• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

Shqipëri, Komuniteti Mysliman dënon sulmin në Paris

January 9, 2015 by dgreca

Skënder Bruçaj: Muslimanët janë të parët që vuajtën dhe po vuajnë nga këta pseudo-besimtarë në shumë fusha, në aspektin njerëzor, teologjik dhe personalitetit e tyre si musliman./
Komuniteti Musliman i Shqipërisë dënoi me forcë vrasjen e gazetarëve në Paris, duke theksuar se asnjë vrasje nuk mund të bazohet në fenë islame. Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, tha në intervistë për “Zërin e Amerikës, se gazetarët po goditen nga terroristët sepse po thonë të vërtetën dhe po përpiqen të largojnë mjegullat e ideologjive të rreme.
Zëri i Amerikës: Zoti Bruçaj! Si e përjetuat lajmin nga Parisi se dy persona të armatosur duke përmendur bindjet e tyre fetare sulmuan një redaksi gazete dhe vranë aty 12 gazetarë?
Skënder Bruçaj: Me thënë të drejtën jam tronditur shumë, si të gjithë njerëzit normalë me etikë, që vlerësojnë jetën e njerëzve. Në fillim nuk e bëra dot një lidhje. Është një fatkeqësi shumë e madhe që në këto kohë dhe në këtë civilizim të ndodhin akte të tilla, të cilat nuk mund të atashohen as me ndonjë ideologji fetare as me ndonjë aspekt tjetër human, është jashtë njerëzore dhe e dhimbshme.
Në çastin që e dëgjuam nga mediat, në emër të Komunitetit Musliman të Shqipërisë ne bëmë një deklaratë dhe shprehëm dhimbjen tonë dhe ngushëllimet për të dëmtuarit. Morën edhe kontakt me ambasadorin e Francës në Tiranë. Vërtet janë ngjarje të dhimbshme, të cilat njerëzimi nuk duhet t’i përjetojë. I lutem Zotit që ngjarje të tilla të mos ndodhin as në Francë dhe në asnjë vend tjetër të botës, sepse është e dhimbshme kur merret jeta e njeriut, jetën që Zoti e ka krijuar, Zoti ia ka falur njeriut dhe nuk ka ë drejtë asnjë njeri që ta marrë atë. Jeta është e shenjtë dhe asnjëri nuk ka të drejtë të marrë jetën e asnjë personi, duke u bazuar në asnjë ideologji, për asnjë shkak, për asnjë arsye çfarëdoqoftë.
Zëri i Amerikës: Zoti kryetar! Këta persona terroristë në shumicën e rasteve godasin gazetarët. Cili është mendi juaj për këtë?
Skënder Bruçaj: Mediat kanë një rëndësi shumë të madhe sepse informojnë opinionin publik dhe shumë personave nuk u intereson që e vërteta të jetë shumë e qartë për njerëzit, sepse iu pëlqen kur a mjegull, kur ka gjëra të paqarta, sepse luftojnë për pushtet, luftojnë për kauzën e një të keqeje. Nëse do të sqaroheshin njerëzit dhe do të ishin më të qartë, nuk do të kishin ndjekës, nuk do të arrinin të manipulonin njerëz të tjerë, nuk do të arrijnë të gjejnë simpatizantë. Kjo ndoshta i shtyn ata të bëjnë një presion kundër mediave, për të bërë një presion kundër lirisë së fjalës. Ky është shkaku besoj. Ndoshta disa shkrime nëpër gazeta, libra që kanë dalë ose disa karikatura mund të kenë kaluar kufirin etik për sa i përket lirisë së fjalës; ndoshta disa muslimanë mund të jenë të shqetësuar nga mënyra se si janë shprehur apo si është folur për të shenjtin e tyre, por asnjëherë nuk është shkak për një veprim të tillë. Profeti Muhamed, gjatë kohës si predikues, ka hasur shumë vështirësi të mëdha, është keq keqtrajtuar mjaft në mënyrën më çnjerëzore, por asnjëherë nuk ua ka kthyer në atë formë; ai gjithmonë është lutur që njerëzit të jetojnë në paqe, të jenë në mirëkuptim me njëri-tjetrin. Pra, në aspektin Islam nuk ka asnjë lloj pike ku të mbështeten ata që kryejnë vrasje; nëse pretendon se është musliman – ai nuk është musliman, edhe nëse e ka emrin musliman ai në thelb nuk është musliman, se nuk janë parimet e Islamit ato që motivojnë atë grup njerëzish për të bërë akte të tilla si Parisi. Jam plotësisht i sigurtë që të gjitha komunitetet muslimane nëpër botë qysh atë ditë e kanë shprehur shumë qartë qëndrimin e tyre dhe e kanë dënuar këtë akt që është johuman dhe është jashtë çdo lloj koncepti fetar.
Zëri i Amerikës: Zoti kryetar! Edhe nga Shqipëria e Kosova ka të rinj që shkojnë në Siri dhe iu bashkohen aksioneve terroriste atje. Çfarë komenti keni mbi këto zhvillime?
Skënder Bruçaj: Të them të drejtën, këto dekadat e fundit problemin më të madh muslimanët e kanë patur me terroristët. Muslimanët janë të parët që vuajtën dhe po vuajnë nga këta pseudo-besimtarë në shumë fusha, në aspektin njerëzor, teologjik dhe personalitetit e tyre si musliman.
Besoj se këtu duhet një rol më i fortë nga shteti, nga ngo, nga komuniteti musliman për të parë qartë se cilat ishin shkaqet që detyruan disa individë, disa shqiptarë për të shkuar në Siri dhe për të luftuar për një kauzë që nuk e mbështet feja dhe parimet islame dhe as ato njerëzore dhe për t’i eleminuar ato shkaqe.

Zëri i Amerikës: Po cilat janë këto shkaqe?

Skënder Bruçaj: Nga studimet doli se injoranca është thelbi i këtyre. Këto njerëz as fenë që pretendojnë se janë pjesë e asaj nuk e njohin. Mungesa e një kulture, problemet ekonomike dhe psikologjike, karakteri individual i shtyn ndoshta për të marrë pjesë në një fushatë që nuk e di as vetë se si do të zhvillohet. Në rastin e Shqipërisë, edhe ngarkesa emocionale mund të jetë një nga shkaqet. Gjithmonë, sado të mëdha e të vogla mund të jenë religjonet e ndryshme diversiteti eksizton dhe ndodh ndonjëherë që individët kanë qasje ekstremiste. Por janë vetëm një grup i caktuar dhe ne duhet të jemi më të kujdesshëm që ky grup apo individë që nuk e kanë kuptuar fenë si duhet por e keqpërdorin për të fituar partizanë për të fituar pushtet, të njihet nga publiku se rruga e tyre nuk është një rrugë e drejtë, se mendimet e tyre janë jo të shëndosha për shoqërinë. Fal Zotit, në Shqipëri kemi patur pak raste. Ne kemi qenë shumë të hapur me muslimanët për të qartësuar gjërat si duhet, që brezat e rinj, ato individë që nuk janë të mirinformuar të mos manipulohen e të mos keqpërdoren. Në histori kemi parë se si njerëzit manipulohen nga ideologji të caktuara dhe dalin jashtë normave humane, dalin jashtë koncepteve normale.

Zëri i Amerikës: Nga se burojnë këto mendime që justifikojnë vrasjet?

Skënder Bruçaj: Unë them se kjo është një ideologji e re, por nuk bazohet në frymën e fesë islame dhe traditën profetike, sepse në to nuk gjen asgjë që të mbështesë vrasjet. Megjithatë ajo ka gjetur ndjekës të veçantë. Vendet ku shkojnë këta ndjekës janë prej vitesh në trazira dhe dhimbje, me autoritete të çuditshëm, dhe kur ka kaq shumë trazira e dhimbja dhe nuk ka demokraci as respektim të vlerave njerëzore, kur nuk ka një qetësi në shoqëri dalin rryma që vijnë si një lloj proteste. Unë besoj se ata janë individë jo të shëndoshë që janë grumbulluar atje, se kanë gjetur atje diçka që mendojnë se u përket. Janë mbledhur atje nga shumë shtete të shprehin ndjenjat negative që nuk i shprehin dot në vendet e tyre. Fatkeqësisht u ka dalë një rast atyre që anën e keqe njerëzore, perceptimet e gabuara që kanë t’i shprehin në një vend të caktuar, në një ideologji të caktuar që fatkeqësisht po dëmtojnë muslimanët dhe po shqetësojnë miliona njerëz në gjithë botën.
Është një ideologji e re, nuk është fe, nuk ka të bëjë as me profetin Muhamet, as me parimet e Islamit. Asnjë komunitet fetar, asnjë fe nuk e frymëzon një ideolgji, një veprim të tillë. Në Kuran dënohet ai person që i merr jetën një personi të pafajshëm sikur ka marrë jetën e gjithë njerëzimit. Kjo është shkruar fare qartë, ndaj nuk e di se ku e marrin guximin të bëjnë ato veprime, nëse besojnë te Kurani. Nuk mund të besosh te Kurani dhe të bësh ato veprime; kjo është një hipokrizi. Besoj se ata njerëz po jetojnë një hiporizi të skajshme, sepse nuk mund të thuash se jam ndjekës i një feje dhe vepron totalisht në kundërshtim me parimet e asaj feje. Dhe faktikisht këtë po shohim në ato vende.

Zëri i Amerikës: Disa xhami dhe disa oratorë fetarë u vunë në qendër të vëmendjes për mesazhet e papërshtatshme dhe përpjekje për rekrutime. Çfarë masash u morën për këto?

Skënder Bruçaj: Gjatë 20 vjetëve të fundit në Shqipëri ka patur shumë paligjshmëri dhe midis këtyre ishin edhe ndërtimet. Aty nis hapi i parë te paligjshmëria dhe për këtë ne kemi kërkuar pjesëmarrjen e shtetit për të hedhur çdo hap në përputhje me ligjin dhe me standartet, dhe që ne të jemi brenda kritereve ligjore. Një pjesë e mirë e këtyre njerëzve flasin nëpër xhami që janë jashtë kontrollit teknik, zyrtar dhe juridiksionit të komunitetit musliman shqiptar. Ai ka ndërtuar xhami në një fshat në tokën e tij dhe ka një këndvështrim privat të qasjes së gjërave dhe kjo e bën të dalë më tepër jashtë linjave institucionale. Ne jemi munduar që me ata njerëz të flasim se komunikime të tilla janë në dëm të shoqërisë dhe u kemi treguar parimet e fesë islame dhe se janë bërë rast negativ për Shqipërinë. Ndonjëherë nuk kemi gjetur mirëkuptimin, ndaj kemi kërkuar të kemi një komunikim më të rregullt zyrtar. Unë jam për lirinë e fjalës, për shprehjen e botëkuptimit fetar, por ne jetojmë në një ved që aspiron të shkojë drejt Europës, dhe na duhen disa rregulla, që të na mbajnë pak nën kontroll.
Duke filluar nga ky vit ne kemi centralizuar ndërtimin e xhamive, sipas një marrëveshje me shtetin dhe përmes një shtese në ligj. Tani e tutje xhamitë nuk mund të ndërtohen pa miratimin e komunitetit musliman dhe ky është një hap për të vendosur një përgjegjës në xhami, i cili ta përfaqësojë sa më mirë Islamin. Nëse në xhami një flet një person i painformuar me parimet e Islamit, flet nga mendja e tij dhe nga furnizime prej burimeve të tjera, atëherë ai i ndikon njerëzit. Ne po mundohemi që njerëzit që flasin në Shqipëri në emër të fesë të jenë më të qartë të jenë më të kujdesshëm dhe të kenë një ndikim më pozitiv tek besimtarët muslimanë.

Zëri i Amerikës: Cili është në fund të bisedës, një mesazhi juaj për besimtarët muslimanë shqiptarë?
Skënder Bruçaj: Unë i lutem krijuesit të gjithësisë që të ketë sa më shumë paqe dhe begati mes njerëzve, mirëkuptim, të duhen njerëzit mes tyre se edhe Zoti kështu dëshiron, që ne të gjejmë rrugën e komunikimit, ta duam njëri tjetrin, sepse jemi të gjithë krijet e tij, megjithë diversitetin që kemi.
Këshilla ime për besimtarët shqiptarë është që ta njohin më mirë fenë e tyre, të mos bazohen në mendimet e individëve të caktuar, por të lexojnë Kuranin dhe traditën profetike, sepse ato janë burimet kryesore të fesë tonë. Ata nuk duhet të ndikohen nga rryma të caktuara, që ndikohen nga globalizmi, nga rrugë të ndryshme për ta marrë informacionin në burime jo të sakta, por t’i afrohen më shumë fesë, të kenë më shumë besim, sepse besimi është ushqimi i shpirtit. Besoj që njerëzit që e ushqejnë shpirtin janë më të devotshëm ndaj Zotit, janë individë dhe qytetarë më të mirë dhe do të kenë më tepër kontribut në shoqëri. Shoqëritë e sotme kanë nevojë për njerëz që dinë ta ushqejnë shpirtin, që dinë të punojnë për shoqërinë, që dinë të jenë më tepër humanistë, dinë të kontribuojnë në shoqëri nga ana ekonomike, shoqërore dhe në promovimin e vlerave universale që Islami i promovon dhe i ka në esencë.(Bisedoi per Zerin e Amerikes Ilirian Agolli)

Filed Under: Interviste Tagged With: dënon sulmin, Komuniteti Mysliman, ne Paris, shqiperi, Skënder Bruçaj

Myftiu Tërnava: Sulmi në Paris s’ka lidhje me besimin

January 9, 2015 by dgreca

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava dënoi ashpër sulmin dhe vrasjet e së mërkruës në Paris. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, ai tha se ngjarjet e tilla nuk kanë të bëjnë me besimin, ndërsa vlerësoi lartë rolin e Francës në luftën për çlirimin e Kosovës. Myftiu Tërnava mbështet cdo përpjekje për të parandaluar përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e mesme, përfshirë edhe ligjin për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava e dënoi sot ashpër sulmin e së mërkurës në Paris që la pas vetes 12 të vrarë. Në një bisedë për Zërin e Amerikës ai tha se aktet e tilla që po bëhen në emër të islamit, nuk kanë të bëjnë asgjë me porositë që dalin nga mësimet e Kuranit.
“Them dhe e ngris zërin lartë duke dënuar atë akt barbar, qyqar, naiv dhe të pamoralshëm, i cili ndodhi në Paris nga njerëz kriminel të cilët asgjë nuk kanë të bëjnë me parimet fisnike islame, por janë kundër tërë asaj që urdhëron i madhi Zot në Kuran dhe vet shëmbëlltyra e ndritur e Muhamedit a.s. Pejgamberit tonë të fundit”.
Ai tha se njerëzit për motive të ulta, për interesa të grupeve e klaneve, po e keqpërdorin besimin duke bërë përpjekje të arsyetojnë krimet. Feja, tha ai, urdhëron në paqe, tolerancë e harmoni në mes të gjithë njerëzve, pa dallim vendi, gjuhe e ngjyre.
“Ndaj unë si myfti, shfrytëzoj këtë rast që të shprehë keqardhjen time dhe ngushëllimet e mia për tërë atë që ka ndodhë në Paris. Dhe këtë dhimbje i përcjell edhe kombit francez, por edhe familjarëve të cilët humbën më të dashurit të tyre, qeverisë franceze, që ditën të qëndrojnë krah për krah me Kosovën në kohën kur Kosova kishte nevojën më të madhe të ndihmës nga aleatët tanë evropian dhe ata amerikan, por edhe nga bota mbarë”.
Myftiu Tërnava thotë se institucionet islame kudo qofshin, duhet të jenë më të zëshëm dhe më të guximshëm për të thënë atë që duhet.
“Kurani nuk i jep të drejtë askujt të vrasë në emër të tij. Të bëj krim e të dhunojë në emër të tij. Mirëpo, duhet pasur shumë kujdes të gjithë ne në respektimin e vlerave, të qytetërimeve fetare, të kulturave fetare të popujve të ndryshëm. Duhet që këto kultura, këto qytetërime të mos kenë përplasje, por të kenë harmoni mes vete dhe të bashkëjetojnë njëra me tjetrën”.
Luftërat në Lindjen e Mesme kanë shtuar shqetësimet edhe për përfshirjen e qytetarëve të rajonit në zhvillimet e atjeshme. Askush nuk e di numrin e saktë, por shërbimet e zbulimit pohojnë se mund të ketë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash besohet se mbi 20 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.
Myftiu Trënava shprehu bindjen se thirrjet e Bashkësisë Islame kanë ndikuar në zvogëlimin e përfshirjes së qytetarëve nga Kosova. Ai tha sot sërish së askush nuk duhet të niset në atë rrugë duke u arsyetuar në emër të besimit.
“Sepse ajo rrugë për në Irak dhe për në Siri sot, nuk ka asgjë të bëjë me fenë dhe me konditat, parimet, fondamentet e fesë sonë të shenjtë islame. Ndaj edhe nuk duhet marrë atë rrugë dhe se ajo rrugë nëse merret, duhet të dijë çdonjëri që shkon në atë rrugë se po punon kundër asaj që urdhëron Zoti, urdhëron Pejgamberi, ngase të marrësh pjesë në një vend ku bëhen krime edhe nëse vet nuk bën krim, je i dyshuar që vërtetë ke marrë pjesë o pasive o aktive në krimet që i kanë bërë ndoshta të tjerët, nëse dikush edhe i shpëton vet aktit të krimit duke qenë atje. Atje po vrasin, po dhunojnë, po kriminalizojnë, po maltretojnë njerëz të pafajshëm, që i Madhi Zot xh.sh. para 14 shekujve na ka thënë se ‘të vrasësh një njeri është sikur të vrasësh tërë njerëzimin dhe të bëhesh shkaktar të shpëtosh një njeri është sikur ta shpëtosh mbarë njerëzimin”.
Së shpejti parlamenti i Kosovës pritet të hedhë për miratim një ligj për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit. Myftiu Tërnava thotë se kjo do të jetë një ndihmesë e madhe në përpjekje për të parandaluar shkuarjen e qytetarëve të Kosovës në Siri dhe Irak.
“Besoj që kjo është një punë e mirë në raport me ruajtjen e shëndetit të të riut tonë, flas për shëndetin e gjithëmbarshëm dhe mirëqenien e gjithëmbarshme të të rinjve tanë, këtu në këtë nënqiell ku i Madhi Zot xh.sh. na ka krijuar dhe na ka bërë neve që të qëndrojmë, të rrimë, ta ruajmë dhe ta përparojmë këtë vend, sepse për neve, ky është vendit ku duhet të jetojmë dhe të vdesim”.
Myftu Tërnava tha se kombi shqiptar është i vetëdijshëm në atë masë sa të mos i lejojë askujt destabilizimin e tij në emër të fesë.
“E ndjej veten jashtëzakonisht mirë se ende në Kosovën tonë nuk ka ndodhur edhe ekscesi më i vogël ndërfetar. Pra, është një respekt ndërfetar i madh, është një harmoni dhe është një besim i ndërsjellë me të gjitha besimet që frymojnë dhe jetojnë në Kosovë. Ndaj, Kosova, Shqipëria, vendet tona ku jetojnë shqiptarët, kombi shqiptar, është model që duhet ndjekur për bashkëjetesë fetare edhe shtetet tjera në zhvillim”.
Ai thotë se institucionet dhe bashkësitë fetare duhet të bashkërendojnë veprimet për të penguar dhe parandaluar çdo përpjekje për të nxitur veprime të skajshme në këto hapësira dhe për ruajtur e kultivuar tolerancën si një nga vlerat më të mëdha të kombit shqiptar.(Bisedoi per Zerin e Amerikes Besim Abazi)

Filed Under: Interviste Tagged With: me besimin, s'ka lidhje, Tërnava: Sulmi në Paris

Sa kushton një plumb i kallashnikovit?

January 9, 2015 by dgreca

Nga Migjen KAJTAZI/
«Kosova edhe pse e pavarur, ka shumë probleme», e filloi bisedën një gazetare e Le Temps. «Deri më tani kemi folur për vuajtje, fakti që po flasim për probleme përbën një përparim1», më erdhi aty për aty. Por edhe këto të fundit nuk janë për t’u nënçmuar. Ndër problemet që mund të citojmë është ai i sigurisë, apo pasigurisë së qytetarëve të Kosovës.
Vëmendja më e shtuar për çështje të sigurisë dhe të pasigurisë së qytetarëve ka filluar pas vrasjes së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John F. Kendy, në vitin 1963. Këtë ditë filloi një epokë e re e shtjellimit të çështjes së ndjenjës së pasigurisë. Vrasja e burrështetasit më të mbrojtur në botë ndikoi në gjendjen shpirtërore të njerëzve, të cilët filluan ta shtrojnë pyetjen: Kur edhe njeriu më i mbrojtur në botë u bë viktimë e krimit, ku ngelëm ne?!
Nga kjo kohë, për popullsinë e ‹thjeshtë› ky rrezik u bë më real dhe u përhapën sondazhet e matjeve të ndjenjës së sigurisë. Matjet e ndjenjës së sigurisë në Perëndim në fakt kanë filluar pas Luftës së Dytë Botërore. Këto anketa u shërbejnë shumë institucioneve të sigurisë nacionale. Si formë për matje të ndjenjës së sigurisë aplikohet anketa e ashtuquajtur e viktimologjisë, e cila interesohet për atë se kur personat kanë qenë viktimë gjatë një intervali të caktuar kohor, apo viktimë në një fushë të caktuar. Pyetjet në shumicën e radhës kanë të bëjnë me integritetin fizik e pronësor.
Ndër format e matjes së ndjenjës së sigurisë është edhe anketa e vetëgjyqësisë, që më shumë përdoret për delikte të vogla, të kryera nga moshat e reja, apo nga adoleshentët. Më e rëndësishmja te të gjitha anketat, çfarëdo qofshin ato, është forma e indikatorëve që japin informacion të saktë për interesimin që ka intervistuesi.
Instrumentet e afirmuara në vendet e Perëndimit për matjen e ndjenjës së sigurisë pothuajse nuk mund të shërbejnë në Kosovë. Për shembull, pyetja lidhur me ndriçimin e rrugëve dhe lagjeve nuk ka kuptim në një vend ku ka mungesë të furnizimit me energji elektrike. Njëlloj edhe pyetja për perspektivën e të rinjve në vend nuk ndihmon në rrethanat kur një numër i madh i të rinjve është i papunë dhe zgjedhjen e sheh në emigracion. Lista e pyetjeve që nuk kryejnë punë në matjen e ndjenjës së sigurisë është e gjatë si :
– Pyetja për kushtet ekonomike nuk mundet të parashtrohet nga fakti që mbi 50 % e popullësisë aktive janë në kërkim të punës.
– Pyetja për ndikimin e ambientit nuk mundet të parashtrohet se Kosova ka probleme me ndotje te madhe ekologjike (mjaftonë të shifenë lumejtë e Kosovës)
– Pyetjen lidhur me sigurinë në trafikin e komunikacionit nuk mundemi të parashtrojmë se të gjithë e ndiejm vetën të pasigurtë në rrugët e Kosovës , qoftë ngasësit e veturave po ashtu edhe këmbësorët.
– Pyetja lidhur me traumat e luftës ende nuk munden të parashtrohen nga fakti qe « Zija Kombëtare » nuk ka filluar nga fakti që kemi mbi 2 mijë persona të zhdukur . Po ku jemi te traumat rritja e vetëvrasjeve është tregus i traumave postromatike pas luftës .
Një pyetje që jep informacion për ndjenjën e sigurisë në Kosovë do të ishte: Sa kushton një plumb i kallashnikovit?
Gjatë një qëndrimi në Kosovë, në tetor 2014, ua parashtrova këtë pyetje grupmoshave të ndryshme të personave në viset rurale dhe urbane. Numri i të intervistuarve ishte i vogël – njëmbëdhjetë, po përgjigjet dolën megjithatë sinjifikuese.
Pothuaj asnjëri nga pesë personat që jeton në Prishtinë nuk arriti të japë një përgjigje të saktë, që lejon një konkluzion të qartë sa u përket njohurive për çmimin e një plumbi të kallashnikovit. Kurse të gjithë gjashtë personat në zonat rurale dhanë përgjigje që dallonin fare pak njëra nga tjetra.
Përgjigjja e ‹prishtinasve› lejon kushtimisht hipotezën që këta qytetarë ndihen të sigurt, apo nuk ka rrezik të përdorimit të armëve, për shembull gjatë dasmave. Ndoshta për shkak të pranisë më të madhe të policisë, apo frikës së denoncimit nga fqinjët.
Kurse fakti që një numër i madh i të pyeturve në viset rurale e di çmimin e një plumbi të kallashnikovit lejon konkluzionin që popullsia rurale është më e armatosur dhe e ka potencialin t’i përdorë armët më lehtë në mungesë të policisë, për shkak të pozitës gjeografike, apo nga fakti që e ndien veten më të pasigurt.
Armatosja e popullsisë është ndër indikatorët më të ndjeshëm në anketat që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve. Pyetja sa kushton një plumb i kallashnikovit mund të shërbejë si një tregues autokton, i cili jep informacion për armatosjen dhe sigurinë në këtë kohë në Kosovë.
Shtjellimi sipërfaqësor i problemit, nuk ka për qëllim minimizimin e rëndësisë së çeshtjesë së sigurisë së sigurisë . Thjesht druaj që grumbullimi i shumë problemeve mund ta prekë edhe aspektin e sigurisë së Kosovës. Kur ta mësojnë qytetarëte e Prishtinës çmimin e një plumbi të kalashnikovit , do të jemi në vijën e fundit të “rezervave” të sigurisë në këtë situatë të karakterizuar nga një jo stabilitet të përgjithëshëm politik, ekonomi, social etj. e njëherit ….të mbrojtjes.

Filed Under: Analiza Tagged With: i kallashnikovit?, Migjen Kajtazi, një plumb, Sa kushton

PEIZAZH KANADEZ

January 9, 2015 by dgreca

NGA EGLANTINA MANDIA*/
SHTËPIA E MEGIT/
Unë desha ta filloja këtë shkrim me Megin.Kaçurelsen e vogël trevjeçare, që e ndryshoi jetën e prindërve të saj dhe shumë të tjerëve, nga komuniteti shqiptar i Windsorit.
Asnjeri nuk e merr dot me mend para se ta provojë, se sa e gjatë dhe e vështirë është rruga përtej largësive, qoftë edhe në një vend jashtëzakonisht miqësor dhe me një respekt të veçantë për çdo gjë njerëzore, siç është Kanadaja.
Ne na përzuri viti i çmendur 1997!
Pjesa më e madhe e të ikurve në këtë qytet, janë pas atij viti, që askush nuk ka dëshirë të flasë për të, as për ta kujtuar. E kështu del që s’je gjë tjetër, veçse “një rrënjëshkulur’.
”Apo s’ ka furtuna e dimra të gjatë, të lodhshëm, ku secili pyet veten: “përse ndodhem në këto anë, larg detit dhe diellit tim?”
Sado të përpiqesh, zor se i gjen fjalët e përgjigjet për pyetjet që të mundojnë. Ndërsa alarmi shtohet nga lajmet e hidhura që vijnë çdo ditë. Bota me të vërtetë është bërë e vogël, deri sa ç’ndodh në Tiranë, apo në Vlorë, i sheh në ekranet e televizorëve në çdo cep të dheut.
E ja papritur, në këto ditë, merr një lajm të jashtëzakonshëm, nga mami i Megit; pas një pritje tepër të gjatë, po vjen një bebe, si një engjëll i zbritur nga qielli për të na gëzuar të gjithëve, të mëdhenj e të vegjël.
Megi ish plotësimi i jetës sonë dhe një nga përgjigjet e pyetjeve që i bënim vetes, se jemi këtu kaq larg, për të ndërtuar një jetë të re, krejtësisht të re nga ajo që lamë pas. Një çmenduri e vërtetë, me hapje deposh plot armë të mallkuara e kallashnikovë rusë, që kërcasin qoshe me qoshe, vrasin njerëz të pafajshëm, ndërsa Presidenti i Republikës rizgjidhet përsëri në Parlament, në mes të luftes civile.
“Ndaluni njerëz, ç’po bëni? Nuk e shihni që jeni buzë greminës?”, – bërtasim ne, përtej detrave dhe oqeaneve, larg e larg, mërguar!
Po kush të dëgjon?
Dhe ja ku na vjen, një çupëz e vogël, një engjëll nga qielli si për të na kujtuar sa e bukur është kjo e shkretë jetë, kudo që të jesh, kudo që të ndodhesh. Ligjet e saj janë njësoj, me lindje, dasma, dashuri, ëndrra dhe shpresa, qoftë edhe për një shtëpi si kjo, që prindërit me njëqind sakrifica, turne nate e dite dhe një ore në mes, sa për të këmbyer Megin midis turneve, sepse ata e rritën dhe selitën vetë, dhuratën e tyre të zotit, me sytë larushe plot lëng, të shëndetshme dhe plot gëzim, këngëtare dhe valltare, çamarroke që s’lë dy gurë bashkë.
Megi është përfaqësuesja e gjithë atij brezi kanadezo-shqiptar që lindi në këto vise të Doruntinave. Megin e shpunë prindërit në krahë, në shtëpinë e bukur, fare pak ditë pas ditëlindjes së saj.
Shumë bashkatdhetarë, janë vendosur me kohë nëpër shtëpitë e tyre, e shumë fëmijë të tjerë tashmë adoleshentë, ndjekin gjimnaze e shkolla shtatëvjeçare, si Ashly e Enxhi D , Joni K,( vëllai i vogël i Klintit, studend në universitet për mjekësi,dhe Xhinit,në degën e neuroshkences) Tre djemtë e familjes Kercani,nuk janë gjë tjetër veç pasqyrë e shkëlqyer e prindërve të tyre.Sikurse Joni M, e shume femije te tjere kanadezë, që ditën e parë që lindën.
Gjithashtu, vajza e djem, që lanë shtëpitë kutishkrepse, në mëmëdhe, e blenë pas ca vitesh shtëpi të verteta,ne Windsorin e largët, sipas mundësive e takatit .
Ndaj është e kuptueshme dëshira e tyre për një jetë më të mirë e shkollim.
Po përgjigjen e vërtetë të këtij brezi, e mësova nga poezia e gjimnazistes 16 vjeçare, shqiptaro kanadeze, Albana.P. (mbesa e vogël e Flutres) botuar në Antologjinë vargjeve të shkrimtarëve të rinj kanadezë.

SHTËPIA.
Era më pëshpërit ngadalë
Unë pyes veten: çfarë po thotë?
Atdheun që dua,
Atdheun që lashë.

Shtëpi e mbushur me trishtim
Ne qajmë për shumë arsye…
Unë jam e frikësuar se jam e mitur
Dhe krejt e papërgatitur.

Një puhizë ere më drithëron,
Një dorë e ngrohtë mbërthen dorën time
Lotët më treten në faqe.
Vështirë t’i bëj ballë atij vështrimi

Një gjethe panje priste ardhjen time,
Me një harmoni të përsosur ngjyrash të zjarrta
Flokët e borës së bardhë mu derdhën mbi supe
Kjo qe mirëseardhja në Atdheun e Ri,
Pra, në shtëpinë time.

Gjuhë të re do të mësoj,
Tradita krejt të reja do të ndjek
Megjithëse zemra ime është këtu ku jetoj,
Një pjesë e saj, ka mbetur në Atdhe.

FLUTRA 

Mikja jonë, mësuesja e gjuhës shqipe dhe psikologjisë në një akademi të njohur, Flutra X. na mblodhi për herë të parë me rastin e ditës së mësuesit, afro 7 vjet më parë.
Flutura, është një grua e qeshur, optimiste, që e gëzon çdo gjë, anekdotat, muzika, sporti, filmat, dhe veçanërisht librat.
Atë ditë ishim mbledhur për të krijuar sektorin e gjuhës shqipe, në bibliotekën e qytetit me libra të dhuruar nga ne të gjithë.
U përpoqëm të pasuronim sidomos seksionin i librit për fëmijë. Shpresonim që të kish sukses edhe shkolla e fillores në gjuhën shqipe, por për fat të keq, nuk u realizua.
Kështu lexuesit e rregullt të librave shqip, mbeten miqtë e kësaj biblioteke origjinale, që na mbledh rreth tryezave, zakonisht një herë apo dy herë në javë, ku këmbejmë librat e lexuar dhe bëjmë komente për ta.
Sigurisht, kur erdhëm në fillim, të tronditur nga një luftë e padëshëruar me rrëmbim armësh, me shkërmoqje qeverish si të qenë prej kartoni, me klithmën atdhetarëve “Ku po shkon o e mjera Shqipëri? Dhe entuziazmit të pakuptuar të ca tipave, që deshën ta sheshojnë mëmëdheun, ta shihnin si Kartagjena, shkrumb e hi, vetëm sa të ngrohnin mjekrat e tyre anarko-revolucionare. Po zaten, ujku mjegull do!
Atë ditë, Flutra kish përgatitur edhe fjalën kryesore:
“Arsyeja që na kanë mbledhur së bashku dashamirës të librit, është dita përkujtimore e hapjes së Mësonjëtores në Korçë. Mësonjëtorja, qe një ëndërr dhe një program për t’u realizuar nga Rilindasit tanë, Naimi, Samiu, Jani Vreto, Vaso Pasha, Pandeli Sotiri. Mësuesen e parë të kësaj shkolle, Sevasti Qiriazin, e bekoi vetë ndërgjegjia e Rilindjes kombëtare, Naim Frashëri.
Për të qenë më të saktë me të vërtetën historike, Shkolla e Parë Shqipe është hapur në Kurbin, në vitin1632, e pasuar nga shkolla e Përdhallës, më 1638, e shkolla e Blinishtit më 1639, më pas shkolla private e Shkodrës, duke arritur deri tek Akademia e Voskopojës në 1750.
Veç, Mësonjëtorja është një hap gjigand në masivitetin dhe arsimimin e gjuhës shqipe, përpjekje e shoqërive të mërgimit dhe fitore e Lëvizjes Kombëtare. Historia e alfabetit u bë devizë masive në fund të shekullit të 19 “Të rrojë a,b,c,”, që qe ngulur në shpirtin e shqiptarit si një dritë e së ardhmes, për të cilën mësuesit e parë: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Papakristo Negovani dhanë edhe jetën, duke u bërë dëshmorë të dritës e diturisë, duke u lënë bashkatdhetarëve dashurinë për arsimin, si në asnjë vend tjetër.
Është një cilësi e lartë, me të cilën mund të krenohemi. Na u fut në gjak dëshira për shkollim dhe po e tregojmë edhe këtu ku jemi, se jemi në gjendje të sakrifikojmë gjithçka për arsimimin e fëmijëve tanë.
Hapja e Mësonjëtores më 7 Mars 1887, u bë një simbol e vite më vonë festë e mësuesit, jo se qe shkolla e parë, por sepse qe flamurtarja e një ëndrre të madhe.”
Flutra, na ka sjellë gjithmonëë gëzime. Ajo tregon aq bukur, sa të mahnit.
Kur iu fejua mbesa e madhe, me djalin që dashuronte, erdhën menjëherë fotot me grupin e rinisë universitare të Windsorit, të cilët kishin organizuar surprizën e propozimit. Shpërndarë në anët e rrugës fshehur pas xhamave të padukshëm të veturave, fotografonin, uljen në gjunjë të djaloshit, një princ i bukur, që i propozon princeshës së tij të zemrës!
E ajo pak e hutuar nga lumturia përgjigjet: “Sigurisht” dhe e vendos unazën në gisht.
Hapen njëherësh dyert e makinave, dalin miqtë dhe brohorasin.
Shokë që në gjimnaz, tani studentë të mjekësisë, jurisprudencës, financës, jo vetëm aq: një pjesë edhe me master, siç qe edhe çupa e sapofejuar.Apo te sapo dipllomuarit e ketij viti,arkitektja e talentuar Alba Zagorcani dhe vellai i saj Andin duararte ,ne fakultetin e inxhinerise mekanike.Rini e bukur shqiptaro-kanadeze, që mban lart me krenari, emrin shqiptar! Ne na mbushen sytë me lot gëzimi!
Pas kësaj erdhi dasma!
Një fantazi e jashtëzakonshme, e ndritshme, dasmë thuajse e paharruar, që lumturoi gjithë komunitetin, fiksuar në një album artistik fotografish që të lënë krejt pa gojë.
E GËZUAR QOFSH PËRJETË, SHPIRTI YNË I BUKUR, FLUTRA

E DASHUR MOTËR

Tiranë, shkurt
Unë dje isha me temperaturë dhe sot në mëngjes e kisha kokën daulle, po pasdite, u bëra më mirë dhe nga ora 1100 e natës, u kuturisa të flija.
Siç e di, këto janë “orët personale” të njeriut, që priste t’i mbijnë sa më shumë krahë!
Me padurim lexova letrën tënde, jo kartolinat ceremoniale, po këtë letër të vërtetë, shkruar ashtu rrëmujë me shkrimin tënd “prej doktori”, plot enigma e rebuse e mu desh të qaja njëherë e mirë.
Qava për të gjithë lotët, që janë ndrydhur në shpirt, që prej ikjes tënde. Qava rininë tonë të varfër dhe të humbur, qava për mallin tonë të përjetshëm.
Rreshtat e letrës tënde rëndojnë nga pesha e dhimbjes për këtë copë të vockël toke, ku kanë mbetur kujtimet, njerëzit, lindjet dhe vdekjet, që u jep jetë sa herë i përshkruan.
Këto kohë, njerëzia bëjnë protesta apo fushata kundër mullinjve të erës.
Skeptikët i dëgjojnë, tundin kokën e turfullojnë.
Ciklet tona të jetës maten me madhështinë e marrëzisë, ku narcizistët zënë vendin e parë në garë.
“Tek pi duhan mes tymit, flas menduar
 Sikur me shekuj rron një fis i marrë
 Përjetësisht në urrejtje i bashkuar,
 Çuditërisht në dashuri i ndarë.”
I madh është Dritëroi, një filozof ironik. Mua më pëlqyen jashtëzakonisht këto vargje.
Dhe mimozat, si ata zogjtë e sapodalë nga veza, nuk duan t’ia dinë.Kanë shpërthyer, si budallaçka të vogla që janë.
Të kam kujtuar, kur shkova nga Liqeni, ku dikur pinim një kafe.

Windsor, Mars
Letrat tashmë na mungojnë të gjithëve! Na merr malli edhe për postierin, me biçikletën karakatinë, kapelën e zbardhëllyer dhe atë gëzimin njerëzor, të paharruar, kur të sillte nga larg, një kumt të shumëpritur. Letrat, që me kalimin e kohës, bëheshin dëshmi të patjersueshme shpirti, e dorëshkrimi, qysh nga pergamenat, si një amanet i kohës! Këto mendime më turbullojnë, sa herë rishikoj postën elektronike dhe këmbimet e mesazheve lakonike të epokës moderne me ty, e shtrenjta ime
Dhe ja paskan çelur mimozat si paralajmërueset e para të pranverës ndërsa këtu tek unë, pishave po u këputen degët nga bora dhe akulli i të ftohtit polar, që ka përfshirë viset tona veriore. Unë e di që ti e do shumë pranverën dhe më thoshe gjithmonë, se vetëm në këtë stinë, dua të jetoj përjetësisht.GËZUAR DITËLINDJEN! SHËNDET E SHUMË GËZIME!Sa herë na vijnë përvjetorët e ditëlindjeve, na duket sikur jemi para një pasqyre, në të cilën e shohim veten me shpejtësinë e një filmi pa zë, si në kohët e Çaplinit të madh.Në qoftë se vërtet në këtë pasqyrim shohim vitet që rrëshqasin dhe ne sado të vrapojmë, nuk i kapim dot, s’kemi pse ta vrasim aq shumë shpirtin, as ta ngarkojmë me trishtim, sepse jeta sidoqoftë, në çdo rrethanë, mbetet e bukur.Në këto anët tona na kthehet dimri aq shpesh, sa nuk po e besojmë më as ngrohjen e planetit.Më ka marrë malli dhe më mungon, jashtë mase.Ditëlindjet na janë varfëruar, ngase i kemi largësitë të pamatura.Edhe unë i kujtoj vrapimet tona në rrugët e Tiranës në pranverë dhe në vjeshtën e praruar, kur gjithçka, për të mirë a për të keq, kalonim së bashku. Më merr malli për erën e athët të detit, për muzgjet dhe perëndimet e jashtëzakonshme të plazhit, kur dielli, si disk i zjarrtë humbiste në kaltërsinë e detit.Ose siç thoshin fëmijët tanë kur ishin të vegjël: “dielli humbi në det!”Si ëndërr më duken këto ditët tona këtej oqeanit.Kjo është e vërtetë për të gjithë mërgimtaret, qofshin edhe ata me të suksesshmit e më cinikët. Njerëzia kanë lënë jetën në ato brigje.

Tiranë, Qershor
Vapë e padurueshme. Sot ka rënë shi, që na e shtoi më keq valimin e ajrit. Nuk thonë kot, se nuk duhet t’i hedhësh ujë zjarrit.
Dua të shkruaj ndonjë gjë të bukur e të gëzueshme, po sot kjo është e pamundur. Sepse ky lajm është më tepër për të qarë se për të qeshur.
Partia Komuniste e ringjallur, si plaku Mere, që u ngrihej nga qivuri kur e shpinin për ta varrosur, na ka dalë me ca programe fantastike moderne:
1-Të vendoset në vendin bosh, bash në shesh ku ka qenë monumenti i komandatit, sepse na i paskësh djegur me të vërtetë malli, për Enver Hoxhën!!
2-Për të lënë të lirë mariuanën në Lazaratin e rrethuar, shtet brenda shetit, shteti i drogës!!
Pra, siç e sheh, vazhdojnë “Rëniet dhe shkëlqimet e shokut Zylo, ose e kundërta, merre si të duash!
A e vlen që ky lajm të kapërcejë oqeanet? Nuk e di. Di që çdo ditë, njerëzia hapin sytë e përpiqen të marrin një çikë me tepër vesh ç’po bëhet përreth tyre. Është si duket një troshitje dhe lëkundje e re, sa disa humoristë parashikojnë shkrirje të mëdha partish me pendul që nuk dihet nga do të anojë: majtas, djathtas, në qendër, apo në grykën e një krateri…
Nuk e gjejnë dot se çfarë pike mund të gjendet ajo farë lëndine ku të prehesh.
Për këtë me sa duket me tepër se të gjithë të tjerët, ne shqiptarët kemi lëndinën e vdekjes. Por fatkeqësia është, se edhe atë nuk e kemi lëndinë.
Nuk e di përse gjendem kaq bosh, sikur po notoj dhe kam humbur orientimin.Më duket se në ankthin e përgjithshëm, më shtohet edhe ankthi i mungesës tënde… Kështu bëhen disa ankthe bashkë, në një kohë kur më duhet ta bind veten se duhet të jemi të fortë, të qetë dhe pse jo edhe të gëzuar.Edhe kjo është një lloj lufte e brendshme, ku nuk dihet se kush do të fitojë!

Windsor,shtator.
Ajo dihet që do të fitosh ti zemra ime, ti gjithnjë fiton mbi çdo furtunë e stuhi. Ti qe vendose të mos ia prishje karrierën bashkëshortit tënd, që pas 55 viteve nuk do të adoptohej kurrë këtu, as do të mundej të ushtronte qoftë edhe një profesion tjetër, veç mjekësisë. Nuk qe trimëri e madhe, të marrësh rrugët… më e madhja trimëri është të qëndrosh aty, ku ti i lutesh zotit të të japë edhe ca krahë të tjerë për të shterguar fort e fort, familjen, farmacinë tënde të vogël, për të mbajtur gjallë jetën me nipa e mbesa!Ti, që asnjëherë nuk shikon anët e errëta të jetës, po kërkon kudo dritën dhe gjeneralin e mirë, DIELL!A e di se këtej, “len diell, e nuk të nxeh”, si në vargjet e Mujit e Halilit?

Tiranë, shtator 2013
Mu shfaq vetja dikur kur isha personazh një çikë qesharak nga “xhelozia” për ty. Ishte koha kur e pyesja mëmën:
– Si e kam emrin e dytë?
– Edima.
– Jo, nuk e dua, nuk e dua, po motra si e ka?
– Dallëndyshe.
– Edhe unë e dua dallëndyshe! Pse më kini vënë këtë emër të shëmtuar?
Në atë çast me vërtik hapet dera e në prag shfaqet dallëndyshja me ca sy të çakërdisur, e lagur deri palcë nga shiu, me flokë të ngjitur pas kokës dhe ujin që i kullonte nëpër faqe dhe në qafë e cila, ngjante më shumë me një mi të lagur, sesa me një dallëndyshe bishtgërshëre.
Megjithatë, Edimaja doli me vrap në oborr, hapi krahët e ngriti kokën nga qielli, që lëshonte ujë me shtamba dhe priti të lagej sa më shumë, që kështu t’i ngjante dallëndyshes.
Nuk e di ç`u bë ajo xhelozi fëminore!
Tani sapo hapa postën dhe lexova mesazhin tënd. Çdo fjalë e jotja më depërton në çdo qelize dhe ky është ai dyzim që lidh shpirtrat tanë binjakë.
Vërtet paska dalë diell e nuk po të nxeh, e shtrenjta ime?
Mos i merr asnjëherë seriozisht qarjet e mia!
Kam një porosi, mos e lësho penën nga dora! Ajo është dashuria jote e vërtetë. Ke qëndruar gjithmonë mbi realen dhe jetës tënde i ke dhënë qëllim, bukurinë, që të ka qëndruar përjetë besnike!
Të puth me mall. Je gjëja më e shtrenjtë që kam.

P.S. Sa mora vesh për autoren kanadeze, Alice Munro, fituese e çmimit Nobel, të kujtova ty.Kam përshtypjen se më ke folur për të, kur po e lexoje.

Windsor, tetor
E dashur motër,
Edhe unë u gëzova për A. Munro dhe çmimin e saj Nobel, se është vërtet një shkrimtare shumë e mirë, që ka shkruar edhe një novelë, “Virgjëreshat Shqiptare”, me ngjarje e viteve `20, në Malësinë e Madhe.
Sigurisht, do të isha më e lumtur të kish fituar Shqipëria ime e vogël, se ç’është e vërteta ajo shkrimtarin e ka më të madh se Kanadaja e madhe.
Pas këtyre mesazheve, Flutra me bibliotekën tonë shëtitëse, vendosi të bëjë një lloj aktiviteti, apo një diskutim të hapur letrar, sepse në rrethin tonë janë edhe disa zonja me vullnet të madh si Mimi B., që e kanë mësuar anglishten, sepse kanë vajtur në shkollë për katër vjet rresht, në shi, në borë e në akull . Kanë lexuar shumë autorë, midis tyre edhe A.Munronë.Po ka shumë të tjera që nuk kanë asnjë mundësi të krahasojnë “Virgjereshat shqiptare”, me “Prillin e thyer” të Kadaresë, krenarisë sonë kombëtare.
Lexuam edhe një interviste të A. Munrosë, për të kuptuar në thellësi një personalitet të fuqishëm si ajo.
Intervista është pak a shumë kjo:
““Unë kam qenë e interesuar për leximin shumë herët, pasi, më ishte lexuar tregimi “SIRENA E VOGËL”, shkruar nga Hans Christian Andersen, dhe nuk e di nëse ju e mbani mend “SIRENËN E VOGËL”, por ky është një rrëfim tmerrësisht i trishtuar. Sirena e vogël bie në dashuri me princin, mirëpo ajo nuk mund te martohet me të, sepse ajo është një sirenë. Dhe kjo është aq e trishtuar. Sidoqoftë, sapo e kisha mbaruar së dëgjuari këtë rrëfim, dola jashtë dhe i erdha rrotull e rrotull shtëpisë ku jetonim, shtëpisë sonë me tulla, dhe kam bërë një rrëfim me një fund të lumtur, sepse mendoja se kjo ishte duke ndodhur për shkak të Sirenës së vogël, dhe kjo prej mendjes sime u klasifikua në mënyrë të gabuar se rrëfenja ishte sajuar për të qënë një rrëfim ndryshe, vetëm për mua, kjo nuk ishte duke shkuar rreth e rrotull botës, por e ndjeja se kisha bërë gjënë më të mirë, dhe nga tani e tutje, Sirena e vogël do ta martohej me princin dhe ata do të jetonin të lumtur. Ajo e meritonte, pasi kishte bërë gjëra të jashtëzakonshme. Asaj i duhej t’i ndërronte gjymtyrët e saj. Duhej të kishte gjymtyrë si njerëzit e zakonshëm dhe të ecte, por çdo hap që bënte, i shkaktonte dhimbje pikëlluese! Pra, e shihni. Ky ishte një fillim i hershëm, në formë të shkruar..Unë bëra tregime gjithë kohën, sepse kisha për ta kaluar një udhë të gjatë deri në shkollë, dhe gjatë atij udhëtimi në përgjithës,i do t’i mendoja tregimet. Sa më e vjetër që bëhesha, tregimet do të ishin gjithnjë e më shumë për veten time, si heroinë në njërën apo në një situatë tjetër, dhe fakti se tregimet nuk po publikoheshin menjëherë për botën, nuk më brengoste. Nuk e di nëse ndonjëherë mendova që njerëzit e tjerë t’i njihnin, apo lexonin ato. Kjo kishte të bëjë me vetë tregimin, një tregim shumë i kënaqshëm nga pikëvështrimi im, me idenë e përgjithshme të trimërisë së Sirenës së vogël, se ajo ishte e zgjuar, se ajo në përgjithësi ishte në gjendje për ta bërë botën më të mirë, pasi ajo do të mbërrinte atje dhe do të tregonte fuqitë e saj magjike dhe gjëra kësisoj. Kur unë isha vajzë e re, nuk pata asnjë ndjenjë të inferioritetit rreth të qenit një grua. Dhe kjo mund të ketë ndodhur pasi jetoja në një pjesë të Ontarios, ku gratë e bënin pjesën më të madhe të lexuesve, duke i thënë shumicën e tregimeve, burrat ishin jashtë dhe bënin punë të rëndësishme. Ata nuk merreshin me tregimet. Kështu që unë, u ndjeva tamam si e shtëpisë.
E pra, natyrisht, në ato vitet e para gjë e rëndësishme ishte fundi i lumtur, unë nuk duroja dot përfundime të palumtura, për heroinat e mia. Dhe më vonë unë fillova të lexoj gjëra si “LARTËSI TË STUHISHME”, ku zënë vend mbaresa shumë e shumë të palumtura, kështu që idetë e mia i ndryshova plotësisht dhe shkova në përfundime tragjike, të cilat me kohë, zura t’i pëlqeja.
Kur u rrita dhe takova disa njerëz të tjerë, të cilët ishin duke shkruar, kuptova se puna ishte cazë më e vështirë nga sa kisha pritur. Por unë asnjëherë nuk hoqa dorë…
Unë gjithmonë përgatisja ushqimin për fëmijët e mi. Kam qenë shtëpiake, kështu që jam mësuar për të shkruar në kohë pushimi, dhe nuk mendoj se kam hequr dorë ndonjëherë nga kjo edhe pse ka pasur raste kur isha shumë e dekurajuar, pasi filloja të shoh se tregimet të cilat isha duke i shkruar, nuk ishin shumë të mira, se unë kisha për të mësuar shumë, dhe se kjo ishte një punë shumë, shumë më e vështirë nga sa kisha pritur. Por unë nuk u ndala, unë nuk mendoj se e kam bërë ndonjëherë këtë.”

AFERDITA N.
Se do ta gjeja pikërisht këtu në Windsor, shoqen time të fëminisë së hershme, Afërditën, nuk do e besoja kurrë.
Ama fjala e urtë thotë se “Vetëm mali me malin nuk piqen, ndërsa njeriu me njeriun po”.
Edhe unë, s’po u besoja syve të mi.
– Nga u gjende edhe ti këtu?, – pyeta e habitur.
– Është histori e gjatë, që kërkon një nate dimri për ta rrëfyer, – u përgjigj.
– Ma trego sidoqoftë, – i thashë.
– E kam të shkruar në ditarin tim, po për të rrëfyer, nuk mundem më. Dua të harroj me çdo kusht, por është e pa mundur, sepse nuk ka qënë një ditë, por vite të tërë, të gjatë pambarim.
– Më fal, – i thashë, – E kam vetëm nga malli i atyre ditëve të pafajshme, kur luanim kukamçefthi në brigjet e Lanës.
– Mua më duket se ka kaluar një shekull, – Mu përgjigj ajo, duke parë një tufë me rosa të egra që po niseshin për shtegtim, nga dritarja e restorantit “Lili Kazili”, ku ishim ulur.
U takuam përsëri e përsëri. S’ bëra më asnjë pyetje. E dija se i duhej kohë për të nxjerrë ditarin e saj, me plagë të gjakosura shpirti, plot vraga të pambyllura njerëzish, që rikthehen në jetë, nga Perandoria e Hadit…
FAQE NGA DITARI I SAJ …
“Më 28 shtator 1982, arrestuan bashkëshortin tim. E thirrën në Këshillin e Lagjes dhe e mbërthyen me pranga. Pas kësaj, jeta jone u shkatërrua. Atin e fëmijëve e rrëmbeu kuçedra. Pesë burra erdhën dhe kontrolluan shtëpinë. Ne mbetëm vetëm, pa asnjë mbrojtje. Malli shfaqet në sytë e pafajshëm, të përlotur të çupave tona të parritura
Një greminë, një humbje shprese ndihet kudo “Komplotet” vijnë njeri pas tjetrit…Gremina thellohet.Terrori, është jashtë çdo përfytyrimi njerëzor. Gënjeshtra thuren duke mos lënë asnjë të çarë.
Sundimtari, i velur me dashurinë e besnikëve, filloi t’i urrente për vdekje.I fishkëllente kur i përgjëroheshin për mëshirë e me fort i godiste, me mllef dhe pa kurrfarë pendese.Me qindra njerëz të pafajshëm e pësuan…
Kohë e llahtarshme, mjerë kë zuri! Po fëmijët e te dënuarve ç’faj kishin bërë që i shpërngulnin nëpër fshatra të largët, të humbur në Internim?
Edhe ne, na erdhi makina e Degës së Brendshme.Na nisën drejt Elbasanit, Ndërsa po zbrisnim nga makina çupës sime të vogël, i ra të fikët.Kur e pashë vajzën pa ndjenja, thirra për ndihmë.Asnjeri nuk afrohej. Atëherë klitha:
“Ndihmë! Më iku vajza!”
Më në fund, na doli një grua veshur me bluzë të bardhë, mjeke a infermiere, një zot e di. Bëri një kontroll formal dhe tha se ajo nuk na paskësh asgjë për t`u alarmuar.Pas tri orëve të tjera pritjeje, denjuan të na fusin në një zyrë, ku shefi i Degës së Internimit na komunikoi vendimin:
“Internoheni të tria me nga pesë vjet, në fshatin Kosovë. Shkoni bëni gati plaçkat dhe për dy orë, duhet të niseni”.
Unë e pyeta: “ Me çfarë motivacioni internohemi?”
“E dini vetë ju”, – ishte përgjigja e tij.
“Unë s`di asgjë”, – i thashë.
Drejt fshatit Kosovë, udhëtojmë në heshtje të tria bashkë. Vajzat përqafuan heshtjen, vetminë dhe punën e rëndë. Natën vonë, me dhimbje, lotojmë pa fjalë.

Fshat Kosovë, mesnatë, 30 shtator 1982
Mbërritëm para shtëpisë me gurë, pa derë, shumë e shkatërruar dhe shumë larg fshatit…
Na urdhëruan të zbrisnim. Dolëm të tria. Ç‘të shihnim!
U trishtova, më dolën lot nga sytë dhe i thashë shoqëruesit: “Si mund të jetojë këtu një grua e vetme me dy vajza, në këtë shtëpi të shkatërruar, pa derë, larg fshatit dhe pa njerëz pranë?
Ai më tha se çdo gjë do të rregullohej. Urdhëroi kryetarin e Këshillit të Fshatit, të vinin një derë të re e të rregullonin çdo gjë tjetër që ishte e nevojshme për të jetuar.
Në mesnatë, u futëm të tria në shtëpi, vetëm, të trishtuara.
Pasi pastruam e sistemuam, u shtrimë të lodhura.
Në këtë shtëpi do të ngrysim vitet… Këtu do të jetojmë…
S‘do të humbasim. Më shpëtuan lotë nga sytë dhe në heshtje, përqafova fëmijët. Shëndet të kemi, pa çdo gjë do të rregullohet. Kam dy fëmijë, më zuri… Do të duroj…

Fshat Kosovë, më 5 tetor 1982

O fshat i mjerë! Ç‘hije të rëndë paske!
Tek ty ne erdhëm të jetojmë. Me trishtimin që mbajmë në shpirt, se shumë e rëndë është vetmia, pa njerëzit tanë pranë. Në një shtëpi përdhese, e shkatërruar, me gurë, vetë mundohem të krijoj gjithçka të domosdoshme, për kushtet elementare që na duhen për të jetuar…
Thurëm oborrin me gardh për ta izoluar.Vendosëm pllaka betoni në oborr, për të mos ecur në baltën e dimrit. Mbollëm lule për kënaqësinë tonë…
T‘i soditim ato kur të çlodhemi në oborr, në ditët me diell… Në guzhinë ngritëm një lavaman me llaç e tulla, për larjen e enëve. Hapëm një vrimë në mur, që të kalonte uji… Vendosëm një tub nga jashtë e një qyp të thyer, për të mos hyrë minjtë brenda në shtëpi… Kushte shumë të
vështira për të jetuar, në këtë fshat të mjerë, ku na sollën të tria bashkë, në vetminë tonë…

Fshat Kosovë, më 25 tetor 1982

Gjithçka më trishton në këtë vetmi ku jemi, në këtë shtëpi të errët, ku dyert kërcasin e hapat tona rënkojnë nga dëshpërimi.
Nga dritaret e vogla në mur, s‘hyn dritë…
Jashtë qetësi anë e mbanë… Asnjeri nuk lëviz. Shoh shiun e rrëmbyer, që bie e s‘pushon
Era ulërin herë e fortë e herë e ndrojtur, sikur i vjen keq për ne…
Të tria bashkë jetojmë në vetminë tonë…
Në këtë hapësirë të errët, duke i buzëqeshur vdekjes, mendoj me vete në do të arrij të mbijetoj këtu me dy fëmijët e mi… Në këtë vetmi të harruar, të braktisur nga çdo gjë, pyes në do të vijnë ditë me diell, që të na ngrohin. Oh… Duhet të ngrihem, të bëhem e fortë me çdo kusht.
Duhet të duroj, të përpiqem të mbaj fëmijët me shpresë. Dy vajzat e parritura, janë jeta ime. Duhet t‘i mbaj pranë, t‘i ushqej me ngrohtësi, të përpiqem tua largoj trishtimin, që i mundon. Të përpiqem tu ngjall dëshirën për të jetuar. Me pak dritë e me shpresë, të mbrojmë jetën. Me punë e me përpjekje, të largojmë plogështinë e trishtimin. Të arrijmë të përballojmë vështirësitë e të keqen, që na mundon, duke qenë gjithmonë bashkë. Të lehtësojmë dhimbjet e të vlerësojmë jetën… Do të punojmë në bujqësi së bashku me punonjësit e tjerë…
Kjo do të na mbajë gjallë. Kështu do të ndjehemi më të lehtësuara dhe do ta ndjejmë që akoma jetojmë… Unë dhe vajza ime e madhe filluam punë në bujqësi, ndërsa vajza e vogël filloi shkollën e mesme bujqësore.

Fshat Kosovë, më 30 tetor 1982

Në fshatin Kosovë fillova punë në fermë. Punoja së bashku me gratë në bujqësi. Së bashku me to, punoja gjithë ditën. Përpiqesha të punoja si ato dhe nuk ankohesha. Në diell e në erë, në shi e në borë, puna vijonte njësoj. Çdo ditë bashkë, ngroheshim me njëra-tjetrën. Kështu kalonin ditët e një jete të plagosur. Lodhja e trishtimi që ndiejmë, na mundon. Të gjitha gra të pafajshme, vuanim në mjerim, të harruara, duke punuar gjithë ditën. Kur vinte ora, të gjitha vraponin të
shkonim në shtëpi, në foletë e tyre, ku i prisnin fëmijët. Gra të lodhura që punonin edhe në shtëpi, me shumë lodhje e mundim për të rritur fëmijët…
Fshat Kosovë, dhjetor 1982
Rreth nesh, çdo gjë është e errët e pajetë. Bëjmë kujdes, qëndrojmë pranë njëra tjetrës, në këtë hapësirë të heshtur e në këtë shtëpi të vetmuar. Mendoj ditë e natë… se dhe muret kanë veshë… Kur vijmë nga puna, mblidhemi vetëm ne të tria. Bisedojmë me njëra-tjetrën, në ngrohtësinë tonë, çlodhim trupin e zgjojmë dhimbjet që na mundojnë. Kur shoh vajzat të trishtuara, zemra më pikon…
Na kanë prerë rrënjët… A është kjo një ëndër… apo… Kjo është një vdekje e përditshme, liria na mungon. Liria është një e drejtë e çdo njeriu të thjeshtë… Ne nuk e kemi.
Jetojmë larg njerëzve të izoluar. Asnjeri nuk vjen tek ne. Një jetë e mjerë, që rrjedh me vuajtje dhe me vetmi dhe asgjë tjetër.
Të cfilitura çdo ditë, nga puna e rëndë… Vetëm me sy, komunikojnë me njëra-tjetrën dhe lotojmë. Të ngrira, të ngrysura të vetme në terr e gjëmime. E tillë është kjo jetë këtu ku jemi… e pashpresë, duke ushqyer çdo ditë qëndresën, që na mban gjallë.

Fshat Kosovë, nëntor 1983
Gjithë ditën punoj e mundohem në diell, në erë, në shi e në borë.
Kur bie të fle, s‘kam kohë as të ëndërroj, nga lodhja e dhimbja që ndjej çdo ditë.
Nga dëshpërimi, vuaj fjetur e zgjuar. Brenda vetes, mbaj një brengë që s‘njeh qetësi, e hidhur, e vështirë, dramë e rëndë pa kufi. Zanafilla e gjithçkaje, ishte Ledi Makbeth
Ajo me pabesinë e me ligësinë e saj, shkeli çdo të drejtë njerëzore. Më shkatërroi me urdhërin
e pabesë. Vuaj hidhërim mbaj brenda vetes. Urrejtja më ngacmon,në këtë shkatërrim shpirtëror që më mundon. Shqetësohem për vajzat. Me kujdes, i ndihmoj në këtë vetmi ekstreme, pa patur asnjë mbështetje. Gjithçka mund të ndodhë në këtë humbëtirë… Pa asnjë ndihmë, pa njerëz pranë, bëj shumë kujdes. Bashkë të tria, vuajmë në heshtje padrejtësinë. Duroj, duke mposhtur dhimbjet që më mundojnë. Për jetën efëmijëve të mi, kujdesem në këtë mjerim.

Fshat Kosovë, 15 gusht 1985
… Në atë shtëpi ne jetuam plot tre vjet, që nga shtatori i vitit 1982, deri më 15 gusht 1985. Shtëpia u mësua me ne dhe ne me atë. Jeta jonë shtëpi-punë-shtëpi. Çlodheshim në ngrohtësinë dhe freskinë e saj. E pranuam, u mësuam edhe me vetminë dhe izolimin e pashoq, ku na e vranë fjalën…
S‘guxojmë të flasim,
Të qeshim, të qajmë,
Apo të këndojmë…
Brenda shtëpisë s‘flasim me zë,
Në heshtje jetojmë….
Të mbrojmë jetën,
Se e dimë, ditë e natë na përgjojnë.
I vramë fjalët… s‘flasim,
Në heshtje rrimë
Vetëm mendojmë…
Një jetë të zymtë,
Pa gaz e pa shije
Durojmë…
Por nuk mjaftoi kjo,Na helmuan edhe qenin, Dirkun. Në fshatin Kosovë kishim një qen, të cilin na e dhuroi një fshatar i lagjes ku jetonim.E quajtëm Dirku. E morëm fare të vogël. Vajza e vogël e donte shumë. Ajo e rriti… E mbante pranë kur kthehej nga shkolla. Ai i ulej pranë, e shihte. Ajo e ledhatonte e lante. Kishte një shikim të veçantë, sikur donte të fliste me ata dy sytë e tij të mëdhej e të butë.Sa vinim në shtëpi, na hidhej, na lëpinte. E lëshonim, ai menjëherë ikte me vrap, zhdukej në pyll dhe kthehej përsëri…
* E falenderojme shkrimtaren Englantina Mandia qe e dergoi shkrimin per Gazeten”Dielli”

Filed Under: Reportazh Tagged With: Englantina Mandia, PEIZAZH KANADEZ

DR. SKËNDER MURTEZANI: VATRËS IA KEMI BORXH PËRKUSHTIMIN

January 9, 2015 by dgreca

Intervistë me kryetarin e Degës së Vatrës në Queens-NY, Dr. Skënder Murtezani/
Dielli:- Dr. Murtezani: Si do ta vlerësoni këtë vit që po lëmë pas për degën e Vatrës në Queens?
Dr. Skënder Murtezani: – Dega e Vatres ne Queens është relativisht e kënaqur me aktivitetin e këtij viti, natyrisht që mund të behej më shumë, prandaj kemi zgjedhur të kalojmë një rrugë shumë të vështirë, të kthejmë në mënyrë të suksesshme komunitetin Shqiptar në NY të anëtarësohet në degën tonë. Numri egzistues i anëtarëve nuk është’ rritur aq sa dëshironim,natyrisht do të donim më shumë.Në fundjajavën, e 20 dhjetorit, ne u mblodhëm në tubimin e radhës dhe i diskutuam problemet dhe bëmë bilancin e punëve të kryera, dhe atyre që na kanë mbetë pa u krye. Shpresojmë që diskutimi ynë në ta ardhmen të vendosë pikat mbi”i” dhe të gjejë shkaqet e reagimit jo të dëshiruar të komunitetit për t’u bërë pjesë e Vatrës. Duket se edhe pse zhvillojmë aktivitet, tentojmë të ngremë mure bashkimi, jo rrallë duket se kemi fatin e kalase se Rozafes, ku muret rrëzohen. Prandaj unë vetë u drejtova një thirrje joformale disa intelektualve te suksesshem Shqiptar, për mendimin tim të vlerësuar si Vatranë të vërtetë, si djali i Vatranit të paharueshëm dhe më shumë kontribus në Vatër, Dr Hamdi Oruci, i cili është një mjek shumë i sukseshëm në New York,- Dr Edward Oruci, Cardiolog invaziv, arkitektit Magjister Besianë Krasniqi, Konsultantja e menaxhimit nga Universiteti i Columbia’s në Lehman Brothers MPh., Vjosa Isein, Cardiologut të mirënjohur Dr Kujtim Balidemaj-t, Doktoresha e mjeksisë primare Dr Evia Nano dhe Zotri Gjergj Nano, specialiste e Therapise Physicale MPh Ellie Tafana, Këshilltar për refugjatet pranë KB Burim dhe Merita Shoshi, dhe shumë intelektualëve të tjerë. Thirrja ime priret nga dëshira e mirë që të ndihmojnë në kontributin në cështjen kombëtare, dhe ku më mirë se në Vatër, mund të jepet ky kontribut? Apeli që u kam bërë intelektualëve të suksesshëm priret nga deshira e mirë që të ndihmojnë në realizimin e anëtarësimit cilësor dhe rritjes sasiore të Vatrës. Natyrisht kërkroj edhe ndihmën e vatarnëve të tjerë si dhe të zgjedhurve në strukturat e qendrës.
Dielli:-Cfarë do të veconit nga veprimtaritë e degës tuaj për vitin 2014?
Dr. Murtezani:-Do të vecoja, angazhimin maksimal në edukimin e komunitetit Shqiptar në Queens për historinë e Vatrës dhe rëndësinë e saj në historinë tonë moderne.
Së dyti; njohjen me historinë tragjike të popullsisë came, e cila ende ndjehet e privuar nga e drejta për t’u kthyer në trojet stërgjyshore. Për këtë qëllim ne prezantuam filmin dokumentar mbi Camërinë, që ishte një moment i rëndësishëm për Degën Queens. Më pas diskutuam. Dega jonë nuk do të pushojë së punuari fort për këtë cështje, deri sa të zgjidhet në mënyrë ligjore dhe të pranohet genocidi grek i ushtruar mbi popullsinë came. Dega e Vatrës në Queens do të vazhdojë me prezantimet të këtilla. Në fakt për cdo cep të trojeve etnike shqiptare, në varret e të parëve tanë, fshihen padrejtësitë shoviniste të armiqve.
Ne kemi krijuar dhe mjedise për t’u mbledhur vatranët e Queensit.
Ndër veprimtaritë e degës së Vatrës në Queens mund të përmendet fakti që për dy vite radhazi u përkujtua vdekja e kolosit të kombit Midhat Frashëri-t dhe, filluam punën drejt respektimit të testamentit të tij. Vitin e shkuar veprimtaria përkujtimore u organizua në Hotelin, ku u gjet i vdekur Apostulli i Shqiptarizmës, ndërsa këtë vit në mjediset e Kishës në Dauglaston Pkwy.
Dielli:- Me që e përmendët: Keni përkujtuar Mit’hat Frashërin në përvjetorin e 65-të të vdekjes, cili ishte motivi? Pse dega e Vatrës? Po për të ardhmen cdo të bëni për këtë figurë madhore?
Dr. Murtezani:- Dita e formimit të Vatrës ishte ditë madhështore për Shqiptarët në Queens dhe anëtarët e saj. Si kryetar u përbetova se do ta kultivoj frymën vatrane ashtu sic e kam praktikuar plot njëzet e tre vite. Ideja që fryma e Nolit dhe Konicës të vazhdojë tek gjeneratat e të rinjve shqiptar në Amerikë e gjetiu duke iu përshtatur rrjedhave ndërkombëtare dhe mbarëkombëtare, do të përbëjnë shinat ku do të lëvizë e gjithë veprimtaria e degës së Vatrës në Queens. Ky do të jetë preokupim madhor i kësaj dege.
Dielli: Nga del Mithat Frashëri në këtë kontekst?
Dr. Skëndër Murtezani- Pas dekadave të errta të dominimit Serbo- Rus në politikën Shqiptare është e kuptushme që shumë atdhetarë shqiptar ishin të ndaluar dhe kjo ndalesë ishte ekzekutuar me sukses nga canaklëpirsit e kësaj politike antishqiptare. Shumë atdhetarë, patriotë të kulluar, të të gjitha rrymave politike u vranë ose ranë në hije të plotë të atyre që u pajtuan me këtë dominim poshtërues. Atdhetarët e kristaltë ishin ata fëmijë të këtij kombit që e përkujtonin okupatorin se është në tokë të huaj, se është kolonizator prandaj ata duhej të zhbëheshin. Mit’hat Frashëri ishte i pari që duhej izoluar sipas recetës së antishqiptarëve.
Dega jonë e Vatrës mori vendim që t’i rikthejë në diskutim dhe të mirënjohë patriotët tanë më të spikatur, të cilët për gjatë kohëve i ka përbuzur apo i ka izoluar sllavo-komunizmi që në të vërtetë është një pansllavizm gjithmonë kundër interesit tonë kombëtar. Kjo është e vërtetuar katërcipërisht për gati një gjysëm shekulli e më shumë.
Pas, një studimi kritik të jetës dhe veprimtarisë diplomatike diskutova me një numër të konsiderueshëm vatranësh dhe diplomatë të vendit dhe të huaj u pajtuam se Mit’hati është lënë pas dore dhe duhet t’i jepet rast të zëri vendin e merituar. Vetë “koncepti” Frashëri ua bën Mithatin shqiptarëve të jashtzakonshëm.Niveli i qytetrimit, edukata dhe dija të fituara nga trashëgimia e të atit Abdylit, xhallarët – Naimi me Samiun, i japin një përparësi në njohuritë e problemit Shqiptar dhe kapacitet të plotë në veprimin diplomatik.
Mua më kanë bërë shumë përshtypje gjatë studimit të kësaj figure disa moment, që e bëjnë Mithat Frashërin kolos të dipomacisë Shqiptare dhe shembull në patriotizëm. Ka shumë merita Mithat Frashëri, që ne i nxorëm në pah gjatë sesionit shkencor që organizuam me rastin e 65 vjetorit të vdekjes së Tij.
Dielli: -Cila do të jetë veprimtaria e radhës për degën e Vatrës në Queens?
Dr. Murtezani:- Detyra e parë e vatranve të degës sonë është të gjejmë mënyra më të mira në informimin e komunitetit shqiptar se Vatra është e tyre, dhe se të gjitha nevojat e arsyshme të komunitetit në NYC mund të arrihen nëpërmjet degës sonë.
Përkujdes të vecantë në krijimin e një rrjetit profesional nëpërmjet degës sonë, kjo do të ndihmon në avancimin ekonomik të anëtarve të saj. Ky grup do të merret edhe me edukimin e vatranëve në menaxhimin financiar personal ose të bizniseve.Edukim masive në mjeksinë preventive dhe vaksinim falas për vatranët gjatë sezonit të gripit.
Në këtë moment kemi gjetur ndihmë nga: Network School district Mr Parus Daniel i cili na drejtoi të PS88 në Ridgewood qëllimisht zgjodhëm këtë qyteze në Queens ku ka më shumë familje Shqiptare.
Në mars planifikojmë një takim me të gjithë udhëheqësit e subjekteve politike Shqipetare për një nismë të përbashkët; të nderojmë testamentit e Mithat Frashërit.
Dielli-Jeni të kënaqur me anëtarësinë e degës në drejtim të rritjes së numrit? Cili do të jetë objektivi për vitin e ardhshëm?
Dr. Murtezani: Kemi një ngritje të re kualitative po jo kuantitative, shpresoj se me ndryshimet në kualitetin e degës do të kemi ndryshim në kuantitet. Po ashtu ne do t’u bëjmë thirrje anëtarëve të Kryesisë dhe të gjithë vatranëve ta konsiderojnë degën e vatrës si një familje të madhe. Nuk ka arsye që anëtarët e kryesisë nuk arrijnë t’i bindin pjestarët e familjeve të tyre, fëmijët e tyre, që t’i bashkohen Vatrës!
Dielli-Ndërkohë që keni krijuar mjedise për degën e Vatrës,ku shpenzimet i hiqni ju, si funksionion ajo?
Dr. Murtezani-Amerika si vendi më i avancuar në cdo aspekt na ka dhanë mundësi që cdo individi një pjesë të fitimit ta ndanjë nëpër Shoqatat bamirës që zakonisht janë të tipit pa profit për t’ju përshtatur nevojave shpirtrore, konceptuale, politike ose logjike. Unë si Skender Murtezani që u rrita në një familje me frymën IsmailQemaliste dhe me një dashuri të barabartë për cdo cep të atdheut tim zgjodha Vatren që të ndihmoj në mënyrë financiare për arsye se historikisht kam besim në këtë institucion të cilin edhe pse kanë fry erna të ndryshme për fat të mirë ka një fondacion të shkëlqyeshëm që e bën institucion shqiptaro amerikan me histori dhe kapacitet të kthehet në qendër e cështjeve shqiptare. Sot ndihma ime për Vatrën është edhe më e aresyshme se jemi në mesin e miqve dhe atyre që kuptojnë interesin tonë kombëtar. Unë përfitoj nga tax-at, Vatra përfiton ndihmën teknike të vazhdojë me dinjitet të mbrojë interesin kombëtar.
Dielli-Kur dhe si erdhët në Vatër? Cfarë e ka bashkuar dr. Skënder Murtezanin me Vatrën?
Dr. Murtezani: Nga fundi i vitit 1991 bashkë me miqt e mi, familjen Tonuzi erdha në Vatër për festën e 28 Nëntorit, me gëzim të madh, pagova anëtarsinë e parë, me entuziazëm të madh pranova një detyrë të re që edhe unë të mar pjesë formale në avancimin e cështjes Shqiptare. Kam pas fat të madh të kem një mik si Z-ri Hajdar Tonuzi, ai ështe shembull i një patrioti shqiptar shembull i një Vatrani. Një anëtar i palëkundshëm i Lëvizjes së Legalitetit, që më ka vulosur në karakterin tim njohuri të reja, që rrisin tek unë dashurinë për të punuar që ne kudo që jemi, të jetojmë me dinjitetet dhe ashtu si e dikton drejtësia.
Fillimisht me Vatrën më bashkoi misioni i themeluesve të saj, patriotëve shembull si At Noli,Faik Konica dhe shumë atdhetarë të tjerë. Tani meqë mësova shumë nga vatranët e vjetër, e dua Vatrën edhe më shumë, historiku i saj, shpirti i saj, me mësojnë si të nderoj cdo shqiptar dhe ti jap kurajo të besojë në vetvete, të avancojë në SHBA- vend i konkurencës së ashpër në cdo lami. Po të korrësh sukses në Amerikë ke korrur sukses botëror.Me Vatrën më bashkon ideja e afrimit të gjithë atyre që kanë arritur në këtë nivel botror, ata i duhen Vatrës ata i thërasin Noli me Konicën, unë dua të jem shërbëtor i Vatrës, që ajo t’i sjellë fëmijtë më të mirë të shqiptarizmës në vatrën e saj. Kështu fitojnë Shqipëria dhe Kosova, kështu fitojnë trojet Shqiptare. Cdo Shqiptar në Amerikë duhet ta konsiderojë vetën anëtar të Vtarës, jo thjeshtë të paguaj anëtarësinë simbolike, por të ndjehet vatran në shpirt. I kemi borxh Vatrës përkushtimin!
Dielli: – Cfarë të vecante ka në jetën profesionale të Dr. Murtezanit për këtë vit. Përvec dy klinikave ku ushtroni profesionin, c’ka tjetër?
Dr.Murtezani-Mendoj se dy klinika janë mjaft për tani, numri i pacientëve është në rritje progresive; detyrat ndaj programit të specializimit të mjeksisë Interne dhe studentëve të shkollës së mjeksisë në NYHQ/ Cornell University Medical College është shtuar.
Detyrat e spitalit janë shtuar me emrimin tim në komitetin e kredencijaleve dhe komitetin e mbykqyrjes klinike.
Në vitin 2015 shpresoj të avancoj me titullin akademik prej në Assistant Professor, në Associate Professor of Medicine; gjithnjë pranë Cornell University Medical College.
Në Mars pritet dalja në dritë e tri punimeve shkencore në fushën e mjeksisë preventive.
Dielli- C’projekte keni për Shqipërinë në fushën e shëndetësisë? Sipas vëzhgimeve tuaj të drejtëpërdrejta, cfarë nuk shkon atje?
Dr. Murtezani:Fat për Shqipërinë që ka kontakte të rregullta me shtetet mike në Eauropë dhe me Amerikën. Shëndetsia në Shqipëri ka nevojë për një menaxhim më praktik të sistemit shëndetsor. Mjeksia primare,ku hyjnë shumë disiplina si mjeksia interne, mjeksia e familjes, pediatrija dhe gjinekologjia me akusherine kërkojnë rievaluim të programeve të specijalizimit.
Ata duhet të jenë skeleti i sistemit shëndetsor dhe bartës të barrës së mjekësisë preventive primare.
Suksesi i këtij sistemi eshtë fitore e dyfishtë si në planin e shëndetit popullor ashtu edhe në planin financiar. Sukses në planin financiar për arësye se ndal shpenzimet e sëmundjeve që u kanë ikur nga dora e mjeksisë preventive primare. Po tu them se puna e kirurgeve kardiotorakal ka rënë më shum’ se 60%në SHBA vetëm se sistemi i shëndetsisë është praktik, i jepet rëndësi speciale Mjeksisë Preventive primare; Mjeksia interne e familjes,pediatrija dhe Gjinekologjia kanë kryer punë te mrekullueshme. Vlera e fitimit financiar është fascinante.
A nuk duhet kjo të jetë praktikë e një vendi në zhvillim, ku gjendemi ne? Sukseset e specialistëve dhe subspecialisteve janë ata që i japin një ngjyrë edhe më të bukur shëndetsisë së një vendi. Ata edhe përcaktojnë nivelin akademik dhe klinik të një sistemi shendetsor,por përsëri ajo “ushqehet” nga mjekësia primare. Me pak shpenzime ka mjeksia primare po të punojë me sukses në pengimin e sëmundjeve të rënda shëndetsia ka kryer detyrën dhe ministrisë u ngelin më shumë të holla të plotësojnë zbraztësirat e tjera akademike dhe investojë në hulumtime praktike.
Si shembull marr hipertensionin.Në SHBA trajtimi fillon në klinikat e mjeksinë primare, trajnimi është i mjaftueshëm për të kryer detyrën me sukses, vetëm 5% të rasteve mund te mbarojnë te nefrologu e disa herë te endokrinologu.
Prevenimi e infarkteve qoftë të zemrës apo te trurit fillojnë të internisti dhe mjeku i familjes. Infarkti i trurit mund të jetë iskemik /mbyllet arterja dhe vdes indi që ushqehet nga arterja në fjalë dhe kjo patologji përfshin 85% të rasteve në SHBA trajtohet prej Internistit dhe neurologut. Por 6-15% të rasteve të Strok-ut ose infarktit manifestohen me gjakderdhja në tru dhe janë urgjencë neurologjike, shum shum pak ngel vend për neurokirurgun, cili ndonjeherë intevenon në gjakderdhjet e trurit në pjesën infratentoriale.
Mjekësia urgjente të jetë e para në planin zhvillimit të sistemit shendetsor, efikasiteti I saj krijon ndjenjë sigurie në mesin e qytetarëve.
Ka nevojë për trejnimin e mjekëve të ri në laminë e Radiologjisë intervencionale;Shqipëria duhet të ketë 6-7 qendra më së paku një radiolog me aftesi intervenimi. Në këtë mënyrë do të bëhen më shpejt biopsitë e indeve në organet e brendshme, dhe shumë intervenime tjera që do na shpëtojnë nga intervenimet e shtrejta kirurgjike si dhe nga trajtimet e shtrejta të kimoterapisë po të zbulohen kanceret me kohë.
Në takim me kolegë dhe politikanë të Shqipërisë u pëlqy ideja e ndërtimit të një qendre shëndetsore terciare, që të jetë në funksion të shqiptarëve në rajon, modeli i saj pas disa vitesh të transferohet në Prishtinë e më vonë në Tetovë. Cfarë mund të bëjmë ne që me mundime dhe sakrifica te mëdha patëm fat të jemi pjesë e një sistemi që i jep drejtim gjithë mjeksisë botrore; si në e publikimet falas të algoritmitmeve për trajtimin e semundjeve si dhe me zbulimet e tyre shkencore që krijojnë mjete pune për gjithe botën.
Ministria e shëndetsisë është institucioni më i mirë që mund të drejtojë këtë energji. Unë isha i mendimit që, ne që punojmë me studentë dhe specijalizantë te shkollave të mjeksisë në Amerikë të na mundësohet të kalojmë nga një javë për cdo semester me specijalizantë të profileve të ndryshme. Shpresoj se kjo do të kalojë në vitin e ardhshëm shkollor, pasi të bëhet konsolidimi i mjekëve shqipetar në SHBA në një asocim më serioz, shpresojmë me emrin Albanian American College of Physicians.
Dielli- Mendimi juaj për cështjen kombëtare dhe zhvillimet në trojet etnike kohët e fundit?
Dr. Murtezani-Na ka buzeqeshur fati që kur Amerika dhe pjesa tjetër e botës së civilizuar na mori në radhët e saj, përndryshe do të ishte shumë vështirë t’u shpëtonim të këqiave të së shkuarës.Ky moment historik shpëtoi shpirtin tonë të robëruar nga ideologjia komuniste që ishte në shërbin të interesit politik të Rusisë. Kjo politikë edhe pse një demokraci e kamufluar, me shembullin e Krimesë (një siujdhesë e vogël që në mënyrë sistematike u pastrua nga Tatarët këta 60 vjet’ e fundit) dhe Ukrainës, na tregojnë se nuk ka ndryshime në planet ekspansioniste të Rusisë pa marrë parasysh a është mbretëri, komunizëm apo demokraci. Ky plan shtrihet edhe në trojet Illire sot me emrin Ballkan, ku Serbia, Maqedonia, (ndonjëherë nuk vonohet edhe Mali i zi) vazhdojnë politikën e urejtjes dhe agresivitetit, ndaj Shqipetarve në territoret e tyre historike.Kjo përforcon idenë e Shqipërisë etnike.
Serbia dhe Maqedonia duhet të heqin dorë nga politika e gjarpërit, gjarpri kafshon nga frika. Frika nga e vërteta nuk është produktive.
Mbasi jam Shqiptar i Maqedonisë dua të them se marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje që kurrë nuk është aplikuar, për arsye se nuk u respektuan nënshkruesit saj. Ata u perdorën që të ndihmojnë konsolidimin e shtetit policor antishqiptar që sot të lulëzojë shteti Pro-Serb në Shkup, me një sundim absolut gjuhsor, ekonomik dhe politik ndaj shqipëtarve. Kjo qeveri proSerbe bashkë me aleatin Serb bëjnë cmos që të mos jenë pjesë e Europës së Bashkuar. Në këtë moment punojnë me sukses në shndrrimin e Kërcovës dhe Strugës në qytete me shumicë Sllave.
Maqedonia fillimisht duhet të ndjekë shembullin e Belgjikës ku dy popuj jetojnë në mirëqënje, në një konfederatë pa përcaktim kufijsh, me të drejta të barabarta për të gjith qytetarët e saj.
Uroj që forcat e sinqerta demokratike Serbe dhe Ruse të tejkalojnë këtë lojë të vjetër të pafrytshme dhe ti bashkangjiten botës së lirë që ti zgjidhim problemet aq jetike të këtij planeti.
Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e negociatave Kosove Serbi dhe të ketë reciprocitet me kërkesat e Serbëve në veriun e Mitrovicës. Momentalisht problemi akute është shpërngulja. Të ndërpritet pastrami etnik i heshtur me formulën e re ekspansioniste të Rusisë.
Problemi cam kërkon punë të palodhshme në grumbullimin e fakteve të gjenocidit të paparë, kjo punë duhet ndihmuar edhe nga historianët dhe diplomatët, që e vërteta të shohë dritën e plotë; kërkesat e të dëmtuarve të respektohen dhe të pengohen opstrukcionet ligjore të shtetit Grek. Të mësohet nga kjo periudhe e idhët, të merren masa dhe të fillojë një periudhë e re e fqinjësisë së mirë, në bazë të respektimit të dyanshëm.
Shqiptarët e Malit të zi janë trima, që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare, por ata kanë nevojë për ndihme organizimi. Ata duhet të të jenë këmbëngulës dhe të organizuar në kërkesat e tyre; të mos i shpërndajnë forcat në shumë parti politike, por të përqëndrohen.Ndoshta vetë Mali i Zi, duke iu afrua Evropës, do t’i dalë”frika” nga shqiptarët, dhe do të shohë më shumë nga Tirana e Prishtina se sa nga Beogradi.
Dielli- Mesazhi juaj në pragfeste?
Dr. Murtezani:- Para së gjithash uroj Kërshëndellat dhe Vitin e Ri 2015, të gjithë Shqiptarve kudo që janë.
Dielli: Dhurata për Kërshëndellat?
Dr. Murtezani:
Armikut jepi faljën
Oponentit jepi Durimin
Myshteriut jepi shërbimin
Shokut jepi Zemrën
Fëmijës jepi shembull të mirë
Vetes dhuroja respektin!
Ne Foto:Dega e Vatres ne Queens ne veprimtarine e saj para Kuvendit te Vatres te qershorit te vitit 2014
(Intervistoi:D. Greca. U publikua ne Diellin e fundvitit, 30 Dhjetor 2014)

Filed Under: Vatra Tagged With: Dr. Skender Murtezani, intervistoi Dalip Greca, kryetar i deges ne Queens

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT