeri-tjetrin; të mos mbetemi tek veprimtaritë brenda vetes, apo të ashtuquajturat veprimtari folklorike, kur flasim vetë dhe dëgjojmë po vetë. Helenët janë më të sofistikuar se ne shqiptarët, ata kombinojnë luftën politike me veprimet anarkiste. Veprimet e kohëve të fundit me Agimin e Artë, demonstrimin arrogant i forcës së tyre brenda territoreve të shtetit shqiptar janë skandaloze dhe të dënushme. Përgjegjësia është e shtetit shqiptar. Lufta për të drejtat e çamëve është pjesë e platformës Kombëtare për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për Vatrën, që ka 100 vjet që lufton për këto të drejta.

Përfundimisht e falenderoj Prof. dr. Selman Shemen për punën e shkëlqyer që ka bërë në sjelljen e fakteve, pasqyrimin e plotë të historisë të Camërisë,dhe vërteton me argumente vijimësinë pellazgo-Iliro- arbërore të saj.

New York, 15 Shtator 2013

  • Paraqitja që i bëri editori i Diellit librit të Prof. Dr. Selman Sheme, “MONUMENTE NATYRORE DHE KULTURORE TË ÇAMËRISË”, gjatë promovimit që organizoi Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA  me 15 shtator.

Filed Under: Kulture Tagged With: dalip greca, Monumentet kulturore te Camerise, promovimi, selman Sheme, Vatra

ASNJE NGA QEVERITE E DERITANISHME NUK KANE PUNUAR PER KTHIMIN E LIGJSHEM TE PRONES

September 16, 2013 by dgreca

ÇFARË KËRKOJMË NE PRONARET PREJ KRYEMINISTRIT EDI RAMA PREJ GJITHË DEPUTETËVE PREJ POLITIKËS SË BRUKSELIT DHE WASHINGTONIT/

Nga Rrapo Hajredin Danushi*/

Duke ndjekur në TV diskutimet e deputetëve për programin e Qeverisë Rama, me datën 14-15 Shtator 2013, si shtetas ndjej detyrimin qytetar, moral dhe patriotik të ripërsëris edhe një herë ato që kam qenë I detyruar t’ju them politikanëve me dhjetra herë nga 1991 e deri sot. Kanë kaluar dy dekada dhe unë u plaka në drejtimin e Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, duke ju përsëritur politikanëve të njëjtat gjëra që përmbidhen me fjalët: demokracia fillon kur ti ktheni shqiptarit pronën që ja grabiti diktatura; zbatoni detyrimet kushtetuese të përcaktuara qartë në nenet 41 dhe 181,  ndaloni vjedhjen e pronave që po e bëni në emer të ligjit; mos vazhdoni ta shkatërroni vendin,. mos turpëroni më tej veten tuaj, do mbeteni përfundimisht të njollosur. Dhe pa dyshim që rilindja e demokracisë kërkon të fillohet me korigjimin e gabimeve me pronën.

Pjesa e A.Z.Çajupit, që znj. Mersila Doda i lexoi krahut të majtë, në fakt i përshtatet të dy krahëve që kanë qenë në pushtet gjatë këtyre 22 vjetëve. Këtë situatë duhet ta kuptojë dhe ta analizojë në rradhë të parë Kryeministri Edi Rama, sepse për pronën ai ndodhet njëlloj si Sali Berisha në vitin 1991 . Këtë vlerësim duhet ta bëjë dhe ambasadori i BE, Brukseli dhe Ambasadoti i SHBA, dhe keshilltarët e Shtëpisë Bardhë që ndjekin politikën për Shqipërinë dhe Ballkanin, përndryshe përpjekjet e tyre për demokraci do jenë pa sukses.

Sali Berisha dhe  Fatos Nano,  duke mos kthyer pronën tek i zoti kanë ecur në rrugën e tradhëtisë kombëtare. Sistemi që u projektua nga Berisha –Nano sipas udhëzimeve të Katovicës, është hibrid i demagogjisë me disa elementë të çrregullt të demokracisë që kanë shërbyer për të maskuar  anarkinë, kleptokracinë dhe klimën e pandëshkushmërisë për individët që shkelin ligjin. Saliu bëri pronarë ata që nuk kishin asnjë pronë të trashëguar dhe la me gisht në gojë pronatët me prmtimin e kompensimit !!. Nga ky tranzicion pseudodemikratik dalën të fituar një pakicë që kishin  mbështetjen e ndonjë deputeti apo pushtetari dhe nuk pyetën për ligjet dhe për kushtetutën.

Nga deputetët e kësaj legjislature për pronën reflektoi drejtë z. Shpëtim Idrizi (PDIU), duke thënë se nuk mund të kërkohet zgjidhje e pronës së çamëve në Greqi, pa zgjidhur problemin e pronës së shqiptarëve në Shqipëri. Z.Namik Dokle analizoi mirë situatën, pranoi gabimet e bëra, denoncoi mbi 8000 të vrarë për shkak të anarkisë së pronës dhe sistemin korruptiv që është përhapur kudo. Në mënyrë të saktë u shpreh zoti Duka. Z Shehu çuditërisht e vuri theksin tek kompensimi dhe jo tek kthimi dhe kushtetuta, ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shprehu shqetësim për gjetjen e parave për legalizimin ndërsa Sali Berisha dhe deputetët e tjerë nuk përmendën kthimin fizik të devijuar, të pa përfunduar, pushtimin e pronave me ndërtime pa leje dhe pasojat e kësaj situate !!.

Kryeministri Edi Rama ka sot përgjegjesinë historike për kthimin e pronës tek I zoti. Ky është problem më themelor për rilindjen e demikracisë.   Ajo që ne pronarët kërkojmë është që Kryeministri Edi Rama të vendosi prioritet të 100 ditëve të para, çlirimin e pronave nga poseduesit abuzivë dhe kthimi i pronës tek i zoti në përputhje me nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës. Kjo kërkesë nuk ka nevojë për premtim pasi është detyrim kushtetues, për të cilën deputetët betohen, por  që politikanët e derisotëm e kanë shkelur. Shqipëria nuk ka se si të pranohet kandidat ne BE pa kthyer pronën në përputhje me nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës në këtë gjendje kur shteti ligjor dhe shteti i të drejtës egzistojnë formalisht, por në fakt janë zëvendësuar me “shteti jam unë”, kur pronat I përfiton shkelësi I ligjit dhe janë me mijëra raste kur vendimet e gjykatave nuk ekzekutohen. Deputetët që mendojnë se problemi pronës nënkupton  kompensim apo legalizim, janë pjesë e programit të Katovicës, që synojnë të mbrojnë ata që kanë përfituar padrejtësisht ato prona që duhet tju kthehen pronarëve ose janë prona të shtetit. Këta janë politikanët dhe klanet që kanë përfituar nga amullia e krijuar me ligjet kontradiktore 1991-2013 dhe në këtë kategori mund të jenë dhe Sali Berisha apo Jozefina Topalli, por faktet duhet t’i saktësojnë specialistët.

Të gjithë deputetët i njohin përpjekjet e mëdha të shoqatës tonë për problemin e pronës, problem që e kemi paraqitur edhe në kancelaritë ndërkombëtare por që për 23 vjet kanë rënë në veshin e shurdhër të politikanëve që kanë drejtuar në periudhën 1991-2013. Shoqata e pronarëve me mbështetjen e shumë ekspertëve, ka hartuar draftin për zgjidhjen përfundimtare, të qëndrushme të problemit të pronave. Drafti ynë përmbledh në një ligj të vetëm të 16 ligjet egzistuese, eliminon pikat e dobta dhe përplasjet midis tyre, respekton të drejtën e pronës në harmoni me detyrimet kushtetuese dhe kërkesat e BE dhe zgjidhja e problemit të pronës nuk nevojë për faturë financiare Ky projektligj i mbron vendimet e kthimit të tokës bujqësore të bëra me  ligjin 7501 deri në masën që nuk bien ndesh me nenin 41 të Kushtetutës.  Në faqen www.defendingproperty.com, ku është paraqitur projektligji, kemi pasur vleresime të ndryshme. Kryeministri Edi Rama nëse ka vullnetin ashtu siç ka premtuar,  tashmë e ka të gatshëm instrumentin, projektligjin me të cilin brënda 100 ditëve të para maxhoranca zgjidh aspektin juridik të pronës dhe zbatimi realizohet shpejt pasi nuk ka  faturë financiare për arkën e shtetit. Nëse Kryeministri Edi Rama e fillon me korigjimin e paudhësive me pronën, ai vendos postbllokun ligjor ndaj mafies së pronave, që deri sot është mbështetur nga politikanët. Me zgjidhjen e problemit të pronës, vendoset paqja sociale, Shqipëria futet në rrugën e duhur të zhvillimeve demokratike dhe njëkohësisht e djathta do të ndihmohet të shlyejë një pjesë të mëkateve.

Në lidhje me diskutimet e shumë deputetëve, pavarësisht nga ndryshimet pozitive në këto 23 vjet si rrugët, tunelet, interneti, prokurimet elektronike, NATO etj. etj, por populli nuk jeton në demoraci dhe sistemi nuk është aspak demokratik. Ish kryeministri Sali Berisha, nuk mbajti premtimin dhe shkeli parimin bazë të demokracisë, kthimi tek i zoti të pronës së grabitur. E gjithë periudha 1991-2013 eshte pseudodemokraci, ku korrupsioni me pronat arrin majat më të larta. Edhe sistemi i Enverit pati realizime të padiskutushme si zhdukja e analfabetizmit, zhdukja e malarjes, masivizimi i arsimit, hapja e universitetit, elektrifikimi i vendit etj, Nryshimet positive janë pasoje e punës e djersës dhe e parasë së popullit, por sa për sistemin pa asnjë dyshim Enver Hoxha ndërtoi sistem diktatorial, kriminal dhe antidemokratik. Megjithatë propaganda e quante atë “sistemi më demokratik  në botë“  edhe pse qytetari burgosej nëse dikush e spuinonte se ai kishte biseduar për liritë dhe të drejtat e njeriut, për rëndësinë e pronës private, për parimet e Helsinkit etj.

Besoj se të Qeveria dhe Kuvendi do ta kenë patriotizmin dhe mençurinë për të kuptuar se duhet filluar me korigjimin e gabimeve në ktimin e pronës, pas të cilës mund të bëhen kompensimet dhe legalizimet. Deklarojmë publikisht se jemi në pritje të veprimeve konkrete. Për aq kohë sa maxhoranca dhe Kuvendi, nuk do marri në shqyrtim draftin që i kemi propozuar, duke e përmirësuar atë për të realizuar titujt e pronësisë konform Kushtetutës, por do veprojë si ka bërë deri sot Sali Berisha,  ajo ecën në rrugën e tradhëtisë kombëtare.

Në emër të pronarëve urojmë vullnet të mirë dhe suksese për ndërtimin e themelit të demokracisë, që është realizimi i titujve të pronësisë në përputhje me detyrimet kushtetuese.

*Kryetari Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi”

Filed Under: Featured

DARKE ME PRESIDENTIN E REPUBLIKES SE SHQIPERISE, Z. BUJAR NISHANI

September 16, 2013 by dgreca

Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA ne bashkepunim me Bashkesine Shqiptare ne New York shtron darke me presidentin e Republikes se Shqiperise, z. Bujar Nishani me rastin e vizites se tij ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes, Shih per hollesi njoftimin.

Filed Under: Featured

DITAR PËR QEVERINË RAMA – ETËRIT E VENDIT DHE KRERËT E SHTETIT KANË STATUSIN E TYRE

September 16, 2013 by dgreca

– Referim Republikës së Italisë/

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Dje kryeministri i sapodekretuar z.Edi Rama zhvilloi mbledhjen e parë të qeverisë e cila zgjati disa minuta, ku u morën tri vendime, që u publikuan menjëherë në faqen ueb. Po i citoj tekstualisht : “Sot, në datë 15 shtator 2013, Kryeministri Edi Rama drejtoi mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, në të cilën u morën këto vendime: 1. Zëvendësimin e portretit të Presidentit të Republikës në ceremonialin zyrtar me portretin e themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit; 2. Miratimin e Kodit Etik Ministror; 3. Ndalimin e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë”.

Po ndalem tek vendimi i parë i qeverisë i zëvendësimit të portretit të Presidentit të Republikës me atë të Atit të Pavarësisë. Në Kushtetutën e Republikës të Shqipërisë në Nenin 86 tek kapitulli „PRESIDENTI I REPUBLIKËS“, paragrafi 1 thuhet: „Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.“ Pra është një figurë mbi partitë, e cila sqarohet edhe në paragrafët e mëposhtëm të Kushtetutës.

Në Nenin 87 të Kushtetutës të Shqipërisë në paragrafin 1. dhe 2. shkruhet: „1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh… 2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi me një shumicë prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të tij.“

Kjo mënyrë zgjedhje, i krijon mundësinë çdo maxhorance që ka një përfaqësim me tri të pestat e parlamentit të zgjedhë një president sipas vullnetit të kryeministrit, pra krijohet shkas për abuzim të pushtetit, që prodhon një institucion kukull me pavarësi të cënuar. Meqë maxhoranca aktuale e ka pothuaj këtë përfaqësim dhe një nga objektivat e saj është ndërtimi i shtetit ligjor, kjo i jep shans qeverisë Rama që të hap një debat të gjërë për ndryshimin e Kushtetutës të Shqipërisë që zgjedhja e Presidentit të vijë me votë popullore.

Sipas Kushtetutës të Republikës të Shqipërisë, presidenti është Figura Nr.1 e shtetit shqiptar. Kryetari i Kuvendit është nr. 2 dhe Kryeministri nr.3. Ky pozicion nuk e dobëson rolin e premierit në një Republikë Parlamentare, pra de jure e de facto kryeministri i Shqipërisë është njeriu më i fuqishëm i vendit, por sipas protokollit shtetëror fotografia e kreut të shtetit duhet të qëndrojë e varur në zyrat publike.

Meqë kryeministri i Shqipërisë i referohet protokolleve të shteteve Perëndimore dhe bën shumë mirë, edhe unë po bëj të njëjtën gjë, po i referohem ueb-it të qeverisë italiane – të Këshillit të Ministrave të Republikës të Italisë – po e vendos edhe linkun që mund ta klikojë kush dëshiron.http://www.governo.it/Presidenza/ufficio_cerimoniale/cerimoniale/bandiera_esposizione.htmNë këtë ueb –Ufficio del Cerimoniale di Stato – Zyra e Ceremonive Shtetërore përcakton rregullat e përdorimit të flamurit tringjyrësh. Në paragrafin me titullin « Esposizione delle bandiere all’interno degli uffici pubblici » – « Ekspozimi i flamujve brënda zyrave publike » shkruhet si më poshtë : « Flamuri i Republikës dhe ai i Bashkimit Europian gjendet në zyrat e anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe Nënsekretarit të Shtetit; të titullarëve drejtues të drejtorive apo zyrave në administratën qendrore të Shtetit…, të titullarëve më të lartë të institucioneve të enteve publike në rrang kombëtar, të titullarëve më të lartë institucioneve të pavarura; të drejtuesave të institucioneve të drejtësisë; të drejtuesave në përfaqësitë diplomatike, në konsullatat dhe institucionet kulturore të Italisë jashtë vendit. »

Zyra e Ceremonive Shtetërore pranë Këshillit të Ministrave të Republikës të Italisë në të njëjtin paragraft ë ekspozimit të flamurit italian vazhdon si më poshtë:

« Negli stessi luoghi si espone anche il ritratto del Capo dello Stato. » – «Në të njëjtat vende gjithashtu vendoset edhe portreti i Kreut të Shtetit » Duke mbetur në vendin fqinj, si një vend demokratik që ia vlen shumë t’i referohemi. Më 2011 u kremtua 150 vjetori i Bashkimit të Italisë, me nderimet më të larta për Etërit e Italisë të bashkuar, Camillo Benso Cavour, Giuseppe Mazzini, Giuseppe Garibaldi, Vittorio Emanuele II°, por kjo s’do të thotë që portretet e këtyre burrave të ndritur të vendosen në vend të portretit të kreut të shtetit.

Ne jemi duke pritur nga Rama, dhe uroj që t’i mbajë premtimet, sepse kjo është në interesin e shqiptarëve dhe vendit, por z.Kryeministër duhet ta ketë të qartë se fitorja e 23 qershorit nuk ishte fitore e tij personale, por ishte një fitore prej dështimit dhe disfatës të pararendësit të tij.

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Qeveria Rama

Marrëveshja e Konsipolit dhe antifashizmi i çamëve

September 16, 2013 by dgreca

Greku Aleksis Janari (Miltjadhi Qiriani) denoncon Greqinë/
Çamëria pjesëmarrëse aktive në Luftën II Boërore./

Shkruan: Hyqmet  ZANE/

Dëshmitë historike që i kanë shkruajtur kombet, janë të pavdekshme dhe një nga treguesit e së vërtetës që përballet me çdo shtrembërim që kërkohet t’i bëhet asaj nga qarqet dhe rrethanat e kohës. Kur vjen fjala për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe grekëve, eskluzivisht mendja të shkon tek çështja më shumë e debatuar dhe më e denigruar siç është çështja çame dhe genocidi grek mbi Çamërinë.
Ata që e vërtetojnë këtë janë dëshmitarët okularë që e vuajtën genocidin, janë nënat dhe fëmijët, janë baballarët dhe gjyshërit, janë kancelaritë europiane dhe vetë grekët që i bënë masakrat në ato vite fundlufte të Luftës II Botërore. Për këtë çështje janë shkruar dhe thënë shumë fjalë dhe janë bërë shumë deklarata. Një nga ato të ashtuquajtura pretendime greke që kërkon të justifikojë masakrat dhe genocidin çnjerëzr, është absurdi i “bashkëpunimit me okupatorin gjatë Luftës II Botërore” Shumë herë kemi folur dhe kemi dhënë dëshmi të kundërshtimit dhe hedhjes poshtë të pretendimeve të tilla uktrashoviniste greke, siç është edhe fakti që babai im, (Nuri Emin Zane, Hajri fetahu, Osman Zenel Taka dhe mezan Jonuzi) dhe shumë e shumë të tjerë  që që u bënë viktimat e persekutimit në kampet e internimit në Gjermani, po ashtu sie dhe e persekutimit grek dhe atij komunist në
Shqipëri. Por më shumë se kaq është edhe një dokument tjetër historik, si dëshmi e së vërtetës mbi qëndrimin e shqiptarëve të Çamerisë në Luftën e Dytë Botërore, siç është “Marrëveshja e Konispolit”.
Marrëveshja e Konispolit
Më 10 gusht 1944 u zhvillua takimi i përbashkët mes përfaqësuesit të Frontit të Çlirimit të Çamërisë dhe përfaqësuesit të Frontit Çlirimtar të Greqisë (EAM), si dhe të delegacionit të Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH) për Gjirokastrën (Shqipëri) për të shqyrtuar problemet e minoritetit shqiptar në Greqi dhe të minoritetit grek në Shqipëri.
Mbledhja mori vendimet e mëposhtme :
Për shkak të paragjykimeve shekullore, gabimeve të njëpasnjëshme, krimeve të disa keqbërësve dhe propagandës shoviniste të disa qarqeve, për minoritetin shqiptar dhe për atë grek u krijua një gjendje e tillë, e cila po i lë mjaft forca në neutralitet, të kundërta me njëra- tjetrën dhe rrjedhimisht të pafuqishme për pjesëmarrjen në luftën antifashiste që po bëjnë  të dy popujt, grekët dhe shqiptarët. Shenjat e ditëve të fundit tregojnë se katastrofa nuk vonon të vijë, nëse mbyllen sytë dhe nuk ndërmerren iniciativa nga ata që ndodhen pranë ngjarjeve.
Krijimi i nje organizate antifashiste për çdo minoritet është një nevojë emergjente. Një predispozicion i tillë është shfaqur qartë nga minoriteti grek dhe ndihet i gjallë edhe në mes të të njëjtave subjekte në Çamëri. Krijimi i organizatave antifashiste respektive, gjithashtu u mbyll gojën shovinistëve që flasin për tradhëti kombëtare.
Kjo zgjidhje në rrugën e luftës së sotme për çlirim dhe vetëvendosje të popujve, do t’i vëllazërojë të dy popujt fqinjë. Kjo është e vetmja mënyrë e përshtatshme dhe e frytshme.
Organizatat antifashiste do të udhëhiqen nga një këshill i përbërë prej një përfaqësuesi shqiptar, një grek dhe nga një përfaqësues i minoritetit. Sa për një palë aq edhe për tjetrën, në Këshill do të bëjë pjesë edhe një përfaqësues i misionit anglez. Ky i fundit do të marrë pjesë vetëm nëse kërkohet nga minoriteti.
E njëjta mënyrë do të zbatohet edhe për organizimin ushtarak.
Jepet amnisti e plotë ndaj të gjithë atyre që me sjelljen e tyre, sa me veprimtarinë politike aq edhe në jetën private i kanë shërbyer fashizmit dhe shovinizmit.
Të dy organizatat, greke dhe shqiptare, garantojnë për sot dhe për të ardhmen, jetën, nderin dhe pasurinë e popujve minoritarë.
Ky vendim do t’u njoftohet që të dy popujve dhe vihet qysh sot në zbatim. Do t’u njoftohet gjithashtu dhe organizmave eprorë.
Statuti i organizatave antifashiste të minoriteteve do të përfshijë klauzola për pjesëmarrjen aktive të të dy popujve në luftë. Përveç propagandës antifashiste, ndalohet çdo propagandë tjetër, edhe ajo shoviniste.
Shtypi i të dy organizatave do të ndihmojë edukim politik të popujve dhe të dy minoriteteve.
Për frontin Çlirimtar të Çamërisë
Rexhep Plaku
Për EAM-in
Aleksis Janaris
Për PKSH
Çeliku

Duhet thënë me vërtetësi dhe kompetencë dokumentare se ky dokument është botuar për herë të parë në librin “Organizimi antifashiste i minoritetit grek në Shqipëri 1943-1944” i autorit Aleksis Janaris dhe është ribotuar në broshurën nacionaliste “Momente të panjohura nga drama e Epirit”, 1989. duhet thënë gjithashtu se Aleksis Janari është pseudonim i Miltjadhi Qiriani, ndërsa Çeliku është Bedri Spahiu
Nga ana tjetërm është e rëndësishme të pohojmë se “Marrëveshja e Konispolit” është edhe një dëshmi tjetër e cila hedhë poshtë akuzat greke ndaj popullsisë së martirizuar të Çamërisë si bashkpunëtorë me pushtuesit nazi-fashist. Edhe para këtij takimi edhe më pas popullata e Çamërisë u rreshtua në rradhët e lëvizjes antifashiste si në formacionet e EAM-ELAS-it grek, po kështu edhe në rradhët e formacioneve të Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Shqipërisë. Mbas kësaj marrëveshje, përfaqsuesit e Çamërisë u mblodhën në fshatin Shalës të Konispolit në Kongresin e Parë dhe formuan organizatën me emrin “Këshilli Antifashist Çam”, si e vetmja organizatë përfaqsuese e popullatës së Çamërisë. Kjo organizatë mbrojti interesat e popullatës Çame edhe pas Luftës së Dytë Botërore, deri më 1948.
Është fakt historik se minoriteti grek në Shqipëri përkrahu Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, por kontributi dhe pjesëmarrja e popullatës çame ishte akoma më e madhe dhe e materializuar në disa njësi dhe formacione luftarake. Ndonëse qeveritë greke e mohojnë ose e mbajnë të fshehur kontributín e shqiptarëve të Çamërisë si dhe pjesmarrjen e tyre në rradhët e Lëvizjes Antifashiste të popullit grek, është fakt historik se vetëm në Divizionin e 8-të, Regjimenti i 15-të të ELAS-it bënte pjesë dhe Batalioni i quajtur “mikst” (shqiptaro-grek), në rradhët e të cilit u rreshtuan dhe luftuan mbi 500 partizanë çame. Në Shqipëri kemi po kështu përfaqsues të kësaj popullate në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek që u rreshtuan në rradhët e formacioneve luftarake shqiptare si Batalioni “Çamëria” si dhe në rradhët e brigadave të ndryshme, ku dhanë jetën me dhjetra shqiptarë të
Çamërisë. Gjithashtu është fakt se krijimi i Komitetit Antifashist Çam është përgjigja më e mirë historike që kjo popullatë i ka dhënë marrëveshjes së Konispolit, ndërkohë në rradhët e minoritetit grek në Shqipëri nuk ekziston një organizim i tillë. Madje siç dëshmon edhe ky dokument me mjaft vlerë historike, që vetë autori grek e nxjerr në dritë, minoriteti grek nuk prezantohet si palë nënshkruese dhe pjesëmarrëse direkt në këtë dokument, ashtu siç është pjesëmarrja dhe firma e përfaqsuesit të Frontit për Çlirimin e Çamërisë, Rexhep Plaku.
Ky dokument hedh dritë plotësisht mbi kohën kur shqiptarët e Çamërisë me pa të drejtë akuzohen dhe dëbohen me dhunë nga vatrat e tyre në mënyrë kolektive dhe po në mënyrë kolektive vazhdojnë të persekutohen politikisht nga shteti i sotëm grek dhe nga ata që e kishin për detyrë t`i mbronin. Në të njëjtën kohë, publikimi i këtij dokumenti është një aktakuzë edhe  për ata që janë përgjegjës të Luftës Çlirimtare të të dy popujve, që kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin, duke mos ju përmbajtur detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja tri palëshe e firmosur më 1944 mbi mbrojtjen e jetës dhe të pasurisë të popujve minoritarë.
***
Shënim. Për botimin e këtij dokumenti ndihmuan zotërinjtë :
Ahmet Giaffo (Xhafo) – President i Shoqërisë për të Drejtat e Njeriut të Çamërisë, USA
Petrit Begati (Kasemi) – Austri. (Ish diplomat çam në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe referent i marrëdhënieve shqiptaro-greke për vitet 1992-1996)
Epilog
Dokumentimet e herëpashershme që bëhen nga studiues çamë veçanërisht, por edhe në disa raste nga studiues të tjerë, kanë një dallim të madh në paraqitjen e tyre. Njëherazi kanë edhe një mangësi të madhe jo në përmbajtjen e tyre, por në mosmbështejtne që bëhet nga Akademia e Shkencavre të Republikës së Shqipërisë. Mangësia e pazakontë për një institucion të lartë jo politik qëndron në faktin se asnjëherë nuk janë trajtuar apo përmbledhur këto dokumentime në favor të çështjes mbarëkombëtare shqiptare për të folur e para kjo Akademi në emër të të vërtetave që gjithsesi qarkullojnë si vetmitare në një atmosferë të rtazuar. Janë shumë e shumë pikëpyetje që kanë nevojë të trajtohen dhe shtjellohen në mënyrë shkencore për çështjen e trojeve kombëtare jasht ëkufijëve të Shqipërisë, pro që asnjëherë nuk janë vlerësuar si të tilla.
Përkundër kkësaj Akademie qëndorjnë Akademitë e Greqisë dhe maqedonisë, Asebisë dhe malit të Zi të cilat nuk lenë rast të shkjë kot pa u dhënë përgjigje shkencpre dhe dokumentare problemeve që u paraqiten, qoftë edhe duke trilluar në kurriz të shqiptarëve. Në këtë kuadër them se studiuesit çam, duke futur këtu edhe njerin nga më të përkushtuarit, profesorine e nderuar 91 vjeçar Ibrahim D. Hoxha që i vetëm ka realizuar dy enciklopedi Jugshqiptare si monumente të të vëretave dhe që vlejnë si pika referimi edhe për Akademinë Shqiptare. Ndoshta ka ardhur koha për të thënë zërin tonë si ♪5amë edhe përmes një institucioni si Akademia e Shkencave të Republikës së Shqiëprisë e cila deri tani ka bërë me dashje shurdhmemecin  për temat e interesave të madhe mbarëshqiptare.
Përgatiti për botim : Hyqmet  ZANE

Filed Under: Histori Tagged With: Hyqmet Zane, marreveshja e Konispolit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT