• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2014

“RILINDJA” MBYLL KONSULLATEN E PERGJITHSHME NE NJU YORK E HAPUR QE NE VITET ’20 TE SHEKULLIT TE SHKUAR

April 27, 2014 by dgreca

MBYLLJA E KONSULLATËS SË PËRGJITHËSHME TË RSH NË NEW YORK IU BIE NDESH IDEALEVE KOMBËTARE TË RILINDJES – KRYEMINISTRI RAMA TA SHFUQIZOJË MENJËHERË VENDIMIN/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
« Më mirë të mbylleshin 10 ambasada të tjera në vende të ndryshme se sa konsullata e New Yorkut. Ky është një veprim dritëshkurtër. Qofshi ju me këto budallallëqe…“
« O, u tremben diasporës në USA. Le të shkurtojnë fondet në Arabinë Saudite, por jo në NY, ku është qendra e botës. Përse e tremb USA Edi Ramën? Ku i ka qëllimet Edi Rama, drejt Lindjes? Shqiptarët duan Perëndimin. Duan USA jo Lindjen!”
« Këta të Tiranës janë më të paskrupullt me këtë veprim që kanë bërë! Më shumë se 400 mijë Shqiptarë jetojnë në 3 shtetshin NY+NJ+CT! Bushati e ka kthyer në kasolle Ministrinë e Jashtme!“
„Akt banal i qeverisë shqiptare, mbyll Konsullatën e Përgjithshme në qendrën e botes New York, turp!“
Ato që citoj më sipër, janë disa nga komentet e shprehura në Facebook pas botimit të lajmit se qeveria shqiptare vendosi të mbyllë Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në New York dhe funksionin e saj do ta kryejë një zyrë konsullore pranë misionit tonë në OKB.
Ky ishte një nga vendimet që Këshilli i Ministrave mori nën drejtimin e zv.kryeministrit Niko Peleshi, ndërsa kryeministri i Shqipërisë ndodhej për vizitë zyrtare në Vatikan dhe u prit nga Papa Françesku.
Siç shihet nga komentet, ku nuk përjashtohet as qëndrimi emocional, shqiptarët janë shumë më diplomatë se diplomacia shqiptare, e cila pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA, nuk i ka kushtuar asnjëherë rëndësinë e duhur përfaqësimit të shtetit shqiptar në shtetin që i ka mbrojtur interesat e shqiptarëve shumë më tepër se vetë qeveritë shqiptare.
Janë plot përfaqësi shqiptare në Europë dhe botë, të cilat vegjetojnë në letargji ose gjithë aktiviteti i tyre përmblidhet me festimet e 28 Nëntorit, një herë në vit, pa asnjë rol dhe asnjë ndikim, të cilat qeveria shqiptare nëse është në krizë ekonomike mund t’i mbyllë ose të gjejë zgjidhje, që interesat e Shqipërisë t’i mbulojnë përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe vice versa. Por kjo prapë nuk është zgjidhje e denjë për një shtet demokratik.
Ndërsa në metropolet e diplomacisë botërore dhe shtete të rëndësisë kardinale përsa i përket interesave kombëtare prania diplomatike shqiptare duhet të fuqizohet, të rrisi rolin dhe nivelin e përfaqësimit. Brenda këtij konteksti, SHBA janë kryemetropoli i diplomacisë botërore, aleati më i rëndësishëm strategjik dhe më i populluari prej shqiptarëve. Nuk i di këto qeveria e Shqipërisë?! Qytetarët e thjeshtë i dinë.
Le të kujtojmë kohën më të shkëlqyer për diplomacinë shqiptare në SHBA, atë të Faik Konicës, si një kulm i përfaqësimit të shtetit shqiptar. Megjithatë, edhe gjatë diktaturës, Enver Hoxha sillte në Misionin pranë OKB-së diplomatët që ai i konsideronte më të mirët dhe besnikët e tij. Të njëjtën gjë bënte edhe në vendet që i shihte me rëndësi për interesat e tij. Hysni Kapo, për shembull, që më vonë do të bëhej Nr.2 i shtetit komunist, ishte Ambasador i Shqipërisë komuniste në Beograd.
Niveli i përfaqësimit diplomatik të një vendi shpreh peshën e shtetit që përfaqëson. Le të marrim si shembull Zvicrën, e cila e konsideron diasporën e saj me rreth 700 mijë qytetarë zviceranë që jetojnë në gjithë botën si Zvicra e Pestë. Brenda kufijve të sovranitetit territorial ajo përbëhet nga Zvicra gjermanofone, frankofone, italiofone dhe retroromanish, por diplomacinë e zhvillon si artin dhe praktikën për të forcuar e fuqizuar marrëdhënie me shtetet mikritëse, në ekonomi, kulturë e kudo me qëllim përfitimin e të mirave për vendin. Zvicra për shembull në Francë ka 15 konsullata përfshi edhe ambasadën: Paris,Lyon, Strasbourg, Marseille, Ajaccio, Annecy, Besançon, Dijon, Le Havre, Lille, Montpellier, Mulhouse, Nantes, Nice, Toulouse; në Itali 14: Romë, Gjenovë,Milano, Bari, Bolonja, Kaliari, Katanja, Firence, Napoli, Padova, Rexhio Kalabria, Trieste, Torino, Venecia; në Greqi e Turqi ka ambasadë plus 4 konsullata për seicilin vend; në Rumani, Poloni, Bullgari,Çeki, Hungari etj. ka nga një përfaqësi diplomatike; në Rusi ka një përfaqësi diplomatike në Moskë dhe një konsullatë të përgjithshme në Shën Peterburg. Por shtrirjen më të gjërë me 26 konsullata përfshi Ambasadën e ka në SHBA: Washington D.C., Atlanta, Chicago, Los Angelos, San Francisco, Boston, Buffalo,Charlotle, Cleveland, Dallas, Honolulu, Houston, Indianopolis, Kansas City, Miami, Minneapolis, New Orleans, Orlando,Phoenix, Pittsburgh, Puerto Rico, Denver, Detroid, New York.
Edhe po t’i referohemi historisë së diplomacisë botërore: Thomas Jefferson, përpara se të zgjidhej president, përfaqësonte SHBA si Ministër në Francë; Presidenti George H.W. Bush, shërbeu më parë si Ambasador i SHBA në Kinë; Madeleine Albright, përpara se të emërohej Sekretare e Shtetit, shërbeu Ambasadore e SHBA në OKB. Yitzhak Rabin, kryeministër, ministër i mbrojtjes dhe fitues i Nobelit ka shërbyer si Ambasadori Izraelit në SHBA; Pablo Neruda, poet dhe fitues i çmimit Nobel shërbeu si Ambsador i Kilit në Francë, Giorgos Seferis, nobelist edhe ky, ishte Ambasador i Greqisë në Britaninë e Madhe, nobelisti tjetër meksikan, Oktavio Paz, ka shërbyer si Ambasador i Meksikës në Indi e shembuj të tillë ka plot.
Po Shqipëria çfarë bën. Në vend që t’i kthehet Rilindjes së Faik Konicës e Fan Nolit e të ndërtojë ura komunikimi të reja, i shemb edhe ato që i ka. Kësisoj diplomacia moderne shqiptare e pasdiktaturës, që nisi rimëkëmbjen më 1992 dhe me trazirat e 1997-ës reflektoi kaosin e katastrofës shtetërore, dergjet ende në stanjacion dhe qeveritë shqiptare, sa herë që ndërrohen, e përdorin atë në funksion të emërimeve nepotike dhe shpërblimeve politike, por jo në funksion të të mirës të vendit. I këtij niveli ka qenë edhe përfaqësimi i Shqipërisë në SHBA. Por ishin si ishin, të paktën ishin. Tani qeveria shqiptare, në vend të një strategjie kombëtare të zhvillimit të diplomacisë në një sistem demokratik, e mbyll Konsullatën e Përgjithshme të RSH në New York duke e kthyer situatën në të njëjtin nivel përfaqësimi si në kohën e diktaturës.
Ky akt është një skandal për qeverinë e kryeministrit Rama. Si rrufe në qiell të pastër. Në vend që qeveria e Shqipërisë të ndërmerrte veprime diplomatike për të neutralizuar krizën e „armëve kimike“ me SHBA, ajo bën një lëvizje tjetër bosh në dëm të imazhit të premierit, qeverisë së tij dhe interesave kombëtare të vendit.
Kryeministri Rama duhet ta shfuqizojë menjëherë vendimin që mori zëvendësit i tij, kur ai pritej nga Papa në Romë, sepse Rilindja e vendit lidhet me hapjen e Shqipërisë, me zhbunkerizimin e diplomacisë nga ngërçet dhe krizat e politikës shqiptare.
E si mund të kthehet Shqipëria një atraksion për investitorët e huaj, kur shteti shqiptar mbyll përfaqësitë diplomatike në botë, me qëllimin banal të kursimeve. Ndërsa pushtetarët shqiptarë jetojnë në luks, me vila në mal e det, duke marrë avionët për kapriçiot e tyre vulgare, e si mund të justifikohet mbyllja e Konsullatës të Përgjithëshme në New York, për arsye krize dhe kursimesh. Le të shtrëngojnë rripat qeveritarët e Shqipërisë, le t’i përgjysmojnë të ardhurat, sepse kur një pensionist në Shqipëri jeton me 100 Euro në muaj, një qeveritar mund të reduktojë fitimet që merr prej taksave të qytetarëve. Këtë të bëjë kryeministri Rama, por jo të mbyllin përfaqësitë diplomatike. Sepse ky është turp kombëtar!

Filed Under: Mergata Tagged With: Elida Buçpapaj, Konsullaten ne NY, Rlindja mbyll

Një vizitë e kërkuar si nostalgji për Beogradin

April 27, 2014 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/
Akademiku i Kosovës, shkrimtari Mehmet Kraja, shkruan diku se kur takoi më 1991-in Nexhmije Hoxhën, ajo nuk e kishte fshehur nostalgjinë e saj për Beogradin: „Ah Beogradi, një qytet magjepës, midis Danubit dhe Savës“. Ajo e kishte vizituar kryeqytetin serb në vitin 1946 duke shoqëruar bashkëshortin e saj, diktatorin shqiptar, Enver Hoxha, e ndoshta bukurisë së vizitës së parë i kishte shtuar dhe udhëtime të tjera më pas, derisa më 28 qershor 1948, pra në ditën e Shën Vodovdanit serb, bashkëpunimi, e për pasojë vizitat e kontaktet fizike, u ndërprenë.
Kjo nostalgji e shoqëroi venë e diktatorit deri në ditët e sotme. Por ditë për ditë po bëhet e ditur se nostalgjikët nuk i përkasin vetëm periudhës së miqësive të mëdha e „të pathyeshme“ të kohës së komunizmit. Lajmet që vijnë nga Presheva në Tiranë janë vërtetë sa të idhëta, edhe shqetësuese. Nostlagjik i Beogradit duket se është vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili prej gati pesë muajsh e ka bërë refren dëshirën e tij për ta vizituar kryeqytetin e Serbisë, madje në formën e një kërkese të pakthyeshme e të pakusht në negocime. Në janar të këtij viti mediat serbe dhe ato shqiptare u morën gjatë me një vizitë të parashikuar të zotit Rama për t´u bërë në Beograd brenda shkurtit. Më vonë marrim vesh se për këtë është bërë fjalë në dhjetorin e vitit të kaluar.
Ishte një lajm i pazakontë, po të kemi parasysh se të gjitha vizitat e zotit Rama janë bërë pa paralajmërime mediatike ose me paralajmërime disa ditë ose disa orë para tyre. Madje kështu ndodhi edhe me vizitën në Berlin, e cila u njoftua tri-katër ditë para nisjes së delegacionit shqiptar, gjë të cilën ai e shiti si „modesti“ të tij për të mos u mburrur me ftesa të tilla, qofshin ato edhe të kancelares gjermane, Angela Merkel. Ndërkaq mediat afër kryeministrit dërguan në Berlin reporterë e gazetarë specialë dhe sollën në vëmendje të opinionit publik kohën e vizitave të diktatorit shqiptar jashtë vendit ose të pritjes nga ana e tij të delegacioneve të vendeve mike, si në rastin e vizitës së Nikita Hrushovit ose të Çu En Lait në Tiranë. Aq shumë lavde, metafora, krahasime dhe imagjinatë lavdëruese u shfaq në reportazhet e Top Kanalit, sa nuk patën të krahasuar me reportazhet e vizitës së diktatorit në Kukës e Tropojë më 1970, apo në Gjirokastër më 1978-ën. Modestia shpesh herë na del kështu si farsë dhe përpjekje për të manipuluar publikun. E tillë ishte dhe vizita e fundit në Vatikan, për të cilën kryeministri njoftoi se kishte qëndruar në audiencë me Papën më shumë se një orë, kur Barak Onama pati shansin para disa javësh të qëndronte vetëm 20 minuta me kreun e Vatikanit.
Historia e kësaj vizite në Beograd, të paralajmëruar rreth katër muaj më parë, shkon çdo ditë duke u sqaruar më tej falë përpjekjeve të gazetarëve në Preshevë. Janë autoritetet e Beogradit ato që po na bëjnë me dije se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka patur ftesë për të shkuar në Beograd, por ka kërkuar vetë të bëjë një vizitë të tillë zyrtare në Serbi. Në gazetën „Danas“ të Beogradit, ai, para një jave ka thënë se, „Më lejoni të theksoj se e kam mirëpritur ftesën e ardhur nga Qeveria e Beogradit….“ duke shtuar „Besoj se vizita do të realizohet në kohën e duhur, që uroj të jetë një kohë e shpejtë, gjithsesi pas përfundimit me sukses e në të mirën e popullit serb të procesit politik në vendin e tyre“. http://ëëë.shekulli.com.al/ëeb/p.php?id=45717&kat=87
Por gazetarët e agjensisë së lajmeve „Presheva jonë“ kanë investiguar më tej dhe korespondenti i saj në Nish ka zbuluar faktin se kryeministri i Shqipërisë nuk kishte asnjë ftesë prej homologut të tij për të bërë vizitën e shumpritur në Beograd. Ai thotë se për këtë vizitë kërkesa është bërë nga zoti Rama. Në të vërtetë këtë fakt e kishte pohuar vetë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Mrkiç, kur thotë se “Kryemnistri shqiptar ka kerkuar të vijë në Beograd. Mbetemi me shprese se kjo vizitë do të realizohet kah pranvera, kah pjesa e dytë e muajit mars… » (“Albanski premijer tražio da dođe u Beograd!”). Edhe gazetës „Shqip“, Mrkiç thoshte shprehimisht „Rama është i mirëpritur në Serbi. Unë isha në Tiranë dhe e shijova mikpritjen e miqve tanë shqiptarë… ». Ai bën me dije se kjo vizitë ishte synuar të bëhej që në dhjetor të vitit të kaluar, dmth para pesë muajve. Dmth, „meqenëse Rama këmbngul të vijë ne Beograd, neve, qeverisë së Beogradit, nuk na mbetet tjetër, veçse ta mirëpresim“.
Zoti Rama e justifikon shtyerjen e vizitës në Beograd me zhvillimet politike në Serbi dhe mesa duket nuk ia ka ënda të shohë disa aspekte të tjera të procesit diplomatik e politik. Agjenda e Beogradit duket se nuk është t´i bëjë shërbimin e duhur mikut dhe mysafirit të rrallë nga Shqipëria, por se si ta kapitalizojë sa më shumë nga pikëpamja politike dhe nacionale këtë vizitë. Nëse vemë re botimet në Beograd dhe njoftimet e komentet rreth kësaj vizitë duket qartë një përpjekje për të barazvlerësuar vizitën e zotit Rama me vizitën e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, të zhvilluar në vitin 1946. Paralelizmi midis këtyre dy vizitave mund të interpretohet thjesht si simbolikë, dmth, se pas ish-kryeministrit Enver Hoxha, i pari kryeministër shqiptar që viziton kryeqytetin serb është kryeministri aktual, Edi Rama. Por nuk duket që ky krahasim të jetë vetëm simbolikë. Dihet tashmë politika servile e udhëheqësit komunist, Hoxha, ndaj udhëheqësit komunist jugosllav, Tito. Edhe vizita e tij në Beograd njihet si një vizitë servile dhe nënshtruese, siç kanë qenë të gjitha vizitat, takimet e lidhjet e diktatorit me aleatët e tij të mëvonshëm, Bashkimin Sovjetik dhe Republikën Popullore të Kinës.
Një konotacion të tillë po merr tashmë vizita e zotit Rama. Fakti se në Beograd po e „tradhëtojnë „ hapur zotin Rama, duke i mëshuar shumë idesë se „Jo, ne nuk e thirrëm, ai dëshiron (për mua këmbngul) të vijë e vizitojë Beogradin“, dëshmon se ekziston një ngjashmëri e tillë me atë të vitit 1946. Dhe nëse shihen qoftë dhe pak prirje të tilla, gabimi politik e diplomatik i Tiranës zyrare do të ishte shumë herë më i dënueshëm sot, sesa para gati 70 viteve, qoftë dhe thjesht për shkak se pozita e shqiptarëve sot është e duhet të përceptohet krejt e ndryshme nga ajo e vitit 1946. Kryeministri i Shqipërisë shkon në Beograd si përfaqësues i një vendi me prestigj e autoritet të barabartë ose më të madh sesa prestigji i shtetit serb, ndërkohë që më 1946 Jugosllavia ishte caktuar në Jaltë si „kujdestare“ e Shqipërisë. Ky prestigj dhe autoritet në rritje i vendit tonë është produkt i paraardhësve të zotit Rama, rezultat të cilin ai nuk duhet të guxojë ta zhvleftësojë.
Nga ana tjetër, se zoti Rama këmbngul të vizitojë Beogradin, madje me insistim, duket qartë për shkak të injorimit prej tij të një rregulli diplomatik. Shkuarja e zotit Rama në Beograd, ende pa tentuar asnjë prej kryeministrave të Serbisë për ta vizituar Tiranën, injoron një realitet të hidhur dhjetravjeçar në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Si rregull në diplomaci ai që ndjehet më shumë fajtor shkon dhe „falet“ te pala tjetër. Vizita e zotit Rama ka simbolikën e shfajësimit për ato që kanë ndodhur në 100 vitet e shkuara midis të dy vendeve e dy popujve. Madje këtë ai e thekson në një farë mënyre edhe në intervistën që i ka dhënë gazetës së Serbisë „Danas“. Gazetari i drejtohet disi me provokim, kur pyet: – Si ndiheni në rolin e Kryeministrit shqiptar, i cili pas gati shtatëdhjetë viteve do të vizitojë Serbinë? Herën e fundit kur një kryeministër shqiptar ka qenë në Bograd, ka qenë vizita e Enver Hoxhës në vitin 1947, dhe atë si mysafir i Josip Broz Titos dhe i federatës të atëhershme jugosllave. Dhe zoti Rama përgjigjet: „Ndihem me fat që jam njëri prej Kryeministrave të asaj, që pas marrëveshjes Kosovë-Serbi, mund të quhet koha e re e rajonit. Ndjej mirënjohje për të gjithë punën e sakrificën e njerëzve, pa rëndësi kombësia a nacionaliteti, pa rëndësi profesioni apo krahu politik, që bënë të mundur këtë kohë. E di që ka shumë faktorë që bëjnë ndryshimin, që sot na vendos në një kontekst krejt të ri, dhe unë jam posaçërisht i gëzuar që më jepet shansi, përsa i përket përfaqësimit të Shqipërisë, që të ndryshojmë marrëdhëniet mes vendeve tona në këtë kontekst. Kemi humbur kohë. Por ajo që mendoj tani, nuk është sa vite kanë kaluar, çfarë nuk kemi bërë, por sa vite kemi përpara dhe sa shumë kemi për të bërë. Do të doja të sjell në vëmendje se 2014 është viti i parë pa konflikte të hapura në historinë e Ballkanit dhe përkimi i këtij viti me 100 vjetorin e Luftës së parë Botërore, që nisi pikërisht në Ballkan, është mjaft domethënës për të pasur idenë e plotë të ndryshimit historik që ka ndodhur me marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë“.
Kjo përgjigje nuk i dha drejtpërdrejt atë që priste gazetarit të „Danas“, por na sjell para faktit se kryeministri shqiptar ndjehet përgjegjës për atë që ka ndodhur në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në këto 100 vite. Në mos më shumë, së paku po aq sa edhe politika në Beograd. Ndërsa udhëtimi prej mbi 700 km nga Tirana në Beograd i bën de facto më shumë përgjegjës shqiptarët sesa serbët për atë që ka ndodhur në një shekull. Pikërisht këtë aspekt të qasjes në marrëdhëniet midis të dy vendeve janë përpjekur ta evitojnë në Beograd, duke mos dashur që kryeministri i Serbisë të ishte i pari mysafir në Tiranë e pas tij të shkonte atje kryeministri i Shqipërisë. Paraardhësi i Ramës, për të mos prishur këtë raport marrëdhëniesh refuzoi ta vizitonte Beogradin sa kohë që ai qëndroi në krye të ekzekutivit shqiptar.
Natyrisht që është një objektiv dhe qëllim madhor ndërtimi i një rajoni në paqe, në stabiltet, në liri, harmoni e të integruar. Por ndërsa qeveria jonë e kërkon këtë harmoni me Serbinë, nuk dëshmon as më të voglën përpjekje për të vendosur ekuilibrin politik brenda vendit që ajo qeveris. Dhe ajo çfarë është kryesore: Më shumë se Tirana, Beogradi duhet dhe ka nevojë të dëshmojë ekuilibrin e marrëdhënieve të tij me fqinjët dhe vendet e rajonit. Rama në kët rast i jep qeverisë së Serbisë një shans të shtuar në përpjekjet e saj për t´u shfaqur para partnerëve europianë si „viktimë e sjelljes së pahijshme të të tjerëve ndaj saj“, e si „vend dhe popull me koncepte e mentalitet protestan“, në marrëdhëniet e saj me Europën. Ndërkohë që Tirana zyrtare i shton shanset që të rriten dilemat në Europë, nëse „shqiptarët kanë gjë të përbashkët me protestanizmin e Martin Luterit, apo jo“, në kuptimin e qytetërimit perendimor.
Dikush mund të besojë se zoti Rama do ta shfrytëzojë vizitën e tij në Beograd për t´i dhënë Bashkimit Europian më shumë prova të politikës së tij stabilizuese, me qëllim marrjen në qershor të statusit kandidat për në BE. Po një investim në një piramidë të ndërtuar e të vlerësuar tashmë në të gjitha raportet perendimore e të të gjitha organizatave ndërkombëtare, besoj se është i pamenduar, i pabazuar, i pasukseshëm. Në vend të kësaj energjitë e kryeministrit duhen adresuar te marrëdhëniet e tij me opozitën, te heqja dorë nga uzurpimi i të gjitha pushteteve, te lufta kundër trafiqeve e korrupsionit brenda të tijëvë e jashtë partisë së tij, te konsensusi politik i sinqertë dhe pa dredhi me kundërshtarin e tij politik…. te…. gjithçka që ka të bëjë me konsolidimin e demokracisë liberale e finksionale në këtë vend.
Ndërkohë midis Tiranës dhe Beogradit qëndron Prishtina, pra Kosova. Më 1946 Tito ia “mori” me të mirë Hoxhës Kosovën. Në mënyrën e tij perfekte, se “nuk do të na kutojë Serbia”. Tani në Beograd thuhet se “Nuk e njohim Kosovën si shtet të pavarur, sepse nuk na kuptojnë serbët”, duke bërë një ndarje midis politikës dhe qytetarëve serbë. Se do të ndodhë kjo, duket edhe nga deklarimet e zotit Rama, deklarime të pavendosura dhe dyzuese. “Për ne Kosova është një shtet i barabartë me shtetet e tjera në rajon”, shprehet kryeministri shqiptar për gazetën “Danas”. Kushdo do të shtronte pyetjen: Pse për ne?! Pse jo dhe për të gjithë të tjerët, për vendet e BE-së, të NATO-s, të rajonit?! Pse jo dhe për vetë Serbinë?! Mos mes këtyre rrjeshtave Rama dëshiron të justifikojë politikën e bllokimit, të provokimit dhe të destabilizimit të Serbisë ndaj Kosovës, politikë e cila vijon edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit 2013 midis Prishtinës e Beogradit?! Mos ndoshta ai e justifikon mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e shtetit të Serbisë?!
Në këtë kontekst vizita e kreut të ekzekutivit shqiptar në Beograd është më shumë se një vizitë e dështuar. Për më tepër është një vizitë, e cila ia heq mundësinë qeverisë serbe që të shfaqë ndjesë për krimet e mëdha kundër shqiptarëve. Eshtë një vizitë, e cila ndihëmon në vendosjen e paternalizmit të Beogradit mbi Prishtinën e forcimin e ndikimit të të tij në Tiranë. Eshtë një vizitë, e cila kapitalizon lidhjet e vjetra të Shqipërisë me lindjen, si dhe shton shanset për diversion të vazhdueshëm të lindjes në Shqipëri. Shumëkush do të thoshte se “Tashmë jemi një vend i NATO-s dhe kjo është e pamundur”. Por rasti i Greqisë, një vend anëtar I NATO-s që nga vitit 1952, dëshmon se kokën ajo e ka pasur e vazhdon ta ketë në lindje e trupin në Perendim. Ne nuk duam një vend të tillë. Shqiptarët duan një vend të merituar në dy komunitetet më të mëdha perendimore, në dy aleancat më demokratike të botës e njëkohësisht më të fuqishme të globit, në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Ndërkaq ka njerëz që thonë gjithashtu se “ Edhe Serbia është për integrimin në BE”. Por politika e saj është plotësisht e ngjashme me politikën greke, duke tentuar që kokën ta mbarë në Moskë dhe trupin në Bruksel. Madje duke u bërë urë lidhëse midis Moskës e Brukselit, sigurisht në ndihëmë të ambicieve të Kremlinit në Ballkan. Nëse zoti Rama përmend integrimin rajonal si kusht të integrimit europian, kjo maksimë vlen më shumë për Serbinë, të njohur tashmë si destabilizuese e raporteve ndërshtetërëore në rajon, sesa për Shqipërinë, e njohur dhe e çertifikuar si restauruese e politikave konstruktive në marrëdhëniet rajonale.
Përfundimisht mund të shkohet në përfundimin se një vizitë e kërkuar me ngulm për në Beograd, një vizitë nështruese dhe faljekërkuese pa bërë asnjë faj, është dhe mbetet një vizitë e motivuar nga nostlagjia për marrëdhëniet e vjetra midis të dy vendeve tona. Makiazhi i tregut të lirë, i lidhjeve të ngushta rajonale e të tjera si këto, janë thjesht produkti për tregun mediatik, për të prodhuar moderacion, nga një personalitet politik, i cili vetëm moderacion në sjelljet e tij me partnerët e brendshëm, duke filluar te partia qe drejton e përfunduar te opozita, nuk prodhon.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Një vizitë e kërkuar si nostalgji për Beogradin

Autoritet belge nderojne kolonel Muharrem Bajraktarin

April 27, 2014 by dgreca

Kryetari i Schaerbeekut Bernard Clerfayt ia akordoi Genc Muharrem Bajraktarit pllakën përkujtimore e cila do vehet në një lagje të Skaerbekut.Aty ishin prezent edhe ambasadorët Ilir Tepelena (Shqipëri), Mimoza Ahmetaj (Kosovë),Efremov Maqedoni). Aktivitetin e organizoi Burim Demiri keshillatar komunal i Skarbekut bashke me dy vellezerit Ramadan dhe Suleman Gjana
Më 26 prill 2006, prej ores 11 te vorrezat e Skarbekut ishin 100 veta u mbaj nje tubim perkujtimor per Muharrem Bajraktarin ku fjale rasti majti Sulejman Gjana kryetar i partise Legalitetit ne Shqiperi si dhe lutje fetare ne gjuhen shqipe u bene nga dy imamet e xhamive shqiptare ne Bruksel: Tasim Ramadani dhe Nuhi Shaqiri. Aktiviteti kryesor u mbajt prej ores 13, në sallën e madhe të komunës Skarbek të Brukselit, me inisiativën e politikanit belgo-shqiptar Burim Demirit, i cili është këshilltar komunal në komunën e Schaerbekut si dhe dy vëllezërve Ramadan Gjana ( dekan i Fakultetit të shkencave politike në Bruksel) dhe Sulejman Gjana kryetar i Partisë së Legalitetit në Shqipëri, u organizua zbulimi i pllakës përkujtimore të kolonel Muharrem Bajraktarit. Pllaka përkujtimore iu dorezua Genc Bajraktarit, djalit të Muharrem Bajraktarit i cili kishte ardhur nergut nga SHBA per kete aktivitet. Pllaka perkujtimore per kolonel Muharrem Bajraktarin do te vendoset në një lagje të komunës Schaerbeek të Brukselit ku ka jetuar Muharrem Bajraktari. Ky ishte një aktivitet shumë i mirë i organizuar nga autoritetet lokale të komunës Schaerbek të Brukselit nën drejtimin e kryetarit Bernard Clerfayt i cili njëkohësisht është edhe deputet në parlamentin belg dhe nënkryetar i partise frankofone belge FDF. Të pranishëm në sallë ishin mbi 300 veta belg dhe shqiptarë.
Tubimin e drejtoi shumë mirë moderatori politikani belgo shqiptar Burim Demiri, ai në fillim tha “se jemi mbledhur sot këtu për ta përkujtuar kolonel Muharrem Bajraktarin, përshendes kryetarin e komunes Skarbekut Bernard Clerfayt dhe ministrat e qeverise lokale te Skarbekut: Cecile Jodogne, Bernard Guillaume, Michel De Herde, Grimbergen si dhe ambasodoret: Ilir Tepelana ( Shqiperi), Mimoza Ahmetaj (Kosove) dhe Llazar Elenovski( Maqedoni).
Muharrem Bajrakari ishte luftetar i dalluar kunder fashizmit italian e gjerman dhe kundershtar i pakompromise i komunizmit”. Më pas Burimi ia dha fjalën kryetarit komunës Skarbekut Bernard Clerfayt. (Ti perkujtojme lexuesit se në Skarbek jetojne mbi 4000 shqiptare pra me shume se ne çdo komune tjeter ne Belgjikë.)
Kryetari i Skarbekut Bernard Clerfayt e falenderoi Burimin për fjalen e dhene dhe tha ” Tradicionalisht Skarbeku ka qenë tokë e mikëpritjeje per te gjithe qe vinin me jetuar ketu me ne. Në këtë kontekst e kemi pritur edhe kolonel Muharrem Bajraktarin si një luftëtar i madh kunder fashizmit dhe komunizmit, ai poashtu u angazhua per te drejtat e njeriut dhe ne për këtë me respekt e kujtojmë. Ai me shqiptarët e tjerë i mbrojti hebrenjte ne Shqipëri para dhe gjatë Luftës se Dytë Botërore. Shtrohet pyetja çka do me thënë fjala Bajraktar në gjuhën shqipe, dmth. ai i cili është bartës i flamurit, ai që arsimon, ai që shkon në luftë per vendin e vet dhe pra Muharrem Bajraktari me punen dhe jeten e tij e nderoi mbiemrin e tij. Ai e njohu jetën e mërgimit për shkak të komunizmit dhe erdhi jetoi ketu ne Skarbek me neve ku ka shume shqiptare te ardhur para me shume se 50 viteve. NEVE JEMI KRENARE ME SHQIPTARET DHE PUNOJME BASHKE KETU NE SKARBEK, i cili eshte vend i hapur mikeprites dhe i ofron respekt çdo kujt.” Më pas moderatori Burim Demiri ia dha fjalën ministrit ne qeverine lokale te Skarbekut, z. Bernard Guillaume, i cili e mbajti referatin kryesor mbi kolonel Muharrem Bajraktarin. Bernard Guillaume tha: ” Muharrem Bajraktari ka lindur me 15.05.1894 nê Shqipëri, Ai studioi akademinë ushtarake në Viene te Austrise. Në fillim ishte komandant i xhandarmerise në rrethin e Kosoves, ishte bashkeluftetar i Previzit. Muharrem Bajraktari gjatë viteve 1925-1934 si udhëheqes i policise e vuri rendin dhe qetesine në Shqipëri.Nga mbreti shqiptar Ahmet Zogu ishte caktuar komandant xhandarmerie per Veri te Shqiperise, pune qe e kreu me sukses. Me vone ai u nda nga Zogu. Me pas ai doli ne ekzil ne Jugosllavi France (Parise dhe Belgjike. Duhet theksuar se kolonel Muharrem Bajraktari me 7 prill 1939 e kishte refuzuar postin e ministrit te brendshem ne qeverine e formuar bashke me italianet. Ai Muharrem Bajraktari luftoi kunder okupatoreve Italiane ne Shqiperi si edhe kunder gjermaneve dhe komunisteve. Ne vitin 1943 Muharrem Bajraktari kishte 500 luftëtare ne rrethin e Kukesit per ti luftuar fashizmin italian e gjerman.Ai ishte një nacionalist dhe dha kontribut për çlirimin e Shqiperisë dhe e luftoi rexhimin komunist, te cilet donin ta dominonin te vetem Shqiperine qysh atehere. Ai i humbi dy djem te tij ne lufte Hamdiun dhe Abedinin. Me 1946 ai e lëshoi vendin s’pari iku ne Jugosllavi, Greqi dhe me 1953 vjen në Belgjikë ku jetoi deri 21 janar 1989.Pra Muharrem Bajraktari ishte luftetar i lirise dhe kunder komunizmit, ai jetoi 96 vite. Fatkeqesisht nuk e pa rëximin e komunizmit ne Europe dhe Shqiperi. Ai është varrosur ne komunën Schaerbek ku edhe ka jetuar, une isha udheheqes i departamentit gjendjes civile dhe ia kam nenshkruar certifikaten e vdekjes sepse perndryshe e kam njohur sa ka qene gjalle. Shqiperia dhe shqiptaret jane vend i dashur per ne sepse ju kemi ju shqiptareve ketu ne Skarbek. Me kujtohet se kolegu yne Jean Noël e dha lejen per vendosjen e bustit Skenderbeut ne vitin 1968 ne komunen Skarbek te Brukselit. Ju faleminderit shume zotri Burim Demiri, Ramadan Gjana dhe Suleman Gjana per kete inisiative qe e morret per perkujtimin e kolonel Muharrem Bajraktarit. sepse neve e kujtojme si hero shqiptar, si hero i humanitetit dhe si hero i lirise” e përfundoi fjalen e tij Bernard Guillaume.
Me pas e morri fjalen Suleman Gjana Kryetar i Partise Legalitetit ne Shqiperi,i lindur dhe shkolluar ne Belgjike ku ka punuar edhe profesor universiteti per studime postdiplomike. Sulejmani pos tjerash tha :” Ju falenderohemi shume komunes Skarbekut per kete pllake perkujtimore, sepse me kete akt humanitar ju na keni nderuar shume te gjithe komunitetin shqiptar ne Belgjike. Ai foli per personalitetin e fuqishem te Muharrem Bajraktarit veçanrisht si nacionalist shqiptar dhe luftetar i madh kunder fashizmit dhe komunizmit. Ata komunistet deshen ta eliminojne Muharrem Bajraktarin,ia burgosen ne fillim edhe babain, gruan e djalin. Muharrem Bajraktari e synonte çlirimin dhe bashkimin e kombit shqiptar. Jemi te lumtur sepse sot me neve ketu eshte Genci djali i Muharrem Bajraktarit i cili jeton ne SHBA.. Duhet theksuar se Muharrem Bajraktari ne Belgjike e gjeti mikepritjen nga shteti dhe populli belg ku edhe u frymezua edhe me shume per te luftuar per parimet universale lirine, respektin,nderin dhe paqen qe i shijoi ne Belgjike. Zoteri kryetar Clefayt duke ia dhene kete pllaken perkujtimore per Muharrem Bajraktarin ju na nderoni te gjithe shqiptareve.
Ju jeni mik i dashur i shqiptareve, ne kete 25 vjetor te vdekjes Muharrem Bajraktarit ju po na nderoni te gjithe komunitetin shqiptar ju faleminderit.Do tu jemi mirenjohes per gjithenje zoteri Clerfayt.” Ai me pas shprehi çudi se si sot ne Shqiperi po dekorohen komunistet per merita qe nuk i kane si Shefqet Peçi, M Parllaoku etj.Me pas foli pak edhe mbesa e Bajraktarit nga familja Lita, e cila shprehu merzine pse Bajraktari nuk pati fatin ta shoh Shqiperine e çliruar nga komunizmi.
Dhe ne fund moderatori Burim Demiri e ftoi kryetarin e Skarbekut Bernard Clerfayt t’ia dorezoj pllaken perkujtimore te Muharrem Bajraktarit djalit te vet Gencit. Ne pllaken perkujtimore ne gjuhen frenge shkruan: Ne kujtim te kolonel Muharrem Bajraktarit 05.05.1894-21.01.1989, ai ka qene njeri nga udheheqesite kryesor i rezistences shqiptare gjate Luftes Dyte Boterore. Ai ka jetuar ne teritorin e komunes Skarbek nga 1958 gjer ne vdekje me 21 janar 1989. Kjo pllake perkujtimore i dedikohet atij (M.B.) me rastin e 25 vjetorit te vdekjes se tij.”.
Dhe ne fund fare te themi se kete aktivitet e udhehoqi shume mire moderatori i saj keshilltari komunal i Skarbekut z.Burim Demiri i cili bashke me kryetarin Bernard Clerfayt eshte edhe kandidati i partise FDF per deputet te rajonit Brukselit ne zgjedhjet e 25 majit 2014 ne Belgjike.Poashtu duhet perkujtuar lexuesit se kandidat per deputet te rajonit Brukselit jane edhe Amet Gjana PS, Elona Zhana CDH si edhe Nermine Kumanova PS kandidate per rajonin e Valonise ne Namur. Votues belgo shqiptare ka me i zgjedhur edhe 5 deputet jo 4, por varet vetem sa punojne kandidatet per deputet me i afruar votuesit dhe me pas me na ndihmuar kur te zgjidhen ne aktivitetete ndryshme dhe kontakte me autoritet belge siq ishte rasti i sotem ne perkujtimin e Muha rrem Bajraktarit apo pllaka perkujtimore per Enver Hadrin e zbular para deres se shtepise se tij shtator 2012 nga komuna Saint Gilles e Brukselit. (Ferid SHEHU)

Filed Under: Mergata Tagged With: Autoritet belge, Muharrem Bajraktarin, nderojne kolonel

Njoftim i Kryetarit te Vatres

April 26, 2014 by dgreca

Ka mbërrijtë çertifikata e riaktivizimit të regjistrimit origjinal të Vatrës, “REVIVAL CERTIFICATE” dhe mban datën 23 prill 2014.
Siç dihet, për arësye historike kemi insistue që të mos bajmë regjistrim të ri, por të riaktivizojmë regjistrimin e vitit 1912, që kështu të pasqyrohet jeta pa ndërpremje e kësaj organizate famëmadhe, prej lindjes deri në ditët tona dhe, pa ndërpremje, të eci drejt së ardhmes.

Riaktivizimi asht ba me efekt si të mos ishte nderpre kurrë veprimtaia e saj: “….said corporation is revived for all purposes and without limitation of timewith the sam powers, duties and obligations as if the corporationhad not been revoked or disolved.”

Filed Under: Vatra Tagged With: i kryetarit, Njoftim, te Vatres

Atë Lombardi: Benedikti XVI do ta bashkëkremtojë me Françeskun Meshën e Shenjtërimit të dy Papëve

April 26, 2014 by dgreca

Nata e shenjtërimit, në Shën Pjetër e rrethina, pushtuar nga turma vigane, në pritje/

Benedikti XVI do të bashkëkremtojë me Papën Françesku Meshën e Kanonizimit të dy Papëve, nesër, në Sheshin e Shën Pjetrit. Njoftimin, shumë të pritur, e dha drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, në fillim të takimit të fundit në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Ja edhe fjalët e atë Lombardit për Meshën e nesërme në Sheshin e Shën Pjetrit:
“Papa i nderit Benedikti XVI e pranoi ftesën dhe e njoftoi Papën Françesku se nesër paradite do të jetë i pranishëm në kremtim e edhe se do të bashkëkremtojë. Kështu, do të jetë bashkëkremtues, gjë që nuk do të thotë se do të jetë edhe në elter. Me sa duket, në elter do të jenë kardinajtë Sodano e Re e pastaj, kardinali Xhivish, kardinali Valini dhe ipeshkvi i Bergamos. Papa i nderit do të jetë me kardinajtë e ipeshkvijtë, më të djathtë të tremes e do të na gëzojë të gjithë me praninë e tij”.

Nata e shenjtërimit, në Shën Pjetër e rrethina, pushtuar nga turma vigane, në pritje

Shenjtërimi i Gjonit XXIII e Gjon Palit II ka mbledhur në Romë një turmë të pafundme njerëzish. Posaçërisht sot paradite zona e Shën Pjetrit dhe rrethinat janë bërë vend kalimi e pushimi për dhjetra mijëra njerëz, ndërsa qindra mijëra të tjerë priten gjatë orëve të ardhshme e gjatë gjithë natës.

E shtunë, 26 prill 2014. Udha e Pajtimit, ora 12.
Pararoja me përfaqësues nga të gjitha racat, etnitë, kombet, ngjyrat, moshët, vërshon si përrua i pandalshëm ndërmjet Kështjellës së Shën Engjëllit e Sheshit të Shën Pjetrit, epiqendër e Ngjarjes së madhe, që me korridoret, parmakët, karrikat, lulet, përgatit petkun për festën e nesërme, duke u bërë vend gjithë mysafirëve, të afërt e të largët, ndërmjet të cilëve, 80-100 mijë të ftuar në festë kanë arritur tashmë e po shuajnë kureshtjen duke vizituar monumente, dyqane e tezga. Ndërsa spikasin “organizatorët” e festës, kasketat e bardha të të ngarkuarve për montimin e skelave, kullave, maksiskermave; devizat e Forcave të rendit; të Kryqit të Kuq; të Mbrojtjes Civile; të vullnetarëve me detyra të ndryshme, të gjithë në gjendje alarmi për të vënë në rend dyndjen e turmës, që nesër do t’ia kalojë shumë kësaj së sotmes. Nesër ‘organizatorët’ do të jenë përballë murit të ngjeshur të një milion njerëzve, të gjithë me dëshirën për të qenë sa më pranë elterit. Sa më pranë dy Papëve Shenjtorë.
Kolonati e rrugët rreth e qark përgatiten tashmë për të përballuar një natë të jashtëzakonshme, për mijëra besimtarë, që do ta kalojnë këtu, në lutje. Mijëra të tjerë do të mund të luten në Kishat përreth Vatikanit, edhe ato gjithë natën hapur, në pritje. Në kishën e Shën Anjezes në Agone; Kishën e Shën Markut në Kapitol, të Shën Marisë në Valiçela, të Shën Gjon Pagëzuesit të Fiorentinëve, përveç bazilikave të Shën Gjonit në Lateran e të Shën Palit jashtë Mureve. Roma do të jetojë sonte një “natë të bardhë” pa gjumë, në lutje, organizuar nga Vikariati, në bashkëpunim me lëvizjet e bashkësitë, që do t’i drejtohet Zotit në të gjitha gjuhët.
Të orientohesh, në këto orë, nuk është aspak e lehtë, prandaj Radio Vatikani, së bashku me ente të tjera, ndërmjet të cilave, Agjencia Roma Shërbime për Lëvizjen, Policia e Romës Kryeqytet, Aci e Rajoni Lacio, vijojnë të transmetojnë, që dje e deri nesër, njoftime të vazhdueshme për mjetet e transportit, trafikun publik e atë këmbësor, në italisht, anglisht e polonisht, drejtuar shtegtarëve, turistëve, gazetarëve me kombësi të ndryshme. Në Romë, me frekuencë 105 FM; në mbarë Italinë, me Dab+ për radiot dixhitale, por edhe përmes satelitit Eutelstat, veç adresës radiovaticana.org. Por shenjë e kufirit hipermedial do të jenë posaçërisht 500 stacione televizive të 20 kombeve, që nesër do ta transmetojnë drejtpërdrejt ceremoninë, në disa raste për herë të parë, në 3D. 32 telekamera (13 nga të cilat në 3D, gjashtë në 4k Ultra Hd), të prodhimit ndërkombëtar, janë vendosur nga Qendra Televizive e Vatikanit, Sky Italia, BSky e Sky Deutschland.
Edhe ju, të dashur shtegtarë shqiptarë të faqes sonë të internetit, mund të bashkoheni shpirtërisht në natën e pagjumë të Romës, në lutje e në pritje, me besimtarët e Sheshit të Shën Pjetrit.(Radio Vatikani)

Filed Under: Rajon Tagged With: Ate lombardi, Papa Frabcesu, Shenjterimi i dy Papeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT