Shkruan:Ilir Levonja/
“Harxhova dy vite e ca dyke kërkuar me të djathtë e me të mëngjër.”/
1) Fotografia që shikoni është marrë sot, 3 prill 2015 tek shtëpia e ish Kryeministrit, shqiptar Fan Noli. I katërmbëdhjeti në këtë post, në historinë e shtetit shqiptar. Ai njihet në këto anale, edhe si udhëheqësi i revolucionit demokratik të qershorit. Përmes të cilit erdhi në pushtet. (16 qershor deri më 23 dhjetor, 1924). Kjo shtëpi u ble nga fondi i grumbulluar nga Vatra prej afro 17 mijë dollarësh në vitin në vitin 1954. Fonde të cilat u siguruan pas një fushatë më shumë se dy vjeçare. Edhe këtu si gjithmonë me zëra pro dhe kundër, me vështirësi, me ndërprerje. Debate. Rifillim fushate etj. Tipar i përjetshëm i grindjes shqiptare. Vetë ish Kryeministri është shprehur plot keqardhje, kur thotë se “harxhova dy vite e ca dyke kërkuar me të djathtë e me të mëngjër”. Por nuk dihet me saktësi se sa?. Ashtu sikur dihet që nuk e ka kaluar këtë vlerë valute. U shit për 13 mijë dollarë nga kisha ortodokse shqiptare, pronësi e lënë me testament nga vetë ish Kryeministri, pikërisht në vitin 1971. Sot vlera e kësaj shtëpie nuk dihet. Pasi nuk është në shitje. Pasi kërkova dhe vazhdojë të jem në kërkim, mbi pronësinë etj. Thjesht një web shitjesh njofton vlerën 160 mijë dollarë . Kurse në derën kryesore të saj, qëndron e varur që viti 2010 një shkresë që nuk lejon banimin aty, për shkak të mos adoptimit të sistemit të kushteve të domosdoshme për banim. Në bazë të një ligji të posaçëm nga shteti I Floridës. Si thuajse 99% e shtëpive këtu, ajo është e ndërtuar me mure blloku. Çatia me rrasa guri. Dhe ashtu siç e shpjegon vet Noli, është e tipit shtëpi runch. Fermë…
2)Vatra zë fill nga 1911. Pra ideja rreth krijimit të saj. Ose nevoja për themelimn e një shoqërie përmbi. Kjo në kuptimin e mosmarrëveshjeve që karakterizonte kohën e shqiptarëve në mërgim. Në një farë mënyre reflektohet edhe sot. Disa e donin në Detroit, disa në Boston, disa në NjuJork etj. Në fatk nuk është e vështirë të kuptohet se, këto teka nuk ishin të bazuara aspak në ndonjë kriter. Siç është thelbësor përshembull numri më i madh i shqiptarëve të mërguar. Por egoja e mendësisë sonë provinciale, që edhe pse jeton në Amerikë, prapë kërkon t’i shkojë e veta. Ndaj edhe sot e kësaj dite e quajnë federatë. (Një farë unifikim të plotësimit të tekave dhe mëndjeve.) Po neve nuk na duhet kjo. Gjithsesi duhet thënë se fati bëri një përjashtim. Përpjekjeve të një intelektuali nga Korça me mbiemrin Floqi, iu kurorëzua ëndrra kur Fan Noli shqiptoi sugjerimin e tij. Ta quajmë vatër. Vatra e oxhakut . Ajo i mbledh burrat, pjestarët e shtëpisë, familjen. Dhe sido që ta kthejmë, sido që ta gjykojmë, me minuset, pluset e peshkopit, bindjet apo ironinë e ashpër poetike. Ka një moment të madh historik, ai pas dorëheqjes së qeverisë së Vlorës. Vatra mori në dorë punët e vendit. Nëse do kishin heshtur atë kohë Vatra dhe Noli etj…, ndoshta mund të mos kishim Shqipëri fare. Pra ai është njeriu që në rrëmujën e konflikteve shqiptare, luftrave, shpërbërjes, ka sinjifikuar unifikimin. Megjithatë, as ai nuk i shpëtoi plotësisht egoizmit tonë. Nuk kishte përse bënte humor poetik me qytetet shqiptare, krahinat. Duke i krahasur me derra, kokë trashë, xhandarë etj., popullin e tij.
3)Periudha më errët e Vatrës është diktatura e Enver Hoxhës në Shqipëri. Kjo thjesht për arsyen e izolimit. Vatrës iu pre burimi. Sado elozhe i bëri Tirana, ish Kryeministri nuk u gënjye. Ai e dinte se një kthim aty, do kishte një fund të trishtë. Më të trishtë se, nga marrëdhëniet e acaruara me mbretin. Kundërshtarin e tij politik. Ndofta edhe vdekje. Ndërkohë në Tiranë vatranë të vjetër po ekzekutoheshin me gjyqe që ta shpifnin. (Rasti, B.Omari, drejtuesit të gazetës Dielli). Edhe kësaj here peshkopi gjykoi me largëpamësi. U hapi derën të arratisurve, pavarsisht bindjeve etj…, duke mbajtur gjallë vijën e ujit.
4)Noli ndërroi jetë tek kjo shtëpi. Që ishte pronë e tij. Këtu ka një kopësht të madh. Dikur me portokalle. Megjithëse jo më shumë se dy kilometër nga qëndra e Fort Luderdaleit, të ashtuqujturit Venecia e Amerikës, në veri të Miamit, zona duket sikur është e izoluar për shkak edhe të tipit të vjetër arkitekturor. Aty banojnë shtresa më e varfër. Por duke iu referuar aktivitetit të tij, Nolit kjo shtëpi, është edhe pronë e historisë së shtetit shqiptar. Edhe pse nuk i përket më as kishës shqiptare, as shtetit shqiptar. Ndofta ishte kjo arsyeja që më dërgoi deri aty. Pra të prek historinë e shtetit tim. Kështu u thashë edhe dy fqinjëve kureshtar. Këtu ndërroi jetë Kryeminstri im.
5)Pa i mëshuar zërave se a bëri mire apo jo, kisha ortodokse shqiptare e Bostonit, për shitjen e kësaj vlere të madhe. Ka ardhur koha të mendohet se si mund të rikuperohet kjo shtëpi. Në zone ka shenja gjallimi dhe përmisimi të jetës. Nuk besoj se vlera e presupozuar për shitje, është po aq. Dhe nisur edhe nga mangësitë, në kushtet e jetës, mund të riblihet me një vlerë më të vogël. Por edhe vlera aktuale, në bazë të sipërfaqes së tokës, zones, jo edhe shumë larg aeroportit ndërkombtar të Fort Lauderdalit, e justifikon plotësisht një inisiativë të Shqipërisë.
Ajo mund të bëhet fare një konsullatë në drejtim të vende të karaibeve. Një shtëpi fushimi artistësh . Krijimi dhe arredimi të histories sonë. Unë e mora këtë inisiativë edhe nga nisma e Kryeministrit shqiptar, në lidhje me ëndrrën qytetare.
Nuk ka asgjë të keqe, të kemi një cope Shqipërie në jugun e Amerikës. Në gudiën time tashmë, me miqtë, do jetë edhe kjo shtëpi. Shtëpia e Kryeministrit.
Fort Lauderdale, 3 prill 2015..
Archives for April 2015
Mirë se vini në Brooklyn, Hillary Clinton!
BROOKLYN NYC : Me një titull provokativ “Mirë se vini në Brooklyn, Hillary Clinton” disa media lokale në Brooklyn njoftojnë se ish Sekretaria e Shtetit, Hillary Clinton, për presidencialet 2016, vjen me zyrë elektorale në qytetin e Brooklynit – Nju Jork
Duke iu referuar shtypit lokal thuhet sot se fushata shpresëdhënëse, për ish Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton për presidencialet 2016, në lagjen më të madhe të qytetit të Nju Jorkut me 2.2 milion banorë, duket se ka nisur tani duke nënshkruar një kontratë qiraje për të marrë dy kate në një ndërtesë, shumë katëshe në Brooklyn Heights, raporton Politiko.
Katet e 1 Pierrepont Plaza in Brooklyn Heights, të cilat llogariten me një sipërfaqe 80.000 square-feet -( katrore – këmbë) , hapësirë kjo e dhënë me qira duke filluar qysh më 1 prill, janë të zyrës së fushatës së ish Sekretares së Shtetit, ka konfirmuar për median lokale një burim i afërt me marrëveshjen .
Ndërtesa, në fjalë është në pronësi të Forest City Ratner, edhe Morgan Stanley dhe Brooklyn U.S. Attorney’s Office dhe është nën maxhenimin e “Modern Offices, Brooklyn Cool,”, sipas faqes së internetit.
1 Pierrepont Plaza ndodhet shumë afër me ndërtesën Cadman Plaza pranë Brooklyn Borough Hall dhe është ndërtesa më e lart me 19 kate dhe me garazh parkimi nëntokësor.
Shtypi lokal sqaron se ende është e paqartë se çfarë çmimi është dhënë me qira, dy katet e e 1 Pierrepont Plaza in Brooklyn Heights. Faqja e internetit të ndërtesës tregon se edhe kati i tetë deri tek 11 dhe kati i 13- janë ende në dispozicion për t’u marrësh me qira.
Pronari i ndërtesës Forest City Ratner, dhe zyra e Klintonit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment, nga shtypi lokal në zyrtarizimin e kësaj marrëveshje, shkruan shtypi lokal në Brooklyn./Beqir SINA/
Mithat Frashëri: “Partia ime është Shqipëria”
(Në përkujtim të 135-vjetorit të lindjes)/
Nga Anton Çefa/*
Njerëzit e mëdhenj shpesh e bëjnë veten të paharrueshëm edhe vetëm me një fjalë, një porosi, një thirrje, duke mbetur kështu të përjetshëm në kujtesën kombëtare.
Mithat Frashërin e kujtojmë kështu me sentencën e famshme “Partia ime është Shqipëria”. Një devizë që të merr sytë me dritën e idealit dhe të ngrohë me afshin e dashurisë për Atdheun. Flakërimë e vetëtimtë ndërgjegjeje kombëtare dhe zjarr i pashuar atdhetarizmi. Sado ta mbulojë hiri i murmë i kohës, do të përshkënditë gjithnjë si shpuzë e zjarrtë.
Shqipërinë e krijuan njerëzit e mëdhenj si Mithati. Ajo ka qenë me fat. Nuk i kanë munguar kurrë. Shqipërinë e kanë prishur njerëzit e vegjël. Edhe këtu ka qenë me “fat”. Nuk i kanë munguar kurrë. Përkundrazi, i ka pasur me tepri. Edhe sot e kësaj dite prishanakët vazhdojnë zanatin e tyre të përjetshëm.
Në ato kohë kur Shqipërisë i mungonte çdo gjë, edhe vetvetja, kur ideja kombëtare në hauzin e errët e kaotik të kohës përpëlitej në dhimbjet e lindjes, kur kultura qe veç djerrinë e asgjë më shumë dhe kur organizmit politik shtetëror i kishte humbur emri prej shekujsh, Zoti i fali asaj, ndër të tjerë, edhe treshen e vëllezërve frashëriotë: Abdylin për t’i vënë themelet shtetit, Samiun për të ravijëzuar platformën ideologjike të lëvizjes kombëtare dhe Naimin për të ndezur flakëzën e qiriut të fjalës, flakëz fjale e flakëz shpirti, dhe për të kultivuar përmes saj farën e edukatës kombëtare.
Mithati qe i vetëm. Duhej të kryente detyrat e të treve. Dhe i kreu. Qe i fundit. Duhej t’i kryente një herë e mirë. Dhe u përpoq tërë jetën pa kursyer asgjë. Me fjalë, si ideator i Shqipërisë së qytetëruar; me vepra, si demiurg i saj. Ai botoi një bibliotekë të tërë shkencore duke na mësuar të lexojmë abetaren e vetes, të kohëve dhe të popujve, shkroi një letërsi të tërë artistike, duke na shpirtësuar me frymën e shenjtë të idealit dhe të dashurisë dhe, kur Shqipëria rrezikohej të humbte në vorbullën tejet të trazuar e tejet të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore, i dha asaj alternativën e shpëtimit.
“Partia ime është Shqipëria”. Me këto fjalë mua dhe ju na troket në kujtesë dhe do të na trokasë gjithnjë, ai Mithati, filizi i fundit i trungut frashëriot, atij trungu që i dha aq rrënjë truallit tonë dhe aq e aq degë qiellit tonë. Ndoshta sepse në ato fjalë, më shumë se kudo tjetër, përmblidhet jeta e tij, ideali dhe dashuria, puna dhe veprat.
U lind 135 vjet më parë. Nuk dua t’ia kujtoi vdekjen. Qe e errët. E errët, siç janë vdekjet që vijnë nga duar diktaturash. Jo pak njerëz të ndritshëm kanë vdekje të errëta.
“Partia ime është Shqipëria”. Ky qe ideali i jetës së tij. E lindi dhe e tharmoi që në fëmijëri të hershme, nën ndikimin e baba Abdylit, e urtësoi dhe e pasuroi me porositë e xhaxha Samiut, dhe e shpirtësoi e i dha flatra me frymën e xhaxha Naimit. E leçiti me dritë në Manastir për t’i dhënë shkronjat alfabetit të gjuhës dhe abetares së atdhetarizmit, e shpalli me bujë në Vlorë, në atë më të bardhën ditë të 28-ës, përkrah Babait të Kombit dhe e mbrojti gjithnjë e gjithkund. Për hir të tij, iu kundërvu edhe Plakut, kur Janina rrezikohej prej të huajve, ashtu siç u rrezikua. Kështu iu duk, kështu e pleqëroi dhe kështu e veproi.
Dhe, më së fundi, e ngriti si një armë shpëtimtare, kur atdheu ra rishtas nën thundrën e të huajit. E ngriti si alternativën më të ndershme, kur të tjerë, të kulluar a të turbullt, i nënshtroheshin armikut me motivin për t’i shkyer një thelë sado të vogël për atdheun – duke folur për ata të shëndoshët, – a për të xhvatur sa më shumë për vete, a edhe thjesht për lakmira kolltukësh dhe kotësirash; dhe të tjerë, prishanakë të çmendur, që futeshin qorrazi a edhe syhapur në luftë, nën flamurin e turpshëm të ideologjisë së një Internacionaleje pansllaviste, për ta kthyer atë në një kasaphanë vëllavrasëse.
Në atë gjendje të tallazitur udhëkryqi për fatet e Shqipërisë dhe të kombit – sepse ai gjithnjë mendoi e punoi jo vetëm për gjysmështetin, por për shtetin shqiptar të të gjitha trojeve të veta – si një tribun i vërtetë, zgjodhi atë më të ndershmën rrugë, atë të bashkimit kombëtar, larg dasisë, kundër pasioneve egoiste që sjellin vetëm koncepte, qëndrime dhe institucione dasie.
U bë prijës i rinisë, i popullit, pa e lënë për asnjë moment rolin e mësuesit, të edukatorit. Dhe rinia e admiroi dhe i shkoi pas.
I armatosur me kulturat e qytetërimet e Lindjes e të Perëndimit, i rrahur me përvojat e jetës e të punës së dy botëve, në krahë politike dhe diplomacie, dhe i pajisur me një mendje të shëndoshë, me një zemër të madhe dhe me një vullnet të çeliktë, ai, dishepulli i idealeve demokratike, ai demokrati i vërtetë nuk krijoi parti, siç pritej, sado që e njihte aq mirë shkencën e demokracisë dhe gramatikat e partive, por krijoi një organizatë. Paradoks? – Jo, nuk ishte kohë paradoksesh. Ishte shtjellë ideali dhe domosdoshmëri, nevojë e kohës.
Përballë të huajit, populli është e duhet të jetë një. Vetëm një, i bashkuar; prandej ai duhej rreshtuar në një organizatë, siç është rreshtuar gjithnjë, kur në qiellin kombëtar kanë vetëtuar kërcnueshëm flakët kobndjellëse të rrezikut.
E krijoi dhe e drejtoi. Në fillim, në ditët e para të errësirës së huaj, si një rezistencë e gjithmbarshme sabotimesh e protestash dhe, në një fazë të dytë, si një luftë e armatosur çetash e më vonë njësitesh më të mëdha luftarake.
Komunistët hodhën baltë mbi të; po, a mbulohet ari me baltë? E quajtën “një nga përfaqësuesit kryesorë të reaksionit në Shqipëri, intelektual liberal, pseudopatriot e tradhtar” 1), etj., etj. Dokrra! Gjykimin e artë e jep historia. Ndërsa ata përfunduan në fëlliqësitë e plehrave, qelbësirat e të cilave po na zënë hundët edhe po na ndotin mushkëritë sot e kësaj dite, e nuk dihet se deri kur, historia e ngriti atë në piedestalin e Heroit Kombëtar. Qoftë i qetë në lavdinë e vet! Atdheu do të ketë nevojë gjithnjë për shpirtin e tij, për fjalën dhe veprën e tij; por atdheu është ende i sëmurë dhe nuk kujtohet se duhet t’i japë dy metër vend për t’i pushuar eshtërat e shenjta.
Pse të mos e themi: pati edhe një “dobësi”: nuk mundi ta ngrejë dorën në luftën vëllavrasëse të imponuar nga komunistët. Kjo “hije” e ndriçon edhe më tepër madhështinë e personalitetit të tij. Si për të vërtetuar atë që thuhet shpesh: “Përjashtimi përforcon rregullin”. Më vjen mbarë këtu t’u kujtoj lexuesve një bisedë mes Hasan Dostit, mikut dhe krahut të djathtë të Mithatit, dhe Mustafa Gjinishit, fill mbas mohimit të Mukjes dhe shndërrimit të luftës çlirimtare në luftë për pushtet nga ana e komunistëve:
“Dosti: kush do të fitojë?
Gjinishi: Po të bashkohemi, do të fitojë Shqipëria.
Dosti: Po të mos bashkohemi, do të fitoni ju, sepse ju e dini dobësinë tonë, që ne nuk mund t’ju konsiderojmë armiq dhe t’ju luftojmë në mënyrë të paskrupullt ashtu siç na luftoni ju.
Gjinishi: po fituat ju, jam i sigurt se nuk do të më hyjë gjemb në këmbë, përndryshe s’dihet si do të vejë fati yt dhe imi bashkë.” 2). Dhe dihet se si shkuan fatet e të dyve.
Natyrisht, në kushtet që po jetojmë, do të ishte paradoksale të pretendonim prej politikanëve dhe diplomatëve tanë të sotëm të bëjnë të tyren thirrjen frashëriote “Partia ime është Shqipëria”, por na vret në shpirt nëse nuk u kërkojmë ose së paku nëse nuk u kujtojmë që në veprimtarinë e tyre të mos nisen nga thirrje te kundërta.
Referenca
-Akademia e Shkencave e RPSSH: “Fjalori enciklopedik shqiptar”, Tiranë 1985, f. 289
-Dashnor Kaloçi: “Hasan Dosti-Historia e vërtetë si u formua Balli Kombëtar”, nga interneti.
*Ribotim i redaktuar
Xherdan Shaqiri për CNN: Futbolli ëndrra ime, e dua Kosovën
Futbollisti i Interit rrëfehet mbi origjinën, ndjenjat për Shqipërinë dhe Kosovën duke e lënë të hapur që të luajë në një të ardhme me Kombëtaren e futbollit të Kosovës
Rrjeti prestigjioz televiziv CNN, i ka dedikuar një shërbim televiziv me një intervistë të gjatë dhe goxha interesante futbollistit me origjinë shqiptare Xherdan Shaqiri, ku futbollisti i Interit rrëfehet mbi origjinën, ndjenjat për Shqipërinë dhe Kosovën por mbi të gjitha duke e lënë të hapur që të luajë në një të ardhme me Kombëtaren e futbollit të Kosovës kur ajo të jetë pjesë e organizmave ndërkombëtare. Shaqiri që shkëlqeu në Kupën e Botës Brazil 2014 ku ishte një ndër dy futbollistët që shënuan tregolësha, tregon se rruga e tij drejt suksesit nuk ka qenë aspak e lehtë .
” Kur luaa me të rinjtë e Bazelit, punoja njëkohësisht në një ëmbëltore, – tha 23 vjecari për CNN, duke shtuar, – Gjithmonë ëndërroja të luaja futboll, por prindërit më thoshin se duhet të mësoja dicka. Jam vërtet krenar që munda të punoj dy vjet pasi e di se cdo të thjotë puna normale, kështu që unë e di se cfarë është jeta e vërtetë dhe jeta që kam tani”.
Kontrasti është i jashtëzakonshëm, me Shaqirin që tani në një javë fiton më shumë se sa shumica e pasticierëve fitojnë në një vit. Shaqiri ka lindur në vitin 1991 nga prindër shqiptarë në Gjilan, 8 vite para se rregjimi i Milloshevicit të niste genocidin me spastrimin etnik ndaj shqiptarëve por prindërit e Shqirit emigruan në Zvicër një vit pas lindjes së tij. Edhe pse i është mirënjohës Zvicrës ku u rrit, Shaqiri është gjithmonë i ndarë në pjesë mes Zvicrës Kosovës dhe Shqipërisë, dicka që përfaqësohet ndoshta më mirë se kudo te këpucët e tij me flamujt e të tre vendeve.
” Unë kam lindur në Kosovë, prindërit e mi janë nga Kosova por unë u rrita në Zvicër, – deklaroi Shaqiri duke shtuar, – Më pëlqen mentaliteti Zviceran por më pëlqen edhe mentaliteti Shqiptar pasi kur shkoj në shtëpi unë flas shqip. Unë i përjetoj të dy mentalitetit pasoi nuk ka ndonjë diferencë të madhe. ” në fakt një diferencë e madhe ekziston dhe Xherdan Shaqiri e thotë me batutë se diferenca ka të bëjë me kohën pasi zviceranët janë gjithmonë të përpiktë, ndërsa shqiptarët jo.”
Në 2012 Shaqiri bashkë me Granit Xhakën dhe Valon Behramin nënshkruan një peticion që ju dërgua presidentit të Fifa-s Sepp Blatter. ku ” Unë e dua Kosovën por për momentin ata nuk mund të luajnë, kështu që për mua mbetet vetëm Zvicra. Ndihem i lumtur që mund ti kthej Zvicrës atë që më ka dhënë mua dhe familjes time, por në të ardhmen nuk e di se cfarë mund të ndodhë”.kërkonin mbështetjen për njohjen zyrtare të Përfaqësueses së Kosovës në Futboll. Sic dihet Kosova ende nuk mund të luajë në Kompeticionet Ndërkombëtare pasi i duhet që më parë të bëhet pjesë e Uefa-s. Por për cilën skuadër do të kishte luajtur Shaqiri nëse Kosova do të mund të merrte pjesë në kompeticionet ndërkombetare. Vetë futbollisti deklaron: CNN nuk harron të përmendë edhe ndeshjen e kualifikuese të Botërorit 2014 kundër Shqipërisë ku Shaqiri shënoi në fitoren 2-0 të Zvicrës por e la fushën duke mbajtur fanellën e Shqipërisë në vend të asaj të Zvicrës një simbolikë domethënëse . 15 nga 23 futbollistët që përfaqesuan Zvicrën në Kupën e Botës kanë origjinë të huaj dhe 6 prej tyre kanë lindur jashtë Zvicrës por Shaqiri deklaron se kjo nuk është një problem për ekipin pasi e rëndësishme është që të jenë një skuadër në fushë./B.S/
3 VJET NGA IKJA E SHKENCËTARIT, QË IU NDËRPRENË ËNDRRAT NË MOSHËN 43 VJEÇARE
*Prof.Asc. Dr. Ardian Greca lartësoi Shqipërinë në shumë auditore të Europës, Azisë dhe Amerikës./
*Përveç doktorimit në Japoni dhe punës kërkimore në Qendrën Shkencore NTTJ, ai ishte anëtar i mbikqyrur i Komitetit të Tezave të Studentëve M.S në Georgia; anëtar i Institutit Amerikan të Aeronautikës dhe Astronautikës, ishte pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare për Sistemet Informative Kompjuterike…/
Ne Foto:Prof.Asc. Dr. Ardian Greca 25 Tetor 1968-3 Prill 2012/
Nga Dalip GRECA/
Prof. Asc. Dr. Ardian Greca, u nda nga jeta në moshën 43 vjeçare në Nju Jork me 3 Prill 2012. Edhe pse mbanim të njëjtin mbiemër, në të gjallë, nuk pata rastin ta njihja. Dhe tek u takova me prindërit e tij të pikëlluar, një ditë marsi 2015 në Vatër, pasi biseduam për orë të tëra, rreth Ardianit, ua shpreha pengun e mostakimit:Sa do të doja ta kisha njohur sa qe gjallë!
Jeta e Ardianit edhe pse tepër e shkurtër, ishte e mbushur me ngjarje, suksese, me dhimbje. Ai përfaqësoi Shqipërinë në shumë auditore të Europës, Azisë dhe Amerikës. Artikujt e tij shkencorë janë publikuar në revista autoritative të shkëncës si në: IEEE, IEICE etj. Përveç doktorimit në Japoni dhe punës kërkimore në Qendrën Shkencore NTTJ, ai ishte anëtar i mbikqyrur i Komitetit të Tezave të Studentëve M.S në Georgia; anëtar i Institutit Amerikan të Aeronautikës dhe Astronautikës, ishte pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare për Sistemet Informative Kompjuterike,ndërkohë që në Universitetin e Georgias, Ardiani futi programe e koncepte të reja; si pjesë e departamentit të Shkencave kompjuterike që më 2001, ai dha një kontribut të veçantë,si Asitent Profesor në Yamacrau, ku ishte përgjegjës për edukimin në shkencat kompjuterike.
Biseda me prindërit dhe xhaxhanë rreth Ardianit, nuk ishte e lehtë.Emocionet gjatë rrëfimit, krijonin ngërçin e shpërthimeve të dhimbjes dhe mallit.Veçanërisht nëna Liliana, e kishte më të vështirë të tregonte; lotët e tradhëtonin, por edhe babain e Ardianit, Ndriçimin, e mbërthenin emocione të forta. Xhaxhai, dr. Sefedini, mbahej. Gjithësesi e bëmë një pakt,- ta prezantonim Profesor Ardianin tek lexuesit e Diellit, përmes bisedës, dokumenteve që ata kishin sjellë me vete. Ata rrëfejnë radhazi, herë-herë ndërpresin njëri-tjetrin.Vendin e dhimbjes e zë krenaria për një talent të shkencës. Biseda kapërcen oqeanin, shkon në Elbasan, atje ku i lind Ardiani me 25 tetor 1968. Nëna, mësuese Liliana, tregon hapat e parë të formimit, shkollimin, që nisi në shtatorin e vitit 1974 në Shkollën “Dr. Xhaferr Kongoli” të qytetit të Elbasanit. Duke pasur edhe prindërit mësues ai qe një nga nxënësit më të mirë, por veçanërisht shkëlqente në matematikë. Me rritjen e moshës rriteshin dhe interesat e Ardianit; i pëlqenin librat, muzika(ushtronte instrumentin e violinës),i pëlqenin udhëtimet, pushimet në plazhe gjatë verës. Shkollën e mesme e kreu në Tiranë. Në Universitet studimet i kreu në fakultetin e inxhinierisë, dega elektrike & elektronikë. E rrëmbeu elektronika dhe harrohej në labirintet e saj. Ishte student i shkëlqyer. Ëndërronte, por jeta nuk ta shtron rrugën si në ëndrra. Kur përfundoi studimet në vitin 1991, Shqipëria ishte në shpërthim. Ai kishte nevojë të punonte. Po ku? I ofruan vendin e elektriçistit në Teatrin Kombëtar.Sa larg ëndrrës për elektronikë.Po pa punë s’rrihej, pranoi. Nga studimet nuk hoqi dorë. Pas ca kohësh sistemohet në drejtorinë e doganave. Dha kontribut të rëndësishëm në kompjuterizmin e sistemit. Spikati talenti i tij në elektronikë dhe rezultatet që pat aty solli kërkesa nga Institucionet e Ministritë. Ardiani ishte bërë si doktori i kompjuterave.Kudo, ku kishte defekte, kërkohej ndihma e tij.Për Ardianin nisën edhe kërkesat nga kompani europiane.Kërkesa e parë erdhi nga IMB. Austriakët kishin një përfaqësi në Tiranë dhe e kërkuan aty. Nga ana e tij, Departamenti i Elektronikës në Universitetin e Tiranës e ftoi si pedagog, ku dha mësim si i jashtëm. Tash ishte më shumë i vlerësuar dhe ndjente kënaqësinë e punës së vet, por ëndrra nuk mbaronte këtu. Synim ishin studimet pasuniversitare, kryrja e doktoraturës në ndonjë nga vendet perëndimore. Puna në universitet, dogana, dikasteret, ia shtuan kontaktet. Hyri në lidhje me Universitete të njohura në Gjermani, Francë, Angli, SHBA, Itali. Pranime erdhën nga Franca, Anglia si dhe shumë universitete në SHBA, por kushti financiar ishte i papërballushëm. Një shpresë plot dritë dukej përgjigja që i pat ardhë nga Universiteti i Darmstatit në Gjermani, i cili duke parë CV e tij, e ftonte që të paraqitej në Ambasdën Gjermane dhe të merrte vizën. Por s’ishte e thënë; edhe pse Ardiani njihte disa gjuhë të huaja, përfshi anglishten, i doli pengesë Gjermanishtja.Atasheu kulturor i ambasadës e refuzoi për mosnjohje të gjuhës.
Një trainim në SHBA, edhe pse i shkurtër, i hapi një dritare të re Ardianit, ashtu siç i hapi një dritare plot shpresa, edhe një shërbim kualifikues në Japoni.Në Japoni la përshtypje të shkëlqyera.Njohuritë e tij, njohja e shumë programeve, që sapo ishin hedhë në treg, prakticiteti, informacioni, ishin të mjafta për t’u admiruar nga Japonezët.Duke parë cilësitë e Ardianit, Japonezët i ofruan mundësinë e aplikimit për të thelluar njohuritë përmes një burse. Ia treguan praktikën që duhej të ndiqte për ta fituar të drejtën e doktoraturës.Një vit pas aplikimit, kur i kishte humbur shpresat, i vjen përgjigja”PO”. Përgjigja arriti në nëntor 1995, ai duhej të nisej më 26 Janar 1996. Shteti Japonez i akordonte bursë të plotë. Madje edhe biletën e udhëtimit e kishte të rezervuar. Një ditë të ftohtë me borë udhëtoi me autobus nga Tirana në Sofje për t’u pajisur me vizë në ambasadën Japoneze. Procedura në ambasadën Japoneze kaloi pa problem. I gëzuar u kthye në Tiranë dhe nisi përgatitjet. Me 26 Janar 1996 udhëtoi në linjën Tiranë-Munih- Tokio. Vendqëndrimi i tij ishte në Jamagata,Yonezawa. Ky është qyteti ku u shpalos talenti i shkencëtarit të ri Ardian Greca. Doktoraturën ai e mbrojti në Universitetin Yamagata. Teza e doktoraturës ishte:” Algoritmet vetshërues dhe akordimi i kapaciteteve rezervë për ATM mbijetuse dhe rrjete me kanale optike.”Doktoraturën e udhëhiqte profesor Tano. Marrdhëniet që në fillim ishin të ngrohta. Profesori përveç laboratorit, ku i dha hapësirë shkencëtarit nga Shqipëria, e afroi atë edhe në mjedisin familjar. E konsideroi si djalin e tij. Ia pëlqeu sjelljen, karakterin, mbi të gjitha ia vlerësoi aftësitë profesionale dhe shpirtin kërkues të shkencëtarit. Në laborator Ardiani punonte me orë të zgjatura.Ishte shumë i dhënë pas kërkimeve shkencore. Profesor Tano ishte i kënaqur me studentin e tij,me mënyrën se si i shtronte tezat shkencore, habitej me këmbënguljen dhe i thoshte :Ardian, ke për t’u ngjitur lart. Ti je i veçantë nga të gjithë studentët e tjerë që kam udhëhequr. Profesori shprehte siguri që doktorimi i studentit të tij do të vlerësohej “Shkëlqyshëm”. Mirëpo në kulmin e studimit, profesor Tano ndërroi jetë. Kjo qe një goditje e rëndë për Ardianin.E qau me lotët e shpirtit profesorin.Pas vdekjes të udhëheqësit të vet kaloi çaste të vështira. Kishte kaluar një vit e gjysëm studime në udhëheqjen shkencore të profesorit Tano. Rektorati i Universitetit e vonoi caktimin e një udhëheqësi të ri të studimeve. Ardiani u trondit nën dilemën e ikjes kot të një viti e gjysëm.Kaloi një perudhë të vështirë stresi. Kishte zëra në universitet që përshpërisnin se nuk kishte një të dytë si profesori që ndërroi jetë. Por sërish fati i buzqeshi, profesor Kioshi Nakagawa, një personalitet i njohur në fushën e fibrave optike, pasi kishte parë vlerësimet e profesor Tano, që tregonin se me Ardianin kishin një rast të rrallë në fushën e elektronikës, një shkencëtar i së ardhmes, pranoi ta udhëhiqte. Ashtu si parardhësi i tij, edhe Nakagawa,i afroi bashkëpunim të ngushtë në laborator, por edhe miqësi familjare. Madje edhe kur prindërit e Ardianit shkuan për vizitë, në shtator 2000 profesori i ftoi në shtëpinë e tij. Ardiani i kishte bërë për vete japonezët. Profesori Kenixhi Kato dhe bashkëshortja e tij Joko i mbajtën dy ditë në shtëpinë e tyre prindërit e Ardianit dhe më pas i mundësuan të viztonin qendra turistike, shkolla, ujra termale, muze etj.
Autoriteti shkencor i Ardianit sa vinte e rritej. Atë filluan ta ftonin në simpoziume e katedra që të shpaloste arritjet shkencore.Ftesa e parë i erdhi nga Austria. Tërhoqi vëmendjen e rretheve akademike të fushës me studimin e tij. Në korrik 2000 ai u ftua në konferencën ndërkombëtare të Frankfurtit, ku paraqiti punimin e tij shkencor, që u vlerësua nga autoritetet ndërkombëtare. Në udhëtimin e tij shoqërohej nga Keixh, që ndihej krenar me Ardianin. Pas konferencës, profesori japonez dhe bashkshortja u ftuan në Shqipëri. Familja e Ardianit i priti ngrohtësisht dhe u ofroi mundësi që të vizitonin bukuritë shqiptare, muzetë, si ai i Skënderbeut në Krujë, bënë vizita në qytetin piktoresk të Pogradecit, në Korçë, të gjitha këto u lanë mbresa të jashtzakonshme japonezëve. Ishte forcuar miqësia mes Ardianit e familjes së tij dhe familjes së profesorit. Kur u kthyen në Japoni, Ardiani konsiderohej pjesë e familjes dhe nuk kishte ngjarje familjare apo festa të qytetit, ku të mos ishte bashkë me ta edhe Ardiani.
Studimet e Ardianit po arrinin kulmin. Profesori Nakagawa ishte i kënaqur me arritjet e shkencëtarit të ri dhe po thurte plane për të ardhmen e tij në Japoni. Doktoratura kishte përfunduar me sukses. Doktori i Shkencave u vlerësua shkëlqyshëm. Tash dyert e shkencës ishin hapur. NTTJ, një ndër institucionet prestigjioze në botë, e punësoi Ardianin. Ky ishte një tjetër shans i shkëlqyer. Stafi shkencor i NTTJ, e priti me ngrohtësi. U caktua që të punonte me grupin studimor të telekomunikimit. Ardiani ishte jo vetëm një studiues që premtonte, por ftohej në konferenca e simpoziume ndërkombëtare. Vlerësimet në këtë qendër shkencore nuk munguan. Ata e inkurajonin dhe e vlerësuan kur prezantoi në konferencën ndërkombëtare të Nagojës, qytet në Jug të Japonisë, punimin e tij të ri shkencor. Drejtori e thirri në zyrë pas konferencës dhe e përgëzoi për suksesin që kishte arritë, dhe i parashtroi të ardhme të shkëlqyer në këtë qendër. Mirëpo, pas një viti pune në NTTJ, drejtusit dhe grupi i studiusve u habitën kur mësuan se shkencëtari shqiptar kishte kërkuar që të largohej nga institucioni për arsye familjare. Pjesa më e madhe e këshillonin që të mos e ndërmerrte këtë hap pasi e ardhmja e tij ishte aty. Vetë drejtori i qendrës e thirri në zyrë dhe i tha të mos merrte veprime të nxituara.Ai i kishte garantuar pajisjen me pasaportë japoneze, si një shkencëtar me të dhëna të shkelqyera. Shko e mendohu dhe një herë, i tha ai. Po Ardiani nuk e mori këtë veprim pa u menduar. Drejtori e thirri sërish, kur e pa se Ardiani nuk kishte ndryshu mendim, i tha:” E pranoj kërkesën tuaj, edhe pse nuk jam i një mendje me ju. Je i vetmi shqiptar që ke punuar në qendrën tonë. Nuk besoj se do të kemi një të dytë, si ju. Ju falenderoj. Natyrisht, ç’keni arritur këtu, do ta harroni, nuk do ta dergoni në vend tjetër. Përbën sekret.” Ardiani e miratoi dhe firmosi.
Në mars 2001 ai u largua nga Japonia drejt SHBA-së. Zbriti në aeroportin e Nju Jorkut. Ishte bashkë me motrën, Matildën. Ajo ishte arsyeja që ai la Japoninë për Amerikën. Filloi intervistat. Fillimisht u intervistua nga kompania japoneze”Mitsubishi”, më pas i erdhi një ftesë nga NAVY, një tjetër ftesë erdhi nga Georgia Southern University. Intervistuesit në këtë universitet, duke parë CV e tij,gradën shkencore, përvojë në qendrën kërkimore shkencore në Japoni, e vlerësuan si një rast të rënë nga qielli dhe e pranuan menjëherë. I ofruan programin e kërkimeve shkencore. Puna si profesor në Universitet e rrëmbeu. Përvoja që sillte nga Japonia i jepte siguri. Pati dhe momente përplasje me kolegët. Kështu psh është shkruar për një debat me paraardhësin e lëndës Prof. Dr. Zheng. Debati i diktuar nga reagimi i studentëve, që kishin konstatuar koncepte të reja, arritje të fundit të elektronikës tek Profesori Ardian Greca, kërkuan një debat akademik mes tyre. Ardiani nuk iu shmang dhe me fakte tregoi se koncepteve që kishte përcjellë prof. Zheng, u kishte kaluar koha. Dhe solli referencat më të fundit që ishin publikuar në konferencat ndërkombëtare, ku ai vetë kishte qenë lektor. Profesori e përgëzoi për bagazhin shkencor që manifestonte Ardiani. Ky ballafaqim ia rriti kreditet. Shumë nga profesorët e tjerë kërkuan bashkëpunim për studimet e tyre. Nga ana e tij Ardiani nuk i ndërpreu studimet dhe kërkimet shkencore. Ai referoi artikuj shkencor në Conecticut, New York, Colorado, Las Vegas, Orlando, Hawai, Toronto, Alaska etj. Në tërësi, sipas statistikave të botuara Ardiani, promovoi nëpër konferenca shkencore dhe botoi nëpër revista të njohura të shkencës 48 artikuj shkencorë. Rektorati i Universitetit e vlerësonte shkencëtarin e ri. Por një ditë, ëndrra u thye. Ardiani mësoi se brenda trupit të tij, flinte e keqja, kanceri. Nuk u dorëzua, por luftoi për ta fituar betejën. Nuk hoqi dorë as nga projektet shkencore. Madje as nga studentët e tij nuk u nda, i kryqëzuar në karrocë, shkonte t’i ndihmonte. Kishte në projekt të botonte dhe një libër me kërkimet e veta shkencore, por koha nuk qe e mjaftë. Betejën përfundimtare nuk mundi ta fitojë. Me 3 prill 2012 zemra e lodhur nga dyluftimi, shkoi të pushojë. Ardiani shkoi të flejë përgjithmonë.
…I shoh bashkëbiseduesit e mi tek nuk kanë të ndalur së rrefyeri mirësitë e Ardianit. Me vete kanë edhe një libër me 222 faqe, që i kushtohet Ardianit. Në faqet e tij ka shumë vajë e lot, ka dhe kujtime malli. E kanë qarë të gjithë me poezi shpirti. Këto ditë që publikohet ky shkrim, i ati i Ardianit, Ndriçimi, është në Tiranë për t’iu gëzuar një libri të ri me rastin e 3 vjetorit të ndarjes nga jeta e të birit!
….Ja kështu, 3 vjet të shkuara, me 3 prill 2012, një shkencëtar i ri u nda nga jeta në kulmin e kërkimeve shkencore, në mesin e jetës plot ëndrra. Fati, sa të pafuqishëm përball tij ?!
- « Previous Page
- 1
- …
- 58
- 59
- 60
- 61
- 62
- …
- 70
- Next Page »