• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fol shqip, se je shqiptar- Festë në Manhattan në 102 Vjetorin e Pavarësisë

November 23, 2014 by dgreca

Nga Keze Kozeta ZYLO/
Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” e cila operon në tri lagje të Nju Jorkut dhanë një program të bukur artistik në shkollën publike amerikane PS 173 në Manhattan me rastin e 102 Vjetorit të Pavarësisë. Jo rastësisht u zgjodh Manhattani për të shfaqur këtë program artistik, por kjo u bë me qëllimin për të nderuar shkollën e parë shqipe në Manhattan që u hap muajin e kaluar dhe për t’u bashkuar të gjithë në Diten e Shenjtë të Flamurit.
Në këto ditë festash nxënësit dhe mësuesit janë gjithmonë të preokupuar për ta pritur Ditën e Flamurit me programe të bukura artistike. Salla e veshur me ngjyrat e Flamurit kuq e zi u mbush plot e përplot me nxënësit, mësuesit, artistët dhe prindërit të cilët mezi po prisnin të dilnin në skenë fëmijët e tyre plot talent. Bota e tyre e magjishme tërheq çdo të rritur, kur ata luajnë dhe qeshin me njeri-tjetrin, miqësohen aq shpejt sikur të kenë qenë njohur prej kohësh.
Programin e ka hapur Dr.Valbona Zylo Watkins e cila pasi ka përshëndetur të gjithë të pranishmit dhe iu ka uruar atyre: Gëzuar Ditën e Flamurit dhe 102 vjetorin e Pavarësise, ka ftuar mësueset dhe nxënësit të vazhdojnë programin sipas radhës.
Programi ka filluar me dy himnet kombëtare: shqiptare dhe amerikane. Himni Kombëtar shqiptar është intepretuar nga Dëshira Ahmeti Kërliu sopranoja e parë shqiptare me origjinë nga Dibra e madhe në operën e Shkupit, ndërsa Himni Kombëtar amerikan është intepretuar nga nxënësja e shkollës shqipe, artistja e vogël dhe plot talent Kristina Melo.
Programin e kanë hapur nxenesit e shkollës shqipe në Manhattan që sipas traditës si mikpritesja që ishte i takonte për të qenë e para dhe për të përshëndetur me një buqetë të bukur poezish. Eshtë vendi për të përmendur mësuesen veterane dhe të përkushtuar znj.Liza Pllumbi e cila me një pasion dhe profesionalizëm iu kishte mësuar fëmijëve poezi të bukura atdhetare, patriotike si dhe këngë. Mësuese Liza ka qenë një bashkëpunëtore e ngushtë me bordin e shkollës për të hapur Shkollën Shqipe në Manhattan dhe kanë punuar fort për ta realizaur atë së bashku me znj.Nora Nilaj qe realizuan për të ushtruar mësimin e gjuhës shqipe në mjediset e shkollës publike amerikane PS 173. Për arsye familjare mësuese Lizën e cila nuk kishte mundësi të vinte në këtë program e zëvendësoi mësuese Dita që jep mësim në Brooklyn. Skena ndrinte dhe dukej sikur sytë e fëmijëve lëshonin dritë si prozhektor në sallë nga ndjenja e kënaqësisë dhe krenarisë të cilët e pritën me plot dashuri Festën e Flamurit, ata të veshur me ngjyrat e Flamurit i dhanë jetë e gjallëri ditës së shtunë në këtë festë të bukur. Nxënësit me poezitë si Gjuha Shqipe recituar nga Kevin Preldakaj, sa të dua Shqiperi, nga Anxhelika Hysaj, Shko dallëndyshe nga motrat Kristina dhe Klea Lisi, Gjuha e bukur Shqipe nga motrat Nilaj i dhanë dhe më shumë jetë ditës së shtunë. Nora Hysaj këndoi Qingji i vogël, ndërsa Aleksandra dhe Nora Hysaj kërcyen vallen dyshe malsorshe.
Pas Manhattanit në skenë janë paraqitur nxënësit e shkollës shqipe në Staten Island të drejtuara nga mësuesja e tyre Valbona. Nxënësi Rilind Bardhi ka recituar poezinë Shoku Im, Gjuha Shqipe nga Dea Watkins, Atdheu, Julinda dhe Rozafa Dimnaku, Sabrina Velovic, Flamuri me Shqiponjë, Liana, Ylli i vogël lart në qiell, Fiona Doda Abetare. Pas poezive të bukura nga nxënësit e Staten Island është kënduar kënga aq popullore e dashur për të gjithë shqiptarët: Fol Shqip se je Shqiptar, këngë që u shoqërua me emocion, levizje të trupit, të duarve, nga të gjithë nxënësit e skenës, interpretuar nga Fiona Doda, ndërsa gjithë salla e shoqëronte me duartrokitje ritmike.
Ndërsa i dëgjoja e magjepsur e gjitha melodinë e këngës dhe tekstin me vargjet si: Çdo behar kur vije për festa dhe gëzime, vështirësinë e gjej në gjuhën e nënës sime/ Shqip të foli nëna, kur erdhe në jetë/ mos e harro gjuhën kudo që të jesh/një fjalë po ta them/ amanet nga të parët/ ta mbash për jetë/ fol shqip se je shqiptar!, më dukej sikur Manhattani, qyteti që s’fle kurrë gjumë, oshëtiu i gjithi, ndërsa oqeani buçiti, gjëmoi me zëra fëmijësh Perëndie, SHQIP!
Mësuese Afërdita ka drejtuar programin e nxënësve të saj në Brooklyn që ka filluar me poezitë të recituara nga Lejla Hasani, Irsa Cinari, Gabriela dhe Griselda Përmeti, Angie Bahçja, Sara Lunaj, Brian Kacubaj, Agolli. Në violinë ka interpretuar Brian Kaçubaj, Ode to Joy të Bethovenit. Të gjithë fëmijët së bashku kënduan këngën: “Hapa dollapa” dhe kërcyen mjeshtërisht Buburrecin.
Mësuese Marjana e ka filluar programin në radhë të parë duke përshëndetur prindërit, mësuesit, nxënësit dhe shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e stafit të shkolles dhe falënderoi organizatorët e hapjes së shkollës shqipe për mundësitë që i kanë dhënë per ta ushtruar profesionin e mësuesisë, me nxënësit e rritur. Mësuese Marjana e ka hapur programin e saj me Anisa Shahun që recitoi “Atdheu”, Sa të dua Shqipëri nga Endri Gjona, Gjuha jonë nga Ariela, O malet e Shqipërisë nga “Oresti Salillari dhe Rafael Gjona”, Ty Flamur të duam shumë nga Sabrina Lulanaj dhe Aurora Shahu. Pasi kanë mbaruar interpretimet nxënësit janë drejtuar nga sopranoja e shquar, Lindita Mezini Lole për të kënduar këngën “Zogu i verdhë”, këngë që dukej dhe ndjehej aq ëmbël si cicërrima fëmijësh. Programi është mbyllur me këngën e Gjuhës Shqipe që është njëkohësisht dhe hymn i shkollës kompozuar nga prof.Petrika Melo dhe interpetuar nga Kristina Melo dhe gjithë nxënësit. Nxënësit këndonin me dashurinë e papërshkruar për Gjuhën Shqipe si: Mezi presim shkollën shqipe, që të flasim dhe të mësojmë, me shkronjat e alfabetit, si ëngjëjt Kombin e mbrojmë. Interpretimi i tyre u shoqërua duke valëvitur Flamujt Kuq e Zi që mbanin në duar me shkabën dykrenore.
Pas programit të pasur artistik, z.Qemal Zylo themelues i shkollave Shqipe ka falënderuar në radhë të parë të gjithë nxënësit që vinë me aq dashuri dhe pasion dhe ulen në bangot e shkollës për të mësuar SHQIP, prindërit, shprehu mirënjohjen e pakufishme për bashkëpunimin me mësueset e përkushtuara si Ditën, Lizën, Marjanën, Armelën, etj, të gjithë të pranishmit si dhe Konsullen e Përgjithshme znj.Vlora Citaku, Konsullin e Kosovës z.Korab Mushkolaj dhe z.Ismet Kurti kryetarin e shoqatës së mirënjohur “Ana e Malit” që morën pjesë në këtë manifestim të bukur shkollor. Z.Zylo iu uroi të gjithë të pranishmëve: Gëzuar Festën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit që u ngrit më 28 Nëntor 1912 nga plaku i urtë Ismail Qemali me Is Boletinin prej Kosove dhe gjithë shqiptarët.
Znj.Vlora Citaku iu ka uruar gjithë të pranishmëve: Gëzuar Ditën e Flamurit, Ditën tonë kombëtare, ku për këtë ditë u derdh shume gjak për ta kurorëzuar me Pavarësinë e saj. Sot në këtë ditë dua të nderoj dhe kujtoj dhe Kongresin e Manastirit që mblodhi gjithë dijetarët shqiptarë, më 14 Nëntor deri më 22 nëntor, për përcaktimin e Alfabetit të gjuhës shqipe, ndaj dhe u quajt edhe Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Znj.Çitaku tha se: Nuk ka më kënaqësi dhe emocion që të shikosh gjithë këta nxënës shqiptarë të lindur dhe rritur në Amerike dhe të flasin dhe të këndojnë shqip. Kurrë mos e harroni gjuhën e nënës, vazhdoni ta pasuroni atë, se nëpërmjet saj ju do të njiheni dhe do të ndjeni në shpirt traditat dhe kulturën e mrekullueshme të popullit shqiptar. Sot si Konsulle e Përgjithshme e Kosovës, në emrin e Repbulikes së Kosovës dhe Ministrit të Diasporës z.Ibrahim Sh.Makolli do t’ju ndaj çertifikatën e mirënjohjes për kontribut të veçantë në arsimin plotësues të mësimit shqip në Diasporë si Shkollë Shqipe në Amerikë. Vlerësimi i saj për Shkollën Shqipe “Alba Life” është mirëpritur me duartrokitje nga të pranishmit.
Festimi i Ditës së Flamurit në Manhattan ishte një ditë që u nderua me madhështi nga nxënësit e Shkollës drejtuar nga mësuesit e tyre në Gjuhën Shqipe, në gjuhen e nënës së tyre! Ishte një e shtunë Manhattani i cili oshëtiu në 102 Vjetorin e Pavarësise së Shqipërisë nga kënga: Fol SHQIP, se je SHQIPTAR!

22 Nëntor, 2014
Manhattan, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fol shqip, në 102, ne Manhattan, se je shqiptar- Festë, vjetorin e Pavaresise

VATRA 100 VJECARE FESTOI ME MADHESHTI 100 VJETORIN E PAVARESISE

November 26, 2012 by dgreca

NJU JORK : Shoqata Vatra, pararendësja e Pavarësisë së Shqipërisë kremtoi 100 Vjetorin me 500 pjesmarres/

Nga BEQIR SINA, New York/

Bronks – New York : Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetet ku më së shumti vitet e fundit janë të përqendruar shqiptarët, në këto ditët të javës që lamë pas – në lokalet shqiptare dhe vendet e zgjedhura nga ata për të festuar, së bashku me familjet, miqtë e tyre shqiptarë e amerikanë, kanë kremtuar me madhështi 100 – Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, që është njëhereshit edhe festa më madhore që i bashkon të gjithë shqiptarët nga të gjitha krahinat dhe trojet të tyre prej nga kan ardhur në SHBA.

Por, për dallim nga vitet e tjera, këtë vit tek shqiptarët e Amerikës, kjo festë ishte një ditë edhe më e shënuar se heret e tjera.100 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, u shoqërua me fjalime patriotike, duartrokitje, brohoritje e këngë e valle nga të gjitha trevat tona. Ngritjen e flamurit kuq e zi në sheshet qendrore të qyteteve më të mëdha Amerikane. Ndërkohë, që në New York edhe rrugët e qytetit të Bronxit janë hijeshuar me flamurin shqiptar vendosur në shtyllat e ndriçmit në dy anët e rrugëve, sikurse në, Vlorë, Prishtinë, Shkup, dhe Tiranë( një inisiativë personale kjo që pesëvjeçarin e fundit e kryen me shpenzimet e veta veprimtari i dalluar – anëtari i Kuvendit të New Yorkut zotit Mark Gjonaj)

Darka e Vatrës një manifestim qëndror dhe ai që i bashkoi të gjithë shqiptarët, nga Shqipëria, Kosova, dhe të gjitha trojet etnike shqiptare, u mbajt nën “ombrellën” e shoqatës PanShqiptare e Amerikës Vatra në New York, me pjesmarrjen e  më shumë se 20 grupimeve, shoqatave, enteve fetare në komunitet, organizatave të tjera politike dhe krahinore,organizuan mbrëmjen madhështore, në shenjë të përvjetorit të 100-të, të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ky manifestim u mbajtë të dielën më 25 Nëntor, në lokalin “Maestro’s” ne Bronks- Nju Jork, dhe morën pjesë rreth 500 shqiptarë.

Mes pjesmarrësve ishte dhe asamblameni i New Yorkut zoti Amrk Gjonaj, klerikët e dalluar të komunitetit si dhe shumë personalitete të rëndësishme, biznesmen dhe afaristë të njohur të komunitetit shqiptarë në Amerikë, diplomatët e Kosovës dhe Shqipërisë në New york dhe Washington.

Në New York, “kryeqendrën” e Shqiptarëve të Amerikës, shqiptarët të përbashkuar nga të gjitha trojet, Shqipëria, Kosova, Kraja Ulqini, Plavë – Gucia, Presheva, Bujanovci e Medvegja, Tetova e Gostivari, Struga, Kumanova e Dibra, Preveza, Filati – Çamëria, u mblodhën që të festojnë në mënyrën më madhështore 100 vjetorin e pavarësisë.

Një manifestim shumë inkurajues dhe me nivel plot shpresëdhënës për organizimin e bashkësisë sonë në SHBA, organizuar nga Komisioni i organizimit të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nga Vatra, Bashkësia shqiptare dhe Shërbimi Diplomatik Shqiptar në New York. Mbrëmjen festive të 100 vjetorit e përshëndetën në emër të Ambasadorit të Shqiperise ne Uashington diplomati Anton Koliqi dhe Ambasadori Ferit Hoxha Shef i Misioni i Perhershem i Shqiperise ne OKB. Në emër të qeverisë dhe kryeministrit Berisha tubimin e përshëndeti konsulli Përgjithëshëm i Shqipërisë në New York, zoti Dritan Mishto, sikurse me një mesazh të dërguar në emër të Ambasadorit i Kosovës në New York, zotit Bekim Sejdiu, konsulli i Konsullatës së Kosovës, në New York, zoti Fatmir Zajmi.

Shoqata Vatra, tha nënkryetari i saj zoti Agim Rexhaj me themelimin e saj “shtatë muaj para pavarësisë së Shqipërisë, ska dyshim që ishte pararendsja ose një lajmëtare e dritës dhe e simbolit të lirisë për shqiptarët, se po vinte ndarja nga vargonjët e robërisë, mbas pesë shekujsh – pra 28 Nëntori 1912 ngritja e flamurit nga Plaku i Vlorës i urtë dhe i mençëm – Islamil Bej Qemali “.

Duke hapur festën e flamurit nën/kryetari i Vatrës, zoti Agim Rexhaj, i cili tha se Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, është një simbol i indentitetit dhe bashkimit të gjithë shqiptarëve, simbol i krenarisë kombëtare dhe i dashurisë për Atdheun tonë të dashur tha ai. Kjo ditë e veçantë, vijojë Rexhaj mbledh se bashku të gjithë Shqiptarët dhe miqtë e tanë, kudo që jemi në nder dhe respekt të thellë për të gjithë Kombin Shqiptar. Po, qe se nuk do të kishte qënë kjo ditë, tha Rexhaj, s’ka dyshim që edhe “Nëntori i dytë i Shqiptarëve – Pavarësia e shejtë e Kosovës – nuk do të kishte qenë”.

Drejtuesia e këtij manifestimi zonjusha Nazo Veliu, prezantoi mysafirët e nderit dhe disa nga personalitetet e njohura të komunitetit . Lutjen fetare dhe bekimin e festës së 100 Vejtorit e kreu sipas traditës së kësaj feste – I përdershmi Josuf Balaj nga Qendra Islamike Shqiptaro – Amerikane për New York dhe New Jersey.

Hymnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë, u kënduan nga këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore Merita Halili, shoqëruar prej orkestres së drejtuar nga mjeshtri i firzamonikës Raif Hyseni. Më pasë me një minutë heshtje, për të nderuar kujtimin e dëshmoreve të kombit shqiptar, dhe për ushtarët amerikanë të rënë në luftërat për liri, paqe e demokraci, si dhe kundër terrorisimit ndërkombetar, u shoqëruan nga të pranishmit me qëndrim në këmbë, në shenjë nderi e respekti.

Në fillim të fjalës së tij kreu i Vatranëve në Amerikë, Dr. Gjon Buçaj, i urojë me këtë rast kremtimin të 100 vjetorit, ditës ma të shejtë të kombit shqiptar, Ditës së Flamurit që shënon pavarësinë e Shqipnisë, mbas përpjekjesh afër pesë shekullore,të gjithë pjesmarrësve.

“Etja për liri që nuk u shue kurrë, i shtyni shqiparët, tha Dr Buçaj, në kundërshtime e kryengritje të izolueme, derisa në Lidhjen e Prizrenit u krijue vetëdija e kombësisë së përbashkët që solli luftën e organizueme gjithëkombëtare, luftë e cila ushtarakisht humbi për mungesë mbështetje nga jashtë, por vazhdoi të frymëzojë kryengritje të herëmbashereshme. Ndërsa pushka kërciste dhe gjaku derdhej që nga jugu në veri nga Kosova në Çamëri në Malësi dhe pothuej në të gjitha trevat shqiptare, në kancelaritë e Europës e në Ëashington, memorandume e delegacione të ndryshme sillnin mesazhet e luftës për liri, ku dhe Vatra ka dhanë kontributin e saj të fuqishëm.”

Më pas ai vuri në pah faktin se e ushqyeme me gjak e sakrifica të mëdha në shtegtimin e gjatë, andrra shekullore e lirimit nga robnia u ba realitet, kur Ismail Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin dhe nji plejade fatosash të tjerë të kombit nga të katër vilajetet, tue pasë mbrojtjen e armatosun të Isa Boletinit me luftarët nga Kosova, ngriti Flamurin e Gjergj Kastriotit Skanderbeut dhe shpalli Shqipninë shtet të pavarun me 28 Nandor 1912, në Vlorën historike.

Në fjalën e tij kryetari i Vatrës kujtojë që të mbledhun këtu me atë gëzim që po e përjeton e gjithë bota shqiptare në këto ditë, përkujtojmë ata të cilët na sollen si dhe ata që me gjak e sakrifica e mbrojtën pavarësinë dhe integritetin e shtetit shqiptar, ku Vatranët si u shpreh ai nxanë vend nderi përsëri por disa prej tyne që u riatdhesuen në shërbim të kombit, i persekutoi atdheu i tyre Shqipëria, ose regjimi në shërbim të ideologjisë së huej.

“Pra, i burgosi, i vrau dhe i quejti armiq të popullit, reaksionare, kuislinge e trathtarë; të gjithë ata që ecën pandërpremje drejt realizimit të aspiratës shekullore edhe për pjesën e lanun jashtë kufijve të 1913-ës, në veçanti elitën e kosovare t’udhehequn nga dr. Ibrahim Rugova dhe luftarët e popullit liridashës me komandant Adem Jasharin që i sollën Kosovës lrinë”.

Duke folur per shtresen e te perndjekureve politike, kryetari i Vatres theksoi: Shtresa që, me vuejtje të papërshkrueshme dhe vdekje në burgjet e në kampet e diktaturës komuniste, ruejti të pandërpreme frymën e trashigueme nga etënit e pavarësisë, mbajti gjallë shpresën e lirisë, forcoi vëllaznimin në mes shqiptarëve të nji gjaku dhe, me qendrimin e saj paqësor e jo hakmarrës në liri, i rriti kombit prestigjin dhe i tregoi rrugën drejt së ardhmes së përbashkët. 

Ndërsa, festojmë dhe me gëzim e krenari kombëtare përjetojmë arrijtjet e këtyne 100 vjetëve, tha Dr Gjon Buçaj, kujtojmë me mirenjohje të thellë edhe miqt të cilët na ndimuen, sidomos Shtetet e Bashkueme të Amerikës që na u gjetën në momentet ma të rëndësishme të historisë sonë dhe të ekzistencës sonë kombëtare.

Me këtë rast kryetari i Vatrës në emër të vatranëve tha se përshëndesim edhe kthimin e eshtnave të Mbretit Zog në Atdhe dhe përgëzojmë qeverinë dhe shtetin shqiptar për këtë akt kombëtar, duke shpresuar që ky të jetë ky fillimi i një procesi për riatdhesimin e shumë figurave të tjera dhe vëlerësimin objektiv të figuravet kombëtare, në vijim me porosinë e Kryeministrit Berisha dhënë Kimisionit Ndërministror për Pavarësinë.

Në fund të falës së tij Kryetari i Shoqatës VATRA, Dr. Gjon Buçaj tha se :”Urojmë që kjo festë e shejtë dhe e kujtimit të atyne që i kushtuen jetën kësaj dite, të jetë një 100 vjetorë i bashkimit tonë kombëtar, i frymëzimit për të gjithë shqiptarët që të bashkohen në harmoni drejt nji ardhmenije ma të mirë dhe ma të drejtë”.

Kjo shoqate me rastin e ditës së pavarësisë sipas traditës, së hershme të saj 100 vjeçare nderojë për këtë 100 vjetor me çmimin e nderit “Fan S. Noli”, ish kongresmenin republikan dhe mikun e dëshmuar të shqiptarëve në SHBA Beniamin Gillman, për kontributin dhe rolin e tij te madh në dobi të çështjes shqiptare.

Anëtari i Asamblesë së New Yorkut, në emër të kongresmenit demokrat Eliot L. Engel mori çmimin “Fan S. Noli” akorduar nga shoqata atdhetare VATRA. Eliot Engel është anëtar i Kongresit për New York-un që nga viti 1989, i cili shërben sot si Kryetar i NënKomitetit të Çështjeve të Jashtme për Hemisferën Perëndimore në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkohë që Shqiptarët e njohin më mirë si kryetar i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongres, si një luftëtar i hershëm për pavarësinë e Kosovës dhe si një mik i madh i shqiptarëve në Washington
Të përbashkuar tek Vatra, dje valle, kënge e melodi nga të gjitha trevat, kanë vijuar pbr gjatë gjithë mbrëmjes nën argëtimin e hareshëm të grupit muzikor, Grupi i mjeshtërve të muzikës popullore shqiptare Bilbili i këngës së “Shqipërisë së Mesme ” Merita Halilit me frizamonicistin e mrekullueshem Raif Hysenit,këngëtarin e njohur të komunitetit Mithat Salihu (Kino-Gara), si dhe këngëtarët të tjerë të komunitetit. – I ftuar special ka qenë këngëtari i ri i talentuar: Bledar Maqellara dhe me një preformancë mbresa lënëse këngëtari nga Struga – Haxhi Dauti – i cili këndoi dy këngë enkas për këtë 100 vjetor një për Pavarësinë e Shqipërisë dhe një për Vatrën.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: 100 vjecare, Beqir Sina, festoi 100, Vatra, vjetorin e Pavaresise

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT