• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2015

Një kandidat i akuzuar për vrasje dhe i dënuar për kontrabandë armësh

April 22, 2015 by dgreca

Shkruan: Arben LLALLA/
Prej kohësh deputetët shqiptar po diskutojnë për dekriminalizimin e Institucioneve shtetërore, duke propozuar një paketë ligjesh. Por ende njerëz që janë dënuar dikur për vrasje, terrorizëm apo kontrabandë armësh janë duke konkurruar fuqishëm në zgjedhjet vendore 2015. Njëri nga këta persona i akuzuar për terrorizëm, por i dënuar për kontrabandë armësh është kandidati për kryetar të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri i cili përfaqëson PBDNJ dhe OMONIA.
Emri i Fredi Belerit nuk lidhet shumë në dukje me propagandën e shoqatave greke që promovojnë ekstremizmin për aneksimin jugut të Shqipëri, por ai ka preferuar të jetë nënhije duke drejtuar çdo aktivitet të tyre për të dalë në sipërfaqe në kohën dhe vendin e duhur. Që kur emigroj në Greqi pas vitit 1990, Fredi Beleri vuri kontakte me grupet ekstremiste greke që luftojnë për aneksimin e jugut të Shqipërisë dhe shpalljen e Autonomisë. Ai u lidh me Dhimitri Dhimalezin i cili ishte kryetari i Lidhjes së Bashkuar Himariotase në Greqi, Babis Karathanos me origjinë nga Shqipëria i cili në atë kohë ishte kryetar i organizatës së Rinisë së Vorio Epirit. Karathanos e prezantojë Belerin me Mitropolitin e Konicës, Sebastianon. Në Shkurt të 1994, Fredi Beleri u takua përsëri me Mitropolitin Sebastianon dhe po atë vit qëndroj disa muaj në Qipro pas masakrës së Peshkëpisë.
Masakra e 10 Prillit 1994, nga terroristët grek të MAVI
Më 10 Prill 1994, rreth orës 3, pas mesnatës, një skuadër paraushtarake me emri “PIRRO,, që i përkiste organizatës terroriste greke e njohur “Fronti Për Çlirim e Vorio Epirit”- MAVI, e përbërë nga 8 persona, hynë 4 km në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo skuadër sulmoi godinën ushtarake ku mbetën të vrarë ushtari i shërbimit Arsen Llazar Gjini, 20 vjeç nga Semani i Fieri dhe oficerin Fatmir Sali Shehu, 34 vjeç, nga Tepelena, si dhe plagosën 3 ushtarë të tjerë. Pasi morën peng rreth 120 ushtarë të cilën kur u krye sulmi po flinin, grupi terroristë thërriste: “Këto i keni për Vorio Epirin, ne nuk kemi harruar”. Gjatë largimit skuadra terroriste e MAVI-t, morën me vete 15 automatik të markës kallashnikov, prodhim kinez dhe dy arka me fishek. (Sipas agjentëve që u filtruan në grupin e MAVI-t, pasi dolën nga burgu, u patën thënë se në fillim vranë ushtarin, oficeri duke parë ushtarin e vrarë u mundua të merrte armën që ishte në tavolinën e punës, por u qëllua pas shpine).
Të nesërmen, më 11 Prill, organizata terroriste MAVI, dërgoj një letër në gazetën greke Elefterotipia, ku merrte përsipër sulmin ndaj godinës ushtarake brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Mediat dhe i gjithë aparati shtetëror grek akuzën se janë grek ata që kryen masakrën e 10 Prillit në fshatin Peshkëpi nuk e pranonin, por e quajtën provokim nga ana e Shqipërisë. Më 13.4.1994, gazetarja Kristina Pulidhu botoj një shkrim në gazetën AVJI, ku aktin terroristë ua ngarkojë kapuçonëve parashtetëror të Athinës.
Gazeta greke STOXOS, botoj me krenari foton e 4 pjesëtarëve të MAVI që morën përsipër masakrën e Peshkëpisë.
Më 19 mars 1995, policia greke kufitare afër Delvinaqit ndaloj një veturë dhe një kamion, brenda tyre gjeti 6 kallashnikovë me 878 plumba, dy pistoleta Tokaref, me 42 plumba, një radio, një bajonetë, dylbi, uniforma ushtarake. U arrestuan shtatë persona që gjendeshin brenda dy automjeteve, kryetari i grupit, Jorgos Anastasulis, 34 vjeç, shtetas grek(oficer ushtrie dhe thuhet se ka origjinë nga Himara), Apostolos Karvelas, 26 vjeç, shtetas grek(ish-polic rrugor), Marios Kutula, 25 vjeç, Fredi Beleri, 23-vjeç, (i cili përdor disa emra si Dionisios dhe Foti), Jorgo Kristo 26, vjeç, Jorgo Papa, 30, të gjithë këta janë nga Himara, Harallamb Papa, 21 vjeç, nga Krioneri i Gjinokastër,
Armët e tjera të organizatës MAVI, u gjetën në Mars, 1995 në shtëpinë e Andrea Kokaveshit, mjek, 67 vjeçar, shtetas shqiptar nga Dhërmiu-Himarë. (Familja Kokaveshi është themeluese e MAVI-t më 1941, Athanasios Kokaveshi). Pjesëmarrësit që u akuzuan ishin 7 veta, dy grek dhe 5 minoritar.
Jorgo Anasatasuli, Apostol Karvela, Fredi Beleri, Jorgo Kristo, Marios Kutula, Harallambo Papa dhe Jorgo Papa u akuzuan për kontrabandë armësh, të kapur me 7 kallashnikov më 1995, ndërsa Angjelo Kokaveshi u akuzua për fshehjen e 7 kallashnikovëve të tjerë në shtëpinë e xhaxhait të tij, mjeku Andrea Kokaveshi.
Gjykata e Athinës më 21 Mars 1996, dënojë me 4,5 vjet burg, Jorgo Anastasulin, 3.5 Apostol Karvelën, dhe gjatë shtetasit shqiptar me nga 3 vjet burg. Por gjykata e Apelit e reduktojë dënimin nga 18-20 muaj burg. Pas përfundimit të gjyqit avokati i tyre Filoklis Asimakis, thirri: “RROFTË MAVI, JAP 5 MILION DHRAHMI PËR ORGANIZATËN E RE MAVI”.
Pas përfundimit të gjyqit, kryetari i Lidhjes së Bashkimi i Himariotëve në Greqi, Dhimitri Dhimalezi, e puthi tërë pasion në buzë, Angjelo Kokaveshin. Për Dhimitër Dhimalezi thuhet se ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit grek tradicionalisht. Babi i tij, Anastas Dhimalezi ka qenë agjent i sigurimit grek që në vitet 1940, dhe ka kryer disa misione spiunazhi në Shqipëri gjatë luftës Nacional Çlirimtare dhe pas saj. Pasi sigurimi shqiptar zbuloj se Anastas Dhimalezi ishte spiun grek, më 1946, ai mori me vete kur u arratis për në Greqi djalin e tij, Dhimitrin. Disa vite Dhimitër Dhimalezi u dërgua për spiunazh në Qipro, pasi erdhi në pushtet partia e majtë PASOK më 1984, Dhimitri u tërhoq nga veprimet e spiunazhit. Me ardhjen në pushtet të partisë së djathtë greke të Konstandin Miçotaqit, Demokracia e Re më 1990, Dhimitri u riaktivizua për spiunazh në Shqipëri. Më 1991, themeloj shoqatës Bashkimi i Himariotasve, dhe filloj stërvitjen e paraushtarakëve për akte terroriste në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe Dhimitër Dhimalezi kishte përkrahjen e plotë të Andoni Samaras, që në atë kohë ishte ministër i jashtëm i Greqisë.

Flitet se një bashkëpunim me organizatën MAVI, ka patur deputeti dhe ish-zëvendësministër, Maqis Voridhis, që ka qenë kryetari i partisë Fronti Nacionalist. Por çelësi kryesor për këtë lirimin e tyre thuhet se ishte një deputete dhe ish ministre e partisë së Demokracisë së Re. Gjatë procesit gjyqësor të grupit të MAVI-t dolën të dhëna se Maqi Voridhi është takuar me kryetarin e grupit Jorgo Anastasulin në hotelin Zafolia, në Athinë disa orë pas masakrës së Peshkëpisë. (Nëse janë nisur ora 5 të mëngjesit grupi i MAVI nga Delvinaqi, atëherë i bie të kenë mbërritur në hotel Zafolia rreth orës 12 të drekës).
Fredi Beleri qëndroj 18 muaj në burgun e Koridhallo. Gjatë qëndrimit në burg anëtarët e MAVI, u bënë pishman për atë që kishin bërë dhe të gjithë fajin ja hodhën Jorgos Anastasulis i cili ishte kryetari i grupit. Në periudhën e burgut midis të burgosurve u infiltruan agjent të sigurimit grek dhe të huaj të cilën donin të mësonin të vërtetën e MAVI-t.
Me ligj në dhomat e burgut në Koridhalo qëndronin në çdo dhomë 4 të burgosur. Të akuzuarit e grupit të MAVI i vendosën të pestë në një dhomë në katin e sipërm të burgut. Në burg, kryetari i grupit, Jorgo Anastasuli bënte shoqëri me të burgosurin Vasil Vanalantos i cili njihej si vrasës ordiner. Kjo shoqëri nuk shihej me sy të mirë nga anëtarët e tjerë të grupit të MAVI. Pas disa muajve anëtarët e MAVI-t akuzuan kryetarin e tyre Anastasulin se i kishte futur në kurth për interesat e huaja dhe jo greke për sulmin ndaj godinës ushtarake në Peshkëpi. Një ditë, Apostol Karvelas dhe Mario Kutula, u zunë keq me Anastasulin dhe shoqëria e tyre u prish përgjithnjë.
Pas daljes nga burgu të gjithë ata që u akuzuan si pjesëtarë të MAVI nuk u riorganizuan. MAVI u harrua dhe aktiviteti i saj u ndal, nuk foli më njeri për këtë organizatë të vjetër terroriste. Thuhet se CIA e ndali riaktivizimin e MAVI duke paralizuar çdo qelizë të saj.
Aktivitetet e Fredi Belerit pas burgut
Në 28, Shtator, 2003, Rinia e Partisë Fronti Nacional (ΕΛΛΗΝΙΚΟΥ ΜΕΤΩΠΟΥ), që e drejtonte deputeti i sotëm Maqi Voridhis, nderojë me Mirënjohje Himarën me motivacionin për mbajnë gjallë të çështjes kombëtare greke, në këtë aktivitet ishte i ftuar Nderi Fredi Beleri.
Më 5.11.2007, ora 18.00, e Hënë, u mblodhën para ambasadës së Shqipërisë në Athinë përfaqësues të shoqatës, Bashkimit Himariot, të udhëhequr nga Fredi Beleri, Angjelo Kokaveshi dhe nga deputeti i Kuvendit grek të partisë LAOS, Athanasios Plevris, (deri 15 Janar 2015, Athanasios Plevris ishte deputet i partisë Demokrasia e Re e Andonio Samaras. Athanasios është djali i ekstremistit të njohur fashist Kostandin Plevris. E gjithë karriera politike e Athanasios i takon babait të tij i cili ka lidhje të ngushta që në rininë e tij me grupet fashiste greke, të Agimit të Artë, Frontit Nacional, etj). Ata protestuan për ligjin 7501 të 1991, në lidhje me privatizimin e tokave.
Më 18 Janar, 2009, Fredi Beleri mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Revista PATRIA, e cila nderoj me Mirënjohje disa figura ekstremiste greke si: deputetin e LAOS, Makis Voridhis, deputetin LAOS, Athanasios Plevris dhe Fredi Belerin, kryetarin e Bashkimit të Himariotasve.
Fredi Beleri më 19 Janar, 2009, në Athinë mori pjesë në festën e shoqatës Rinia e Vorio Epirit, në këtë shoqata ai ka qenë i anëtarësuar që më 1992.
Në 8 Shkurt, 2009, Fredi Beleri mori pjesë në aktivitetin që organizojë partia ekstremiste greke LAOS e Karaxhaferit, me rastin e 50 vjetorit të Autonomisë së Vorio Epirit, ku mbajti edhe një fjalim provokativë ndaj Shqipërisë
Në Korrik 2011, Fredi Beleri dhe shumë drejtues të organizatave ekstremiste greke u takuan në Janinë 5 ditë në Seminarit e Epiriotasve të Botës. Atje ishin shumë figura ekstremiste greke si greko-amerikani Nikolla Geixh, Babis Karathanos, etj.
Fredi Beleri para disa kohëve i deklarojë për gazetën greke I APOKSI, Koço Kokdhima dëshiron të na përzërë nga Himara. Kjo është një akuzë e rëndë për deputetin shqiptar të zonës së Himarës.
Fredi Beleri i dënuar me 3 vjet burg për dhunimin e simboleve shqiptare
Gjykata e Vlorës me numër 224/24.9. 2004 dhe me numër 302/26.12.2006, dënojë në mungesë me 3 vjet burg, Fredi Beleri, Agjelo Kokaveshi, Koço Llazari, Vangjel Kolila dhe Sofika Rapo, të cilët në zgjedhjet vendore të 12 Tetori 2003, dhunuan simbolet shtetërore shqiptare.

Filed Under: Analiza

Replike-Arben Llalla aludon negativisht ndaj Kryepiskopit Anastas

April 22, 2015 by dgreca

Shkruan:Episkopi i Bylisit, Asti/
Teksti me titull «Njohje të vjetra të Kryepeshkop Anastasios me Mitropolitin Sebastianos» i z. Arben Llalla, që u botua në gazetën tuaj elektronike, dt.19.4.2015, paraqet informacione të pasakta, të gënjeshtërta dhe të ngatërruara.
Shkrimi përpiqet me mënyrë dinake të bëjë lidhje me të dhëna para 60 vjetësh pa lidhje. Biografia e Kryepiskopit Anastas është e njohur botërisht. Kështu konkretisht Kryepiskopi Anastas u largua nga rrethi i Vëllazërisë “ZOI” (“JETA”), në vitin 1963, si dhjakon. Asnjëherë nuk shkoi në Vëllazërinë “SOTIR” (“SHPËTIMTARI”), në të cilën shkoi atëherë arkimandriti Sebastianos. Kryepiskopi Anastas shkoi për studime në Gjermani, me bursë të Fondacionit gjerman “Alexander Fon Humboldt”. U zgjodh profesor i Universitetit të Athinës, shërbeu në Sekretariatin e Përgjithshëm të Këshillit Botëror të Kishave në Gjenevë dhe u zgjodh në poste të larta të këtij organizmi botëror, ndërsa më vonë u përkushtua në Misionin e Apostullimit Orthodhoks në Afrikën Lindore.
Kryepiskopi i Greqisë, Serafimi, nuk i përkiste Vëllazërisë “ZOI”, përkundrazi mbajti qëndrim armiqësor ndaj kësaj vëllazërie dhe nuk simpatizonte vizionin ekumenik dhe pajtues të Anastasit. Patriarkana Ekumenike i caktoi si detyrë Anastasit veprën e ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për arsye të përvojës së tij të madhe, prestigjit të tij ndërkombëtar dhe shpirtit vetësakrifikues.
Me këtë rast, po shtoj edhe një detaj mjaft karakteristik. Në vitin 1989 në Mbledhjen e Përgjithshme të “Këshillit Botëror të Apostullimit dhe Ungjillëzimit” në San Antonio, Teksas në SHBA, Anastasi atëherë episkop dhe profesor universiteti, si kryetar i Asamblesë në të cilën merrnin pjesë mbi 700 përfaqësues nga 106 vende të botës, insistonte të përfshihej në mesazhin e këtij Këshilli edhe referimi për Shqipërinë: “Krishti vazhdon të vuajë në shumë vende të botës dhe pret prej nesh përgjigjen konkrete: solidaritet dhe veprim…ndërmjet të tjerave dëgjuam edhe dhimbjen e pazëshme të komuniteteve fetare, të cilave Kushtetuta e vendit u mohon të drejtën e ekzistencës, siç ndodh në Shqipëri”. Këto pra u thanë nga Anastasi, në atë kohë Episkop dhe Profesor Universiteti, në vitin 1989, në kohën e errësirës së përndjekjes ateiste në Shqipëri.
Zoti Llalla për qëllimet e tij të dyshimta përpiqet të aludojë negativisht për ndershmërinë e Kryepiskopit Anastas. Tashmë të gjithë e njohim ofrimin pa interes të dashurisë së tij për çdo popull. E vërteta mbetet e qartë dhe e padyshimtë.

Episkopi i Bylisit, Asti
Tiranë 21.4.2015

Filed Under: Opinion Tagged With: aludon negativisht ndaj, arben llalla, Kryepiskopit Anastas, Replike

Pak pudër mbi rrudhat e mia

April 22, 2015 by dgreca

Shkruan:Ilir Levonja/
Pranvera e fushatave filloi. Ndoshta është koha kur dominon hiperbola. Normale jo të gjithë sythët e çelur do lidhin fruta Të paktën shohim lule. Gjethi i ri dhe lulja e re, mbulojnë mjerimin. Ashtu sikur pak pudër një rrudhë. Pakëz bojë një thinjë. Ashtu sikur ca zift mbi një version paraqitjesh gropash mbi sipërfaqe. Megjithatë askush nuk pyeti se përse na duhet një rrugë dhe si duhet të ndërtohet.
Tek-tuk ka zëra individual që përpiqen të komentojnë drejtimin e gabuar të demokracisë. Ata janë pak. Më mire kështu. Pasi po të ishin më shumë, dhe po të përfaqësonin forca politike, shumë shpejt vendi do përfshihej në një anarshi nga ato të historisë shqiptare. Me paradoksin që e duam apo nuk duam Turqinë. Me paradoksin që vëllai i madh është me Turqinë. Dhe i vogli me Italinë. Ose me Greqinë. Ndërsa po rritet një brez, pjesa më e madhe e të cilit nuk janë as me të parin e as me të dytin. 
Ndërkohë pak analistë përpiqen të zbërthejnë përse këtë fushatë e dominojnë, dy profesione. Biznesmenët dhe mjekët? Përse kandidaturat e ricikluara me rekorde rizgjedhjesh, janë të gjithë me precedent penale, janë nën akuzë. Përse vetëm këto profesione? Përgjigja është e thjesht, mungon personaliteti popullor. Tani edhe zgjedhësit e dine, që mund të marrin diçka. Sidomos kur kandidat është një biznesmen. Të lumtur edhe me një drekë. Edhe pse e dine që do rrinë pa punë në qeverisjen e tij. Edhe pse do i japin sërish bakshish mjekut, kur të gjënden në spital. 
Edhe pse e dine që këta ngelën duke nëmur këtë minierë shtetërore, të shkretën kërmë spitalore. Pa e ndrequr asnjëherë. Pranë do vine në pushtet. Shëndosh klinikat e tyre. Rrofshin masat që presin duke lexuar tabelat, bëjmë x-ray në shtëpi nga ora kaq e aq. Bëjmë kardiograme etj. Këtu nuk punojnë aparaturat etj. 
Ndërkohë është pranvera më brutale. Kjo edhe me pranvënien e deklaratave publike të liderëve, kandidatëve. Dhe eksodit modern që po ndodh aktualisht në Shqipëri dhe Kosovë. Shqiptarët harruan malet, harruan gomonet, harruan maunet, harruan vendin ku mbahen bagazhet nën barkun e autoburgjeve të policies greke. Po ikin si zotërinj përmes doganave. Me valixhe carry on. Ia lane radhën libianëve. Aq sa kanë bërë botën t’i vërë gishtin kokës. Bën mire apo bën keq që vranë Gedafin.? Duhet apo nuk duhet ta vrasin presidentin e Sirisë Assadin?
Ndërkohë ka një parafushatë të harruar, hapja e dosjeve.
Ndërkohë ka ngecur një nënfushatë, dekriminalizimi i Kuvendit.
Ndërkohë me dhjetra të rinj ngrihen dhe nxitojnë drejt ndërmarrjes së papunësisë. Shikojnë akoma për shpëtim Italinë e zhytur krizash ekonomike. Greqinë e falimentuar. Anadollin me tipare kineze. Luftën vëllavrasëse në Siri. 
E plot vënde të tjera. Na quajnë me fat të madh ne muhaxhirëve nëpër botë. Dhe vetëm na mbysin me qortime kur ne duam të shuajmë vetminë dhe mallin. E thjesht, gjithçka për njeriun qënka vetëm ekonomia.
Megjithatë, pak prej tyre besojnë se toka e premtuar është aty.
Ndërkohë shpërthyen premtimet hiperbolike.
Konkluzioni: të luajmë letra, të luajmë lloto, të luajmë në Kazino. Të ikim. Tranzicion përjetësisht.

Filed Under: ESSE Tagged With: e mia, Ilir Levonja, mbi rrudhat, Pak pudër

MBAS SHTERNGATES

April 22, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
■NË 100 VJETORIN E NJË YLLI TË KULTURËS SHQIPTARE…/
Mbas një shiu që ra mbramë sikur, dikur në Shkoder, kur dola n’ oborr pashë se qielli ishte mbushë me yje… I shikova per pak minuta e menjëherë mu kujtuen disa Yje që shtërgata e vitit 1944 në Shqipni, nuk na lejoi me ua pa as xixllimin e tyne plot dritë…
A dishroni me u shmallue me burimet e gurrat e Gegënishtes Letrare të Shqipnisë ?
Çoni sytë nga qielli e në sejcilin Yll do të lexoni emnat e Guljelm Dedës, Nikollë Dakës, Henrrik Lacës, Mark Demës, Et’hem Haxhiademit etj., Emna të cilët as hetuesitë, as torturat dhe as burgjet e kampet e interrnimit, nuk mujtën me ua errësue shkelqimin e artë të Tyne shpirtnuer, shoqnor dhe kulturor me një persekucion gjysëshekullor.
■E pra, bashkë me Ata letrarë asht edhe Dedë Gajtani (Kola), që asnjëni nuk njiheshin as “profesora” dhe as, “akademikë”… sepse, shkruenin e flisnin Gegnisht e per pasojë u interrnuen, u burgosën dhe u trajtuen nga “lufta e kllasave” të “pakënaqur” e nënza… “reaksionarë të kulturuar në shkollat klerikale të Shkodres”! Sigurisht, “jo shumë kohë” po, nga 1944 e derisa mbyllën sytë e Tyne plot dritë që shkelqenin kulturen Shqiptare Europjane Perëndimore! Një brez intelektualësh i papersëritshëm në Shqipni!
■Dedë Gajtani asht le në Gajtan të Shkodres me 7 Qershor 1915. Shkollen e mesme e perfundoi në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër. Ishte nxanës i Don Ndre Mjedjës, i vlersuem gjithmonë në letersi me notën 10. Në vitin 1935 vazhdoi studimet e nalta në Romë, ku edhe i perfundoi në Propaganda Fide në vitin 1941. Ishte student kur filloi me shkrue poezi të cilat u botuen edhe në revistën Cirka. Kur ishte Deda student në Romë, shkoi për vizitë At Gjergj Fishta. Me atë rast prof. Mark Dema recitoi një poezi që kishte shkrue Deda. At Fishta pyeti se kush e kishte shkrue atë poezi? Shokët i thanë: Dedë Gajtani. At Gjergji ju drejtue Dedës tue i thanë: Të lumtë, të këshilloj me vazhdue me shkrue! Vlersimi dhe levdatat e asaj kohë i dhanë krahë muzës së Tij poetike, gja të cilen e kujtonte gjithnjë Deda. Kishte pasion per gjuhët e hueja dhe zotnonte shumë mirë latinishtën, italishtën, frengjishtën, spanishtën, gjermanishtën, anglishtën, dhe hebraishtën. Porsa u kthye në Atdhe filloi përkthimet e botimet në revisten “Kumbona e së Diellës”. Punoi nga viti 1941 deri në 1945 në Institutin e Studimeve dhe Biblioteken Dante Aligeri, në Tiranë. Në vitin 1945 emnohet arsimtar në Fier. Ishte tue shetitë në Manastirin e Ardenicës në vitin 1946 kur e arrestojnë për disa muej në burgun e Beratit.
Me nderhymjen e nje shoku të tij, në Institutin e Studimeve, e lirojnë nga burgu. Ajo nderhymje ishte vendimtare që e çveshi nga akuzat e shpifjet si agjent i Vatikanit…etj.
Porsa u kthye në Tiranë, u dëbue politikisht dhe u emnue arsimtar në Maqellar të Peshkopisë deri në 1950. Prej këtej e transferojnë në Krujë, ku mbas një viti në 1951, e pushojnë nga puna me motivacion: “I pa denjë për të edukuar brezin e rinj”.
Detyrohet per kafshatën e gojës të punoi punë fizike në hidrocentralin Karl Marks, Ulzë, deri në 1954. Nga 1954 deri 1958 emnohet persëri mësues në shkollat fillore të Oroshit e Malaj të Mirditës… Deda nder ato Malësi të egra, kishte përkrahu edhe zonjën e Tij të Nderueme Maria, një Burrneshë e daltueme nga Vetë Dora e Zotit, me të gjitha tiparet që pak gra Shqiptare i ruejnë prej rracës sonë Ilire… Një Fisnike, e gjatë, por gjithmonë me buzë në gaz dhe madhështore, aqsa i ka hije një grueje intelektuale. Në vitit 1958
ishin me 4 fëmijë kur i transferojnë në Dukagjin, kohë në të cilën i njoha edhe unë… Detyrohen me i ra kryqeterthuer edhe Malësisë së Dukagjinit… Abat, Gimaj, Theth…
Po, gjithmonë Ai Deda i thjeshtë, i dashtun, buzagaz e optimist: “E ban Zoti mirë…!
Ai na ka në kujdes!”… Gjithmonë i “heshtun” e me një shprehje fëtyre plot dritë… ■Kultura botnore që kalonte nder duert’ e Tij, kishte ba punën e vet! Ajo kishte depertue thellë në Shpirtin e Dedë Gajtanit, që mërrijti me pa vetem pak ditë shpresdhanëse të asaj deshire të madhe sa vjeçare, per të cilën punoi gjithë jetën e vet pa ju ndigjue zani.
Bash atëherë kur një rreze drite e një Lirie mendimi e fjale të andrrueme filloi me freskue shpresën e mberthyeme nder prangat e heshtjes, atëherë, kur filloi me pa frutin e punës 47 vjeçare nder revistat e porsa daluna nga shtergata… Deda iku në Mbretninë Qiellore!
Me datën 7 Dhjetor 1993, Dedë Gajtani heshti përgjithmonë…Edhe né ashtu kujtuem!
■Po veprat e Tij në gjuhët e mbarë Europës, u zgjuen e na treguen se Dedë Gajtani asht i pranishem në sofrat e shkodranëve të Tij, nder sofrat e miqëve në Fier, nder ata gurë historikë të Bjeshkëve të Nemuna ku, dora e Dedës, gjithmonë e lëmueme nga një dashuni e thellë e Marijës, arrijti me daltue nder ata shkambijë dashuninë për Atdhe!
Aty nder ata male do të gjeni pranë krojeve nder Kryqat e pushimit perjetsisht tue folë në Gegnishten e bukur të At Fishtës dhe Don Ndre Mjedjës, në ambelsinë dhe rreptësinë e Don Lazer Shantojës e Don Ndre Zadejës, ase në rizat apo xhubletat shekullore të atyne Viseve, të shkruem per Ju o Rini Shqiptare: Poetët e Mëdhej Dante Aligeri, Viktor Hygo, G.Volfango Goethe, Federik Schiller, Aleksander Manxoni, Carducci, Leopardi, Marradi, Torquato Tasso, Ada Negri, G.Pascoli, Artur Graf, Zanella, Aleardi, Henrik Heine, G.Giusti, G.Caparozzo, Giovani Prati, Chateubriand, E.Longfellow, Domenico etj…, etj… E fëmijët e vegjel do të dëgjojnë përrallat e Ezopit e Fedrit në gjuhen Shqipe!
■E zemra e Madhe e Poetit të heshtun, aty ku prangat e robnisë u këputën, aty Ajo… shpertheu si vala e Drinit apo rrebeshi i Cemit, ashtu si dikur Ato Vise të Kastriotit nuk njohën turp dhe robni, ashtu edhe Shpirti i paster i Dedë Gajtanit na dhuroi poezitë e Tija origjinale si biluri: Malli, Ave Maria, Andërrime e vegime, Nanë Lamtumirë…
■Po, mbi të gjitha Dedë Gajtani sot në librin e Tij, na thotë mbas shtërgatës: Këtu jam!
Nuk jam ma Firsi…Nuk kam ma pseudonime! E as, nuk do të heshtë! Këtu jam!
■A dishroni me më ndigjue zanin tim tue këndue? Per Ju, o Shqiptarë, sot do t’i këndoj…
KALASË ROZAFATIT
O mure të vranta të Rozafatit!
Që tash sa shekuj, ju besnikë mbrojës,
I patë sa orla të zezë mësyen këtij shpatit,
Çerdhen e shqiponjës.

Sa ushtri turke këtu e barbarë erdhen!
Sa herë o shqipe, me luftë të kanë mësy!
Por s’ muejt asnjeni, ta prishi çerdhen
As të pushtojë ty.

E njikëtu motit shqipet rromake
Fishkëlluen rreth teje, me të shkye me skjepa.
Por ti, o shqipja shqiptare i flake,
Copë, copë në këto shkrepa.
Sa herë t’ u sulen ndër kohna të vjetra!
Sa herë t’ u sulen ndër kohna të reja!
Ti, o shqipe ilire, i shkjeve me kthetra,
Mu té foleja.
***
Vullkan kalaja thonë ka kenë motit,
E ke asht afrue e ka djegë mbrendë.
Vullkan kalaja asht dhe në ditë të sotit
E ka për të kênë.

U lëshuen të grabisin sa herë vandalët,
Rromakë e turq e serb, venedikë,
Por té, i to ledhe, u thyene valet,
Porsi té, i digë.

Ledhet hijeranda, të kalasë madhështore
Të kujtojnë të kaluemen, trime e luftare.
Porsi ma e bukra sot përmendore,
E tokës shqiptare.

O njato mure, e njato rrenime!
Mbulue prej myshqesh e shermashekut,
Përmbi ballë të tyne ruejnë sa kujtime,
Të kohës Skanderbegut.
***
Po qeshi Shkodra, e bukur fare,
Rrethue prej malesh zbardhue prej bores.
Kur kënduene të lira vashat shqiptare
Kangët e fitores.

Kënduen fushat, malet dhe valet e Drinit,
Kur valoi flamuri mbi të lire Rozafen.
E ushtritë e hueja përtej kufinit
E thyene qafen!

Té ti, me njome të veta përdore,
Vijnë sot të mejtueme nanat shkodrane.
E u tregojnë fëmijve njimijë histore,
Mbi kalanë tande!
***
■Ishim me duer të shterngueme si burrat…
Ah Dedë Gajtani, si sot më kumbon zani Yt “nën za”… “Fritz, mos na ndigjoj kush!..”
– Vetem Rozafa!
Vetem Ajo, do të daltojë nder Gurt’e Saj… Emnin Tand për shekuj të shekujve!
Melbourne, 2015.

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, mbas shterngate

PINJOLLI I NJË FAMILJEJE REFUGJATËSH PËR PRESIDENT TË SHTETEVE TË BASHKUARA?

April 22, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Javën që kaloi, Senatori i Partisë Republikane nga shteti Florida dhe bir i një familjeje imigrantësh të arratisur nga Kuba, Marc Rubio shpalli kandidaturën e tij për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të vërtetë, ky njoftim nuk ishte krejtsisht i papritur pasi e ardhmja politike ekëtij senatori konservator në mosh të re, ishte bërë burim spekulimesh në qarqet politike dhe në median amerikane gjatë dy tre viteve të fundit, gjë që ia ka ngritur edhe më shumë profilin e tij si kandidat i Partisë Republikane për president në zgjedhjet e vitit që vjen.
Senatori Rubio e njoftoi kandidaturën e tij për president duke thënë se ai mund të jetë udhëheqsi i ri, siç e cilësoi ai, i një “Shekulli të ri Amerikan”, nëqoftse zgjidhet president vitin që vjen. Ai tha se beson që shekulli 21 ka mundësi të jetë gjithnjë Ahekulli amerikan (ashtu siç ka qenë shekulli i 20-të) duke theksuar se ai është personi që mund t’a udhëheq vendin drejtë atij qëllimi.
Senatori i shtetit Florida, në mënyrë simbolike njoftoi kandidaturën e tij për president nga ndërtesa e quajtur “Kulla e Lirisë” të qytetit Miami, ku gjatë viteve të 1960-ave dhe 1970-ave aty regjistroheshin imigrantët kubanë të arratisur nga Kuba komuniste, për arsyen se sepse sipas tij, kjo ndërtesë është, “simbol i identititetit tonë si vendi i mundësive”, për të gjithë. Senatori Rubio foli për fatin e dhjetëra mijëra refugjatëve kubanë që janë arratisur nga Kuba e Fidel Castros, ashtu siç kihste ndodhur me familjen e tij, për të filluar një jetë të re në Amerikë. “Përvoja e tyre” tha ai, “Është pjesë e një tregimi më të madh, është pjesë e asaj që quhet mrekullia amerikane. Tregon” shtoi ai, “se si — të bashkuar me besimin në të drejtat që u ka falë Perëndia për të realizuar të gjitha ëndërrat, që puna dhe talentet e tyre ua bëjnë të mundur — një grumbull njerzish, imigrantësh, refugjatësh dhe ish skllëvërish, nga të gjitha anët e botës, të bëhen një popull dhe së bashku të krijojnë dhe të ndërtojnë kombin më të lirë dhe më të begatë që ka njohur ndonjë herë bota.”
Duke folur nga përvoja e tij si pjesëtar i një familjeje refugjatësh, ndërsa njoftoi kandidaurën e tij për president të Amerikës, ai tha se, “Shumica e njerzëve në botë janë viktima të rrethanave të vendit ku kanë lindur, të destinuar të jetojnë siç kishin jetuar prindërit e tyre. Por, Amerika, shtoi ai, është ndryshe. “Këtu, ne jemi fëmijë, nipa dhe mbesa të atyre që kanë refuzuar të pranonin një jetë të tillë.”
Të tillë, tha Senatori republikan, ishin edhe prindërit e tij që rrjedhin nga familje të varfëra kubane, por të të cilët refuzuan të pranonin një jetesë në varfëri dhe diktaturë, vendosën të emigronin në Shtetet e Bashkuara në vitin 1956,sipas Senatorir Rubio, “në vendin e vetëm në botë, ku aspiratat e personave si ata mund të këthehen në diçka më shumë se vetëm ëndërra.” Prindërit e tij, tha Senatori Rubio, “ndonëse nuk ishin të pasur, asshtu si shumë refugjatë të tjerë në Amerikë të cilët erdhën në këtë vend pa para dhe pa ndonjë arsim të lartë, ata i siguruan vetes një jetë më të mirë dhe fëmijve të tyre një të ardhëshme dhe përspektivë më të mirë se ç’kishin ata.”
Snatori Rubio pohoi se prindërit e tij kishin realizuar “ëndërrën amerikane”, por sipas tij, tani shumë amerikanë kanë filluar të dyshojnë nëse realizimi i asaj ëndërre është gjithnjë i mundur duke shtuar se kjo është një prej arsyeve që ai shpalli kandidaturën e tij për president të Shteteteve të Bashkuara. Kjo situatë e krijuar, tha ai, është pasojë e politikave që kanë ndjekur, “shumë prej udhëheqsve tonë dhe e ideve të tyre, politika këto që i përkasin shekullit të kaluar.” Kjo është arsyeja që ne nuk mund të kethehmi tek udhëheqsit dhe idetë e së kaluarës, nenvijoi Senatori republikan i shtetit Florida. “Ne duhet të ndryshojmë vendimet që jemi duke marrë tani në vendin tonë, duke ndryshuar njerëzit që po marrin këto vendime.” Kjo është arsyeja, tha ai, që i bazuar në përvojën e historisë së vendit tonë dhe i frymëzuar nga premtimi i të ardhmes, unë po shpallë kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara.
Senatori Rubio i cili është në moshën 43-vjeçare, paraqiti veten para votuesve amerikanë si një kandidat ndryshe, me pikpamje përparimtare dhe largpamse, si një udhëheqës i brezit të ardhëshëm — në krahasim me kandidatin e mundëshëm republikan Jeb Bush, i cili është në moshën 62-vjeçare dhe familja e të cilit ka dominuar Partinë Reublikane për pothuaj tri dekada dhe Hillary Clnton në moshën 67-vjeçare, bashkshorte e ish presidentit Clinton dhe e cila, sipas analistëve — në mungesë të ndonjë kandidati tjetër demokrat që mund ta akundërshtojë më vonë — pritet të emërohet si kandidate e Partisë Demokrate për presidente në zgjedhjet e viti që vjen. Në një referencë të drejtë për drejtë ndaj Hillary Clinton, por pa përmendur emërin e saj, Senatori Rubio, duke njoftuar kandidaturën e tij pë president, kritikoi Zonjën Clinton, e cila një ditë më parë kishte njoftuar zyrtarisht kandidaturën e saj. Ai u shpreh se, “Jo më larg se dje, një udhëheqëse e djeshme filloi fushatën për president duke premtuar të na sjellë përsëri tek e djeshmja. E djeshmja nuk është më, dhe ne nuk do të kethehemi kurrë më tek e djeshmja”, deklaroi ai në një thënje që tani media e ka bërë si frazë simbolike të fushatës së tij. Ndërsa në një kritikë të tërthortë ndaj mikut dhe mbështetsit të tij të mëparshëm, ish-governatorit të Floridës, Jeb Bush-it, djali dhe vëllai i dy presidentëve të mëparshëm të familjes Bush, dhe i cili pritet që së shpejti të njoftoi kandidaturën e tij për president — por edhe në një vërejtje ndaj dyshimeve të skeptikve nga vendet e huaja mbi kandidaturën e tij — Senatori Rubio u shpreh se, “Unë jetoj në një vend të veçantë, një vend ku djali i një bufetjeri dhe i një pastrueseje, mund të ketë të njëjtat ëndërra dhe aspirata për të njëjtën të ardhme si të gjithë ata që rrjedhin nga familje në zë dhe me privilegje”, duke shtuar se në shumë vende të botës, posti më i lartë në vend është i rezervuar për më të pasurit dhe më të fuqishmit e shoqërisë.
Senatori Rubio gjithashtu nënvijoi idetë e tija në lidhje me politikën e jashtme amerikane duke kritikuar tërthorazi ato që ai konsideron si gabime të politikës së jashtme të administratës së Presidentit Obama. “Ata kanë harruar”, tha ai, “se kur Amerika dështon të udhëheq në botë, ndërkohë që ndjekë një politikë që kënaqë armiqtë, tradhëton miqët, dhe e cila njëherazi dobëson edhe forcat tona të armatosura, atëherë pasojë e këtij dështimi është një gjëndje kaosi në mbarë botën.” Ai ritheksoi rëndësinë për të ruajtur sigurinë e Amerikës në një botë të rrezikshme dhe shtoi se duhet ndryshsuar politika e tanishme, duke hequr dorë nga pasiviteti përball agresionit rus dhe kinez në rajonet e tyre dhe duke i dhënë fund mos interesimit ndaj zhdukjes së demokracisë dhe të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Vetëm atëherë kombi ynë do të jetë më i sigurt, gjëndja në botë do të jetë më stabile dhe populli ynë do të jetë më i begatë”, kur Amerika të luaj rolin ndërkombtar që i takon.
Duke folur për politikën e mbrendshme të Amerikës, ai tha se në fillim të shekullit të 19-të, nënvijoi ai, një brez amerikanësh filluan një epokë industriale me të cilën transformuan këtë vend duke krijuar ekonominë më të madhe të botës. Si rrejdhim, tha ai, shekulli i 20-të u cilësua si Shekulli Amerikan. “Ka ardhur koha që brezi ynë të udhëheq drejtë një Shekulli të ri Amerikan”, deklaroi Senatori Marc Rubio. Në fjalim e sipër, Senatori Rubio tha se duhet të kujtojmë se është familja — dhe jo qeveria — institucioni më i rëndësishm i shoqërisë dhe se jeta e njeriut duhet të mbrohet me çdo kusht. Ai pohoi se “Jam tepër i vetdijshëm se Amerika nuk më ka asgjë borxh mua. Përkundrazi, unë kam një borxh që detyrohem t’ia këthej Amerikës. Sepse ky nuk është vetëm vendi ku kam lindë.Amerika është vendi që ndryshoi historinë e familjes time prej refugjatësh.”
Është tepër heret në fushatën për president të Shteteve të Bashkuara për zgjedhjet e vitit të ardhëshëm dhe si rrjedhim është vështirë të parashikohet se cili më në fund do të jetë kandidati përfundimtar nga pothuaj një dyzinë kandidatësh të mundshëm të Partisë Republikane. Por, nëqoftse Senatori Marc Rubio është më në fund kandidati që do të sigurojë emërimin nga zgjedhësit republikanë anë e mbanë vendit, mbetet për tu parë nëse familja e madhe Amerikane, pra votuesit amerikanë — në garën përfundimtare nëntorin e vitit 2016, midis tij dhe kandidatit demokrat — do t’i besojnë postin më të lartë të vendit, Senatorit Marc Rubio, pinjollit të një familjeje refugjatësh nga Kuba komuniste.
Vet fakti se, Senatori Rubio, i lindur në një familje refugjatësh kubanë në shtetin Florida — beson në endërrën për tu bërë president i Shteteve të Bashkuara — tregon se kjo në të vërtetë është një provë, se “në këtë botë ende ekziston një vend ku prejardhja etnike apo fetare nuk përbën ndonjë pengesë për realizimin e ëndërrave dhe aspiratave të çdo njeriu.”, pohoi kanditati i Partisë Republikane për President të Shteteve të Bashkuara, Senatori Marc Rubio.

Filed Under: Analiza Tagged With: bir refugjatesh, Frank shkreli, per president USA, Rubio

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 70
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT