• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2014

PËRCILLET PËR NË VENDLINDJE ME LUTJE DHE POEZI TAHIR HYSA

February 12, 2014 by dgreca

Për dy netë, të Hënën dhe të Martën, janë bërë homazhe pranë arkivolit të të ndjerit Tahir Hysa, i cili ndërroi jetë fundjavën që shkoi nga një sëmundje e rëndë. Shumë bashkadhetarë  ngushëlluan bashkëshorten, vajzën , të afërmit miqtë e të ndjerit.

Edhe mbrëmjen e së Martës salla e Qendrës Islame Shqiptare në Queens ka qenë për tre orë e mbushur plot me bashkadhetarë. Nën drejtimin e Imam Edin Gjoni janë përcjellë Lutje Fetare për Shpirtin e poetit Tahir Hysa.

Një ndër miqtë e të ndjerit, Ahmet Hoti, pasi ka ngushëlluar familjen, i ka bërë një përcjellje të vecantë shpirtit të poetit, duke lexuar poezi nga libri i Tahir Hysës ”Shqip-Shqipëri”, libër i botuar në vitin 2005. Poezi të tilla si “Kam ardhë në Këtë jetë”, “Cmallje”,”Tek Ty nënë Shqipëri”, e të tjera krijuan një atmosferë përlotjeje.

Tahir Hysa pat lindur me 31 tetor 1948. Ai emigroi në ShBA për një jetë më të mirë. Ishte aktiv në komunitetin shqiptar dhe poezitë e tij ishin bërë pjesë e këtyre veprimtarive.

Në përcjelljen e fundit që i dha mbrëmjen e së martës komuniteti shqiptar i Nju Jorkut të ndjerit Tahir Hysa, ishte e vecantë; ia bëri të gjitha nderimet. Trupi i tij udhëton sot, e mërkurë, drejtë Atdheut, duke cuar në vend amanetin e tij.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, Tahir Hysa, u percoll per ne atdhe

6 VJET PËR 6 SHEKUJ

February 11, 2014 by dgreca

REFLEKSIONE NË PËRVJETORIN E PAVARËSISË TË KOSOVËS/
Nga Azgan HAKLAJ/
Nga beteja e largët e Fushë-Kosovës e vitit 1389, betejë e cila ndryshoi kahjen historike të shteteve të Ballkanit, shqiptarët e Kosovës kanë udhëtuar për 6 shekuj me ëndrrën e lirisë. Ata kanë përcjellë stafetën e saj, si një amanet të shenjtë brez pas brezi. Me përpjekje titanike, me vendosmëri të pashoqe e duke i thirrur fort kujtesës së tyre historike, ata i mbijetuan Perandorisë Otomane, Mbretërisë Serbe e Federatës Socialiste Jugosllave. Ata qëndruan stoik përballë shpërnguljeve masive të qindra mijëra shqiptarëve dhe projekteve kolonizuese e shfarosëse të Çubriolloviçit, Qosiqit, Andriçit e akademive e ideologjive shoveniste serbe.
6 shekuj me rradhë toka e Kosovës u bë epiqendra e kryengritjeve shqiptare për liri dhe pavarësi. Jo rastësisht, në Kosovë e nën udhëheqjen e prijësve të tyre: Ymer Prizreni, Iljaz Pashë Dibra, Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Ali Pashë Gucia, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri, Naxhip Draga, Bedri Pejani, u krijua Lidhja e Prizrenit e vitit 1878, Lidhja e Pejës e vitit 1900.
U mblodhen kuvendet e mëdha të Verrave të Llukës, Junikut, Ferizajt, Shkupit, të cilët organizuan kryengritjet 1909-1910-1911. Në këto kuvende u hartua Platforma për Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 për Shpalljen e Pavarësisë dhe bashkimin e trojeve Shqiptare në një shtet të vetëm.
Konferenca e Londrës e vitit 1912 me vendimet e saj legjitimoj ripushtimin e Kosovës nga Serbo-Malazezët e shkëputjen e saj nga trupi i Shqipërisë. Ato lanë pjesën më të shëndetshme e vitale të atdheut të vetme në betejën për mbijetesë.
Beteja politike e diplomatike e Shtetit Shqiptar 1920-1928 e më vonë e Mbretërisë Shqiptare në vitet 1928-1939 pranë Lidhjes së Kombeve e Fuqive të Mëdha ishte një fitore si e Pirros. Kjo për faktin se nuk arriti të ndalë zbatimin e Marrëveshjes Turko-Jugosllave të vitit 1937, e cila solli dëbimin e 25.0000 Shqiptarëve nga trojet e tyre. Ata u zëvendësuan me kolonë serbë, malazezë e boshnjakë.
Intelektualët e rinia studentore e Kosovës, me demostratat e mëdha të viteve 1981-1989 e tronditën nga themelet Federatën Socialiste Jugosllave dhe deligjitimuan pushtetin e tyre në Kosovë.
Krijimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kushtetuta e Kaçanikut dhe vizjoni gjenial i liderit Ibrahim Rugova me konstruktivitetin e Pavarësisë e të shtetit demokratik të Kosovës e kthyen çështjen e saj në rend të ditës të SHBA-së e fuqive perëndimore.
Luftë guerile e bërthamës së UÇK-së, ku spikatën aksionet e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Masakra e Reçakut, epopeja e Adem Jasharit, jetësuan ndërhyrjen e NATO-s. Kjo ndërhyrje u gershetua me mbështetjen e qindra mijëra luftëtarëve të lirisë. Beteja fitimtare e Koshares, e udhëhequr nga Agim Ramadani, Sali Çekaj, Rrustem Berisha shembi piramiden e kufirit Shqipëri-Kosovë.
Kryefjala e qëndresës u bë Rrafshi i Dukagjinit, i prirë nga strategu Ramush Haradinaj. Ai udhëhoqi si gjeneral De Goli dikur Francën ndaj gjermanëve. Asnjëherë nuk iu shmang përballjes e betejave me milicinë ushtarake serbe. Heroizmi i Luan e Shkëlzen Haradinajt, Fehmi e Xheve Lladrovsit, Adrian Krasniqit, Bedri Shalës e Bekim Berishës, Tahir Sinanit dhe Mujë Krasniqit, Njazi Azemit, Agron Ramës janë monumente të mëdha në panteonin e lirisë të Kosovës, përkrah Zhuj Selmanit dhe Sefë Koshares.
Fitorja e NATO-s dhe e luftëtarëve të lirisë së Kosovës ndaj Serbisë jetësoi Konferencen e Rambujesë, ku natyrisht veçojmë elegancen politike të Hashim Thaçit. Vendimet e saj u çertifikuan nga Marrëveshja e Kumanovës që do të çonte në vendosjen e Protektariatit Ndërkombëtar në Kosovë.
6 vjet nga shpallja Shtet i Pavarur, Kosova, ka arritur atë që iu mohua për 600 vjet, krijimin e shtetit të pavarur e demokratik, njohjen ndërkombëtare e krijimin e institucineve legjitime të shtetit të saj. Sot Kosova është pjesë e institucioneve prestigjoze ndërkombëtare, e njohur nga vendet më të fuqishme e demokratike të botës, e vendosur në rrugën e vet si pjesë e pandarë e BE-së dhe NATO-s. Reformat e mëdha në arsim, shëndetësi ,ekonomi, në autonominë e qeverisjes vendore, lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, integrimi i minoriteteve e beteja ndaj papunësisë e varfërisë janë sfidat kryesore në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Në këto 6 vjet Kosova ka demostruar aftësi shtetformuese e pjekuri politike përmes zhvillimit të zgjedhjeve të lira e demokratike. Ajo ka arritur progres në respektimin e lirive e të drejtave të njeriut. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të jenë një shtytje e fuqishme e proceseve demokratike e reformave dhe e përgjegjësisë të Qeverisë ndaj qytetarëve të saj dhe aleatëve të mëdhenj, me të cilët është i lidhur fati dhe e ardhmja.
Meqënëse jemi në vit elektoral e Kosova do t’i drejtohet për pak muaj kutive të votimit, mendoj se qytetarët e saj janë ndërgjegjësuar dhe me votën e tyre do të mbështesin masivisht De Golin shqiptar, Ramush Haradinajn.

Filed Under: Opinion Tagged With: 6 vjet, Azgan haklaj, sa per 6 shekuj

Fiziologjia e hormonit urocortin nga Skënder Murtezani

February 11, 2014 by dgreca

Nga Flora Nikolla/

Dita e Skënder Murtezanit si mjek në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nis me kujdesin për pacientët në Flushing Queens të Nju Jorkut. Zyra e dytë e tij është në Douglaston NY, ku punon prej pesë vitesh dhe përkujdeset për klerikë në pension të kishës katolike. Thotë se ndihet i nderuar të përkujdeset për pesë peshkop, shumë monsinjor dhe priftërinj, me të cilët ka jo vetëm një marrëdhënie profesionale, por edhe një miqësi të sinqertë. Një ditë zbuloi se Peshkop Catanello Ignatius dhe Monsinjor Gradillon Thomas ishin me prejardhje arbëreshe. Dr. Skënder Murtezani punon edhe si doktor privat në spitalin NYHQ (New York Hospital Queens). Puna e tij përfshin pato/fiziologjinë e hormoneve të stresit që prodhohen në hipotalamus. Ai është i specializuar në hulumtimet shkencore të fushës së endokrinologjisë, më saktë neuroendokrinologjisë dhe gjithë këtë eksperiencë kërkon  ta ndaj edhe me mjekët dhe studentët këtu në Shqipëri. Ndaj edhe iu përgjigj pa mëdyshje ftesës së Kryeministrit Edi Rama për takimin e organizuar në 22 nëntor në Tiranë me mjekë shqiptarë, të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës. Në atë takim, dr.Murtezani tregon se ka hedhur propozime konkrete për një sistem shëndetësor, pse jo të përkryer në Shqipëri, ndërsa ka ofruar edhe ndihmën e tij falas në fushën e pedagogjisë.

Mungesën e degës së radiologjisë intervencionale në Shqipëri, e quan të papapranueshme, ndërsa mendon se nëse një ditë Shqipëria do të adoptonte një model shëndetor, më i miri është “sistemi universal Japonez”.

Prej vitit 1992, Dr.Skëndër Murtezani, një shqiptar i Tetovës, është angazhuar në studimin e fiziologjisë së hormonit urocortin, geni i të cilit u zbulua në vitin 1997. Në vitin 2006 u emërua instruktor klinik dhe në vitin 2008 asistent profesor i mjekësisë klinike pranë Universitetit Cornell, pozicion që vazhdon ta mbaj edhe sot me pretendimin për të marrë titullin profesor i asociuar.

Dr.Murtezani, ju erdhët në Tiranë në nëntor të vitit të kaluar, së bashku me një grup mjekësh shqiptarë në botë, të ftuar nga Kryeministri Rama për një mision të përbashkët, për të ndihmuar mjekësinë shqiptare. Cili ishte impakti i parë kur ju morët këtë ftesë?

Ftesa më entuziasmoi shumë, sepse mendimet e mia dhe bisedat me pacientët dhe kolegët në Amerikë për problemet e shëndetësisë në Shqipëri morën formë me këtë takim. Tani të gjithë bashkë mund të veprojmë, të ndërtojmë një model të sistemit shëndetësor, të krahasueshëm me qendrat e suksesshme shëndetësore në Amerike e kudo. Së pari duhet të ndërtojmë një model të shëndetësisë terciare në Tiranë, që do të jetë qendër e shëndetësisë në të mirë për gjithë shqiptarët dhe rajonin. Ky model do të transferohet në qendrat shëndetësore të fakulteteve të mjekësisë në Prishtinë dhe Tetovë.  Ideja dhe angazhimi i mjekëve të SHBA-së për këtë iniciativë, na mobilizoi të ndërtojmë një program solid që do të jetë i pranueshëm për tre entitetet; shëndëtësor, ekonomik dhe politik. Takimi në Tiranë ishte historik, së pari sepse na mblodhi të gjithë së bashku në një vend, në një sofër, me një qëllim:  T’i themi “po” Shqipërisë. Me rëndësi do të veçoja edhe faktin se ky takim na mundësoi të njihemi me gjendjen në të cilën ndodhet sot sistemi shëndëtësor shqiptar. Pra, ky takim na dhuroi ne mjekëve jashtë Shqipërisë mjetet e punës, me të cilat do t’i japim kahje energjisë sonë profesionale.

Sa optimist jeni në realizimin  e ideve që u hodhën gjatë forumit të organizuar në Tiranë?

Tani “topi është në fushën” tonë. Po të veprojmë si një skuadër do të jemi të suksesshëm në ndërtimin e një sistemi të përkryer shëndetësor. Duhet patjeter që idetë t’i jetësojmë në krijimin e një sistemi shëndetësor, pse jo, të përkryer në Shqipëri.

Angazhimi juaj personal në këtë iniciativë?

Personalisht mendoj se ndihma ime do të ishte në trajnimin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë dhe më e rëndësishme në trajnimin e specializantëve të Mjekësisë Interne. Propozova që eksperiencën time profesionale ta ndaj me studentët e vitit të fundit të mjekësisë dhe specializantët duke ardhur në Tiranë, çdo semestër, me shpenzimet e mia. Të këtij mendimi ishin edhe shumë kolegë të mi shqiptar, të cilët praktikojnë mjekësinë në SHBA. I shpreh falenderimet dr. Mihal Tase, shef i shërbimit të mjekësisë interne në QSUT dhe prof.dr Margarita Resuli, për pritjen e ngrohtë që na rezervuan në repartin e Mjekësisë Interne. Në këtë takim dy orësh mësova shumë për sukseset në trajtimin e hipertensionit dhe për programin mësimor që aplikohet në Shqipëri. Gjatë vizitës në QSUT, mësova se në Shqipëri nuk është hapur ende dega e radiologjisë intervencionale. Kjo situatë është e papranueshme, pasi mungesa e specialistëve të tillë rëndon edhe më shumë në shëndetin e pacientëve të diagnostikuar me kancer. Kam realizuar një studim të sistemeve shëndetësore në botë dhe mendoj se për Shqipërinë siguria shëndetësore universale është më e përshtatshme. Nga gjithë modelet që hulumtova, sistemi universal japonez me duket më i pranueshëm, kuptohet me modifikimet e nevojshme për kushtet në Shqipëri. Ky sistem ka një rrafsh horizontal në shpenzimet mjekësore dhe nuk lejon kompeticion. Ai është i njëjtë si në sistemin publik dhe atë privat, pra nuk lejon abuzime.

Dr.Murtezani, si mjek në SHBA ju jeni i angazhuar në disa drejtime. Mund t’i përshkruani shkurtimisht ato?

E para është kujdesi për pacientët e mi në Flushing Queens të Nju Jorkut, numri i të cilëve rritet nga ditë në ditë. Zyra e dytë është në Douglaston NY ku punoj prej pesë vitesh dhe përkujdesem për klerikë në pension të kishës katolike. Jam i nderuar të përkujdesem për pesë peshkop, shumë monsinjor dhe priftërinj, me të cilët kam jo vetëm një marrëdhënie profesionale, por edhe një miqësi të sinqertë. Ndihem i nderuar që ata janë të kënaqur me kujdesin dhe profesonalizmin tim. Këtu zbulova se Peshkop Catanello Ignatius dhe Monsinjor Gradillon Thomas janë me prejardhje arbëreshe. Gjithashtu punoj si doktor privat/attending physician në spitalin NYHQ (New York Hospital Queens) me privilegje të plota, pra kontrolloj pranimin e pacientit tim duke filluar nga urgjenca, në spital, njësitë intensive dhe daljen nga spitali. Njëkohësisht përcaktoj se cili specialist, apo kirurg, mund të marr pjesë në trajtimin e pacientit tim. Jam asistent profesor i mjekësisë klinike pranë Universitetit Cornell dhe pjesëmarrës në programin Global Health, ku një student i vitit të parë të shkollës së mjekësisë kalon një ditë në javë në zyrën time për të mësuar mbi diversitetin e pacientëve dhe dallimet kulturore në bindjet shëndetësore. Në semestrin e pranverës jam mentor i klasës prej 10 studentësh, në programin e imunologjisë, i quajtur Host Defense. Gjithashtu jam pjesë e programit të Magjistraturës për kuadrin akademik të shkollave Columbia, NYU, Cornell dhe spitalit botëror të kancerit Memorial Sloan kattering dhe Hospital for special surgery, me qëllim identifikimin e problemeve spitalore dhe metodave hulumtuese më të përshtatshme për të zgjidhur problemet aktuale. Programin tashmë e kam përfunduar, ndërsa priten dy publikimet e mia për pranimin e tezës shkencore.

 

Doktor Murtezani, keni filluar studimet në mjekësi vite më parë, por ende sot vazhdoni të trajnoheni në shkollat më të mira amerikane. Si nisi karriera juaj në këtë fushë?

Shkollën fillore dhe gjimnazin në Tetovë e kam përfunduar shkëlqyeshëm dhe kësisoj u pranova pa konkurs në fakultetin e mjekësisë në Shkup. Pas diplomimit punova për dy vite në fshatrat e Shkupit dhe më pas emigrova në Amerikë, ku fillova punë në një laborator të spitalit Cabrini ne Manhatan. Aty, dr.Poretsky, drejtor i endokrinoligjisë, më drejtoi tek dr. Leon Bradlow dhe Jon Michnovicz të cilët më besuan të jem pjesë e studimit për parandalimin e kancerit të gjirit. Për shkak të kufizimit të fondeve s’pata fatin të vazhdoj hulumtimet në lëmin e endokrinologjisë si postdoctoral research fellow, për tri vite, në projektet e dr. Hollander në Qendrën Mjekësore Universitare të Nju Jorkut, ku ai ishte drejtor i endokrinologjisë dhe drejtor i CRC (clinical research center). Në vitin 1997, bashkë me dr.Hollander, i transferuam punimet shkencore në një nivel tjetër, në patentimin e hormonit që do të parandalonte proceset negative të shkaktuara nga stresi kronik. Në vitin 2001 fillova specializimin në mjekësinë interne, në programin NYHQ-Weill Cornell medical college në mbikqyrjen e dr.Terrence Brady dhe pas përfundimit me sukses aty kreva edhe praktikën. Në vitin 2006 u emërova instruktor klinik dhe në vitin 2008 asistent profesor i mjekësisë klinike pranë Universitetit Cornell, pozicion që vazhdoj ta mbaj dhe sot me pretendimin se vitin e ardhshëm do të fitoj titullin profesor i asociuar. Për magjistraturën (master of science in clinical epidemiology and health services research) fola më sipër. Mund të them se ky angazhim më ndihmon në avancimin akademik, por edhe vazhdimin e punës së pavarur hulumtuese.

Ju jeni specializuar në endokrinologji. Si do ta përkufizonit këtë degë të mjekësisë?

Jam specializuar në hulumtimet shkencore të fushës së endokrinologjisë, më saktë neuroendokrinologjisë. Puna ime përfshin pato/fiziologjinë e hormoneve të stresit që prodhohen në hipotalamus. Prej vitit 1992 pata fatin të studioj fiziologjinë e hormonit urocortin, geni i të cilit u zbulua në vitin 1997. Vitet që vijnë do të prezentojmë edhe më shumë hormone të paidentifikuara deri më sot. Ata notojnë në lëngjet trupore si peptide. Zbulimi i fiziologjisë dhe identifikimi i tyre gjenetik është esencial në familjarizimin dhe njohjen e patologjive të ndryshme, si proceset e inflamacionit, kancerit, sëmundjeve autoimune.

Ju jetoni prej vitesh në SHBA. Tani pas kaq vitesh dhe pas një karriere të suksesshme si e kujtoni impaktin e parë me këtë vend?

Ditët e para në SHBA ishin emocionuese. Isha pa fjalë, me respekt përulës. U shndërrova në një shpuzë që thithte të gjitha mrekullitë që ky popull ka bërë për vete dhe gjithë botën e lirë.

Si arrin një mjek dhe hulumtues si ju të menaxhoj jetën profesionale me atë familjare?

Mirëkuptimi nga ana e bashkëshortes është vendimtar në sukseset profesionale dhe sukseset brenda familjes. Nëse nuk gjendet një balancë punët mund të ngecin në të dyja drejtimet.

Keni pasur reagime nga pacientët apo kolegët kur kanë mësuar se jeni shqiptar?

Gjithë pacientët e dinë se jam shqiptar, jo vetëm ata por edhe kolegët në spital, në universitet, në lagjen ku jetoj. E dinë se mburrem me historinë time, me gjuhën, për optimizmin që kam për të ardhmen e shqipes dhe Shqipërisë.

Komuniteti shqiptar në Nju Jork është një nga më të organizuarit në SHBA. A jeni pjesë aktive e këtij komuniteti?

Jam anëtar i Vatrës nga viti 1991, kur kryetar ishte Arshi Pipa. Kam qënë një ndër nismëtarët e shoqatës së intelektualëve shqiptarë, në vitin 1992 dhe jam anëtar i shoqatës së punëtorëve shqiptarë në institucionet shëndetësore të Amerikës (AAMS).

Në Nju Jork ndiheni më shumë amerikan, shqiptar, apo qytetar i botës?

Gjithmonë, së pari, shqiptar, por jeta dhe informacionet e perceptuara në SHBA më japin mesazhin se ndikimi i kulturës amerikane është i pashmangshëm. Edhe pse flas shqip, veprat dhe të menduarit anojnë nga ana amerikane. Këtë e shoh si diçka pozitive. Çdo njujorkez është njëkohësisht qytetar i botës. Ne mburremi me Kombet e Bashkuara.

Na përshkruani shkurtimisht një ditë nga jeta juaj?

Dita fillon me një vrap, në orën 06:00, në parkun që ndodhet pranë detit në College Point. Më pas mëngjesi, zakonisht mediterian, që më jep energji për të nisur ditën në zyrën time dhe që zakonisht dal prej saj në orën 16:00. Një orë e shpenzoj me kompletimin e notave dhe në orën 17:00 filloj vizitat e pacientëve në spital. Mbrëmjen e kaloj me familjen, shokë apo kolegë, por nuk mungojnë edhe telefonatat nga pacientë, farmacistë etj. Ndonjëherë detyrohem të kthehem në spital apo në zyrë…

Zgjidhni tre fjalë për të përshkruar veten?

Punëtor i palodhur besnik, praktik.

E keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë? Kush është vendi juaj i preferuar?

Për herë të parë isha vitin e kaluar. Saranda dhe Himara më mahnitën!

Si e shihni sot Shqipërinë?

Shqipëria është në përparim e sipër. Shqipërinë e shoh si avangarde të zhvillimit mbarëkombëtar. Gjakmarrja është një sociopatologji që kërkon ndërhyrje urgjente. Një pjesë e vogël e popullatës vepron me një hipokrizi të pafalshme. Kjo pjesë e kombit, fatmirësisht e vogël në numër, e kalon një pjesë të ditës në shekullin e XVII dhe pjesën tjetër në shekullin XXI. Kjo e shëmton fotografinë e shumicës.

Ju jeni lindur dhe rritur në Tetovë. Si e kujtoni vendlindjen?

Kam fatin që jam lindur dhe rritur në Tetovë, ku kanë jetuar rreth gjashtëmbëdhjetë gjenerata të trungut të familjes sime. Shkollën patriotike e mbarova në familje. Prindërit na shkolluan duke sakrifikuar të gjitha kënaqësitë dhe mundësitë e kohës. Pastaj babi më la porosinë më të shtrenjtë, që më hapi dyert e suksesit: “Punën e sotme mos e lërë për nesër”. Më kujtohen tregimet e xha Memetit, vëllait të madh të babait. “Më e rëndësishme është dy orë të ruash kufijtë e mëmëdheut se të falesh pesë herë në ditë…”. Shembull i pashoq i patriotit të kulluar, i cili nuk u pajtua kurrë me padrejtësinë që iu bë qeverisë së Ismail Qemal Beut. Në vitin 1940 dyqanit tonë ia ndërroi emrin në Farkatarija Vlora, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore u emërua arsimtar në fshatin Nerasht dhe shkollës ia dha emrin Ismail Qemal Vlora. Vëllezërit e mi, Naimi dhe Arbeni, të cilët u rritën me shembuj të pakrahasueshëm të intelektit dhe qytetërimit, më ndihmuan t’i tejkaloj momentet më të vështira. Më kujtohet përkrahja e pashoq e trajnerit tim të pingpongut, z. Steve Zakovski, i cili me durim më ndihmoi të fitoj të gjithë titujt e kampionatit kombëtar në këtë lloj sporti. Tetova më njeh jo vetëm si student i shkëlqyer, por edhe si sportist. Disa herë jam nderuar si sportist i dalluar i qytetit.

Çfarë mendoni për situatën e shqiptarëve në Maqedoni?

Shqiptarët nuk kanë parti politike me shtyllë kurrizore të qëndrueshme. Dy partitë më të mëdha janë ngritur në formë të piramidës ku kreu urdhëron anëtarët e partisë, popullin. Kjo majë e piramidës merr këshilla direkte nga partitë maqedonase që janë shumë më të përgatitura për qeverisje. Pse janë më të përgatitura? Arsyeja e vetme është se ata vazhdojnë të angazhojnë nëpër pozicione të ndryshme ish-titistët e zgjedhur nga filtrat e UDB-së së vjetër dhe të re. Ata janë të trajnuar të dëgjojnë urdhërat dhe të përgatitur në frenimin e avancimit shqiptar. Fryma evropiane në Maqedoni duhet të mbillet sa më shpejt, duhe të shuhet kompleksi i pabazë i superioritetit sllav, të vendoset një themel i të drejtave kombëtare dhe mbi të ndërtohen marrëdhënie të mira dhe kreative në dobi të të gjithë qytetarëve. Sipas mendimit tim kjo mund të arrihet me përshtatjen e sistemit belg në qeverisjen e Maqedonisë.

Keni menduar ndonjëherë të riktheheni në vendlindje?

Sigurisht. Për pak vite, dëshiroj të angazhohem në një prej fakulteteve të mjekësisë.

Si e konsideroni nismën e Albanian Excellence?

Ky projekt i mirëmenduar do të ketë efekt pozitiv si brenda botës shqiptare ashtu edhe jashtë saj. Ne që jetojmë jashtë atdheut, me punën tonë, duhet të jemi në çdo mënyre ambasadorë të vërtetë të botës shqiptare dhe dijen duhet ta prezantojmë në vendlindje. Ky projekt i shkëlqyer hap rrugën e njohjes dhe kompetencës pozitive. U uroj suksese të gjithë atyre që u angazhuan në këtë projekt të mirëpritur.(Marre nga Agjensia Telegrafike Shqiptare)

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Ata, dielli, Dr. Skender Murtezani, Flora Nikolla

IDEALI*

February 11, 2014 by dgreca

Nga Branko Merxhani/

 “Kultura është krijesa e lëvizjes së lirë të ideve. Fitimi që u realizua me pallën është shumë i paktë. Lufta e vërtetë është lufta për iderat”./H. St. Çhamberlain/

Fillosofia më e mirë është ajo që lindi nga Shkenca Sociologjike, ajo që mbështetet mbi njohje positive dhe arrin gjer në majën e Idealeve më të larta dhe më të bukura. Ja një aksiomë tjetër e Neo-Shqiptarismës. Mirë, po ç’është ideali? Ideali është një gjë mystreioze, që gjëndet kurdoherë jashtë lëndës dhe interesit. Fillosofët Metafyzikë, ideologët, e interpretojnë në mënyrë të ndryshme. Po as nonjë prej tyre nuk goditi një interpretim të drejtë. Disa Idealin e pranuan si një realitet të botës metafyzike, si për shëmbëllë Platoni, Muhedin-i-Arabi-u, Kant-i. Disa të tjerë mohuan krejt se Ideali mbështetet mbi një Realitet. Për ‘ta Ideali nuk është gjë tjetër veç se një ëndërr përfeksioni, një fabrikim i nxituar i fantazisë së individit.

Të gjitha këto difinisione sot u treguan të pabazuara. Dhe kjo për hir të Sociollogjisë, e cila i hodhi poshtë dhe i thërmoi interpretimet fillosoifike dhe provoi se Ideali qështë një realitet, i cili i përket botës positive.

Pas definisionit positivist, pra, të kësaj shkence, Ideali është ajo jetë që rojnë Shoqëritë në epokat e krizës së tyre, domethënë kur marëdhëniet midis individëvet, aksionet dhe reaksionet gjënden në të zier e sipër. Jetërat që rojmë në epokat e tjera janë jetëra individuale. Po jeta individuale është e zonja të sigurojë vetëm mirërojtjen materiale. Lumturia shpirtërore mbetet e pa-realizuar. Individët që janë prej natyre partikularistë dhe egoistë, vetëm kur hidhen brënda në trazirën dhe në të zierit e jetës shoqërore, pa që t’a kuptojnë mirë-mirë vërtiten jashtë qarkut të ngushtë dhe barbar të natyrës së tyre, fitojnë Ideale. Bëhen altruistë…

Individët vetëm në çaste të jashtëzakonshme të jetës kombëtare e kuptojnë ekzistencën e padukshme të jetës shoqërore. Për këtë Ideali nuk  është veçse shoqëria vetë. Ideali është pjellë e Shoqërisë.

Të Rinj, që brithni si hiera të heshtura brënda në nostalgjirat e shpresave të humbura! Njerëz, që shpirtrat t’uaja bredhin si vurkolleq brënda në errësirën e dëshpërimit! Hidhuni me guxim e sakrificë brënda në valën e trubulluar të jetës shoqërore!…

*   *   *

 Një shoqëri nuk është një entitet që përbëhet sëmplerisht nga totaliteti i njerësve që e formojnë. Një shoqëri është një entitet, që krijohet nga ndjenjat shoqërore, nga ndërgjegjia e përbashkëtë. Nuk është një përzierje elementash të ndryshmë, po një synthezë e brëndëshme, siç është për shëmbëllë edhe lënda kimike. Pra tërësia shoqërore, që formohet në këtë mënyrë si cilësi umanitare, si përmbajtje egocentrike, si shpirt dhe si  formë, është krejt e ndryshme nga forma individualistike e individëve të veçantë që e përbëjnë.

            Këtë entitet shpirtëror dhe moral, që është krejt i pa-dukshmë, krejt mysterioz dhe ndofta i pa-qenëshmë për ndjesinë individualistike, njerëzit e kohërave të vjetra e pandehën dikur si një perëndi, dikur si një fuqi magjike dhe dikur si një gjë sipërnatyrale. Çdo entitet brënda në natyrë dhe pikë-së-pari formasionet shoqërore të njerësve kanë, që të përdor një shprehje mythollogjike, “Epokën e Dashurisë” së tyre. Në këtë epokë shpirtërat e njerësve rojnë në të zier të thellë, që përhapet si vetëtimë nga njeri tek tjetri, dhe ahere enthusiasma arin pikën e lavdis së saj. Këto janë çastet kur Ideali shkakëton triumf…

Triumfi i Idealit është prova më e mirë e vitalitetit shpirtëror të një populli. Ideali njerinë që është prej natyre partikularist dhe egoist e ndron në një Vetëmohonjës guximtar, në një Altruist. Ideali krijon nga “krijesa” e fuqive natyrale, sipas fjalës së Schiller-it, “njerin e esthetikës, njerin – artist”.

Ideali i fal njeriut bashkë me mirërojtje materiale edhe lumtërinë shpirtërore. Atje ku ka Ideal, atje buzëqesh bukuria e jetës dhe agimi i shpresës. Hieja e së ligës ikën për vënde të larga dhe mendimi i vetëvrasjes shuhet fare.

Ideali ndrit shpirtin, shpërndan shpresë dhe ngushëllim në zëmrat, të dëshpëruarin e mban të lidhur në jetë, në iden e shpëtimit, në lindjen e ringjalljes. Ushtari trim trupin e tij e sakrifikon për Flamurin e Atdheut të vet dhe mbron kufijt e tij vetëm ahere kur çfaqet si Mprojtës i Idealit të një populli të tërë, symboli i të cilit është skalitur  mbi një copë pëlhurë të reckosur. Edhe i egëri që derth gjakun e tij për Përendin e vetë, Shkencëtari që humbet vetëhen për përparimin e shkencës dhe për çpikjet, s’janë gjë tjetër veç se njerës që sakrifikohen për Idealin!

Si mjerë ata popuj që nuk kanë Ideal. Në çfaqjen e parë të krizës, në fryjtjen e parë të rebeshit, që janë kaq të bollta, kaq të kokllavitura dhe kaq të pa-pritura në jetën e sotme të popujve, do të shkrijnë, pa patur kohë të psherëtijnë, si një Pallat prej karte. Si mjerë ai grusht njerëzish, që adhuron tre Perëndira nënë  një qiell!…

Fragment nga një artikull i botuar në “Demokratia”, më 9 mars 1929.

Filed Under: ESSE Tagged With: Branko Merxhani, ideali

KULTURA KËRKIMORE SHKENCORE

February 11, 2014 by dgreca

Metoda e kërkimeve shkencore është formë e përhershme e aplikimit të logjikës, të përbashkimit të njohjeve dhe arsyes, në studimet shkencore. Pa një metodë të kërkimeve dhe hulumtimeve, hyrja në shkencë do jet vetëm dëshirë, shkruan-  Prof.dr.Avni Presheva./

Nga Rustem GECI/ Dortmund/

Toka vazhdimisht sillet rreth diellit, që planeti ynë I katërt, toka, dhe jeta jonë njerëzore në tokë të ecën nëpër 4 stinët e saj. Vetëm në këtë rrugëtim, ajri i vjetër pastrohet nga ajri I i ri. Baza e shkrimit universitar dhe akademik është udha nga ecin aktualisht artet dhe shkencat. Metodologjia e Kërkimeve Shkencore e Prof.dr-Avni Preshevës, për problemet e kërkimeve shkencore, trajton në formën ma të kulturuar aplikimin e logjikës dhe të filozofisë në shkencë.Ky libër për kulturën e kërkimeve shkencore të Prof.dr.Avni Preshevës, është një prurje e re, jo vetëm për studentët e Universitetit, por edhe për institutet shkencore e artistike.Libri „Metoda e Kërkimeve Shkencore“, ndahet në dy pjesë; në pjesën e parë trajtohet mënyra e tërthort e kërkimeve shkencore, ndërsa në pjesën e dytë, Prof.dr. Avni Presheva vë në lëvizje aplikimin e logjikës për të arritur tek njohja me anë të arsyes. Njohja dhe zbatimi i kërkimeve shkencore në universitete dhe institucione, shkruan Prof. Presheva, fillimisht kërkon kulturë të gjerë të njohurive, për temën, metodën, dhe qëllimin.

Prof.dr.Avni Presheva u  lindë në vitin 1944 në Preshevë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Preshevë. Ndërsa Fakultetin  Filozofik , Filozofi – Sociologji, dhe Studimet pas-universitare, i mbaroi në kryeqytetin e Bosne-Hercegovinës, në Sarajevë. Avni Presheva është shkecëtar i mirëfilltë. Udhën për në zemër të shkencës ai kurrë nuk e ndaloi. Pas mbarimit të studimeve pas-universitare, Prof. Avni Presheva bëhet, Doktor I Shkencave, për Filozofi dhe Sociologji.

Fal punës dhe aktiviteteve shkencore,Prof.dr. Avni Presheva i ka të fituar të gjithë gradat e Profesorit universitar. Prof.dr. Avni Presheva deri më tash ka botuar mbi 30 punime shkencore për Filozofinë e gjuhës, për Gjuhën dhe semantikën, për Teoritë e njohjes në shkencë, dhe për Filozofinë e kuptimit. Prof.dr. Avni Presheva deri më tash ka botuar këto vepra;

1.Filozofia e gjuhës, U P , Prishtinë 2. Prej gjuhës në gjuhë, Hannover, Gjermani 3. Gjuha dhe Metagjuha,  Tiranë4. Metodologjia e kërkimeve shkencore, USH, Tetovë.  5. Interpretimi i së së drejtës në shkencat juridike,Shkup 5. Bazat e logjikës, dhe 6. libri me poezi “Atyre që do të vijnë”, janë në process të botimit.

Veprimtaria krijuese e Prof.dr. Avni Preshevës është e gjerë dhe e thellë. Në gjuhë shkruan, Prof. dr. Avni Presheva, është historia e çdo populli, brendia e tij krijuese, fjala dhe shkretëtira e fletës së bardhë, e pagjendshmja e sotme, e pathëna e paprekur. Mbi këtë truall gjuhësh e mendimesh lind e lëviz, arti, kultura, dhe shkenca. Gëzimi, hidhërimi, dëshprimi, streset, trazimi, ëndrrat, imagjinata dhe dhimbjet që e flasin gjuhën dhe kuptimin, janë në pemën e jetës. Në fushë të filozofisë gjuha konsiderohet identiteti më  i paanshëm, dhe i  përbashkëti i Qenies.

cilësori më i paluajtshëm i të jetuarit bukur dhe poetikisht. Shkëlqimi i njeriut me talent për krijimtari, njeriut i jep mundësi të krijon vepra që të egziston. Filozofi, Prof.dr.Avni Presheva, me librin,  “Prej gjuhës në gjuhë”, përuron mendimin filozofik shqiptar, për problemet e gjuhës, semantikës, dhe mendimit. Në përdorimin filozofik, filologjik e semantik të gjuhës në fillim të këtij mileu, shkruan Prof.dr.Presheva, trajtimi i gjuhës ka rëndësi të veçantë në filozofinë bashkëkohore. Me këtë problematikë janë të preokupuar njerëz të të gjitha niveleve.

Njjeriu që merret me filizofi, duhet të jetë  impulsiv, i guximshëm, dhe me gjykim të prerë. Filozofi duhet të jetë i mbushur me njohuri të shkencës dhe artit, dhe ta njoh mirë kuptimin e të menduarit, për t´iu përgjigjur sfidave të kohës.

Filozofi  Avni Presheva, me librat “Prej gjuhës në gjuhë”, dhe „Metodologjia e kërkimeve shkencore“,  shkencën e Filozofisë dhe të Sociologjisë e pasuron me vepra të të mirëfillta për kohën.

Filozofisë, kësaj  mbretëreshë të lashtë, dhe hijerëndë nuk i dilet me vepra të çfardoshme përpara.  Andaj të merresh me filozofi thotë  Avni Presheva, duhet të jesh i zgjuar dhe me talent, çapkën dhe impulsiv, për ta trajtuar më guxim, grimcat dhe atomet e  mendimit. Të qeshurën e mendimit, kuptimin e mendimit, ndryshimin dhe trajtat, lexuesi mund t´i gjejë në librin “Prej gjuhës në gjuhë”.

Jeta e njeriut kudo është një gjithësi problemesh. Kuptimin e këtij problemi filozofik Avni Presheva, e ka shtruar për së mbari,me disiplinat më të përparuara të filozofisë. Plot gjëra burojnë prej dhembjeve, prej të thjeshtave, prej lëndëve të papërpunuara. Në shtëpinë e mendimit, Prof.dr. Avni Presheva, na e prezenton një botë të tërë mendimesh e kundërthëniesh që preokuponë mendimin bashkëkohor filozofik. Andaj, libri ”Prej gjuhës në gjuhë” dhe „Metodlogjia“ janë një arritje e madhe për shkencën e Filozofisë tek ne.

Prandaj, hyrja në gjuhë ,në errësirën e fjalëve, në errësirën e tingujve dhe mendimeve, në muzgun e më të pashkelurave, pa njohjen e kodit të metodologjisë kërkimoro-shkencore, shkruan Prof.dr.Avni Presheva, është e pamundur të bësh truall dhe të kesh prodhim shkencor dhe artistik. Libri „Metodologjia e Kërkimeve Shkencore“ që po i jepet në dorë lexuesit universitarë dhe akademik, përbën majen e një enciklopedie për përdoruesit e ardhshëm. I uroj punë e shëndet, Filozofit, publicistit dhe eseistit, Prof.dr. Avni presheva! Sukses!

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Avni Presheva, Kultura kerkimore, Rustem Geci, shkencore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 84
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT