• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

NË PRITJE TË MBLEDHJES SË DY QEVERIVE SHQIPTARE NE PRIZREN

January 6, 2014 by dgreca

Duket se takimi I dy qeverive shqiptare është punë e mbaruar. Pse është lënë në Prizren, kuptohet, po përse në datën 11 Janar, le shteg për diskutime e hamendje. Gjithësesi duhet vlerësuar si hap pozitiv, edhe pse duket si patriotizëm qeveritar folklorik. Të bashkëpunojnë dy qeveri shqiptare nuk ka nevojë të bien daullet e zhurmës. Në vend të  do të zhurmës mediatike do të qe mirë që të ndërtohej një platformë reale bashkëpunimi, që t’I paraprinte takimit formal. Gjithësesi Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë do të mbahet më 11 Janar 2014 në Prizren.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook thekson se në mbledhjen e parë do të marren disa vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, dhe atë në fushën e integrimit evropian mes dy vendeve.

“Poashtu, do të vendosim modalitetet për themelimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës! Bashkëpunimi mes nesh tani e tutje do të jetë edhe më i strukturuar. Synojmë një qasje të përbashkët dhe strategjike për interesat tona vitale. Fillimi i një rrugëtimi të ri!” shkruan Thaçi në Facebook

Rama:Mbledhja e Prizrenit çel një faqe të re

Gjithashtu në lidhje me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Rama shprehet se kjo mbledhje e përbashkët do të çelë një faqe të re bashkëpunimi.

“Mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës do të mbahet në 11 janar në Prizren. Do të çelim një faqe krejt të re bashkëpunimi mes dy qeverive që kanë sfidën e njëjtë të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Europian. Me vetëdijen e lartë për potencialet e zhvillimit dhe nevojat për zhvillim të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, dy qeveritë do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë. Kjo mbledhje do të zhvillohet edhe në shenjën e solidaritetit me bashkësinë shqiptare të Preshevës, të cilës të dyja qeveritë do t’i akordojnë një fond të posaçëm ndihme për ngritjen e maternitetit të ri” shkruan Rama.

Në fakt, kjo mbledhje ishte parashikuar të mbahej që në muajin nëntor, madje kjo do të ishte edhe një simbolikë më rastin e Festës së Flamurit. Por shtyrja e mbledhjes erdhi pas zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Takimi i përbashkët i dy qeverive është hedhur si ide qe në fillim të marrjes së detyrës nga kryeministri Edi Rama, madje në vizitën e tij të parë në Kosovë me anëtarë të kabinetit të tij.

Analistët kosovarë e kanë cilësuar pozitiv angazhimin e qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare, madje e krahasojnë me ndihmat  që Serbia jep në veri të Kosovës.

Në pritje të takimit sugjerojmë që qeveritë e dy anëve të Kufirit, ajo e Tiranës dhe ajo e Prishtinës, të shkojnë të përgatitura që të mos i shërbejë takimi vetëm zhurmimit, që do t’I shkonte për shtat Beogradit për të justifikuar ndërhyrjen në Kosovën e Veriut.

Filed Under: Editorial Tagged With: Ne pritje te mbledhjes, se qeverive, shqiptare ne prizren

Një hartë e re gjeopolitike për Ballkanin?!

January 6, 2014 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/

Gjeopolitika është shkenca që lidh dy koncepte në një nocion të vetëm, përkatësisht gjeografinë me shtetësinë. Shtetësia kështu na jepet si një politikë që zhvillohet në një rrafsh të caktuar gjeografik. Pra, një hapësirë gjeografike e njësuar dhe e lidhur me formimin e shtetit (shteteve) përban atë nocion, të cilin ne në zhargonin e përditshëm e quajmë gjeopolitikë. Nëse ne do t´i referoheshin këtij koncepti, atëherë do të dallonim diferencën midis gjeopolitikës ballkanike të fillimit të shekullit XX e asaj të shekullit XXI. Teorikisht në vitin 1913 në Konferencën e Londrës vetëm Austro-Hungaria kishte paraqitur një projekt të ngjajshëm me realitetin gjeopolitik të krijuar pas një shekulli në rajonin tonë. Praktikisht Fuqitë e Mëdha vendosën asokohe të skicojnë një rajon ballkanik të disekuilibruar nga pikëpamja gjeopolitike, e nëse i referohemi kryesuesit të asaj Konference, ministrit Britanik të Punëve të Jashtme, Eduard Grei, kjo ndodhi për shkak të mospajtimeve midis Fuqive të Mëdha Europiane, Rusisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Atëherë u sakrifikuan tre popuj, shqiptarët, maqedonasit dhe muslimanët e Bosnjës, popuj të cilët pas shumë sakrificash njëshekullore u rikthyen në jetën gjeopolitike të rajonit.

Fundi i shekullit XX solli shembjen e murit të Berlinit dhe diskualifikimin e vendimeve të fillimit të atij shekulli, madje edhe të vendimeve të Jaltës së vitit 1945. Në rendin e ditës lindi përsëri ndërtimi i një gjeopolitike të re në ish-Jugosllavi, përkatësisht në Ballkanin Perendimor. Subjektivisht këtë proces e ndihëmoi arroganca e Sllobodan Milosheviçit, por objektivisht rajoni ynë do të duhej të vinte deri te një hartë e re gjeopolitike, për shkak se zgjidhjet e fillimshekullit XX prodhuan vetëm konflikte, luftra, dhunëe viktima të panumërta, në përpjekjen e pandërprerë të Serbisë për ta dominuar dhe sunduar të gjithë rajonin. Që Beogradi të mund të kthehej tek realiteti, do të duhej të ndërtohej një rend i ri ballkanik, në të cilin aktualisht nga 6 shtete kemi tashmë gjithsej 10 shtete. Shkurt u krijuan disa shtete të reja, në mesin e të cilave Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia. Ndër to, Kroacia dhe Mali i Zi, ekzistonin edhe para një shekulli, para Luftës së Parë Botërore, por Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova erdhën në jetë pas 100 vjetësh sipas projektit Austro-Hungarez të fillimshekullit të XX. Megjithatë vijon edhe më tej të shtrohet pyetja, nëse zgjidhjet e derisotme  janë definitive ose jo!!!

Prej kohësh në disa segmente të politikës si dhe në grupet e qytetarëve në Shqipëri dhe në Kosovë është debatuar për nisma të ndryshme për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm. Shqiptarët kudo që jetojnë do të ndjeheshin më të sigurt nëse ata do të ishin nën një çati të përbashkët, pra, nëse do të kishin një shtet të vetin. Kështu ndodh me çdo komb në botë dhe ndjenja e sigurisë nuk ka pse ë mos rritet edhe te shqiptarët të bashkuar në një shtet të vetëm. Por të njëjtin mendim ka shfaqur edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, sipas të cilit atij nuk i intereson nëse shqiptarët bashkohen ose jo, atij i intereson që të bashkojë serbët. Një ide e tillë sa vjen e zgjerohet, jo vetëm ndër aktorët rajonalë, por edhe ndër aktorët e fuqishëm të politikbërjes planetare. Ish ambasadori britanik në Beograd, Ivor Roberts, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve B92 para pak ditësh është shprehur se „. “Nuk shoh arsye, që pas një kohe, pse të mos bashkohen Kosova dhe Shqipëria në një shtet të vetëm, nëse këtë e duan”. Ai kishte folur edhe më parë për mundësinë e rregullimit të kufijve midis shteteve ballkanike.

Ndërkaq gjendja e sigurisë në rajon, veçanërisht vazhdimi në një formë tjetër i konfliktit në veri të Kosovës si dhe bojkoti shtetëror i Republikës Sërbska në Bosnjë, ka mundësi që gradualisht ta bindin komunitetin ndërkombëtar për një zgjidhje të re, afatgjatë në Ballkanin Perendimor. Deri tani vetëm Angela Merkel dhe autoriteti i saj ka mundur të përjashtojë një opcion të ri të zgjidhjes së konflikteve në rajonin tonë. Vetëm Gjermania dhe SHBA-të vijojnë t´i qëndrojnë vijës politike, sipas së cilës harta e Ballkanit tashmë është e duhet të jetë e qëndrueshme.

Por nëse analizojmë të gjitha zhvillimet e sotme dhe rrjedhat e tyre në Kosovë, në Bosnjë-Hercegovinë, në Maqedoni e në Serbi, atëherë do të dallojmë një prirje të dukshme për një zgjidhje radikale me ndryshimin e kufijve midis këtyre vendeve. Grindjet etnike, nëse zgjasin shumë, riciklojnë dhunën, aq më tepër kur historia njëshekullore e marrëdhënieve midis këtyre popujve është një histori tragjike me përsiajtjen e vazhdueshme të dhunës, kryesisht të terrorit shtetëror serb ndaj popullsive joserbe, parasëgjithash kundër shqiptarëve, muslimanëve boshnjakë si dhe në mënyrë të ndërsjelltë midis serbëve e kroatëve.

Harta gjeopolitike e sotme i ngjan projektit Austro-Hungarez të vitit 1913, projekt i cili u shkërmoq nga interesat e Fuqive të Mëdha europiane të asaj kohe, përkatësisht Rusisë dhe Francës, të cilat mbështetën pa rezerva Serbinë dhe ambicjet e saj ultranacionaliste, madje duke kërcënuar paqen në kontinentin e Europës. Por a është e mundur që kjo hartë të adaptohet, të aranxhohet apo të ribëhet dhe cilët janë ata faktorë që e nxisin formulën e definimit ose korrektimit apo ndryshimit të kufijve aktualë?

Kushtet dhe rrethanat e sotme politike favorizojnë një ridefinim të kufijve në Ballkan. Konferenca e Dayton-it mund të konsiderohet si një etapë e ndërmjetme për definimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, sepse ajo ka krijuar një shtet jo funksional. Ajo konferencë, e mbajtur në fund të vitit 1995, nuk mundi të zgjidhë përfundimisht as çeshtjen e shtetformimit në Bosnjë – Hercegovinë, as të parandalojë konfliktin në Kosovë. Sarajeva sot praktikisht është e paralizuar nga vetoja e Republikës Serbska dhe në këto kushte nuk mund të ofrojë asnjë reformë të qenësishme për integrimin në strukturat euro-atlantike apo për paqen e sigurinë e përhershme në rajon. Ndërkaq askush nuk mund të bëjë ndryshime kushtetuese pa konsensusin e Republikës së Serbëve të Bosnjës, sepse kështu është paraparë në Konferencën e Dayton-it e në parimet kushtetuese të vendit. Një ndryshim i njëanshëm qoftë dhe me referendum i Kushtetutës në favor të një centralizimi më të madh, me qëllim kryerjen e mosbllokimin e reformave, do ta kthente Bosnjë-Hercegovinën dhe ndoshta rajonin në situatën e vitit 1989, kur Serbia në kundërshtim me parimet kushtetuese jugosllave ndryshoi kushtetutën e Kosovës. Ishte kjo ndërhyrje arbirtrare në kushtetuën jugosllave shkaku themelor i shkatërrimit të Jugosllavisë dhe një ndërhyrje me të njëjtat metoda në Bosnjë do ta shkatërronte Federatën aktuale Boshnjake. Kështu që problemi boshnjak është problemi më i ndërlikuar në hartën politike të rajonit të Europës Juglindore.

Nga ana tjetër Kosovën nuk e kanë njohur ende pesë vende anëtare të Bashkimit Europian. Përpjekja e Prishtinës për t´i tejkaluar problemet e konfliktet me Serbinë përmes bisedimeve dhe marrëveshjes së 19 prillit të vitit të kaluar kanë dështuar tashmë. Asnjë shans nuk ka që veriu i Kosovës të integrohet në institucionet e Prishtinës në mënyrën që të bashkohet Mitrovica ose të rikthehen shqiptarët e veriut në vendbanimet e tyre. Gjithçka duket si një fasadë, me anën e të cilës përfiton Serbisa, por jo edhe Kosova. Ishte menduar se bisedimet e stërzgjatura me vite dhe marrëveshjet e nënshkruara do të çonin në njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë e për pasojë edhe nga Rusia, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë edhe për shumë vite. Po kështu pritshmëria e njohjeve të Republikës së Kosovës është gjithashtu zhgënjyese. Nëse do ta njhnin Kosovën çdo vit 5 ose 6 shtete, atëherë do të duhej edhe 5 a 6 vite që të arrihej numri i shteteve që do ta votonin anëtarësimin e saj në OKB, nëse do të ishte e sigurt se të gjitha vendet njohëse do ta votonin një gjë të tillë. Kjo do të thotë se vendi është i bllokuar në rrugëtimin e tij drejt integrimit euroatlantik. Vendimet e Brukselit të fundvitit që sapo lamë pas për Kosovën provuan se shteti më i ri i Europës nuk është në axhendën europiane të zgjerimit.

Këto dy ngërçe e vatra krizash njëkohësisht në rajonin e Europës Juglindore e bëjnë Ballkanin Perendimor të paqëndrueshëm. Ndoshta me këtë situatë pasigurie ka lidhje edhe bllokimi i rrugës së integrimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Nëse kriza nuk zgjidhet shpejt, atëherë Fuqitë e Mëdha mund të lëvizin në drejtim të opsionit që ka formuluar ish- ambasadori britanik në Beograd. Dhe duhet ditur se për rajonin tonë nuk kanë vendosur popujt, aq më pak qeveritë e këtyre vendeve, nuk kanë vendosur as ata që kanë bërë të fortin, por kanë vendosur Fuqitë e Mëdha të botës. Duhet pranuar se Angela Merkel mund të ndjehet një ditë e lodhur nga formula e mosndarjes së Kosovës. Ajo kishte vënë kusht dikur për Beogradin që të shuante institucionet paralele në Kosovë, me qëllim integrimin në Bashkimin Europian. Por më në fund ajo u detyrua ta pranojë Beogradin në klubin e shteteve europiane, ende pa hequr strukturat paralele serbe në veriun e Kosovës. Kështu që qëndrimet nuk janë asnjëherë statike, të gjithëhershme, ato mund të ndryshojnë në raport me rrethanat dhe nevojat për paqe, stabilitet e siguri në Europë.

Europa nuk do të mund të plotësohet pa pranuar në radhët e saj Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Shqipërinë e Maqedoninë, sepse sa i përket Malit të Zi dhe Serbisë, duket se këto dy vende tashmë e kanë të hapur rrugën drejt Brukselit. Por të katër këto vende duket se nuk do të mund të kapin trenin në kohë për të udhëtuar të sigurt drej kryeqytetit europian. Moskapja e trenit europian ka shumë gjasa që të çojë në një opsion zgidhjeje përmes bisturisë së kirurgut. Kjo do të thotë se opsioni i rregullimit të kufijve, ao shkëmbimit të territorit, e më pas rikonfigurimit të hartës politike mbetet real.

Sa janë të përgatitur shqiptarët, përkatësisht elitat politike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, po pse jo edhe ata të Preshevës e Malit të Zi, për ta përballuar një zgjidhje të tillë?! A kanë ata një plan reagimi e propozimi për zgjidhje konkrete, nëse vihet deri te ideja e ndryshimit te kufijve?! Siç thamë më lart ideja dhe diskutimi, nëse shkohet te ky opsion, do të jetë i Fuqive të Mëdha, konkretisht i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por me pjesmarrjen edhe të Rusisë. Dhe se mund të shkohet te ideja e ndryshimit të kufijve ka dëshmuar qëndrimi amerikan në rastin e konfliktit në Siri. Lëshimet amerikane mund të pasojnë edhe rregullimet e reja në Ballkan, me qëllim ruajtjen e ekuilibrave amerikano-europiano-ruse. Atëherë çfarë do të bëjë diplomacia e Tiranës, Prishtinës, elita politike e shqiptarëve në Maqedoni e rajone të tjera? Do të presin si në rastin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë që propozimet të vijnë nga Brukseli e pse jo edhe nga Beogradi?! Do të merren me administratorë të tillë si Stefan Füle, për shkak të miqësive personale, apo do të depërtojnë të shefat e Füles, si Merkel, Hollande, Kameron e dinosaurë të tjerë politikë të kontinentit europian?! Do të presin e përshëndesin zgjidhjet që ofrojnë fqinjët tanë dhe miqtë e tyre në Europë, apo do të kërkojnë standarde të njëjta dhe rregulla të qarta loje në diskutime e në procesin e vendimmarrjes?! Nëse gjykojmë me gjendjen e sotme të mendimit e veprimit diplomatik shqiptar, atëherë më duhet të them se presim zgjidhje të pafavorshme e të padrejta për shqiptarët. Nëse kjo situatë do të ndryshojë për mirë dhe forcat politike do të bashkohjnë mendimin e veprimin e tyre, pra nëse ato do të përcaktojnë qartë strategjinë e veprimit dhe do t´i kenë të pastra qëllimet, atëherë shqiptarët mund të shpresojnë për më mirë. Fatkeqësisht në të gjitha trevat shqiptare elitat politike, por dhe ato intelektuale, janë të ndarë e madje të përçarë. Kjo gjendje të kujton pak a shumë atmosferën politike brendashqiptare të viteve 1913-1924.

Shqipërisë dhe shqiptarëve u duhet një udhëheqës i tipit Konrad Adenauer, i cili të ketë vizionin e plotë të asaj çfarë ka përfaqësuar ish-kancelari gjerman. Adenauer ndëtoi themelet e Europës së Bashkuar, duke tërhequr pas vetes presidentin francez, De Gold dhe kryeministrin Italian De Gasper. Konrad Adenauer i përkiste një vendi anës Rinit, territor ky në të cilin kryqëzohen të gjitha qytetërimet europiane me qytetërimin gjerman. Territoret shqiptare në Ballkan janë gjithashtu pika strategjike e kryqëzimit të të gjitha kulturave rajonale e njëkohësisht pika strategjike, për të cilën kanë nevojë të gjitha kombet ballkanike. Por shqiptarëve, ndërsa Zoti u ka dhënë, madje me tepri, asete natyrore e më gjerë, ende nuk ju ka dhënë një lider të përmasave të Adenauerit dhe shpirtin e veprimit në grup. Kjo do të thotë se mungojnë idetë, mungojnë vizionet, mungojnë projektet, me të cilat ne shqiptarët do të duhej të ballfaqoheshim në rastin e një diskutimi tjetër sa i përket konturimit të një gjeopolitike të re bë rajonin tonë.

Thuhet se do të bashkohet Kosova me Shqipërinë, po nuk ka një projekt se si do të mund të realizohej kjo, çfarë do të sillte ky bashkim në raportet me shtetet fqinjë, sidomos me Serbinë dhe Maqedoninë, si dhe në raport me zhvillimet sociale e ekonomike në Shqipëri e në Kosovë. Nuk ka një ide dhe vizion, për pasojë as argument dhe fakte të grumbulluara me kujdes për të bindur partnerët ndërkombëtarë për vijat ndarëse, nëse vihet deri te rregullimi i kufijve. Disa mendime e propozime që vijnë nga persona ose dhe personalitete të ndryshme, e të cilat janë bërë publike, mbeten thjesht zëra të nbyllur, pa vëmendjen e mëtejshme të atyre që mburren me postet shtetërore e politike që mbajnë e që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.

Nëse shkohet deri te diskutimi në tavolinë i rregullit të ri gjeopolitik në rajonin tonë, a duhet të ketë një projekt konkret për atë që do të ndodh me Maqedoninë, madje dhe me Sanxhakun, Bosnjën dhe Malin e Zi. Përfaqësuesit e shqiptarëve nuk mund të përgatiten thjesht për ato kufij e zona ku banojnë shqiptarët, atyre u duhet me çdo kusht të jenë aktivë për të gjitha rregullimet që vijnë në shprehje, sipas propozimeve që kanë nis të lançohen në Britaninë e Madhe, por edhe nga ndonjë senator e kongresmen amerikan. Çdo rregullim i ri në Ballkanin Perendimor e në të gjithë Europën Juglindore është interes jetik i Shqipërisë, i Kosovës dhe i shqiptarëve, sepse në një botë të integruar jeta e shqiptarëve do të jetë e lidhur ngushtësisht me zhvillimet në të gjithë rajonin. Prandaj kufizimi i ideve, vizioneve dhe pikëpamjeve në hapësirën shqiptare është i pamjaftueshëm. Po ashtu qëndrimi një hap pas diplomacive të tjera ballkanike, sidomos asaj serbe është një traditë që duhet lënë pas, për shkak se kjo do të na shkaktojë dëme të pameritueshme.

Ajo çfarë i mungon më së shumti klasës politike shqiptare në tërësi është komunikimi i sinqertë me botën e Perendimit. Kjo rrit pabesueshmërinë dhe ul kredibilitetin tonë. Ne nuk guxojmë të flasim me Brukselin e Uashingtonin për objeksionet tona, madje dhe për të metat tona e përparësitë tona në raport me paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Ne përpiqemi të fshehim kokën si struci, e të mos u themi atyre të vërtetat, qofshin këto edhe të hidhura, për realitetet ballkanike e brendashqiptare. Ne bëjmë rolin e servilit në mënyrën më perverse të mundëshme, duke dëshmuar se na mungon identiteti dhe dinjiteti personal e nacional. Dhe duke qenë se bota na njeh se cilët kemi qenë e cilët jemi, duke parë se ajo shikon përpjekjet tona për t´u paraqitur ndryshe nga ç´jemi, atëherë u jep shqiptarëve një vlerësim të pamerituar.

Zhvillme të reja gjeopolitike trokasin në dyert e rajonit e pjesa më thelbësore e këtyre zhvillimeve u takon shqiptarëve. Nëse do të qëndrojmë në pritje të asaj çfarë na ofrojnë të tjerët, qofshin këta dhe aleatët tanë strategjikë, si SHBA, Gjermania, Britania e Madhe apo Austria, atëherë do të marrim shumë më pak se na takon, ndonëse do të kemi brenda shtetit politik shqiptar diçka më shumë se na dhanë më 1913.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, gjeopolitike, Nje harte e re, per Ballkanin

ANGLISHTJA – GJUHË E PARË E SHEK. XXI

January 6, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

Mbi 750 milionë njerëz në planetin tone, përveç gjuhës së tyre zyrtare apo etnike, e flasin Anglishten si gjuhë të huaj.

             1.

Në vitet ’60 të shek. XX Kryeministri i Indisë, Jawaharlal Nehru, duke parë interesat perspektive të vendit të tij, ndërmori vendimin e drejtë politik për të fut e mbajtë Anglishten si gjuhë e huaj e detyruar në institucionet shtetërore dhe në ato arsimore e shkencore. Ai e ndërmori këtë hap madhor në një vend ku flitet kryesisht Gjuha Hindu (mbi 41 për qind e popullsisë) dhe 14 gjuhë të tjera zyrtare, në një vend që kishte dy dekada të Pavarësisë Kombëtare nga Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe (15 gusht 1947).

Në sipërmarrjen e tij, Kryeministri largpamës Nehru, i kishte të gjithë kundër: edhe këshilltarë të tij, edhe ministra të tij, edhe ambienti, edhe gazetarët. Në disa shtete pati edhe protesta masive, pro e kundër gjuhës, me të vrarë, të plagosur e të burgosur. Edhe drejtësia indiane iu hodh në akuza e proçese gjyqësore.

Sot, Anglishtja, e ka ngritur në nivele të larta Indinë, aqsa ka shënuar arritje madhore në zhvillimin e shkencës e teknikës, në konkurimin me Gjuhën Kineze, në një lidhje në mes shteteve e kombeve të saj, etj. Investimet e huaja në këtë vend edhe anglishtfolës kanë shënuar kulminacione. India do të jetë shumë shpejt një nga superfuqitë e botës, jo vetëm nga numri i popullsisë, (aktualisht rreth 1.2 miliardë banorë), por edhe nga potencialet e saj të larta e të shumanshme, në synimet e saj për të qënë antare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, etj. Këtë shembull e ka ndjekur dhe po e ndjek edhe Pakistani fqinjë e rival.

Në këtë rrugë me fryte të shpejta po ecën edhe Shqipëria, në zemër të Europës, populli më amerikandashës.

2.

Gjuha Angleze është gjuhë ndërkombëtare, gjuhë globale, gjuhë e parë e shek. XXI, që lidh kombe, raca e fe të ndryshme.Në dy shekujt e fundit  zhvillimet kryesore shkencore u arritën në vendet anglishtfolëse, prandaj Anglishtja cilësohet edhe si “Gjuhë amtare e shkencës”. Mbi 60 për qind e diturive të botës gjenden në anglisht.Sot në gjuhën angleze kryhen mbi 80 për qind e biznesit të komunikimit dhe mbi 70 për qind e komunikimeve në diplomaci e marrëdhënie ndërkombtare. Anglishtja është gjuha e sotme e internetit.

3.

Gjuha Angleze është gjuha e huaj kryesore e zhvillimeve e integrimeve euro-atlantike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në të gjitha trevat etnike shqiptare në Ballkan.

Si në BE dhe në NATO gjuha kryesore e folur dhe e shkruar në shtetet antare të këtyre dy organizmave ndërkombëtare është anglishtja, pavarësisht se BE ka 23 gjuhë zyrtare kryesore dhe në NATO janë vetëm dy gjuhë: anglisht e frengjisht.

Amerika anglishtfolëse, aleati strategjik e gjeo-politik më i rëndësishëm i Shqiptarëve, sipas programeve politike të dy dekadave të fundit të së djathtës e të majtës, është e mbetet lidere e NATO-s.

Amerika ka buxhet për ushtrinë, më shumë se çdo shtet tjetër i planetit dhe ma të madhin ndër të gjitha shtetet antare në NATO. Tri shtete anglishfoëse si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut dhe Kanadaja kanë buxhetin për ushtrinë ma të madh se mbi 20 shtete të tjera antare të NATO-s.

Në Bashkimin Europian 51 për qind e popullsisë së saj e flasin Gjuhën Angleze, si në Mbretërinë e Bashkuar, në Irlandë 95 për qind, Suedi 89 për qind, Maltë 88 për qind, Hollandë 87 për qind, Danimarkë 86 për qind, Qipro 76 për qind, Finlandë 63 për qind, Luksemburg 60 për qind, Belgjikë 59 për qind, Austri 58 për qind, etj.

4.

Gjuha Angleze është një nga gjashtë gjuhët zyrtare të OKB-së, biles ma e përdorura në komunikime zyrtare të saj, ku  Shqipëria është një nga 192 vendet antare të saj, qyshse nga viti 1955.

Kjo ngjet për tri arsye: E para, se Anglishten e kanë gjuhë zyrtare të parë apo një nga gjuhët zyrtare të tyre 53 shtete të botës në të gjitha kontinentet, çka përllogaritet në 36 për qind të vendeve antare të OKB-së.  E dyta: për vet rolin, fuqinë e ndikimin e Amerikës mbi globin tokësor, në dete, ajër e planete të universit dhe në strukturat e OKB-së.  E treta: kontributi financiar i SHBA në OKB është sa i 180 shteteve antare të saj të marra së bashku.

Në vendet e G-7 Anglishtja është parësore: në SHBA është gjuhë kombtare, në Mbretërinë e Bashkuar gjuhë zyrtare, në Kanada është një nga dy gjuhët zyrtare, ndërsa në Francë, Gjermani e Itali anglishtja është gjuha e parë e huaj. Edhe në forumet e rajonit po flitet Anglisht.

Anglishtja nuk është një nga gjuhët  zyrtare kryesore vetëm OKB, NATO, BE,  Këshillin e Europës, OECD. Edhe në dy organizmat financiare më të fuqishme të botës: Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombtar është gjuhë kryesore, ndërsa në konferenca, etj. interpretohet edhe në frengjisht, spanjisht, rusisht, kineze e arabe.Disa organizma ndërkombtare e kanë anglishten gjuhë zyrtare të vetme si Komonuelthi, OPEC, APEC, ASEAN, CARICOM, SAARC, etj., ndërsa në disa të tjera mbetet ndër gjuhët kryesore si në BE, OSBE, Konferencen e Vendeve Islamike, Unionin Afrikan, Organizatën e Shteteve Amerikane, në Agjensitë Ndërkombëtare të OKB, në organizma të Afrikës si COMESA, EAC, CEMAC, ECOWAS, etj.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi 80 për qind e flasin anglishten, mbi 10 për qind spanjisht dhe pastaj vijnë gjuhët e tjera: franceze, gjermane, kineze, italiane, portugeze, etj.  Në Mbretërinë e Bashkuar anglishtja është gjuhë zyrtare, por 23 për qind flasin frengjisht, 9 për qind gjermanisht dhe mbi 10  për qind italisht, rusisht, arabisht, etj. Në Kanada janë dy gjuhë zyrtare – anglisht e frengjisht, ku anglishten e flasin 73 për qind e popullsisë, frengjishten 23.6 për qind, etj.  Në Francë, përveç gjuhës zyrtare frengjisht, 36 për qind flasin anglisht, 13 për qind spanjisht, 8 për qind gjermanisht, 5 për qind italisht, etj. Në Gjermani, përveç gjuhës zyrtare gjermane, flitet 56 për qind në anglisht, 15 për qind në frengjisht, 7 përqind rusisht, 4 për qind spanjisht, 3 për qind italisht, etj. Në Itali, përveç gjuhës italiane zyrtare,  flasin 29 për qind anglisht, 14 për qind frengjisht, 5 për qind gjermanisht, 4 për qind spanjisht, etj.

5.

Anglishtja, në kuadrin e nismës “Shqipëria Anglofone”, ka arritur të jetë gjuha e parë e huaj në vendin tonë dhe është pjesë e zhvillimit tonë kombëtar.

Duke i kushtuar kujdesin më të lartë Gjuhës Shqipe si Gjuhë e Identitetit Kombëtar, i është dhënë përparësi edhe Anglishtes, si pasuri personale dhe intelektuale për brezat e rinj shqiptarë dhe në shërbim të ardhmërisë kombëtare.

Anglishtja është gjuha e parë e huaj e detyruar e shqiptarëve si anglisht-folës (eglish-speaking) në shkollat shqiptare, biles ka nisur edhe nga cikli i ulët. Numri i nxësësve e studentëve që mësojnë anglisht përbën mbi 70 për qind të atyre që mësojnë gjuhët e huaja, si frengjisht, gjermanisht, spanjisht, etj. Në Maturën Shtetërore ka hyrë edhe Anglishtja si lëndë me zgjedhje, biles me koefiçentë të lartë.  Gjatë viteve të fundit ka rritje të numrit të mësuesve të anglishtes si dhe do të rritet edhe paga e tyre, e drejtëvlerësuar si e mësuesve të matematikës dhe informatikës.

6.

Anglishtja është gjuha me përhapje progresive më të madhe në botë.Ballkani i zhvilluar e integruar në rrjedhat e lartësitë e kohës do të ketë Anglishten gjuhë të parë të komunikimit në nivele rajonale e mes shteteve, në mes kombeve, racave e feve të rajonit.Mbi 750 milionë njerëz në planetin tone, përveç gjuhës së tyre zyrtare apo etnike, e flasin Anglishten si gjuhë të huaj.Në këto vitet e fundit, janë rreth dy miliardë njerëz në të gjithë botën që po e mësojnë Anglishten si gjuhë të huaj, të cilët ndihen mjaft të përkushtuar ndaj përvetësimit të kësaj gjuhe globale.

 

Filed Under: Featured Tagged With: anglishtja, gjuha e pare e shek XXI, Ramiz Lushaj

S’na duhet islami i importuar dhe rreziku nga ai

January 6, 2014 by dgreca

Serbia te perëndimorët thotë që ne  jemi ekstremistë fanatik islamikë , kurse në shtete arabe thote se ne jemi muslimane properëndimorë të papërmisueshëm…

E e vërteta është se na jemi proprerëndimor e aspak islamistë ekstremistë …….Ndërsa Ismail Kadare shkruan …”Shumëkujt mund t‘i duket se të ngresh çështje të tilla, pra të polemizosh me të çmendurit, është kohë e humbur. Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t‘i përligjnim po të ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese mu në sytë tanë…

Nga Fahri XHARRA/

Kush janë këta flliqtana me mjekrra që po na trazojnë? Ç´i duhet këtij populli që memzi e pa lirinë që të ballafaqohet me disa mbeturina  arabo-osmane të ndërsyera nga qarqet pansllviste  ? A jemi të vetdijshëm se me çfarë hapash të mëdhenj po e dërgojnë popullin tonë në humnerën e pa kthim të përgatitur në kuzhinat më antishqiptare?

Duke e shikuar të vërtetën në sy , atë të vërtetë e cila nuk mund të mohohet, pa asnjë dyshim lind pyetja se a jemi në debat artificial mbi fenë apo jemi duke fuqizuar një ndjenjë tonën për të cilën jemi krenar dhe të cilën po duan të na e mohojnë.

”Të gjithë ata që nuk ia deshën të mirën kombit shqiptar, vazhdimisht kanë bërë përpjekje që ta përçajnë, duke i nxitur pjesëtarët e saj që ta shohin njëri-tjetrin përmes dallimeve. Theksimi i dallimeve dhe nxitja e urrejtjes ndaj identiteteve partikulare të individëve e grupeve të caktuara, mjerisht po vazhdon edhe sot” shkruante dikush dikund. Po çfarë janë ato identitete ”partikulare ” të individëve ?  A ka kombi ynë aq shumë identitete qosjane ,sa të quhen edhe partikulare (të posaçme ) individuale, të cilave nuk po guxokam të iu përzihemi.? Jo. Ne e kemi një identitet , e ai është identiteti ynë shqiptar.

”Ngjizja e kombit shqiptar mbi këtë larushi (nga të gjithë popujt e Ballkanit, duke qenë edhe më të lashtët, mund të thuhet se shqiptarët më së shumti iu ekspozuan ndikimeve të ndryshme. Shumëllojshmëria kulturore e fetare, paraqet shtresëzimin historik të epokave, sipas kronologjisë,) nuk ishte punë e lehtë. Rilindësit shqiptarë, duke kuptuar frymën e kohës që po jetonin dhe me një vizion shumë të qartë për të ardhmen, iu përveshën punës. Përhapja e frymës kombëtare ndër shqiptarët e paarsimuar, edhe sot mund të duket një mision i pamundur. ”   na thoshte dikush  diku në një shkrim.

”Ay shkrin ishte shkruar sipas parimit:çfarë ka dashur autori të thotë me këto vargje? Si mund të ketë debat artificial kur konkretisht disa imam  kanë rrokur jataganin kundër gjysmës së popullatës dhe kundër kushtetutës? Debati jo vetem që s’ështëartificial po është kryekeput politik dhe relevant.(B.I)” …. dhe plotësisht me vend dhe frytdhënës.. Ne po duam e  po urojmë  qe t’i dalin dhe “pija” iluzioniste qe e ka mbërthyer sa muaj  atë që  shkruan mbi këte çështje sepse të dehesh pa pirë nuk është mirë..

:”Presioni mbi tjetrin që nuk ndan të njëjtat vlera dhe bindje me ty, është para së gjithash paranojë e shkaktuar nga injoranca dhe shpirtngushtësia. Drejtimi i gishtit kah tjetri që nuk është si vetja jonë, nuk na bën nder. Të gjithë kanë nevojë të frymojnë lirshëm, pa e pasur frikën nga përjashtimi i çfarëdo forme.”   (shkruan dikush diku)  ….dhe te na mbyllin  gojën ,e ne emer te tolerances te heshtim ? Kujt i duhet kjo tolerancë nda tyre?

Më erdhi çudi  që  shkrimshkruesi përpiqet kritikës në media, debatit t’i japë konotacion se debatin e kanë udhëhequr idiotë e shpirtngushtë kundër atyre që mendojnë ndryshe !… deri sa edhe unë unë jam vetë pjesë e atij debati, bile me zhurmë të madhe.

”Përhapja e frymës kombëtare ndër shqiptarët e paarsimuar, edhe sot mund të duket një mision i pamundur.” .(shkruan dikush dikund)……”Shumëkujt mund t‘i duket se të ngresh çështje të tilla, pra të polemizosh me të çmendurit, është kohë e humbur. Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t‘i përligjnim po të ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese mu në sytë tanë. (Ismail Kadare).  A nuk është kështu?

Me ta duhet të mirremi , duhet të mirremi me” flliqtanat me mjekrra (R.Haradinaj ) ” se janë të rrezikshëm , janë vulgarë dhe të pa moralshëm…..”Duket fyerje, natyrisht, të merresh me ta. Dhe ashtu është. Por kur ujërat e zeza vërshojnë befas, dikush duhet të merret me to.(Ismail Kadare)

”Rryma të ndryshme fetare të cilat mundohen që islamin ta bartin në jetën tonë publike, ta bartin në diskursin tonë publik, ta bartin si një mënyrë tjetër jetese, më një diskurs tjetër mund të paraqesin rrezik për shtetin e Kosovës. Kështu ka thënë në pjesën e dytë të intervistës dhënë gazetës “Zëri”, ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.

Ai kërkon nga Ministria e Brendshme, ministri të tjera, agjenci të ndryshme që të jenë më të vëmendshëm.“Këtë se çfarë unë po e them para jush e kam ngritur edhe në takime të caktuara edhe në Evropë, por edhe në Lindje të Mesme”, ka thënë Hoxhaj. Sipas tij, Kosova dhe qytetarët e saj në kuptimin e historisë, gjeografisë, në kuptimin e kulturës janë evropianë. “Dhe agjenda jonë evropiane është rikthim në Evropë. Unë mendoj që Kosova nuk ka nevojë as të eksportojë e as të importojë islamin”, ka thënë ministri gjatë intervistës  ….Dhe duhet të the qartas se Kosova nuk ka nevojë as të eksportojë e as të importojë islamin ekstremist. Ta ruajmë atë që e kemi.

”Interesimi i Serbisë është që të lulëzojë radikalizmi islamik në Kosovë. Serbia e ka themeluar fondin special për destabilizimin e Kosovës së Pavarur dhe sektorin islamik, i cili ka fondin e pakontrolluar nga shteti. Islamikët radikalë shqiptarë kontaktohen nga sektori serb islamik në vende islamike. Islamisti shqiptar nuk ka njohuri se ai po kontakton një islamist që është kryekëput në shërbim të Serbisë, sepse kontakti ka emër mysliman, ka post në vende islamike, dhe i kryen të gjitha besimet fetare. Kontakti i tij do t’i japë para për t’i ndihmuar myslimanët në Kosovë apo Shqipëri, por nuk do t’i zbulojë asgjë se ato janë para të Beogradit për destabilizim të Kosovës.  ”( Reshat Sahitaj)

”Nga ana tjetër i garantojmë se Islami dhe muslimanët do të jenë identiteti kryesor dhe faktor i të mirave të përgjithshme të këtij populli. ” (deklarohet dikush tjetër kundër Ministrit Hoxhaj) .” Ndërkohë një dekret presidencial në Egjypt, shpall Vëllazërinë Muslimane një organizatë terroriste. Presidenti egjiptian, Adli Mansur, sot nënshkroi një dekret që parashikon përfshirjen e Vëllazërisë Myslimane në listën e organizatave terroriste. Dekreti parashikon, konfiskimin e aseteve të Vëllezërisë si dhe zbatimin e ligjit ushtarak për anëtarët e saj. ”(AScreen )….Nëse qendra e kulturore e botës arabe- Egjypti e sheh të arsyeshëm një hap të tillë… Më në fund të mbyllet edhe tek ne një herë e përgjithmonë një lojë e kurdisur.Boll Mo!

Serbia te perëndimorët thotë që ne  jemi ekstremistë fanatik islamikë , kurse në shtete arabe dhe të ndryshme muslimane se na jemi properëndimorë të papërmisueshëm.

E e vërteta është se na jemi proprerëndimor e aspak islamist ekstremist …….Ndërsa Ismail Kadare shkruan …”Shumëkujt mund t‘i duket se të ngresh çështje të tilla, pra të polemizosh me të çmendurit, është kohë e humbur. Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t‘i përligjnim po të ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese mu në sytë tanë.

 

Fahri Xharra

04.01.14 Gjakovë

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, Islami i importuar, S/na duhet

ME 11 Janar perkujtohet Abaz Kupi ne New York

January 6, 2014 by dgreca

LAJMERIM/

Partija “Levizja e Legalitetit”- Dega e SHBA-se ne bashkepunim me familjen Kupi ka nderin te njoftoje komunitetin shqiptar, entet fetare dhe politike, mbreteroret shqiptare, anetaret e partise “Levizja e Legalitetit”, miqte dhe dashamiret e familjes Kupi se edhe sivjet, si cdo vjet, diten e Shtune me date 11 Janar 2014, ne oren 12:30pm pasdite do te mblidhemi tek varri i Gjeneral Abaz Kupit, ne varrezat Maple Grove Cemetery, ne Kew Gardens per te perkujtuar 38 vjetorin e vdekjes se udheheqesit te nacionalizmit shqiptar, burrit qe, ne krye te trupave te Mbretit Zog, I zbardhi faqen Shqiperise me 7 Prillin e 1939-es, dhe themeluesit te Organizates Kombetare te Levizjes se Legalitetit.

Te gjithe shqiptaret jane te mirepritur.

Salla ku do te mbahet perkujtimorja ndodhet :

Directions

127-15 Kew Gardens Road, Kew Gardens, New York 11415

Telephone: 718-544-3600, Fax: 718-544-2227

Kryesia e Partise Levizja e Legalitetit per SHBA.

Hakik Mena

Filed Under: Komunitet Tagged With: abaz kupi, me 11 janar 2014, Njoftim i legalitetit, perkujtohet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT