• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2013

FLET AL BANO CARRIZI: Po, më quajnë Albano si homazh ndaj vendit tuaj

October 13, 2013 by dgreca

Albano,faleminderit që e pranuat ftesën per interviste./

-Ju faleminderit juve./

-Meqë ra fjala për emrat: nëna ime nga babai ishte italiane dhe e kaloi të gjithë jetën në vendin e burrit të saj shqiptar. Ne nipërve ajo do të donte shumë të na vinte – sipas traditave të saj – emrat e prindërve të vet ose të të parëve, pra emra italianë. Por kjo në Shqipërinë që vunate nën diktaturë, nuk iu lejua. Në rastin tuaj, emir juaj – një histori ose më mirë e pashmangshme, të bën të mendosh për Shqipërinë, a nuk është kështu?

Po, të vendit ku babai im, don Karmelo, mori pjesë në një luftë që ( si të gjitha) vetë ai e konsideronte të padrejtë. Por kujtimi i Shqipërisë ishte i fortë dhe prandaj kur u kthye, vendosi të ma vinte këtë emër që kam dhe jam krenar.

Siguriasht origjina apo shkaku i zgjedhjes vetëm të emrit, nuk mjaftojnë për një person që të provojë ndjenjat e një dashurie për një vend të përcaktuar…Si shpjegohet lidhja juaj e miqësisë me popullin shqiptar?

Pak nga afërsia, pak sepse i kam ndjekur gjithmonë ngjarjet e popullit tuaj, personalisht ndihem shumë afër Shqipërisë ku kan dhënë disa koncerte që u ndoqën shumë. E dija se shqiptarët e ndiqnin Festivalin e Sanremos dhe ishin pro meje.

Në vitin 1989 ju erdhët në Shqipëri dhe dhatë një concert madhështor. Më kujtohet veçanërisht ai në Tiranë, në stadiumin Q. Stafa. Prej stadiumit tek shtëpitë tona hynte zëti  juaj…Ne na u desh pak ta mësonin këngën Liria, kush e di përse. Çfarë përgjegjësie sillte për ju ky hap në Shqipëri?
Për mua ishte një emocion i madh në vitin 1989 të këndoja në atë stadium përballë mijëra njerëzve që këndonin bashkë me mua një këngë që më pas u bë një lloj himni: Liria. Ishte ndoshta ai hapi I parë drejt ndryshimit që ende vazhdon, por që ka marrë rrugën e drejtë të lirisë.

Ju morët një medaljen Skënderbeu nga presidenti i Shqipërisë që iu dha për herë të parë një artisti. Cilat janë përshtypjet?

Një medalje që për mua përfaqëson një motiv më shumë të një krenarie të madhe. Fakti që për herë të parë iu dha një artisti, e shton kënaqësinë time dhe vlerësimin e madh për popullin shqiptar.

Tani kënga ka interesa të tjera?

Merrem me verën e fermave të mija në Cellino San Marco, ku prej vitesh kemi krijuar një fshat turistik që tashmë është një pikë referimi në sektorin turistik puljez.

Shekspiri citonte: Oh, ti, shpirt I padukshëm i verës, nëse vertët nuk ke një emër me të cilin të të thërres, më ler së paku të të thërras me emrin e djallit”. Për Albanon lidhja me tokën e vet dhe frytet e saj?

Lidhjen me tokën e kultivoj qysh kur isha fëmijë. Tash e vazhdoj në rolin si sipërmarrës vere: si dëshmi e madhe e dashurisë për tokën dhe frytet e saj të mrekullueshme.

Karriera juaj e shkëlqyer si po ecën? Projekte për të ardhmen? Ndonjë koncert në Shqipëri?

Puna ime si këngëtar vazhdon, si me koncertet, ashtu dhe me albumet. Projektet për të ardhmen nuk mungojnë dhe në Shqipëri vij gjithmonë me qef.

Përgatiti për Albania news dhe e dergoi per Diellin Arjan Th. Kallço

Filed Under: Interviste Tagged With: Al Bano Carrizi, Arjan Kallco, flet, Interviste

TË NDËRTOJMË SHTETIN APO TË JETOJMË ME RREZIKUN MAJTAS SHILA, DJATHTAS KARIBDA?!

October 13, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Pas rezultatit të 23 qershorit, një student 22 vjeçar i ftuar tek Opinion i Fevziut tha se «e ardhmja e rinisë shqiptare nuk duhet të orientohet dhe të jetë në varësi për të mbushur rradhët e militantëve të partive”! E kam edhe tek blogjet e botuar tek libri im Traumat e Tranzicionit, që është një detyrim kombëtar për cilëndo parti, si kusht sine qua non – për një qeverisje fair.
Po liderët e partive në Shqipëri nuk duan t’ia dinë. Ata krenohen kur shpërndajnë sa më shumë tesera partie në rradhët e rinisë, në vend që t’i jepnin rinisë siguri dhe mundësi pune për të ardhmen.
Këtyre ditëve një deputet i PD-së pati ditëlindjen. Në facebook kjo reflektohet. E njoh këtë deputet. Ka qenë bashkëpunëtori ynë kur kontribuonim tek Bota Sot. Ia botonim kolumnat. I takon gjeneratës së studentëve të dhjetorit. „E kujtoj me nostalgji atë kohë“, më ka thënë gjatë një komunikimi, kur i kujtova bashkëpunimin me ne. E pra, thashë, edhe si mik që e kam në Facebook, po e uroj. Ky zotëri në profilin e tij mban si cover foto atë të Sali Berishës, ndofta brenda kraharorit të tij mban edhe ritmet e zemrës të liderit historik të PD, por urimit tim do të duhej t’i përgjigjej, ashtu si veproi me të tjerët. Kritikat tona në adresë të PD-së kanë bërë që nëna parti të na shpallë armiq të saj. Kështë ndodh edhe sa herë kritikoj majtas. Si ngjau pas një shkrimi kritik për një gafë të Ditmir Bushatit, në postin e Ministrit të Jashtëm në OKB, kur në programin më të shikuar kabllor Amerikan të FOX TV, i pyetur nga gazetari se „A është vend fisnik Amerika ?“– Ditmir Bushati përgjigjet „Kjo është një pyetje komplekse“(!!!), kur për shumicën e shqiptarëve Amerika është vend fisnik.
Karakteristikë e politikës është se ata ndihen imun,  të pagabueshëm, Zoti në qiell, ata në tokë, për konsekuencë të pakritikueshëm, tamam si Partia e Punës.
Nëse do të vazhdohet të zbulohet dhe ndëshkohet si armik gazetari që kritikon, tatëpjeta është përfundimtare. Sepse kështu po bëhet luftë klasash në kushtet e integrimeve Euro-Atlantike. Absurde dhe autoritariste kjo mendësi. Kanë plasur dasitë politike brenda familjeve si në diktaturë. Shqiptarët nuk presin këtë gjë nga Edi Rama. Partia mund të presë këtë gjë, por Shqipëria jo! Ndërkohë, që në ditët e para të qeverisjes fushata e largimeve nga puna ka arritur kulmin. Edi Rama ka premtuar se do të largojë militantët, ata që janë edhe burim i keqpërdorimit të pushtetit. Kjo do të thotë që këtë qëndrim ai duhet ta mbajë edhe për militantët e tij.
Në Shqipëri sa herë ka zgjedhje – fitorja apo humbja lidhet direkt me përfitimet apo humbjen e përfitimeve prej marrjes apo lënies së pushtetit. Dmth sa herë vjen në pushtet njëra palë, pala tjetër shpronësohet nga përfitimet e pushtetit që de jure i takon popullit. Deri tani, të dyja palët kanë qenë uzurpatore të pushtetit të popullit sepse e kanë shpërdorur këtë pushtet. Asnjëra palë nuk synon të ndërtojë shtetin e së drejtës – por veç të ndajnë plaçkën e « luftës » – sipas shprehjes « To the victor belong the spoils » – Fitimtarit i takon plaçka – e luftës.

Lufta për ndarje trofesh e postesh ka dy dekada që nuk ndalet në një Shqipëri të sfilitur nga diktatura. Partitë kanë pronë të tyre gjithçka, përfshi «superstrukturën» e kohës të diktaturës dhe elitën e tranzicionit, që tani ka hyrë në shërbim të pastër klientelist. Kemi shkrimtarët, gazetarët, këngëtarët, poetët e PS dhe të PD. Këta fitojnë privilegje dhe i humbin ciklikisht, për mbrojtjen që i bëjnë interesave të partive nga përfitojnë.
Në Shqipëri ka mijëra OJQ këtë çerek shekulli tranzicion, pasuri e madhe po të ishin në funksionin që kanë, por ato asnjëherë nuk i janë përmbajtur detyrimit ligjor dhe kanë mbetur atavizma të dy partive kryesore.
Në Perëndim ekziston institucioni think tank, i pavarur nga partitë politike, megjithëse nuk përjashtohen edhe think tank-et brenda partive, të cilët në mënyrë të pavarur analizojnë politikat publike në të gjithë sektorët që përmbledh sistemi politik – nga politikat sociale deri në strategjitë politike, të ekonomisë, shkencës, kulturës. Këto institucione janë të shenjta, në kuptimin, se qëndrimet e tyre duhet të pranohen a priori nga politika, sepse përballë deputetëve sharllatanë – janë bodyguard-ët e shtetit të së drejtës.
Rolin e një think tank-u me autoritet të pakundërshtueshëm institucional në Shqipëri do të duhet ta luante së pari Akademia e Shkencave, e cila është inekzistente. Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të duhej të kishte përcaktuar politikat afatgjata të vendit, në kuadrin e integrimeve Euro-Atlantike, përfshirë « vizat e kuqe »- të cilat nuk mund t’i shkelë asnjë parti, cilat do qofshin preferencat apo interesat e saj, përfshi politikën e jashtme. Politika e jashtme e Shqipërisë është një.
Në Shqipëri nuk ka organizma think-tank, por ka intelektualë që përfaqësojnë këtë lloj institucioni. Si Profesor Romeo Gurakuqi, i cili përbën një rast sui generis, pasi nuk shndërrohet në një konsumator të arritjeve të tij personale, në planin akademik, produkt i meritokracisë, por paraqitet në publik me qëndrime kritike, në të mirë të sistemit, i cili në Shqipëri është i rrezikuar. Po të isha unë në vend të Ed Ramës, për të garantuar suksesin, njerëz si Prof. Romeo Gurakuqi, do t’i mbaja sa më afër.
Në një prononcim nga më të fundit në një blog të tij, titulluar « Miradministrim i i Shtetit përball frymës së spoils system dhe synimeve jakobiniste » Prof. Romeo Gurakuqi konstaton duke vënë alarmin se rotacioni rrezikon të kthehet në jakobinizëm. “Spoil system” – kur fitimtari, në rastin tonë partia merr gjithçka. Jakobinizmi është një doktrinë që e organizon pushtetin në mënyrë shumë burokratike dhe shumë të centralizuar. Si lëvizje historike jakobinizmi në shekullin XX u shfaq tek BRSS. Jakobinizmi i mbështetur në justicionalizëm krijon premisa për konfrontime. Profesor Romeo Gurakuqi thotë se kësisoj vendi mbahet në një “Luftë të Ftohtë permanente”. Ku fituesit dhe humbësit kthehen në dy ushtri në luftë të hapur kundër njeri-tjetrit. Pa parime, pa moral, pa integritet – tip Ligji Xhungle.
Por qeverisje të stilit jakobinist dhe justicionaliste rrezikojnë rendin dhe sigurinë e vendit. Këtë rrezik Edi Rama duhet ta përjashtojë.

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Karibda, majtas Shila, rreziku, Te ndertojme shtetin

Çfarë thanë futbollistët shqiptarë pas ndeshjes me Zvicëren

October 13, 2013 by dgreca

*E ardhmja e futbollit shqiptar – besimi tek të rinjët dhe eksperienca ……..!

*Intervista nga Tirana prej gazetari Beqir SINA/

* Flasin: Andi Lila, Ansi Agolli, Ergys Kace, Admir Abrashi, Etrit Berisha,Mergim Mavraj dhe Bekim Balaj/

TIRANE :Pjesëmarrje  në kombëtaren Shqiptare, e disa futbollistëve, nga Kosova, dhe viset shqiptare në Ballkan, është një ndër gjërat  me të cilat po merret aktualisht futbolli shqiptar dhe adhuruesit e shumtë të futbollit brenda dhe jashtë Shqipërisë . Kjo për shkak se disa lojtarë të tjerë shqiptarë  po luajnë në përfaqësueset e disa vendeve të tjera ku kan marrë dhe shtetësinë.

Tashmë  që edhe  u shuan shpresat e Kombëtares Shqiptare, e cila për herë të parë në historinë e saj ishte shumë afrë një kualifikimi për në Kupën e Botës – Brazil 2014, përsëri ne shqiptarët jemi krenar se do të kemi jo pak por mbi 10 futbollistë shqiptarë që do të luajnë vitin e ardhshëm në Kupën e Botës Brazil 2014, në skuadrat respektive.

Edhe, udhëtimi  i im këto ditë nëpër trojet Shqiptare, me ndihmën e kolegut tim të mirënjohur të RTSH, Defrim Methasani, me solli nga New Yorku në Tiranë, në tribunat  për të parë ndeshjen futbollistike Shqipëri-Zvicër, e cila u mbyll me rezultatin e disafavorshëm për ne 2 me 1  për Zvicrën.

Një ndeshje kjo që më solli emocione të veçanta, mbasi për sukuadrën që do të jetë në Bazil 2014 luajnë 6 shqiptarë, që e tek e fundit,  ishin ata të cilët e çuan Zvicrën në Brazil, dhe do të jenë ata që komentatorët e të gjithë botës vitin e ardhëshëm – do të  thonë “Zvicerani – Shqiptar”. Pra, emri shqipëtar, dhe krenaria jonë  “ Oh sa mirë me qenë Shqipëtar”, gjithësesi do të jetë edhe atje në Kupën e Botës, në Brazil.

Mirëpo duhet cekur se në  kombëtaren Shqipëtare, krahas talenteve nga Shqipëria  luajnë edhe disa  futbollistë shqiptarë nga Kosova ,ashtu siç luajn ata për kombëtaren e Zvicrës, Kroacisë, Suedisë, Finlandës, Malit  të Zi, Maqedonisë, Belgjikës e tjerë, por që kan zgjedhur të veshin fanelën kuq e zi, dhe janë futbollistë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.

Në fund të kësaj ndeshje në dhomat  e zhveshjes së stadiumit kombëtar Qemal Stafa në Tiranë,  pata “fatin” të bisedojë  me shtatë futbollistët kuqezi të Kombëtares Shqiptare, Andi Lila, Admir Abrashi, Ansi Agolli, Mërgim Marvaj,  Etrit Berisha  dhe Bekim Bala

Andi Lila : Për mendimin tim  nuk fitoi ekipi që luajti sot më mirë. Meritonim minimumin barazimin pse jo dhe fitoren përderisa zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. Dhamë maksimumin me të gjithë çunat.Dolëm me kokën lart nga ky stadium.

A e prisnit që do humbisnit apo ishit të pregatitur vetëm  me fitore dhe në fund dolët me humbje?

Andi Lila : Kurrë unë për vete nuk futem në fushë  për humbje , ishim pregatitur për një  fitore të madhe sot, që t’i gëzonim të gjithë shiptarët.Nuk ndodhi, pavarsisht se dhamë maksimumin. Tani duhet të mendojm për ndeshjet e ardhshme.

Lila, nuk kuptohet dicka me kombëtaren shqiptare, në grup bën një fillim  shumë të mirë, shumë dinjitoz dhe fundi është shumë i dobët , pse ndodh kjo ?

Andi Lila : Këtë gjë unë për veten time nuk mund t’a them, sepse ekipi ynë  ka zhvilluar ndeshje të mira si në fillim ashtu edhe në fund , pavarsisht rezultateve ,edhe fati nuk ka qenë me ne disa ndeshje.Shpresoj që në të ardhmen të kemi edhe fatin me vete.

Ku e shihni perspektivën e re të kombëtares shqiptare?

Andi Lila : E shoh që një ditë të shkojm në një eveniment të madh europian ose botëror! Dhe pse Jo!

Çfarë ju kënaqi me lojën e kombëtares shqiptare ?

Ansi Agolli : Mendoj se loja so nuk i pergjigjet rezultatit pavarsisht se ne dhamë çdo gjë në fushë , dhe  në fund fare ata dolën fitues, mirëpo kështu e ka futbolli  dhe kështu që ne  duhet t’i përgjigjemi rezultatit.

Ç’mendim keni për golat , sidomos për golin e parë ?

Ansi Agolli : Goli i parë për vështrimin tim ishte një gabim i anësorit, sepse ai nuk e kishte mendjen, ajo ishte një prekje “flagrante” me dorë, dhe e pa fat për ne .

Cfarë mendon për ekipin përfaqësues kuq e zi në të ardhmen ?

Ansi Agolli : Mendoj se jemi në rrugë të mbarë, kemi një ekip që janë afruar lojtar mjaft cilësor që luajnë në kampionate shumë të mira dhe ç’është  e rëndësishme është se kemi mjaft të rinj në moshë, pra që do të thotë se deri tani jemi në rrugë të mbarë.

Një pyetje për ndeshjen dhe rezultatin e kësaj ndeshje , ç’mendim keni ?

Ansi Agolli : Është e rëndë pas kësaj loje të bukur që kemi zhvilluar,  me thënë diçka pasi kemi pësuar dy gola pa lidhje sot. Ishim “të pafat” që pësuam atë gol në pjesën e dytë. Po ashtu patëm shancin për të barazuar me 1-1 por nuk e arritëm, Kështu e ka futbolli – por nuk kemi çfar t’i bëjm-luajtëm shumë mirë! megjithëse humbën.

Lidhur me emocionet e tifozëve që shfaqën kundër lojtarëve shqiptar që luajnë me Zvicren, a keni ndonjë mendim ?

Ansi Agolli: Pavarësisht se si është përcjellur ky reagim, por për mua si futbollist është normal që do kishte reagime të tilla, por duhet pranuar se nuk ishte një situatë që nuk të lejonte per të luajtur futboll të bukur për të kënaqur spektatorët. Ju vetë e vrejtët se në fillim dhe pas lojës ka qenë një situatë normale, të paktën në mesin tonë si lojtarë.

Ju vetë po të kishit pasaportën e një shteti tjetër ose kombi tjetër , “ Kë do të kishit zgjedhur për të luajtur me një komb tjetër apo për Shqipërinë ?

Shqipërinë, Pse? Sepse zemrën e kam për Shqipërinë, dhe se e kam vendosur e kam për të qëndruar këtu pavarësisht ndonjë “oferte”.

Admir Abrashi, Më kë luani ju aktualisht ?

Admir Abrashi : Me Grasshopper Club Zürich!

Dhe pranuat që të luani për Shqipërinë ?

Admir Abrashi :  Po! Sigurisht

Keni pas oferta për përfaqësuesen e Zvicrës ?

Admir Abrashi : Unë kam qenë me U21.Ata më thanë që të pres edhe 1 vit,por unë tani kam vendosur të luaj për Shqipërinë, dhe mendoj këtu të mbesë.

Ndjeve emocione në ndeshjen e sotme ,para këtij publiku kaq entuziast?

Admir Abrashi : Po , kanë qenë emocione fantastike.Jam gëzuar shumë. U kam thënë edhe shokëve  se sa mirë ka me qenë atmosfera, ata e kanë parë vetë dhe janë surprizuar nga ajo atmosferë .

Ajo humbja ndoshta i mposhti ata emocionet të flamurit kuq e zi dhe emocionet e kombëtares shqiptare?

Admir Abrash: Po normal që s’janë të kënaqur, tani kemi humbur dhe është dashur që përpara t’i kishim marrë pikët e nevojshme, pasi e dinim që situata do të vështirësohej.

Cfarë mendon për të ardhmen e ekipit kombëtar shqiptar ?

Ka me qenë më mirë , për vitin tjetër do jemi edhe më të fort. Por duhet të jemi më të duruar pasi akoma s’jemi aty ku duhet të jemi dhe aq sa duhet të jemi.

Ku beson më tepër tek te rinjtë apo tek lojtarët me eksperiencë ?. Admir Abrashi :Me të rinjtë gërshetuar me lojën e atyre me eksperiencë

Cilin lojtar veçon tek përfaqësuesja nga të rinjtë që mendon se ka një të ardhme të mirë ?

Ergysi, pra Kaçe është i ri, por edhe disa të rinjë të tjerë si unë që  jam 23 vjec  dhe  tani është dhe koha më e mirë për ne te luajmë futboll.

Ke ndonjë mesazh për gazetën tonë  ?

I ftoj të gjithë shqiptarët të lexojnë gazetën Bota Sot, ju keni gazetën më të lexuar në Zvicër.

Etrit Berisha: , a mund të na jepni një koment për ndeshjen e sotme, dhe si e vlerësoni rezultatin dhe lojën e kombëtares shqiptare, sot ?

Etrit Berisha : Loja ishte normalisht e vështire për ne mirëpo pjesa e dytë filloi mjaft mirë edhe ishim dy skuadra të balancuara, mirpo ai goli që shënoi në një “pozitë të parregullt” dhe më një “faull” për shikimin tonë na demoralizoi ,edhe pastaj e kishim të vështirë që ndoshta  të shënonim gol  edhe pse krijuam disa raste mjaft të mira, edhe për barazimin.

Si u ndjeve që në portën tuaj  shënoi “shqiptari një shqiptari” ?

Etrit Berisha : Ky është sporti që vjen moment që  bën gol shqiptari -shqiptarit , në pozita të tilla që ishim kundërshtar .Normalisht, ndjej pak keqardhje për shkak se ndoshta po  të ishim të gjithë bashkë, ndoshta do të ndryshonte situate edhe si kombëtare nuk do të ishim në këtë pozitë që jemi .Nuk do të komentoja asgjë mirpo ishte si çdo kundërshtar tjetër.

Në një moment që iu vërejta gjatë ndeshjes , ju patët një ankesë të gjyqtari lidhur me golin,çfarë i thatë gjytarit anësor  dhe si ka reaguar ai.

Etrit Berisha : I tregova se ishte faull Po ishte dora ,ishte dora ajo  që devijoi topin dhe pastaj Shaqiri erdhi tek goli, dhe mendoj se ishte pozitë e palejueshme ose jo e rregullt, por që gjyqëtari nuk e mori fare parasyshë, madje u largua sikur të mos kishte ndodhur kurrrëgjë.

Sa ju motivojn ngjyrat kuq e zi kur luani në fushë për kombëtaren shqiptare?

Etrit Berisha : Kuq e zi në fusha për mua është gjithcka.Motivim me të madh nuk mund të kem , vetëm ndihem  paksa keq, ngaqë nuk ia arritëm ata objektiva që kishim edhe pse mendoj se ishim afër gjithë kohës ,mirpo mendoj se detajet e vogla bëjnë diferencën .

Me gjykimin tuaj si e shikoni të ardhmen e kombëtares shqiptare?

Etrit Berisha : Kemi lojtar të rinj dhe mjaft të talentuar kemi edhe grupin me eksperiencë  që është mjaft i mirë së bashku edhe me stafin dhe trajnerin tonë Giani di Biazi. Shpresoj që vitin e ardhëm apo edhe këto ditët që na kan mbetur ,të punojm edhe më shumë që eleminatorët e ardhshme të vijmë edhe të jemi më të fortë.

Cfarë mendimi keni për kombëtaren shqiptare ?

Mërgim Mavraj : Jemi në një proces i cili ka filluar para një viti , kemi filluar një proces të madh me ëndrra shumë të mëdhaja dhe kemi arritur shumë kualitet për të ardhmen dhe jemi optimist për ardhmërine tonë si kombëtare që jemi .Kanë qenë shumë lojtar të rinj shumë lojtarë që janë grumbulluar për së pari, kështu që na nevojitet edhe pak kohë,  pastaj mendoj se do të kemi një skuadër me më shumë kualitet dhe rezulative .

A janë rezultatet meritë e skuadrës deri tani me ketë formë që ka ekipi kombëtar shqipëtar?

Mergim Mavraj : Mendoj se kanë qenë ndeshje shumë të mira që i kemi bërë përveç lojës që bëmë në islandë ,ku nuk e treguam “fytyrën” apo kualitetin e vërtet të skuadrës. Mendoj se shumë ndeshje si me Norvegjinë apo Slloveninë kemi treguar shumë kualitet dhe vendosmëri e cila është shumë e vacant për të pasur sukses dhe mendoj se kjo është një gjë që na bën optimist për të ardhmen.

A ju deluzionon kjo humbje për në ndeshejen e ardhëshme me Qipron ?

Mërgim Marvaj : Jo absolutisht Jo!  kurrësesi ngaqë realitetin duhet ta shikosh drejtë sepse Zvicra nuk është kualiteti  jonë, ajo ka kualitete futbollistësh shumë më të lartëse ne. Megjithatë, ne jemi me një nivel me Norvegjinë, Slloveninë, dhe duhet që të orientohemi njësoj si ata dhe synimi jonë është që të mundim këto skuadra që ne jemi I të njëtiti nivel. Humbja me Zvicrën besoj se nuk ndikon për vetëbesimin tonë ndaj fitores prestigjoze me Qipron.

Mavraj, t’ju pyes edhe ju “Specialistët  e shumtë të futbollit mendojnë se përfaqësuesja jonë e futbollit i fillon shumë mirë ndeshjet e para dhe ka një ecuri mjaft të mirë në grup dhe kur vjen fundi rezultatet janë të dobëta fatkeqësisht edhe me skuadrat e dobëta?

Mërgim Mavraj : Po,është e vërtetë, mendoj se prej kësaj eliminatoreje kemi përfituar mjaft  gjëra të mira edhe kjo ka për të qenë diçka kalimtare. Ka qenë gabimi jonë, por mendoj se ndeshjet e fundit si ajo me Slloveninë kanë qenë të mira ndaj anës tonë, pavarësisht se nuk kemi pasur sukses, por, duhet të shohim realitetin dhe kjo ngaqe na mungon kualiteti për të fituar krahasuar me skuadra si ajo e Zvicrës. Apo Sllovenia që ka shumë lojtarë të mirë por që ne atje treguam një lojë shumë të bukur  në pjesën e dytë.Rezultet kanë  munguar në fund të këtij eliminatori por nuk mendoj se kemi dështuar.

Në këtë mënyrë sipas teje ku e sheh prespektivën e përfaqësueses shqiptare?

Mërgim Mavraj: Në përgjithësi  në çdo repart  të  kombëtares dhe trajneri ka integruar shumë lojtarë të mirë dhe të rinj, është formuar një kombëtare e re dhe neve na nevojitet shumë pak kohë, kuptohet që një projekt kaq i madh nuk do të ketë sukses pas 6 muajve apo një viti, duhet kohë dhe pak durim sepse sportëdashësit tanë të zjarrtë duan që ne të jemi më lart.

-Balaj a mund të na bëni një prezantim !

Bekim Balaj : Po si jo ! Jam Bekim Balaj lojtarë i dalë nga shkolla e futbollit shkodran, nga Vllaznia, pas një transferimi  jashtë për një periudhë të shkurtër në Turqi ,rikthehem  në Shqipëri duke luajtur  tek klubi Tirana për 1 vit e gjysëm pastaj transferohem te Sparta e Pragës për një sezon aty, tani kam një kontratë 3-vjeçare te Sparta e Pragës, dhe jam huazuar këtë vit në Poloni dhe këtë fillim sezoni në 10 ndeshje kam shënuar 5 gola. Dhe jam një ndër golashënuesit më të mirë të kampionatit polak, pjesë e ekipit kombëtarë të Shqipërisë në disa ndeshje miqësore. Ndërkaq, kjo është hera e parë qe jam pjesë e ekipit kombëtar të Shqipërisë për një ndeshje zyrtare, megjithëse isha në stol shpresoj të jem akoma më gjatë pjesë e ekipit kombëtare, dhe të tregojë veten se e meritojë të jem në lojë.

Si e sheh veten përpara përfaqësues shqipëtare dhe kur vesh fanelën kuq e zi ?

Bekim Balaj : Është përgjegjësi, është nder dhe është maksimumi mund të them për çdo futbollist, të shohësh stadiumin plot me tifoza kuq e zi, është ndjenjë krenarie që zgjohet tek çdo shqiptarë.Shpresoj që të jem pjesë e ekipit kombëtar për 90 minuta dhe të bëj më të mirën e mundshme për ekipin përfaqësues Kuq e Zi.

Si e ndjen veten duke parë skuadrën shqiptare  përballë kombëtares së Zvicrës së gjashtë shqiptarëve ?

Bekim Balaj : Të them të drejtën është folur pak si shumë, mendoj se gjithsecili merr vendim për atë që ndjen ,nëse do e ndjesh veten shqiptar dhe të kontribosh për ekipin tonë kombëtar ata e kan pasur derën të hapur. Ata kan zgjedhur Zvicrën dhe për këtë duhet që t’i respektojmë, se sporti është sport dhe nuk është diçka tjetër…..

Bekim, edhe me ju kam të njëtetin shqetësim, që kan specialist të shumtë të futbollit që mendojnë se përfaqësuesja jonë e futbollit i fillon shumë mirë ndeshjet e para dhe ka një ecuri mjaft të mirë në grup dhe kur vjen fundi rezultatet e saj janë të dobëta edhe me skuadrat të dobëta?

Bekim Balaj : Të them të drejtën është për të ardhur keq sepse bëmë një fillim sezoni shumë të mirë dhe ne fund ndoshta kaluam ose  lëshuam pak. Shpresoj të  bëjmë maksimumin në këtë ndeshje që kanë ngelë, pse jo të marrim dhe 3 pikshin të ngjitemi një vazo më lart  për eleminatore tjera.

A mendon se gabuat me Slloveninë dhe me Islandën ?

Mendoj se nuk duhej të dilnim pa pikë ,dhe këto janë pikë që do na ndikojnë në fund të zëmë vendin e parafundit dhe ndoshta t’a kalojmë Norvegjinë, për një “vazo” më lart, le të shpresojmë, dhe shumë të falemnderit për bisedën .

Filed Under: Sport Tagged With: Beqir Sina, Intervista, pas ndeshjes, Shqiperi-zvicer

KRYETARI I VATRËS PRITI NJË PËRFAQËSI TË BASHKISË SË KAMZËS

October 12, 2013 by dgreca

Të premten me 11 shtator, kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” Dr. Gjon Buçaj, priti një përfaqhtësi të Bashkisë së Kamzës, të cilët morën pjesë në një seminar pune që u zhvillua në Chikago. Ndër vizitat që bënë në një Nju Jork, përfaqësuesit e Bashkisë së Kamzës u ndalen edhe në Shtëpinë e Vatrës.

Përfaqësia e bashkisë së Kamzës përbëhej nga kryetari Xhelal Mziu, nga zv/kryetari i Bashkisë Vendim Demaj, Drejtori i Zyrës së Arsimit Qemal Çejku, nga kryetari i Këshillit të Bashkisë Bilbil Bajraktari dhe sekretari i këshillit Sokol Ndreu.

Kryetari Buçaj u uroi mirëseardhjen mysafirëve të cilët e kanë vizituar dhe herë të tjera Shtëpinë e Vatrës. Ai i njohu ata me veprimtaritë e fundit të Federatës Vatra dhe u ndal në mënyrë të veçantë edhe në takimet e zhvilluara gjatë muajit shtator, kur në Nju Jork ishin të pranishëm delegacione nga vendlindja. Për të parën herë herë, tha Kryetari i Vatrës, një president i Shqipërisë, z. Bujar Nishani, vizitoi me 24 shtator Shtëpinë e Vatrës. Kjo do të mbetet një vizitë historike që do të regjistrohet në kronikën e shekullit të dytë të jetës së Vatrës, më e vjetra shoqatë në botën shqiptare, që ka hyrë në vitin e 102 të jetës së saj.

Kryetari Buçaj u ndal edhe në takimin që zhvilloi një përfaqësi e Vatrës me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me 26 shtator, që ishte një takim korrekt. Ne, tha Kryetari Buçaj, i dorëzuam Kryeministrit një promemorje, ku nga njëra anë pasqyroheshin qëndrimet e Vatërs, por  ana tjeter edhe kërkesat e saj ndaj qeverisë në të mirë të Kombit shqiptar, të ish të përndjekurëve politikë, ish pronarëve, luftën për çështjen Kombëtare, luftë kundër korrupsionit etj.

Vatra do ta ndjekë në pozicion oponence konstruktive punën e Qeverisë dhe do të mbajë qëndrimet e saj.

Më pas dr. Buçaj foli për punën që po bën Vatra për shtimin e anëtarësisë së saj, ngritjen e degëve të reja dhe thithjen e elementëve intelektualë dhe brezit të ri në radhët e saj.

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, z. Mziu falenderoi për pritjen e ngrohtë, që e kanë e gjetur gjithmonë tek vatranët. Ai tregoi për vizitën në SHBA dhe përfitimet nga seminari i përvitshëm , ku ata kanë qenë të ftuar. Më pas ai foli edhe për problematikën e Bashkisë së Kamzës, e cila për nga popullsia është e gjashta në Republikën e Shqipërisë. Ai shpalosi punën që ka bërë ai dhe stafi i Bashkise në ndihmë të qytetarëve.

Kryetari i Vatrës dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës shkëmbyen mendime rreth zgjedhjeve te fundit,qeverisjes së re të koalicionit të majtë, premtimeve të bujshme që u bënë gjatë fushatës nga kryeminsitri  dhe revanshi i tanishëm për ndërrimin e plotë të adminsitratës, pa kritere profesionale, por sfond et plot politik, përfshi edhe policinë, apo adminsitraten civile, ku janë bërë shpenzime të shumta për kualifikimin e saj, si nga Amerika ashtu edhe nga partnerët Europianë. Fillimi nuk premton marrdhënie normale të mazhorancës me opozitën, pasi Edi Rama, po provokon dhe nuk po bashkëpunon.

Në fund të vizitës përfaqësia e Kamzës bëri fotografi në mjediset e Vatrës, në bibliotekë, në muze dhe para Shtëpisë së Vatrës.

Përveç Kryetarit të Vatrës në takim ishtin te pranishëm edhe: anëtari i kryesisë se Vatres Marjan Cubi,  Zef  Përndocaj (Advisory board) si dhe Editori i Diellit Dalip Greca.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, dr. Gjon Bucaj, kamez, Krybashkiaku, Kryetari i Vatres, Xhelal Mziu

“PËRJETË ME SHEFIKUN”, LIBËR NGA URTI OSMANI, NË KUJTIM TË BASHKËSHORTIT

October 12, 2013 by dgreca

Nga: Prof. dr. Pajtim BEJTJA/

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të mësuesit të merituar, prof. dr. Shefik Osmanit, bashkëshortja e tij, Mësuesja e Popullit Urti Osmani, e njohur, veç të tjerash, edhe përmes mjaft botimeve shkollore, ndryshe nga më parë, doli para lexuesve me një libër me kujtime për të. “Shefikut, –shkruan ajo në kushtimin e librit, – bashkëshortit tim të paharruar, me mirënjohje të thellë, për kujdesin e jashtëzakonshëm, që ka treguar dhe për dashurinë e pakufishme, që më ka dhuruar”.

Për të shkruar librin ajo ka pasur shtytjen ngulmuese të miqve të saj e të Shefikut, por natyrisht edhe një dëshirë të vetën, veçse hezitonte, “sepse hartimi i një libri me kujtime nuk është i njëjtë me atë të një teksti mësimor“. Kur vendosi t’i hidhte në letër kujtimet e saj, ajo shprehej e merakosur dhe e mallëngjyer: “Vallë, a do të mundem unë, që t’i shkruaj të sakta dhe ashtu si duhet e si e meriton, kujtimet e mia të një jete, me Shefikun e shtrenjtë?”.

Në fakt, Urtia e ka pasur edhe të lehtë, edhe të vështirë për ta bërë këtë. E ka pasur të lehtë, sepse për një jetë bashkëshortore mbi pesëdhjetëvjeçare, të ngjeshur me përjetime dhe me një veprimtari të përbashkët intelektuale e krijuese, ke ç’të kujtosh, ke ç’të shkruash. Veç kësaj, asaj i vinin në ndihmë edhe botimet e Shefikut dhe shkrimet e të tjerëve për të, si dhe mjaft letra, shënime, dorëshkrime dhe ditarë të tij, të gjetura në kohën që merrej me hartimin e librit. Por Urtia e ka pasur edhe të vështirë për ta shkruar librin, sepse i duhej të mobilizohej mendërisht e shpirtërisht për të plotësuar detyrimin moral dhe shpirtëror që ndiente, ndërkohë që ngjarja dhembjeprurëse ishte ende e freskët.

Pas një pune disamujore, këmbëngulëse e të pasionuar, duke shfrytëzuar dhe seleksionuar të gjitha burimet e mundshme, arriti ta përfundonte në kohën e duhur librin. E ka shkruar atë me dashuri, me sinqeritet dhe me dhembje të thellë, duke e pasqyruar me vërtetësi figurën poliedrike të Shefikut, në tërësinë e dimensioneve të saj. Na ka dhënë kështu, siç shkruan prof. dr. Tomor Osmani, “portretin e një personaliteti të devotshëm, me vlera të veçanta dhe me kontribute shumë të rëndësishme, kryesisht në fushën e arsimit tonë kombëtar“.

Libri është ndërtuar sipas një strukture të menduar mirë. Hyrjen e tij e ka shkruar prof. dr. Tomor Osmani,”Mjeshtër i Madh”, pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Ndër të tjera, ai ka vënë në dukje se “Urtia është ndalur në ato momente që nuk janë pasqyruar në ndonjë botim kushtuar Shefik Osmanit. Këtë veprimtari të bashkëshortit nuk e ka parë thjesht në rrafsh personal, por e ka lidhur me gjithë zhvillimin e arsimit në gjithë trojet shqiptare, por edhe në diasporë“. Më tej, pas parathënies së autores, vijojnë 7 krerë, të shkruar me një stil lakonik e me një gjuhë të thjeshtë e pa stërhollime, po me ngrohtësi dhe me ndjenjë të pastër, me kujdesin për të qenë e saktë dhe korrekte në ato që shkruan.

Dy krerët e parë, “Njohja dhe mbresa nga jeta bashkëshortore” dhe “Ngjarje të shënuara”, që zënë një të tretën e librit prej afro 300 faqesh, autorja ua ka kushtuar kryesisht jetës intime bashkëshortore (njohjes, lidhjeve, fejesës, martesës, prejardhjes etj.), jetës arsimore e pedagogjike në Shkodër e në Tiranë etj., si dhe disa ngjarjeve që kanë vënë në dukje aftësitë e spikatura të Shefikut si metodist dhe si organizator e drejtues, të shfaqura qysh në fillimet e veprimtarisë së tij.

Vendin kryesor në libër e zë kreu i tretë, ku pasqyrohet gjerësisht “Veprimtaria shkencore e atdhetare e Shefikut”, duke filluar nga puna që ai kreu në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Vend me rëndësi në këtë krye zë përshkrimi i veprimtarisë së tij në diasporë, me synimin atdhetar që asnjë fëmijë i imigracionit shqiptar të mos mbesë pa mësuar gjuhën shqipe dhe pa u shkolluar në gjuhën amtare. Autorja ka paraqitur të dhëna konkrete për ndihmesën e Shefikut në shkollat shqipe të mësimit plotësues në Zvicër, Suedi, Gjermani etj., përmes punës së drejtpërdrejtë në to dhe botimeve të posaçme në ndihmë të nxënësve të këtyre shkollave. Ajo ka pasqyruar edhe rolin e rëndësishëm që ka luajtur Shefiku në seminaret me mësuesit dhe veprimtarët e këtyre shkollave, të organizuara në Prishtinë, Prizren, Durrës etj. Në paraqitjen e këtyre veprimtarive autorja i është referuar kryesisht periudhës pas vitit 2004, periudhë e shkurtër, por që siç thotë ajo, “e ngjeshur me veprimtari dhe krijimtari, ashtu si e gjithë jeta e tij“. Ajo nuk ka synuar ta pasqyrojë në mënyrë të plotë gjithë veprimtarinë e Shefikut në shërbim të arsimit tonë kombëtar, gjë që nuk mund të realizohet brenda një libri me kujtime.

Udhëtimet e shumta në vende të ndryshme të botës (si në Itali, Gjermani, Holandë, Zvicër, Iran, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite), gjatë një periudhe 17-vjeçare (1991-2008), për t’i dhënë shtysë mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e imigrantëve, apo për probleme të ndryshme arsimore e botime janë paraqitur më hollësisht në kreun e katërt, “Shënime dhe mbresa nga udhëtimet”. Dëshmitare e këtyre udhëtimeve dhe veprimtarive ka qenë vetë Urtia, si bashkëpunëtore në botimet dhe si shoqëruese në shumicën e udhëtimeve.

Prof. dr. Shefik Osmani është njëri prej didaktikanëve më në zë të arsimit fillor shqiptar. Ndër të tjera, ai është autor i rreth 40 librave me karakter mësimor, metodik e historik, si dhe i  qindra shkrimeve në gazeta e revista shkencore dhe kulturore, të shkruara në periudhën 1940-2011. Kjo veprimtari krijuese si dhe, në përgjithësi, veprimtaria e përkushtuar atdhetare, arsimore e pedagogjike e Shefikut, është çmuar, vlerësuar e nderuar me dekorata e tituj, si dhe me kushtime (dedikime) nga personalitete të arsimit e të kulturës, kolegë e miq të tij, që janë paraqitur nga autorja në kreun e pestë, “Vlerësime, dekorime dhe dedikime”. Më të rëndësishme prej tyre janë “Çmimi i Republikës” i shkallës së tretë, për “Fjalorin Pedagogjik Shqiptar” (1984); titulli “Mësues i merituar”(1989) dhe titulli “Drejtues kërkimesh (Profesor)”(1995).

I shkurtër, por mjaft mbresëlënës është kreu i gjashtë i librit, i titulluar “Vetmia, nuk kapërdihet”. Është një përsiatje dhe një rrëfim i sinqertë e i hapur  i autores për ndjenjat që ajo ka provuar pas shuarjes së njeriut të saj më të dashur, është një “bisedë” në mungesë me të, me bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin e një jete të tërë. Një marrëdhënie kjo që e ka karakterizuar shkëlqyeshëm prof. dr. Vehbi Hoti në monografinë kushtuar Mësuesit të Popullit Ethem Osmani, babait të Shefikut: “Urtia u bë shoqe e jetës, e punës dhe e krijimit e Shefikut. Një çift bashkëshortësh për t’u pasur zili, kudo e kurdoherë bashkë..”. Është mjaft prekës shqetësimi i madh i Shefikut se kujt mund t’ia linte kujdestarinë e Urtisë. “Kujt do t’ia lë unë Urtinë?”, shprehej ai dhe “A mund të kujdesesh për Urtinë?“, i drejtohej kohët e fundit ndonjë të njohuri.

Duke bërë një përmbledhje të jetës, të veprimtarisë dhe të krijimtarisë së Shefikut, Urtia, si bashkëshorte e tij, nuk ka si të mos ndjehet krenare për tiparet e larta njerëzore që e karakterizonin atë, për gjithçka që ai bëri në shërbim të arsimit tonë kombëtar, për gjurmët që ka lënë…

Një gjetje interesante përbën kreu i shtatë i librit, “Ligjërata përmes fotografive“, ku përmes fotografive janë pasqyruar pjesëmarrje dhe ligjërata të  Shefikut në veprimtari brenda dhe jashtë vendit. Duhet theksuar se fotografi shprehëse e domethënëse përfshihen edhe në pjesët e tjera të librit, me synimin për ta pasqyruar më bukur jetën e tij dhe për t’i paraqitur më të gjalla veprimtaritë dhe ngjarjet e përjetuara.

Libri në fjalë mbyllet me paraqitjen e disa veprave të Shefikut përmes kopertinave të tyre dhe me bibliografinë e përdorur për këtë botim.

“Përjetë me Shefikun”, është libër që lexohet me interes dhe kureshtje edhe nga ata që e kanë njohur nga afër apo që kanë bashkëpunuar me Shefikun, madje edhe nga ata që kanë shkruar për të. Kjo falë punës së përkushtuar të autores, e cila meriton përgëzime dhe lavdërime, ngaqë ka ditur ta portretizojë në mënyrë bindëse dhe tërheqëse Shefikun, “tamam ashtu siç ka qenë“, duke ndriçuar edhe tipare apo momente të jetës e të veprimtarisë së tij, pak të njohura apo të panjohura më parë.

 

Tiranë, më 12 tetor 2013

( E dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj )

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Pajjete me Shefkiun, per, Urti Osmanitim Bejtja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT