• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

Këshilli federal zviceran në sofrën shqiptare

December 19, 2013 by dgreca

Fli e pite, me veshje kombëtare dhe me tinguj shqiptarë për 7 ministrat me bashkëshortet e tyre dhe kancelaren e vendit, për darkën zyrtare të fundvitit në Bernë. Kjo ka qenë surpriza që Kryetari i deritanishëm, Ueli Maurer, ua ka përgatitur kolegëve të tij, në bashkëpunim të ngushtë me ambasadorin e Kosovës në Bernë, Naim Malajn. Paratë e dhuratave për Krishtlindje, Këshilli Federal i dhuron për një projekt humanitar në Kosovë.

Në kështjellën Schlosswill afër Bernës është shtruar mbrëmë një darkë kosovare në nivelin më të lartë. Nuk është lartësia mbidetare, ku është ngritur  kështjella, ajo që ia jep këtë karakter darkës por janë personalitetet që kanë darkuar. Bëhet fjalë për darkën shqiptare të shtruar për krerët më të lartë të shtetit zviceran, për Këshillin Federal, respektivisht qeverinë e vendit.

Gjithsej 16 veta, gjegjësisht 7 ministrat me bashkëshortet e tyre dhe kancelarja e vendit me bashkëshortin kanë pasur kënaqësinë të shijojnë specialitetet kosovare në kështjellën e njohur të Zvicrës. Karakteri kosovar i kësaj darke ka qenë befasi e dorës së parë për të gjithë pjesëmarrësit, merr vesh albinfo.ch. Përveç për presidentin ende në detyrë të Këshillit Federal, ministrin e mbrojtjes, Ueli Maurer. Në fakt ka qenë ideja e tij që kjo darkë të organizohet dhe të mbahet në fshehtësi deri në momentin e fundit.

Këshilli Federal, ashtu sikurse të gjitha institucionet, shoqatat dhe firmat e vendit, kultivon traditën e darkës në fund të vitit kalendarik dhe në prag të Krishtlindjes. Por, asnjëherë deri më tash një darkë e tillë nuk ka pasur karakter nacional të një komuniteti të huaj që jeton në Zvicër.

Këshilltari i presidentit Maurer, Jean-Blaise Defago e ka marrë idenë nga presidenti dhe e ka përpunuar atë me ambasadorin e Kosovës, Naim Malaj. Ka qenë pastaj në nderin e këtij të fundit që të “shtyjë” përpara realizimin e “projektit” të darkës kosovare. Siç thotë për albinfo.ch, ambasadori Malaj, kjo surprizë paraqet një nderim të veçantë për Kosovën dhe komunitetin e këtushëm shqiptar, prandaj ai e ka marrë me vullnet të madh jetësimin e saj.

Remzi Jemini, pronar i restorantit “La Vita” në Bernë ka marrë përsipër që të përgatisë “logjistikën” gjegjësisht të sigurojë ushqimin që do të servohej në këtë darkë. Specialitetet janë ato që njihen nga kuzhina jonë, por sigurisht,  të përgatitura me një kujdes dhe finesë të veçantë për mysafirët e nivelit më të lartë, thotë Malaj.

Detyra e këtij të fundit ka qenë prezantimi i kuzhinës para anëtarëve të Këshillit Federal që nuk kanë pasur idenë se çfarë i priste. Natyrisht, para tij do të vinte i zoti i darkës, Ueli Maurer, për të shpallur befasinë.
Ushqimet e kuzhinës tradicionale shqiptare nga Kosova janë servuar nga të rinj e të reja shqiptare të veshur me kostume kombëtare, një pjesë e befasisë së mbrëmjes edhe kjo.

Atmosfera gjatë darkës ka qenë spontane dhe e relaksuar. Anëtarët e Këshillit Federal, janë shprehur në superlativ jo vetëm me ushqimet që kanë shijuar por edhe me shërbimin e shkëlqyer, të bërë nga të rinjtë dhe fëmijët shqiptarë të veshur me kostumet e bukura kombëtare shqiptare.

Ndërsa këngët e këngëtares shqiptare të njohur në skenën e xhazit zviceran Elina Duni kanë qenë “qershizat mbi tortë” të gjithë këtij “aksioni” simpatik të realizuar me diskrecion të plotë në kështjellën Schlosswill të Bernës.

Për fund, presidenti në detyrë Ueli Maurer është kujdesur edhe për një befasi. Kësaj here befasia i është ofruar Kosovës: Paratë e dhuratave për Krishtlindje që dhurohen në këso raste, ministrat federalë do t`i investojnë në një projekt zviceran me dobi të përgjithshme në Kosovë. Është ky një gjest  fisnik falënderimi i kreut zviceran për nderimin e përjetuar  nga kosovarët por edhe mesazh që dëshmon marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Zvicrës dhe Kosovës(AlbInfo.ch)

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keshilli federa, zviceran ne sofren shqiptare

In memoriam: Papa Gjon Pali II (1920-2005)

December 19, 2013 by dgreca

Nga Don Lush GJERGJI*                                                                              

Ky studim dhe botim i mirëfillët ndriçon jetën dhe veprën e madhe të të Lumit Papës Gjon Pali II në dimensione familjare, thirrjes dhe shërbimit të tij meshtarak,  ipeshkvit ndihmës në Krakovë, pjesëmarrësit në Koncilin e Dytë të Vatikanit, emërimit kardinal, zgjidhjes së tij të papritshme në Selinë e Shën Pjetrit. Sidomos theksohet dhe paraqitet me porosi dhe fotografi dërgimi i tij apostolik gjatë pontifikatit vërtet unik në historinë e Kishës katolike,  mirëkuptimi dhe përkrahja e gjithanshme ndaj popullit shqiptar, si dhe ndaj shumë popujve të ndrydhur dhe të shtypur.

Jeta dhe vepra e tij është aq e madhe dhe domethënëse, sa që vështirë mund të gjejmë ndonjë emërtim të thjeshtë dhe të përbashkët për ta vlerësuar dhe cilësuar atë. Pendat më të ngritura,  regjisorët dhe kamermanët e afirmuar dhe të spikatur, gazetarët, publicistët, krijuesitë e profileve të ndryshëm në Papën Gjon Pali II kanë pasur një Protagonist të shkëlqyeshëm për frymëzim, një figurë të madhe për zbërthim, një shembull të prekshëm për modelimin e njeriut dhe njerëzimit të ri.

Edhe Engjëll Koliqi i bashkangjitet kësaj “aradhe”, dhe disi dëshiron ta lajë borxhin e madh të Shqiptarëve, siç e quan ai ndaj “Miku i madh i Shqiptarëve”, për kujdesin e tij atëror, guximin e tij të profetik dhe biblik për ta luftuar komunizmin dhe ateizmin, për afërsinë dhe ngrohtësinë e tij gjatë Kalvarit tonë në Shqipëri dhe në Kosovë, për shpresëdhënie ndaj së ardhmes më të mirë për ne dhe për mbarë njerëzimin.

Të gjitha këto verpimtari të llojllojshme kanë një emërtim të përbashkët, një vlerësim të përputhur, një shqyrtim të gërshetuar dhe të njësuar: Papa Gjon Pali II vërtet ishte Njeriu i Zotit, i Kishës Katolike dhe i mbarë njerëzimit, Njeri i risive dhe rekordeve në Kishë dhe në botë. Afro 27 vitet e shërbimit të tij në Selinë Apostolike të Shën Pjetrit zbuluan mendjen e tij të mprehtë, vizionare dhe profetike, zemrën e tij  të madhe, të ngrohtë dhe kozmike, vullnetin e tij të fortë dhe të pathyeshëm për dashuri, shërbim, flijim dhe përqafim të tërë njerëzimin, verpimtarinë e tij të palodhshme për paqe, drejtësi dhe pajtim mes njerëzve, popujve, feve, shteteve, për njeri dhe njerëzim të afruar, të bashkuar dhe të vëllazëruar, për bijësi me Zotin dhe vëllazëri me të afërmin.

Jeta dhe veprimtaria e tij ishte shumë e gjithanshme dhe krijuese: poet, dramaturg, filozof, teolog. Opusi i tij është tejet i madh dhe shumë i begatshëm, me plotë shqyrtime dhe studime të gjithanshme.

Për ne Shqiptarët Gjon Pali II ishte dhe do të mbesë mik, dashamir, përkrahës  mbrojtës dhe prijës i pathyeshëm para qarqeve botërore.

T’ i përkujtojmë vetëm di sa lidhje të ngushta të tija me ne:

“Unë pas popullit tim polak më së tepërmi e dua popullin shqiptar, sepse, së pari keni vuajtur tepër gjatë e tepër shumë dhe padrejtësisht, dhe së dyti, sepse na keni dhuruar Nënën Tereze” (2 shkurt 1981).

Në shumë fjalime, udhëtime, meshë gati gjithmonë e pati në gojë dhe në zemër popollin shqiptar, Shqipërinë dhe Kosovën, duke theksuar  fenë, shpresën dhe dashurinë, historinë, traditën, kulturën, lashtësinë tonë, qendresën shumshekullore dhe martirizimin me theksime mjaft të qëlluar dhe shumë pozitive.

“S’ mund të mbytet njeriu që e ka fenë e gjallë… Nëse në jetën e njeriut mbytet Zoti, mbytet edhe njeriu… Përjetoj përzemërsisht dhe vëllazërisht këto vuajtje të mëdha me vëllazërit dhe motrat shqiuptare” (27 prill 1986).

Apo: “E njoh historinë tuaj, shpeshherë të shkruar  me gjak. E di se me arsye mbaheni krenarë për ligjet dhe traditat tuaja bujare…” (6 maj 1988).

Një kapitull shumë i veçantë për Papën Gjon Pali II ishte Kosova jonë, sfidat, rreziqet, dhuna që pësuam. Si babë dhe bari i mirë pothuaj në çdo qast dhe rast foli, shkrojti, protestoi, apeloi, lutej për mbrojtjen e popullit të pambrojtur dhe të pafajshëm, për lirinë dhe dinjitetin tonë njerëzor dhe kombëtar duke  i cilësuar ngjarjet tona kështu:

“Krishti është përbuzur dhe refuzuar në ata të share dhe të vrarë në luftën e Kosovës…” (29 mars 1999); “Unë mendoj për ata që janë të vrarë, për ata që janë të pastrehë, për ata që janë të ndarë nga familjet e tyre, për ata që janë detyruar të largohen…” (4 prill 1999).

Me një fjalë pa të Lumen Nënën tonë Tereze (1910-1997) dhe Papën Gjon Pali II s’ mund të kuptohet dhe të shpjegohe gjendja e Kosovës, ndërhyrja e NATO-s, internacionalizimi i çështjes sonë si sfidë dhe si sprovë e ndërgjegjes njerëzore.

Papa Gjon Pali II e cilësoi Nënën Terze si përfaqësuesen më të mirë të popullit shqiptar dhe të Kishës Katolike në dimensione botërore.

“Ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj…Grua sa të vogël me shtat, aq të madhe me vepra…që sjell dhe ruan brenda vetes hirin e bujarisë së papërmbajtur të zemrës shqiptare…(25 prill 1993).

Në lumturimin e saj ndër të tjera tha: “Jam personalisht i falënderueshëm ndaj kësaj Gruaje të guximshme të cilën gjithmonë e kam pasur afër vetes…” (19 tetor 2003).

Këtë miqësi, dashuri dhe përkrahje ndaj popullit shqiptar Gjon Pali II e ka shprehur në çdo vend dhe kend të botës, sidomos gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 25 prill 1993, në emërimin e kardinal Mikel Koliqit (26 nëntor 1994), gjatë trazirave në Shqipëri (1997), gjatë Kalvarit të gjatë të Kosovës (1981-1999), në përshpejtimin e procesit të lumturimit të Nënës Tereze.

Në këto lidhje të ngushta, të përzemërta dhe miqësore mes Papës Gjon Pali II dhe popullit shqiptar, rol të rëndësishëm paten edhe dy prelatët e lartë tonë, Imzot Nikë PRELA (1918-1996) dhe Imzot Mark SOPI (1938-2006), që fatbardhësisht vazhdon edhe me pasardhësin e tij, Papën Benediktin XVI,  tani me Papën Françeskun.

Papa Gjon Pali II dhe Imzot Nikë Prela paten takime të shpeshta dhe të përzemërta, bisedime të frytshme për Kosovën dhe për Kishën tonë. Imzot Nikë Prela vazhdimisht e ka informuar Papën gojarisht dhe me shkrim mbi gjendjen tonë, si dhe të gjitha institucionet tjera kishtare dhe shetetërore të Evropës dhe të botës.

Po e përkujtoj vetëm takimin e tyre  të fundit më 17 tetor 1995, kur Papa dukshëm i emocionuar para Ipeshjvit në karrocë, para të gjithëve me ofshamë goje dhe zemre klithi: “Kosova plaga dhe shpresa jonë!”.

Gjon Pali II fill pas luftës në Kosovë (1999), e falënderoi personalisht Imzot Mark Sopin, Kishën dhe klerin katolik për guximin, dëshminë dhe shërbimin ndaj popullit të rrezikuar  pa dalime gjatë Luftës 1998-1999.

Imzot Mark Sopi kështu e vlerësoi Gjon Palin e II: “Për popullin Shqiptar Papa ishte mik i madh dhe tregoi dashuri të madhe për të. Ai këtë e dëshmoi me vepra duke treguar angazhimin e palodhshëm në gjetjen e zgjidhjeve paqësore për Kosovën tonë të dashur”.

Kjo simpati dhe dashuri ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, ndaj Kosovës në veçanti, është dëshmuar dhe përforcuar edhe me takimet e Gjon Palit II dhe Presidentit të Kosvës dr. Ibrahim RUGOVA )1944-2006).

Papa çmonte shumë Njeriun e urtë dhe veprimtarin e guximshëm, krijuesin dhe frymëzuesin e strategjisë paqësore jodhunore në Kosovë, në Ballkan dhe në Evropë, dr. Ibrahim Rugovën.

Ja vetëm disa hollësi:

Pas takimit të dr. Ibrahim Rugovës me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit ai ndër të tjera tha: “Pasi Zoti, Papa, Vatikani është me ne, atëherë jam i bindur se e dhe bota do të jetë me ne, në anën tonë…”(27 qershor 1991).

Gjatë bombardimeve të NATO-s Papa Gjon Pali II e pranoi në audiencë private dr. Ibrahim Rugovën dhe familjen e tij. Po ashtu edhe në takimet tjera, veçmas atë të fundit në vitin 2003, qe vlerësuar nga qarqet e Vatikanit dhe të botës si përforcim miqësie dhe bashkëpunimi mes Selisë Shenjte dhe Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova në një takim me Imzot  Nikë Prelën ndër të tjera tha:

“Në mua kanë ndikuar pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze. Papa Gjon Pali II angazhohet gjithnjë për paqe në mbarë botën dhe është vendosmërisht kundër dhunës dhe luftës kudo. Nëna Tereze me dashuri e përfitoi mbarë njerëzimin…” (gusht 1993).

Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të Vatikanit në varrimin e dr. Ibrahim Rugovës, si dhe cilësimi i tij si “Gandi dhe vizionari paqësor i politikës”, edhe një herë dëshmuan dhe vërtetuan marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e frytshëm mes Papës Gjon Pali II dhe dr. Ibrahim Rugovës,  Kosovës dhe Vatikanit.

Në historiografinë e afërt të popullit shqiptar Papa Gjon Pali II ka një vend kulmor dhe meritor për zhvillimin dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si dhe më gjerë, të popullit tonë. Provani a Zotit në kohën e duhur i gjeti njerëzit e zgjedhur dhe së bashku me ta e shkrojti një faqe të ndritshme të historisë sonë.

Njerëzit e mirë dhe të mëdhenj, si ishin papa Gjon Pali II, Nëna Tereze, Imzot Nikë Prela, Imzot Mark Sopi, dr. Ibrahim Rugova,  lindin rallë dhe nuk vdesin kurrë. Kjo është histori, fatbardhësi dhe lumturi për ne, ngushëllim dhe siguri se Zoti mendon dhe vepron ndër ne, për ne dhe me ne.

Falënderoj përzemërsisht Engjëll Koliqin për punë dhe studim në këtë monografi, që është edhe si “meze” për shpalljen  Shenjt të të Lumit Papës Gjon Palit II së bashku me të Lumin Papën Gjoni 23, vitin e ardhshëm, më 27 prill 2014. Ky botim është shkruar me shumë përkushtim, flijim, frymëzim, falënderim dhe dashuri. Shpresoj dhe uroj që të pranohet dhe lexohet me të njëjtat ndjenja.

*Engjëll KOLIQI, Miku i madh i shqiptarëve, Rugova Art – DRITA, Prishtinë, 2013, fq. 261

Tiranë, 18 dhjetor 2013                                                   Don Lush GJERGJI

Filed Under: Featured

VEPER E MIREPRITUR DHE ME VLERA

December 19, 2013 by dgreca

Nga Visar ZHITI*

Një vepër e mirëpritur dhe me vlera, e duhur dhe me rëndësi, shpalosëse dhe përmbledhëse njëkohësisht, një jetë dhe një vegim, një arritje e madhe botërore dhe një pasqyrë për të – kështu do të doja të thoshim për librin e ri “Miku i madh i shqiptarëve” të studiuesit dhe krijuesit Engjëll Koliqi.

Personazhi i tij, Papa Gjon Pali II, Karol Vojtila, është një nga personalitetet më të mëdhenj të kohërave, që bashkë me heronj të tjerë, i dhanë fytyrë tjetër shekullit XX, atë që dëshirohej, për të qënë nga ana e duhur e historisë, nga liritë dhe të drejtat e kombeve dhe njerëzve, nga morali kolektiv dhe mirësitë mbarënjerëzore, nga kujtesa gjenerale me vizione të së ardhmes, kundër dhunës dhe tiranive të ngritura në sistem, kundër mureve që ndajnë njerëzit midis tyre dhe njeriun me Zotin, duke u ngritur  kështu në lartësitë e shenjtërisë. Është një punë e madhe, e hatashme, më përkushtim e meçuri, që pa luftë dhe lumenj gjaku të rrëzoje perandorinë komuniste, e cila erdhi me revolucione të tmerrshme dhe shtua me luftë botërore.

Në këtë bëmë të dëshurar nga popujt, për të cilën u sakrifikua shumë, është dhe dora e shenjtë e Papa Gjon Palit II.

Papa Vojtila e nisi duke na dhënë porosinë: “Mos kini frikë!”, e hodhi këtë thirrje në atdheun e tij, kur bënte pjesë në gjysmën e botës të shteteve të nënshtruar nën socializmin real ose “perandorisë të së keqes”, ndërsa kur ajo ra, patjetër dhe me ndihmesën e tij hyjnore, po ky Papë do të na porosiste përsëri: “Nuk e duam një demokraci pa virtyte”.Njeriu duhet të jetë njerëzor, prandaj është lindur dhe shoqéria duhet të jetë njerëzore, prandaj jemi bashkë.                                                                          Libri “Miku i madh i shqiptarëve” është, po aq sa biografik, edhe rrëfim i bëmave dhe i arritjeve, i sakrificave dhe i urtësisë sublime, kronikë dhe kronologji e jetës së Papa Vojtilës, i udhëtimeve brenda dhe jashtë vetes, me frymën e Tij pannjerëzore dhe të perëndishme, i një dashurie aktive, në veprim.

Autori gjithsesi është përqëndruar dhe në hulumtimin e asaj ane aq të rëndësishme për ne, në lidhjet e Papa Vojtilës me popullin shqiptar, marrëdhëniet me shtetin e tyre dhe me atë që do të shpallej si shteti më i ri në botë, të dyja të një kombi, pra me Shqipërinë dhe Kosovën, me krerët e shquar e të përbashkët, së pari me Nënë Terezën, me të cilën ka bashkëpunuar, ia dha mundësitë, pasi ia kuptoi flatrat, që më pas do ta lumturonte po vetë.

Po kështu autori na ritregon për vizitën historike të Shenjtërisë së Tij, Papa Gjon Pali II në Tiranë dhe Shkodër, rënien e Tij më gjunjë dhe puthjen e tokës tonë sapo zbriti nga qielli, ishte e fundmja rënie më gjunjë e Papa Vojtilës mbi tokë, pritjen madhështore, takimet me njerëzit, besimtarët, me Presidentin Berisha, vlerësimet që i bën Shenjtéria e Tij kishës shqiptare, martirizimit të saj, për besimin që ngjall, po kështu dhe takimet me Presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, lutjet për një Kosovë të lirë, takimet me shërbesarë, por dhe me ata të Radio-Vatikanit, seksioni shqip, që në ditët më të vështira, morëm prej tyre shpresë fshehurazi, teksa denonconin të keqen e deri dhe tek dhuratat që Dom Lush Gjergji i ka dhënë Papës, “Mesharin” tonë apo librin e tij për Nënë Terezën në gjuhën polake.

Polonia është vendi i Vojtilës dhe libri që po përurojmë tani na shtjellon nga fëminia e tij atje, në atë vend heroik e me kulturë, nga rinia, kur e nisi si poet, aktor, teksa zbuloi brenda vetes dhe filozofin e shkencëtarin, të cilat s’duhet të jenë e nuk janë në kundërshtim me njeriun e fesë, e deri tek thirrja: Habemus Papa! (Kemi Papë!)

Habemus shpresë, besim, kemi përvojën e të kaluarërs dhe vizionet e së ardhmes, kemi ëndrrën dhe botën, kemi vdekjen dhe lindjen dhe rilindjen e shenjtë, kemi veten të shumëzuar në miliarda e miliarda të tjerë.

Kulme dhe kumte kuptimplotë e të gjithkohshëm gjejmë në këtë libër, ndër të tjera në vijim dua të kujtoj vajtjen e Papa Vojtila në qelinë e atentatorit, të vrasésit të tij, Ali Alça. Me dorën që tërhoqi këmbëzën e revolverit, ai i rrëmben dorën Papës dhe ia puth fort si një ndjesë e pendim i thellë, mësim për mijëra e mijéra duar që kanë tërhequr me gishtin si kthetér këmbëzën e armëve në plotonet e pushkatimeve të llahtarshme dhe të atyre që kanë përdorur armë té padukshme në pushkatime të padukshme ideologjike, kulturore, në vrasjet e përditëshme, gjithnjë e nga pak, deri sa sollën rrënim shpirtéror dhe mendor.

Por njeriu është caktuar të ngrihet dhe të triumfojë.

Bashkë. Me tjetrin. Ta kuptojmë dhe ta duam. Në diversitet dhe tolerancë, e gjitha si pasuri e përbashkët përvojash e vlerash të gjithmonta. Ja, në libër, mes fotove të shumta, Papa Vojtila me Kur’anin në dorë, duke e puthur Librin e Shenjtë, gjest emocionues e domethënës, aq kollaj i  kuptueshëm për shqiptarët, të shquar për bashkëjetesën ndërfetare.

Dhe ky Papë, që kur Shqipëria ishte nën diktaturë, në bregun përballë lutej për të me lot në sy. Eshtë fakt se shqiptarët kanë zgjedhur në rrugëtimin e tyre anën e duhur të historisë, pavarësisht se pësimet kanë qënë të rënda dhe ndëshkuese, por që meritojnë gjithsesi shpërblim.

Pra me të drejtë monografia e parë për Papa Gjon Palit II, e shkruar nga një shqiptar, titullohet “Miku i madh i shqiptarëve”, siç u cilësua nga pritësit e tij në Shqipëri.    Dhe është rastësi e bukur, nëse mund ta quajmë kështu, që autori i librit ka emrin ungjillor Engjëll dhe mbiemrin Koliqi, si të kardinalit të parë shqiptar, që kaloi një kalvar të tmerrshëm nëpër burgjet e komunizmit, por që nga ky Papë u përzgjodh dhe shelbua.

Libri ndërkaq është dhe një homazh i përbashkët i shqiptarëve, mirënjohje dhe vlerësim për një mik të madh e të përbotshëm, nderim ndaj së mirës, që duke dalë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, e bën dhe më të vyer duke i dhënë dhe simbolikë të dyfishtë.

Libri ka vlera të qëndrueshme dhe shërben për informacionin, datat, bëmat e një jete të madhe të një njeriu të madh dhe për kumtet dhe porositë që përçon, për falje dhe kujtesë, për mirëkuptim dhe ringritje,  për paqe dhe një jetë me kuptim dhe me besim, me virtyte njerézore e të perëndishme.

Pavarësia, identiteti ashtu si liria, mëçuria dhe mirësitë kuptohen dhe mbrohen nga njerëz të pavarur, të lirë, të mënçur dhe të mirë dhe me identitet dhe njerëzit e tillë u përkasin popujve të tillë. Çdo popull është njeri, çdo njeri është popull.

*(Fotografia: Dielli arkiv. Kjo ishte kumtese qe u mbajte me 18 Dhjetor ne Tirane ne, ku u promovua libri i Engjëll KOLIQI-t, Miku i madh i Shqiptarëve, Rugova Art – DRITA, 2013, fq. 261, kushtuar të Lumit Papës Gjon Pali II .Falenderojme z. Frank Shkreli, qe e dergoi per Diellin)

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Engjell Koliqi, liber i mirepritur, me vlera, Visar Zhiti

SHQIPTARËT MERITOJNË ANTARËSIMIN NË BASHKIMIN EUROPIAN

December 19, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ja më në fund edhe një zhgënjim tjetër! Europa i thotë JO edhe njëherë dhe me plotë gojë dhënjës së statusit kandidat Shqipërisë.  E shtynë vlerësimin edhe për gjashtë muaj të tjerë.  Ishte ky një vendim, jo i pa pritur i vendeve më të rëndësishme të Europës, si Gjermania, Franca, Anglia dhe më pak të rëndësishme si Hollanda e Danimarka.   Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian (BE) qe shumë i qartë për vendimin që mori të marten.  Është e qartë se Europa, megjith fjalorin diplomatik që përdorin përfaqsuesit e saj për përparimet e bëra deri tani në Shqipëri,  ky vendim nga Brukseli tregon se ajo nuk është e bindur se Shqipëria është serioze në luftën e saj kundër korrupcionit, ndaj krimit të organizuar dhe reformave në drejtësi, si dhe ndaj çështjes së pronësisë dhe reformave në administratën publike,  për të merituar statusin e vendit  kandidat për Shqipërinë.  Gjithashtu një ndër  thirrjet e perëndimorëve ndaj klasës politike shqiptare ka vazhduar të jetë nevoja për krijimin e një atmosfere të re politike bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës, si një shënjë dhe doemosdoshmëri për një qeverisje të mirëfilltë demokratike.  Në raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë thuhet se, “Dialogu  konstruktiv dhe i vazhdueshëm politik mbetet shumë i rëndësishëm për realizimin e suksesshëm të reformave.”  Me fjalë të tjera, mungesa e një dialogu të vërtetë politik, sidomos midis dy palëve kryesore politike, mbetet diçka për tu dëshiruar dhe si e tillë një pengesë në rrugën e integrimit.

Ndonëse pak më heret Komisioneri i BE-së për Zgjërimin, Stefan Fyle, kishte rekomanduar dhënjen e statusit kandidat Shqipërisë, ai ja ”hodhi topin” qeverisë shqiptare duke thënë se dhënja e statusit të vendit  kandidat, Tiranës, ”Tani është në dorë të qeverisë shqiptare”, nëqoftse është serioze për të plotësuar kushtet e BE-së, të cilat janë të njëjta për të gjithë.   Megjithëse besohej se gjatë vitit të kaluar ishte përmirësuar disi klima e qendrimit të Europës ndaj Shqipërisë dhe zbatimit të kushteve, vendimi i BE-së të martën erdhi si një pasqyrim i një doze të madhe të realitetit të gjëndjes, jo si një “tush i ftohët”, por si një goditje e rëndë ndaj aspiratave të Shqipërisë dhe Shqiptarëve, si njëri ndër kombet më të vjetëra të kontinentit për të zënë vendin e vet aty ku i takon, në bashkësi me kombet e tjera të Europës.

Si është e mundur që Shqiptarët të cilët janë kombi që favorizon me përqindje dërmuese antarësimin  në Bashkimin Europian, është më larg këtij qëllimi se pothuaj çdo komb tjetër, 20-e sa vjetë pas rënjës së komunizmit.   Pse këjo vonesë dhe pse kaqë gjatë?!  Kujtë i intereson mos integrimi i Shqiptarëve?  Statusi i kandidatit është vetëm fillimi.  Dhe dhënja e statusit, si të thuash, do të dukej vetëm si shënjë e vullnetit të mirë europian ndaj Shqipërisë — gjë që nuk ndodhi –në rrugën e saj të gjatë drejtë integrimit dhe asgjë tjetër. Sepse raporti i Komisionit Europian e bën të qartë se problemet  vërtetë të mëdha për negociata me Shqipërinë mbeten për periudhën kur të bisedohet për vet pranimin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, që siç tha pardje për Deutsche Welle, Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, mund të marrë 8-10 vjetë.

Tani lind pyetja se sa serioze është Europa për antarësimin e Shqipërisë.  A nuk meritonte Shqipëria një konsideratë sa Rumania dhe Bullgaria, apo nga keq llogaria e parakohshme ndaj meritave të antarësimit të këtyre dy vendeve dhe ndofta ndonjë tjetëri, tani e paguan Shqipëria.  Pyetja tjetër më me rëndësi është se sa serioze dhe sa e sinqertë është në të vërtetë klasa politike shqiptare, që Shqipëria realisht të hyjë në rrugën drejtë integrimit europian.  Kërkesa e Europës duhet të jetë angazhimi njëherë e mirë i pozitës dhe opozitës shqiptare për të ndërmarrë reformat e nevojshme dhe për të adaptuar standardet politike dhe ekonomike që u janë kërkuar të gjithëve për anëtarsim.  Këto standarde dhe këto kritere për antarësim në  klubin që quhet Bashkimi Europian, nuk janë as të reja, as nuk kanë ndryshuar ç’prej miratimit të tyre 20-vjetë më parë në Kopenhagë.   Pra, janë gjithnjë aktuale, megjithëse kryeministri i tanishëm shqiptar, Z.Edi Rama deklaroi muajin e kaluar duke hedhur dyshim mbi angazhimin e tij, në një takim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër, se “Bashkimi Europian nuk është më ajo që kemi ëndërruar në fillim, kur nisëm përpjekjet për t’u bërë pjesë e saj.”  Zoti Rama foli me atë rast për “një situatë paradoksale pasi e gjithë kjo”, sipas tij ”, po ndodhë në një moment kur Bashkimi Europian nuk është tamam çfarë kishim në mendje kur filluam të luftojmë për të.  Dhe sa më shumë i afrohemi, aq më shumë duhet të trajtojmë me diçka ndryshe nga çfarë kishim ëndërruar”, theksoi Kryeministri shqiptar.  A  donte të hidhte dyshime kryeministri shqiptar me këtë deklaratë se Shqipëria kishte humbur interesimin për antarësimin e saj në BE dhe se ishte më e interesuar tani për aleanca rajonale, pasi ato nuk kanë kushte as detyrime?

As klima e politikës së polarizuar në Shqipëri  gjatë dy dekadave të fundit nuk ka ndihmuar në rrugën e integrimit të vendit.  Në të vërtetë, polarizimi politik, mund të jetë një ndër arsyet kryesore të hesitimeve europiane për t’i hapur Shqipërisë dritën jeshile.  Nuk më kujtohet emëri i një zyrtari europian disa vite më parë, por më kujtohet deklarata e tij në lidhje me diskursin e ashpër politik në Tiranë, sidomos të debateve në parlament, i cili pat thënë se, “nëqoftse këta (politikanët shqiptarë) nuk merren vesh me njëri tjetërin, si mund të presim që ata të merren vesh me ne.”  E vërtetë ose jo, varet nga pikëpamja e secilit prej nesh, por fatkeqsisht kjo është përshtypja që perëndimorët kanë për klasën politike shqiptare.  Debati politik në Shqipëri duket sikurë nuk le hapësirë për kompromis.  Shumicat qeverisëse, gjatë viteve, përfshirë edhe shumicën e tanishme qeveritare, kanë deklaruar me mburrje se duke pasur shumicën në parlament, mund të bëjnë çfarë të duan, pa marrë parasyshë qëndrimet  e opozitës ose të shoqërisë civile.  Kjo nuk është demokraci e vërtetë, pasi demokracia e vërtetë, përveç shumicës në parlament, është gjithashtu dhe ndoshta më me rëndësi, një proces i vazhdueshëm e gjithëpërfshirës, ku duhet të dëgjohen të gjitha palët dhe  të merren në konsideratë të gjithë zërat kundërshtarë, në një frymë tolerance dhe kompromisi për mendimet dhe qendrimet e të tjerëve.  Është i doemosdoshëm bashkpunimi dhe konsensusi politik mbi çështje madhore të kombit, siç është antarësimi në BE dhe integrimi njëherë e mirë i shqiptarëve, përfshirë edhe Kosovën, në organizmat euro-atlantike.

Ky ishte edhe mesazhi i Sekretares së Shtetit Hillari Klinton para parlamentit shqiptar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë vitin që kaloi.  Duke folur për veten e saj, ajo vuri në dukje se megjithëse kishte bërë një fushatë të ashpër kundër dhe kishte qenë kundërshtare politike e Presidentit Obama, ajo punoi për ‘të si Sekretare e Shtetit.  Pyetjes se si është e  mundur që si kundërshtare e tillë politike t’i shërbente administratës së Obamës, Hillari Klinton u përgjigj para parlamentarëve shqiptarë duke deklaruar se, “Është krejt e thjeshtë.  Ne të dy e duam atdheun tonë”, u shpreh Hillari Klinton para ligjvenësve shqiptarë.

Hillary Klinton, duke folur si mike e kombit shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, u bëri sfidë përfaqsuesve shqiptarë që të gjejnë rrugën e sinqertë të bashkpunimit, “sepse më në fund”, tha ajo, “udhëheqsit në një demokraci të vërtetë, vendosin interesat e kombit mbi interesat personale dhe partiake.”   Zonja Klinton me të drejtë tha me atë rast se ndonëse Shqiptarët kanë një histori mijëra vjeçare, është ekzaktërisht këjo periudhë në të cilën jetojmë, e cila mund të ketë pasojat më të mëdha që ka përballur ndonjëherë kombi shqiptar për konsolidimin përgjithmonë të demokracisë për brezat e ardhëshëm.  Në fjalimin e saj, Hillari Klinton, i drejtoi parlamentit shqiptar disa pyetje të mprehta që janë edhe sot aktuale, sidomos përballë shtyrjes së dhënjës së statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Ndër të tjera, ajo pyeti:  “A do vazhdojë Shqipëria të ndërtojë një qeverisje të mirë?  A do të vazhdojnë udhëheqsit  e saj të sigurojnë besimin e popullit se puna e qeverisë do të japë rezultate të mira?  A do të lini më një anë interesat personale dhe partiake, për të mirë të vendit tuaj?  A do të ndërmirrni bërjen e reformave që mbështesin rritjen ekonomike duke krijuar mundësi për të gjithë shqiptarët?  A do të luftoni korrupcionin që favorizon disa në kurriz të shumëve?   A do të vazhdoni të bëni punën e rëndë që nevojitet për t’u antarësuar në Bashkimin Europian, duke qenë të vetdijshëm se është rruga që ofron paqën dhe progresin për të gjithë qytetarët tuaj?”  Ishin këto pyetje që vetë Zonja Klinton tha se vetëm udhëheqsit shqiptarë mund tu përgjigjen, por janë pyetje që kërkojnë përgjigje dhe marrje masash vendimtare nëqoftse, siç tha ajo një vit më parë në Parlamentin shqiptar, “dëshironi të bëni përparim drejtë antarësimit të Shqipërisë në Be-në”, aty ku e kini vendin”, tha ajo.   Këtë detyrë, përfundoi Zonja Klinton ua kini borxh ”fëmijve dhe brezave të ardhëshëm…në një botë mundësishë, tolerance dhe gjithëpërfshirse.”

Shqiptarët meritojnë antarësimin në një Europë të bashkuar e cila i respekton ata si të barabartë me të gjitha kombet e tjera dhe njëkohësisht, Shqiptarët meritojnë një qeveri, një opozitë dhe një klasë politike, që do të bëjnë ç‘mosin për të bërë të  mundur realizimin e kësaj ëndërre shekullore të të gjithë Shqiptarëve kudo.

Filed Under: Analiza Tagged With: anetaresimin ne BE, Frank shkreli, Shqiptaret e meritojne

35 VJET NGA NJË DITË E “PARACAKTUEME”…

December 18, 2013 by dgreca

Shkruan:  Fritz RADOVANI/

Nder ngjarjet ma të shenueme të Epokës 2000 vjeçare të Kishës Katolike Botnore, asht data 16 Tetor 1978, atë ditë, kur Karol Wojtila i Polonisë komuniste zgjidhet Papë. Diten që u shpall zgjedhja e Tij si Papë per gjithë Boten u krijue një mendim nder të gjithë besimtarët katolik: “U lindi një shpresë”…ndoshta, nga dëshira e ndrydhun!

Mbas vitit 1963 që na dukej aq larg kur e mendojshim… Portreti i polakut Wojtila, sikur shpjegonte dishka të mëshefun mbrenda një fisnikije të paster. Të gjithë pa pikë dyshimi besonin në një forcë shpirtnore që buronte nga Atdhetarizmi polak i njohun dhe i perforcuem në dy betejat e pergjakshme të Luftës së Dytë Botnore, e ndoshta, krejt i pa provuem në Europë, perballë dy diktatorëve të asaj luftë: Hitler e Stalin. Madhështia e një Burri si Ai, ishte e lidhun me forcen shpirtnore dhe kuptohej vetem në përzemërsinë që shperthente kur bahej fjalë per persekucionin dhe shtypjen e të drejtave të njeriut.

Papa Gjon Pali II dukej si një vullkan kur fliste per Lirinë e Popujve të robnuem dhe, nuk mund të permbahej dhimbja shpirtnore e Tij kur fliste per Lirinë e Fesë. Ishte perballë Selisë së Tij në Vatikan, shemtimi ma i madh i Shekullit XX, Shqipnia ateiste e dhunueme nga komunistët sllavo – otoman ku, masakrohej çdo Njeri që beson në Zotin!

E, a mund ta pranonte këte Gjenocid në Atdheun e Gjergj Kastriotit një Polak?!

E, a mujte me heshtë një Papë, kur Zemra e Nanë Terezës pikonte gjak?!

E, a mujte një Papë, me pa Popullin e Ibrahim Rrugovës, në fund të shek. XX, tue e dëbue nga Trojet e veta një barbar komunist sllav?!

Një portret i një Pape që tregonte mendimin e thellë e të përqendruem tek sa e sa viktima të komunizmit dhe terrorizmit skllavnues, i cili, vetem me sy na jepte forcë!

Në vitin 1980 Papa Gjon Pali II, vizitoi në Jug të Italisë Otranton, e atje tha:

“Unë nuk rrij pa sjellë sytë nga Kisha Katolike heroike në Shqipni, e permbysun nga persekutimi i eger dhe i gjatë, por e pasunueme me dashuninë e Martirëve të Saj…” Atëherë nuk na besohej se një Papë Polak dinte aq shumë per vuejtjet tona…

Kur Papa vizitoi qytetin e Barit në vitin 1984, Ai persëriti edhe njëherë: “Mendja më shkon nga ky qytet, tek vllaznit e motrat e Shqipnisë, të cilët nuk mund të shfaqin haptas besimin e tyne fetar, një e drejtë themelore e kenjeve njerzore. Po ju këshilloj në lutjet tua të perbashkëta, se due ti siguroj këta vllazen që janë kaq të lodhun, se ata kanë një vend të veçantë në zemren time dhe ia Besoj per mbrojtje Zojës sonë!”

Në muejn Prill 1986, Papa vizitoi komunitetit katolik Shqiptar në Romë, dhe i tha fratit Shqiptar At Daniel Gjeçaj OFM., këto fjalë të paharrueshme: “Çdo ditë, sidomos gjatë sakrificës eukaristike, unë perpiqem të jetoj martirizimin tuej, të besimtarëve tuej, të vllazenve dhe motrave tona në Shqipni. Unë lutem çdo ditë per t’ ardhmen tuej, per  të gjithë besimtarët e besimeve të ndryshme dhe per Kishen në Shqipni, e cila në dukje, asht zhdukë…Unë e baj këte tue qendrue para Botës, sepse Bota duhet ta kuptojnë këte vuejtje, duhet ta kuptojnë këte padrejtësi!”

Dhe, pikrisht me 25 Prill 1993, plot 20 vjet perpara Papa Gjon Pali II puthi edhe Token Shqiptare, Até Tokë të lame me Gjak Martirësh, per të cilen Ai lutej çdo ditë!

Ai vinte nga një Aushvic… në një Tiranë tiranësh, ku vrasjet e besimtarëve të Tij ishin anë e kand një cope tokë, jo ma e madhe se 28.000 km. katror…e ku, nen çdo pllambë Tokë…ishte një Klerik Katolik Shqiptar i masakruem…Pa Kryq tek koka!

Shqipnia mbas vitit 1968, nuk kishte asnjë Kishë Katolike të padhunueme…

Ai vinte në Shkodër, mu në qendren e Gjenocidit komunist kunder Klerit Katolik Shqiptar, pikrisht aty ku, edhe vetë Europa nuk dinte (ose bante sikur nuk dinte) per  çka kishte ngja! Ai vertetë vinte nga një Poloni e robnueme, po në dorë kishte “çelsat” e një Kështjelle ma të dhunuemen në Ballkan me emnin “Rozafat”, ku pikrisht,… brijë sajë, mbi rrenojat e barbarëve të vitit 1967, Ai vuni me duert’ e Tij një Gurë…

Gurë që nuk do të tundet ma kurrë!..

Ishte porosi e Palit që në vitin 68 mbas Krishtit…

Atij Pali, paraardhës i Gjon Pali II..! Ky ishte polak… po ishte edhe yni!

Po, Po, i Shqiptarëve të Gjergjit… Bash Atij Prijsit Shqipeve që mbrojti Europen!

E para shtatores së Tij prej bronxi na la këte porosi:

“Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë me ruejtë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shque figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar…

Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazën e Motra s’ ishte pa kurrë në historinë e njerzimit… Europa duhet ta dijë…

Shqiptarë, Mos kini frikë!..”

***

35 vjet u banë që u zgjodh Papa Gjon Pali II…Me daten 16 Tetor 2013 !

Askush nuk mund të parashikonte se 20 vjet maparë, Ky Njeri i Madh që me thirrjen e Tij “Mos kini frikë!”… do të shemte komunizmin barbar të Shek. XX, dhe në vitin 1993…do të zbatonte dëshiren e vjeter të Papëve të Romës, me vizitue Shqipninë.

Tashti nuk ishte vetem Shqipnia e Gjergj Kastriotit po, edhe e Nanë Terezës…

Né që e kemi pa me sy në Katedralen e Shkodres, kemi pasë fatin e madh dhe ndoshta, të papërsëritshëm…me pa me sytë tonë Një Yll që kaloi në 130 vende të Botës, tue u dhanë dritë, dashni, paqë, mirkuptim, buzqeshjen e harrueme, e ma shumë se të gjitha, shpresë, guxim e trimni per vepra të mëdha në sherbim të Njerzimit…

“Mos kini frikë!”…

Me daten 3 Qershor 1991…edhe unë nëpermjet Imz. Mikel Koliqit… I bana një mesazh!… Me daten 8 Qershor, ora 19.00 mora përgjegjen bashkë me Bekimin e Tij…

Nuk kishte si me kenë rastësi ardhja e Gjon Palit II në Vatikan!

Janë plot 35 vjet…që u realizue edhe “Një Ditë e paracaktueme!..”

Melbourne, Dhjetor 2013.

Filed Under: Featured Tagged With: 35 vjet, zgjedhja e Wojtiles Pape

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT