• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

TRYEZE NDERFETARE NE STATEN ISLAND, NY

March 19, 2015 by dgreca

*Qendra Shqiptare Kulturore Islame, në Staten Island shënojë përvjetorin e 13-të, Ditët e Komunitetit -” me një tubim ndërfetar/
* Tryezë ndërfetare : “Mirësia dhe partneriteti mes të gjitha besimeve fetare”, në Nju Jork”/
Nga Beqir SINA – New York/
STATEN ISLAND NY: Qendra Shqiptare Kulturore Islame, në Staten Island – priti dje në përvjetorin e 13-të, “Ditët e Komunitetit” -“13th annual Community Days”, me një mëngjes pune, të gjithë liderit fetar të komuniteteve fetare të ishullit, si dhe disa përfaqësues të zyrtarëve të lartë të Shtetit, Qytetit, Policisë dhe Sigurisë Kombëtare.
Ky aktivitet, që tashmë, është bërë tradicional, u mbajt në Qendrën Shqiptare Kulturore Islame, në Staten Island, duke mbledhur së bashku në formë “Tryeze të rrumbullakët” – “Roundtable”, anëtarët dhe udhëheqës të ndryshëm fetarë të të gjitha komuniteteve fetare në Staten Island – për të planifikuar mënyrat më të mira për të shërbyer qytetit të Staten Island – në Nju Jork, me bashkëjetesën ndërfetare.
Ky aktivitet ndërfetar vazhdon të mbahet në ishullin njujorkez, Staten Island, për 13 vjet, me klerikët nga Sinagogat, Kishat, Tempujt dhe Xhamitë me kryesore të qytetit.
Këtë vit pjesëmarrës ishin : Rev Bob dhe Maria Hansen, nga Kisha evangjelike “Amazing Grace Church”, Dr Ram Nair nga Tempulli “Hindu Temple”, Rabbi Sussman, nga Sinagoga ” Mona Zaloom Building Bridges”, At Liami O’Doherty, nga Kisha Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë”, Imam Dr. Zurkani Vardar,, Ferid Bedrolli , Dr. Tahir Kukaj, nga qendra shqiptare islame AICC, dhe, nga Këshilli i Kishave të qytetit Staten Island, Rev. Janet Jones, dhe Rev. Terry Troia,
Në mesin e pjesmarrësve, edhe disa oficerë të lart të policisë së qytetit, dhe nga Department of Homeland Security, Washington DC – Dr. Erroll G. Southers, DPPD (Universiteti i Kalifornisë Jugore) dhe z Ehsan Zaffar, nga Department of Homeland Security, Washington DC.
Si dhe, zyrtarë të lart të Nju Jorkut, përfaqësuar nga përfaqësuesit e tyre, Guvernatori A. Cuomo u përfaqësua nga z. Andrew Crowford, Kryetari i Bashkisë, DeBlasion u përfaqësua nga z. Charles Fall, Kontrollori i Qytetit Scott Stringer u përfaqësua nga z. Kevin Alkins, Assemblyman M. Cusick përfaqësuar nga Gentiana Ame , Drejtori i Komisionit Ezekutiv për të Drejtat e Njeriut, Alexander Korkhov. Shefi i Policisë Edward Delatorre, , Inspektori i Policisë Thomas H. Delahanty, Komandant i Operacioneve të Policisë, Lt. Tania Kinsella dhe Lt. Raffet Awad nga Community Outreach Staten Island.
Me këtë rast, duke i u uruar mirëseardhjen dhe përshëndetur pjesëmarrësit, Dr. Tahir Kukaj, zëvendës President i Qendrës Kulturore Islame Shqiptare, ka hapur veprimtarinë.
“Ky takim është vjetor, dhe daton qysh 13 vite më parë, duke pasur për qëllim krijimin e urave të bashkpunimit dhe mirëkuptimit, në mesin e komuniteteve ndërfetare, tha Dr. Kukaj, dhe shtoi se Qendra Islame Kulturore Shqiptare, është një prej qëndrave themeluese të kësaj organizate ndërfetare në ishullin e Staten Island në Nju Jork”.
Pas diskutimit të temave të ndryshme, liderit fetar bën prezentimin e projekteve humanitare, që secila qendër fetare e civile do t’i ofroj qytetit të Staten Island për vitin 2015. Ndërkohë, duke folur për historikun e ” Community Days ” oratorët vunë në pah rëndësinë e punës së kësaj organizate, frutat dhe mundin, përpjekjet e liderve fetarë dhe civile në përmirësimin e marrëdhënieve në mesin e komuniteteve të ndryshme në ishullin Staten Island.
Duke marrë fjalën përfaqësuesit e Department of Homeland Security, vlerësuan shumë këtë punë, saqë u shprehën se:” kjo veprimtari vejtore, do të prezentohet tek qarqet më të larta të Administratës në Uashington, me qëllim përhapjen e saj – që të inkurajojmë këtë shpirt mirëkuptimi e bashkëpunimi në të gjithë SHBA”.
Në konkluzion, organizatorët thanë se kjo veprimtari vjetore, ka për qëllim që të inkurajojë qendrat të tjera kudo që të bashkpunojnë dhe të krijojnë atmosferë, mirësie dhe partneriteti mes të gjitha besimeve fetare në Nju Jork.
Pritia në përvjetorin e 13-të, Ditët e Komunitetit -“13th annual Community Days” me një mëngjes pune – tryezë e rrumbullakët, nga të gjitha komunitetet fetare të ishullit, si dhe disa zyrtarët e lartë të policisë dhe Sigurisë Kombëtare, u mbyll me një lutje fetare, e kryer nga At Liam O’Doherty.
Kurse, në fund vlen të theksohet se Qendra Kulturore Islame Shqiptare, e cila është organizuese e kësaj veprimtarie që nga themelimi i saj, si dhe i tubimeve të tjera që kan për qëllim ndërtimin e urave të bashkpunimit dhe mirëkuptimit, dallohet në mesin e qendrave fetare .
Në të njëjtën kohë AICC, thotë se me këto aktivitete ndërfetare në Nju Jork, ajo po promovon vlerat tona kombëtare dhe fetare. “Me krenari e deklarojm, thanë udhëheqësit e kësaj qendre, se Populli shqiptar është unik në botë për shumë gjëra e në mënyrë të veçant për tolerancë dhe mirëkuptimin fetare gjatë shekujve. Ne jemi pupolli i vetëm në Europë që asnjëherë nuk kemi pas ndër vete luftëra fetare”.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, NY, TRYEZE NDERFETARE NE STATEN ISLAND

VETVRASJA E NJE KOMBI

March 18, 2015 by dgreca

Mbi librin e KOL BIB MIRAKAJT “VETVRASJA E NJE KOMBI”/
Nga Lekë Tasi/
Librat e autoreve te veçantë , qofshin kujime apo monografi, janë burimet më të vlefshme pranë dokumenteve per te shkruar historine e 70 viteve te fundit. Sidomos memuaret kanë pulsin e jetës, dhe sa për subjektivizmin që shumë shpesh lehtëson përgjegjësitë e veta dhe rrit ato të kundërshtarëve, i bie lexuesit të gjykojë për seriozitetin /sinqeritetin e shkruesit , veçanërisht kur ka dijeni të hollësishme të lëndës së trajtuar në to (regjimin komunist dhe personazheve që lojtën rol pro dhe kundër tij). Deri dje kjo ishte e pamundur nga mangësia dhe njëanshmëria e dëshmive; (konkretisht tek librat veteranëve ish partizanë: sado pak të vërteta jo-partiake të përmbanin dorëshkrimet e tyre, e drejta e botimit do tu hiqej në çast; shembull kujtimet që nisi Myslim Peza dhe u prenë me një shenjë të kokës që bëri Enveri.. Për këto arsye e kam pritur me shumë dëshirë e kureshtje librin e Kol Bib Mirakajt, të shkruar në 1951 dhe të botuar më 2014.
Libri evidenton në mënyrë të paekuivokueshme pikësëpari vetite e autorit : burrninë, atdhedashurinë dhe aftësinë e rrallë për të thënë fjalën e duhur aty për aty, dhe cilitdo qoftë, dhe mbi të gjitha largpamjen. Eshtë e habitshme por jo e pakuptueshme që ndër politikanët nacionalistë, ata më të demonizuarit gjat komunizmit, i pari Ernest Koliqi dhe pas tij Mustafa Kruja prej kohësh po dalin në media si njerëz të shquar dhe patriotë ( këtë famë të merituar të tyre e lejoka gradualisht fryma e dekomunistizimit me pikatore, që mbizotëron tek akademikët. Janë ata autoriteti shkencor që i rekomandon autoritetit shtetnor “këtë po, atë jo” , dhe në këtë shkallzim rehabilitues është lejuar të hyjë edhe Mit`hat Frashëri , sigurisht falë pacifizmit të tij që ua lehtësoi punën komunistëve, po edhe kuislingët Lef Nosi e Pater Anton Harapi, për personalitetin dhe kontributete e tyre të shquara patriotiko-kulturore, kurse për Mirakajn dhe figurat e tjera vendosmërisht antikomuniste si Xhafer Deva e Mark Gjonmarkaj -asnjë lëshim. Kjo është plotsisht e kuptueshme për kushtet tona të amullta. Kol Bib Mirakaj, meqë për Xhafer Devën folëm mëparë, paraqitet vetëm si politikan dhe më von si ushtarak ,rastisi që në një farë momenti t`i ngarkohej barra formale e partisë fashiste , e cila nuk pati jetë të gjatë, u shkri me rastin më të parë, nga vetë krerët e saj shqiptarë. Por “faji” kulmor i tij që i kushton mënjanimin sot për sot, është vendosmëria për të luftuar me armë ndërhyrjen e fqinjit tonë verior, me të cilin partizanët tanë ishin në marrëdhënie vartësie të plotë. Kur lexon librin e tij me titullin nga më të gjeturit “Vetvrasja e një Kombi”, kupton largpamësinë dhe energjinë e autorit, krahasuar me qullsinë skandaloze të shumicës së nacionalistëve, që deri vonë shpresonin në korrigjimin e NCl të drejtuar nga PKJ (…) Vendosmëria antijugosllave e veriorëve, ka shkaqe të njohura historike të kësaj pjese, të lakmuar dhe të masakruar herëpas here prej ushtrive serbe, por nuk është kuptuar njësoj nga të gjithë nacionalistët jugorë , dhe ç`është më e keqja, u përballua me një inkoshjencë politike që i detyrohej rivalitetit meskin të shumë krerëve, meskinitet që na karakterizon akoma sot. Edhe sot shfrytzohet një hollësi e parëndësishme siç është ajo e fashizmit (dhe harrohet që mbështetja tek i huaji ka qënë një tipar i vazhdueshëm , i pandërprerë politik shqiptar siç ish katandisur ai nga pushtimi shekullor (Lidhja e Pirzrenit, orvatja për autonomi nën Turqi më von, Esati nëshërbim serb,grek,francez,italian, marrëveshja Pashiç-Zog, traktatet Zog-Itali, ai Mugosha-Popoviç-Hoxha, i këtij të fundit me Bs,Kinën, Pakti Neubacher-Mehdi Frashëri, R. Alia që i dorëzohet tinëzi paktit BS- ShBA për të shpëtuar klikën e tij, Misioni Pelikan si “kurorëzim” i mllefit për humbjen e pushtetit. Ky nënshtrim vullnetit të huaj kur nuk arrijmë të mposhtim me fund rivalin e brëndshëm vazhdon sot e gjithë ditën por pa vënë mend; e tregojnë konfliktet pa dinjitet , kur gjyqin e kërkojmë në Evropë , dhe vendimin e saj nuk ia respektojmë, duke detyruar kështu diplomatët e saj të braktisin të neveritur llozhat e parlamentit .
Cdo veprim dypalësh nga këto që numuruam më lart me faktorët e huaj mund të gjykohet vetëm nga rezultatet praktike. E pra, asnjë prej periudhave respektive, duam s`duam, s`mund të barazohet me atë që quhet “koha e Italisë” ( : bashkim me tokat shqiptare përtej kufirit të 1913-ës, arsim kombëtar në ato zona, Institut i studimeve shqiptare, lulzim i tregut, i qytetërimit, i horizontit, i botimeve, rikonfigurim europian i qyteteve tona ), dhe sa për të shumëpërfolurën “vënie të figurave politike në shërbim të okupatorit”, kjo ësht një gënjeshtër e madhe e historiografisë komuniste; fakti është e kundërta, që pushtimi fashist u bë pabesisht e në padijeninë e tyre, kështu që politika filo-italiane e mëparshme e disave prej atyre personaliteteve doli shpëtimtare, sepse shmangu marrjen e karieristëve në shërbim nga fashizmi ( të cilët E. Hoxha i vuri në krye të shtetit në 1946) , dhe kështu patriotët që sot pranohen me zemër tëthyer nga elita 45vje^are si personalitete, M.Kruja,E.Koliqi, e shumë të tjerë shfrytzuan lidhjet dhe prestigjin e tyre për t`i prurë atdheut shërbimet e jashtzakonshme që përmendëm, ndër to rivendosjen shumë shpejt edhe të dinjitetit të flamurit. Këto u bënë duke e shtrënguar Italinë, sepse ata ditën të përfitonin edhe nga konjukturat e luftës. Kush tjetër e ka mundur të bëjë një gjë të tillë në kushte analoge?

Mosnjohja deri sot i shërbimeve të K.B. Mirakajt si atdhetar dhe parashikuesi më i qartë për strategjinë antikomuniste, por edhe si mbrojtës i palodhur uniteti në vend dhe në emigracionin e brejtur nga agjenturat dhe nga mediokriteti i krerëve me gjithë pasonjës, ka të bëjë sigurisht me dizinformimin themelor të deritashëm që do të mbajë edhe ca kohë. Historiografia zyrtare duhet më parë të ndërrojë shenjën algjebrike me të cilën vlerson atdhedashurinë. Opinioni publik që e ka vetdijën çfarë fshihet realisht në këtë tranzicion, megjithse ende i pakët, i di mirë arsyet, dhe nuk mund të presi që mbetja komuniste në ndërgjegjen e historianëve të deklarojë se lufta gjer në ekstrem ve^anërisht i Veriut (Mark Gjonmarkaj, Kol Bib Mirakaj, Jup Kazazi , Maliq Bushati , Abaz Kupi, Halil Alia, Muharrem Bajraktari , Vëllezërit Kryeziu , Xhafer Deva me shokë në Kosovë, dhe më tej desantët në gjithë territorin, qindra djem që shkuan drejt vdekjes me vetmohim ) kanë qënë patriotizmi i vërtetë shqiptar, ai që na nderon në kontekst Europianolindor në dhjetvjeçarin e parë të Luftës së Ftohtë. Ata e kanë të sigurtë rrugën drejt Panteonit tonë. Por si duket ne duhet të presim akoma, që vendin e pesë djemve të Vigut dhe të shumë pjedestaleve të tjera, ta zënë përmendoret e Postribës e Malsis së Madhe , i Mark Gjonmarkajt, i Preng Calit, i Alush Lleshanakut e me rradhë, dhe`nuk duhet të jetë e vështirë për ata që kanë në dorë dokumentat ta identifikojnë edhe rolin përherë aktiv të K. B. Mirakajt, në të vetmen luftë që duhej bërë , atë kundër rrezikut komunist brënda vendit, dhe pak kohë më parë atij çetnik nëkufi (libri na sqaron për këtë). Roli i tij kryesor, sepse ai kishte përballë si kundërshtarë kokëngjeshur ose tinzarë mjaft prej nacionalistëve, si^ doli edhe hapur më von. Ai ka qënë ndër më të qartët si për aspektin politik ashtu dhe për atë ushtarak të përpjekjes së përbashkët që duhej në atë moment , dmth për një front kompakt nacionalist, sepse kauza shqiptare për shkaqe historike dhe aktuale nuk ishte ajo e koalicionit, por shpëtimi i kombit prej krahut lindor të tij. . Akoma sot ekziston një lloj servilizmi psikologjik ndaj prioritetit të pjesëmarrjes pa tjetër me koalicionin . Jo! Nuk fitohej përkrahja e anglosaksonëve me shërbimet e përcipta që fshihnin synimet e bllokut lindor (shih dokumentat britanike që e thone tro^, dhe këto ditë edhe disa më të turpshme që zbulojnë edhe pazarin me gjermanët ). Përparësi për fuqitë perëndimore në vendosjen e kufive mbas luftës do të kishte aftësia e një kombi të vogël të luftojë për vete, dhe sa më kompakt aq më i imeritueshëm është për pavarësi. Këtë preferencë moralo-politike të tyre (që e kanë mbrojtur shumë filoshqiptarë të shquar anglezë dhe francezë pranë qeverive të tyre) ,ne e humbëm plotsisht, megjithse u quajtëm aleatë. Ne as nuk u ftuam prej krejt Koalicionit, si shegertë të padenjë. Të shikohet në libër dialogu i Mirakajt me Kolonelin Mc Neal, i rrallë në kronikat tona për tonin e hapur e burrnor si dy të barabartë, reagimin e këtij të fundit, për të kuptuar shumë gjëra. Ndër to edhe mbrojtja tek autoritetet italiane prej anglo-amerikanëve ngaçdo përndjekje që iu bë Mirakajt në Itali, Kurse gjermanët në një farë momenti e ndiqnin për ta vrarë, megjithse ai ishte me ta! (nënkupto nuk donte tu lehtësonte punën të dërguarve të PKJ dhe të digjte vendin). Kjo është shenja dalluese e personalitetit, dhe fatkeqësisht janë të rrallë ata që e kanë. Kol Bib Mirakaj ka qënë jo vetëm këmbëngulës dhe dinjitoz në atdhedashurinë e tij, por edhe i gatshëm për koncesione – duke ua lënë udhëheqjen të tjerëve ,mjaft që rreziku të kuptohej dhe të përballohej menjëherë dhe sëbashku. Thelbësore, nëse duam pasqyrim të plotë të historisë, është të dalin njëkohësisht edhe provat se si ky aksion u sabotua nga vetë krerët nacionalistë të Jugut dhe jo vetëm, dua të them edhe nga paqartësia e shumë krerëve të Veriut, të impresionuar nga prania e oficerëve aleatë. . . Por edhe konflikti i shurdhët mes politikarëve që i kishin dalë zot vendit në momentin më të rrezikshëm të historisë moderne të tij, flet shumë , dhe lexuesi mund të marrë vesh nga ky libër gjëra tepër interesante për shkaqet e dështimit , pikërisht për faj të këtij pasinqeriteti. Mbi këtë temë delikate, autori jep hollësi të panumurta rreth ndodhive dramatike të viteve të LDB dhe për amullinë dëshpëronjëse të pjesës më të madhe të antikomunistëve në vend dhe në emigracion. Mbi të gjitha ai jep sipas meje çelsin si mund të lexohet kjo dizarmoni mes atyre që e quanin veten nacionalistë , e cila ka brënda shkaqe ende shumë të gjalla historike të një vendi që mbetej i përçarë.. Eshtë kudo i pranishëm rivaliteti meskin që karakterizon edhe disa krerë që i dinim ndryshe nga emri i madh që mbanin. Nëse lexuesit i çfaqet dyshimi se është subjektivizmi dhe protagonizmi që inspirojnë penën e autorit, ai mund t`a vërtetojë versionin e tij me anë dëshmish të tjera , njeri prej tyre libri “Hasan Dosti, një jetë për Ceshtjen Shqiptare” , ku kreu ballist nën presion aleat kërkonte unitet të emigracionit, dhe ndeshte në kundërshtime kokëngjeshura fshatarake, derisa Amerika e neveritur ua preu fondet.
Tepër interesante janë edhe episodet e ekzodit nën bombardimet aleate nëpër Bosnjë-Kroaci-Austri, ku guximi i K.B. Mirakajt shpëton grupin e vet (Gjon Markagjonin,Irfan Ohrin, Tahir Kolgjinin, Pandeli Papalilon, Ndue Gjonmarkajn, Xhemal Bashatin etj) nga një kurth që një prej krerëve tanë emërmadh (Mirakaj ia kursen emrin), u kishte ngritur pranë Kroatëve për t`a eliminuar tërë grupin e tyre. Si kurdoherë trimin e shpëton vendosmëria. Ai refuzon prerazi që grupi i të ikurve të lërë hotelin në Zagreb (ishte pregatitur plotoni i ekzekutimit ) dhe fton kreun kroat Ljuburi^ aty, dhe sqarohet me të për akuzat fallso të ngritura sëlargu prej tanëve sikur Kapidani i Mirditës dhe Mirakaj kishin komplotuar meçetnikët për sulm kudra Koracisë). Po të njejtën vendosmëri ai tregon edhe nëVjenë, por me efekt të shumzuar : duke shpëtuar me qindra të arratisur nga avancimi i shpejtë i sovjetikëve. Austriakët u ofrojnë leje-kalim vetëm krerëve të lartpërmendur për në Insbruck, dhe ata nisen. Përveç Kol Bibës! Ai nuk i braktis emigrantët pa dokumenta nëdorë të fatit. Ata i vijnë në hotel tërë ankth dhe ai i qetëson; Mos u bëni merak, nuk iki pa ju. I sëmurë nga plaga e mahisur në gju, me këmbë të enjtura, shtrohet në makinë shkrimi, harton dhjetra leje-kalimi kolektive prej 10 vetësh me një kryetar secila, dhe me ndëmjetësimin e Neubacherit, i cili ia pranon këtë formë “pasaporte” , i firmos tek autorititetet. Po kjo punë përsëritet edhe në Insbruck, kur erdhi puna për të kaluar në Itali sëbashku dyqind e ca të ikur, pa mjete e pa gjuhë.
Cështja e Fashizmit ku përqëndrohen akuzat e ka një shpjegim tek politika e kohës së Zogut , kur ky sistem shihej si ide relativisht efikase në një epokë krize, falë realizimeve sociale të saj të një kapitalizmi populist . Qe katastrofa e luftës që e diskreditoi . Për Mirakajn dhe tërë të ashtuquajturit fashistë ose filo-italianë, motivimi i tyre ishte ekskluzivisht mbështetja tek Italia me anën e një politike miqësie për ndihme ekonomike dhe sigurisht anti-fqinjëve ,kur Perëndimi s`garantonte as tërësinë territoriale ; ata e kuptonin atë lidhje nëpërmjet vendosjes se një princi të Savojës si mbret, kurse Italia ( me sugjerimin e Cianos që deshi të bëntë posi Gjermania me Sudetët dhe Austrinë por pa potencialin e saj njerzor e ushtarak)) e okupoi krejt në befasi dhe nxori variantin e bashkimit personal. Ka disa nuanca mes krerëve që u aktivizuan. Disa më të rëndësishmit kanë shkruar mbi rrethanat dhe veprimeve/ pikpamjeve tëtyre. Mirakaj qëndron më vete dhe për një arsye të fortë, e cila të bind plotsisht kur lexon librin. Kur përmenda largpamësinë e tij kisha parasysh pikërisht këtë fakt; që, befasia e pushtimit të armatosur italian e bëri të linte mënjanë divergjencat me Zogun dhe të ofrohej ta luftonte zbarkimin në Shën Gjin (ai pat qëndruar në emigracion nga 1926 deri në 1932, pra në këtë moment ai ndodhej brënda kufive) , por me krijimin e gjendjes së re mbas pushtimit , ai mori përsipër detyra sikur edhe të tjerët, për të kërkuar kthimin te fjala që ishte dhënë për një princ mbi një shtet të pavarur. Të gjithë kërkuan energjikisht që pavarësia brënda unionit personal të vihej nëvend. Pra e luftuan forcën madhore menjëherë. Por Mirakaj ve^anërisht , mendon të përfitojë nga momenti për të përballuar rreziqet e reja në horizont, që shumë të tjerë nuk i shihnin , ose flirtonin me një koalicion antifashist që as i përfillte. Ai e pa të udhës të mos e lindte pa shfrytzuar këtë prani në vend të makinës ushtarake Italiane që po humbte luftën duke i shkëputur armatime e fonde, sëpari përkundra rrezikut çetnik (ishte momenti kur D. Mihajloviç eluftonte dhe ai Gjermaninë . dhe kishte në program çfarosjen e popullsive shqiptare – një pukjan i K.B.Mirakës kishte zbuluar dokumentin e këtij programi tek trupi i një Malezezi të vrarë ). Më vonë , ky rrezik çetnik i la vendin një tjetri , bile në një farë mënyre u bë aleat i përkohëshëm, sepse doli fitues kërcënimi më i mbuluar por shumë më ugjent ,ai i PKJ që kishte depërtuar edhe në Shqipëri. Gjëra të habitshme dalin nga libri i Mirakajt dhe nga shkrimet e asaj pjese politikanësh që ka heshtur me detyrim deri sot ( për tu lexuar edhe “Ad Memorandum” i Institutit të Studimeve të krimeve të Komunizmit, me 10 dëshmi të rëndësishme). Kryesorja është kjo : Apelit të Veriut Shqiptar ( më i rrezikuari siç ishte tradicionalisht dhe më i dëmtuari siç doli menjëherë mbas) iu përgjigj me indiferencë pikërisht Balli Kombëtar, i cili në takime ia pranonte propozimet Mirakës për veprim urgjent, dhe i linte mënjanë posa ai kthente shpinën. Dhe kjo megjithse ai nuk pretendonte , por ofrohej si vetëm kontribues, mjaft që të pranohej plani i rezistencës. Por për habi edhe vetë Xhafer Deva, që duhej të ishte i interesuar në maksimum, u tregua i ftohtë me Mirakajn. Konkretisht, kur ai mori në dorëzim Ministrinë e P. Brëndshme nga Mirakaj, ky i fundit, i ofroi Devës listën e 12 mijë luftëtarëve të rekrutuar falë ndihmës italiane në javët e fundt të teposhtës së saj, Ai e refuzoi (!) duke thënë :’Nuk më duhen këshilla, do të ndërtoj shtet modern” (në gjashtë muaj do ta ndërtonte?…). Shkurt ai refuzoi në esencë strategjinë e sulmit dhe adoptoi posi të tjerët atë të planifikimit (…) Kështu mbetën armiq efektivë të komunizmit tonë të frymëzuar e komanduar nga dyshja Dushan-Miladin, krahinat e veriut si Mirdita e GjonMarkajve, Kol Bib Mirakajnë Pukë dhe Muharrem Bajraktari e Kryezestë në Verilindje, Kaloshët dhe krerët dibranë, dhe natyrisht Lidhja e Dyte e Prizrenit e Devës në Kosovë kur Regjenca e Qeveria e Tiranës nuk ranë më dakord me Devën. Por këto qendra nuk e kishin një komandë unike, dhe as ndërlidhje të rregullt mes tyre, gjë që shpjegon pse nuk u realizua një forcë unike dhe kompakte kaq e natyrshme për atë moment rreziku iminent, si mjet i vetëm shpëtimi, po edhe si një kryeurë perëndimore për luftën e ftohtë mbas pak muajsh. Krerët e Ballit kaluan në Veri veç për vetmbrojtje. Pra u duk sheshit pavendosmëria në planin e tyre të vonuar për rezistencë , të cilën përçudi e kërkuan me këmbëmgulje të bëhej në Lurë(!), dhe jo në Shkodër ku kishte përqëndrime të mëdha forcash. (Rivaliteti i vogël me Veriun del i qartë gjatë tërë kohës si në ato momente kritike, ashtu dhe në emigracion). Plani pra nuk u realizua, ngaqë ndërhynë shpejt partizanët që kishin kapur Dibrën.
Kur përmenda aftësinë e Kol Bibës për përgjigje të duhur në çastin e duhur,do të ndërmend vetëm edhe një rast tjetër nga të shumtit . Kur pushteti në Shtator të1943 kaloi nga qeveria nën Italinë tek ajo nën Gjermanët, Kol Biba si ministër i brëndshëm mori vesh se po bëhej fshehtaz një mbledhje në Bashki për të ngritur një assamble të re kushtetuese, por pa respektuar autoritetin ekzistues. (shenjë mosrespekti qytetar përveçse shkelje kostitucionale) . Qeveria u dizorientua, çoi zvkryeministrin Iliaz Agushin (të vrarë më von në Tiranë ) tek Komanda gjermane për të pyetur nëse kjo ish nisma e saj. Ajo e mohoi diplomatikisht. Atëhere Mirakaj , me solidarizmin e vetëm ministrit të Drejtësis Anton Kosmaçit shkoi në Bashki , dhe u kumtoi : “Qeveria nuk don ta mbajë as një orë pushtetin, por don që kalimi i tij të bëhet kostitucionalisht, prandaj mbledhja duhet të shpërndahet tani menjëherë në praninë time”. Pjesëmarrsit ,u bindën dhe madje ata q ë kuptonin, u shprehën dakord me qëndrimin ligjor të ministrit nëfuqi. Përjashtimet e pakta qëautori i quan “luga në sahan” s`patën kurajën të hapnin gojën, kurse një ushtarak me origjinë tëhuaj që kundërshtoi , Mirakaj e vuri në vend në mënyrë të prerë. ( Janë momente në libër që nuk mund të mos admirosh qëndrimin dinjitoz dhe energjik të tij.)
Ky ishte Kol Bib Mirakaj, dhe ky guximi e urtësia e një njeriu që i kishte barazi frymën e ligjshmërisë evropiane, Kanunin e traditës, dhe karakterin burrnor për tu dalë zot. Libri rekomandohet sëfundi thjesht si shprehës të njerës prej pikpamjeve që duhet të ballafaqohen pa tjetër me dokumentat e thatë dhe me logjikën historike dhe rrethanore shumë më të vlefshme, para se të vihet pena mbi kartë për të shkruar historinë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Kol Bib Mirakaj, Lek Tasi, Vetvrasja e nje Kombi

Kryeministri dhe kokoshkat

March 18, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/
Sa herë që flet Edi Rama, më kujtohen ato tenxheret e kokoshkave në Shqipërinë e viteve 80-të. Besoj një pjesë e mirë e jona i ka të freskëta në memorie. Në qoshet e kryqëzimeve, ato kioskat e vogla me nga një tenxhere. Dhe ne të habitur që rrinim në radhë për të shuar urinë e syve. Me kërcimin e kokoshkave. Në anglisht i thonë popcorn. Dhe ka një farë përafërimi me veprimin, me tingullin. Pop, me u hedhur, me plas, me kërcitur. Kurse në gjuhën tonë, kokosh i thonë edhe gjelit të fushës. Ndofta nga që gjeli këlthet që në pike të mëngjesit dhe ne nuk na pëlqen të zgjohemi herët. 
Edhe sot. Në këtë takimin e kryeministrisë. Seç e ka këtë zakon që popet. Që kërcen ky kryeministri ynë. Ashtu si shumë rëndom e bën mëndjemadhi, foli dhe iku. U çiku gishtat karrikeve të para. Nuk ia vari shumë Erionit që diçka me rëndësi donte t’i thoshte. Iku për në takimin e radhës. Burrat e shtetit tanë kështu e kanë. Vinë flasin dhe ikin. Pastaj ju të tjerët kuvendoni për të mbushur formalizmin e mitingut. Madje iu referua thelbit intelektual nga opinionet e ditës nga shoqëria civile. Madje e lexoi tekstin në një gegërishte që të linte për të dëshiruar. Po i flas me të njëjtën logjikë prej Edi Rame. (Siç i foli ai një gazetareje me emrin Erisa Zyka.) Nuk e paske kuptuar gegërishten, shko merr ca kurse . Gegërishtja nuk është ajo që duket, por ajo që ndjen njeriu. Megjithatë nga sa kuptova, forma shtjellore e urtë, lehtësisht e përdorshme, ngjan si ajo e një bote të madhe me emrin Sami Repishti, profesorit shqiptar në arrati. 
Dosjet? Ky teatër absurd shqiptar. Ku në kor, të gjithë kërkojnë hapjen. Ndërkohë të gjithë nuk i hapin.
Dosjet duhet të sillen në qëndër të vëmendjes sa herë që ka një zhurmë. Si të thuash, zhurmë përmbi zhurmë.
Aktualisht. Ndofta është viti kapërcyell të paktën nga ndjesia që të krijohet sa herë që ulesh për të marrë lajmet e ditës. Ndjesia e një lufte të ashpër midis grupeve të të fortëve. Të kujton atmosferën e qyteteve në 1997-98. Një shtyp që monitoron në mënyrë të përkryer Tomën, Takun, Frrokun, Zenin. Statutet e fb të njërit apo tjetrit. Përkundër problemeve më madhore .
Borxhi i ri. A e dine shqiptarët se Shqipëria po negocion për një borxh të ri.?
Bëhet fjalë për draftin e rehabilitimin e shesheve kryesore në qytetet e ndryshme të vendit. Ndofta edhe për të tjera. Megjithëse nuk është e vështirë për të kuptuar se lyerja me bojë nuk e rimëkëmbë ekonominë. Përkundrazi i maskon rrudhat. 
Por duket se edhe vetë shqiptarët nuk janë kthyer shumë nga kjo anë. Janë të magjepsur nga lufta e të fortëve. Kush do fitojë këtë radhë? Skena është bërë më magjike, pasi në lojë u rishfaq Dritani Prifti. Ai që bëri Metën aleat me Berishën. Më pas me Edi Ramën, kundër Metës. Tani me Doshin kundër të Metës dhe kundër Ramës. 
Përpos kësaj, na u shfaqën dosjet. Hapja e tyre për të miliontën here. Po flet kryeministri. Po kërcen. Lavdëron Gjermaninë, edhe pse na largon prej saj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Kryeministri dhe kokoshkat

Amaneti i Faik Konicës

March 18, 2015 by dgreca

Nga Anton Çefa*/
Kishte jetuar vëtëm për Shqipërinë, i ishte kushtuar asaj dhe nuk kërkonte gjë tjetër veç të prehej në dheun e saj. “Nuk do të më tresë dheu nëse ti Imzot Noli, ti Lamja i vogël dhe të gjithë ata që e quajnë vehten shqiptarë, nuk do të çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë.”, kishte shkruar me dorën që po i ftohej nga vdekja.
“Amanetin s’e tret dheu” ka thënë fjala e popullit, dhe urtia e fjalës së tij është e rëndë si guri e më e rëndë se ai. Këtë e dinte shumë mirë Konica, kur i shkruante testamentin Nolit dhe Lames së Vogël. (Selfulla Maleshevës, që shkruante nën pseudonimin Male Kodra). Po ku ta dinte ai se Shqipëria do të mbyllej nga herezia e kuqe, dhe jo vetëm që nuk do të pranonte eshtra bijsh, por do të nxirte jashtë edhe sa e sa bij të tjerë të devotshëm e vullnetmirë!
Dhe Noli që gjatë gjithë jetës vajtoi e lëshoi kushtrimin për shokët e tij të luftës të mbetur “syrgjyn vdekur” jetoi dhe vdiq jo vetëm me mallin e Atdheut dhe brengën për fatin e tij, por edhe me pengun në shpirt që nuk arriti t’i plotësonte dëshirën e fundi mikut të tij, “njërit prej bijve më të shkëlqyer të Shqipërisë, njërit nga çampionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare, pa dyshim ustajt më të madh të shkrimit të gjuhës sonë”, siç e kishte përkufizuar ai vetë.
E ku ta dinte Noli se Shqipëria, të cilën ai vetë e kishte lidhur me gjithë botën, duke i vënë cakun me fjalën e tij të zjarrtë në Lidhjen e Kombeve, do të mbyllej hermetikisht e mizorisht sa të mos pranonte as eshtra bijsh!
Mandej, ku do ta dinte Lamja, poeti me atë zemër të madhe, që e donte Shqipërinë “si bari dhe si fshhatar”, ku do ta merrte me mend se vitet e fundit të jetës së tij do t’i ngryste i internuar dhe se në një ditë ogurzezë, kur agjentët e sigurimit do t’i vinin zjarrin shtëpisë së tij, ai do të bërtiste në prak të dëshpërimit e të çmendurisë: “Librat, shpëtoni librat!”
Në ato flakë ku do të digjej edhe letra e Nolit me porosinë e Faikut, atë porosi obsesive për kufomën, që e kishtë tunduar tërë jetën, atij po i dritësohej edhe më e më tragjedia e kombit. Ata agjentë kishin urdhër të digjnin pikërisht librat e dorëshkrimet e tij, të digjnin akte e dokumente të historisë sonë, të digjninë dëshmin kujtesën e kombit. Sa më shumë të zhduknin, aq më mirë do të ishte, sepse historinë do ta bënin komunistët me Enver Hoxhën në krye.
Historia zyrtare dhe kritika letrare e realizmit socialist, të nënshtruara qorrazi ndaj diktaturës, do ta mohonin Konicën – si Fishtën, Mithat Frashërin, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Arshi Pipën e sa e sa të tjerë. Me synimin e krijimit të një imazhi të errët për personalitetet e shquara të kulturës, historisë, gjuhës, letërsisë, etj. Do ta mbulonin arin me baltë!
Atdhetarin e madh Faik Konica do ta quanin “diversionist të lëvizjes kombëtare”, “politikan të paskrupull”, “demagog dhe disfatist” dhe “mbrojtës të oxhakësisë” (anipse kishte edhe Islam Bej, Abdyl Bej, Naim Bej, etj.). “Albaninë” e tij, këtë enciklopedi të mendimit shqiptar të periudhës së Pavarësisë dhe një nga monumentet më me vlerë të publicistikës sonë, do ta etiketonin si “tribunë të mendimit frenues dhe regresiv politik e shoqëror, zëdhënëse e synimeve imperialiste”, etj. Dhe më përtej, atë që krijoi kritikën tonë letrare do ta emërtonin “estetizant zemërgdhu”, etj.
Por ja që kohët kalojnë. Dhe ndryshojnë. I vjen fundi tiranëve dhe Atdheu merr frymë i lirë. Dhe, edhe pse ka një mijë halle me të gjallët, ai nuk harron të vdekurit, bijtë që i deshën të mirën dhe punuan pa u kursyer për të, dhe i pret me dashuri e nderim mbetjet e tyre në gjirin e vet. Në akullsinë e pajetësinë e atyre eshtrave, ai e ndjen vetem me të ngrohtë e më të gjallë. Kështu, Atdheu plotësoi amanetin e Konicës dhe i priti me nderimet më të mëdha mbetjet e tij në gjirin e vet. Me gëzim të papërshkruar e pritën këtë eveniment të madh historik të gjithë shqiptarët e Amerikës , dhe në mënyrë të veçantë vatranët. Dhe me të drejtë. Qëkur vuri këmbë së pari në Amerikë në vitin 1909, Konica bashkë me Fan Nolin, Kristo Floqin , Kristo Kirkën, e atdhetarë të tjerë të shquar filloi t’u mësonte abecenë e atdhesisë mërgimtarëve shqiptarë të shpërndarë andej – këndej, dhe qe njëri nga ideologët kryesorë që i grumbulluan dhe i bashkuan ata në të famshmën Federatë Panshqiptare Vatra, e cila do t’i sillte aq e aq të mira Atdheut. Ai qe disa herë kryetar i Vatrës dhe editor i Diellit, duke e ushqyer atë me shkrimet e tij, që ngërthenin gjerësisht të gjitha problemet e jetës shqiptare.
Gjithhashtu, në shtypin e Amerikës, deri ditën që vdiq, Konica ngriti me forcë problemin e Shqipërisë, prezentoi profilin shpirtëror të popullit tonë, fatet e tij historike, padrejtësitë që i qenë bërë prej Fuqive të mëdha dhe fqinjëve shovinistë, dhe i siguroi Atdheut shumë miq, dashamirë e përkrahës amerikanë.
*(ribotim i redaktuar)
Ne Foto:Portret origjinal i Faik Konices realizuar me 1934, ruhet ne arkivin e Vatres

Filed Under: ESSE Tagged With: Amaneti i Faik Konices, Anton Cefa

Në dy vjetorin e peticionit për Rrugën e Arbërit

March 18, 2015 by dgreca

Shoqëria civile, pavarësia intelektuale, dhe shteti hermetik/
Me rastin e dy vjetorit të peticionit për Rrugën e Arbërit/
Dr Gëzim Alpion/
Universiteti i Birminghamit/
Mbretëria e Bashkuar
18 Mars- Sot, në dy vjetorin e peticionit për Rrugën e Arbërit, intelektualët dibranë falenderojnë edhe një herë të gjithë nënshkruesit online dhe në formularë, numri i të cilëve ka kaluar 8,000.
Ne po ndjekim me interesim njoftimet sparodike nga qeveria për këtë projekt. Mungesa e një opozite të efektshme e bën më të zbehtë rolin e shoqërisë civile, dhe është një nga shkaqet e arrogancës dhe shurdhësisë qeveritare që po hasim që nga shtatori 2013.
Para një muaji, z. Edi Rama u shpreh për mediat italiane se në vitin 1997 “unë isha një intelektual i pavarur që përpiqesha ta bëja të mendonte regjimin e atëhershëm. Ne po përgatisnim një peticion për largimin e kryeministrit të kohës. Pikërisht në këtë periudhë ndodhi goditja me levë ndaj meje”.
Injorimi dhe heshtja institucionale i dhëmbin intelektualit edhe më fort se goditja me levë.
Po kështu të jesh i arsimuar nuk do të thotë të jesh edhe intelektual, aq më tepër i pavaruar. Pavarësia e vërtet intelektuale nuk është vokacion stinor apo trampolinë për karrierë politike. Kush ka qenë një herë ‘intelektual i pavaruar’ nuk ka frikë të përballet me intelektualë që nuk kërkojnë rrëzimin e qeverisë por dialog konstruktiv me ekzekutivin për të mirën e vendit, dhe që refuzojnë të jenë nën diktatin apo në xhepin e politikës.
Në pamundësi për të ndarë me z. Rama shqetësimet tona të ligjshme për mungesën endemike të transparencës në lidhje me këtë projekt, ne do ta ngremë zërin tonë në momentin e duhur, gjithmonë me kortezi dhe në mënyre demokratike.
Me sa duket, Rruga e Arbërit do të bëhet. Siç kemi kërkuar që në fillim, qëllimi ynë është ndërtimi i kësaj vepre me stadarde ndërkombëtare, dhe evitimi në maksimum i keqpërdorimit të fondeve që do t’u rëndojnë për shumë kohë në kurriz taksapaguesve.
Jemi të ndërgjegjshëm se puna jonë po vështirësohet prandaj ju bëjmë thirrrje sa më shumë njerëzve që të vazhdojnë të nënshkruajnë peticionin. Ne do të vlerësojmë çdo nënshkrim, edhe sikur të regjistrohet disa minuta para inagurimit të kësaj vepre me rendësi jetike për Dibrën, Shqipërinë, kombin, dhe Ballkanin.
Më poshtë mund të gjeni linkun e peticionin po qe se e shikoni të arsyeshme të nënshkruani.
Ju faleminderit.
https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit

Filed Under: Opinion Tagged With: e peticionit për, Gezim Alpion, Në dy vjetorin, Rrugën e Arbërit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT