• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2014

Ka nisë rrugëtimin në Nju Jork – Festivali i Filmit Shqiptar

October 4, 2014 by dgreca

* Të pranishëm edhe artistë të njohur nga Shqipëria e Kosova: Artistja e Popullit Tinka Kurti, Kosova Çun Lajqi, Diellza Kolgeci,si dhe personalitete shqiptare të diplomacisë, politikës dhe biznesit.
*Filmat do të gjykohen nga një juri, në përbërje të së cilës janë Gilberta Lucaj, regjisori Lee Percy, dhe Paul Kurti…
Nga BEQIR SINA – New York City
CHELSA NEW YORK CITY : Festivali i tretë i Filmit Shqiptaro – Amerikan i ashtuquajtur Albanian American Festival në metropolin e botës Nju Jork , ka filluar me shfaqjen e premirerave të saj mbrëmë më 2 tetor dhe përfundon të Ejten me 9 tetor. Për tetë ditë, sa do të zgjasë festivali, në qendrën e kinemasë SVA – Nju Jork, do të shfaqen me dhjetëra filma, të metrazhit të gjatë, metrazhti të shkurtër, dhe filmat dokumentar, cilët do të konkurrojnë për shtatë çmime.
Ky aktivitet që realizohet për të tretin vit me rradhë dhe synon të sjell së bashku për një javë disa nga regjizorët dhe aktorët më në zë të kinematografisë mbarë shqiptare, nga Kosova, Shqipëria, dhe të gjitha trevat shqiptare.
Një traditë e bukur, kjo e cila ka lindur vitet e fundit në Nju Jork dhe quhet Festivali i Filmit Shqiptar në SHBA., e realizuar falë përpjekjeve të komunitetit të artistëve shqiptarë, në SHBA, po bënë atë që sallat e kinemave, të kryeqendrës botërore të kinematografisë – Nju Jorkut, t’i dedikohen edhe këtë vit kulturës, artit dhe vizionit të talenteve shqiptarë në trojet tona e kudo nëpër botë.
Ndërsa, artdashësit e shumtë shqiptarë dhe amerikanë të përjetojnë për tetë ditë emocionet e filmave më të rinj dhe më cilësorë të cilët do të shfaqen në shqip dhe anglisht në qendrën e kinemasë SVA – Nju Jork,
Festvali nisi rrugëtimin e tij me me filmin nga Kosova “Heroi” i Luan Kryeziut
Pjesëmarrës në festival janë artistë të ndryshëm shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, SHBA-ja apo hapësira të tjera ku ata jetojnë. Festivali nisi mbrëmë në qendrën e Kinemasë SVA me një kolazh të filmave më të mirë shqiptarë gjatë këtyre viteve, me shfaqjen e filmit “Heroi” të regjisorit nga Kosova, Luan Kryeziu dhe interpretimin e aktorit Çun Lajçi.
Gala e hapjes dhe mbrëmjet para shfaqjes së filmave u dha mundësinë pjesëmarrësve të takojnë figura të shquara të kinemasë shqiptare, e asaj botërore, të krijojnë lidhje me distributorë filmikë të huaj ose thjesht të bëjnë fotografi me njerëz të famshëm të artit – kulturës, politikës, diplomacisë dhe shou-biznesit.
Ndërkohë, në hapjen e Festivalit të 3të të Filimit Shqiptarë në Nju Jork, morën pjesë shumë personalitete, si aktorët e mëdhenjë : Artistja e Popullit Tinka Kurti, aktori me rrenome nga Kosova Çun Lajqi, aktoria Diellza Kolgeci, asembleisti i parë shqiptarë në asamblenë e Nju Jorkut, zoti Mark Gjonaj, përfaqësuesit e shteti të Shqipërisë e Kosovës ambasadori Ferit Hoxha, Konsulli i Kosovë Korab Mushkolaj, dhe shume figura të tjera nga bota e filmit dhe shou biznesit, veprimtar të dalluar të komunitetit; kompani R.E.M., zoti Harry Bajraktari dhe Giorgio Kolaj si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes se Prizrenit Tomë Mrijaj, nga Kosova, Prof. Dr. Muhamet Shatri, zyrtarë i lartë i Ministrisë së Diasporës për Grumbullimin e Lëndës Arkivore dhe Muzeale dhe njëherazi president i Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit”.
Festivalin e hapi drejtori i AAFF aktori Ariot Myrtaj – i cili tashmë është bërë një figurë e njohur dhe e dashur në komunitetin shqiptar. Ai është aktori energjik dhe i talentuar nga Kosova – i cili nuk ngurron të përkrahë e të marrë pjesë në projektet e shqiptarëve të tjerë këtu në Nju Jork, e më gjerë.
“Ky kryeqytet i botës – me madhështinë e tij – qytet “zhurmaxhi”, dhe me shumë ngjyra me plotë jetë, dhe me një botë të tërë në miniaturë, për tre vjet me radhë me bukurin e artit të filmagrafisë po flet edhe gjuhën e ëmbël dhe të bukur shqipe, e ngjyrysor me ngjyrat kuq e zi” u shpreh të fillim të fjalës së tij Arioti.
Duke shtuar se :”Ky festival dhe pjesmarrja e juaj në këtë festival – i bënë një nder të veçantë vendit tonë – spese në këtë kryeqendër botërore, në këtë qytet shumë të bukur – jemi duke promovuar kulturën e artit tonë të bukur, nëpërmjet kinematografisë shqiptare”
Ai vuri re se arti e kultura shqiptare nuk kishin një nga elementët më kryesorë për përfaqësimin e tyre dinjitoz në botë: vëmendjen e artdashëve të huaj dhe mbarë shqiptarë, se sa një festival të këtill mbarë shqiptarë. Ndërsa, më tej faleminderoi përzemërsisht duke i dhënë secilit prej stafit të tij meritat e tyre, për ta bërë këtë festival gjithëshqiptar – pra “për të bashkuar grupe të tjerë aktivistësh të motivuar vetëm nga dëshira e mirë – tha Myrtaj – për të bërë diçka pozitive për komunitetin, duke faliminderuar Ministrin e Kulturës së Kosovës, dhe Konsullatës së saj- Misionin e Shqipërisë, si edhe përkrahjen e biznesmenëve largpamës me origjinë shqiptare. “Këto përpjekje, tha ai të gjithanshme, sjellin edhe këtë vit festivalin e shumëpritur të filmit shqiptar”.
Artistja e Popullit Tinka Kurti thotë se :”Me thënë të drejtën jam e befasur me këtë festival dhe jamë shumë e lumtur që shqiptarët e Amerikës – që kan arritur të mbajnë një festival të till – të kinematografisë shqiptare në Nju Jork, një festival kaq të bukur me një publik kaq të madh natyrisht që është një mrekulli për të gjithë ne shqiptarët!” tha Kurti.
Kurse, Prof. Dr. Muhamet Shatri, një zyrtarë i lartë i Ministrisë së Diasporës për Grumbullimin e Lëndës Arkivore dhe Muzeale dhe njëherazi president i Shoqatës Mbarëshqiptare “Trojet e Arbërit”, do ta quante Festivalin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe një arritje tjetër e shqiptarëve të Amerikës, në fushën e artit e kulturës shqiptare i cili ngërthen një fakt një festival mbarë shqiptarë, mbasi është festivali që i përfshin dhe i përfaqason të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.
“Pra, ky festival tha professor Shatri, ka të simbolizuar në ngerthën e saj – atë, aspiratën e mbarë kombit tonë “Bashkimin e të gjithë Shqiptarëve”, dhe shtoi se ne kemi parë shpesh herë filma amerikan të cilët na kan inkurajuar gjithmonë, me kryeheronjët e tyre, që kan luftuar për të drejtën dhe mbrojtejn e tyre, por tani erdhi koha të shohim edhe filmat tanë në SHBA, vendin aleat dhe mik i përjetshëm i shqiptarëve, sidmos për atë që bënë SHBA – për çlirimin, lirinë e pavarësinë e Kosovës, tash po na japin të njëjtin frymëzim- ”
Natyrisht, që dëshirojë me shtue tha professor Shatri se ” Festivali i Filmit Shqiptar në SHBA, kjo kolanë e përzgjedhur e filmave shqiptarë, jo pa qëllim mendojë është hapur me filmin “The Hero” – ku në qendër të filmit është vendosur një hero i luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës ndaj serbëve, për të treguar atë sesi edhe SHBA – kan vepruar me heronjët e tyre, kur erdhi koha në atë që simbolizon aspiratat e popujve që luftojnë për liri, për të jetuar në paqe, demokraci dhe prosperitet, bazuar në vlerat e përbashkët të lirisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të drejtave të njeriut”, ka një domethënie të vërtet.
” Gjithashtu, ky festival vijojë profesro Shatri mes shumë të tjerash është për të mos harruar kurr Kosovën atë çfarë u bë për lirinë e popullit të Kosovës, luftën e UÇK-së, dëshmorët, mijëra civilë të vrarë, ata mijëra që u zhdukën, atë shkatërrim total – sakrificën e popullit të Kosovës për çlirimin e vendit, kontributin e bashkësisë ndërkombëtare, e veçanërisht ish-presidentit të SHBA-së, Bill Clinton, George W. Bush dhe administartës së Preidentit Obama”
Për gazetën “Shqip” dje Violana Murataj thotë se “Mendoj se është një nga iniciativat më të mira për promovimin e artit dhe artistëve shqiptarë jashtë vendit të tyre”, thotë Violana Murataj, e cila është konkurrente në këtë edicion, në zhanrin e filmit dokumentar me filmin “Ditëlindja”. Murataj jep një histori të vendit, i cili është pushtuar nga bunkerët gjatë komunizmit. Rreth 800 000 bunkerë ndodhen në vendin e vogël në pjesën perëndimore të Ballkanit. Bunkerët janë simbol i qëndrimit totalitar, që teksa i sheh sot të sjellin në mendje luftën ndaj armikut dhe tmerrin. Në 25-vjetorin e lindjes së saj, regjisorja ka vendosur ta bëjë ditëlindjen në bunker. Ajo do të përballet me makthin që përçojnë nga jashtë këto krijesa. Regjisorja nuk do t’i shohë me frikë, por do të krijojë jetë brenda tyre. Duke shkuar tej në të shkuarën, Violiana i bën bunkerët pjesë të realitetit bashkëkohor, dhe jep një këndvështrim si duhen parë ato tani.
Kjo gazetë shkruan se sot, në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër dhe dokumentar, do të konkurrojnë filmat “Oqean” (Shqipëri), “Kadenca” (Kosova), “One Eye Shut”, (Shqipëri / SHBA) nën regjinë e Andamion Muratajt, ku interpretojnë Luan Bexheti dhe Anisa Dema, “Jetë të riciklueshme” nën regjinë e Blerina Goces.
Në ditën e tretë, në ekranin e festivalit, sipas saj në rubrikën “Retrospektivë”, do të shfaqet filmi “Përrallë nga e kaluara” me regji të Dhimitër Anagnostit. Narracioni i komedisë “14 vjeç dhëndër” të A. Z. Çajupit, ku tregohet historia e martesës së Gjinos 14-vjeçar me Marigonë 20-vjeçare, është një ndër prodhimet më të mira të kinemasë sonë.
Nuk do të mungojnë gjatë këtyre ditëve (festivali zgjat deri më 9 tetor) edhe diskutimet mbi situatën kinematografike sot. Një temë e zgjedhur nga organizatorët është ndikimi që ka pasur lufta dhe komunizmi në filmin artistik shqip.
Pjesëmarrës në këtë festival është edhe filmi “Amel” nën regjinë e Morea Raça. Filmi bën fjalë për aktoren Amel, e cila e provon fatin në një audicion filmi të një produksioni ndërkombëtar. Ajo arrin të kualifikohet dhe të marrë një rol në këtë film, por më vonë i shfaqen pengesat në rrugëtimin e saj. Në film luajnë aktorët: Makfire Miftari, Bekim Mulaj, Veton Osmani, Hazir Haziri, Shengyl Ismajli, Arvanit Krasniqi.
Regjisorja Morea Raça me filmin “Amel” ka marr Çmimin Special të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Fano. Një tjetër film konkurrues është dhe ai me titullin “Shqiptari”, ku interpreton aktori Nik Xhelilaj, nën regjinë e Johannes Naber. Interesante është dhe pjesëmarrja e filmit “Besa” me regji të Rachel Goslins, i cili flet për hyrjen e nazistëve në Shqipëri.
Ky festival që në dy vitet e para të tij organizohej nën emrin Java e Filmit Shqipëtar në SHBA nga Ariot Myrtaj dhe Mrika Krasniqi, duket se nga “mosmarreveshjet” mes tyre, kan bërë që këtë vit do të kemi dy organizime të njëjta pra : Festivalin e Filmit Shqipëtar nën organizim të Ariot Myrtaj që tashmë ka filluar mbrëmë dhe do të kemi edhe Javën e Filmit Shqipëtar, nën organizim të Mrika Krasniqit që do të mbahet po në Nju Jork dhe në të njëjtën kinema në 21 deri 27 Nëntor 2014.
Filmat do të gjykohen nga një juri, në përbërje të së cilës janë Gilberta Lucaj, regjisori Lee Percy, dhe Paul Kurti.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Festivali i filmit, filloi, New York

GËZUAR KURBAN BAJRAMIN!

October 4, 2014 by dgreca

Komuniteti musliman shqiptar ne SHBA po feston Kurban Bajramin. Kjo festë përvecse në familjet muslimane shqiptare, u kremtua me falje nëpër qendrat Islame shqiptare në Kuins, Bruklin, Nju Xhersi, Micigan, Cikago et. Bashkëpunëtori i Diellit, Gazetari i TV 21, Halil Mulaj, e ndoqi nga afër faljen e Kurban Bajramit në Qendrën Islame Shqiptaro-Amerikane në Queens, dhe na dergoi fotografi nga falja. Ne ligjerimin e tyre, Imamët e kesaj qendre Jusuf Balaj e Edin Gjoni,gjatë lutjeve, folen per madheshtine dhe rendesine e festes se Kurban Bajramit dhe percollen mesazhe solidariteti, dashamiresie dhe mireqenje. U kujtua edhe një herë përvoja e cmuar e kombit shqiptarë në vëllazërimin e tre besimeve tradicionale. Është kjo arsyeja që gjatë kësaj dite familjet muslimane shqiptare marrin urime dhe presin vizita nga baskëatdhetarët e tyre katolikë e orthodoksë.
Me këtë rast Vatra ndhe Gazeta Dielli, urojnë të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, në trojet amtare a në disaporë: GËZUAR KURBAN BAJRAMI!

Filed Under: Komunitet Tagged With: dielli, Halil Mulaj, Imam Edin Gjoni, Jusuf Balaj, V, Vatra

DR. RUKI KONDAJ, SHPIRTI I BASHKËSISË SHQIPTARO-KANADEZE

October 3, 2014 by dgreca

Nga MARJANA BULKU/
Nuk është 8 Mars,por unë do të shkuaj për një GRUA të cilën nuk e njoh nga afër por përmes një interviste rutinë në televizion. Nuk e kam dëgjuar të flasë kurrë për vete,por e kam parë të jetë aktive dhe e palodhur në një komunitet shqiptarësh që jetojnë në Kanada ku ajo shërben si katalizator bashkimi, argëtimi, kauzash që mbartin ngjyrat e flamurit por edhe problematikën disangjyrëshe të kombit tonë.
Nuk ka nevojë të jetë 8 Mars kur duam që protagoniste të medias, festës,protestës të jetë një grua. A nuk janë ato protagoniste në jetët tona , duke filluar nga ajo familjare dhe më gjerë?!
Dhe ajo për të cilën dua të shkruaj është njëra që papritmas më ktheu pas në kohë, nëpër ato qindra faqe studimi ku unë si një Sizif përpiqesha të strukturoja ato ;gratë Lider, që mjedisi shoqëror,kulturor, politik, ekonomik, infrastrukturor i nxit dhe i frenon, i lind dhe i zhduk,,,duke i përplasur nëpër ”Glass Ceiling” si për t’ju thënë se aktiviteti juaj për shkak të gjinisë ka kufinj dhe barriera .
E ”takova ” atë nëpër kronikat e pafundme televizive , fliste për ”Bashkësinë shqiptaro-kanadeze ” që ajo drejtonte pa u lodhur, pa u ndalur, me një pasion që kishte rrënjë të thella në mirëarsimimin e saj por edhe në përkushtimin si prej nëne .Rrëfente sesi prezenca e një gruaje rrit pjesmarrjen sepse pas saj vijne të rinjtë, gratë të moshuarit…Kështu shpjegonte Ruki tërë modesti ,por unë thellë- thellë kuptoja dhe bindesha se nuk është gjinia e saj arsyje e gjithpërfshirjes, jo. Eshtë aftësia e saj për ti dëgjuar të gjithë, mjeshtëria e organizimit , komunikimit. Kur më fliste për promovimet e shumta të librave , më krijonte përshtypjen se kish studjuar me mua në filologjik për letërsi apo linguistikë,por jo , më vonë marr vesh se ajo ka studjuar Farmaci dhe kërkimi shkencor e udhëheq edhe në aktivitetin e saj njerëzor.
Ruki Kondaj, kishte thyer kështu një tabu nëse mund ta konsideroj të tillë faktin se si ajo është e para grua që drejton një organizatë 25-vjecare me shqiptarë në Kanada.Ndonëse thellë- thellë mendoj se tabutë nuk thyhen me prezencë,përqindje ,por me modele që realisht transformojnë mjediset politike, ekonomike,kulturore, infrastrukturore për mirë.
Kisha kërkuar gjatë studimit tim modele të tilla, kisha grumbulluar shifra, qasje, e situata ku gruaja nuk sillte dot asnjë ndryshim edhe pse ishte protagoniste e ekranit me fjalën ,prezencën, ngjyrat e veshjeve , krehjet e flokëve…natyrisht edhe këto janë pjesë e pushtetit të dominimit ,por përkohshëm ose më saktë të gjitha këto për shkak të detyrës.Ka dicka tjetër që i jep përmasën e vërtetë liderit , ajo fillon tek familja dhe përfundon tek mjedisi shoqëror .Dhe kur kjo trajektore ruan një balancë, kemi lider/lidere.
Ndoshta lideret lindin si të tilla dhe ndofta familja është mjedisi i parë që i identifikon dhe kur ato shfaqen në jetët tona , zhduken apo mbeten përjetësisht në kujtesë, e ke të vështirë ti zëvendesosh ,,,dhe kur vërtet kupton se modeli i tyre është i papërsëritshëm, atëherë ke zbuluar një GRUA -LIDER .
Pasi bisedova me Rukin ,,,u njoha me 25 vjetët e jetës së një bashkësie shqiptarësh në Kanada, por mbi të gjitha pashë se si shpirti i vullnetarizmit jeton ende në një botë kaq materiale.Më tregon pa u lodhur sesi në shoqatën që ajo drejton 50% janë gra , madje nuk nguron të krahasojë përqindjet në vite, sesi kjo përqindje është rritur progresivisht ,tregon pa u lodhur për veprimtaritë dhe unë edhe pse në distancë lexoj pasionin,,,vetëm pasioni i mban gjallë organizime të tilla e përmëtepër në emigracion. Ajo është shumë vlerësuese ndaj cdo kontributi madje më thotë dicka që ngulitet në mendjen time që ”gratë shqiptare në emigracion janë heroina”….Ka disa praktika pune që meritojnë vemendje të vecantë dhe ndoshta fjala është shumë pak për tjua dhënë përmasën dhe vlerën reale .Nuk foli asnjë fjalë për vete. Asnjë nga fjalitë e saj nuk fillonte me ”unë” .Nuk dija pothuajse asgjë për profesionin, dhe aftësitë e tjera për jetën pa të cilat nuk mund të mbijetosh në vende të tilla ku liri dhe të drejta për të qenë lider ka cdo njeri po ku jo gjithkush ia del të jetë. Dhe kjo nxiti tek unë kureshtjen për të kërkuar më thellë detajet që i japin punës së saj rezultatet.Ashtu e papërtueshme dhe aktive ajo më plotësoi në cast cdo kureshtje duke më dërguar vlerësime që natyrisht të falin krenari dhe e plotësojnë portretin moral dhe intelektual të një njeriu… M’u duk sikur ia kisha dhënë unë, m’u duk sikur ishte dëgjuar pështypja ime , vlerësimi im për të. Nuk kisha nevojë ti shoh,,,ato vlerësime dhe dekorime m’u dukën kaq të natyrshme dhe plotësisht të merituara. Nuk kisha nevojë ti lexoj ,por vetëm të falenderoj që ka sy të vemendshëm dhe mendje të kthjellëta që dijnë ti dallojnë vlerat. Ruki nuk theu vetëm tabutë gjinore ,por tërë kornizat e një studimi ku unë kisha tentuar të ”takoj ”gruan lidere , ti strukturoj cilësitë, sjelljet, që ta kem të lehtë ta gjej nëse ka.
Kur të jetë 8 Mars, natyrisht që modele të tilla duhet të jenë prezente për të frymëzuar dhe modeluar tipare që njeriut i duhen për cdo ditë,por kur ai/ajo zgjedh të jetë publik , ato përbëjnë domosdoshmëri. Më vjen mirë që vlerësimet për të nuk kanë munguar , ndaj dua që ti ndaj dhe shpërndaj për cdo ditë modele pune dhe suksesi ku celës është pasioni, profesioni,shkollimi dhe angazhimi.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Marjana Bulku, Ruki Kondaj, shpirti i Komunitet, shqiptar-kanadez

MIDHAT FRASHËRI-ME RASTIN E 65-VJETORIT TË VDEKJES

October 3, 2014 by dgreca

Gazeta Flamuri: Midhat Frashëri, kryekalorësi i patriotizmës Shqipëtare, nuk rron më: drapëri i vdekjes e çkëputi nga rrethi ynë. Bir i denjë iApostujve Frashëjot të Rilindjes , Midhat Frashëri pasoi besnikrisht gjyrmat e të Parëvet të vet.Ideali i tërë jetës së Tij ka qenë Shqipëria.Punoi gjithnjë për një Atdhe të lirë, popull të lirë, qeveri të lirë.Lindi, rrojti dhe vdiq i varfër: Pasurija më e çmuarshme e Tij ishte Shqipëria, së cilës idedikoi çdo përpjekje, çdo mundim e çdo sakrificë. Sa herë tingëlloi këmbana e rrezikut, Midhat Frashëri u tregua ushtar i devotshëm në shërbim të Atdheut…./
Nga Frank Shkreli/
Më 3 tetor 1949, 65 vjetë më pare, në hotelin Lexington në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, ndërroi jetë i mërguar dhe larg Atdheut, Midhat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit dhe nip i rilindasve Naim Frashëri dhe Sami Frashëri. Unë deshta ta kujtoj këtë përvjetor, natyrisht për vet meritat e këtij burri të madh, trashëgimtar i familjes së madhe rilindase të Frashënlijve, mendimtarit, shkrimtarit, politikanit, dhe mbi të gjitha Shërbestarit të Shqipërisë, siç e quanin bashkohasit dhe bashkluftarët e tij. Unë nuk e ndjejë veten as të denjë dhe as të informuar mirë që në këtë përvjetor të vdekjes së Midhat Frashërit të shkruaj mbi jetën dhe aktivitetin e tij politik dhe atdhetar. Por, po e shënoj këtë përvjetor me një kujtim modest,në emër tëdisa bashkombas të mi, bashkpuntorë të ngushtë të Midhat Frashërit — të cilët nuk janë më — por të cilët i kam njohur dhe me disa prej tyre kam patur fatin e mirë që në rininë timetë punoja me ta tek Zëri i Amerikës, gjatë 1970-ave dhe në fillim të ’80-ave dhe të cilët, besoj se po të ishin gjallë nuk do t’a lenin këtë përvjetor të kalonte pa thënë diçka për mësuesin dhe udhëheqsin e tyre të dashur.
Midhat Frashëri, si themeluesi dhe kryetar i Ballit Kombëtar, për ta ai ishte jo vetëm një udhëheqës politik, por konsiderohej edhe si një udhëheqës shpirtëror, si një shëmbull patriotizmi të vërtetë dhe atdhedashurie të shëndosh. Në ambientin e zyrës ku punoja me këta patriotë, pothuaj nuk kalonte asnjë ditë që njëri ose tjetri prej tyre të mos përmendte diçka nga koha që kishin kaluar me Midhat Frashërin, të cilët si besnikë tij që ishin, ai iu referohej atyre si “djemtë e mijë” . Këta ishin ndër ata që kishin shkuar këmbë për këmbë me Midhat Frashërin, ose siç e quanin shpesh edhe me pseudonimin, Lumo Skendon që ishte bërë si emër i dytë i tij, njërit prej burrave të përmendur të kombit shqiptar. “Lumua ka thënë kështu, Lumua më ka thënë këtë….”, ishte pothuaj një refren i përditshëmi ish-kolegëve të mi, sidomos gjatë pushimeve kur shkonim për kafe, pas transmetimit të programeve në ndërtesën e VOA-s. Kujtimi i tij rrahte në zemërat e tyre dhe ishin të përbetuar që të ruanin porositë e tij dhe të luftonin me dije e me penë për të çuar në vend amanetin e Midhat Frashërit, për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një Shqipëri të Shqiptarëve, siç thonin ata. Ata e bënë këtë, secili në mënyra të ndryshme, deri në fund të jetës së tyre.
Ata flisnin për udhëheqsin e vet, si njërin prej tyre, i cili sipas tyre, ishte i thjeshtë e i dashur me të gjithë — gjithmonë me ta, gjatë luftës nepër borë e shi e të ftohtë, si në fitore ashtu edhe në humbje. Ata kujtonin arratisjen e tyre nga Shqipëria me lundër nepërmjet Shkodrës për të shpëtuar kokën nga Enver Hoxha, kur çlirimi i vendit fatkeqsisht u zëvendësua me sundimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, i cili detyroi që shumë prej bijve më të mirë të kombit të arratiseshin e të merrnin rrugët e botës. Ata kujtonin jetën nëpër kampet e refugjatëve në Itali dhe gjetiu, në gjëndje shumë të vështira të asaj kohe, pa mbështetje dhe pa shpresë, shpesh edhe pa ushqim të mjaftueshëm. Pasi e dinin se isha i lindur në trojet shqiptare nën-ish-Jugosllavinë, kolegët e mi më flisnin shpesh për pasionin e thellë dhe dashurinë që Midhat Frashëri kishte pasurpër Kosovën, dhe përtrojet shqiptare në përgjithësi, theksonin ëndërrën e tij për një Shqipëri Ethnike. Megjithë humbjen politike dhe megjithë vuajtjet nepër rrugët e mërgimit, të gjithë ish-kolegët e mi, pothuaj pa përjashtim, pohonin se megjithë humbjen dhe përball situatës së zymtë të pas luftës, si përfundim i fitores së komunizmit, dhe të ndarjes me familjet e tyre, ndonëse ata vet kishin humbur shpresat, ishte Midhat Frashëri ai, i cili, sipas tyre i frymëzonte ata, u jepte shpresë, u jepte forcë për të shikuar me optimizëm drejtë së ardhmes. “Shpresa mbahet me punë dhe ideal”, ka shkruar Midhat Frashëri dhe pyetjes se “Cili duhet të jetë ideali ynë?,ai përgjigjet duke thënë se ideali ynë, “Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.”
Kisha dëgjuar aq shumë prej tyre për personin dhe veprimtarinë e Midhat Frashërit, si njeri dhe si një rilindas i shquar, mbi travajët e tyre gjatë dhe pas luftës, sa që pas disa viteve me ta, pothuaj e ndjeja veten si të kisha qenë pjesë e atij grupi të nderuar bashkadhetarësh, megjithse në krahasim me ata isha shumë më i ri nga mosha. Prandaj, në këtë 65-vjetor të vdekjes së Midhat Frashërit, dua të kujtoj edhe ata që kanë qenë afër tij dhe me të cilët kam pasur nderin dhe privilegjin t’i njoh për së afërmi.Pikëspari Zonjën e ndershme Lulu Vrioni, të mbesën e Midhat Frashërit dhe për mendimin tim, ndoshta spikerja më e mirë që kam njohur unë. Talat Karagjozi, i cili më thoshte se Midhat Frashëri i kishte vdekur në duartë e tija dhe kurdoherë që fliste për të, i mbusheshin sytë me lotë, pasi nga ajo ditëe sot, mendohet se me të këthyer në Amerikë, Midhat Frashëri u helmua pas deklaratës që kishte bërë në radion BBC të Londrës në lidhje me formimin e lëvizjes anti-komuniste në mërgim dhe pas themelimit të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, kryetar i së cilës ishte zgjedhur Midhat Frashëri. Ndër të tjerët e kësaj gjenerate, me të cilët kam punuar, kanë qenë Xhevat Kallajxhiu, Ruzhdi Daca, Gaspër Kiçi, Bardhyl Pogoni dhe jashtë zyrës së VOA’s ishin”djemtë” e Midhat Frasherit me të cilat kisha njohuri e shoqëri, përfshirë Dr. Tako Bacaj, Ramazan Turdiu, pastaj djemtë e Profesorit dhe gjeografit të njohur dhe kartografit të parë shqiptar nga Kosova, Ahmet Gashi — autorit të parë të gjeografisë së Shqipërisë më 1935, vëllëzërit Dr. Faton Gashi dhe Prof. Luan Gashi i Lidhjes Kosovare, jeta e të cilëve ishte e dendur me veprimtari patriotike dhe kontribute edhe për vendin e adaptuar, Amerikën — njëri si mjek i dalluar e tjetri si profesor shkencash politike, i cli njihej si profesor që adhurohej nga studentët e tij universitarë amerikanë. Kujtimet e këtyre ish-kolegëve e miqëve të mi për Midhat Frashërin — ish-udhëheqsin dhe mësuesin e tyre — janë bërë tani edhe pjesë e kujtimeve të mia, përshtypje të cilat i kujtoj me nderim në këtë 65- vjetor të vdekjes së Midhat Frashërit, djalit të Abdyl Frashërit dhe nipit të Naimit dhe Sami Frashërit.
Ishin këta ish kolegë të mi gazetarë, të cilët çdo ditë dhe në çdo moment, profesionin e tyre përpiqeshin ta merrnin tepër seriozisht.Ishin të “shkollës së vjetër”, ashtu siç i donte dhe siç i kishte mësuar Midhat Frashëri, i cili rolin e gazetarit e kishte çmuar shumë, duke thënë se gazetarët duhet të jenë “njerëz të idealit” dhe “me ndërgjegje të lartë kombëtare” dhe se shtypi, ka shkruar ai, duhet të jetë”kopshti i një jete morale, shkolla e së vërtetave politike dhe shoqënore, predikimi për zhvillimin mendor dhe shpirtënor, e një disipline vullnetare e një rregulle të inspiruarë prej amorit dhe dashurisë, duke kupëtuarë drejt dhe vërtet interesin tënë”. Ideja e tij ishte se shtypi i lirë që do t’i shërbente interesave të kombit dhe të shoqërisë duhej “të drejtohet nga njerëz të zotë dhe profesionistë”, duhej të jetë, sipasMidhat Frashërit, në “Duar të dënja, në njerëz të zotër, të pajuarë me cilësi dhe virtute të naltë”.
Në fjalimin e tij të famshëm në BBC e Londrës, në vjeshtën e vitit 1949, Midhat Frashëri iu drejtua shqiptarëve kudo që ishin duke paralajmëruar se kombi shqiptar po e kuptonte se çfarë kishte sjellur fitorja e komunizmit në Shqipëri, duke thënë se, “Kadalë, kadalë raca Shqiptare, ajo race së cilës nuk i mungon asnjë virtyt njerëzor, ajo racë që vuan por edhe që ndjen, që ofshan por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi, filloi të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun edhe fatkqesinë, në të cilën e hodhën matrapazët komunistë. Po i çilte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj”.Ai e pat përfunduar fjalimin e tij duke shprehur shpresën se të gjithë Shqiptarët do ta kenë shpirtin dhe mendjen gjithëmonë për të mirën e Shqipërisë. “Kjo, tha ai, “është lutja jonë ndaj Zotit të Madh dhe lusim që gjithnjë Shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë Shërbëtorët e Shqipërisë.”
Fatkeqsisht, ky trashëgimitar i denjë i Rilindjes kombëtare – jo vetëm që në Shqipërinë e tij të dashur nuk konsiderohet si Shërbestar i Atdheut, por përkundrazi, historia komuniste e etikon atë gjithnjë me njollosjen si “reaksionar”, madje edhe “tradhëtar” të kombit. E kush? Midhat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit! Midhat Frashëri i Kongresit të Manastirit ku së bashku me At Gjergj Fishtën vendosën themelet e alfabetit shqip! Midhat Frashëri iKonferencës së Paqës në Paris edhe aty së bashku me At Gjergj Fishtën e Mons Bumçin për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve! Midhat Frashëri i cili me fjalime e shkrime, nepër konferenca ndërkombëtare dhe me deklaratat e tija në gjuhë të ndryshme, me fanaticizëm ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të Kombësisë shqiptare!
Mjaftë me mëkatet që u janë bërë patriotëve si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta! Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike, në përpjekje për t’i zhdukur atapërgjithmonë nga historia, por megjithëkëtë,veprat e tyre do të mbeten gjithnjëtë paharrueshme, sepse të tilla ishin!
***
Njoftimi për vdekjen e Midhat Frashërit, më 3 Tetor, 1949 marrë nga gazeta e Ballit Kombëtar, Flamuri
MIDHAT FRASHËRI
Midhat Frashëri, kryekalorësi i patriotizmës Shqipëtare, nuk rron më: drapëri i vdekjes e çkëputi nga rrethi ynë. Bir i denjë iApostujve Frashëjot të Rilindjes , Midhat Frashëri pasoi besnikrisht gjyrmat e të Parëvet të vet.Ideali i tërë jetës së Tij ka qenë Shqipëria.Punoi gjithnjë për një Atdhe të lirë, popull të lirë, qeveri të lirë.Lindi, rrojti dhe vdiq i varfër: Pasurija më e çmuarshme e Tij ishte Shqipëria, së cilës idedikoi çdo përpjekje, çdo mundim e çdo sakrificë. Sa herë tingëlloi këmbana e rrezikut, Midhat Frashëri u tregua ushtar i devotshëm në shërbim të Atdheut.
Pas pushtimit të huaj, më 1939, u vu në krye të lëvizjes nacionaliste , “Balli Kombëtar” dhe mbajti lartë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, Flamurin e Kombit, Flamurin e Lirisë. Kryemartir i lirisë në mërgim, Midhat Frashëri, me vdekjen e Tij, lë një vend të madh të zbrazët në shoqërinë Shqiptare, po ideali i Tijqëndron i gjallë e i fuqishëm. Emëri i Tij përbën për popullin Shqipëtar një monument lirie, atdhetarije dhe demokracije.
Në emërin e idealit të Midhat Frashërit, Kryeveteranit të pavdekur të patriotizmës, mijëra, qindramijëra Shqipëtarë ndoqën rrugën e Shqipërisë.E ndoqën dje, e ndjekin sot, do t’a ndjekin nesër. Amanetin e Midhat Frashërit do ta mbajmë sa të
jemi gjallë.

Rroftë Shqipërija e Lirë.

Balli Kombëtar, New York, Tetor 3, 1949
Ne Foto: Midhat Frashëri ulurmidis At Gjergj Fishtës dheMonsinjor Nikollë Kaçorrit në Kongresin e Manastirit, 1908

Filed Under: Histori Tagged With: 65 vjetori i vdekjes, Frank shkreli, Midhat Frasheri

ÇAMERIA ESHTE SHQIPTARE

October 2, 2014 by dgreca

Asnjë komision nuk mund të ndryshojë historinë mijëravjeçare të kombit…
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar lidhur me debatin e ngritur nga pala greke për tekstet shkollore, duke e quajtur atë “artificial” dhe si problem të vetë Greqisë, e cila ka probleme të stabilitetit të brendshëm.
Në një reagim zyrtar, PDIU deklaron se historia mijëravjeçare e kombit shqiptar nuk mund të ndryshohet dhe se qeveria nuk mund të marrë në konsideratë pretendimet e palës greke.
“Nuk ka asnjë komision që mund të ndryshojë historinë mijëravjeçare të kombit tonë, pjesë e pandashme e së cilës është Çamëria, Kosova e çdo trevë tjetër kombëtare. Ne jemi të sigurtë se qeveria shqiptare nuk mund të marrë në konsideratë pretendime të tilla absurde të palës greke”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, në deklaratë theksohet se, në rast të ngritjes së një komisioni të përbashkët, PDIU dhe Shoqata “Çamëria” do të ushtrojnë trysni që debati të përqendrohet në nevojën e shkrimit të historisë së Çamërisë, edhe në tekstet shkollore greke, si një realitet i pamohueshëm historik.
Ndërsa heqja e emërtimeve të trojeve shqiptare në Greqi, sidomos i emërtimit Çamëri, nga pasaportat, dokumente shtetërore dhe tekstet historike konsiderohet e papranueshme. PDIU shprehet e vendosur që një përpjekje e tillë do të gjejë kundërshtinë e çdo shqiptari.
Reagimi vjen pasi deputetët e parlamentit grek kërkuan një interpelancë me ministrin e Arsimit, Andreas Loverdos, në lidhje me disa referime në tekstet shkollore shqiptare, për të cilat ata thonë se janë “propagandë antigreke, me anë të së cilës qeveria “Rama” synon pakicat e minoritetit grek në Shqipëri”.
Bëhet fjalë për librat shkollorë të gjeografisë për klasën e 9-të dhe klasën e 12-të, për të cilat deputetët grekë theksojnë se ka ende referime irredentiste për treva shqiptare brenda territorit grek.

Reagimi i plotë zyrtar i PDIU-së
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet reagon mbi stisjen e një debati artificial për çështjen e teksteve shkollore. Nuk ka asnjë komision që mund të ndryshojë historinë mijëravjeçare të kombit tonë, pjesë e pandashme e së cilës është Çamëria, Kosova e çdo trevë tjetër kombëtare. Ne jemi të sigurt se qeveria shqiptare nuk mund të marrë në konsideratë pretendime të tilla absurde të palës greke. Nëse të dyja palët do të ngrenë komision të përbashkët, PDIU dhe Shoqata “Çamëria” do të ushtrojë trysninë e nevojshme që debati të përqendrohet në nevojën e shkrimit të historisë së Çamërisë edhe në tekstet shkollore greke, si një e vërtetë dhe realitet i pamohueshëm historik.
Stuhia në gotë është produkt i tentativës greke për të zhvendosur vëmendjen e popullit tek armiku i jashtëm, në këtë rast shqiptarët dhe Shqipëria. Kjo, pasi Greqia ka probleme të stabilitetit të qeverisë sepse ditën e hënë votohet për votëbesimin e qeverisë, ndërkohë që në krye të vitit të ardhshëm duhet të zgjidhet presidenti me shumicë të cilësuar, që qeveria greke nuk e ka. Deputetët grekë harrojnë se jemi bashkë në NATO.
Filati, Paramithia, Gumenica, Margëlliçi, Parga, Preveza dhe akoma edhe Janina, edhe pse sot janë pjesë e shtetit grek, përbëjnë një pasuri historike, kulturore dhe aktuale të shqiptarëve në rajon. Heqja e këtyre emërtimeve, apo akoma më shumë i emërtimit Çamëri, nga pasaportat, apo aq më keq dokumente shtetërore, tekste historike etj., është e papranueshme dhe do të gjejë përballë kundërshtinë e çdo shqiptari, që ndjen në dejet e tij përkatësinë në kombin tonë të përbashkët. Çamëria, e njohur me këtë emërtim, nga dokumentet zyrtare greke së paku deri në vitin 1937, është banuar, banohet dhe do të banohet nga një shumicë shqiptare dhe këtë fakt historik dhe aktual nuk ka të drejtë askush ta mohojë apo ta fshehë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Cameria, ESHTE SHQIPTARE, PDIU, Shpetim Idrizi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 54
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT