Nga Nikolla Lena/-Në rrafshinën e ulët të Myzeqesë midis Fshatit Kolkondas dhe lumit Seman ndodhet Manastiri i Shën Kozmait. I ndërtuar në fillim të shekullit të XIX nga Ali Pashai i Tepelenës, mbart në vetvete hije legjendash dhe të vertetash, të cilat shkrihen me njëra-tjetrën duke u shndërruar në histori interesante që të befasojnë. Pikërisht nën efektin e tyre çdo 24 Gusht besimtarët ortodoksë të krahinës marrin rrugën për të festuar ditën e martirizimit të Apostullit Kozma. Ceremoniali i fesimeve zgjat gjatë gjithë ditës në këtë vend të shenjtë që ndodhet 10 km në veri të Fierit dhe që fsheh në vetvete një pjesë nga historia e kaluar e Shqipërisë.
Zanafilla
Kosta Esohoriti i cili do njihej më vonë me emrin Shën Kozmai, lindi në vitin 1714 në fshatin grek Lis i madh (Megalo Dhendro) në krahinën e Etolisë. Rridhte nga nje familje e thjeshtë dhe besimtare. Mësimet fillore i kreu në fshatin fqinjë të Sigdhicës ndërsa studimet e mesme i zhvilloi në manastirin e Agrafas. Në moshën njezet-vjeçare kur punonte si mësues në fshatrat e Navpaktit nisi të marre mësimet e plota fetare të cilat i përfundoi në Malin e Shenjtë, në manastirin e Vatopedhit. Manastirët e shumtë kishin nevojë për murgj dhe i riu Kosta nisi sherbimin fetar në një tjetër manastir atë të Filotheut, ku u pagezua me emrin Kozma me të cilin do te njihej tanimë.
Gjatë qëndrimit në Athos (malin e shenjtë) u dallua për dëshirën e madhe të studimit dhe për zellin e fuqishëm në shërbim të çështjeve fetare.
Për çdo klerik ortodoks të shekullit XVIII Kostandinopoja zinte një vend të veçantë. Ajo ishte qëndra e botës, atdheu i dytë, zemra e kishës. I shtyrë edhe nga etërit e Manastirit në vitin 1760 Kozmai shkoi në Kostandinopojë. Aty ai studjoi artin e gojetarisë dhe të llogjikës. Gjatë kohës së qëndrimit në kryeqytetin e Perandorisë Osmane i lindi deshira për të nisur veprën e Predikuesit dhe misionarit fetar në ato vise të Perandorisë ku krishterimi kishte nevojë. Për këtë ai u shty edhe nga i vellai Krisanth që punonte si mësues këtu por edhe nga miqtë dhe etërit e kishës. Patriarku i atëhershëm Serafimi i cili ishte me origjinë shqiptare nga Delvina i dha të drejtën për të qenë misionar shëtitës ku veprimtarinë e parë do ta ushtronte në rrethinat e Kostandinopojës, dhe në disa zona të Greqisë. Pas nje turi të suksesshëm në përhapjen e fjalës së ungjillit. Kozmai u kthye përsëri në kryeqytet nga ku pati takimin me patriarkun e ri Sofronin nga I cili mori udhezimet për të zhvilluar nje mision të ri në të gjithë Ballkanin.
Misioni
Thuhet se ai ishte një njeri i vendosur në rrugën e fesë. Kozmai e kishte kuptuar se përveç forcimit të fesë i duhej kushtuar rëndësi e veçantë edhe zhvillimit të arsimit. E kështu si misionar ai dha një ndihmesë të konsiderueshme në këtë fushë si në Greqi, Thraki, Maqedoni dhe Shqipëri. Per 20 vjet me rradhë,Kozmai përshkoi këto vende në katër ture udhëtimesh. Qëllimi kryesor i tyre ishte hapja e shkollave në gjuhën greke, e cila ishte caktuar nga Patriarkana e Stambollit në marveshje me Portën e Lartë, si gjuhë e kulturës e kishës dhe marrëdhënieve tregtare. Ashtu siç e tregon në letrën që i dërgoi të vellai Kristianth në Naksos.Ai krijoi me iniciativën e tij 200 shkolla të ulëta dhe 10 te mesme.
Filozofia
Predikimet e murgut Kozma ndiqnin me përpikmëri të njëjtin ritual. Në çdo vendbanim që shkonte, ai referonte perpara popullit në sheshin e kishës dy herë në ditë, në mëngjes dhe mbrëmje. Fjalimet bëheshin në gjuhen e thjeshtë vendase, duke gërshetuar idetë teologjike me mendimet praktike. Fjalët e tij kishin jehonë të madhe në popull sepse me gojetarinë, proverbat, dhe parashikimet ai merrte permasat e një profeti. Këshillimet e Kozmait u drejtoheshin të gjithëve të mëdhenj e të vegjel, të krishterë e myslymanë, çdo njera prej tyre ishte pothuajse urdhër për ata që e dëgjonin. Kështu ai bënte thirrje për tu larguar nga veset, për pajtim e tolerancë për bashkëjetesë, për të hequr dorë nga lluksi.
Në fund të çdo fjalimi Kozmai nuk harronte idenë kryesore të qellimit të tij, hapjen e shkollave nëpërmjet të cilave “ndriçoheshin mendjet”, zbulohej e kaluara historike dhe niste të ndërtohej e ardhmja. Pikërisht kjo platformë i shërbente politikës fetare të Patriarkanës së Stambollit e cila mbarte prirjet e idesë së krijimit të një shteti bizantin që mund të rilinde nën drejtimin e kishes nga germadhat e Perandorise Osmane.
Shën Kozmai erdhi në Shqipëri në vitin 1776. Nga Korfuzi ai mbërriti në Sarandë ku menjëherë nisi vizitat e tij “fshat me fshat”. Brenda një viti murgu Kozma ose siç e quante populli “çoban babai” përshkoi një hapësirë nga Preveza në Kavajë dhe nga Myzeqeja në Kostur. Deshmi të veprave të tij gjejmë në Artë, Pargë, Filat, Lëkurës, Kavajë, Korçë, Kostur, etj. Në Himare p.sh. ai ishte i pari që ju përvesh punës për ta shndërruar një kishë të vjetër dhe gjysmë të rrënuar në shkollë. Një dëshmi me vlera për veprimtarinë arsimore të Kozmait është dorëshkrimi i murgut Kostandin Berati i cili gjendet sot në akivin e bibliotekës kombetare ne Tiranë. Nga ai njoftohemi se Kozmai mbërriti në qytetin e Beratit në 22 Gusht 1777 dhe qëndroi deri në 2 Shtator të po atij viti. Ai predikoi gjatë 3 ditëve rekomandime për çeljen e shkollave. Kështu në kalanë e Beratit hapet e para shkollë në të cilën është mësuar edhe gjuha shqipe me alfabet grek.
Njohja me Aliun
Historia e njeh Ali Pashë Tepelenën si mikun dhe mbrojtesin e Murgut Kozma. Njohja e tyre u bë fare rastësisht kur sipas gojedhanës Aliu e shpetoi Kozmain kur ai mbahej peng prej nje grupi grabitësish. Pasi e liroi prej tyre Pashai i kerkoi si nder murgut që ti parashikonte të ardhmen, megjithëse atëhere ai ishte në fillimet e karrierës së tij. “Do të behesh Pasha i madh, do të marrësh Janinën dhe do zgjerosh shumë kufijtë e pashallëkut tëndë me mjekrën e kuqe në Stamboll”. Kështu ligjeroi Kozmai dhe kur pas disa vitesh theniet e tij u vërtetuan Aliu e beri mik.Murgut ju lejua që të predikonte në çdo cep të Pashallekut të Janinës, kudo që do udhëzonte Kozmai do të ngrihej një kishë dhe popullsia nuk do të inkurajohej ose do ti imponohej konvertimi të fesë.
Në vitet 1760-1770 kur Kozmai udhëtoi në tokat Shqiptare për të përmbushur misionin e tij sundondte anarkia feudale. Territori ishte ndarë në pashallëqe feudale të cilat ishin zotërime autonome brenda territorit te Perandorisë Osmane. Njëri prej tyre edhe Pashallëku i Beratit që drejtohej nga Kurt Pasha. Gjatë misionit të tij Murgu kaloi edhe në territorin e tij. Fama në formë legjende mbi Kozma Etolin arriti deri tek sundimtari Kurt Pasha. Ai e priti murgun në sarajet e tij. Gjatë bisedës, Kurtit i bëri shumë përshtypje Kozmai, saqë nga respekti që krijoi për të urdheroi që murgut ti prëgatitej në shenjë nderimi froni mbi të cilin do tu predikonte turmave. Por marrëdheniet e mira midis Pashait dhe murgut nuk zgjaten shumë. Kurt Pasha shumë shpejt nisi të dyshonte se veprimtaria e Kozmait nuk ishte gjë tjetër veçse aktivitet agjenturior për llogari të Ali Pashë Tepelenës, armikut të tij të betuar. Duke shfrytëzuar edhe protestat e klerit myslyman në adresë të misionit të murgut, Kurt Pasha dha urdhër për ta ekzekutuar.
Në moshën 60-vjeçare pikërisht në 24 Gusht 1779 Suvarinjtë e arrestuan Kozma Etolin kur kthehej në një nga misionet e tij. Me akuzën e organizimit të kryengritjes së armatosur dhe veprimtarisë si agjent i rusisë, Suvarinjtë e terhoqën në një korije buzë lumit Seman dhe e ekzekutuan pa gjyq.Pasi e varën, trupin e tij të zhveshur e hodhën në lum. Rryma e nxorri fillimisht kufomën në vendin e quajtur Mujalli duke e rimarrë përsëri për ta nxjerrë përfundimisht në bregun tjeter të Semanit në Kolkondas. Ketu trupi u gjet nga at Markoja, prifti i manastirit te Ardenices, i cili e veshi kufomen me Rrason e tij dhe e varrosi prane kishes së Shën Merisë së Kolkondasit.
Kisha u kthye në manastir
Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas ka një histori shumë interesante. Përpara se të ndertohej ky objekt, pranë tij në anën jugore ka qenë një tempull tjetër kristian më i hershëm: Kisha e “Shën Mërisë”. Ajo ishte ndertuar në fund të shekullit XVIII. Në murin rrënojë të kësaj kishe, në një pllakë të vendosur pranë njerës prej absidave të saj lexohet ky tekst “Është pikturuar ky tempull i hijshëm me kontributin e të gjithëhirshmit Mitropolitit të Beratit Josif, me shpenzimet dhe mundimet e të gjithë të krishterëve priftër dhe laikë, 30 Korrik 1792″. Ky tempull pati fatin e keq për shkak të pozicionit të tij në bregun e lumit Seman të kthehej nga permbytjet e tij në gërmadhë. Pikërisht në absidën e kësaj kishe u varros fillimisht murgu Kozma pasi u nxorr nga ujerat e lumit Seman.
Manastiri dhe Kisha e Shën Kozmait u ndërtua në vitet 1814-1815 me porosinë dhe ndihmën e Ali Pashë Tepelenes për nder të Kozma Etolit. Kjo dëshmohet edhe nga dy letrat që Pashai i drejton bashkesisë ortodokse dhe vllehëve grabovarë. Ndërtimi i manastirit u bë pasi Ali Pashë Tepelena e pushtoi Pashallëkun e Beratit. Pas kësaj ngjarjeje ai dha urdhër që për të ndeuar murgun, të ngrihej në vendvarrimin e tij një manastir.
Për ndertimin e manastirit punoi i gjithë populli i krahinës së Myzeqesë për një periudhë gati dy vjeçare. Në këtë objekt u perdorën gurë shtufi dhe gur të sjellë nga Apolonia. Manastiri përbëhej nga kisha e Shën Kozmait dhe konakët. Kisha eshte ndertim i tipit Bazilikal me kupole. Arkitektura e saj është e tipit të vone bizantin, në formë piramidale dhe krahë në formë kryqi. Konakët ishin dy katësh dhe permbanin 60 dhoma. Në katin e sipërm banonin klerikët dhe shërbyesit e manastirit, ndërsa në katin e parë nxenesit konviktorë, pelegrinët dhe tregetarët që vinin ditët e panairit. Me urdhër të Aliut pranë këtij manastiri u hap edhe një shkollë fillore me një konvikt prej 100 nxënësish, duke e shndërruar në shkollëen më të madhe të kësaj treve. Një tjetër porosi e Pashait ishte që manastiri i Kolkondasit të kthehej në qendrën e drejtimit fetar-kristian të të gjithë trevës nga Shkumbini në Vjosë.
Gjithashtu manastirit, Aliu i dha prona të shumta tokësore në fshatrat: Kolkondas, Bubullimë, Mujalli, Korkutas, Nartë etj. Mjeshtrat e parë që nisën ndërtimin e këtij tempulli u vranë nga Aliu, sepse nuk e ndërtuan dot kishen sipas shëmbëlltyrës së kokës së Kozmait. Mjeshtrat e dytë që e përfunduan këtë ndeëtesë kanë lënë portretet e tyre të gdhendura në dru. Interesant është fakti që në frontonin e këmbanores së kishës është gdhendur edhe portreti i bashkëshortes së Aliut, Vasiliqisë.
Pasi u ndërtua Manastiri i Shën Kozmait, me urdhër të Ali Pashës u bë transferimi i kufomës së Kozmait nga kisha e vjetër e Shën Mërisë për në kishën e re të Manastirit. Kur u bë zhvarrimi i kufomës u vu re se mungonin një pjesë e eshtrave (brinjeve) të cilat si na e pohon edhe Shën Nikodhimi në librin e tij, u morën nga nxënësit e Kozmait së bashku me shumë sende personale të tij, që u përdorën si objekte të shenjta që sillnin shërimin e njerëzve. Sipas dëshmitareve, koka e “Shenjtit” me porosi të Ali Pashës u vesh me ar dhe së bashku me trupin u fut në një arkë në të cilën mund ta vizitonin dhe ta nderonin besimtarët. Por fati i keq e ndoqi trupin e shenjtit edhe pas vdekjes se tij.
Gjatë viteve të luftës së parë Botërore shumë objekte me vlerë që ruheshin në kishat e Myzeqesë u grabitën nga Arkeologu Kamilo Prashniker, atëhere ushtarak i mobilizuar në ushtrinë Austro-Hungareze. Të njejtin fat pati edhe koka e veshur me ar e Shën Kozmait që u mor nga austriaket..
Emri dhe fama e murgut Kozma mbeti në ndërgjegjen e popullit sepse ai vlerësohej në kufirin e legjendës. Kjo për arsyen e thjeshtë se parashikimet dhe thëniet e tij kishin jehonë të madhe në popull. Ndërkohë që varri i tij u bë menjëherë vend pelegrinazhi për të krishterët e Myzeqesë dhe krahinave perreth.Po kështu edhe turistë të huaj apo Shqipëtar,bëhen kurioz për këtë njeri që jetoj midis njerzores dhe legjendës.
Kisha ortodokse e shpalli shenjtor murgun në vitin 1853. Por shenjtërimi i tij u bë shumë vite më vonë për shkak te presionit të autoriteteve turke sepse Kozmai ishte akuzuar si agjent i Rusisë. Shenjtërimi zyrtar i njohur dhe i shpallur u bë në vitin 1961 nga Sinodi i shenjtë i Patriarkanes Ekumenike te Stambollit.
Kjo është historia e Shën Kozmait e cila është e mbushur me ndodhi interesante jo vetëm kur shenjti ishte gjallë por edhe pas vdekjes së tij. Sot ajo tregohet në trajtën e legjendës në të cilën janë përfshire jetë njerëzore që nga njerezit m të pushtetshëm të kohës ku jeto e deri te ata më të thjeshtët.
Për vizitorët dhe kuriozët rreth jetës së Shenjtit dhe relikeve të mbetura prej jetës së tij,manastiri mbetet një vend i përhershëm pelegrinazhi
Archives for April 2014
Paloka: Mosdhënia e konsensuesit nga maxhoranca do të ketë pasoja
Nga Ilir Vata/-Kryetari i Grupit Parlamentarë të PD-së, Edi Paloka, pas konferencës së Kryetarve të grupeve parlamentarë, që ishte mbledhur për të diskutuar për ndryshimet e projekt-vendimit për funksionimin e komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale, deklaroi se opozita nuk ka interes të bllokojë reformën, por është maxhoranca ajo që kërkon ta bllokojë.
Paloka, tha se “maxhoranca kërkon të ndjekë aventurën e saj duke bërë një reformë pa konsensues, vetëm, pa opozitën”.
Kjo sipas tij, do të ketë pasoja, jo vetëm për politikën por dhe për vendin.
Gjithashtu, Paloka tha se “Partia Socialiste, nuk ka kërkuar konsensues, dhe me gojën e kryetarit Rama, u tha qartazi në Parlament se nuk mund ti japim konsensues në parlament opozitës, pasi kemi frikë se ajo do të bllokojë, që është eksperiencë e tij në opozitë dhe jo e opozitës sot”.
“Ne kemi theksuar, tha Paloka, se “duhet të bëhet një reformë e gjërësishme, përsa i përket reformës administrative-territoriale, shoqëruar me reformën zgjedhore, sepse nuk mund të ndahen nga njëra tjetra”.
“Ne nuk kemi interes të bllokojmë thjeshtë të bëhet sa më mire kjo reformë”, përfundoi Paloka
Mazhoranca ndryshon përbërjen e komisionit për reformën territoriale
Nga Anila Struga/- Konferenca e kryetarëve vendosi të martën me votat e maxhorancës që të ndryshojë numrin e anëtarësisë së komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale, si dhe të shtyjë me dy muaj të tjerë mandatin e punës së tij.
Mbledhja e sotme diskutoi rreth kërkesës së maxhorancës për ndryshim të projektvendimit për funksionimin e këtij komisioni, i bllokuar prej tre muajsh nga bojkoi i opozitës. Me ndryshimin sot te pr/vendimit maxhoranca siguron kuorumin në komision, i parashikuar të funksiononte në mënyrë bipartizane, duke e çuar në 9 numrin e anëtarëve të shumicës, kundrejt 8 të atyre të opozitës.
Ky vendim u bë i ditur për gazetarët nga ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi. Sipas tij, maxhoranca ishte e detyruar ta kërkonte këtë ndryshim, me qëllim fillimin nga puna te komisionit, nga pikpamja teknike.
Kjo, tha Celibashi, nuk e përjashton mundësinë që në momentin kur opozita vjen në komision ajo të bëhet pjesë e këtij procesi dhe ne të jemi në një mendje për këtë çështje, sikurse kemi qënë në momentin e parë.
Duke reaguar ndaj kundërshtive të opozites, Celibashi tha se megjithë rezervat që PD mund të ketë për këtë reformë, nuk është ky rasti për të mbajtur qëndrim politik ndaj një procesi që ne e kemi konsideruar vazhdimisht thjesht teknik.
“Refoma territoriale është një çështje e karakterit teknik dhe jam i sigurtë që me kalimin e kohës dhe opozita do të bëhet pjesë e këtij bashkëpunimi dhe e këtij procesi”, theksoi ministri.
Uashingtoni paraqet fotot e lidhjeve të Moskës me separatistët e armatosur
Departamenti amerikan i Shtetit paraqiti dje disa imazhe të dhëna nga Kievi që tregojnë, sipas tij, se separatistët e armatosur në lindje të Ukrainës janë në fakt ushtarakë ose oficerë të shërbimit informativ rus.
“Disa nga këto imazhe janë dhënë nga Ukraina, disa të tjera janë marrë nga media ndërkombëtare ose nga Twitter”, deklaroi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jennifer Psaki.
“Disa prej tyre tregojnë persona dhe shenja të një lidhjeje mes Rusisë dhe një pjese të grupeve të armatosura në lindje të Ukrainës”, sipas asaj.
Në një seri fotosh që Kievi ka dërguar për Uashingtonin nëpërmjet Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) tregohet një foto të kryer në Gjeorgji në vitin 2008, të një ushtari me mjekër të gjatë të kuqe, që mban simbolin e një njësie ushtarake të forcave speciale ruse.
Gjejmë po të njëjtin person, me mjekrrën pak më të bardhë, në një fotot të marrë gjatë marrjes së një komisariati të qytetit të Kramatorsk nga separatistët. “I njëjti person është vërrejtur edhe në Slaviansk më 14 prill 2014″, thuhet në legjendën e një fototje të tretë që tregon një burr me rroba ushtarake që po pi cigare.
Një seri tjetër fotografishë, disa prej të cilave janë marrë në Krime, dhe disa të tjera që janë marrë ditët e fundit në lindje të Ukrainës, paraqet po të njëjtin person.
Një seri e tretë fotosh të dhëna nga Kievi tregojnë fotot e disa familjeve të anëtarëve të një njësie të paraqitur si një grup sabotatorësh të pavarur nga Direktorati i Informacionit të trupave të armatosura ruse.
Si në Krime ashtu edhe në lindje të Ukrainës, SHBA-ja akuzon prej disa javësh Rusinë se është e lidhur me të mistershmit “njerëz jeshil”, pseudonim i dhënë për separatistët e armatosur për rrobat ushtarake që mbajnë veshur por pa simbole që mundësojnë identifikimin./
Shenim: Kjo foto i është derguar OSBE-së nga qeveria Ukrainase me qëllim që të tregohet lidhja mes Rusise dhe separatistëve të armatosur
Kush do të jetë vendi i BE-së që do të njohë Kosovën këtë vit?
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar një njohje të re nga një vend evropian. Duke folur për emisionin Debat të RTK-së, Hoxhaj ka thënë se nga pesë vendet e BE-së, njëri prej këtyre vendeve në gjysmën e dytë të këtij viti do ta marr vendimin për njohje.
Duke komentuar zhvillimet e fundit në politikën e jashtme, Hoxhaj ka thënë se Kosova tashmë ka aplikuar në disa organizata ndërkombëtare, dhe emrat e tyre do të bëhen së shpejti, por pasi të përfundojnë të gjitha procedurat.
Arsyeja pse Ministria vepron kësisoj në politikën e jashtme është për shkak të kundër fushatës që mund ta ndërmerr Serbia dhe gjithçka organizohet në mënyrë sa më konfidenciale.
Shefi i diplomacisë kosovare, Hoxhaj ka folur edhe për raportet e shtetit me fetë.
Ai ka thënë se Kosova me gjithë sfidat e pas pavarësisë ka arritur të ruaj dhe forcoj karakterin sekular të shoqërisë dhe se është shtet laik.
Duke folur në emisionin Debat të RTK-së, Hoxhaj ka thënë se me qindra vite shoqëria ka qenë tolerante dhe kjo është një vlerë që e ruan edhe sot dhe kombi çdo herë është vendosur mbi fenë.
Duke iu përgjigjur zhvillimeve të fundit, Hoxhaj ka thënë se tashmë çështja e themelimit të gjykatës speciale është drejt formësimit dhe këtë javë Kuvendi i Kosovës do të duhej të votonte. E ka quajtur sfidë të vështirë në një plan afatshkurtër, por jo edhe planin afatgjatë.
“Në planin afatshkurtër do të ketë ndikim në imazhin e Kosovës por në aspektin afatgjatë jo. Vetëm ta marrim shembullin kur është publikuar raporti i Dick Martyt në vitin 2010 ku është thënë se nuk do të ketë njohje, por Kosova është njohur nga 31 shtete që nga ajo kohë. Apo do të bllokohet anëtarësimi në organizata, e në fakt Kosova është anëtarësuar në EBRD. Ngjashëm do të ndodh edhe me gjykatën në planin afatgjatë ku Kosova do të dal më e forcuar”, ka thënë Hoxhaj
- « Previous Page
- 1
- …
- 17
- 18
- 19
- 20
- 21
- …
- 70
- Next Page »