• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2013

Si luftuan shqiptarët e Amerikës për të penguar dënimin e çamëve ne Turqi

December 8, 2013 by dgreca

Vatra në luftë me inxhinierinë demografike të Greqisë/

Nga Rafael Floqi/

Politika e sotme greke nuk del dot mbi mitin e ngritur se dëbimi i popullsisë çame ka ndodhur si rezultat i bashkëpunimit të çamëve me pushtuesit italiano-gjerman, por me një tendencë dhe një qëndrim të vjetër të politikës greke që pas 1912, që synonte eliminim e popullsisë shqiptare të Çamërisë, një politikë e ngulitur greke në periudhën në mes dy luftërave.

Nga ana tjetër, historiografia e mirëfilltë greke, nuk fut kokën në rërë dhe mbrohet me një argument “nonsens”, si ai i ministrit të jashtëm Venizellos , se Greqia “Problemin çam” nuk e njeh, por e bazuar ne fakte, e ka hedhur poshtë, qoftë si hipotezë idenë e vërtetë “anti-konvencionale “për historiografinë greke “, siç bën Lambros Baltsiotis në “Gazetën Evropiane të Studimeve Turke”, kur shkruan më 2011 se, “Dëbimi i çamëve myslimanë nga Epiri Perëndimor gjatë pjesës së të fundit të vitit 1944 dhe fillimit të vitit 1945 nga forcat guerile e EDES , që i rezistonin pushtimin italo –gjerman, ka ndodhur, në kundërshtim me opinionin konvencional grek se ajo jo vetëm ishte si një rezultat i bashkëpunimit të çamëve me forcat e pushtimit, por shihet më tepër si rrjedhojë e politikës shtetërore greke, një politikë e cila ishte ngulitur në ideologjinë mbizotëruese nacionaliste të periudhës midis dy luftërave”.

Ai argumenton se “pas shkëmbimeve të para greko-turke dhe greko- bullgare të popullsive më 1912, dëbimi i çamëve myslimanë ishte pjesë e politikës së shtetit grek për të ushtruar të drejtën e tij të pretenduar për të larguar “jo ” grekët nga territori i tij .” Ai shton  se “Brenda parametrave të këtij kuadri ideologjik, legjislativ dhe praktikisht si brenda dhe jashtë vendit, dukshmëria (prania) e çamëve myslimanë duhej të pakësohej . Objektivi ishte minimizimi i pranisë fizike e tyre nëpërmjet reduktimit të numrit të tyre dhe të zvogëlimin e dallimeve të tyre si një grup i veçantë fetar dhe gjuhësor”.

Në këtë kohë sipas studiuesit Hajredin Isufi si pasojë “ evidente të situatës së re politike, ekonomike, sociale dhe administrative që u krijua në Çamëri pas aneksimit të saj nga qeveria greke (1912-1913), ishte fenomeni i emigracionit. Ndër drejtimet kryesore të këtij emigracioni ishin edhe SHBA. Çamët e emigruar në Amerikë gjetën një terren të përshtatshëm dhe një pritje të ngrohtë që i mundësoi të organizoheshin në mbrojtje të fateve të Çamërisë. Në radhët e çamëve të emigruar ishin dhe shumë figura të shquara si Haxhi Murati, Mesut Çami, Beqo Izeti, Lejla Dino etj., që ishin dalluar në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare për veprimtari të dendur patriotike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi i parë për përfaqësuesit e shqiptarëve te Çamërisë për të shpalosur një veprimtari të dendur patriotike e politike, për të sensibilizuar diplomacinë e Fuqive të Mëdha dhe veçanërisht atë amerikane, për dramën e rëndë që përjetonte Çamëria nën pushtimin grek. Në vitin 1918 në SHBA ishte formuar Partia Politike ose siç u quajt ndryshe, Partia Kombëtare Shqiptare dhe Shoqata Çamëria, me një shtrirje të gjerë në shumë qendra të rëndësishme në SHBA si dhe Shoqëria “Vatra”. Si në Partinë Politike ashtu dhe në Shoqërinë Çamëria, aderonin figura të shquara nga të gjitha trevat shqiptare dhe zhvillonin një veprimtari të dendur patriotike, duke i shpalosur platformën politike në organe të rëndësishme, në gazetën “Dielli”, “Albania” dhe më pas në “Immigrandi” qe dilnin në SHBA”.

Por me gjithë divergjencat me Partinë Kombëtare, në faqet e “Diellit gjithnjë ka qenë e pranishme çështja e Çamërisë, sidomos në vitet e dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre ne vitet 1923-25. Aty pavarësisht largësisë është pasqyruar, me shqetësim situata dhe vuajtjet e popullsisë, qëndrimi i qeverisë shqiptare ai i qeverisë greke.  Por mbi të gjitha aktivizimi i drejtpërdrejtë i Vatrës dhe drejtuesve të saj si në Lidhjen e Kombeve ashtu me miqtë e Shqipërisë në Londër, si kol. Audrey Herbert madje deri edhe tek qeveria Italiane e Musolinit.

Por si ishte situata në terren duket në një letër të botuar nga shoqata Çamëria me qendër në Werchester në qershor të vitit 1923 në artikullin “ Çamëria shkon jetën më të keqe” ku shkruhej:

“Letrat qe kemi marrë që pas luftës se Anadollit dhe gjer pak jave të shkuara nga Konispoli, veçanërisht një letër që muarmë nga një bashkëkrahinas, i cili në letrën e tij prej tetë faqesh, na pikturon gjendjen në Chamëri si shumë të keqe, si dhe letrat e para, po, e fundit jep tërë hollësitë e ngjarjeve, mbi kurris të nënave, motravet edhe vëllazërvet t’anë në Cha­mëri. Në Chameri refugjatët e Anadollit kapërcejnë numurin e të zotërve të shtëpive, ku guverna revollucionare e Greqisë i ka shpënë të rrojnë me ta, pa marrë ndër sy se shtëpia s’i arrin të zotit të rrojë me fëmijët. Ç’ ngjet? I zoti shtrëngohet t’ iki. Shtëpia dhe malli i zaptohet. Në këtë mes duhet të kuptohet se tëra sa veprohen—vjedhjet, grabitjet, rrahjet, vrasjet, burgu për të pandehurin e pafajshëm dhe çnderimet—, vepërohen në syt’ e autoriteteve qeveritare.(Lexoje të plotë në Diellin e printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: e Amerikes, kunder denimit, Rafael Floqi, si luftuan shqiptaret, te cameve ne Turqi

REABILITOHET ENVER HOXHA

December 8, 2013 by dgreca

Menduam se u rrëzua më 1990…..….Por u ringjallë më 2013/

Nga Frank Shkreli/

Thonë se është pjesë e historisë, andaj si i tillë duhet të respektohet, madje edhe në ceremoni zyrtare, siç ndodhi me vendosjen e portretit të diktatorit komunist shqiptar, siç duket në fotografi, pas kryeministrit, në ceremoninë zyrtare të përkujtimit të 29 Nëntorit.  Në vend që Enver Hoxha dhe regjimi i tij gjakatar të akuzohen për krime politike dhe abuzime ndaj popullit të vet, portreti i Enver Hoxhës, i cili që konsiderohet si njëri prej diktatorëve më të mëdhej të Europës dhe të  botës shpaloset, për herë të parë pas rënjes së komunizmit në Shqipëri, gjatë një ceremonie të sanksionuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare.

Nuk duhej të ndodhte një gjë e tillë!  Pse ndodhi këjo, kush e vendosi dhe kush e miratoi praninë e portretit të diktatorit?  Asnjë njëri nuk ka dhënë ndonjë përgjigje zyrtare, as qeveria as ndonjë zëdhënës i saj.  Por analistë kanë mbrojtur këtë masë, duke komentuar aty këtu se pse mos të vendoset portreti i Enver Hoxhës, pasi ai është pjesë e historisë shqiptare dhe si i tillë porteti i tij e ka vendin dhe meriton të vendoset në një ceremoni shtetërore siç ishte ajo e 29 Nëntorit.

Fatkeqsisht, është e vërtetë se Enver Hoxha është pjesë e historisë shqiptare, por ky fakt nuk justifikon glorifikimin e tij duke ngritur portretin e tij gjatë një ceremonie që synonte nderimin dhe kujtimin e sakrificave  të dëshmorëve të kombit.  Unë nuk sugjeroj që Enver Hoxha të fshihet nga historia. Përkundrazi, ai është pjesë e historisë, andaj si pjesë e historisë që ai është, Enver Hoxha nuk duhet të harrohet kurrë por të kujtohet si njëri prej diktatorëve më të njohur të botës për tmerret dhe krimet e regjimit të tij kundër një popullësie të pafajshme.  Historia  shqiptare nuk e zgjodhi atë.  Ai iu imponua historisë shqiptare nga agjentët sllavo-komunistë. Këtë gjë nuk e meritonte kombi shqiptar, dhe as historia shqiptare nuk e meritonte Enver Hoxhën.  Për më tepër, as Shqipëria e sotëme nuk e meriton portretin e tij.  Enver Hoxha duhet të mbahet mend si dishepulli më i devotshëm i Stalinit, diktatorit, i cili vrau e preu, burgosi dhe dërgoi miliona njerëz të pafajshëm në kampet e përqëndrimit duke krijuar një gjenocid të vërtetë në ish Bashkimin Sovjetik dhe në Europën Lindore, njësoj si Hitleri, mos më shumë.  Enver Hoxha vrau e internoi  me mijëra familje shqiptare,   që nuk ishin dakort me sistemin e komunist që ai i imponoi vendit dhe kombit, por ai njëkohësisht spastroi me dhunë edhe radhët e Partisë Komuniste, disa nga më të afërmit e tij ideologjikisht, përfshirë edhe zhdukjen e ajkës intelektuale të vendit, të kohës së tij.  Është e vërtetë se ai nuk vrau e preu sa Hitleri dhe Stalini, jo se nuk ishte i aftë moralisht të bënte një gjë të tillë, por sepse nuk kishte as miliona shqiptarë për të vrarë dhe as hapësirën gjeografike për të bërë krime të tilla, jo se nuk kishte vullnetin dhe dëshirën për të zhdukur ata që ai i konsideronte armiqë të tij dhe të sistemit komunist që ai përfaqsonte, qofshin qenë ata edhe me miliona në numër.

Krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij komunist duhet të jenë patjetër pjesë e historisë, ashtu siç janë krimet e nazismit, komunizmit dhe krimet e të gjithë diktatorëve anë e mbanë botës, me qëllim që ato regjime dhe krimet e tyre kundër njerëzimit, të mbahen mend për personifikimin e vërtetë të natyrës së të keqes dhe që krimet e tyre të mos harrohen kurrë nga brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm. Enver Hoxha dhe regjimi i tij duhet të kujtohen në histori për aleancat e tija ideologjike me armiqët, historikisht, më të mëdhej të kombit shqiptar, të cilët nuk ia donin të mirën shqiptarëve as atëherë as sot, duke filluar nga lidhjet e ngushta të  Enver Hoxhës dhe të komunistëve shqiptarë me sllavo-komunistët e Titos, të cilët në të vërtetë e krijuan Partinë Komuniste Shqiptare, këtë pjellë të huaj sllavo-aziatike.  Pastaj, historia duhet t’i njohë Enver Hoxhës ”meritën” e madhe fatzezë për kombin shqiptar, edhe për lidhjet e tija të ngushta me diktatorët më të egër që ka njohur shekulli i kaluar: lidhjet e tija me Stalinin dhe eventualisht aleancën me Mao tse Tungun e Kinës së kuqe që, si rrjedhim, çoi një spastrim të kulturës dhe traditave shekullore shqiptare, përfshirë edhe zhdukjen e të drejtës për të ushtruar lirshëm besimin, ndërkohë që  mori vendimin absurd duke shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë.   Më në fund, ai u prish me të gjithë këta ndonëse të gjithë ata i kishin parë gënjeshtrat e sistemit të tyre, dhe të cilët sipas  Enverit kishin devijuar nga rruga e drejtë e marksizëm leninizmit dhe e deklaron veten si i vetmi marksist leninist i vërtetë në botë.

Aty nga fillimi i 70-ave, Enverit nuk i kishte mbetur mik në tokë, iu shuanë flakët e revolucionit  ndërkombëtar, u ndërprenë aleancat ideologjike dhe mbeti i vetëm duke ushtruar, në emër të “komunizmit të vërtetë” shtypje e mizori mbi popullin shqiptar pa kurrfarë ndëshkimi nga askush.  Me fjalimet e tija ai sugjeronte se ishte një zë i diskredituar — brenda dhe jashtë vendit — që i fliste vetvetes në errësirën shpirtërore dhe morale që kishte kapluar jo vetëm atë personalisht dhe regjimin e tij, por fatkeqsisht edhe të gjithë Shqipërinë.  Si burrë shteti që ishte, ai fliste haptasi për përdorimin e dhunës për të likuiduar armiqtë e modelit të tij komunist, sidomos brenda vendit, gjë që e realizoi me shumë sukses dhe i shpalli luftë të gjithë botës.  Realiteti ishte Enveri kudo, kurdoherë dhe për gjithmonë.

Enver Hoxha duhet të jetë pjesë e historisë shqiptare, jo për tu venë në piedestal, por për tu studjuar nga hostorianët e pa-anshëm me qëllim për të zbuluar të vërtetën e mizorive të  regjimit të tij.  Sa familje shqiptare të ashtuquajtura “të prekura” njohim secili prej nesh, që në një mënyrë ose në një tjetër, vuajnë edhe sot e kësaj dite, brez pas brezi, pasojat e atij sistemi, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.  Enver Hoxha dhe regjimi tij duhet të njihen dhe të studjohen nga historia me qëllim që krimet e tij kundër njerëzimit të zbulohen dhe të dokumentohen me shpresë që të mos përsëritën më.  Shpalosja e portretit të Enver Hoxhës në atë tubim zyrtar në Tiranë ishte një shuplakë ndaj viktimave të komunizmit dhe familjeve të tyre në Shqipëri dhe kudo të përhapur nepër botë. Ishte një glorifikim dhe justifikim i paturpshëm i krimeve të regjimit të Hoxhës.

Në vend që Tirana zyrtare të riabilitojë figurën e Enver Hoxhës, të hapë dosjet që shqiptarët dhe bota të shohin krimet e regjimit të tij!  Për ndryshe, siç ka thënë edhe fituesi i Çmimit Nobel, Elie Wiezel, “Cila është alternativa? Për të mos thënë të vërtetën? Të lejohet që e vërteta të zhduket? Të lejohet  që e vërteta të zhduket së bashku me viktimat?”   Siç duket, ky ishte qëllimi i atyre që shpalosën portretin e Enver Hoxhës më 29 Nëntor.  Shpalosja e portretit të Enver Hoxhës më 29 Nëntor ishte në të vërtetë një kurorëzim i  mos veprimit të politikës shqiptare të këtyre 20-viteve të kaluara, e cila  ka refuzuar të hap dosjet, ka heshtur ose aktivisht ka mohuar dhe përgnjeshtruar të vërtetën mbi krimet e regjimit të Enver Hoxhës si dhe të vërtetën mbi vrasjet dhe zhdukjen e mijërave viktimave të këtij regjimi, fati as varrezat e të cilëve nuk dihen as sot.

 

Megjithëse fjala gjenocid qe përdorur fillimisht për krimet që kanë ndodhur në kampet naziste të përqëndrimit për të përshkruar masakrat naziste dhe Gulagun komunist sovjetik, përcaktimi i kësaj fjale i referohet edhe akteve që regjime të ndryshme komuniste, përfshirë regjimin enverist, kanë ndërmarrë gjatë qeverisjes së tyre, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ”Me qëllim për të zhdukur pjesërisht ose në terësi, një grup nacional, etnik, racial ose fetar”, e që sipas OKB-së përfshinë edhe dëmet mendore dhe kufizimet e  ndryshme ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor.  Quaje si të duash, luftë klasash ose gjenocid, këjo ësht historia e komunizmit jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë.  Andaj, Enver Hoxha si përfaqsuesi kryesor i këtij regjimi, do e s’do, është pjesë e kësaj historie të tmerrshme të kombit shqiptar, por këjo nuk justifikon që portreti i diktatorit Hoxha të shpaloset gjatë një ceremonie zyrtare, të sponsorizuar nga qeveria e sotëme shqiptare, për herë të parë të këtyre 20 e sa vjet pas rënjes së komunizmit.  Duke gjykuar nga heshtja zyrtare e Tiranës, duket se vendimi për ngritjen e portretit të Enverit  është marrë me aprovimin e plotë të udhëheqjes më të lartë të qeverisë shqiptare.

Ke donte të kënaqte qeveria duke lejuar një spektakël të tillë më 29 Nëntor? Është për tu habitur për arrogancën e heshtjes që pasoi këtë vendim, megjith kërkesat nga organizata të përndjekurish dhe nga media për një shpjegim zyrtar të shpalosje ssë portretit të diktatorit.  Askush nuk ndjenë asnjë përgjegjësi për të shpjeguar arsyet e marrjes së vendimit për vendosjen e portretit të dikatorit në një ceremoni të tillë dhe në një vend publik,  për herë të parë në dy dekadat e fundit të Shqipërisë post-komuniste.  Me këtë heshtje, pa-përgjegjësia institucionale ka arritur kulmin!

Ndryshe nga Kuvendi i Shqipërisë, Parlamenti europian ka miratuar një numër rezolutash dhe deklaratash për të kujtuar dhe nderuar viktimat e komunizmit dhe ka caktuar 23 Gushtin si ditën për të kujtuar me, “dinjitet dhe pa-anëshmëri”, të gjitha viktimat e regjimeve totalitare dhe autoritare. Për ata që mund të kenë harruar natyrën e vërtetë të komunizmit,  Komisionerja për Drejtësi e Bashkimit Europian, Viviane Reding ka thënë se, “Regjimet totalitare përfaqësojnë mohimin e dinjitetit njerëzor si dhe shkeljen e të gjitha të drejtave themelore të shoqërive tona, të ndërtuara në bazë të demokracisë dhe të respektit për rendin dhe ligjin. Ne jemi të detyruar që viktimave të këtyre krimeve, si dhe familjeve të tyre t’u ofrojmë simpatinë, mirëkuptimin dhe të jemi të vetdijshëm dhe të ndërgjegjëshëm ndaj vuajtjeve të tyre.  Çdo viktimë e cilit do regjim totalitar ka të njëjtin dinjitet njerëzor dhe si e tillë meriton prej nesh drejtësi, kujtesë dhe njohje të vuajtjeve të tyre”.Të nderuar pushtetarë të qeverisë dhe të Kuvendit shqiptar: Ju e shpalosët zyrtarisht portretin e Enver Hoxhës, po kur do të kujtoni dhe të “nderoni me pa-anëshmëri” edhe viktimat e pafajshme të regjimit të tij?

Menduam se u rrëzua më 1990…..….Por u ringjallë më 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: Enver Hoxha, Frank shkreli, rehabilitohet

Azem Hajdari 10 ditë para vrasjes

December 8, 2013 by dgreca

-Zoti Azem, çfarë posti keni në Parlamentin e Shqipërisë?*

Në Parlamentin e Shqipërisë kam postin e kryetarit të Mbrojtjes, ndërsa në Partinë Demokratike jam anëtar i Kryesisë së PD dhe kryetar i Komisionit të Sigurisë Publike në Parti.

-Më intereson në rast të një konflikti si do të reagojë opozita dhe pozita shqiptare?

E para, për t’iu përgjigjur kësaj pyetje duhet të analizohen disa elementë konkretë, të cilët të çojnë me konkluzionin e saktë se a shërben kjo periudhë e daljes se krizës në sipërfaqe si periudha për t’u ndërgjegjësuar shqiptarët në trojet e tyre në Kosovë, në trojet e tyre në Shqipëri dhe Maqedoni dhe shqiptarët kudo në mërgim, se Milosheviçi përbën të keqen më të madhe të shqiptarëve dhe se regjimi serb do të përdorë të gjitha mundësitë, të gjitha mjetet politike dhe ushtarake, të gjitha filitë, të gjitha miqësitë për ta shkatërruar Kosovën, e cila ka qenë historikisht vatra e shqiptarizmit, vatra e patriotizmit dhe gjysma e kombit shqiptar.

Dhe unë mendoj që konkluzioni që është në kokën time dhe tërë shqiptarëve është i tillë. Të gjithë shqiptarët duhet të reagojnë si komb për të mbrojtur trashëgiminë e tyre, për të mbrojtur genin e tyre, për të mbrojtur vatrat e tyre, për të mbrojtur gjuhën e tyre dhe për të mbrojtur të ardhmen e tyre. Dhe jam plotësisht i bindur se, nëse Milosheviçi nuk do ta pranojë dialogun, nëse Milosheviçi do të zgjedhë betejën, do të zgjedhë luftën për të përsëritur luftën, ngjarjet e dhimbshme të Bosnjës, shqiptarët duhet të dalin nga pozitat neutrale dhe këtu e kam fjalën për shtetin amë. Shteti amë duhet të dalë nga dilema në alternativë. Kush është alternativë? Alternativa është se çdo germë dhe e shqiptarëve në Kosovë është e barasvlefshme me gjithë peshën specifike që kanë trojet e shqiptarëve në tërë hapësirën e tyre ku jetojnë shqiptarë. Se çdo qytetar në Kosovë, nga pikëpamja e qëndresës duhet të jetë i barabartë me qëndresën që do të adoptojë kombi shqiptar për vetëmbrojtje ndaj dhunës dhe reagimeve të Milosheviçit.

-Ti the shteti shqiptar duhet pikërisht këtu. Fatos Nanos është krejt si Milosheviçi, deklaratat e tij konfuze rreth Kosovës janë se ai vetë nuk i kupton të bindin se, shteti shqiptar do të reagojë ashtu siç duhet të reagonte?

Duke analizuar momente historike që nga ’12, ‘16, ‘18, ’19, ‘23, ‘44, ‘48 dhe ‘98 gjithmonë vemë re se shqiptarët në momente historike për ngjarje që kanë përbërë rëndësi të veçantë për kombin kanë pasur në krye qeveri filish ose qeveri, të cilat nuk kanë ditur të kalkulojnë mbi interesa kombëtare. Pra, nuk është rasti i parë që kombi ka ditur të reagojë pavarësisht se, qeveritë nuk kanë ditur të bëjnë retrospektivën e interesave kombëtare. Kreta ishte një takim i mbyllur pa praninë e komunitetit europian dhe pa praninë e SHBA, pra, ishte një formulë e re transballkanike e sponsorizuar nga qarqet nacionaliste serbe dhe greke, për të inciuar lëvizje të tilla rajonale në favor te nacionalizmave primitive ballkanike. Dhe qeveria shqiptare ra në këtë grackë dhe nuk ndoqi politikën, e cila ishte e trashëguar pas hapjes së Shqipërisë, çështjes kombëtare shqiptare. Por në ecurine e ngjarjeve ne vëmë re se, qeveria shqiptare po ndërron dhe opsionet dhe partnerët.

Partnerët jetikë të Shqipërisë pas hapjes së Shqipërisë dhe pas Luftës së Ftohtë janë Komuniteti Europian, BE dhe SHBA. Pra, Kosova hyn në interesa vitale të SHBA dhe shqiptarëve dhe të Komunitetit Europian dhe të politikave të zgjerimit euroatlantik dhe europian dhe nuk mund të hyjë kurrë në çështje të brendshme të Serbisë ose të çështjeve të boshtit Athinë-Beograd. Pra, dështimi i qeverisë shqiptare ose ngritja e presionit nga poshtë lart, afrimi i qeverisë shqiptarë siç vihet re në këto ditë tek opsionet ndërkombëtare dhe kryesisht tek SHBA për çështjen kombëtare, tregon qartë se qëndrimi një komb një qëndrim dhe krijimi i një klani preventiv për të qendruar ndaj çështjes kombëtare e detyron qeverinë shqiptare të mbajë opsione pozitive, ose nëse jo, kjo qeveri bie dhe kombi vazhdon tendencën e tij pozitive për pavarësinë e Kosovës dhe për ecurinë e mëtejshme të qendrimeve dhe mendimeve strategjike që ka kombi shqiptar.

-Ta merr mendja se gjeneralët dhe ushtarët shqiptarë do të rrinë duarkryq, nëse masakrohet populli shqiptar i Kosovës, a do të ndërhyjë ushtria shqiptare për të shpëtuar vëllezërit në Kosovë?

Ajo çfarë po ndodh në Kosovë duhet të jetë e qartë se po ndodh edhe në Shqipëri. E dyta, ajo po ndodh në zemrën e popullit shqiptar, aty ku kanë pasur zanafillën të gjitha lëvizjet kombëtare dhe patriotike që kanë çuar në rrëzimin e shumë krajlëve e shumë kryeministrave dhe perandorisë. Pra, Drenica është e identifikuar në historinë kombëtare shqiptare nga të gjithë historianët, albanologët, politikanët, sociologët, si zemra e kombit.

Pra, kjo ka qenë arsyeja që drama e përjetuar në Drenicë, tragjedia e përjetuar në Drenicë, është përjetuar si gjëmë mbarëkombëtare dhe ishte apeli i Drenicës, qëndresa e Drenicës, patriotizmi i Drenicës, ajo që i bëri shqiptarët t’i bëjnë thirrje vetes dhe të bëjnë analizat historike për të arritur në konkluzionin, një komb një qëndrim. Nëse tani Milosheviçi nuk pranon opsionet e bisedimeve politike mes palës shqiptare të zgjedhur legjitimisht, palët shqiptare kanë parasysh këtu opsionet politike në Shqipëri, në Kosovë, faktorët politikë në Kosovë, faktorët e studentëve në Kosovë dhe faktorë të tjerë anësorë, por që janë përcaktues, nuk pranon Milosheviçi ose mundohet të vërë dorë në sindromin psikologjik të përçarjes së shqiptarëve dhe zgjidh betejën. Unë padyshim jam plotësisht i bindur, se shqiptarët do të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat dhe hapësirën e shtetit amë për t’u mbrojtur në Kosovë, për ta konsideruar vetëmbrojtjen e tyre si akt sublim për vetëmbrojtjen kombëtare.

-Tani një pyetje që del jashtë kësaj teme, është shkarkuar kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Unë shoh p.sh., që është padyshim ngjarja më e madhe brenda shtetit shqiptar, por që kjo nuk është pasqyruar në TV shtetëror, dmth nuk është organizuar debat, po të shkarkohej kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Suedi ose në Francë do të bëhej skandal. Si e komenton ti këtë shkarkim dhe për masmediat në Shqipëri dhe TV shtetëror, cili është mendimi juaj?

Unë mendoj, që të ardhurit në pushtet revolucionarët nuk kanë mundësi kurrë të kthehen në institucionalë. Ka një dallim shumë të madh mes frymave revolucionare dhe frymës institucionale. Ata erdhën dhe gjetën institucione, pavarësisht se shkatërruan shumë institucione në kohën e rebelimit. Me ardhjen e tyre në pushtet, ata ngatërrojnë drejtësinë që ka forca në vetvete me forcën që ka drejtësia me vetveten. Dhe duke u nisur nga logjika e drejtësisë së forcës, ata shkatërrojnë institucionet kombëtare, institucione të ndërtuara pas riardhjes së demokracisë në pushtet dhe pas vendosjes së sistemit të pluralizmit dhe pluripartitizmit pas 50 vitesh në Shqipëri. Shkarkimi i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri për mendimin tim është bërë për dy arsye: E para, që qeveria shqiptare t’i japë një mesazh Milosheviçit, se kosovarët në Shqipëri pavarësisht që nuk janë nën dhunën tënde, janë nën dhunën e pasuesve të politikave të Milosheviçit në Shqipëri. Dhe e dyta, se institucionet në Shqipëri mund të shkatërrohen si rezultat i aplikimit të politikave revolucionare, të politikave, të cilat kanë për qëllim ndjelljen e panikut në popullsinë shqiptare dhe të adoptimit të psikologjisë së frikës. Pra, Partia Komuniste gjithmonë ka pasur parasysh hiqi kulaçin këtij populli dhe shtoi kërbaçin. Dhe kjo është teoria që merr partia që është në pushtet. Pse? Pse Rustem Gjata?

E para, dyshohet për dy kategori, nuk mund të ketë agjentë të dyshuar dhe agjentë vullnetarë, të paktën në të gjithë literaturën e inteligjencës që unë njoh dhe ka mbaruar disa shkolla dhe jam konsultuar me një literaturë, tepër të madhe për këtë problem për faktin se, kam drejtuar Komisionin parlamentar të Mbrojtjes, Rendit dhe SHIK-ut prej 6 vitesh dhe besoj se, hyn tek personat e kualifikuar nga pikëpamja teknike dhe juridike për të njohur zbulimin inteligjent në Shqipëri ose të ashtuquajturën Policinë Sekrete në bazë të konceptit lindor, dhe e dyta, aplikimi i një të drejte ose ushtrimi i një të drejte nga Parlamenti që nuk i takon në kompetencat e tij kushtetuese përbën një precedent negativ, i cili është realizuar në Shqipëri edhe në vitin 1948.

Pra, ky Parlament, kjo mazhoracë, duke mos njohur teorinë e ndarjes së pushteteve dhe teorinë e ekuilibrave të pushteteve, i jep vetes atributet si legjislativ pa i futur këto në ligj për të goditur institucionet dhe persona. Në rastin konkret, Partia Demokratike do ta mbrojë institucionin dhe do t’i kërkojë personit Rustem Gjata, një nga njerëzit më me personalitet të fushën e jurisprudencës në Shqipëri, që të shfrytëzojë të gjitha procedurat e njohura për të aplikuar mbrojtjen e tij si në Gjykatën e Apelit, ashtu edhe në Gjykatën e Kasacionit, ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese. Por, gjithsesi në memorien kombëtare veprimi i Parlamentit dhe në memorien e OSBE është regjistruar si një akt antikushtetues, i cili godet institucionet dhe personat nën frymën e drejtësisë së forcës, nën frymën marksiste-leniniste të qeverisjes së vendit.

– Dua të të bëj një pyetje shumë personale, jashtë funksioneve të tua. Tani po të drejtohem si Azem Hajdari, si njeri. A të ka zhgënjyer morali i dyfishtë i shumë miqve, i shumë shokëve, i shumë njerëzve që nën flamurin e demokracisë në Shqipëri kanë qenë tradhtarët dhe persekutorët më të mëdhenj të demokracisë?

Kur hyn në politikë duhet të kesh parasysh disa rregulla dhe ç’është e vërteta nuk është se shumë persona nuk kanë shfrytëzuar pozitat e mia ose qenien time për t’u bërë të njohur. Por, në momentin që njohja ka kaluar në kahun tim këta persona, për ta thënë të drejtën, kanë kaluar përsëri në anonimat. Po t’i përmbahemi formulës së Sokratit se sa më shumë zgjerohen rrathët e njohjes, aq më shumë zgjerohen të panjohurat, kjo do të thotë se kjo nuk është, nuk mund të na ndodhë edhe në të ardhmen, por ajo çfarë ka qenë për mua kryesore është ruajtja e vendosur për dy ose tre probleme. Besimi që unë e kam të kultivuar që fëmijë, besimi te Zoti, e para.

Respektimi i familjes dhe ndërtimi i saj si një familje solide dhe e treta, dashuria e madhe për Shqipërinë dhe për kombin tim. Dhe duke u mbështetur kryesisht te këto tre shtylla kryesore, kam arritur që në politikën shqiptare, ndonëse shpeshherë kam përballuar shira, dhe pse jo edhe shtërngata, të jem njeriu, i cili të ridalë nga akuzat, grackat ose kalandrat, të cilat janë pjesë e determinizmit të vjetër politik. Mund të ketë ndikuar edhe mosrritja në oborre, mosrritja në oborre të pushtetit, por kjo ka ndikuar përkohësisht. Pas shtatë vjetëve në politikë, unë mendoj që ekziston eksperienca, por megjithatë unë dua të kthehem edhe një herë për ta përdorur këtë eksperiencë ose për të përdorur vizionin tim politik, ose vizionin e programit tim politik në favor të politikave kombëtare. Në Shqipëri është ndërruar pushteti dhe jo shteti dhe fakti që këtu është ndërruar pushteti dhe sistemi nuk mund të aplikojmë njerëz, metoda, plane, qëllime, të cilat bien ndesh me frymën demokratike. Dhe e dyta, në Kosovë nuk luftohet për pushtet, në Kosovë luftohet për element shtetformues, për krijimin e mundësive vetëqeverisje, duke shkëputur shqiptarët e Kosovës nga pushtimi serb, nga pushtimi i padrejtë serb, po t’i referohemi të gjitha dokumentacioneve diplomatike, politike dhe historike, që sot historiografia shqiptare ka në dispozicion. Dhe duke pasur parasysh dhe këto dy kolona politike, unë mendoj që fantazia jonë është brenda konceptit tonë shtetformues.

Pra, Shqipëria duhet patjetër të forcohet në favor të pozitave në Kosovë dhe të fitores së pavarësisë së popullit të Kosovës, por edhe nëse Shqipëria do të ishte e fortë duhet të vetësakrifikohet në favor të fitores së pavarësisë në Kosovë. Pra, nuk është e thënë që një Shqipëri e fortë, patjetër do të sjellë step by step zhvillimin e çështjes kombëtare, është e thënë se një Shqipëri nëse forcohet në funksion të zhvillimeve dhe zgjidhjes së çështjes kombëtare në çdo moment duhet të dijë të bëjë miq, por edhe në çdo moment duhet të identifikojë kundërshtarët dhe miqtë e kundërshtarëve që të aplikojë politikat e veta gravitacionale, si nga pikëpamja demografike, ashtu edhe nga pikëpamja gjeopolitike në favor të politikave kombëtare dhe në favor të zgjidhjes së çështjes kombëtare.

Pra, politikanët duhet t’i bëjnë thirrje vetes, nëse mendojnë se duhet të bëjnë politika, këto politika duhet t’i bëjnë dhe t’i aplikojnë në favor të çështjes kombëtare shqiptare. Dalja nga këto shina për mendimin tim të bën ose të kthen në një njeri, i cili shumë shpejt do të jetë një ish dhe në raport ose në funksion me çështjen kombëtare do të jetë një ish-i padëshiruar. Edhe nga pikëpamja e analizës që mund t’i bëjmë vetvetes ose monologjeve që mund të ushtrosh brenda vetvetes, por edhe nga pikëpamja e analizës që mund të bëjë historia ose forcat politike që do të qeverisin Shqipërinë në kushtet e fitores së opsioneve kombëtare.

*Kjo interviste eshte dhene 10 dite para vrasjes se heroit te Demokracise, Azem Hajdari

Filed Under: Featured Tagged With: 10 dite para vrasjes, Azem hajdari

PD feston 8 dhjetorin- BASHA: KJO ESHTE DITA JOTE RINI!

December 8, 2013 by dgreca

Dite te rendesishme per gjithe vendin e ka quajtur kreu i PD-se, Lulzim Basha 8 dhjetorin, duke folur ne aktivitetin ne nder te kesaj dite titulluar “Festojme lirine”.

“Perballja e pare e studenteve kryengrites me regjimin ndodhi shpejt, dhuna policore shpertheu egersisht mbi ta, moren plage por nuk u thyen, se ishin ndryshimi i madh, tjeter gje u thye perballe guximit dhe trimerise, hegjemonia gjysmeshekullore e diktatures”- tha Basha.
Sipas tij ne krahun e studenteve liberatore dhe bashke me intelektualet qe iu bashkuan po lindtte epoka e re.
“Ajo nate e bardhe nxori ne krye Azem Hajdarin, prijesin e levizjes studentore, te tjere trima e trimeresha qe koha i ka shenuar me emer e mbiemer si luftetare te permbysjes se madhe”- tha Basha.
Ai ka kujtuar se sot e gjithe diten deshira e bashkimit te shqiptareve rrethe vlerave te lirise eshte nje enderr rinore akoma per t’u permbushur.
Partia Demokratike feston sot 23-vjetorin e themelimit të saj dhe 23 vjetorin e vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.
Ne një aktivitet në Pallatin “Asllan Rusi” në Tiranë nën moton “Festojmë lirinë” jane mbledhur te rinj te shumte qe nen tingujt e muzikes perkujtojne nje dite te rendesishme.
Ne te eshte i pranishem edhe kreu i PD-se, Lulzim Basha, shoqeruar edhe nga bashkeshortja e tij dhe ish kryetari Sali Berisha, pritur me brohoritje nga te pranishmit.
I ftuar ne kete aktivitet, djali i Azem Hajdarit, Kiri Hajdari ka deklaruar mes emocionesh se ndihet krenar cdo date 8 dhjetor.

 

Fjala e plotë e kreut të PD Lulzim Basha:

 

Të dashur të rinj, të reja të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë!

Të dashur dhjetoriste e dhjetoristë, të dashur bashkëqytetarë shqiptarë kudo ku jeni!

Sot është dita juaj, në kalendarin e festave zyrtare të Shqipërsë. Sot është dita jote, rini! Është dita e rinisë për të gjithë shqiptarët!

Është dita e rinisë, dita e lirisë. Çfarë binomi i mrekullueshëm, i pandashëm!

E ka Shqipëria jonë, e ka dhe do ta ketë gjithmonë demokracia jonë e re sepse liria erdhi në Shqipëri me besimin dhe shenjën e rinisë dhe me besimin se shenjën tuaj do e çojmë përpara.

Të dashur miq!

Në këtë ditë, mendimet, përfytyrimet tona, kureshtja, nderimi dhe adhurimi ynë  rikthehen te ajo natë e vonë e të shtunës së 8 dhjetorit 1990, në qytetin “Studenti”, ku u ndez shkëndija e parë e lëvizjes demokratike që ndryshoi përgjithmonë historinë e Shqipërisë.

Në dritën  e dëshmive të asaj nate që depërtuan terrin, arritën të çajnë rrethimin e shumëfishtë të censurës dhe terrorit policor të  kohës, kujtojmë sot daljen e vrullshme të studentëve  nga godinat, duke thirrur njëri tjetrin, grumbullimin e tyre në errësirë, ngjizjen në atë bashkim të ndjenjës kryengritëse, shpërthimin për herë të parë në gjuhën shqipe nga goja e atyre të rinjve e të rejave, të fjalëve liri-demokraci, nisjen pa komandë të atyre djemve dhe vajzave drejt qytetit, qendrës së tij poshtë, nisje kuptimplotë, nisje historike, që tregonte zgjimin dhe drejtimin e ri të epokës së re të shqiptarëve, kuptimin e ri të angazhimit, që ishte dhe është jo pritja por veprimi, që ishte dhe është jo mbyllja por dalja, jo ikja por përballja.

Përballja e parë e studentëve kryengritës me regjimin ndodhi shpejt, pranë rrugës së “Elbasanit”. Dhuna policore shpërtheu egërsisht mbi ta. Morën plagë, por nuk u thyen. Nuk u thyen sepse ishin ndryshimi i madh, e nesërmja krejt e re e atdheut dhe kombit shqiptar. Tjetër gjë u thye para tyre. Përballë guximit dhe trimërisë së tyre u thye një herë e përgjithmonë hegjemonia gjysmëshekullore e diktaturës. Ajo nuk do të  ishte kurrë më  sunduese dhe shtypëse e gjithëpushtetshme e shqiptarëve. Po perëndonte përgjithmonë, në të shkuarën e keqe e të pakthyeshme të mizorive të saj.

Ndërkohë, në krahun e studentëve liberatorë po lindte bashkë me ta dhe intelektualët që iu bashkuan, epoka e re e pluralizmit politik, e lirive dhe të drejtave njerëzore, e Shqipërisë europiane, e kombit të njerëzve të lirë.

Ajo natë vërtetë e bardhë nxori në historinë e  Shqipërisë, nxorri në krye studentët e vijës së parë, nxori Azem Hajdarin, prijësin e lëvizjes studentore, kryeheroin e lëvizjes studentore. Nxori  të tjerë trima dhe trimëresha që koha i ka shënuar me emër dhe mbiemër, si luftëtarë të përmbysjes së madhe demokratike. Sot, i kujtojmë me nderim, një për një, pa dallim të gjithë vajzat dhe djemtë e dhjetorit të paharrueshëm 1990.

Por dita e rinisë nuk është thjesht një histori, nuk është thjesht një e kaluar. Është para së gjithash  aktualitet dhe ardhmëri, është sërish ëndërr në gjoksin e çdo të riu e të reje shqiptare. Duke festuar 8 dhjetorin, rinia shqiptare krenohet me veprën e brezit të mëparshëm dhe njëkohësisht takohet me të ardhmen.

A nuk është ëndrra e Shqipërisë europiane, e cila ngriti në këmbë studentët, njëzet e tre vjet më parë, që mbetet jo vetëm ëndrra më e bukur dhe më përbashkuese e brezave, por edhe më frymëzuesja  e rinisë së sotme!?

Po bëjmë e do të bëjmë gjithçka për statusin, edhe përkundrejt atyre që nuk po bëjnë asgjë për statusin, sepse statusi jeni ju, është rinia.

A nuk është sot e gjithë ditën dëshira e bashkimit të gjithë shqiptarëve rreth vlerave të  lirisë, demokracisë dhe dinjitetit individual, një ëndërr rinore për tu përmbushur!?

A nuk është vizioni i një demokracie të shëndoshë, të ngritur mbi  themelet e zgjedhjeve të lira dhe mbi  parimin e sundimit  të ligjit, misioni i kësaj rinie të fortë e “vullkanike”.

Ja, përse 8 dhjetori, festa e rinisë dhe e lirisë, është një apel dhe një premtim për të ardhmen e çdo shqiptari!

Ju të dashur të reja e të rinj të qytetit e vendit tim! Ju paralajmëruat erën e re të ndryshimit në protestat e muajit nëntor, ku shumë prej jush morët pjesë me “Jo”-të e shkruara në  faqe, në pëllëmbët e duarve tuaja që ishin “jo”-të më bukura, të dlira por edhe më të fuqishme që ka njohur tranzicioni demokratik, që ishin pikësëpari një refuzim dhe kundërshtim i prerë e i fortë por edhe shumë shpresëdhënës i shpërfilljes, i injorimit të opinionit publik, i personalizimit të funksioneve shtetërore, i megalomanisë dhe arbitraritetit politik, i mungesës së transparencës dhe llogari-dhënies, i shitblerjes së  shëmtuar të votës, i dhunimit të zgjedhjeve me paratë e pista të trafiqeve, korrupsionit dhe krimit të organizuar, i legalizimit të dhunshëm të mediokritetit, paditurisë, injorancës dhe gjithë të këqijave të tjera që prodhon paligjshmëria.

Në këtë 8 dhjetor, brezi i ri vjen  edhe me këtë “Jo” të fortë, që në bindjen  time është një “Po” e madhe, e fuqishme dhe një garanci e re për Shqipërinë e lirive, për Shqipërinë e zhvilluar dhe demokratike, për Shqipërinë europiane dhe pjesë e gjithë Europës së bashkuar.

Ja, pra përse sot festojmë! Jo vetëm nderojmë rininë e viteve nëntëdhjetë që hapi rrugën, por më shumë se kaq! “Gjenerata e lirisë”, për të cituar kryetarin historik të forcës politike që lindi nga studentët e dhjetorit, Sali Berishën, gjenerata e lirisë më shumë se kushdo tjetër është është shpresa dhe garancia, shpirti dhe forca, fytyra dhe dinjiteti i Shqipërisë moderne dhe europiane.

Jam i bindur se Shqipërisë do t’i shndërrisë përsëri fati, me rininë e saj të mrekullueshme.

Gëzuar 8 dhjetorin, ditën e rinisë, festën e lirisë!

Nder përjetë, studentëve liberatorë!

Zoti e bekoftë rininë e Shqipërisë, Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

 

 

PD feston 8 dhjetorin, Basha: Jo thjesht histori, por aktualitet. Endërr në gjoksin e çdo të riu

Fjala e plotë e kreut të PD Lulzim Basha:

 

Të dashur të rinj, të reja të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë!

Të dashur dhjetoriste e dhjetoristë, të dashur bashkëqytetarë shqiptarë kudo ku jeni!

Sot është dita juaj, në kalendarin e festave zyrtare të Shqipërsë. Sot është dita jote, rini! Është dita e rinisë për të gjithë shqiptarët!

Është dita e rinisë, dita e lirisë. Çfarë binomi i mrekullueshëm, i pandashëm!

E ka Shqipëria jonë, e ka dhe do ta ketë gjithmonë demokracia jonë e re sepse liria erdhi në Shqipëri me besimin dhe shenjën e rinisë dhe me besimin se shenjën tuaj do e çojmë përpara.

Të dashur miq!

Në këtë ditë, mendimet, përfytyrimet tona, kureshtja, nderimi dhe adhurimi ynë  rikthehen te ajo natë e vonë e të shtunës së 8 dhjetorit 1990, në qytetin “Studenti”, ku u ndez shkëndija e parë e lëvizjes demokratike që ndryshoi përgjithmonë historinë e Shqipërisë.

Në dritën  e dëshmive të asaj nate që depërtuan terrin, arritën të çajnë rrethimin e shumëfishtë të censurës dhe terrorit policor të  kohës, kujtojmë sot daljen e vrullshme të studentëve  nga godinat, duke thirrur njëri tjetrin, grumbullimin e tyre në errësirë, ngjizjen në atë bashkim të ndjenjës kryengritëse, shpërthimin për herë të parë në gjuhën shqipe nga goja e atyre të rinjve e të rejave, të fjalëve liri-demokraci, nisjen pa komandë të atyre djemve dhe vajzave drejt qytetit, qendrës së tij poshtë, nisje kuptimplotë, nisje historike, që tregonte zgjimin dhe drejtimin e ri të epokës së re të shqiptarëve, kuptimin e ri të angazhimit, që ishte dhe është jo pritja por veprimi, që ishte dhe është jo mbyllja por dalja, jo ikja por përballja.

Përballja e parë e studentëve kryengritës me regjimin ndodhi shpejt, pranë rrugës së “Elbasanit”. Dhuna policore shpërtheu egërsisht mbi ta. Morën plagë, por nuk u thyen. Nuk u thyen sepse ishin ndryshimi i madh, e nesërmja krejt e re e atdheut dhe kombit shqiptar. Tjetër gjë u thye para tyre. Përballë guximit dhe trimërisë së tyre u thye një herë e përgjithmonë hegjemonia gjysmëshekullore e diktaturës. Ajo nuk do të  ishte kurrë më  sunduese dhe shtypëse e gjithëpushtetshme e shqiptarëve. Po perëndonte përgjithmonë, në të shkuarën e keqe e të pakthyeshme të mizorive të saj.

Ndërkohë, në krahun e studentëve liberatorë po lindte bashkë me ta dhe intelektualët që iu bashkuan, epoka e re e pluralizmit politik, e lirive dhe të drejtave njerëzore, e Shqipërisë europiane, e kombit të njerëzve të lirë.

Ajo natë vërtetë e bardhë nxori në historinë e  Shqipërisë, nxorri në krye studentët e vijës së parë, nxori Azem Hajdarin, prijësin e lëvizjes studentore, kryeheroin e lëvizjes studentore. Nxori  të tjerë trima dhe trimëresha që koha i ka shënuar me emër dhe mbiemër, si luftëtarë të përmbysjes së madhe demokratike. Sot, i kujtojmë me nderim, një për një, pa dallim të gjithë vajzat dhe djemtë e dhjetorit të paharrueshëm 1990.

Por dita e rinisë nuk është thjesht një histori, nuk është thjesht një e kaluar. Është para së gjithash  aktualitet dhe ardhmëri, është sërish ëndërr në gjoksin e çdo të riu e të reje shqiptare. Duke festuar 8 dhjetorin, rinia shqiptare krenohet me veprën e brezit të mëparshëm dhe njëkohësisht takohet me të ardhmen.

A nuk është ëndrra e Shqipërisë europiane, e cila ngriti në këmbë studentët, njëzet e tre vjet më parë, që mbetet jo vetëm ëndrra më e bukur dhe më përbashkuese e brezave, por edhe më frymëzuesja  e rinisë së sotme!?

Po bëjmë e do të bëjmë gjithçka për statusin, edhe përkundrejt atyre që nuk po bëjnë asgjë për statusin, sepse statusi jeni ju, është rinia.

A nuk është sot e gjithë ditën dëshira e bashkimit të gjithë shqiptarëve rreth vlerave të  lirisë, demokracisë dhe dinjitetit individual, një ëndërr rinore për tu përmbushur!?

A nuk është vizioni i një demokracie të shëndoshë, të ngritur mbi  themelet e zgjedhjeve të lira dhe mbi  parimin e sundimit  të ligjit, misioni i kësaj rinie të fortë e “vullkanike”.

Ja, përse 8 dhjetori, festa e rinisë dhe e lirisë, është një apel dhe një premtim për të ardhmen e çdo shqiptari!

Ju të dashur të reja e të rinj të qytetit e vendit tim! Ju paralajmëruat erën e re të ndryshimit në protestat e muajit nëntor, ku shumë prej jush morët pjesë me “Jo”-të e shkruara në  faqe, në pëllëmbët e duarve tuaja që ishin “jo”-të më bukura, të dlira por edhe më të fuqishme që ka njohur tranzicioni demokratik, që ishin pikësëpari një refuzim dhe kundërshtim i prerë e i fortë por edhe shumë shpresëdhënës i shpërfilljes, i injorimit të opinionit publik, i personalizimit të funksioneve shtetërore, i megalomanisë dhe arbitraritetit politik, i mungesës së transparencës dhe llogari-dhënies, i shitblerjes së  shëmtuar të votës, i dhunimit të zgjedhjeve me paratë e pista të trafiqeve, korrupsionit dhe krimit të organizuar, i legalizimit të dhunshëm të mediokritetit, paditurisë, injorancës dhe gjithë të këqijave të tjera që prodhon paligjshmëria.

Në këtë 8 dhjetor, brezi i ri vjen  edhe me këtë “Jo” të fortë, që në bindjen  time është një “Po” e madhe, e fuqishme dhe një garanci e re për Shqipërinë e lirive, për Shqipërinë e zhvilluar dhe demokratike, për Shqipërinë europiane dhe pjesë e gjithë Europës së bashkuar.

Ja, pra përse sot festojmë! Jo vetëm nderojmë rininë e viteve nëntëdhjetë që hapi rrugën, por më shumë se kaq! “Gjenerata e lirisë”, për të cituar kryetarin historik të forcës politike që lindi nga studentët e dhjetorit, Sali Berishën, gjenerata e lirisë më shumë se kushdo tjetër është është shpresa dhe garancia, shpirti dhe forca, fytyra dhe dinjiteti i Shqipërisë moderne dhe europiane.

Jam i bindur se Shqipërisë do t’i shndërrisë përsëri fati, me rininë e saj të mrekullueshme.

Gëzuar 8 dhjetorin, ditën e rinisë, festën e lirisë!

Nder përjetë, studentëve liberatorë!

Zoti e bekoftë rininë e Shqipërisë, Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 8 Dhjetorin, Lulzim Basha, PD feston

Berisha: Nder Azemit, prijësit të lirisë dhe studentëve liberatorë që sollën këtë ditë

December 8, 2013 by dgreca

Ish-kryeministri Sali Berisha ka ndare me miqte dhe ndjekesit e tij ne Facebook urimet per 8 dhjetorin, duke e quajtur ate dite te lirive dhe dinjitetit.

“Gezuar 8 Dhjetorin, ditelindjen tone te dyte, diten e lirive dhe dinjitetit tone! Nder perjete Azem Hajdarit, prijesit te lirise. Azem ti je gjalle!! Nder perjete studenteve liberator qe sollen kete dite! sb”-shkruan Berisha ne profilin e tij ne Facebook.

Filed Under: Featured Tagged With: Azem hajdari, Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT