• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

Faik KONICA, Portreti i një Aristokrati

January 4, 2014 by dgreca

 Shkroi: Mabille Gennings/

Kur Faik Konica, Ministri i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, të thotë se ka qenë edhe vetë gazetar, të shfaq vetëm një pjesë të vogël të shërbimeve të tij në fushën e gazetarisë.

Aty më parë shkruante kryeartikuj në Boston, në Diellin, më e vjetra gazetë shqiptare që botohet edhe tani në Shtetet e Bashkuara – një fletore (atëherë e përditshme po që më vonë është bërë e përjavshme), që nuk merret me reklama dhe kur kish më shumë se 10 mijë pajtimtarë, qe mjaft e afërt, sa me anën e fushatës, (Vatrës), mundi të mbledhë për guvernën provizore t’athershme një çerek milionë dollarësh.

Lindur në Malësin’ e jugës, në kufirin e Greqisë, i biri i një të pasuri, nga një der’ e cila në kohën e paqes shikonte punën e shtëpisë, dhe në kohën e luftës mblidhte vullnetarë, Zoti Konica, që kur ish djalosh, e dij mirë se për çfarë soj shërbimi ish destinuar, dhe studimet e tija në shkollën e jezuitëve në Shkodër dhe në Licenë Perandorike të Stambollit, i bëri duke pasur po atë qëllim parasysh. Vizita e tij e parë në SHBA, më 1909, qe për të filluar një shoqëri të përbërë prej refugjatësh: për t’i stërvitur këta me vetijat dhe qëllimin që lypte lëvizja kombëtare – një qëllim si themelonjës dhe botonjës i revistës Albania, që e kish bërë të njohur me tërë fuqinë e tij. Më 1912, ay u dërgua si delegat në konferencën ambasadoriale në London, dhe më 1926, kur u njoh independenca e kombit të tij të dashur, ku ay me zotësin e tij mundi të lerë rekorde historie në ngjarjet e zhvillimit kombëtar, u emërua Ministër në Shtetet e Bashkuara.

Në qoftë e vërtetë se ndodhja e tij këtu është një shenjë miqësie, dhe ay të siguron se ashtu është, atëherë gjithashtu është e vërtetë që trupi diplomatik i Washingtonit bëhet më i pasur n’urtësi bujare, sjellje të dëshirueshme dhe në dituri të hollë me ndodhjen e tij këtu. Kjo na çon ndoshta te një problem i rëndë, që të dallosh si munt të shquhet njeriu si njeri nga ministri. Ndoshta qëndrimi më tipik i zotit Faik Konitza është urtësia e hijshme, siç dëshmohet qartazi prej sjelljes së tij simpatike, prej dashurisë së tij për të bukurën e vërtetë dhe prej zemërgjerësisë natyrale të tij.

Me fjalë të buta dhe plot gjallësi, më sjellje krejt natyrale në qarke shoqërore, ay është pritës i mirë si zot shtëpie dhe mysafir gazmor. Sapo ka kaluar nga mosha 55, i veshur mirë e i pamartuar, ay është kurdoherë i mirëseardhur si vizitor në sallonet shoqërore të qytetit tonë.

Gjithashtu mund të ketë në raste të këtilla edhe muzikë, muzikë hutonjëse që del nga një gramafon i rrallë, me një megafon të madh që të zë syri sapo hyn në odën e mirë të tij, q’është në katin e dytë të hotelit Mayflower. Çpikja e një shkencëtari ingliz, orët e shumta e të rënda që i kushtonte në nj’odë shkence, nuk pajtoheshin me dashurinë e tij përmuzikën, ku istrumenti i bërë me dorë ka mundur të çdukij zëra të çjerra, duke lënë vetëm muzikë të kulluar. Nuk do të gjesh radio te ministri i Shqipërisë, ndonëse nga koha në kohë i kanë prurë tri, për arsye që nuk varen vetëm nga zëri i kulluar i muzikës. Ay rrëfen se sa mërzitet kur dëgjon lloj lloj reklamash me anën e radios. Kënaqësinë më të madhe, përveç kur ka pranë miqt’ e tij, ministri e ndjen kur këndon libra me biografira dhe shënime kronologjike, që zgjeth nga biblioteka e tij, e cila ka më shumë se 1200 libra dhe është nga më të plotat. Sa për stërvitjen e trupit për të mbajtur shëndetin e tij, i pëlqen që të ecë më këmbë. Në kohën që harxhon duke luajtur golf, rreth e rrotull luadhit, siç thotë vetë, njeriu mund të këndojë një libër ose mund të fjaloset me miq, dhe kështu që ay ecën me këmbë dy ose tri mila në ditë. Gjellët ia servirin nga restauranti i hotelit, ndonëse ka një kuzhinë më vete ku rri, se e urren afshin e gjellëve, si dhe erën e mirë të kafesë. Është një nga mendimet e tija, që gjella ka shije të vërtetë kur nuk të nget as “qiellëzën, as hundën”. Ënda e tij është sqimatare. Ay nuk pranon të ngrëna që kanë mbetur shumë kohë në akull, pula që janë therur më shumë se disa orë më parë se të shtrohen për të ngrënë, ushqime deti që nuk janë peshkuar atë çast nga ujët. Atij i pëlqen të hajë pas bukës drethëza të goditura me ajkë, dhe të vëna në pjatë mi kulaç të grynjë. Për sa u përket të pirave dhe mëzeve ay nuk munt të quhet njohës i vogël. Përveç gjërave të tjera, ato q’urren më shumë janë pijet e përziera e të forta (kokteils) dhe shampanja e lehtë. Ay do më shumë verat që quhen Sherry, Burgundy dhe Rihne. Kjo e fundit i mbarohet më shumë se të tjerat, sepse shumë nga miqt e tij kanë po atë shije që ka dhe vetë. Një zotni që më parë pëlqente skoç, më shumë se çdo lloj uiski, tani zgjedhe si më të mirin rye, se kjo pije mban nj’erë t’ëndëshme, veçanërisht rye-i që bëhet në shtetin Kentucky dhe është i shtënë në botile që në kohën e Luftës madhe. Rrobat e tij janë gjithmonë të kaltërta (kaltërsi e thellë që duket pakës si e zezë), të murme ose të zeza, dhe me çdo palë ka porositur dhe një pallto të madhe të bërë gjithë nga ajo plaçk’ e rrobave që shkon me to. Të porositura nga Londoni, plaçkat e tija dallohen për hollësira origjinale. Palltot e vogla nuk kanë vrimë volutash në çipin e jakës poshtme, mi gjoksin, të bëra me qëllim që të mos u japë rast grave që mund t’u teket ti ngulin ndonjë lule. Palltot janë pa xhepa të jashtme për shami, sepse ay e quan zbukurimin si një send jashtë rregullave të shëndetit. Pantallonat e tija nuk janë të kthyera mi qafën e këmbëve, po për këtë arsye. Këmishët, të cilat ia bën sipas porosisë një këmishëbërës i Londonit, nuk kanë volte të dytë në qafën e mëngëve, se ay ngul këmbë që nuk janë të nevojshme. Çuditërisht për një burrë që ndjen të këtillë dashje ose mosdashje të mprehtë, adhurimi i ministrit të Shqipërisë për bukurin’ e grave është kryesisht konservativ. Pamja e një gruaje, siç thotë, duhet kurdoherë të jet’ në shkallë të dytë ose pas personalitetit të saj tërheqës. Në mes një numri të madh mikeshash q’e adhurojnë, ay çmon më tepër ato me mençuri të jashtëzakonshme, dhe ato nga të cilat qëndron lark – ne mund të përdorim një frazë kaq t’ashpër kur flasim për një zotni t’urtë – ka të ngjarë të jenë nga tipi i çqetësuar me gjallësi si të lozonjares. Mbi veshjen e grave amerikane ministri Konitza nuk thotë gjë sendi tjetër – pothuaj se asgjë – përveç fjalëve lëvdonjëse. Ato kanë përdorur fuqin’ e mendjes dhe i kanë bërë modat e botës më të hijshme dhe më artistike, duke ngulur këmbë për moda pa salltanete. Tani do të qe më mirë sikur të mos mbanin këpucë me thembra të larta, duke pëlqyer në vent të tyre opinga të qëndisura e të bukura! “Gjer me një pikë, ashtu po bëjnë”, i thashë dhe ay m’u duk sikur mbeti i kënaqur. Tani në dëshironi të mësoni se ç’kuptim ka emri i parë i tij, i cili, meqë bie fjala, për miqt’ amerikanë të tij është vetëm “Frano”, mund t’ju them që zë vendin e emrit “Augustus”. Se ç’kuptim ka emri Augustus, jam i sigurt q’as unë nuk e di.( Arkiv  “Dielli” qershori, 1934. Perktheu nga anglishtja: Nelo Drizari, editor i Diellit per vitet 1935-1939)-Foto- Faik Konica, i treti nga e majta-ulur,  ne mes te delegateve te Kuvendit te Vatres te vitit 1926

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Faik Konica, MABILLE GENNINGS, PORTRET I NJE ARISTOKRATI

Ëndrra e fundme” e një operatori turistik anglez: Trenat shqiptarë në guidën turistike të majit 2014/

January 4, 2014 by dgreca

Nga Edmond Prifti/

Anglezët si ngaherë të tillë. Të çuditshëm në gustot, e po aq në gjetjen e mënyrave praktike të udhëtimeve, larg asaj mondanes që me sa duket janë lodhur, e të etur për aventura… Gazeta britanike “Daily Mail”, në destinacionet turistike të guidave ndërkombëtare, ka përfshirë edhe një udhëtim me tren “që kalon përmes Shqipërisë”, përgjatë muajit Maj 2014. Në kategorinë “Travel Destinations” për vitin 2014, “Daily Mail”, , të cilës i referohet ATSH, theksonndër të tjera se, “është koha që të mendojmë se çdo bëjmë pasi jemi futur në një vit të ri, e për ata që s’duan ta harxhojnë kohën e tyre në palestra apo duke ngrënë më pak çokollatë, le të mendojmë diçka tjetër. Mendoni për aventurat që do të mbahen mend gjatë, si ato të një rrugëtimi jashtë Britanisë”, bën të ditur “Daily Mail”. Më tej gazeta britanike jep disa nga mundësitë e turistëve ishullorë për udhëtimet e tyre nëpër botë, duke filluar nga dhomat nënujore në Manta Resort të Tanzanisë, apo ishujt Cavallo off Corsica, Kalamota apo edhe udhëtimet me varka në Dubrovnikun e lashtë, duke dhënë edhe faqet online të operatorëve turistikë, të cilët i organizojnë këto udhëtime aventure.

Ndërsa për “Jetën e egër”, anglezët propozojnë vizitën në koloninë e pinguinëve Gentoo apo Zimbabve, ku zgjidhja është paketa turistike e ofruar nga operatori anglez expertafrica.com, në për kapitullin e “Udhëtimeve me tren”, gazeta “Daily Mail” propozon trenin e parë privat evropian, i cili udhëton drejt Iranit për 15-ditë përgjatë muajit Tetor 2014, nga brigjet e Bosforit drejt Persisë së Lashtë, në zemër të Teheranit.

Ndërsa, më tej në këtë artikull të gazetares Wendy Driver, propozohet edhe një guidë tejet e veçantë që kalon përmes Shqipërisë, nga operatori turistik anglez “Ffestiniog Travel” (ffestiniogtravel.com). Këta të fundit,  bëjnë të ditur se udhëtimi 13-ditor përfshin Maqedoninë dhe Shqipërinë, nga një kalim më parë, në shtetin më të ri të Evropës, Kosovën.

Sipas tyre, udhëtimi fillon nga Mali i Rugovës, me vizitë në manastiret e hershme, e më tej duke kaluar në resortet pranë lumit.

ATSH iu referua faqes zyrtare të operatorit turistik ffestiniogtravel.com, një tur operator anglez i krijuar nga disa specialistë hekurudhe dhe adhurues të udhëtimeve me tren që në vitin 1974; ku një program i detajuar përshkruan këtë udhëtim me tren, i cili kalon edhe përmes Shqipërisë.

Sipas tyre, në guidën turistike të titulluar “Të shkrijmë kufijtë –  Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria”, turi është parashikuar të fillojë më datë 7 maj deri më 19 maj 2014, i cili përfundon në Shqipëri.

Sipas ffestiniogtravel.com që i referohet ATSH, në guidën turistike të publikuar në faqen e tyre në internet, data e parë e këtij udhëtimi përshkruhet nga operatori i mësipërm: “Ndryshe nga programi jonë vjetor i rregullt, këtë vit kemi përfshirë destinacione të reja, siç është edhe shteti më i ri, Kosova; një shtet i njohur nga pjesa më e madhe e Bashkimit Evropian e tashmë i hapur për të përfunduar së bashku, bashkimin e copëzave të këtij rajoni mjaft të bukur”.

-Guida e aventurës me tren përqark tre shteteve-Dita e parë fillon me një fluturim me avion nga Mynihu drejt aeroportit të Prishtinës, ku operatori turistik përshkruan se në kryeqytetin e saj, Prishtinë, “gjëja e parë që do na habisë, është se sa miqësorë dhe mirënjohës janë kosovarët për të vizituar vendin e tyre, përpos ndihmës që i japim për zhvillimin e ekonomisë së këtij vendi”.

Më tej, dita e dytë vijon drejt Malit të Sharrit, por edhe në Prizren, ndërsa dita e tretë e këtij udhëtimi përfshin Manastirin e Graçanicës i vitit 1321 dhe Gazimestan, ndërsa pasditja do ti gjejë aventurierët anglezë me tren, në udhëtimin e tyre nga Prishtina drejt Pejës. Dita e katërt, një udhëtim drejt Grykës së Rugovës, Manastirit të Deçanit si dhe qytetit të Gjakovës. Dita e pestë i kushtohet pothuajse tërësisht Prishtinës, e më tej aventurierët do të udhëtojnë drejt Maqedonisë, në ditën e gjashtë dhe të shtatë të tyre. Sipas operatorit turistik “Ffestiniog Travel”, meqenëse i vetmi tren në ditë nga Prishtina për Shkup, niset në orën 07.10, “jemi të detyruar të ngrihemi herët në mëngjes”.

Në ditën e tetë dhe të nëntë të kësaj aventure, është udhëtimi me trenin malor drejt Manastirit (Bitola) dhe vizita në këtë qytet, ndërsa më tej drejt Kërçovës (Kiçevo). Prej terminalit të trenave, udhëtimi vijon drejt Ohrit, apo një prej 28 qyteteve në hartën e listës së mbrojtur të UNESCO-s, duke përmbyllur ditën e 10-të dhe të 11-të të udhëtimit. Më tej “qershia mbi tortë” në ditën e 12-të, i përket Shqipërisë, ku operatorët britanikë të “Ffestiniog Travel” përshkruajnë se “rrugët hekurudhore të Shqipërisë janë krejtësisht të izoluara nga pjesa tjetër e Evropës. Ndërsa, do na duhet të kalojmë kufirin me rrugë tokësore, deri në Librazhd, ku do të marrim trenin e mesditës drejt Tiranës. Një tjetër ditë e kaluar përmes një peizazhi mahnitës…”. Dita e 13-të, është edhe rikthimi nga Mynihu, drejt Anglisë.

Më tej, në përshkrimin e kësaj guide nga Alan Heywood , një prej liderëve të këtij turi turistik, ai ka rrëfyer në detaje ditën e 12-të, “e cila fillon” që nga kufiri maqedonas-shqiptar, kur shoferi “zhduket” për disa çaste dhe na çuditën teksa kthehet disa momente më pas… me pasaportat e vulosura. Alan Heywood, qe i referohet ATSH, “në rrëfimin e tij të provës”, që mban datën 24 gusht 2013, përshkruan se “kjo ndodhi, më kujtoi kufirin midis Amerikës dhe Meksikës”.

Përpos peizazhit mahnitës, Alan përshkruan gomerët dhe makinat e braktisura anash rrugëve, deri në stacionin hekurudhor të Librazhdit, por edhe hutimin e shoferit pasi nuk e dinte se ku ndodhej stacioni hekurudhor. E më tej, edhe çudinë e vetë banorëve vendas për udhëtimin e një turisti të huaj me trenat shqiptar…Në rrëfimin e tij të detajuar, Heywood përmend ndër të tjera se pas afërsisht dy orësh ecejakesh në pritje të trenit drejt Tiranës deri në orën 11.55, përshkruan se, “treni ishte i përbërë nga dy vagonë të klasit të dytë Deutsche Bahn (ish-Gjermania Lindore) e të mbuluara përplot me grafiti, ndërsa lokomotiva një prodhim çek, ashtu siç pamë së shumti përgjatë udhëtimit tonë… Ndërsa shumë prej dritareve të krisura apo të thyera…por sediljet brenda ishin ende në gjendje të mirë”.

“Telegraph Travel Awards”, e ka konsideruar tur operatorin “Ffestiniog Travel”, si një ndër tre më të mirat në Angli, përkrah “Orient Express” dhe “The Rocky Mountanieer”. Në turet e tyre turistike, përfshihen udhëtime me tren pothuajse në mbarë botën.

TIRANË, 4 Janar, kortezi ATSH

FOTO:Treni i udhetareve Durres-Tirane. Fotografi nga Bob Cable, e publikuar ne faqen e operatorit turistik “Festiniog Travel”

Filed Under: Featured

Qiejt e panumëruar të fjalës së Riza Lahit..

January 4, 2014 by dgreca

Nga Namik Selmani/ Shkrimtar/
Joo. Nuk e besoj vërtet se u nga nga jeta miku ynë, shkrimtari, studiuesi, gazetari, skenaristi Riza Lahi. Thuajeni sa të doni! Si të doooooni! Vendosni çdo fjalë të shqipes, të anglishtes, të frëngjishtes diku në nekrologjitë internetike, diku në shtyllat e bulevardeve, në ndonjë kronikë televizive aty nga fundi i lajmeve! Ai është mes nesh Mjafton që të hapim një libër, një kronikë takimi e do ta kemi atë sa të menduar, sa të mençur, sa gojëtar, sa hokatar. Ishte vetvetja jonë më e mkrë Sa keq që televizionet shqiptare nuk e dhanë një njoftim për të Ato, televizionet merren me sa e sa kronika kriminelësh e nuk kujtohen që të flasin shumë më tepër për këtë Fisnik të Fjalës Shqipe që për dekada ka punuar për ta bërë atë sa më të bukur të brezi i tij i krijuesve, por edhe tek më të rinjtë. Dhe jo vetëm në Shqipëri, po edhe në Kosovë, në trojet amtare në diasporë Madje në të gjithë botën. Se kudo kishte miq të mirë Riza Lahi. Për ta bërë sa më të njohur në botë bash si rilindas i kohëve moderne. Njeriu nuk ka bërë deri tani një peshë të saktë për dhimbjen njerëzore. Ka krijuar Peshore për të peshuar qoftë edhe miligramët e një trupi apo ato të shkëmbinjve të mëdhenj, të makinerive, të raketave kozmike me tonelata të tëra peshë, po jo atë të dhimbjes. E ndarja me Rizain fort na dhembi! Iku pa pyetur miqtë që e donin aq shumë dhe ia vlerësonin fjalën e tij. Vite me radhë fluturoi në Qiejt e kaltër si pilot i patrembur. Gati si pilot i lindur. Me sy të fortë shqiponje. Shumë herë thoshte se ishte pilot. Madje na thoshte edhe gradën e merituar nënkolonel. Kur e pyetën në një emisin televiziv se cila ishte poezia e tij më e dashur ai tha se ishte një poezi për një pilot veteran që kishte lënë qiellin e ishte në tokë. Në poezinë e tij flitej për një pilot që të gjitha sekretet , dashuritë emocionet e vërteta njerëzore ai ia kishte truguar mikut më të mirë .. qiellit. Mos kishte ndodhur edhe me të kështu në të gjallë a në vdekjen e tij.
Kur e la qiellin me avionë e u ul në tokë mes luleve, zhurmave, dyfytyrëshve, baltovinave bulevardeve me zhurma shumë e me semaforë të panumërt, para ferrave që na janë futur në këmbë, u bë shumë herë nostalgjik për qiejt. Atëherë dhe deri në ditën e ndarjes. Qoftë me mjegullnajë, me shi, me flutura bore, me dritë kaltërore qiejt ishin dadhira e madhe e jeëtsb së tij . Ishte Kurora që ai ia vinte çdo fjale çdo mendimi.. Veçse pa autostrada me sinjale Rizai kishte brenda vetes me dhjetra qiej, ylberë, satelitë të veçantë hapësinorë që ndriçonin dhe e zbukuronin aq shumë shpirtin e tij madhështor dhe atë mirësi zemre që rrallëkush e kishte. Që në atë kohë ai krijoi Simbolikën e Qiellit. Të Qiellit të Fjalës E ku ai mbeti më fitimtar se fitimtarët. Mos vallë copëzat e qiejve, të mjegullave apo çarçafët e borëruar që ai i kishte dashur aq shumë, po edhe i kishte sfiduar si fitimtar në ditënetët e jetës së tij, ia kishte dhënë këtë si Medaljon të Shpirtit të tij shkodran, të atij shkodrani hokatar dhe aq të mencur? Pas avionit mori biçikletën. Një poet romancier, përkthyes i talentuar një studiues, gazetar i spikatur që ia përpinin gazetat shkrimet e tij, po ecte në Tiranë me biçikletën. Ndoshta i qëndronte besnik Shkodrës së tij aq të njohur për këtë mjet udhëtimi. Ndoshta se ishte mësuar me fllad qiejsh në gjoksin e tij që po i thinjej ashtu si dhe flokët. Tani Shkodrës ai donte t’i jepte çdo gjë të bukur, fjalën. Kudo e përqafoi denjësisht këtë qytet të bukur. Para pak vitesh do të botonte librin poetik “Hanibales ande portas”. Kur e pa Shkodrën e tij të përmbytur aq sa edhe loti i burrit nuk ishte turp, i erdhi më mendje ky varg. Po bënte mjeshtërisht elegjinë për Shkodrën të mbytur që donte ndihmë
E , kur iku , në një ditë fundviti vetëm pak ditë para ditës së lindjes (16. janar 1950) besoj se me plot gojë ai e kishte fituar garën me Qiellin e Fjalës, me Qiellin e poezisë, me Qiellin e Shpirtit Njerëzor, duke u futur në radhën e atyre njerëzve të mirë që nuk i gjen sot as me kandilin diogjenian. Nuk mundem të gjykoj dot se sa i aftë ishte ai që të pilotonte, po entuziazmohesha aq shumë si fëmijë i burrëruar kur e shihja se si fliste për to, se sa dashamirës që ishte për shokët pilotë. Më gëzonte se sa bukur e fliste ai për pilot e për familjarët e tyre., Po, po, fjala e tij i ngjante një Sofre të madhe ku mund të gjeje mrekullisht një miqësi të sinqertë, një poezi tejet të vecantë sociale, atdhetare, filozofike ndjesore, erotike lirika natyre . Ai pikturonte si një Lasgush shkodran Bunën, Kalanë Taraboshin. Pikturonte brigjet ulqinake, ku ishte nip se nëna e tij ishte nga Ulqini. Para pak kohësh u bashkuam në një aktivitet që dibranët bënin për artistin e tyre Haziz Ndreu. Më solli një antologji të botuar në Mitrovicë. E kishte botuar Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës që është një nga më prodhimtaret dhe më të fuqishmet në Kosovë, krahas asaj të Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Gjilanit etj. Titullohej “Poetët për Mitrovicën”. Poeti Sabit Idrizi, kryetar i kësaj Shoqate dhe kryeredaktor i revistës “Fjalë e valë“ kishte zgjedhur Riza Lahin që të përkthente në gjuhën angleze të gjithë poezitë e librit. Dhe fort mirë kishte bërë aid he vetë Komuna e Mitrovicës.,. Një botim luksoz dhe me dinjiitet me një botim si në vendet më të zhvilluara perëndimore. Pas këtij përkthimi të Riza Lahit në fund të librit prej rreth 300 faqesh ishte dhe një përshëndetje e tij. Në këtë libër antologji kisha edhe unë një poezi me titull “Po ti na qenke, o Urë e Ibrit?” Nuk ishte vetëm nderi i pjesëmarrjes në të, por edhe se këtë po ma sillte në anglisht pena e Rizait tim të dashur që do ta kem kujtim për shumë vite. Kur erdhi një ditë nga Mitrovica rasti na solli që të bënim udhëtimin nga Prishtina në Tiranë së bashku për 6 orë e që na u duk kaq i shkurtër. Aty ishte edhe proza poetike e Rizait “Buna në muzg”. Kërkonte që Antologjia të promovohej në Mitrovicë ku të kishte edhe përfaqësues nga Evropa nga Tirana, Çamëria. Që ata evropianët ta kuptonin edhe artistikisht shpirtin e madh të shqiptarit liridashës. Një ditë edhe mbase mund të bëhet një aktivitet i tillë, por do të mungojë ai që i përktheu germë më germë të gjithë poezitë, miku ynë Riza Lahi. Karrikja e Rizait do të mbesë bosh. Nuk do harrojmë të vëmë luet më të mira në të. Në dy gjuhët ajo sot lexohet nga ushtarët që ruajnë Urën e Ibrit, nga shefat e tyre, nga diplomatët, nga serbët, anglezët amerikanët, nga shqiptarët e Tiranës e të Vlorës. Atë ditë më thoshte se do të ishte mirë që të bëhej ky promovim madhështor i atij libri ku të merrnin pjesë sa më shumë evropianë e amerikanë që të shihnin poetët e këtij kombi se sa e duan lirinë bashkëjetesën mes kombeve. Si poet e kishte bërë detyrën, tani ishte zëri i patriotit Riza që fliste e që uroj të dëgjohet një ditë.
Vargu dhe fjala e tij e shkruar është njohur në Greqi, SHBA, Rumani, Maqedoni, Kosovë madje deri në Indi dhe në Iran. Ishte kënaqësi që ta dëgjoje atë duke folur në tribunat e poetëve. Ashtu si dhe ta dëgjoje duke recituar fort bukur sa që e ngrinte sallën në këmbë..Ai ishte i natyrshëm në atë që thoshte. Përherë e shoqëronte me fabul të veçantë, shenjë e kulturës së gjuhës për një njeri. Me gjeste të bukura. Me një dallgëzim emocionesh. Aq më tepër se përvoja e tij jetësore, leximet në disa gjuhë kisht bërë që ajo të ishte e larmishme e gjithanshme. Aq sa duhet të zgjasje veshin dhe kokën për të mos të të ikur asnjë fjalë e thënë, asnjë gjest, asnjë muskul fytyre në plastikën e tij. Shumë herë duhet ta dëgjoje edhe për t’ia “vjedhur“ pak stilin e tij aq të spikatur të gojëtarisë.
Shumë herë shqetësohej për antivlerat që shfaqeshin kudo . Trishohej kur fliste se paratë nuk shkonin në botimet e poetëve që mbanin sa e sa vlera të paqarkulluara se iu mungonin të hollat për t’i botuar. Prej disa vitesh shkonte shumë herë në Korçë. Kishte mik të ngushtë Mihallaq Andrenë. Mjeshtri Mihallaq shumë tekste i kishte edhe nga Rizai. Ishte ndoshta shkodrani më i mençur që kishte ngritur një Urë nga më të fortë mes Shkodrës dhe Korçës. Kishte bërë dhe një skenar të mrekullueshëm për këngën e tij. Kishte disa vite që bashkëpunonte edhe me Gurali Mejdanin që drejton komunitetin e romëve. Fliste me aq entuziazëm, dashamirësi dhe emocion për kulturën e romëve, O zot edhe këtu Simbolika e Qiellit nuk i ndahej Riza Lahit. Një shkrimtar dhe poet që i donte të gjithë pjesët e kulturës së kombit të tij, aq sa edhe Shkodrën e tij dashurore trëndafilore me jaret e papërsëritshme. Shkonte edhe në turnetë që bënin shoqata kulturore jasht vendit si gazetar, si poet, si organizator. Përherë mbeti një shkodran hokatar. Dikur në një dialog poetik me “Motrën Tone” të Kolë Idromenos (me origjinë nga Çamëria, shprehte keqardhjen se Shkodra duket se po harronte disa vlera kulturore të krijuara në vite e shekuj. Po, Riza Lahi ishte edhe ulqinak i mirë. Një nga librat e parë që kam lexuar nga Rizai para 8 vitesh ishte “Nën hënën e Ulqinit”. Ishte nip nga Ulqini dhe thoshte se nëna e tij ishte vajzë ulqinake. Para 8 viteve hapa një ekspozitë fotografike në Ulqin në Ulqin shumë miq të tij më flisnin me kaq dashuri për të. Në vitet e fundit po bëhej më shumë mbretëror. Mbretëror me poezinë e tij të përkryer. Ai ishte kaq risitar edhe në vargun e tij, po dhe në atë varg që përkthente nga shqipja në anglisht. Që kur kishte nisur punë për përkthimin e poezive të sulltanëve dhe vezirëve të Turqisë diku në një lokal bashkë me mikun tonë të përbashkët Ahmet Dorsun, një shqiptar i lindur në Turqi dhe tash romancier e poet, banor i Tiranës, më fliste me aq pasion për të. I recitonte si të ishin poezi të dala nga shpirti i tij i behartë. Poezitë dashurore që kishin bërë sulltanët në jetën tyre ishin po kaq befasi sa edhe përkthimi i tij. Bujkur! Dhe u botua edhe pse ne jemi në goditjen e madhe të një informacioni të pakët për librat që botohen dhe për një mungesë të shpërndarjes së vlerave që krijohen. tek ne Në ditët e fundit po “matej” me Xheladin Rumiun. Një Vexhi Buhara tjetër, do të thoja unë. Kishte marrë me meritë edhe një titull të lartë të “Përkthyesit më të mirë të anglishtes në Shqipëri.” E kishte vënë si sqarim në një libër, po ai ishte shumë modest. Ai ishte bërë vetë një Rumi me atë filozofi që po përcillte çdo ditë në atë që shkruante që fliste. Kishte disa muaj që e shqetësonte një këmbë e sëmurë. Ishte enjtur . Ende nuk ia gjente arsyen. Veç të dhimbej Rizai. Natën, thoshte, këmba qetësohej e ditën rëndohej. Dhe kur? Kur?!!!! Kur atë e prisnin një nga një miqtë e tij të panumërt miket që e dëgjonin me kaq vemendje elegancën e të folurit të tij. E pritnin gazetat me reportazhet më të mira të viteve të fundit. Të jashtëzakonshëm. Botonte në “Tirana Observer” te “Republika“.dhe shkrimet e tij ishin më të lexueshmet Që në titujt shumë intrigues. Ai kishte kurajon e njeriut të ditur. E përkëdhelte fjaën e bënte si brumin e amvisave në ditë feste. Vazhdonte të protestonte me veten për këmbën. E sërish mbi biçikletën e tij gati proverbiale migjeniane ecte në qytet më këmbën e sëmurë të enjtur. Madje të shkonte edhe në Bullgari në Turqi.
Qënka pak e vështrirë që të përfshish të gjithë qiejt e panumërt të Fjalës Lahiane në një ese kujtese. Ani. Duhet bërë, edhe se me pengje të mëdha se nuk e tregojmë sa duhet atë hapësirë që kishte ai si njeri si intelektual. Si njeri. Si mim që rrallë të vjen në jetë . Shihnim vetveten në këto ditë të jetuara me të me kaq vrull, me kaq patriotizëm. E çka duhet më shumë për të vënë Kurorën më të ndritshme të patriotit, të këtij njeriu kaq të ditur e kaq të mirë???? I mençur në poezi, në roman ( Kujtoj këtu romanet e tij “Vorri i ashikut” dhe “Një serenatë korçare në Njy Jork”), Përkthyesi, miku i ngushtë i të mençurve e ka fituar plotësisht betejën me HARRESËN. Ai, flokëkërleshuri i veçantë do të mbetet përjetësisht mes kujetsës. Shpesh herë ia merrte era e qiellit ato flokë që po i thinjeshin me shpejtësi. Ishte kënaqësi që e kishim mes nesh. Është obligim për ta kujtuar. Ishte Lumturia jonë dikur dhe sot po e themi me plot gojë dhimbja jonë. Prej shumë kohësh ai do të mbetet Princi i Kujtesës qiellore të Fjalës Shqipe, Zgalemi fitimar i qiejve të panumërt të fjalës Shqipe.
Tiranë, 1 janar 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: namik Selmani, qiejt e panumeruar, se Riza Lahit, te fjales

T’u prehte Shpirti ne Paqe, Bujar Demirali!

January 4, 2014 by dgreca

BUJAR DEMIRALI – PERKUJTIMORE/

Nga Stefan Kochi/

“Rrofte Shqiperia!” Keshtu e mbyllte im ate urimin sa here ngrinte goten per te bere “Gezuar”, pavaresisht festes dhe vendit ku ishte. Keshtu e pershkroi Nekiu, babane e tij Bujar Demirali, perpara qindra njerezve te mbledhur te zyra e sherbimeve funerale per te respektuar njeriun te cilin e kishin takuar para gjashtedhjete vjetesh kur ishin arratisur nga Shqiperia apo gjashte jave me pare te qendra tregetare.

“Rrofte Shqiperia!” Pse dikush ndjehej keshtu gjate gjithe jetes se tij ndaj vendit ku ai vuajti aq shume kur ishte aty, prej nga ku ishte arratisur si nje adoleshent i ri me familjen e tij dhe ku me siguri do te kishte vdekur ne burg nese do te kishte qendruar pas?

Ky ishte Bujar Demiraliu. Aq patriot ishte ai. Bujari, i cili nderroi jete ne 12 shtator, 2013, u lind ne Shqiperi ne 1933. Verleni, fshati ku ai u lind e u rrit, kishte pjesen e vet te historise dhe emigracionit. Fshati ndodhet ne zonen e Devollit, disa ore larg nga Korca, dhe pothuajse ne te njejten distance nga kufiri me Greqine. Te dyja keto pika gjeografike, Korca dhe kufiri me Greqine, u bene shume te rendesishme ne jeten e Bujarit.

Fshati i tyre, bashke me fshatra te tjera te zones, u bene deshmitare te perpjekjeve te kombit te ri shqiptar per te ndertuar institucionet e veta, kufirin, ligjet, dhe natyrisht qeverine. Zona e Devollit ishte ne krye te perpjekjeve per te konsoliduar gjuhen e tyre: shqipen. Ne nje nga udhetimet e tij per te siguruar libra ne gjuhen shqipe, gjyshi i Bujarit u vra, sipas gjasave nga ushtaret greke.

Per kete arsye, babai I Bujarit, Abduli emigroi ne Amerike. Shume shpejt atij ju bashkua dhe djali i madh Myfiti. Bujari dhe vellai i tij Aliu u rriten se bashku dhe ishin shume te lidhur. Nena e tyre Samija i rriti vete te dy djemte dhe vajzen e saj Kike. Pas perfundimit te luftes dhe mbylljes se kufijve, familja u perball me shume situata te veshtira qe i shtyne ata te arratisen ne vitin 1951. Si pasoje e shume ndryshimeve qe u ndermoren nga regjimi komunist, familja pa se si ju moren pronat me force, si ju burgosen te afermit si dhe shume kercenime te tjera, kryesisht per arsye te lidhjes se tyre me SHBA.

Vitet ishin te veshtira dhe kjo si perfundim i detyroi ata te arratisen, por per sa kohe ishin ne Shqiperi Bujari dhe Aliu ishin te vendosur te shkonin ne shkolle. Megjithese Korca ishte disa ore larg, ata shkuan ne shkolle ne Korce per disa vjet. Ne vitet e mepasme, ata e kujtonin me dashuri dhe respekt kohen e shkolles. Nuk ishte e pazakonte per femijet e tyre e me vone per nuset e dhenduret te degjonin histori te ndryshme se si Bujari dhe Aliu ecnin ose vraponin per ne shkolle me ore te tera nga shtepia e tyre ne fshat per ne Korce. Sa i veshtire ishte dimri i Korces per dy djemte. Te gjitha keto histori ata I tregonin me gezim e hare, asnje prej tyre nuk permbante trishtim apo meri. Disa tregime bile ata I tregonin si aregetuese, p. sh. se si duhet te varnin buken ne tavan, qe te mos ta hante miu kur ata ishin ne shkolle.

Ne korrik 1951 familja vendosi te arratisej. Njerez qe e kane bere kete gje, kurre nuk e harrojne arratisjen. Arratisja e tyre do te mbetej ne kujtese per faktin se naten qe ata kaluan kufirin nje hene e plote ndriconte ne zonen e kufirit duke trembur grupin prej 23 vetash dhe nje kale. “Ate nate na ruajti Zoti. Nuk dime se si nuk na pane ushtaret” thoshin Bujari me Aliun kur tregonin historine. Nuk ka shpjegim tjeter me kaq shume ushtare rreth e rrotull dhe henen qe ndriconte mbi ta.

Pasi kaluan disa muaj ne kampe refugjatesh ne Greqi, familja u largua per ne Amerike. Gradualisht ata u vendosen ne Uoterberi, ne shtetin Konektikat, nje qytet i njohur per traditen e tij shqiptare. Pervec punes qe Bujari bente per te mbeshtetur veten dhe familjen, ai punoi shume qe te mesonte e pervetesonte gjuhen e re: anglishten. Gjithe I perkushtuar ndaj arsimit, per vete, dhe per femijet e niperit e mbesat me vone. Ishte ky lloj dedikimi per shkollen dhe arsmimin qe i beri te dy vellezerit te punonin shume ne vitet e ardhshme ne SHBA se bashku me bashkeatdhetare te tjere nga Shqiperia per te hapur e mirembajtur institucionet shqiptare ne Uoterberi, si xhamine, shkollen shqipe, festivalin shqiptar, ceremonine e ngritjes se Flamurit shqiptar, etj.

Ne 1958 Bujari u martua me Dilen, nje vajze e re nga Turqia, prinderit e se ciles ishin gjithashtu me origjine shqiptare. Martesa e tyre e bekuar zgjati 55 vjet, ashtu sic e thote edhe shprehja “deri sa vdekja te na ndaje”. Per ne qe I njohem Bujarin dhe Dilen nga afer, martesa e tyre ishte shembull I dashurise dhe respektit. Ata gjithmone udhetonin ne vende te ndryshme, dhe natyrisht, benin ngjarjen me te dashur: takim me familjen dhe shoket.

Ashtu sic edhe pritej nga nje njeri qe vlereson punen dhe ndershmerine, Bujari punoi shume gjate gjithe jetes se tij per te mbeshtetur gruan dhe tre djemte e tij, Xhonin, Nekiun dhe Rein. Dhe ashtu sic thane edhe djemte e tij gjate perkujtimores, ai asnjehere nuk u ankua. ”E ndjeva qe dicka nuk shkonte me shendetin e tij”- tha Dilja disa dite perpara se Bujari te nderronte jete. “Per here te pare ne jeten tone te perbashket Bujari po ankohej se kishte dhimbje. Kurre nuk e kishte bere kete me pare. Kurre!”

Bujari me shume deshire festonte arritjet e familjes dhe shokeve. Ai do te mbeshteste kedo: mik I ri apo I vjeter. Bujari gezonte te shikonte femijet e tij, niperit e mbesat e tij, femijet e shokeve te luanin teater, concerte, mbaronin shkollen, apo dasmat. Bujari respektonte dhe ndihmonte kedo qe kishte nevoje. Ai donte qe njerezit te mbaronin pune, te arrinin sukses. Ai festonte me ta suksesin e tyre. Ai ishte “gjyshi” per niperit e mbesat, “xhaxhi” per familjen dhe komunitetin.

Zyra funerale ku u bene sherbimet ishte mbushur plot me njerez qe vinin per te bere homazhe ndaj Bujarit. Ishte dite jave, jo fundjave, e megjithate njerezit vazhdonin te vinin. Te gjithe donin te shprehnin respektin e tyre ndaj Diles, djemve dhe pjeses tjeter te familjes. Respekti i madh qe kishin krijuar per Bujarin gjate viteve te shkuara i beri ata qe te vinin. Shume prej tyre ai u kishte sherbyer mengjes ose dreke tek “Robinnon’s Lunch” ne Nogatak, nje restorant qe Bujari e kishte ne pronesi per afro 30 vjete. Te tjeret e kishin takuar ne shkollat e femijeve, ne aktivitete te qytetit ose e kishin pare si Kryetar Nderi i Bashkise gjate Dites se Flamurit, nje aktivitet shume i rendesishem per komunitetin shqiptar ne Uoterberi. Ky aktivitet, se bashku me shprehjen e mirenjohjes ndaj njerez qe kane ndihmuar komunitetin, tregon ndikimin e rendesishem qe komuniteti ka ndaj jetes politike, ekonomike dhe ceshtjeve te tjera te qytetit. Kryetari i vertete i Bashkise eshte pjese e festimeve dhe ashtu ka qene prej vitesh, qe ne ditet kur z.Bergin ishte kryetar. Shqiptaret e sapoardhur te atyre viteve dhane shume nga jeta e tyre per qytetin nderkohe qe perpiqeshin te ndertonin jeten dhe familjet e tyre. Bujari ishte anetar i grupit nismetar per te krijuar xhamine ne vitin 1968. Ai ishte President i xhamise per disa vjet si dhe prezantues i mjaft ceremonive dhe aktiviteteve shqiptare. Dilja me shijen dhe pasionin e saj, qepi kostume popullore per brezat e rinj. Dhe kjo vazhdoi per shume e shume vjet.

Ky ishte Bujar Demirali. Keshtu e jetoi cdo dite te jetes se tij. Kjo eshte arsyeja pse nipi i tij Douglas e quajti “shembulli im ne jete”. Kjo eshte pse familja e tij kujton “Rrofte Shqiperia” si urimin e tij per cdo gote te ngritur neper festa. Bujari hyri po aq thelle ne shpirtin e njerezve qe takoi ne jete sa edhe Shqiperia hyri ne shpirtin e tij. I perjetshem kujtimi!

Bujar Demirali – t’u prehte shpirti ne paqe!

Filed Under: Kronike Tagged With: Bujar Demirali, ne paqe, Stefan Kochi, T'u prehte shpirti

AZGAN HAKLAJ MBAN NDEZUR PISHTARIN E ATDHETARISË

January 4, 2014 by dgreca

NGA SHPENDI TOPOLLAJ/

Sa herë takoj ndonjë ndonjë shok a mik, emri i të cilit përkon bukur me cilësitë vetjake të tij, nuk e di sepse më vjen ndërmend ajo thënia e atij priftit budist Kenko Hoshi i cili qysh në vitin 1331 shprehej se pas një emri fshihet një pamje. Kjo ngjet edhe me birin e shquar të Tropojës së bukur, Azgan Haklajn i cili duke ndjekur gjurmët historike të atyre viganëve që në shekuj luajtën një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e lirisë dhe pavarsisë apo të shembjes së diktaturës më të egër që ka njohur bota moderne dhe demokratizimit të vendit tonë, si eruditi i pathyeshëm Sali Berisha apo trimi i çartur Azem Hajdari, u bë njëri nga përfaqsuesit më autoritar dhe zëri më elokuent i gjithçkaje të mirë ka ajo trevë. Dhe njëkohësisht, me karakterin e tij burrëror, besnikërinë ndaj idealeve, energjitë e pashtershme në veprime dhe qartësinë e mendimeve rreth çështjes kombëtare, ai vërtetoi parashikimin e atij që e quajti Azgan.

Duke pasur në krah vetëm vlerat e tij intelektuale dhe njerëzore, ai u bë një figurë e njohur dhe e dashur për këdo. Pati ngjitjet dhe zbritjet e tij në politikë gjë që shpesh varet nga rrethanat, por për asnjë çast nuk ju lëkund bindja te thelbi i teorisë së Rene Dekartit se “Mendoj, pra jam”.         Dhe natyrisht, ka qenë ky formim qytetar i tij i cili e ka shtyrë prej vitesh që të jetë i pranishëm në organet tona të shtypit apo të botojë librat e tij  publiçistikë, duke ndjekur në këtë gjini shembullin e Gramenos, Fishtës, Merxhanit, Harapit e deri Ismail Kadaresë, i cili pikërisht në këtë zhanër ka shkëlqimin e tij më impresionues.

Azgani, duke qenë njëkohësisht edhe artist, me shembullin e tij, duket se e ka zhvleftësuar atë përcaktimin e atij filozofit që thosh se ai që e do të bukurën dhe të vërtetën, nuk duhet të merret me politikë, pasi politika nuk e do as të vërtetën dhe as të bukurën. Përveç angazhimit të tij si deputet në periudhën e ndezur 2001 – 2005, Azgani ka krijuar dhe drejton Unionin Artistik të Kombit Shqiptar, të cilin sikurse shprehet, synon ta shndërrojë “në një Parlament shpirtëror ku flitet me gjuhën universale të artit për hallet dhe plagët e kombit.” Dhe pa drojë mund të pohojmë se ai e ka realizuar mësë miri këtë me një sërë veprimtarish brenda dhe jashtë vendit, duke na bindur se Seferisi nuk e kishte fjalën vetëm për grekët kur thosh: “Ngado që shkoj atdheun e marr me vete.”

Në vetvete libri “Ashti i shqiptarisë” që po u jepet lexuesve në dorë është vazhdim i librave të mëparshëm të këtij autori, pasi edhe këtu si bosht qendror mbeten shqetësimi për një demokraci sa më të arrirë dhe bashkimi i trojeve tona të ndara padrejtësisht nga trungu amë, gjë për të cilën ai shprehet: “Pa pikë droje pse jo dhe shumë krenarisht deklaroj se bashkimin e trojeve etnike shqiptare nuk e kam thjesht qëndrimin personal e politik, por pikësynimin e jetës e qenësisë sime, të mendimit e veprimit tim prej kurse jam bërë të më dëgjojnë në odë burrash apo në tubime të çdo lloji.” Dhe shton se për këto nuk i marr leje askujt… në Beograd, në Moskë e në Athinë…

Jo pa qëllim, Azgani me njohuritë e tij të bazuara shkencërisht, i referohet jo vetëm dardanëve që s`kanë nevojë për asnjë apollogji, pasi atë nuk e shuan dot nga kujtesa historike as tërmeti i vitit 518, as sulmet sllave të viteve 613 – 616, dhe as çmenduria e akademikëve serbë apo e falangave të Arkanit dhe Millosheviçit, por edhe Dodonës pellazgjike në vendin e mollosëve, veç njëzet kilometra mbi Janinë, aq të lakuar nga Homeri (850 para K.), Hesiodi (rreth shek. VIII para K.) e deri Herodoti (484 – 430 para K.). të cilët me aq admirim flasin për të, duke e barazuar për nga rëndësia me tempullin e Delfit.

Ja pse Azgan Haklaj parathotë se Kosova qëndis flamurin e Pavarsisë, pasi gjaku i mijra dëshmorëve, jehona e pushkës së bijave dhe bijve më të mirë të saj si Adem Jashari, Ramush Haradinaj apo Hashim Thaçi me shokë apo urtësia proverbiale e udhëheqsave të mençur si Ibrahim Rugova, Adem Demaçi etj. do japë frytet e veta historike.

Kanë folur për Azganin dhe veprën e tij, pena me emër të letrave dhe politikës tonë. Nëse do na duhej t`i përmblidhnim ato, do mjaftonte të sillnim në vëmendje fjalët – sentencë të kritikut të njohur Dukagjin Hata se “Azgan Haklaj hyri politikë për të dhënë e jo për të marrë.” Se këtu qëndron edhe tragjedia jonë, ajo tragjedi që Azganin e shqetëson dhe ai me guxim të lavdërueshëm qytetar i ka shpallur luftë, jo me ushtën e Don Kishotit por me forcën e pallogaritshme të penës.

Në një libër autobiografik Salman Rushdie e ka quajtur pazarin e mendimeve të kundërta si vendin nga buron liria. Vetë Azgani është shprehur se “… dialogu është ajri i një shoqëria demokratike.” (“Dardanët presin Dodonën” fq.167). Kështu edhe në këtë libër, një vend të rëndësishëm zenë edhe polemikat me personalitete të politikës apo mediave, me të cilët Azgani ka kundërshti pikpamjesh apo qëndrimesh. Kjo është krejt normale, se edhe unë që po shkruaj për të, mund të kem rezervat e mia me gjithë sa ai thotë. Por, debati me kulturë dhe argumente është i shëndetshëm dhe duhet pranuar se rrallë e ndeshim atë si te librat e Azgan Haklajt.

Ne e dimë mirë dhe kjo nënvizohet edhe te “Ashti i shqiptarisë” se Azgani shpesh e ka paguar shtrenjtë këtë guxim. Se fundja jo më kot Leon Tolstoi shprehej se “Kur dhuna e padrejtësia ngrihen në sistem shtetëror, vendi i njerëzve të ndershëm është në burg”. Por kjo nuk e ka thyer për asnjë çast atë, ashtu sikurse nuk e ka trishtuar shpërfillja e lënia pa punë. Ato ndofta, me gjithë veprën e tij, i kanë dhënë përmasa epike dhe i kanë rritur besimin se ajo statuja e bronxtë e atij djalit që mbante në duar një purtekë të përkulshme që godiste enët metalike, prej nga priftërinjtë e Dodonës gjenin përgjigjet e perëndive për pyetjet që bëheshin, do konfirmojë se ka ardhur koha që edhe Kosova dhe Çamëria të bashkohen me Shqipërinë, pasi sikurse e mendon vetë Azgani, tani edhe Zoti po flet shqip.

Por, për ta shpejtuar këtë ditë, duhet që gjithkush të ndjejë përgjegjësi atdhetare se tashmë kushdo e ka të qartë se Bernard Shou pikërisht të tillë qëllim kishte kur porosiste se “Jeta nuk është një qiri, por një pishtar që duhet mbajtur ndezur me çdo mënyrë”.

Ashtu sikurse po e mban të ndezur dhe me nder edhe biri i trim Tropojës legjendare Azgan Haklaj, ai burri që të sheh drejt e në sy dhe që më kujtoi atë thënien e japozezit Kenko Hoshit se pas një emri fshihet një pamje.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Azgan haklaj, mban ndezur, pishtarin e Atdhetarise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT