(Një moskuptim i përsëritur)
NGA REXHEP KASUMAJ/ Berlin/
1.
“Ah, sa bukur po digjet zemra e këtij qyteti të lashtë”, pëshpëriste zëshëm e gjithë gëzim Arthur Harris, gjenerali i aviacionit mbretëror britanik që, në fror të vitit 1945, dha urdhër të bombardohet Dresdeni, një ndër qytetet më kulturore të Gjermanisë. Dhe s’do ti bëhej kurrë gjyq barbarisë tij smirzezë ku gjetën vdekjen rreth 30.000 njerëz, në çastin kur metropoli hitlerian, tashmë, ishte thyer e kapitulonte. Bhy 6, Do të evokoja këtë dromcë historie, i përnxitur nga ideja e një gjykate të paralajmëruar speciale për Kosovën që përhihet në horizont. Ajo, për mirë a keq, do të ngrihet dhe shqiptarët, të pandehur e dëshmitarë, do kalojnë nëpër bankat dhe përballjen e saj. Në fillesën e këtij pohimi, ndërkaq, nuk qëndron assesi logjika e fajpranimit apo e qyqarisë që sikur do sugjëronte: le të ndodhë ajo që s’mund të sprapset dot!
Nisma është, gjithësesi, e rëndë, racialisht mosbesuese dhe revansh i fuqive të errta të Europës së nënujshme. Por ajo, si një prurje e mirë dytësore e fatkeqësisë, së paku do të provojë dy gjëra fundamentore: ose fiktivitetin e pretendimeve penale – e aherë do shplahej përfundimisht fytyra kolektive e shqiptarëve nga përshkëllima e shpifur ose ndëshkimin e krimeve reale – e aherë ata do të bënin tutje, por pa peshën frenuese të tyre në ndërgjegje a në shtetndërtimin e emancipuar politik.“Unë nuk dua asnjë lloj madhështie për vëndin tim, nëse ajo është prej gënjeshtre dhe gjaku të pafaj”, i shkruante Kamy mikut imagjinar gjerman gjatë ferrit që pat pllakosur Europën në messhkull, etikë e çmuar që mund të transponohet fare mirë dhe në hullinë e lirisë.
2.
Megjithatë, në qarkullim të ligjshëm mbeten dy pyetje të vështira e me përgjigje të pazot. E para, një Instancë drejtësie për krime lufte në ish-Jugosllavi, pra edhe për Kosovën, vijon të jetë ende mandatplotë. Në filtërin e saj defiluan mundimshëm shqiptarë që, përpjestimisht me banorësinë e përgjegjësinë, kjenë më të shumtë se ndër të gjithë fiset sllave. Po të quhej e nëvojshme ata do defilonin prapë dhe për hiret e Dick Martyt spekulativ. Ndaj, përse tani ky institucion i posaçëm gjyqësie për shqiptarë? Dhe e dyta, në mbyllje të Luftës së mbramë botërore, nuk pati një “Nyrnberg” të përzier shumëpalësh dhe as dy të ndarë e të veçantë: një për okupatorë, pra për Hessin e projekteve të shfarosjes, dhe një tjetër për çlirimtarë, pra për britin Harris apo për partizanët e qendrestarisë franceze. Kishte, logjikisht, një të vetëm: për shëmtinë arianiste!
Tragjika që shkaktuan serbët në Ballkanin perëndimor dhe përmasa e ndëshkimit ishin krejt asimetrikë. Meqë kjenë të njëllojtë për kauzën, a pati si për nacistë, një “klauzolë faji” dhe, prandaj, një “Nyrnberg” vetëm për idenë marroke të shtetomadhësisë dhe epërsisë së gjenit sërbian? A u formua, poashtu, një Komision defashistizimi që do të bënte spastrimin e shpirtërave të helmuar me dogmën groteske të “popullit qiellor”? Dhe a do të pasonte, mandej, ndalesa e forcave politike që parashestuan e nisën marshin e përtritjes së “shekullit të artë”serbian? Ai ishte i përbashkët (okupatorë e çlirimtarë) kurse frymësia e programeve ekspanduese gjallon ende fort, përfaqësuar gjithnjë nga partitë që, aherë e sot, i prijnë Sërbisë! Që këtej, sado vogëlsore të ngjajë, sikur nuk shmanget dot hatërmbetja për njëlloj dileme imorale të Europës: e rëndon, vallë, më shumë brejtja e ndërgjegjës për krimet serbe apo pendesa për dënimin e tyre?
Në Kosovë, ndërkaq, gjithçka rrjedhon ndryshe. Matet e ç’matet mijëra herë. Megjithë vonesën historike dhe vargun e pakëputshëm të të zezave, peshorja kurdiset me një delikatesë e përpikëri të lodhshme. Ndërkohë që për anglezë, pastaj amerikanë që behën nga përtejdetet, degolistë të Frontit fisnik të Rezistencës a për rusë që rrafshuan egërsisht tokat e lulëzuara pas dorëzimit gjerman, nuk pati asnjë tribunal – për shqiptarët që iu përfalen po këtij ideali dhe po kësaj të drejte, ka dy të tillë: i pari në Hagë dhe tash kjo pasrendësja e posaideuar, me selitë alternative dhe misionin e turbullt. E mendonin të mbyllur periudhën adoleshente të mbikqyrjen së pavarsisë, po, me sa duket, paskësh qenë veçse një farsë abrogimi i saj. Survejimi dorëfshehtë i krijesës së brishtë vijon në formë e format tjetër, sikur shqiptarët të jenë trollëzuar gabimisht a idhnakësisht në hapsirën ku zënë n’thua të gjithë!..
Do të ishte e mirëpritshme përndjekja e krimit, politik e ordiner, të pasluftës që ka kërrusur shumë qenien kombëtare, gati në kufi të ekzistencës. Rikëndellja nga plagët e tyre do të përjetohej si një çlirim i dytë, i vërtetë i Kosovës. Këto, e jo të paprimet e luftës që, ndonëse nuk pati presedan e as praktikë, sërish u lustrifikuan në proceset maratonike të Sheveningenit, duhej shenjuar si e keqja megashtegtuese e Kosovës së lirë. Jurisprudenca kosovare për shkak të mendësisë së trashëguar, kulturës së munguar dhe armaturës mafiokratike, nuk mund të vënte dorë të mbarë mbi asgjë. E ç’punonin, prandaj, drejtësiprerësit e zhurmshëm europianë (“Eulex”) për të zbardhur, pakësuar a pastruar ato? Apo, ndoshta, kjenë të zënë me statusin e Republikës dhe bënin politikë? Më keq akoma: mos, vallë, u bënë dhe vetë pjesë fijesh të tyre? E krejt së mbylluri: athua dhe Gjykatorja speciale të ketë përbetimin thelb e shtysë të pikësynimit të saj?
Njëmend shumë nga titajt e moteve paskolonialiste, luftëtarë të devotë të dikurshëm a figurantë uzurpatorë të legjendës së saj, janë inkriminuar, deri animalizuar keq dhe ngujimin e tyre pas grilave nuk do ta vajtonte kush. Por dyshimi (ah, dyshimi sokratik) për lojën e madhe, në të cilën, pasi tashmë Krimeja ndërroi zot, rikonsiderohet roli i djegur hegjemon i Sërbisë së kreshpërosur, lë shijen e një zhgënjimi të hidhur. Mbase përligjet, kështu, një raport, në dukje simbolik, por që dërgon larg fillin e pasojave të pallogaritshme për Europën vetë: vrasësi thirret të ngrejë ballin lartë e të ndjehet krenar, kurse viktima e tij të ulë kryet e të ndjehet me turp. E drejta e saj natyrale e lirisë kthehet, ashtu, në kundërvlerë, në atribut ilegal e të papërkitshëm me substancën etnike dhe konfigurimin gjeopolitik që lëviz e përvijohet vazhdimisht!..
Por ja, kështu duket, gati si e shkruar: shqiptarët nuk kanë një dalëzotës që, me prirje e orientim aleancash armiqësore ndaj Europës, të shantazhonin interesin e saj jetik. Janë europianistë të kulluar dhe s’kanë ku të venë. Ajo e di këtë, ndaj, veç inercies së vjetër, kjo është arsyeja që në sferat e epërme komunitare nuk vërehet një ngut për ti qasur, për ti nxjerrë nga rezervati kënetor ku janë zhytur e mbytur. Në ftoma të kalesës, mes tyre dhe saj, ka pasur shpesh marrëdhënie e përkatësi natyrshmërie, po jo rrallë dhe moskuptim të thartë. Do t’ishte fatale për të dytë, sikur ky i fundmi të hidhte sërish pëlhurëzën merimangëse të tij…
R.Kasumaj/ Berlin, prill 2104
Archives for April 2014
BUKUROSHJA DURRESAKE, Hygerta KARAJ, PJESMARRESE NE MISS LIBERTY
Perfaqesuesja e Shqiperise do te merr pjese ne garen e bukurise MISS LIBERTY 2014 ne Turqi/
Hygerta KARAJ eshte 17 vjecare nga qyteti i bukur i Durresit./
Bukuroshja Shqiptare Hygerta KARAJ eshte perzgjedhur nga Drejtori Nacional Shpejtim ZEJNELI .
Gara e bukurise MISS LIBERTY INTERNATIONAL do te fillon prej dates 22 prill 2014 deri me 04 Maj 2014 ne qytetin e bukur te Antalise ne Turqi. Ne kete gare bukurie marrin pjese 40 shtete te botes.
Ne cfare shkolle shkoni dhe cka mendoni te vazhdoni te studioni?
Une jam nxenese ne Shkollen Jo Publike PAVARSIA ne Durres.Deshira ime eshte te studioj DREJTESINE dhe Farmacine.
Kush ju ka perzgjedhur per te perfaqesuar SHQIPERINE ne garen e bukurise MISS LIBERTY INTERNATIONAL 2014?
Eshte organizauar nje audicion per te marre pjese ne garen e bukurise ne Turqi ku une ham perzgjedhur nga Shpejtim ZEJNELI i cili eshte Drejtor Nacional per Shqiperi dhe Kosove.
A keni mare pjese ne gara bukurie dhe cfare suksese keni arritur.
Ne MISS DURRESI je perzgjedhur MISS ELEGANCA dhe je perzgjedh ne 7 gocat me te bukura te Durresit
Ne eventin e bukurise MISS TURIZMI i mbajtur ne Durres jam perzgjedhur MISS MIQESIA.
Ne evntin e bukurise MISS PAVARESIA 2014 e mabjtur ne Prizren te Kosoves jam perzgjedhur Shoqeruesja e Dyte e Miss Pavaresise 2014.
Cka pelqen me se shumti ne Fushen e Modes?
Mua me pelqen ne fushen e modes: Pasarealat e Modes,Prezentimi i Kolekcioneve te Modes te Agjencive te medha te Modes, Dolca Gabana,Versace etj.
Sa i kushtoni redesi Lookut tuaj?
Gjate kohes qe jam ne shkolle i ambientizohem rregullave te shkolles, ndersa pasi te jam ne Kohen e lire i kushtoj rendesi te madhe dukjes,veshjeve dhe trendit te kohes qe eshte ne fushen e modes ne bote.
Cfare plane keni ne fushen e bukurise?
Planet e mia jane te mare pjese ne gara bukurie ne bote dhe punoj me agjenci te ndryshme te modes.
Cfare emocione keni para se te shkoni ne Turqi
Une jam krenare qe Perfaqesoj shtetin Shqiptare ne garat e bukurise ne bote dhe ndihem e privelegjuar.
Kam shume emocione sepse eshte udhetimi im i pare si Perfaqesuese e Shqiperise.
A jeni pergaditur per te shkuar ne Turqi?
Po jam e pergaditur duke filluar nga veshjet,kepucat,looku,fusha e publicitetit etj.
Kush ju ka siguruar veshjen?
Per veshjet e mia jane kujdesur Shtepia e Modes QENDRESA nga Gjilani dhe Shtepia e Modes Er -ROSI nga Dardana dhe per veshjen kombetare Souvenir Shop ARTA nga Prizreni.
A keni mare oferta pune ?
Po kam mare shume oferta pune te punoj si MODELE, ne Itali,Turqi,Dubai,Kine,Indi etj
Pastaj kam disa plane per te punuar ne Kalendar,Kataloge etj.
Cfare mesazh keni per fund?
I uroj suksese Gocave Shqiptare kudo qe ndodhen ne fushen e bukruise.
Prof. Dr. JUP KASTRATI, NJË NGA VIGANËT E ALBANOLOGJISË
Kujtesë, në 90-vjetorin e lindjes/
Nga Isa Halilaj/studiues/
1.
Prof. Dr. Jup Kastrati, një nga viganët e albanalogjisë, u nda nga jeta në shtator 2003, në moshën 79-vjeçare. Shkodra dhe gjithë shqiptarët, që e kanë njohur, e përcollën me nderimin më të merituar. Se u krijua një boshllëk i madh për shkencën albanologjike, për një nga themeluesit e saj. Po figura të tilla, si e Prof. Kastratit, kurrësesi, nuk harrohen.
Me 15 prill të këtij viti, në gjallje, Profesori ynë do të festonte 90- vjetorin e lindjes. Kujtesa e historisë, jeta dhe vepra e tij shkencore e atdhetare, na obligojnë që ditëlindjen e tij dhe gjithë datat në shenjë të këtij burri të madh të kulturës e shkencës shqiptare, t’i kujtojmë e respektojmë, me nderimin më të madh.
Prof.Jupi, veprat dhe jetën intelektuale e qytetare, i ka bërë vetë të njohur mjaft mirë. Po, në vlerësim të kësaj figure, janë shkruar edhe vepra e artikuj të shumtë. Kam parasysh këtu shkrimet e prof. Tomorr Osmanit, Begzad Baliut, Diana Kastratit, Mentor Qukut, Vehbi Hotit, Naim Kules e mjaft të tjerëve.
Me këtë shkrim modest, edhe unë, ish-student e bashkëpuntor i tij, po shprehi nga zemra dhe mendja respektin dhe vlerësimin më të lartë, për këtë personalitet të shquar të mendimit e veprimit shkencor shqiptar.
Arsimimi i tij, dëshirë e vullnet i pamposhtur, është realizuar me vështirësi e pengesa të kohës. Në vitet ‘30- ’35 të shekullit të kaluar, mbaroi filloren plotore shkëlqyeshëm. Pastaj i futet Gjimnazit klasik (’36- ’40) dhe Liceut Real (’41- ’44) në qytetin e lindjes, Shkodër. Pak kohë, në këto vite, ka vazhdur në Liceun “Galileo Ferraris”, Convitto Nazionale “Umberto I” në Torino të Italisë, që i vlejti shumë për horizont dhe kulturë të përgjithshme. Por, pikërisht në këtë periudhë rinie, gjatë pushtimit italian, si antifashist, është persekutuar, burgosur e internuar në fushë-përqëndrimin italian, Comando Z, te Kodrat e Tepes, në Shkodër. Pastaj, nga andej është dërguar peng në burgun famëkeq të Prizrenit, në korrik-shtator 1943, nga i cili, te Ura II e Vezirit në Kukës, u pushkatuan 16 shkodranë e kosovarë të burgosur.
2.
Që nga shtatori i 1946, shërbeu mësues në qytetin e lindjes, duke mos e ndërprerë për asnjë çast përpjekjen për arsimim në nivelet më të larta. Pasi mori ILP 2-vjeçar në Tiranë, shërbeu me përkushtim në Gjimnazin e Shtetit Shkodër. Aty shquhet një mësues dhe edukator meritor, me rezultate të larta. Krahas punës në mësimdhënie, nuk rreshti së paraqituri me shkrime tematike e problemore në shtypin e kohës.
E, pa shkëputje nga puna, arriti të mbarojë Fakultetin e Filologjisë, në UShT. Me këtë nivel përgatitjeje dhe me dëshirën që Shkodra të ketë arsimin e lartë, ai është nismëtar themelues, jo vetem i ILP 2 e 3-vjeçar të Shkodrës, nga 1957, por edhe ka meritën e kthimit të këtij institucioni në Universitet, me emrin “Luigj Gurakuqi”, në saje të kujtimeve dhe kërkesave urtake të këtij shkodrani të mirë, pranë organeve të larta shtetërore. Aty ai sherbeu pedagog e shef katedre i gjuhës shqipe. Është periudha më intensive e prof. J.Kastratit, në fushën e gjuhësisë dhe bëhet një nga themeluesit e Albanologjisë, në krah të Akademikëve E. Çabej, M. Domi e Sh.Demiraj.
Ka shërbyer në arsim mbi 57 vjet, nga të cilët 37 në arsimin e lartë, kryesisht në Shkodër. Ishte model për t’u marrë shembull në mësimdhënie, për përgatitje të thellë shkencore, për taktin pedagogjik e korrektësinë e edukatorit. Siç shënojnë edhe ish-studentët e ti,j Ismet Bala e Naum Kule, prof. Kastrati, ndryshe nga disa pedagogë që kërkonin ta sajonin autoritetin e tyre me poza fallse, nga toni kërkues dhe denigrues, që si të thuash përdornin pedantizmin e tyre shtrydhës, duke tundur “lëkurën e ujkut”, ai i jepte dritë e bindje auditorit, me njohuritë që jepte. I ishte i vetmi pedagog, që i vlerësonte studentët, në radhe të parë, me shprehjen “Ju faleminderit!” dhe, ngrohtë e ëmbël, udhëzonte: “ Për këtë çështje shikoni edhe njëherë leksionin; po shikoni te Çabej apo te Fatmir Agalliu dhe këtu e këtu… e pastaj bisedojmë përsëri…”. Kur studentët përgjigjeshin mirë e ndonjë merrej suksesshëm me punë shkencore, Profesori i vlerësonte si një hap i mirë i punës së tyre dhe vazhdonte nxitjen, “jemi te vonuar , bota ka ecur shumë përpara, prandaj nga me hap, të ecim me vrap !“. Kjo ishte në fakt motua e punës së tij.
Një meritë e veçantë e prof. Kastratit është mbrojtja e lidhjeve të punës me gjithë institucionet shkencore, në Shkodër dhe Tiranë ose në Prishtinë, Tetovë e Ulqin dhe me arbreshët e Italisë e të Greqisë, po dhe me studiues, ish-studentë e bashkëpuntorë të tij, si Xhemal Meçin e Ismet Balën, në Pukë e Tropojë; me Shefqet Hoxhën, në Kukës dhe deri me Novruz Shehun, në Tepelenë e Naum Kulen, në Fier. Ndërsa prof.esor Mark Tirtja, ish-student i tij në ILP, nuk harron ta vlerësojë atë si nxitësin e parë e kryesor të tij, “ për t’u marrë me punë kërkimore shkencore. Ai na ka trajtuar si koleg e familjar, në ato vite mjaft të vështira për ne”.
3.
Veprimtaria e Prof. Kastratit është e shumanshme, pedagogjike e shoqërore, shkencore e albanologjike, si në historinë e gjuhësinë shqiptare, albanologjinë, historinë e letërsisë shqiptare e në veçanti të asaj arbreshe, dialektologji e folklore, në historinë e shkollës shqipe e mendimit pedagogjik dhe, veçmas, në bibliografinë shqipe.
Punimet shkencore kryesore të tij janë përfshirë në mbi 30 vëllime studimesh, të botuara nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Tiranës, po edhe në Kosovë, Tetovë, Napoli, Kalabri, Salerno etj. Veprat e tija shkencore, të botuara e ribotuara që nga viti 2001, arrijnë në një kolanë prej 40 vëllimesh dhe 6 të tjera janë të sistemuara në dorëshkrime, që presin dritën e botimit, një trashëgimi serioze e albanologjisë. Mjafton të përmendim vetëm disa prej tyre, si: “Historia e Albanologjisë”, në 5 vëllime; “Historia e gjuhësisë shqiptare”, “Historia e gramatologjisë shqiptare”, “Sintaksa e gjuhës shqipe”; studime linguistike, filologjike e arbreshe; Bibliografi albanistike, ditar shkencor ose monografitë e bibliografitë e veçanta, si për Konicën, Skëndërbeun, De Radën, F. Shirokën, N. Mjedën (në bashkëpunim me K.Biçokun e M.Qukun) etj. Të gjitha këto, në disa vëllime.
Ai dha një ndihmesë të çmueshme në studimin e fonetikës e drejtëshkrimit, ortografisë, dialektologjisë e tekstologjisë e sintaksës, si dhe në përkthime gjuhësore. Të gjitha këto, me syrin e një mjeshtri, prej pedagogu e studiuesi të palodhur e diturishumë, për t’i bërë të kuptueshme e të asimilueshme në aspektin shkollor dhe publik.
Në bibliografinë e shkrimeve të prof. Kastratit, në periudhën 1941 – 1999, bie në sy shumica e organeve, brenda dhe jashtë vendit, në mbi 90 gazeta dhe revista, nga të cilat 25 jashtë Shqipërisë, si në Kosovë, Maqedoni e Mali i Zi, në Europë, Amerikë e Azi. Ky autor i shquar kishte informacion të thellë për studimet e kryera nga albanologë dhe studiues të tjerë të huaj, për vendin e historinë kombëtare shqipëtare. E, në këtë plan, shumë nga studimet e tij janë bërë të njohura e të publikuara në gjuhë të huaja, jashtë shtetit. Ai zotëronte mjaftë mirë gjuhët latinisht, italisht, frengjisht etj.
Shpirti i tij kërkues e krijues, në të gjithë veprimtarinë e tij, ka orientim kombëtar, besnik ndaj idealit të shqiptarizmës, që përvizoi Rilindja Kombëtare Shqiptare. Prof. Kastrati, me pjekuri e guxim, mundi t’i bëjë ballë fluktualitetit politik dhe ideologjik në vite e na dha vepra me përmbajtje të shëndoshë shkencore, edukuese e me theks kombëtar, në shërbim të brezave të rinjë.
Ishte pjesëmarrës në të gjitha konferencat albanalogjike e ato historike, brenda dhe jashtë vendit. Në sesione shkencore ka kumtuar mbi 120 tema e diskutime të frytshme. Më 1972 ka qenë delegat firmëtar e organizotor, në zhvillimin e Kongresit të Drejtëshkrimit. Me mençuri e guxim, ka mbrojtur e zbatuar besnikërisht Standartin e Gjuhes Letrare Shqipe, me idenë se, me një gjuhë e një komb, i shërbehet bashkimit kombëtar. Veçmas këtyre, e ka ndihmuar direkt Shkodrën, duke themeluar e drejtuar: “Buletinin për Shkembim Eksperience”, “Buletinin Shkencor” të ILP, në 45 vëllime; revistën letrare “Shkodra”, në 15 vëllime. Ka qenë redaktor te “Gjuha Jonë”, “Lidhja”- Kozencë, “Besa” etj.
Prof. Kastrati, që nga viti 1958, mori tituj shkencorë, shkallë pas shkalle, në 60 vitet e punës shkencore, duke patur udhëheqës shkencor, relatorë e recensentë, profesorët më me peshë të albanalogjisë, si E. Çabej, M. Domi, Sh. Demiraj, Dh. Shuteriqi, V. Bala, E. Lika etj., duke merituar gradat e titujt: “Kandidat i Shkencave”, “Docent”, “Doktor”, “Profesor” e “Akademik”, duke u renditur kshtu me dinjitet në radhët e themeluesve të Albanologjisë dhe shkencës shqiptare.
Është vlerësuar e nderuar; me mirënjohje, tituj, medalje e me urdhëra. Që nga 1979, me titullin “Mësues i merituar” e më 1987, “Mësuesi i Popullit”; ndërsa, në kuadrin e 75-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës i dha titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”.
Nuk mund të lëmë pa përmendur vlerësimin meritor, që i është bërë prof. J. Kastratit, më 1998, duke e përfshirë atë në “Enciklopedinë Ndërkombëtare të Bibliografive” (Edicioni i 13-të i intelektualëve botërorë).
Për të gjitha këto, në kurorëzimin e veprës e jetës së tij, ka patur edhe përkrahje, vlerësime kolegjiale, kolektive e instucionale, shoqërore e shkencore, në Shqipëri dhe në botën akademike të gjuhësisë e të albanologjisë. Pikërisht për këtë, ai përkujtohet dhe do të përkujtohet me respekt, jo vetëm në këtë 90-vjetor të lindjes, por gjithmonë, sot e në të ardhmen, nga brezat e studjuesve dhe botës akademike shqiptare.
Tiranë, prill 2014
Pse çmohet shumë Kemal Ataturkun?
NGA FAHRI XHARRA/
Nuk më kapi as malli e as lotët nuk më shkuan kur për Atin e Turqisë lexova shumë. As pak nuk u rrënqetha sepse ai ishte me prejardhje shqiptare , e as as që më bëri syri vërr se sa i madh që ishte . Çudi ! se si nga toka e jonë dalin të mëdhenjt ,por janë të mëdhenj aty ku jetojnë. Kjo më ngacmon ! Historia është mësuesja e jetës ,jo vetëm për mua por për ne të gjithë; edhe për shkrimtarin , poetin , kujdestarin e shtëpisë , atdhetarin dhe deri te burrështetasi ynë apo burrështetasit tonë.
E lexova diku dhe më pëlqeu :” Pavaresia e Kosovës nuk është pronë e askujt . Nuk ka personazh më të rëndesishëm ose më pak te rëndësishëm. Ishte një luftë gjithëpopullore. Ishte një vuajtje kombëtare. Edhe unë jam pjesëtare e kësaj pavarësije . Si mendoni qe Pavaresia ti atribuohet dikujt . Jo! Edhe nëna qe e shihte duke ia vrarë djalin ndër sy, edhe gruaja e dhunuar, edhe fëmija qe mbeti pa prindër , edhe shtëpija djegur e lagjës sime , të gjithë janë personazhe të rëndësishme të Pavaresisë.(A.Xh.) “
Shteti apo lideri botërorë pa të cilin nuk do t’ia dilnim? Kë ta dallojme ? Europa dhe bota e civilizuar qante për ne . Edhe anglezi , francezi, spanjolli çeku, irlandezi te gjithë vuanin me ne. Ne historinë e njerëzimt Kosova ishte hollakausti i dytë. Kjo mjaftonte që edhe fuqitë ushtarake kontinentale apo ato botërore të shprehin mllefin ndaj Serbise. Nëse insistoni se cili lider , atëherë ai ishte Tonny Blairi dhe Bill Clintoni. Por a mund të mos permendet Shiraku i Francës ? Po a mundem te harrojmë Vacllav Havelin? Çdo përjashtim është tentim i mohimit të kontributit për ndihmën dhënë neve,Kosovës.Historia e Kosovës si shtet fillon me botën e civilizuar.
Dikush pyeti : Po ngjarja kryesore që i paraprinë kësaj date? Thjeshtë nuk ka datë. Kjo ishte kërkesë gjithëshqiptare që nga viti 1912 , kur na e ndanë fatin të mbetemi ndër Serbi. Nuk guxojmë ti harrojmë as ata që u shpërngulen me dhunë , as ata që pësuan deri në Luftën e Dytë Boterore. as ata që ranë gjatë asaj lufteje , as viktimat e Rankoviqit , as demonstrantet e vitit 1968, as themeluesit e Universitetit të Prishtinës, as demostrantët dhe viktimat e 1981-shit (pranëverës së Kosovës), as qindra e mijëra vjet vuajtje në burgjet e Serbisë. Thjesht¬ë asgjë nuk fillon me një datë te caktuar, Te gjithë jemi paraprijës se kësaj date.(A. Xh) “
Por, pse çmohet aq shumë Kemali , Ati i Turqëve ? Çmohet, sepse bëri shumë për Turqinë. Po ky shqiptar , bir shqiptari ne dhe të huaj si ia arriti ? Kush ia mundësoi të del në ballë të një të kaluare të errët dhe ta shndërron ate në dritë? A kishte ai lakmi personale? A i duhej pasuria familiare ? A ia dhanë atë apo e morri ? Si e bëri që nga një shtet “demode” të krijon një të përparuar ? Si ia arriti që në bërthamën e një islamizmi tejet prapanik të krijon një femër me vlera europiane. ? Pyetje shumë. Por ….
Kush ishte Ataturku dhe pse është i rëndësishëm për popullin Turk? Po e përsëris pse është i rëndësishëm për popullin Turk? Për ne aspak. E as mos të gënjehemi ndërveti , as një pikë rëndësije nuk e ka për ne . Përkundrazi! .( Ai në momentet ma kritike për ne ishte vetëm turk, edhe qëndrronta lartë në hiearkinë shtetërore))
-I rëndësishëm është se e themeloi Republiken Turke dhe ishte kryetari i parë i saj. E formoi shtetin modern turk nga hiri dhe pluhuri i Imperatorisë Otomane, një një ” i sëmurë e Bosforit ” Po na , pse jemi ende të sëmurët e Ballkanit ?
-E krijoi shtetin sekular në mesin e një mori shtetesh islamike . Ai punoi në dy drejtime ; së pari si reformator në ndërrimin fundamental të shoqërisë dhe e bëri që i tërë populli të ta sheh dhe të bindet në ato ndërrime. ( Ne , nuk po shofim ndërrime në asnjërin nga shtetet shqiptare që të bindemi në atë çka kishim dëgjuar dhe kishim shpresuar))
– E solli fundin e një dinastije Otomane e cila e kishte sunduar Perandorinë për mbi 6 shekuj dhe e bëri Republikën e Tuqisë me 1923 .( Ne e sollëm fundin e komunizmit në një anë e në anën tjetër fundin e barbarize shekullore serbe, dhe nuk bëmë asgjë të re)
– Si President , për 15 vjetët e tij të udhëheqjes , në mënyrën më të butë i solli reformat politike, ekonomike , ligjsore dhe kulturore . ( Ne nuk bëmë asgjë më tepër se sa e shkruam në letër)
Bëri reforma civilizuese :Reformat politike: E shformoi Sulltanatin ( 1.11.1922 ) ( ne krijuam sultanate partiake ); e hjeki kalifatin (3.03 1924 ) ( ne rrezikohemi nga sulltanët e rinj).I anulojë gjykatat fetare . ( ne filluam ta propagojmë sheriatin); E futi ligjin sekular gjithëkombëtar . ( ne e sulmojmë sekularizmin tonë ) . E shliroi gruan turke duke i dhënë të drejta politike dhe sociale (1926) ( ne po ia sjellim shaminë , ferexhën , largimin nga shkolla ) . E unifikoi edukimin . I mbylli medresetë dhe i hapi shkollat bashkëkohore sipas nevojave civilizuese të kombit ( Ne po hapim medrese dhe shkolla nëpër xhamija)
E futi Alfabetin Turk me shkronja latine dhe e filloi pastrimin e gjuhës turke nga fjalët e huaja (1 .11.1928 ) Ne nuk e pranojmë gjuhën e bashkuar dhe krijojmë gjuhë lokale, e kërkojmë alfabetin osman)
E ne me kë të lavdërohemi`?
ZGJEDHJET QË (NUK) DO T”I ZGJIDHIN PROBLEMET TONA!?
Nga Fadil LUSHI/
Njohësit e mirë të procesit zgjedhor në nënqiellin politik të Gadishullit Ilirik, me plot gojën dhe me të drejtë do të thonë se zgjedhjet vendore, presidenciale, të parakohshme, po edhe ato të jashtëzakonshme, jo gjithherë përçojnë mesazhe të qarta. Edhe në këtë pranverë të motit 2014 qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të përballen me dy të tilla, gjegjësisht me ato presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare. Si do të organizohen ato, ka pak rëndësi. Një është e vërtetë, edhe në këtë “vit politik” do të karakterizohen me ato telenovelat e bezdisshme, me atë muzikën tallava, me ato oferta a premtime të rrejshme, mbase edhe të sajuara, me atë logjikën makiaveliste, me filozofinë e injorimit të përcaktimit, me nëpërkëmbjen e mendimit ndryshe, me abuzimin e votës deliberative të sovranit, respektivisht të trupit votues…, me arrogancën kolektive, me inatet histerike të pakuptimta dhe homerike ndër shqiptarë.
Këtij procesi zgjedhor (ende pa filluar) do t’i bëhen hile dhe fyerje të mëdha…, do t’i ngjiten qindra e mijëra bishta, do t’i bëhen me dhjetëra komente serioze dhe pa numër të tjera joserioze, joprofesionale…, do të ketë edhe të tilla tmerrësisht me tarafllëqe. Këtij procesi që në zanafillë do t’i bëhen sondazhe politike (toptan të porositura e të paguara) nga lloj-lloj kompani të ashtuquajtura “të specializuara” për çështjet në fjalë. Në kontekst të kësaj, gjithsecili votues i emancipuar (i kapluar këmbë e krye nga ankthi i brendshëm) do të parashtrojë me të drejtë pyetjen se pse duhet që në fillim t’i abuzohet dhe kontrabandohet e drejta e votës, pse duhet t’i nëpërkëmbet përcaktimi i tij kushtetues, pse e drejta e tij kushtetuese duhet gjithmonë të mbetet peng i partive politike…, do parashtrojë pyetjen se a mos vallë gjithsecili duhet t’ia kontestojë filozofinë e të menduarit ndryshe, pse e drejta e votës së tij duhet të përcaktohet ndryshe apo sipas qejfit të atyre që mëtojnë ta “zaptojnë pushtetin”!.
Sot, pas gjithë kësaj katrahure politike dhe kushtetuese, nuk është me rëndësi se kush do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare (hiq mënjanë ato presidenciale), nuk është me rëndësi se cila do të jetë adresa politike e atyre që “do të mashtrojnë”, fare nuk është me rëndësi se kush do të “trishtohet” nga disfata, ama hiç fare nuk është me rëndësi se cila do të jetë logjika e procesit të numërimit të votës…, pavarësisht se ajo do të viktimizohet pak a shumë (kjo gjithsesi se nuk na hyn në punë), nuk është me rëndësi se “rezultatet përfundimtare do të përmbysen në tavolinë”, nuk janë me rëndësi emrat që në vijimësi lakohen në diskursin politik shqiptar, emra këto që pak e humanizojnë dhe e emancipojnë imazhin e cilësdo qoftë parti politike (e gjithë kjo të krijon përshtypjen kinse në familjet e partive politike nuk paskësh figura të tjera politike). Ne do të vazhdojmë ta përsërisim fjalinë: nuk është me rëndësi fakti se “rezultatet” (me a pa të drejtë) në këto zgjedhje parlamentare do të shpallen paralelisht nga taborët kundërshtarë, pavarësisht se ato fillimisht duhet t’i bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Për ne me rëndësi është fakti se cili do të jetë roli i medieve të shkruara dhe elektronike në procesin zgjedhor (si dhe denigrimi i moralit të konfiguracionit a gjeografisë së tyre) në veçanti propaganda politike, mashtruese, shpifëse, demagogjike si dhe përdorimi i mjeteve dhe metodave të tjera në përpjekje për t’i mobilizuar a për t’i mbushur mendjen votuesit se kujt duhet t’ia japë votën. Sot e gjithë ditën nga hapësirat e medieve të shkruara, po edhe vizuale, dalin lloj-lloj informacionesh. Detyra parimore e tyre konsiston në faktin që ato fillimisht të jenë humane, emancipuese dhe të drejta…, aq më tepër nëse ato i dedikohen të drejtës së lexuesit a dëgjuesit. Nëse lajmi del nga institucioni shtetëror nuk do të thotë gjithmonë të pranohet nga lexuesi. Është e drejtë e tij e patjetërsueshme të zgjedhë se çka do të lexojë ose do të dëgjojë. Do ta pranojë si “lajm me tamam” apo edhe si të shtrembëruar. Së fundi, është e drejtë e tij ta refuzojë pavarësisht se është i rremë, i sajuar, i vrazhdë dhe me moral të dyfishtë, njësoj a përafërsisht si puna e Paul Jozef Gebelsit që qëndroi nga viti 1933 deri më 1945 në krye të Ministrisë për Propagandë të Gjermanisë, i cili me një rast kishte thënë: “Nëse e tregoni një gënjeshtër mjaft të madhe dhe vazhdimisht e përsërisni atë, populli më në fund do t’i besojë asaj. Gënjeshtra mund të mbahet për një kohë të atillë derisa shteti mund t’i hedhë popullit hi syve nga pasojat politike, ekonomike të gënjeshtrës. Kështu gënjeshtra bëhet tepër e rëndësishme për shtetin në shfrytëzimin e tërë pushtetit për shtypjen e disidencës, sepse e vërteta është armiku i gënjeshtrës dhe, kështu duke u zgjeruar, e vërteta është armiku më i madh i (pu)shtetit”! (Autori i këtij artikulli përjashton çdo paralelizëm të thënies së ish-ministrit të propagandës me zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Maqedonisë).
Roli politik i ambasadorëve. Asnjeri nuk mund të thotë se roli i ndërkombëtarëve në procesin zgjedhor është i papërfillshëm, andaj lirisht mund të parashtrohet pyetja se ç’kuptim dhe ç’qëllim kanë “ndërhyrjet (i) legjitime” të ndërkombëtarëve gjegjësisht të ambasadorëve të huaj (të sistemuar në Shkup) në lidhje me zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare që do mbahen në Maqedoni, në veçanti në pjesën shqiptare!? Ç’kuptim kanë (dhe do të kenë) “qortimet, mesazhet a edhe këshillat” e tyre adresuar shqiptarëve…, mos vallë këto “këshilla” do t’i ndërgjegjësojnë njëherë e përgjithmonë lidershipët e partive politike shqiptare…, edhe për sa kohë kanë nevojë politikanët shqiptarë për kësi “këshillash“…, a mos vallë shqiptarët do t’u lejojnë ndërkombëtarëve edhe në të ardhmen të “fusin hundët” në autonominë e organizimit të procesit zgjedhor (edhe ashtu të shëmtuar)!?? A mos vallë kjo “ndërhyrje” të ambasadorëve ka për qëllim t’u ndihmojë shqiptarëve në ndërtimin e infrastrukturës (së re) morale, shpirtërore dhe politike!? Ndoshta këto janë mesazhe shtesë dedikuar shqiptarëve ndaj krijimit të standardeve krejtësisht të ndryshme rreth procesit zgjedhor…, ose, tekefundit, është fjala është për një dëshirë të tyre për të mësuar diç më tepër për tiparet e karakterit të shqiptarit…, për avazet tona të vjetruara, për shpirtrat e trazuar të shqiptarëve apo diç tjetër që është karakteristikë jona kolektive!
Nëse e gjithë kjo që u nxor në pah ka të vërteta, atëherë pse gjithë kjo marrëzi e radhës e partive politike, përse duhet që këto zvetënime të dalin nga institucionet kushtetuese të “kontrolluara dhe të mbikëqyrura” nga partitë politike, përse institucionet e lartpërmendura edhe sot duhet “të mbeten me barrë nga një lidhje jashtëmartesore”(!???) Përse për disa politikanë të Shkupit nuk paskësh rëndësi fakti se çfarë ishte ngjyra e mesazheve të dala nga goja e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e disa të tjerëve të Bashkimit Evropian të sistemuar në Shkup. Nëse të gjitha “faktet” që llafosin ngjarjet e lartpërmendura janë të parëndësishme, atëherë pse të mos jenë të rëndësishme provat dhe argumentet sa i përket përsëritjes së kësaj historie të gjymtuar.
Të shpresojmë që kësaj radhe nuk do të përsëritet ajo historia e shtrembërimit të statusit juridik të votës shqiptare, një status që sot e kësaj dite mbetet peng i partive politike, qofshin ato në pushtet a në opozitë. Të mos përsëritet nëpërkëmbja e votës së sovranit, të mos përsëriten inatet a edhe qejfet e politikanëve, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk kanë kuptim për mëhallët e tyre!?? Të mos përsëritet anashkalimi i votës së sovranit, vota të mos karakterizohet si e porositur, e kurdisur, e vulgarizuar, e denigruar, të mos nëpërkëmbet, të mos konceptohet si jopersonale, si e kornizuar a edhe si e mohuar. Dhe që kjo votë e sovranit të jetë popullore, qytetare, personale, një dedikim i vullnetshëm e racional, demokratik dhe mbi të gjitha një gjest i lartë emancipimi, gjegjësisht çlirimi nga varësia e dikujt a e diçkaje, atëherë nuk duhet të ngacmohet! Se nuk do të ngacmohet e drejta e votës së sovranit, unë dyshoj.
- « Previous Page
- 1
- …
- 25
- 26
- 27
- 28
- 29
- …
- 70
- Next Page »