Njoftojme komunitetin shqipetar se Musli Mulosmanaj me vllazeri pret ngushellime per nipin e tij, AGIM MULOSMANAJ, te dielen, 28 Dhjetor nga ora 10:00 mengjezit deri ne 5:00 mbasdites ne: Royal Regency Hotel – 165 Tuckahoe Rd, Yonkers, NY 10710 Tel: 914-476-6200.
***
Notice that Musli Mulosmanaj and family will be receiving condolences for the loss of his nephew, AGIM MULOSMANAJ, this Sunday- December 28th from 10:00am-5:00pm at Royal Regency Hotel as shown above.
Archives for December 2014
KUSH JEMI NE?
Shkruan: arch. Ylber Vokshi/*
Po kalon edhe një vit kalendarik,jemi në dekadën e dytë të shekullit XXI e ne ende po përballemi me problemet elementare urbane që nevojitën për funksionimin normal të një shoqërie. Po i theksoi vetëm problemet urbane pasi për ato hapësinore apo arkitektonike as që mundemi të mendojmë,pasi jemi shumë larg atyre kritereve që e formësojnë jetën normale në një shoqëri të civilizuar. E tërë kjo është rezultat e një qasje tërësisht të gabuar ndaj hapësirës së shtetit tonë,e besa edhe i mospunës kronike që po e përcjell ketë shoqëri në shekullin e ri.
Nuk besoj se ka kokë normale të arsyetojë tërë atë se çka është duke ngjarë në hapësirën Kosovare në fushën e ndërtimit,e që nuk i bënë së pari vetvetes e pastaj të tjerëve. Pyetjet kush jemi ne ? Cili soj i njerëzve jemi ? Cilit civilizim i përkasim ? Ç’popull qenkemi ne ? A kemi ndonjë veçanti të panjohur për racën njerëzore ? E shumë pyetje tjera të pa shpjegueshme.
Rezultat i një injorimi total të kësaj problematike është bërë me disa kritere të çuditshme,ku kanë dominuar principet lokaliste,klienteliste,klanore e ma tragjikja janë ato korruptive,pasi ndërtimet kanë shërbye si fasadë për “tyrlefare” marifete si shpërlaja e parave etj. Rritja e kualitetit të jetës urbane dhe rurale dhe mirëqenia e banorëve të saj duhej të ishte caku ynë! Ishte fat i madh që të gjithë mërgimtarët dëshironin të futnin kursimet e tyre shumë vjeçare të fituara me mund në gërbet,këtë shans të madhe nuk ditëm me e materializuar si duhet, përse?
Të kota ishin ndërhyrjet e mija profesionale dhe konstruktive në vazhdimësi që nga pas lufta,nga koha kur u inkuadrova në MMPH (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) e deri me sot. Të kota ishin edhe apelet e mija publike me anën e shtypit ditorë dhe ati elektronik,konferencave apo forumeve urbane,për të sensibilizuar opinionin për pasojat që i bjen kjo formë e ndërtimeve të pa kontrolluara nga ana e shtetit.
Sot,strukturat e reja komunale duhet të ballafaqohen me të gjitha pasojat e këtyre veprimeve tona në pesëmbëdhjetë (15) vitet e fundit,duke mos menduar pak në pasojat tragjike për hapësirën. Tani po tentojmë që me disa ligje të legalizimit të përmirësojmë situatën urbane të krijuar që është gati pa mundur,pasi atë nuk e lejojnë konventat e të drejtave të njeriut të cilat duhemi me i respektuar,nëse dëshirojmë të jemi pjesë aktive e bashkësisë ndërkombëtare. E kamë theksuar shumë herë,se në si shoqëri vetëm do të bëjmë legalizimin e të keqes me disa plane rregulluese, pa ndërmarrë masa adekuate ligjore ndaj atyre që e lejuan dhe e krijuan ketë situatë,duke e pru ketë shoqëri para aktit të kryer,për me e pranuar si realitet të hidhët ketë situatë degraduese urbane në tërë Kosovën.
Elementi parësor i SIGURISË së këtyre ndërtimeve sot është kryesori,të gjitha çështjet tjera ,për të cilat ka hapësirë për të kritikuar do të jenë dytësore,nëse nuk e kemi sigurinë e objekteve dhe vendbanimeve tona. Urbanizmi nuk është vetëm vendosja e një objekti apo një kompleksi në hapësirë,nuk është renditje fizike e tyre siç theksonte profesori i im Juraj Neidhardt,ai është shumë ma kompleks ku rrolin udhëheqës duhet ta kanë ekspertët e planifikimit hapësinor dhe urban. Ata duhet të jenë si koordinator e të gjithë pjesëmarrësve tjerë në procesin e ndërtimit,duke filluar nga gjeologët,gjeoteknikët,gjeomekanikët,seizmistët,statiqarët,arkitektët,ndërtimtarët, gjeografët,sociologët e profilet tjera varësisht nga natyra e objekteve apo tërësive urbane të projektuara.
Disa fjalë për ata që merren me përpilimin e dokumenteve hapësinore në Kosovë. Në thelb iu mungon përgjegjësia profesionale,për te cilën deri me sot nuk kanë dhënë llogari,edhe se janë kontribuuesit kryesor për situatën e krijuar urbane,kaotike në tërë Kosovën. Është i ditur niveli i diturive të vendimmarrësve tonë nëpër komuna e besa edhe në nivelin qendror (MMPH),ku edhe kamë punuar pesë vite dhe kamë tentuar kot që të vihet rend dhe rregull në fushën e Planifikimit Hapësinor. Ajo çka është shumë brengosëse është nivel i ulët i atyre dokumenteve që nuk po kanë lidhje me situatën REALE në teren dhe po janë adut bindës për mos zbatimin e tyre nëpër komuna dhe në nivelin qendror. Në shumicën e rasteve ka munguar qasja profesionale në përpilimin e këtyre dokumenteve,që është proces kompleks dhe procedohet në një formë bashkëkohore të planifikimit hapësinor STRATEGJIKË i cili aplikohet në tërë botën e civilizuar në shekullin 21. Ka edhe bashkëpunim të ndërsjellë që qëllimin parësor e kishin vetëm zhvatjen e mjeteve të shumta materiale që iu kanë paguar komunat,për përpilimin e dokumenteve hapësinore,fare pa u brengosur se çka po ngjan me hapësirën e projektuar.
Si mundet dikush të arsyetoi zyrtarët e lartë komunal kur sipas qejfit apo detyrës i caktojnë lokacionet për shumë objekte infrastrukturore të domosdoshme për funksionimin e qyteteve,fare pa u bazuar në dokumentet hapësinore të cilat janë punuar dhe paguar me para të taksapaguesve,aty duhej të ishin të definuar këto lokacione. Mënyra se si janë punuar dhe aprovuar tregon një realitet të hidhët se ato nuk i shërbejnë askujt,e për atë edhe e kanë humbur funksionin e tyre për çka do të duhej të punoheshin.
Rasti ma i freskët i këtyre ditëve është propozimi për ndërtimin e ambulancës në lagjen Veternik afër fshatit ndërkombëtar,nga ana e Drejtorit të i Shëndetësisë dhe Mirëqenies së Kuvendin Komunal të Prishtinës,e në anën tjetër banorët e lagjes nuk pajtohen me ketë përzgjedhje. Kjo tregon se si janë punuar dhe aprovuar këto dokumente hapësinore në kryeqytet përkundër rekomandimeve të KEP-it (Këshilli i ekspertëve të planifikimit i K.K. të Prishtinës) të cilat nuk janë përfillur. Vetëm shikoni vërejtjet,sugjerimet dhe rekomandimi që ky Këshill i ka dhënë për PZhU 2012-2022 +,me 15 gusht 2013 pika 20 faqe 166.-169. Atëherë do të kemi shumë ma të qartë se si është punuar në Kosovë,në procesin e punimit dhe aprovimit të dokumenteve hapësinore në Kuvendet Komunale. Kjo qasje është tepër dëshpëruese,po vazhdon me të vjetrën kur janë caktuar lokacionet e ndryshme të objekte diplomatike (ambasadave),atyre sakrale-fetare,arsimore e tjera pa u bazuar në planet hapësinor apo urbane që ekzistonin.
Ngjashëm ka vepruar edhe Qeveria e Kosovës kur ka përcaktuar trasën e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit,pasi nuk ka pasur përputhshmëri me dokumentet hapësinore të aprovuara të Komunës së Prishtinës. Ky projekt është i përcjell me shumë “misteri”,të cilat popullit të Kosovës po i kushtojnë shumë shtrenjtë,jo vetëm në aspektin material si pretendojnë shumica e politik bërësve. Po i përmendi vetëm këto dy raste në Prishtinë por situatën e ngjashme e kemi në tërë vendbanimet ku janë miratuar këto dokumente të cilat janë paguar kot me parat e taksapaguesve,pasi gati askush nuk i merr parasysh. A thua ato janë punuar për të u pluhurosur në raftet e komunave tona,diçka e pa kuptueshme në shekullin e ri që ngjan vetëm tek ne.
Se jemi shoqëri e cila punon me inercion,pa planifikim hapësinor këto e vërtetuam në këto vite,të gjithë ne po i vërejmë pasojat e veprimeve tona,domosdo duhet ndërruar rrënjësisht mënyrën se si kemi punuar deri me tani,e për ketë duhet punuar me përkushtim,përgjegjësi dhe angazhim të profesionistëve,të cilët nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë në Kosovë,nevojitet vetëm menagjim ma i mirë.
Me siguri do të jem “qesharak” në syrin e shumë kujt kur me atë se çka është duke u vepruar gati në të gjitha komunat tona,po gjejë energji dhe optimizëm ekstrem për të luftuar këto dukuri të cilat do të dërgojnë një shoqëri në vet shkatërrim .Po lejojmë që një grup i vogël i njerëzve të terrorizon tëre Kosovën në fushën e ndërtimit, planifikimit hapësinor urbanizmit dhe arkitekturës.
Më mban shpresa,e cila vdes e fundit, që kjo shoqëri me konstituimin e organeve të reja qeverisëse do të merr hapa konkrete,për të ndryshuar situatën e krijuar kaotike urbane,pasi po vërehen hapa pozitive në disa komuna e posaçërisht në kryeqytet ku janë ndërpre ndërtimet pa leje e për të ndryshuar situatën e krijuar duhet shumë punë kreative për të cilën Kosova ka kuadro. Natyrisht problematika e tillë nuk mundet të zgjidhet për një mandat qeverisës,por duhet në vazhdimësi me përcjell,plotësuar, korrigjuar,ashtu si e kërkojnë normat dhe standardet ndërkombëtare të Planifikimit Strategjik Hapësinor dhe Urban.
Prishtinë arch. Ylber Vokshi-Ylli
23.12.2014 arkitekt i pavarur
ylberv@gmail.com
*Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK),
PROJEKTET E MEDHA NE FUSHEN E GJEOLOGJISE SHQIPTARE
Flet Prof. Dr. Irakli Premti ( Mineralogjist): Në Fondin Qendror të Gjeologjisë dhe projekteve gjenden mbi 8000 punime shkencore të bëra në 80-100 vjetshin e fundit/
Nga Albert Z. Zholi/
-Ju tregoj katër projektet e mëdha në fushën e gjeologjisë që do e nxjerrin Shqipërinë nga kolapsi
-Shqipëria në aspektin metalurgjik duhet përpunuar, laboruar e dixhitalizuar
– Për çdo vit duhet të planifikohen investimet kërkimore për të gjitha fushat
– Ja si duhet të punohet për furnizimin me ujë të pijshëm gjithë kohës
– Detyrë imediate ndërtimi i tunelit të Orikumit, i gjatë 2.5 kilometër, për të eliminuar Qafën e Llogarasë
– Ku dhe si duhet çarë Llogaraja dhe përfitimet e jashtëzakonshme të shqiptarëve
– Projekti për naftën e gazin dhe kërkimet që duhet të bëhen në të ardhmen
Albert Z. ZHOLI
Në strukturën organizative çfarë i sugjeroni qeverisë?
Në strukturën organizative në rang kombëtar mendojmë dhe i sugjerojmë Qeverisë tonë shqiptare që nën shembullin e organizimit në vendet e KE-së por dhe më gjerë, të aplikohet ky lloj organizimi. Organizimi të bëhet në Shoqatë, ku të marrin pjesë:
1. Shoqata Gjeologjike e Gjeologëve Shqiptarë ku marrin pjesë të gjithë gjeologët shqiptarë në kuadrin e Organizatës Gjeoalb.
2. Shoqata e Fizikantëve dhe Gjeofizikantëve të Shqipërisë, përfshi dhe gjeofizikën, për kërkimet gjeologjike në naftë e gaz, por dhe gjeofizikën që lidhet me tërmetet dhe fatkeqësitë natyrore. .
3. Shoqata Shkencore e Minatorëve ku futen të gjithë anëtarët e të gjitha kategorive, minatorë, zjarrmëtar, vagonist. Shoqata që ka ekzistuar dhe më parë por për arsye thjeshtimi e organizimi duhet të organizohet në këtë mënyrë në analogji me të gjitha atributet e ligjit minerar. Çdo shoqatë duhet të ketë buletinin shkencor, ku do të përfshihen të gjitha zhvillimet në këtë sektor, në përputhje me vendimet e qeverisë.
I. Kjo strukturë organizative e re që lidhet me problemin e menaxhimit dhe drejtimit të punës shkencore duhet:
a. Të drejtohet nga një zv/kryeministër ose në pamundësi nga një ministër fuqiplotë, që të drejtojë dhe të përgjigjet para Kryeministrit për realizimin e menaxhimit,
Në përbërjen e këtij komisioni duhet të marrin pjesë të gjithë ministrat e linjave, ai i Ekonomisë, Drejtësisë, Punës, Ndërtimit etj.
b. Në komisionin e planifikimit duhet të marrin pjesë dhe specialistët më të mirë dhe me përvojë, së bashku dhe me specialist të tjerë në fushën e Gjeologjisë, sizmikës, në fushën e minierave të shfrytëzueshme, miniera, naftë, gaz, drejtori i shërbimit gjeologjik të Shqipërisë (SHGJSH), apo siç quhet Agjencia e Burimeve Minerare që merret me kriteret e zbatimit dhe funksionimit të ligjit minerar, me kriteret e zbatimit sipas fazave të zbulimit e kërkimit.
Për natyrën që ka për nga rëndësia është urgjente që në kuadrin e organizimit të strukturës së madhe të ngrihet pranë Institutit të Naftës e Gazit në Fier, analog me atë të Francës dhe të resurseve natyrale të pasurive që ka vendi ynë, kjo është më se e domosdoshme që të organizohet sa më parë, për shkak të disiplinimit dhe planifikimit shkencor të pasurive nëntokësore e mbitokësore që ka vendi ynë për minierat, gjeologjinë, hidrokarburet, për naftë, gaz dhe ujin e pijshëm.
c. Në aspektin shkencor si anëtar komiteti nacional do të jetë:
1. Rektori i UP Tiranë
2. Dekani i fakultetit Gjeologjik.
Në këtë drejtim duhet të krijohet një hallkë e re, të shtohet një drejtori me specialistët përkatës, me vartësi nga drejtoria qendrore e menaxhimit. Mjafton të theksojmë se si rezultat i projekteve, revistave. referateve, sot në fondet gjeologjike të Fondit Qendror të Gjeologjisë dhe projekteve që janë bërë nga shoqëritë e huaja kryesisht ato të kromit e bakrit, gjenden mbi 8000 punime shkencore të bëra në 80-100 vjetshin e fundit, të cilat lind detyra që kjo pasuri e rrallë nëntokësore e mbitokësore që ka Shqipëria si rrallë shtet në botë për nga madhësia, Shqipëria në aspektin metalurgjik duhet përpunuar, laboruar e dixhitalizuar. Si përfundim, është e domosdoshme që aktualisht të krijohet organizmi i kontrollit të pasurive kombëtare, të rezervave gjeologjike, i cili ka ekzistuar dikur por nuk është më; për mineralet e ngurtë, të lëngët dhe të gaztë, kontroll që duhet të jetë në rolin e një taks force, ose dikur Kontrolli i Shtetit. Për gjendjen e rezervave gjeologjike ky organizëm duhet t’i raportojë Kryeministrit. Mendojmë dhe rekomandojmë që planin e kërkimeve, zbulimeve gjeologjike-minerare detyrimisht të përfshihen investimet që shteti duhet të bëjë për kërkimet për naftë dhe gaz, dhe studimet teknologjike që lidhen me problemet e investimeve që duhet të bëjë shteti për naftën, gazin dhe ujin e pijshëm në rang komunal dhe ato duhet të lidhen me investimet shtetërore, ato duhet të jenë një e të pandara, mbasi për fat të keq, në vitet e kaluara janë lënë jashtë ligjit të Gjeologjisë shqiptare, gjë e cila ka dobësuar kryerjen e investimeve, sidomos për naftën, gazin dhe ujin e pijshëm, çfarë mendojmë se kjo ka qenë një nga defektet serioze të ligjit për Gjeologjinë; kjo duhet të rregullohet dhe kërkimet në gjeologji-miniera duhet të përfshihen dhe investimet në fushën e kërkimeve dhe teknologjisë kërkimore, për të cilat më gjerësisht do të flitet sipas specifikave për çdo minerar të lëngët, të ngurtë apo të gaztë. Është e domosdoshme dhe i rekomandojmë shtetit që në planin e investimeve që duhet të kryejë shteti për çdo vit duhet të planifikohen investimet kërkimore për të gjitha fushat; ato duhet të jenë zë më vete. Është detyrë e njësisë organizative që të ushtrojë kontroll shtetëror për të gjitha arritjet përpara shtetit. Kjo në analogji dhe me përvojën e vendit tonë dhe të vendeve të tjera të KE-së dhe përvojën botërore.
Disa nga projektet që rekomandojmë për tu zbatuar në të ardhmen
Po i rekomandojmë qeverisë shqiptare për zbatim disa nga projektet kryesore të realizuara nga Universiteti Politeknik i Tiranës, me udhëheqës shkencor Akademik, Prof. Dr Jorgaq Kaçani, dhe projekte të tjera të kryera nga Prof. Dr. Irakli Premti me bashkëpunëtorë gjeologë të huaj e vendas, të cilat konsistojnë për probleme të ujit të pijshëm,. për furnizimin me ujë të pijshëm gjithë kohës, pa ngritje hidraulike, me vetërrjedhje në zonat bregdetare nga Gjiri i Vlorës- Himarë-Sarandë 2a. Për furnizimin me ujë të pijshëm gjithë kohës, pa ngritje hidraulike për qytetin e Tiranës e rrethinat, qytetin e Mamurrasit, Gjirit Lazlit, Durrësit, Shijakut dhe Kavajës; (i quajtur projekti TDK). Nga realizimi i këtyre dy projekteve furnizimi me ujë të pijshëm sipas normave të Komunitetit Europian të një popullate rreth 2.5 milion banorë. Detajet e këtyre projekteve do t’i japim më poshtë.
Projekti i tretë, 3a, përfshin furnizimin me ujë të pijshëm të vazhdueshëm pa nevojën e ngritjeve hidraulike të qyteteve Shëngjin-Lezhë-Velipojë-Shkodër-Gruemirë-Koplik.
Këtij projekti i është bërë rikondicioni nga gjeologët, është në fazën e prefizibilitetit, por janë të gjitha mundësitë që edhe ky projekt të realizohet dhe të mundësohet furnizimi me ujë të pijshëm i këtyre zonave.
Projekti i parë 1a, për zonën bregdetare të jugut parashikon ndërtimin e një tuneli, tunelit të Orikumit, i gjatë 2.5 kilometër, për të eliminuar Qafën e Llogarasë (në këtë tunel ka seksion dhe për kalim makinash); mbas tunelit kalohet në Palasë, Dhërmi, buronjat e Kuçit, Qeparo, burimet e Borshit, tuneli i Sasajt, ndërtuar 40 vjet më parë, tuneli i Përparimit, Gjiri i Kakomesë, sifoni i Gjirit të Kakomesë, qyteti i Sarandës, Finiq dhe Butrintit. Është e mundur që nëse dy qeveritë, qeveria shqiptare dhe ajo greke bien dakord për furnizimin me ujë të qytetit të Korfuzit, kjo mundësohet me ndërtimin e një tubacioni nënujor nga Butrinti në Gjirin e Korfuzit, me një gjatësi 2.5 kilometër. Ky projekt është i fazës së fizibilitetit, trasuar në terren, në të cilin parashikohet furnizimi me ujë gjithë kohës në sasi 2.5 -3 metër kub në sekondë. Ky projekt është diskutuar dhe në këshillin shkencor të UPT dhe në ministrinë e Ndërtimit dhe Telekomunikacionit, që në marsin e vitit të kaluar, por për fat të keq, për arsye të panjohura, ky projekt mbeti në letër. Pritet që qeveria të gjejë investitorë të huaj apo vendas që marrin përsipër furnizimin me ujë të pijshëm të zonës së bregdetit, nga Vlora deri në Butrint. Arteri kryesor është 195 kilometër dhe 25 kilometër përbëjnë degëzimet për të furnizuar mikroplazhet dhe plazhet e zonës jonike me ujë. Ky projekt është shkelur në terren, është fotografuar dhe shoqëruar me relacionin shpjegues përkatës, për të evidentuar vendet ku do të kalojë tubacioni. Në këtë projekt janë përcaktuar dhe fazat në kohë për realizmin e tij.
Projekti i dytë, 2a, parashikon furnizimin me ujë të pijshëm nga Mali me Gropa i cili është një serbator i madh ujëmbajtës, që siguron ujin e pijshëm i cili nga burimet e Malit me Gropa sigurohet një sasi ujë e mjaftueshme të qyteteve të Tiranës dhe rrethinave. Ujë është në parametrat e KE-së në cilësi dhe sasi dhe vendimeve të KM të Shqipërisë. Ky projekt është i fazës së prefizibilitetit (i parabërjes), por ai në parim, nga rikonicioni i bërë nën drejtimin e Akademik Prof. Dr. Jorgaq Kaçani dhe udhëheqës teknik, Prof. Dr. Irakli Premti me gjeologët e grupit të projektit garanton furnizimin me ujë të pijshëm të zonave të mësipërme. Në këtë projekt janë gjetur burimet, por nuk janë bërë matjet e debiteve, për neglizhencë të autoriteteve të pushtetit vendor.
Projekti i tretë, 3 a, përfshin furnizimin me ujë të pijshëm të vazhdueshëm pa nevojën e ngritjeve hidraulike të qyteteve Shëngjin-Lezhë-Velipojë-Shkodër-Gruemirë-Koplik. Ky projekt i takon fazës fillestare por është i domosdoshëm të kryhet mbasi lidhet me problemet e furnizimit me ujë të pijshëm të Zonës Adriatike. Projekti në parim nga autorët është shkelur, është bërë faza e rikonicionit, duke evidentuar në terren burimet ujore. Por për të kaluar në fazën e fizibilitetit është e nevojshme të kompletohet ky projekt nga ana e dokumentacionit teknik, me planimetri, harta, fotografi etj. Janë të gjitha mundësitë që me këto tre projekte bëhet furnizimi me ujë të pijshëm me normative të KE-së, për 3 -3.5 milion banorë dhe zgjidhet në këtë mënyrë një nga problemet më kryesore sociale të këtij tranzicioni, mbasi Shqipëria si zonë ujëmbajtëse zë vendin e tretë, pas Norvegjisë. Mundësimi i këtyre projekteve heq një herë e përgjithmonë atë thënien që Shqipëria ujë ka ujë s’ka. .
Projekti i katërt, 4 a. Në vitin 2004, në kuadrin e furnizimit me ujë të pijshëm të Lindjes së Mesme dhe të Largët si Malësitë Golan, Palestinë, Izrael, Greqi, Maltë, shoqëria hidrogjeologjike Kanadeze-Amerikane Alasca Water World (A.W.W), një nga shoqëritë më të mëdha në botë, ishte interesuar për marrjen e ujit të pijshëm nën detar që shkonte dëm në det, për zonën detare për ujërat nëndetar, nga Vlora deri Butrint, pasi në këtë zonë ka burime nëndetare të fuqishme. Për këtë arsye shoqëria kontaktoi me Prof. Dr. Irakli Premti, i cili i paraqiti asaj dhe diskutuan mundësitë e ekzistencës së burimeve nëndetare ujëmbajtëse, nga ku shoqëria nëse ekzistonin të tilla burime, do të realizonte direkt transportin e ujit të pijshëm me tanker. Për këtë qëllim u lidh një kontratë midis shoqërisë në fjalë dhe Prof. Dr. Irakli Premtit, ku kërkohej një rikonicion i gjithë burimeve nënujore të Vlorës nga Vlora deri në Llogara. Nga punimet e kryera nga Prof. Dr. Irakli Premti dhe bashkëpunëtorët e tij si Murat Reshka, Gogo Gjivogli etj, u përpilua raporti gjeologjik dhe u dërguan kopjet e tij në anglisht në Siatëll të Kandasë. Mbas përgjigjes pozitive që u mor nga diskutimet me të gjitha organet lokale dhe qendrore, studimi i cili parashikonte një furnizim me ujë të pijshëm nëndetar deri në 300 litra në sekondë, u aprovua, kaloi në Parlament dhe në të gjitha organizmat e tjera lokale dhe qendrore. Në këtë studim parashikohej marrja e ujit nga dy burime: 4/1 dhe 6/1. Mirëpo mbasi kaloi të gjitha hallkat shtetërore, për çudi, firmës iu refuzua zbatimi i këtij projekti, për arsye që nuk dihen. Në këto kushte firma ia la autorizimin Irakli Premtit, për të drejtën e shfrytëzimit, që nëse do të mund ta realizonte, firma do të merrte 15-20 përqind të fitimit. Kështu që nëse do të realizohej ky projekt, fitimet e shtetit do të ishin të jashtëzakonshme. Raporti me relacione, fotografi, planimetri është i gatshëm, pritet vetëm vullneti për ta nisur zbatimin e këtij projekti, duke gjetur firma koncesionare të interesuara
Projekti për naftën e gazin dhe kërkimet që duhet të bëhen në të ardhmen
Është me vend që për sa i përket kërkimit për naftë e gaz kërkohet që ato duhet të planifikohen investime në vete, sidomos për kërkimet që duhet të bëhen në të ardhmen për naftë e gaz. Për këtë rekomandojmë krijimin e sektorit të gjeofizikës detare që lidhet me problemet e shelfit detar dhe kërkimeve në kontinent. Në këtë fushë problem i ndarjes së kufijve detar sidomos për zonën Greqi, Shqipëri, e cila nuk është thjeshtë ndarje gjeografike si i thonë ndarje me thikë, por ajo si një zonë problematike që është, lind nevoja që në grupin qeveritar që do të krijohet për këtë çështje duhet të marrin pjesë jo vetëm topografë e hartografë me përvojë për gjeologjinë krahinore në Shqipëri, të cilët duhet të jenë të përgatitur për të gjitha ballafaqimet shkencore të gjeologëve krahinorë me gjeologët grekë në kuadrin e Gjeologjisë së Përgjithshme Helenido (Greke) –Albanide (Shqiptare), Italoide (Itali). Struktura gjeologjike krahinore duhet të ndahet më vete dhe të funksionojë brenda organizimit të përgjithshëm të Gjeoshkencës, nëse realizohet një gjë e tillë, në mënyrë paqësore midis shteteve, nën shembullin e ndarjes së kufirit Itali-Shqipëri, kjo do të hapë perspektivën dhe bashkëpunimin e kërkimeve në det dhe kontinent (shelf). Lidhur me problemet e kërkimit të burimeve të naftës e gazit në zonat strukturore naftëmbajtëse, bën fjalë me detaje projekti i katërt, që përfshin zonat e Dumresë, Skraparit dhe të Evaporiteve (gipseve) të bregdetit, si dhe të trevave që ndodhen në kufirin shqiptaro-grek. Në kuadrin e shkëmbimit të përvojës së kërkimit të mineraleve të ngurtë dhe ato të hidrokarbureve, nga qeveria e asaj kohe u mundësua krijimi i grupit studimor, pranë Institutit të Naftës në Fier, grup i përbërë nga Prof. Dr. Irakli Premti, Dr. Isa Bajo dhe Inxh. Gjeolog Luftar Bandilli. Ky grup studioi perspektivën e kërkimit të naftës në zonat naftëmbajtëse, për zonën e Dumresë, duke arritur në konkluzion, pas një pune tetë mujore në laborator dhe terren, se duhej të projektohej një pus shpimi kërkimor.
MËSUESI DASHO RAMOSAÇO – NDERI I LABËRISË
Nga MSc. Albert R. HABAZAJ*
Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” e Vlorës nuk bën pushim. Ajo ndez qytetin dhe fshatrat e krahinave të saj me zjarr atdhetar dhe dritë kulturore çdo stinë, çdo muaj, çdo javë, çdo ditë; në disa raste realizon edhe dy veprimtari në ditë, njërën më të bukur se tjetra, njërën më mbresëlënëse se tjetra. Ka pasuri gjeografie, grupmoshash, profesionesh, gjinie, tematike, cilësisht të mira, estetikisht të pëlqyeshme, shoqërisht të dobishme.
Një veprimtari e veçantë ishte takimi në trajtën e një mikrosimpoziumi shkencoro – kulturor në nderim të mësuesit veteran Dasho Miftar Ramosaço, që për nga pjesëmarrja, kumtuesit, serioziteti, mesazhet dhe konteksti i zhvillimit, qe takim kalibri; një model për veprimtaritë në vijim. Jemi mësuar të bëjmë takime të mëdha, me pjesëmarrje, me fjalë, me dekorata. Janë bërë takime shumë të mira. Janë nderuar sidomos figura të traditës historiko- kulturore nga treva e Labërisë apo nga treva të tjera që kanë merita edhe për krahinën e Labërisë. Janë nderuar veprimtarë shoqërorë me kontribute të veçanta për përparimin e sotshmërisë. Janë vlerësuar këngëtarë popullorë, artistë, poetë, shkrimtarë, regjisorë, aktorë, edhe mësues të shkencave humane. Rasti i Dashamir Ramosaçajt përbën një veçanësi e ndoshta është i pari si aplikim ndër vlerësimet e Labërisë për bijtë e saj intelektualë, kur përvoja e tyre arsimore – shoqërore është në dobi të komunitetit. Përse? Sepse Dasho Ramosaço, i cili ka lindur në Radhimë, në Gji të Perëndisë, që vetë Zoti, këtij vendi me diell, kaltësi e gjelbërim shkëlqimtar gjithëvjetor, i ka falur më të mirat visare që ka bota njerëzore, ka qenë mësues, një jetë të tërë mësues matematike, inspektor zone dhe përgjegjës i sektorit përkatës në Drejtorinë Rajonale të Arsimit, Vlorë. Nga monografia “Bota radhimjote” e autorit Neki Lameborshi mësojmë edhe për traditën e arsimit të këtij fshati të bekuar, edhe për stafetën fisnikërisht të bukur që vijoi në vitet e Pasçlirimit: “Duke qenë pra një fshat arsimdashës, radhimjotët, kudo që shkuan, në shkolla të përgjithshme e profesionale, u dalluan si nxënës të zellshëm e cilësorë. E ndër ta, me hapjen e Universitetit në Tiranë dhe instituteve të larta, u diplomuan në profesione të ndryshme. Nga një llogari e përafërt, rreth 200 djem e vajza nga Radhima përfunduan studimet e larta. E një plejadë e tërë, nga këta zgjodhën profesionin e bukur të mësuesit. Mbas përfundimit të studimeve, nisur nga dëshira e mirë për të dhënë kontribut në vazhimin e shkollësisë në Radhimë, shumë prej tyre si Abedin Hamiti, Avni Begotaraj, Tefta Lagji, Lefter Lameborshi, Gani Gjimara, Fatime Gjimara, Mustafa Lagji, Sadik Ruko, Kadrie Limo, Vjollca Lameborshi, Aneta Begotare, etj., filluan karierën e mësuesisë në fshat, duke dhënë me pas kontributin si shpërndarës të diturisë e dijes anë e kënd atdheut si shumë e shumë radhimjotë të tjerë, si Shezai Radhima, Piro Radhima, Jazo Bilani, Xhebro Vera, Hasan Cekodhima, Fitus Radhima, Farfuri Bilani, Dashuri Begotare, Tok Radhima, Spartak Hamiti, Bujtina Lameborshi, Dasho Ramosaço, Ilirjan Selmani, Hektor Radhima, Enver Dani, Hasan Havari, Agron Begotare, Muhedin Begotare, Reta Selmani, etj, etj. E këtu nuk mund të lihen pa përmendur dy mësuesit veteranë, që nuk jetojnë më, Bejko Selmani e Tare Kojani, që breza të tërë mësuan prej tyre A-B-C-në në Fshat”. Një nga ata dritanë të dritës, me të cilët krenohet jo vetëm Radhima, por edhe Vlora, është Dashua, icili spikati gati një gjysmë shekulli kontribut në mësimdhënie për edukimin arsimor dhe qytetar të bijve dhe bijave të Labërisë së Vlorës. Aq më tepër, që zhvillimi arsimor, në periudhën, kur ka dhënë mësim Dashua qe jo për t’u përmendur shumë pozitivisht dhe matematika nuk mirëpritej aq sa duhej. Lënda e matematikës klasifikohet shumë e vështirë, aq sa e bukur dhe e dobishme për përparimin civil. Dashua në këtë drejtim ka vlera të dallueshme, sepse qe i aftë si mësues, i zoti si metodist, me virtyte si njeri. Ai përgatiti një plejadë të tërë mësuesish matematike, që nderuan veten dhe mësuesin e tyre. Nuk ka fshat të krahinës së Labërisë së Vlorës që Dashua të mos e ketë shkelur, nuk ka banor të Labërisë së Vlorës, e cila plotësohet me anëlumas e me anëdetas, që Dashua mos ta ketë njohur, mos të ketë pirë kafe e raki në në shtëpi të tyre e mos t’ua ketë kthyer respektin në Vlorë në shtëpi të tij apo dhe në lokal, duke i mikpritur sipas traditës së bujarisë labe, sepse edhe ai është një djalë i mirë Labërie. Për këto vlera u diskutua në takim, për virtytet, për sakrificat, vullnetarizmin e solidaritetin me përparimtaren, që reflektoi një jetë të tërë Dasho Ramosaço dhe Dashamirët e tjerë të Dritës së Diturisë, që Vlora duhet t’i ruajë si perla të arsimit vlonjat në kohëra. Kishe vërtetë ç’të dëgjoje dhe ç’të mësoje nga fjalët e mençura të mësuesve të shkëlqyer, sot veteranë të arsimit në Vlorë, si Ilirian Selmani, Vitri Zyka, Hajri Allushi, poeti i fizikës Vaso Pata, apo nga Ahmet Dema, i cili është dhe kryetar i shoqatës “Labëria” për degën e Vlorës dhe që i dorëzoi Dashos dekoratën e lartë në një atmosferë festive dhe shumë të ngrohtë. Për këto u fol dhe për librin e tij “Rrugëtim në Origjinë”, që Dashua ua dhuroi miqve, si shenjë respekti, që kaluan momente të shkëlqyera miqësore dhe kulturore së bashku. Lajtmotivi i monografisë së Dashos është “Prindërit e mirë e lenë të pastër rrugën e fëmijve, por edhe fëmijët e mirë ua lehtësojnë peshën e barrës së moshës prindërve”. Vlera burrërore e Dashos u bë më evidente, sepse vlerësimi i tij qe planifikuar të bëhej në një kohë, kur atij i ndodhën dy ngjarje të dhembshura familjare. Dashua nuk kërkoi shtyrjen e aktivitetit. Dhembjen e përballoi me të tijtë. Nderimin që i bëri shoqëria ua ktheu me nderim. Për realizimin shembullor të aktivitetit të Dashos ka meritë nipi i tij fisnik, Dr. Miftar Ramosaço, pedagog dhe përgjegjës i Departamentit të Matematikës në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.
*) sekretar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, Vlorë.
Një urim jo vetëm për ortodoksit shqiptarë
Nga Petro Luarasi/
Në median e adhuruar të intelektualit atdhetar Fatmir Terziu, me emrin kuptimplotë ‘’Fjala e Lirë’’, me interes të veçantë lexova kushtrimin ‘’Ka ardhur koha të ringrihet Madhështia e Ortodoksisë Fanoliane’’, të një zemre të dëlirë dhe shpirti të përmalluar atdhedashësi në mërgim.Mendja e begatë e një intelektuali të qetë dhe të ekuilibruar si Prof.Dr. Eshref Ymeri, shpërthen vullkanin që përvëlon e shkrumbon, por dhe pasuron truallin e të ardhmes kombëtare së begatë. Për qëllimin madhor ai përballet me shpifje e akuza, me teori konspirative dhe veprimtari të kobshme gjallesash kënetore dhe kultesh ‘’hyjnore’’ . Mesazhet e shkrimit, ku përmendem edhe unë tok me paraardhësit, më justifikojnë dhe detyrojnë të shpreh këndvështrimin si bashkatdhetar dhe pasues i grigjës ortodokse.
Urimi i Presidentit, mendimi i Keshilltarit dhe anonimi ”Pirro”
U informova nga mediat, por dhe u binda për lajmin e gëzueshëm (në adresënhttp://president.al/?p=23525) se në urimin për Krishtlindjet kreu i shtetit shqiptar kishte shprehur dëshirën që në krye të institucionit fetar katolik të vendosej një shqiptar. Akoma më shumë më entuziazmoi artikulli kuptimplotë i këshilltarit të Presidentit, zotit Ndriçim Kulla, i cili përmes përshkrimit historik dhe domosdoshmërisë objektive të realitetit kombëtar shqiptar orientonte dhe përkrahte ortodoksët shqiptarë në të drejtën e tyre për të patur edhe ata një shqiptar në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.(http://webcache.googleusercontent.com/search?q=cache:1oRGmFXICEwJ:www.mapo.al/2014/12/tradita-jone-e-krishtere-dhe-sfida-e-autoqefalise/+&cd=1&hl=sq&ct=clnk&gl=al)
Përkundër shkrimit të këshilltarit të Presidentit, më çuditi komenti i një personi me emërtim Pirro (i cili shfaqet edhe si Pirro10, me shkrimin ‘’Nje pergjigje per Ndricim (Erresim) Kullen dhe per te gjithe `Kullat` prej rere’’ (http://www.forumishqiptar.com/threads/156906-Nje-pergjigje-per-Ndricim-%28Erresim%29-Kullen-dhe-per-te-gjithe-Kullat-prej-rere)
Për të qenë korrekt me Pirron (apo Pirro10) po ia citoj disa pjesë teksti:
‘’Ne gazeten MAPO ne vend qe te botojë ndonje falenderim per Festen e Krishtlindjeve, z. Erresim Kulla ka botuar nje shkrim te turshem me titull `Tradita Jone e krishtere dhe sfida e Autoqefalise`, ku zoteria ne vend te gezohet, vjell vrer, ne vend te uroje kerkon percarje, ne vend qe te flase per paqe flet per perplasje fetare.z. Erresim Kulla, nuk mund te flasesh per Autoqefaline dhe KOASH-in kur nuk je i komunitetit orthodoks… Ne e respektojme Kryepeshkopin Anastas sepse ai ka kontribuar ne menyre te shkelqyer per Shqiperine…Kjo eshte mikpritja shqiptare, keto jane ateistet ish-komuniste shqiptare qe kane shkaterruar cdo gje të mire ne Shqiperi dhe shohin se ka ndenjur pa u shkaterruar Koash… Patetizmi juaj duke i qare hallin KOASH-it bie ere klientelizem dhe eshte per te lene Nam…Harron qe edhe komuniteti Katolik ka nje te huaj ne krye. Per shqiptaret do te ishte mire qe edhe qeverite shqiptare te ardhme te drejtohen nga te huajt sepse ne nuk e drejtojme Shqiperine me njerez si puna juaj qe vjellin vrer ne cdo rast kur shikohet se nuk fiton ndonje gje. Nga KOASH-i nuk ke per te fituar ndonje lek prandaj rriji larg.’’
Nuk mund të përfshihem në ‘’lojën’’ Pirro (Pirro10) përderisa nuk paraqitet me identitet real, të plotë, se mund të na dalë rrobot dhe bëhem unë gaz i botës. Në rast se është njeri, për më tepër besimtar ortodoks, i drejtohem me dorë në zemër dhe shpirt të qetë se
në artikullin e këshilltarit të Presidentit, nuk përmendet fare emri dhe veprimtaria e Fortlumturisë Anastas Janullatos, i cili vërtet është kreu aktual i KOASH-it, por aspak vetë institucioni tok me tërë grigjën ortodokse shqiptare dikur, sot e në të ardhmen.
Cilido shqiptar ka të drejtë dhe detyrim moral, aq më tepër si studjues dhe këshilltar i Presidentit, të shqetësohet dhe të japë mendime mbi baza shkencore edhe për komunitetet fetare shqiptare.
Në lidhje me mendimin për qeverisjen nga të huajt dhe akuzat për afera financiare, ato përmbajnë përgjegjësi penale…
Koment mbi artikullin tek gazeta ‘’Mapo’’
‘’ Po shkruaj me identitet të plotë, jam shqiptar i besimit ortodoks, i nipi i Petro Nini Luarasit, martirit të gjuhës shqipe dhe flamurtar për themelimin e kishës ortodokse shqiptare të pavarur nga diktati i klerit shovinist grek. Ai ka qenë krah për krah Fan Nolit në krijimin e konsolidimin e kishës ortodokse shqiptare në SHBA. Në kongresin e Dytë të Manastirit ka qenë përfaqësuesi i Lidhjes Ortodokse dhe i fshatrave Negovan e Ballkamen, u zgjodh sekretar dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm për hallin e madh të ortodoksisë shqiptare në luftë të papajtueshme me qarqet klerikale shoviniste greke. Kur u helmua prej tyre, veprimtarinë e vazhdoi i biri i tij më i madh Dhimitri Petro Nini-Luarasi i cili së bashku me Sofron S.Borovën, qe delegat i Kolonjës, në kongresin e parë të Kishës Orhodhokse Kombëtare të Shqipërisë, që i zhvilloi punimet në Berat në shtator 1922, u zgjodh sekretar dhe nënshkroi statutin themeltar të KOASH.
Po paraqesim emrat e delegateve, Kongresi i Pare i KOASH, Berat 10/19 Shtator 1922 ( Korçë Shtyp. & Libraria Dhori Koti Korçë 1923)
Delegatët
Korça / Ikonom P. Josif, At Vasil Marko
Pogradeci / Dh. Haviari, Thanas P. Kerxhalli
Bilishti / At. Jorgj, Anastas Çekrezi Kolonja / Oshenar Sofron S.Borova, Dhimitri Petro Nini Luarasi
Leskoviku / At Vangjel Çamçe, Thoma K. Prifti
Përmeti / Dr. Stathi Koni V. Zoto
Berati / P. Kona Dh. Tutulani Vlora / Jan S. Shkrami, Tol S. Arapi
Fieri / Lon Xoxe, Dh. Killica
Lushnja / Llazar Boza, Tun. Gjergji
Durrësi / Arhi V. Xhuvani, G. Manushi
Kavaja / Pal Xhumari A. Ikonom
Tirana / Papa Simoni, Mark Hobdari
Elbasani / Vasil Llapushi, Simon Shuteriqi
Shpati / Taqi Buda, Dhi. Paparistja
Dibra / Arhit K. Pajtali Për L.Nishku, K.Paftali
Gjirokastra / Dr. Stathi Kondi
Libohova / Spiro Kati
Delvina / K. Thoma, S. Kondi
Shkodra / Risto Gjyrbabi, Gjoko Nikoliq (Gjok Nikolla, babai i Migjenit)
Kryetar / Ikonom P. Josifi
Nën-Kryetar / Pal Xhumari
Sekretarë / Dhimitri Petro NiniLuarasi, V. Elapushi
Komisar / H. Theodhosi
Përfaqësonjës i Prefekturës / Llazar Puli
( Korçë Shtyp. & Libraria Dhori Koti Korçë 1923)
Unë, familja Luarasi, farefisi dhe qindra ortodoksë shqiptarë të tjerë që njoh nuk e duam një të huaj ne krye, për këtë le të pyeten edhe pasardhësit e nënshkruesve të mësipërm). Në një format më të gjerë, në të gjithë Shqipërinë, numërohen me dhjetra mijra ortodoksë shqiptarë që nuk kanë pranuar të shënohen si ortodoksë në censusin e kryer, edhe që të distancohen nga realiteti konjuktural që shkel idealet dhe gjakun e martirëve të ortodoksisë shqiptare dhe veprën madhore të Fan Nolit, Visarion Xhuvanit, Kristofor Kusit me shokë, për të patur një drejtues shqiptar në krye të grigjës ortodokse shqiptare.
Veprimtaria dhe Amaneti i paraardhësit martir
Besojme se ka ardhur koha për të vendosur për ortodoksët shqiptarë të nëpërkëmbur në të drejtën e tyre të shenjtë dhe për këtë kërkojmë përkrahjen e shtetarëve tanë, të veprojnë dhe t’i perkrahin në realizimin e idealit rilindas të paraardhësve të tyre atdhetarë.’’
Bazohem edhe tek veprimtaria, mesazhet dhe amanetin e martirit të gjuhes shqipe dhe të kishës ortodokse shqiptare, Petro Nini Luarasit, që shkroi me gjak ‘’edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi’’, thirrje aktuale edhe për ortodoksët shqiptarë të sotëm.
Kontribut i Petro N. Luarasit për ndërtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare
Historiografia shqiptare e ka minimizuar trajtimin e veprimtarisë atdhetare të ortodoksëve shqiptarë për përkthimin e literaturës ortodokese në shqip, përpjekjet për futjen e gjuhës shqipe në kishën ortodokse, ndërtimin e fundamentit të kishës ortodokse shqiptare me arritjen madhore të krijimit të Kishës Ortodokse Autoqefale me Fan Nolin në krye. Eshtë anashkaluar në tekstet shkollore e akademike heroizmi dhe nderimi ndaj martirëve të kishës ortodokse shqiptare. Në këtë aspekt e harruan edhe rolin e rëndësishëm të Petro Nini Luarasit në përdorimin e gjuhës shqipe në kishë ( në kishën e Luarasit dhe në ShBA), në ideimin dhe ndërtimin e themeleve të kishës ortodokse shqiptare të pavarur në ShBA. Petro Nini Luarasi është një nga martirët, por dhe çelësi për të trajtuar të vërtetën tragjike të vrasjes së tyre, të heshtjes kriminale ndaj tyre, të shtrembërimit të veprës dhe idealit të tyre, që u bëhet në ditët e sotme nga qarqe shoviniste grekofone edhe në mjedisin shqiptar. Po u drejtohemi fakteve.
Bashkëkohësi i tij, veterani Guri Sevo, tregon:
“Një ditë kam parë një plakë, të Simo Itës, që ish më fanatikja në punë feje: siç rrinim në hajat të kishës erdhi me një shkop në dorë, dalë nga dalë i shtrëngoi dorën Petros dhe i tha: “ Lum ajo nënë që të ka se ti sot në kishë me fjalën që na fole na bëre të derdhim lot të gjithë. Kurrë ndonjë herë në jetën time s’kam qarë kaq me mallëngjim sa sot”. Në kishë Petroja vinte gjithnjë çdo të djelë e të kremte. E kish vendin e tij më të djathtë ku psallnin dhe sanddejmi jepte fjalë dhe lëçiste shqip sa mundte. Kur vinte që kremtonin fshati, dita e Shën Marisë, më 15 gusht, dhe kish njerëz të huaj nga Vakëfet dhe nga Lubonja, Qafëzezi, Vodica, Blushi, Gostivishti, Orgocka, dhe nga gjithë fshatrat ku luarasllinjtë kishin miq e të njohur, Petroja jepte fjalë në kishë e iu shpjegonte ungjillin dhe i falenderonte mysafirët si nga ana e fshatit, si dhe nga ana e kishës. Se qe dhe epitrop. Dhe kështu me anën e kishës bënte propagandë nëpër fshatrat në mes të burravet dhe gravet, duke u folur në këtë mënyrë, dhe në mes të fëmijëve, të cilëve u jepte mësim edhe në shkollë e duke u përkthyer e duke u mësuar Apostollin, Pistevon, Paterimonin, e të tjera, që t’i thoshin edhe ata shqip në kishë”…Dhe kur u ktheva më 1886 në Luaras …Stefan Kostë Rrapo, më thotë: Dhaskali sivjet na ka mësuar vjershën e Shën Llazarit ta dimë pa kartë, e kemi kënduar ditën e shenjtit dhe e kemi mbledhur vezë më shumë nga motet e tjerë se na i jepnin nga dy e tri vezë në çdo shtëpi.”. (Petro Luarasi, Jeta dhe Vepra, f.30-31)
Veprimtarinë si ortodoks shqiptar e vazhdoi edhe në ShBA, ku qe emigrant politik.
“Zgjedhjet e shoqërisë Besa-Besë ( ku u diskutua edhe për të patur një prift shqiptar) Folën Kristo Dako dhe FanNoli …Pas priftit Jakob që bëri të njohur se arkipeshkopi rus Platoni do të ndihmojë, z.Petro Luarasi me një fjalë të shkurtër rrëfeu mirënjohjen që do të kenë shqiptarët në kishën ruse porsa të ndihmojë të fillojë kisha shqip. Kështu mbetën të gjithë të kënaqur e plot gëzim nga kjo.’’ (Gazeta Kombi, 10 janar 1908)
Nga një rekord zyrtar i marrë tek arshiva e zyrës civile Hudson, të botuar më vonë në Kalendarin e botës, 1939, shkruhet
‘’U mbajt një mbledhje tjetër e cila zgjodhi një komision që të kërkojë kandidaturën e një shqiptari për prift. Dhe kandidatë ishin dy: Fan Noli nga Bostoni dhe Petro Luarasi nga Klintoni Mass të cilët u votuan prej delegatëve të Natic-ut,Balboro-it, dhe Hudson-itdhe fitoi Fan Noli që të dorëzohej prift’’
Veterani Guri Sevo, shkruan:
“Edhe në çështjen e kishës shqipe që lojti një rol të madh në lëvizjen kombëtare tonës, Petro Nini Luarasi ka qenë flamurtar i parë, jo vetëm në Shqipëri po e po, por edhe në Amerikë. Më 1905 me rastin e refuzimit të priftit grek të Wochester-it,Mass, që të mbulonte një shqiptar të vdekur, shqiptarët iu lutën Petros të bëhej prift…Për hir të çështjes shqiptare edhe prift do të kish pranuar të bëhej Petroja por ai ia lëshoi vendin një shqiptari më ‘’aksios’’ për këtë zyrë të shenjtë Fan Nolit…”
(Guri Sevo, Mësuesi im i shqipes, 1936, f.84-85)
‘’Pasi u dorëzua Fan Noli prift më 25 mars 1908 nxorri meshën e parë shqip në Boston i vetmi që mund të zinte vendin e psalltit qe Petro Luarasi…natyrisht nuk gjendej psallt tjetër në gjuhën shqipe i përgatitur. Z.Luarasi psallti mirë. Pas ungjillit mbajti një fjalë për këtë çështje dhe provoi dobitë që do të kish patur atdheu tonëporsa të kish përdorur gjuhën e vet në kishë. Si u mbarua mesha foli Petro Luarasi ërmbi këtë çështje shumë bukur.’’ Shumë shqiptarë porsa dëgjuan se ai (Fan Noli) u urdhërua (prift) prej episkopit rus u bindën se me të vërtetë është ortodoks. Pas kësaj ata që ishin më fanatikë ndjekës të Patrikanës, u bënë më të zjarrtit e kishës shqipe. Kuptuan se nuk është mëkat të përdoret gjuha shqipe në kishë si u kish thënë dhespoti dhe që të gjitha mallkimet kishin qëllim politik’’ (Kombi 22 mars 1908)
Guri Sevo shkruan: “Si mbaroi mesha Petro sa s’qante nga gëzimi! dikush i tha që prifti shqiptar qenkesh me të vërtetë shumë i zoti. Përndryshe nuk do të vinte mitron pa vënë kamillafin, iu përgjegj Petro për të caktuar kryelartësinë me të cilën e nxorri meshën e parë prifti i parë shqiptar’’ Guri Sevo, Mësuesi im i shqipes, 1936, f.86)
Mesha në Hudson Mass
Siç dihet në Hudson u fillua shoqëria kishtare ‘’Nderi Shqiptar’’ prandaj pas Bostonit natyrisht vjen Hudsoni. Kjo shoqëri vuri në praktikë idenë e fillimit të një kishe shqip duke mbledhur ndihma dhe duke dërguar priftin Fan Noli në Nju Jork. Pas meshës mbajti një fjalë greqisht Fan Noli (që krijoi keqkuptime ndër dëgjuesit). Pas fjalës së priftit z.Petro Luarasi foli shqip mjaft orë dhe shumë bukur . (“ Kombi, 27 mars 1908)
Në Kongresin e Dytë të Manastirit që u çel më 20 mars 1910, ku Petro Nini Luarasi mori pjesë si përfaqësues i shoqërisë “Lidhja orthodhokse”, i Negovanit e Ballkamenit, ai u shpreh:
“Çështjet e shkronjave dhe të programit të përparimit e biseduat; dhe zotnija juaj dhe të gjithë shqiptarët e vërtetë për këtë gjë po përpiqen dhe punojnë. Po unë në këtë mbledhje, jo vetëm si përfaqësonjës i Negovanit dhe i Ballkamenit, po edhe si i krishter orthodhoks shqiptar, përfaqësoj edhe “Lidhjen Orthodhokse të Shqiptarëve” andaj do të përmbështillem vetëm duke folur përmbi çështjen për të cilën jam i dërguar: Me tu shfaqur librat shqip në kohë të tiranisë, sa shqiptarë orthodhoksë që kishin ndjerë mungimin editurisë, si të uritur fort i pushtuan shkronjat tona dhe me çdo mënyrë, pa vënë re çdo therrori që do të na rëndonte nisën të nginjeshin me mësimin e gjuhës sonëduke u gëzuar për diturinë shqipe më shumë nga vëllezërit tanë shqiptarë katolikë; se këta , nën urdhër feje të Shenjtërisë së tij Atit Papë, kishin dhe kanë liri të mjaftë për të lëçitur diturinë në gjuhën shqipe. Tek ne kleri grek, jo vetëm na mundon dhe na ndalon me mallkime, por edhe përdor çdo farë mënyre për të na sprapsur nga shkrimi dhe mësimi shqip.
Si të uritur, pra, që kanë qenë Orthodhoksët shqiptarë për shkrimin shqip, shtatuan shoqërira në Bukuresht e Sofje dhe kudo ku gjenin mbrojtje e liri. Tani nën liri konstitucionale shtatuan shoqërinë ‘’Lidhja Orthodhokse e Shqiptarëve” me qendrën në qytet të Korçës për t’u mbaruar nga orthodhoksia elinishte e grekërve dhe ne pandehmë se Qeveria do të na çmonjë punën tonë, do të na japë liri, të drejta dhe siguri nderi e jete….
Ju lutem zotërinj, vëllezërve tanë, bashkëkombësve myslymanë dhe katolikë, a dotë mos vuajnë keq kur tëshohin që një pjesë e trupit shqiptar po vuan dhe humbet për qejf të klerit grek?!
Andaj si anëtar i ‘’Lidhjes Orthodhokse të Shqiptarëve” u lutem së nderçmes qeveri si dhe të shumëvlyerit Kongres të sotmë që të veprojnë ku duhet për të drejtat e “Lidhjes Orthodokse të Shqiptarëve” e cila veç qeverisë konstitucionale dhe mëmëdhethit të dashur tjetër mbështetje s’ka.
Rroftë Shqipëria! Rrofshin Shqiptarët!”
P.Raullasi (Pseudonim i Petro Nini Luarasit)
(P.Raullasi, Shqiptarët orthodhoksë dhe rregjimi i sotëm Lirija, Selanik 1910, v.2, nr.81, f.1-2) P.Raullasi (Pseudonim i Petro Nini Luarasit)
KUNDËR MALLKIMIT TË GJUHËS SHQIPE – Petro Nini LUARASI (1865 – 1911)
Si shqiptarë që jemi
Shqip ne duhet të mësojmë
Dhe Zotin, të drejtë kemi,
Ne gjuhën shqipe ta lëvdojmë.
Epo ju gjuhën tonë
Doni ta humbisni fare
Dhe me mallkim e me nëmë
Shprehni ta shpini në varre.
S’më vjen rëndë nga priftërinjtë
Që s’ dinë ç’ bëjnë e ç’punojnë,
I urdhërojnë të zinjtë
Që gjuhën shqipe ta mallkojnë.
Po krye-priftërinjtë e tyre
Nëkëmbës t’ orthodoksisë
Shumë punë prej mynxyre
Bëjnë kundër Shqipërisë!
Të mallkojnë njerëzinë
Të nëmosin gjuhën tonë,
Të përçajnë Shqipërinë,
Zoti mos e pastë thënë!
Thonë s’ ditka Krishti shqip
Dhe shqip-fjalë s’ pret prej nesh,
Vetëm në gjuhën greqisht
Të dëgjon e të mban vesh!
Këto e shumë të tjera,
Që dëgjon në kishë brenda
Dhe na mallkojnë për hera
Gjuhën tonë që s’ ua k’ënda.
S’ kanë frikë as turpërohen
Që përçmojnë Perendinë,
Po mburren edhe lëvdohen
Sepse shërbejnë Grejqinë!
Gjuhën e kemi tonë
Të vjetër dhe të vyer,
Nga Perendia ish thënë
Që ta ruajmë të çkëlqyer.
Aktualitet
Sikurse unë, ka me qindra e mijra pasardhës veprimtarësh ortodoksë shqiptarë që kanë menduar, punuar e sakrifikuar pasurinë e jetën për kishën ortodokse autoqefale me drejtues shqiptar në krye. Ne së bashku urojmë që viti 2015 të na sjellë një drejtues shqiptar në krye të grigjës sonë ortodokse shqiptare. Të gjithë njëzëri i lutemi Zotit dhe kërkojmë nga vëllezërit tanë të të gjitha komuniteteve fetare, tok me përfaqësuesit tanë në institucionet shtetërore e kudo, të ndihmojnë me sa munden në këtë mision të shenjtë që i kontribuon aq shumë unitetit kombëtar dhe mirëqenies sonë të përbashkët.
Gëzuar Vitin e ri 2015, o vëllezër shqiptarë, pa dallim feje, krahine, ideje, gjinie, përkatësie politike e ekonomike.
- « Previous Page
- 1
- …
- 8
- 9
- 10
- 11
- 12
- …
- 64
- Next Page »