• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

FJALËT E ISMAIL QEMALIT EDHE SOT TINGËLLOJNË SI ZILE ZGJIMI PËR ÇDO SHQIPTAR KUDO QË NDODHET…

November 26, 2013 by dgreca

Në kuadër të 101 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë/

Shkruan: ZYBA HYSEN HYSA/

Është bërë e traditës, që për çdo 28 nëntor, të kujtojmë me nderim dhe respekt të pakufishëm Ismail Qemalin, gjithë punën dhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë në shërbim të kombit. Kjo është vërtet në nderin tonë, në nderin e çdo shqiptari, se të nderosh veprën e të parëve do të thotë që të vlerësojmë punën dhe qëndrimin e tyre në momente të rëndësishme për kombin shqiptar, kjo na bën të jemi më shumë vetvetja dhe mendoj se 101 vjet janë shumë pak për të harruar bëmat e patriotëve, por edhe mijëra vite të kalojnë, përsëri ato do jenë po kaq të gjalla e të prekshme, do apo nuk do bota, do apo nuk do politika pragmatiste shqiptare, jemi, apo nuk jemi formuar si komb i bashkuar, ato mbeten themeli i pa shembur i kombit, ato transmetohen nga brezi nw brez, ashtu si flamuri, si këngët, si gjuha…  por kam vënë re, që kjo festë po bëhet rutinë: organizohen sesione shkencore, pa zbuluar të vërtetat shkencore, vetëm duke përsëritur vit pas viti të njëjtat gjëra, shumë fjalë, aq shumë fjalë vlerësuese, por për fat të keq aspak fjalë të reja që zbulojnë të vërtetat e vërteta të historisë sonë shqiptare, ato të vërteta të hidhura që ishin shkak i shkatërrimit të ëndrrave të shqiptarëve për liri e pavarësi kombëtare.Historia e një kombi, një kontinenti, a më gjerë… kurrë nuk mund të shkruhet me laps majëhollë, ajo vetëm mund të pikturohet me dritë – hije, në momente më të veçanta që kanë sjellë ngjarje me rëndësi të madhe për përparim, drita shkëlqen më shumë e në ato momente që kanë prerë udhën e këtij zhvillimi, hija shndërrohet në njolla, kështu në çdo përvjetor lexojmë atë pjesë të historisë që shfaqet në dritë e ndjehemi krenarë, por mbetemi atje pa pasur kurajë të depërtojmë në këto njolla të errëta për të gjetur pigmentin e zi që shkaktoi dëmet e kohës, regreset e historisë, që pengojnë dhe sot progresin e kombit shqiptar…

 Meqë 28 nëntori lidhet direkt me veprën e Ismail Qemalit, si themeluesi i shtetit të parë shqiptar më 1912 – ën, të ndalemi pak tek jeta dhe vepra e tij si politikan me ngjyra të theksuara demokratike, një model perfekt për të marrë shembull sot politika jonë shqiptare, se ai përmes një rrugëtimi të gjatë e të rrezikshëm nga Stambolli, në Bukuresht, më pas në Vjenë e Budapest e përsëri në Vjenë drejt Triestes, në Durrës, Kavajë, Çermë, Divjakë, Libofshë, Fier, Novoselë, më në fund në Vlorë, ku nuk qe rastësi, apo fat i saj, por aty ishin patriotët më largpamës që përkrahën ideatorin Ismail Qemali në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

 Dihet që veprimtaria e Ismail Qemalit, para se të mblidhej kuvendi historik në Vlorë, ishte diplomatike, serioze dhe këmbëngulëse për të realizuar idenë e kahershme të popullit shqiptar, shpalljen e Pavarësisë. Këto përpjekje të vazhdueshme deri në aktin e Madh të shpalljes së Pavarësisë i ka shpalosur fort qartazi Ilir Ikonomi në librin “Pavarësia –  Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit”, ku del, se përveç përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare, ai diti të bashkojë shqiptarët mrekullisht pa dallim feje, krahine në mbledhjen e kuvendit. Në këtë libër në faqen 216 – 217 thuhet: “Ishte gjë e rrallë të shihje parinë shqiptare të mbledhur në një konak. E rrallë sepse shqiptarët ishin të ndarë në fise dhe klane, nderonin tri besime të ndryshme dhe nuk kishin gjuhë të njehsuar kombëtare… sepse shqiptari individualist dhe krenar, që nuk duron dot as hijen e vet, e kishte të vështirë të pranonte një shqiptar tjetër mbi krye… Megjithatë, kishte diçka të padukshme, që i bënte veriorët dhe jugorët të mblidheshim bashkë në këto rrethana të veçanta, kur po turrej e liga… Pra, sado të ndryshëm të ishin këta njerëz, si rrjedhojë e atij brumi të përbashkët ata nuk ishin shkrirë me kombe tjera, as nuk e kishin holluar gjakun. Ata ishin thjesht shqiptarë.”

 Të ndalemi, se si është e si punohet në drejtim të bashkimit të shqiptarëve sot? Me dhembje konstatoj që në këto vite të “demokracisë” shqiptare, dëgjohen shpesh shprehjet “Veriu, Jugu, apo malokët, jugorët , pak dëgjohet për shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi, Çamërisë, thua se këta nuk kanë ekzistuar ndonjëherë.  Në një kohë që feja për ne, është thjesht një preference personale, shpesh kthehet për ndasi territoriale, ku befasohem me pikëpamje anadollake, saqë shpesh mendoj se kemi shkuar qindra vite pas, ku herë ngrihet islamizmi, herë krishterimi, bile bëhen edhe debate publike me dite e muaj me radhë në lidhje me fenë e shqiptarëve nga koka të intelektualëve shqiptarë (këtu vlen të përmend edhe debatin Qose – Kadare), në një kohë që ka pasur dhe ka probleme jashtëzakonisht të mprehta për të diskutuar e për të marrë zgjidhje.“Pa ngrihen dhe “kokat” tona e bëjnë be/ Njëri krishterë –  rreth prerë, tjetri myslimanë/ Përplaset kokë – Qosja, mbi Kadare/ Betohet për Krisht, tjetri si muhamedan…/ Betohen e flasin për fe të pafetë/ Se dhe foshnjat e dinë prejardhjen tonë/ Me broçkullat e tyre, dikujt i bëjnë fresk/ Si partitë politike, fetë  vijnë e shkojnë…”Nëse do diskutohej problemi i ngritjes së kishave greke përgjatë Vorio Epirit , apo manastiret serbe në kosovë, ruajtja e monumenteve dhe vendeve historike në gjithë trojet tona shqiptare, apo figura të ndritura në fusha të ndryshme, të  trokisnin në portat e atyre që na copëtuan për të rishikuar, diskutuar dhe qëndruar seriozisht për çështjen shqiptare, por bëhen leva të qëllimeve të politikës botërore antishqiptare. Kështu më vjen në mendje Rambujeja, ku shqetësimi i Kadaresë ishte firmosja e jo ngritja e zërit për të drejtat tona, apo Qosja që shprehet që ta ndërrojmë veriun e Kosovës me Luginën e Preshevës, sikur ai t’i kishte prona të babait. Mora si shembull, se këta më erdhën në mendje teksa po shkruaj, se kur personalitete kaq të mençur të kulturës shqiptare veprojnë kaq pa dinjitet, kaq pa gjak shqiptari, të mos futemi pastaj se sa gjynahe i kanë Kombit tonë qeveritë që vijnë e ikin, qeveri që përveç interesave të tyre personale as që duan të dinë dhe sa shtetas kanë e jo më të ndihmojnë në ngritjen e tyre ekonomike dhe kulturore… “Ëh”, rënkonte vendi/ Sa herë vinin mizoritë/ “Ëh”, rënkon edhe qielli/ Sa herë hipin, zbresin qeveritë!”Duke gërmuar nëpër histori për të gjetur përpjekje serioze për përparim dhe bashkim të shqiptarëve këto vite që pasuan aktin e firmosjes së Pavarësisë sonë në këtë copë Shqipëri, përveç Marrëveshjes së Mukjes në 3 gusht 1943, marrëveshje që u prish nga diktati antishqiptar ruso – jugosllav, nuk shoh asgjë që të më ngazëllejë zemrën, të më ndezë shpresën e një të ardhmeje të ndritur për shqiptarët e në këto kushte përpjekjet dhe vepra e Ismail Qemalit me shokë janë fakte të pamohueshme që na bëjnë ne të jemi krenarë për personalitete kaq të larta të kombit tonë, por si mundet vallë që për një personalitet kaq të rëndësishëm të mos jetë folur dhe të mos jetë shqetësuar njeri që të ndjekë vazhdën e ngjarjeve para vdekjes së tij për të gjetur vrasësit e vërtetë të Ismail Qemalit, se pas tij fshihet dora që na mban duart dhe sot e kësaj ditë për të mos arritur aspiratën e popullit për bashkim kombëtar, si e vetmja alternativë për zhvillim dhe përparim. Kështu lindin pikëpyetjet e historisë e pikëpyetja më e madhe, është vdekja e Ismail Qemalit me anë të së cilës mendonin se do varrosej aspirata e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. “O Kaninë… o moj mike/ Si s’u trete, si nuk vdiqe!?/ Kur në ’19 – ën/ Shtyllën e shtëpisë ta helmuan/ Dritën e syve ta verbuan…/ Si s’u trete si nuk vdiqe/ Si s’u hodhe përmbi dete/ Si nuk plase… ç’ilaç gjete? /- Kur më erdh’ vigani shtrirë/ Të kisha vdekur qe më mirë/ I thashë vetes: “Qëndro!/ Nuk është fikur zjarr’ i zemrës,/ Nuk është shuar mjalti i këngës/ S’është tharë gjiri i nënës/ Viganë tjerë për të lindur/ Shtyllën e shtëpisë për të ngritur…/ Po… moj motër… kaluar motër/ Kur kam parë bijtë e mi/ Ngritur pushkët njëri – tjetrit/ Skish më tmerr… lebeti/ Veç atëherë kam shpëtuar/ Nga idhnia pa u shuar/ Pa u hedhur përmbi det/ Që zhdukesha për jetë/ Qumështi i gjirit, gjak për peshq…/ Por… një zë… një dritë më bindi/ Nga të gjithë bijtë më i dituri/ (bëhet fjalë për Isuf Luzajn)/ Të qëndroja… të shpresoja…

– Mos u tut, e dashur mëmë/ Do të rilindësh si një këngë/ Do të këndohet:/ Herë e fshehur, herë mbi skena/ Gjer të shfaqet ndër bedena/Si flamur i Kastriotit/ Amanet i Ismailit,/ Lajtmotiv…  bir pas birit…!”

 Nëse në shtetet e ndryshme të botës ka pozitë dhe opozitë, në Shqipëri ka patriotë dhe politikanë të shitur, politikanë që në qeveritë e tyre kurrë nuk mbrojtën interesat e shqiptarëve, kurrë nuk qenë vazhdues të Ismail Qemalit e pse për çdo 28 nëntor shkojnë e i vendosin kurora me lule tek varri, mbajnë dhe fjalime, puthin dhe flamurin dhe kaq. Hipokrizi! “Unë kam parë shpesh pranë monumentit/ Kalojnë nëna qëndrojnë bëjnë kryq me dorë/ Disa të tjerë, qëndrojnë, përulen, puthin vendin/ Plot njerëz vinë, në shenjë nderimi qëndrojnë… /Po, kam parë edhe shumë pushtetarë/ Venë kurorë, buzëqeshin, flasin me letër/ Radhitur veprimet bukur me skenarë/ Ikin më në fund  pa e përshëndetur…Po të shohësh politikën botërore aktuale aty – këtu lulëzojnë po ato qëndrime ndaj shqiptarëve si para 101 vjetësh, mos vallë ka ardhur koha që shqiptarët të hapin sytë nga letargjia dhe të shkojnë atje ku u helmua dëshira e shqiptarëve dhe të gjejnë helmuesin dhe të kërkohet këmbëngultas për të zgjidhur një herë e mirë çështjen shqiptare, se kaluan 101 vjet dhe situata jonë mbetet po ajo; vend i pazhvilluar, varfëri, emigrim, korrupsion, diktat nga jashtë dhe ku ishim asgjëkund, ku po shkojmë… Zoti e di, e pse fjalimet fillojnë: “Për të shkuar drejt BE…” drejt një BE – je që kurrë nuk i ka respektuar shqiptarët, kurrë nuk u ka lënë vendin që meritojnë si autoktonë nga më të hershmit në Ballkan. “Qysh kur perëndia gatoi tokë/ Rrënjëzohet… këtu, lashtësia/ Zoti në këtë tokë na bëri zot/ Që nga Pellazgët, nis historia…/ Gjithë kombet janë krijuar/ Askush nuk mund të rikrijojë/ I falemi Zotit të lavdëruar/ Që krijoi dhe kombin tonë…/ Kombet tjera kudo që janë/ Me fat janë, kanë mëmëdhe/ Po kombin tonë pse duan ta hanë/ Si korbat vërsulen të na bëjnë pre!/ Na thonë se jemi një racë pa taban/ Na thonë të tjerë jemi të krishterë/ Ortodoksë, katolikë, bektashian…/ Emri shqiptarë s’përmendet një herë…”

Edhe po të kishim qenë kriminelë, do na jepej dënimi kapital me 101 vjet burg, por ne kurrë s’kemi qenë kriminelë, por i kemi trajtuar kombet tjera si veten, i kemi pritur dhe përcjellë si miq, por ne na doli si bilbilit me qyqen. Bilbili i ndërton folenë, lëshon vezët, i ngroh vetë, dalin zogjtë dhe i ushqen po vetë, ndërsa qyqja vjen lëshon vezën në folenë e bilbilit dhe bilbili duke vepruar me natyrën e tij që kurrë nuk i lë vezët në folenë e tjetrit dhe as që e mendon, kështu bashkë me vezët e tij, ngroh dhe të qyqes, por zogu i qyqes del më i madh dhe jo vetëm u ha ushqimin të vegjëlve të bilbilit, por me krahë e hedh poshtë. Kështu ka vepruar dhe vepron Serbia me ne, Greqia me ne… gjithë ndërkombëtarët;  vijnë si miq, bëhen pushtues e sot janë këmbëkryq në trojet tona e ne përsëri besojmë në miqësinë e tyre dhe përsëri u ngrohim vezët, ata na hanë zogjtë… “Si një pemë, as çelë, as tharë/ Rrugë, pa rrugë, o Shqiptarë/ E pse pini nga një dorë tjetër/ S’ka kulloshtër, t’u rrisë jetën!/ Një dorë, u jep për të pirë/ Një shiringë, gjakun u thith/ Eh, shqiptar, kurrë s’ke gjetur/ Rehatinë për të fjetur/ Në gjumë të natës si një hënë/ Nga errësira, ndrin një nënë/ Është e plotë pesëmbëdhjetë/ Thotë: ” Shqiptar, mos rri tuj fjetë!”

Nëse bota do kishte dëshirën e mirë për të ndihmuar kombin tonë, nuk do merrte shpatën duke na ndarë në 6 copa, por të na bënte bashkë dhe atëherë të provonin vitalitetin e kombit tonë bujar dhe paqedashës. Asnjëherë bota nuk u interesua për të studiuar vitalitetin e kombit tonë, por ecën duke dëgjuar këngën qyqes, një këngë antishqiptare, një këngë si këngë qyqeje…

Edhe sot janë aktuale fjalët e Ismail Qemalit ku thotë: “Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste, pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e Jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në sinisinë e Ballkanit…”

Në kohën që Konferenca e Paqes në Paris do të vendoste fatet e popujve, fati i shqiptarëve mbeti pa fat, se strategu dhe ideatori i kombit tonë u helmua dhe vdiq duke lënë në zemrat e shqiptarëve të ndershëm amanetin e tij për bashkim e përparim. Ismail Qemali nga Madriti, në fillim të tetorit 1918, tërhiqte vëmendjen se “Detyra jonë imperative (urdhëronjëse) është sot t’i vihemi punës pa mëri dhe pa përtim për të vënë themelitë e të drejtave tona politike dhe për t’i vulosur me vulën e Konferencës së Paqes”Kuptimet e historisë janë për ne të rëndësishme e pse rrallë herë në histori ndeshim një teori, e cila mund të vërtetohet shkencërisht, por mendoj se mjaftojnë 101 vjet për të vërtetuar teorinë e Ismail Qemalit, se edhe sot fjalët e tij tingëllojnë si zile zgjimi për çdo shqiptar që të ngrihet e të kërkojë fijet e këputura dhe të mbledhë lëmshin e historisë në dobi të çështjes sonë kombëtare. Safo Vlora shkruan në kujtimet e saj për ditën e ardhjes së trupit të Ismail Qemalit në Vlorë: “… Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë, duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës se në ceremoninë e përmotshme… as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi, tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz, ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit…”

Ismail Qemali ka qenë dhe mbetet babai i kombit shqiptar, deri më sot nuk ka dalë një i dytë, koha do sjellë në skenë një bir shqiptari që siç thotë historiani, filozofi, poeti dhe patrioti i madh Isuf Luzaj në poemën “Glorja e Çmendjes” se: “Ashtu si këta, yje Historie,/ Që kanë pas tyre legjione rinie,/ Në shpirtin e popullit kanë mbetur dëshmi,/ Ashtu, sigurisht, një ditë do të vijë,/ Një djalë shqiptari, prej mëme shqiptare,/ Ndoshta i panjohur as në fshatin e tij,/ Do ujdisë përpjekje me histori fatbardhë,/ Në një çast të papritur do bëjë mrekulli,/ Do ta ngrejë në këmbë racën tonë krenare,/ Do ta vërë në radhë në mes të Evropës,/ Shembull e pasqyrë, për popujt e botës,/ Të binden, të besojnë që ka Perëndi.” 

 Mendoj se nuk kemi vepruar ashtu si duhet për ta nderuar aq sa duhet këtë burrë shteti, përderisa asnjë shqiptar deri më sot nuk u shqetësua për rrethanat në të cilën vdiq Ismail Qemali. Pyetje të shumta na godasin si çekan çdo vit e më shumë, çdo ditë e më shumë, se ekzekutimi i Ismail Qemalit, ka qenë thika më e madhe që i është futur kombit tonë në trup (fatmirësisht nuk shkoi në zemër) dhe ashtu si një pemë që i ngulin një gozhdë që as thahet dhe as lulëzon më, ashtu ka mbetur kombi ynë, as zhduket dhe as zhvillohet si gjithë kombet tjera në botë. Më vjen në mend një rrëfim i një burri të moçëm nga Vlora: “Tregojnë se një herë e një kohë njërit i vrasin vëllanë dhe siç ishte zakoni, ai duhet të merrte gjakun e për këtë, mbushej një shishe e vogël me gjak dhe varen në mur si portret i të vdekurit e hiqej pasi ishte marrë haku, por i vëllai me ndërhyrjen e miqve e fali gjakun, por shishja mbeti në mur. Kaluan shumë vite, mbase 101, dhe tek flinte një pasdite i del vëllai në ëndërr dhe i thotë: “Si fle gjumë, kur unë jam i vdekur dhe hasmi fle poshtë lisit pranë arës sonë…” Vëllai ngrihet i trembur, merr pushkën, hipin kalit dhe rend si i çmendur tek lisi dhe vërtet e gjen hasmin duke fjetur në hije. I thërret e ai ngrihet nga gjumi i trembur. Vëllai i thotë: “Unë ta fala gjakun, por nuk ta fal gjaku i vëllait dhe e vrau.” Me këtë nuk dua të them që të shpallim luftë ndaj gjakësorit (as fuqi nuk kemi për ta bërë këtë), por ta dimë se cili është dhe ta gjykojë e drejta, se nuk jemi në kohërat e gjakmarrjes e pse gjakmarrjen na e kanë futur mes njëri – tjetrit, për të mos pasur mendjen tek gjakësori i të gjithë shqiptarëve.

Ne duhet të bëjmë të pamundurën për të njohur të kaluarën, me qëllim që të kuptojmë se ku e patën nisjen të gjitha problemet e kombit tonë e kështu duke gjetur shkakun, duke kuptuar pasojat shkatërruese që kemi pasur fatin e keq të përballemi këto 101 vjet shtet shqiptar si një pjese krahu e kombit tonë, vetëm kështu do të jemi të kthjellët për të hedhur hapa të sigurt drejt së ardhmes.  Në rrjedhën e historisë ka ngjarje të rëndësishme dhe më të rëndësishme që ne duhet t’i kujtojmë në ditë festash, që për fat të keq disa nga këto ngjarje kanë qenë shkatërruese për kombin tonë, por për fat të mirë nuk qenë asgjësuese.

Nëse do të shkonim në vitet 1912 e deri 1919 me vdekjen e Ismail Qemalit e të analizojmë situatat historike ndërkombëtare, situatën nevralgjike të kombit tonë, trazirat dhe pazarllëqet e fuqive të mëdha në prag të Konferencës së Paqes, duhet të analizojmë me kthjelltësi, pa ngarkesa emocionale politike, por thjesht si studiues, do na dalë përpara puna e ndershme e Ismail Qemalit për të përfunduar projektin e nisur më 28 nëntor 1912 për bashkimin e trojeve etnike shqiptare, që më pas të ishte i sigurt zhvillimi dhe përparimi kombëtar në harmoni me gjithë kombet tjera në botë.

Duke e parë historinë nga ky këndvështrim vit pas viti festa e 28 nëntorit nuk do të organizohej me brohoritje, por me heshtje zije dhe me angazhime për të zbardhur të vërtetat e historisë së fshehur të rrjedhjes së ngjarjeve antikombëtare, ngjarje që për fat të keq, sot disave u duken normale.  Nëse nuk zbardhet historia e vërtetë e cila është nxirë aq shumë nga antikombëtarët shqiptarë dhe antishqiptarët botërorë, saqë edhe deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë kanë fshehur e për fat të keq shteti hesht e kjo heshtje ka dorën brenda. Si mundet vallë shteti hesht , kur nga goja e Kristo Frashërit dalin fjalët: “Dokumenti i Pavarësisë ka qenë në Tiranë deri në verën e vitit 1962. Për një arsye që s’dua ta them na iku nga dora. I iku nga dora qeverisë. Tani as që jam në gjendja ta ndjek. Unë s’lëviz dot nga vendi. Ai që e kishte na u lut që të mos e zinim në gojë emrin e tij. Dhe unë ia kam dhënë fjalën e s’e tregoj” Ka shtet shqiptar, apo ka vetëm barbarë. Po si u lejuaka një person, që ka marrë tituj dhe dekorata deri në “Nder i Kombit” të bëjë deklarata të tilla dhe të mos merren me të?? Oh, sa fatkeq paskemi lindur! Që pas Ismail Qemalit kemi mbetur bonjakë dhe bonjaku mbështetet herë tek halla, herë tek daja, por asnjë nuk e mban si birin e vet, e kthen në shërbëtor.Ndaj, jo vetëm të kujtojmë heronjtë,  por të frymëzohemi prej tyre. Nuk do kishte kuptim festa vetëm për festë, por ashtu  si në ditë Krishtlindjeje, Bajrami… që shkojmë në kishë, xhami, apo teqe, ku  rrimë pak çaste nderojmë Zotin, ndezim qiri, bëjmë lutje dhe në fund themi “Amin”, për të ndezur shpirtrat tanë dhe më pas futemi në të përditshmen… po do na realizohej dëshira që u lutëm para Zotit nëse çdo njeri nuk do përpiqej pa u ndalur për ta realizuar atë? Kurrsesi jo, ndaj çdo ditë e 28 nëntorit le të quhet festa e fesë sonë, e fesë së shqiptarizmit, ku pa dallim, të gjithë shqiptaret të shkojnë në Vlorë, se Vlora është Meka e Kombit tonë, ashtu siç jemi lutur para Krishtit, Muhametit, para gjithë varreve të profetëve, ne të bëjmë homazhe tek varri i Ismail Qemalit, se ai është Profeti i shqiptarëve. “Ka ardhur koha, të shpallim Profet/ Të dërguarin e zotit Ismail Bej Vlorën/ Që s’dalloi e s’pyeti aspak për fetë/ Në emër të Zotit na vuri kurorën!/ Siç jemi lutur deri tash përmbi varre/ Që s’dimë nga janë, emrin s’e kanë shqiptar/ Të bëhemi bashkë, të vihemi në radhë/ Tek varri Ismailit çdo vit, pelegrinazh…./ O Tokë e të parëve tanë, o Shqipëri/ Mbaje fort shtrënguar në gji profetin/ Kërko ndër bij, nxirr një profet të ri/ Ta çojë me guxim gjer në fund amanetin…/ Vetëm Profetët kuptojnë amanetet/ Xhepmëdhenjtë njohin vetëm paranë/ “U lamë një copë tokë, kufijtë t’i gjejnë vetë”/ Ismail Qemali, në Sheshin e Flamurit ka thënë.”

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: e Ismail Qemalit, fjalet, Zyba Hysa

Arti hyn në shpirt ashtu siç hyn shpirti në parajsë

November 26, 2013 by dgreca

(Shënime nga një ekspozitë pikture)/

Nga Vaso Pata/

Autorët, në ekspozita, paraqesin punime të gjinive të ndryshme, të punuara me teknika, po ashtu, të ndryshme. Motivet lidhen me njeriun apo me natyrën. Tablotë kanë përmasa të mëdha apo të vogla. Vizatimi realizohet me vija të prera apo linja të buta. Ngjyrat janë të gjithëfarëllojshme. Të gjitha këto ndikojnë për të vlerësuar një punë, në të dyja kahet, për ta bërë më të bukur ose thjesht të rëndomtë. Duke gjetur “prerjen e artë” të raporteve të mësipërme artisti arrin të nxjerrë nga duart diçka të bukur, të cilën e pëlqen shumica. Vetëm disa pak prej këtyre “bukurive” kthehen në vepra arti.

Ekspozita e çelur nga Edi Kojani pati punë të bukura që do të zbukurojnë mjediset e do të gëzojnë të zotët e tyre. Aty pamë edhe vepra arti të denja për të rritur vlerat e galerive e të muzeve.

Në punën e tij, Edi interesohet për gjithçka që sheh, përjeton e mediton. Sheh njeriun dhe botën shpirtërore të tij, me ndjenjat e emocionet por dhe shqetësimet e ndërlikimet e jetës, sheh natyrën në të gjitha shfaqjet e në të gjithë përbërësit e saj. Sheh pyllin, pemët e pyllit, degët dhe gjethet e pemëve por gjithnjë pa humbur nga sytë pyllin. Ka mjaft ide për të arritur aty ku kërkon, motivet nuk mungojnë, teknikat e punës i njeh mirë, vizatimi nuk përbën problem për të, ngjyrat janë aty dhe ai di t’i përzgjedhë sipas qëllimit e t’i kombinojë ato për të arritur efektin maksimal. E njeh mirë thelbin e punës së vet dhe ka njohuri të gjera nga fushat e tjera të artit, nga letërsia e më gjerë.

Nuk është aspak e thjeshtë të analizosh gjithë “këtë pyll”. Madje, edhe të japësh mendime për “pemët” është ndërmarrje e vështirë. Gjithësesi do të përpiqemi të vlerësojmë disa prej “pemëve të pyllit”

Një motiv, që e ngacmon artistin, lidhet me “Qytetin e Jugut” tepër i dashur për të.

“Ky ishte një qytet i çuditshëm, që dukej sikur kishte dalë në luginë papritur një natë dimri si një qënie prehistorike dhe duke u kacavjerrur me mundime të mëdha, i ishte qepur faqes së malit. Gjithçka në këtë qytet ishte e vjetër dhe e gurtë, duke filluar nga rrugët dhe çesmat e gjer te çatitë e shtëpive të tij të mëdha, shekullore, që ishin të mbuluara me pllaka guri ngjyrë gri të cilat u ngjanin luspave gjigante. Ishte e vështirë të besoje se nën ato korraca të forta gjëllonte dhe përtërihej mishi i butë i jetës.”

Tabloja tregon se Kojani piktor e sheh Gjirokastrën si Kadareja ynë i madh. Megjithatë, pamjen e gurtë të qytetit dhe ashpërsinë e maleve përballë, artisti e zbut me një tis të hollë e magjik mjegulle.

Deti nuk mund të mungonte në ekspozitën e një piktori vlonjat. Ai paraqitet i egërsuar dhe mësyn shkëmbin, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë historisë së tij. I kreshpëruar e shikon shkëmbin nga lart si për t’i treguar se është mbi të gjithë. Po ai det, në një tablo tjetër, di të tërhiqet me dinjtet e butësi, duke ftuar pulëbardhat të marrin ushqimin e tyre të përditshëm, vogëlushët të mbledhin guacka dhe peshkatarët të kërkojnë krimba për grepat e tyre. Artisti luan me kontrastin e ideve, ndjenjave, emocioneve, linjave, ngjyrave, dhe e shfrytëzon atë, shpesh, si mjet artistik.

Tabloja “Perëndim” që fare mirë mund të titullohet “Dashuria që lind dhe dielli që perëndon” të kujton që je njeri dhe duhet të dashurosh (gjithçka të bukur e të mirë) por edhe të meditosh. Dielli ka perënduar por do të lindë përsëri, ashtu siç ka bërë mijëra e mijëra vjet dhe do të vazhdojë të bëjë mijëra e mijëra vjet më pas. Po ashtu njerëzit janë dashuruar për mijëra e mijëra vjet e do të vazhdojnë të dashurohen deri në pafundësi.

Ky punim ku ndihet një frymë romantike përçon ndjenja të holla lirike. Ngjyrat e përdorura, jo të kursyera por, të përzgjedhura me kujdes, i theksojnë edhe më shumë ndjenjat aq të pastra dhe emocionet aq të thella.

Kalimthi vërejmë se artisti parapëlqen arin, ngrohtësinë, afërsinë, ndriçimin e fortë e plot ngjyra të diellit më shumë se argjendin, ftohtësinë, largësinë, ndriçimin e zbehtë e monoton të yjeve.

Tablotë e Kojanit janë piktura që flasin. Shikuesit nuk e kanë të vështirë të dëgjojnë personazhet, të përjetojnë botën e tyre shpirtërore.

Ja një tablo ku personazhet plotësojnë njëri-tjetrin. Shohim dy mullarë, nuhasim aromën e kashtës së thatë dhe ndiejmë ngrohtësinë që lëshojnë në atë vjeshtë të vonë. Një peizazh pastoral e idilik që flet për paqë e fton për prehje. Ngjyrat e buta, të ëmbla e të ngrohta i janë përshtatur më së miri subjektit duke plotësuar vizatimin tepër shprehës.

Në një tablo tjetër shohim një rrugicë fshati dhe dy plaka që po bisedojnë. Aty në kënd duken disa rrënoja. Duke admiruar tablonë “dëgjojmë” bisedën e tyre. Ato qajnë hallet për shëndetin në muzgun e jetës por më shumë për mungesën e djemve të tyre që janë larg. Njëra nga plakat është me fytyrë nga shikuesi, tjetra me shpinë. Eshtë pikërisht kjo e fundit që “flet” më shumë. Një gjetje shumë e goditur. Ngjyrat e kursyera janë përshtatur më së miri për personazhet dhe mjedisin që i rrethon ato.

Portreti i djaloshit me ngjyrë është punuar me ndjeshmëri të hollë. Qëndrimi i djaloshit, fytyra e, sidomos sytë shprehës, pasqyrojnë botën e tij shpirtërore. Ai nuk shikon vrëngër por i shqetësuar dhe paksa i brengosur. Gjithë pamja e tij pyet: Pse më shikoni shtrëmbër?

“Personazhet” (në thonjëza ose jo), në punët e Edit, ndërveprojnë, kundërshtojnë ose plotësojnë njëri-tjetrin. Kompozimi “No coment” paraqet trotuarin e një rruge pak të ndriçuar. Lart, në mur, duken tre foto të mëdha të “Statujës së Lirisë”. Poshtë, në trotuar një vajzë me kokën ulur mbështetur në gjunjë. Megjithëse titulli nuk e kërkon, ose pikërisht për këtë arsye, tundohemi të bëjmë ndonjë koment. Janë vendosur përballë, simboli dhe njeriu. që e ka krijuar atë simbol. Tek vajza me pamje të përhumbur mungojnë liria, dinjiteti, krenaria që aq shumë i rrezaton simboli. Njeriu është i ndërgjegjshëm për forcën por dhe dobësitë e tij, për përsosmërinë e botës por dhe pamundësinë për ta shijuar plotësisht atë. Jeta e tij është e kufizuar nga ligjet e natyrës por dhe nga veprimet, nganjëherë kundër arsyes, të shoqërisë. Për të kapërcyer dobësitë, pamundësitë, kufizimet etj. njeriu krijon simbolin. Njeriu jeton të sotmen ndërsa njerëzimi mbijeton me të ardhmen (simbolin).

Kompozimet “Ardhja e çamëve”, “Komisioni i festës” “Oborri i Ali Pashës” etj., me tema kryesisht historike, do të kërkonin një analizë më të thelluar.

Diskutimi mbi punët e ekspozuara nuk mund të quhet aspak i shterrur. Dashamirës të tjerë të artit mund të thonë më shumë, për më tepër, të kenë këndvështrime të tjera, të parashtrojnë interpretime të ndryshme nga ato që u shjelluan në këtë shkrim, madje edhe të kundërta.

Artdashësit kanë parapëlqime të ndryshme për gjinitë, teknikat, motivet, për realizimin e tyre, për vizatimin dhe ngjyrat. Është mëse e natyrshme. Kojani ka edhe ai qëndrimin e këndvështrimin e vet, por vetëm buzëqesh, duke shpjeguar e interpretuar kur ja kërkojnë, duke mos mbajtur anë. E ka vënë re tashmë se të gjithë bashkohen në një pikë. Eshtë kënaqësia që ndien e përjeton secili duke shijuar artin e tij. Artisti ofron dhe shpërndan bujarisht kënaqësi të tilla dhe Edi di ta bëjë mirë këtë.

Filed Under: Kulture Tagged With: arti, parajsa, shpirti, Vasp Pata

NJË DITË ME POETEN SILVA TËRNAVA

November 26, 2013 by dgreca

Indianët thonë:”Poetët hynë aty ku nuk hyn dielli”,unë do të thoja poetët hynë aty ku është dashuria e atdheut,shërbimi i kombit. Silva Tërnavën e kam lexuar ka kohë,.Emri dhe veprimtaria e saj ,janë bërë të njohura edhe në kepat më të larta të kontinentit,në Zelandën e largët.Ajo është mike,veprimtare,poete,vargjet e saj frymëzojnë atdhedashuri,bashkim,vllëzëri,krenari dhe njerëzi.Vargjet e saja frymëzojnë atdhedashuri,janë të arrira artistikisht,,mesazh për vendlindjen,atdheun,pragun e shtëpisë,lëvozhgën e jetës së vuajtur shqiptare,janë këto nga poezitë e Silvës,të cilat më nxitën të i hedh për lexuesit tuaj.Silva Tërnavën,e kam njohur mes shkrimeve,nuk e kam njohur personalisht,por arti është ai i cilii nxitë njerëzit të komunikojnë e njihen mes vete.Poetën Silva Tërnava e njoha për së afërmi me 23 nëntor në Koblenz të Gjermanisë,aty ku u mbajt kuvendi për themelimin e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në  Mërgatë.Kishin ardhur krijues anëe kënd mërgatës,nga Zelanda e  Re.kishte ardhur mikja Silva,një mike e çmuar,e shquar si krijuese,aktive,poete e ëndrrave të mëdha,e cila ndihmoj në mbarëvajtëjen e kuvendit,deklamoi vargje me mesazhe të fuqishme,si dhe na la mbresa takimi me këtë mike,poete e intelektuale.Mbase në të ardhmen do të takohemi më shpesh nëpërmes takimeve letrare,ku do të ju ofrojmë lexuesëve më shumë nga krijimtaria e saj e cila ndez shpirtin për mallin e hapësirës kombëtare.

Nga: Shban Cakolli

Silva Ternava u lind në Fushë Kosovë dhe kreu studimet në Universitetin Pedagogjik të Prishtinës.
Është rritur në një familje me taban të fortë patriotik, ku qysh në në fëmijëri është mëkuar me dashurinë e zjarrtë për Kosovën e pushtuar.
Qysh e vogël ishte e dhënë shumë pas tregimeve e këngëve të trimërisë, që duke i dëgjuar të risin sigurinë, krenarinë në vetvete dhe të bëjnë të ndjehesh e fortë dhe e denjë për vendin ku ke lindur.
Ashtu e frymëzuar, Silva merr lapsin qysh fëmijë dhe nis të shkruajë poezitë e para.
Shkruante dhe dërgonte për botim në gazetat dhe revistat e kohës. Ka botuar te “Kosovarja”, “Zëri i Rinisë ” dhe revista të tjera.
Letrat dhe shkrimet e saj janë mirëpritur dhe vlerësuar në atë kohë, e shumë prej tyre janë lexuar dhe në emisionet e ndryshme të Radio Prishtinës.
Ësht fituese e disa çmimeve dhe pllakave muzikore që jepeshin si stimulim.
Në moshën 17 vjeçare shkruan romanin e pabotuar kurrë, sepse dorëshkrimi i këtij libri, së bashku me shumë fletore tjera të mbushura me poezi e tregime, i rrëmbeu flaka e luftës.
Tani vjen në rradhët e poetëve, me një debutim dinjitoz. Poezitë e saj pëlqehen nga lexuesi dhe ka vlerësime shumë inkurajuese.
Jeton me familjen e saj si refugjate në Zelandë të Re, me një zjarr dhe mall e dashuri të pashuar për Kosovën ku e ka shpirtin e saj.

Prag shtëpie…

Kalldrëmi im
i thepisur rënd
nën thundrën shekullore,
shkëputur fije, fije
vargje historie
të Aleksandërit
e Ilirie.

Para dere
ngjyrosur
me bojë toke
të mbylltë,
e pluhurosur,
ndryshkur
në pellgun e kohës
provë lashtësie

Aty ishte edhe një
GURË SHTËPIE

Silva
Auckland, Zelanda e Re

 

Lëvozhgë jete

Mbase jeta..!?
thash:
jam në brendinë,
rrugëtim shkëmbor,
gjakoi,
vështire,
shikoj mbrapa
me kot,
e vërteta,
lëvozhga e jetës
krisur ti e di …?!

Siç e di britmën,
lotët e dhimbjes …
qarë,
lumturi …
… vjen..
nesër …
a do të …!!!

Silva
Auckland
Zelanda e Re

Mos harro Kosovë!

Identitetin ta mohuan,
përtokë te shkelen
për Pazar,
të shkarraviten neper truall
të shqyen copë e grimë,
kartën, emrin, mbiemrin,
po dhe fotografitë,
të zhveshën
në të reshur të hodhën…
Lumi i mori,
i derdhi përtej oqeaneve
e ty të pajisën në karton të verdhë,
holokaust
në shekullin njëzet e një,
pa shkronjë,
pa ditëlindje,
pa orë,
vetëm me

 

 

TRE NUMRA …

me thonj të gjakosur
u zvarrite deri ne piedestale,
me gjoks të plagosur
të Bijave,
Nenave ,
Djemve,
për vetveten,
Idealin,
Kombin…

TE LUTEM MOS HARRO KOSOVE!

Klithje

sa me mungon sonte
sa shumë kam për te thëne
flas me veten…
s’me dëgjon njeri
zemra me digjet’
vetmia me djeg
prushe ne shpirtin e thyer
unë qaj…
lotët s’kanë te ndal
sonte te jam drejtuar
e dashura Nene
se me gërryen thellë
e skam si tju them
athua ka fjalë te shpreh
dhimbjen
shtrëngimin
qe ngullqon
e sme le dot
vullkan qe vlon
llava dhe une shtegun ta gjejme..

Pa Atdhe është mërgimtari
Pagëzuar me emër të ri
Kurbetqar tani më thërrasin
Edhe atje nga vij …

Veten dot se gjej
Rënd andej vështirë këtej
Shpresoj një ditë t’rifilloj jeta
Në vendin ku s’kam vend…

Dhe sogjoj nëpër shtegtime
Ashtu hiç pa kohë
Për çdo ditë nga agimi në muzg
Kërkoj prehjen t’plote …

Pyes diellin
Për rreze t’errëta
Vallë kalove n’ato male
Me shqiponja e sorkadhe?

Edhe zogut lart në qiell
Që fluturon me nxitim
I lutem të përcjellë
Ofshamë dhimbje për vendin tim.

Vendin tim braktisa
Jam sot refugjat…
Kaluar male dete e fusha
Migruar larg shumë larg…

Do fluturoj si dallëndyshe
Lajmëtare këtë pranverë
Lulëmimoze t’mos vyshket
Veç n’Atdhe kam erë.

Te kam!

Erën tuaj
n’lëkurën time bart

te kam
edhe kur s’te kam

Erën tende mbaj
te frymoje
në mendimet te ledhatoj

këtu je
edhe kur nuk je
Kurr s’do te të le!

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Shaban Cakolli, Silva Ternava

MEDIOKER?!

November 26, 2013 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/

Të bësh një jetë të thjeshtë, të shijosh ëmbëlsinë që jeta të servir në qoshen tënde të paqshme të kësaj bote të ngatërruar, duke u ndjerë vërtetë i lumtur………, nuk besoj se ky është mediokritet. Njeriu nuk ka ardhur në botë domsdoshmërisht për të bërë gjëra të mëdha. E madhërishmja shpesh gjendet edhe në vepra fare të vogla, të cilat na kalojnë pa u vënë re, por që bartin mjaft njerëzi në vetvete dhe dëshmojnë për thesaret që ne ruajmë në thellësi të shpirtit. Mjaft njerëz “të mëdhenj” ia dedikojnë famës veprat e tyre dhe për mua ky është një megamediokritet. Ashtu siç edhe mjaft njerëz kanë ndarë me të afërmin e tyre edhe copën e fundit të bukës, dhe kjo për mua është largpamësi e pa krahasueshme. Sepse nëse mediokriteti ose dritëshkurtësia ka të bëjë me një dritë të brendshme, dritën intelektuale, atëherë ky veprim fisnik, i këtij njeriu është edhe më i ndriçuar, sepse ai ndriçohet nga një dritë që buron nga një pjesë edhe më e thellë e vetes, nga shpirti. Me sytë e shpirtit ai sheh mjaft larg.

Dhe nuk do të isha dakord për sa përket popullit tonë. Të mos kesh mundësi, prej rrethanave nga më të ndryshme historike, gjeografike, politike…., për të zhvilluar shkencat, artet, etj., kjo nuk vjen nga mediokriteti. Unë mund të them se populli ynë ka ruajtur thesare, në folklor, në tradita, në kulturën popullore, dhe kjo duke u ruajtur me fanatizëm, pa ndihmën e shkollave, akademive, madje pa pasur edhe një gjuhë të shkruar, aq më tepër i nën një presion të egër, shekullor asimilues nga fqinjët e tij. Një identitet dhe kulturë e trashëguar prej shekujsh, e mbijetuar dhe e ruajtur hermetikisht në ashpërsinë dhe strehën e maleve shqiptare. Kjo dëshmon për një vitalitet të jashtëzakonshëm. besoj se ka mjaft gjëra për t’u studiuar tek ky popull i cili pak njihet, së pari nga vetë ne. dhe nëse i shfrytëzojmë këto thesare duke i zhvilluar nën mundësitë reja qytetëruese besoj se do të bëjmë mjaft përpara.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, medioket

DEKLARATA E PASHICIT PER SHQIPERINE E 1912-es

November 26, 2013 by dgreca

Pse Kryeministri serb Pasiç do te deklaronte ne 1912:”Shqiperine, shqiptare do të ngjallte vatra turbullimesh dhe konfliktesh?/

 Nga Gëzim Llojdia*/

Pa mbritur mesdita e 28 nëntorit 1912 ose me saktë rreth dy javë më parë asaj kohe,shumë shqiptarë psherëtinin se halli i Shqipërisë ishte shumë i madh. Por kombi ynë mbeti dhe nuk u rrokanis si shumë kombet të tjerë që u rrokanisën në humnerë. Ndërsa fqinji në veri synon Shkodrën me male deri në detë,serbët po hapnin një shteg të gjatë deri në Durrës,kurse grekërit donin të kapnin Shkumbinin. Pasiç-kryeministri serb rreth datës 7 nëntor 12 është shprehur kështu”Shqiperina shqiptare do të ngjallte vatra turbullimesh dhe konfliktesh. Prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte të zbatohej për shqiptarët  trajtimi q kishin  në kohën  e mesme kur bëjshin pjesë te shteteve bizantinë e serbe  e serbe pa pas privilegje te veçantë,por tue i respektua individualiteti  dhe gjuha e tyre.Diku aty nga 14 dhjetori 1912,kryegjenerali grek ka pohuar “Ne kemi ndërmend ti ndajmë  Shqipërinë mes grekërve dhe Serbëvet,mbasi autonomia shqiptare është e parealizueshme”.Kjo quhej atmosferë e vitit 12,kur Ismail Qemali nga deti,Mithati me shokë nga toka u mblodhën në Vlorë duke sjellë shpresën dhe premtimin se ‘Shqipëria nuk kishte mbaruar”Në 1912 ndriçimi shqiptar solli shpresën shqiptare duke i thënë botës se ka një komb me histori,gjuhë dhe vullnet.Por ujqëria ballkanase e solli në udhëkryq  çështjen me prerjen kirurgjikale të Kososvës.Një gazetar i huaj shkruan periodikja Flamuri është shprehur”Asnjë popull në histori nuk i është ngjitur kalvarit të përuljeve lëndore,politike e morale sa raca shqiptare.Në qoftë se duhet të çuditemi  për ndonjë gjë kjo është s e ekziston gjithnjë në Shqipëri një ndenje edhe pse e zbehtë dhe shpërndamë që priret kah pohimit,kah rilindja e kombit.Ka një shqyrtim të hollësishëm të rrjedhojave mbi të cilat  ka ecur  historia jonë. Sa herë përhapeshin fuqimisht e kryengritjet aq herë nxirrej në pah rreziku i pavarësisë dhe lirisë.Ka edhe një fakt tjetër që citon e periodiku Flamuri. Kryengritjet e vonta të ballkanasve  ndihmoheshin e zmadhoheshin  dhe në kuvende ndërkombëtare shpërbleheshin ,përpjekjet shqiptare fillonin me guxim  e përfundonin me frikë sepse nuk kishte një fuqi e madhe si Rusia për sllavëve,bullgarët dhe grekërit,që të përkraheshin  të drejtat e tona aq sa përkraheshin  padrejtësitë e fqinjëve.Lidhja e Prizrenit qe një kuvendim i madh dhe një kryengritje qndërsa më vonë koha  solli kirurgjinë më të madhe të kombit tonë nga jugu dhe veriu. Në 1912 Kosova humbi atdheun,Shqipëria humbi gjysmën  e vetvetes shprehet periodiku Flamuri.Gjatë luftës së parë të përbotshme nuk kanë munguar sërish kasapët që janë paraqitur më harta për të bërë një tjetër kirurgji,për tu dhënë copa fqinjëve ardhacakë dhe në hartë të mbetej një Shqipëri e vockël dhe mesme. Parimet Wilsonit dhe përpjekjet shqiptare kanë triumfuar. Ndërkaq në luftën  e dytë të përbotshme aeroplanë të huaj deshën të ndihmonin kryengritjen jugosllave duke hedhur  trakte dhe harta gjeografike  ku Shkodra deri në Drinë në rrethin e Karagjorgjoviçit.Mirëpo shekulli i XX ishte shekulli që regjistroi humbjen  e madhe shqiptare por edhe shekulli që solli dritëzën  e parë me bombat e NATO në Kosovë. Ndërkaq shekulli XXI duhet të jetë shekulli shqiptar. Defteri ku regjistrohet bashkëjetesa me fqinjët.500 vjet nga koha e tyre llogaritet ta ketë mbështjellur guaska  e rëndë e perandorisë osmane.Kohërrëzimi,pra shurdhimi definitiv i saj,pritej të ndodhte riparimi.Ndërkohë vërshuan, si në skenarët e hershëm ballkanas,fqinjësia.Harta pushtuese lexohet:veri shkjau serb,jug grekëria e pabesë.Zënia e luftës së përbotshme ishte më tepër se llaftari.Flamuj shtetesh pollën motet.Pasqyra e pushtimeve:përveçse sulme e pushtime varre të hapura, morte të rënduar,arkëmorte të rëndë.Fytyra e tyre, pasqyronte :ushtri që infektonin vdekjen.Në këtë Babiloni pushtuesish,pushtimet do të klasifikoheshin,përveçse të egra,të përbindshme pushtime.Ata,që janë të pushtuar e dinë se ç’farë ngjyre ka në të vërtetë,pushtimi.Shqiptarët e Kosovës e vijuan rezistencën pas luftës së dytë të përbotshme.Përpara këtyre katastrofave,riparimi bëhej gjithmonë e më i vështirë.E shtuan qëndresën  duke shtuar edhe shumëzimin.Por momenti fundfillesh shekulli 19-20,korracoj një zgjidhje të përkohshme: shkumëzoheni, për të përballuar pushtimet e rënda,për të siguruar si hap të parë ,mbijetesën tonë. Në këtë mënyrë,ndyshoi grafiku i ekzistencës së shqiptarëve.Kështu nga  përndritja e madhe,që ishte  rilindja kombëtare,pas kataklizmës ballkanike,shqiptarët  kanë ndjerë se  Zoti  ka  ndikim një lloj dore,e përkthyer mirësie në çështjet tona kombëtare.Këto fjalë përbënin diagrama e rrahjeve të zemrës shqiptare,por në kohë të përndritjes sonë kombëtare.Kështu është vrojtuar se kombi ynë,ka edhe një grumbullim cilësish të mira. Kështu ,që nuk mundet të merret si rastësi e historisë që na flet se ne kemi qenë ndër kombet  e parë që kemi prejardhje nga pellazget dhe iliret janë paraardhësit tanë te njohur me ADN. Rilindësit ngrohën ngrohën venat e ngrira të kombit.

*Msc.Anetar i Akademisë Evropiane te Arteve

 

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT