• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

INXHINIERI I NAFTES I SHKRUAN AMBASADORIT KANADEZ QE NGA AMERIKA

January 20, 2014 by dgreca

Një sugjerim miqësor ambasadorit kanadez (rezident në Romë)/

Shkruan: Ing. AHMET ÇOLLAKU/

Z. Ambasador, E kam fjalën për intervisten tuaj dhënë këto ditë  gazetës shqipatre, “Shqip”.  Sikundër Ju, edhe unë që po  u bëjë këtë sugjerim  të vogël,  nisem nga  dëshira e mirë për  miqësi të qëndrueshme midis dy  popujëve tanë. Sugjerimi im ka të  bëjë me  intervistën tuaj, ku Ju nxitimthi flisni  shumë pak  edhe për kompaninë e  anës tuaj “Bankers Petroleum”, e cila prej vitesh bënë biznes përrallor në kurriz te popullit shqiptar, në  vëndburimin  gjigand  të Marinzës Shqiptare,  i njohur  në Europë…

Si ambasador i shtetit Kanadez që jeni, është krejtë normale të jeni i ndjeshëm dhe i shprehëshëm ndaj lidhjeve gjithëpërfshirëse me shtetin shqiptar si në fushat ekonomike dhe në ato  sociale. Nuk dua  të thyej imazhin tuaj të mirë për “Bankers Petroleum”, të dy jemi skofisët,  por më lejoni të theksoj që në fillim se Ju atë kompani e shikoni  nga pozicione të tjera,  nga larg  dhe nga  lartë,  jo brenda Shqipërisë time, që, megjithëse nën kembë ka pasuri të mëdha, i ka zgjatur duart botës për të  lypur. Lyp thash, dhe këtë gjë Ju e dini mirë.  Shqiptarët në përgjithësi dhe  banorët e zonës së Marinzës  në veҫanësi, e shikojnë dhe e ndiejnë  ndryshe biznesin e kompanisë  “Banker Petroleum”.  Ju në atë intervistë thoni konkretisht kështu: “…dhe si investitori më i madh në Shqipëri, “Bankers Petroleum” ka kryer përkushtime mbi përgjegjësitë sociale në komunitetet ku ai operon, përfshirë pastrimin e fushave nga ndotjet e vjetra të “Albpetrolit”, përgjigjja e shpejtë ndaj shqetësimeve të shtetasve, si dhe investimi në para në projekte për komunitetin…”  Kuptohet lehtë  se kështu  Ju mbroni luksin e shtetit kanadez,  në kohën që populli im, si thashë më sipër, lyp.  Si thoni, a nuk eshte ca paradoksale  të jesh i pasur dhe  përsëri të lypësh?! Ku bën kjo vaki në botë?!
Pa dashur të debatoj me Ju, po Ju  rikujtoj se ka  mjaftë probleme sociale  shkaktuara nga kompania  Kanadeze” Bankers petroleum”. Konkretisht banorët  e zonës janë acaruar  me kompanin në fjalë. Revolta e fundit e banorëve të asaj zone  mblodhi shumë njerëz dhe hapi dyert për një greve urie. Besoj se edhe Ju vet që nga Italia e pat atë tym të zi që nxiu qiellin e Marinzës si  gjest  ekstrem  kundërshtimi. Situata në këtë zonë është tepër e rënduar.  Nga shfrytëzimi barbar janë shembur shtëpitë e banorëve,  ambienti është  keqësuar… Ҫdo familje ka në shtëpi një ose dy anëtar  me karbon në gjak apo me  sëmundje të tjera. Ndotja  merret nga uji  apo nga produktet bujqësore. Afërsia e tokave bujqësore me puset e naftës ka bërë që ajëri dhe uji  indotur t’i vrasin qetë këta banorë autoktonë. Kurse ju e paraqisni situatën krejtë ndryshe. Mos ia kaloni këto akuza Albpetrolit Shqiptar, i cili po thahet nga mëkatet e këtij tranzicioni të tejzgjatur.
Për këto probleme  herë pas herë  është shkruar edhe në shtypin shqiptar. Konkretisht para ca kohe, një specialist i njohur i shkencës së Sizmologjisë Shqiptare, botoi  në gazetën “Respublica” një shkrim analitik për tërmetet e shumta të  shkaktuara nga kompania  “Bankers Petroleum”, kurse unë në shkrimin ”Sizmologjia dhe Sizmopolitika”, botuar  po në këtë  gazetë, rendit një për një gjithë problemet sociale të banorëve të asaj zone.  Për këto fenomene kanë shkruar edhe specialistë të tjerë të këtyre fushave. Të gjithë këta shkrime  thonë të kundrën e asaj që pretendoni Ju.
Që të mos zgjat shumë, po ju them ҫfarë tha ato ditë kryetari i komunës të zonës, zoti  Taulant Gremi. Ai tha,  “Ajo që shqetëson banoët e të gjithë zonës, është se që nga viti 2009  në të gjithë territorin ndodhin lëkundje sizmike që nuk dua t’i etiketoj as tërmete, as lëkundje, as shpërthime, por lëkundje sizmike, për të mos vënë gishtin e akuzës mbi asnjë. Shtëpitë janë prishur e banesa të tjera janë në gjendje që rrezikojnë shumë jetën e banorëve, shumë prej të cilëve s’jetojnë dot më në ato kushte”.
Z.Ambasador, ne u përkasim dy  fushave të ndrysheme, unë jam  specialist në një fushë aplikative të naftës shqiptare, i njohur këtu për rreth,  ndërsa  ju jeni një personalitet  politik i kompletuar në fushat diplomatike, pa dyshim i dëgjuar në gjithë botën.  Pra, ju jeni shumë me lartë se unë, por  këto probleme tona shoqërore dhe ekonomike,  puro shqiptare, ne shqiptarët i njohim dhe i ndiejmë më mirë, sepse ato janë pjesë të kuzhinës tonë. Ekzistojnë mjaftë probleme  midis banorëve të kësaj zone dhe kompanisë  “Bankers Petoroleum” saqë qeveritarët tanë përdridhen përditë ngaqë  nuk dinë çfarë të bëjnë, të jenë me “Bankers…” apo me  votuesit shqipatarë që i ҫuan në qeverisje.
Unë nuk e vë në dyshim  dëshirën tuaj të mirë për të thënë të vërtetën, por kjo do të merrte vlera reale, nëse Ju do ishit  takuar  me ata  protestues,  të uleshit këmbëkryq dhe të bisedonit shtruar për hallet  tyre, t’u bënit vizitë në shtëpi, dhe së fundi, përse të mos pinit edhe  ca  gota ujë nga burimet e asaj zone…
Z. Ambasador, në Shqipëri ka shumë probleme të nxehta. Pa dyshim Ju këto i dini  mirë. Ju  si  një i huaj e shikoni  Shqipërinë nga  larg, si  nje perlë,  kurse ne shqiptarët  të huajit i shikojmë  gjithmonë  si engjëj. Këtu është ndryshimi midis nesh. Kuptohet, janë qeveritarët-partiak shqiptarë ata që nuk bëjnë asgjë për  popullin tonë, ata që  zakonisht në kohë fushate  apo gripi  thonë se do t’i rishikojnë të gjitha marrëveshjet hidrokrabure me të tjerët, vetëm sa të marrin votat e popullit…  Populli shqiptar i vuan të gjitha këto allishverishe me të haujt në kurriz të tij,  ai e di mirë si është instaluar kompania  ”Bankers Petroleum”, se ky biznes  i shkon  marramendësh,  ndërsa shqiptarët shterngojnë rripin.
Ne shqiptarët  vazhdojmë të kemi  konsideratë të madhe për të huajt. E kemi në zakonet tona të lashta. Ne e dimë mirë se  populli dhe qeveria  Kanadeze  fton  dhe pranon  ҫdo orë refugjatë  shqiptarë, se ajo  i mirëpret  dhe i  trajton  ata  me kujdes. Ne, këtë nuk do ta harrojmë kurrë!  Po  ama, ne shqiptarët kemi edhe  një aforizmë të vjetër të atyre zakove që thahë më lartë, që thotë,  ne duam të na duan, por jo të na paguajnë dhe të na mashtrojnë!
Me respekt,
Ing. Ahmet Ҫollaku

 

Filed Under: Featured Tagged With: “Bankers Petroleum”, Ahmet Collaku, ambasadori kanadez, Nafta, Rome

SHQIPTARJA NE FLORIDA FITON “Rose Awards”

January 20, 2014 by dgreca

Shqiptarja Dhurata Asllani fiton çmimin e parë “Rose Awards” në shërbimin e ushqimit  në gjithë Floridën e Veriut/ Nga Keze Kozeta Zylo/

 Znj.Dhurata Asllani erdhi nga Tirana në vitin 1998 dhe u vendos në shtetin e Floridës.  Ndonese kishte provuar emigrimin pak vite më parë në Gjermani dhe atje ishin rregulluar mirë, përsëri Amerika për të dhe familjen e saj ngelet më e mira.  Profesioni i saj ishte kimiste, por me Amerikën luhet si të të diktojnë kushtet, për më tepër kur nuk vjen në moshën e artë.  E rritur në një familje me tradita të mrekullueshme shqiptare Dhurata së bashku me bashkëshortin e saj fisnik Qazim Asllani erdhën me ëndrra të bukura për vajzën e tyre të vetme Ejona e cila sot ka marrë edukimin e lartë në Amerikë dhe ka përmbushur ëndrrën e prindërve të saj.  Familja patriote dhe plot kulturë e Qazimit me origjinë nga Përmeti, ku xhaxhallarët e tyre kishin studjuar në Perëndim dhe njeri prej tyre ishte në Amerikë, e kishin ushqyer birin e tyre me dashurinë për Kombin, kulturën dhe punën, ndërkohë vetë Qazimi kishte ndjerë persekucionin që i kishte sjelle regjimi komunist, për shkak të prejardhjes së familjes.

Znj.Asllani filloi të punojë në një ndër hotelet prestigjioze Sawgrass Merriott Resort në guzhinë.  Ajo është dalluar atje për punën e saj tejet të përkushtuar dhe artin e gatimit, çka ka sjellë gjëra krejtësisht të reja duke shfaqur talentin e saj.

Në bisedën që pata me Dhuratën, më tregoi se ajo e ka pasur pasion guzhinën, mënyrën e shtrimit të tavolinës, rregullimin e bukur të mjedisit, dhe pastaj ngrënien nën tingujt e lehtë të pianos.  Duke dëgjuar me kujdes bisedën e saj, medoemos që shpirti i Dhuratës dhe fjalët janë të veshuar me petkun e bukur të artit.  Të gjitha këto e kanë bërë që të jetë e dallueshme në mjediset e këndshme të Hotel Merriott dhe të vlerësohet maksimalisht nga i gjithë ekipi ku ajo punon.  Ndonëse konkurrimi ishte shumë i fortë për gjithë hotelet si dhe për shërbimin në komunitet në gjithë pjesën Veriore të Florides, ku numri i kandidatëve ishte 158, Dhurata ja doli mbanë që të fitojë çmimin midis shumë amerikanëve që shërbejnë në këtë fushë.

Znj.Asllani është një grua zonjë dhe me shpirt të madh duke ndihmuar njerëzit në nevojë me kombësi të ndryshme dhe ju është gjendur pranë së bashku me ekipin ku punon shkruajnë kolegët e saj.

Ceremonia ishte madhështore pohon Dhurata dhe kur parakalova në tapet të kuq kishja shumë emocione, por ndërkohë ndihesha shumë krenare si shqiptare.  Dhënia e çmimit më jep më shumë forcë dhe kurajo dhe njëkohësisht ju shpreh mirënjohjen time gjithë komisionit të vlerësimit, redaktorëve që më përzgjodhën dhe më dhanë  vlerësimin serioz të punës sime, të cilën e bëj me dashuri dhe përkushtim.

20 Janar, 2014,Staten Island, New York

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: ne Florida, Rose Awaeds, Shqiptarja fiton

NDERIM APO PROVOKIM?!

January 20, 2014 by dgreca

Nderimi kryhet për njerëz dinjitarë që me veprën dhe punën e tyre lenë mbas vehtes kujtime me porosi për të mësuar edhe të tjerët gjatë veprimtarisë dhe jetës së tyre. Z. Janullatos -greku, në bekimin për vitin që sa filloi shprehet: “..të shprehim mirënjohjen e të forcojmë respektin për jetën e çdo njeriu duke luftuar dhunën, padrejtësinë dhe indiferencën që e rrezikojnë atë dhe ta mbështesim me solidaritetin tonë” Këto fjalë ashtu siç u thanë, sikur të gjenin zbatim në veprimtarinë e tijë gjatë këtyre 22 vjetëve që vepron në Shqipëri, do ta nderonin. Por e vërteta qëndron ndryshe:

Ai u dërgua në Shqipërinë postkomuniste “ateiste” për të ringjallur besimin duke pregatitur priftërinjë dhe peshkop Shqiptarë që në përputhje me Kanunoren e Kishës së Pavarur Ortodokse Shqiptare të ngjallnin besimin tek orthodoksit e atij vendi, pra të ishin lindur, rritur me gjak shqiptari dhe natyrisht me Kombësi dhe Shtetësi Shqiptare.

Dhe pa harruar se kjo Kishë Shqiptare ishte krijuar nga Atdhetarët Shqiptare të besimit Ortodoks si Fan Noli, Kristo Kirka e tj. këtu në Amerikën, Nënë të dytë të Shqiptarëve, me të vetmin qëllim që të mos varej nga kisha greke. Ky pikësynim Atdhetar erdhi si pasojë se priftërinjtë grekë nuk pranuan të varrosin Shqiptarët e vdekur në se do meshohej SHQIP gjatë ceremonisë mortore??!

Kur e mësuan shqiptarët këtë lajm u ngritën më këmbë dhe në një zë kërkuan që shqiptarët të shkëputeshin krejt nga kisha greke. Shikojmë pra, se Kisha Ortodokse Shqiptare lindi nga brengat e popullit tonë!
Ungjilli u shkrua në gjuhën greqisht në fillim, po si duket grekët e kënduan ungjillin vetëm përciptas, ndryshe do të kishin kënduar edhe këto fjalë: “Duaje fqinjin si veten tënde” dhe “Shkoni dhe mësoni të gjithë popujt secili në gjuhën e tij”.

Por asnjë të mos kujtojë se Janullatosi nuk veproi. Gjatë atyre 22 vjeteve Janullatosi hapi shumë varre të fëmijëve dhe të moshuarve shqiptarë dhe me kockat e tyre mbushi “varrezat e ushtarëve grekë”?? duke krijuar në tokat e Shqipërisë së Jugut kufirin e të ashtuquajtur vorioepir. Me hapjen e shkollave greke edhe atje ku nuk ka pasur, as edhe ka, asnjë grek, mbjell etjen shoviniste për zgjerim të kufirit grek duke kërkuar greqëzimin e shqiptarëve

Dhe si përfundim të kësaj veprimtarie shumë të gjatë kohore-mbi 22 vjeçare, I ashtuquajtur akademik nuk arriti( ose me mirë nuk deshi) të përgatisi asnjë, asnjë peshkop Shqiptar. Atëhere për çfare mund të nderohet, aqë më tepër në shkencat humane?!

Si mund te dërdëllisi alla janullatçe të forcojmë respektin për jetën e çdo njeriu duke luftuar dhunën, padrejtësinë dhe indiferencën kur refuzon kategorikisht pjesëmarjen në përshpirtjen e mijëra Shqiptarëve të Çamërisë që u masakruan dhe u vranë nga shovinistat grekë vetëm se ishin Shqiptarë??!

Në rast se nuk e di, le ta ndigjoi se më 1877 Peshkopi I ÇAMËRISË SHQIPTARE Grigori, përktheu Dhjatën e Re në GJUHËN SHQIPE se të krishterët Çamë, nuk e kuptonin meshën në greqisht. Ndërsa sot mbas 137 vitesh, Janullatosi meshon në mes të Tiranës greqisht???!

Duket qarte se keto “nderime” nuk behen nga authoritetet e Universitetit të njohur Amerikan , por nga qarqe të caktuara shoviniste greke, që bashkë me janullatosin ushqehen me idetë mesjetare bizantine të “megalidesë” Simbas asaj të gjithë ata që janë ortodoks konsiderohen grekë dhe se çdo banor tjetër I Greqisë që nuk I përket atij besimi duhet të greqizohet ose të zhduket. Ja si shkruan studjuesi A.Kola: “Përtej çdo dyshimi fuqia dhe pushteti I klerit sundoi deri në ditët e sotme dhe çdo gjë që u krijua gjatë asaj kohe, vulosi dhe historinë e Greqisë dhe përbëjnë burimin e fatëkeqësisë shumëvjeçare greke”. Dhe kjo ide bizantino shoviniste vazhdon të zotëroi edhe sot. Me këtë ide , ata u përpoqën të asimilojnë Arvanitasit ,po ashtu edhe sllavomaqedonasit, duke sajuar një shtet pa asnjë minoritet

I vetquajtur grek G. Tennet, me gojën e tijë ka pohuar se “ne grekët jemi komplotista te lindur” dhe prandaj bashkë me vllahun N.Gaxojanis, megjthëse të rritur këtu në Vendin e Madh të Demokracisë; në bashkëpunim me Janullatosin, përpiqen me të gjitha mënyrat për greqëzimin edhe të asaj pjese të Shqipërisë së Jugut, se pjesën tjetër atë të Çamërisë Shqiptare, mbas pushtimit dhe genocidit te ushtruar ndaj Shqiptarëve autoktonë mijëravjeçare mendojnë se e kanë te tyren??!

Duke marrë parasysh këto që shënuam më lart, kemi shpresë se të rinjtë tanë do të na kuptojnë më mirë dhe do të marrin vesh se pse luftojmë që të mos përhapet influenca greke në kishat tona Shqiptare

PRA JASHTE JANULLATOSI NGA SHQIPERIA!!

Sali Bollati.

New York, 20 Janar 2014

 

Filed Under: Featured Tagged With: Nderim apo provokim, Sali bollati

Mitrush Kuteli i Çamërisë,për Çamërinë

January 20, 2014 by dgreca

  ”Nga një det në tjatrin det, isha zot vetë”/

Nga Pertefe  Leka/

Njerëzit e mençur, të cilët na kanë lënë këshilla e mësime që vlejnë përtej kohës së tyre, duhet të jenë pjesë e vetëdijes  sonë. Më ka tërhequr një shprehje e një humanisti shqiptar,e një njeriu paqësor që luftoi tërë jetën e tij për drejtësi e barazi njerëzore kur shkruan: “Unë kam pasur gjithnjë,si bir i një populli të  vogël,një urrejtje  të madhe  kundër idesë së  zezë “popuj mbi popuj” ose  “të mëdhenj mbi të vegjël”, por popuj përkrah popujsh.Dh.Pasko.

Duke ditur se Dhimiter Pasko rrjedh nga fisi shqiptar Kuteli, nga Arta e Çamerisë,  ideja e Kutelit “popuj  përkrah popujsh”e  nxjerr në pah  vendin e origjinës së tij,Çamërinë  e cila sot  kërkon  jo vetëm  përkrahje kombëtare por edhe ndërkombëtare.E  ky njeri i gjithëvirtytshëm, e ka mishëruar  krenarinë për emrin e fisit me pseudonimin Mitrush Kuteli, që prej  këtij emri  njohim veprimtarinë madhështore të Dhimitër Paskos.

Ai ishte lindur në Pogradec, shkolluar në Selanik  e me vonë në Bukuresht në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, prej ku mori titullin “Doktor i Shkencave  Ekonomike,Bankare e Monetare”.

Kjo degë  i hapi perspektiva për një karrierë të shkëlqyer,profesion të cilin e ushtroi në Rumani e në Shqipëri.

Krahas kësaj Ai përparoi shumë edhe  në fushën e letrave duke u vlerësuar si një kapacitet,intelektual i veçantë…

Kuteli,përveç të tjerave, është edhe  autori i “Poemit Kosovar”, botuar me 1944.Në parathënien e librit “Sulm e Lotë”me titull “Një fjalë mbi dy shokë e mbi veprëzën e tyre”,autori nëpërmjet një udhëtimi  mbresëlënës nëpër Kosovë, flet shqip me vetveten,sepse  Izedini(pseudonim i Dh.Paskos) me të cilin bashkëbisedon,  është Kuteli.Edhe  Dr.Pas i cili e përshkruan biseden e tyre deri në fund,  është përsëri  pseudonim i Dh.Paskos.

Qëllimi i këtij  udhëtimi sipas autorit  është:”Do deshnja të  shkruaj një poem të qendrimit shqiptar ball për ball me rebeshet  e historisë.Dhe do desha t’a nis me rrënjën ilirike”M.K. Autori  ka dhënë lidhjet e njeriut të thjeshtë,(që kanë thesarë në shpirtin e tyre.M.K.) me tokën, jo vetëm si burim jetese, por edhe  lidhjet qindra  vjeçare me  Atdheun.

Komunikimi  i poetit është i qartë, i drejtëpërdrejtë,këmbëngulës,me tone të ashpra për ata që na kanë grabitur tokën dhe nëpërkëmbur Atdheun.Vepra  merr sot vlera shumë dimensionale,sepse  trevat shqip-folëse  janë  më të afruara, janë më të ndërgjegjësuara  në vetëdijen kombëtare, pavarësisht kufijëve të cilët për pak kohë do të jenë të kapërcyeshëm,në B.E.

Ai ishte krenar për  Asimët e Qerimët e Kosovës për të cilët ëndërronte lirinë  e pavarësinë e tyre, duke kaluar në disa etapa të paraqitura në poemë: Qëndrimi,Durimi,Sulmi,Ndërtimi,Qëndrimi.

Tani, që populli Kosovar realizoi dëshirën e madhe  të poetit, zëri i tij  buçet triumfalisht:

“Hej! Komb i lirë Kosovar/ti komb shqiptar/ti zot krenar”/.M.K.

Po ky zë do të ketë  të njëjtën ushëtimë edhe  për  bijtë e  Çamërisë,viktima të  gjenocidit grek,kur Kuteli shkruante: ”Dikush guxoj t’i zhdukë,t’i tjetërsojë,t’ju marri tokën,gjënë e gjallë,t’ju marri edhe jetën..dhe pastaj,i thanë të ikte në Stamboll,Anadoll dhe me tej” e gjithë kjo  për t’jua shuar kujtesën historike.

Por, jo.

Ashtu si paraardhësit e Kutelit  të shpërngulur nga Arta dhe të tjerë e të tjerë  të shpërngulur me forcë  nga “Vatani” të cilin e donin  si “xhani”e revoltojnë poetin dhe me tërë energjinë i dënoncon agresorët:“Tokën që e kishte trashëgim nga baba,nga gjyshi,rrënjë pas rrënje prej qindra vjet,prej mijëra vjet ma muar “dhe “Më thanë të ik n’Albani/Vatan i ri /I kombit tim/si shkoj Selmani/Hasani/e Dani/”

Bashkëkombasit e Kutelit, pavaresisht nga religjioni, janë vëllezërit e tij,ndaj   e thotë me zë të lartë “Shaban-vëlla!/Destan-baba”/. Si rilindës i vërtetë ai e përforcon idenë e tij se“përmbi fe e kam Vatan e kam  Atdhe”.

Guximi i këtij njeriu të madh merr shkas nga  fuqia e bindjes historike se “Un’ jam këtu/e do të jem/-dem baba dem-/Sa mali të bëhet hi/E hiri mal përsëri!”M.K.

Kuteli si poet e prozator i bëri nderë kombit shqiptar duke nxjerrë në pah tiparet më të mira  dalluese midis kombeve të tjera,i vendosur thekson”Dhe kam uri/Si s’ka njeri/për Drejtësi/e për Liri/.

Kuteli në fushën e edukimit  i përkiste shkencave ekzakte,shifrave dhe kalkulimeve matematike të cilat kurrë nuk i tjetërsoi. Pra  kemi të bëjmë me një ekonomist  të sprovuar aktiv e shkencor që edhe sot mund   të konsultohen me veprën e tij.Ai  e vuri në jetë doktoraturen, punoi në institucionet më të rëndësishme të ekonomisë duke mos u komprometuar me asnjë regjim,por duke mbetur kundërshtar i vendosur për padrejtësitë që kërkonin t’ia impononin.

Pa u shkëputur nga shifrat si ekonomist  ai kalkuloi  jetët njerëzore,në tokën e trashëguar  nga të parët:”Unë jam këtu kur Mal i zi /Me shumadi/ Me Dallmati/ Sa mban e gjitha  Shqehëri/Ish Iliri.E mbron historikisht  autotoktonine mijëra vjeçare te shqiptarëve.

Tërë jetën  në gjithë veprimtarinë e tij kërkoi  përsosjen e njeriut ndaj të mirës e humanës.Ai vetë ishte model i përsosjes morale,në të gjitha drejtimet.

Modestia e Dhimitër Paskos e shfaqur në shumë pseudonime,Janus,Izedin,Jashar……është një tipar dallues i karakterit të tij,është shkrirja  me njerëzit e thjeshtë.

Si Dhimitri i studimeve të larta dhe Izedini me shkollën e jetës, bashkjetojnë në harmoni duke këmbyer përvojat e tyre.

Kuteli i ka theksuar me të madhe emrat; Hasan,Selman,Jashar e Dan, sepse pushtuesit i kanë trajtuar si të huaj në vendin e tyre.Për poetin nuk ka asnjë diferencë me emrat  Dhimitër,Dhimitraq,Mitrush,sepse kanë një emër të përbashkët,ata janë  shqiptarë.

Ai që e shoqëronte në udhëtimin nëpër Kosovë  ishte përfaqësuesi i urtësisë popullore.

Në një bisedë me te  shkruan :”Izedini rrinte pranë meje dhe vështronte fushën e bleruar që shtrihej gjer tej nër ato brigjet e kaltra.”Kur e pyeti,”Kjo është Kosova?” Izedini u përgjegj: “Edhe kjo edhe ajo përtej,Kosova jonë,gjithmonë shqiptare!”

Duke i besuar personazhit historik,Mitrushi entuziazmohet kur dëgjon se Kosova jonë është, edhe Kjo, edhe Ajo, që shtrihet në brigjet e kaltra.

Kureshtja përforcohet   kur përshkruan se “Përtej kufijëve të sotme,në Shkup e tatëpjetë është një Kosovë tjetër e robëruar”M.K.

Secili mund ta kuptojë se Kosova,Kjo dhe Ajo, plus  një Kosovë tjetër e robëruar tatëpjete Shkupit, që shtrihen  deri ne brigjet e kaltra,  janë   trevat shqiptare jashtë kufijve të cilat i mbron vendosmërisht se ”Nga një det në tjatrin det isha zot vetë”M.K.

Kështu në përceptimin e Paskos,të gjitha pjesët e paraqitura më sipër, me emrin Kosovë, plotësojnë Shqipërinë natyrale.

Gjatë udhëtimit,i lindnin  shumë “pse” lidhur  me  kufijtë e Shqipërisë,Ai e përmend, Shqipërinë e vogël,por nuk përmend,Shqipëri të madhe, të ndarë apo të bashkuar,sepse të gjitha trevat e robëruara të theksuara më lart e plotësojnë të tërën.Vendosmerisht shprehet:“Unë jam këtu”.

Vlen për t’u theksuar se kjo “tjatër Kosovë e robëruar”,”tatëpjetë Shkupit” që  “shtrihet në tjatrin det”,nuk ka emër tjetër,veçse  Çamëri.

Pra  të gjitha trevat e ndara nga trungu,i ka mbiquajtur Kosovë,sepse kanë të njëjtën  histori,si ajo e Kosovës.

Ai ecën me imagjinatën e tij në atë tokë të zhuritur nga masakrat dhe konstaton:”shtëpinë e pashë kur m’u doq/e pashë foshnjën kur m’u poq”.. por pa u përkulur, heroina shqiptare,e mbijetuara e këtij hollokausti,  i lutet  Shënmerise:

“E ‘rgjende je,moj Shërmeri/Ah,fal-më,ti,një mituri/T’a mbaj në gji/T’a mbaj t’a rrit për Shqipëri”(Poemi I Shndaunit)

Padrejtësitë që iu bënë kombit të tij e bënë luftëtar të paepur, padrejtësitë individuale, i përballoi me një karakter të fortë dhe të palëkundur deri në flijim.

Si prind dhe si bashkëshort ishte ideal.Si  ekonomist dhe drejtor  banke ishte i pakomprometuar.

Nuk ishte e lehtë  të luftoje kundra  grabitjeve gjermane,italiane, në kohën e pushtimit nazi-fashist, kur bënin përpjekje  për ndërrimin e monedhës, inflacionin,konçensionet etj.. Po të njejtën gjë bëri edhe në  Rumani  për të mbrojtur kapitalin vendas nga kapitali i huaj.

Vlen për t’u përmendur mbrojtja që i bëri kapitalit të ebrejve,në bankë,siç shkruante,se gjermanet  -desh më varen te bashkia,për këte veprim.

Këte qëndrim mbajti  edhe në vitet e para të çlirimit kundër grabitjeve jugosllave. Kundërshtoi njësimin e monedhës,por për këte  e arrestuan,e burgosen,e torturuan  e internuan …….por ai qëndroi me dinjitet,dhe mbijetoi duke punuar pa pushim.

Të gjitha vuajtjeve qe i dolën në jetë u dha vetëm një përgjigje: “E drejta jonë është të mbrohemi  duke luftuar ndershmërisht”.

Dashuria e flaktë  që kishte ndaj Atdheut dhe njeriut të thjeshtë e përforconte  idenë e tij se për ke duhet të përpiqemi.

Shqipëria në ate kohë kishte nevojë  për ekonomistë por nuk e lanë ta ushtronte  profesionin,për të cilin  kishte investuar dhe  ku dëshironte të jepte dituritë dhe përvojen e tij  në këtë fushë.

Ai mbijetoi,duke punuar me një makinë shkrimi  si përkthyes, falë përgatitjes se tij intelektuale,kulturës së gjerë dhe vullnetit të pamposhtur.

E vetmja mbështetje,ekonomike,morale,familjare ishte e shoqja,Efterpi,një grua fisnike e rrallë e cila ia krijoi te gjitha  kushtet që të punonin së bashku me  harmoni  në shtëpizën- studio.

Rastësisht e kam njohur në një takim me nxënësit, në shkollën 4 Dëshmorët në vitet 1962.

Në programet shkollore planifikoheshin takime me shkrimtarë.Me që shtëpia e tij ishte afër shkollës dhe fëmijet e tij merrnin mësimet në ate shkollë,një mësues i nderuar i asaj shkolle prof.Beqir Dibra ma rekomandoi për ta realizuar   takimin në fjalë.

Vajza e tij Atalanta, ishte nxënëse në atë shkollë dhe me anë të saj u bë lidhja që shkrimtari  të vinte për një bashkëbisedim.

Të gjithë mësues e prindër flisnin me konsideratë të admirueshme për familjen Pasko.

Takimi  me këte personalitet, më ka lënë një impresion  të paharruar.Gatishmëria e tij  për të komunikuar me ata që ishin  të etur për dije e bëri shumë të ngrohtë biseden.

Megjithëse tregimet e tij nuk botoheshin në tekstet shkollore,për arësye të paarsyeshme, shkrimtari  transmetoi me shumë dashuri virtytet e trimëritë e shqiptarit në tregimet e moçme shqiptare e në luftën nacional çlirimtare.

Ai nuk tha asnjë fjalë për “Poemin Kosovar” që e kishte aqë për zemër dhe askush nuk guxonte ta pyeste për ate.

Për koinçidencë,në atë kohë,  dy studente kosovare brilante, Naimja dhe Zymja,ishin arratisur nga Kosova e robëruar me poemin Kosovar në kokë dhe kërkonin me çdo kusht ta takonin poetin duke ditur se poeti  kishte dalë nga burgu, por pa ditur  se “Poemi Kosovar” ishte ende në burg. Në atë kohë nxënësit nuk kishin njohuri për Kosovën  e jo më të mësonin  vargje që i dedikoheshin asaj.

Nga letërsia recitohej Majakovski për të hequr një  paralele me diktatorin  se partia e Lenini ishin një, por askush  nuk guxonte  të thoshte se Shqipëria e Kosova ishin një komb.

Një poet aqë i vrullshëm në Poemin Kosovar ishte aqë i qetë dhe i  drejtëpërdrejtë  në komunikim.  Të impononte respekt me fjalën e ëmbël që depërtonte natyrshëm, me thjeshtësinë e komunikimit, me mirësinë që rrezatonte. Ishte Orakulli i vërtetë.

Tek Ai ishin mishëruar cilësitë  më të mira qytetare të një atdhetari iluminist,një rilindës  që kishte në zemër urtësinë popullore.

Shkrimtari me origjinë nga Çameria,na flet edhe sot se si duhet ta tejkalojmë dhimbjen e vuajtjeve edhe në tokën e shkretë,aty  ku  duhet të gjallohet jeta:  Dhimitri dhe Hasani, bij te Çamërisë,pavarësisht nga religjioni, të dy me besim te Zoti,kërkojnë të jetojnë së bashku, në harmoni me njeri tjetrin,shembull i shkëlqyer i shqiptarëve.Ata kërkojnë  të drejtën,për tokën,trashëgiminë dhe historinë me një fqinjësi të admirueshme, duke thënë se jemi këtu “dem-baba-dem”.Në se një ditë do të ngrihet një obelisk në qendër të Kosovës  dhe të Çamërisë, për lidhjet e shqiptarit  me  paraardhësit, për të afirmuar identitetin kombëtar, duhet të gdhendën mbi te vargjet e pavdekshme  të “Poemit Kosovar” shkruar nga Dhimitër Pasko, që brezat  ta mbajnë si pasaportën  më të vyer të popullit shqiptar.Brezi i ri i sotëm duhet t’i  dijne përmendsh vargjet e poemit,  sepse është historia e karakterit  të popullit tonë në vargje,është shpirti i një populli që do të vazhdojë të kërkojë  drejtësinë e mohuar.

Kjo  figurë shumëplanëshe e kombit shqiptar,duhet të marri vlerat më të larta, si në Kosovë e në Shqipëri,sepse Dhimitër  Pasko,me veprën e tij edhe  sot vazhdon t’u flasi brezave.

Filed Under: Featured Tagged With: Cameria, Mitrush Kuteli, nag Pertefe Leka

Rezoluta e Bujanit- 2 Janar 1944. PARA DHE MBAS (II)

January 20, 2014 by dgreca

 Me rastin e 70  vjetorit/

Nga Prof.  Sami Repishti/

 Me 12 shkurt 1945, me qellim te perhapjes masive se propagandes zyrtare, u themelue gazeta Rilindja e cila shpejt u transformue ne burimin kryesor te lajmeve per qytetaret e Kosoves. Njikohesisht, me qellim te mashtrimit te popullit shqiptar te Kosoves, ne prill 1945, u krijue Keshilli Nacional i Shqiptareve per Kosove e Rrafshin e Dukagjinit me qellim “.. te ndihmohej popullsia per shfrytezimin e fryteve te Luftes Nacional Clirimtare, per afrimim kombetar, per çlirim social, per ngritje politike, kulturore, arsimore…”Ne prill 1945, perfaqesuesit e Keshillit Nacional Shqiptar per Kosoven dhe Rrafshin e Dukagjinit, i paraqiten Presidentit J.B.Tito shtate kerkesat e tyne. Me gjithe premtimet e marruna nga Tito, roli i Keshillit Nacional i Shqipetareve perfundoi shpejt, udheheqja e tij u eliminue politikisht dhe nji pjese edhe fizikisht.

Ne kete atmosfere, u mblodh ne Prizren me daten 8-10 qershor 1945, per here te pare, Keshilli Nacional-Clirimtar i Kosoves dhe Rrafshit te Dukagjinit. Gjate kesaj mbledhje u pa i qarte qellimi i serbeve me ushtrimin e frikes dhe te dhunes ushtarake kunder delegateve, te cilet nen presion te vazhdueshem u detyruen me deklarue si “pa vlere” Rezoluten e Bujanit, dhe me  kerkue bashkimin e Kosoves  “Krahine Autonome e Kosoves dhe Metohise-KAKM” si pjese e pandame e Federates Jugosllave dhe pjese perbase te Republikes se Serbise. Vendimet e mbledhjes se Prizrenit konfirmuen dyshimet e shume atdhetareve kosovare ne qellimet e serbeve. Por u ndertue si njisi “autonome”, berthame e mundeshme per “republike”

Me 7 gusht 1945, Mbledhja e III e AVNOJ-it aprovoi “kerkesen” e perfaqesuesve te Kosoves per pjesemarrje ne Federaten Jugosllave, dhe me 3 shtator 1945, nji vendim i ketill u muer edhe nga Kuvendi i Republikes se Serbise. Kosova ishte tashma nen sundimin e dy entiteteve: federative jugosllave dhe republikane serbe. Ashte e randesishme me vue ne dukje se Kosova u ba anetare e Federates jugosllave para se te perfshihej si pjese perbase e Republikes serbe.

Ne periudhen para-kushtetuese (nandor 1944 -31 janar 1946)  Kuvendi i Krahines Autonome te Kosoves e Metohise (KAKM)ka gezue nji pavaresi gjyqesore, si dhe perfaqesohej drejte per se drejti ne Keshillin Antifashist Nacional Clirimtar te Jugosllavise, (AVNOJ) nepermjet 15 deputeteve qe kishte zgjedhe Keshilli Krahinor per organin ma te nalte federal te pushtetit te ri.

Me 31 janar 1946, u  aprovue Kushtetuta e pare e Republikes Federative Demokratike te Jugosllavise, ku u konfirmue edhe “autonomia” e Krahines Autonome e Kosove-Metohise (KAKM). Aty thuhet:

“Republika e Serbise ka ne perbamje (u sastavu) te saj Provincen Autonome te Vojvodines dhe Krahinen Autonome te Kosove-Metohise” (Neni 2,seks.2, i Kushtetutes Jugosllave, 1946) .

Ne baze te ketyne akteve, gjendja e vendosun ne Kosove e aprovueme edhe nga organet legjislative te Federates Jugosllave dhe te Republikes se Serbise, KAKM nxori Statutin (jo Kushtetute!) e vet si aktin ma te nalte dhe ne pajtim me Kushtetuten e Federates Jugosllave. Per arsye politike, -marredhanjet e mira me Shqiperine dhe qellimet e matejshme te nji bashkimi me Jugosllavine,- Statuti i KAKM nuk u botue deri ne korrik 1948, mbas prishjes se marredhanjeve me Shqiperine.

Keqesimi i marredhanjeve shqiptaro-jugosllave (qershor,1948) krijoi nji situate te veshtire per KAKM ngushtoi veprimtarine e Krahines dhe forcoi varesine e saj nga Republika e Serbise. Per ma teper, Federate Jugosllave qe kishte marre persiper kryemjen e disa projekteve –kryesisht strukturen e komunikacionit dhe shendetesine –i pezulloi ata, ndersa Fondi i Federates nuk dha asnji dinar per zhvillimin e Kosoves. Ky fillim jo-parimor krijoi bazen e mbrapambetjes se KAKM, nji mallkim qe e shoqenoi deri ne fund. Vetem ne vitin 1953, filloi dhanja e huave me interese per Kosoven. Para kesaj date, huate federale kishin karakterin e “grant”it, dhurate direkte.

Ne vitin 1953, Serbia ia doli me ba ndryshimet e kushtetutes serbe, simbas te ciles, “krahimat” nuk shiheshin perseri si rezultati”…i vullnetit te lire te popullit me u bashkue me Serbine federale”, por si “te drejta te akordueme nga Serbia  per organizim te nji autonomie”. Ky  qendrim serb u konfirmue edhe me ndryshimin e disa dispozitave te Kushtetutes Federale te vitit 1946 (Kreu XI i Kushtetutes u zevendsue me nji kapitull te ri Kreu IV) te percaktuem si “Dispozitat Parimore mbi Organet e Pushtetit te Krahinave Autonome” KAKM ishte tashma nen kontrollin serb. Me qellim qe te eliminohej mundesia e nji “kthese”qe mund te ngrente Status-in e KAKM, Ligji Kushtetues Federal abrogoi dispoziten e “nenit 44” e cila mundesonte krijimin e republikave te reja, si dhe formimin e krahinave te reja autonome.

Nji zbritje e ketill e pozites se KAKM ka qene pikenisje per kerkesat kosovare me ngrite statusin e Kosoves ne rangun e nji “republike federale”, qe ne thelb, ishte nji kerkese e drejte per barazi kombetare. Me gjithe kufizimet e imponueme dhe mohimit te drejtave te garantueme nga Lufta Nacional-Clirimtare e popullit kosovar, prap se prap KAKM mbeti, ne thelb, nji njisi autonome me identitet te caktuem shqiptar,  si berthame e mundshme e nji shteti ne te ardhmen.

Si popullsi me shumice dermuese shqiptare te KAKM, shqiptaret nuk mund te trajtoheshin si “pakice kombetare”, nii qendrim-e trajtim- qe u perdorue per “pakicat” jashte KAKM, -ndersa madhesia e saj tokesore nuk lejoi qe ajo te bie ne nivelin e “rretheve” administrative. Perkundrazi! Madhesia e KAKM detyroi Republiken e Serbise te barazoje poziten e KAKM me ate te “Provinces” se Vojvodines, nji akt kushtetues , ne parim, cilesor.

Me ndryshimet kushtetuese te vitit 1963, gjendja e Kosoves u keqesue: dy krahinat autonome humben autonomine e tyne financiare e gjyqesore. Ne praktike, megjithese jo ne teori, ata u reduktuen ne dy njisi administrative serbe.

Krahas degradimit te konceptit te “autonomise” ne praktike per shqiptaret e Kosoves, Qeveria Federale, kryesisht serbe, adoptoi tri masa administrative “me eliminue rrezikun nacionalist”:

E para, shpernguljen masive te shqiptareve , kryesisht ne Turqi;

E dyta,  procesi terrorist i mbledhjes se armeve,

E treta, kufizime artificiale , me ngadalesue zhvillimin e ekonomise dhe kultures.

Me ndryshimet e vitit 1948 ne marredhanjet shqiptaro-jugosllave, popullsia e KAKM u “transformue” mbrenda dites nga propaganada jugosllave nga “bashkepunmetore te okupatorit” ne “staliniste” dhe ma vone “enveriste”. Qellimi i ketij deformimi duket se ka qene mos-perfillja e shqiptareve ne Jugosllavi, dhe perforcimi i mbrapambetjes se tyne ekonomike dhe kulturore; si mase e vorfen dhe pa kulture, ajo mund te manipulohej ma me lehtesi. Eliminimi i udheheqjes shqiptare te Krahines, dhe pengimi i daljes ne skene te nji klase te edukueme qe mund te sherbente me paraqite pikepamjet e shqiptareve me dituni e kambengulje –ashtu si ngaju ma vone- Beogradi synonte keqesimin e konditave jetesore ne Kosove, dhe eventualisht emigrimin masiv te tyne, nji fenomen negativ qe  mori zhvillim. Autori kosovar, Jusuf Buxhovi, spjegon:

“ … Ne perputhje me kete synim, do te mbyllet Instituti Albanologjik ne Prishtine, do te mbartet Shkolla Normale nga Gjakova ne Prishtine, qe pas pak edhe ajo do te mbyllet, do te serbizohen te gjitha emertimet e ndermarrjeve, fabrikave, ato te shoqatave kulturore apo klubeve sportive dhe te tjera, te cilat do te shkruhen me alfabetin cirilik; me nji fjale, do te anulohen te gjitha ata qe kishte kerkuar dhe jetesuar Keshilli Nacional i Shqiptareve nga  fillimi, dhe ne saj te angazhimit te veprimtarive te tij” (Kosova,316)

KJo veprimtari radikale serbe shkaktoi reagim ne popullsine shqiptare e cila çfaqi kundershtimin e saj me organizimin e levizjeve revolucionare te viteve ’60, programi i te cilave ishte “bashkimi me Shqiperine”, ne ate kohe diktature e eger staliniste. Perseri, vendimet e Bujanit dolen ne skene si pike frymezimi patriotik. Ky zhvillim tregonte mungesen e besimit te popullsise ne programet e perpunueme ne Beograd, e sidomos neglizhimin e arsimit dhe mohimin e fondeve financiare federative per zhvillim ma te shpejte ekonomik.

Krahas me kete prirje “revolucionare” u çfaq ne Kosove tendenca e njohun e “Levizjes Nacional Demokratike Shqiptare” (LNDSH) e viteve te para (1945-1947) per ndergjegjsimin e elementit aktiv e te afrimit me Boten e Perendimit, si dhe mospajtimit me ideologjine politike. Si rrjedhim, kerkesat per nji forcim te identitetit kombetar shqiptar  ne kuader te Jugosllavise Federale, filluen te ndryshohen, dhe bashkimi me Shqiperine u ba kerkesa kryesore e dites. Ne keto dite, çfaqet edhe aktivisti “enverist” Adem Demaçi, si figure simbolike e bashkimit me Shqiperine, nji kerkese se ciles i kishte kalue koha. Kosovaret, te shgenjyem nga zhvillimet politike  dhe terrori komunist ne Shqiperi, ishin te vendosun me pase shtetin e tyne, mundesisht me evolucion kushtetues, tue fillue me kerkesen “Kosova-Republike”.

Kane qene demonstratat masive te vitit 1968 ata qe i dhane levizjes kosovare karakterin e saj te qendrueshem: jo bashkim me Shqiperine, por nji proçes shtet-formues qe synon nji republike te Kosoves mbrenda kuadrit te Jugosllavise federative. Parulla “Kosova-Republike” u ba udherrfyese ideologjike e popullsise dhe forma ma e plote e kerkeses per barazi ne Federate, por jashte kuadrit te Republikes se Serbise.. Nji percaktim i ketill logjik u pergjigjej mire kerkesave te Kosoves- barazi pa ndryshim te kufinjve nderkombetare- dhe ngriti nivelin politik te levizjes; kosovaret kishin tashma nji objektiv te caktuem, historikisht te justifikuem, dhe jo agresiv e revolucionar., i cili nuk mund te kundershtohej me arsye, me gjithe kercenimin e dhunes ushtarake serbe.

Akuzat jugosllave per “kunder-revolucion” dhe “separatizem” nuk pranoheshin lehte nga qarqet e edukueme te shoqenise jugosllave (me perjashtim ndoshta te Serbise, Malit te Zi  dhe Maqedonise), as edhe nga qarqet diplomatike nderkombetare, amerikane dhe europiane (kryesisht gjermane).

Ky qendrim nuk pengoi autoritetet jugosllave me shtype egersisht çdo gjurme kundershtimi ne Kosove. . Nji aspekt i kesaj dhune ka qene persekutimi i klases se re intelektuale shqiptare, tani e njohun si forca udheheqse e levizjes mbarepopullore per nji Republike te Kosoves

Me Plenumin e IV te KQ te PKJ (qershor 1966) u krijue nji mundesi per shqiptaret e Kosoves me avancue programin e tyne qe synonte, si gjithnji ma pare, forcimin e lidhjeve direkte me Federaten Jugosllave, ne kurriz te dobesimit te lidhjeve te imponueme me force me Serbine. Ramja e A. Rankoviqi-it, koka drejtuese e shovinizmit serb, personi qe punoi ma se shumeti me avancue programin e nji “Serbie te Madhe” mbrenda Federates Jugosllave, ndezi shpresa te reja per nji levizje reformiste nga e cila do te perfitonte edhe Kosova. Ndryshimet kushtetuese (amendamentet) e vitit 1967 e ngriten nivelin e diskutimeve mbi Kosoven (dhe Vojvodinen) si “krahina autonome”  dhe ushqyen kerkesen “Kosova-Republike!”, nji kerkese e denueme rande nga Kushtetuta e vitit 1963, qe dobesoi lidhjet e Kosoves me Federaten, dhe plotesoi deshirat serbe per kontroll mbi Kosoven.

Nji zhvillim i paparapame –dalja ne skene e Jugosllavise si faktor kryesor per reforma liberale, fitoi simpatine e “vendeve te pa-angazhuara” (ish-kolonite) dhe bani te pamundun kthimin ne sistemin autoritar, centralist, qe preferohej nga forcat regressive te shovinizmit serb. Tashti, dalja ne skene me fuqi ne Jugosllavi e “çeshtjes kombetare” kerkonte nji zgjidhje te pranueshme, qe eventualisht do te sherbente edhe si shembull per shume vende te pa-angazhueme. Termi “pakice kombetare” u zevendsue me termin “kombesi”, popullsi qe nuk perban korpusin kryesor te nji kombi (zakonisht i perfaqsuem ne nji “shtet”- si Shqiperia per Kosoven).  Jusuf Buxhovi spjegon:

“ … Ky ndryshim nuk ishte vetem çeshtje terminologjie. Perkundrazi, kjo kishte te bente me nje perkufizim me adekuat per poziten e pjesetareve te kombesive si dhe rolin e tyne te ri qe do te kene ne Jugosllavi si subjekte te barabarta ne Federate, me çka krijohen kushte reale qe pozita e Krahinave (KAKM dhe PA e Vojvodines) te nxirreshin nga tutela serbe ku ishin futur me Kushtetuten e vitit 1963, per t’u kthyer ne ate te Federates…”(Kosova,328)

Nji zhvillim i ktille fatlum do te hapte rrugen per kerkesa ma te guximshme dhe ma konkrete nga ana e shqiptareve te Kosoves, siç jane anulimi i procesit te kurdisun te Prizrenit (1953) dhe pezullimi i shpernguljevet  shqiptare ne Turqi.

Ngritja e KAKM ne nivelin e nji njisie federale pruni edhe ndryshime substanciale ne Kosove; jo me pak randesi ka qene zevendsimi i anti-shqiptarit Dushan Mugosha si udheheqes i PKJ per Kosoven, me shqiptarin Veli Deva.

Pozita e forcueme e shqiptareve te Kosoves u perkrah edhe nga elemente reformiste te Federates jugosllave –kryesisht sllovene dhe kroate.  Ne veprimtarine e tyne kosovaret u perqendruen:

–          ne zhvillimin ekonomik te Kosoves; dhe

–          ne emancipimin ma te shpejte shoqenor dhe kombetar, si dhe ne emancipimin e kombesise shqiptare me forcimin e barazise, nji zhvillim qe duhej shprehe edhe nepermjet ndryshimeve kushtetuese  (Buxhovi,op.cit.331)

Gjendja e re krijoi mundesine e  zbulimit te diskriminimit te gjithaneshem serb ne Kosove, sidomos ne arsim dhe ekonomi, me synimin e pagabueshem ne reduktimin e Kosoves ne nji Krahine te paarsimueme dhe thellesisht te mbrapambetun ekonomikisht., ku vorfenia dhe paditunia do te ndihmojshin emigrimin e shqiptareve ne Turqi, nji objektiv kryesor serb.

Ne kete atmosfere optimizmi, ne Kosove nuk munguen edhe referencat ne Rezoluten e Bujanit dhe sidomos parimit te vete-vendosjes, tue perfshi edhe te drejten e shkeputjes. Ne prill 1968, Fadil Hoxha, udheheqes komunist kosovar, kerkonte haptazi njohjen me kushtetute te barazise kombetare ne mes te kombeve dhe kombesive….(perndryshe)…kjo kombesi (shqiptare) do te ishte jashte ose mysafire, ose diçka tjeter” qe la te kuptohet  nji “toke e pushtueme”.

Ne kete fryme u mbajt mbledhja e Aktivit te komunisteve te Gjakoves, nga ku doli qendrimi se “Kosova do te mund te behej Republike” . Nga ky formulim, Aktivi i Gjakoves kerkoi:

1)     Kombesia shqiptare te emertohet ‘kombi shqiptar’

2)      te percaktohet me Kushtetute perdorimi i flamurit kombetar shqiptar,

3)     te shpallet KAKM si “Republika e Kosoves’.

Qendrimet e Aktivit te Gjakoves u mirepriten ne te gjithe Krahinen. Ne Aktivin Politik te Prishtines u perseriten keto kerkesa, dhe u ngul kambe qe Kosova te njihet dhe te trajtohet si “njisi federale” me te drejta te plota.

Reagimi  serb kundrejt kerkesave kosovare ka qene i terbuem. Ne mbledhjen e forumeve publike qendrimi Kosovar u paraqit si “tratheti e serbizmit”.

Kunder-reagimi Kosovar mund te permblidhet ne deklaraten e prokurorit te pergjithshem te Kosoves, Rezak Shala:” Republika e Kosoves ashte imperativ i kohes, dhe nga kjo e drejte nuk duhet heqe dore”.

Megjithate, nen presionin e udheheqjes federale, kryesia e komunisteve te KAKM u detyrue te terhiqet. “Opsioni i Republikes se Kosoves nuk ka qene asnji here pjese e kerkeses se komunisteve te Kosoves…por pasurimi i pozites Kushtetuese te Kosoves ne nivel te Federates.” (Buxhovi, Kosova,104)

Kompromisi i arritun se Kosova duhet te ngrihet ne shkallen e njisise federale, por duhet formalisht te mbetet e lidhun edhe me Republiken e Serbise, u spjegue nga Fadil Hoxha si vijon:

”…Nuk don te thote se nuk mund te shtrohet çeshtja e Republikes….Por duhet te vleresojme se çka ashte reale, vertete reale dhe e mundshme ne kete drejtim te afirmimit te autonomise, qe don te thote esenca te arrihet dhe, nga ana tjeter, te kuptohet se çka ashte deshire”. (Buxhovi.op.cit.342)

Kjo “terheqje taktike” shkaktoi reagimin e masave te te rinjve studente te konviktit te Prishtines, dhe te disa shkollave te mesme ne Kosove, qytetin e Tetoves dhe Ulqinit qe  zgjaten, me nderpremje qe nga data 6 tetor deri me 27 nandor 1968, me kerkesen qe KAKM arsyetohet me te drejten e vetevendosjes –te konsakrueme ne Bujan,1944-  e te fitueme gjate luftes kunder okupatorit. Nderhymja e forcave shtypese  te policise serbe shkaktoi vdekjen dhe plagosjen me arme te studenteve. Por kerkesa “Kosova-Republike” u ba boshti kryesor  parullave per te gjithe shqiptaret e Kosoves, pa  dallim. Prirja per krijimin e nji shteti Kosovar predominoi, ndersa ideja e “bashkimit”me Shqiperine zuni vendin e dyte.

Demonstratat e vitit 1968  do te vejne shtetsine e Kosoves ne nji binare te pa kthese. Gjithashtu,  keto demonstrata konfirmuen edhe rolin udheheqes te klases intelektuale te Kosoves. Flakadani i rezistences per liri e pavaresi kaloi nga pushka e “kaçakeve” ne nji atmosphere vete-vrasje, ne penen krijuese te te rinjve te edukuem dhe me perspektive fitorje ne kondita ma te pershtatshme qe mund te krijonte situata nderkombetare. Ashtu si tregoi historia ma vone, u donte bashkimi i ktyne dy armeve me arrijte fitoren perfundimtare ne fund te nji shekulli te pergjakshem, si dhe mirekuptimi nderkombetar!.(vijon)

Filed Under: Histori Tagged With: 2 Janar 1944, rexoluta e Bujanity, Sami repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT