• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2013

Origjina shqiptare e presidentit grek Karolos Papulias

November 1, 2013 by dgreca

Nga Arben LLALLA*/

Ne Foto: Papulia Janar 1985, hapja e pikes kufitare Kakavie/

Siç kemi shkruar në shkrimet e mëparshme shumë kryetarë që kanë udhëhequr Greqinë kanë qenë shqiptar ose kanë pasur origjinë shqiptare. Njëri nga këta kryetarë që ka origjinë shqiptare është edhe kryetari i Greqisë, Karolos Papulias i cili që herët është një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Karolos Papulias, 84 vjeçar, është rizgjedhur dy herë Kryetar i Republikës greke dhe në fund të mandatit dhe karrierës së tij të gjatë politike ka zgjedhur të vizitojë edhe njëherë Shqipërinë më 3-5 Nëntor. Si mikpritje për vizitën e tij po ribotoj më të gjerë disa të dhëna për origjinën e tij shqiptare si dhe për politikën miqësore që ai ka zhvilluar në drejtim të Shqipërisë.

Karolos Papulias gjithnjë ka qenë çelësi i zhbllokimeve të marrëdhënieve të krizave të ngrira të politikës midis Greqisë dhe Shqipërisë. Atij i takon merita se ideoi në fillim të viteve 1980 heqjen e ligjit të gjendjes së Luftës me Shqipërinë, por ky ligj nuk u miratuar nga Kuvendi i Greqisë. Ai ka lindur më 1929 në fshatin Voshtina (sot quhet Pogoniani) pranë kufirit me Shqipërinë. Ky fshat ndodhet në krahinën e Çamërisë dhe dikur banohej nga popullsia shqiptare. (Siç dihet në vitet 1913 – 1945 qeveritë greke dëbuan me forcë popullsinë shqiptare nga trojet e tyre mijëravjeçare. Kështu, qindra bashkëfshatarë të Kryetarit të sotëm grek u përzunë me dhunë edhe nga fshati i lindjes së tij Voshtina. Në Voshtinë sipas të dhënave shqiptarët kanë banuar që në shek.XVI, pas përzënies së shqiptarëve mysliman, në këtë fshat u sollën vlleh dhe “grek” nga Azia e Vogël.)

Pas mbarimit të shkollës së mesme në Janinë Karolos Papulias studioi për drejtësi në Universitetin e Athinës dhe doktoraturën e mbrojti në universitetin e Këlnit. Që në moshë të re ishte pjesëtar i rezistencës kundra pushtuesve nazistë gjermanë. Më 1974 u bashku në partinë socialiste PASOK dhe u bë anëtar i Këshillit Qendror të Lëvizjes dhe që nga Prilli i 1975 zgjidhet Sekretar i Komisionit të marrëdhënieve me jashtë të PASOK-ut dhe në vitin 1977 zgjidhet për herë të parë deputet i PASOK-ut për Janinën. Ai ka qenë njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë i themeluesit të PASOK, Andrea Papandreut, Papulias mori postin e Ministrit të Jashtëm më 1981 dhe që atëherë luajti një rol të rëndësishëm në formimin e politikës së jashtme të qeverisë së Pasok-ut. Ai ka qenë Ministër Plotësues i Jashtëm 8/2/1984-5/6/1985 dhe nga 5/6/1985- 26/7/1985 dhe Ministër i Jashtëm 26/7/1985-2/7/1989 si dhe në periudhën nga 13/10/1993-22/1/1996. Në Nëntor të 1989 mori pjesë në qeverinë ekonomike të Ksenofoda Zolotas si Ministër Plotësues i Mbrojtjes Kombëtare. Më 24 Shtator 1990 në Kongresin e dytë të socialistëve grek zgjidhet anëtar i Këshillit Qendror të partisë, post në të cilin rizgjidhte deri në Kongresin e gjashtë në Nëntor të 2001. Më 11 Tetor 1995 zgjidhet për herë të parë anëtarë i Këshillit Ekzekutiv të PASOK-ut dhe një vit më vonë u betua si anëtarë i Sekretarisë Politike. Në Tetor të vitit 1996 zgjidhet kryetar i Grupit Parlamentar për Çështjet e Jashtme dhe të Mbrojtjes dhe në Korrik të 1999 zgjidhet Kryetar i Komisionit për çështjet e jashtme dhe të mbrojtjes të parlamentit grek, post në cilin rizgjidhet edhe më 2001, 2002 dhe 2003. Në vitin 2005 u zgjodh Kryetar i Republikës greke dhe më 2010 u rizgjodh përsëri në këtë post të lartë shtetëror. Është i martuar me Maria Panu dhe ka tre vajza.

 Njeriu që shkrinte akujt e politikës greko-shqiptare

Karolos Papulias kur ishte ministër i jashtëm i Greqisë bëri vizitën e parë në Shqipëri, Janar të 1985 në hapjen e pikës të kalimit kufitar të Kakavijës. Në nëntor të vitit 1987 Karolos Papulias me një grup ministrash grek vizitoi për herë të dytë Shqipërinë. Midis ministrave në atë vizitë ishte edhe ministria e kulturës greke me origjinë shqiptare Melina Mërkuri. Kur marrëdhëniet greko-shqiptare në nëntor të vitit 1993 ishin të keqësuar për arsye të dëbimit të një prifti grek nga Shqipëria i cili akuzohej për agjitacion. Atëherë policia greke dëboi me forcë mbi 80 mijë emigrantë ekonomik shqiptarë nga Greqia. Ministri i jashtëm grek i Partisë Socialiste PASOK i sapo zgjedhur Karolos Papulias do të udhëtonte drejtë Shqipërisë për të zhbllokuar marrëdhëniet dypalëshe që ishin ngrirë në qershor të vitit 1993, kur në pushtet në Greqi ishte Partia Demokracia e Re. Në prill të vitit 1994 në repartin ushtarak të Peshkëpisë në rrethin e Gjirokastrës, një komando paramilitare greke e grupit MAVI vrau kapitenin Fatmir Shehu dhe ushtarin Arben Gjini. Po në gusht të atij vitit piloti grek Kosta Vrakas hedh nga avioni i tij në Jug të Shqipërisë fletushka me shkrime kundër Kryetarit të shtetit shqiptar z.Sali Berisha. Dhe përsëri ishte ministri i jashtëm i Greqisë Karolos Papulias që do të udhëtonte në Tiranë për të zhbllokuar krizën politike midis dy vendeve. (Papulias ka patur lidhje të ngushta me studiuesin arvanitas Aristidh Kolën)

 

Origjina shqiptare

 

Sipas një shkrimi të botuar në gazetën Republika në Gusht të vitit 1995 shkruhet se: “Karolos Papulias është me origjinë të pastër shqiptare. Babagjyshi i tij quhej Sulejman dhe i përkiste fesë islame dhe ishte nga fshati Voshtina”. Këtë e deklaroi arvanitasi i shquar tashmë i nderë Aristidh Kola. Në librin e Kolës “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”, në faqe 195 e lexojmë emrin e Sulejman Papulies. Nga librat e botuar në shek.XIX dalin të dhëna se njëri nga pushtetarët e Prevezës quhej Tahir Papulia. Por këto janë të dhëna për të cilat duhet të shkruajmë herë të tjera më gjerë. (Interesantë është fakti se edhe emri Karolos nuk është një emër greke, por gjerman. Me këtë emër quheshin Despoti i Epirit në shek.15, italiani Karolos Tokos i Parë dhe i Dytë).

Kryetari grek Karolos Papulias ka qenë shok klase në fshatin e lindjes me aktorin fierak çamin Fuat Boçin dhe midis tyre ruhet ende një miqësi e mirë. Gazetarja Marina Vihu përmes një shkrimit të saj botuar në vitin 2005 ndër të tjera sjell kujtimet fëmijërore nga jeta e Fuat Boçit: “Një ditë ndërsa ishim nisur për në shkollë me Karolosin, na u kthye mendja dhe shkuam për zogj. Ditën tjetër, mësuesja na nxori të dyve para klasës dhe na i shkuli veshët kaq fort, saqë më dhembin edhe sot e kësaj dite”. Fuat Boçi po ashtu kujton të atin e Karolos Papulias, kolonelin në lirim Grigoris Papulias, i cili i nxirrte thuajse lakuriq në dëborë, i mbulonte me të dhe pastaj i vinte të vraponin që të kaliteshin. Për të vërtetuar nëse Karolos Papulia e flet shumë mirë gjuhën shqipe duhet pyetur Fuat Boçi i cili di shumë gjëra për origjinën shqiptare të presidentit grek.

 

Voshtina-Pogoniani

 

Voshtina gjendet buzë kufirit greko-shqiptar, përballë fshatrave të Gjinokastrës. Nëse do të futemi thellë në historinë e Epriti ku bënë pjesë edhe Voshtina, Despotati i Artës ku ka qenë përfshirë Janina dhe Voshtina në fillim të Shek.XI e deri sa u pushtua nga Osmanët më 1449, asnjëherë nuk ka qenë i udhëhequr nga Despot grek, por nga latinët dhe shqiptarët. Kur Stefan Dushani pushtoj Ballkanin ai u ndesh me shqiptarët të cilët e rimorën përsëri Despotatin e Artës. Atëherë logjika e thjeshtë ngre pyetjet përse Epiri asnjëherë nuk është udhëhequr nga Despot grek? (Sepse popullsia nuk ishte greke, por shqiptare).

Voshtina nga mesi i shek .XVI e në vazhdim njihet se është themeluar dhe banuar nga shqiptarët mysliman. Voshtina ishte qendra e fshatrave të Pogonit dhe i përkiste administratës turke të Gjirokastrës. Voshtina mbeti si qendra administratës të zonës së Pogonit deri në vitin 1922, më tej qendra u vendos në Delvinaq. Voshtina ishte dikur një fshat me rreth 3.000 banorë dhe në vitin 1924 u hap gjimnazi në godinën ku dikur shërbente administrata osmane. Gjimnazi kishte edhe konviktin e vet ku strehoheshin nxënësit e fshatrave të tjerë që ndiqnin shkollën.

Gjatë periudhës së Perandorisë Osmane Voshtina i përkiste Peshkopatës së Vlorës. Ka pasur xhami, kishë, një shkollë për myslimanët dhe një shkollë për ortodoksit, rreth 5 dyqane. Me përzënien e shqiptarëve mysliman nga treva e Çamërisë në zonën e Pogonit dhe në Voshtinë qeveritë greke sollën popullsi vllehe si dhe “grekët” nga Azia e Vogël për të bërë sa më të lehtë asimilimin e shqiptarëve ortodoks që mbetën në Çamëri. Vllehët dhe “grekët” e ardhur nga Azia e Vogël u vendosën në shtëpitë e shqiptarëve mysliman duke marrë në përdorim dhe tokat e tyre.

Me vendim të qeverisë greke për ndërrimin e toponimeve jo-greke në Greqi edhe Voshtinës si shumë fshatra të tjerë ju ndërruar emri në Pogoniani më 1928. Nëse vërtet fshati Voshtina do të ishte banuar nga grekët, atëherë qeveria greke nuk do ta ndërronte emrin e fshatit dhe do të sillte në të banorë jo-vendas. (Është një histori e dhimbshme e shqiptarëve nga Çamëria sepse pas përzënies së shqiptarëve mysliman, shqiptarët ortodoks u deklaruan vlleh ose grek për ti shpëtuar dëbimeve dhe masakrave. Si pasojë u shtuan vllehët dhe grekët si në Greqi, por edhe në Shqipëri.)

Pas viteve 1990, shumë fëmijë të minoritetit grek, por edhe fëmijët shqiptar të fshatrave buzë kufirit vazhduan gjimnazin në Pogoniat. Sot në fshat banojnë rreth 80 njerëz.

HISTORIAN

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: ArbenLlalla, origjina shqiptare, Papulias

RRUGA E ARBËRIT MBËRRIN NË INDI

November 1, 2013 by dgreca

 

Gazetari i njohur C. M. Paul i bën jehonë peticionit në mediat Indiane.*/

Një ekspert i Nënë Terezës në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur një peticion online për një rrugë, e cila do të sjellë më pranë nesh vendlindjen e murgeshës me famë botërore.

“Rruga për të cilën po lobojmë do të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën e transportit mes vendlindjes së Nënë Terezës, Shkupit, dhe Tiranës”, thotë Gëzim Alpion, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Birmingamit.

Rruga e Arbërit ofron një lidhje më të mire me Dibrën dhe do të ndihmojë në “zhvillimin e kësaj pjese të Ballkanit, e cila vuan nga mungesa e një rrjeti të mirë rrugor”, u shpreh ai duke theksuar se kjo zonë është ndër rajonet më të pazhvilluara në Shqipëri, një vend në Europën jug-lindore.

Rruga do të krijojë një ndërlidhje të re vitale mes Shqipërisë e Maqedonisë, si dhe do t’i ofrojë Bullgarisë hyrje direkte në Adriatik dhe Detin Mesdhe.

Rruga ekzistuese prej 180 km është “një stërzgjatje torturuese dhe aspak e mirëmbajtur”, thekson bashkëkombësi i Nënë Terezës. Sipas tij, rruga e re prej 70 km do ta shkurtoj kohën dhe koston e udhëtimit.

Alpion, që jeton në Birmingam, konsiderohet nga kritika si “autori me autoritar për Nënë Terezën në gjuhën angleze”. Libri i tij i ri për Nënë Terezën, që do të botohet në shtator 2014, përfshin materiale që nuk janë publikuar deri më sot mbi jetën e murgeshës shqiptare.

Ai u shpreh se peticionin online për Rrugën e Arbërit e nisi më 18 mars “me shpresën për të ndihmuar Dibrën, vendlindjen time, zhvillimi i së cilës për mua është shumë i rëndësishëm. Po kështu, peticioni synon të tërheqë vëmendjen e politikanëve shqiptarë drejt varfërisë që ka pllakosur prej kohësh zonën e Dibrës.”

Ai tha se së shpejti do të kthehet në Tiranës për t’i dorëzuar peticionin kryeministrit të ri të Shqipërisë, z.Edi Rama, dhe për të zhvilluar takime me një numër zyrtarësh të lartë në vend.

Alpion është larguar nga Dibra në moshën 14 vjeçare për të studiuar fillimisht në Tiranë e më pas në Universitetin e Kairos dhe atë të Durhamit. Rrënjët dibrane janë “tepër të rëndësishme” për të edhe pas 37 vitesh.

Ai e përshkruan Dibrën si “një zonë me bukuri natyrale të jashtëzakonshme” dhe 200,000 banorët e saj si “të mençur dhe shumë punëtorë, por gjithmonë të lënë pas dore nga shteti.” Sipas tij “Dibra, nga të gjithë rrethet e Shqipërisë, nuk duhet të jetë e varfër vetëm po të kemi parasysh pasuritë e saj minerale të jashtëzakonshme.”

Në 1980-ën Shqipëria renditej e treta në botë si prodhuese kromi me mbi një milion ton në vit. Rezervat e kromit gjenden në Bulqizë, që është pjesë e zonës së Dibrës.

Rruga e Arbërit gjoja ka qenë “prioritet” për disa qeveri shqiptare për më shumë se 10 vjet. Megjithëse lobimi për ndërtimin e saj ka nisur gati 20 vite më parë, deri tani punimet kanë përparuar pak.

“Rruga e re do të rilindë dibranët,” u shpreh Alpion. Më shumë se 4000 njerëz anë e mbanë globit kanë nënshkruar peticionin online dhe formularët që janë përgatitur në përputhje me legjislacionin shqiptar.

 

Peticioni është përcjellë gjerësisht nga media në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe nga mediat shqiptare në diasporë: Amerikë, Angli, Kanada, Australi, Itali, Greqi, Zvicër, Bullgari e Rumani.

Alpion beson se vëmendja që politikanët shqiptarë i kushtuan Rrugës së Arbërit gjatë zgjedhjeve të qershorit dëshmon rolin e rëndësishëm që shoqëria civile mund të luaj në Shqipëri. “Shoqëria civile është ende në një fazë embrionale në Shqipëri dhe në vende të tjera ish-komuniste,” argumenton Alpion, “por shenjat e para janë shpresëdhënës.”

Përktheu: Erisa Saraçi

*Shkrimi i C. M. Paul, i titulluar “Mother Teresa expert roots for Skopje”, u botua në gjuhën angleze në Indi në MATTERS INDIA më 28 tetor 2013: http://mattersindia.com/mother-teresa-expertroots-for-skopje

*Versioni shqip u botua për herë të parë në Tiranë në gazetën RRUGA E ARBËRIT, Tetor 2013, fq. 5.

Ju lutemi nënshkruani peticionin duke shkruar Emrin, Mbiemrin, Adresën e Emailit, Qytetin tuaj dhe pastaj klikoni ‘Sign’:

http://www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit?utm_campaign=petition_created&utm_medium=email&utm_source=guides

 

Filed Under: Komente Tagged With: Gezim Alpion, mberrin ne Indi, Rruga e Arberit

E MAJTA SHQIPTARE KONSOLIDON LULIN

November 1, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Jemi dëshmitarë të gjithë se qysh e majta shqiptare ka vënë në veprim ekstremin e saj më agresiv për të ndërmarrë një fushatë demonizuese ndaj Lulit, siç po e quaj edhe unë kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, liderin e ri të opozitës së re të Tiranës.

Janë të shumta rastet kur faktorët e jashtëm, qoftë si faktorë objektivë apo subjektivë, respektivisht, pra, joqëllimorë apo qëllimorë kanë ndikim më të madh se faktorët e brendshëm ndaj një dukurie apo ndaj një realiteti të caktuar. Aq më tepër, duke qenë tek rasti konkret, dihet se Partia Socialiste e Shqipërisë është njëherësh faktor i jashtëm dhe faktor i brendshëm për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe anasjelltas. Kjo shpjegohet me rrjedha historike të realitetit të shqiptar, të kristalizuara që nga 8 nëntori 1941.

Faktorët mirëfilli të brendshëm në partinë tashmë opozitare nuk janë dhe nuk kanë për të qenë të aftë që të ndikojnë në konsolidimin ose moskonsolidimin e Lulzim Bashës në krye të saj. Në këto kushte, rolin vendimtar e merr partia pozitare, e cila, për këtë, përdor ekstremin e majtë shqiptar. Në stilin katovicar, folklori denigrues kundër Lulzim Bashës nga kjo guzhinë e propagandës, vetëm sa ndikon për ta bërë sa më interesant në sytë e atyre faktorëve jo të majtë shqiptarë, të cilët ende e shikojnë Partinë Demokratike të Shqipërisë si mishërim të idealeve të djathta shqiptare, pra si alternativë ndaj socialistëve.

Së majtës shqiptare, mbisunduese absolute në jetën e kombit tonë prej më se shtatë dekadash, i intereson që Partia Demokratike e Shqipërisë të vazhdojë të mishërojë iluzionin e një të djathte. Duke qenë njohëse e psikologjisë së të sunduarve të saj, e majta, pasi e ka krijuar iluzionin, vazhdon ta zhvillojë atë në skenën shqiptare, duke bërë mrekullira të rreme, ashtu si iluzionistët bëjnë në skenat e shfaqjeve të tyre.

Mungesa e një kryetari të konsoliduar të partisë kryesore opozitare, mungesa e një lideri të konsoliduar të opozitës, do të vinte në pikëpyetje nëse ekziston apo jo Partia Demokratike, nëse ekziston apo jo opozita në Tiranë, çka do të bënte urgjente gjithnjë e më shumë lindjen dhe rritjen e një partie të vërtetë opozitare, të një lëvizjeje vërtetë opozitare, rrjedhimisht të një djathte të vërtetë e të mirëfilltë në politikën shqiptare.

E majta jonë është në dijeni të plotë se në realitetin shqiptar ekziston faktori i djathtë. Mirëpo ajo është e interesuar që ky faktor të mos jetë i organizuar në një parti të tijën, por të jetë i përfaqësuar edhe më tej nga një parti tjetër, e përbërë edhe ajo nga klane të majta, si gjatë këtyre viteve të derisotme të të ashtuquajturit tranzicion shqiptar.

Prandaj propaganda e majtë e paraqet tashmë Lulzim Bashën jo vetëm si kopje të Sali Berishës, por edhe si një rimishërim të tij për së gjalli, sikur kemi të bëjmë me të njëjtin embrion, por me dy trajta të tij, të zhvilluara ato në dy epruveta të ndryshme, njëra sosh me faza më të përshpejtuara, ndërsa tjetra sosh me faza më të përngadalësuara, derisa të japin gjendjen e sotme, frytin e sotëm, sado të dyzuar në dukje, gjoja të njëjtë në thelb.

Synimi tjetër po aq kryesor i fushatës që e majta shqiptare ka ndërmarrë me anë të krahut të saj më ekstrem është që t’i shmangë sa më shumë ngjashmëritë në figurën, stilin dhe veprimet e paraardhësit dhe pasardhësit në kreun e qeverisë. Me çdo kusht, ngjasimet, pra të jenë sa më të mëdha, sa më ekskluzive dhe sa më të imponuara mes paraardhësit dhe pasardhësit në kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Dhe sa më pak ose mundësisht fare të mos vihen re këto ngjashmëri midis Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Shkalla e suksesit të fushatës aktuale demonizuese të së majtës shqiptare ndaj Lulzim Bashës do të varet jo aq shumë nga zelli i fushatbërësve dhe nga sofistikimi i makinerisë së saj. Ajo do të varet kryesisht nga mënyra se qysh Lulzim Basha do të bëhet vetë pjesë e lojës. Pra, sa dhe si ai, si pasardhës, do të ketë mësuar në këtë drejtim nga paraardhësi i tij në krye të Partisë Demokratike, sa dhe si ai, do të dëshmojë talentin për të hyrë dhe për të qenë në këtë lojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: e majta shqiptare, Lul Basha, Skender Bucpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT