• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2015

Letërsia e vërtetë dhe pehlivanët e letërsisë

March 1, 2015 by dgreca

Nga Raimonda MOISIU/
E thënë që në fillim ajo ç’ka shqetëson sot letërsinë shqiptare është mungesa e theksuar e shkrimeve të kritikës letrare, për të njohur vlerat e vërteta të shkrimtarëve të vjetër e të rinj, të përfshira në gamën e gjerë në të treja gjinitë; prozë, poezi dhe publicistikë..Kemi sot të vetquajtur shkrimtarë të cilët shkruajnë fjali e paragrafë “të mrekullueshëm”, por nuk kanë asnjë ide si t’i renditin ato së bashku në një rrëfim apo si t’i bëjnë personazhet e veprës të vijnë realë e jetësorë. Të shkruara mjaft cekët, një drejtshkrim gjuhësor analfabet, nën nivelin e mesatares letrare e artistike, jepen më shumë pas sasisë së faqeve, se sa pas cilësisë artistike e letrare, vetëm e vetëm për të fituar imagjinaren – statusin e reputacionit të një shkrimtari të madh, “të talentuar”, të një “poeti të shquar”. Këta janë autorë të importuar nga sindroma karrieriste e përfitimit të famës e parasë, pehlivanët e letërsisë. Verbohen aq shumë nga kjo famë dhe të bëjnë emër, sa nuk kursejnë as financat e tyre ta blejnë reputacionin dhe karrierën si shkrimtarë, bilës kanë guximin shkojnë deri aty sa të vetëquhen “gjeni”. Kjo racë krijuesish janë fenomene groteske paralajmërojnë vulgaritetin dhe mediokritetin në letërsi, injorancën dhe paditurinë, vetëgjymtimin dhe vetëvrasjen intelektuale të shoqërisë, skllavërinë shpirtërore dhe krijuese të talenteve që ripërcaktojnë karakterin e dyfishtë të udhës së artit dhe letërsisë artificiale, realitetin mjeran të kësaj lloj letërsie. “Krijuesë”, që nuk kanë asgjë të freskët apo të re për të rrëfyer. Pse ndodh kjo? Ngaqë kemi letërsi jo cilësore e artistike, artificiale, dashuri të rremë, vetëkënaqësi mediokre, plagjiaturë e naivitet letrar. Sepse ata janë të vetëdijshëm në mediokritetin dhe melagomaninë e tyre që përfaqësojnë kokëboshësinë nën kurorat e famës e lavdisë. Unë mendoj se janë nga ata shkrimtarë që kanë bërë para me shkrime dhe kjo mendojnë se i ka bërë profesionistë! Por “niveli monetar” nuk do të thotë asgjë në lidhje me nivelin letrar, artistik dhe standardin e krijimtarisë së tyre, por që gjithsesi për të fituar “shpërblime letrare” dhe “monetare”, që unë do i konsideroja të një niveli poshtë mesatares, libra absolutisht mediokër. Pra jemi në një antitezë të freskët në këtë periudhë të antitezave dhe absurditetit më të madh, në planin e vlerësimit dhe kritikës letrare të kohës, në evidentimin e vlerave të vërteta letraro-artistike për mrekullitë, letërsinë, artin e të shkruarit dhe atë në përgjithësi. Po kërkohet më shumë “nivel monetar”..dhe jo artistik! Kemi parë gjithë dukurinë e një libri duke u bërë edhe “best-seller” apo fituar edhe cmim të madh. Shumë pak prej tyre kanë pika të vërteta artistike dhe vlera letrare, por kjo nuk ka rëndësi për ta sepse kenaqin oreksin e tyre vulgar “shpërblim letrar”, dhe ushqejnë krijimin në nivel monetar.Si gjithmonë krijime gjen mjaft-por kokëboshësinë, –justifikimet përpiqen ta bëjnë atë që nuk është asgjë më shumë se një koncept intelektual, se nuk gjenin mënyra më delikate e të mëncura për ta bërë atë një krijim të vërtetë në nivel cilësor, letrar e artistik. Ka mjaft poetë e shkrimtarë, që me grintën e mençurisë, talentit, profesionalizmit dhe fuqisë shpirtërore përcjellin krijimtari të mirëfilltë letraro – artistike dhe përcaktojnë denjësisht letërsinë më të mirë në nivel letrar e cilësor të viteve të fundit në atdhe dhe emigracion. Ky është edhe një apel, për krijuesit dhe artistët e vërtetë të vendit tonë, të cilët kanë ç’të flasin e të mos heshtin rreth dramës shqiptare, duke u shkundur nga gjumi nën “kurorat e lavdisë”. Vemë re se prurjet në letërsi janë të shumta, shtëpitë botuese të shumta, të cilat tashmë janë bërë në modë, duke e trajtuar literaturën, sikur të jenë mallra me shumicë, në një mjet përfitimi material,financiar dhe më shumë gjasa për përfitim moral e intelektual. Mendimi im është për një lloj të caktuar të botimit të veprave, pra ngritja e një bordi letrar, ku kritika letrare të jetë parësore apo ngritjen e shtëpive botuese të organizuara. Botuesit janë biznesmenë njëlloj si bizneset në profesione të tjera. Ata nuk janë filantropistë, ata janë aty për të fituar para. Shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, sepse praktika i bën të përsosur. Nuk duhet të mendojnë se gjithçka që shkruajnë është mjaft e mirë për botim. Pra, kur them se shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm nënkuptoj që ata të botojnë veprat e tyre kur ato janë vlerësuar nga një bord letrar apo kritika e kohës për cilësinë dhe nivelin letrar e artistik, dhe botuesit do të konkurrojnë pas tyre. Shkrimtari Stefan King i ndante shkrimtarët në katër kategori biles shkoi e më tej, ai vuri fotot e tyre në një piramidë: ku binte në sy që shumica e tyre ishin në kategorinë e fundit. Ai thoshte se askush nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i keq në një shkrimtar i aftë dhe nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i mirë në një gjeni! Por vetëm me përpjekje dhe përkushtim, bëhet nga një shkrimtar i zoti në një i mirë. Shkrimtari kurrë nuk duhet të jetë i kënaqur me atë që shkruan, por ai duhet ta respektojë atë si ai fetari që respekton fenë e tij. Të jesh krijues sot i çfarë do lloj gjinie nuk është luks, është mëse njerëzore. Edhe diçka tjetër; shkrimtari i vërtetë bën kompromis vetëm me artin e për artin, përpiqet të qëndrojë sa më shumë larg politikës. Shkrimtari, artisti, poeti nuk është partizan i politikës dhe synimi i letërsisë nuk është kritikë apo reformim shoqëror. Një shkrimtar,artist apo poet mund të ketë pikëpamjet e tij politike, por këto pikëpamje kurrsesi domosdomërisht nuk duhet t’i manifestojë në krijimin e tij letrar e artistik. Shkrimtari, artisti e poeti duhet të jetë vetvetja, brenda brishtësisë së individualitetit të tij. Duke e shikuar nga ky këndvështrim shkrimtari,artisti e poeti e dinë se letërsia nuk është armë për kritikë, por një dëshmi për ekzistencën. Një shkrimtar apo artist është dëshmitar për kohën e tij, dhe letërsia përbën një dëshmi të gjallë për njerëzimin. Shkrimtari, artisti e poeti e di se letërsia, vargjet poetike, peneli i piktorit janë më reale se historia, e cila është shkruar e shkruhet nën ndikimin e pushtetit politik.Dhe pena e peneli i botës së artit bën kompromis vetëm me idealin e lirisë, patriotizmit e dashurisë njerëzore. . Të shkruarit është ndjenjë e fortë e brendshme që ka një kundërshtar të madh, që vjen e rritet përditë, -të konsideruarit zanat. Sepse një shkrimtar nuk është i ndryshëm nga një murator apo shofer autobusi. Secili prej tyre vepron me disiplinë. Oscar Wilde ka thënë se të shkruarit është 10% dhunti, aftësi apo talent dhe 90% disiplinë. Pra edhe shkrimtarit, njësoj si punë e atyre që përmenda pak më lart, -i duhet disiplinë për të shkruar. Kjo nuk është detyrë e lehtë. Kërkon vetmi, përkushtim dhe i izoluar larg shoqërisë. Do kurajo, guxim dhe vullnet për ta bërë atë. Në kuptimin se; shkrimtari gjatë procesit të të shkruarit nuk është vetvetja, por është dikush tjetër.
Raimonda MOISIU
Hartford CT USA

Filed Under: Analiza Tagged With: Letërsia e vërtetë dhe, pehlivanët e letërsisë, Raimonda Mois

SI U PUSHKATUA JONUZ KACELI

March 1, 2015 by dgreca

NTERVISTA/Flasin vëllezërit Osman dhe Mirvjen Kaceli, fëmijët e Jonuz Kacelit të pushkatur më 1951/
-Babanë e morën në mesnatë më 20 shkurt 1951, e lidhën si qen/
-Kur e arrestuan babait nuk i thanë asnjë arsye/
-Babanë para se ta pushkatonin Mehmet Shehu e qëlloi me qytën e revoles në ballë/
– Pas arrestimit të babait na internuan në Çorovodë/
-Babanë pasi e torturuan e hodhën nga kati i dytë i Ministrisë së Brendshme, në tokë/
– Shumë dëshmitarë thonë se babai kur e çuan për pushkatim ishte i vdekur/
-Nëna donte të mbytej në pusin e Prokop Mimës, e shpëtoi nëna e tij/
-Në vitin 1991 gjetëm eshtrat e babait, por nëna kish vdekur më 1989/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Rrëfimi i tyre ishte shumë prekës, shumë i dhimbshëm. Tashmë të bërë gjysha, ata tregonin dhe lotonin. Dhimbja e tyre shihej qartë. Babanë ua pushkatuan padrejtësisht në vitin 1951 më 27 shkurt, duke mos dhënë asnjë shpjegim. Eshtrat e të jatit i gjetën vetëm ën vitin 1991, por pengu i tyre është se nuk i pa nëna, pasi ajo kishte vdekur dy vite më parë më 1989. Ajo që ata e kanë plagë është se Mehmet Shehu edhe pse familja e tyre e kishte ndihmuar e kishte qëlluar me qytën e revoles në ballë, babanë e tyre.

Osman Kaceli
Çlidhje ka familja juaj me viktimat e 19 shkurtit të vitit 1951, me bombën në ambasadën sovjetike?
Në këtë ditë në oborrin e legatës (Ambasadës) sovjetike në rrugën e Durrësit, u hodh dinamit, ku menjëherë doli një vendim i posaçëm i Plenumit të Byrosë Politike të KQPPSH, që të arrestohen rreth 200 vetë dhe 22 prej tyre të pushkatohen. Një ndër të arrestuarit dhe të pushkatuarit e kësaj ngjarje të çuditshme, ishte dhe babai jonë, Jonuz Kaceli. Të nesërmen duke u gdhirë 20 shkurti, rreth mesnatës dera e shtëpisë troket fort dhe arrestohet babai ynë i shtrenjtë.

Kush ishte Jonuz Kaceli, babai i tij
Ishte një njeri shumë i njohur në Tiranë për bamirësitë e tij dhe për miqësitë e pafund. Babai im ishte tregtar. Ishte nj ndër tregtarët më të mëdhenj në Tiranë. Tregtonte mallra të ndryshme si mobilje, enë kuzhine, lodra fëmijësh, biçikleta. Por më e veçanta e tij ishte se ne vitin 1014 ai prodhoi, apo porositi, kartolinat e para shqiptare. Këtë prodhim e bëri së bashku me vëllanë e vet, duke i porositur ato në Drezden. Pra kishim dhe nj dyqan kinkalerie. Më vonë u shtuan llojet e mallrave në dyqanet tona. Dyqanet tona kanë qenë në bri të sahatit, pallati katër katesh, ngjitur me ndërtesën e re në qendër të Tiranës. Ajo athere ishte qendra e Tiranës, sikundër dhe është, por dyqanet tona ishin më të veçantat edhe si ndërtesë edhe si mallra. Kjo ndërtesë ëshët dhe sot dhe të gjithë tiranasit thonë, ishim tek Kacelt, apo tek dyqani i Kacelëve. Kjo ndërtesë është ndërtuar në vitin 1934 e re. Ne vetëm ditët e fundit kemi mundur ti nxjerrim ata që na e kishin zaptuar pronën. Pra pas 24 vjetësh ne kemi mundur të marim pronën tonë tashmë të shkatërruar.

Arrestimi

Ne ishim shtatë fëmijë, dy vëllezër dhe 5 motra, konkretisht, unë, Mirvjeni (vëllai) dhe motrat Vera, Blerian, Drita, Alaska dhe Dhurata, këto dy të fundit ishin binjake. Unë isha 9 vjeç ndrysa vëllai im Mirvjeni ishte 6 vjeç pra 3 vjet më i vogël se unë. Ne flinim të dy bashkë në nj krevat. Ne na kishin hequr nga shtëpitë që kishim dikur dhe ishim strehuar tek dy dhoma që na kishte dhënë xhaxhai, tek rruga e “Pishës” ngjitur me rrugën që tiranasit e quanin Kaceli (ku është klinika dentare Ismail Qemali). Ne flinim bashkë të 7 fëmijët. Unë me vëllain kishim një krevat me dërrasa që të vriste brinjët dhe në anën tjetër flinin motrat, mbi një shtrat të improvizuar me dërrasa. Atë natë që erdhën ët sigurimit dhe arrestuan babanë unë isha shumë i lodhur dhe bëra nj gjumë të thellë, Si nëpër ëndërr më silleshin në parafytyrim disa zëra të egër. Por vëllai im që ishte më i vogël ishte zgjuar dhe i ka parë të gjitha ngjarjet e asaj nate deri në arrestimin e babait. Ishte mesnatë duke u gdhirë 20 shkurti. Kur u çuam të nesërmen dhe pashë vëllain dhe nënën duke qarë mora vesh të vërtetën. Nuk dija ç’të bëja, nuk dija si të veproja. Kishte rënë zija në shtëpi.

Ç’keni dëgjuar për babanë tuaj nga dëshmitarë okular?
Kemi takuar shumë njerëz, apo shumë njerëz kanë ardhë më vonë dhe na kanë thënë se si e kanë trajtuar babanë tonë. Atë e kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore R D dhe Mehmet Shehu. Këtë na e kanë konfirmuar disa njerëz që kanë qenë okular. Atë natë babanë e kanë çuar në Ministrinë e Brendshme dhe e kanë torturuar egërsisht, madje Mehmet Shehu e ka qëlluar në ballë me qytën e revolverit. Pasi e bënë gjak, e hodhën nga dritarja e afërt e Ministrisë së Brendshme në shesh. Pra kur u bë pushkatimi, babai jonë ka shkuar me 21 të tjerë thuajse i vdekur. Sigurimi këmbënguli shumë tek babai jonë, pasi kushedi çfarë mendonte. Por ajo që di të them dhe pse ishte tregtar, babai investoi shumë për luftën dhe shumë lekë për të, ishte kundër pushtimit.

Vendi i pushkatimit
Këtë na e thanë në vitet e demokracisë. Ata u pushkatuan në breg të lumit Erzen, afër urës së Beshirit. Sipas fshatarëve të asaj zone, ishte mesnatë e 27 shkurtit 1951 kur u bë pushkatimi. Atë natë krismat u dëgjuan deri larg, pasi ishte heshtje e madhe ato ditë, nga frika e arrestimeve. Ata e ngulitën fort në memorie këtë ngjarje dhe pak a shumë e kishin precizuar vendin se ku ishte. Madje thuhet që nj fshatar ishte aty rrotull me bagëtinë dhe e pa së largu vendin e ngjarjes. Ishin po këto fshatarë që më vonë përcaktuan vendin se ku do të gjendeshin kufomat.

Interrnimi
Pas dy ditësh tek ne vjen një makinë me disa polica dhe na urdhëruan të ngremë ato pak plaçka se do të na çonin diku. Ikëm siç ishim, pa parë se çfarë linim mbrapa. Rrugët ku kalonim ishin tërë gropa. Barku na gërryente nga të pangrënët. Në fund pas një tollovitjeje na thanë se këtu do zbrisni, Na çuan në një kasolle, diku afër rajonit të policisë. Ishim në Çorovodë të Skraparit. Këtu kemi qëndruar plot 3 vjet. Aty njerëzit që na rrethonin ishin dashamirësit tanë, por kishin frikë të flisnin drejtpërdrejt. Pra ishim 7 frymë në mes të një vendi të panjohur. Prej andej kemi ikur në 5 mars 1954. Na lanë të lirë nga internimi. Zylfi Saliu ishte kryetar i degës Berat i cili na tha që jeni të lirë, internimi juaj mbaroi. Nëna na tha do ikim vetëm në Tiranë, aty i kemi njerëzit, aty jemi rritur dhe vetëm aty mund të mbijetojmë. Pra 8 vetë, ende fëmijë në mes të katër rrugëve. Nuk e morëm vesh se si na lanë të lirë. Askush nuk na dha asnjë shpjegim. Por ne s’donim shpjegime, por donim të shikonim jetën.

Po kush ju ka ndihmuar për të mbajtur frymën gjallë?
Tre motrat e mëdha, Vera, Blerina, Drita. Ato u bënë baba, nënë dhe motra për ne. Ato punonin çfarë pune të vinte para që të rriteshim. Sakrificat e tyre janë të pashembullta. Ato ishin 16, 15 dhe 14 vjeçe. Vajza të brishta të trembura që punonin me kokën ulur, punonin si të ishin skllave. Unë isha 9 vjeç e gjysmë, vëllai 6 vjeç dhe motrat binjake 3 vjeç. A e kuptoni gjendjen tonë, a e kuptoni se si kemi jetuar?

Ju ndoqi ky persekutim gjatë gjithë jetës?
As që diskutohet. Ne s;kishim të drejtë ëpr asgjë. Por jemi munduar të mësojmë, jemi munduar që të arrijmë diçka në jetë. Punonim dhe studionim. Unë vetë kam bërë disa shkolla profesionale, po ashtu dhe vëllai im. Ishim familje që ishim rritur me librin. E donim diturinë, pasi vinim nga familje tregtare nga më të mëdhatë në Tiranë. Pa triska fronti.
Ku u strehuar pas kthimit nga Çorovoda?
Sërishmi tek shtëpia e xhaxhait në një kthinë aty, në nj cep të futur si barake e rrëzuar. Sa nuk lageshim dhe flinim si fishekët në karikatorë. Më vonë një oficer sigurimit që na kishte bërë të keqen, iku nga një shtëpi aty afër dhe xhaxhai im Ali Kaceli tregtar i famshëm (mik i Gjergj Fishtës, ka shumë dokumente për këtë), ndërhyri diku që ne u futëm në atë shtëpi.

Mirvjen Kaceli

Unë jam cacuni i dytë i Jonuz Kacelit të pushkatuar më 27 shkurt, ose më mirë të themi që u bashkua me 21 të tjerët në atë ditë, pasi mendohet se e kishin vrarë më parë për shkak të torturave çnjerëzore. Në atë kohë isha 6 vjeç, pra që mund të perceptoja ngjarjet.

A e mban mend atë natë?
E mbaj mend shumë mirë, pasi unë isha i vetmi zgjuar në atë natë të kobshme. Besoj se ishte duke gdhirë data 20 shkurt, ose më mirë të themi midis kohë ndarjes midis këtyre dy ditëve. Ne flinim tek një dhomë e vogël tek shtëpia e xhaxhait e cila ishte me oborr dhe dyer të vjetra. Ashtu siç isha në përgjumje dëgjoj trokitje të forta në portën e jashtme. Kishte dhe shumë zëra para portës. Del babai dhe hap portën. Disa zëra e pyetën kush është Jonuz Kaceli? Ishin dy oficerë sigurimi dhe dy përfaqësues të lagjes që ngrinin supet. Unë jam u përgjigj babai. Ata e shtynë mënjanë dhe filluan kontrollin nëpër atë copë dhomë që kishin prindërit veç nesh. Unë rrija tek cepi i shkallës dhe po shikoja. Nëna Merjemja rrinte si e hutuar dhe qante. Ajo pyeti babanë çfarë ke bërë. Asgjë s;kam bërë mos u mërzit i tha. Atë natë ne kishim qëndruar vonë, pasi një kushëri i joni kishte ditëlindjen dhe bënim pak muhabet. Babai ishte si i hutuar, përgjumësh. Nëna prapë e pyeti dhe babai i thotë skam bërë asgjë, ata le të bëjnë punët e tyre. Ata kontrolluan disa herë çdo cep por nuk gjetën asgjë konkrete për të marrë me vete. Athere kapën babanë nga krahët i hodhën hekurat dhe dolën në rrugë. Unë dhe nëna i ndiqja nga pas duke qarë. Dolëm tek rruga Kaceli dhe ata vazhduan më tej për tek rruga Tefta Tashko që kryqëzohet me rrugën Kaceli.

A tha ndonjë porosi babai kur e nxorën nga dera?
Po. Sa e nxorën nga dera, ai tashmë e dinte se e arrestuan i thotë nënës; Kujdes fëmijët. Kujdes. Kaq tha. Nëna nuk kishte fuqi. Ju prenë gjunjët dhe u ul në prag të derës. Unë s’ju ndava atyre që kishin marr babanë deri tek rruga Tefta Tashko. Aty i priste një makinë. E hipën babanë duke e shtyrë, pastaj u nisën me tërsëllimë. Unë ndenja edhe dy minuta aty duke arë dhe kur nuk pashë njeri në rrugë, u ktheva. Nënën e gjeta aty në prag të derës të mbytur në lot dhe të përulur. Kështu e gdhimë me lot deri në mëngjes, ku na gjetën komshinjtë dhe motrat dhe vëllezërit. Komshi kishim një njeriun tonë që ishte martuar me një italiane. Ata erdhën burë e grua pasi e kishin ndjekur të gjithë ngjarjen por kishin frikë të afroheshin. Ata morën nënë dhe i thanë mblidhe veten. Kujdes tani për fëmijët. Na u ndodhën shumë afër. Ishin kohë të vështira. Ishte nata e fundit që e shihja babanë.

Si vepruat më pas?
Të gjithë si familje filluam të lëviznim, filluam të shkonim ku të mundnim vetëm ët dinim ku ishte dhe çfarë kishte bërë babai. Sa kishim të njohur i vumë në lëvizje. Edhe ne që ishim fëmijë pyesnim dhe interesoheshim sipas mënyrës tonë. Por më kot. Si na thoshte njeri nuk na thoshte tjetri. Informacioni ishte kontradiktor. Por ne prapë lëviznim. Me lot në sy shkonim sa në nj ministri në nj tjetër në dyert e burgjeve, por më kot. Nëna e kishte humbur fare fillin.

Si e morët vesh lajmin e pushkatimit?

Mesnatën e 27 shkurtit erdhën në shtëpinë tonë dy civilë dhe trokitën në derë me forcë. Hape tha nëna se kushedi çfarë haberi sjellin. Dolëm ne dy djemtë dhe nëna. Ata të dy ishin veshur me të zeza shumë kobshëm. Ata na pyesin këtu është familja e Jonuz Kacelit? Po i tha nëna. Pse? Duam gruan e tij, tha njëri prej tyre. Unë jam tha nëna me buzë të dridhur. Ai që foli tundi kokën, ndali pak pastaj me qetësi tha se ju japim lajmin se burri juaj është ekzekutuar! Ndërkohë s’ishte hapur lajmi se do të lirohen. Natën e 20 shkurtit në Tiranë ishin arrestuar rreth 200 persona. Madje ishin arrestuar edhe shumë nga qytete të tjera të Shqipërisë. Por për pushkatim ishin zgjedhur vetëm 22 veta. Të gjithë ishin ish tregëtarë dhe ish intelektualë. Pra kur ne prisnim të na thoshte diçka të mirë, ai na dhe atë lajm të kobshëm. Midis tyre ishte dhe njëri me mbiemrin Pitarka, por ai kishte një njeriun e vetë në Minsitrinë e Brendshme dhe arriti të shkëputej nga ky grup. Ju lutem mund të më thoni çfarë do ët thotë ekzekutim pyeti nëna> As ne se kishim dëgjuar këtë emër. Ekzekutim! Na u duk si nja fjalë e huaj shumë e pakuptueshme. Sa mbaroi njeri prej tyre këto fjalë, ata ikën gati si në vrap. Ne shtangëm të gjithë. Nuk dinim ç’të bënim. Nëna shkoi menjëherë tek familja e Hamdiut që ishim komshinj dhe që ishte martuar me italiane. Sa na pa në oborr Hamdiu na doli para. Hë Merjeme si është puna e pyeti nënën i shqetësuar. Nëna ishte 39 vjeç atë kohë. Nëna i tha që më thanë e kanë ekzekutuar, por se di çdo të thotë kjo fjalë. Ai uli kokën. Ndenji si i hutuar. Për disa çaste nuk foli. Ne e shikonim në dritë të syve. Përgjigja e tij do na jepte forcë nqs do ishte pozitive. Eh tha, ai dmth e kanë pushkatuar tha. Ne shtangëm. Nuk e besonim. Si të pushkatohej një njeri për 6 ditë pa gjyq pa gjë. Nëna bërtiti, mos.

Si ishte gjendja pas këtij momenti?
Çtë të them. Nuk kam fjalë ta përshkruaj. Një gjendje e keqe, një gjendje, që as mendohet. Ne afër kishim dhe shtëpinë e Prokop Mimës. Shkonim ndonjëherë luanim tek oborri i tyre se kishte dhe një pus. Edhe ata e kishin parë nga larg njarjen e asaj nate por kishin heshtur. Por me ne fëmijët silleshin shumë mirë, e dinin se ishim të pafajshëm. Nëna kaloi në depresion. Ajo një mesditë shkoi në shtëpinë e Prokop Mimës të hidhej në pus dhe të mbytej. Nëna e Prokop Mimës sa e shikon sulet dhe e kap. Merjeme, çpo bën kështu. Ke 7 fëmijë pas. E tundi disa herë dhe i tha e mban mend çtë tha atë natë Jonuzi, kujdes fëmijët. Shyqyr që shpëtoi nëna se do kishim ngelur 7 fëmijë jetimë.

Çfarë kujton nga Çorovoda?
Ne banonim afër rajonit të policisë. Jam rritur mes frikës. Sa herë shikoja policë trembesha. Po kështu dhe në Tiranë.
Një kujtesë
Nëna jonë ishte shumë e urtë, punëtore, e heshtur. I zbatonte të gjitha porositë e babait pa zë. Babai kur bënte shaka i thoshte, ti s;je Merjeme por ti je Maria, pra Shën Maria. Mbretëresha e mirësisë. Edhe Merjeme kështu do të thotë në turqisht. Nëna jonë ka vdekur në gusht të vitit 1989 dhe nuk arriti ti shikonte kurë eshtrat e të shoqit, burrit të vet Jonuzit. Ajo ka vdekur ditën kur në Tiranë ka ardhur Nënë Tereza. Pra këtej gëzim, andej hidhërim.

A i gjetët eshtrat ?
Po eshtrat i gjetëm në gusht të vitit 1991. I gjetëm në bazë të dëshmive të fshatarëve që ishin aty rrotull në atë pushkatim. Madje ishin shumë vetë që e dinin pak a shumë vendin. Pikërisht në këtë vit me nj vendim të veçantë babai jonë u shpall i pafajshëm. Por ne nuk kemi përfituar asnjë gjë nga persekucioni. Asgjë. Disa ish të përndjekur kanë fituar shumë, ne asgjë.
Ajo që nuk harrohet
Kur gjetëm kufomat, pamë se kafka e babait tonë, ishte ndryshe nga e të tjerëve. Ajo kishte një të çarë në mes të ballit. Unë e kam dhe foto. Kjo e çarë ëshët ashtu si më kanë thënë ata që kanë parë torturat e babait. Pra atë e ka bërë Mehmet Shehu me qytën e revoles. Të gjitha të dhënat përkojnë.
Takim me Duro Shehun
Në vitin 2002, pranë zyrës së të Përndjekurve Politikë rrinte në radhë për të marrë nj dokument një burrë i shëndoshë. E pyes nga je dhe çfarë kërkon. Më tha quhem Duro Shehu, vëllai i Mehmet Shehut dhe se kërkoj të marr shpërblime si i persekutuar dhe i internuar. Më sëmboi zemra. I thashë me të qetë se çfarë kish bërë Mehmeti ndaj babait tim. Nuk u nervozova, pasi dhe atij nuk i vija faj dhe nuk doja që të shkonte debati tek fëmijët. Pra të gjithë kërkonin dëmshpërblim, vetëm neve jo. Më kujtohet se çfarë më kishin thënë dy një punonjës të Ministrisë së Brendshme kur Mehmet Shehu pa babanë në korridor të Ministrisë. Ja, Jonuz, erdhi dita të jemi përballë. Më zgjidh dhe të flasim si burrat i tha babai. Ai në këtë kohë e qëlloi me qytën e revoles në ballë. Kur Mehmet Shehu ishte në shkollën e Hari Fullcit, xhaxhai i Mehmetit i thoshte të vinte tek xhaxhai im, Aliu për çka i nevojitej. Por ja si ja shpërbleu.

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Z. Zholi, Jonuz Kaceli, Si u puhskatua

Terrorizmi qendrën e ka në Moskë-Athinë-Beograd

March 1, 2015 by dgreca

Opinion nga Isuf B.Bajrami/
Siç dihet, terrorizmi si terminologji që përdoret kohët e fundit pa ndërpre nëpër referatet dhe shprehjet e shumë politikanëve e edhe të liderëve fetarë si ai Pavle, etj, ka marrë një përhapje të gjerë në botë, është kthyer në një fenomen shqetësues.
Ai shfaqet nëpërmjet formave, rrugëve e metodave të ndryshme. Në mjaftë vende kryhen puçe ushtarake nëpërmjet veprimeve terroriste të organizuara nga kreu i ish shteteve të lindjes. Ndërkohë ka kontrabandë kolosale, ka vjedhje të organizuara në shkallë ndërkombëtare, ka zhvillim të korrupsionit politik, imoral e fizik,etj. Terrorizmi shfaqet gjithashtu në grabitjen e aeroplanëve, sulme banditësh kundër individëve e grupe individësh në rrëmbime njerëzish, në vendosjen e bombave e deri në format më të ashpra të terrorizmit shtetëror e ndërkombëtar.
Në planin ndërkombëtar terrorizmi ka një rritje sidomos në disa vende. Në Francë “Aksioni direkt”, Belgjikë, në Spanjë vetëm në një atentat të kryer në një restorant pranë Madridit gjejnë vdekjen mbi 210 viktima. Veprimtari të njëjtë kryejnë edhe organizatat e njohura terroriste “Brigada e Kuqe” në Itali, “Ushtria e Kuqe” në Gjermani, “17 Nëntori” në Greqi, “Rruga e Ndritur” në Peru, “Ujqit e Murrmë” në Turqi, etj, të gjitha rrjedhin nga një Moçal që kundërmon me qendër në Rusi.
Grupi terrorist “17 nëntori” në Greqi, i njohur për vrasje e gjakderdhje, ka kryer disa dhjetëra vrasje ndaj personalitetesh ku në kohën e fundit ishte edhe atentati ndaj Atasheut Ushtarak të Britanisë së Madhe, vrasja e atasheut ishte si shenjë revolte ndaj Anglezëve dhe trupave të KFORI-it të cilët e ndihmojnë popullatën e pambrojtur në Kosovë, ndaj gjakatarëve të Milloshoviqit. Rast më i njëjtë është edhe hedhja në erë e dy makinave të misionit turk në lagjet “Pangrati” dhe “Zografu” ,në lindje të kryeqytetit ,pasuar nga një automjet i përfaqësisë italiane, në lagjen “Galaxi” , në veri, më pas edhe një makinë diplomatike e Filipineve në Ambelokipi. Për këto lloj atentatesh ,të shpeshta në Greqi,akuzohen nga policia grupe anarkiste ose të ekstremit të majtë .
Grupi terrorist “Rruga e Ndritur” nëpërmjet veprimtarisë së tij të fundit, ka shkaktuar vdekjen e mbi 15 mijë viktimave. Vetëm më 27 qershor të vitit 1989 në atentatin e zhvilluar në qytetin Amba të Perusë, terroristët e këtij grupi vranë 254 vet. Organizatë e tillë është edhe “Karta 77” në Çekosllovaki.
Po tu referohemi titujve të cilët i përdorin organizatat terroriste do të shohim se ato kanë shumë epitete të cilat të çojnë në një, si : “Brigada e Kuqe”, “Ushtria revolucionare proletare”, “Ushtria e Kuqe”, “Rruga e ndritur”, “Ujqit e Murrmë”, “17- Nëntori” , etj, pra këneta ku fërgohen dhe zihen të gjitha këto janë në Moskvë me degëzimet e saje reaksionare nëpër botë.
Për terrorizmin po flitet e shkruhet shumë. Propaganda sllave, nëpërmjet pamjeve televizive, përpiqet të frikësojë njerëzit dhe t’u krijojë atyre ankthe e pa siguri, duke e paraqitur atë të “përbindshme”. Të shumta janë vlerësimet që bëhen, qoftë për interpretimin e terrorizmit, qoftë për shkaqet që nxisin këtë dukuri politike e shoqërore, qoftë për rrugët e parandalimit, apo të kufizimit të akteve terroriste e anarkiste.
Shkaqet e vërteta të përhapjes së terrorizmit nuk qëndrojnë as në lajthitjet e njerëzve të veçantë, as në motivet impulsive që gjoja i shtytkan ata për të kryer akte të tilla, si rekomandojnë kalemxhinjtë e Beogradit. Ato janë në sistemin ekonomik, politik e shoqëror të vendeve të Bllokut të Lindjes. Si fenomen shoqëror, terrorizmi është pjellë e krizës dhe e degjenerimit të shoqërisë, e dekadencës dhe e shthurjes Morale të një numri gjithnjë e më të madh njerëzish që jetojnë në mjerim e dëshpërim.
Faktet tregojnë se akoma më të egra janë aktet e terrorizmit në planin ndërkombëtarë, si pasojë e politikës agresive, ekspansioniste e hegjemoniste, e shtimit të garës në armatim, e nxitjes së racizmit, sionizmit dhe regjimit monist. Vlen të përmendet terrorizmi shtetëror në Jugosllavi i udhëhequr nga Millosheviqi, ku në të kishte gisht edhe Kisha Ortodokse serbe. Propaganda shtetërore serbe dhe ajo e kishës shpeshherë drejtohet kundër njëra tjetrës dhe në të gjitha rastet ka një qëllim: të hidhet perde tymi dhe të gënjehet opinioni publik, të mbulohen aktet agresive që ato kryejnë në terren ndaj boshnjakëve, shqiptarëve, etj, të përligjet terrorizmi shtetëror si një politikë zyrtare.
Populli ynë, sikurse dihet, e dënon terrorizmin në çdo formë që paraqitet ai, qoftë individual, i organizuar, apo i karakterit politik, pavarësisht nga ngjyrat që ai mban dhe motivet nga niset. Nisur nga dëshira e sinqertë për të kontribuar në luftën kundër terrorizmit dhe të ndërgjegjshëm për rreziqet eventuale që paraqet terrorizmi, unë mendoj se duhet të jemi vazhdimisht vigjilent, kundër terrorizmit shtetëror sllavo-ortodoks që ushtrohet mbi popullin tonë dhe duhet të përpjekkemi për nxjerrjen e rrënjëve të atij terrori nga trojet tona.

Filed Under: Opinion Tagged With: Beograd, Isuf Bajrami, Moske-Athine, terrorizmi

Një pyetje për ministrat dhe…

March 1, 2015 by dgreca

Zotëri ministra dhe z.Stavileci çfarë gjykimi e kish prit nga ju Mixhën Ramë me 25 fëmijë?/
Shkruan Asllan Dibrani/
Blerand Stavileci, “Ministrit i Zhvillimit Ekonomik”, i cili në emisionin Interaktiv të KTV me deklaratat e tij i ngjasonte disa komunisteve serbo-shqiptarë në kohen e ish-Jugosllavisë?Kur mbronin organet e shtetit të Jugosllavisë-Serbisë , ata i denonconin shqiptarët e varfër si antijugosllav të nxitur nga irredentizmi shqiptarë që kishin shume fëmijë, gjëja se kanë dorë në shtimin e popullsisë në Kosovë me qellim te rrezikimit jugosllav!. Deklarata e Stavilecit i ngjashme me ato te çetnikëve dhe bashkëpunëtoreve shqiptar asaj kohe! Edhe çetnikët serbë kërkonin që shqiptarët nuk duhet të kenë shumë fëmijë ,sepse po e rrezikojnë Serbo-Jugosllavinë komuniste që gllaberoj tokat shqiptare. A thua është kjo koincidencë, apo ndoshta Blerand Stavileci është ndonjë pinjoll i komunizmit serbo-Jugosllav, le të mbetet ta bëjnë organet kompetente nëse kanë guxim tu shpallin luftë të apostrofuarve që për çdo ditë kanë filluar ta qesin kokën në shërbim të Serbisë!!!
Ministrat e Isa Mustafës e lëshojnë deklarata si lopa bajgën !!!
Kosovës po i ndodhe si shpesh, ajo fjala e urtë popullore një budalla e hedh gurin në bunar(pus) njëqind nuk munde ta nxjerrin! Apo fjalën fjala tjetër e lëshon si lopa bajgën vend e pa vend!.
Edhe ky ashtu veproj’?. Ashtu e lëshoj bajgën nga goja në vende të merremi me punë shumë më madhore, tash po na duhet me u marre me një deklaratë absurde të një të pa afti, një politikani qe vërtetë qe rastësia po i sjell në vende kyçe politike. Është dashtë deri tani të jap dorëheqje të menjëhershme sepse kështu paaftësia e tyre ka filluar të dal për lendinë .
-Ky dhe tjerët si ky do të ishte fat sikur, të largohen nga organet e Kosovës sepse, vet praktika tregon masë miri se në ç’mjerim dhe çfarë shkatërrimi i sollën Kosovës dhe ua irrituan shqiptarëve atdheun?!. Këta janë që imponuan demonstrativisht ta lëshojnë Kosovën populli!!!. Këta janë edhe shpresën ua morën shqiptarëve të shumë vuajtur në pritje ,se një ditë do t’i ngroh dielli edhe këta pakëz .
A thua se çdo herë duhet një Kolë Shrokë të jetë kujdestar si ky injorant i leksikoneve edhe për seks ndaj qytetarëve të Kosovës në sherbimin e Serbisë?
“Ata që kanë 300 euro të ardhura mujore nuk duhet të bëjnë nga 7 fëmijë”, ishte një pjese e dekoratës së ministrit dhënë në emisionin televiziv “Interaktiv” të KTV-së. A thua se çdo herë duhet nga një Kole Shrokë të jetë kujdestar si ky injorant i leksikoneve për seks ndaj qytetarëve edhe se kur me fjet me gratë apo burrat e vet. Sipas tij këtu duhet të jenë dy klasa të varfrit që duhet me lind pak fëmije, pak seks,pak ushqim me ngrenë është fjala për ata që i kanë të ardhura vetëm 300 Euro.
Çka i kish bërë ky ministër mixhës Ramë nga nga Danisheci me 25 fëmije i , axhës Bilall edhe ai nja 15,axha Selim nja 13 fëmijë ???
Hej more ministër , po çka me i bere banës Feti qe na lindi 7 fëmijëve,ai pa punë ka qenë po na shkolloj dhe secili u shpërndamë në interesat e vendit dhe ne shërbimin e tij.Ai kurrë se ka marre edhe nje grosh nga ish okupatori se i pa punë ishte dhe vdiq Po lind pyetja tjetër, se çka i kish bërë ky ministër mixhes Ramë nga nga Danisheci qe e njoh dhe 25 fëmije i ka pas. Po axhës Bilall edhe ai nja 15,axha Selim nja 13 fëmijë. A thua se çfarë gjykimi i kish prit ata , nga këta ministra. O baca Ramë e axha Bilall, axha Selim e ju të tjerë me shumë fëmije zoti ju ka shpëtuar qe ju mori shpirtin dhe vdiqët pa ardhë në pushtet këta alamet ministra në qeverinë aktuale se ku me dit se cfar gjykimi kishit m e pas. Me ligjet e tyre paskan pas me ju qit në konop për gjithë ata fëmijë dhe gjithë atë seks qe e keni bërë me gratë e juaja !!!.
Lind pyetja tjetër se çka me bërë ata të pa punët afër 60 % e popullatës janë të pa punë .Sipas ministrave të Isa Mustafes këta duhet privuar nga seksi, kurr mos me bërë seks ,me, gratë e tyre as me lind fare fëmije… Sipas zotit Stavileci këta duhet të pajtohen me fatin e varfërisë dhe të zhduken nga kjo botë e mos ti bëhen barre këtyre të pasurve dhe ministrave të tanishëm dhe të pasurve!!!.
Pra, sipas planimetrisë zhvillimore të ministrit ekonomik kjo është raciste, antishqiptare dhe diskriminuese , kur dallon popullin këtu në të varfër pa të drejt dhe të pasurit me të drejtë lirie që të kenë fëmijë sa të duan pa limit!?. -Ky ka shkuar sipas leksikoneve të disa hoxhallarëve antikombëtar dhe degjenerues kur ligjërojnë se “Një burrë ,ka drejt me i pas 7 gra. Me 7 gra me pas seks!!!. Edhe më shumë gra bile për ata që kanë pare edhe 72 gra me i bërë ,s’paska kurrfarë problemi ! Qenka e lejueshme sipas kuranit? . Ndërsa ai që s’ka pare , me mbet edhe pa as një grua. Ata që s’kanë pare as edhe njëherë nuk u lejohet me shijuar aromën e dashurisë e lere qe ta ketë në shtrat ndonjë grua me fjet me të e me pas fëmije…
Kjo deklarate diskriminuese, qon në injorancë të pa presidence nga ministëra të këtillë. Sepse në “Shtetin e Blerandit, privilegjohen dhe çmohen shqiptarët dhe kriminelët e pasur, të cilët ministri Stavileci i lejon të lindin fëmijë sa të duan .Sa të duan gra! Sa të duan liri sa te duan para pa kufi.
O zotëri ministra a ti mbyllim sytë pranë këtyre deklaratave skandaloze qe vetëm klasa politike e Kosovës din t’i linçoj dhe t’i lëshoj me një papërgjegjësi?.
Ministra t’padijshëm e pa ide kreative, plot mllefe e komplekse, urrejtje na etiketojnë ne gazetarëve si “Qëllimkëqij” që shohin veç zi… O zotëri ministra a ti mbyllim sytë pranë këtyre deklaratave skandaloze qe vetëm klasa politike e Kosovës din t’i linçoj dhe t’i lëshoj me një papërgjegjësie!’?.
Sipas Blerandit, njerëzve të varfër nuk duhet tu jepet rast të lindin, sepse, i varfëri sipas teorisë së tij prodhon varfëri. Ky ministër në vend se të merren me zhvillimin ekonomik , shkollimin e femrës, ngritjes se saj në planin emancipues dhe edukativ ai merren me paragjykime apo me debatin e misionareve aziatik si ministrit Ferid Agani për vënien e shamisë në kokë . O jo, jo, dhe jo, këtu ka të bëje mor injorant me ligje plane ekonomike ,zhvillim edukativ dhe arsimor ngritje ne te gjitha nivelet.
Ju luftoni ta keni një femër shqiptare të pa ditur dhe tu lajnë këmbët e qelbura në mbrëmje duke vrapuar pas hajnisë , tenderëve dhe kriminalitetit tërë ditën!?.
Të ngitet standardi familjar, atëherë vetvetiu vjen vetëdija dhe vet populli vendos se sa fëmijë me i bërë! Sa herë me fjetë me gra e tyre etj etj .Ju keni prodhuar analfabet në ketë popull . Edhe Kuvendi i Kosovës ka të tillë sa të duash!. Ju luftoni ta keni një femër shqiptare të pa ditur dhe tu lajnë këmbët e qelbura në mbrëmje duke vrapuar pas hajnisë tenderëve dhe kriminalitetit tërë ditën. Ju s’keni kohë të merreni me zhvillimin e kësaj shoqërie në arsim , kulturë dhe edukatë, po edhe në ekonomi!. Po ky ministër mori rroge 6 muje, pa bëre asgjë e tash del e flet për standardin dhe planifikimin familjar me aq varfëri brutale qe ekziston. E pyesim zotin ministër se ku janë shtesat femërore ,ku është mjekimi, ku është arsimi, ku është kultura ,ku janë benificionet tjera apo sigurimi shëndetësor?. Këto kushte duhet ti ketë Kosova pastaj të dalësh me këso deklaratash, sepse çdo shtet pa prodhimin e popullsisë dhe pa fëmijë, ai shtet vdes vetvetiu, siç ,po i kanoset vdekja Kosovës nga skenar të ndryshëm me rastin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova gjatë kohëve të fundit.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, Një pyetje, për ministrat, Stavileci…

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 78
  • 79
  • 80

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT