• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

KOSOVA – NJË SHTËPI MIKPRITËSE PËR AMERIKANËT

February 12, 2014 by dgreca

  Nga ROZI THEOHARI, Boston/

E takova në Boston mikeshen time, mjeken amerikane Xhenifer Keller, në nëntor 2001, disa javë pasi ekipi i saj ishte kthyer nga Kosova. Ajo më fali një kopje të revistës mjekësore “Dartmouth Medicine” në faqet e së cilës përshkruheshin përshtypjet dhe kujtimet e saj gjatë qëndrimit në Prishtinë. Revista kishte në ballinë fotografinë e zmadhuar të një nëne kosovare që ushqente për herë të parë fëmijën e saj me gji. Universiteti Mjekësor i Dartmouth-it në shtetin Nju Hampshire, USA, bashkëpunoi me Universitetin e Prishtinës,për të rindërtuar sistemin mjekësor universitar, pitalor dhe atë kërkues mjekësor në Kosovë. Ndër të parët që shkoi në Kosovë për hetimin e gjendjes, ishte John Balëin. M.D, dekani i Universitetit të Dartmouth-it, në verën e vitit 1999. Pasuan më tej profesorë e doktorë të specialiteteve të ndryshme mjekësore gjatë viteve 2000 e 2001. Duhen përmendur edhe të drejtat e studimit për të rinjtë kosovarë që studiuan së bashku me ata amerikanë në Universitetin Mjekësor të Dartmouth-it. Personeli mjekësor amerikan në Prishtinë u përball me shumë të papritura, probleme dhe situata të vështira në mjekimin e pacientëve. Paslufta e gjeti vendin me një system spitalor të mjeruar, i gjeti pacientët të sëmurë si shpirtërisht ashtu edhe fizikisht, pa ilaçe e mjete të tjera shërimi. Për shqiptarët nuk ekzistonte sistemi i kujdesit primar shëndetësor në dhjetëvjeçarin e fundit, kur ishin në fuqi serbët. Shume të sëmurë kronikë kishin mbetur pa mjekimet e nevojshme për vite e vite të tëra. Mjekët amerikanë u befasuan nga sëmundjesurpriza si tuberkulozi, ekinokokoza, parazitë të ndryshëm, infeksione të avancuara, kancere etj. Në bibliotekën e Universitetit të Prishtinës librat ishin vetëm në gjuhën serbe, ndërsa librat në gjuhën shqip e anglisht ishin shkatërruar. Pra, çdo gjë u nis nga e para duke u mobilizuar së bashku, miqtë amerikanë dhe mikpritësit kosovarë. Personeli mjekësor I Universitetit të Prishtinës dhe i spitalit, krijuan një atmosferë të ngrohtë bashkëpunimi e përfitimi me kolegët e tyre amerikanë.

NË KOSOVË AJO E NDJEU VETEN DY HERË NËNË

 Ndodhet një kishë e vjetër në ishullin e Nahantit, Mass, diku në një shkëmb pranë bregut, e zhytur gjithmonë në mjegullën blu të oqeanit, ku, dikur, Presidenti amerikan Rusvelt mori pjesë në ceremoninë e martesës së djalit të vet. Në këtë kishë – muze shkoj çdo të diel jo vetëm për t’u falur, por edhe për të takuar miqtë e mirë nahantas, që ruajnë me nderim traditat e paraardhësve të tyre anglezë, në këtë ishull.

Në një nga të dielat e prillit 2001, pas shërbesës fetare, po pinim kafen në kafeterinë e kishës. Vura re se çifti Keller, burrë e grua, të moshuar, po afroheshin te tryeza jonë. Gruaja flokëbardhë, Martha Keller më foli me një zë të butë, tërë

mirësjellje : – “Dikush na tha se ju jeni nga Shqipëria. Ju lutemi, mund t’ju pyesim diçka rreth Kosovës?”

“Sigurisht,” – thashë unë, u ngrita në këmbë dhe tokëm duart të tre.

“Është një surprisë…, vajza jonë Xhenifer, që është doktoreshë, na njoftoi se së shpejti do të niset për në spitalin e Prishtinës,”- foli ajo me një zë që mundohej t’ia ulte dridhjen.

Në sytë e saj unë pikasa merakun e nënës. “Mos u shqetësoni,” – buzëqesha unë. “Kosova tani është vend i lirë.”

Në një copë letër vizatova shpejt e shpejt hartën e Ballkanit dhe shkrova emrat e shteteve. “Ja ku është Prishtina,”- u thashë. Patëm një bisedë të gjatë, të cilën e dëgjuan edhe nahantas të tjerë kuriozë. Çifti Keller donte më shumë informacion rreth këtij rajoni. Së fundi, Martha dukej pak më e qetë, ndërsa burrit të saj, mjekut Keller, gjatë gjithë kohës I ndehej në fytyrë një buzëqeshje miratimi.

Por Martha Kelleri u befasua për herë të dytë, ditën që vajza e saj Xheni mori aeroplanin për në Evropë.

Xhenifer Kelleri është një vajzë e mirë amerikane, me një fytyrë të fisme e të zgjuar. Ajo është një grua e mrekullueshme amerikane, e cila, disa orë para se të niste fluturimin për në Kosovë me bashkëshortin, u lajmërua me telefon nga mjeku I saj se ajo ishte shtatzënë. Ai e këshilloi rreptë që të mos e merrte këtë udhëtim të gjatë, mbasi ekzistonte mundësia e dështimit të fëmijës.

Mbas pesë vitesh martese, të gjitha çiftet janë disi të shtangura e të lumtura kur mësojnë se së shpejti do të presin fëmijën e tyre të parë. Ata dëshirojnë ta ndajnë këtë gëzim me familjaret e miqtë e ngushtë…Por Xheni dhe burri i saj vendosën

të mos i ndryshojnë planet e tyre. Ata e ndien dhe e ndanë së bashku gëzimin dhe të papriturën e këtij lajmi vetëm kur u ndodhën në aeroplan, ulur pranë njëri-tjetrit si dhe gjatë ditëve që qëndruan në Kosovë.

E pyeta Xheniferin për përshtypjet e saj nga Prishtina.” E para, dhe e paharrueshmja, ishte mikpritja e njerëzve të këtij qyteti”, – tha ajo. “Kosova është një vend i lirë e paqësor që po përballet me vështirësitë për të normalizuar gjendjen e pasluftes. Populli i Kosoves është i gëzuar dhe krenar, i ndërgjegjshëm për lirinë që fitoi vendi i tij. Atë natë që mbërrita në Prishtinë, – vazhdoi ajo, – isha mike e mjekes Natyra Karahoda, profesoreshë e fiziologjisë në Universitetin e Prishtinës. Vajzat e saj, Era dhe Jehona, më shëtitën e më treguan qytetin. Unë ndala hapat para një shtëpie ku ishte shkruar me shkronja të mëdha e të kuqe “Shtëpia e dëshmorit.”

Vajzat më sqaruan se kishte shumë shtëpi të tjera e apartamente të shkruara kështu, në shenjë nderimi për të rënët në luftë.”

Duke e parë Kosovën me “sytë e mjekësisë” mjekja Keller kishte mendime pozitive rreth shumë ndryshimeve pas luftës.

Personeli mjekësor ushtarak tani ishte kthyer në personel civil profesionist. Përsa i përket edukimit në shkolla mjekësore, ajo pohoi se serbët gjithmonë pengonin studentët shqiptarë të vazhdonin fakultetin e mjekësise. “Një nga studentët e mi”, –

tha Kelleri, kishte shumë kocka të trupit të thyera nga policët serbë, për të vetmin shkak sepse ai donte të studionte në fakultetin e mjekësisë.”

Jo vetëm si mjeke, por edhe si profesoreshë, Kelleri dha mësim në fakultetin e mjekësise, në Prishtinë. Ajo më tregoi se midis studentëve kosovarë vazhdonte studimet edhe Iliri, një i ri nga Maqedonia. Gjate prillit Iliri qëndroi në shtëpinë e tij në Tetovë duke studiuar për provimin e tij në lëndën e patologjisë pulmonare. Por ai e humbi provimin mbasi nuk erdhi në Prishtinë për shkak të luftës që zhvillohej në vendin e tij.

Kelleri u përball me shumë probleme e situata mjekësore në Kosovë, në një vend ku tensioni i “pastrimit etnik” kishte shkaktuar trauma të fuqishme e tmerre në banorët vendës.”Të sëmurët me tuberkuloz, – vazhdoi ajo,” – ishin të shumtë e shtoheshin gjithnjë, sidomos ndër radhët e ish- të burgosurve, për arsye të kushteve të këqia të jetesës në burgjet serbe.” Kelleri takoi shumë raste sëmundjesh në Kosovë që ishin të ndryshme nga ato që kishte studiuar ajo në Universitetin e Dartmouth-it.

Megjithëse shtatzënë, ajo punoi disa muaj me të sëmurët tuberkulozë dhe me të sëmurët me infeksione të zgjatura. Në një e-mail që Xhenifer Kelleri u dërgoi kolegëve të saj në Amerikë, shkruante:

“Ne duhet t’i pyesim kosovarët për çfarë kanë nevojë…e të na tregojnë se si mund t’i ndihmojmë…Ata nuk dëshirojnë pajisje e makineri mjekësore luksoze…Ata kanë nevojë për pajisje mjekësore të forta, që të mos prishen lehtë…dhe të mos kushtojnë shumë…”

Mjekët amerikanë, duke punuar edhe jashtë orarit, kanë dhënë një kontribut të madh për riorganizimin e spitaleve, për kompletimin e tyre me aparaturat e nevojshme, si dhe për mjekimin e shërimin e një numri të madh të sëmurësh. Në një e-mail tjetër Kelleri shkruante: “Nuk ka ditë që ndonjë pacient shqiptar, pa të parë në sy, të mos të të shtrëngojë dorën dhe të mos të të falenderojë me entuziazëm dhe dashuri për atë ç’ka bëre ti për atë. Sepse një pacient kosovar, i shëruar nga një mjek amerikan, e quan veten dy herë të shpëtuar nga Amerika e largët.”

Xheniferi më tregoi disa fotografi të marra gjatë aktivitetit të saj në spitalin e Prishtinës, në mësimdhënien në Universitet, si dhe gjatë vizitës nëpër fshatra.

“Më të shumtat e fotografive,”- i thashë, i keni midis fëmijëve e studentëve. Mos ka ndonjë lidhje kjo me gëzimin për bebin që ju ende mbani në trupin tuaj?”

Ajo qeshi e më tha se në Kosovë tashmë kishte një lindshmëri të madhe fëmijësh.Kolegët amerikane që punonin në repartin e obstetrikegjinekologjisë të spitalit, u ndodhën para të papriturash për shkak të numrit të madh të lindjeve brenda njëzet e katër orëve.

Kelleri pohoi se foshnjat lindnin pa arritur t’i pritnin mamitë, ndërsa krevatet e nënave vendoseshin edhe nëpër korridore.

Duke krahasuar nënat e reja kosovare me ato amerikane, mjekja amerikane arrin në përfundimin se nënat kosovare dine të kujdesen më mirë dhe janë më të afta e më me përvojë, për të rritur bebet e tyre të vogla.

“Natën e parë, si mjekë roje në repartin e lindjeve,”- tha Kelleri, -” m’u desh të përballoj 64 lindje.” Ajo përshkroi emocionet dhe ndjenjat e saj gjatë kohës që vizitonte grate shtatzëna.” Në Kosovë unë e ndjeva veten dy herë nënë,”- tha

ajo e mori frymë thellë,- “së pari, për fëmijen tim dhe, së dyti, për bebet e tjera. Unë ndiqja rrahjet e zemrës së fëmijës Brenda barkut të pacientes dhe më dukej sikur ato rrahje sinkronizoheshin me pulsin e zemrës së bebit tim.”

Unë vështrova fytyrën e saj. Shkëlqimi i syve gri të thellë rrezatonte mëmësinë.

“Unë e pëlqej punën time si mjeke, – tha ajo, – por edhe si nënë, të rris e të edukoj fëmijën tim. Kam menduar për një kohë të gjatë dhe i di vështirësitë dhe punën e lodhshme që kërkon rritja e një fëmije.”

Në Prishtinë Xheni ndiente vazhdimisht nevojën e të qenit pranë prindërve e shoqeve, për shkak të shtatzënisë. Ajo komunikonte përditë me e-mail me të shoqin, i cili, megjithëse ishte në Kosovë, nuk ndodhej në Prishtinë. Në mëngjes ajo ndiente vështirësitë e zakonshme të barrës, në spital punonte me të sëmurët tuberkulozë dhe maska që vinte në fytyrë për t’u mbrojtur, i shkaktonte të vjella e dhembje në stomak. Por ajo i kalonte në heshtje të gjitha këto, pa harruar qëndrimin për një kohë të gjatë në sallën e mjekut ku tymosnin duhan pa pushim. Ajo duronte e nuk largohej nga dhoma e mjekut, për të mos u dukur e pasjellshme, megjithëse e dinte se duhani dëmtonte fëmijën e saj. Prandaj asaj i pëlqente të rrinte disa orë të ditës jashtë, në ajrin e pastër. Por edhe këto orë ajo nuk i kalonte pa punë. Në krye të një grupi fëmijësh, të cilët ajo I pajiste me dorashka plastike, kryenin së toku pastrimin e territoreve të caktuara të qytetit dhe ky aktivitet quhej “Dita e pastrimit të Dardanisë.” Në shoqërinë me fëmijët ajo shkrihej njësh me gëzimin dhe sinqeritetin e tyre.

Xhenifer Kelleri dhe mjekët e tjerë amerikanë të ekipit të saj që vizituan Kosovën, përjetuan kënaqësi të veçantë jo vetëm se dhanë ndihmesën e tyre të specializuar, por sepse, në të njëjtën kohë, u miqësuan me kolegë dhe njerëz të thjeshtë dhe e ndien mikpritjen kosovare si një të papritur interesante e të paharrueshme në jetën e tyre. Ata ftoheshin e merrnin pjese e në festa të ndryshme kombëtare e familjare, duke mësuar shumë nga kultura, përvoja e jetës dhe traditat e mikpritjes. Ishte mjaft prekëse për mjeken Keller dhe mjekun Sahr pjesëmarrja në një ecje përkujtimore në këmbë, për nder të një studenti kosovar të mjekësisë, vrarë nga snaiperet serbë në vitin 1996.

Xhenifer Kelleri u bë “shoqe e pandarë” me mjeken kosovare Natyra Karahoda, duke e vizituar disa herë në shtëpi e duke kaluar çaste të bukura me dy vajzat e saj. Dhe miqësia shkon…e vjen. Fiziologjistja Karahoda, si dhe shumë mjekë të tjerë, u ftuan nga Universiteti i Dartmouth-it në pranverën e vitit 2001 në Amerikë për specializim.

U ndava me mjeken Keller duke u interesuar edhe një here për bebin e saj që do t’i lindte së shpejti. “Unë jam e lumturuar që po bëhem nënë. Një ditë, do t’i tregoj vajzës sime se ajo i kaloi muajt e parë të zanafillës së jetës së saj në Kosovë,”- tha ajo.

Unë nuk i bëra më pyetje; e kuptova dhe e ndjeva se bota e kësaj gruaje të re ishte e ngarkuar me kujtime miqsh, surpriza të bukura, gëzime, gjallëri, punë krijuese dhe bekime për të gjithë fëmijët.

Filed Under: ESSE Tagged With: kosova, nje shtepi mikpritese, per amerikanet, Rozi Theohari

PERCJELLJA E MJESHTRIT TE HUMORIT, SKENDER SALLAKU

February 12, 2014 by dgreca

Skënder Sallaku, personazhi spontan i roleve të mëdha/

Nga Edmond Prifti/.Ishin të shumtë miqtë dhe artdashësit që u “përshëndetën” për herë të fundit me mjeshtrin e humorit shqiptar, Skënder Sallaku, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 79 vjeçare.Homazhet në nderim të “Artistit të Popullit” u mbajtën të mërkurën për dy orë në Teatrin Kombëtar në Tiranë, ku kolegët e tij ndanë me ATSH-në disa nga kujtimet dhe vlerësimet për karrierën artistike 50 vjeçare të Skënder Sallakut.

Aktori dhe ish-drejtori i Estradës së Tiranës, Sulejman Dibra vlerëson se “Skënder Sallaku ishte i lindur për të qënë artist. Nuk kishte përfunduar asnjë shkollë për aktrim, por Skënderi ishte tip kërkues ndaj vetes. Për të nuk kishte rol të keq. Edhe sikur roli të ishte i dobët, ai do ta sillte atë në formë të mrekullueshme”.

Dibra thotë se “Skënderi diti të gjente detajin dhe spontanitetin artistik e kjo e mbajti ngaherë të freskët. Ishte aktori i barsoletave deri në ditët e fundit të jetës. Ndër aktorët më të mirë shqiptarë”.

Për Bujar Kapexhiun, Skënder Sallaku ishte si puna e atyre njerëzve që dhurojnë gjak,..! “Pra Skënderi dhuronte buzëqeshje, e në këtë lumturi që u dha njerëzve, e kujtojmë ne sot”, thotë Kapexhiu.

“Me batutat e tij u dha gëzim, e ashtu si humori që është privilegj i të mençurve edhe Skënderi ishte një nga të mençurit që kishte një zemër të madhe”, shton për ATSH-në Bujar Kapexhiu. Për të “janë të rrallë ata njerëz që do t’i ngjajnë Skënderit, si për kapacitetin artistik, ashtu dhe për forcën e tij.

Merita Dabulla, ish-balerinë, e më pas akrobatja, prezantuesja dhe aktorja e Cirkut dhe Estradës së Tiranës, e vlerëson Artistin e Popullit si aktorin e dimensioneve të mëdha.

“Ashtu siç tha Dritëroi (Agolli) ai është një Çarli Çaplin shqiptar…”, citon ajo, ndërsa kujton se ka interpretuar disa role me mjeshtrin e humorit.

“Ka qenë aktor i spontanitetit dhe e ndjente publikun si reagonte. E merrte, e rrëmbente rolin dhe e bluante atë…”, thotë Dabulla, për të cilën mimika e tij ishte e jashtëzakonshme, sidomos si kloun.

Me Skënderin ka shumë kujtime…veçanërisht, në dhënien e diplomës kur interpretoi përkrah tij. “Isha shumë e emocionuar…Ishte Skënderi ai që më qetësoi”, thotë ajo.

Aktorja Marjana Kondi e kujton Skënder Sallakun si një aktor liberal dhe si një njeri që s’dinte të mbante mëri kurrë…

“Ai vërtet ka vdekur, por ne jemi duke buzëqeshur me të, e kjo ka një kuptim mjaft të madh. Ai ishte si Çarli Çaplin…”, shprehet Kondi, ndërsa shton se lindja dhe vdekja, është hyjnore…e Zoti bëri më të mirën për Skënder Sallakun”.

Aktori dhe prezantuesi Veli Rada ka punuar për dekada me radhë me Skënder Sallakun… “Ishte modeli i artistit. Ne, kishim orarin e punës në orën 9.00, por Skënderi vinte ngahera në nëntë pa dhjetë. Në krahun e djathtë qëndronte gjithmonë i ndjeri Vasillaq Vangjeli e në të majtë, i qëndroja unë. Isha 22-vjeç asokohe, ndërsa Skënderi kënaqej që ne po ecnim si aktorë të rinj, si fëmijë që po hidhnim hapa të sigurt”. “Kemi udhëtuar një herë nga Zyrihu në Gjenevë. Në ato 2 orë e gjysmë rrugë, na dhembnin brinjët nga batutat e Skënder Sallakut”, kujton Veli Rada. Nuk lë pa përmendur dhe një batutë të Skënderit në kohën e komunizmit. “Në krizën e ’89, e pyetën si është gjendja! E ai u përgjigj: Vallaji, andej nga lagja ime është një dyqan ku shkruan sipër mish, e aty gjejmë veçse kasapin. Ky ishte Skënder Sallaku!”, tha pë ATSH-në Rada.

Aktori i komedisë Fadil Hasa, kujton jo vetëm rolet, por edhe shfaqjet e 10 sportistëve më të mirë të vitit me Skëndër Sallakun. “Ato kanë mbetur shfaqje te papërsëritshme. Skënderi ishte ylli i atyre shfaqjeve”, shprehet Fadil Hasa. Për të Skënder Sallaku ishte një shkollë e madhe . “Sot është shkëputur një yll i madh. Humorit shqiptar i ka ikur një personalitet i jashtëzakonshëm. Drithërohem, pasi e kam pasur një nga miqtë e mi më të shtrenjtë”, shton ai.

Thanë politikanët

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta: Është e dhimbshme të ndahesh nga një artist i madh, aq më tëpër nga një artist i humorit si Skënder Sallaku. Artistë të tillë kanë lënë vlera që i bëjnë të përjetshëm dhe na bëjnë të gjithëve t’u jemi mirënjohës. Skënder Sallakut do të ndihmojë brezat më të rinj për të ecur në traditën e shkëlqyer që ai la pas.

Kryeministri Edi Rama në një vlerësim të tij në rrjetin social “Facebook”shkruan: “Lajm i trishtueshëm vdekja e Skënder Sallakut, humoristit popullor që në kohë të zymta bëri të qeshin pleq e fëmijë. Ngushëllime familjes”.

Sali Berisha: “Po i themi lamtumirë një prej personaliteteve si Skënder Sallaku, një prej personaliteteve më popullorë të kohës së tij. Korifeut të pavdekshëm të humorit e satirës shqiptare, artistit të shquar Skënder Sallaku. Me rolet, interpretimet dhe humorin e tij, Skënder Sallaku në kohën e territ të vërtetë e ngricës, sillte gëzim dhe shpresë në zemrat dhe vatrat e shqiptarëve. Një humbje e madhe për artin tonë”.

Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha: Skënder Sallaku ia doli mbanë gjatë viteve më të vështira të ekzistencës së shqiptarëve, duke i falur atyre buzëqeshjen dhe humorin, e duke i bërë të harronin qoftë edhe për momentin çastet e vështira që po kalonim…Ikonë e humorit, një artist me talent të jashtëzakonshëm, frymëzimi i të cilit buronte nga të qenit qytetar dhe familjar shembullor. Do na mungojë shumë”.

Zemra e “Artistit të Popullit” ndaloi së rrahuri në mëngjesin e ditës së djeshme, në moshën 79-vjeçare. Një nga aktorët më popullor të humorit,  Skëndër Sollaku u lind në Tiranë më 25 janar 1935. Në vitet e rinisë ishte kampion kombëtar në mundjen klasike, ndërsa karrierën si artist e nisi me lëvizjet amatorë të cirkut, pranë Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”. Në grupin akrobatik punoi deri në vitin 1972, kur Cirku I Tiranës u shkëput nga Estrada e Shtetit. I konsideruar si klouni i parë në Shqipëri, Skënder Sollaku është aktivizuar në pjesë të ndryshme akrobatike, në numra zhonglimi, ku shpalosi aftësitë e tij të mrekullueshme. Si pantomimist ka interpretuar në pjesët “Karrigia”, “I vdekuri”, “Busti”, Boksi”, “Kuzhinieri”, “Pjatat”, “Bojaxhiu”, etj. Më pas Skëndër Sallaku shkëlqeu në Estradën e Shtetit, ndërsa gjatë karrierës së tij mbi 50 vjeçare si artist, ka intepretuar edhe në disa filma, mes të cilëve përmenden “Estrada në ekran”, “Kur hiqen maskat”, “Cirku në fshat”, “Gjuetia e fundit” etj.  Pengu i i tij më i madh në këto vite demokraci ishte mbyllja e Estradës. “Tani që në demokraci jemi shkëputur nga ideologjizmat, ku partia nuk ndërhynë në krijimtari, Estrada e Tiranës nuk funksionon”, ka thënë “Artist i Popullit” në një nga intervista e tij të fundit. /k.sh/

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: percjellja e Skender Sollakut

Veprat e dhuruara nga miqtë italianë të Ibrahim Kodrës, në një ekspozitë

February 12, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Kabashi/- Veprat e artistëve italianë që iu dhuruan bashkisë së Durrësit në nderim të piktorit Ibrahim Kodra do të ekspozohen për herë të parë në Durrës, në 8 vjetorin e ndarjes nga jeta të mjeshtrit të pictures shqiptare./

Burime nga drejtoria muzeale e qytetit bënë të ditur për ATSH-në se në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” do të ekspozohen një pjesë nga 119 veprat në pikturë dhe skulpturë që mbërritën në Durrës në fundin e vitit 2005 me ndërmjetësinë e Fondacionit kulturor “Kodra” me qendër në Milano. Tablotë e miqve dhe kolegëve të artistit shqiptar po ekspozohen për herë të parë në një numër të konsiderueshëm-thanë burimet.

“Projekti i vitit 2005 për ngritjen e një galerie me vepra të autorit të madh shqiptar dhe kolegëve të tij italianë nuk është realizuar ende për mungesë fondesh”, shtuan burimet nga drejtoria e muzeve.

Në vitin 2005, kur Kodra ishte ende gjallë, një grup artistësh italianë bashkëkohës nga qytete të ndryshëm të Italisë  dhuruan secili nga një vepër në shenjë respekti për kontributin e mjeshtrit shqiptar me përmasa evropiane. Marrëveshja mes bashkisë së Durrësit dhe fondacionit “Kodra” parashikonte edhe hartimin e një katalogu me të dhëna për krijuesit dhe punimet përkatëse. “Tablotë me përmasa mesatare dhe të mëdha aktualisht ruhen në mjediset e shtëpisë muze “Aleksandër Moisiu” dhe vetëm 20 prej tyre janë ekspozuar në veprimtarinë kombëtare “Poeteka 2009”, shtuan burimet, sipas të cilave deri më tani katalogu nuk është hartuar .

Ibrahim Kodra, i cili mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, mbylli sytë më 7 shkurt të vitit 2006 dhe nuk arriti të shohë të realizuar projektin e kolegëve të tij nga Italia, vendi në të cilin ai punoi dhe ku u bë mjaft i njohur si piktor krejtësisht i veçantë. Ibrahim Kodra është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare të shekullit të kaluar.

Mjeshtri Kodra, i cili u largua nga Shqipëria në moshën 18-vjeçare për të studiuar në Akademinë e Arteve Figurative në Breras, pranë Milanos ku dhe ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare. Trupi i tij tashmë prehet në kodrën e Ishmit, vetëm disa qindra larg fshatit Likmetaj ku u lind në 18 prill të vitit 1918(Kortezi ATA)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ekspozite, Ibrahim Kodra

“Marubi” ekspozohet në Kosovë në 6 vjetorin e Pavarësisë

February 12, 2014 by dgreca

Nga Gaspër Marku/

SHKODËR- Një koleksion me fotografi të përzgjedhura nga fototeka “Marubi” do të ekspozohet për herë të parë në Galerinë e Arteve në Prishtinë, në kuadër të 17 Shkurtit ditës së Pavarësisë së Kosovës. Nën kujdesin e dy kuratorëve të ekspozitës, drejtorit të fototekës “Marubi”, Luçjan Bedeni dhe piktorit të njohur, Zef Paci, artdashësit kosovarë do të njihen me foto të rralla historike të kollosëve të fotografisë shqiptare, vëllezërve Pietro, Kel dhe Gegë Marubi, por edhe me punimet e Kol Idromenos, një tjetër emblemë e kësaj gjinie arti në Shkodër. Pjesë e ekspozitës do të jenë edhe emra të njohur të artit fotografik të një brezi më të vonë, si Pjetër Rraboshta, Ded Jakova, Shan Pici dhe deri tek Angjelin Nënshtati, përfaqësuesi i brezit më të fundit të artit fotografik në Shkodër.

Ekspozita, që do të çelet në Galerinë Kombëtare të Prishtinës në 14 shkurt, titullohet “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi” dhe fotot e përzgjedhura kanë fiksuar pamje nga Shqipëria, Kosova, Ballkani nga shekulli XIX e në vijim.

“Ky është udhëtimi i parë që ndërmarrim drejt Kosovës, i cili u bë i mundur falë bashkëpunimit me Galerinë Kombëtare të Kosovës”, tha për ATSH-në drejtori Bedeni, i cili sot (e mërkurë) është nisur drejt Prishtinës së bashku me kolegët e tij.

Pak ditë më parë, ekspozita “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi” u çel në Bruksel, dhe sikurse shprehet zoti Bedeni u ndoq me interes. “Pas Kosovës, kjo ekspozitë  do të ketë destinacione të tjera ndërkombëtare”, tha ai

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ekspozohet ne Kosove, marubi

“LOJA” E MALAZEZËVE ME FLAMURIN SHQIPTAR

February 12, 2014 by dgreca

 Nga Rexhep  DEDUSHAJ/

  Mali i Zi, që nga okupimi i trojeve shqiptare (1880-1913) ka bërë çmos për pastrimin e elementit etnik shqiptar nga ato vise Pellazgo-Ilire, si me vrasje e genocid të paskrupullt, me asimilim të shqiptarëve në sllavë, me shpërngulje masovike dhe terror permanent individual e shtetëror (!)

Në strategjinë e ofensivën shoviniste sllave për të zhdukur çdo gjë shqiptare janë sulmuar më së shumti Flamuri Kombëtar Shqiptar dhe Shkolla Shqipe, tw cilat nuk i kanë lejuar deri më 1941, në ” Kohën e Shqipnisë”. Nw ato katwr vite funksionoi Shkolla Shqipe dhe valoi Flamuri ynë Kombëtar në të gjitha territoret etnike shqiptare, të okupuara nga Mali i Zi.

Pas masakrave genocidiale të çfrenuara në fund të vitit 1944 e fillim të vitit 1945 (kur vetëm në Plavë-Guci u vranë më se 800 veta) u arrit’ një “qetësi” e përshkuar nga terrori Rankoviçian (Lexo librin e kryeudbashit R. Serdanoviq: “Vruca granica”, Andrievicë, 2003) kur u eliminuan edhe ata pak nacionalistë  shqiptar që kishin mbetur asokohe, si fjala vjen: Çung Tahir Dedushaj me nipine tij, Isuf Zymerin, Zymer Haxhia Kukaj, Cufe S. Gjonbalaj, Rrustem Thaçi, etj. U ndalua Flamuri Kombëtar dhe u mbyllën shkollat shqipe të trashëguara nga “Koha e Shqipnisë” (194 -1944 ).

Pas rënjes së xhelatit sllav, Rankoviçit, rinia  e shkolluar në Kosovë e filloi njëfarë (ta quajmë) “Rilindje”e lehtë kombëtare.

Në krye të komunës në Plavë erdhi (rastësisht) Hasan M. Vuçetaj, i cili i përkrahur edhe nga ajo rini e atëhershme i bëri disa ndryshime pozitive të papritura:

U lejua heqja e viq-it (viç-it) nga mbiemri i shqiptarëve. -Mua në Kosovë më quajnë Viq(tele)- e shfryni mllefin e tij studenti Idriz Isa Gjonbalaj në një mbledhje në Vuthaj, ku ishte I pranishëm edhe kryetari i Malit të Zi, Millatoviq.

U lejua rihapja e të gjitha shkollave shqipe dhe u hapën ato në Vishnjevë e Hot.

Dhe, pas lejimit të Flamurit Kombëtar Shqiptar nga Federata Jugosllave, më 6 tetor 1968 (në një artikull timin, të botuar më parë, ka dal si gabim teknik, më 6 nëntor 1968 !) i njëjti u soll edhe në Vuthaj, po ato ditë. (Lexo, artikullin tim: “Si e shpalosëm Flamurin tonë Kombëtar në Vuthaj”, në monografinë “Çung Tahiri i Vuthajve”. Pejë, 2013).

Gjatë nëntorit të atij viti, Kosova u përfshi nga “Demonstratat, 1968”, fryma e të cilave u ndie edhe në viset tona të pushtuara nga Mali i Zi, sidomos në Ulqin, Tuz, Guci, etj.

Idriz I. Gjonbalaj “me flamur në gji dhe me fotografinë e Skënderbeut vjen në Plavë nga Peja, duke e kaluar Qafën e Diellit në këmbë dhe i vendos në hotelin e Plavës, ku policia nuk është lejuar nga Idrizi dhe shokët e tij që t’i marrin ato! Vetëm kryetari  i komunës – Vuçetaj, arriti ta bindë që t’i hjek nga salla e hotelit dhe të shkojnë sëbashku në zyren e tij…”(Fakt i marrun nga interneti…)

Pastaj, në Vuthaj, më 28 nëntor 1968, i njëjti flamur valoi në shtëpinë e atdhetares së dëshmuar, Ajshe Gjonbalaj, Idriz I. Gjonbalaj, etj. E, në Martinaj, në shtëpinë e Bajraktarit të atij fshati – Çelë Sh. Hasangjekaj e të ndonjë tjetri, që s’më kujtohet…

Por, në të njëjten kohë, malazezët fillojnë ta luftojnë Flamurin tone Kombëtar: Nga shitorja “Emin Duraku” në Plavë e vodhën Flamurin nga vitrina!? Dhe, ato ditë, kur u thirr aty një tubim për t’i dënuar demonstratatat që bëheshin nëpër Kosovë, Zeqir Halil  Balidemaj u ngrit në këmbë e tha: “Ne nuk kemi punë me demonstratatat në Kosovë e Beograd, por duhet t’i dënojmë demonstratat tona këtu. Kush e ka vjedhë Flamurin Shqiptar nga shitorja në Plavë ???) Dhe kështu, ky, ia ndrroi kahjen asaj mbledhje…

Po ato ditë në Murinë, malazezët ua kishin marrur atë flamur disa dasmorëve nga Deçani, që shkonin ta merrnin një nuse në Vuthaj (!) Kjo ngjarje i trimëroi malazezët, të cilët bëhen shumë agresiv, si qeni kur e kafshon një njeri.

Kjo u pa në janar apo shkurt të vitit 1969, kur nëpër një dimër të ashpër me saja të tërhequra nga kuajtë, vuthjanët shkojnë ta marrin një nuse tek bajraktarët e Arzhanicës.

Në Murinë ishin tubuar rreth 40-50 shkije e ishin betuar se s’do ta lejojnë Flamurin Shqiptar të kaloj andejpari(!) Në momentin kur e ndalin kolonën e dasmorëve dhe tentojnë t’ia marrin nga dora bajraktarit Flamurin, i riu vuthjan Rexhep B. Gjonbalaj i nxjerrë dy bomba italiane nga xhepi. Njëren e mban në dhëmb e tjetres ia hjek kapakun  për ta gjuajtur në turmën malazeze. Shkijet ikin, kush kah mundet, dhe në atë moment mbrrin kryetari i komunës, Hasan Vuçetaj me ca policë dhe e shpëtoi situatën.

Ky veprim trimëror i vuthjanëve, që shkuan e u kthyen nga Arzhanica pa therrë në këmbë, i frikësoi malazezët dhe deri në vitin 1981 nuk kanë reaguar më kësisoj kundër shqiptarëve etnik.

Pas demonstratave të atij viti  u zgjuan vampirët nga gjumi dhe filluan lojën përseri me Flamurin  tonë Shqiptar gjersa e ndaluan tërësisht.

Tërë ditën i shetitën nëpër Podgoricë më se 80 dasmorë nga Vuthajt, që shkonin ta marrin një nuse në Tuz. Me çdo kusht çetniko-komunistët malazezë donin t’ua merrnin Flamurin Shqiptar. Vuthjanët se dorzonin Flamurin, prandaj tërë ditën i mbajtën në qytet të rrethuar nga qindra shkije e shkina, që pështynin dhe shanin gjithandej. Së fundi, i dërguan dhe i mbajtën me orë të tëra në polici (!)

Në prill të vitit 1983, i burgosën dhjetra nxënës të mitur të gjimnazit të Plavës, duke u montuar faje të llojllojshme, të cilët  kanë dashtë ta shpalosin Flamurin veç të ndaluar  për festën e Një Majit, etj.dhe i dënuan: Sadri A. Ahmetaj me 5 vjet e gjysëm burg, Naim Selimaj me 5 vjet, Tahir S. Prelvukaj me 4 vjet e gjysëm, Burim U. Ahmetaj  e Sadri Xh. Mehaj me nga 3 vjet dhe Musa Selimaj me 2 vjet burg?! (Shih, R. Dedushaj: “Krahina e Plavë-Gucisë nëpër shekuj ” Monografi. New York, 1993)

Në Mal të Zi, deri në rënien e komunizmit, ishte plotësisht i ndaluar përdorimi i Famurit Shqiptar.

Me rastin e Referendumit për Pavarësinë e Malit të Zi nga Serbia (ndamjen nga Unioni Serbi e Mali i Zi), me Flamur Shqiptar në dorë, pothuajse të gjithë shqiptarët e ndihmuan riformimin e shtetit të ri malazez, pasi gjatë kësaj fushate referendare iu premtua atyre “demokraci europiane”(!)

E çka ndodhi?! U ringjallën vampirët e pangirë me gjak shqiptari në krye me Gjukanoviçin. Edhe pse në Kushtetutë flamujt e “pakicave nacionale ” (siç) janë të lirë, po me një ligj qeveria e Gjukanoviçit e ka ndaluar këtë flamur, Flamurin Shqiptar.

E shtetet tona: Shqipëria e Kosova, e lënë të lirë të përdoret flamuri i Krajl Nikollës edhe pse atje s’ka fare malazezë, kurse  Shqiptarët në trojet e veta etnike më se 5.000 vjeçare, që sot gjenden të okupuar nga Mali i Zi, janë lënë në mëshiren e fatit (!)

Shqipëria don ta tërheqë edhe ambasadorin e vet nga Podgorica duke ia lënë duart e lira Gjukanoviçit që t’i masakrojë shqiptarët duke i burgosur shpesheherë edhe me nga 33 veta përnjëherë…, t’i shpërngulë apo t’i sllavizojë edhe ata pak shqiptarë që kanë mbetur atje e “ta zgjidh çështjen shqiptare në Mal të Zi njëherë e përgjithmonë…”(!) Me Malin e Zi i kemi marrëdhenjet model, të mira, përçka duhet të marrin shembull edhe fqinjët e tjerë tonë”-thotë ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë-fatkeqësisht pinjoll i Bushatlinjëve të fuqishëm të Shkodrës që më shumë e deshtën Gucinë e Ulqinin atëbotë, sesa Shkodrën e tyre.(Shih, gazeta”Illyria”,New York, 10 janar 2014).

Ndërsa këto ditë, në Munih të Gjermanisë, del në fotografi kryeministri Thaçi me M. Gjukanoviçin duke u shkrirë në gaz nga dashnija “vëllazërore “si t’ishin në muajin e mjaltit!!? Ndihmë vëllazërore kjo, apo jo?!

 

_________________

Historiani Rexhep Dedushaj ka lindur në Vuthaj të Gucisë në vitin 1948, ku e kreu edhe shkollën fillore e tetëvjeçaren, ndërsa të mesmen e të lartën në Pejë, Gjakovë dhe në Prishtinë. Ka punuar mësues i lëndës së historisë në shkollat shqipe të rrethit të Pejës. Në vitin 1989 detyrohet të largohet nga Kosova dhe emigron në SHBA, ku ende ndodhet në shtetin e New Yorkut. Ka botuar disa monografi: “Krahina e Plavë-Gucisë në shekuj”(1993) edhe në gjuhën boshnjake,  me titull “Plavo-Gusinjska nahija vekovima” (2003),“Shpërngulja e shqiptarëve të Plavë-Gucisë” (1997), “100 vjet Luftë” (1999), “Si e gjeta dhe si e lashë shkollën shqipe në Prefekturën e Pejës” (2006), “Gjurmë mërgimtarësh” (2009), “Çung Tahiri i Vuthajve” (2013).

Master i shkencave historike, Rexhep Dedushaj, është dekoruar nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës në Tiranë me Çmimin “Pjetër Budi” (më 28 maj 2008); vlerësuar nga Shoqata Atdhetare “Dibra” me “Mirënjohje” (më 7 mars 2005) si një mësues kombëtar, ndër 12 mësuesit e përzgjedhur nga të gjitha trevat shqiptare; është një nga veprimtarët e Federatës Panshqiptare “Vatra” në Amerikë; një nga shqiptarët që në këto dy dekadat e fundit ka kontribuar në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, etj.

 

Filed Under: Featured Tagged With: loja e malazezeve, me flamurin shqiptar, rexhep dedushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT