• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2014

26 BURGJE PËR 28.000 BANORË NË SHKODËR !

December 22, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
1944 – 1946 KUJTIME: AFROHEJ VITI I RI…
Sot jemi zgjue ma heret…Krizmat e automatikëve na nxorën gjumin!
Dikush u pushkatue! Vrasjet në Zallin e Kirit mbas Rrëmajit, na dukeshin sikur t’ ishin mbas murit të shtëpisë n’oborr… Nata na i sillte edhe ma afer ata krizma vdekje!
Nana fliste me vete: O Zot!.. A thue në pragun e festave i vranë… ?!
Të fikun në zemër e me sofratasa në dorë, një Shkoder drejtohej nga burgjet…
■1. BURGU I KISHËS SË FRETËNVE kishte 700 burra e gra që prisnin gjyqet, në vuejtjet e torturat ma të mënershme, aqsa “vdekja u dukej ‘shpëtim”…Ragip Meta…
■2. SHTËPIA E PJETËR ÇIURÇISË, vazhdonte hetimet e hudhjet nga dritarët…Aty e mbytën KOLEC DEDËN, MUZAFER PIPËN, SIMON DARRAGJATIN, etj…
■3. KONVIKTI MALËT TONA, hetuesi vdekje… për dijetarin At Bernardin Palaj…
■4. SEKSIONI I MBRENDSHËM… Hetuesi, ku ishte “Seksioni Katolik Shkoder”, ndoshta, i vetmi Seksion në Shtetet komuniste të Europës…
■5. BURGU I VJETËR I GESTAPOS…pranë shtëpisë së Zef Shirokës…ku, ngjau tragjedia e Herojve Ndue Pali dhe Caf Meti…
■6. SHTËPIA E ULQINAKUT…Podrumi ku, 400 vetë nuk ngriheshin kurrë në kambë! ■
7. KUVENDI I MOTRAVE SERVITE… ku, nuk u ndahej korrenti elektrik…
■8. KISHA E MOTRAVE SERVITE…ku, vareshin njerëzit me ditë të tana ndër hatlla…
■9. SHKOLLA E ÇELËS…ku, dhunoheshin shumë nga fatzezat…
■10. PODRUMI I SHTËPISË SË FASLI ADEMIT, ku u tortue Don Kolec Prennushi…
■11. SHTËPIA E RROJEJVE…ku, u torturue Gjenarin Topalli me rininë Shkodrane…
■12. BURGU I ÇEKËS… Hetuesi urije… (aty ku sot asht Instituti “Nanë Tereza”)
■13. SHTËPIA E LEC SHKRELIT (tek Dugajt’ e Reja) Hetuesi…
■14. SHTËPIA E DR. KARAMITRIT… Hetuesi…ku, u torturuen tregtarët e Shkodres.
■15. SHTËPIA E SANDËR SARAÇIT…Hetuesi,ku, u masakrue Prof. Ida e Cin Lezhja. ■16. HOTELI I BEPIT MISHIQIT (ish ndertesa përballë Institutit Pedagogjik…)
■17. SHTËPIA PËRDHESE E VUKSANËVE (tek Dugajt’ e Reja…) Hetuesi…
■18. BURGU I POSTËS (tek harku i Xhamisë së Kuqe, Perash…) Hetuesi…
■19. BURGU I USHTRISË TEK REKRUETIMI… ku, masakronin ushtarët…
■20. BURGU I PREFEKTURËS (Kati përdhe…) Hetuesi…
■21. TOGA E NDJEKJES SË SIGURIMIT (tek sanatoriumi) Hetuesi…
■22. SHTËPIA E GULJELM SUMËS… Hetuesi…
■23. SHTËPIA E GULJELM LUKËS… ku mbaheshin familjet para interrnimit…
■24. BURGU I MADH (pranë Prefekturës)…”Kujtonim se shpetuem…”Bep Zorba…
■25. SPITALI I BURGUT (përballë Shtëpisë së Kulturës)…në sherbim të hetuesive…
■26. SPITALI I BURGUT, pranë Spitalit Civil, kati përdhe…
“MOS TË MBESË GJALLË ASNJË SHKODRANË !”
Sulltan Mehmeti II, porosi për Enver Hoxhën…
■28.000 Shkodranë lanin me gjakun e Tyne të Pafajshëm përditë podrumet e këtyne shtëpijave, rrugët, zallishtat dhe kalbeshin në vendvarrimet e veta endè të Panjohuna!
■Të gjitha këto qendra torturash dhe masakrash ishin të drejtueme nga hetuesit dhe kriminelët tanë, nën instruktimin e specialistëve jugosllavë, sovjetikë, kinez, etj…
■Këtu nuk përfshihen burgjet e hetuesitë e zonave të Dukagjinit, Shllakut, Koplikut, Pukës, Lezhës, Mirditës dhe të zonave të varuna nga Dega e Mbrendshme e Shkodres.
■Fatkeqsisht, me shifrat fallco që ka publikue Instituti i të Përndjekunve Politik në Tiranë, edhe sot po vazhdohet pa ndryshue si thonte Populli “pasha nji”!
Edhe ky asht turp! Asht e pafalshme me zhdukë jo vetem Eshtnat e Tyne, Emnat dhe vendvarrimet, po edhe me i fshijë “përgjithmonë” nga kujtesa historike e Shqiptarëve!
Sejcili “kryetar” shoqate persëritë paraardhësin në atë post! Disa herë ua kam vue në dukje ndër komente poshtë shkrimeve të tyne se: “Nuk asht kjo shifra…” dhe sikur, të gjithë flejnë në një “kamp pune” dhe prap përgjegjin: “Kjo asht shifra e Institutit…”.
■JO, JO! Shifrat janë tjera! Edhe këte e dini fort mirë!..
■Në vitin 1974, Alfons Radovani, ishte i dënuem në kampin famkeq të Spaçit Mirditës…
I sjellin pranë një të burgosun që ishte dënue ato ditë në Tiranë me dyer të mbylluna…
Ishte kenë oficer i ministrisë së punëve të mbrendshme…rreth 15 vjetë në Tiranë…
Mbas pak ditësh gjithnjë i vetmuem, ai ishte ulë tek dysheku i vet dhe i mbytun ndër mendime me krye në grushta, dukej, sikur, po fliste me vete dhe po “korrigjonte” të kaluemen e vet të randë pranë atij dikasteri të mënershëm, që kalimtarët në bulevardin e Tiranës kur i afroheshin asaj ndertesë, zbritshin nga trotuari dhe hypnin prap, vetëm mbasi kalonin edhe rrugën mbas asaj ministri, që iu dukej sikur rrobat mund të ju kapeshin për ferrat e asaj ndertese të zymtë…pa “dritë e shpresë”, mu në qender të kryeqytetit. Ishte instinkti i frikës!
Por, jo, ai ishte tue mendue krejtë tjetër gja..!
Porsa Alfonsi, shkon me u shtri në drrasat e veta të fjetjes, vërenë një ofshamje të thellë nga ishoficeri, që me gjysëm zani i kërkon një cigare. Ia jep cigarën po edhe ia ndezë.
E pyet, se mos ka marrë letër apo lajm nga shtëpia, por jo…oficeri që e kishte denoncue për “dekonspirim” ishte arrestue dhe kishte mërrijtë edhe ai në kampin e Ballshit.
Alfonsi e pyet: “Po, çka dreqin dekonspirove ti, kur të gjithë bashkbiseduesit tuej ishin oficera si ti..po aty?” Ai kishte ba buzën në gaz dhe tue e vrojtue në sy, ishte përgjegjë: “Jo, asnjëri, nuk dinte se çka kisha të dyllosur tek kasaforta ime…! Kurrë, asnjëri, nuk e ka çelur atë përveç atij që ka punuar para meje në atë zyrë…Edhe ay është zhdukur…e, ndoshta, fatin e tij do kemi dhe unë…ti, je i rinj dhe, një ditë do dalësh…si shkodranë, do të besoj…deri ditën që jam arrestuar, në shkurt të këtij viti (1974, shenimi FR), numuri i të pushkatuarve, të vramëve me gjyq e pa gjyq, të mbeturve në hetuesi në tortura, të vdekurve në kampe pune dhe çfarosje, të vdekur në kampe internimi dhe ferma pune, në spitale psiqiatrike dhe çmendira, të vrarë në kufinjë dhe reparte pune e ushtarake ose, gjoja të “vetvrarë”…pa shifrën e atyre që Sigurimi ka zhdukur në botën e jashtme, mbasi ata nuk ishin fare në kasafortën time, shifra ka arritur:
45.000 Shqiptarë pa varr…në tokën e tyre Shqiptare..! Dhe, mbi 450.000 Shqiptarë të tjerë janë qenë të burgosur, (të riburgosur dy ose tre herë), të internuar, të dëbuar, të zhdukur…po që të gjithë vazhdojnë të vuajnë “luftën e kllasave” të diktaturës së Enver Hoxhës, dhe partisë së tij terroriste të punës, po kurrë, të Shqipërisë dhe Popullit Shqiptarë..! Mallkuar qoftë ay që i shërben këtij shteti terrorist..!”
Kështu, u mbyllë ajo ditë në kampin e Spaçit, të dy ranë me fjetë…po, sa fjetën s’e dij..!
Mbas asaj ditë kurrma nuk asht hapë ajo bisedë…mbasi u dyllos edhe njëherë ditën ma parë, për me u ruejtë vetëm në mend… vetëm në mend… ashtu, si shumë shifra tjera…
■Mos i harroni këto shifra…Ju, lutem, mos i harroni kurrë këto shifra..!!
Shtoni edhe vitët mbas tyne o bashvuejtësit e mijë…
■E në fund, mos i harroni FËMIJËT E MITUN, që vdiqën ndër ata kampe shfarosje e interrnimi, apo maternitete… për me “ua pi gjakun e tyne tiranët e Tiranës së kuqe” e që, as nuk i zen kush me gojë as SHIFRAT e Atyne Engjujve…
Janë plot edhe 17 vjet tjera per me mërrijtë në vitët ’90… tek piramidat e kufinjëve tanë!
■Vetëm “SHIFRA” ishin ATA, që u varrosën nga plumbat e thikat komuniste…
***
■Vetëm këte mendoni:
■Tito, me 1 Korrik 1946 dekoron E. Hoxhën “Hero i Popujve të Jugosllavisë”?
Aprovimi dhe pelqimi i kësaj dekorate tradhëtije nga Enver Hoxha, u ba e njohun edhe për Europën nga vetë ky agjent jugosllav, në mbledhjen plenare të Konferences së Paqës në Paris, me daten 21 gusht 1946, ku pohoi botnisht si kryetar i atij delegacionit, se: “Shqipëria dhe Jugosllavia nuk kanë asnjë mosmarrveshje në mes të tyre…”. Të gjitha dekoratat dhe titujt e dhanun atij lidhen me tiraninë dhe tradhëtinë kombtare!

■Asht turp me vazhdue kështu sot: “Tirani ma barbar i shteteve komuniste të Europës, Enver Hoxha dhe pasuesi i tij Ramiz Alia, për 47 vjetë kanë vra “6500” vetë?!”
Pyetni vetën: Si asht e mujtun me këte shifer me u renditë SOT, ndër 100 Tiranët ma të mëdhej të 3600 vitëve të Historisë Botnore?

■I nderuemi z. NIGEL CAWTHORNE, në librin Tij “TIRANËT”, Historitë e 100 Despotëve dhe Diktatorëve, me titull: “TYRANTS”, botue në vitin 2004, for Lifetime Distributors Pty Ltd Building G, 2 Hudson Avenue Castle Hill, 2154 Australia, kam gjetë të vërtetën e pashkrueme deri tashti për né shqiptarët:
BOTA MODERNE ENVER HOXHA (1908 – 1985) UDHËHEQËSI I SHQIPËRISË.

■Dhe, nëse dishroni ju pasues të tij, për me dijtë se kush ishte Enver Hoxha, fondacioni i tij i “pashterrshëm” duhet të shpërndajë sot falas, ashtusi ka shpërnda “veprat” e tij nëpër botë, librin e autorit amerikan Simon SEBAG MONTEFIORE, me bashkautorë Zz. John BEW dhe Martyn FRAMPTON, të cilët kanë botue vëllimin “HISTORY’S MONSTERS” ose “PËRBINDSHAT E HISTORISË”, ku në faqen 261, ka “nderin” me u paraqitë edhe “heroi i juej” Enver Hoxha, Perbindsh i Popullit dhe i Shteti Shqiptar, i dekoruem dhe i mbrojtun nga Kuvendi Popullor me dekorata të paprekëshme!

■Mosprekja e dekoratave dhe titujve të tyne, tregon vazhdimësi nga ju pasardhësit!

■Kur kam lexue librin e E. Hoxhës “Me Stalinin”, kam përforcue mendimin tim, se ai gjithnjë kerkonte me tregue “aprovimin” e Nexhmijes: “Pse pjet o Evero, po kush nuk thotë se ti, as nuk krahasohesh për madhështi me asnjë komunistë, pa lè me Stalinin, që as nuk bëhët fjalë… po cili, nga kllasikët, ka zhdukur e burgosur gjysëm miljoni armiqë sa ti, me një popull që kur more pushtetin ishte vetëm 1 miljon banorë..?!!”
* Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Melbourne, Dhjetor 2014.

Filed Under: Analiza Tagged With: 26 BURGJE PËR 28.000 BANORË NË SHKODËR !, Fritz radovani

OSO KUKA – TRIMËRIA QË SFIDOI LEGJENDAT

December 22, 2014 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
Shprehja “Je mbyllur si Oso Kuka” përdoret në zhargonin e bisedave të përditshme kur komunikon me një njeri, që ke kohë që nuk e ke parë, a që rri brenda në shtëpi për të studiuar dhe del disi rrallë në shoqëri. Në fakt shprehja nuk është krejt e saktë, sepse kujtdo që i thuhet nuk është as në kushtet, as në qëllimin e “mbylljes” si Oso Kuka. Për ta kuptuar se jo çdo mbyllje në shtëpi, në zyrë, konvikt a sallë studimi, është e ngjashme me mbylljen në Kullë të Vraninës të Oso Kukës me djemtë e tjerë shkodranë, le t’ju sjellim në kujtesë ngjarjen:
Ishte koha e perandorisë otomane e shtrire ne tre kontinente. Malazezët që kishin shtetin dhe mbretërinë e tyre të dalë pas traktatit të Shën Stefanit në mbarim të luftës ruso-turke, kërkonin pushtimin e territoreve nën Perandorinë Otomane, të cilat në të vërtetë ishin toka shqiptare. Siç thonë kronikat e kohës, në maj të vitit 1862, forcat malazeze nisën sulmet në Malësi të Shkodrës por u thyen nga malësorët e Hotit dhe të Grudës. Një muaj më vonë, forca të shumta ushtarake të Malit te Zi, sulmuan ishullin e Vraninës. Për të mbrojtur pikën kufitare të Vraninës, që është në anën veriore të Liqenit të Shkodrës, dolën vullnetarë nga rinia shkodrane. Ndër këto ishte dhe i riu nga qyteti i Shkodrës Oso Kuka. Detyra e grupit të tij prej 24 vetash ishte të mbronin Kullën e Vraninës, që ishte dhe postë kufitare, që ndante shtetin malazez me perandorinë otomane. U zhvilluan luftime të shumta, në mes grupit të djelmoshave shkodranë të komanduar nga Oso Kuka dhe ushtarëve të shumtë malazezë. Oso Kuka me shokët e vet rezistoi gjatë, mirëpo sulmuesit malazezë ishin të shumtë, dhe vendosën ta marrin me çdo kusht Vraninën. Oso Kukës po i vriteshin bashkëluftëtarët e vet një e nga një dhe ndihma nga qyteti i Shkodrës po vononin të vinin. Në momentet e fundit, kur malazezët mendonin se kulla do të dorëzohej, sepse ishin vrarë pothuaj të gjithë mbrojtësit, Oso Kuka me dy-tre shokët e mbetur gjallë ne mes te cileve edhe një djalë i ri shkodran i quajtur Salë Behri, megjithëse me trupin plagë, vendosin të mos dorëzohen të gjallë në duart e armikut. Mbledhin të gjitha fuçitë e barotit në një vend të kullës dhe ndenjën në pritje të sulmit vendimtar të armiqve. Kur ushtaret malazezë menduan se shqiptaret ishin vrarë të gjithë dhe i u afruan kullës me dëshirën kush më parë të hynte brenda për të vendosur flamurin malazez në majë të kullës, Oso Kuka i gatshëm me pishtar në dorë, i vuri flakën fuçive të barotit. Bëri atë që nuk e bëri dot Ali Pasha në Janinë ku mbeti kryeprerë. U dëgjua një shpërthim i tmerrshëm. Kulla e Vraninës u hodh në erë bashkë me rrethuesit dhe mbrojtësit. Jehona e kësaj ngjarjeje shumë shpejt u përcoll në Shkodër e në Cetinë – kryeqyteti i Malit te Zi. Ishin vrarë të 24 djelmoshat shkodranë në kohën më të bukur të jetës së tyre, por e kishin shpaguar veten, duke vrarë me qindra armiq që u dogjën e u përvëluan në ekstazën e fitores, cfarë u kthye në një tragjedi aq pikëlluese e humbëse, sa edhe sot e kësaj dite kujtohet me hidhërim në Mal të Zi nëpër këngët popullore elegjiake. Nenat shkodrane e rapsodët e Malësisë së Shkodrës, trimërinë e Oso Kukës e kënduan në këngë trimërie, që edhe sot e kësaj dite dëgjohen me admirim nga i gjithë populli shqiptar. Oso Kuka shumë shpejt u kthye në simbol trimërie e vetëmohimi për mbrojtjen e trojeve shqiptare, që mizorisht u pushtuan nga fqinjët tanë ballkanikë, dhe shëmbëllesa e tij ishte e gjallë e frymëzuese edhe në zjarrin e luftës për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe me pas. Ai u kthye në simbol mbarëkombëtar. Ndër shkrimtarët që është frymëzuar më shumë nga akti vetëmohues i Oso Kukës është Atë Gjergj Fishta, i cili në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis” i kushtoi katër prej tridhjetë këngëve të librit: Oso Kuka, Preja, Vranina, dhe Deka.

Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, Legjendet, Oso Kuka, Trimeria

DHIMBJE PËR ROZI THEOHARIN (ÇEKUN)

December 22, 2014 by dgreca

-Shënime nga dita e përcjelljes së saj në banesën e fundit/
Nga Fuat Memeli/
Kanë kaluar disa ditë që dardharja e Bostonit, Rozi Theohari (Çeku) nuk është mes nesh. Nuk i festoi dot Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2015. Iku para se ato të vinin. Nxitoi për diku larg, në një rrugë të gjatë pa kthim. La pas një barrë dhimbje për familjen, të afërmit, shoqet e shokët e saj të shumtë./
LAMTUMIRA TE KISHA E NOLIT
Kjo kishë e shqiptarëve të Bostonit,që ajo e deshte aq shumë, ishte “stacioni” i fundit i “përshëndetjes “ së Rozit me njerëzit e afërt, dardharët, shoqet e shokët që kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën. Vinte shpesh ajo te kjo kishë me emrin”Shën Gjergj”, por që shqiptarët e thërrisnin, kisha e Fan Nolit, pasi aty kishte shërbyer Imzot Noli. Në një intervistë që i kam bërë Rozit në muajin mars të këtij viti, pas një veprimtarie të grave shqiptare të Bostonit, zhvilluar te kjo kishë, ndër të tjera, ajo më ka thënë:”Te kjo kishë vij me shumë dëshirë.Kur ngjit shkallët e saj,qëndroj para bustit të Nolit, puth kryqin e tij e më duket sikur puth duart e Nolit.Te kjo kishë me duket sikur marr energji të reja. Gjatë meshës, kur dëgjoj zërine At Artur Liolinit, më duket sikur dëgjoj zërin e Nolit.” Dhe ja, këtu u mblodhën shqiptarët nga Bostoni, Usteri, New Yorku, Konektikat, New Jersi, etj, për t’i dhënë lamtumirën e fundit në meshën e drejtuar nga kancelari i saj, At Artur Liolini. Riti mortor i meshës,gërshetohej me fjalët e të afërmve, mikeshave e miqve të saj. Ndër të parët që foli, ishte aktori Julian Nënshati, i afërm i familjes, i cili lexoi një përkthim të Rozit nga shqipja në anglisht.(Theksoj se Rozi e përvetësoi shumë mirë anglishten në Amerikë dhe shkruante direkt në këtë gjuhë, ose përkthente nga shqipja në anglisht e anasjelltas.). Te mikrofoni afrohet pastaj, mikja e saj e vjetër, poetja e shkrimtarja , Raimonda Moisiu, Kryetare e Shoqatës së Shqiptarëve Shqiptaro-Amerikanë:-Në mesin e komunitetit të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, një vend të veçantë ze shkrimtarja dhe publiçistja, dardharja e bukur, korçarja e talentuar e Bostonit, fisnikja e letrave shqipe, Rozi Theohari (Çeku), autore e shumë vëllimeve në poezi në shqip e anglisht si dhe mjaft librave të tjerë , si “Mbi thinja fryn erë” “Potpuri dardhare” etj. Ajo ishte lexuese e dinjitoze e veprës së Fan Nolit, intervistuese e bashkëkohësve, patriotëve, atdhetarëve të vjetër e të rinj. Rozi ishte një gazetare profesioniste dhe publiçiste mjaft prodhimtare , e spikatur në gazetarinë e hershme shqiptare, me një karierë brilante në shtypin shqiptar, më pas e deri më sot në diasporë. Krijimtaria e saj karakterizohet nga një gjuhë e pastër .Rëndësia e përkushtimi që ajo u kushtonte ngjrjeve dhe mbresave historike për të cilat vendos të shkruajë, përshkrimi me ndjenjë e profesionalizëm, janë disa nga pikat e forta në publiçistikën e saj. Pena e Rozit me editoriale, esse, repeortazhe në shtypin shqiptar në Shqipëri, në gazetën Dielli, Illyria, revistën “Kuvendi” në SHBA, Fjala e Lirë-Londër, e paraqesin Amerikën në dy plane: si vendi i lirisë e demokracisë si dhe vendi i mijra emigrantëve shqiptarë. Në vazhdën e traditës, ajo nuk rreshti së shkruari, duke sjellë të gjalla ëndrat, shpresat, kontributin, idetë e shqiptarëve të parë të vendosur në Boston si Noli, Konica,Qerim Panariti, Sotir Peci, Josif e Vasil Pani, Goni Katundi, Vasil Tromara, Anton Athanasi, Kristaq Trebicka, At Artur Liolini, e plot të tjerë.
Për të nderuar gazetaren, poeten , shkrimtaren dhe antëtaren e Shoqatës Pan Shqiptare “Vatra”, kishte ardhur nga New Yorku, edhe Kryetari i kësaj Shoqate, dr. Gjon Buçaj, me një grup shokësh si Editorin e Diell-it Dalip Greca dhe Vatranin, Cezar Ndrue. Në fjalën e tij, Kryetari i Federatës Pan Shqiptare Vatra, dr. Gjon Bucaj, ndër të tjera, theksoi:-Lamtumira e funditasht gjithmonë e trishtë, e tillë asht edhe e sotmja për të gjithë ne, sidomos për familjarët e të ndjerës,pranë të cilëvet kemi ardhë për të përcjellë Rozin së bashku dhe për t’ua lehtësue sadopak dhimën. Rozi ishte një intelektuale e mirëfilltë dhe shkrimtare e talentuar.Ajo ishte anëtare dhe përkrahëse e “Vatrës” dhe eci në gjurmët e dardharëve paraardhës. Rozi ishte bashkëpunëtore e regullt e gazetës “Diellli” , anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, ishte afër kishës së Nolit dhe komunitetit shqiptar të Amerikës, qysh kur shkeli në këtë tokë të bekuar, në atdheun tonë të dytë.”. We will cherish the great memories of her and we will always remember her kindness and the beautiful smile on her face. Në emën të kryesisë se Vatres, dhe timin personal e të familjes sime, si dhe të tëgjithë antarëve të Federatës Panshqiptare VATRA, u sjell familjes Theohari & Ceku dhe të afërmve të tyne, për dhimet ma tëthella, me uriminqë në të ardhmen të kenë vetëm gëzime.
Një mbresë të veçantë la tek pjesëmarrësit, edhe fjala e famulltarit, Larry Titus, i kishës ku shkonte Rozi :- Ajo shërbeu për besimtarët e kishës sonë si një model frymëzimi. Me fjalët e saj , Rozi preku zemrat e besimtarëve. Mes nesh ajo tregoi dashurinë që kishte për Amerikën, tregoi kulturën dhe edukatën e saj.Na fliste shpesh për Shqipërinë, për Skënderbeun e Nënë Terezën.Na ka treguar edhe si mbanin të fshehur flamurin amerikan në regjimin komunist.

AJO HARROI VETEN PËR TË TJERËT
Kjo ishte një nga fjalitë që tha në ceremoninë mortore, vëllai i Rozit, agronomi i shquar, Kiço Çeku. Po pse e harroi veten Rozi?. Duke marrë pjesë e duke shkruar për veprimtaritë e shqiptarëve të Bostonit, duke gjurmuar e duke shkruar për figura të shquara të shqiptarëve të Bostonit para 100 vjetësh e deri sot( midis tyre edhe për figura dardharësh) duke shkruar poezi, mbresa e tregime, duke bërë përkthime, etj, ajo ishte tej e ngarkuar me punë. Vetëm për librin e saj të fundit prej 500 e ca faqesh me titull “Potpuri dardhare”, punoi pa ndërprerje dy vjet plot.- Punoj nga 8-10 orë në ditë, kështu më thoshte kur flisnim në telefon. Duke u marrë me këto punë e të tjera (shto edhe ato familjare) ajo harroi veten e nuk bëri një vizitëte mjeku. Siç i kishin thënë ata kur sëmundja kish përparuar e shkoi për t’u vizituar, po të ishte vizituar më parë, do kish shpëtuar nga sëmundja e keqe e cila i morri jetën në moshën 75 vjeçare. Duke ditur tërë punët që bënte ajo, me të drejtë vëllai i saj, Kiçua, tha: -Rozi harroi veten për të tjerët. Ajo ishte Rozi e të gjithëve.Edhe ditët e diela, kur njeriu pushon, ajo e kishte ditën më të ngarkuar.Shkonte në kishat në North Shores, të Neontit, të Linit, etj dhe këndonte në korin e tyre.Ajo i mësoi notat muzikore në një kohë rekord.Kështu ajo e prishi rradhën dhe iku para nesh që ishim më të mëdhenj” tha Kiçua.

EDHE NJË “TAKIM” ME ROZIN

Pasi mbaroi mesha mortore dhe trupi i saj përcillej tek makina e funeralit, At Artur Liolini, i thotë pjesëmarrësve :- Ndaluni një moment te holli i kishës dhe shihni librat e Rozit.” Dhe pjesëmarrësit bëjnë pak minuta ”pushim” te ky holl. Punonjësja e bibliotekessë Nolit që shërben pranë kësaj kishe, Neka Doko, ka vendosur këtu librat e Rozit që ndodhen në fondin e kësaj biblioteke. Njerzit afrohen, marrin në dorë dhe i shfletojnë ato.(Theksojmë se gjatë jetës së saj Rozi ka shkruar 20 libra të gjinive të ndryshme si poezi,prozë, publiçistikë, monografi, etj.) Pjesëmarrësit i prekin ato libra, lexojnë diçka dhe i duket sikur prekin duart e Rozit. Shoqet e saj, Raimonda Moisiu dhe Rita Saliu,bëjnë fotografi me librat e Rozit ndër dorë. I duket sikur kanë mes tyre shoqen e tyre të paharruar.Kështu veprojnë edhe disa të tjerë.Pastaj nisen se i “pret” Rozi para kishës për të shkuar aty te vorrezat e qytetit Pipëdi, ku do prehet pranë të shoqit, mjekut të njohur,Viktor Theohari. Sipas traditës amerikane, të pranishmit vendosën nga një lule te arkivoli i saj.

KUSH DO TA UJITË LULEN E SAJ, Barbarosa?
Sipas traditësh shqiptare, të gjithë pjesëmarrësiit shkuan për të ngrënë drekën e fundit të Rozit. Restoranti ishte zgjedhur në qytetin e Salemit., prone e një shqiptari nga Lushnja. Edhe në këtë drekë lamtumire, vazhduan mesazhet për Rozin, shumica e tyre nga shoqet e shokët e saj krijues. Raimonda Moisiu, e cila nuk ka rreshtur se shkruari e së foluri që kur Rozi u shtrua në spital, deri sa ajo ndërroi jetë e më pas, përcolli tek të pranishmit tre krijime për Rozin nga miqtë e saj: poetët Vangjush Ziko, Dalan Luzaj e Kolec Traboini. Ja disa vargje të Vangjushit:- Korijes së Dardhës, kambana ra vetë/me dorë i ra asaj vetë Shën Pjetri/…të zu gjumi buzë oqeanit/ valët e ftohta për ty zunë qanin/qau Bostoni për ty si për bijën/për penën e artë e shpirtin e lirë…Vazhdoi ligjërimi për Rozin, Adnan Mehmeti, president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë:- Sa herë vinim në Boston, ishim të lumtur se na prisnje ti Rozi. Sot po vijmë në qytetin tend të dashur , për t’ju dhënë lamtumirën e fundit. U shua një shkrimtare e madhe e letrave shqipe. Ajo do të mbetet pa publiçisten e madhe që shkroi me vite për shqiptaro-bostonianët e vjetër të kohës së Nolit si dhe për ata të ditëve tona. Shoqata jonë po mbetet pa anëtaren e saj,e cila na përkrahu e na ndoqi në çdo veprimtari. Rozi po udhëton drejt qiellit, duke lënë pas mbretërinë e librave e duke na lënë neve në pikëllim. Loz tani me yjet, pasi punove gjithë jetën, për të qënë në qiellin e stolisur. Dalip Greca, editor i gazetës “Dielli”, mik i saj ivjetër, duke folur për krijimtarinë e Rozit, tha:-Gjatë viteve që punova në gazetën Illyria, Rozi më dërgonte shpesh shkrime për t’i botuar. Shkrimet që sillte Rozi, nuk kishin nevojë për redaktim.Po t’i redaktonje ato, do t’i prishnje. Poeti Mëhill Velaj, duke njohur dashurinë e Rozit për lulet e sidomos për lulen e vjetër Barbarosa, sjellë në Amerikë para 100 vjetësh nga një grua me origjinë nga Përmeti,e cila u trashëgua nga disa familje ndërsa vitet e fundit ajo iu dhurua Rozit, krijoi aty për aty disa vargje:-Lulen Barbarosa/kush do ta ujitë?/mos u bëj merak Rozi/ do ta ujitim ne më lotët tanë..Nuk mund të rinte pa thënë pak fjalë për Rozin, dardhari Sotir Pani, mik i familjes Çeku:-Dardha jonë ka nxjerë 25 shkrimtarë. Në shpirtin e tyre krijues, ka ndikuar bukuria e fshatit. Mestyre një nga më të shquarit,ishte Rozi. Folën e sollën kujtime për Rozin edhe krijuesja e patriotja kosovare, Rita Saliu, shkrimtari Gaqo Bushaka, poeti Atrur Vrekaj, sekretar i Shoqatës “Kombi” etj. Ndër të fundit që foli për Rozin, ishte artistja Adivije Alibali.Ajo kujtoi se me Rozin kishin qënë komshinj në Tiranë dhe emigrimi i takoi përsëri në Boston. Në shenjë nderimi për Rozin, ajo dhe djali i saj, Agroni, kishin sjellë një vazo me lule natyrale, të cilën ia dhuruan vajzës së Rozit, Diana Theohari, duke i thënë që ta vendosë të varri i nënës. Ajo i premtoi se do të çojë në vend porosinë e tyre. Me një falenderim nga vajza e Rozit, Diana, për të gjithë pjesëmarrësit e veçanërsiht për Katerina Çeku, e cila i qëndroi pranë Rozit gjatë gjithë kohës që ajo lëngoi në spital, u mbyl kjo drekë lamtumire.
Rituali mortor mbaroi, por mbeti pas dhimbja, dashuria, respekti e mirënjohja për Rozi Theoharin (Çekun).Kështu ndodh kur njeriu që ikën, le pas një det të madh dashurie e përkushtimi për njerzit, për vendlidjen e atdheun.

Filed Under: Reportazh Tagged With: (ÇEKUN), DHIMBJE PËR ROZI THEOHARIN, Fuat Memeli

Ngërci politik ,në Shqipëri vazhdon, ende pa marrëveshje

December 22, 2014 by dgreca

Ndërmjetuesi i parlamentit europian Eduard Kukan i propozon palëve një tekst për zgjidhjen e situatës. Bisedimet mes shumicës dhe opozitës vazhdojnë edhe pas largimit të zotit Kukan/
Në Shqipëri edhe përpjekja e sotme e eurodeputetit Eduard Kukan për arritjen e një marrëveshjeje mes shumicës dhe opozitës, që do t’i jepte fund bojkotit të kësaj të fundit, nuk ka sjellë një rezultat përfundimtar. Palët megjithatë kanë deklaruar se janë afër përmbylljes, dhe duket se ndahen mes tyre më shumë për cështje të formës se sa të përmbajtjes. Ato do të vazhdojnë të punojnë rreth një teksti të propozuar nga zoti Kukan, i cili do të ndjekë ecurinë e procesit në distancë.
Tre ditë pas përpjekjeve të para të eurodeputetit të së majtës europiane Knut Fleckenstein, kolegut i tij i së djathtës Eduard Kukan, nisi bisedimet me përfaqësuesit politik në Tiranë mbi një tekst konkret që ua paraqiti palëve.
Zoti Kukan tha se “qëllimi është rivendosja e dialogut politik në Shqipëri, i cili është shumë i rëndësishëm për vendin nëse dëshirohet të ecet përpara me sukses në procesin e integrimit europian”.
Zoti Kukan pati një paradite intensive. Pas afër një orë bisedimesh me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, zoti Kukan u takua me kryeministrin Edi Rama, dhe më pas me kryetarin e parlamentit Ilir Meta. Përpara se të largohej nga Shqipëria, ai zhvilloi një bisedë të dytë për më shumë se një orë me zotin Basha. Palët nuk dhanë detaje mbi diskutimet apo cështjet mbi të cilat po zhvillohen bisedimet të cilat do të vazhdojnë ende.
“Unë besoj se janë plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës, pra kërkesat kryesore të saj dhe çdo kërkesë e cila synon një funksionim më demokratik, më transparent të Kuvendit ka qenë dhe mbetet gjithmonë e mirëpritur dhe ne jemi të vendosur për transparencë dhe për gjithëpërfshirje”, u shpreh zoti Meta.
Kryetari demokrat Basha, dukej optimist, edhe sepse, ndërmjetësimi i parlamentit europian, është pjesë e kërkesave të opozitës për të patur garanci. Por edhe ai u rezervua të japë hollësi duke lënë të kuptohet se sipas tij zgjidhja është në dorën e shumicës: “Duke qenë në proces negociatash nuk më mbetet gjë tjetër veçse të shpreh besimin se përpjekja e tyre, përpjekja europiane do të kurorëzohet me sukses. T’i bëj thirrje maxhorancës që të jetë konstruktive në përmbylljen me sukses të këtij procesi”.
Palët megjithatë duket se po ndahen me shumë jo aq në cështjet që lidhen me përmbajtjen e marrëveshjes se sa në detaje anësore apo teknike dhe të formës. Ende duket se nuk është rënë dakort nëse do të bëhet fjalë për një dokument që do të nënshkruhet nga palët apo ajo do të ketë formën e një rezolute që do të miratohet në parlament pasnesër, ku opozita do të rikthehej në rast të gjetjes së një zgjidhje. Gjithashtu, dakortësi ka edhe për cështjen e dekriminalizimit të parlamentit dhe institucioneve, ndërkohë që mbetetet për tu përcaktuar si do realizohet dhe asistenca ndërkombëtare në këtë proces.(Armand Mero-Voa)

Filed Under: Politike Tagged With: ende pa marrëveshje, në Shqipëri vazhdon, Ngërci politik

“ Hyjnesha në fron” është Ilire, por kustosi nuk qenka ilir!

December 22, 2014 by dgreca

Fahri Xharra-Gjakovë/
Rastësia është mbret i jetës. Duke kërkuar material më të zgjeruar për Kulturën e Vinçes,
rastësia më solli shkrimin e kustosit professional të arkeologjisë në Muzeun e Kosovës, Tomor Kastrati “ Nuk është Ilire” botuar në GaetaJnK (10.11.2011 ) Fort u gëzova , sepse shkrimet për kulturën e Vinçës nga ana e shqiptarëve janë bukur të rralla.
Por, kur aty lexova:” Studiuesit, mbi bazën e mendimeve hipotetike i kanë konsideruar këto figurina si objekte kulti të natyrës idolatrike ose nëpërmjet të cilave janë paraqitur njerëz të maskuar në momente rituali a hyjni të maskuar, e ndoshta kanë shërbyer edhe si lojra fëmijësh. “ fillova të dyshoj në qëllimin e shkrimit .
Pastaj ai shkruan:” Prej atyre që pretendojnë në teorinë e evolucionit të njeriut nga majmunët antropoid si atlantrop, sinantrop, pitekantrop etj, – edhe pse objektivisht, teoritë mbi të cilat është ndërtuar kjo bindje siç janë: lamarkizmi, darvinizmi, neodarvinizmi dhe mutacionizmi, nuk e kanë vërtetuar kurrë mekanizmin evolutiv- matriarkati supozohet si formë të vjetër shoqërore në historinë e njerëzimit, duke iu përshtatur kështu pikëpamjeve dhe tendencave ideologjike materialiste e feministe.”… dhe dyshimi në sinçeritetin e kustosit të Muzeut filloi të më rritet: “Pas çlirimit, promovimi me theks të veçantë i një eksponati muzeor që lidhet me një shoqëri të tejlashtë pagane, nuk prek në mënyrë të drejtpërdrejt në çështje etnike aktuale, por tërthorazi ndikon, sidomos në shtresat e paformuara të qytetarëve në këtë aspekt, për të krijuar kuptime të gabueshme për historinë e identitetit “. dhe na del sipas tij se :” Nga përvoja me vizitorët e Muzeut të Kosovës, kryesisht me shqiptarë, pavarësisht pozitës së tyre në shoqëri, ekziston një përshtypje e gabuar se ky artefakt është relikt ilir. “dhe si e tillë sipas tij “Hyjnesha në fron” nuk qenka ilire ,por .” Figurina të ngjajshme janë karakteristike për tërë Ballkanit Qëndror, ku përfshihen disa shtete të rajonit. “
Kush është ky njeri dhe sa është i kulifikuar për të përcjellur drejt mesazhet e ekponateve të muzeut tek vizitori? Ato nuk flasin , atyre iu duhet gjuha shqipe apo e huaj që të bashkëbisedojnë me vizitorin .
”Hyjnesha në fron “ e ka të bezdishme kur e ndëgjon kujdestarin e saj që jep spjegime “serbe” për te. Ajo nuk ka gojë se kishte për të bërtitur më zë të lartë “ Më jepni vend në tokë time , se mu deshten 6 000 vjet të jetoj edhe më në fund të flas shqip ; e ky maskara prej kustosi më përgjithëson me “……Statujzat kanë përmasa të ndryshme, ndërsa atributet e tyre janë pjellë e imagjinatës dhe trillit që lidhen me botkuptimin dhe mentalitetin e kësaj shoqërie të kohës së gurit……”
“Hyjnesha në fron “ e thot : shikoni Hartën e shtrierjes se “Kulturës së Vinçës” dhe ta dini se ne ishim gjithandej e gjithkëndej . Rastësia e deshti që zbulimet e para të kryhen në Vinçë afër Beogradit se mua “ ….Kjo figurinë është zbuluar më 1951 gjatë hapjes së themeleve të Fabrikës së Tjerrtores në Prishtinë, në rrënojat e një vendbanimi të epokës së neolitit të vonë që daton rreth 5500 vjet përpara..”

***
Duke lundruar nëpër histori, e posaçërisht në historinë tonë të bujëshme dhe kolosale, më shkoi mendja tek ” Kultura e Vinçës ” ,” Kulturae Komanit” dhe ” Shasi ilir i 365 kishave”. Kultura e Vinçës nuk është zorrë qorre e historisë sonë por ndoshta janë mushkëritë apo zemra e kësaj historije të ngratë të vjedhur e të stërvjedhur, të përvehtësuar e të shkruar sipas nevojave të ardhacakëve që u bënë ” patron” në tokën e huaj falë rrethanave historike. Ishim pra ne këtu edhe atë here por edhe më herët. Të tjerët erdhën pas nesh.,dhe po na e vjedhin atë margaritar të historisë duke na thënë që për ne fillon historia rreth shek.XV-të . Ju e dini se kush., nuk kam nevojë t`ia përmendi emrin. Vinça ,për herë të pare përmendet me 1893, kur në takimin e Shoqatës së Gjeologëve të Serbisë, Jovan Zhujoviqi iu tërhjek vëmendjen për këtë vend historik. Dhe kur me 1897 u gjetën eksponatet e para , u vërtetua që aty pra në Vinçë( afër Beogradit) gjindet një lokalitet parahistorik.
E dini ju zotëri i përmendur më lartë që në atë kohë Serbia e kishte njëfarë autonomie nga turku dhe vepronte si shtet i pamvarur; dhe i lejohej që në atë kohë të bënte largimin me dhunë të shqiptarëve, zbrazjen e tokave tona , po ata në të njejtën kohë i kishin gjeologët ,historianët dhe largëqofshin të aftë për të përvetësuar e vjedhur tokë e histori. Po ne? “Luftonim “ për mbi jetesë ,të shpëtojmë shpirtin e gjallë . Sidoqoft ,ishte kohë e vështirë. S`ishte fryma në anën tonë. Kush kishte kohë nga ne ,të interesohej për Vinçën? Por sot, Ju të shkolluarit, të paguarit mirë ,të privilegjuarit pse na e mshefni Vinçën? Keni turp që nuk e keni dijtur për te apo që nga një motiv apo tjetër nuk po doni ,apo nuk po guxoni t`a përmendni atë.
Kryeadministratori i atëhershëm i Kosovës ,Michael Steiner, qe deklaruar: “Ajo çfarë është gjetur këtu tregon në diçka të cilën ne të gjithë e mbështesim. Në fund të fundit nuk po bëjmë diçka per etnicitetet, por po bëjmë diçka për Kosovën. Këto gjetje na tregojnë se ekziston një trashëgimi e Kosovës të cilën kemi nevojë t’a mbrojmë dhe mendoj se mund ta përdorim këtë për të dëshmuar se është një identitet….që ia vlenë të mbrohet”. Për figurinat që janë hasur aty qe shprehur: “..ato janë simbole perfekte për çfarë ka nevojë Kosova: gruaja në Qeveri” (UNMIK PRESS OFFICE, Press Release; Raporti: Ancient Terracota figures found, 13 Maj 2002, UNMIK/PR/734).

Filed Under: Analiza Tagged With: “ Hyjnesha në fron” është Ilire, Fahri Xharra, nuk qenka ilir!, por kustosi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT