• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

Zgjedhjet ne Kosove-Zgjidhen vetem 10 kryetare komunash, te tjeret ne raundin e dyte

November 4, 2013 by dgreca

*Ne Prishtine i pari prine Isa MUSTAFA I LDK-se, I Dyti Shpend AHMETAJ I VETEVENDOSJES/

* Ja perballjet ne balotazhin e 1 Dhjetorit/

* Deshtim ne VERI, humbet materiali zgjedhor/

Prishtinë, 4 nëntor – Jozyrtarisht konfirmohet  zgjedhja e kryetarëve të dhjetë komunave që në raundin e parë të votimit, që u zhvillua dje. Emrat e kryetarëve të komunave të tjera të Kosovës do të dihen pas raundit të dytë, që do të zhvillohet më 1 dhjetor.   Në raundin e parë të votimit, sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, janë zgjedhur kryetarët e komunave Drenas – Nexhat Dermaku (PDK), Fushë-Kosovë  – Burim Berisha (LDK), Deçan – Rasim Selmanaj (AAK), Istog – Haki Rugova (LDK), Kaçanik – Besim Iljazi (PDK), Podujevë – Agim Veliu (LDK, Skënderaj – Sami Lushtaku (PDK), Shtimje – Naim Ismajli (PDK), Mamushë – Arif Butuç (PP turke e Kosovës) , dhe në Han të Elezit – Rufki Suma (kandidat i pavarur).

KQZ nuk ka publikuar asnjë rezultat për katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicën e veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq.

 

NE PRISHTINE PRIN ISA MUSTAFA, I DYTI-SHPEND AHMETI

 

Prishtinë, 4 nëntor – Sipas rezultateve të para të Demokracisë në Veprim, kryetari aktual i Prishtinës, Isa Mustafa edhe kësaj radhe është duke prirë në garën për Prishtinën. Sipas DnV-së, Isa Mustafa është duke prirë me 43.6 për qind të votave, i ndjekur nga Shpend Ahmeti i VV-së, me 31 për qind.
Kandidati i PDK-së, Agim Çeku, ka arritur të grumbullojë 11.4 për qind, pasuar nga kandidati i AKR-së, Korab Sejdiu, me 5.7 për qind, kandidati I AAK-së, Besnik Tahiri, me 4.5 për qind dhe Visar Arifaj i Partisë së Fortë me 1.4 për qind.

Rezultatet preliminare sipas KQZ-së janë:

ISA MUSTAFA – LDK – LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS   8.677     44,82%       46,38%

SHPEND AHMETI – LËVIZJA VETËVENDOSJE!     5.345      27,61%   28,57%

AGIM ÇEKU – PDK – PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS     2.066     10,67%      11,04%

KORAB SEJDIU – AKR – ALEANCA KOSOVA E RE     1.125     5,81%     6,01%

BESNIK TAHIRI – AAK-LDD ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS LDD     833     4,3%     4,45%

VALON MURATI -Lëvizja Për Bashkim – LB     348     1,8%     1,86%

VISAR ARIFAJ – Partia e Fortë – PF     225     1,16%     1,20%

SALI SALIHU – IQ GRUPIMI TRADICIONAL SHQIPTAR     49     0,25%     0,26%

KAQUSHA JASHARI – PSD – Partia Socialdemokrate e Kosovës     42     0,22%     0,22%

NE VERI , HUMBASIN MATERIALET ZGJEDHORE

Mitrovicë, 4 nëntor – Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë nuk ka arritur që të marrë asnjë fletëvotim nga tri qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut, që u sulmuan në ditën e zgjedhjeve.Zëdhënësi i këtij misioni Nikolla Gaon thotë për Radion Evropa e Lirë, se pas sulmit, i cili nxiti edhe evakuimin e personelit të OSBE-së nga veriu, nuk dihet gjë se ku kanë mbetur votat e qytetarëve të pjesës veriore të Mitrovicës.
“Në tri lokacionet, të cilat kanë qenë të sulmuara dje në veri të Mitrovicës, Shkolla Fillore “Sveti Sava”, Shkolla e Mesme Teknike dhe Shkolla e Mesme e Mjekësisë,  materialet [zgjedhore] nuk kemi mundur t’i mbrojmë. Ne nuk e kemi në posedim këtë material dhe të njëjtin nuk kemi mundur ta dorëzojmë [tek KQZ-ja]”, thotë Gaon.
Persona të maskuar kanë hyrë të dielën rreth orës 17h në tri qendrat e votimit për Mitrovicën e Veriut.
Në xhirimet e postuara në portale të ndryshme, shihen kuti të demoluara të votuesve, ndërsa raportohet edhe se listat e votuesve janë marrë nga agresorët që sulmuan këto vendvotime.
OSBE-ja ishte mandatuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për lehtësimin e procesit zgjedhor në katër komunat veriore.
Zëdhënësi i OSBE-së, ndërkaq thotë sot se nuk e di se ku është materiali zgjedhor të cilin duhej ta mbronte.

“Ai material, sipas asaj që kemi parë, nga xhirimet që kemi parë në Youtube dhe media të tjera, është i dëmtuar, i shpërndarë nëpër tokë, kështu që unë nuk e di, parimisht, se cili është fati i këtij materiali; nëse ka përfunduar në shportë mbeturinash apo çka ka ndodh me të”.

“Thjesht, personeli ynë duhej të largohej nga këto lokacione, sepse siguria ishte rrezikuar, dhe nuk kemi mundur që ta ruajmë materialin zgjedhor”, thotë Nikolla Gaon për Radion Evropa e Lirë.

Shefi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, në një konferencë për shtyp mbrëmë vonë, ka refuzuar të marrë përgjegjësinë për rolin që ka pasur ky mision në këto zgjedhje.

 

JA PERBALLJA NE BALOTAZH

Komunat dhe kandidatët që shkojnë në balotazh më 1 dhjetor.

Prishtinë: Në balotazh, Isa Mustafa – LDK dhe Shpend Ahmeti – Vetëvendosje.

Gjakovë: Në balotazh, Mimoza Kusari Lila – AKR dhe Pal Lekaj, AAK – LDD.

Prizren: Në balotazh, Ramadan Muja – PDK dhe Eqrem Kryeziu – LDK.

Pejë: Në balotazhi, Gazmend Muhaxheri – LDK dhe Ali Berisha – AAK-LDD.

Gjilan: Në balotazh, Lutfi Haziri – LDK dhe Qemajl Mustafa – PDK.

Mitrovicë e Jugut: Në balotazh Avni Kastrati – PDK dhe Agim Bahtiri – AKR.

Ferizaj: Në balotazh, Agim Aliu – PDK dhe Muharrem Svarça – LDK.

Malishevë: Në balotazh, Ragip Begaj – IQM dhe Sali Morina – LDK.

Rahovec: Në balotazh, Idriz Vehapi – PDK dhe Smajl Latifi – AAK-LDD.

Dragash: Në balotazh, Selim Jenuzi – PDK dhe Fatmir Mehmeti – LDK.

Graçanicë: Në balotazh, Branimir Stojanoviq – GIS dhe Bojan Stojanoviq – SKS.

Junik: Në balotazh, Agron Kuçi AAK-LDD dhe Zenun Shala – LDK

Kamenicë: Në balotazh, Shaip Surdulli – LDK dhe Begzad Sinani – PDK

Klinë: Në balotazh, Sokol Bashota – PDK dhe Fadil Gashi – LDK.

Kllokot: Në balotazh, Sreçko Spasiq – GIS dhe Sasha Mirkoviq – SLS.

Lipjan: Në balotazh, Shukri Buja – PDK dhe Imri Ahmeti – LDK.

Novobërdë: Në balotazh, Bajrush Ymeri – LDK dhe Svetislav Ivanoviq – GIS.

Obiliq: Në balotazh, Mehmet Krasniqi – LDK dhe Xhafer Gashi – AAK-LDD.

Partesh: Në balotazh, Nenad Cvetkoviq – SLS dhe Dragan Nikoliq – GIS.

Ranilug: Në balotazh, Gradimir Mikiq – GIS dhe Milan Aritonoviq – SNPK.

Shtërpcë: Në balotazh, Bratislav Nikoliq – SLS dhe Ivan Rexhiq – GIS

Suharekë: Në balotazh, Sali Asllanaj – LDK dhe Bali Muharremaj – AAK-LDD.

Viti: Në balotazh, Sokol Haliti – LDK dhe Nexhmedin Arifi – PDK.

Vushtrri: Në balotazh, Bajram Mulaku – PDK dhe Refik Ramaj – LDK ose Muharrem Shabani – AAK-LDD (Përqindja e dy të fundit është e njëjtë dhe pritet që KQZ të japë versionin zyrtar).

Pa balotazh garën për kryetar komune e kanë fituar që në rrethin e parë të votimeve:

Deçan: Rasim Selmanaj , AAK- LDD.

Fushë Kosovë: Burim Berisha – LDK.

Glogovc: Nexhat Demaku, PDK

Han i Elezit: Refki Suma – kandidat i pavarur

Istog: Haki Rugova – LDK

Kaçanik: Besim Ilazi – PDK

Mamushë: Arif Butuq – KTAP.

Podujevë: Agim Veliu – LDK.

Shtime – Naim Ismajli – PDK

Skenderaj: Sami Lushtaku – PDK.

Komunat që fillimisht presin vlerësimin nëse zgjedhjet ishin apo jo të suksesshme:

Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviqi.

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, kanë qenë të vlefshme edhe për zgjedhjen e asambleistëve komunalë në të gjitha komunat e Kosovës, por rezultati preliminar për asambletë nuk është shpallur ende.

Gara e balotazhit për kryetarët e komunave pritet të zhvillohet më 1 dhjetor.

Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e sivjetme lokale morën pjesë 814.780 votues nga rreth 1.8 milion sa ishin të regjistruar, ose 45.79 për qind. Ky numër i votuesve, sipas KQZ-së, është rritur për rreth 100 mijë.

Filed Under: Politike Tagged With: 10 kryetare fitues, te tjeret ne raundin e dyte, zgjedhjet ne prishtine

PRESIDENTI NISHANI-PRESIDENTIT PAPULIAS: NJIHENI KOSOVEN DHE HIQNI LIGJIN E LUFTES!

November 4, 2013 by dgreca

Tiranë, 4 nëntor – Presidenti i Greqisë Karolos Papulias ka nisur axhendën zyrtare të takimeve në Tiranë. Ai është pritur sot me një ceremoni zyrtare në Presidencë, nga kreu i shtetit Bujar Nishani, ndërsa më pas dy presidentët kanë vijuar me bisedimet dypalëshe ku kanë marrë pjesë delegacionet përkatëse të kryesuar prej tyre.Në përfundim të takimeve, presidenti Nishani dhe presidenti Papulias kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp .

Në fjalën e tij, presidenti Nishani theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk duhet të dominohen nga problemet e së shkuarës por nga e ardhmja e përbashkët.
Nishani theksoi se në fokus të bisedimeve me homologun grek ka qënë shfuqizimi i ligjit të luftës nga Parlamenti grek, zgjidhja e çështjes së toponimeve dhe pakti detar të cilat sipas presidentit janë çështje që duhet zgjidhur.
“Në axhendën e marrëdhënieve ka edhe çështje të trashëguara por edhe të reja të cilat duhet të futen në rrugën e zgjidhjes dhe këto cështje u diskutuan edhe sot. Marrëdhëniet tona nuk duhen të dominohen nga problemet e së shkuarës por nga e ardhmja e përkashkët.  Fryma e traktatit të miqësisë duhet të drejtojë bashkëpunimin mes dy vendeve tona.   Kërkova që parlamenti grek të shfyqëzoj ligjin e luftës që një mban sekuestro pasuritë e qytetarëve shqiptarë në Greqi. Shpreh shqetësimin për zgjidhjen e çështjes së toponimeve që po bëhet pengesë për lëvizjen dhe çështje të tjera që lidhen me të.  Pakti detar mes dy vendeve mbetet një çështje për tu zgjidhur. Pala jonë është e gatshme të gjejë një zgjidhje të përbashkët në përputhje me legjislacionin e të dyja vendeve” tha Nishani.
Presidenti Nishani është ndalur edhe në çështjen e Kosovës, duke theksuar se beson se pala greke do ta konsiderojë njohjen e shtetit të ri. Ndërsa presidenti Papulias deklaroi se shqiptarët që jetojnë në Greqi janë një urë lidhëse për marrëdhëniet mes dy vendeve por kërkoi respektimin e të drejtave të minoritetit etnik grek në vendin tonë.
“Vizita ime na jep rastin t’i japim shtysë të re marrëdhënieve tona, me interes të dy vendeve por edhe rajonit më gjerë. Minoriteti etnik grek përbën nyje lidhëse të qendrueshme e të pazgjidhshme, ata janë ndër përbërësit më dinamikë të jetës politike e shoqërore shqiptare e të gjithë jemi dakord se të drejtat e tyre duhet të respektohen. Qindra mijëra emigrantë shqiptarë në Greqi përbëjnë element të fuqishëm lidhës në marrëdheniet tona” theksoi Papulias.
Presidenti grek shprehu mbështjetjen e Greqisë ndaj integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Sigurova se gjatë presidencën greke do të avancojmë për ecurinë integruese të Shqipërisë ashtu si ka bërë edhe në të kaluarën. E ftova presidentin Nishani për të vizituar Greqinë, i uroj popullit shqiptar stabilitet dhe përparim” tha Papulias.
Ndërkohë presidenti Nishani dhe homologu i tij Papulias do të marrin pjesë në tryezën e rrumbullakët mbi ekonominë dhe energjetikën greko-shqiptare, që do të zhvillohet në hotel “Rogner”, në 4 nëntor 2013.
Ndërkaq sipas njoftimit të Presidencës greke të martën, Papulias do të zhvendoset në Gjirokastër, ku do të vizitojë zonat ku jeton minoriteti grek në Shqipëri.

Filed Under: Rajon Tagged With: Njiheni Kosoven, President Nishani, President Papulias

100-vjet më parë:TOPOJANI, “BALLI I PËRGJAKUR I LUMËS”, NË LUFTË DHE QËNDRESË, KUNDËR MASAKRAVE SERBE

November 4, 2013 by dgreca

Nga: Isa Halilaj-   studiues,“Mësues i merituar”/

1.

Në dhjetëvjeçarin e dytë, të shekullit XX, ndodhën ndryshime të mëdha në hartën e Ballkanit, kur Lufta e Parë Ballkanike (1912), ndonëse Shqipëria ishte shpallur e pavarur, coptoi me miratim të Fuqive të Mëdha, trojet shqiptare. Serbisë iu dhanë 19.000 km2, Malit të Zi një territor aq sa ishte vetë shteti malazez. Por edhe Bullgarisë e Greqisë iu dhanë pjesë nga trojet shqiptare, me  Çamërinë në krye.

Kjo ndarje grabitqare pushtuese e trojeve shqiptare, pushtimi ushtarak serb deri në Adriatik e Vjosë dhe mbajtja, pas vendimeve të Londrës, të rajonit  strategjik prej serbëve, ku përfshihej Luma, Dibra, Malësi e Gjakovës (Tropoja) dhe deri në thellësi, si dhe masakrimet e vuajtjet,  që u shkaktuan banorëve të këtyre anëve, ishin të papranueshme. Pikërisht për këtë, plasi kryengritja e përgjithshme shqiptare e shtatorit 1913. Në  të u përfshinë gjerësisht: Dibra, Tetova, Kumanova, Luma, Opoja dhe Malësia e Gjakovës, që i sollën humbje të mëdha ushtrisë serbe, në të vrarë e territor.1)

Në këto luftime u përfshinë edhe Luma, veçanërisht Kalaja e Dodës, Topojani, Gora dhe Opoja, të ndihmuar edhe nga Rrafsha e Lumës, Tërthorja dhe Përdrinja e Hasi me Malësi  të Gjakovës. Atyre u prinin trimat e njohur: Qazim Lika, Ahmet Iljazi, Nail Dani, Ramadan Zaskoci, Miftar Sul Kurpali e Bajram Daklani, gjithnjë sipas drejtimit nga Isa Boletini e Hasan Prishtina, me Bajram Currin.

Kjo kryengritje tronditi rëndë Serbinë e Nikolla Pashiqit, e cila e nxitur dhe e ndihmuar nga Rusia, që akuzonte direkt  Austro-Hungarinë dhe Bullgarinë, u përgatit seriozisht për ta shtypur me hekur dhe zjarr qëndresën shqiptare. Pasi mobilizoi 110.000 trupa, në një vijë frontale prej 100 km, sulmoi rrufeshëm në drejtimin: Kumanovë- Strugë- Pogradec; Dibër- Peshkopi- Lumë dhe Gjakovë-Has, me armatimin modern të kohës si dhe me artileri e armë mitralimi, kundër një popullsie të pa armatosur dhe që ende lëngonte nga masakrimet e 1912-tës. Një armatë e tërë 2) ushtroi dhunë e terror të paparë në territorin shqiptar, Strugë- Tetovë  (Maqedoninë Perëndimore), ku u shkatërruan tërësisht 180 fshatra dhe me këto përmasa u goditën edhe Luma, Opoja e Vrrini dhe Malësia e Gjakovës.

2.

Në këtë shkrim do përqëndrohemi, këtë radhë, vetëm në përshkrimin e masakrave serbe, në zonën e Topojanit të Lumës. Ajo është një krahinë e njohur, si një nga shtatë bajrakët e saj, me vitalitetin e një populli të vyrtytshëm, punëtor e liridashës, besnik  i idealeve kombëtare. Shtrihet nga Gryka e Vanave e në Kallabak, nga Teja e Bicaj, te mali i Borjes dhe ka fshatrat: Topojan, Brekij, Xhaferaj, Turaj, Shtrezë, Novosej, Kollovoz, Nimçe, Lojme e Bele. Qendra është Topojani.

Banorët e kësaj krahine, të njohur si “balli i përgjakur i Lumës”, për heroizmin dhe sakrificat e mëdha për liri e pavarësi, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme me gjakun e derdhur për trojet shqiptare, nga Prekupia e deri në Nish, Kacanik e Duhle, në Pikllimë e Glloboçicë. Për këtë gjë,  flet vetë historia, flasin pirgjet e varret e të rënëve, jehojnë këngët e trimave të rënë në beteja3).

Topojanësit, ndonëse nga gjiri i tyre nxorrën figura të shquara, si Sinan Pashën, disa herë sadriazem i Perandorisë Osamne e pashallarët e tjerë, iu përgjigjën Rilindjes dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për në luftën kundër sundimit otoman. U përfshinë besnikërisht në kryëngritjet shqiptare në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe deri në shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912. E njohur është pjesëmarria e tyre në betejat kundër osmanëve në Kaçanik e Shtimje, në Duhle e Qaf-Zhuri, në Vrri e Lumë, me prijës Ahmet Iljaz Qehajën, Abdyl Myrtën, Jemin Alinë, Bilal e Islam Bashën e tjerë.

Por trimëria, heroizmi dhe sakrifica sublime e topojanasve ,në luftën për trojet dhe lirinë e pavarësinë e popullit shqiptar, kundër shovinizmit pushtues barbar serbo-sllav, ka njohur permasat e nje atdhetarizmi të pa shoq.  Ata u treguan atdhetarë, që u dhimbsej çdo pëllëmbë e tokës amtare. Ndaj ata, kur e panë se Porta e Lartë Osmane i bëri plaçkë tregu trojet shqiptare, me dobësimin e saj dhe ngjalljen e shtetit serb, u ngritën si trup i vetëm në luftë kundër  sulmit të ri pushtues dhe barbar sallavo-serb, që solli Lufta Ballkanike e viteve 1912 e 1913.

Në përbërje të 3000 lumjanëve dhe kosovarëve, gjatë viteve 1912-1913, topojanasit  luftuan me vetëmohim kundër ushtrisë serbe, në Shtimje – Caralevë dhe Duhle, të prirë nga trimat Ahmet Iljaz Qehja, Zaim Hamza dhe Abdyl  Mirtja. Në fushën e betejës mbetën të vrarë 9 dëshmorë: Zaim Hamza, Mustaf Bilali, Hamdi Aqifi, Halil Xhezahiri, Muharrem Allaraj, Dilë kamberi, Feriz Ahmeti, Mustaf Tahiri, Sadik Dautllari. Aty mbetën edhe katër dëshmorë nga Novosej: Xhelil Xheza , Kurtish Parllaku, Sulejman Beqa e Mehdi Noka.4)

Para kryengritjes së shtatorit  1913, topojanasit u pozicionuan në Lak të Gllopoçicës, duke u shkaktuar  serbëve shume të vrarë e të plagosur.  Po aty, duke luftuar deri trup me trup kundër mitralierëve serbë, ranë dëshmorë edhe 9 djem të tjerë nga Topojani e Brekija dhe aty i kanë varret: Arif Muharremi, Baftjar Tahiraj, Esat Allaraj, Farruk Islamaj, Shaqir Islamaj, Ibrahim Allaraj, Miftar Tahiraj, Qazim Allaraj e Bajram Hafuzi.

Në vazhdim të qëndresës burrërore, gjatë shtatorit e në fillim të tetorit 1913, pak para masakrës së Topojanit, kryengritësit e Topojanit, Opojës dhe Gorës, luftuan kundër reparteve serbe në Vranisht e Rapçe, rreth Pikllimës, të drejtuar nga Kadri Shahini, Qazim Lika e Nail Hysen Dani.5)  Në këto luftime janë vrarë 20 djem nga Topoja: Kadri Shahini, Mustaf Çuni, Bajram Maliqi, Hafuz Allaraj, Mehmet Shpata, Ramadan Allaraj, Sali  Karanxha,  si dhe nga Gora : Qerim Krasniqi, Murat Murati, Daljan Basha e Vehib Beqiri. Pati dhe shumë të plagosur e nga serbët mbetën mbi 30 të vrarë e të plagosur.6)

Forcat e mëdha e të freskëta të ushtrisë sërbe, duke përdorur zjarr e mitralime, armë që shqiptarët nuk i kishin, më në fund, bënë të mundur që ta thyenin kryengritjen e shtatorit 1913. Ushtria e ardhur nga Dragashi, pasi dogji e shkatërroi veçanërisht Opojën, mbuloi fshatrat e Topojanit me një terror e masakrim të padëgjuar. Në Novosej therën dhe hodhën në zjarr nënën e Islam Bashës, me femijët dhe një kunatë të saj.7) Pra, u  zhvillua një luftë hakmarrëse e pashembullt. Ekspeditat ndëshkimore armike mbuluan si korbat e zinj gjithë territorin, pa lënë asnjë mundësi organizimi dhe qëndrese popullore. Në befasi, dogjën shtëpitë e lidhën të gjithë burrat e djemtë dhe pushkatuan mbi 620 veta. Nga ata, në Topojan, në vendin e quajtur Rajme, u vrane njëherësh 400 veta, të gjithë burrat e fshatit, në 2 deri 8 frymë për familje, në mes të të cilëve 38 familje u shuan plotësisht. Në Brekij, aty në Huca, ku janë varret, po edhe te Proska e Lecës, te arat e Xhelilit në Lama e në Kingel të Dinës, janë vrarë e therur gjithësej mbi 120 veta. Ndërsa në Xhaferaj u vranë 40 burra dhe të gjitha shtëpitë u dogjën. Novosejasit ndihmuan në varrimin e të vrarëve dhe morën jetimët në familjet e tyre.

Masakrime barbare u bënë edhe në Nimçë. Aty, te Shpella e Ibrës, janë varrosur mbi 50 veta nimçianë, të fiseve  Hoda, Koboçi e me pak Toshi. Në Lojme, te vendi, që mori emrin Shtegu i Shehitëve, afer hidrocentraleve të rinj, janë masakruar 95 veta, pa kursyer gratë e fëmijët, të fisit Krasniqi, Meqi e Veizi. U eliminuan familjarisht Mahmut Selmani e Rushit Rexhepi.  Nazif Manit ia vunë kokën e prerë mbi një hu, në mes të fshatit; masakruan Hate Shaqirin, familjarisht; ndërsa Zyme Bislimin e therën, duke i nxjerrë fëmijën e palindur. Uvranë, në përleshje me serbët, Miftar Qerimi, Hashim Veizi dhe Istref Saiti, në Lojme e Ramadan Alija, në Brekijë.

E njëjta situatë, para dhe pas kryengritjes së shtatorit 1913, ndodhi në Opojë dhe Gorë. Në Restelicë u masakruan 9 krerë popullorë, në Brod 5 krerë popullorë, ndërsa në Gllopoçice myftiu i Gores dhe Opojës, kurse në Brrut të Opojës u pushkatuan 42 burra dhe u varrosën te Lugu i Brijës; 22 në Bresanë dhe 20 në Bellograd. Djegie e masakra u bënë edhe në Bresnë, Pllavë e Zgatar.

3.

Për Fshatrat e Topojanit, studiuesi Naim Manaj, në kontakt me dëshmitarë  okularë  të ngjarjeve, ka arritur të  evidentojë  një  pjesë të të masakruarëve me emra, në librin e tij, “Jehona e Topojanit”8).   Aty jep listën jo të plotë të personave e familjeve te masakruara të kësaj zone dhe konkretisht: Në Topojan 38 familje, në Brekijë, 72 veta , në Xhaferraj 33, në Lojme 50 familje me 91 veta, në Nimçë 29 të pushkatuar dhe hulumtimi i emrave vazhdon. Veç këtyre, autori jep edhe listën emërore të dëshmoreve të Topojanit, me 30 veta të shpallur, po mund të ketë dhe të tjerë.

Gjithë ky gjak i derdhur pa kursim, për “hatër te vatanit”, dokumentohet me varret, kujtimet e pasardhësve dhe këngët e trimave. Është i dokumentuar e argumentuar në kancelaritë dhe shtypin e kohës, në Ballkan, Europë dhe Amerikë. Revista “Spektër”( nr.89/2000)  citon gazetën gjermane “Frankfurt Zeitung”,  për masakrën në Lumë.9)  E njëjta revistë citon librin “Akuzë, që Ulërin”, të shkrimtarit hebre, Leon Freundlih. Ai ka protestuar për zhdukjen masive të shqiptarëve nga serbët, në ato vite. 10)   Jehona e e këtyre ngjarjeve ka gjetur pasqyrim te gazetat “Përlindja e Shqipërisë” (janar, 1914), “Liri e Shqipnisë” e “Corriera  Dela Sera”, me shkrimet e Sotir Kolesë. Ai jep maskarat e 27 fshatrave të Lumës, ku peshën më të madhe e mbajnë Topojani dhe Përbregu. Po këto masakra çnjerëzore përshkruhen, me mënyrën e tyre, edhe te gazetat “Radniqke Novine” dhe “Politika”  të Beogradit (1913), “Obzor” e Zagrebit, “Rruga Jonë” e Francës, “Sharri” i Opojës etj.

Kjo jehonë, për masakrat serbe në Topojan, ka gjetur pasqyrim me argumente në veprat e studiueseve tanë të mirëfilltë, si: Thoma Murzaku, Xheladin Shala, Shefqet Hoxha , Shaban Braha, Tahir Kolgjini, Qemal Mataj, Xhafer Kovaci, Naim Manaj, Vangje Kasapi, Akif Bajrami, Ramiz Fiqori, Muhamet Pirraku etj.

Për jehonën e këtyre ngajrjeve historike edhe vetë topojanasit e zona në fjalë kanë punuar e mund të kishin punuar më shumë, për ruajtjen e këtyre vlerave e transmetimikn e tyre te brezi i ri. Por rastet pozitive të kësaj përkujdesjeje, nuk kanë munguar, si nga veteranët Xhemali Izet Miftaraj e Hazir Sinan Aliaj, për varrezat dhe Naim Manaj, Agim Dafku, Avdi Noka etj., me shkrimet e tyre.

Domethënëse është se, në Lapidarin- Flamur, në qendër te Topojanit, shkruhet: “Me 15-20 tetor 1913, u masakruan barbarisht 620 djem të fshatrave Topojan, Brekijë e Xhaferaj, të cilët luftuan për mbrojtjen e Atdheut, kundër shovinistëve serbë”.  Pra, këto burime e monumente duhen ruajtur si vetë historia dhe jeta e popullit tonë, pa të cilën nuk mund të sigurohet  ardhja e brezave të rinj.

Literatura:

“The Voice of truth” June/Deci 2005. Shpalime historike: Kryengritja Shqiptare e vjeshtës së vitit 1913, nga Sheradin Berisha.

D.Tucoviq, te “Serbia dhe Shqipëria”, thekson: Kryengritja shqiptare e shtatorit, për shkak të së cilës Serbia u shtërngua të mobilizojëj përsëri afër tre divizione, është një shembull klasik, që tregon se si shkaktohen luftërat koloniale.

Sh. Braha: “Beteja e Drinit kundër agresionit serb”, Prizren, 2000.

N. Manaj: “Jehona e Topojanit”, 2003,  fq. 46-52.

Sh. Hoxha: “Luma në luftë për Liri”, Tiranë,2000, fq.16, 171.

N. Manaj: Vepra e cituar, fq.80.

Po aty, fq. 91.

N. Manaj: Vepra e cituar,  fq. 95-112.

Revista “Spekter” Nr.85 (2000), fq. 13, citon gazetën gjermane “Frankfurt Zeitung” për masakrënnë Lumë:”….fëmijët u dogjën në kashtë, në sy të prindërve dhe më pas u masakruan prindërit me batare pushkësh e me bajoneta”.

Sipas “Spektër”(fq.11), citohet libri “Akuzë, që ulërin” i Leon Freudlih, hebre, i cili shkruan: “Ushtria dhe bandat çernike serbe bënë barbarizma, që nuk kanë të përshkruar. Me qindra e mijëra burra të paarmatosur, të therur… Me qindra fshatra dhe qytete, të djegurae të rrafshuara për tokë!”

Tiranë, tetor 2013

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: 100 vjet me pare, Isa Halili, Lufta e Topojanit

Përfunduan zgjedhjet komunale në Kosovë

November 3, 2013 by dgreca

Mbi 45 për qind e votuesve kanë marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal, të parat ku ishin përfshirë edhe komunat veriore më shumice serbe/

Në orën 19 janë mbyllur rreth 800 qendrat e votimit në 38 komuna të Kosovës, ku sot është votuar për pushtetin komunal.Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se sipas të dhënave paraprake, diç më shumë se 45 për qind e mbi  një milion e 700 mijë votuesve të regjistruar kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre që të zgjedhin kandidatët e mbi 100 subjekteve politike për të drejtuar 38 komuna të vendit.

Në këto të dhëna nuk është përfshirë pjesëmarrja e votuesve në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, ku votimet u përmbyllen më incidente dhe paqartësi.
Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se kryesisht nuk ka pasur vështirësi në rrjedhën e procesit përveç në veriun e Kosovës.
Mbi 100 subjekte politike morën pjesë në këto zgjedhje dhe prej tyre 33 nga radhët e komunitetit serb.
Autoritetet vendase thonë se këto zgjedhje janë të rëndësishme për qytetarët Kosovës, për tërësinë e saj tokësore, ndërsa besojnë se rrjedha e tyre do të ketë ndikim edhe në çuarjen përpara të aspiratave të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian.
Gjithsej 224 veta konkurruan për kryetarë komunash dhe sipas sistemit zgjedhor këtë post në rrethin e parë e fiton ai që siguron 50 për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.
Mbi 30 mijë vëzhgues të vendit por edhe nga bota po vëzhgojnë procesin. Vëzhguesit e koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, thanë se janë shënuar disa parregullsi dhe probleme të natyrës teknike në votimet e deritashme, por të cilat nuk ushtrojnë ndikim thelbësorë mbi  procesin.
Vëzhguesit ndërkombëtarë pritet që nga e marta të shpalosin vlerësimet e tyre të para për këto zgjedhje të cilat sipas Shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Roberto Gualtieri janë me rëndësi për të ardhmen e Kosovës.
Kjo ishte hera e parë që Bashkimi Evropian kishte angazhuar mision të posacëm vëzhgues në Kosovë dhe zyrtarët e këtij misioni thanë se është shumë e pazakonshme që BE-ja të vëzhgojë zgjedhje lokale.
Zoti Gualtieri tha se “kjo është një ditë shumë e rëndësishme për demokracinë, për qytetarët në tërë Kosovën, forcimin e demokracisë së saj por edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Edhe ambasadorë të vendeve perëndimore ishin përfshirë në vëzhgimin e zgjedhjeve mbarë vajtja e të cilave vlerësohet me rëndësi për aspiratat e Kosovës për integrime evropiane.
Mbi 5 mijë e 500 pjesëtarë të policisë së Kosovë janë qenë të angazhuar për ruajtjen e një mjedisi të qetë e të sigurt për votimet e sotme dhe deri në orët e mbrëmjes ata kanë shoqëruar mbi 20 persona në lidhje me parregullsitë dhe incidentet e shfaqura gjatë procesit të votimeve.

Filed Under: Politike Tagged With: ne Kosove, U mbyllen zgjedhjet

KAS lançon klipin e ri “Piano”

November 3, 2013 by dgreca

Nga: Ermira Babamusta/

 Artisti i sukseshëm Kastriot Preteni, që njihet me pseudonimin KAS ka publikuar videoklipin e tij të ri me titull “Piano”, dedikuar Kosovës dhe popullit të saj. Kënga bën fjalë për luftën e Kosovës, vuajtjet e popullit shqiptar dhe historinë e familjes së Kastriotit gjatë luftës.

“Mua nuk më kujtohet shumë prej vitit 1997, sepse kam qenë shumë i vogël kur filloi lufta dhe kam jetuar në Norvegji në atë kohë. Më kujtohen shumë mirë ngjarjet që më ka rrëfyer familja ime dhe si e kanë plagosur gjyshin tim, Mursel Preteni,” tha Kastriot Preteni.

Artisti zgjodhi titullin e këngës “Piano” si një metaforë për paqe ose qetësi. Kënga “Piano” me lirikë shkruar nga vetë KAS, mban një minutë heshtje për viktimat e luftës. Videoklipi u xhirua në verë 2013 në Mitrovicë dhe Shalë. Piano është një homazh kushtuar të gjithë viktimave të pafajshme shqiptare të Kosovës, që dëshmuan krimet e luftës. Videoklipi u lançua online me 2 nëntor 2013 dhe mund të shikohet në këtë link: http://www.youtube.com/watch?v=nbhbx9-v_sY. Singli është në dispozicion në iTunes, Spotify dhe Amazon.

“Nuk duhet harruar historia dhe e kaluara e popullit tonë. Kam xhiruar pesë videoklipe deri tani dhe Piano është i pari xhiruar në vendin tim, Kosovë, dhe nuk do kisha zgjedhur temë më të përshtatshme se historia e këngës. Dua t’i tregoj botës për identitetin tim shqiptar, me të cilin krenohem,” u shpreh KAS.

“Xhirimi i spotit është bërë në Kosovë për së pari herë me një kompani daneze udhëhequr nga një artist kosovar mjaft i talentuar Dardan Jashari”, shtoi KAS.

Kastriot Preteni ka lindur në Suedi në 1992 dhe me muzikën hip hop merret që në moshën 11-vjeçare. Ka performuar koncerte në Norvegji, Kosovë, Shqipëri, Suedi, Danimarkë dhe Gjermani. Në festivalin e famshëm “Top Fest” u prezantua me këngën  “Ndjehem Mirë”, vlerësuar si një nga performancat më të mira dhe fuqishme të festivalit. Me mbi 100,000 klikime në youtube, superhitet e tij janë: “Imma Get My Piece”, “Till Death Do Us Part” dhe “Product of Society”. Për më shumë rreth artistit vizitoni www.facebook.com/KASMUSIC1.

Filed Under: Featured Tagged With: Ermira Babamusta, KAS lancon, Klipine ri"Piano"

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT