Mbërrijnë në shtëpitë e tyre në Kosovë luftëtarët e vrarë në lagjen e Trimave në Kumanovë/
Në orët e para të ditës së sotme kanë hyrë në territorin e Kosovës trupat e 9 qytetarëve të Kosovës, të cilët u vranë në ngjarjen e 9 majit në qytetin e Kumanovës.
Trupat e pajetë të 9 qytetarëve kosovarë hynë në territorin e Kosovës pak minuta para orës 04:00 të mëngjesit, të dates 22 Maj, shoqëruar nga një kolonë e gjatë automjetesh me familjarë përfshirë edhe ato të funeraleve.
Kortezhi është përcjellë nga Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu. Trupat u dërguan në këtë institut për një autopsi të re, ndërsa më pas u shoqëruan nëpër shtëpi.
Në 9 maj në Kumanovë ndodhi sulmi i policisë maqedonase në lagjen e Trimave kundër një grupi të armatosur, që më pas shpërtheu në përleshje dhe dorëzim vullnetar të grupit pas një negociimi të organizuar.
***
Trupat e pajetë të 9 shtetasve të Kosovës, të vrarë në incidentin e armatosur në Kumanovë, me 9 dhe 10 maj, janë sjellë në Kosovë, në orët e para të mëngjesit të ditës së premte.
Familjarët e personave të vrarë i kanë marrë trupat e pajetë të të afërmve të tyre nga autoritetet e Maqedonisë rreth orës 3 e 15 , ndërkohë që kortezhi ka hyrë në territorin e Kosovës, në orën 4: 10, përmes pikës kufitare në Han të Elezit.
Shtetasit e Kosovës të identifikuar si të vrarë në incidentin e Kumanovës janë: Xhafer (Hysen) Zymeraj, Beg (Miftar) Rizaj, Mirsad (Osman) Ndrecaj, Valon (Selim) Kabashi, Turgaj (Mehmet) Gashi, Samid (Bajram) Kastrioti, Hysen (Latif) Rushiti, Fatlum (Kadri) Vishesella dhe Arben (Qerim) Rexhaj.
Familjarët që kanë marrë të afërmit e tyre të pajetë në Maqedoni, që nga dita e enjte, gjatë gjithë kohës janë shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.
Gërxhaliu, menjëherë pas hyrjes së kortezhit në territorin e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pas procedurave, që i quajiti të zgjatura burokratike nga autoritetet maqedonase, trupat e pa jetë janë identifikuar nga familjarët dhe ata ishin në rrugë drejt morgut të Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë
“Paksa i stërzgjatën procedurat, ndoshta edhe më tepër se që duhet. Por, marrë në përgjithësi që numri ishte prej nëntë personash, secili drejtim i punës priste ta përfundonte punën një sektor, për ta marrë pastaj sektori tjetër. Kjo ishte paksa e mundimshme, mirëpo meqenëse u arrit që familjarët të bëjnë identifikimin e 9 personave, arritëm që t’i marrim në këto orë të vona. Në orën 4 e 10 minuta kemi hyrë në kufi dhe tash jemi rrugës. Po i dërgojmë në morgun e Prishtinës”, tha Gërxhaliu.
Ai ka shtuar se gjatë pritjes për identifikimin dhe marrjen e trupave të pajetë, kanë pasur mbështetje dhe ndihmesë mjaft të madhe nga ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.
Gërxhaliu, ka theksuar se vetë familjarët e shtetasve të Kosovës, të vrarë në incidentin e Kumanovës, kanë insistuar që të përsëritet ekspertiza mjeko-ligjore dhe sipas tij, një gjë e tillë edhe do të bëhet..
“Po, ata e kanë thënë këtë gjatë gjithë kohës dhe ne kemi qëndruar bashkë më shumë se 12 orë. Ata janë duke ardhur drejt morgut që të bëjnë kërkesat e tyre dhe dëshirojnë që gjithsesi të bëhen ri-autopsitë edhe në departamentin tonë”, ka theksuar Gërxhaliu.
Në anën tjetër, edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, ka bërë thirrje ndaj familjarëve të personave, shtetas të Kosovës, që kanë humbur jetën në incidentin e Kumanovës, si dhe ndaj institucioneve të Kosovës, që të përsëritet ekzaminimi i trupave të pajetë.
Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirisë së Njeriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky këshill insiston që trupat e pajetë që janë sjellë nga Maqedonia, të mos varrosen para se t’i nënshtrohen edhe një herë ekspertizës.
“Insistimi ynë është që ka mundësi edhe forenzika, por edhe mjekësia ligjore – në qoftë se është nevoja, shteti duhet të investojë edhe në ekspert të jashtëm- në mënyrë që të bëhet një super-ekspertizë, në mënyrë që të vërtetohen shkaqet e vdekjes. Vetëm atëherë kur të bëhet një super-ekspertizë dhe të dihen shkaqet e vdekjes, atëherë mund të bëhet varrimi. Në qoftë se e bëjnë varrimin tash, atëherë shumë gjëra do të mbeten mister dhe të pasqaruara”, tha Shala.
Ai ka shtuar se KMDLNJ, insiston që të zbardhen faktet nëse personat që kanë humbur jetën në incidentin në Kumanovë janë vrarë gjatë luftimeve apo pasi ata janë dorëzuar.
“Këtu ka shumë gjëra për të cilat mund të dyshohet, sepse dëshmitarët që kanë marrë pjesë në luftime, tregojnë se disa prej tyre kanë qenë të plagosur e pastaj ata figurojnë në listën e të vrarëve. Mjekësia ka shkuar aq larg sa që mund të konstatohet edhe koha, por edhe mënyra e vdekjes”, ka theksuar Shala.
Ndryshe, Gërxhaliu ka theksuar se ekipet për ekzaminimin e trupave të pajetë janë të gatshme në Departamentin e Mjekësisë Ligjore dhe se pritet qe ky proces te përfundojë brenda dy apo tre ditësh.(Kortezi-Bota Sot)
Archives for May 2015
Drejtuesit e minoritetit grek kontakte me ushtarakë të lartë të ushtrisë greke
Ja kush janë gjeneralët grek që kanë lëvizur në Shqipëri/
Nga Arben LLALLA/
Prej disa vitesh trupat paraushtarake greke të grupuar në organizata të ndryshme kanë hyrë disa herë në Shqipëri si në Polenë, Korçë, Pogradec dhe në tërë jugun. Vetëm në 10 muajt e fundit ish-ministri i mbrojtjes dhe ish-Shef Shtabi i Ushtrisë greke për disa vite Frangos Frangulis ka hyrë me rroba civile dy herë në Shqipëri. Dy herë brenda 10 muajve ka hyrë edhe ushtaraku i lartë i pensionuar Andonios L. Vasileos.
Frangos Frangulis ka lindur në Komotini, në një vend të Greqisë ku banojnë myslimanë me origjinë turke, shqiptare dhe pomake. Për shumë vite ai ka qenë Atashe Ushtarak në Turqi. Frangos Frangulis nga viti 2009 deri më 2011, ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Greke. Në Dhjetor 2011, ai u paraqit në Gjykatë për të dhënë dëshminë si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Greqisë për 39 ushtarët grek të cilët gjatë paradës ushtarake më 25 Mars 2010 kënduan këngë raciste ndaj shqiptarëve, turqve dhe emigrantëve të huaj që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Ka qenë vetëm një muaj Ministër i Mbrojtjes së Greqisë, 12 Maj-12 Qershor 2012. Pasi u lirua nga rroba ushtarake gjenerali në pension, Frangos Frangulis filloj të marrë pjesë në aktivitetet që organizonin shoqatat ekstremiste greke dhe të minoritetit grek me temë aneksimin e jugut të Shqipërisë. Frangulis ka vizituar disa herë jugun e Shqipërisë këto muajt e fundit. Nuk dihet se në çfarë cilësie një ushtarak i lartë i Greqisë dhe që mban ende Ligjin e Luftës lëviz në zona ku jeton minoriteti grek me shqiptarët në paqe?
Frangos Frangulis gjatë vizitave në Shqipëri është takuar edhe me drejtuesit më të lartë të shoqatave dhe të minoritetit grek.
Më 17 Maj 2015, në përvjetorin e 101 të aneksimit të Jugut të Shqipërisë, kryetari i OMONIA Leonidha Papa në Delvinaq, afër kufirit greko-shqiptar bëri një takim me Andonios L. Vasileos, i cili ka patur detyra të larta në Ministrinë e Mbrojtjes së Greqisë si shef i zyrës së klasit parë në Shtabin e Përgjithshëm. Vasileos është ekspertë i lartë i programeve kompjuterike dhe i hartimit të kufirit detar. Për katër vite ai ka udhëhequr prezantimet për çështjet kufitare detare. Ka qenë dhe koordinator për siguri dhe menaxhim të krizave në Institutin për studime gjeopolitike. Jeton dhe vepron në Janinë. Ekzistojnë të dhëna se Andonios Vasileos ka vizituar jugun e Shqipërisë të paktën dy herë brenda vitit 2014-2015.
Të gjithë këto aktivitete të ushtarakëve të lartë grek nuk bëhet për të çliruar Vorio Epirin, por për të provokuar një luftë të kontrolluar në jug me qëllim që të hyjnë forcat ushtarake ndërkombëtare dhe më tej Greqia të ketë dorën e lirë për të grabitur rreth 300 miliard euro rezerva nafte dhe gazi natyror që gjenden në detin Jon, pjesë që i takojnë Shqipërisë.
LUFTË PËR DETIN JON
Revista greke e shtatorit 2011, “Bilanci ushtarak dhe gjeopolitika”, shkruan me shkronja të mëdha: “Luftë në Jon, operacioni ‘Skenderbeis’”. Autor i këtij shkrimi është Joani S. Theodhoratu, i cili shkruan për interesat strategjike në detin Jon dhe Adriatik, ku ka rezerva të mëdha gazi, nafte dhe kalimi i tubacioneve që do të furnizojë Europën për shumë vite. Revista i kushton 10 faqe marrëveshjes së kufirit ujor midis Shqipërisë dhe Greqisë. Autori thotë se interesat e Greqisë për këtë zonë po pengohen nga ana e turqve, që tashmë kanë një aleancë ushtarake afatgjatë me Shqipërinë.
Si pasojë e mosfunksionimit në detin Jon e marrëveshjes së Greqisë me EEZ për nxjerrjen e gazit dhe naftës mund të kalohet në një konflikt ushtarak midis Greqisë dhe Shqipërisë. Edhe pse Greqia ka potencial ushtarak të fuqishëm ndaj Shqipërisë, grekët janë të bindur se Turqia do ta sulmonte Greqinë për interesat e saj në këtë rast. Autori ndër të tjera shkruan për stërvitjet e përbashkëta ushtarake midis Shqipërisë dhe Turqisë, duke shfaqur shqetësimet e Athinës, e cila prej 20 vitesh strehon mijëra shqiptarë emigrantë ekonomikë dhe është një nga investitorët kryesorë në Shqipëri.
Rezervat e naftës dhe gazit
Në studimin e tij, gjeologu dhe ekonomisti i energjetikës greke dr. Kostandinos A. Nikolas, ka shkruar se në detin Jon, Qipro dhe Kretë gjenden rezerva nafte dhe gazi natyror. Gazeta “Avriani” shkruante se Greqia mund të përfitojë afro 700 miliardë euro me nënshkrimin e marrëveshjes me EEZ. Nikolas kërkon të bëhen hetime në këto zona detare për burimet e hidrokarbureve. Shkencëtari në fjalë bën një pasqyrë historike të problemeve të Greqisë me kufirin detar që ka ndër vite të pazgjidhur me Shqipërinë, Turqinë, Libinë, Egjiptin, ndërsa me Italinë e ka zgjidhur në vitin 1978. Sipas tij, më 1994-n Shqipëria dhe Greqia ishin shumë afër për ta zgjidhur çështjen e kufirit detar, por autoritetet shqiptare nuk lëshuan pe, ishin më të ashpra dhe Greqia nënshkroi që blloku i zonës 5 Hamilton në detin Jon t’i takojë Shqipërisë. “Pas 15 vitesh Greqia mundi të nënshkruante një marrëveshje të re me qeverinë shqiptare për zonën 5 afër ishullit të Korfuzit, por Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi këtë marrëveshje”, shkruan dr. Kostandinos sa i përket kufirit detar me Shqipërinë.
A ESHTE KIMI I MAQEDONISE NE LOJEN E TURQISE?!
Nga Fahri Xharra , Gjakovë/*
Kimi i Shkupit ne lojën turke/
Në takimin e organizuar nga lëvizja VetëVendosje Kim Mehmeti citohet të ketë thënë:
“Absolutisht, matematikisht, mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet asaj që e thash ma parë, se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa vise shqiptare, absolutisht! Unë ua dëshmoj me këtë: ortodoksët shqiptarë nuk i keni, katolikët shqiptarë nuk i keni në Shkup. I keni vetëm shqiptarët myslimanë”, tha Mehmeti. dhe Kimi e zgjidhi neun e Godit
Për këtë deklaratë ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Berat Buzhala, duke e quajtur poshtërsi promovimin e Librit “Shkupi” të Kim Mehmetit. Ai ka reaguar përveç ndaj deklaratës së shkrimtarit edhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje si njëra nga organizatoret e promovimit. Deputetit Buzhala, kjo i është dukur poshtërsi, dhe duke ironizuar me këtë takim, që e quan interpelancë, Buzhala mes rreshtash madje ka kritikuar edhe PDK-në dhe të gjithë spektrin politik.( gazetaexpress .com)
“Ne e promovuam librin e tij ‘Shkupi’. Ky është një libër shumë i mirë dhe me vlera kombëtare”,pati deklaruar Konjufca
Vazhdojmë “Kim Mehmeti , ke dëgjuar për këtë : Zbatimi serioz i strategjisë turke për shtrirjen e ndikimit të saj në territoret shqiptare, kryesisht në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni, fillon në Kongresin tre ditor, 29-31 Maj 2014, të mbajtur në Hotelin “Holiday inn-A irport” në Stamboll. Kongresi i organizuar nga Qendra për Kërkime Sociale dhe Ekonomike (QKSE), nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të zv.kryeministrit turk, Hayrulah Isler. Në Kongres kanë marrë pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Qëllimi kryesor për organizimin e këtij Kongresi në Stamboll, ishte krijimi i kushteve për themelimin e partive politike simotra të Partisë se Drejtësisë së Erdoganit në Kosovë dhe në Maqedoni, si dhe studimi i një veprimi politi specifik në Shqipëri. Një mënyrë e tillë e organizimit do të ketë mbështetje të drejtëpërdrejtë në të gjitha drejtimet. Para së gjithash do të ketë mbështetje konkrete finansiare nga QKSE e përkrahur drejtëpërdrejtë nga qeveria turke.( http://standardi.eu/sq/Arte/Zbardhet-strategjia-p%C3%ABr-shtrirjen-e-ndikimit-turk)”
Pse nuk u pergjegje , a mos je edhe vet nenshkrues i ketij turpi?
Çka thot Kimi ? “Ndërsa, në Kosovë, ekzistojnë disa qarqe që mendojnë se kryqi është shenjë e civilizimit, si gjysmë hëna është shenj e primitivizmit. Ekzistojnë disa rryma që kur u përmendet Stambolli, shohin fesa nëpër koka, shohin sesi jeniçeret osmanë janë nisur drejt pushtimit. Nuk e shohin se si ajo Turqi, për të cilën ne shpesh themi se na la prapa, arriti atje, sa që në mjekësi është bërë lider botëror. E them edhe nga përvoja ime, por edhe të tjerëve. Ne ende e masim veten me kalendarin e Perandorisë Osmane, dhe nuk dalim jashtë të shohim”, ka theksuar publicisti Kim Mehmeti, në emisionin “Studio e Hapur” të Tv Era, (VIDEO07.04.2015)
Pse ore burrë iu jep lak fjalëve , pse or i uruar dezinformon ? Që Europa është shenjë e civilizimit këte e dijnë edhe zogjët në pemë. Që gjysmë hëna ka qëllime ndaj nesh edhe këte e dijmë . Ndonëse fillimisht kam përshtypjen se mendoni se bëhet fjalë për një propagandë kundër “një vendi mik” të shqiptarëve, të vendit ku jetojnë miliona shqiptar të asimiluar, Turqisë! Jo, nuk është propagandë . Por biseda me ty është vetëm një hapje veshëve më shumë dhe çelje e syve për ata që ti po i mashtron .
Një mik i imi , publicist shumë me vlerë pati shkruar :”Unë nuk e di se ku i merr faktet një njeri si Kim Mehmeti, cili është konsideruar si model i jugosllavit të realizuar dhe më vonë produkt i vyeshëm i multikulturalizmit (duke vjelë fonde nga të huajt deri vonë) në Maqedoni të falsifikoj historinë. E kjo s’ka të bëjë me islamin si besim, por me një falsifikim të qëllimtë të fakteve. Pse e bën Kimi këtë punë? Jo për historinë, por për aktualitetin. Ai e di se në anën tonë dhe në Kumanovë sidomos viteve të fundit është radikalizuar islami për qëllime politike dhe Kimi ku ta dijë se për çfarë ëndrre lufton, të bëhet lider? Nuk e di.”
” Ai thotë se në Maqedoni islami i ka ruajtur shqiptarët nga asimilimi. Unë e pyes ata kauboj: cili nga të burgosurit, nga të vrarit dhe nga dëbuarit nga Maqedonia u sakrifikua sepse ia mbyllën xhamisë? Sa hoxhallarë nga 1935 – dmth që nga ballistët e deri sot – e deri 2013 u burgosën sepse janë besimtarë radikal?
Kim Mehmeti , çdo fjalë e ke me thimthin e grejzës ; asgjë tek ty nuk është e rastit.
*Epoka (e turpit ) para gjyqit
Miti i një diete të mirëbalancuar
Dietologia Anila Kalleshi/
Dietologia Anila Kalleshi sjell të dhëna të hollësishme lidhur me ndjekjen e një programi ushqimor të mirëllogaritur për të pasur një siluetë ideale/
Qenia njerëzore përbëhet nga 63 për qind ujë, 22 për qind proteina, 13 për qind yndyrna dhe 2 për qind minerale dhe vitamina. Çdo molekulë vjen nga ushqimet që hani dhe uji që pini. Ngrënia ushqimeve të cilësisë më të mirë në sasitë e duhura ju ndihmon që të arrini potencialin më të lartë të shëndetit, vitalitetit dhe lirisë nga sëmundjet. Dietat e ditëve të sotme kanë përvjedhur një rrugë të gjatë jashtë konsumimit ideal dhe balancës së ushqyesve. Ndërkohë që një ndryshim i përgjithshëm ka ndodhur përgjatë 99 për qind të historisë njerëzore, në njëqind vitet e fundit, ne kemi filluar që të konsumojmë më shumë yndyra të ngopura dhe sheqer, si dhe më pak niseshte (karbohidrate komplekse) e gjithashtu yndyra të pangopura. Pjesë e problemit është propaganda. Ne jemi udhëhequr që të besojmë se për aq kohë sa ne konsumojmë një dietë të mirëbalancuar, ne do të marrim të gjitha vlerat ushqimore të nevojshme. Studime pas studimesh kanë treguar që edhe ata që ndjekin një dietë të mirëbalancuar, dështojnë në marrjen e sasisë së konsiderueshme të vitaminave, mineraleve, yndyrave esenciale dhe karbohidrateve komplekse. Industria e ushqimit na ka kushtëzuar gradualisht neve që të blejmë ushqime të sheqerosura në sasinë prej 8.68 milionë tonë sheqer për vit – kjo është 73 paund për person në vit. Me shpejtimin e ritmit të jetës sonë, ne shpenzojmë më pak kohë duke përgatitur ushqime të freskëta dhe bëhemi edhe më shumë të vetëdijshëm në përgatitjen e ushqimeve nga kompanitë, më shumë të shqetësuar për fitimet e tyre sesa për shëndetin tonë. Që nga 1984-a, instituti i të ushqyerit optimal ka bërë kërkime se cila mund të jetë dieta përfekte. Konkluzionet tona janë treguar në këshillat ditore dietike në këtë shkrim. Ndërkohë që për shumë njerëz kjo lloj balance ushqimore nuk do të arrihet përgjatë natës, kjo jep një udhëzim të qartë se ku duhet të përqendrohet dieta juaj. Udhëzimet e përgjithshme që janë përmendur në kapitujt në vazhdim, janë si më poshtë:
Yndyrat
Ekzistojnë 2 lloje yndyrash bazë: yndyra të ngopura (të vështira) dhe yndyra të pangopura. Nuk është esenciale që të hani yndyra të ngopura, ashtu sikundër nuk është mirë që të hani shumë. Burimet kryesore janë mishi dhe produktet e bulmetit. Ekzistojnë dy lloje yndyrash të pangopura: yndyra mono të pangopura, siç është vaji i ullirit dhe poli të pangopura, që gjenden tek arrat dhe vaji i farave dhe peshku.
Yndyra të caktuara shumë të pangopura, të quajtura acid linoleik dhe alfa-linoleik ose vajrat omega 3 dhe omega 6 janë esenciale për trurin dhe sistemin nervor, sistemin imun, sistemin kardiovaskular dhe lëkurën. Një shenjë e dukshme e këtyre substancave është lëkura e thatë. Dieta optimale siguron një balancë të këtyre dy yndyrave esenciale. Kungulli dhe farat janë të pasura në acid linoleik (omega 3), ndërkohë që sesame dhe farat e lulediellit janë të pasura në acid linoleik (omega 6). Acidi linoleik është konvertuar në trup në DHA (acid docoso-hexaenoic) dhe EPA (acid eicosapentaenoic), që gjithashtu gjenden te skumbri, harengë, salmon dhe tuna. Këto yndyra esenciale shkatërrohen shumë lehtë nga nxehtësia ose ekspozimi ndaj oksigjenit, kështu që, të konsumuarit e një burimi ditor të freskët është i rëndësishëm. Ushqimet e përpunuara shpesh përmbajnë yndyra të forta ose poli të pangopura të hidrogjenizuara. Këto janë të këqija për ju në krahasim me yndyrat e ngopura dhe janë mirë që të shmangen.
Hani një lugë kuzhine vaj farash në ditë (sesame, luledielli, kungulli, fara e kështu me radhë) ose një lugë kuzhine grumbull të farave të tokës në ditë.
Shmangni ushqimet e skuqura, të djegura ose të kafta, të ngopura dhe yndyrat e hidrogjenizuara.
PROTEINAT
Njëzetë e pesë aminoacidet, komponentët që formojnë proteinat, janë ndërtimet bllokuese të trupit. Duke qenë shumë të rëndësishme për rritjen dhe për riparimin e indeve trupore, ato janë ndërtuar për të formuar hormone, enzima, antitrupa dhe neurotransmetues dhe ndihmojnë në transportimin e substancave rreth trupit. Të gjitha kualitetet e proteinave që ju hani, të përcaktuara nga balanca e këtyre aminoacideve dhe sasive që ju hani, janë të rëndësishme. USDA rekomandon që ne marrim 15 për qind të kalorive tona totale nga proteinat, por jep një udhëzim të shkurtër të llojit të proteinave. Mesatarja që fëmijët, të cilët ushqehen me gji, marrin, është 1 për qind e këtij totali kalorish nga proteinat dhe menaxhon që ta dyfishojë peshën e lindjes në gjashtë muaj. Kjo ndodh, sepse proteina nga qumështi i gjirit është e një kualiteti shumë më të mirë dhe lehtësisht e përthithshme. Duke supozuar që proteinat janë me kualitet të mirë, 10 për qind të marrjes së kalorive ose rreth 35 gram proteina në ditë, janë një konsumim optimal për pjesën më të madhe të të rriturve, përveç, nëse jeni shtatzënë, duke marrë veten nga kirurgjitë ose duke u ushtruar shumë apo duke bërë punë manuale të rëndë.
Dietat aktuale tentojnë drejt proteinave të larta (30 për qind të kalorive), yndyrave të larta (50 për qind të kalorive) dhe karbohidrateve të ulëta (20 për qind të kalorive) kështu që formojnë më shumë proteina sesa trupi në të vërtetë ka nevojë, duke lënë veçantë yndyrat dhe duke taksuar rëndë veshkat.
Ushqimet me proteina më të mira në grupin e aminoacideve janë vezët, kuinoa, mishi, peshku, fasulet dhe thjerrëzat. Burimet e proteinave shtazore tentojnë që të përmbajnë shumë yndyra të ngopura. Burimet e proteinave te perimet tentojnë që të përmbajnë karbohidrate komplekse shtesë dhe janë më pak acidformuese sesa mishi. Është mirë që ta kufizoni mishin në tri herë në javë. Është vështirë për të mos marrë mjaftueshëm proteina nga çdo lloj diete që përfshin tri vakte në ditë, pavarësisht nëse jeni vegan, vegjetarian ose përfshini mishin. Shumë zarzavate, sidomos ushqimet e farave pëlqejnë fasulet, misrin dhe brokolin, si dhe përmbajnë nivele të mira proteinash të cilat ndihmojnë për të neutralizuar aciditetin e tepërt, që mund të çojë në humbjen e mineraleve, duke përfshirë kalciumin.
Hani 2 herë në ditë fasule, thjerrëza, kuinoa, tofu (sojë), zarzavate farash (siç janë fasulet fava) ose zarzavate proteinike të tjera si: një shërbesë mishi, peshku, djathi apo vezë. Shmangni proteinat e tepërta shtazore.
10 këshillat ditore dietike
1. Mbushni një lugë gjelle me fara toke ose një lugë gjelle vaj farash.
2. Hani dy vakte fasule, thjerrëza, kuinoa, sojë ose fara zarzavatesh.
3. Hani tri pjesë frutash të freskëta siç janë: mollët, dardhët, bananet, pjepri, qitroja.
4. Hani katër vakte drithërash siç janë: orizi, tërshëra, misri, kuinoa, buka dhe makarona.
5. Hani 5 vakte gjethe jeshile, zarzavate siç janë: karotat, patatet, brokoli, spinaqi, fasulet jeshile dhe speci.
6. Pini të paktën gjashtë gota ujë ose lëngje frutash apo çaj bimor.
7. Hani sa më shumë ushqime organike dhe të gjalla që të jetë e mundur.
8. Konsumoni në dietën tuaj me suplemente multivitaminash që të forcojnë. Gjithashtu konsumoni suplemente mineralesh dhe 1 000 mg vitamina C në ditë.
9. Shmangni ushqime të skuqura, ushqimet e djegura dhe yndyrat shtazore.
10. Shmangni çdo formë sheqeri, gjithashtu ushqimet e rafinuara dhe të përpunuara me shtesat kimike, dhe minimizoni konsumimin e alkoolit, kafesë ose çajit, konsumoni jo më shumë se një gotë alkool në ditë (për shembull, një gotë verë ose 600m birrë).
USHQIMET E PASTRA
Ngrënia e ushqimeve të gjalla, ushqimeve organike, është mënyra më natyrale dhe përfituese për të futur ushqimin në trup. Shumë ushqime përmbajnë enzima që ndihmojnë për t’i tretur ato në momentin që i përtypni. Ushqimet e gjalla përmbajnë shumë phytochemicals jetësore, efektet e të cilave përmirësojnë shëndetin tonë dhe janë po aq të rëndësishme sa vitaminat dhe mineralet. Hani sa më shumë që të jetë e mundur ushqime organike. Sigurohuni që gjysma e dietës suaj të përmbajë fruta dhe zarzavate të gjalla, drithëra, arra dhe fara.
Shmangni ushqimet e përpunuara.
MINERALET
Ashtu sikundër vitaminat, të cilat janë esenciale për pothuajse çdo proces trupor, kalciumi, magnezi dhe fosfori ndihmojnë për kockat dhe dhëmbët. Sinjalet e nervave, që janë jetësore për trurin dhe muskujt, varen nga kalciumi, magnezi, sodiumi dhe potasiumi. Oksigjeni është mbajtur në gjak nga një komponent hekuri. Ndërsa kromi ndihmon në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak. Zinku është thelbësor për të gjitha riparimet e trupit dhe zhvillimin. Seleniumi dhe zinku ndihmojnë në rritjen e sistemit imunitar.
KARBOHIDRATET
Karbohidratet vijnë në dy forma: lirim të shpejtë si në sheqer, mjaltë, ëmbëlsira ose në shumë ushqime të rafinuara dhe lirim të ngadaltë si në: drithëra, zarzavate dhe frutat e freskëta. Kini si qëllim që të hani tri ose më shumë vakte gjethesh jeshile, zarzavate, karota, patate të ëmbla, brokoli, lakër, spinaq, fasule jeshile, ushqime të gjalla ose të gatuara lehtë. Hani tri ose më shumë vakte frutash të freskëta siç janë: mollët, dardhët, bananet, manaferrat dhe pjepri. Konsumoni katër ose më shumë vakte thjerrëza ose drithëra siç është orizi, tërshëra, misër, kuinoa, bukë e bardhë ose makarona. Shmangni çdo formë sheqeri, ushqime me sheqer të shtuar ose ushqime të rafinuara.
VITAMINAT
Vitaminat janë të nevojshme por në sasi më të vogla sesa yndyrat, proteinat ose karbohidratet, vitaminat nuk janë pak të rëndësishme. Vitaminat janë të nevojshme për të balancuar hormonet, prodhuar energji, rritur sistemin imunitar, për të pasur një lëkurë më të shëndetshme dhe për të ruajtur arteriet. Ato janë jetësore për trurin, sistemin nervor dhe pothuajse për të gjithë procesin trupor. Vitaminat A, C dhe E janë antioksidantë; ato ngadalësojnë procesin e plakjes dhe ruajnë trupin nga kanceri, sëmundja e zemrës dhe mbindotja. Vitaminat B dhe C janë të rëndësishme për të kthyer ushqimin në energji mendore dhe fizike. Vitamina D, e cila gjendet te qumështi, vezët, peshku dhe mishi, ndihmojnë në kontrollin e balancës së kalciumit.(Dergoi per Diellin: Albert Zholi)
Besa kanunore dhe përgjegjësia institucionale
Nga Bardhyl Mahmuti/
Që nga 9 maji 2015, dita kur pushteti terrorist i Maqedonisë bëri agresionin ushtarako-policor mbi pjesën shqiptare të Kumanovës, në opinionin publik shqiptar domonin pyetjet lidhur me
përgjegjësinë e BDI-së në këtë dhunë shtetërore dhe revoltën pse nuk tërhiqet nga ky koalicion antishqiptar.
Për të sqaruar këto çështje, udhëheqësi i BDI-së, Ali Ahmeti, zgjodhi dy intervista të gjata televizive: intervista e parë e zhvilluar më 14 maj me gazetarin e TV ALSAT M, Muhamet Zeqirin dhe intervista e dytë e zhvilluar më 19 maj me gazetarin e TV KLAN dhe publicistin e njohur shqiptar Blendi Fevziun.
Do të veçoj vetëm disa qëndrime nga këto dy intervista e që na ndihmojnë të kuptojmë përgjegjësinë reale të këtij pushtetari të shtetit maqedonas në terrorin e Kumanovës.
Fillimisht po ndalem në refuzimin e Ali Ahmetit që të ndërmjetësojë për t’u hapur rrugë ish- bashkëluftëtarëve të vet që të tërhiqeshin nga Kumanova.
Rreth kësaj çështjeje, që u përsërit në të dy intervistat, Ali Ahmeti nuk tregoi se ish-bashkëluftëtarët e tij kërkonin të tërhiqeshin jo për të shpëtuar kokat e tyre, por për të shmangur rrezikimin e civilëve që ishin vënë përballë një agresioni të paparë as gjatë luftës së vitit 2001. Përkundrazi. Ai nuk tha asnjë fjalë për barbarinë e forcave terroriste maqedonase ndaj popullsisë shqiptare por u përpoq që ish-bashkëluftëtarët e vet t’i paraqesë si njerëz që “kanë gabuar dhe që preokupoheshin të mos digjeshin të gjallë.”
Pas bisedës së parë që kishte pasur me Muhamet Krasniqin (njërin nga pjesëtarët e grupit të armatosur) dhe kohës që kishte kërkuar për të “menduar” Ali Ahmeti nuk iu përgjigj pyetjes nëse kishte komunikuar me autoritetet qeveritare dhe me partnerët e vet Nikolla Gruevskin, Sasha Mijallkovin dhe Gordana Jankullovskën.
Por, Ali Ahmeti si “burrë kanuni” u është përgjigjur se “nuk mund t’u hapë rrugë, nuk marr një përgjegjësi aq të madhe sepse edhe po të muj ta bëj, dikush me u vra në besën time faji më mbetet mua”.
Përderisa i referohet ndërmjetësimit kanunor (me hi dorzan) kur dikush kërkon besë nga ndonjëri që gëzon autoritetin e burrit të fjalës po i kujtoj lexuesit se «çështja e dorëzanisë» në të drejtën zakonore, e vlefshme për një periudhë kohore që nuk mund të lidhet me kontekstet historike aktuale, precizon qartë edhe punën e dorëzanisë. Të gjithë atyre që u interesojnë detaje rreth kësaj çështjeje mund të lexojnë në tërësi Kanunin e Lekë Dukagjint. Unë po shkoqis vetën një element: “Dorzânë e bestàr nuk hîn kush pa leje të zot’t të shpis” (citohet me transkriptimin e moçëm fonetik).
Ali Ahmeti në asnjërën intervistë nuk tregoi se ata që i konsideron për zot shpie (Nikolla Gruevski, Sasha Mijallkovi dhe Gordana Jankullovska) nuk i kishin dhënë leje t’u hapte rrugë ish-bashkëluftëtarëve të vet. Por, si partner i Nikolla Gruevskit, Sasha Mijallkovit dhe Gordana Jankullovskës dhe “me leje të zot’t të shpis” Ali Ahmeti “hîn dorzânë e bestàr” që të dorëzoheshin luftëtarët shqiptarë dhe garanton respektimin “ standardet ndërkombëtare”.
Të gjithë e kanë parë nga publikimet e pushtetit poshtërimin që janë munduar t’u bëjnë robërve të dorëzuar në besë të Ali Ahmetit. Të gjithë e dinë se ndaj të dorëzuarve dhe civilëve të arrestuar në Kumanovë janë përdorur standardet e pushtetit terrorist të Maqedonisë. Është bërë publike, madje edhe nga një “avokat i popullit” që deri dje ishte instrument i verbër i pushtetit, se ky pushtet ka përdorur tortura çnjerëzore ndaj të arrestuarve. Të gjithë e dinë se pas dorëzimit disa pjesëtarë të grupit të armatosur janë ekzekutuar pa gjyq.
Dy intervistat e lartpërmendura ishin rast i mirë që Ali Ahmeti të distancohej nga pushteti terrorist, të tërhiqej nga partneriteti terrorist antishqiptar dhe të kërkonte falje për tërë dëmin që u bë në Kumanovë. Por, ai nuk e bëri një gjë të tillë. Ai bëri edhe më keq se kaq. Jo vetëm që fshehu faktin se “marrëveshja gojore sipas kanunit” parashihte që grupi i armatosur t’i dorëzohej OSBE-së e jo forcave të pushtetit terrorist VMRO-BDI, Ali Ahmeti shkoi edhe më larg në fshehjen e së vërtetës. Pasi bëri publik “shqetësimin” e tij se dikush ka mundur të qëlloj në momentin e dorëzimit dhe vrasja eventuale e dikujt do t’i ngarkohej si vrasje në “besë të tij”, Ali Ahmeti pa iu dridhur qerpiku deklaroi se “gjatë momentit të dorëzimit është qëlluar me armë dhe se janë vrarë tre policë.” Kjo është forma më banale e fshehjes së gjurmëve të ekzekutimeve kriminale që ka bërë shteti ndaj robërve të luftës dhe fajësimi i viktimave si përgjegjës për vrasje në “pabesi”.
Është koha që Ali Ahmeti të ndërpresë këtë lojë të dëmshme për shqiptarët.
Ai duhet ta dijë se gjatë periudhës që ishte në pushtet (herë me LSDM-në e herë me VMRO-në) premtonte se ndaj shqiptarëve do të aplikoheshin standardet më të larta ndërkombëtare, përderisa realiteti dëshmonte të kundërtën.
E njëjta gjë u premtua e edhe në procesin e montuar të Sopotit I dhe II, dhe dihet se çka ndodhi. Njerëz të pafajshëm u torturuan çnjerëzisht me “standardet maqedonase” dhe u mbajtën padrejtësisht për më shumë se 7 vjet nëpër burgjet maqedonase. Përgjimet e partnerëve të tij dëshmuan se edhe Sasha Mijallkovi dhe Gordana Jankullovska ishin të bindur për pafajësinë e shqiptarëve të dënuar në këtë proces të montuar por nuk i lironin për shkak se shteti duhej të paguante dëmshpërblim. E njerëzit e BDI-së hyjnë “dorëzan te Sasha Mijallkovi se dëmshpërblimi nuk do të kërkohet”;
E njëjta gjë u premtua edhe në procesin e montuar të Brodecit dhe dihet se çka ndodhi: të vrarë, të plagosur, të torturuar, u dënuan me burg të përjetshëm ish-bashkëluftëtarë tij;
Pas këtij rasti pasoi procesi i montuar gjyqësor kundër tre ish-bashkëluftëtarëve tij: Ismail Etemi, Bashkim Bajrami dhe njërit nga udhëheqësit e luftës, z. Harun Aliu (në mungesë). Me “standardet maqedonase” u dënuan me burg të përjetshëm;
Pak kohë pas këtij procesi, pushteti terrorist i Maqedonisë në përputhje me “standardet maqedonase” ekzekutoi pa gjyq veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare: Harun Aliun, Shaban Zenunin, Qemajl Fejzullahun dhe Xhafer Shalën;
Pushteti terrorist i Maqedonisë montoi rastin e vrasjes së 5 qytetarëve maqedonas në fshatin Smillkovë të Shkupit dhe për këtë vepër të kurdisur pushteti gjyqësor i kontrolluar dhe dirigjuar nga pushteti terrorist dënoi me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë:Halil Demirin, Afrim e Agim Ismailin, Fejzi dhe Haki Hazirin dhe Sami Lutën…
Ekzekutimet pa gjyq, gjymtimet dhe krimet kundër njerëzimit që pushteti terrorist i Maqedonisë kreu në Kumanovë do të dalin në dritë shumë shpejt. Pa marrë parasysh shkallën e implikimit të qytetarëve të vet, institucionet shtetërore të Kosovës e kanë për obligim të krijojnë një komision të mjekësisë ligjore për të ndriçuar (pjesërisht) se a u ekzekutuan njerëzit që ishin dorëzuar pas ndërmjetësimit të Ali Ahmetit. Pjesa tjetër mbetet të ndriçohet nga të burgosurit që u torturuan me “standardet maqedonase”.
Besën kanunore dhe dorëzaninë do ta lëmë për debate odash. Këtu kemi të bëjmë me përgjegjësi institucionale.
Është koha që Ali Ahmeti të ndërpresë shfajësimin e Nikolla Gruevskit, Sasha Mijallkovit dhe Gordana Jankullovskës në implikimin e Masakrës së Kumanovës. Është koha të del publikisht dhe të tregojë se kush u implikua në kurdisjen e kësaj masakre. Në kohën kur edhe ndërkombëtarë (po përmend vetëm rastin e eurodeputetes Urlike Lunacek) deklarojnë publikisht se pushteti i Maqedonisë ka qenë i implikuar në kurdisjen e këtij krimi BDI-ja duhet të largohet nga pushteti terrorist i Maqedonisë. Në të kundërtën, përgjegjësia institucionale është e barabartë.
Bardhyl Mahmuti
22 maj 2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 21
- 22
- 23
- 24
- 25
- …
- 67
- Next Page »