TIRANË, 28 Shkurt/- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nisi sot një tur takimesh me qytetarët e Lezhës, Shënkollit e Zadrimës.
Basha tha se oferta dhe projekti politik i demokratëve për zgjedhjet që po vijnë, do të dalë pikërisht nga bashkëbisedimi me qytetarët.
“Kam nisur sot nga Lezha turin politik të radhës në Shqipëri për t’u takuar e ritakuar me njerëzit, për t’i pyetur, për t’i dëgjuar, për të prekur, njohur e vlerësuar sa më mirë dhe sa më drejt gjendjen ekonomike dhe shoqërore të vendit”, tha ai.
Sipas Kryetarit të PD-së, “ky tur shërben për të kolauduar sa më saktë misionin dhe pozicionin aktiv si opozitë, për të shkëmbyer mendime, qëndrime dhe zgjidhje”.
Basha u shpreh se e vërteta e qeverisjes në vend është krejt tjetër nga ajo që propagandon qeveria. Sipas tij “pakënaqësia ndaj qeverisjes dhe revolta ndaj saj, janë realiteti që preket kudo në Shqipëri.
Të revoltuar me qeverinë, sipas Bshës, janë familjet në nevojë që kërkojnë të mbijetojnë në sistemin e taksave dhe tarifave të ngritura, të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, të rritjes së çmimit të ilaçeve, të mbylljes së vendeve të punës dhe të mungesës së investimeve që prodhojnë punë dhe zhvillim.
“Të pakënaqur janë qytetarët e lirë, sipërmarrësit e lirë, intelektualët me integritet që nuk kanë probleme me bukën e gojës, por ndihen të fyer e të poshtëruar me një qeveri që i ka vënë kryqin trasparencës dhe llogaridhënies”, u shpreh Basha.
Kreu i opozitës shtoi se, “po t’i bëjmë bashkë të dyja këto fasha të mëdha shoqërore do të shohim se paraktikisht është shumica dërrmuese e qytetarëve të pakënaqur me qeverinë”.
Por opozita nuk do të mjaftohet me denoncimin e së keqes. Kryetari i Partisë Demokratike u angazhua për platformë, për zgjidhje konkrete, për uljen e çmimit të energjisë, uljen e taksave, krijimin e vendeve të punës, dëmshpërblimin e shtëpive të prishura në kundërshtim me ligjin, me fondet që do krijohen nga sekuestrimi i pasurive të paligjshme të qeveritarëve.
“Alternativa jonë është punësimi dhe zhvillimi. Ne jemi partia e taksave të ulta dhe inisiativës së lirë. Ne do të rrisim ndjeshëm investimet për bujqësinë dhe blegtorinë, trasportin ujor, peshkimin dhe industrinë e peshkut, do të rrisim investimet për turizmin”, tha Basha.
Archives for February 2015
Moskë- Vritet lideri i opozitës ruse, Boris Nemtsov
Boris Nemtsov , një politikan i njohur rus dhe ish-kryeministër, është vrarë në Moskë, vetëm pak metra prej Kremlinit, dy ditë para një proteste të planifikuar kundër Qeverisë së presidentit Vladimit Putin.
Ministria ruse e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se Nemtsov është vrarë në urën “Bolshoi Moskvoretsky”, afër Kremlinit, orët e vona të së premtes.
Banorët e kryeqytetit rus i janë drejtuar vendit ku u vra Nemtsov, duke vënë lule në vendin që tani duket si një memorial i improvizuar për liderin opozitar.
Ky rast ka kujtuar vrasjen e gazetares së njohur ruse, Anna Politkovskaya, e cila u vra në Moskë, natën kur Putini e kishte ditëlindjen, më 2006.
Vrasja e Nemtsovit, i shtohet listës çdo herë në rritje të aktivistëve, gazetarëve dhe politikanëve që e sfidojnë Kremlinin që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Putin, gjithashtu e ka dënuar vrasjen e Nemtsovit.
Sipas zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, Putini ka thënë “vrasja e tmerrshme” i ka “të gjitha shenjat e një vrasjeje të kontraktuar”, ndërsa rastin e ka quajtur provokim.
Kjo lë të kuptohet se pushteti rus mendon që Nemtsov u vra që të njolloset reputacioni i qeverisë.
Nemtsov, 55 vjeç, ka qenë kritik i ashpër i Putinit, duke e akuzuar qeverinë për mungesë efikasitetit, korrupsion dhe politikat e Kremlinit në Ukrainë.
Ai ishte në përgatitje të një dokumenti që përmbante dëshmi që e verifikonin përfshirjen e drejtpërdrejt të Rusisë në zonën e kontrolluar nga rebelët pro-rusë në Ukrainën lindore.
Ukraina dhe perëndimi e akuzojnë Putinin se qëndron prapa luftës në pjesën lindore të Ukrainës, një akuzë që Rusia e hedh poshtë.
Avokati i Nemtsovit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ai ishte viktimë e regjimit politik të Rusisë, pavarësisht se kush ka shtënë në të.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Yelena Aleseyeva, ka thënë para mediave se Nemtsov ishte duke ecur rrugës me një femër, kur një veturë i afrohet dhe qëllon me armë zjarri duke e vrarë atë.
Ai është goditur me katër plumba në shpinë, ndërsa femra që e shoqëronte atë nuk është lënduar.
Ndërkaq zëdhënësi i Komisionit rus të Hetimit, Vladimir Markin, ka deklaruar të shtunën në Moskë se janë disa pista hetimi, përmes së cilave ata po e hetojnë vrasjen e Boris Nemtsovit.
“Momentalisht, ne po hetojmë disa mundësi. Para së gjithash, po e hetojmë mundësinë që kjo vrasje të jetë bërë me qëllim të provokimit të destabilizimit të situatës politike në Rusi. Dhe, Nemtsovi, mund të jetë bërë viktimë sakrifikuese për ata që nuk do të ndalen derisa të përdorin çfarëdo metode për të arritur qëllimet e tyre”, ka deklaruar Vladimir Markin.
Boris Nemtsov, dikur shihej si trashëgimtar i presidentit të parë të epokës pas sovjetike Boris Yeltsin.
Ai kishte shërbyer si zëvendëskryeministër në kohën e mandatit të fundit të ish- presidentit Yeltsin.
Pas angazhimit si shkencëtar në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, Nemtsov është bërë i njohur si guvernator i rajonit të Nizhny Novgorodit, në pjesën qendrore të Rusisë, ndërsa më pas u bë zëvendëskryeministër në pjesën e dytë të viteve ‘90-të.
Ai ka braktisur Dumën, Dhomën e ultë të Parlamentit rus, në vitin 2003, ndërsaka udhëhequr shumë parti dhe grupe opozitare, e fundit ishte Partia Republikane e Rusisë.
Ai, gjithashtu, ka shkruar raporte rreth korrupsionit në Rusi nën udhëheqjen e Putinit.
Më 2013, ai ka thënë se deri në 30 miliardë dollarë nga 50 miliardë, sa ishin ndarë për Lojërat Olimpike në Soçi, janë zhdukur.
Kremlini i ka hedhur poshtë këto akuza.
Nemtsov i ka thënë portalit rus, Sobesednik se “jam i frikësuar se Putini do të më vrasë”.
Ndërkaq, në intervistën e fundit dhënë Radios Evropa e Lirë, ai kishte thënë rusët duhet ta çlirojnë vendin e tyre nga Putini:
“Për mua këto janë sinonime absolute – Putini, kriza, lufta. Dhe, ajo që ne po e bëjmë gati tash është lëvizja më e rëndësishme me qëllim çlirimin e Rusisë nga Putini. Ne duhet ta çlirojmë Rusinë nga Putini sepse nëse nuk e bëjmë këtë, ne do të bëhemi një vend i të varfërve, ne do të jemi të varfër, ne do të kemi krizë që do të zgjasë me vite të tëra”, kishte deklaruar kohë më parë Nemtsov.
Ndërkaq, në një blog të publikuar nga Radio Liberale “Echo Moskvy”, disa orë para se të vritet, Nemtsov iu ka bërë thirrje banorëve të kryeqytetit rus që të marrin pjesë në marshin opozitar “kundër agresionit të Putinit në Ukrainë”, i paraparë të mbahet më 1 mars.
Protesta e paraparë për atë ditë, tash është vendosur të kthehet në një protestë në qendër të Moskës, që e ka për qëllim të kujtojë veprën e Nemtsovit.
Presidenti amerikan, Barack Obama, përmes një deklarate ka thënë se SHBA-ja e dënon vrasjen brutale të Boris Nemtsovit.
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë, gjithashtu, i ka bërë thirrje qeverisë ruse që të realizojë një “hetim të shpejtë, të pandikuar dhe transparent” dhe të “sigurohet që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë”.
Deklarata e ngushëllon familjen e Nemtsovit, dhe popullin rus që e kanë humbur “një nga mbrojtësit më të dedikuar dhe elokuent të të drejtave të tyre”.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, përmes një deklarata tjetër ka thënë se Nemtsov, “ ia kishte përkushtuar jetën e tij për arritjen e një Rusie të hapur, më prosperuese dhe më demokratike”. (a.haraçia)
Incidentet që tensionojnë veriun
Shpërthimi, i cili ka ndodhur të shtunën në Mitrovicën Veriore, pak pas orës 6 të mëngjesit, ka rezultuar me dëme materiale, por pa pasoja fizike në njerëz.
Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë theksuar se shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një granatë dore.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se menjëherë pas shpërthimit, zyrtarët e policisë dhe ekipet e dominimit kanë dalë në vend të ngjarjes.
“Rreth orës 6 e 10, në rrugën ‘Mbreti Pjetër’ në Mitrovicë, ka ndodhur një shpërthim. Dyshohet të ketë qenë një granatë dore, me ç’rast janë dëmtuar 9 automjete dhe 11 lokale. Aty vërehen dëme të mëdha materiale, por nuk ka të lënduar në njerëz. Rasti është klasifikuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Të gjitha njësitet relevante policore, si dhe ekipet e deminimit kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Hoxha.
Hoxha ka shtuar se Policia e Kosovës po i zhvillon procedurat hetimore për zbardhjen e rastit, i cili është vlerësuar “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, në muajt e fundit, në Mitrovicën e veriut nuk ishin shënuar shpërthime. Por, shpërthimi i së shtunës, ka nxitur reagimin e njohësve të rrethanave të sigurisë në vend.
Naim Maloku, ekspert për çështje të sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se incidenti i fundit në Mitrovicën e Veriut, nuk është befasues, madje as rezultati i incidentit, i cili, ka kaluar pa pasoja fatale për njerëz.
Sipas tij, e gjithë kjo është në vazhdën e atyre angazhimeve dhe përpjekjeve destruktive të palës serbe që ta mbajnë në tension situatën në veri.
“Është e ditur se janë shërbimet sekrete që e mbajnë të tensionuar situatën atje. Pala serbe është aty. Atë e dinë të gjithë, edhe faktori ndërkombëtar. Edhe ne e dimë, por edhe ata e dinë që ne e dimë. Asgjë këtu nuk është e re. Pra, mbahet situata e tensionuar aty. Ose, e kanë instrumentalizuar ndonjë grup radikal atje që përmes tij e mbajnë situatën e tensionuar atje”, thotë Maloku.
Maloku shton se të gjitha këto janë porosi se kinse nuk është bërë zgjidhja në veriun e Kosovës dhe se ata kërkojnë zgjidhje deri në përmbushjen e kërkesave maksimale që kanë serbët e veriut të Kosovës dhe vetë Serbia.
“Këto janë veprime shtyse për ta prurë dialogun në atë përfundim që Asociacioni i komunave serbe të marrë kompetenca ekzekutive dhe të krijohet ajo ‘mini-Republika Serbe’ në territorin e Kosovës. Ndoshta, me më pak kompetenca se sa që i ka ‘Republika Serbe’, por në njëfarë formë ta krijojnë ata një shtet brenda Kosovës”, thekson Maloku.
Ndryshe, shpërthimi i së shtunës në Mitrovicën e veriut ka ndodhur para një lokali afarist, me ç’rast janë dëmtuar edhe xhamat e veturave dhe banesave në afërsi. Tash për tash, sipas zyrtarëve të policisë, ende nuk ka persona të dyshuar dhe nuk dihen motivet e shpërthimit në Mitrovicën e veriut.(Kortezi: Bekim Bislimi)
PO DOSJET E GJYQEVE A DO HAPEN NDONJËHERË?
Nga Abdurahim Ashiku-Athinë/
“Unë e dua Platonin, por më shumë dua të vërtetën”. Kjo urtësi ka udhëtuar mijëra vjet pa u ndryshuar, pa shtuar apo pakësuar gjë.
Unë e dua Presidentin, Kryeministrin, edhe pse tash nëntëmbëdhjetë vjet nuk kam votuar. Ata, dua apo s’dua unë, janë drejtuesit e vendit tim, Shqipërisë që e dua mbi gjithçka. Por më shumë se ata unë dua të vërtetën.
Presidenti i vendit tim doli në fillimjavë me zë dhe figurë dhe kërkoi që në 25 vjetorin e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës të bëheshin një sërë veprimtarish në dënim të diktaturës.
Jam me të. Le të hapen dosjet për të gjithë dhe le të bëhet një gjykim popullor për “pastrim shpirtrash” dhe një gjykim penal për të gjithë ata që kanë bërë krime.
Flitet për dosjet e Sigurimit të Shtetit por nuk flitet për DOSJET E GJYQEVE TË SHTETIT.
Këta të fundit, në hetime dhe në gjykime, janë cekur dhe bërë publikë në shkrime gazetash e në emisione televizive vetëm (mbase gaboj) për anëtarë të byrosë politike dhe ushtarakë të lartë që ranë ndesh me diktatorin dhe u pushkatuan, u burgosën apo internuan. Dhe këta (mbase përsëri gaboj) janë nxitur më tepër nga pasardhës të tyre që diktatura ua preu rrugën e jetës luksoze që bënin në prehrin e prindërve të tyre e që, majtas apo djathtas, morën ofiqe zyrtare deri në deputetë e ministra.
Presidenti i Republikës, vazhdon të flasë për mos dekretimin e Visar Zhitit si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vatikan duke mos dhënë asnjë arsye të pranueshme. Ai vazhdon të ngulë këmbë si “mushka në pasarelë” me sloganin “Nuk më kanë pyetur!!!” duke hedhur një mjegull të dendur për të kaluarën e personit.
Në nomenklaturën e lartë shtetërore e veçanërisht në atë gjyqësore, ka një numër jo të vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh që kanë vënë firmat dhe kanë dënuar njerëz nga me shumë vite burgim deri në vdekje e varje publike.
Për ta, për gjyqet e bëra, për dënimet e dhëna, për etikën e qëndrimit të tyre në gjyqësor dhe prokurori, nuk kemi dëgjuar, parë e lexuar për hapjen e dosjeve të gjykimeve të tyre.
Presidenti ynë në fillimjavë tha se… “Do t’i sugjeroja Parlamentit shqiptar që me ligj të veçantë të kishim një datë, një ditë, e cila të ishte dita e përkujtimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Kjo datë mund të ishte në diskutim, padyshim, në Parlament, por dhe me grupe të tjera të interesit. Mund të ishte fare mirë dita e ekzekutimit të 22 intelektualëve më 27 shkurt 1951, pas të ashtuquajturës ‘bombë në Ambasadën sovjetike’, ku 22 intelektualë pa proces hetimor, pa proces gjyqësor, me një vendim partie u seleksionuan dhe u ekzekutuan me një plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë të përbashkët. Por, mund të jenë dhe data të tjera në kalvarin e gjatë të krimeve të komunizmit: mund të jetë dita e varjes së poetit Havzi Nela, por kjo do të jetë një çështje, e cila duhet të diskutohet nga Parlamenti dhe nga grupet e interesit, të ish-të përndjekurve politikë, të shoqatave të ndryshme të Shoqërisë Civile.
Në se për ekzekutimin e “22 intelektualëve më 27 shkurt 1951, pas të ashtuquajturës ‘bombë në Ambasadën sovjetike’, ku 22 intelektualë pa proces hetimor, pa proces gjyqësor, me një vendim partie u seleksionuan dhe u ekzekutuan me një plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë të përbashkët” biem dakord me Presidentin, për Havzi Nelën, ka një proces gjyqësor, ka gjykatës që janë gjallë (madje në sistemin gjyqësor apo politik më të lartë), ka edhe dëshmitarë në procesin e gjykimit dhe dënimit me varje publike.
Që personi në fjalë (apo kushdo tjetër) të kishte emër të përveçëm në “një datë, një ditë, e cila të ishte dita e përkujtimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri” duhet të hapet dosja e gjykimit të tij, të thirren dëshmitarët e gjyqit për të përgënjeshtruar publikisht ato që kanë thënë dhe të shpallet i pafajshëm ligjërisht. Nuk e di në se këtë gjë do ta bëjë polici që mori plumb në kokë e siç deklaronte disa vite më parë nga Fajzat e Kukësit në mjetet e komunikimit masiv: “Buka e dhënë ma shpëtoi jetën”…
Nuk është vetëm rasti i “një date, një dite… por rastet “ditë për ditë” të lidhjes së dëshmitarëve të rremë me “karrige në pushtet”, rastet e lidhjes së gjykatësve dhe prokurorëve keqpërdorësh të ligjit me “karrige në gjyqësor” që ka kohë që i bëjnë karshillëk shoqërisë.
Hapja e dosjeve të gjyqeve të diktaturës (besoj më të paprekura se dosjet e sigurimit) është hap i madh i pastrimit të shtetit dhe të shoqërisë, i frymëmarrjes me oksigjen të plotë i demokracisë në Shqipëri.
Le ta bëjmë pa hezitim edhe këtë.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 25 shkurt 2015
Akademikë dhe intelektualë, mos flini…!
Nga Faik KRASNIQI/
Shumë intelektualë në gjithë botën janë vlerësuar vite më vonë pas vdekjes së tyre, pasi në atë kohë që jetonin, nuk i donte njeri vetëm për faktin se udhëheqësi i vendit i ka shpallur “armik të popullit” apo nuk ka pëlqyer çfarë shkruante. Shumë prej tyre u duheshe të shkruanin në gjuhë ”sekrete” (si them unë), duke shkruajtur fabula apo historira me kafshë apo diçka tjetër që simbolizonte atë që donin të thonin.
Pra, çfarë quanin të këqinj më parë, i quajnë intelektualë sot, e kush e di se cilët prej njerëzve që quajmë budallenj sot, do quhen intelektualë vite më vonë nga fëmijët tanë.
……
Ne shqiptarët kemi një nevojë shumë të ngutshme për një doracak nocionor e kuptimor, në të cilin në formë më të zgjeruar do të sqaroheshin kuptimet që bartin në vete fjalët: intelektual, intelektual i pavarur, profesionistë etj. dhe secilit nocion do t’i bashkëngjitej edhe ndonjë emër nga personalitete përkatëse ndërkombëtare dhe personalitete shqiptarësh. Intelektualët janë krenaria e një kombi, shpresa e tij për një të ardhme sa më të ndritur. Fatkeqësisht shumë nga këta u detyruan të largohen nga atdheu dhe të vënë dijet, inteligjencën,.zotësinë e tyre në shërbim të vendeve ku jetojnë.
……
Në Kosovë ka vdekur intelektualizmi. Kosova nuk ka më intelektualë të mirëfilltë! Në Kosovë ka vetëm intelektualë mercenarë që punojnë për interesa të partive dhe grupeve të caktuara! Psh: Akademia e Shkencave të Kosovës, kurrë nuk del me një qëndrim zyrtar për çështjet madhore të Kosovës, për ta orientuar për së mbari shtetin, e sidomos tash që jemi në një gjendje shumë të rëndë. Shtrohet pyetja: çfarë na duhen atëherë këta të ashtuquajtur akademikë, kur nuk bëjnë asgjë për interesin e Kosovës, se tek e fundit për atë punë paguhen, apo rrinë aty që të marrin nga 2000-3000 euro rroga në muaj e beneficione të tjera! Akademikë dhe intelektualë, mos fleni, por zgjohuni nga gjumi i arushave dhe punoni për të mirën e vendit!
- 1
- 2
- 3
- …
- 70
- Next Page »