• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

IKJA E RIZAIT…

January 4, 2014 by dgreca

Riza Lahi, ike dhe kuptuam sa vend bosh ke lënë tek ne/

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

Ka momente në jetën e përditëshme që shumica prej nesh e ndjejnë veten të  lëkundur mes mendimeve dhe ndjenjave kontradiktore në udhëtimin e lumtur e të trishtë të jetës. Shumica prej nesh pamarrë parasysh atë që ndjejmë e shprehim, janë duke ecur në paqartësitë dhe të papriturat e natyrëshme në qenjet e gjithkujt, duke ecur mes dritës e errësirës, mes jetës e vdekjes. Askush nga ne nuk e di se cfarë do të ndodhë nga një moment në tjetrin, apo si e qysh do ta përballojmë e përjetojmë atë cast gëzimi apo hidhërimi. Ky është një moment i pashmangshëm për gjithsecilin nga ne. Dhe kjo është mëse e vërtetë! Ka gjëra në jetë që ndodhin krejt papritur dhe ndryshojnë rrjedhën e jetës mes të bukurës e së përditshmes njerëzore, na krijohet ndjesia e një realiteti që do të na  duhet të ekuilibrojmë përpos gjendjes  shpirtërore   edhe përjetimin  e  dhimbjes, pikëllimit, humbjen e njerësve më të dashur, të familjes e shoqërisë.E pra vijnë ato caste në jetë  që të prishin paqen shpirtërore! Kjo më ndodhi edhe mua në ditën e fundit të vitit që sapo kaloi – 31 Dhjetor 2013!  Lajmin ogurzi se kolegu dhe miku im më i mirë, që  në respekt të kësaj miqësie të bukur dhe eternale, të pastër e të përzëmërt, e thërrisja Kryemiku im,  i miri e i mrekullueshmi Riza Lahi – ishte ndarë krejt papritur nga jeta duke pirë kafen e mëngjezit te lokali modest  poshtë pallatit të tij,-ma dha mikja jonë e përbashkët Kozeta Zavalani. Unë, Rizai dhe Kozeta, kjo  treshe  e pandarë dhe simpatike që do të na shikoje gjithmonë duke ecur në rrugët e Tiranës, apo te Bar Europa, te Bar Mondiali apo te Pjaca në qendër të Tiranës -duke tymosur cigaret e duke  rrufitur kafetë, bisedonim e diskutonim, ku thelbi i bisedës ishte Letërsia! Ashtu të tre krah për krah me Rizain ecnim në rrugicat  me kalldrëm të Korcës, -në  Kosovë,  Prizren e Prishtinë, Vlorë e Durrës,  Shkodër dhe Sarandë, Strugë e  Ohër, Pogradec e Shën Naum, në evenimente  letraro-artistike,  me libra ndër duar, me sytë që na shkëlqenin, me dashurinë e respektin ndaj njëri tjetrit dhe për   librat, realitetin mbresëlënës që mbart në vetvete magjinë e ndryshimit e të shpresës, surprizën e këndshme në kërkimet origjinale për të mëkuar ëndrrat e së ardhmes, që gjithsecili nga ne dëshiron të arrijë në rrugën e krijimtarisë. Ishim një kombinim perfekt që shënonte thellësisht tre intenditetet vitale e të virtytshme  në personalitetin tonë: Miqësinë, Bashkëpunimin dhe ndanim së bashku  Mjedisin Krijues Letraro-Artistik, si  forca e mendimit të lirë,  ashtu si e ndjenim dhe e perceptonim. Jam akoma nën ethet e traumës e tronditjes shpirtërore për humbjen e vëllait tim të ndjerë Vilsonit,  dhe fillimisht  atë fjali nga Kozeta “ motër nuk më bën zemra të ta them, por Xakja na la sot në mëngjes”,  e morra si lajthitje momentale apo shaka të mikes sonë –kur unë para dy orëve pata marrë mesazhin e urimit të Vitit të Ri 2014 nga miku im i shtrenjtë Rizai. Por jo vetëm kaq!  Kishte raste që me batuta të ngrohta bënim lojë fjalësh me “vdekjen” mes nesh, pra batuta lajthitje poetësh mes vedit, nën fishkëllimën e serenatave korcare e jareve shkodrane ndër buzë.  Shpesh i thoja Xakes me shaka: “Kur të vdesësh ti unë do të këndoj serenatat e Korcës, dhe do t’i vendos të gjitha CD-të   e Mihallaq Andreas në varr”, sepse ai gjithmonë ishte në  humor, gaz, hare, këngë dhe fishkëllente serenatat korcare. Buzagazi dhe hokatari babaxhan Xakja qeshte me të madhe dhe ma kthente: “Ndërsa unë do të këndoj jaret shkodrane, do të sjell shportën e argjentë  me trëndafila  dhe një kuti të madhe me unaza, me vargjet: “ 10 unaza po t’i nap/ që cdo gisht ta ban zap! Ne ishim aq shumë të lidhur me njëri tjetrin sa bashkëshortja e Rizait – Afërdita, sa e pa Kozetën që hyri në dhomë, vazhdoi të qarat duke i thënë Rizait; “Ngrehu ore Riza se të ka ardhur Kozeta dhe Monda…jo i thashë,  Monda është përtej oqeanit në Amerikë, dhe nuk mund ta besojmë dot këtë të papritur kaq të hidhur.Ishte e para dhe e vetmja herë që Rizai qëndronte i heshtur, shtrirë, me sytë mbyllur përgjithmonë dhe nuk na priste me buzëqeshjen e shakatë e tij, që janë gdhendur në kujtesën tonë, përjetësisht”-më shkruante Kozeta në Facebook. Kur më erdhi mesazhi i dytë nga miku ynë -Dilaver Goxhaj, që më konfirmonte vdekjen e Kryemikut tim,  –atëhere tronditja, hidhërimi dhe dhimbja te unë nuk njihte kufij. Mes kujës e ngashërimit me duart që më dridheshin i telefonoj mikut tonë të përbashkët,  por që me Rizanë e lidhnin detyra e pilotit dhe ajo e krijuesit,  shkrimtarit Agim Bacelli – të parit në Amerikë që i jap lajmin ogurzi. Mundoheshim të qetësonim njëri-tjetrin po ishte e pamundur. Ja si shprehet Agimi për atë cast klithjesh shpirti dhe therrje zemre:  “Ka pakë minuta që përmes lotëve e klithmës më mori në telefon Raimonda duke më dhënë lajmin ogurzi, Xakja s’është më! Për momentin s’desha ta besoj dhe e mora si një shaka apo edhe lajthitje momentale, siç lajthitin poetët. S’e besova pasi Riza Lahi më thoshte shpesh duke qeshur, të qeshja që të më zgjatej jeta…” Klithi shpirti i Merita Bajraktarit McComarck –vajzës korcare shkrimtares e aktivistes së “Vatra” që Rizai i kushtoi  romanin” Serenatë korcare në Neë York”: “ëoë….e pamundur….e pabesueshme…nuk mund ta besoj lajmin……oh, sa keq më vjen, sa s’ka ku të vejë…jam shumë e tronditur… ngushëllime dhe lutje.. …RIP Riza …..God loves you…… Klithnim vetën klithnim! Ishte  klithmë dhimbje shpirti që dukej e vështirë për ta kuptuar në brendësi të emocioneve e shpirtit tim të plagosur dy herë brenda një kohe të shkurtër. Ishte klithmë e shpirtit njerëzor, klithmë për të njohur dashurinë e trishtimin, klithmë që cau qiellin e ngriu diellin, klithmë dhimbje që kapërxeu Atlantikun dhe sakaq ngriti urën jetike mes shpirtit dhe ikjes së heshtur e të lehtë  të Riza Lahit dhe klithmave të bijës e djalit të  tij, nipërve dhe  bashkëshortes, me klithmat e dhimbjes e “shock” –ut   që lajmi  ogurzi të mos ishte i vërtetë, – të mijra e mijra miqëve e mikeshave, kolegëve e kolegeve, dashamirësve të krijimtarisë së shkrimtarit Lahi, të njohurve e të panjohurve, të atyre që e kishin njohur realisht dhe virtualisht,  në rrjetet sociale,  vecmas në Facebook,- kudo në botën e ndjeshme të trojeve shqiptare.  “Shock”-u ogurzi që pësuan në prag të Vitit të Ri bëri që  bota ndali frymën për një cast! Gëzimi e Helmi janë motër e vëlla! Gjithsecili për një cast u shkëput nga tavolina e Vitit të Ri, klithma vaji e elegjie përfshirë edhe lotët e syve të tyre mbi tastierën e kompjuterit apo të iphone-it, që ishte e pamundur t’i kontrollonin, mbuloi Facebook-un,  mediat online – Nuk ka mundësi të ketë vdekur poeti! Jooo nuk ka vdekur Riza Lahi! Por jo, gjëma pati ndodhur- Xakja ynë kishte vdekur- pas gjysëm ore që ai në FACEBOOK-dërgoi  urimin e Vitit të Ri, gjithë miqëve, kolegëve dhe dashamirësve të tij. Klithi në vaj bota e publicistikës që Rizai e donte dhe shkruante aq bukur, ndjeshëm e profesionalisht, klithi Roland Qafoku-“ Jam i shokuar! Nuk e besoj që Xakja i mirë nuk jeton më. Iu preftë shpirti në paqe!Jo Monda nuk ka mundësi të ketë vdekur, Rizai, njeriu që cdo cast dhuronte vetëm mirësi dhe buzagas! Klithi vajtueshëm shpirti i Altin Sinanit –Kryedaktorit  të gazetës Tirana Observer-humbi mikun më të mirë dhe gazetarin më aktiv e profesional të gazetës: “Jo Monda, nuk ka vdekur Xakja ynë,- ai njeri  aq i mirë plot energji pozitive  dhe mirësi shpirtërore”.  Klithi shpirti i Dilaver Goxhaj i sapo dalë nga spitali mbas dy bypass-eve, që pati kaluar:  “Me vjen keq që ky vit i vjetër mbaroi duke na marrë përgjithmonë Rizanë tonë të mirë e të talentuar. Por nuk kemi cfarë të bëjmë, vec zemrën e fortë.”  Vec Facebook-edhe mediat, gazetat online po jepnin klithmën therrëse deri në dej të   dhimbjes për ndarjen para kohe  nga jeta të mikut e kolegut të tyre të  shtrenjtë që me buzagazin dhe  të qeshurën, fjalën e mencur, dashurinë njerëzore,  që e falte pa kursim i kishte bërë për vete të gjithë.  Rizai, ai  shkodrani i mirë e babaxhan, atdhetari i mirë, pasionanti i letërsisë,  poeti, prozatori, publicisti, përkthyesi pasionant i poetit Iranian Xheladin Rumiut që ja kishte rrëmbyer zemrën, qytetari dhe intelektuali që mes lavdisë e penës së tij nuk harroi kurrë të vinte mjeshtërinë e krijimtarisë së tij artistike, letrare dhe shpirtërore, por edhe modestinë e një heroi të heshtur  që me penën e tij përcolli vlera, kurrë nuk shkroi për vete-gjithmonë për të tjerët. Figura të shquara të letrave shqipe klithën,  ngushëlluan  e shkruajtën  në të njëjtën kohë.  Shkrimtari, poeti, kritiku dhe Editor i Fjala e Lirë,Londër,  Angli, -dr. Fatmir Terziu shkruante që në hyrje të shkrimit: Shuhet Riza Lahi!  Miku i disa krijuesve, poeti dhe publicisti Riza Lahi ka ndërruar jetë. Dhe kështu njeriu që rendi pas penës vite e vite me radhë, por edhe pas yjeve si një pilot i hershëm shqiptar, sot ka një udhë memorjeve tona.. E thjeshtë, e kuptueshme, … një shportë për brezat…, vepra e Riza Lahit. Dhe sinqerisht duke njohur shpirtin, zemrën dhe karakterin e këtij njeriu-ideplotë mendoj se duhet përgëzuar e përgëzuar…I qoftë dheu i lehtë dhe me një përshpirtje të thellë ndjejmë edhe peshën e lotit për të, për poetin e fikur pa u ndjerë.” Ndërsa publicisti i njohur në dy kahjet e Atlantikut dhe Kryerdaktori i Gazetës Dielli-SHBA- Dalip Greca, ishte i pari që do të jepte lajmin e dhimbshëm në faqen e parë të gazetës: “Është një lajm tronditës për mikun tim Riza Lahi! Ngushëllime familjes! Në prag të Vitit të Ri, në Tiranë, ka ndërruar jetë nga një goditje në zemër shkrimtari Riza Lahi. Ishte vetëm 63 vjec.Riza Lahi ka lindur në Shkodër në 16. 01. 1950. Për 30 vjet ka shërbyer si pilot në Forcat Ajrore, gazetar në shtypin ushtarak, si dhe pranë zyrës së OSBE – së në Tiranë. Përveç çmimeve letrare të fituara në nivele të ndryshme në Konkursin Kombëtar 1994 ka fituar çmimin e parë të letërsisë për fëmijë. Pjesë nga veprat e tij janë botuar në SHBA, Greqi, Rumani, Maqedoni, Kosovë, Iran, dhe së fundi në Indi. Lahi është anëtar i Shoqatës Botërore të Poetëve. Ai la pas 35 vepra letrare.Redaksia e Diellit ngushëllon familjen Lahi për këtë humbje të pazëvendësueshme. Shkrimtari Petraq Risto i tronditur dhe thellësisht i hidhëruar nga ky lajm shkruante: “ Një poezi e Riza Lahit në mesazh në Facebook  Tani vë re dy vargje tronditëse “Pashë që kisha marrë rrugën qorre/ Për te tabuti im.”nga poezia e mëposhtëme:

“DET I QETË”

Dhjetë vjet më vunë dorën në qafë

Dhjetë vjet të tjerë më panë me vëmëndje

Dhjetë vjet më pas më kërcëlluan dhëmbët.

Kur nisa të kërcëllej dhëmbët dhe unë

Pashë që kisha marrë rrugën qorre

Për te tabuti im.

RIZA LAHI

Shkrimtari e poeti Petraq Risto i dedikoi poezinë elegji. Ja disa vargje:

Gabim! Gabim Riza Lahi! Gabim!

E lamë të pimë kafe me zemra poetësh

Dhe jo me filxhanin tënd Hidhërim

Gabim! Gabim miku im! Gabim!..

Dhimbje e mall pkiëllim e hidhërim për shkrimtarin me fytyrë nga dielli i të gjithëve e më këmbë në tokën e Atdheut, do të shkruanin miku i ngushtë shkodrani tjetër poeti i shquar i vargjeve lirike shqiptare  Kolec Traboini me pyetjen e dhimbëshme: SI MUND TË IKET KREJT KËSHTU?

Ja disa nga vargjet e poezisë elegjike:

Si mund të iket krejt kështu

pyesin të gjithë në këtë Vit të Ri

nuk shtyhet festa pa buzëqeshje

buzëqeshjen që na e sillje ti…

Vargjet elegjike do të shkruanin, shkrimtari Përparim Hysi, poeti i njohur i vargjeve lirike shqiptare, Prof. Vangjush Ziko, Poeti Luan Xhuli, mik i ngushtë i Rizait do e vajtonte me vargjet:

Flamur i shpirtit tënd të zjarrtë,

që të shpuri në qiell,

do të të zbresë prapë

në aeroportin e zemrës,

që na e le të zbrazët.Me trishtim e dhimbje shprehet \ poeti e shkrimtari çam, Namik Selmani, në një shkrim të gjatë, që ai ka publikuar, Dhimbje pikëllim e mall nëpërmjet vargjeve dhe ngushëllimeve do të shprehnin anëtarët e Forumit të Klubit të shkrimtarëve korcarë-Bota e Re, për humbjen e ndarjen parakohe e të papritur të Riza Lahit, si Kostaq Duka, Alfred Papuciu, prof Murat Gecaj, Fatjon Pajo, Fiqiri Shahinllari,  Ligor Prifti, Lida Lazaj,Lirjan Visari Edmond Shallvari  e dhjetra e dhjetra  të tjerë.

“Ajo e panjohura, Vdekja, si duket nuk falka kërrkënd…

Le të jesh njeri i mirë sa të duash!

Ja, Rizai zemërmadhi iku, Xakja i të gjitheve iku…papandehur u iku të gjithëve, menjëhere…

Atyre që e kanë njohur u duhet kështu të bëhen edhe më njerëzore sec ish padyshim Ai…!

E vështirë ta kapërcejmë dhimbjen në elegjinë e Përparimit…U prehtë në paqe!-do të shprehte dhimbjen e tij shkrimtari Faruk Myrtaj.Shkrimtari shqiptaro-amerikan nga Qeparoi Petraq Pali do të vargëzonte dhimbshëm:

“Do të kujtojmë Riza, se do të na kujtojë kënga

 Do lexojnë brezat në Prozat e Tua, të ëmbla…

Gjallë do të jesh, në breza në vite…

Edhe poetesha dhe publicistja Iliriana Sulkuqi mike e Xakes për 40 vjet –pësoi një “shock” tronditje shpirtërore e mes lotëve e ngashërimeve gjithmonë me fjalët: “Nuk e besoj, nuk është e vërtetë të ketë vdekur ai hokatari babaxhan ai eruditi dimensional!Ngushëllim, Ngushëllim ……Ja si u shpreh Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve vlonjatë,”Petro Marko”, shkrimtari Myrteza Mara: Tek Riza Lahi të gjithë do shikojnë pasqyrën e dijeve, guximit, kulturës, artit dhe letërsisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun, punën! Ngushëllime familjes, duke iu lutur të mos harrojë se këtë dhimbje e ndan edhe me ne, miqtë e njohur e të panjohur nga afër të Rizait! Dhe vazhdon gjatë gjatë me qindra, qindra mesazhe ngushëllimi, nga tërë bota shqiptare, kudo në botë ku ka shqiptarë, që nga toka mëmë e deri në Skandinavi e Australinë e largët, mesazhe ngashërimi e ngushëllimi nga Luigj Shkodrani, Mihal Puleri, Agim Kelmendi, Agron Shele, Riza Pajollari, Miltiadh Davidhi, Vasil Tabaku, Qazim Myska, Viktori Xhako, Gëzim Ajgeraj, Albert Zholi miku i tij i ngushtë që nuk rreshtëte së shkruari për Xaken tonë, Vladimir Bizhga, Eleonora Gjoka, Neil Ruci, Mimoza Selimi, Kleopatra Skarco Dokle,  Mark Simoni, Genci Cobani, Luan Kalana, Jorgjeta Gjanci, Thoma Duka, Ibrahim Egriu, Laureta Petoshati, Baxhul Merkaj,  Xhemajl Rudi, Bashkim Kozeli, etj,etj, etj,.

 

Postscriptum

 

Riza Lahi është shkrimtar tejet i rëndësishëm e  shumë prodhimtar në  fushën e krijimtarisë; prozë, poezi, tregime, esse, përkthime e publicistikë. Riza Lahi ka dalë nga radhët e forcave ajrore me gradën e nënkolonelit, pilot,  gazetar në shtypin shqiptar dhe zyrën e OSBE-së Tiranë. Pjesë nga veprat e tij janë botuar në SHBA, Greqi, Rumani, Maqedoni, Kosovë, Iran, dhe së fundi në Indi. Riza Lahi i paarritshmi,  erudit e intelektual e guximtar i fjalës së lirë  jepte  ngado shëmbullin më pozitiv- duhet të konsiderohet e kujtohet  gjerësisht  si një prej shkrimtarëve më të njohur,  i cili në sajë të  erudicionit të tij  shumëdimensional do të bëhej një nga figurat më të shquara të Letërsisë e Publicistikës Shqiptare  të  gjeneratës së tij. Krahas punës së pilotit,  shkrimtari, poeti dhe eruditi Riza Lahi u përqëndrua plotësisht në aspiratat letrare e pasionin e tij për letërsinë, publicistikën e përkthimin. Libri që është konsideruar si një nga kryeveprat letrare të kohës  është romani mediatik “Vorri i Ashikut” (600 faqe) që pati një vlerësim të jashtëzakonshëm nga kritika e kohës dhe u ribotua disa herë, në të cilin  autori ka vazhduar linjën e tij të të shkruarit – atë klasike, me personazhe të gjallë, karaktere të vizatuar mjeshtërisht, duke shpalosur jetë sa më shumë. Shpalosja e menjëherëshme dhe shpeshherë brutale e skenave nga realiteti shqiptar, i ngjan breshërimave të një arme zjarri që vetëm godet në shënjë dhe nuk të lë të marrësh frymë – siç do t’i pëlqente ky krahasim autorit. Është autor i romanit “Serenatë korcare në Neë York”, librave me publicistikë “Marathonomaku nga Shkodra libër që trondit me Lavdinë Shkodrane”, monografinë  “Piloti i katër Presidentëve”,  autor i disa vëllimeve “Donosaurët e Fundit”, libra me poezi,  tregime, publicistikë, esse dhe letërsi për fëmijë. Riza Lahi është përkthyesi pasionant që ka sjellë në shqip që  më pëlqen ta krahasoj  densitetin e tij të përkthimit të perlave të poezisë botërore asaj persiane e iraniane të Xheladin Rumiut, të Forugh Farrokhzad dhe Lirika Dashurie të Sulltanëve, me puthjet pasionante të një dashnori të përlotur.Ka përkthyer Francis Ledvige edhe shumë poetë bashkëkohorë nga më të njohurit në ditët tona. Në një vështrim të përgjithshëm 35 veprat e botuara të tij evidentonjë personalitetin e shkrimtarit, poetit, publicistit, eruditit dhe intelektusalit Riza Lahi, ku gjejnë vend e hapësirë personazhet, jeta jonë e përditshme, sfida dhe absurdi i jetës, dashuria dhe paradokset sociale, pra  bashkëjetesa e udhëtimit të lumtur e të trishtë të jetës.

“ Muzgu, i zbehur nga dashuria, po përkëdhelë krrelat e kaltra të Bunës, ndërsa ajo nuk e ka mendjen; ajo po mërmërin duke perënduar sytë, jare Shkodrane… Kushedi se ç’ka parë brigjeve të veta gjatë vajzërisë së përjetëshme kjo Bunë …!Është e vetmja që di të ruajë intimitete shpirtërash; nuk ia tregon askujt, vetëm Rozafës, askujt tjetër më. Buna po shkon anës këmbëve tona e bollshme, e qetë. Ajo di të marrë me të mirë ëmbëlsisht sy njerëzish të dërrmuar nga streset… Ke dëshirë këto minuta vetëm të vështrosh ujërat … Vetëm të heshtësh. Fërshëllima shumë e lehtë e ujërave, ngjan si një korale ëngjëjsh. Sigurisht që engjëjt kanë zërin e tyre. Ky zë duhet të ngjajë shumë me mërmërimën e ujërave të Bunës nëpër muzg. Është zëri i birit të Shkodrës  Loce që e donte aq shumë Atë dhe Bunën, Atë dhe Rozafën-Është zëri i të pavdekshmit Riza LAHI –që prej 1 Janarit 2014 –ë,  ai prehet në Amëshim! U prehsh në Paqe Kryemiku im! Ike  dhe kuptuam sa vend bosh ke lënë tek ne.

Amen!

Raimonda MOISIU

HARTFORD CT USA 

Filed Under: Featured

Edhe, Maqedonia ashtu si “ish “Jugosllavia “…!

January 4, 2014 by dgreca

Maqedonia, nuk pyet fare për shqiptarët, dhe se ashtu si “Siamezja e saj” ; ish “Jugosllavia” do të shpërbëhet …/

Nga Beqir Sina/

BENSONHURST – BROOKLYN NY : Në  New York, pranë selisë së OKB-së, sheshin e njohur Dag Hamarskjold Plaza në prag Krishtëlindjes, u mblodhën dhjetëra shqiptar, përfaqësues nga disa shoqata dhe organizata të komunitetit, për më shumë se dy orë për të protestuar si thanë ata: “kundra Planit të Qeverisë Maqedonase, për të ndërruar rrjedhën e lumit historik të Radikës, ku uji i këtij lumi sipas planit Maqedonas – do të derdhej në Vardar dhe më tej drejt detit Egje, në vend të rrjedhës natyrore drejt perëndimit.

Megjithëse, pjesëmarrja ishte e vogël – gjithësesi protestuesit e ngritën zërin e tyre, për një të drejt që thyen edhe ligjet ndërkombëtare, sië është :”Ajo për kontrollin e ujërave në mes dy shteteve”. Por, ajo që ra në sy në këtë protestë, ishte se në fjalime u permend shpesh se është ” Maqedonia, ajo që nuk po pyet fare për shqiptarët, dhe se ashtu si siemzja e saj – ish “Jugosllavia” e gjashtë Republikave dhe dy Krahinave do të shpërbëhet !” kështu si vepron ajo me shqiptarët.

Lind pyetja; se përse mund dhe do të ndodh që Maqedonia të shpërbëhet si “Jugosllavia” e Titos!!! dhe kur…!?

Përgjegjja ishte sepse! në rradh të parë: dihet që Maqedonia, nuk ka atë “potencial politik si Ish Jugosllavia” që mundi t’a mbajë krijesën, si Jugosllavia, me ish 6të Republikat dhe me dy ish Krahinat, me 10të kombësi e disa raca. Mbasi dihet që “Maqedonia “, ka dy dekada që ajo u shkëput nga “Jugosllavia”, dhe ende nuk ka një emër, por, herë thirret Maqedoni dhe herë zyrtarisht: “Republika ish Jugosllave e Maqedonisë- FYROM”, të paktën kështu e njehë OKB-ja, dhe më shumë se 3/4 e botës.

Së dyti: Qëndrimin e Shkupit me shqiptarët, krahasohet sot shpesh her me atë të Ish “Jugosllavisë” dy dekada më parë. “Shkupi, thuhet se nuk po i pyet fare, ( ashtu si për shqiptarët dhe për Dibrën ), të cilët janë 28 përqind e Maqedonisë, një e treta e saj dhe ashtu si vepronte edhe nën ish”Jugosllavinë” që u shpërbë dhe nuk egziston më. Kohë, kjo kur shqiptarët dikur ishin qytetar të dorës së dytë apo të tretë…apo ku di unë si i konsideronin ata atëhere, edhe shqiptarët sot!”
Së treti : Dibra e Madhe, dihet që është  sot nën Maqedoni! dhe është 97 përqind shqiptare, por ka mbetur për fatkeq “Zorrë Qorre” i thonë- ashtu si ishte ajo nën  vitet e 90-ta, e ndoshta ma keq kur ishte ish “Jugosllavia” e cila falemintoi, dhe u shkërrmoq, sikur të mos kishte qenë dhe kjo republikë, e cila mbeti si një mbetje e saj me emrin që e thërrasin sot në OKB –  Republika e Maqedonis e ish Jugosllavisë FYROM, pra, e thënë ma shqip ka ngelur edhe sot pa emër…..  Së katërti : A e harroi Shkupi atë se çfarë bën shqiptarët për këtë shtet, që të ndahet nga e ashtuquajtura “Jugosllavia” e 20 vjetëve më parë, se Maqedonia, të shpallte pavarësinë e saj – Por, që fatkeqësisht ky vend që pretendon te jet shtet dhe t’i bashkëngjitet BE, dhe Nato-s, ende ka mbetur pa emër dhe po thirret IRJM! Dhe kjo a e dini pse ? falë atij nacionalizmit të sëmurë të Shkupit, dhe sidomos të Kryeministrit ultra-nacionalist Nikolla Gruevskit, që shpenzon qindra milionë dollar nga parat e popullit të vet, për të mbushur Shkupin me statujat e nacionalizmit Maqedonas, dhe të “Car Dushanit”, dhe i harron shqiptarët. Kryeqyteti i Maqedonisë Shkupi, është tjetër qytet në urë e sipër dhe është qytet tjetër “çuditërisht” në urë e poshtë, pikërishtë aty ku jetojnë shqiptarët etnik!

 

….pse?…shpërbërje !

 

Shpërbërja e Jugosllavisë, ka ndodhur si rezultat i një seri të trazirave ndëretnike dhe politike, që nisën të parët me shqiptarët e Kosovës, në 1964 dhe 1981 dhe e përfunduan fatkeqësisht më të fundit, në mes konflikteve, dhe luftërave gjatë dhe mbas viteve të 90ta . Pas një periudhe të krizës të gjatë ndëretnike dhe politike, sidomos atyre në vitet 1980 , në të cilën e futën shqiptarët sajesën “Jugosllavi” me gjashtë republikat përbërëse të ashtuquajturës ish – Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ajo çahet, dhe shpërbëhet, shkërmoqet dhe nuk egziton më, sikur të mos kishte qenë fare. Dhe kjo erdhi nga çështjet e pazgjidhura të shkaktuara dhe akumuluara gjatë, për më shumë se gjysmë, shekulli, të cilat përveç protestave me udhëheqjen e fundit të ultranacionalistit Sollobodan Millosheviq, sollën dhe disa luftëra të hidhura ndëretnike “Jugosllave” luftëra të përgjakëshme.

Protestat dhe Luftërat në ish “Jugosllavi” kan qenë të ndikuar nga ultra – nacionalizimi i sëmurë dhe një “gjarpëri, serb që kur i vjen ngordhja ai bëhet edhe më helmues”  .

Pas fitores komuniste në Luftën e Dytë Botërore , Jugosllavia u krijua nga Marrshali Tito, si një federatë e të gjashtë republikave , me kufijtë e vizatuar në baza etnike dhe historike : Slloveni, Kroaci , Bosnjë-Hercegovinë , Serbi , Mal të Zi dhe Maqedoni . Përveç kësaj , në këtë vizatim u krijuan edhe dy krahinat autonome, të themeluar në kuadër të Serbisë, Vojvodinës dhe Kosovës . Secilia, nga republikat kishin degën e vet të partisë Komuniste dhe një elitë në pushtet , dhe të gjitha tensionet janë zgjidhur në nivelin federal .

Ky është “Modeli Jugosllavë” që jo si shtet, por si qeverisje në një vend si Maqedonia me pesë kombësi nga Kryeministri Gruesvski, që është zgjedhur për organizimin e funksionimin sipas një marrëveshje (Marrveshje Ohrit) të shtetit , si dhe një ” mënyrë e mesme ” në mes të ekonomisë së planifikuar dhe liberale dhe pakënaqësirva të thella ndëretnike. E cila, në kohën e Ish “Jugosllavisë”, thuhej se na ” kishte qenë një sukses relativ , dhe vendi përjetoi një periudhë të rritjes së fortë ekonomike dhe të stabilitetit relativ politik deri në vitet 1980 , nën sundimin e fortë të kryetarit të saj – Marshallit, si i thërrisin ata Josip Broz Titos . Mirëpo, pas vdekjes së tij në vitin 1980 , sistemi i qeverisë federale, ishte”kalbur” ishte dobësuar dhe u la në gjendje për të përballuar me rritjen e sfidave të thelluara ndëretnike, ekonomike dhe politike së bashku .

Në vitet 1980, të parët ishin shqiptarët e Kosovës, që filluan  të kërkojnë që të ashtuquajturës ish “Krahinës” së  tyre të i jepej autonomi më e madhe. Pra, që t’i jepej statusi i një republikë përbërëse , duke filluar me të vitit 1981 me protestat destabilizuese, që e tronditën nga themelet krijesën “Jugosllavi”, dhe ” varka fillojë të shpohet në mes liqenit” . Tensionet etnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve ishin dhe mbetën në fokus, gjatë gjithë asaj dekadës. Ato ishin “ndezja e fitlit” dhe do t’u thoshin edhe popujve të tjerë të gjashtë Republikave “hajde pse nuk çoheni edhe ju!?” pse flini gjumë të rremë!! e jetoni vetëm me ëndrrat se keni qenë mirë me Titon.
Shqiptarët, ishin ata që e bënë udhëheqjen komuniste “Jugosllave”, të “humbi kontrollin” e saj – në atë kohë, dhe bota të shifte se çfarë po ziente përbrenda  të ashtuquajturës”Jugosllavi”. Ngritja e shqiptarëve, rezultoi në homogjenizimin e serbëve anembanë “Jugosllavisë”, sidomos në Kosovë.Të cilën serbët gjithnjë e panë vetëm me një fare autonomie të krahinave. Megjithëse e shifnin se sistemi i tyre në Kosovë ishte joefektive në nivel të konsensusit në rang federal. Kosova doli e para si pengesë për interesat serbe në atë të ashtuquajturën “Jugosllavi” e Titos .

Në vitin 1987 , Sllobodan Millosheviqi, erdhi në pushtet në Serbi , dhe me anë të një seri të lëvizjeve populiste, sidomos atyre ulta -nacionalsite, për të fituar kontroll de facto mbi Kosovën , Vojvodinën dhe Mal të Zi , duke mbledhur një nivel të lartë të mbështetjes në mesin e serbëve për politikat e tij të lëvizjes nacionaliste . Kujtojmë, fjalimin e tij “nazisto fashist si Hitleri apo si Duçes” në Fushë Kosovë. Mirëpo, pas Kosovës, Millosheviqi, është pritur me kundërshtim edhe nga krerët e partive të republikave perëndimore të Sllovenisë dhe Kroacisë , të cilët edhe nga ajo që po shifnin në Europë, se se çfarë po ndodhte në Kosovë, deshën demokratizimin më të madh të vendit, në shkëmbim të dobësimit të komunizmit në Evropën Lindore . Kështu që Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, ishte tretur në vitin 1990, Komunizmi në domino po binte një e nga një dhe kjo më shumë sipas shteteve dhe linjave të tyre etnike .

Gjatë 1990, komunistët jugosllav humbën fuqinë kundrejt partive nacionaliste në zgjedhjet e para shumë-partiake, të mbajtura në të gjithë vendin , me përjashtim të Serbisë dhe Malit të Zi , ku u fituan nga komunistët e Millosheviqit dhe aleatët e tij . Retorika nacionaliste në të gjitha anët u bënë gjithnjë e më të nxehtë . Në vitin 1991 , një nga një republikat shpallën pavarësinë ( vetëm Serbia dhe Mali i Zi mbeten më gjatë të federuar ) , por statusi i pakicave serbe jashtë Serbisë u la i pazgjidhur . Pas një varg të incidenteve ndër- etnike , luftërat jugosllave, së pari në Kroaci dhe më pas , më të rënda , në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, lanë një dëm ekonomik dhe politik afatgjatë, në rajon dhe multietnik . Lanë shumë çështje pa zgjidhur edhe sot e kësaj dite….!

 

 Mirëpo, si përfundim unë nuk jamë ndonjë “profetë” politik, të jem unë ai që them se “Maqedonia do të shpërbëhet, sot apo nesër”!. Por, jam i sigurt se kështu si po kërkon t’a mbajë shtetin Maqedonia,   me këta politikan të sojit Nikolla Gruevski, do të ketë shumë shpejt fatin e “Jugosllavisë” së Marshallit Tito, dhe të Millosheviqit.

Shpërbërja e Maqedonisë, nuk është e thënë se do të vijë nga lufta apo gjenocidi pasues ndër- etnikë dhe politika ekspasioniste, po do të vijë nga idetë e ultra nacionaliste të Shkupit, hegjomonizimi dhe pikëpamjet e tyre  pansllavismit të Maqedonisë, të cilat, janë elementet e rëndësishme që duhet kujdesur qeveria për të mos hapur grindje, dhe për të përfshirë faktorët bashkëkohore dhe historike, të cilat ishin natyrisht dhe formimi i të ashtuquajturës Maqedoni.

Para, dhe pas Luftës së Dytë Botërore , tensionet më të mëdha në Ballkan, dihet se erdhën duke u zmadhuar nga tensionet shumë- etnike, padrejtësitë, diskirminimit, genocidit. Megjithëse, me një make-up me ndihmëne Komunistëve ata arritën që të krijojnë edhe Jugosllavinë dhe ti “japin” asaj dominimin relativ politik dhe demografik të serbëve, në të gjithë Jugosllavinë . Çka ishte dhe themelore më pas e tensioneve të kombësive që ishin me konceptet e ndryshme të shtetit të ri Jugoslllav .

Gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, tensionet e vendit janë shfrytëzuar nga komuniteti ndërkombëtar ” të krijoi një shtet që unë do ta quaja ” eksperimental” Maqedonas, një shtet “make-up” që përfshin pjesën më të madhe, kombësin  shqiptare, (Maqedonë( Bullgarë 1.297.981 (64,18 %)Shqiptarë 509.083 (25,17 %)Turq 77.959 (3,85 %)Romë 53.879 (2,66 %)Serbë 35.939 (1,78 %)Boshnjakë 17.018 (0,84 %)Arumunë 9.695 (0,48 %)Të tjerë 20.993 (1,04 %).)

Një shtet, ky që megjithëse serbët janë pakica, por duket se janë një kolonë e pestë e ekspansionizmit në Maqedoni, duke ndjekur politikën e diskriminimit të shqiptarëve. Ende aty vazhdon politika e diktuar e Shkupit, ndaj një të tretës së Maqedonisë, diskriminimin e shqiptarëve, dhe kombësive të tjera përball nacionalizmit të shferenuar të Gruevskit, i cili do të çojë Maqedoninë drejt “shpërbërjers” ….!!! drejt dështimit të shtetit.

Maqedonia ka dështuar për të bërë shtet multi etnik, dhe për të zgjidhur problemet kyçe kombëtare etnike . Për më tepër , ngjallja artificialisht e nacionalizmit sllavo maqedonas, do të bëhet shkak i rritjes së tensioneve etnike, dhe lëvizjeve unitariste , kryesisht atyre sllavo-maqedonase ku me çdo kusht kërkohet dominimi sllavo maqedonas . “Shpërbërja” e Maqedonisë sipas meje vjen ashtu si dhe e ish e ashtuqujatura “Jugosllavia”, dhe do të ndodhë në ciklet e protestave, si fillim për të drejta më të mëdha të kombësive të tjera – kryesisht shqiptarëve. “Marrëvesha e Ohrit”, një dekadë më parë ska qenë gjë tjetër përveçëse: ” ishte një përpjekje për bet nje shtet “Qark të shkurtër”, ose një model i krijuar në modelin federal dhe formalizimin e të drejtave kombëtare etnike .

Ky “version” i dështuar i federatës që në thelb është bërë për herë të parë me “Jugosllavin” që nuk egziston më, me një bashkim shtetesh de facto , duke e vendosur presion mbi legjitimitetin e regjimit dhe duke “shtypur” me dhunë pakënaqësit etnike nga forca e pushtetit, ose e më të fortit, atij që është i frustruar vazhdimisht nga pamundësia dhe pamendësia e tyre, për të krijuar një shtet solid ashtu si pretendon sot Maqedonia.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina, Maqedonia, si Jugosllavia

Radio Kosova e Lirë dhe Lufta e UÇK-së

January 4, 2014 by dgreca

Në 15-vjetorin e Radios “Kosova e Lirë”/

Shkruan: Prof. dr. Nusret PLLANA/

Përkufizimi/

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte zërin e saj. Ishte Radio “Kosova e Lirë”. Ishin gjashtë muaj jete të kësaj radioje në luftë, por nuk ka kohë në botë që i mat këta gjashtë muaj me kohën reale që mbush ditët, javët, muajt. Sepse, gjashtë muaj të Radios “Kosova e Lirë” janë muajt më dramatik të Luftës Çlirimtare të UÇK-së, janë gjashtë muaj zëri i kësaj lufte i shpërndarë në eter, pra në hapësirën e Kosovës, së pari e pastaj kudo që ka mbërri ky zë, që ishte zëri i shpresës dhe i lavdisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hyrje

Pas më shumë se 100 vjet robërie dhe pushtimi të më shumë së gjysmës së tokave shqiptare, në Kosovën e robëruar organizohet një ushtri, që lufton për çlirimin dhe lirinë e kësaj pjesë të gjeografisë kombëtare shqiptare. Vetëm ky fakt do të ishte i mjaftueshëm për ta hetuar, edhe si përmasë historike, peshën  e kësaj lufte për liri. Në këtë rrjedhë, vetëm ky fakt do të ishte i mjaftueshëm për të vënë në peshoren e historisë zërin e Radios “Kosova e Lirë”, si zëri i luftës çlirimtare dhe si zëri i lirisë së Kosovës që po bëhej me secilën krismë pushke, me secilën rënie në altarin e lirisë të Dëshmorëve të Kombit, me secilën foshnje që lindte maleve të Kosovës.  Kosova, përveç që kishte lindur Radion “Kosova e Lirë”, edhe në zjarrin e luftës për liri, edhe në krismën e pushkëve për çlirim, lindte edhe fëmijë që një ditë do të bëhen fëmijët e lirisë së Kosovës.

Luftës çlirimtare i duhej një zë i ardhjes së lirisë

Më 28 nëntor të vitit 1997 del publikisht për herë të parë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Del në varrimin e Mësuesit Dëshmor, Halit Geci, jo vetëm për ta dhënë kumtin se Kosova tashti më kishte dalëzotësen e saj, ushtrinë e saj çlirimtare, por edhe për të bërë publike, ashtu siç bëhet publike çdo gjë e madhërishme, që bëhet për lirinë e një vendi, në mënyrë që globi, sërish pas njëqind vjetësh ta kuptonte se diku në një pjesë të tij, të këtij globi pra, një gjeografi e një atdheu të një populli, ishte copëtuar dhe ishte pushtuar padrejtësisht. Në atë kohë, pra në vitin 1997 shkruan ato pak gazeta që dilnin në Kosovën e robëruar, shkruan dhe folën ato pak televizione shqiptare që ishin, por lajmin e transmetuan edhe mjetet botërore të informacionit, e që ishte pozitive  për kohën dhe rrethanat e asaj kohe. Mirëpo, kjo dalje publike e UÇK-së nuk e kishte zërin e saj, ende nuk ishte themeluar Radio “Kosova e Lirë”, e cila do të fliste me zërin e kësaj lufte, që ishte zëri i krismave të pushkëve të lirisë.

Prandaj, ky është ndryshimi në mes të asaj që shkruanin gazetat e asaj kohe dhe lajmit që transmetonin agjenci të ndryshme lajmesh, shqiptare apo të huaja, nga lajmi që do të transmetonte pak kohë më vonë Radio “Kosova e Lirë” përmes krismave të pushkëve të lirisë, që ishin krisma të luftëtarëve dhe luftëtareve të lirisë së Kosovës, pra ishin krisma të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë aspekt, nuk është aspak me rëndësi çka mund të kenë thënë dhe çka mund të thonë historianë dhe analistë të ndryshëm për ngjarjet e kohës së Luftës së UÇK-së, siç nuk është aspak me rëndësi se a përmenden të gjitha vendimet për krijimin e këtij zëri të lirisë së Kosovës, apo a përmenden ata që kanë punuar në ato detyra. Të gjithë, që nga themeluesit e agjencisë “Kosovapress” dhe Radios “Kosova e Lirë”, që nga shkruesit e teksteve për lajmet, që nga raportuesit nga vijat e fronteve, që nga folësit e deri te ata që përgatisnin teknikën e transmetimit, ishin ushtarë të lirisë. Vetëm ky fakt, i jep kuptim krejt tjetër nga kuptimi që kanë të gjithë transmetuesit radiofonik, gjatë gjithë kohës së robërisë së Kosovës, në njërin krahë, si dhe nga gjithë transmetuesit radiofonik të Kosovës së pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prandaj, zëri i Radios “Kosova e Lirë” ishte zëri i çlirimit dhe i lirisë së Kosovës dhe, që të dyja, edhe çlirimi edhe liria po krijoheshin nga një ushtri çlirimtare e kësaj pjese të robëruar të atdheut, që quhej Kosovë.

Zëri i Radios “Kosova e Lirë” ishte, prandaj, zëri i ardhje së lirisë së Kosovës. Këtë përmasë historike, askush, as koha e as historia, e të mos flasim për njerëzit e vdekshëm, nuk mund t’ia marrë Radios “Kosova e Lirë”.

Radio “Kosova e Lirë” ishte front i luftës çlirimtare të UÇK-së

Nuk është aspak me rëndësi të flitet dhe të tregohet sa ushtarë kishte Radio “Kosova e Lirë”. Po ashtu, nuk është aspak me rëndësi, sidomos për historinë e Luftës së UÇK-së, të thuhet e të shkruhet se kush ishin ata luftëtarë që gjenin kohë dhe mundësi të transmetonin lajmet nga të gjitha vijat e frontit të luftës në Kosovë. Por, është me rëndësi të dihet dhe të thuhet, se Radio “Kosova e Lirë” ishte front  i luftës çlirimtare të       UÇK-së, një nga ato fronte që sulmohej pamëshirshëm nga forcat e armikut. Për këtë fakt, do të ishte e mjaftueshme vetëm të përshkruheshin rrethanat, se si Radio “Kosova e Lirë” ishte e detyruar të zhvendosej nga një vend në tjetrin, deri edhe në bunkerët nëntokësorë, vetëm që të kishte mundësi të përhapte lajmin për frontet e luftës çlirimtare në Kosovë. Një ditë, kurdo që të jetë ajo ditë, kur do të krijohen muze lufte e muze për orë historie të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vizitorët do të mund të shohin edhe arsenalin e armëve që ka përdorur armiku, deri të avionët bombardues më 27 mars 1999, për zhdukjen e Radios “Kosova e Lirë”.

Për ndryshim nga mediat shqiptare dhe ato ndërkombëtare, mediat serbe, të cilat kanë shkruar dhe kanë komentuar gjerësisht për hapjen e mediave të luftës në Kosovë, janë të shumta, si Media Centar e Jedinstvo të Prishtinës, agjencia me nam të keq, Tanjug, gazetat Glas, Danas, Politika Ekspres, Veçernje novosti, Borba etj. “Politika Ekspres” në komentin e gjatë me titull “Terrorizmi medial rrezikon Serbinë“, pos tjerash shkruante: “Organizata terroriste, e cila veten e quan Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka formuar atë çka njeriu nuk mund ta besojë, agjencinë “Kosovapress” dhe radion “Kosova e lirë“. Nga ana tjetër, e përditshmja tjetër beogradase, “Veçernje novosti”, spekulonte për vendndodhjen e këtyre mediave, duke precizuar se ato ishin të lokuara te Dragobili, afër Malishevës ose në Drenicë. Edhe politikajtë serbë, zyrtarët shtetërorë dhe parti serbe kanë reaguar ashpër, duke kërkuar nga pushteti serb që mediat e UÇK-së menjëherë të shkatërroheshin. Zh.Igiq, shef i Partisë Socialiste të Serbisë për “Kosovë e Metohi”, u ka deklaruar mediave serbe se “fillimi i këtyre mediumeve paraqet edhe një provokim të planifikuar ndaj Serbisë e Jugosllavisë dhe ndaj sistemit kushtetues të tyre”.

E ashtuquajtura “Iniciativa Demokratike e serbëve të Kosovës e Metohisë” kërkonte nga organet shtetërore “t’i shkatërrojnë pamfletet dhe buletinet e UÇK-së“. Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Informimit të Serbisë ka shtuar: “Këto dy zëdhënëse nuk ekzistojnë në mënyrë ligjore, ato nuk janë të regjistruara në ministrinë përkatëse. Mund të ju them me përgjegjësi se Ministria e Informimit do t’i marrë të gjitha masat nga kompetencat e veta, në radhë të parë do të ngriten aktakuza në prokurorinë përkatëse”. Si rezultat i këtyre kërcënimeve, pasuan bombardimet. Dy aeroplanë jugosllavë, më 27 mars 1999, vetëm tri ditë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, hodhën dy  kasetë bomba(të ndaluara me konventa ndërkombëtare) dhe dy raketa, me ç’rast vritet djali i vetëm i familjes Berisha, Elbasan(Jakup) Berisha dhe plagosen dhjetra civilë të fshatit Berishë.

Janë pra gjashtë muaj jete dhe veprimtarie të Radios “Kosova e Lirë”, por siç u tha më sipër, as këta muaj, as kjo kohë nuk maten me përmasën e treguesve realë, të rrethanave normale, për të dëshmuar veprimtarinë e një institucioni siç ishte Radio “Kosova e Lirë”. Po, pra, Radio “Kosova e Lirë” ishte institucion i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pse mund të thuhet kështu?

Mund të thuhet, qoftë edhe vetëm për faktin se përmes kësaj agjencie lajmesh, siç ishte “Kosovapress-i” dhe përmes zërit të kësaj radioje, siç ishte Radio “Kosova e Lirë”, shqiptarët dhe bota informoheshin për rrjedhën e luftimeve në të gjitha frontet e luftës së UÇK-së, informoheshin për të gjitha kontaktet kombëtare e ndërkombëtare që kishte UÇK-ja, informoheshin me të gjitha rëniet e Dëshmorëve të Kombit në vijat e frontit të luftës për çlirim dhe liri, informoheshin për të gjitha dhembjet e njerëzve, qoftë të atyre që jetonin me vite maleve të Kosovës, qoftë të atyre që siguronin ekzistencën fizike të tyre nga sulmet barbare të armikut të lirisë së Kosovës.

Prandaj, kur flasim për këto fakte, nuk është shumë me rëndësi kush ishin ata ushtarë që e mbanin gjallë këtë radio, sepse që të gjithë ishin ushtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, sepse që të gjithë ishin ushtarë të lirisë, sepse që të gjithë ishin pjesë e fronteve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përfundim

Radio “Kosova e Lirë” bashkë me agjencinë “Kosovapress” është themeluar me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ky është vetëm fakti historik. Shtabi kishte një komandant fizik, ai që udhëhiqte operacionet e luftimeve. Por Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte edhe një Komandant shpirtëror, që ishte Komandanti Legjendar Adem Jashari. Prandaj, luftëtarët e radios “Kosova e Lirë” ishin ushtarë të Adem Jasharit, të atij Komandanti që pas më shumë se një shekulli robërie të kësaj pjese të gjeografisë sonë kombëtare, kishte formuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për ta çliruar këtë pjesë të atdheut dhe për ta bërë të lirë, ashtu siç e donin shqiptarët liridashës. Prandaj, luftëtarët e radios “Kosova e Lirë”, ishin ushtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe ishin luftëtarë të çlirimit dhe të ardhjes së lirisë së Kosovës. Vetëm ky fakt është i mjaftueshëm për ta kuptuar përmasën e peshës historike të këtij institucioni të lirisë së Kosovës, në vitet më të lavdishme të historisë së Kosovës, në vitet e Luftës së ushtrisë Çlirimtare të saj.

Prishtinë, më 4 janar 2014

Filed Under: Featured Tagged With: dhe Lufta e UCK, Nusret pllana, Radio e lire

TE PRISHESH NJE MONUMENT KULTURE

January 4, 2014 by dgreca

Nga Agim Xh. Dëshnica/ Boston/

Ne Foto: Hakamrrja e pushtetit popullor kundë Sarajeve të Pashallarëve rreth vitit 1947 në qendër të Beratit Muze./

Çdo shtëpi ka historinë e saj. Qindra shtëpi krijojnë një qytet me tërë historinë e tij, Si gjithmonë trashgimtarët, pas rrënimesh për shkaqe nga më të ndryshmet, përpiqen të ruajnë vjetërinë e bukur, krahas ndërtimeve moderne në zona të veçanta si vazhdim i jetës në kohë të re. Historia për qytetet e vdekur është e mjegullt, shpesh e sajuar sipas hamendjeve. Për mrekulli Berati i lashtë, pas dëmtimesh të qëllimshme në vitet e një sistemi të huaj siç qe socialimi, mundi të mbërrinte në kohët tona, si një dëshmitar i gjallë i ndodhive parake e tragjike, mjerisht vetem me tre lagje edhe këto të prekuara nga ndertime të gabuara. Asnjë popull dhe as një shtet në botë nuk prish monumtet e veta të kultures, sipas manisë perverse të një njeriu, e thënë ndryshe “prish shtëpi e bëj kasolle.” Nga një revistë italiane mësohet se pasi armët e Luftës së Dytë Botërore heshtën, shumë qytete të rrënuar u ringritën siç qenë më parë. Turistët amerikanë me origjinë nga këto vende, befasoheshin. kur gjenin pallatet, kafet, parqet, rrugët e kohëve të  bukura të rinisë.

Në Shqipëri në mbarim të luftës pas largimit të trupave pushtuese gjermane, kudo u ndie fryma e pesha e një jete të re; për disa e lumtur, ndërsa për shumë vetë e panjohur, joshëse, e dhunshme dhe e frikëshme. Të moshuarit ishin më të matur në biseda. Të rinjtë shfletonin libra dhe ëndërronin. Vetëm fëmijët si përherë vraponin pas fluturave në botën e tyre të pastër e të lirë.

Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, me nje vendim të paqartë të qeverisë, Berati u shpall qytet muze. Muze? -pyesnin shumë vetë të hutuar. Pra, shteti i ri tash e tutje do të kujdesej për mirëmbajtjen e shtëpive të tyre dhe të qytetit në tërësi, të njohur për lashtësinë dhe bukuritë e rralla; për Kalanë me dramat tragjike, shtëpitë e bardha e dritaret si mijëra yje mbi lum e urë; për ullishtat e fiqtë, xhamitë e kishat, legjendat, këngët dhe bejtexhinjtë. Por ç’ndodhi në të vërtetë?. Siç dihet qysh në vitet e para, si një akt hakmarrës i pakuptimtë, ishte rrënimi i Sarajeve të Pashallarëve në qendër të qytetit dhe hedhja në lum e shumë elementëve arkitektonikë. Sot, edhe ashtu të shkallmuara, ato dëshmojnë për bukurinë e hershme dhe për marrëzinë e diktaturës. Pas vendimit për Muze, qendra e qytetit me sheshe, pazare e një varg dyqanesh u shemb dhe u tjetërsua. Xhamitë, medreseja, teqetë e kishat u mbyllën disa u shëmbën. Po atë fat patën gjithë lagjet e tjera. Emrat e vjetër me vlerë historike u ndryshuan.

Njëra nga lagjet edhe sot mban emrin Murat Çelepi. Ky emër i shqiptarit Kara Murat-Çelepi, mytesarif i Sanxhakut të Vlorës me qender në Berat, mbeti i pashlyer nga kujtesa, edhe pas vendimit zyrtar “Çlirimi” edhe shpalljes Muze. Flitej nga të gjithë, përdorej nga postierët e policët. Karrocierët e pajtoneve, deri sa u ndaluan,  thërrisnin “Hajt! Për Çelepi”. Dikur kjo lagje e mbuluar nga një gjelbërim i dendur, shtrihej nga hyrja e qytetit deri në urën e Goricës, me shtëpi në shpatin e Kalasë dhe në zonën fushore buzë Osumit. Ajo kujtohet për shkollat, për Kullën e Sahatit e xhamitë e teqetë, për parkun plot me lule, me Përmendoren e Dëshmorëve të Kombit, për ndertesat dhe bahçetë monumetale që kufizoheshin me fushat e fshatrave në rrethinën e qytetit. Njëra nga mëhallat e saj, afër lumit e përballë Shpiragut, njihej me emrin Sarajet. S’dihet as sot, sesi ato saraje madhështore të Omer Pashës me rojtarë e shërbyes të shumtë, u përfshinë nga flakët e një zjarri të madh dhe u kthyen në gërmadhë, brenda mureve të lartë. Në atë vend të braktisur me një portë të zymtë, nuk u ndërtua asnjë shtëpi. Askush nuk guxonte ta blinte atë tokë të mbuluar nga hithra e ferra, ku lëvrinin gjarpërinj e hardhuca. Gjyshet shamibardha pëshpërisnin, se atje, kur binte nata, shfaqeshin xhindet e bukura që endeshin si hije poshtë e lartë me veshje të bardha dhe hidhnin valle. Çdo njeri, që besonte rrëfimet me xhinde të gjysheve, nëse kalonte natën nëpër sokak përbri mureve gjysëm të rënuar, s’kthente sytë anash, por shpejtonte hapat. Edhe emri Sarajet, seç kishte diçka të frikëshme. Në atë mëhallë të pastër me sokakët e gjerë, shtruar me gurë të sheshtë kalonin lehtë e lehtë, kuaj e karroca, biçikleta, vetura dhe kamiona. Një nga sokakët fillonte nga porta e bejlerëve Vokopolas, vijonte përmes shtëpive të mësuesve, tregtarëve dhe zejtarëve të njohur beratas. Pak më thellë, djathtas, ndodhej shtëpia e Ibrahim Buharasë, më vonë e Vexhi Buharasë. Në fund të një rrugice të vetmuar majtas, lartohej një portë e rëndë me dy kanata druri nën harkun e gurtë. Në çastet kur qe e hapur, dukej një pjesë e shtëpisë së bardhë e të madhe e gjysh Sulejmanit, me prejardhje  nga Roshniku. Sipas kujtimeve, ai qe një burrë i pashëm, shtatlartë, me sy e flokë gështenj, i respektuar nga të gjithë, herë herë i rreptë, por i matur e bujar. Thuhej, se shtëpia qe themeluar aty nga viti 1750, fare afër Osumit. Shtëpia ngrihej ngjitur me muret e Sarajeve. Rreth motit 1880, Sulejmani aso kohe oficer me gradën kapiten, e bleu dhe shtoi një pjesë të dytë sa e para. Në përfundim të punimeve u ruajt pamja e bardhë beratase me shumë dyer e dritare, në katër anët me dy pjesët bashkë në harmoni të plotë. Në anën lindore gjyshi u kish falur shërbyesve, që merreshin me punë të ndryshme në shtëpinë e madhe dhe në bahçe, një shtëpi përdhese, me disa kthina, oborr, pus e kopësht. Nga oborri kryesor nëpër dy dyert e gjerë, shkohej në mjediset e brendëshme të ndërtesës së bardhë që shihte diellin tërë ditën. E freskët në verë, e ngrohtë në dimër. Pjesa e dytë megjithëse u ndërtua me mjeshtëri, e vjetra në krahun e djathtë. qe vepër e shkëlqyer arti. Atje, miqtë kalonin nëpërmjet katoit, ku lidhnin kuajt. Pastaj nëpër shkallët e brendëshme, ngjiteshin në dhomëne pritjes. Njerëzit e shtëpisë e quanin “dhoma me bojë”. Aty binin në sy tavanet me rombe ngjyra-ngjyra; figura zoqsh, zambakësh e trandafilash, gdhendur në kanatat e derës, kamareve dhe musandrës. Në dhomë shkëlqente gjithçka, nga muret, vatra me rasa guri gri dhe daullja e saj e bardhë tek dyshemeja e mbuluar me qylym persian. Llampadarët në tavanë dhe disa shandanë shumëdegësh në dysheme, plotësonin ndriçimin natën, kurse ditën gjashtë dritare me perdet hapur kapnin rrezet e diellit nga lindja e perëndimi. Në katin dyte ndodheshin, edhe dy hamame, dhoma e zjarrit, (akçillëku apo guzhina), e ndriçuar nga një baxha konike nën çatinë me katër gërshanëza e strehë të gjera. Në një kënd të saj shihej hambari i drunjtë dhe mokra e gurtë për bluarjen e drithit. Më tej pas nje dere kalohej në një mjedis, ku renditeshin furra për të pjekur bukët e tavat, larësja e enëve, robelarësja me një koridor të zgjatur që kthehej në anën jugore për tharjen e teshave. Hapësira mbi tavan shërbente si depo. Në pjesën e dytë të shtëpisë brenda një dere të gjerë me dy kanata, ngjyrë kafe shtrihej hajati, një koridor i gjatë e i gjerë, i mbuluar me pllaka guri të gdhëndura imët. Në të djathtë ndodhej kthina e kafesë me nime për miqtë, ku shërbehej nëpërmjet një dollapi rrotullues të vendosur në murin e hajatit. Kafetë zbrisnin me tabaka nga dhoma e zjarrit nëpër një shkallë të fshehtë me kapak sa nje derë. Në fund të hajatit hapej një derë tjetër për në odën e freskët gjatë muajve të verës. Majtas përsëri pas një dere, ndodhej qilari i errët e i ftohtë pa asnjë dritare, me  voza druri, shtëmba e qypat e mëdhej për zahiretë e dimrit. Një shkallë rrethore e brendëshme me  parmak, të hipte lart në sallonin e gjerë me piktura e katër dyer. E para, për dhomën ku flinte gjyshi, e dyta për dhomën me bojë të miqëve, e treta tek e zjarrit, e katërta për dhomën e bibliotekës me nime në krahun jugor plot dritë që përçonte rrezet e diellit përmes tri dritareve të brendëshme për në odën e zjarrit. Një zgjidhje e mençur e ustallarëve të panjohur. Nga oborret dukej kalaja, mali i Goricës dhe më tej shpesh, kur shkrepte dielli i mëngjezi shfaqej në lartësi madhështor mbi re mali i Tomorit. Në fund të pusit herë pas here shiheshin ngjala që ndaheshin nga tufa në lum, pas shtegtimit të gjatë nga deti i Sargaseve dhe mbërrinin në puset e mëhallës së Sarajeve. Në orë të caktuara dëgjoheshin kambana nga Kulla e Sahatit pranë xhamisë e çesmës dhe zeri i myezinit nga minareja. Në oborr hera herë kryheshin rite fetare. Në raste festash e dasmash dëgjoheshin këngët qytetare beratase të shoqëruara me def e saze. Në ato çaste hareje, kur hëna qe e plotë, dukej sikur zbriste mbi kullat e muret e Kalasë dhe dëgjonte e kënaqur ato këngë të paharruara.

Bahçeja u ngjante oazeve të përrallave arabe, me palma, kopshte, lulishte e zoq. Anës bahçesë nxitonte rrjedha e remës, që kthehej më sipër nga lumi me anën e një sfrati me trungje e degë drurësh, më vonë digë betoni. Deri në kohët e vona ai pellg i pastër, ku laheshin të rinjtë, quhej “te trarët.” Dy ledhet e remës i lidhte një urë druri. Pranë saj sillej rrotull me kërkëllima çikriku me kova teneqeje, që hidhte  me gurgullimë ujë në vijën për të vaditur perimet. U bënte mirë, edhe pemëve. Kalimtarët tek kalonin përtej remës deri në kohët e shqetësuara te pasluftës, ndalonin e sodisnin pamjet e pemëve me fryta gjthfarësh, si fiq, kumbulla e rrush i bardhë e i zi në hardhitë, që kacavireshin në kavakët e lartë; mes tyre arra,lajthi, bajame, mana, ftonjë, shegë, kajsi e zerdeli. Në një kënd të ngrohtë afër murit dukeshin zgjonjtë e bletëve. Në kohë pranvere e gjatë verës nëpër breg tej remës, vraponin fëmijtë e mëhallës me pipëzat e gajdat prej druri të njomë.Disa hidheshin  “topçe” në remë dhe ndiqnin rosat. Ato zhyteshin në nujë dhe shfaqeshun  larg mbi sipërfaqe. Në freskinë e blerimit, tok me cicërimat e zoqëve, ndiheshin edhe xhi-xhi-të e gjinkallave në trungjet pemëve. Bletët, fluturat e pilivesat fluturonin lule më lule. Ndërkohë ndihej mërmërima e uturima nanuritëse e Osumit me ajrin e pastër nga kodrat përtej nën lartesitë e malit Shpirag, që shtrihej si i fjetur nën diell e re.

Gjysh Sulejmani, priste në ditë të kremte, në atë shtëpi, madje edhe në bahçe nën një qoshk apo verandë të mbuluar, për kafe, drekë a darkë, miq nga qyteti e fshati, zyrtarë, ushtarakë, doktorë, mësues, sherbestarë të feve, si Bab Dud Karbunara, Xhelal Koprencka, Sulo Resuli, Baki Gjebreja, Ibrahim Buharaja dhe shumë të tjerë nga mëhalla, të njohur në gjithë qytetin. Aty, bisedohej edhe për çështje të mëdha, siç qenë hapja e shkollave shqipe dhe ngritja e flamurit në qytet e në Vlorë.

Ç’farë ndodhish ndoqën njera tjetrën, në rrjedhën e kohës në atë shtëpi të rallë për nga bukuria, vlerat artistike dhe historia e saj? Mund të tregohen shkurt kështu:

U ndërtua nën pushtimin osman.

U gëzua kur lindi djali që do të shquhej më vonë si patriot.

Kremtoi në kohën e pavarësisë. U dhunua nga rebelët më 1914, me kërcënime, zënka, sharje e qortime ndaj gjyshit për gjuhën e flamurin shqiptar nga myftiu i Tiranës Musa Qazimi, por nuk u prek.

U vlerësua në kohën e Austro-Hungarisë.

Festoi në vitin e Kongresit të Lushnjës.

U gëzua më kot në ngjarjet qershorit dhe u braktis nga djali i vetëm i arratisur mal më mal në dhjetorin e shqetësuar dhe mbeti në duart e motrës me të shoqin, telegrafist, i njohur në gjithë prefekturën. Në ato ditë ndodhi diçka e papritur. Një mëngjes trokitën në portën e madhe. Një tog xhandarësh me teneqe vajguri në duar u duk në oborr. Dilni jashtë, thirri kapteri, se kësaj shtëpie do t’i vëmë zjarrin! Për një çast u step, kur pa atë shtëpi aq të bukur. Halla mbylli dyert nga brenda, doli në dritare dhe thirri: po të jeni burra digjeni! Asnjë njeri nuk del nga kjo shtëpi. Kapteri u hutua, edhe më teksa po mbërrin burra e gra nga mëhalla. Me urdhërin e tij xhandarët ngritën teneqetë me vajguri dhe u larguan për të mos u kthyer më.

Në kohën e Luftës italo-greke, në shtëpi me urdhër të Bashkisë u vendosën në katin e parë zyrat e komandës së një reparti ushtarak italianë që kishte fshehur kamionët e luftës me topa e mitroloza në sokakët e lagjes Murat Çelepi. Shpesh herë oficerët dilnin në oborr për të soditur në qiell dyluftimin e ajrorëve anglezë e italianë mbi fushën e Otllakut. Halla e shqetësuar për shtëpinë u fliste oficerëve të hynin brenda. Pasi ikën italianët në qytet erdhën trupat gjermane. Një ditë në oborr u pa një ushtar gjerman pa pushkë e pa helmetë. me kapelen me strehë  në duar. Halla doli e trembur në dritare. Gjermani me duar e kapele bënte shenjë drejt bahçesë. U kuptua se lutej për pak kumbulla të një peme rritur vetiu buzë remës, kokrat e tharta e të cilës njerëzit e shtëpisë nuk i mblidhnin kurrë. Ato piqeshin e binin në remë dhe i merrte me vete rryma e ujit. Merrni, merrni  bëri me shenjë halla. Pas pak ushtari u kthye e tregoi kapelen me pak kumbulla, falenderoi e u largua drejt urës me dërrasa, ku e priste shoku i tij. Një ditë tjetër halla pa një ballist që kishte mundur të ngjitej në një nga kavakët e po shijonte rrushin e verdhë të pjekur për bukuri. O djalë, i bërtiti halla, kjo bahçe ka zot! Hë moj hallo. ia ktheu ballisti, s’u bë kiameti, më shumë se një vesh rrush nuk ha dot. Ja mbarova! Zbriti poshtë dhe duke qeshur kaloi urën e u zhduk.

Kur Shqipëria u çlirua prej “armiqëve e tradhtarëve”, siç shkruhet edhe sot nga akademikët e thinjur dhe gazetarët e rinj, erdhën ditë të papara ndonjëherë. Në kohën e hapjes së tokave të reja, aty nga orët e para të mëngjezit, një civil me dhjetë punëtorë me sharra e sëpata u futën në bahçe. Ai që printe me letër në dorë njoftoi se me vendim të Komitetit të PP dhe Komitetit Ekzekutiv, bahçeja qe shtetëzuar për të mbjellë grurë e misër. Halla aktiviste guximtare e luftës u përpoq t’i bindëte që pemët të mos priteshin dhe në atë gjendje le t’i mbante ferma e shtetit. Pra, pas pushkatimit e burgosjes së të gjallëve, do të priteshin pa mëshirë edhe pemët e ëmbëla të gjyshit. Përfytyroni për disa çaste rrëzimin e kavakëve të lartë, ku pat hipur ballisti për dy tri vesh rrush, këputjen e dhimbëshme dhe harlisjen mbi parcelat e perimeve të hardhive me rrush të verdhë e të zinj; shembjen e zhurmëshme të arrës vigane me degë si direkët anijesh me fletët e blerta; plandosjen e manit të lartë; përmbysjen e pemëve me kumbulla e fiq e trungjet e  pemëve të frytave gjithfarësh; hedhjen në remë të kumbullës së thartë që kurseu gjermani.  Merreni me mend dhimbjen e hallës dhe fyerjen e rëndë të vëllait nën dhe. Më pas e kishte radhën tragjedia e shtëpisë së regjistruar nga etnografët si monument kulture. Në oborr u panë disa ustallarë me përgjegjësin e tyre. Mos vallë kishin ardhur për mirëmbajtjen e saj? Përgjegjësi mbante në duar një letër nga Komiteti Ekekutiv, ku lexohej fjala urdhër, si vendim gjyqi politik nga Komiteti i Partisë së dashur. Punëtorët të ngjashëm me xhelatë kohësh barbare, mbanin në duar kazma, lopata, sharra, sëpata, sqeparë, ganxha e qysqi. Sipas vendimit ata rrafshuan shtëpinë më të bukur të lagjes Murat Çelepi tok me historinë saj dhe artin e mjeshtrave të panjohur. Kazma e qysqia shkallmuan muret e gurtë të rrethimit, përmbysën portën me qemer guri; sharra shembi tavanet e çatinë e gjerë tok me oxhakët e llampadarët, nimet e shkallët, furrën e qilarin me qypa, hajatin e dhomën e kafesë. Gjithçka me vrull revolucionar. Halla nuk jetonte më dhe s’mund ta mbronte shtëpinë deri në vetmohim. Dhimbjen me lot e provoi i nipi, shkruesi i këtyre radhëve, i pafuqishëm si të gjithë. Përse e prishën atë mrekulli bujare? Shkaku nuk u mor vesh kurrë. Mister!

Ndoshta në arkivin e Kino-studios “Shqipëria e Re” ruhet edhe sot një film dokumentar, ku shfaqet ajo shtëpi e bardhë, në të cilën u strehua e sigurtë disa ditë e netë, shëndosh e mirë Margarita Tutulani, më vonë rreth tridhjetë hebre dhe ushtarë të sfilitur italianë të arratisur nga kampi gjerman i robërve të luftës. Disa foto të asaj shtëpie në prag të rrënimit rrëfejnë për hijeshinë e saj edhe në ditët e fundit të jetës. Një etnografe e vonuar në kërkim të veprave monumentale për studime shkencore, ashtu si policët që mbërrijnë disa orë pas krimit, gjeti nje rrafsh të pastruar nga mbeturinat e një ndërtese të shkatërruar nga një bombardim në kohë paqeje, edhe heshtje varri. Tashmë trualli i rrafshuar ka mbetur shkret. Nuk dëgjohen më zërat e një brezi të tërë njerëzish me kulturë që lindën, u rritën, banuan aty e shërbyen në arsim, shëndetësi dhe ekonomi. Pipëzat e gajdat prej druri të njomë të pranverës heshtin. Nuk ndihen  as cicërimat e zogjëve, as krisma e kaposhit mbi degët e fikut në oborr, as kakarisja e pulave, as xhi-xhi-të e gjinkallave në trungje pemësh, as kërkëllima e çikrikut e llapashitja e krahëve të rosave në remë. Rema është diku nën themelet e shtëpive pa vlerë. Nuk fluturojnë më bletët e fluturat lule më lule, as pilivesat mbi ujë. Askush s’e merr me mend, se ku ndodhej ajo shtëpi zemër gjerë si vetë madhësia e bardhësia e saj. Në atë mëhallë të ngrohtë u rrafshuan, edhe shtëpitë e dijetarit e poetit Vexhi Buharaja, e mësuesve, tregtarëve dhe e zejtarëve të njohur në gjithë qytetin. Edhe shtëpia e vogël me oborr, por e këndëshme e pep Avdylit, që mblidhte gjarpërinj në Saraje edhe në remë, për barnatoret, shkollat dhe spitalet. Nuk dëgjohet më, as kambana nga Kulla e Sahatit e rrafshuar tok me çesmën, pranë xhamisë në lagjen Murat Çelepi, sipas vendimit zytar “Çlirimi”, në qytetin e shpallur MUZE.

Eshtë për të ardhur keq, kur ndonjë nga ish-banorët e asaj mëhalle, që merret me punë arti dhe me studime të monumenteve të kulturës, i qan hallin Shkodrës e Tiranës për zonat historike, që tashmë pak nga pak po marrin frymë, në një kohë, kur qyteti i vet i lindjes, ka një një gjendje të dhimbëshme për shkak të shkujdesjes së ish-bashkëpunëtorëve, atij vetë dhe zyrtarëve përgjegjës sot, që mburren me librushkat për turistët.

Tashmë në truallin e harruar, shihen vetëm disa shtëpi përdhese. Kalldrëmet e sheshta dhe shtëpitë e mëhallës janë zhdukur. Pamjet e dikurshme përtej mureve e mbi pemët e bahçesë së dhunuar, kanë humbur trishtueshëm. Janë shlyer edhe nga kujtesa. Diku pranë tyrbes së Baba Aliut të shenjtë, prehet gjyshi i urtë. Ai nuk e di seç bëhet me shtëpinë e vet të bukur, ku gëzoi dhe u hidhërua gjatë një pjese të jetës. Edhe hëna, teksa ulet mbi muret e Kalasë, ashtu e zbehtë mallkon e qan. Vetëm mrekullia e Zotit ka shpëtuar nga shfarosja, shegën, mjaltë të ëmbël e plot lëng të fshehur në një kënd, pranë murit, që dikur rretonte  shtëpinë dhe bahçenë. Shega qysh nga koha e gjyshit, rrit kokrat e shëndosha duke dëshmuar, ashtu siç ndodh shpesh pas një masakre barbare, se jeta në atë vend të shenjtë vazhdon.

Filed Under: Kulture Tagged With: Agim Xh Deshnica, ne berat, nje monument Kulture, sarajet e pashallareve, te prishesh

ENO PEÇI: MENJËHERË DO TË FLUTUROJA NË TIRANË …

January 4, 2014 by dgreca

…SEPSE TKOB SI THOTË BALETMAESTRI ILIR KERNI ËSHTË SHTËPIA E TË GJITHË ARTISTËVE SHQIPTARË/

Intervistë e Elida Bucpapaj me yllin e baletit ENO PEÇI, solist në Wiener Staatsopera/

Në Koncertin e Filarmonisë të Vjenës, që mbahet në çdo 1 janar, si një kulm i elitarizmit europian, njëri nga solistët kryesorë të Operas Vjeneze është shqiptari Eno Peçi.
Në shfaqjen e përvitëshme më glorioze në çdo fillimviti të orkestrës të filarmonisë vjeneze, e inkorporuar në Teatrin e Operas Shtetërore të kryeqytetit austriak, dirigjuar gjithnjë nga mjeshtra të nivelit më të lartë botëror, prej Herbert von Karajan e deri tek Daniel Barenboim, një nga balerinët kryesorë të Danubit Blu dhe të valceve aq të mrekullueshme të familjes Shtraus është shqiptari Eno Peçi.
Por kulmi është se emri i Eno Peçit, ndërsa është tejet i famshëm në Vjenë, në Shqipëri e në trojet shqiptare pothuaj nuk njihet fare. Njihet natyrisht në rrethet artistike, por mediat shqiptare kanë treguar shurdhmemecëri të plotë ndaj fenomenit Eno Peçi dhe shkëlqimit të tij.
Kjo arritje brilante e 31 vjeçarit shqiptar, është njëkohësisht arritje brilante edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi dëshmon për gjenialitetin e identitetit shqiptar. Por për absurd, me Eno Peçin krenohet Vjena, ndërsa shqiptarët nuk dinë gati asgjë për të. E keni parasysh vanitetin dhe kotësinë e gazetave dhe televizioneve shqiptare të cilat thonë atë që s’duhet ta thonë, ndërsa deri tani nuk kanë thënë pothuaj asgjë për balerinin virtuoz shqiptar Eno Peçi!
E kam thënë në një shkrim se, nëse Vjena nuk do të ruante me fanatizëm shpatën dhe përkrenaren e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, është e sigurt se do të dilnin ca vandalë firaunë për t’i trafikuar diku apo për t’i shkatërruar e bërë skrap.
Vetëshkatërrimi, kjo është një sëmundje nga e cila po vuajnë shqiptarët. Nuk e di se kur do të marrë fund, për t’I lënë vendin ringjalljes dhe rilindjes kombëtare. E cila nëse do të ketë një start duhet të ketë nivelin e lartësisë që ka arritur Eno Peçi, vetë, me forcat e tij, me talentin e tij dhe punën  gjigande.
Eno Peçi ka prej vitit 2000 që është balerin i institucionit më prestigjioz në nivel botëror të dancës klasike siç mund të jetë Opera Shtetërore e Vjenës, me një histori të shkëlqyer që daton prej mesit të shekullit 19, i cili më 2009 kremtoi si një evenimet botëror 140 vjetorin e lindjes.
Opera Shtetërore e Vjenës përzgjedh talentet më të spikatura nga e gjithë bota, dhe midis më të mirëve ka zgjedhur djaloshin shqiptar Eno Peçi, të jetë solist në Operan Shtetërore të Vjenës dhe në Volksopera-n. Në një kohë kur shqipëtarët konsumohen ditë e natë shpirtërisht nga arti trash dhe ende nuk poi thërrasin mendjes për të mbledhur rreth vetes ajkën e artistëve shqiptarë, që shkëlqen mrekullisht në skenat më të famshme botërore.
Është xhelozi, cmirë, amatorizëm, por më së shumti është një sjellje antikombëtare të mbash larg vendit artistë të nivelit të Eno Peçit, arritjet e të cilëve janë të nivelit ndërkombëtar. Arti shqiptar ka nevojë për elitën. Rinia shqiptare ka nevojë për elitën. Kombi shqiptar ka nevojë për elitën. Sepse identiteti kombëtar ushqehet vetëm me vlera dhe me elitën.
Ndaj elitës shqiptare e cila ka arritur famë në Europë e botë deri tani është mbajtur qëndrim jomiqësor nga shteti shqiptar, duke i mbuluar me indiferencë të plotë. Një qëndrim i tillë armiqësot ndaj vlerave duhet të ndryshojë sa më shpejt, sepse koha nuk pret më. Yjet shqiptare nëpër botë meritojnë të kenë vendin e tyre në Shqipëri. Mjaft u lodh rinia duke dëgjuar emra mizerabël politikanësh, që shpërdorojnë votën dhe taksat e popullit të vuajtur shqiptar. Populli shqiptar, skena shqiptar ka nevojë për yjet e tij.
Dhe njëri prej tyre padyshim është Eno Peçi, të cilin po e falënderoj që në krye sepse, me modestinë e një artisti të madh, e pranoi me mirësi kërkesën për intervistën e mëposhtëme që poi a përcjellim menjëherë lexuesit të nderuar shqiptar  kudo që të jetë ai.

PYETJE: Kam lexuar në një artikull shkruar disa vjet më parë nga austriakja Die Presse për ju, se fillimisht keni dashur që të bëheni një kërcimtar i Breakdance. Me sa duket ju ka pëlqyer rocku dhe rap-i apo jo? Po ideja e kërcimit nga ju ka lindur? Vini nga një familje artistësh?
ENO PEÇI: E vertetë. Kisha dëshire shumë të kërceja. Dëgjoja shumë muzikë në televizor ( MTV) dhe shihja se si kërcenin dhe kjo gjë me nxiste.
Une vij nga një familje që tradicionalisht ka nxjerrë ushtarakë. Gjyshërit e mi kanë qenë komandantë, oficer madhorë, babai im ka qenë ushtarak, oficer në ministri, daja im ka qene drejtues i lartë ushtarak, kurse mamaja ka qenë dhe është stomatologe-dentiste me klinikë private. Pra,nuk vij nga familje artistësh.
PYETJE: Ju edukimin si balerin e keni marrë në një shkollë shqiptare, siç është Liceu. Duke e krahasuar më vonë me Shkollën e Baletit të Operas Vjeneze, çfarë mund të thoni për shkollën shqiptare. Emrat e mësuesve tuaj në Lice, të cilët i kujtoni me nderim?
ENO PEÇI: Shkolla e baletit shqiptar ka një metodë shumë të vjetër ruse.Kurse shkolla e baletit të Vjenës është shkollë europiane e perzier me metodën e shkollës ruse të Vaganovës dhe metodës franceze. Pra shkolla shqiptare e baletit ka shumë nevojë të eci përpara. Unë vetë kam pasur fatin të punoj në Shqipëri me profesorë si Luan Shtino që më ka ndihmuar shumë dhe profesor Agron Aliaj etj.
PYETJE: Në Vjenë, në kryeqytetin botëror të kultures, ju mbërritët kur ishit një adoleshent 16 vjeçar. Si arritët këtu, përse, dhe si e ndjetë veten?
ENO PEÇI: Unë shkova në Vjenë për shkak të trazirave të  viteve 1997-1998. U detyrova të ikja dhe vajta tek motra që jetonte prej 3 vitesh në Vjenë, e cila punon në një spital privat. Motra më ka ndihmuar shumë se unë ndodhesha në një vend të huaj që nuk dija as gjuhën. Nuk ndjehesha mirë se për mua ishte një kapitull i ri i jetës time që duhet të filloja për shkak të trazirave në Shqipëri, ku lashë prindërit dhe shoqërine dhe fëmijerinë që kalova në Shqipëri.
PYETJE: Suksesi juaj duket i menjëherëshëm, po të shohësh datën e mbërritjes në Vjenë 1998 dhe kur u pranuat si balerin në Teatrin e Operas Shtetërore vjeneze më 2000? Çfarë ishin për ju këto dy vite?
ENO PEÇI:  Këto dy vite kanë qenë shumë të vështira për mua sepse më mungonte vendi im dhe më mungonin shumë prindërit. Por këto dy vite ishin tejet të rëndësishme për mua dhe për moshën që kisha. Fillova të mësoja se çfarë ishte përgjegjësia. Përgjegjësia për jetën, sepse isha vetëm në një qytet të madh, por dhe përgjegjësia nga ana profesionale, sepse ishin dy vitet ku unë mund të merrja një bazë të fortë në shkollën e baletit të Vjenës për të ardhmen time si profesionist.
PYETJE: Prej vitit 2000 deri në 2009, kur ju emëroheni si solist në Teatrin Shtetëror të Vjenës, çfarë keni regjistruar në kujtesën tuaj, diçka thelbësore, që mendoni se ju dha suksesin. Ishte i rëndësishëm për karrierën tuaj Renato Zanella? Ia dedikoni dikujt këtë sukses të hatashëm që keni arritur?
ENO PEÇI:  Renato Zanella është një person që është i dashuruar mbas artit. Renato më ka ndihmuar tejmase shumë dhe ka punuar shumë me mua. Eksperiencën që unë kam përvetësuar nga ky njeri është një nga armët e mia bazë që dhe sot me ndihmon të ec përpara.
Viti 2009 ishte shumë i rëndësishëm për mua, edhe sepse unë jam bërë Baba. Lindi vajza ime Lea, që më bën të ndihem shume krenar, sepse fundja fundit më të rëndësishme se familja për mua nuk ka.
Por suksesin tim, ia dedikoj prindërve të mi që kanë sakrifikuar shumë për mua në një kohë shumë të vështirë në Shqipëri.
PYETJE: Po të shohësh repertorin tuaj, ai është një repertor i jashtëzakonshëm, si nga veprat, baletmaestrot dhe rolet tuaj. Kam parasysh “Gizel”, “Karmen”, “Spartakus”, “Arëthyesi”, “Don Kishoti”, “Liqeni i Mjellmave”, etj.etj. të vëna në skenë nga mjeshtra gjigandë që nga Rudolf Nurejews, John Cranko e deri tek Renato Zanella, të cilin Italia e ka nderuar me çmimin si “Koreografi më i mirë italian në botë”, ku ju keni role kryesorë. Si u ngjitët deri këtu, me magji?
ENO PEÇI: Çdo gjë është e mundur. Me punë,durim dhe dashuri ndaj artit çdo rrugë të hapet…
PYETJE: Gazetat austriake kur ju përshkruajnë, thonë se ju “si balerin arrini gjithçka, se për ju nuk ka asgjë të pamundur”, ndërsa ju citojnë të keni thënë diku se “nuk jeni një makinë kërcimi”. Çfarë duan të thonë gazetat austriake, po ju vetë?
ENO PEÇI:  Për atë të parën mund ta ketë tepruar pak. Por që çdo gjë është e mundur. Ky është (english-anglisht -attitude) ose (deutch-gjermanisht – einstellung) qëndrimi im personal.
Kurse për të dytën kam dashur të them që një artist që luan, interpreton në skenë  teknikisht por pa asnjë lloj ndjenje, pa asnje lloj personaliteti, pa asnjë lloj magjie që mund t’i transmetojë publikut, ateherë është makinë kërcimi.
PYETJE: Përpara 4 vitesh për Die Presse keni thënë se nuk do të kishit dëshirë që Lea të bëhej balerinë, po Lea është një fëmijë arti, deri tani a ka treguar talent për dancën?
ENO PEÇI:  E vërtetë. Baleti është profesion shumë i bukur por edhe shumë i veshtirë.
Duhet të kesh një karakter shumë të forte që t‘i përballesh shumë mundimeve të saj. Dhe si prind nuk ia uroj vajzës time të gjitha ato stërmundime që kam hequr vete. Gjithsesi vendimin ajo do ta marri vetë. Por talent ka…
PYETJE: A ka në trupën e Baletit të Teatrit Shtetëror të Vjenës apo në Filarmoninë vjeneze artistë të tjerë shqiptarë ?
ENO PEÇI: Në trupën e baletit të Wiener Staatsoper, përveç meje, nuk ka balerinë të tjerë, por në Orkestrën e Filarmonisë janë violinisti Shkëlzen Doli, violinçelisti Edison Pashka, violinistja Oreada Steude dhe në kor Dritan Lucaj, që punojnë të gjithë në Wiener Staatsoper.
PYETJE: Çfarë mendimi keni për Teatrin e Operas dhe Baletit dhe për artistët shqiptarë, brenda vendit e jashtë tij?
ENO PEÇI:  Teatri i Operas dhe i Baletit ka shumë nevojë të rinovohet përbrenda, sepse është në një gjendje jo të mirë. Shqipëria është e vogël por ka shumë artistë të shkëlqyer jashtë dhe brenda vendit.
PYETJE: Tani që Teatri i Operas dhe Baletit të Tiranës drejtohet nga një balerin dhe baletmaestri i njohur si Ilir Kerni, a prisni të merrni ftesë dhe a do të fluturoni menjëherë në Tiranë?
ENO PEÇI: Menjëherë do fluturoja… TKOB, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, si thotë dhe Baletmaestri Ilir Kerni, është shtëpia e te gjithë artisteve shqiptarë kudo që ndodhen…
ENO PEÇI U INTERVISTUA NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Eno Peci, Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 74
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT