• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

NJË FILM PËR NËNË TEREZEN

January 24, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Nga e majta, Frank Shkreli, autor i shkrimit, Dr. Elez Biberaj dhe familjet e tyre gjatë një takimi në vitin 1987 me Nënë Terezën në Uashington/

Duket se së shpejti jeta dhe veprimtaria e Nënë Terezës do të shfaqet si film dokumentar në ekranet amerikane dhe botërore të filmave. Revista amerikane “Variety” që mbulon industrinë e filmave të Hollivudit, muzikën dhe artin amerikan, në një artikull që botoi të ënjtën në faqën e saj elektronike, korrespondenti i filmave, Dave McNary shkruan se regjisorët e pavarur të filmave, Tony Krantz dhe Jamey Volk janë duke bashkpunuar me “Qendrën Nënë Tereza” për të bërë një film me titull “Kam Etje”, një dokumentar ky mbi jetën e Nënë Terezës, bamirëses dhe humanistes së njohur mbarë botërore dhe bijës së gjakut të Arbërit, me të cilën mburret dhe krenohet kombi shqiptar.

Artikulli thotë se pritet që filmimi të nisë nga fundi i këtij viti, ndërkohë që për tekstin e filmit është angazhuar ta shkruaj Keir Pearson, i cili ka shkruar tekstin për filmin e njohur “Hotel Rwanda”. Sipas artikullit të revistës Variety, filmi do të përqëndrohet në punën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës në qytetin e Indisë Kalkuta gjatë dekadës së 1950-ave, kur ajo njëkohësisht themeloi Urdhërin e Motrave Misionare të Dashurisë, me misjonin për tu kujdesur për të varfërit e më të varfërve të Indisë. Eventualisht Nënë Tereza veprimtarinë e saj e përhapi anë e mbanë botës, përfshirë edhe trojet shqiptare në Balkan, por edhe në vende të mëdha e të pasura të botës si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Artikulli nënvijon faktin se për veprën dhe punën e saj, Nënë Tereza ishte shpërblyer me dekorimin më prestigjoz në botë — Çmimin Nobel për Paqë të vitit 1979  dhe thotë se urdhëri i Motrave Misionare të Nënë Terezës, të cilat, ndër të tjera, punojnë në qendra për fëmijtë jetimë, shtëpi të moshuarve dhe qendra të tjera bamirësie, kishte arritur si numër në më shumë se 4000 në vitin 1997, kur ai ndërroi jetë.

Regjisori amerikan Tony Krantz tha për revistënVariety se filmi, “Kam Etje”, është filmi i parë dhe i vetmi film i autorizuar mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës që do të çfaqet në ekranet e filmave anë e mban botës.” Ai u shpreh gjithashtu se “jemi jashtzakonisht shumë të kënaqur për këtë film mbi një grua, jeta dhe vepra e së cilës është një pasqyrim i një angazhimi të plotë, besimi, bamirësie dhe dashurie për të tjerët.” Sipas artikullit të revistës së hollivudiane Variety, regjisori Tony Krantz dhe shkrimtari i teksteve të filmave, Keir Pearson do të shkojnë në Indi muajin që vjen, për të përfunduar hulumtimet mbi jetën e Nënë Terezës dhe të fillojë të shkruaj skenarin e filmit. Regjisori Krantz shprehu shpresën, sipas revistës Variety se, shpreson se projekt-filmi do të tërheq një drejtor dhe aktore me famë botërore e cila do të luaj rolin e Nënë Terezës. Ndërsa regjisori tjetër i filmit, Jamey Volk tha për revistën Variety se “mezi presim që filmin të ja paraqesim një audience botërore, ndërkohë që pritet që filmi të jetë gati për ekranet anembanë botës verën e vitit 2015.” Regjisori Krantz shtoi gjithashtu se për këtë film dokumentar ata kanë marrë miratimin e plotë nga përfaqsues të Motrave të Nënë Terezës, madje ai tha se kishte arritur një mirëkuptim me to, “mbrenda 15 minutash”. Ai nënvijoi gjithashtu se filmi, “Kam Etje” do të përfshijë edhe episode personale nga jeta e Nënë Terezës, si për shëmbull episodin e “krizës së dyshimeve”, duke thënë se filmi mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës , “nuk do të jetë një film për Katolicizmin, por do të përqëndrohet mbi veprat e saj.”

Në artikullin e revistës Variety thuhet gjtihashtu se regjisorët kryesorë të filmit do të jenë Reece Pearson i entit të filmave “Flame Ventures” dhe Dick Lyles i entit “Origin Etntertainment”, ndërkohë që “Qendra Nënë Tereza” do shërbejë si këshilltare teknike për filmin. Gjatë gjithë jetës së saj Nënë Tereza, për dashurinë e saj në veprim dhe në jetë kushtuar më të varfërve dhe më të harruarve të kësaj bote, mori lëvdata dhe çmime ndërkombëtare nga më të dalluarat, përfshirë edhe Çmimin prestigjoz më të lartë botëror Nobel për Paqë. Qindra libra e

mijëra artikuj janaë shkruar dhe shkruhen duke mbajtur gjallë fjalët dhe mesazhin e dashurë të Nënë Terezës. Filmi që ka në plan të bëj Holivudi për Nënë Terezën është vetëm një vazhdim i respektit që bota po tregon për Nënë Terezën dhe për veprën e saj edhe pas vdekjes së saj.

Një ndër mesazhet e saja aktuale është mesazhi i saj për rolin dhe rëndësinë e familjes në shoqëri. Në një fjalim drejtuar një konference të Kombeve të Bashkuara në Pekin më 1995, Nënë Tereza u tha grave të botës që “Në vend të vdekjes dhe mjerimit le të sjellim në botë paqë, gëzim e kënaqësi duke iu lutur Perëndisë për dhuratën e paqës dhe për dhuratën e mundësisë për të dashur dhe për të pranuar njëri tjetrin si vëllezër e motëra, si bijë e bija të Perendisë. Ne  e dimë se vendi më i mirë dhe atmosfera më e përshtatshme ku fëmijtë mund të mësojnë se si të dashurojnë njëri tjetrin është pikërisht familja, ku ata shohin prindërit e tyre duke dashur  njëri tjetrin dhe duke iu lutur Perendisë. Kur familjet shkatërrohen dhe nuk janë të bashkuara, shumë fëmij rriten duke mos ditur të dashurojnë të tjerët”. Nënë Tereza vazhdoi duke thënë se, “një vend ku shumë familje janë shktatërruar në këtë mënyrë, do të ketë shumë probleme.” Një mesazh aktual ky, jo vetëm për familjet e ngushta shqiptare, por edhe për familjen më të madhe dhe më gjërë të kombit shqiptar, duke theksuar se “Kur familjet janë të forta dhe të bashkuara”, përfundoi Nënë Tereza mesazhin e saj drejtuar grave të botës në vitin 1995 në Pekin, “Fëmijtë shohin dashurinë e veçantë të Perëndisë në çfaqjen e dashurisë midis prindërve të tyre, dhe si të tillë rriten që të ndërtojnë dhe të zhvillojnë atdheun e tyre në një shoqëri më të mirë dhe më të dashur për të gjithë”.Në një artikull mbi Nënë Terezën disa muaj më parë, me rastin e njoftimit të Lumturimit të saj nga Vatikani pata shkruar se ne shqiptarët kudo, me të drejtë mburremi shumë me Nënën tonë Tereze, bijë të një gjaku. Me krenari e themi, përfshirë edhe udhëheqsit e tanishëm më të lartë të kombit shqiptar të të gjitha trojeve, se Nëna Tereze është simbol dhe bartëse e vlerave më të mira e më të bukura të kombit shqiptar. Por ama, megjithë adhurimet dhe krenarinë që tregojmë në sipërfaqe për ‘të – kur të merret parasyshë gjëndja politike dhe shoqërore në të gjitha trevat shqiptare unë nuk mund të durohem pa iu bashkuar cinizmit dhe skepticizmit të të ndjerit Profesor Peter Priftit, i cili disa vjetë më parë është shprehur për librin e Genc Lekës mbi Nënë Terezën duke bërë pyetjen: “A mos ishte lindja e Nënë Terezës në rrethin tonë një gabim, një devijim gjenetik ndofta, apo një sinjal hyjnor, një paralajmërim paraparak për një të ardhme madhështore për kombin shqiptar? Kur shoh gjendjen në Shqipërinë e sotme, mendoj të parën; por më pëlqen të besoj të dytën”, qe shprehur Profesor Peter Prifti dhe vazhdoi: “Pyes veten, kemi të drejtë si shqiptarë të mburremi me motrën tonë të bekuar? Mendoj se Nënë Tereza nuk nderohet me levdata, me konferenca shkencore, me shërbime përkujtimore, as edhe me lutje e pelegrinazhe te varri i saj. Sa kohë që neve nuk bëjmë ndryshim, asnjë përmirësim në marrëdhëniet tona shoqërore e politike, atëhere përsa na përket neve si shqiptarë, ajo jetoi kotë në këtë botë. Atëherë do jetë më mirë të mbyllim gojën dhe të mos guxojmë kurrsesi të themi se jemi njerëz të një gjaku e të një gjuhe me Nënë Terezën”, përfundon profesori i nderuar, i ndjeri Peter Prifti.

Duke marrë parasyshë sulmet e kohëve të fundit nga disa qarqe sado të vogëla, kundër Nënë Terezës, ky cinicizëm dhe skepticizëm, të cilin e ka shprehur aq bukur i ndjeri Profesor Prifti vite  më parë, megjithëse unë personalisht nuk besoj se është gjithëpërfshirës — fatkeqsisht sa vjen e shtohet. Por, të pakën Holivudi po e bën të vetën duke përjetësuar jetën dhe veprën e kësaj bije të Arbërit, të cilën ish-Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, Perez de Quellar e pat quajtur si, ”më të madhe se të gjithë ne”.

Nga e majta, autori me Dr. Elez Biberaj dhe familjet e tyre gjatë një takimi në vitin 1987 me Nënë Terezën në Uashington, një takim që asnjëri  prej nesh nuk do ta harrojë kurrë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Elez Biberaj, Frank shkreli, Nje film per Nene Terezen

Rikthim i suksesshëm i Andamion Murataj dhe Shqipërisë në skenën e filmit Europian

January 24, 2014 by dgreca

Nga: Ermira Babamusta, New York / 

Skenaristi dhe regjizori i talentuar Andamion Murataj e bëri të njohur artin shqiptar në shkallë ndërkombëtare. Me filmin “Fjala e Gjakut” (The Forgiveness of Blood) Andamion arrit të fitojë çmimin prestigjioz “Ariu i Argjendë” për Skenarin më të Mirë në Festivalin Nduerkombëtar të Filmit në Berlin 2014.

Skenari i tij i rradhës mban titullin “Burri i Shtëpisë” (Man of the House) dhe e merr temën nga burrneshat shqiptare. Ky skenar ka tërhequr vëmendjen e shumë figurave të njohura të kinematografisë botërore duke shënuar sukses që në hapat e tij të parë. Andamioni sapo ka shënuar edhe një përfaqësim dinjitoz në Trieste të Italisë ku filmi i tij është  ndër 12 projektet e filmit artistik të përzgjedhur prej 200 filmave konkurues, për tu prezantuar para forumit të rëndësishëm të producetëve europianë “Kur Lindja Takon Perëndimin” ( When East Meets West). Ky sukses vjen disa muaj pas arritjes së tij të mëparëshme ku skenari u përzgjodh si një ndër 10 projektet internacionale më premtuese për zhvillim nga një juri që përfshin disa nga figurat më të larta të skenarit botëror, filamt e të cilëve janë të vlerësuar me çmimin Oskar siç janë David McGee (Jeta e Pi, Finding Neverland), James V. Hart (Drakula, Hook), etj.

“Skenari i filmit ‘Burri i Shtëpisë’ një histori shumë origjinale, emocionalisht ngërthyese e shkruar shkëlqyeshëm që na dërgon në një botë të panjohur. Është një skenar mrekullisht ndjellës për një botë të çuditëshme dhe misterioze të mbushur me karakteret krejt unikë. Është një rrëfim me potencial të mrekullueshëm kinematografik” thotë Clarie Dobbin, drejtore e Festivalit të Filmit Ndërkombëgtar të Melbourne dhe mentor i Laboratorit të Zhvillimit të Skenarit:  Eksperienca Puljeze 2014.    “Unë besoj që një skenar i mirë është “basti” më i sigurt për suksesin e një filmi. Filmi i mëparshëm nuk e pati fillimin e “Burrit të Shtëpisë” dhe do më pëlqente të thoja që fillimi i mbarë është gjysma e punës, por nuk është krejt kështu. Në film, çdo hap është përpjekje intensive. Shpresoj që në momentin e duhur të më bashkangjiten njerëzit dhe institucionet e duhura në këtë rrugë, të cilën deri më tash e kam bërë i vetëm. Është pjesë e punës si ‘filmmaker’ të kërkosh mbështetje, por është po aq pjesë e detyrimeve institucioneve kombëtare të identifikojnë dhe mbështesin projektet që dëshmojnë cilësinë në konkurrimet ndërkombëtare,” thotë Andamion Murataj.Kualiteti i projektit “Burri i Shtëpisë” ishte premtues që në Laboratorin e Puljas. Mbas experiences në Pulja, regjizori Murataj u kthye në Shqipëri për të thelluar kërkimet mbi temën dhe për ta zhvilluar më tej. Sukseset më të fundit te projektit më të ri të regjizorit dhe skenaristit të shquar Andamion Murataj, shënojnë arritje të re për kinemanë Shqiptare e cila së fundi po vlerësohet në rangun e lartë të arritjeve të artit europian. Eshtë një moment historik që kërkon trajtim dhe vëmendje të veçantë te institucioneve të artit dhe filmit në Shqipëri, sidomos pas dështimit të institucioneve të filmit në shqipëri për tu rradhitur ndër mbështëtësit e filmit “Falja e Gjakut” që rezultoi të ishte suksesi më i madh i kinemasë shqiptare në arenën ndërkombëtare.   “Unë shpresoj që institucionet e filmit në Shqipëri të kenë nxjerrë mësimet e duhura e të mos përsëritet sërish ajo çka ndodhi me filmin “Falja e Gjakut”. Do të ishte fatkeqësi t’i rikthehemi sërish në pikën zero. “Burri i Shtëpisë” është fitues në shumë evente ndërkombëtare dhe institucionet europiane të filmit e kanë kriteret përzgjedhëse shumë të qarta. Është koha që filmat shqiptarë të kalojnë nëpër të njëjtat filtra konkurues dhe për të marrë mbështetjen e nevojshme financiare në vendin e origjinës” shtoi regjizori Andamion Murataj.Burri i Shtëpisë (Man of the House) rrëfen historinë e një burrneshe shqiptare në ditët e sotme, e cila duhet të zgjedhë nëse duhet të vazhdojë jetën e saj prej burri apo të rigjejë ndjenjat e ndrydhura femërore për tu bërë nëna që i mungon mbesës së saj, Zanës.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Adamion Murataj, ne skenen e filmit Europian, rikthen Shqiperine

GJURMËT E PASHLYERA NË KOHË TË ATDHETARIT-MARTIR, KRISTO KIRKA

January 24, 2014 by dgreca

INTERVISTË E EDITORIT TE DIELLIT ME HISTORIANIN DHE SHKRIMTARIN URAN BUTKA/

(Me rastin e dhënies së çmimit kombëtar “Penda e argjendtë” për veprën eseistike “Kristo Kirka”)/

Pyetje: Si u ndje shkrimtari Uran Butka për fitimin e trofeut kombëtar “Penda e argjendtë” për librin  “Kristo Kirka”?

Përgjigje: natyrisht, u ndjeva mirë. Një vlerësim për figurën e atdhetarit-martir Kristo Kirka dhe njëherësh, për vatranët e shquar, që u përpoqën e u sakrifikuan për atdheun; një homazh për ta, një vemendje për mosharrim; gjithashtu ishte edhe një vlerësim për punën time.

Pyetje: Gjatë hulumtimeve për figurën  e Kristo Kirkës, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

Përgjigje: Gjurmët. Gjurmët e pashlyeshme nga koha, qoftë edhe ajo e largët. Këto gjurmë mbresëlënëse të Kristo Kirkës i kam gjetur jo vetëm në dokumentet   në arkivat e Shqipërisë dhe në arkivat e huaja, në shtypin e  kohës, sidomos në gazetën “Dielli”, në rekordet e Vatrës, në bisedimet parlamentare, në letërkëmbimin me personalitetet e botës shqiptare, në reliket personale etj. por edhe në literaturën e botuar, në kujtesën e kombit, sidomos të familjes Kirka, veçanërisht në përjetimet e të birit, Niko Kirkës. Gjatë kërkimeve për gjurmët e Kristo Kirkës, gjeta gjurmë edhe të figurave të tjera të shquara kombëtare, për të cilat nuk është shkruar aspak, ose shumë pak. Kjo është e dhimbshme, sepse harresa dhe heshtja janë ato lëngata, që na kanë dëmtuar më shumë si komb e si shtet. Ne kemi  vlera ende të paevidentuara e të pavlerësuara. Madje edhe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, fatkeqësisht u rikujtuan vetëm pak figura të njohura si ajo e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut e ndonjë tjetri, ndërsa personalitetet e tjerë madhorë të historisë sonë mbetën në hije, veçanërisht ato të Aqif Pashë Elbasanit, Vehbi Dibrës,  Syrja bej Vlorës, Mid’hat Frashërit, Nikollë Kaçorrit, , Sali Butkës, Sotir Pecit, Mehmet Konicës, Mirash Ivanajt, Kristo Dakos, motrave Qiriazi, Kristo Floqit, Çekrezit etj. Ndërkohë figura të tjera të rëndësishme kombëtarë të fushave të ndryshme as që u zunë në gojë, për mosdashje apo për injorancën e pushtetarëve tanë.

Pyetje:  Janë edhe një sërë vatranësh që u ndëshkuan nga komunizmi për patriotizmin e tyre si Aqif Permeti, Bahri Omari, Kristo Kirka, Kolë Tromara, Kolë Rrodhja, Aqile Tasi,  Ali Kuçi e shumë të tjerë, por ende ata janë të mbuluar nga pluhuri i harresës. Mendimi juaj?(Lexoje të plotë në Diellin e printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: gjurmet e pashlyra, Kristo Kirka, Uran Butka

Pse tundon Rexhep Qosja ?

January 24, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

A është Rexhep Qosja tundues? A ka Rexhep Qosja mendime tunduese? E po,  e dita që ju shkon mendja tjetër kah ; unë s´e kam fjalën  për tundaç  por për Rexhep  Qosjen  si tundues . Sa mirë që është fjalori  i madh i gjuhë shqipe , dhe për ne që nuk e njofim mjaftueshëm gjuhën tonë ateherë i referohemi atij dhe e qetësojmë shpirtin që mësuam diçka të re dhe që nuk përdorëm ndonjë emër të pa përshtshëm në shtjellimin tonë.

Tundem -. Lëviz disa herë e në mënyrë të rregullt sa nga një anë në tjetrën  sa para prapa ose sa lart poshtë; tronditem , lëkundem me force: por nga kjo ka një dobi sepër shembull duke e tundur tëpinin  e nxjerrim yndyrën nga qumshti . Çka ka të keqe këtu ?

Të tundish është edhe  të shquhesh ,dallohesh në një veprimtari a në ndonjë rast tjetër ,  të veprosh me forcë, me vrull e guxim, e bëj fora , lë nam.. E tundi në shkrime! E kemi tundur mbrëmë!

Por një  gjë tjetër është të tundosh:  “Shtyj a nxit të bëj diçka të keqe duke iu paraqitur si të bukur a fitimprurëse, e çoj në rrugë të keqe, i prish mendjen dhe e bëj të bjerë në gabim, ngas , josh , tërheq, mashtroj ;. e shtie dikë në ngasje , e shtyj që të bjerë në

mëkatë . I miri të ndihmon , i ligu (i keqi) të tundon. .”Që të mundon , që të prish qetësinë , shqetësues , që të mërzit . Mendim tundues. Po pse Rexhep Qosja tundues ?

A nuk  iu duket ” babai i kombit ” njeri tundues  e aq më shumë edhe tundues nihilist ? Nihilizmi pasqyrohet duke i mohuar vlerat e çdo strukture sociale, shtetit e ligjit, normave të vlerës dhe principeve të moralit. Këto orientime mund të çojnë kah dhuna dhe terrorizmi kundër një sistemi të vendosur edhe të rezulton në rezistencën dhe qëndrimin pasiv ndaj çdo gjëje pa kurrfarë alternative në mendje. Kur Demosteni (371-322 p.e.s.) e citon se “çka ai dëshiron të besojë duhet të jetë ajo që të tjerët të besojnë”, ai e parashtron natyrën e marrëdhënies së dijes.

Tundimi i Qosjes  mund të kuptohet në rrugë të ndryshme, si: nihilzmi politik, ai etik apo moral, nihilizmi ekzistencial dhe nihilizmi kombëtar.

Qosja tundues , Qosja nuhilist :Nihilizmi i tij  është qëndrim mohues ndaj botës e ndaj ekzistencës së njerëzimit, qëllimit, vlerës apo të vërtetës së kuptueshme.

Në çka dhe me cilat ide Qosja tundon ? Qëllimet e jetës në përgjithësi, principet e moralit, rendin moral në përgjithësi, si dhe ndjenjat kombëtare. Shumë afër nihilizmit është edhe absurdizmi, që thotë se përpjekjet e njerëzimit për të gjetur mendimin e pandarë (inherent) do të dështojnë.

Zhan-Zhak Ruso shkruante: “Nëse duhet të flas me logjikë, atëherë më duhen për t`i përdorur edhe arsyetimet logjike”. Por, sa është i mbështetur në logjikën e arsyetimit qëndrimi tundues  i Rexhep Qosjes në kushtet aktuale? Logjika e kundërshtimit dhe e mohimit të së vërtetës pa prova, pa fakte, pa realitet, është tundimi  i paracaktuar e qëndrimeve nihiliste të skajshme të tij për të çuar mendjen e të gjithëve në anarki.

Nga Fjalori  , tundoj :e çoj në rrugë të keqe, i prish mendjen dhe e bëj të bjerë në gabim, ngas , josh , tërheq, mashtroj ;. e shtie dikë në ngasje , e shtyj që të bjerë në

mëkatë ..Rexhep Qosja   për të realizuar qëllimet e tij të errëta, të pabindshme dhe të paarsyeshme, me shkrimet e tij krijon kushte për krijimin e anarkisë morale dhe që është mjeti i vetëm që e kanë njerëzit të cilëve u mungon logjika në kohë të caktuar.

 

Po pse ky është tundues   apo t´ishte së paku tundaç ? Sipas koncepteve të njohura gjithmonë, në themel të bashkëveprimeve të shumëfishta në shoqëri qëndrojnë interesat. Interesat mund të jenë politike, të fuqisë në pushtet, ekonomike, morale e shpirtërore e, në rastin konkret tonin, më shumë se kurrë interesat gjithëkombëtare.

Në rastin e Qosjes tundues , normat morale përjashtohen nga rregullat e përgjithshme, duke vepruar me metodologjinë nihiliste të të menduarit dhe me metodologjinë absurdiste të të vepruarit. Rexhep Qosja nihilizmin dhe absurdizmin i përdor me qëllime dhe me interesa të caktuara, të cilat nuk mund t`i realizojë me mjete e forma të tjera të ndershme dhe të pranueshme për ne. Të nihilosh margaritarët e kombit, Kadarenë, Nënën Tereze, Skënderbeun Historinë Kombëtare, të nihilosh çdo gjë të mbarë të këtij populli, nuk mund të quhet ndryshe vetëm se një idiotizëm i paramenduar me qëllime afatgjate antikombëtare të Qosjes.

Tundues – Që të shtyn a të nxit të bësh diçka të keqe duke ta paraqitur si të

bukur a fitimprurëse, që të prish mendjen dhe të fut në gabime , ngasës; joshës ,

tërheqës , mashtrues :   Në shkrimet e tij,  si tundues që është :qe një kohë të gjatë, në porositë  e tij vërehet se mungon argumenti logjik i bazuar në fakte e të dhëna konkrete. Kur bota na i nderon diamantet e kombit, Qosja i lëshon vavuzelet e tij në të katër anët, me fyerje, me përçarje dhe me shprehje absurde

Kur shqiptarët mendojnë dhe thonë se Perëndimi është antishqiptar (e që s`është e vërtetë), është detyrë e njerëzve të penës të përmirësojnë mendësinë e popujve vendimmarrës në politikat shtetërore, rajonale, bile edhe kontinentale. Me ndarje të identiteteve shqiptare ai e solli kaosin e quajtur shefqetkrasniqian . Kur Spanja konservatore, me tradita të larta të krishtera, pa asnjë paragjykim i jep çmimin e saj një shqiptari, Kadaresë, atëherë tunduesi  ngrihet dhe shpalos krekosjen e tij prej tunduesi të joshkëputjes nga trashëgimia e tij turko-aziatike.

I huaji, i civilizuari, ta nderon kulturën me një lartësi të madhe para një elite të kulturës botërore, kurse tunduesi krekoset duke mohuar edhe vetveten. Kjo është një sjellje si pasojë e një mungese të kulturës së tij ndaj Perëndimit, i cili po na afron me dëshmi konkrete, e ne reagojmë pakuptimshëm deri në absurditet.

Kush je dhe kë përfaqëson me gjithë këtë egërsi dhe pse? Pse bie ne nivelin e “kurrkushave” duke mohuar  faktin që robëria turke e ka cenuar rëndë zhvillimin natyror të popullit tonë ? Pse për qëllimet tua tunduese e mohon  që shqiptarët, duke u shkëputur prej Evropës, u vonuan apo humbën krejt në zhvillimin e tyre material, ekonomik, kulturor, qytetërues ? Pse e mohon që ajo kohë  na e humbi identitetin shpirtëror dhe kulturor ? E, tani, mundohesh të na bindësh neve dhe botën për identitete të copëtuara dhe të izoluara shqiptare.

Të gjithë jemi me mendimin e Rilindësve se për ne shqiptarët s`ka formulim tjetër përveç atij që feja s`mund të shërbejë dot si një faktor lidhjeje kombëtare dhe duhet të kemi kujdes që ajo të mos marrë peshë të madhe më tepër se sa duhet në jetën tonë publike, e aq më pak në atë politike e intelektuale. Tunduesi e bën të kundërtën!

Dikush, që në Prishtinë e ka shijuar me gojën plot kupën e mjaltit të sistemit, nuk guxon të anatemojë të tjerët dhe të shkatërrojë ndërgjegjen e popullit me kaosin dhe me papërgjegjësinë në shkrimet e tij. Kombi ynë ka nevojë për mendje të larta, për figura të mëdha që merren me probleme madhore kombëtare, e jo me politikën ditore të matrapazëve në të dy anët e kufirit.

 

Si mund të përmirësohet imazhi ynë në sytë e botës? Si t`iu përgjigjemi Jeremiqëve, të cilët, në takimet shtetërore në botën arabe-myslimane mundohen që neve të na paraqesin si jomyslimanë të denjë dhe miq të SHBA-ve dhe të Perëndimit, ndërsa në anën tjetër gjatë takimeve me perëndimorët mundohen të na paraqesin si fundamentalistë, terroristë islamikë, që janë kundër civilizimit të krishterë dhe atij perëndimor.

Zoti Tundues  !A jemi fundamentalistë antiperëndimorë, apo jemi miq të SHBA-ve dhe të Evropës? Si guxon të heshtësh me gjithë atë “potencial mendor” që ke, para faktit që Jeremiqët e paraqesin veten si viktima si ato të natës së kristaltë, kur dihet se shqiptarët janë i vetmi popull që nuk i ka vrarë e as dorëzuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore?

“Letërsia shqipe me të vërtetë nuk ka shumë tragjedi të shkruara”, por ka aktorë të tragjedisë kombëtare që nuk dinë të veprojnë ndryshe, pos me tundimet e tyre.

Fahri Xharra 22.01.14

Gjakovë

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, pse tundohet, rexhep qosja

Apostol Simoni -Një ikonë që nuk duhet harruar….

January 24, 2014 by dgreca

Bisedë me shqiptaro-amerikanen Miranda Grabocka-Simoni/

30 vjet më parë, më 19 Janar 1984,  e gjithë bota e artit dhe kulturës shqiptare, Korca, komuniteti i këngëtarëve dhe artistëve korcarë,  do të tronditej nga  lajmi i kobshëm-ndarjes krejt papritur nga jeta, në  moshë relativisht të re, 33 vjec, – e kompozitorit, dirigjentit, instrumentistit të talentuar –APOSTOL SIMONI. Ishte në kulmin e karrierës së tij  dhe muzika e kompozuar prej tij pati një ndikim të jashtëzakonshëm oshëtime për brezin e viteve ’80 dhe për brezat që vijnë. Këngët e kompozuara nga Apostol Simoni kanë brenda shumë ndjenjë e melodi harmonike. Ai preferonte të kompozonte në akorde minore të ëmbla e sentimentale, këngë që tërhiqnin publikun dhe melodia e tyre shpejt e kapëshme,  fërshellehej rrugicave të Korcës. Muzikën dhe ndjenjën  e  artistit e dalloje lehtë në cdo notë të kompozuar prej tij, sepse ishte  në antitezë   me  artin e muzikën  që kërkohej nga rregjimi komunist i kohës.

“Apostoli ishte djalë i rrallë –por “u nxitua shumë” , nuk duroi dhe u largua, “Ishte ndryshe nga bota”,  -shprehet me lot ndër sy mikja e tij e fëmijërisë,  Zhaneta Stefanllari Ballauri,  me të cilën ishte shumë e lidhur dhe  ndante të fshehtat e shpirtit, vecmas  për muzikën. Ndërsa aktori i shquar korcar Petrika Riza përcjell caste kujtimi me artistin e shquar: “Apostoli ishte muzikant i apasionuar, i talentuar e plot frymëzim, dirigjenti i aftë i orkestrës së Estradës së qytetit, kitarist i shkëlqyer. E ndiqnim me shumë endje prapa kulisave të skenës, ku disa herë luante edhe vetë në kitarë dhe shpesh nga duartrokitjet detyrohej të rikthehej në skenë. Me karrierën e tij virtuoze ishte ndër të paktët antikomformistë me drejtuesit e asaj kohe dhe shpesh herë e nxirrte mërzinë, shpërthente duke kompozuar apo duke i rënë kitarës. Ishte njeri  i shqetësuar e me shpirt të trazuar, sic janë përgjithësisht artistët e mirëfilltë.” Skëndër Rusi, poeti i shquar korcar i vargjeve lirike shqiptare dhe autor tekstesh i disa këngëve fituese në festivale kombëtare të kompozuara nga Apostol Simoni, shprehet mes të tjerave: “Ai na la atëhere kur na duhej më tepër. Ai ishte dhe mbetet  kitarë malli e dashurie”.  Miku i tij  fëmijërisë, prof. Gjergji Cikopani:-  Apostoli la pas një krijimtari cilësore që do të nderohet dhe kujtohet gjithmonë. Këtë “privilegj” e kanë vetëm artistët,-Nektari i inteligjenceës”. Apostol Simoni vdiq në moshë shumë të re,  në Tiranë –ku ndodhej për të marrë këngëtaren e shquar Anita Take, për koncertin e javës në Korcë, “Buqetë këngësh”. Ai ka lënë pas, plot  300 krijime muzikore. Këngët e kompozuara prej tij këndoheshin nga artistë me emër që nga Lindita Theodhori, Leon Menkshi, Liljana Kondakci, Fatbardha Hoxha-Disho-Pëllumb Elmazi, Nertila Koka, Afërdita Laci Zonja, etj. Koha ikën, por kontributi dhe kujtimi i kompozitorit, dirigjentit, kitaristit dhe instrumentistit do të mbetet gjithmonë vlerë kulturore, qytetare,  kombëtare e historike në botën e artit e kulturës korcare dhe shqiptare në tërësi.  Apostol Simoni do të mbetet dhe kujtohet një vlerë njohëse, një nga figurat që i dha Korcës sonë aq shumë nga vetja në fushën e muzikës,  –Një ikonë që nuk duhet harruar! Në ditën e vdekjes së tij, kompozotori i njohur Simon Gjoni, ka shkruar në gazetat e kohës  shkrimin me titull; “Autor i këngëve të realizuara” dhe në shtypin lokal të Korcës shkroi asokohe, i ndjeri Sotiraq Vangjeli, ndërsa  Pëllumb Elmazi për këngët e tij; “Gëzimi i njerëzve të ditëe tona”.  Në këtë bisedë përkujtimore dhe homazh në 30 vjetorin e ndarjes nga jeta  me bashkëshorten e Artistit të Shquar Korcar, -Miranda Grabocka-Simoni, e cila aktualisht jeton në Neë York, na rrëfen kush ishin dashuritë e jetës, roli dhe kontributi i tyre në krijimtarinë muzikore të Apostol Simonit,-artisti që jetoi pak e krijoi shumë.

-Së pari ju falenderoj që pranuat të jepni këtë intervistë, për të risjellë në kujtesë kompozitorin e shquar korcar, Apostol Simoni, i ndarë nga jeta në një moshë relativisht të re, por që la pas një kontribut të cmuar në muzikë. Si ndjeheni për këtë intervistë- e ndjeni homazh apo një përcjellje të vlerave qytetare, kulturore e historike të Korcës sonë?

Ju faleminderit Raimonda, për mundësinë që më jepni. Të dyja bashkë edhe homazhin që përkon me 30 vjetorin e ndarjes nga jeta, pikërisht më 19 Janar. Gjithashtu do të dëshiroja të thoja edhe përcjellje të një vlere të cmuar të artit e kulturës korcare në vecanti dhe asaj shqiptare në tërësi, një vlerë njohëse, për një nga figurat që i dha Korcës sonë aq shumë nga vetja në fushën e muzikës. Apostol Simoni lindi në qytetin  e Korcës më 16 prill 1950, në një familje autoktone qytetare dhe intelektuale korcare. Ai jetoi shumë pak, ashtu sikundër thotë edhe miku i tij i afërt Klito Fundo—në një moshë me Krishtin, 33 vjec–por ai dha shumë më shumë se sa mosha  e tij e re. Është shumë vështirë të sjellësh kujtime mbas 30 vitesh. Kjo intervistë është respekt për familjen e të ndjerit, kompozitorit Apostol Simonit, 3 fëmijët e tij që ka lënë pas, Alda Simoni Ballkameni, Gjergji Simoni dhe Eda Simoni Bandilli, mbesat e nipi i tij,  Sara, Xhorxhia,  Dionis dhe  për veprën e kontributin e tij.

-Si u gjend bashkëshorti tuaj në rrugën e bukur të artit, vecmas asaj të muzikës? E pati të trashëguar genin muzikor, apo ishte dhunti e tij?

Apostoli mbaroi me rezultate të mira shkollën e mesme të muzikës, për violinë. Ai nuk fitoi të drejtën  e studimit në Akademinë e Arteve Tiranë dhe pasioni i tij i fshehur ishte gjimnastika. Kështuqë ai ndoqi studimet në Institutin “Vojo Kushi”  Tiranë, dega gjimnastikë. Taleni i tij spikati edhe në këtë fushë dhe në vitin 1969 ai doli  kampion sëbashku  me 6 gjimnastë të tjerë sipas specialitetit. Mbas mbarimit të Institutit të Fiskulturës, emërohet në Gramsh në fshatrat përreth, si mësues fiskulture.Punoi me pasion e përkushtim pa ju ndarë kurrë edhe muzikës, organizonte aktivitete të ndryshme në rang rrethi e më gjerë. Ndërkohë njohja dhe miqësia me mjeshtërin e kitarës, Alfons Ballicin e jep mundësinë që ta mësojë e të luajë në kitarë. Në ato aktivitete ka marrë gjithmonë vlerësime dhe certefikata për punën e mirë që ka bërë.

-A mund të na përshkruani  momente  nga eksperienca e tij?Kur ka filluar të kompozojë? Cila këngë është kompozimi i tij i parë?

Që aty në Gramsh fillon aktiviteti i tij artistik, në konkurime shkollash, kompozime për festivale fëmijësh në rrethe të ndryshme, si Gramsh, Përmet, Vlorë. “Vëndlindja na fton” ishte kënga me tekst të Klito Fundos, që e bëri disi të njohur, krahas kompozitorëve të tjerë të rretheve. Kjo i dha forcë e optimizëm  që Apostoli të konkurojë në Institutin e Lartë të Arteve dhe  fitoi të drejtën për të vazhduar studimet në degën Kulturë.Mbas mbarimit të studimeve emërohet në Estradën e Qytetit të Korcës –dirigjent-punë të cilën e kreu deri në mbarim të jetës së tij. Apostoli ka kompozuar  këngë edhe kur ishte student në Institut, kur ishte mësues në kursin  e kitarës, në Shtëpinë  e Pionierit, Tiranë. Aktiviteti i tij muzikor fillon i plotë në Estradën  e Korcës, ku në cdo cfaqje ai sillte kompozime të reja për këngëtarët  e rrethit të Korcës. Estrada kishte aktivitet të përditshëm dhe përkushtimi i tij ishte maksimal, duke nisur nga këngët e festivaleve për fëmijë ku  kanë debutuar artistë të vërtetë  si Leon Menkshi, Alfred Bode, Majlinda Sherko Tasho, të cilët edhe sot e kësaj ditë kujtojnë me nostalgji e respekt kompozitorin e tyre Apostol Simoni, por kanë mbetur edhe miq të mirë të familjes dhe të mijtë  personalisht. Gjej rastin t’i falenderoj nga zemra.

-C’mund të na thoni për influencat e tij muzikore në  muzikën e  lehtë? Po atë popullore dhe  serenatat?

Ai kompozoi për Festivalet  e Korcës, anketat muzikore, Festivali i RTSH,  por edhe për anketat muzikore të Radio Tiranës dhe  në prill 1982,  kënga fituese ishte kënga: “Lule janë fëmijët” e kënduar nga Nertila Koka. Gjithashtu në repertorin  e tij ka pjesë intrumentale dhe ka plot  muzikë popullore.Pra, krijimtaria  e tij përfshin rreth 300 këngë.

-Si një njohëse e hershme e muzikës së kompozuar nga  Apostol Simoni , kam vënë re muzika e kompozuar prej tij, ka një mirëkuptim mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së këngës . A ka  pasur ndonjë trajnim apo eksperiencë në muzikë?

Instrumenti i tij më  i dashur ishte kitara. Ai kompozonte gjithë natën. Vijën melodike e niste me kitarën dhe më pas punonte në piano që e kishte në Teatër. Rrugica ku ne jetonim ishte cdo natë e pagjumë, nga tingujt e kitarës. Apostoli ishte edhe një orkestrues shumë i mirë, ai i orkestronte vetë të gjitha këngët.Kompozitori Apostol Simoni, për kohën që jetoi e kompozoi ka qënë shumë i sukesshëm, i vlerësuar me Cmime Kombëtare dhe Cmime të qytetit të Korcës dhe me marrëveshjen e admirueshme të publikut. Këngët e kompozuara prej tij janë kënduar nga këngëtarë të mirënjohur të muzikës shqiptare, si Lindita Theodhori, Myfarete Laze, Liliana Kondakci, Fatbardha Disho, Spiro Katundi, Vaso Qirinxhi, Elektra Hasimi, Zhuljeta Demce, Andoneta Shano, Laxarela,  etj, dhe akoma këndohen në Korcë. Kryesisht ai kompozonte këngë për vokalin e këngëtares së mirënjohur Lindita Sota Theodhori, e cila ishte këngëtare profesioniste në estradë dhe ato këngët janë fituese në cdo eveniment. Në konkurimin e trupave të Estradave në Gjirokastër Apostoli u paraqit me këngën –“Përherë të dua”, kënduar nga Lindita. Por momentin më të bukur e tregon shkrimtari z.Petraq Zoto, atëkohë Drejtor i Teatrit A.Z.Cajupi. “Të  nesërmen në mëngjes kur po ecja me Apostolin në rrugicat me kalldrëm të Gjirokastrës -tregon Petraqi , ai Apostoli  ndaloi për një moment dhe më thotë: “…dëgjo Petraq…dëgjo…!-dikush prapa tyre fishkëllente melodinë e këngës të kënduar një natë më parë. Kënga përcillej aq shpejt dhe bukur tek publiku, sa ishte një kënaqësi  e paparë  për të. Teksti i asaj kënge fituese ishte nga miku i Apostolit, poeti e publicisti  Kostaq Duka, me të cilin ai bashkëpunonte. Këngëtari Pëllumb Elmazi, mik i afërt i tij dhe i familjes sonë aq mik sa ne ndjemë ndihmën e tij sapo shkelëm në token amerikane. Ishte një mirënjohje e tij për mikun  e “Fjetur” dhe unë njëkohësisht do të shpreh mirënjohje për familjen e Elmazit. Zoti i bekoftë!,  Spiro Katundi, Vaso Qirinxhi, cifti Dhimitraq dhe Fatbardha Disho, miq të cilët i rezistuan kohës  deri në ditët e sotme, mirënjohje për të gjithë; Laxarela, Antoneta Shano, Mimoza Shaholli. Mirënjohja e Fatbardhës  është e pakufishme, është mikeshë e familjes Simoni. Miq të mirë të Apostolit janë edhe cifti i shquar i skenës e ekranit,  Petrika dhe Klaudeta Riza, violinistja Suzana Grabocka Opari është mike e Apostolit dhe e familjes sonë,  ruajmë ende miqësinë  30 vjecare, Behxhet Qyteti, etj. Apostoli jepte mësime në  kursin e kitarës në Shtëpinë e Pionierit “Mihal Grameno” Korcë…

-U nda nga jeta në moshë të re. Si ishin momentet e fundit të jetës së tij?A ka lënë dorëshkrime”

Në  një aktivitet që ishte  kthyer në traditë ishte “Buqeta” me këngë që ai organizonte në muajin Janar të cdo viti me këngët fituese të Festivalit të këngës në Radio Television, duke ftuar cdo vit një këngëtar të njohur, si të madhen Vace Zela, Mefarete Laze, Liljana Kondakci   dhe së fundmi ai ishte në Tiranë për të marrë Anita Taken. Por nuk mundi dot sepse vdekja e mbërtheu me kthetrat e saj, duke mos realizuar ëndrrën e  tij muzikore. Në momentin e fundit kur Apostoli dha frymën e fundit  në Tiranë, pranë tij ishte  operatori i Radio-Televizion-it, Agron Spahiu. Ai ka ngelur edhe sot e kësaj dite mik i përjetshëm i Apostolit dhe familjes së tij. Agroni solli orën, unazën, amanetin e fundit dhe këtë poezi të shkurtër shkruar nga Apostoli në orët e fundit të jetës

Pas vdekjes..

 

Një ditë vdekja do të trokasë,

Duam s’duam derën do të hapim,

Varrin mes stërgjyshërve

Aty do ta kemi,

Mbi shpinën e varreve tona,

Nipër e mbesa një cast do të heshtin,

Dhe kjo zemra do të trokase dhimbshëm,

Mbi supet e tyre dielli do të qeshi….

 

Në ditën e vdekjes së tij, kompozotori i njohur Simon Gjoni shkroi  në gazetat e kohës  shkrimin; “Autor i këngëve të realizuara”, ndërsa në shtypin lokal të Korcës shkroi asokohe, i ndjeri Sotiraq Vangjeli, ndërsa  Pëllumb Elmazi për këngët e tij; “Gëzimi i njerëzve të ditëe tona”. Apostoli Simoni ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ana humane e Apostolit ishte njeri i apasionuar pas pëllumbave i donte shumë dhe kalonte orë të tëra me to, fitonte   qetësinë shpirtërore dhe muzën për këngët e tij.

-A ka shkruar poezi apo tekste këngësh Apostoli?

Zakonisht tekstet  e këngëve Apostoli i merrte nga poetët korcarë, miq të tij. Nga poeti e publicisti Kostaq Duka kishte një bashkëpunim konstant e të dukshëm, e ndjera Mira Zaimasi, Petraq Kita, Klito Fundo, Skënder Rusi, etj. Me tekstin e këngës  që do ta bënte të njohur ishte kënga në Festivalin e 22-të të Këngës në Radio –TV; “Me ty bashkë gjithmonë të rinj”, ndoëse u shkrua për të qenë e fundit në ditët e karrierës së Apostol Simonit, e cila do t’i shënonte  emrin  e tij në rradhën e këngëve fituese. Më lejo të të tregoj një episod që ai nuk  e anashkaloi dot. Ishte pengu i tij për këtë muzikë të bukur. Ai kishte zgjedhur një poezi të poetit Vullnet Mato. Ishte një poezi për dashurinë e dy të rinjve, një mrekulli. Si sot e kam në mëndje atë ditë kur ju kthye kënga nga komisioni i festivalit, mbasi ajo muzikë duhej patjetër të kishte një tekst për Partinë e për udhëheqësin. E diskutoi me mikun  e tij Skënder Rusi dhe u gjet teksti. Brenda ditës kënga u pranua dhe ishte ajo këngë që ne e njohim sot; “Me ty bashkë gjithmonë të rinj”, kënduar nga Afërdita Laci Zonja dhe Liliana Kondakci, ishte kënga fituese e Cmimit të dytë.

-Përpos portretit dhe staturës intelektuale, por edhe talentit e kontributit të tij në muzikë , a do t’i mblidhni  në CD-i këngët e kompozuara prej tij? Nëse po, cili do të jetë roli hulumtus i tyre?

Sic të thashë këngët e tij janë më shumë të rregjistruara në partitura, sepse e tillë ishte koha. Disa i kam edhe në CD-i, por në kushtete e emigracionit nuk është mundësia ta bëjmë tani për tani, por djali shpreson ta bëjë në të ardhmen  një CD-i,  me këngët më kryesore të tij dhe kjo arritje nuk ëshjtë e largët. Le të jetë një thesar për fëmijëte e tij, për emrin e tij të mirë, për qytetin tonë Korcën, që ai e donte aq shumë. Apostoli ka shkruar dhe kompozuar  edhe këngë për Korcën, që  i kanë kënduar  Lindita Theodhori dhe Pëllumb Elmazi.

-Cili është mesazhi tuaj në vlerësimin e mosharresën e vlerave të tilla?

Për miqtë e tij, që e kujtojnë dhe ruajnë emrin e tij të mirë, le të jetë kjo INTERVISTË,  një vlerë për të gjithë korcarët qe e kanë njohur birin e tyre, që jetoi pak dhe kirijoi shumë.

Ju Faleminderit!

Bisedoi:Raimonda MOISIU

Brooklyn, New York, USA

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Apostol Simoni, Miranda Grabocka-Simoni, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT