• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

TIRANË:PËRUROHET LIBRI I RI KUSHTUAR ARTISTIT POPULLOR, AZIS NDREU

December 10, 2013 by dgreca

Nga Murat Gecaj/

Sot në mesditë, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit Tiranë, u organizua përurimi i librit, “Ezopi i Dibrës”, kushtuar artistit të njohur popullor Azis Ndreu-“Mjeshtër i Madh” e shkruar nga Xhezair Abazi. Pjesëmarrës ishin familjarë e bashkëkrahinas të A.Ndreut, punonjës të artit e kulturës , arsimit e shkencës, nga media  e shkruar dhe ajo elektronike etj.

Veprimtarinë e drejtoi Bujar Kapexhiu. Në emër të ShB “Onufri” përshëndeti Afërdita Cesula. Ndërsa për jetën dhe krijimtarinë e artistit të shquar popullor Azis Ndreu, i pari foli koreografi Skënder Selimi-“Mjeshtër i Madh”.Ai e quajti atë supertalent, rapsod, valltar e artist popullor, fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe laureat i Festivalit të Moskës. Rreth ndihmesës së A.Ndreut në studimin e trashëgimisë popullore, sidomos të Dibrës, u ndal dr.Gafurr Muka. Ndërsa prof.Vaso Tola e vlerësoi atë një figuraë mbarëkombëtare, që trashëgoi e transmetoi traditat më të mira të artit popullor shqiptar.

Për ndihmesën e A.Ndreut në historiografinë kombëtare shqiptare foli prof.Adem Bungu. Dibra i dha forca mendore, shpirtërore e fizike këtij artisti popullor, që të mbetet përherë në kujtesën e brazave, si të sotëm dhe atyre që do të vijnë, u shpreh Lumturi Çela.

Në këtë veprimtari ishin të ftuar e folën rreth këtij libri të ri dhe figurës së nderuar të Azis Ndreut edhe shkrimtarë e studiues, nga krahina të tjera të vendit, pra jo vetëm nga Dibra. Të tillë ishin ata nga Përmeti, Mallakastra e Kolonja. U ndoq me interes të veçantë dhe kumtimi i shkrimtarit të njohur, me origjinë nga Vlora, Viron Kona. Ai e vlerësoi lart punën e palodhur e profesionale të hartuesit të librit dhe evidentoi vlerat, që ai përmban për të njohur trashëgiminë e këtij artisti të veçantë popullor dhe terë krahinës së Dibrës, në përgjithësi.

Gjatë përurimit u lexua përshëndetja e dërguar, në pamundësi pjesëmarrjeje, nga kryetari i bashkisë në Dibrën e Madhe, Ruzhdi Lata.

Në vazhdimësi, secili sipas mënyrës së tij, me nderim e respekt folën edhe kolegë, miq e bashkëpunëtorë të Azis Ndreut, duke sjellë kujtime nga njohjet dhe puna e përbashkët me të. Të tillë ishin: regjisori Skënder Carja, artistët Veli Rada e Luftar Paja, valltari shumë i njohur Besim Zekthi etj. Ndërsa poeti Xhelal Luca recitoi një vjershë me vargje të A.Ndreut, shkruar 35 vjet më parë.

Ngohtësisht u duartrokit nga pjesëmarrësit edhe kënga e disa anëtarëve të ansamblit artistik “Valët e Drinit”, e cila i kushtohet rapsodit të mirënjohur popullor, Azis Ndreu.Në mbyllje të kësaj veprimtarie përuruese, Xhezair Abazi, autori i librit të ri, “Ezopi i Dibrës”(Azis Ndreu), i përshëndeti si folësit e pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët, që ndihmuan në hartimin dhe botimin e tij.

Pastaj, të gjithë së bashku, vazhduan bisedat e kujtimet e tyre për artistin e paharruar popullor, Azis Ndreu-“Mjeshtër I Madh”, në koktejtin ne shtruar me këtë rast.

Tiranë, 7 dhjetor 2013

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Azis Ndreu, Murat Gecaj, Perurohet libri

NË KUJTIM TË MANDELËS!

December 10, 2013 by dgreca

Nga  AFRORE SHAIPI/Presheve/

 Epokat e ndryshme të njerëzimit kanë dëshmuar për fuqinë e lirisë njerëzore si një triumf mbi padrejtësitë e robërimin. Besimi në të gjithnjë e çoi botën një hap përpara drejt evoluimit, i dha kuptim jetës njerëzore dhe nxori në pah parimin se njeriu lind për të qenë i lirë dhe si i tillë, duhet të respektohet me të drejtat e veta të plota.

Kjo pikëpamje u shndërrua në shtyllën ku mbështetet drejtësia dhe dinjiteti njerëzor. Ajo simbolizoi kërkimin e paqes univerzale dhe shërbeu si ide për të luftuar dhunën dhe diskriminimin.

Çdo popull ruan me fanatizëm në historinë e vetë, personalitetet e veta më të shquara, luftëtarët dhe heronjtë e vetë të lirisë. Por, luftëtarët nuk admirohen nga të gjithë! Ata që adhurohen nga populli i tyre, ndoshta janë më të urryerit për popullin tjetër. Andaj, ata që çmohen më shumë janë ata që vepruan përtej kufijve e kombësive të veta, ata që i lanë botës trashëgim humanizmin e paqen dhe sot gëzojnë respektin e tërë njerëzimit.

I tillë ishte edhe Nelson Mandela, “ambasadori” më i mirë dhe i përjetshëm i Afrikës së Jugut!

I lindur në një fshat të vogël afrikan, Mandela ishte shprehur njëherë “Unë nuk linda me nje uri për t’u brë i lirë. Unë linda i lirë”. Besnikëria ndaj kësaj bindjeje i kushtoi shumë shtrenjtë dhe e pagoi me çmim shumë të lartë. Duke mbrojtur idetë e veta mbi liritë e njeriut, ai u shndërrua në një kundërshtar të ashpër të aparteidit, një politike raciste të pakicës së bardhë, që diskriminonte njerëzit me ngjyrë.

Ai ndoqi një rrugë, që më 1964, e çoi prapa grilave të atij sistemi dhe ia mori 27 vite të jetës. Por, nuk hoqi dorë! Vetëm pak para se të dënohej, Mandela do të shprehej kështu “Gjatë jetës sime, i jam dedikuar luftës së popullit afrikan. Kam luftuar kundër dominimit të bardhë dhe kam luftuar kundër dominimit të zi. Kam mbështetur idealin e një shoqërie demokratike dhe të lirë, në të cilën të gjithë të jetojnë së bashku në harmoni dhe me mundësi të njejta. Është një ideal, për të cilin shpresoj të jetoj dhe ta arrij. Por, po qe nevoja është një ideal për të cilin jam gati të vdes”. Një vendosmëri që nuk u shua në asnjë sekondë e minutë gjatë atyre 27 viteve të kaluara në qeli. Sepse e dinte se ai ishte simboli i drejtësisë në gjyqin e pushtuesit, përfaqësues i idelaeve të mëdha të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë në një shoqëri që i kishte çnderuar ato virtyte. Ai e kuptoi se atëherë dhe atje, ai mund të vazhdonte të luftonte, qoftë edhe në kalanë e armikut.

Por përtej asaj sakrifice të madhe, vlerësimi më i madh për Mandelën, nis nga viti 1990, kur lirohet nga burgu. Të rallë janë ata njerëz që kanë zemër aq bujare e fisnike, sa të arrijnë të mbyllin sytë ndaj vuajtjeve më të mëdha që kanë përjetuar, e të jenë aq human edhe ndaj atyre që ndoshta më së paku e meritojnë. Si një njeri me vlera të mëdha, Mandela fali të gjithë ata që e dënuan e i vodhën 27 vite të jetës. “Tek sa po ecja drejt portës që do të më çonte drejt lirisë sime, e dija se nëse nuk do ta lija zemërimin dhe urrejtjen time prapa, unë ende do të isha i burgosur”. Kështu, Mandela e bëri atë që pak kush do e bënte sot! E kjo e bën atë unik. Se ai më së miri na tregoi të gjithëve se për të krijuar një botë të lirë, duhet të falësh dhe të pajtohesh. E kjo e shndërroi atë në një ikonë botërore të lirisë, barazisë, faljes dhe pajtimit. E të gjitha këto e bënë të denjë për të fituar Nobelin e paqes!

Mandela e ndjente për detyrë t’i shërbente popullit të vet, për të pasur drejtësi për çdo qytetar. E ndjente për mision të realizoj ëndrrën e tij për një Afrikë Jugore demokratike dhe joraciste! “E vlerësoj shumë lirinë time, por ende shqetësohem për lirinë tuaj. Shumë njerëz kanë vdekur qëkur isha në burg, shumë kanë vuajtur për dashurinë ndaj lirisë. Ua kam borxh grave të tyre, jetimëve të tyre, nënave e etërve të tyre, që kanë qajtur dhe kanë pasur dhimbje për ta. Nuk kam vuajtur vetëm unë gjatë ketyre kaq shumë, shumë viteve të humbura. Liria juaj dhe liria ime nuk mund të ndahen.”  Por sa ka arritur tË realizoj AfrikËn e tij ideale, ta nxjerrË atË prej konfliktit dhe kaosit, ai vetë do të shprehej “Kam ecur rrugë të gjatë drejt lirisë. Kam bërë gabime gjatë rrugës. Por, kam zbuluar sekretin se pasi të ngjitësh një maje, e kupton se ke edhe shumë maje të tjera për të ngjitur. Kam pushuar një moment, për të vjedhur një pamje nga lavdia që më rrethon, të shikoj prapa, në distancën që kam bërë. Por, mund të pushoj vetëm për një moment, sepse me lirinë vijnë përgjegjësitë, nuk guxoj të zgjatem, sepse rruga ime e gjatë nuk ka mbaruar ende”.

Nelson Mandela, një lider i jashtëzakonshëm që udhohoqi tranzicionin e vështirë, duke arritur të shuaj konfliktin racor në Afrikën e Jugut, duke i shtrirë dorën kundërshtarit të vetë dhe duke zhdukur urrejtjen mes bashkëkombasve, u bë një forcë e pamatshme e mirëkuptimit dhe e pajtimit. Në këtë mënyrë, ai bëri për vete jo vetëm zemrat e miliona jugafrikanëve, që e zgjodhën si president të parë me ngjyrë të vendit të tyre, por në të njejtën kohë, Mandela rrëmbeu edhe zemrat e miliona njerëzve paqedashës, përtej Afrikës, anembanë globit.

E më 5 dhjetor, ditën kur ndërroi jetë Nelson Mandela, personaliteti që mishëronte në vetvete virtytet më të larta njerëzore, u dëshmua se njerëzit e mëdhenj u përkasin të gjithë popujve. Sepse ai ishte i të gjithëve. Ishte inspirim për të gjithë ata që kërkonin liri dhe paqe. Ishte shëmbëlltyra më e mirë e njeriut fisnik, që di të kërkoj dhe të mbroj të drejtat e veta, ishte aq i fortë sa diti të falte dhe të shtrinte dorën e pajtimit, duke i dhënë leksion mbarë botës se edhe konfliktet më të vështira, që ndoshta duken të pazgjidhshme, mund të zgjidhen nëpërmjet paqes, mirëkuptimit dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit. “Askush nuk ka lindur duke urryer dikë tjetër për ngjyrën e lëkurës, fenë apo bagazhin e tij të diturisë. Njerëzit mësojnë të urrejnë, dhe nëse mund të mësojnë të urrejnë, ata mund të mësohen të duan, se bile dashuria vjen më natyrshëm në zemrën e njeriut sesa e kundërta.”

Nelson Mandela e rriti nivelin e humanizmit dhe zbërtheu më së miri domethënien e vërtetë të demokracisë, e për këtë sot i ngrit atribut i tërë njerëzimi. Afrika e Jugut humbi “babain e kombit”, liderin e saj gjenial, me vullnet dhe vizion të pazakontë. Kurse e mbarë bota humbi mbrojtësin e madh të të drejtave të njeriut, njeriun ikonë të drejtësisë, zërin e barazisë dhe paqes.Bota humbi heroin e fundit të shekullit XX!

Këto epitete ndaj figurës së pavdekshme të Mandelës, lënë të kuptohet se shpirti, ideali dhe vepra e tij do të rrojnë përjetësisht! “Le të ketë drejtësi për të gjithë. Le të ketë paqe për të gjithë. Le të ketë punë, bukë, ujë dhe kripë për të gjithë. Le ta dijë secili se për secilin trupi, mendja dhe shpirti janë të lirë për të përmbushur vetveten.”

E tërë jeta dhe vepra e Nelson Mandelës, përçon mesazhin se ajo çka e bën më të bukur këtë botë gjigante është diversiteti, por ajo që e çon përpara atë, është liria… Një liri e pastër, që thyen tabu nëpër kohë, sfidon realitete, i jep fuqi fjalës dhe mendimit të njeriut, duke revolucionalizuar botën e lë njërzimin të jetojë jetën.

*Gjimnazi “Skenderbeu”/ PRESHEVË

Filed Under: Featured Tagged With: Afrore Shaipi, ne Kujtim te Mandeles

Shekulli i ri i frytshëm i akademikut Kristo Frashëri

December 10, 2013 by dgreca

Nga Prof. Emil Lafe/

Më 4 dhjetor, Kristo Frashëri hyri në vitin e 94-t të jetës. I urojmë nga zemra që të arrijë të kapë edhe njëqindvjetorin, e më tej! Unë shkoj e vizitoj herë pas here, sidomos të dielave pasdite, sepse profesori im i historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës e ka kohën shumë të çmuar dhe të kursyer. Nuk duhet penguar kur është në orët më të mira të punës, nuk duhet shqetësuar kur ka orët e çlodhjes! Me gjithë problemet shëndetësore dhe moshën e nderuar, nuk i reshtet punës. Tryezën e ka plot me dosje dorëshkrimesh, që njëra pas tjetrës marrin aty formën e librave. Ky shekull i ri ka qenë veçanërisht i frytshëm për historianin tonë të mirënjohur. Përveç pjesëve të rëndësishme të hartuara e të redaktuara  prej tij në veprën kolektive “Historia e popullit shqiptar”, vëll. I e II, botim i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave (2002), si dhe një numër artikujsh, referatesh e kumtesash, po ashtu dhe një varg zërash në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” në tre vëllime (2008-2009), në këta 12 vjet të shekullit të ri (2002-2013) ai ka botuar edhe 16 libra studimorë, që janë fryt i erudicionit, i përvojës së tij të gjatë dhe i materialeve të grumbulluara me kujdes e me durim për studimet e shumta të mëparshme. Ai ndërkaq ndjek me vëmendje edhe botimet e ndryshme historike e dokumentare brenda e jashtë vendit.

Studimet historike të Kristo Frashërit shquhen për pasurinë e informacionit, për arsyetimin rigoroz, për mbështetjen në dokumente të besueshme dhe për analizën kritike të dokumenteve, për vështrimin kompleks të dukurive historike në ndërlidhjet e tyre të shumanshme dhe me faktorët veprues të brendshëm e të jashtëm, për objektivitetin shkencor të trajtimit dhe qëndrimin parimor në vlerësimin e faktorit shqiptar në historinë e rajonit e më gjerë; ato dallohen gjithashtu për mbrojtjen e vendosur të së vërtetës historike dhe të interesave kombëtarë ndaj shtrembërimeve (të qëllimshme ose jo) të studiuesve të huaj dhe të bëjnë për vete me qartësinë e shtjellimit, me shprehjen dinamike, të rrjedhshme e të pastër. Publiku shqiptar ka admiruar shkrimet e njëpasnjëshme të tij në shtypin masiv, me të cilat prof. Kristo Frashëri ka sqaruar me argumente bindëse të vërtetat historike rreth disa problemeve të mprehta kombëtare e shkencore, duke dhënë edhe një mësim të urtë për këdo se ç’është shkenca e historisë, si duhen trajtuar e vlerësuar objektivisht dukuritë e ngjarjet historike, cilat janë përgjegjësitë qytetare dhe detyrat e historianit, si duhet luftuar me këmbëngulje për të mos lejuar që e pavërteta të errësojë të vërtetën, si duhet kërkuar me durim në burimet e ndryshme për të gjetur qoftë edhe ndonjë rreze të hollë drite në periudha të errëta, të padokumentuara, të historisë.

Tërë vepra shkencore e prof. Kristo Frashërit përshkohet gjithashtu nga ndjenja e dinjitetit kombëtar dhe nga besimi te aftësitë e popullit të vet për të qenë i barabartë ndërmjet të barabartëve në botën e sotme. Në veprën shkencore të Kristo Frashërit shpaloset një vijë e pamposhtur qëndrese dhe mbijetese e etnosit shqiptar, një synim i pandalshëm drejt konvergjimit kombëtar dhe bashkimit të fuqive intelektuale e të burimeve njerëzore e ekonomike. Në studimet e tij shpalosen ndeshje të mëdha të forcave dhe energjive pozitive të popullit shqiptar dhe njerëzve vizionarë të historisë së tij me forcat e huaja dhe me rrymat e brendshme që janë renditur në anën e gabuar. Prandaj vepra e tij është edhe një shkollë edukimi atdhetar.

Prof. Kristo Frashëri meriton jo vetëm urimet tona më të mira për jetë të gjatë, të qetë e shëndet të mirë që të çojë përpara projektet e tij shkencore. Ai meriton, në radhë të parë, një përkrahje të përshtatshme e të përhershme shtetërore për t’i krijuar kushte më të mira jetese e  pune dhe për të siguruar botimin e veprave të tij me kritere shkencore akademike dhe me cilësi teknike bashkëkohore.

Libra të Kristo Frashërit të botuar në 12 vjetët e fundit (sipas viteve)

1)       Skënderbeu. Jeta dhe vepra. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2002, 571 f. ;

2)       Historia e Tiranës. Vëll. I. 2004, 472 f. ;

3)       Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek. XV. Burime dokumentare shqiptare. Vëll. I. 2005. 380 f.

4)       Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj. 2005, 101 f.

5)       Historia e Lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së (Vështrim historik me një shtojcë dokumentare). 2006, 471 f.;

6)       Identiteti kombëtar shqiptar dhe çështje të tjera. (Ndërhyrje në debatin Ismail Kadare – Rexhep Qose). 2007, 211 f.;

7)       Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2008, 364 f.;

8)       Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2008, 284 f.;

9)       Skënderbeu i shpërfytyruar nga një historian zviceran dhe disa analistë shqiptarë. Vështrim kritik. 2009, 198 f.;

10)   E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit. 2010. 111 f.;

11)   Frashëri – shkëlqimi dhe rrënimi i tij (vështrim i shkurtër). 2010, 201 f. ;

12)   Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881). Botohet me rastin e 150-vjetorit të Pavarësisë. 2012, 755 f.;

13)   Historia e Dibrës. Që nga lashtësia deri në mars 1939. 2012, 621 f.;

14)   Ismail Qemali (Album). Botohet me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 2012, 107 f.;

15)   Abdyl Frashëri Jeta, veprimtaria dhe shkrimet (1839-1892). 2013, 430 f.

16)   Etnogjeneza e Shqiptarëve. Vështrim historik. 2013, 272 f.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Emil Lafe, Kristo frasheri

Levizja Studentore Shqiptare

December 10, 2013 by dgreca

Me ane te kesaj deklarate per opinionin publik,deklarojme se:
LSSH eshte nje organizem Fryme,e lindur ne Dhjetor te vitit 90,me pjesmarrjen e Protagonisteve te kohes,te cilet lancuan slloganet Liri-Demokraci dhe e E duam Shqiperine si gjithe Europa.
LSSH eshte fluks burimor politik qe bashkeudheton ne spektrin politik me pergjegjesi te larte ndaj Drejtesise Shoqerore,Unitetit Kombetar dhe Integrimit Europian duke deklaruar,grupuar dhe mandatuar,akte,procese dhe vepra politike nga te gjithe aktoret politike qe realizojne programin e nje Shqiperie te lire,demokratike dhe europiane.
LSSH organizon ne menyre periodike mendim,veprim dhe shpalosje te veprimtarise se vet politike,pa dallim te personazheve politike,duke i ftuar ata te shprehin dhe mundesisht te veprojne sipas bindjeve te tyre personale dhe strukturore qe ata perfaqesojne ne te gjithe spektrin politik shqiptar,duke perjashtuar ekstremet.
LSSH do te marre nisma ne funksion te integrimit europian te Shqiperise,duke ftuar,mbeshtetur dhe kushtezuar,protagoniste dhe institucione,me ane te nje Platforme politike,ku qellim kryesor eshte shpalosja e nje shtrese perfaqesuese kulturembajtese me histori dhe motivim Kombetar,per te zhvilluar nje lufte te panderprere ndaj penguesve dhe frenuesve te zhvillimit Europian te Shqiperise dhe Shqiptareve.
Ne kete kuader Nisma per organizimin e 23 vjetorit te Pluralizmit Politik ne Shqiperi,ishte nje aktivitet me Protagoniste historik,qe kane luajtur nje rol te spikatur per fitoren e asaj beteje qe perfaqeson 8 Dhjetori,e cila eshte pluralizmi politik.LSSH fton ne mirekuptim dallimin midis Pluralizmit dhe Pluripartitizmit.Pluripartitizmi fillon me 12 dhjetor 1990 dhe vazhdon ende ne Shqiperi,duke perbere pasoje te sistemit te zgjedhur nga shqiptaret me rrezimin e Komunizmit.Pluralizmi perben Nisem burimore e atyre studenteve,pedagogeve te Rinj dhe qytetarise shqiptare qe 23vjet me pare ndryshuan historine.Gershetimi tek te njejtit persone pjesmarres ne aktivitet si Edi Rama,Mesila Doda,Shpetim Idrizi etj, i Protagonizmit Individual Historik me Protagonizmin Institucional aktual,eshte vlere e shtuar e aktivitetit te zhvilluar ne 8 dhjetor nga LSSH,por ftojme te interesuarit te bejne dallimin e duhur me kete rast.Akti i larte i 23 vjeteve me pare,Mbartja e Frymes ne vazhdimesi dhe Institucionalizimi i Veprimit politik sot,jane nje evoluim i personit nga vetja tek perkatesia publike ne sherbim te shtetit si Kujdestar i Fatit te te gjitheve.
Ne fund LSSH fton ne bashkeudhetimin e vet Europian,realitete politike te reja,moderne dhe bashkekohore,te cilat jane te gateshme per krijimin e Unitetit te Ri Shpirteror,Mendimor dhe Fizik te gjithe shqiptareve kudo qe ata ndodhen dhe qe jane kunder ndasive dhe urrejtjes se trasheguar nga e kaluara.Ritmi i se ardhmes Europiane te Shqiptareve do te shperbeje mbeturinat e nje te kaluare qe i kundervihet asaj me praktika komuniste dhe rezistence destruktive.

 

Filed Under: Featured Tagged With: deklarate, Levizja Studentore Shqiptare

SHTETI SHQIPTAR TE ZGJIDH ÇESHTJEN ÇAME

December 10, 2013 by dgreca

Deklaratë për 10 Dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut/

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Shoqata “Çamëria” Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj i bëjnë thirrje shoqërisë dhe shtetit shqiptar që të hedhin hapat e domosdoshëm për zgjidhjen e problemeve të trashëguara nga e kaluara, si çështja e pazgjidhur e shqiptarëve të Çamërisë.

Këtë 10 dhjetor, ne ndihemi krenar për hapat e hedhura në drejtimin e duhur sidomos për sa i përket zgjidhjes së çështjes çame. Në këtë kuptim, duam të rikujtojmë se më 10 dhjetor, katër vjet më parë, ne prezantuam përpara përfaqësive ndërkombëtare memorandumin për zgjidhjen e çështjes çame, e më pas ky material u dërgua në kancelaritë kryesore të Evropës, si edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky ishte një hap i parë por i sigurtë në drejtimin e ndërkombëtarizimit të çështjes çame. Vetëm një vit më parë, më 10 dhjetor të vitit të kaluar u prezantua në Kuvend, rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame, që u kthye në katalizatorin e zbërthimit të një skene të shëmtuar të ndodhur një dekadë më parë me miratimin e një rezolute të ngjashme. Ky ishte hapi kyç që e futi çështjen çame në axhendën diplomatike të Shqipërisë.

Këtë 10 dhjetor, ne jemi krenar që çështja çame ka marrë rrugën e pandalshme të zgjidhjes, duke u pranuar nga aleatët tanë ndërkombëtar, duke qenë pjesë e dosjes zyrtare të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe duke pasur përkrahjen e pandërprerë të të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në këto vite kanë dhënë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në drejtimin e kombëtarizimit dhe ndërkombëtarizimit të çështjes çame.

Ne jemi të sigurt, se vitin e ardhshëm do të jemi akoma më afër idealit tonë dhe prandaj i bëjmë thirrje shtetit shqiptar, që në zbatim të kësaj rezolute të gjejë format ligjore dhe diplomatike të zgjidhjes finale të çështjes çame. Njëkohësisht, PDIU, Shoqata Çamëria dhe KPR vlerëson se ka ardhur momenti që njëherë e përgjithmonë të zgjidhen të drejtat pronësore në vendin tonë, të dëmshpërblehen të persekutuarit e regjimit komunist, të plotësohen e të drejtave të minoriteteve shqiptare në vendet fqinje, etj.

Tirane, 10 Dhjetor 2013

Filed Under: Featured Tagged With: patriotet e rinj, PDIU, thirrje shtetit, zgjidhni ceshtjen came

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT