• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2015

Fajet i ka Shqipëria!

January 29, 2015 by dgreca

Unë gjithmonë i kam para syshë fjalët e miqëve të familjarëve të mi që në netët e gjata të dimrit mblidheshin pas darke dhe bisedonin . Dhoma e madhe ; por mbushja e saj me tym duhani nuk e pengonte bisedën e gjatë sa vetë dimri për atdhedashurinë . Edhe pse ishim në tokën tonë , por mbi krye i kishim regjimet e huaja. Shpresat i varnin tek Shqipëria . E unë si i ri mendoja se ,që të gjitha të mirat duhet të na vinin nga mëma ynë. Neve na kishin shkëputur nga trungu , por nuk i kishin prerë degët , rrembat dhe njomëzat e trungut.
Bisedohej . Plaku që e dredhte cigarën në cepin kyesor të dhomës e kishte si të domosdoshme të na përsëritete se pa Kosovë nuk ka Shqipëri. Por prap se prap të mirën gjithëmonë e prisnim nga Shqipëria: na vinin librat të cilat i lexonim sa për një vrap pele, dhe prapë jetonim në pritje të së mirës.
Edhe gjatë verës kur e mbillnim duhanin për mbijetesë, e vapa të përvëlonte , prapë e njejta bisedë : atdhedashuria . Çka ishte patrotizmi ?A prekej ? jo. A kishte ngjyrë ? jo. A kishte shije ? jo. Ne nuk dinim më shumë , por vetëm se humbëshim në deliriumin e së kaluarës ; plot heroizëm , tradhëti , ndërskomësa dhe një shpresë që nuk fashitej ; sa mirë që e kemi Shqipërinë !
Ndiq e mos e zgjat , thot një fjalë popullore “ shyqyr” që e kemi Shqipërinë !( thonjëzat janë për shkak të fjalës së huaj) Ata në zor e në zor , asgjë nuk dinim për njeri tjetrin.

Ndërruen kohërat , në Shqipëri lindi demokracia e në Kosovë u fitua liria . Prapë shpresat nga Shqipëria. Çdo popull e ka qendrën e vet të rëndesës , E ne që jemi rreth e përqark Shqipërisë e që kufizohemi me qendron tonë të gravitetit , mbahemi të forte se e kemi një zë “tenori “ që duhej t`i ndihej ushtima nëpër qendrat botërore . Por…..
E dijmë ne që fjalët “emocion, sfidë , suportim, ingredient “ as që kishim menduar t`i përdornim në fjalorin tonë të përditshëm në Kosovë ? sepse nuk janë shqipe , dhe nuk i përdorin në Shqipëri ( deri në vitet e 90-ta ).
E dijmë ne që na humbi dëshira për gjuhë letrare , pasi që ajo nisi të stërmoqej në Shqipëri ?
E dijmë ne, se kurrë nuk kishim guxuar të kërkojmë gjuhën kosoovarishte dhe kombin kosovar sikur nga Shqipëria të vinin këshilla , vërejtje ?
Po kur dhe kush kishte guxuar në Kosovë që Oliver Jens Schmittin t`a bëj anëtar të Akademisë së Shkencave , sikur mos të ishin hullitë e plluguara në Shqipëri ?
Kur dhe kush guxuar që të flakareshë Skënderbeun në Kosovë , sikur ai të mos “serbizohej “ në Shqipëri ?
Kur dhe kish guxuar të kërkon ndërrimin e historisë në Kosovë sikur kjo mos të inicohej në Shqipëri ?
Fjala e nxjerrë fjalën dhe m`u kujtua që gjuhëtarët e Shqipërisë shkuan aq largë sa që e nxjerrën edhe gjuhën shqipe të një prejardhjeje me gjuhët sllave .
Fjala e nxjerrë fjalën dhe goja nuk rri urt , dhe nga pezmi dhe zhgënjimi njeriu e flet edhe atë që nuk është për tu folur : “Kur u shpiken partiti politike në botën shqiptare ra Perandoria Osmane. Akoma edhe sot militantizmi partiak ja kalon çdo lloj gjëje në këtë vend. Më e shtrenjtë është partia se atdheu. Sa te prapambetur që jemi. Bëri zgjedhje Greqia brenda disa orëve i numeroj votat ,të nesermën u betua kryemnisteri as iu as ciu, këto tonët janë kafshë, o pushtet o ska.(Elena Kocaqi )
Fajet i ka Shqipëria ! Mënyra e mos bërjes së shtetit solid si në Shqipëri ( për mbi 100 vjet) , po ndiqet edhe në Kosovë !Mos më shieni të flas më shumë!

Fahri Xharra, 29.01.15
Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Fajet i ka Shqipëria!

KOSOVA NJË GETO NË ZEMËR TË EUROPËS

January 29, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Kosova një Geto në zemër të Europës. Titulli i këtij shkrimi është tmerrues, por ky është realiteti në Kosovë. Për t’i shpëtuar kësaj getoje, qytetarët e Kosovës, kryesisht të rinjtë kanë marrë ikën përmes Serbisë. Duket sikur dialogu Kosovë-Serbi i ka shërbyer vetëm këtij eksodusi absurd. Stastistikat tregojnë se vetëm vitin që shkoi Kosovën e kanë lënë rreth 50 mijë shqiptarë të Kosovës, kryesisht të rinj, por këto shifra janë zyrtare që do të thotë se realisht ky numër duhet të jetë shumë më i madh.
Sot Kosova përballet me dy rreziqe: I pari nga një qeverisje dhe koalicion si në Republikat e Bananeve; i dyti nga pretendimet territoriale të Serbisë.
Reagimi i qytetarëve ndaj këtyre dy rreziqeve është braktisja e vendit dhe protestat.
Kosova zbrazet pasi nga brenda qytetarët e saj ndeshen me keqqeverisje, korrupsion, papunësi dhe varfëri, ndërsa sinjalet që vinë nga Europa janë indiferencë ndaj popullsisë dhe mbështetje ndaj Hashim Thaçit, i cili shihet si një nga përgjegjësit kryesorë të kësaj gjendje katastrofike që mbizotëron në Kosovë.
“Ne vimë, raportojmë, fotografojmë, e xhirojmë dhimbjen e tyre dhe asgjë nuk ndryshon”. Këto janë fjalët e gazetarit të luftës Anthony Loyd mbi situatën në Siri, por që pasqyrojnë një konkluzion therës dhe të hidhur për të gjitha zonat e krizave. Zona krizash janë ato që kanë luftë ose papunësi. Sepse papunësia gjithmonë prodhon trazira. Gazetarët tregojnë të vërtetën, por lodhen kot, duke rrezikuar jetën.
Konkluzioni i Loyd, që e ka pasë mbuluar edhe luftën në ish-Jugosllavi, vlen edhe për situatën kritike që mbizotëron në Kosovë tash 16 vjet pas ndërhyrjes të NATO-s. Kosova ishte tragjedia e fundit në zinxhirin e tragjedive gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e cila u shoqërua me krime kundër popullsisë civile shqiptare dhe spastrim etnik, por duke mos mjaftuar kjo, Kosova vazhdon të ketë mbetur një Geto në zemër të Europës.
Në 1 qershorin e vitit 1999, i Mbijetuari i Holokaustit dhe Nobelisti i Paqes Elie Wiesel do të shoqëronte Presidentin Clinton në kampet e refugjatëve nga Kosova në Cegrane të Maqedonisë. Ai duke evokuar eksperiencat e tij të hidhura do të thoshte: “Unë kam mësuar diçka nga përvojat e mia si bashkëkohës i shumë ngjarjeve, dhe kur djalli apo e keqja e tregon fytyrën e tij, ju mos prisni, mos e lejoni atë të forcohet, ju duhet të intervenoni, të ndërhyni menjëherë”. Ndërsa gazeta The New York Times e citonte Z. Wiesel të ketë thënë në Washington D.C. “se nëse Perëndimi do të kishte reaguar ndaj Milosheviçit dhjetë vite më parë, tragjedia e Kosovës do të ishte parandaluar”. Por Perëndimi nuk reagon. Ose reagon shumë vonë. Ashtu si reagoi shumë vonë në Bosnje.
Disa ditë më parë televizioni publik italian RAI UNO shfaqi filmin “L’angelo di Sarajevo” – “Ëngjëlli i Sarajevës”– me skenar të mbështetur në librin e gazetarit të luftës Franco Di Mare “Non chiedere perché”- “Mos pyet përse”, botim i Rizzoli, 2011, ku gazetari italian dëshmon se ajo kasaphanë ndaj boshnjakëve myslimanë që ngjau në Sarajevë e Bosnje, në praninë e Kaskave Blu, krahasohet vetëm me atë që ngjau në Auschwitz.
Dhe ndërsa Gjermania më 27 janar kujtonte 70 vjetorin e çlirimit të kampit të përqëndrimit të Auschwitzit, me një ceremoni në Bundestagun gjerman, në Prishtinë populli i Kosovës protestonte për largimin e Jabllanoviçit, ministrit serb të pakicave në qeverinë e Kosovës dhe në mbrojtje të Trepçes si pasuri kombëtare e Kosovës.
Presidenti gjerman Joachim Gauck, nga të paktat figura me të cilat mund të përfaqësohet sot Europa, tha në parlament se „nuk ka identitet gjerman pa Auschwitzin”. “Kujtimi i Holokaustit është një shqetësim i të gjithë gjermanëve, i të gjithë atyre që jetojnë në Gjermani.”
Kështu do të duhej të thoshte edhe presidenti i Serbisë për atë që ngjau në ish-Jugosllavi. Kështu do të duhej të thoshte edhe Ministri i pakicës serbe në Kosovë i cili pretendon të mos dijë asgjë nga tragjedia e Kosovës për të cilën flet Nobelisti i Paqes Elie Wiesel. Ky ministër që i quan Nënat zemërdjegura të Kosovës „egërsira“ pretendon të mos dijë asgjë as nga masakra në Mejë të Gjakovës, ku forcat kriminale serbe kanë ekzekutuar në prillin e 1999 rreth 500 burra e djem shqiptarë, nga mosha 14 vjeç deri 60 vjeç. Ai justifikohet me pretendimin se ka qenë adoleshent, ndërkohë që ka futur në fjalorin e tij arkaizma që tashmë nuk ekzistojnë më dhe kanë dalë nga fjalori si „Kosovë e Metohi“. Adoleshent ka qenë edhe Elie Wiesel kur e dërguan në kapin e përqëndrimit në Buchenwald dhe e ka të memorizuar në kujtesën e tij Holokaustin, ndërsa presidenti aktual i Gjermanisë ka lindur në vitin 1940 dhe prapë kërkon ndjesë për Auschwitzin. Dhe jam e bindur se Gjermani edhe pas një shekulli apo një milenari do të vijojë të mbajë përgjegjshmërinë për Shoah sepse vetëm duke kërkuar ndjesë do të çlirohet nga pesha e rëndë e fajit dhe nga ajo e shkuar turpi.
Ndërsa Serbia jo vetëm që nuk kërkon ndjesë tash e 16 vjet pas çlirimit të Kosovës, jo vetëm ka katapultuar në qeverinë e Kosovës një ministër që hiqet të paktën injorant, por më e madhja është se Serbia nuk ka hequr dorë nga pretendimet ndaj sovranitetit territorial dhe pasurive kombëtare të Kosovës, siç është Trepçja apo Brezovica.

Ndërsa Bashkimi Europian hesht. Pasi ka dirigjuar një dialog të dështuar prej katër vitesh midis Kosovës dhe Serbisë, i cili, në vend t’iu ketë shërbyer urave lidhëse të bashkekzistencës paqsore midis dy vendeve fqinj, sipas interesave bilaterale, Bashkimi Europian rri i heshtur ndaj orekseve të Beogradit, të cilat dihet që e kallën në zjarr e flakë ish-Jugosllavinë dhe aktualisht kanë ndezur protestat popullore në Prishtinë.

Kosova ishte viktimë e një konflikti. Po përse trajtohen sot qytetarët e saj të pafajshëm si të kenë qenë një ushtri agresore që ka shkaktuar tragjedi? Përse Kosova nuk integrohet në asnjë institucion Euro-Atlantik? Përse Kosova nuk ka të drejtë të jetë anëtare e NATO-s? Përse shqiptarët e Kosovës janë të vetmit qytetarë të Ballkanit që nuk gëzojnë të drejtën të përfitojnë nga liberalizimi i vizave? Përse shqiptarët e Kosovës trajtohen si qytetarë të dorës të fundit të Europës? Përse Bashkimi Europian toleron një qeverisje e cila sipas statistikave të institucioneve ndërkombëtare rradhitet si një nga më të korruptuarat në rajon? Përse shqiptarët e Kosovës duke qenë kombi më tolerant në Europë për bashkëjetesën fetare vazhdojnë të ndëshkohen nga Bashkimi Europian sepse janë me shumicë myslimane?
A ka shpresa për rininë e Kosovës, ku papunësia këtu arrin 70 %, kur varfëria këtu është e frikëshme, ndërsa është vendi me mesatare moshe më të re në Europë?
Dihet se konvertimi i shqiptarëve në myslimanë ka qenë tepër i vonët. Ai ka ndodhur në kuadrin e sundimit otoman. Por shqiptarët janë Evropianë doc, ashtu si gjermanët, francezët apo italianët. Po si e harron Europa Skënderbeun, i cili ia ndali hovin Sulltan Muratit III dhe birit të tij Sulltan Mehmetit për të pushtuar të gjithë Europën deri në Atlantik.
Më 7 janarin e këtij viti në mes të Parisit dy të rinj francezë me origjinë nga vendet ish-koloni të Francës dhe të besimit myliman kryen një akt terrorist dhe vranë 12 francezë të tjerë, artistë dhe gazetarë, duke shokuar dhe shkaktuar indinjatë të thellë në gjithë Perëndimin.
Pas këtij akti terrorist, elita franceze i bëri pyetjen vetes nëse ka gabuar diku Franca, që të prodhojë një urrejtje të tillë, ku francezët të shndërrohen në kriminelë xhihadistë dhe të vrasin francezë të pafajshëm. Dhe nuk do të vononte kur kryeministri i Francës Manuel Valls do të deklaronte se „në Francë ekziston një aparteid territorial, social, etnik” “Nuk bëhet fjalë të justifikojmë asgjë, por kemi nevojë edhe ta shikojmë realitetin e Atdheut tonë në sy” ka thënë ai.
Por në Kosovë është një realitet shumë më tronditës se në Francë. Sepse Kosova është një Geto në zemër të Europës, Geto e krijuar prej vetë Europës, për faktin e vetëm se popullsia e Kosovës është me shumicë myslimane. Nuk ka arsye tjetër. Shqiptarët e Kosovës paragjykohen, izolohen, ekskomunikohen lihen në mëshirën e fatit dhe atyre nuk u mbetet asgjë për të bërë veç të ikin, dhe ata që mbeten të protestojnë dhe rebelohen.

DUHET NDËRHYRJA E SHBA

Që Kosova të dalë nga Getoja dhe populli të fitojë besimin e humbur tek të gjithë, duhet ndërhyrja e SHBA. S’ka ilaç tjetër. Kështu u ndal spastrimi etnik dhe vrasja e civilëve të pafajshëm në konfliktin e 1999. Me ndërhyrjen e SHBA u ndal edhe kasaphana në Bosnje e cila zgjati pothuaj katër vjet. Po i referohem rishtas Elie Wiesel, dëshmitarit të Holokaustit, si një Ndërgjegje e Pastër e Vlerave të Perëndimit, i cili ndërhyrjen në Kosovë të amerikanëve e ka quajtur me të drejtë si një „luftë morale“. Por morali i asaj lufte ishte që Kosovës t’i hiqej konotacioni shekullor si “Fuçi Baruti”, çka e përjashton absolutisht kthimin e Kosovës në një Geto. Sepse transformimi në Geto ia kthen Kosovës prapë konotacionin e vjetër dhe rajonit ia kthen rishtaz pasigurinë. Po përse NATO bëri luftë atëherë?!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, KOSOVA NJË GETO, NË ZEMËR TË EUROPËS

Misioni i (pa) mundur për hapjen e dosjeve në Shqipëri

January 29, 2015 by dgreca

Nga Arben Muka/
Rindezja e debatit për lustracionin në Shqipëri po komentohet në mënyra të ndryshme. Dy projektligjeve të paraqitura në parlament i është bashkuar dhe një Apel i rreth 100 personaliteteve të njohur europianë.
“Shtëpisë së gjetheve”, një ndërtesë e fillimit të viteve ’30 në qendër të Tiranës, realisht i mungojnë këto ditë gjethet. Jo vetëm sepse jemi në stinën e antigjelbërimit, por dhe nga vendimi më i fundit i autoriteteve zyrtare për ta “nxjerrë në dritë” godinën. Kjo shtëpi misterioze që ka shërbyer për oficerët NS në Luftën e Dytë Botërore dhe për Sigurimin famëkeq të Shtetit në kohën e diktaturës komuniste, ka hyrë në procedurat e shdërrimit në muze, në zbulim të destinacionit dhe funksionimit të saj si një qendër e sofistikuar e përgjimeve, në aplikimin e “çimkave” regjistruese për mendimet dhe gjykimet e atyre që mendonin ndryshe nga infrastruktura e sistemit totalitar. “Shtëpia me gjethe” ishte laboratori dhe baza e të dhënave e regjimit paranojak, përmes të cilave përpunoheshin dhe stiseshin akuza dhe skema monstruoze për ndëshkime, përndjekje, eleminime të kundështarëve politikë dhe ideologjikë. Ministria e Kulturës kërkon që në mes të Tiranës të ndezë një projektor transparence për të shkuarën e errët, duke ju sjellë vizitorëve vendas dhe të huaj copëza nga realiteti i izolimit dhe përçudnimit të vlerave njerëzore.
E vërteta me qartësi, si mundësi shërimi
Ky projekt nuk ka shkaktuar vetëm kërshëri, por dhe ka rikthyer debatin e hershëm mbi hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Në ambjentet e parlamentit janë depozituar dy versione projektligji për mënyrën e hapjes së dosjeve të policisë sekrete. Por së fundmi ka nisur të qarkullojë dhe një peticion në formën e Apelit për parlamentin për hapjen e plotë të dosjeve të diktaturës komuniste, i mbështetur nga një grup prej rreth 100 personalitetesh të shquara nga vendet europiane, shkrimtarë, anëtarë parlamentesh, politikanë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile, medias etj. Shkrimtari dhe publicisti Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, duke prezantuar thelbin e Apelit thekson se mijëra viktima të ekzektuara, qindra mijëra të internuar, të dënuar politikë, familjarë e të afërm, të cilëve iu rrënua jeta, duan drejtësi, nuk duan mëshirë, nuk duan zbukurim të së shkuarës.
“Ata nuk duan ta ndajnë në klasa shoqërinë, e të helmojnë bashkëjetesën siç vepruan përgjegjësit e regjimit komunist. Përkundrazi, kujtimi ndaj tyre duhet të sjellë paqen e brendshme, qëllimi është pajtimi… Viktimat e diktaturës nuk i përkasin asnjë partie, ato janë përmendore kujtimi e të gjithë Shqipërisë. Ka mundësi që leximi i një dosjeje personale mund të ngjajë me dhimbjen e një plage, mund të trondisë, por e vërteta me qartësinë që sjell është një mundësi shërimi”.
Përdorimi i dosjeve nga politika
Dorian Koçi, nëndrejtor i Muzeut Historik Kombëtar, mendon se vonesa për hapjen e dosjeve në Shqipëri është nga shkaku se elita politike që ishte protagoniste e tranzicionit lidhej me shumë fije me të shkuarën. Duke shkuar më tej këtij vlerësimi, ai arsyeton se loja jo e ndershme politike për të qendruar me çdo kusht në pushtet apo në krye të partive të mëdha politike, e shndërroi hapjen e dosjeve në një mekanizëm kontrollues prej nga mund të përfitohej dhe shantazhohej cilido i përfshirë në to. “Të gjithë vendet e ish Lindjes e zgjidhën problemin me të shkuarën që në fillimet e tranzicionit kurse këtu ky problem u hiperbolizua se do të sillte probleme të mëdha në shoqëri. Përdorimi i dosjeve për politikat e çastit u ka mohuar shqiptarëve çastin e tyre historik për t’u ndarë njëherë e mirë me të kaluarën”, thotë Koçi për Deutsche Welle-n.
Në të njëjtën linjë është dhe gazetari Arben Vata, sipas të cilit dosjet nuk janë përdorur prej palëve në skenën politike për të sulmuar kundërshtarët. Madje dhe për t’u mbajtur gojën mbyllur ish-bashkëpunëtorëve të ish Sigurimit famëkeq të diktaturës, thotë ai për Deutsche Welle-n. “Dosjet janë përdorur si mjet i luftës politike dhe mjafton të përmendim këtu komisionet për verifikimin e dosjeve përpara zgjedhjeve në vitet ’96 dhe ‘97. Mendoj se nuk ka pasur asnjëherë seriozitet për çështjen e dosjeve, siç nuk ka pasur seriozitet për shumë levizje e reforma sociale, fatkeqësisht”.
Shkrimtari dhe publicisti Lazër Stani para disa muajsh ishte bashkëideator në ngritjen e muzeut të parë virtual dedikuar jetës së tmerrshme nën diktaturën hoxhiste në Shqipëri, mbi krimet, dënimet, ekzekutimet, persekutimet dhe ferrin e burgjeve dhe vendinternimeve. Sipas tij, përfaqësuesit e popullit dhe politikanët që kanë sunduar në këto 24 vite, asnjëherë nuk shprehën vullnet për t’u ndarë njëherë e mirë nga komunizmi, si një e keqe katastrofike që mbi të gjitha dhunon liritë e individit, poshtëron dhe shkatërron përsonalitetin njerëzor, ushqen urrejtjen në vend të dashurisë, mizorinë në vend të mëshirës, padrejtësinë në vend të drejtësisë. Sundimtarëve të rinj postkomunistë, të të gjithë krahëve, në një farë mënyre, u ka pëlqyer modeli komunist i sundimit, shprehet për Deutsche Welle-n Lazër Stani.
Jo vullnet për transparence të krimeve të komunizmit
“Ky model mbështetej në kriminalizimin e individëve dhe shndërrimin e tyre ne qenie depërsonalizuara, krejtësisht të varura nga makina shtetërore. Mëkatarët e djeshëm, ishin shërbëtorët më të devotshëm të sundimtarëve të rinj, mjafton që mëkatet e tyre të fshiheshin, krimet të mos hetoheshin, po veç të demaskohehsin më fjalë gazetash, e fjalimesh populiste. Ndërkaq zërat e vetmuar të intelektualëve, të përfaqësuesve të shoqërisë civile, por edhe nisma ligjore deputetesh të caktuar, gjithnjë kanë dështuar, sepse vullneti për të bërë transparencën e krimeve të komunizmit dhe hapjen e dosjeve, asnjëherë nuk arriti të shndërrohej në maxhorancë në institucionet vendimmarrëse.”
Stani është skeptik për përpjekjet aktuale në trajtimin e problemit të dosjeve. Pasi, sipas tij, nuk artikulohet ende qartë nëse hapja e dosjeve do të shoqërohet me një dënim të qartë të krimeve të komunizmit dhe me një çlirim të institucioneve të vendit dhe të politikës, nga ata individë që kanë shërbyer në hierarkinë e diktaturës. Kurse gazetari Arben Vata bën asociim me sekuencat e filmit të njohur shqiptar, “Vdekja e kalit”, ku një ish i burgosur politik takon ish persekutorin e tij, njeriun që e denoncoi dhe e futi në burg pa asnjë arsye. Persekutori, tashmë deputet, i thotë të burgosurit të veshur keq që “nëse ke nevoje, ti e di, unë të ndihmoj. Të kaluarës nuk kemi ç’ti bëjmë. Ashtu ishte regjimi…!”.
“Mjaftojnë këto sekuenca dhe lotët e aktorit që luan ish të burgosurin, për të kuptuar lojën që bën politika shqiptare me dosjet. Në gjithë këto vite, dy palët kanë pastruar dosjet e veta ndërsa risjellin në skenë debatin për dosjet sipas interesit të tyre. Sigurisht edhe për të shmangur vëmendjen ndaj problemeve të mëdha të ditës si kriminaliteti, pasiguria e jetës, korrupsioni qeveritar, papunësia, varfëria, etj.”
Nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi shpreson se këtë herë ekziston dëshira dhe vullneti për t’a çuar përpara procesin e hapjes së dosjeve. “Largimi nga politika i një sërë protoganistësh të ndrrimit të pushtetit në fillim të viteve ’90 e bën më të lehtë këtë proces dhe sigurisht duke u bazuar në përvojën më të mirë të vendeve ish komuniste mund të hartohet një ligj që hedh dritë më shumë për të shkuarën, sqaron të tashmen dhe sigurisht i hap udhë së nesërmes”.
Gjermania, shembulli për raportin mes demokracisë me të shkuarën
Duke promovuar projektin e shndërrimit në muze të “Shtëpisë më gjethe”, kryeministri Edi Rama ka përmendur rastin e Gjermanisë në mënyrën se si e ka menaxhuar problemin e dosjeve. Ai ka vlerësuar procesin si një ballafaqim i hapur, i drejtpërdrejtë dhe pa frikë për të shkuarën. “Nëse Gjermania është sot një vend shembull për raportin e vet me demokracinë dhe me të shkuarën dhe nëse Gjermania arriti të bëjë një proces të shkëlqyer transparence në raport me komunizmin, kjo erdhi edhe si rezultat i faktit se Gjermania përbën një shembull unikal në historinë e njerëzimit për mënyrën sesi u përball me fajësinë e Luftës së Dytë Botërore”.
Njëri prej organizatorëve të Apelit për parlamentin shqiptar në lidhje me çështjen e hapjes së dosjeve, ish-deputeti Mark Marku, thotë për Deutsche Welle-n se ligjvënësit në Shqipëri e kanë të kollajtë vendimarrjen. “Nuk ka nevojë për asnjë autorësi shqiptare në hartimin e një ligji të ri, por le të miratohet dhe zbatohet ligji gjerman për lustracionin. Është një gjë e provuar, që ka dhënë rezultat të pakontestueshëm, ndaj thjesht deputetët le të miratojnë atë.”(DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: Arben Muka, hapjen e dosjeve, Misioni i (pa) mundur për, ne Shqiperi

Leksion i hapur –Mesila Doda: Nismë e re për ligjin e hapjes së dosjeve dhe lustracionin

January 29, 2015 by dgreca

Kryetarja e Aleancës së Grave të Shqipërisë dhe deputete e PD-së, Mesila Doda, ka mbajtur një leksion në Albanian University me temë “Ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracioni”.
Në një postim në faqen e saj Facebook, Doda thote se “Shpreha falenderimin tim për peticionin e nënshkruar nga nobelistja Herta Muller, zevendëspresidentja e Parlamentit Europian, Lunacek, deputet të Bundestagut, intelektuale vendas dhe të huaj, që kërkojnë hapjen e dosjeve dhe lustracionin, ashtu siç parashikon ligji që kemi dorëzuar tash dy muaj në Kuvendin e Shqipërise. Një falenderim i vecantë shkon për intelektualet tanë Lindita Arapi, Mark Marku, për punën e jashtëzakonshme që po bejnë në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar dhe suksesin e këtij peticioni”.
“Gjatë takimit shpjegova pasojat që sjell në sistemin e sotëm, në politike, drejtësi, administratë, diplomaci e siguri, mosndarja nga e kaluara politike kriminale. Ende eksponentët e regjimit të se kaluarës po mbajnë peng të ardhmen e vendit. Kjo nisme e re kërkon shmangien nga vendimmarrja të gjithë elementëve të krimit të djeshëm dhe të sotëm që vazhdojnë të mbajnë peng shoqërine shqiptare. Eksponentët e regjimit, spiunët, persekutorët, kriminelet, duhet të jenë jashtë politikës, jashte drejtësisë, jashtë administratës dhe diplomacisë”, thekson Doda.

Filed Under: Politike Tagged With: dhe lustracionin, Leksion i hapur, Mesila doda, Nismë e re për ligjin e hapjes së dosjeve

Basha: Përfshirja e efektivit te FA në trafikun e drogës, njollos MB dhe Shqipërinë

January 29, 2015 by dgreca

TIRANË, 29 Janar/Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka konsideruar përfshirjen e efektivit të Forcave të Arnmatosura në skandalin e drogës në Spanje, si një skandal të përsëritur dhe si njëllosje e rëndë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shqipërisë në arenen ndërkombëtare.
Kryetari i PD-së, Basha, nëpërmjet statusit të social Facebook sot, shprehet se “Përfshirja e efektivit te FA në trafikun ndërkombëtar të drogës, ashtu si avionët e drogës një vit më parë në aeroportin ushtarak të Gjadrit, njollosin rëndë emrin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Paaftesia për të zbuluar trafikun në zemër të vendit dhe të institucioneve, tradheton syshkeljen qeveritare ndaj narkotrafikut”.
“Këto fakte dhe pasioni për emerimin e bosëve të krimit dhe drogës në parlament, qeveri dhe administraten publike, janë këmbanat e përballjes me kriminalizimin e shtetit shqiptar. Kjo është fytyra e të keqes, që të gjithë së bashku duhet ta shkulim me rrënjë”, mbyll Basha postimin e tij.

Filed Under: Politike Tagged With: Basha, helikopteri i droges

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 68
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT