• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2014

Organizohet Dita vlonjate e poezisë”

December 22, 2014 by dgreca

Klubi i Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë, me mbështetjen e Bashkisë organizoi “Ditën vlonjate të poezisë”, një aktivitet që organizatorët synojnë ta shndërrojnë në një traditë.
Në këtë veprimtari, e para e dimensioneve të tilla që zhvillohet në qytetin e Vlorës ishin të pranishëm poetë e shkrimtarë nga rrethe të ndryshme të vendit, nga Kosova, apo edhe krijues që jetojnë e punojnë jashtë vendit, si në Greqi etj. Aktiviteti hodhi bazat e analizës për krijimtarinë e autorëve vlonjatë në vite, duke evidentuar emrat e spikatur, apo ata që kanë hedhur hapat e para në rrugën e letërsisë.
Të pranishmit theksuan se, poezia vlonjate i ka bazat e saj në traditën e krijuar nga emra të tillë sikurse Ali Asllani, apo autorë të tjerë, të njohur apo më pak të njohur, për shkaqe e faktorë të ndryshëm. Kjo traditë, që ka mbijetuar në dekada, ka mbërritur deri në brezat e sotëm, për të shërbyer si referencë në krijimtarinë e mëtejshme. Poetët dhe shkrimtarët janë përballur e po përballen me vështirësi, por kjo, sipas të pranishmëve, e bën edhe më të bukur artin.
Të pranishmit ndoqën me interes ligjëratat nga Myrteza Mara, Idajet Jahaj e Ilir Mborja.
Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë, Myrteza Mara, falënderoi Bashkinë e Vlorës dhe Kryetarin Shpëtim Gjika për mbështetjen për artin dhe letërsinë në qytetin e Vlorës.
Me këtë rast nënkryetari i Bashkisë Arben Beqiraj dorëzoi titullin “Mirënjohja e Qytetit të Vlorës”, akorduar nga kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, për tre emra të njohur në fushën e krijimtarisë letrare e të publicistikës, mes të cilëve Duro Mustafaj, Luan Çipi e Andrea Petromilo.
Po ashtu, Ilir Mborja u vlerësua me Çmimin “Mirënjohje e Klubit” Petro Marko”.
Në këtë atmosferë u zhvillua edhe konkurrimi për interpretimin e poezisë më të bukur nga të pranishmit.
Juria e përbërë nga aktori Ilirjan Ali, poeti Nase Jani dhe gazetare Marjeta Mërkuri njëkohësisht moderatore, bëri vlerësimet përkatëse. Çmimi i Karrierës u akordua për poetët Qerim Skënderaj dhe Thodhori Baba-Vlorë, çmimi special për Riza Haziri-Mitrovcë dhe Beatriçe Balliçi-Elbasan, ndërsa çmimi i tretë në poezi për Zamira Agalliu-Vlorë, Eriselda Prifti-Fier. Çmimi i dytë në poezi u nda për Idajet Jahaj dhe Laureta Petoshati-Vlorë, ndërkohë që çmimi i parë ju dha poetes Anila Toto-Vlorë dhe Sabit Idrizi-Mitrovicë.
Në këtë aktivitet u nderua kujtimi i krijuesve vlonjatë që janë ndarë nga jeta vitet e fundit, mes të cilëve Ferhat Çakërri, Anastas Bita, Fadil Zeqiri, Miliano Stefa, Petrit Qejvani dhe Jonida Osmani.( Harilla Koçi)

Filed Under: Featured Tagged With: Dita vlonjate e poezisë”, Organizohet

DIASPORA NE SUEDI- Kulturë dhe biznes shqiptar në Malmo

December 22, 2014 by dgreca

Nga Nini Mano/- Për vitin 2014, në 19 nëntor vajzës së re 25-vjeçare shqiptare, Fatime Nexhipovska j’u dha në dorë çmimi “Frymëzuese për një shoqëri më të mirë” nga princi i Suedisë, Carl Philip dhe Sofia Hellqvist, ndërsa biznesi i saj u vlerësua si “një formë për të vënë në dukje idetë, pasionet dhe vullnetin e të rinjve, nxitjen e tyre për t’a parë me optimizëm të ardhmen. Një formë e tillë sipërmarrje synon të zgjerojë vetë nocionin “Sipërmarrje” dhe të tregojë se gjenden lloje të ndryshme sipërmarrësish”.
Me prindër shqiptarë nga Prespa, Fatime Nexhipovska ka lindur 25 vite më parë në Suedi, por fare e re, u bë e njohur për angazhimin si veprimtare në shërbim të të rinjve. Në 2012 krijoi biznesin social ”Brightful”, që ofron konsulencë të plotë për përgatitjen e mentorëve për të punuar me nxënës nga klasa e 5-të deri tek e 9-ta, nëpër shkollat 9-vjeçare. Sot, edhe pse vetëm 25 vjeç, synon që të rinjtë të zhvillojnë personalitetin e tyre në moshë fare të re duke u nisur nga dëshirat, idetë dhe qëllimet për të ardhmen, bashkë me mënyrën që duhet ndjekur për t’i realizuar.
Për gjithçka ka arritur Fatime Nexhipovska, u soll si model i suksesshëm shqiptarësh në Suedi në një mbrëmje festive për festat e Nëntorit, organizuar nga Shoqata Kulturore “Tirana”, në Malmo. Veç takimeve të shpeshta mes shqiptarësh tek zyrat e shoqatës, festimet në grupe të mëdha janë mundësi e mirë për të njohur arritje të spikatura bashkëkombasish, që sjellin bashkë me krenarinë, edhe modele për t’u ndjekur nga më të rinjtë.
“Shumë nga të rinjtë që takoj, ndihen të pasigurt për të ardhmen, ndaj me grupin që drejtoj, i ndihmojmë që të mos fokusohen tek problemi, por tek zgjidhja e tij”, tregon Fatimja biznesin e saj social që ka hapur, me fokus, punën me të rinj se si të mund të gjejnë kënaqësinë për t’u rritur sipas idhujve që zgjedhin për t’i udhëhequr në jetë deri sa të arrijnë qëllimet.
Brenda një viti, vajza e re me vullnet përmes referateve, workshop-eve, bisedave të drejtpërdrejta ka takuar, frymëzuar e nxitur besimin për të ardhmen tek mbi 100 të rinj. Për këtë sipërmarrëse sociale edhe pse e re, nuk vonoi vlerësimi i shtetit suedez.
“Shtëpia” që mbledh shqiptarët në Malmo
Shqiptarët e trojeve jashtë kufirit me Shqipërinë, rreth 50 mijë e prekën herët, para 35 vitesh Suedinë, ku ndjenë përshtatjen e mentaliteteve, që sot reflektohet tek brezi i fëmijëve të tyre, që nuk dallojnë prej suedezëve. E kupton kur ndodhesh mes tyre në Malmo, qyteti i tretë nga madhësia në Suedi, sikurse tek gëzojnë së bashku festat e nëntorit, në mbrëmjet e organizuara nga shoqata Kulturore “Tirana”, ndjen se secili i ruan brenda vetes rrënjët e origjinës.
Në qytetin Malmö, i treti për nga madhësia në Suedi, pas viteve 90-të kanë mbërritur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë rreth 1300 shqiptarë, prej të cilëve, një grup i vogël punuan e krijuan në 8 shkurt 2003 shoqatën me emrin e kryeqytetit, Tirana. Prej vitesh zyra e saj është kthyer në një vend të ngrohtë takimesh, ndjesi malli e dashurie të fortë për vendlindjen, dhe pse jo, ndoshta mbajnë në shpirt në mijëra kilometra larg, edhe traditën e një historie shekullore emigrantësh shqiptarësh nëpër botë.
Zyra e shoqatës kulturore “Tirana” ndërtuar sipas modelit suedez, sot është pika e fortë që mbart traditat kombëtare sidomos tek të rinjtë e rritur me kulturën dhe mes suedezëve. Maks Cifligu e ka merak dhe kujdeset që ta mbajë përherë hapur lokalin e shoqatës për veprimtari me fëmijë e të rinj, që e vizitojnë gjatë kohës së lirë. Aty mblidhen jo vetëm banues në lagjen ku ndodhet, por nga tërë Malmö e rrethinat, ku jetojnë rreth 12 mijë shqiptarë nga gjithë trevat shqipfolëse. “Ne synojmë t’i shërbejmë gjithë komunitetit ku jetojmë, ndaj kemi zgjedhur forma të tilla, që zyra të jetë e vizituar nga të rinj, që vijnë dhe kalojnë kohën e lirë nën shoqërinë e leximit, lojrave, bisedave të ndryshme për zakonet e çdo vendi”, tregon Maksi.
Shoqata ka një kryesi, që punon mbi baza vullnetare, që herë pas here ripërtërihet e ku çdo anëtar përbën një shembull pozitiv përpjekjesh integrimi në shoqërinë suedeze. Këtë vit, si rastësi e bukur, ka më shumë gra: Dhurata Alla, mjeke e përgjithshme në ambulancën e një prej lagjeve të mëdha në Malmo, pedagogia Rita Cifligu, Liana Xhakollari mjeke në spitalin universitar aty, Shaip Morina, i angazhuar si drejtues për aktivitetet e kohës së lirë dhe sipërmarrësi Adriatik Xhakollari.
Rita Cifligu, ndër nismëtaret, tregon nisjen kur u mungonte përvoja e organizimit: “Na ndihmoi shumë Enti për Kohën e Lirë në Malmo, që jep kontribut të çmuar me materiale ndihmëse, këshilla, kurse të ndryshme se si duhet formuar, drejtuar, organizuar një shoqatë ideale”. Mësuese në lëndët sociale në 20 vjet në Malmo, ajo ka provuar çdo shkallë mësimdhënie në shkollat suedeze si dhe për shqiptarët. Prej vitesh punon koordinatore me prindër nxënësish të çdo moshe dhe nacionalitetesh në një prej minibashkive në Malmo dhe është anëtare e Entit për punët parandaluese dhe kohën e lirë, ku drejton programe të ndryshme me të rinj e të rritur. Eshtë një model organizimi i suksesshëm në Suedi me të huajt aty, me objektiv, që duke kapërcyer ndryshimet, ata të përshtaten me kulturën e shoqërisë suedeze. Rita vetë mbetet aktive për t’i stimuluar shqiptarët, por dhe t’ua bëjë të njohur suedezëve kulturën shqiptare.
Pogradecarja Liana Xhakollari përveçse kreu studimet e larta për mjekësi në Malmo, punon mjeke në spitalin universitar aty dhe për 4 muaj përfundon specializimin për veshkat. “E kam dëshirë që të hap një klinikë në Shqipëri ku të përdor teknikat e fundit për shërimin e veshkave”, tregon ambicjen gruaja e re, që erdhi 15 vite më parë në Malmo duke ndjekur dashurinë e jetës, Adriatikun.
Ndër vite, aty janë bashkuar shqiptarë nga trojet shqipfolëse jo vetëm nga qytete të tjera në Suedi, por dhe nga Norvegjia e Danimarka. “Qëllimi i shoqatës synon të mbajë gjallë frymën e atdhedashurisë, jo vetëm me aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive për çdo moshë, por duke gjetur frymën e bashkëpunimit me shoqata dhe organizma të tjera, me qëllim integrimin e çdo banori në shoqërinë ku jetojmë”, tregon kryetarja e shoqatës Dhurata Alla, që pasi studioi, sot punon mjeke e përgjithshme në ambulancën e një prej lagjeve të mëdha në Malmo.
Promovimet e shqiptarëve të suksesshëm nga shoqata Kulturore “Tirana” po rrisin interesin mes shqiptarëve për tu njohur me njëri-tjetrin dhe pse jo, dhe nga të huaj të tjerë. Kjo mënyrë organizimi bën që në çdo festë shqiptarësh, takon suedezë, rumunë, sllovenë, të tjerë të interesuar për kulturën shqiptare. Çdo vit Shoqata “Tirana” në bashkëpunim me organizma artistikë nga Shqipëria, fton grupe artistësh, si shkolla e Baletit në Tiranë, shoqata ”Artisti”, grupi artistik ”Kolonja”, grupi artistik ”Bluepidamus”, etj, ku kulmi mbeten festat e Nëntorit.
“Nuk mblidhemi vetëm për të kënduar e kërcyer, por dhe të promovojmë vlerat, që shumë shqiptarë po arrijnë këtu. Bashkëpunojmë dhe presim sugjerimet e sipërmarrësve tanë duke ftuar njerëz me kontribut të spikatur, modele, jo vetëm për t’u ndjekur, por dhe t’i njohë çdo shqiptar në Suedi”, tregon synimet e shoqatës Rita Cifligu. Nëntori i sivjetëm në Malmo me përvjetorin e 102-të të Ditës së Flamurit dhe 70-vjetorin e çlirimit, mblodhi dhjetra shqiptarë në një mbrëmje me aromë Shqipërie me këngëtaren Ludmilla Baballëku dhe Arben Zhezha.
Modele shqiptarësh të suksesshëm në biznese
Në Malmo dhe rrethinat, Adriatik Xhakollari njihet si sipërmarrës shqiptar, që ka prej vitesh biznesin e mirëmbajtjes së banesave dhe një agjenci punëtorësh të specializuar. Me origjinë nga Skrapari, i rritur në Laç, fare i ri emigroi me anijen “Panama” në Itali dhe pas dy vitesh u vendos në Malmo. Prej 20 vitesh sot ai jeton me Lianën dhe dy fëmijë, që e flasin bukur shqipen.
Në pak ditë qëndrimi në Malmo e ke lehtë të takosh shqiptarë, që të integruar në shoqërinë suedeze, kanë krijuar profilet e tyre sociale, kanë biznese, kryesisht në fushën e shërbimeve si Adriatiku, me restorante, apo lokale dëfrimi. Një restorant i një shqiptari nga Maqedonia me të punësuar shqiptarë, mbushet plot me suedezë, kinezë, arabë, patjetër dhe shqiptarë, që shijojnë byrekun, por dhe tavat karakteristike.
Befasi krijon lokali muzikor i Agronit, një strugan, që vendosur para 35 vitesh në Malmo, ka grupin e vet muzikor ku buçet muzika shqiptare. Aty çdo fundjavë grupe vajzash dhe djemsh të rinj mblidhen dhe kur bisedon me ta, kupton se ndonëse të rritur në Suedi e ku ndihen suedezë, malli për atdheun u rri ndër sy.
Nga Lundi vjen Viktoria Malo, sociologe. Jeta e vuri në provë tek mësoi se djali i vogël 3-vjeçar kishte autizëm. Pasi kaloi frikën e parë, ju përkushtua biznesit social për njerëz me aftësi të kufizuara, duke lënë punën 20-vjeçare në Entin e Migracionit. Prej vitit 2007, nuk është ndalur dhe sot ka një nga ndërmarrjet më të mira në Suedi. Në vitin 2010 u nominua si një nga 900 ambasadorët e biznesit nga Bordi Suedez për Ekonomi dhe Rritje Rajonale, (që ndjek rritjen e qëndrueshme e të vazhdueshme të biznesit në Suedi).
“Sivjet, sfida ime mban emrin “Stokholm””, tregon Viktoria nisjen për të hapur atje qëndrën e dytë. Si gjithë jeta e saj luftarake, e di se do t’ja dalë, se di që cdo punë kërkon përkushtim të veçantë, pale kur bëhet ndaj njerëzve me aftësi të kufizuar. Viktoria Malo vlerëson reformën në kujdesin shëndetësor që nisi Suedia në vitin 1994 kur u fut shërbimi privat për njerëzit me aftësi të kufizuar me më shumë liri përzgjedhjeje. Si grua në biznes, suksesin e ka arritur përmes sfidave: “janë përzgjedhjet tona që tregojnë se cilët jemi, shumë më tepër se’ç mund të na tregojnë aftësitë që kemi”, thotë Viktoria Malo, që gjithë jetën ka ecur në kërkim për të njohur veten, të tjerët.
Nga sipërmarrja, tek gruaja në politikën suedeze, është ecja e Mira Gërxhaliu, që 8 vjec me familjen nga Mitrovica e Kosovës, emigroi në Suedi. Diplomuar për menaxhim ndërmarrjesh, prej 3 vitesh Mira ka biznesin e vet për organizim dasmash dhe eventesh. Jeton me dy fëmijët në qytetin turistik, Höganäs dhe së fundi është pjesë e politikës së djathtë me partinë Moderaterna në Suedi.
Gruaja e re në politikë, është zv/kryetare e Bordit të mirëqënies sociale në komunë, para pak muajsh kandidoi në zgjedhjet komunale, u votua dhe u zgjodh anëtare e Këshillit Bashkiak në Höganäs, ku mban deytyrën e zëvëndëses të Entit Arsimor. Sivjet ka hapur biznesin e dytë, firmën konsulence “R&G Trade Business development”, me drejtim investime në agrobujqësi në Kosovë. “Dëshiroj të dicka në trojet tona”, thotë Mira Gërxhalliu. Qëllimet e jetës i lidh me ambicjet: “ndihem e lumtur kur shikoj rezultate të mira, ndihem mirë kur kontribuoj për shtetin, fëmijët dhe familjen time. Mbi të gjitha, dua t’u përcjell mesazhin e një modeli pune fëmijëve të mi, që ta dinë se asgjë nuk është e pamundur nëse e do punën”.
Elvira Haxhiaga mbrriti nga Kosova në Malmo shumë e re. Ndonëse ka aty 23 vjet, ndryshimet në mentalitete i nxitën idenë për biznes në fushën e psikoanalizës, kryesisht rritjen e vetvlerësimit pozitiv tek pacientë nën depresion. Fare e re nisi përkthyese e anglishtes në ndihmë të grave shtatzëna nëpër maternitete në Suedi, Finlandë e Norvegji nga gjuhët shqip e sërbokroatisht. Studente për Informatikë në Universitetin e Lund u përfshi në projekte për mediat digitale, dha leksione mbi teknologjinë kompjuterike, drejtoi lajmet në dy Radio lokale, u zgjodh koordinatore mes shoqatave rinore suedeze dhe multi-etnike në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar, që synonin punësimin dhe integrimin e tyre në shoqërinë suedeze.
Prej vitit 2007 Elvira Haxhiaga ka biznesin e vet “Obruten Mark” me terapi këshilluese. “Jam e zgjedhur si eksperte nga shteti dhe zhvilloj leksione me organizata e kompani në Suedi dhe Danimarkë mbi zhvillimin personal, karrierën, punësimin”, tregon ajo. Nga viti 2012 Elvira Xhilaga ka zgjeruar biznesin në Maqedoni e Kosovë dhe së fundi synon Shqipërinë ku mendon se ka shumë punë, pasi ndryshe nga suedezët, shqiptarët në vend që të bëjnë diçka të vlefshme në jetë, studjojnë për një diplomë apo tituj, edhe pse nuk u hyjnë shumë në punë, cka u krijon gjendje depresive.
Fierakja Julia Shameti Fridevik, nënë e tre fëmijëve jeton në qytetin Helsingborg, ku ka biznes sallonin e bukurisë “Spegeln”. Njihet si artiste dhe bamirësi, merr pjesë në cdo maratonë vrapimi me flamurin shqiptar mbi shpatulla në finish. Për të shkruar gazeta lokale një artikull me përshtypjet e klientëve për punën e Julias, që tregon rrugën ku mbrriti deri sot. “Sa mbrrita 12 vjet më parë në Suedi, linda fëmijën e tretë, u përballa me shumë vështirësi, isha pa punë, nuk njihja gjuhën vëndase, por e vendosur të mos kthehesha pas. Kështu nisa ta mësoj nga librat e fëmijëve, cdo ditë punoja 4 orë tek Fondacioni bamirës ”Öppet Hand,” ku paketoja veshje e ushqime për vendet e varfëra e kështu mësova gjuhën. Më pas u diplomova si parukiere, nisa punë në sallone të ndryshme deri sa u vendosa në Helsingborg ku kursimet i investova për një sallon bukurie. Shpejt kuptova se kisha bërë zgjedhje të drejtë”. Julia Fridevik si grua në biznes, vlerëson që shumë shqiptare me fëmijë, janë shkolluar në universitete në Suedi dhe mendon se “kur njeriu zgjedh të bëj atë që do, nuk ka ndryshim nëse je burrë, apo grua”.
Duke bërë cdo vit me promovim shqiptarësh të shquar, nisma e shoqatës Kulturore “Tirana” tashmë është përhapur ndër të tjera shoqata shqiptarësh.
Mira Gërxhalliu, që është dhe nënëkryetare e Ligës së shoqatave “Iliria” tregon se ka nisur puna për një botim special me shqiptarët e suksesshëm në Suedi, që do të promovohet mot në Stokholm. Mes tyre, patjetër dhe gjithë sipërmarrëset gra, që janë fokusuar drejt bizneseve sociale. Një fushë, që e nxitur nga shteti, krijon një brez të përgjegjshëm, të lumtur, që e vecon Suedinë në botë, ndërsa për shqiptarët e integruar shënon pikën e barazimit mes mentaliteteve shqiptare dhe suedeze.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Diaspora ne Suedi, shqiptaret ne Malmoe

EURODEPUTETI TAKOI FILLIMISHT OPOZITEN

December 22, 2014 by dgreca

Kukan në Tiranë: Të vendoset dialogu politik, i rëndësishëm drejt rrugës së BE/
Ka përfunduar takimi mes eurodeputetit, Eduart Kukan dhe kryetari të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për vendosjen e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës dhe thyerjes së bojkotit opozitar.
Eurodeputetit, Eduart Kukan u takua sot në mëngjes me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të gjetur një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për ta kthyer opozitën në Kuvend.
Eduart Kukan pas takimit me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha dha një prononcim për mediat dhe u shpreh se “kam ardhur sot të vijoi punën e kolegut tim, z. Flenkeshtein për të rivendosur dialogun politik në Shqipëri që është shumë i rëndësishëm për të zhvilluar një politikë evropianë të suksesshme”.
“Jemi në diskutime”, është përgjigjur Kukan, pyetjes së drejtuar nga gazetarët përsa i përket bojkotit të opozitës.
Meta pas takimit me Kukan: Opozita e mirëpritur; të vendosur për gjithëpërfshirje
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u takua të hënën me eurodeputetin e Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri duke ndarë bindjen e përbashkët se të gjitha institucionet demokratike në vend duhet të funksionojnë përmes parimeve të pjesëmarrjes, dialogut dhe bashkëpunimit politik.
Në këtë kuadër u vlerësua angazhimi dhe mbështetja e eurodeputetëve dhe PE-së, veçanërisht e dy grupeve të mëdha europarlamentare të Partive Popullore Evropiane (EPP) dhe Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D). Pas takimit, kryeparlamentari tha se opozita është e mirëpritur të kthehet në parlament, pasi tashmë janë plotësuar të gjitha kërkesat kryesore të saj, përfshi dhe ato që synojnë funksionimin më demokratik dhe transparent të parlamentit.

“Besoj se janë plotësuar të gjitha kërkesat kryesore të opozitës, si dhe çdo kërkesë e saj që synon një funksionim më demokratik dhe transparent të Kuvendit. Opozita ka qenë dhe mbetet gjithmonë e mirëpritur dhe ne jemi të vendosur për transparencë dhe gjithëpërfshirje. Ajo është e mirëpritur në çdo moment për të përmbushur rolin dhe funksionet e saj në parlament dhe do të shpresoja shumë që kjo të ndodhte para Krishtlindjeve”, u shpreh kreu i Kuvendit në prononcimin e tij për gazetarët.
.

I pyetur nëse kthimi i deputetëve të opozitës lidhet me djegien e mandateve, kryeparlamentari u përgjigj se nuk është momenti të flasim për këtë, por duhet të flasim për përfshirje dhe dialog.
“Këtu nuk flitet thjesht për të evituar një djegie mandatesh, por për ta ndarë njëherë e mirë politikën tonë nga fryma e bojkotit dhe e konfliktit. Ne na duhet të krijojmë një traditë të qëndrueshme të një demokracie funksionale dhe të një dialogu funksional për realizimin e reformave që kërkon vendi. Fakti që kemi angazhimin e dy eurodeputetëve të njohur tregon se ka një vëmendje ndërkombëtare për të mbështetur rivendosjen e dialogut politik në vend. Dhe unë shpresoj që ky angazhim i eurodeputetëve Kukan dhe Fleckenstein të jetë i suksesshëm dhe kjo është mjaft pozitive”, nënvizoi Ilir Meta.
I pyetur nga gazetarët se ende politika shqiptare vazhdon të ‘mbikëqyret’ nga ndërkombëtarët, edhe pas 25 vitesh pluralizëm politik, ai u përgjigj se ‘kjo nuk është çështje mbikëqyrje, por çështje standardesh”.

“Ne kemi bërë një zgjedhje për t’u integruar plotësisht në Bashkimin Europian dhe ky bashkëpunim me BE-në më duket i natyrshëm dhe në fund të fundit e rëndësishme është të ecet përpara drejt një dialogu të qëndrueshëm e afatgjatë që e ndihmon Shqipërinë të përmbushë më shpejt standardet e saj drejt BE-së”, the kreu i Kuvendit.
Eurodeputeti Eduard Kukan, i mandatuar nga grupimi i së djathtës në Parlamentin Europian, ndodhet në Tiranë në kuadër të misionit të faktorit ndërkombëtar për të ndërmjetësur rikthimin e opozitës në Kuvend.
Axhenda e tij nisi me takimin me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të vijuar më pas me takimin me kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Meta.

Filed Under: Politike Tagged With: Basha, Kukan ne Tirane, Meta

EDIT DURHAMI-PËRKRAHËSE E KAUZËS SHQIPTARE

December 22, 2014 by dgreca

(Në 70-vjetorin e vdekjës)/
NGA Dr.Nail Draga/*
Nga të dhënat e njohura deri më tash del qartë se ngjarjet e zhvilluara gjatë periudhës së lavdishme të Rilindjës Kombëtare Shqiptare kanë zgjuar kureshtjen e personaliteteve të huaja për të vizituar viset shqiptare.Trajtimi i çështjeve përkatëse për shqiptarët dhe Shqipërinë ishin në qendër të vemendjës së artikujve dhe botimeve të tyre në qendrat e ndryshme evropiane.Falë angazhimit të tyre bota evropiane u senzibilizua dukshëm për çështjen shqiptare jo si çështje ballkanike por evropiane.
Nga plejada e atyre personaliteteve që vizituan shqiptarët dhe Shqipërinë nuk ka dilemë së vend nderi zë anglezja zonja Edith Durhami(1863-1944). Ajo ishte një udhëtare, artiste, publiciste, shkrimtare dhe një antropologe e njohur në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.
Edit Durhami ishte më e madhja nga 8 fëmijët. Babai i saj Arthur Eduard Durham ishte një kirurg i njohur në Londër. Edukimin e mori në mënyrë private dhe nga mosha e re shfaqi talent në art, duke i bërë të mundur pjesëmarrjen në Akademinë Mbretërore të Arteve. Por, jeta e saj kishte sfida të mëdha , sepse pas vdekjes së babait asaj iu desh të kujdesej vite më radhë për nënën e sëmurë. E këshilluar nga mjekët në moshën 37 vjeçare, ajo ndërmori një pushim jashtë vendit për tu qetësuar e relaksuar. Nga Triesta me një anije të Llojdit austriak gjatë Adriatikut udhtoi për në Kotor, duke u sistemuar përfundimisht në Cetinë të Malit të Zi, në gusht të vitit 1900. Ishte pikërisht ky udhtim shkruan më vonë Durham ”kur zura për herë të parë një fill të lëmshit ballkanik, pa kuptuar se sa thellë do të ngatërrohesha më vonë dhe, aq më pak, se si ky lëmsh do të mplekste më në fund të gjithë botën”.
Pas qendrimit disamujor këtu, ajo në vitin 1901, viziton për herë të parë Shqipërinë, dhe shkruan se “ u mahnita nga energjia dhe origjinaliteti i popullit shqiptar”. Këtu u vendos në qytetin e Shkodrës, ku më pas do të shkruante se “Shkodra më bëri për vete. Kish ngjyrë, jetë, art. Banorët ishin miqësorë dhe të aftë dhe nuk e kalonin kohën duke pirë raki apo duke u sorollatur poshtë e përpjetë rrugëve, si në Cetinë. Kishte mbi vete diçka të njerëzishme”.
Këtu u vendos në shtëpinë e Mark Shantojës i cili më pas u bë shoqëruesi i saj në udhëtimet në viset e Veriut shqiptar. Gjatë këtyre udhtimeve ajo mblodhi dhe shënoi ngjarjet dhe histortitë dhe fotografoi nga afër pothuaj çdo aspekt të jetës në fshatrat malore, duke grumbulluar një arkiv të pasur nga trashëgimia kulturore shqiptare.
Pas Luftës së Parë Botërore ajo u kthye në Londër, ndërsa në vitin 1918 u bë sekretarja e Shoqatës Angli-Shqipëri, themeluar më parë nga Aubrey Herbert në Londër, e cila mbronte të drejtat e shqiptarëve. Përpjekjete saj më pas ishin në ate qe Shqipëria të njihej nga Lidhja e kombëve në vitin 1920. Si mike e dëshmuar e shqiptarëve deri në vdekje i ndejti besnik kauzës shqiptare. Kur Shqipëria u pushtua nga fashistat italin në vitin 1939, edhe pse ishte 76 vjeçare doli në rrugët e Londrës duke mbajtur në duar pankartën ku shkruhej “Larg duart nga Shqipëria”. Vdiq në Londër në moshën 81 vjeçare, me 15 nëntor 1944.
Në sajë të shkrimeve publicistike dhe botimeve të veçanta ajo mori një famë të madhe. Gjatë punës së vet prej një çerek shekulli, ajo lexuesve anglezë iu pat dhuruar këto vepra: “Nepër tokat e serbëve”(1904). “Brenga e Ballkanit”(1905), “Shqipëria e Epërme”(1909), “Lufta për Shkodrën”(1914), “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”(1920), dhe “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”(1928) etj.
Nga opusi i saj botues gjashtë libra trajtojnë pothuaj tërësisht çështjen shqiptare. Madje botimet e saja edhe sot e kësaj dite janë një udhërrefyes i mirë i kulturës dhe trashëgimisë kulturore të malësorëve në veçanti e Shqipërisë Veriore në përgjithësi.
Ndonëse ajo u paraqit rastësisht në këtë regjion, ajo çështjeve ballkanike në përgjithësi, e atyre shqiptare në veçanti, iu qas me një pasion e objektivitet të rrallë, duke dhënë përfundime të qendrueshme shkencore.
Duke lexuar veprat e Durhamit shqiptarët dhe të huajt do të mësojnë shumë të vërteta nga historia e tyre, më shumë të dhëna për kombin, për trashëgëminë kulturore, për qendrimet e sjelljet e fqinjëve dhe Fuqive të Mëdha në fillim të shek.XX.Si të tilla ata janë referenca të domosdoshme për studiuesit e profileve të ndryshme shkencore.
Pasi në mënyrë të përafërt u njoh me popullin tonë ajo u bë, jo vetëm dashamire e shpirtit dhe e kulturës së tij, jo vetëm një përshkruese dhe studiuese e traditave dhe e ngjarjeve të tij, jo vetëm një zëdhënëse e të drejtave legjitime të popullit shqiptar, por edhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e ngjarjeve si kroniste besnike e tyre, me një fjalë u bë një luftëtare e denjë e çështjës shqiptare.
Me qellime të caktuara për të nënvlerësuar krijimtarinë e saj disa pseudoshkencëtarë e quajnë ate si shqiptarofile e më epitete të tjera nga i vetmi mëkat që “kishte” sepse ushqente simpati e ndjenja të sinqerta ndaj popullit shqiptar duke u venë në mbrojtje të së vërtetës dhe të kauzës shqiptare. Ajo vërtet ishte pro-shqiptare por nuk ishte armiqësore me popujt serb e malazez, por ishte kundër politikës së tyre pushtuese ndaj trojeve shqiptare. Sa ishte gjallë epitetëve të tilla kurrë nuk iu përgjigj, përkundrazi, miqësinë me popullin shqiptar e konsideronte një fat të madh, që e bënte krenare dhe të lumtur. Rrallë mund të gjenden raste analoge të një përkushtimi të tillë ndaj fateve ë një populli mik.
Edit Durhami ishte parimore e mbi të gjitha guximtare. Ajo nuk kishte paragjykime ndaj popujve të tjerë ballkanikë, por i gjykonte çështjet më drejtësi. Por, duke qendruar dhe hulumtuar në regjionin e Ballkanit i cili popullohej nga sllavet dhe shqiptarët arriti të kuptonte shumë mirë intrigat, prapaskenat dhe veprimet djallëzore të serbeve dhe malazezëve ndaj shqiptarëve.
Pikërisht duke qenë dëshmitare okulare të skenave kriminale edhe pse ishte dekoruar nga knjazi i Malit të Zi Nikolla në vitin 1907, duke parë veprimet dhe krimet e ushtrisë së tij ndaj shqiptarëve në vitët 1912/13 dhe luftërat e tyre pushtuese në viset shqiptare, pati guximin për t ia kthyer dekoratën. Ishte ky një guxim i rrallë dhe veprim dinjitoz i një personaliteti me karakter që duhet t ia kenë pasur zili të tjerët, në atë kohë por edhe më vonë.
Duke pare angazhimin dhe kontributin e saj në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, Mit’hat Frashëri, që në vitin 1914 në gazetën “Liri e Shqipërisë” shkruante: “Miss Durhamit, shkrimtares angleze, duhet t’i shprehim mirënjohjen më të madhe dhe t’i blejmë një penë të florinjtë për të mirat që ka bërë ndaj Shqipërisë”.
Angazhimin e saj personal ndaj çështjës shqiptare është vlerësuar nga Mbreti i Shqiptarëve ZOGU I i cili e ka dekoruar më Urdhërin e Skënderbeut, me dekretin e datës 28.12.1928, që është publikuar në Fletorën zyrtare nr.1 të datës 9 janar 1929.
Pas rënies së diktaturës dhe miratimit të pluralizmit në Shqipëri nga viti 1992 e më pas, në Shqipëri kanë filluar të botohen veprat e Edit Durhamit, të plota pa censurë si në kohën e diktaturës. Duhet cekur më ketë rast punën plot pasion e profesionalizëm të Shtëpive botuese si ARGETA –LMG, Camaj-Pipaj, Arbëria, Dituria etj. në botimin e veprave të Durhamit të plota të përkthyera në shqip. Po ashtu janë botuar edhe studime të veçanta nga autoritete të ndryshme shkencore e kulturore. Gamës së tyre studimeve i shtohet edhe monografia me titull Mary Edith Durham dhe shqiptarët e autorës Medina Çoba, të cilën po e përurojmë sonte.
Duke analizuar jetën dhe veprimtarinë e e zonjës Durham del qartë se ajo ishte grua e fortë, me kurajë, energjike, e dhënë pas aventurës, të shkruarit dhe pikturës. Pra, ishte një grua ndryshe nga të tjerat. Në vend të jetës së qetë dhe angazhimeve artistike ajo zgjodhi të kundërtën, sepse jeta e saj nga koha kur la Anglinë, mori tjetër kthesë. Për 20 vite ajo udhtoi në Ballkan. Punoi duke mbledhur material, shkruar e pikturuar. Mblodhi foklorin dhe trashëgiminë kulturore të zonave ku qendroi. Ajo iu përkushtua tërësisht çështjes shqiptare. Kudo ku qendroi në viset shqiptare u mirëprit nga malësorët shqiptarë duke mos pasur asnjë keqtrajtim edhe pse ishte një femër e vetme, andaj më të drejtë e quajtën me titullin honorifik “Mbretëresha e Malësorëve”.
Në ditët e sotme dokumentat e saja mbahen në Muzeumin e njërëzimit(Museum of Mankind) dhe Instituti Mbretëror Antropolgjik(The Royal Anthropological Institute) në Londër, ndërsa koleksioni me bizhuteri të grumbulluara në Ballkan ndodhen në Muzeumin e Oksfordit dhe ati të Halifaksit. Po ashtu edhe Muzeumi Banfield gjithashtu ka një monstër prezentative rreth jetës dhe veprimtarisës së saj.
Në nderim të emrit të saj në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë, Shkodër e Koplik, emrin e saj e mbajnë rrugë, shkolla dhe një subjekt kulturor. Por për mbeshtetjen që i ka dhënë popullit shqiptar jam i mendimit se ajo meriton që në Shkodër ti vendoset jo busti por një shtatore monumentale. Mbetet në nderin e bashkisë së këtij qyteti që të marrin një nismë të tillë, sepse duke nderuar zonjën Durham nderojmë vetvetën.
Pasi ajo ishte e pranishme edhe në Ulqin, ku në shkrimet e saja disa herë e ka trajtuar edhe Ulqinin dhe çështjën e tij, uroj dhe shpresoj që shumë shpejt një rrugë do të emërohet më emrin e saj! Do të jetë ky një kontribut modest i yni, për të nderuar jetën dhe veprimtarinë e saj, si veprohet kudo në mjediset e qytetëruara.
Dhe në fund ky takim në Ulqin kushtuar zonjës Edit Durham le të jetë një homazh për këtë antropologe të shquar sepse ajo meriton të nderohet dhe përkujtohet në çdo kohë, me e pa shkas, sepse vepra e saj shumëdimensionale dëshmon përkushtimin jetësor ndaj kauzës kombëtare shqiptare dhe si e tillë meriton plotësisht mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve.
*(Fjalë e mbajtur në shënimin e 70-vjetorit të vdekjës së E.Durhamit, në Ulqin më 20 dhjetor 2014)

Ulqin, 20.12.2014

Filed Under: Histori Tagged With: DR. NAIL DRAGA, E KAUZËS SHQIPTARE, EDIT DURHAMI-, PËRKRAHËSE

Shaban Hysa, kostumografi dhe skenografi absolut i të gjitha operave shqiptare

December 21, 2014 by dgreca

– Shaban Hysa, skenografi që ka realizuar mbi 250 skenografi dhe mbi 6000 kostume/
– La Bohème është realizuar në vitin 1971, e përmirësuar në vitin 1983 dhe në vitin 1984/
-La Bohème vihet në skenë sërishmi me atë skenografi/
-Miqtë e tij ishin Gaqo Çako, Panajot Kanaçi, Agron Aliaj, Besim Zekthi/
-Në atë kohë skenografitë bënin dhe kostumet ndërsa sot këto dy profesione janë ndarë/
Flet i biri: Florian Hysa/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Një skenografi e La Bohème që është realizuar në vitin 1971, e përmirësuar në vitin 1983 dhe në vitin 1984 La Bohème vihet në skenë sërishmi me atë skenografi të Shaban Hysës pas 31 vjetësh. Shaban Hysa me skenografit e realizuara mbetet një nga ikonat e pa përsëritshme shqiptare të skenografisë dhe kostumografisë së TOB. Në jetën e tij artistike ai ka realizuar mbi 250 skenografi dhe mbi 6000 kostume. Në atë kohë skenografitë bënin dhe kostumet ndrysa sot këto dy profesione janë ndarë. Një rekord absolut dhe i pa arrirë.
Si u ndjetë kur nën përkujdesjen tuaj skenike patë skenën e babait tuaj të përgatitur rreth 31 vjet më parë të La Boheme dhe që erdhi pranë spektatorit prapë me këtë skenografi në vitin 2014?
Unë kam vite që punoj si përgjegjës skene në TOB dhe e kam parë që në vogëli se si punonte babai për këtë skenë. E them me bindje se kjo është një ndër skenografitë më të mira të babait. Skenografia e kësaj Opere është vënë për herë të parë në skenë në vitin 1971, ku regjisor i operës ka qenë Luigj Gurakuqi, dhe pastaj është rikthyer pas 12 vjetësh nën vitin 1983, me regjisor Gaqo Çakon. Pra është vënë në skenë nga dy regjisorë të mëdhenj, nga dy emra shumë të spikatur të operës shqiptare. Kjo vepër është vënë në skenë për herë të parë kur unë nuk kisha lindur dhe është rivënë kur unë isha 6 vjeç. Ndërsa tani është hera e tretë që vihet në skenë me atë skenografi të vitit 1983 dhe më ra fati që unë të punoj vetë me këtë skenografi, pra ta vë në skenë nën kujdesin dhe vëzhgimin tim. Unë isha jashtë shtetit për punë kur nga TOB u hodh në rrjetet sociale mënyra e ndërtimit të skenografisë së La Bohème të re. Pashë një vlerësim të jashtëzakonshëm që i bëhej babait tim dhe jam ndjerë mirë por edhe kam qarë.
Pra kjo skenografi rivihet në skenë pas 31 vjetësh?
Po, pas 31 vjetësh. Kjo skenë është ruajtur në gjendje të mirë, thuajse e kam ruajtur këtë skenografi. Por dua të them se në këtë opera babai ka bërë dhe kostumet. Pra ka qenë dhe kostumograf. Pa ta shikosh në shumë vepra operistike të vënë në skenë, babai ka qenë edhe skenograf dhe kostumograf. Sidomos ishin ruajtur në mënyrë të shkëlqyer kostumet që kishin veshur Gaqo Çako, Nina Mula, dhe sot po i vishnin këngëtarët e rinj si Katroshi, Mula e re, etj. Pra koha evoluon dhe ne pamë një interpretim të ri por me atë skenografi që mund të themi i ka rezistuar në mënyrën më të mirë kohës.
Çfarë ka të veçantë kjo skenografi?
Disa herë mbrëmjeve babai më thoshte se jam kënaqur disa herë kur këngëtarët e mëdhenj të operës si Gaqo Çako, Mula, etj nga lozha i dëgjoja që kjo skenografi është ideuar në mënyrë të përsosur. Me këtë skenografi citonte, edhe kënga vetiu del më e bukur. Por shpesh ai më thoshte se merrte mendime për skenografinë edhe nga këngëtarët e mirënjohur, meqenëse ata kishin dalë jashtë dhe kishin parë shumë botën jashtë. Kishim një frymë bashkëpunimi dhe solidariteti të paparë, theksonte babai.
Cilat kanë qenë vështirësitë më të mëdha në punë të babait?
Eh, unë në atë kohë shikoja se ai na mungonte shumë, s’rinte shumë me ne dhe shumë herë e ndienim mungesën. Puna e kishte lidhur shumë. Shfaqjet janë pasdite, janë të shtunat dhe të dielat ndaj ai e kishte tepër të kufizuar kohën që rrinte me ne. Sot e kuptoj përse. Ishte një punë që të lidhte, të mbante ditë e natë në tension, pasi ai ishte i vetmi skenograf. Sot duke qenë afërisht në të njëjtën punë, e justifikoj pse rrinte aq larg shtëpisë. Madje ndihem keq se sa shumë është lodhur.
Ku ka qenë në vitin 1971 kur e vuri për herë të parë skenografinë e La Boheme?
Në atë kohë ai ka qenë Pedagog në Akademinë e Arteve dhe duke parë rëndësinë e veprës e thirrën që të bënte skenografinë, pasi askush nuk e merrte përsipër ta bënte. Pas atij momenti ai u lidh shumë me skenën. Madje në vitin 1983 ishte skenograf në TOB. Jeta e tij ka kaluar mes mësimdhënies dhe skenografisë, kostumografisë dhe pikturës.
Sa skenografi ka realizuar në jetën e tij artistike babai juaj?
Në jetën e tij artistike ai ka realizuar mbi 250 skenografi dhe mbi 6000 kostume. Në atë kohë skenografët bënin dhe kostumet, ndryshe nga sot që këto dy profesione janë ndarë. Kjo për vetë faktin se një skenografi mund të kishte 50 kostumografi, pasi skenat në opera janë masive dhe brenda një opere me të njëjtën skenografi mund të hynin shumë këngëtarë apo balerinë etj.
Kush ka qenë skenografia e parë?
Jetën e tij artistike si skenograf dhe kostumograf babai e ka filluar me operën “Halili dhe Hajrija” kjo pjesë është dhe baleti i parë shqiptar. Ishte viti 1964 kur u vu në skenë kjo vepër. Më pas ka vënë “Rigoleto” dhe të gjithë kryeveprat botërore të Operës. Në vitin 2004 janë rivënë disa opera të vitit 1964 ku skenografia ishte e babait tim. Të gjitha këto kanë qenë motive krenarie për mua. P.sh sërishmi në 2003 i jam rikthyer unë “Halili dhe Hajrija” me atë skenografi që ishte tipike dhe tepër korrekte duke i rezistuar kohës.
Ju keni mbaruar për skenografi?
Jo unë kam mbaruar për muzikë dhe jam inspektor skene, pra përgjigjem për gjithë skenën para dhe gjatë shfaqjes në këtë kuptim kaloj në duar të gjitha skenografitë dhe kostumografitë. Unë drejtoj aktualisht të gjitha shfaqjet.
Çfarë të veçante ke parë në punën e babait që nuk mundet ta sjellësh si risi tek lexuesi?
Babai ka qenë tepër i lidhur me punën, harrohej në skenë, ka bërë ato vepra që bota i mban si ajka e të gjitha operave, por mbi të gjitha skenografitë e tij i kanë rezistuar çdo kohe dhe sot pas viteve, 1971, 1983 gjallojnë me po atë frymëmarrje dhe elegancë si dhe para 31 apo 42 vjetësh. La Bohème është rasti unikal i përcjelljes së një skenografie pas kaq e kaq vitesh por me këngëtarë të tjerë.
Miqtë e ngushtë të babait tuaj kush kanë qenë?
Së pari Gaqo Çako, Luigj Gurakuqi, Panajt Kanaçi, Agron Aliaj, Besim Zekthi etj.
Ka vlerësime të babait?
Babai ka shumë çmime kombëtare në skenografi por edhe në pikturë. Ai ka qenë dhe një piktor i mirë. Por edhe në kostumografi.
Por babai im ka qenë i veçantë, ai në një skenografi qëndronte deri në vendosjen e gozhdës së fundit në skenë. Nuk e linte në dorë të të tjerëve.(Ne Foto: Zhizel, vene ne skene nga Agron Aliaj.Skena dhe kostumet e shfaqjes që ka lënë gjurmë në shumë skena të botës ishin te mjeshtrit Shaban Hysa.

Filed Under: Interviste Tagged With: flet i biri, Florian Hysa, Shaban Hysa, skenografi absolut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT