Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka prezantuar në vija të përgjithshme draft-raportin e punës së Qeverisë së Kosovës gjatë 100 ditëve të para të punës.
Ky raport, është miratuar nga qeveria një ditë para se Mustafa të ballafaqohet në interpelancë me opozitën në Kuvendin e Kosovës, pikërisht për këtë çështje.
Mustafa ka pranuar se ka marrë nën drejtim qeverinë në një periudhë jo të lehtë, kur pakënaqësitë politike e sociale në vend ishin në rritje.
Në rend të parë, ai ka përmendur protestat e partive opozitare të 24-27 janarit në Prishtinë, të cilat eskaluan edhe në dhunë, si dhe migrimet e paligjshme masive të qytetarëve jashtë vendit.
Megjithatë, ai është shprehur i bindur se do të kthehet besimi i qytetarëve gjatë mandatit katër vjeçar.
“Ne e kemi filluar mandatin në një gjendje mjaft të rëndë e cila është karakterizuar kryesisht me hendekun e moskonstituimit të institucioneve për gjashtë muaj. Me fillimin e grevave të punonjëseve të arsimit, shëndetësisë dhe gjyqtarëve, me problemin e buxhetit i cili s’i ka plotësuar të gjitha nevojat, me protestat e organizuara nga opozita në disa qytete të Kosovës, edhe në Prishtinë të cilat kanë eskaluar edhe në dhunë. Me ballafaqimin e mundësisë së shkuarjes së Kombinatit Trepça në likuidim, si edhe me fluksin e migrimeve të paligjshme”, ka thënë Mustafa.
Zhvillimi ekonomik, zbutja e papunësisë, ndryshimi i politikave fiskale janë përmendur nga Mustafa si prioritete ekonomike.
Si sukses të parë, ai ka veçuar edhe miratimin e Ligjit për ndalimin e pjesëmarrjes në luftërat e huaja, kurse si sfida jo të lehta, Mustafa ka veçuar themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte dhe sidomos formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Kryeministri Mustafa ka thënë se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës kërkon edhe përkrahjen e deputetëve serbë, pasi që procedura kalon fillimisht përmes ndryshimeve kushtetuese.
“Ne do të vazhdojmë bisedat edhe me Listën Serbe në mënyrë që të sigurojmë që të kemi 80 vota për aprovimin e ndryshimeve kushtetuese dhe më pastaj menjëherë do të shkojmë me miratimin e Ligjit për Forcat e Armatosura të Kosovës”.
“Do të thotë, nuk është një proces i lehtë, sepse për ndryshimin e Kushtetutës ne kemi nevojë të kemi shumicën e dyfishtë, pra të gjithë deputetëve të Kuvendit, si dhe të deputetëve nga radhët e minoriteteve”, ka thënë Mustafa.
Sidoqoftë, edhe nëse kalohen pengesat eventuale nga deputetët serbë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), Mustafa ka konfirmuar edhe një herë se FAK do të ketë disa kufizime në veri të vendit, të populluar nga shumica serbe.
“Është e saktë dhe ka një pajtueshmëri me Aleancën Veriatlantike që në veri FAK të mos shkojë pa marrëveshje me ta (NATO-n)”, ka theksuar Mustafa.
Sa i përket bojkotit të Listës Serbe që po u bën institucioneve, Mustafa ka thënë se pret kthimin e këtij subjekti politik, ngase nuk ka parë arsye që bojkoti të vazhdojë tutje.
Lista Serbe, pati ngrirë pjesëmarrjen në institucionet qendrore të Kosovës, pas vendimit të kryeministrit Mustafa për shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.
Jabllanoviq i kishte cilësuar si “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.
“Nuk kanë ndonjë kërkesë të veçantë për kthimin e tyre. Kërkojnë të zbatohet marrëveshja për koalicion që kemi me ta dhe unë mendoj se nuk ka problem të implementimit të marrëveshjes. Por, as unë nuk e kam të qartë pse po vonohen. Ata kanë thënë se do ta shqyrtojnë dhe do ta bëjnë marrëveshjen mes tyre dhe do të kthehen”, ka thënë Mustafa.
Të enjten, në seancën e pasdites, Mustafa pritet të ballafaqohet me opozitën pikërisht në lidhje me 100 ditët e para të punës së Qeverisë së Kosovës.(Zijadin Gashi)
Archives for April 2015
Rasti “Çakallët” dekurajon dëshmitarët
Njësia për krime lufte e Gjykatës së Apelit në Beograd, ka revokuar vendimin e shkallës së parë, me të cilin pjesëtarët e formacionit paramilitar “Çakallët” ishin dënuar me burgim shumëvjeçar për shkak të krimeve në fshatrat afër Pejës gjatë vitit 1999.
Lënda i është kthyer Gjykatës së Lartë në Serbi për gjykim të sërishëm.
Gjykata e Apelit ka komunikuar se “aktvendimi i shkallës së parë ka shkelje esenciale të procedurës penale, sepse faktet e theksuara në aktvendim janë të pakuptueshme dhe në kundërshtim me vetveten”.
Me aktvendimin e shfuqizuar nga Njësia për Krime Lufte e Gjykatës së lartë në Beograd, të akuzuarit ishin dënuar për vrasjen e 120 civilëve në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Lubeniq, në mesin e të cilëve viktima më e re në moshë ka qenë 19 vjet, ndërkaq më e moshuara 87 vjet.
Lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit në Beograd, kanë reaguar përfaqësuesit e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në Serbi.
Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Gjykatës së Apelit në Beograd në rastin e formacionit paramilitar “Çakallët”, si dhe arsyetimi i këtij vendimi është befasues.
“Dihet shumë mirë që të gjitha krimet që janë bërë në komunën e Pejës, për çka akuzohen dhe janë dënuar më herët ‘Çakallët’, sikurse në fshatrat, Lubeniq, Qyshk, Zahaq dhe vende të tjera, ka pasur dëshmitarë okularë, të cilët i kanë mbijetuar masakrave dhe ata janë dëshmitarë të besueshëm”.
“Nuk është fare e kontestueshme që ka dëshmi të mjaftueshme se kush është përgjegjës për vrasjen dhe masakrat në Qyshk, Zahaq e Lubeniq. Dihen me emër e mbiemër. Dihet për grupin ‘Çakallët’ dhe duhet kush u ka prirë”, tha Shala.
Ndryshe, për këtë krim, Njësia e veçantë e Gjykatës së Lartë në Beograd, me 11 shkurt të vitit të kaluar, ka dënuar 9 pjesëtarë të formacionit paraushtarak “Çakallët”, me gjithsejt 106 vjet burg.
Ky njësit paraushtarak, kishte gjetur fajtorë për vrasjen, dhunimin, shkatërrimin dhe plaçkitjen e pronës së shqiptarëve, dhe deportim të popullatës civile për në Shqipëri.
Komandanti i detashmentit ushtarak të territorit të Pejës, Toplica Miladinoviq, ishte dënuar atëherë me dënimin maksimal prej 20 vjetësh burg.
Dënimet maksimale me burgim prej 20 vjetësh u ishin shqiptuar edhe pjesëtarëve të asaj njësie: Dejan Bulatoviq dhe Milojko Nikoliq. Ranko Momiq ishte dënuar me 15 vjet burg, Abdullah Sokiq me 12 vjet, Sreçko Popoviq me 10 vjet, Sinisha Mishiq me 5 vjet, ndërkaq me nga 2 vjet burg ishin dënuar Slavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq.
Pjesëtari i mbrojtjes territoriale Veljko Koriçanin dhe pjesëtari i policisë Radoslav Bërnoviq, janë liruar nga akuza.
Marija Klajiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, e cila e ka përcjellë këtë rast, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se anulimi i aktvendimit është mjaft i keq.
“Vendimi i këtillë në masë të madhe do ta vështirësojë kryerjen e sërishme të procedurës. Kjo është një lëndë, në të cilën dëshmitarët dhe të dëmtuarit janë, shqiptarë nga Kosova. Në këso procedura që zgjasin me vite, ku nuk shihet fundi, besimi i arritur te viktimat shqiptare ndaj sistemit të drejtësisë të këtij vendi është edhe ashtu i brishtë, është luhatur në masë të madhe”.
“Po vihet në pikëpyetje edhe interesimi i tyre i mëtejmë për të ardhur në gjykime, në qoftë se do të paraqitet nevoja për marrjen në pyetje të tyre”, ka thënë Marina Kljajiq.
Mendim të ngjashëm ka shfaqur edhe Shala, duke vlerësuar se shfuqizimi i aktvendimit për pjesëtarët e njësitit “Çakallët”, është sinjal i keq se drejtësia mund të përmbushet.
“Kjo është dekurajuese për ata që duan të dëshmojnë për krimet që janë bërë në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike dhe është një inkurajim për ata që kanë kryer krime, për ata që kanë urdhëruar krimet dhe për ata që nuk i kanë penguar krimet”, tha Shala.
Klajiq, vlerëson se aktvendimet e këtilla, në mas të madhe i komplikojnë gjërat.
“Rrjedha e kohës e bën edhe një gjë dhe këtë e kemi parë edhe në lëndët e mëdha ku janë anuluar aktvendimet – që gjatë procedurës, ata që janë më përgjegjës, nuk janë në proces për shkak të gjendjes shëndetësore ose pse kanë vdekur. Kështu që, arritja e drejtësisë është bërë mjaft e pasigurt, e sidomos për viktimat që kanë mbijetuar dhe për anëtarët e familjeve të tyre”, ka thënë Kljajiq.
Ndryshe, krimi, për të cilin ishin dënuar më parë pjesëtarët e njësisë paraushtarake “Çakallët”, është bërë gjatë prillit dhe majit të vitit 1999, ndërkaq që në padi thuhet se operacioni në fshatrat ku janë kryer vrasjet, nuk ka pasur asnjë qëllim të drejtëpërdrejt ushtarak.
Vrasjet janë kryer në mënyrë brutale dhe mizore dhe jo rrallë, viktimat janë qëlluar pas shpine dhe më pas, shumica e kufomave janë djegur , në mënyrë që të pamundësohet vërtetimi i identitetit të viktimave.
Një nga dëshmitarët bashkëpunues ka thënë se një shqiptar është vrarë pasi që i janë marrë dy automjete – Audi dhe Mercedes- dhe më pas i është shkrepur plumbi në qafë.(Bekim Bislimi)
KE Kritikon UKRAINEN- Kievi tani pengesë?
Nga Frank Hofmann/
Këshilli i Evropës kritikon ashpër Kievin për shkak të shtyrjes së hetimeve lidhur me vrasjen e protestuesve në Maidan. Ka dyshime se pika të rëndësishme nuk janë të interesuara për sqarimin.
Trishtimi ndjehet ende sot. Që nga rruga Institutskaya përgjatë hotelit Ukraina, nga sheshi i Kievit Maidan deri te ndërtesat qeveritare. Me fotografi, lule dhe kujtime të afërmit dhe miqtë kujtojnë viktimat e protestave. Të paktën 49 vetë humbën jetën rreth datës 20 shkurt të vitit të kaluar. Shumica e tyre nga të shtënat e njësive Berkut të ministrisë të Brendshme, besnike të regjimit. Jo shumë larg nga Maidani, në pallatin presidencial në rrugën Lutheranska, negocionin atëherë thuajse në të njëjtën kohë ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës, Frank-Walter Steinmeier dhe Laurent Fabius, me ish presidentin Viktor Janukoviç. Ishin orë dramatike. Me 22 shkurt Janukoviç u arratis në Rusi.Në fund rreth 100 njerëz humbën jetën nga trazirat. Të gjitha viktimat e protestave në Maidan quhen sot në Kiev “100 të shenjtët”.
Asnjë përparim në sqarimin e çështjes
Ukraina zgjodhi presidentin e ri Petro Poroshenko dhe para një gjysëm viti një qeveri të re demokrate me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në fakt premisat më të mira për të sqaruar dhunën e atëhershme. Vetëm, sipas Këshillit të Evropës nuk është bërë asgjë. Ai akuzon qeverinë aktuale, se nuk ka bërë “asnjë hap substancial”. Një shuplakë për elitat proevropiane në Kiev. Madje forumi i këshilltarëve ndërkombëtarë, i caktuar posaçërisht nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Thorbjørn Jagland, shkoi edhe më tej. Qëndrimi i Ministrisë së Brendshme ka qenë “jokooperativ dhe zvarritës”, tha Nicolas Bratza, kryetar i grupit këshillues të Këshillit të Evropës. Edhe shërbimi i fshehtë ukrainas ka bllokuar. Atje nuk janë të interesuar për sqarim.
Pas të shtënave në Maidan, veçanërisht rreth datës 20 shkurt 2014, janë fshirë gjurmet nga regjimi i vjetër, janë zhdukur dokumente dhe armë. Hetimet janë pa dyshim një sfidë, tha Bratza. Por vetëm “këto vështirësi nuk mund të shpjegojnë mangësitë” në hetime. Sidomos atje, ku megjithë zhdukjen e dëshmive, mund të hetohej. Në përvjetorin e revolucionit, para më shumë se katër javëve, presidenti Petro Poroshenko ngriti akuza të rënda në drejtim të Moskës, se një këshilltar i presidentit Putin ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në të shtënat kundër demonstruesve proevropianë në Maidan. Por kjo mbetet “një çështje e hapur” pas hetimeve tani të mbyllura të Këshillit të Evropës, u përgjigjën ekspertët nga Strasburgu.
“Kohë e mjaftë për shkatërrimin e provave”
Që prej një gjysëm viti në jug të Maidanit te monumenti i pavarësisë gjenden postera të mëdhenj me fotografi, që kujtojnë protestat dhe viktimat e tyre. Igori është student nga Mykolajiv në Ukrainën jugore. 20 vjeçari shikon fotografitë e trazirave. “Unë nuk kam qenë në Maidan, por e kam parë të gjithën në televizor. Deri sot asgjë nuk ka ndryshuar“, thotë ai, sepse, “nëse fajtorët nuk janë gjetur deri më sot, kjo do të thotë se autoritetet punojnë si dikur.” Vetëm emrat e politikanëve në pushtet sot janë të tjerë. Zhgënjim i madh. Pranë në rrugën Institutskaya qëndron Natalia Syrotynska nga Lemberg. 43 vjeçarja mendon pak më ndryshe: “Sa kohë duhen për të shkatërruar provat?“ Një ditë është e gjatë, dhe kaq gjatë kanë qëndruar pasuesit e regjimit në postet e tyre.
Dhe shumë janë arratisur, shton mësuesja e muzikës, në Krime, pasi gadishulli u aneksua nga Rusia dhe presidenti i saj Vladimir Putin. Dy hapa më tej 23 vjeçarja Olena ka një dyshim krejt tjetër: Ndoshta edhe disa prej qeverisë të tanishme proevropiane, të zgjedhur në mënyrë demokratike, kanë ushtruar dhunë. Në fakt u qëlluan edhe policë, kur luftimet u përshkallëzuan. Megjithatë anëtarët e qeverisë aktuale “nuk do të duan të hetojnë kundër vetes”. Dhe forcat politike reformatore në Ukrainë, që mbrojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës, janë akoma shumë të dobëta. Regjimi i vjetër i Janukoviçit vazhdon të jetojë në zyrat e ministrive.
Zemërim kundër qeverisë në Kiev
Megjithatë ka një ndryshim. Sot në Ukrainë ka luftë, më shumë se 6000 vetë janë vrarë deri tani, sipas të dhënave të OKB-së. Qeveria mobilizon ushtarë kundër separatistëve prorusë në lindje të vendit. Demonstruesit e dikurshëm, që dolën në rrugë për të drejtat e njeriut dhe për mundësi të barabarta, u bënë ushtarë. Ato mund të kthehen një herë në 45 ditë nga fronti, sipas parimit të rotacionit. Si Svjatoslavi, i cili është kthyer para 12 ditësh në Kiev, nga fronti i bastionit të rebelëve Luhansk. 33vjeçari pyet: “Si është e mundur? Një vit ka kaluar dhe askush nuk është në burg”, për shkak të të vdekurve në Maidan. Kjo ishte e pabesueshme. Zemërimi i tij ndaj “Kievit” rritet.(DW)
Bismarku, ‘kancelari i hekurt’ i Gjermanisë
Nga Alexander Drechsel/
Në 1 prill përkujtohet 200 vjetori i lindjes së Otto von Bismarkut. Çfarë trashëgimie ka lënë pas kancelari i parë, të cilët gjermanët e nderojnë edhe sot?
Është një tabllo, që për shumë gjermanë është e pandarë me Otto von Bismarck-un. Gjeneralë dhe princa gjermanë në uniforma të errëta qëndrojnë në sallën e pallatit francez të Versajës dhe përshëndesin me armë të ngritura në perandorin gjerman Vilhelmi I. Por nuk është monarku në qendër të tabllosë. Aty është Otto von Bismarck, i theksuar edhe më shumë nga uniforma e bardhë.
Tabloja paraqet 18 janarin 1871, datën që konsiderohet si dita e themelimit të Perandorisë gjermane, kur 25 shtete të veçanta u bashkuan në një shtet, nën udhëheqjen e Prusisë. I atribuohet politikës së Bismarkut, që atëherë u kapërcye ndarja e vazhdueshme në shtete të vogla gjermane. Kudo ka monumente dhe buste dedikuar Bismarck-ut. Nxënësit mësojnë se Bismarck-u jo vetëm që bashkoi Gjermaninë, por në kohën e tij si kancelar nga 1871 deri 1890 ai futi edhe ligjin e zgjedhjeve, dhe sistemet e sigurisë sociale, si sigurimin shëndetësor, sigurimin në rastet e aksidenteve dhe sigurimin e pensioneve.
Por ka edhe zëra, që e shohin Bismarckun si kancelarin e luftës, me helmetë me majë dhe si shtrues të rrugës së militarizmit gjerman. Megjithatë, luftërat kundër Danimarkës 1864, kundër Austrisë 1866 dhe kundër Francës 1870/1871 hapën rrugën për themelimin e Perandorisë (rajhut). Që të tria luftërat i përgatiti politikisht Bismarcku si kryeministër i atëhershëm i Prusisë. Nga kritikët, Bismarcku konservator bëhet përgjegjës edhe për përndjekjen e socialistëve në Perandorinë gjermane, për një kulturë parlamentare të pazhvilluar në Gjermaninë e fundit të shekullit 19-të dhe fillimit të shekullit 20-të, si dhe për kirjimin e kolonive gjermane në Afrikë dhe Azi
A ka qenë Bismarcku një superhero apo e kundërta e kësaj?
“Bismarku duhet të shihet më pak si mur projeksioni, për vlerësimet pozitive apo negative të historisë kombëtare gjermane”, thotë historiani Christoph Nonn në bisedë me Deutschen Welle. Profesori nga Dyseldorfi ka botuar librin “Bismarcku – një prusian dhe shekulli i tij”.
Për shembull krijimi i Rajhut nuk ka qenë një çështje vetëm gjermane dhe aq më pak vetëm vepër e Bismarkut, thotë Nonn. “Në këtë proces të gjatë dhe kompleks kanë qenë të përfshirë shumë aktorë, në Gjermani dhe jashtë saj. Me atë që kanë bërë dhe që nuk kanë bërë. Për shembull, që nuk janë përpjekur të parandalojnë këtë bashkim të Gjermanisë.”
Më shumë diplomat se luftënxitës
Nuk ka qenë vetëm Bismarck-u përgjegjës për tri luftërat para krijimit të Perandorisë, thotë Nonn. Bismarcku nuk ka qenë ushtarak dhe agresor, ai ka preferuar bisedimet. Po kështu mendon edhe historiani Arnd Bauerkämper nga Universiteti i Lirë i Berlinit. Më vonë në kujtimet e tij të shkruara në 1890, “ai e paraqiti vetën kancelar të luftës”. Megjithatë “legjitimitetin e luftërave, në parim, Bismarku nuk e vinte në diskutim”, thotë Bauerkämper në bisedë me DW. Po si Nonn ashtu edhe Bauerkämper theksojnë se perandoria me kancelar Bismarckun nuk ka patur më pretendime territoriale, por ka ndjekur një politikë të jashtme të ekuilibruar, për t’u përqendruar në zhvillimin ekonomik të vendit.
Paradoksi në politikën koloniale
Po si përshtatet politika koloniale në këtë kontekst? A nuk kishte thënë Bismarck-u vazhdimisht se Rajhu gjerman nuk ka nevojë për koloni? Dhe megjithatë 15 vjet pas themelimit të saj ai lejoi që të krijohen të ashtuquajturat zona të protezhuara në Afrikë dhe Azi.
“Qëllimi i vërtetë nuk ishin kolonitë. Kolonitë ishin mjeti për të arritur qëllimin në një luftë për pushtet, që bëhej në Berlin”, thotë historiani Nonn. Konservatori Bismarck donte të dobësonte kundërshtarin e tij politik, liberalët dhe simpatizantin e tyre, princin trashëgimtar Friedrich, shpjegon Nonn. Liberalët ishin të ndërlidhur me Mbretërinë Angleze, që ishte shumë aktive në krijimin e kolonive. Për të përçarë këtë aleancë, Bismarcku në vitet 1884 dhe 1885 u bëri vend përkohësisht kërkesave për koloni gjermane. Por në vitin 1885 liberalët me humbjen e zgjedhjeve u dobësuan si forcë politike dhe po në të njëjtin vit princi trashëgimtar Friedrich siguroi, se edhe pas vdekjes së perandorit Vilhelm, do të qëndronte krah Bismarckut. “Që nga ai moment Bismarcku e mbylli menjëherë sërish episodin e politikës koloniale”, thotë Nonn. Kolegu i tij, Bauerkämper shkruan se Bismarcku “donte që t’i evitonte, mundësisht t’i sheshonte fërkimet me fuqitë e tjera europiane.”
U frenua demokracia në favor të konservatorëve
Por brenda vendit për Bismarkun nuk ka patur gjithmonë prioritet ekuilibri apo dialogu. Perandoria gjermane e themeluar më 1871 ishte në fakt një monarki konstitucionale, por parlamenti nuk kishte ndikim në politikën e qeverisë. Bismarku e shihte madje si “armike të perandorisë” lëvizjen politike në rritje të punëtoreve. Me ligjin për socialistët ai ndaloi de facto partitë socialdemokrate. Edhe futja e sigurimeve për shëndetin, për aksidentet dhe pensionet lidhet me qendrimin refuzues të Bismarkut ndaj lëvizjes punëtore. “Reformat sociale bëheshin për t’u hequr mbështetjen sozialdemokratëve dhe për t’i siguruar shtetit të ri lojalitetin e shumicës së popullsisë dhe të klasës punëtore në rritje”, thotë historiani nga Berlini Bauerkämper.
Për të ruajtur pushtetin e vet dhe të aristokracisë kushtetuta e perandorisë gjermane ia mohoi parlamentit, Rajshtagut (Reichstag), të drejtën e bashkëvendosjes. “Nuk u krijua një diçka e tillë si kultura parlamentare e krijimit të kompromisit, të kërkimit të marrjes së vendimeve në mes partive”, thotë Bauerkämper. Meqenëse Bismarck-u ishte edhe autor i kushtetutës, biografi Nonn ia atribuon kancelarit të parë gjerman faktin, që parlamenti nga 1871 deri në fundin e Perandorisë dhe shpalljen së republikës në 1918 kurrë nuk ka patur përgjegjësi. “Ky mentalitet i mungesës së përgjegjësisë ishte vështirë të shkundej më nga vetja pas vitit 1918, kur parlamenti kishte me të vërtetë peshë në Gjermani. Kjo ishte një peshë e rëndë për demokracinë e parë gjermane, për republikën e Vajmarit”, thotë Nonn.
Bismarku garant për paqen dhe mirëqënien
Dhe megjithatë në këtë ditë në Gjermani politikanë të zgjedhur me vota demokratike e kujtojnë kancelarin e parë të lindur para 200 vjetësh. Nonn heq paralele ndërmjet themelimit të perandorisë 1871 dhe ribashkimit të Gjermanisë 1990. Në të dyja herët në Europë ka ekzistuar frika se Gjermania dëshiron të zgjerohet më tej. Ashtu si në 1871 edhe në 1990 Gjermania siguroi se nuk ngre pretendime territoriale. “Këtu është ndjekur e njëjta politikë e qetësimit të fqinjëve evropianë.” Është suksesi më i madh i politikës së jashtme të Bismarkut, “që ai pas vitit 1871, si drejtues i politikës së jashtme të Gjermanisë, ka kontribuar në një masë të madhe që Rajhu i sapokrijuar gjerman nuk bëri luftë, për më shumë se 40 vjet.”(DW)
Refat Gurrazezi dishepull i Faik Konicës
Në prag të 103 Vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA/
Nga Idriz LAMAJ/
Shumë atdhetarë të njohur të mërgatës i mbyllen sytë në varfëri të madhe, pasi i sherbyen kombit dhe kulturës kombëtare për dekada me radhë. Disa prej tyre u kujtuan me ndonjë shkrim modest, e disa të tjerë i mbuloj pluhuri i harresës dhe nuk ju dihen as varret. Një prej tyre, i cili i sherbeu me penë çështjes kombëtare për 60 vjet dhe vdiq në skamje të thellë ishte Refat Gurrazezi. Ai lindi me 15 qershor të vitit 1894 në katundin Gurrazez të Tomorricës, rrethi i Beratit. Ai erdhi në Amerikë kur ishte 22 vjeç; erdhi me ëndrën për të bërë prokopi dhe përfundoi në sherbim të atdheut, ku shpesh i mungoi edhe buka e gojës.
Vitet e para Gurrazezi punoi në Detroit në një fabrikë dhe banoi në një hyrje të vogël bashkë me tre shokë. Si tashi më kujtohen fjalët e tij: “Nga rroga e vogël që merrja pagueja pjesën e qirasë, ushqehesha, dërgoja diçka në Shqipëri dhe ndihmoja Vatrën ”.
Kohën e lirë, pas punës së rëndë, Gurrazezi e kalonte duke lexuar e studiuar çdo gjë që kishte të bënte me Shqipërinë. Për një kohë shumë të shkurtë ai e përvetësoi stilin e shkrimit të Faik Konicës në një mënyrë aq të përsosur sa pak kush mund të dallojë formën e shkrimit të tij nga shkrimi i Konicës. Ky burrë i heshtur nga natyra, me sjellje fisnike, i dashur, anëtar i palodhur i “Vatrës” dhe ndihmës i rregullt me shkrime i gazetës “Dielli”, jo vetëm tërhoqi vemendjen e Konicës, por arriti të bëhej miku i tij më i ngushtë.
Kur “Vatra” po tronditej në themel nga ndarja e pikëpmajeve politike midis kryeudhëheqësve të saj dhe Konicës po i ngushtohej rrethi i njerzëve të penës, Gurrazezi emrohet Sekretar i Federatës “Vatra” (1926), dhe dy vjet më vonë Editor i “Diellit” (1928).
Editori i ri energjik, gazetar i shkathtë e kritik i ashpër politik, me bindje të patundur monarkiste dhe përkrahje të fuqishme të Konicës, fillimisht e nxori “Diellin” dy e më vonë një herë në javë. Përmbajtjen e “Diellit” dhe aftësinë gjuhësore të Gurrazezit, Konica e vlerësoi lartë:
“Gëzohem kur marr Diellin se në çdo numër shoh që ju i mbani kurdoherë përpara syve të mendjes fjalët që i çkembyem, dhe përdorni një shqipe e cila ka ktheillsinë, ngjyrën, tingëllimin e gjuhës së gjallë të gjyshërve t’anë. Lavde më të madhe se këte s’kam”. (Dielli, 9/10/1932).
Me shkrimet polemizues kundër Nolit të përjashtuar nga “Vatra” dhe forcave liberale në mesin e vatranëve, Gurrazezi krijoi shumë armiqë e kundërshtarë. Viti 1936 për të ishte viti më i vështirë i jetës së tij. Fërkimet politike midis antarëve të “Vatrës” shkojnë aq larg sa “Vatra” ndahet dysh. Një prej kryetarëve të respektuar të “Vatrës”, mik dhe kundërshtar i Gurrazezit, dr. Andrew Elia shkruan për të:
“Në jetë të tij pati humbje si shumë të tjerë, po humbja më e madhe për të ish ftohësia që ndjeu nga Faiku kur mori inisjativën të shpjerë Shoqërinë Vatra dhe gazetën Dielli në Detroit. Konica e quajti këtë akt si një shenjë armiqësie dhe si një dëm të math për Vatrën. Po Refatit ju dha rasti (me ndihmën bujare të shokëve të Detroitit) të shikoje edhe një herë Vatrën e Bashkuar dhe të zevendësuar në Boston., në qytetin ku u fillua, pranë Kishës Autoqefale Shqiptare, e cila në atë kohë qe e vetmja fole ndihmese dhe dorë e djathtë e Rilindjes Kombëtare. Koha shëron plagët e çdo shoqërie dhe njeriu me vleftë dhe e kthen humbjen në fitim. Refati e ujdisi miqësinë me Konicën dhe arriti të vijë përsëri në Boston si editor i Diellit.” (Dielli 16/9/1979).
Megjithëse Konica ndarjen e “Vatrës” e shikoi si një gabim të madh dhe ftohi marrëdhëniet me mikun e tij më të ngushtë, Gurrazezi asnjëherë nuk ndjeu pendesë për ndarjen e saj. Ai pohoi me shkrim se “Vatra” e Detroitit me Fazlli Panaritin në krye, ishte “Vatra” legjitime dhe përfshinte në gjirin e saj shumicën e vatranëve. Gazetën “Dielli” e nxori rregullisht në Detroit. Personalisht nuk e kritikoi Konicën por ju la vënd të tjerëve ta kritikonin atë për përkrahjen që i jepte “Vatrës” së Bostonit dhe pajtimit të tij me Nolin.
Afër dyzetëvjet më vonë, Gurrazezi shkruan për marrëdhëniet e Nolit me Konicën:
“Fan Noli dhe Faik Konica u ndanë për një kohë të gjatë, njëri në Boston dhe tjatri në vende të ndryshme n’Evropë, po miqësia u shtua tepër në mes të tyre me anë të letër-kembimit. Miqësia personale dhe politike në mes të dyve vazhdoi gjer më 1925, dhe pas kryengritjes së dytë më 1924, u-ndanë politikërisht. Po miqësinë personale e vazhduan tërë jetën e tyre. Këtë gjë nuk e dinë shumica e Shqipëtarëve, po është fakt që provohet me dokumenta. Lufta e fjalëve mes tyre me anë të shtypit vazhdoj lart nga shtatë vjet, që më 1926 dhe gjer më 1933, po letër-këmbimin nuk e kishin prerë, prapë ishin miq, dhe bashkoheshin tok në Boston kur Konica vinte nga Washingtoni.” (Dielli, 28/2/1974).
Për të forcuar pohimin e tij mbi marrëdhëniet e tyre, ai botoi një letër të Nolit dërguar Konicës:
“I dashur Usta – Munt të vini dorën në zjarrë që jam hequr nga politika me një mënyrë të përfuntme, – pneumonia i vuri kapakun tërë punës sime. Jam akoma në shtrat, dhe plaga e mëlçisë është akoma e hapur… Tani e dini tërë historinë dhe munt ta merrni me mënt që s’kam më as nge as qef as takat për politikën. U zgjata mjaft në këtë pikë, se dua që t’a dini mirë punën dhe kështu të muntni t’a shiguroni qeverinë tonë që këllëçi im politik është varur në muze, dhe nuk del s’andejm kurrë më. I jap funt letrës, se u-lodha. Bile kam frikë se ju kam lodhur ca më tepër. Shtoj vetëm këto fjalë: Përpiquni të më ndihni, se jam keq nga të gjitha pikëpamjet – Me të fala. Juaji me besë, F.S. Noli.”(Dielli, 28/2/1974).
Sipas Gurrazezit: “Pak ditë më vonë, me 6 Janar 1934, Fan Noli i shkori prapë letër Konicës në Washington dhe i thosh se mori përgjegje nga Mbreti dhe i dërgoi një ndihmë prej 3000 franga ari (flori). Me atë ndihmë të Mbretit, Noli pagoi doktorin dhe vajti në spital që u shërua nga sëmundja. Po gjeti belanë nga disa njers – “shokë” dhe pasanik të tij – të cilët e kundërshtuan sepse mori ndihmë nga Mbreti, dhe i thanë: “Na tradhëtove”! Fan Noli gjysëm i sëmurë, u përgjegj: “Po të kisha marrë ndihëm nga ndonjë i huaj, fjala vjen nga Petrua i Serbisë ose Jorgua i Greqisë, kishit të drejtë të më thoshit që ‘na tradhëtove’ – po unë mora ndihmë nga Zogu i Shqipërisë, ay dhe unë të dy shqiptarë, mbase sot politikërisht nuk jemi të bashkuar në mendimet, po të dy punojmë dhe mendojmë për Shqipërinë.” Kështu u hap fjala ahere nga ata që ishin pranë tij.” (Dielli 28/2/1974).
Gurrazezi e drejtoi gazetën “Dielli” afër 12 vjet, në Boston dhe në Detroit. Ai ishte edhe një prej konferencierëve më të shquar të “Vatrës” në vitet 30-të
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe bashkimit të dy “Vatrave”, Gurrazezin e shohim përkrah Nolit e Konicës në përpjekje për formimin e një qeverie shqiptare në mërgim nën kryesin e Mbretit Zog. Vdekja e Konicës me 1942 dhe ardhja e regjimit komunist në pushtet në Shqipëri e goditën atë si rrufe. Ai nuk u largue nga “Vatra” por ndeji në heshtje dhe rrall shkroi ndonjë artikull për gazetën “Dielli”. Prishja e marrëdhënieve të “Vatrës” me regjimin e Enver Hoxhës e inkurajoi angazhimin e mërgatës së re në Federatën “Vatra”. Siç duket ky faktor ndikoi në Gurrazezin për riangazhim të plotë në Shoqatën e tij të vjetër. Në vitet 70-të, megjithëse i thyer në moshë e i ngacmuar nga sëmurjet e ndryshme të pleqërisë, emrohet përsëri Editor i “Diellit”, shkruan në secilin numër të gazetës, redakton si dikur në moshën e re, dhe herë pas here goditë pa frikë veset e dëmshme të shqiptarëve:
“Mjerimi i Shqiptarëve ka qënë, edhe është, se gjithmonë kanë qënë të përçarë, s’kanë patur bashkim! E dimë që shumë njerës nuk do t’a pëlqejnë këtë, dhe mund të na shajnë, po është fakt, dhe fakti është ky: Si pas mendimit t’onë, dhe s’jemi të lajthitur mi këtë pikë, vetëm dy gjëra janë që munt t’i bashkojnë Shqipëtarët: Interesi i metelikut, dhe frika e kamxhikut, – dhe ajo po mbretëron sot: Frika!” (Dielli/1/21/1974).
Gurrazezin e takova për herë të parë në Selinë e Tij të Shenjët, në zyrën “Vatrës”, 25 Huntington Ave. Boston, Mass; në atë zyrë të vogël, gjysëm të errtë, me një tavolinë pune e dy-tre karrige për mysafirë, me libra të shpërndara dhe gazeta e letra të pluhrosura, ku mëmzi lëvizje dhe të zihej fryma. Në një qosh të zyrës, në anën e majtë të tavolinës së punës, ai kishte edhe një lavaman të vogël. Aty herë pasë here mbushte një gotë letre me ujë për të lagur gojën. Në atë ambjent të ndotur nga pluhuri i letrave dhe tymi i duhanit, gdhihej dhe errej kalorësi veteran i Federatës “Vatra”, i cili varfërinë e thellë në pleqëri e përballoi me stoicizëm të pashoq dhe me kryelartësinë e burrave të vjetër shqiptar. Kur i shkonte ndonjë mik për ta vizituar ose për të pirë një kafe me të, ai nuk e lëshonte pa qeras. Shpenzonte edhe ata dy-tre dollarët e fundit që i kishte ruajtur në xhep vetëm për raste të tilla. Gurrazezin e njoha atëherë kur i dridheshin duarët dhe ai shkruante e redaktonte në një makinë të vjetër shkrimi të dhuruar nga Faik Konica.
Refat Gurrazezi vdiq me 14 gusht, 1979; vdiq në (Nursing home) një shtëpi kujdesjeje të qytetit pa pasur asnjë shqiptar afër kur i mbylli sytë. Përshendjetja e fundit iu dha në Boston. Sherbimet fetare i bëri Imam Vehbi Ismaili. Anthony Athanas shtroi një drekë për kujtimin e tij. Kryetari i “Vatrës”, dr. Andrew Elia mbajti një fjalim prekës dhe më vonë botoi një nekrologji të shkurtër, të cilën e mbyll me këtë paragraf:
Refati, “… Punoj pa kursyer për Vatrën, kur me rrogë e kur pa rrogë, kur me bukë e kur pa bukë. Fjeti në bodrum të shtypshkronjës, se s’kishte mjete për fole gjumi si të tjerët dhe s’ja duronte shpirti të pushohej botimi i gazetës Dielli. Deshirat e tij në kohët e fundit qenë dy: të vdiste në zyrën e Vatrës dhe të varroseshe pranë Faik Konicës. Për fat të zi asnjë nga ne kemi në dorë të zgjedhim vendin për të dhënë shpirt. Pranë Konicës nuk kishte vent. Po trupi i Refatit u mbulua fare afër deshires së tia, nëpërmes të shumë patriotëve në Forest Hills Cemetery, në Boston, Mass …”. ( Dielli, 9/16/1979 ).
Gurrazezi në kujtesën time mbetet Xha Refati. Këtë vatran të madh e njoha kur kishte nevojën e ndihmës dhe pak kush e ndihmonte. Dikur me të më lidhi një miqësi dhjetëvjeçare, sot me të më lidh admirimi për karakterin e fortë që kishte dhe shkrimet që la mbas.