• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2014

Masakra e naziste e Borovës dhe masakra komuniste e Mirditës

November 23, 2014 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/New York/
Disa kohë më parë u përkujtuan dy masakra: 70 vjetori i masakrës së Borovës, të kryer nga nazistët dhe 65 vjetori i masakrës së Mirditës, të kryer nga komunistët. Përkujtimi u bë në mënyra krejt të ndryshme. Në rastin e parë pasardhësit e kriminelëve nazistë kokulur kërkuan ndjesë, në rastin e dytë pasardhësit e kriminelëve komunistë festuan kryelartë.
Masakra e Borovës ndodhi më 6 korrik të vitit 1943. Një autokolonë e madhe ushtarake gjermane ishte nisur nga Serbia, kishte kaluar nëpër Greqi, kishte hyrë në territorin shqiptar në Korçë dhe prej aty do të shkonte me shpejtësi drejt jugut, me qëllim, ndoshta arritjen në Greqi, për t’u bërë ballë forcave anglo-amerikane që mendohej se do të zbarkonin në jug të Greqisë. Gjatë rrugës, autokolona ndaloi në fshatin Borovë, nja 5 kilometra larg Ersekës. Drejtuesit e autokolonës biseduan me parinë e fshatit për të marrë vesh nëse kishte ndonjë rrezik rruga që do të bënin më tej. Paria e fshatit i siguroi se rruga nuk kishte asnjë rrezik dhe autokolona u nis duke përshëndetur parinë dhe fshatarët. Pak kilometra nga fshati, kur autokolona një pjesë të saj e kishte ende në Borovë, një pritë partizane, në vendin e quajtur Barmash, qëlloi mbi të duke vrarë e plagosur disa gjermanë dhe, pastaj, duke ia mbathur, e la fshatin nën hakmarrjen gjermane. Pas atij aksioni, autokolona u ndal dhe kreu një masakër mbi fshatarët e Borovës, duke vrarë pa dallim mbi 100 veta që nuk kishin asnjë lidhje me pritën partizane. Nuk dihet nëse ata u vranë si hakmarrje sipas rregullit gjerman që për çdo gjerman të vrarë do të vriteshin dhjetë të tjerë, apo të zemëruar nga prerja në besë e banorëve të fshatit që u thanë se rruga ishte e lirë. Nuk dihet, po ashtu, nëse partizanët kishin apo jo dijeni për bisedimet që kishin bërë në Borovë gjermanët me fshatarët dhe për garancinë që kishim marrë prej tyre për sigurinë që do të kishin në rrugë. Nëse partizanët e dinin se ç’kishte ndodhur në fshat, përgjegjësia e tyre për vrasjet e kryera nga gjermanët ishte shumë e madhe.
Masakra e Mirditës ndodhi më 17 gusht të vitit 1949. Më 7 gusht të atij viti u vra, nga grupimi antikomunist “Komiteti i Maleve”, Bardhok Biba, eksponenti më me rëndësi i komunizmit në Mirditë. Komiteti i Maleve, njëlloj si prita partizane e Barmashit, më pas ia mbathi, duke e lënë zonën nën hakmarrjen komuniste. Trupat ushtarake komuniste, nën urdhrat e Mehmet Shehut, bastisën me egërsi krejt zonën e Mirditës, arrestuan mbi 300 persona nga burrat më me ndikim të zonës dhe çuan në internim 300 familje, të gjithë pa asnjë lidhje me vrasjen e Bardhok Bibës. Nga personat e arrestuar, nga një gjyq i shpejtë i kryesuar nga Bilbil Klosi, u dënuan 14 veta me vdekje: 10 me pushkatim dhe 4 me varje. Në vendin ku qe vrarë Bardhok Biba, në Qafë të Valmirit, komunistët mblodhën mbi 2000 mirditorë për të parë ekzekutimet që do të kryheshin: këtë shfaqje të kriminalitetit dhe sadizmit komunist. Prej të arrestuarve, pak më pas, vdiqën nga torturat dhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin e të vrarëve për vrasjen e Bardhok Bibës në 17 veta. Në këtë mënyrë, komunistët shqiptarë ia kaluan për nga kriminaliteti edhe nazistëve gjermanë. Ka edhe një masakër tjetër komuniste edhe më mizore se ajo e Mirditës: është masakra që u krye me rastin e hedhjes së një sasie dinamiti në Përfaqësinë Diplomatike Sovjetike e cila nuk shkaktoi dëme në njerëz e, për të cilën, komunistë vranë 22 veta që nuk kishin fare lidhje me hedhjen e dinamitit, midis të cilëve edhe një grua, por masakra e Mirditës, për nga lloji, është më e ngjashme me atë të Borovës.
Ndryshimi midis masakrës së Borovës të kryer nga nazistët dhe masakrës së Mirditës të kryer nga komunistët është se ndërsa e para u krye në kushte lufte, në kushte kur njeriu kryen veprime që nuk i kryen normalisht në kushte paqeje, masakra e dytë, ajo komuniste e Mirditës, u krye në kushte paqeje. Ndryshim tjetër është se ndërsa e para kryhet nga një ushtri kundër një populli të huaj, masakra e dytë kryhet nga një ushtri kundër popullit të vet.
Të vijmë në kohën e sotme.
Në vitin 2013, me rastin e 70 vjetorit të masakrës së Borovës, erdhi nga Gjermania djali i njërit prej ushtarakëve nazistë që mori pjesë në atë masakër. Ai kishte lexuar në kujtimet e të atit për atë masakër dhe erdhi në Shqipëri dhe, para banorëve të zonës ku u krye masakra, kërkoi ndjesë në emër të të atit. Atë njeri nuk e dinte kush se ekzistonte dhe nuk mund ta vinte njeri para përgjegjësisë morale që të vinte e të kërkonte ndjesë. Megjithatë, ai erdhi, kërkoi ndjesë për atë që kishte kryer i ati i tij dhe në atë mënyrë u paraqit si një njeri që dënonte veprimet kriminale të të atit, si një njeri që ishte krejt ndryshe nga i ati. Një vit më pas, me rastin e 71 vjetorit të masakrës, shkoi po në atë vend ambasadori gjerman në Shqipëri dhe kërkoi edhe ai ndjesë në emër të popullit dhe shtetit të tij.
Në vitin 2014, me rastin e 65 vjetorit të masakrës së Mirditës, komunistët shqiptarë përkujtuan me ceremoni vrasjen e Bardhok Bibës, pa thënë asnjë fjalë për vrasjet dhe persekutimet që kryen paraardhësit e tyre mbi popullsinë e zonës së Mirditës si hakmarrje për atë ngjarje. Kjo është njëlloj sikur në Borovë të mos vinte djali i atij që mori pjesë në masakër, por të vinin djemtë e atyre që u vranë nga njësiti partizan komunist dhe të përkujtonin vrasjen e tyre.
Po e ndërpresim këtu shkrimin dhe po bëjmë një digresion të shkurtër, por të nevojshëm, për të vazhduar më pas për temën që nisëm:
Sa më primitiv të jetë njeriu, aq më shumë del në krah të species së tij, të llojit të tij, pavarësisht nëse specia e tij, lloji i tij, ka të drejtë apo jo. Një njeri i plotë, një njeri i moralshëm, nuk niset kurrë nga interesi i tij apo nga ai i të ngjashmit në lloj, për të përcaktuar qëndrimet. Tek ai instinkti i mbrojtjes së llojit, gati është shuar dhe është gjallëruar së tepërmi ndjenja e mbrojtjes të së drejtës dhe së vërtetës. Në këtë kuptim, kur ne nuk jemi të gatshëm të kritikojmë apo të dënojmë të afërmin tonë që ka kryer një krim, tregon se jemi ende në fazë primitive të zhvillimit njerëzor.
Kur është fjala për qëndrime ndaj të panjohurve, ndaj atyre që janë larg, përdorimi i kriterit të së vërtetës dhe të së drejtës, ndofta kryhet pa shumë vështirësi por, kur është fjala për interesa vetjake, për interesa të të afërmve, për interesa të të njohurve, për interesa të familjarëve, një njeri i zakonshëm e ka të vështirë të mos jetë përkrah tyre edhe kur ata nuk kanë të drejtë, pra e ka të vështirë të jetë i drejtë, të dalë në krah të së vërtetës. Ky qëndrim është instinktiv dhe rrjedh në përgjithësi nga natyra e njeriut e cila është në shërbim të mbijetesës së llojit.
Në një shkollë fillore amerikane u bë një vëzhgim për të vënë në dukje qëndrimin e fëmijëve ndaj njerëzve të tyre, qëndrim që do të tregonte nëse fëmija, i cili nuk është ndikuar ende nga kultura apo mjedisi, pra njeriu në formën primitive, vepron më shumë në bazë të ndjenjave, në bazë të instinkteve, apo në bazë të parimeve të drejtësisë. Të gjithë fëmijëve të shkollës iu dha nga një pyetësor në të cilin bëheshin këto pyetje: 1. A mendoni se duhen dënuar ata që prodhojnë drogën? 2. A mendoni se duhen dënuar ata që shpërndajnë drogën? 3. A mendoni se duhen dënuar ata që përdorin drogën? Të gjitha këtyre pyetjeve nxënësit e vegjël iu përgjigjën me një “po”. Për ta, të gjithë këta njerëz duhej të dënoheshin. Pyetja e fundit që u bëhej nxënësve ishte: Në qoftë se prodhuesi, shpërndarësi apo përdoruesi i drogës është: babai, vëllai, kushëriri apo shoku juaj, a mendoni se duhet dënuar? Kësaj pyetjeje gati të gjithë nxënësit iu përgjigjën “jo.”
Të vijmë aty ku e lamë:
Veprimet e gjermanëve të sotëm, ndonëse shtypi shqiptar i përshëndeti, janë ende krejt të pa perceptueshme për mendësinë, kulturën dhe ndjenjat tona. Duhet të jesh njeri me kulturë të vlerësimit suprem të së vërtetës, me kurajë morale dhe me ndjenja të forta fetare që të veprosh në atë mënyrë, gjëra që te ne ende mungojnë. Sjellja e gjermanit, e djalit të nazistit, në mediet shqiptare u interpretua më shumë si një dëshmi e fajësisë së gjermanëve, si një rast i pafajësisë së partizanëve, si një rast për të vënë në dukje martirizimin e banorëve të fshatit, sesa si një vepër e shkallës më të lartë të karakterit moral të gjermanëve të sotëm, si një dëshmi e denazifikimit të Gjermanisë së sotme. Ky veprim, përveç të tjerave, duhej të shërbente edhe për të bërë të mendonin mirë pasardhësit e kriminelëve komunistë që kanë persekutuar, torturuar e vrarë mijëra shqiptarë gjatë sundimit të tyre dhe t’i bënte të vepronin edhe ata si gjermani dhe si gjermanët. Këtu nuk kam parasysh pasardhësit e familjes së Enver Hoxhës, të cilët edhe sot e kësaj dite janë të bindur se sistemi kriminal që krijoi e zbatoi i pari i tyre ishte më i miri e më humani në botë, as ata që ishin dhe mbetën komunistë e mizorë, por kam parasysh njerëz të tillë si Gramoz Pashko, si Ardian Klosi, si Bashkim Shehu, si Edi Rama e shumë e shumë të tjerë si këta, të cilët e paraqitën dhe e paraqesin veten si demokratë, si kritikë të ashpër sistemit komunist, si kritikë të atij sistemi mizor e gjakatar, si kritikë të atij sistemi që ndërtuan dhe mbajtën me gjak prindërit e tyre të cilët persekutuan, dënuan, torturuan dhe vranë njerëz krejtësisht të pafajshëm.
Do të thoni ju, mirë të tjerët, por ç’ne Edi Rama, i ati i tij nuk ka qenë as gjykatës, as prokuror, as hetues kriminel, as anëtar i ndonjë skuadre pushkatimi, as spiun sigurimi, ai ka qenë artist. Po është e vërtetë, por ai ka qenë edhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe si i tillë ia donte posti të vinte firma vdekjeje për persona që do të ekzekutoheshin. Do të thoni ju përsëri se firma e tij ka qenë formale, se ata që ishin caktuar për t’u vrarë, do të vriteshin me apo pa firmën e tij. Po. Kjo është e vërtetë, por ai megjithatë mban përgjegjësi. A e dini se me ç’kusht mori përgjegjësinë e të qenit anëtar i regjencës gjatë kohës së pushtimit gjerman Patër Anton Harapi? Përveç të tjerave ai vuri kushtin që të mos pritnin prej tij asnjë firmë për dënimet me vdekje.
Do të thoni prapë: sa para bën, si të kërkojnë ndjesë si të mos kërkojnë ndjesë pasardhësit e kriminelëve, ata që u çuan drejt vdekjes nuk do të ngjallen. Po edhe kjo është e vërtetë: ata nuk do të ngjallen, por pasardhësit e kriminelëve do të tregonin me atë rast se nuk ishin si prindërit e tyre, se ata tashti janë të ndryshëm prej tyre, se ata kanë kryer brenda vetes dekomunistizimin, se atyre u vjen vërtet keq për ata që masakroi komunizmi. A dini se ç’thoshte Gandi për lutjen? Lutja që bën dikush, nuk ndryshon planet e Zotit për të, por ndryshon vetë atë që lutet. Edhe kërkesa e ndjesës nga pasardhës të kriminelëve nuk do të ç’ bëjë atë që bënë paraardhësit kriminelë, por do të ndryshojnë vetë ata që luten për ndjesë, njeriun e sotëm, fëmijën e prindit kriminel.

New Jork, nëntor 2014 ILIR HASHORVA

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe masakra, e Borovës, Ilir Hrashova, komuniste e Mirditës, Masakra e naziste

“Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” përurohet me 26 Nëntor nga ARBI Ltd dhe Federata VATRA

November 23, 2014 by dgreca

Sapo ka dalë nga shtypi libri i studiuesve Skëndër Blaka e Ismail Ismaili, ku është kontribuse edhe Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”. Libri është i ndërtuar me letra të rilindasve, por që rrokin histori të hershme, që nga Lashtësia, në hapsirën kohore midis vitit 1238 p.Kr., e deri me 28 Nëntor 1913. Janë gjithsej 296 letra, që rrokin 3151 Vjet histori.
Sic njoftohemi nga Prishtina, Botuesi “ARBI Ltd” ne Prishtine, dhe Federata VATRA – Nju Jork, me 26 nëntor, në orën 19, në hotelin Sirius në Prishtinë, bëjnë përurimin e librit “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” të autorëve Skënder Blakaj e Ismail Ismaili.

Filed Under: Vatra Tagged With: “Letërkëmbime, dhe Federata VATRA, nga ARBI Ltd, të Rilindjes Kombëtare Shqiptare" përurohet në Prishtinë me 26 Nëntor

DELEGACIONI I VATRËS NË TIRANË

November 23, 2014 by dgreca

Kryetari i VATRËs dr. Gjon Bucaj i dhuroi Qendrës Botërore Bektashiane në Tiranë një fotografi të zmadhuar në kornizë të klerikëve të të gjitha besime fetare, pjesmarrës në 100 vjetorin e Federatës Panshqiptare në Amerikës/
* Të Hënën delegacioni do të ketë takime me Komitetin Musliman Shqiptar dhe Kishën Katolike,do të ejtë ceremonia e dekorimit të Martirëve në Presidencë, pritje në Bashkinë e Tiranës, takim me dr. Sali Berishën dhe veprimtari të tjera/
NGA CEZAR NDREU/ TIRANË/
Një delegacion i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, po qëndron në Kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Delegacioni kryesohet nga kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, zv/kryetari Agim Rexhaj me zonjën Laura, sekretarja e Vatrës Nazo Veliu, anëtari i këshillit të Vatrës Cezar Ndreu, sekretari i degës së Vatrës në Ëashington Eduard Bucaj e të tjerë.
Gjatë ditës së dielë, 23 nëntor 2014, delegacioni u prit në Kryegjyshatën Botërore nga Baba Mondi, i cili u uroi mirëseardhjen dhe e përgëzoi Vatrën për punën e madhe që ajo vazhdon të bëjë prej 102 vitesh për cështjen Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dr. Gjon Bucaj, falenderoi për pritjen e përzemërt dhe tregoi për veprimtarinë Kombëtare të Vatrës në misionin e saj të përhershëm historik. Pasi informoi për qëllimin e vizitës në Tiranë të delegacionit, i cili do të jetë i pranishëm për ceremoninë që organizohet të Hënën me 24 Nëntor në Presidencë, ku presidenti do të dekoroi pas vdekjes Martirët e Vatrës, si dhe zv/kryetarin e tanishëm Agim Rexhaj, z. Bucaj tha se për Vatrën, është amaneti i themelusve për forcimin e bashkëjetesës fetare. Ai tregoi konkretisht për ritin që përdor Vatra në cdo festim të Pavarësisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, ku janë të pranishëm të gjithë klerikët e besimeve fetare dhe bekojnë festat kombëtare sipas një kalendari të përvitshëm . Po ashtu, dr. Bucaj, iu referua shembullit të shkëlqyer që dhanë klerikët shqiptarë në Amerikë dhe ata të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, që ishin të pranishëm në 100 vjetorin e Vatrës. Prania e klerikëve në Konferencën Shkencore Historike të Vatrës dhe në darkën solemne të 29 Prillit 2012, ku nën drejtimin e priftit atdhetar Arbëresh, Antonio Beluschi, bekuan shqip. Pikërisht fotografinë simbolike të asaj nate, kryetari Bucaj, ia dhuroi Teqesë Botërore me qendër në Tiranë, ndërsa nesër do t’ia dhuroi Katedrales Katolike dhe Komunitetit Islam Shqiptar. Baba Mondi falenderoi dr. Bucaj, dhe shoqërusit e tij për këtë dhuratë tepër simbolike, që me praninë e saj në mjediset e qendrës botërore Bektashiane do të përcjellë atë përvojë që Vatranët e ruajnë për 102 vite.
I pranishëm në vizitën e delegacionit shqiptar ish dhe Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve, z. Rasim Hasani si dhe biznesmeni Kadri Morina.

Filed Under: Vatra Tagged With: ÇEZAR NDREU!, DELEGACIONI I VATRËS, ne Tirane

PRESIDENTI I BRONXIT NDEROI HERONJTË SHQIPTARË NË DITËN E FLAMURIT

November 23, 2014 by dgreca

Dita e Pavarësisë së Shqipërisë është shënuar edhe nga z. Ruben Diaz Jr. President i qytetit të Bronxit(Bronx Borough President), Proklamatë për të nderuar pesë individë të shquar në kujtim për kontributin e tyre në rrugën e Pavarësisë shqiptare dhe asaj të Kosovës : Azem Bejta, Prek Cali, Riz Zymer Muriqi, Agim Ramadani, Bekim Berisha.
Nga Beqir SINA/
BRONX NYC :(INA :22 Nëntor 2014) Dje, një kolegjin Monroe në Bronx – autoritetet lokale dhe disa udhëheqësit e komunitetit shqiptarë, veprimtar të komunitetit, së bashku janë mbledhur për të shënuar përvjetorin 102th e pavarësisë së Shqipërisë nga sundimi turk. Çdo vit rreth kësaj kohe, rrugët e lagjeve të qytetit të Bronxit si Belmont, Morris Park, Pelham Parkway, dhe më shumë të tjera janë në festën e Pavarësisë së Shqipërisë të cilën e zbukruojnë me flamujt kuq e zi.
– Eventi i mbajtur për të festuar përvjetorin 102th e pavarësisë së Shqipërisë, ishte i bashkë-organizuar me avokatin e njohur Stephen Kaufman dhe Fondacionin e Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane – Bijat e bijtë e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara në bashkëpunim me Ruben Diaz Jr Bronx Borough President, Gale A. Brewer Manhattan Borough President, Mark Gjonaj, NYS deputetë, dhe Ritchie Torres, një Anëtarë i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut – demokrat – i Qarkut 15 në Bronx- të cilët ftuan përzemërsisht të gjithë komunitetin e Bronxit, për të festuar së bashku ditën “102 Vjetori – i Pavarësisë së Shqipërisë në Bronx” të shtunën më 22 nëntor 2014,.
Presidenti i Bashkisë (Borough) Bronx në New York, Ruben Diaz , Jr, ish Assembleisti Stephen Kaufman së bashku me Fondacionin e Shoqërisë Shqiptaro- Amerikane dhe të Bijve dhe Bijave të Shqipëria në Amerikë, “Sons and Daughters of Albania in America” dje mbasdreke me rastin e 102 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë kanë nderuar pesë individë të shquar në kujtim për kontributin e tyre në rrugën e Pavarësisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, thuhet në një dekleratë për shtyp nxjerr nga zyra e presidentit të bashkisë së Bronxit .
Me rastin e 102 Vjetorit të Ditës së Flamurit – Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ata nderuan figurat e : Azem Bejta, Prek Cali, Riz Zymer Muriqi, Agim Ramadani, Bekim Berisha (Abej).
Udhëheqës i ceremonisë ishte avokati Stephen B. Kaufman, Esq, ish- Asambleisiti i shtetit të Nju Jorkut dhe 21 vjet anëtar i Bordit të Drejtorëve – të Fondacionit Shoqëria Shqiptaro Amerikane, i cili gjithashtu ka folur për këtë ngjarje historike të kombit shqiptarë. Egzekutimi i himneve të të dyja vendeve tona :Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, është kënduar nga këngëtaria më popullore shqiptare Merita Halili dhe e shoqëruar në fisarmonikë nga mjeshtri Raif Hyseni. Ndërsa, me një minutë heshtje janë nderuar të gjithë të rënët e kombit shqiptarë, për liri e pavarësi.
Përfaqësuesit nga të dy shtetet shqiptare , Shqipërisë e Kosovës, si dhe Ruben Diaz Jr Bronx Borough President, Gale A. Brewer Manhattan Borough President, Mark Gjonaj, NYS deputetë, duke folur për historinë e Shqipërisë, se si Pavarësia ishte e fituar 102 vjet më parë, nga Perandoria Osmane dhe ajo e Kosovës prej Serbisë, para 15 vjetëve, kanë rivendikuar edhe një herë, atë, duke vënë në pah si gjithmonë miqësinë dhe lidhjet e mira shqiptaro amerikane, si dhe folën për kontributin e shqiptarëve të Amerikës, të cilët kan pasur një ndikim të madh, edhe në integrimin e tyre në SHBA. Në rolin e mikpritësit të këtij eventi Stephen B. Jerome – Presidenti, i Monroe College, përshëndeti të pranishmit dhe urojë festën kudo shqiptarëve. Kurse, përshëndetën këtë rast edhe Esad A. Rizai – President dhe Themelues i – Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro Amerikane , Assembleisti Mark Gjonaj, diplomati kosovar Korab Mushkuloaj – Konsull i Kosovës, Profesor Anton Lajçi, profesor Paulo Polombo dhe Prof.Dr. Skënder Kodra – Kryetar i Akademisë Shqiptaro – Amerikane e Shkencave dhe Arteve – Nju Jork, . Udhëheqësi i ceremonisë Stephen B. Kaufman, në fillim të fjalës së tij tha se “unë jam aq i nderuar që të jemë së bashku me ju për të festuar një ditë shqiptare, si kjo që fletë shumë për demokracinë, lirinë dhe shpresën e shqiptarëve – kudo ku janë”, dhe shtoi, se “kjo pjesëmarrje e juaja është tregues i krenarisë dhe unitetin të populli shqiptar, dhe të mysafirëve tanë të nderuar, që pasqyrojnë kontributet e shqiptarëve në SHBA”
Ndërkohë, Esad Rizai i cili është organizatori dhe sponsorizuesi kryesorë i këtij eventi për çdo vjet, tha se “Përvjetori i 102 -të, i Pavarësisë së Shqipërisë – do të thotë shumë, për të gjithë shqiptarët në mbarë botën.” Sepse, ka pohuar ai “Ne jemi ndër kombet më të vjetër në Evropë dhe ne kemi qenë të shtypur për një kohë të gjatë, nga padresjtësitë që na janë bërë. Por, falë Zotit, ne kemi arritur për të mbijetuar. “” Mbasi, Shqiptarët, sot janë të bashkuar më shumë se kurrë ndonjëherë, shtoi Rizai, duke u shprehur se ne jemi shqiptarë në radhë të parë. Ne jemi të lidhur nga gjaku shqiptar. Ne kemi kudo një kulturë, një histori, dhe një flamur. Kemi Shqipërinë e lirë, demokratike dhe në Nato, Kosovën e çlirruar dhe të pavarur, dhe për këto ne jemi krenarë, që jemi shqiptarë e mburremi për këtë. ” “Dita e Pavarësisë shqiptare, është një ngjarje e madhe për të gjithë shqiptarët në mbarë botën – dhe na bënë më shumë krenar – sepse ne jemi mbi të gjitha shqiptarë”, tha asamblesiti shqiptarë në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut- Mark Gjonaj, i cili me këtë rast nuk la pa faleminderuar të gjithë ata që e kan ndihmuar atë të rizgjidhet për mandat të dytë. Mark Gjonaj – është i pari shqiptarë në historinë e shqiptarëve të Amerikës, i cili është zgjedhur në një postë kaq të lart shtetërorë. Në këtë ceremoni të organizuar me rastin e 102 Vjetorin e Shpalles së Pavarësisë së Shqipërisë, ngritjen e flamurit kuq e zi më 28 Nëntor 1912 , disa luftëtarët e lirisë të cilët luftuan për Pavarësinë shqiptare janë nderuar, me Proklamatë nga Këshilli i Bashkisë së Nju Jorkut dhe zoti Ruben Diaz Jr Presidenti i Komunës së Bronxit, duke përfshirë pesë individë të shquar në kujtim për kontributin e tyre në rrugën e Pavarësisë shqiptare dhe asaj të Kosovës si : Azem Bejta, Prek Cali, Riz Zymer Muriqi, Agim Ramadani, Bekim Berisha (Abej).
Dhe, me këtë rast është nderuar nga anëtari i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut, Richie Torres, dhe zoti Ruben Diaz Jr, Kryetari i Komunës së Bronxit, edhe gazetari Beqir Sina, i cili thuhej në motivacion se ka kontribuar për njëzet vite në medien shqiptaro – amerikane, duke qenë gjithmonë në shërbimim të Komunitetit shqiptar në gjuhën shqipe në SHBA. Zoti Ruben Diaz Jr Kryetari i Komunës së Bronxit, duke marrë fjalën tha se: “Komuniteti shqiptaro – amerikan, si këtu në Bronx dhe në të gjithë botën, janë duke festuar 102 vjetorin e fitores së pavarësisë së atdheut të tyre, Shqipërisë. Me këtë rast historia e njësive bashkiake me komunitetin shqiptar shkon shumë prapa në vitin 1930 , kur një i ri i cili më vonë u bë i famshëm Regis Philbin – (arbereshë, nga ata që ka deklaruar se jam me gjak shqiptarë), është rritur këtu në rrugët e Van Nest dhe Morris Park “. Kurse, sot, nga Belmont në Pelham Parkway në Morris Park, tha zoti Ruben Diaz Jr dhe kudo në mes, tonë, gjenë shumë shqiptarët, të cilët po ndihmojnë për të forcuar Bronxin, sidomos në fushën e biznesit tonë, por edhe me lidhjet e tyre me komunitetet kulturore dhe organizatat jo-fitimprurëse.
Ai tha se :”Bronxi qyteti ynë ka një lidhje të madhe me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët, dhe ne jemi krenarë për këtë trashëgimi të përbashkët të qytetit të vogël i cili ka një popullsi prej 12 438 njerëz me prejardhje shqiptare -. Më shumë se çdo qytet i vogël tjetër në New York City, ne kemi komunitetin më të madh shqiptar në SHBA “. “Shqiptaro-Amerikanët në New York City, janë pjesë të rëndësishme veprimtarive multi-kulturore të shoqërisë, duke rritur familjet e tyre me traditat shqiptare, duke i shërbyer komunitetit të tyre, dhe shqiptarët janë një komunitet që përpiqet për të bërë jetën e tyre, më të begatë dhe janë shumë krenarë për vendin e tyre,” tha z Ruben Diaz Jr ..
Andaj sot, unë bashkohem me avokatin e njohur Stephen Kaufman dhe Fondacionin e Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane – Bijat e bijtë e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara – për të nderuar heroin shqiptar Azem Bejta, Prek Cali, Riz Zymer Muriqi, Agim Ramadani, Bekim Berisha si dhe gazetarin Beqir Sina për të nderuar atë për punën e tij njëzetvjeçare në fushën e gazetarisë në shërbim të komunitetit në gjuhën shqipe, këtu në komunitetin tonë.
Dhe tani, unë Ruben Diaz Jr Kryetari i Komunës së Bronxit, në këtë mënyrë, zyrtarisht do të shpallë sot më 20 nëntor 2014 – këtë ditë si “102 Vjetori – Dita e Pavarësisë shqiptare në Bronx”/INA/

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, NË DITËN E FLAMURIT, PRESIDENTI I BRONXIT NDEROI HERONJTË SHQIPTARË

Fol shqip, se je shqiptar- Festë në Manhattan në 102 Vjetorin e Pavarësisë

November 23, 2014 by dgreca

Nga Keze Kozeta ZYLO/
Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” e cila operon në tri lagje të Nju Jorkut dhanë një program të bukur artistik në shkollën publike amerikane PS 173 në Manhattan me rastin e 102 Vjetorit të Pavarësisë. Jo rastësisht u zgjodh Manhattani për të shfaqur këtë program artistik, por kjo u bë me qëllimin për të nderuar shkollën e parë shqipe në Manhattan që u hap muajin e kaluar dhe për t’u bashkuar të gjithë në Diten e Shenjtë të Flamurit.
Në këto ditë festash nxënësit dhe mësuesit janë gjithmonë të preokupuar për ta pritur Ditën e Flamurit me programe të bukura artistike. Salla e veshur me ngjyrat e Flamurit kuq e zi u mbush plot e përplot me nxënësit, mësuesit, artistët dhe prindërit të cilët mezi po prisnin të dilnin në skenë fëmijët e tyre plot talent. Bota e tyre e magjishme tërheq çdo të rritur, kur ata luajnë dhe qeshin me njeri-tjetrin, miqësohen aq shpejt sikur të kenë qenë njohur prej kohësh.
Programin e ka hapur Dr.Valbona Zylo Watkins e cila pasi ka përshëndetur të gjithë të pranishmit dhe iu ka uruar atyre: Gëzuar Ditën e Flamurit dhe 102 vjetorin e Pavarësise, ka ftuar mësueset dhe nxënësit të vazhdojnë programin sipas radhës.
Programi ka filluar me dy himnet kombëtare: shqiptare dhe amerikane. Himni Kombëtar shqiptar është intepretuar nga Dëshira Ahmeti Kërliu sopranoja e parë shqiptare me origjinë nga Dibra e madhe në operën e Shkupit, ndërsa Himni Kombëtar amerikan është intepretuar nga nxënësja e shkollës shqipe, artistja e vogël dhe plot talent Kristina Melo.
Programin e kanë hapur nxenesit e shkollës shqipe në Manhattan që sipas traditës si mikpritesja që ishte i takonte për të qenë e para dhe për të përshëndetur me një buqetë të bukur poezish. Eshtë vendi për të përmendur mësuesen veterane dhe të përkushtuar znj.Liza Pllumbi e cila me një pasion dhe profesionalizëm iu kishte mësuar fëmijëve poezi të bukura atdhetare, patriotike si dhe këngë. Mësuese Liza ka qenë një bashkëpunëtore e ngushtë me bordin e shkollës për të hapur Shkollën Shqipe në Manhattan dhe kanë punuar fort për ta realizaur atë së bashku me znj.Nora Nilaj qe realizuan për të ushtruar mësimin e gjuhës shqipe në mjediset e shkollës publike amerikane PS 173. Për arsye familjare mësuese Lizën e cila nuk kishte mundësi të vinte në këtë program e zëvendësoi mësuese Dita që jep mësim në Brooklyn. Skena ndrinte dhe dukej sikur sytë e fëmijëve lëshonin dritë si prozhektor në sallë nga ndjenja e kënaqësisë dhe krenarisë të cilët e pritën me plot dashuri Festën e Flamurit, ata të veshur me ngjyrat e Flamurit i dhanë jetë e gjallëri ditës së shtunë në këtë festë të bukur. Nxënësit me poezitë si Gjuha Shqipe recituar nga Kevin Preldakaj, sa të dua Shqiperi, nga Anxhelika Hysaj, Shko dallëndyshe nga motrat Kristina dhe Klea Lisi, Gjuha e bukur Shqipe nga motrat Nilaj i dhanë dhe më shumë jetë ditës së shtunë. Nora Hysaj këndoi Qingji i vogël, ndërsa Aleksandra dhe Nora Hysaj kërcyen vallen dyshe malsorshe.
Pas Manhattanit në skenë janë paraqitur nxënësit e shkollës shqipe në Staten Island të drejtuara nga mësuesja e tyre Valbona. Nxënësi Rilind Bardhi ka recituar poezinë Shoku Im, Gjuha Shqipe nga Dea Watkins, Atdheu, Julinda dhe Rozafa Dimnaku, Sabrina Velovic, Flamuri me Shqiponjë, Liana, Ylli i vogël lart në qiell, Fiona Doda Abetare. Pas poezive të bukura nga nxënësit e Staten Island është kënduar kënga aq popullore e dashur për të gjithë shqiptarët: Fol Shqip se je Shqiptar, këngë që u shoqërua me emocion, levizje të trupit, të duarve, nga të gjithë nxënësit e skenës, interpretuar nga Fiona Doda, ndërsa gjithë salla e shoqëronte me duartrokitje ritmike.
Ndërsa i dëgjoja e magjepsur e gjitha melodinë e këngës dhe tekstin me vargjet si: Çdo behar kur vije për festa dhe gëzime, vështirësinë e gjej në gjuhën e nënës sime/ Shqip të foli nëna, kur erdhe në jetë/ mos e harro gjuhën kudo që të jesh/një fjalë po ta them/ amanet nga të parët/ ta mbash për jetë/ fol shqip se je shqiptar!, më dukej sikur Manhattani, qyteti që s’fle kurrë gjumë, oshëtiu i gjithi, ndërsa oqeani buçiti, gjëmoi me zëra fëmijësh Perëndie, SHQIP!
Mësuese Afërdita ka drejtuar programin e nxënësve të saj në Brooklyn që ka filluar me poezitë të recituara nga Lejla Hasani, Irsa Cinari, Gabriela dhe Griselda Përmeti, Angie Bahçja, Sara Lunaj, Brian Kacubaj, Agolli. Në violinë ka interpretuar Brian Kaçubaj, Ode to Joy të Bethovenit. Të gjithë fëmijët së bashku kënduan këngën: “Hapa dollapa” dhe kërcyen mjeshtërisht Buburrecin.
Mësuese Marjana e ka filluar programin në radhë të parë duke përshëndetur prindërit, mësuesit, nxënësit dhe shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e stafit të shkolles dhe falënderoi organizatorët e hapjes së shkollës shqipe për mundësitë që i kanë dhënë per ta ushtruar profesionin e mësuesisë, me nxënësit e rritur. Mësuese Marjana e ka hapur programin e saj me Anisa Shahun që recitoi “Atdheu”, Sa të dua Shqipëri nga Endri Gjona, Gjuha jonë nga Ariela, O malet e Shqipërisë nga “Oresti Salillari dhe Rafael Gjona”, Ty Flamur të duam shumë nga Sabrina Lulanaj dhe Aurora Shahu. Pasi kanë mbaruar interpretimet nxënësit janë drejtuar nga sopranoja e shquar, Lindita Mezini Lole për të kënduar këngën “Zogu i verdhë”, këngë që dukej dhe ndjehej aq ëmbël si cicërrima fëmijësh. Programi është mbyllur me këngën e Gjuhës Shqipe që është njëkohësisht dhe hymn i shkollës kompozuar nga prof.Petrika Melo dhe interpetuar nga Kristina Melo dhe gjithë nxënësit. Nxënësit këndonin me dashurinë e papërshkruar për Gjuhën Shqipe si: Mezi presim shkollën shqipe, që të flasim dhe të mësojmë, me shkronjat e alfabetit, si ëngjëjt Kombin e mbrojmë. Interpretimi i tyre u shoqërua duke valëvitur Flamujt Kuq e Zi që mbanin në duar me shkabën dykrenore.
Pas programit të pasur artistik, z.Qemal Zylo themelues i shkollave Shqipe ka falënderuar në radhë të parë të gjithë nxënësit që vinë me aq dashuri dhe pasion dhe ulen në bangot e shkollës për të mësuar SHQIP, prindërit, shprehu mirënjohjen e pakufishme për bashkëpunimin me mësueset e përkushtuara si Ditën, Lizën, Marjanën, Armelën, etj, të gjithë të pranishmit si dhe Konsullen e Përgjithshme znj.Vlora Citaku, Konsullin e Kosovës z.Korab Mushkolaj dhe z.Ismet Kurti kryetarin e shoqatës së mirënjohur “Ana e Malit” që morën pjesë në këtë manifestim të bukur shkollor. Z.Zylo iu uroi të gjithë të pranishmëve: Gëzuar Festën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit që u ngrit më 28 Nëntor 1912 nga plaku i urtë Ismail Qemali me Is Boletinin prej Kosove dhe gjithë shqiptarët.
Znj.Vlora Citaku iu ka uruar gjithë të pranishmëve: Gëzuar Ditën e Flamurit, Ditën tonë kombëtare, ku për këtë ditë u derdh shume gjak për ta kurorëzuar me Pavarësinë e saj. Sot në këtë ditë dua të nderoj dhe kujtoj dhe Kongresin e Manastirit që mblodhi gjithë dijetarët shqiptarë, më 14 Nëntor deri më 22 nëntor, për përcaktimin e Alfabetit të gjuhës shqipe, ndaj dhe u quajt edhe Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Znj.Çitaku tha se: Nuk ka më kënaqësi dhe emocion që të shikosh gjithë këta nxënës shqiptarë të lindur dhe rritur në Amerike dhe të flasin dhe të këndojnë shqip. Kurrë mos e harroni gjuhën e nënës, vazhdoni ta pasuroni atë, se nëpërmjet saj ju do të njiheni dhe do të ndjeni në shpirt traditat dhe kulturën e mrekullueshme të popullit shqiptar. Sot si Konsulle e Përgjithshme e Kosovës, në emrin e Repbulikes së Kosovës dhe Ministrit të Diasporës z.Ibrahim Sh.Makolli do t’ju ndaj çertifikatën e mirënjohjes për kontribut të veçantë në arsimin plotësues të mësimit shqip në Diasporë si Shkollë Shqipe në Amerikë. Vlerësimi i saj për Shkollën Shqipe “Alba Life” është mirëpritur me duartrokitje nga të pranishmit.
Festimi i Ditës së Flamurit në Manhattan ishte një ditë që u nderua me madhështi nga nxënësit e Shkollës drejtuar nga mësuesit e tyre në Gjuhën Shqipe, në gjuhen e nënës së tyre! Ishte një e shtunë Manhattani i cili oshëtiu në 102 Vjetorin e Pavarësise së Shqipërisë nga kënga: Fol SHQIP, se je SHQIPTAR!

22 Nëntor, 2014
Manhattan, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fol shqip, në 102, ne Manhattan, se je shqiptar- Festë, vjetorin e Pavaresise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT