• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

LEKSIONE HIPOKRIZIE NGA MINISTRI LAVROV

May 22, 2015 by dgreca

Dr. Islam LAUKA-
Ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë/
Ditët e fundit, bie në sy aktivizimi gjithnjë e më intensiv i Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në çështjet ballkanike, në mënyrë të veçantë, në ngjarjet në Maqedoni. Gjatë vizitave të tij në Beograd e Bruksel, në deklaratat për shtyp apo intervistat në gazetat serbe e ruse, Lavrovi u ka kushtuar vëmendje të madhe, “pikërisht” këtyre ngjarjeve.
Pas aneksimit të Krimesë dhe ndërhyrjes ruse në Ukrainë, shumë politologë, por edhe udhëheqës të lartë shtetërorë, kryesisht perëndimorë, midis tyre, kancelarja gjermane, Angela Merkel, parashikuan rritjen e aktivizimit rus në Ballkan, por jo në këto përmasa dhe intensitet që po shfaqet këto ditë.
Dëshmi e këtij aktivizimi është fjalimi i Ministrit Lavrov në Kuvendin Federal të Rusisë, mbajtur më 20 Maj 2015. Dy ishin çështjet themelore që ai trajtoi: situata në Ukrainë dhe ngjarjet në Maqedoni.
Për çështjen e parë, pasi përsëriti tezat e njohura se kriza në Ukrainë erdhi si pasojë e mbështetjes së grushtit të shtetit nga jashtë, kryesisht, nga BE-ja dhe SHBA-të, Lavrovi theksoi me forcë se, tani, për Moskën ka rëndësi vendimtare realizimi i të gjitha kushteve të Marrëveshjes së Minsk-ut, nënshkruar me 12 Shkurt 2015, por sidomos, realizimi i proçesit politik, përcaktimi i statusit të veçantë të Republikës Popullore te Donjeck-ut dhe Republikës Popullore të Llugansk-ut dhe fiksimit të ketij statusi të veçantë në kushtetutën e Ukrainës. Gjithashtu, ai foli edhe për nevojën e decentralizimit në të gjithë territorin e Ukrainës. Po te çkodohen termat e Lavrovit për “statuse të veçanta” të republikave të vetëshpallura në Ukrainen Lindore, do të rezultojë se, në fazën aktuale ai kërkon, hiç më pak se federalizimin (apo konfederalizmin) e Ukrainës, duke lënë të hapur mundësinë që, ne perspektivë, në bazë të skenareve rusë të zbatuar, më pare, në vende të tjera të hapësirës ish sovjetike, republikat e vetëshpallura të shkëputen përfundimisht si subjekte të pavarura, apo të përfshihen në përbërje të Federatës Ruse, nëpërmjet “shprehjes së lirë” të vullnetit të tyre në referendume, të frymëzuara, të organizuara dhe të financuara nga Moska.
Lidhur me ngjarjet në Maqedoni, Ministri Lavrov deklaroi se, ashtu si në Ukrainë, “edhe ato drejtohen nga jashtë”, në mënyrë brutale, se Kryeministri Gruevski po akuzohet dhe fajësohet për shumë gjëra, por se pas këtyre akuzave fshihet dëshira e Perëndimit për të ushtruar presion ndaj ti,j për shkak të refuzimit që t’iu bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, për mbështetjen që i pati dhënë “Rrjedhës së Jugut” dhe atë që po u jep aktualisht projekteve të tjera ruse për furnizimin me gaz të Europës Juglindore. Pasi evokoi ngjarjet e vitit 2001 në Maqedoni, duke i klasifikuar ato si shprehje të konfliktit midis sllavëve dhe shqiptarëve, Lavrovi jep alarmin se “është shumë brengosëse dhe e rrezikshme që për minimin e qeverisë së Nikolla Gruevskit po përpiqen të shfrytëzojnë faktorin shqiptar” dhe se po hidhen në treg teza për “federalizimin” apo “konfederalizimin” e Maqedonsë, deri edhe për ndarjen e saj midis Bullgarisë dhe Shqiperisë. Në këtë kontekst, kryediplomati rus nuk harroi të vërë në dukje rolin “negativ” të Tiranës zyrtare me parullat, siç thotë ai, “për Shqipërinë e Madhe” dhe “instruksionet” që u jep udhëheqësve shqiptarë të Maqedonisë.
Një krahasim i thjeshtë i qëndrimeve të Lavrovit për ngjarjet në Ukrainë dhe Maqedoni, të çon në mendimin se qasja e tij, jo vetëm që nuk merr në konsideratë faktet në terren, por edhe se është, fund e krye, hipokrite. Injorimi i fakteve ka të bëjë me atë që i fut në një thes zhvillimet në Ukrainë dhe ato në Maqedoni. Siç dihet, kriza ukrainase erdhi, kryesisht, si pasojë e ndërhyrjes në punët e saj të brendshmë të vetë Rusisë fqinje, aneksimit të Krimesë dhe ndihmës së gjithanshme të Moskës për forcat separatiste në pjesën lindore të vendit.
Ngjarjet në Maqedoni kanë natyrë krejt tjetër, ato janë shprehje e konfliktit të mprehtë politik midis qeverisë antidemoktratike të Kryeministrit Gruevski dhe masës së popullit, sllavë dhe shqiptarë, të pakënaqur me këtë qeverisje. Duke evokuar ngjarjet e vitit 2001, “si konflikt midis sllavëve dhe shqiptarëve”, Lavrovi del në rolin e luftënxitësit për kthimin e konfliktit politik aktual, në konflkit ndëretnik, që do të thotë hedhje në erë e gjithëçkaje pozitive që është arritur deri më sot në proçesin e paqes e të stabilitetit, jo vetëm në Maqedoni, por në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Hipokrizia duket sheshit, kur ai kërkon me forcë zbatimin e Marrëveshjes së Minsk-ut, ndërkohë që hesht për moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, gjë që përbën shkakun kryesor të pakënaqësisë në rradhët e shqiptarëve, që u shtohet vargut të pakënaqësive të tjera të tyre me regjimin e Gruevskit.
Çfarë të quhet tjetër, veç hipokrizi kërkesa e tij për federalizimin e Ukrainës, ndërkohë që dënon ashpër çdo përpjekje për një proçes të ngjashëm në Maqedoni? Dhe më tej, çfarë të quhet tjetër, veç hipokrizi dhe cinizëm i hapur etiketimi i shqiptarëve si ekstremistë dhe terroristë, ndërkohë që separatistët në Ukrainën lindore i cilëson si luftëtarë të lirisë dhe të demokracisë. Lavrovi akuzon Tiranën për parulla të “Shqipërisë së Madhe”, por harron t’i japë një emër vendit të tij, të cilit, duket, nuk i mjaftojnë 17 milionë km² dhe anekson Krimenë, me sipërfaqe, afërsisht, sa të Shqipërisë londineze, duke u justifikuar me “argumente” historike, fetare etj. Jo vetëm kaq, por është po ky Lavrov dhe shefi i tij, Presidenti Putin, që kanë shpallur pronësinë e Rusisë ndaj gjithë “botës ruse”, pavarësisht se ku ndodhet ajo, brenda apo jashtë kufijve.
Është e drejta e Ministrit Lavrov dhe e shefit të tij, V. Putin që të formulojnë qëndrimet e shtetit të tyre, në varësi të interesave politike dhe gjeostrategjike, por jo të na japin leksione morali e ndershmërie për çështje që ata vetë i shkelin me të dyja këmbët. Mbrojtja që sot Moska i ofron Gruevskit nuk është gjë tjetër, veç vazhdim i mbrojtjes së mëparshme që ajo u ka bërë homologëve të tij në Beograd e gjetkë, fati i të cilëve, tashmë, dihet.
Dëshmi tjetër e aktivizimit, jo të zakonshëm, të Moskës, në çështjet ballkanike ishte vizita e Lavrovit më 15 Maj 2015 në Beograd dhe mesazhet që ai dha atje.
Në takim më homologun e tij serb, Ivica Daciq, Lavrovi u shpreh se “Jemi shumë të shqetësuar me çfarë po ndodh në Kosovë” dhe ndikimin e shtetit islamik që, sipas tij, po tregohet shumë aktiv në këtë rajon.
Ndërkohë, në takimin me Presidnetin serb Nikoliç, kryediplomati rus deklaroi se tre çështjet më problematike në Ballkan janë: Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia.
Në intervistën e tij, dhënë gazetës serbe “Politika”, po më 15 Maj 2015, Lavrovi e justifikoi pavarësine e Krimesë dhe aneksimin e saj nga Rusia, me ligjin ndërkombëtar që, sipas tij, e ka fiksuar të drejtën e popullit për vetëvendosje në nenin 1 të statutit të OKB-së, në nenin 1 të Paktit Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike, në nenin 1 të Paktit Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, gjë që që u legjitimua edhe në referendumin për shpalljen e pavarësisë nga Ukraina dhe bashkimin me Rusinë.
Hipokrizia e Lavrovit qëndron në atë që, duke hiperbolizuar rolin e shqiptarëve të Kosovës në krah të shtetit islamik, ai harron të tregojë gishtin edhe nga vendi i tij, Rusia, nga ku nisen shumë herë më tepër luftëtarë që mbushin radhët e ushtrisë së shtetit islamik.
Akoma më kompromentues është qëndrimi hipokrit i Lavrovit, kur heq paralele midis rastit të Krimesë dhe atij të Kosovës. Me siguri, atij duhet t’i kujtohet që kur u shpall pavarësia e Kosovës (duke qenë edhe atëherë në të njëjtin post si Ministër i Jashtëm i Rusisë) ai, i është referuar me këmbëngulje një parimi tjetër, jo vetëvendosjes, por tërësisë territorial, duke ofruar, për lehtësi, edhe nenet e dokumenteve ndërkombëtare, ku ishte sanksionuar ky parim. Qëndrimi I përfaqësuesit zyrtar rus në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në vitet 2009-2010 ishtë kategorik kundër pavarësisë së Kosovës, në emër të tërësisë territoriale të shtetit serb, të sovranitetit shtetëror dhe mosndryshimit të kufijve, por atëherë bëhej fjalë për shqiptarët e Kosovës, një popull që, sipas Moskës, duhet të shtypet e të izolohet në “enklavën e tij etnokriminale”, për të mos infektuar botën përreth me bacilin shqiptar të arkaizmit e primitivizmit. Ndërsa, në rastin e Krimesë, sipas Kremlinit, duhet të zbatohet parimi i vetëvendosjes, sepse ajo banohet, jo nga qytetarë të dorës së dytë, siç konsiderohen shqiptarët, por nga rusët etnikë, që i përkasin një civilizimi të veçantë, me mision të paracaktuar nga Providenca – “botës ruse”.
Hipokrizia shkon edhe më tej, kur për Krimenë, Moska nuk e quan fare të nevojshme që të pyesë Ukrainën, pjesë e së cilës ajo ishte, fakt ky i njohur zyrtarisht edhe nga Rusia në disa dokumente dypalëshe dhe ndërkombëtare, si në Memorandumin e Budapestit (1994), Marrëveshjen e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis Rusisë dhe Ukrainës, etj. Ndërsa për Kosovën, pavarësisht faktit se është njohur nga 110 shtete, sipas Moskës, përsëri, për të duhet të vendosë Serbia dhe, siç u shpreh Ministri Lavrov në vizitën e tij në Beograd, çfarë është e pranueshme për kryeqytetin serb, do të jetë e tillë edhe për Moskën.
Hipokrizia dhe cinizmi i shfrenuar i Moskës lidhet me kthimin e saj në arenën Ndërkombëtare si fuqi e madhe dhe riaktivizimin, si një fuqi e tillë, në rajonin e Ballkanit, të cilin historikisht e ka konsideruar dhe vazhdon ta konsiderojë si zonë të interesave të saj. Për realizimin e këtyrë interesave, Moska nuk kursen asnjë mjet, duke kombinuar metodat tradicionale të politikës e diplomacisë me të rejat që i mundëson globalizmi dhe shoqëria e informacionit, duke mbështetur dhe sponsorizuar forca dhe faktorë rajonalë prorusë, si Tomislav Nikoliçin, Nikolla Gruevskin, Milorad Dodik-un, etj.
Duke ju përgjigjur pyetjes së një senatori në Kuvendin Federal, lidhur me masat e Ministrisë së Jashtme ruse për t’ju kundërvënë, siç u shpreh ai, luftës së Perëndimit “për sundim botëror”, Lavrovi deklaroi se për këtë nevojiten, “jo vetëm metoda të diplomacisë klasike, por edhe ato të shërbimeve sekrete, të operacioneve informative speciale…”, duke e siguruar senatorin në fjalë se këtyre faktorëve u kushtohet vëmendje e mjaftueshme.
Nisur nga deklaratat e numrit 1 të diplomacisë ruse, bërë në një institucion të tillë përfaqësues si Kuvendi Federal i Rusisë, si shprehje e dëshirës së Moskës për një rikthim të fuqishëm në Ballkan dhe të mbrojtjes me çdo kusht të interesave të saj në këtë rajon, kuptohet, në dëm të interesave të popujve të gadishullit tonë, në radhë të parë, në dëm të shqiptarëve, Ministria jonë e Punëve të Jashtme, pse jo edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, mbase, duhet të dalin me deklarata të veçanta zyrtare, duke hedhur poshtë si të pathemelta akuzat e Ministrit Lavrov, në drejtim të të dy shteteve tona dhe kombit shqiptar, në përgjithësi. Ministri i Punëve te Jashtme të Bullgarisë, Daniel Mitov, e bëri menjëherë këtë veprim, pavarësisht se emri i vendit të tij u përmend vetëm një here, gjatë fjalimit te Lavrovit në Kuvendin Federal. Mitov e cilësoi deklaratën e Lavrovit për ndarjen e Maqedonisë midis Bullgarisë dhe Shqipërisë si ekstremisht të papërgjegjshme.
Gjithashtu, do të ishte mirë që shërbimet tona inteligjente, në bashkëpunim edhe me shërbimet partnere, të bëjnë objekt të punës së tyre studimin, mundësisht, zbulimin e metodave dhe mjeteve që po përdor politika dhe diplomacia ruse me riaktivizimin e saj në Ballkan dhe ndikimin e tyre konkret në vende të veçanta.
Për shkak të rrezikshmërisë që paraqet riaktivizimi i fuqisë ruse në Ballkan ndaj interesave tona kombëtare dhe shtetërore, si dhe akuzave të rënda që bëhen nga Moska kundër Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, por edhe kundër të gjithë shqiptarëve, ndoshta, është momenti që kjo çështje të trajtohet edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Nga ana tjetër, riaktivizimi rus në këtë rajon, mbase, duhet ta nxisë diplomacinë Shqiptare që t’i diskutojë këto probleme me partnerët tanë strategjikë në Washington e në Bruksel dhe, pse jo, të iniciojë një diskutim të kësaj problematike, në kuadër të NATO-s.
Mësimi kryesor që del nga zhvillimet e fundit në Ballkan dhe qëndrimet ruse rreth tyre është se, ashtu si në Lindje të Europës (rasti i Ukrainës), as në Ballkan, pavarësisht arritjeve pozitive, nuk mund të merret si e mirëqenë vendosja e paqes dhe e stabilitetit. Ndikimi i faktorit rus, me anë të presioneve politike, korruptimit të përfaqësuesve të elitave pushtetore, ofrimit të “favoreve ekonomike”, nuk kalon pa lënë gjurmët e veta në proçeset integruese euro-atlantike, duke i frenuar ato, apo edhe duke i vënë në pikëpyetje në vende të tilla të Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia dhe Serbia.
Veç kësaj, në dritën e këtyre ngjarjeve, bëhet akoma më e qartë se, pa praninë dhe kontributin amerikan, paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë mbeten thjeshtë iluzore.

Prishtinë, më 21 Maj 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, Leksione ne krize, te Ministrit Lavrov

Partia Demokratike hapi fushatën e zgjedhjeve vendore

May 21, 2015 by dgreca

Nga Ilirian Agolli/
Partia Demokratike e opozitës çeli zyrtarisht sonte në mbrëmje fushatën e saj për zgjedhjet vendore, duke paraqitur së bashku të gjithë kandidatët e vet për 61 bashki të reja të vendit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në tubim se fushata e opozitës është maratona e çdo qytetari të këtij vendi që kërkon shpresë, punë dhe dinjitet.
Ai theksoi se kjo garë vendore ka edhe rëndësinë e vet politike për të larguar me votë pasigurinë, varfërinë dhe papunësinë që kanë vuan aktualisht shumica dërmuese e shqiptarëve.
“Duhet të çelim me votë një perpektivë të re për ringritjen dhe përmirësimin ekonomik e shoqëror dhe një demokraci të re për qytetarët” – tha zoti Basha.
Sipas tij, papunësia, varfëria, pasiguria, eksodi dramatik i njerezve, largimi i investimeve dhe kapitalit janë rezultatet e dushme të qeverisë Rama-Meta.
“Partia Demokratike ka treguar se di të sjellë zhvillim dhe mirëqenie. Demokratët, opozitarët, gjithë shqiptarët, të djathtë e të majtë, që ndajnë me ne shqetësimin për paaftësinë dhe dështimet e qeverisë Rama-Meta janë të ftuar ta ndëshkojnë atë me votat e 21 qershorit” – tha zoti Basha.
Ai tha se veç të tjerash është i nevojshëm edhe një ekuilibrim të pushtetit qendror me atë vendor, duke krijuar një pol fuqie të qytetarëve pa dallime politike, për të përballuar gënjeshtrat dhe arrogancën e qeverisë. Sipas tij, vendi ka nevojë për PD në pushtet vendor, në mënyrë që ky pushtet t’i shpëtojë asgjësimit të plotë nga shumica e majtë.
Koalicioni qeveritar i paraqiti kandidatët e vet disa ditë më parë në të njëjtën sallë të pallatit të Kongreseve. Kryeministri Edi Rama foli për vlerat e kandidatëve të majtë në 61 bashkitë e reja dhe kërkoi mbështetjen e tyre në zgjedhjet e qershorit.
“Shumica e shqiptarëve e mirëkuptojnë dhimbjen, që shkaktoi reforma, që duhet të kishim bërë vite të tëra dhe që sot janë operacione mbi plagë shumë më të thella seç ishin vite të tëra” – tha zoti Rama në tubim, duke shtuar se më 21 qershor nuk do votohet për politikë, por për të zgjedhur atë që garanton shërbime më të mira në çerdhe, kopshte, shkolla, spitale, qytete.
Zoti Rama tha se rendi dhe ligji janë forcuar në pak muaj, ndërsa punësimi u shtua me 8 për qind, ose 83 mijë persona. Sipas tij, qeveria po paguan mbi 720 milionë dollarë borxhe dhe hoqi disa taksa mbi pagat, duke çliruar portofolin familjar të shqiptarëve.(VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: Ilirian Agolli, PD hap fushaten

Kadare nderohet me një ceremoni në Kongresin amerikan

May 21, 2015 by dgreca

NGA LAURA KONDA/
Në ndërtesën e Kapitolit, në Uashington, u valëvit flamuri amerikan për nder të shkrimtarit Ismail Kadare dhe veprës së tij. Ky është një ritual që zakonisht u rezervohet amerikanëve të shquar dhe në disa raste, edhe personaliteteve të huaja.
Ky gjest simbolik u bë i mundur në saje të ligjvënësit amerikan Eliot Engel, i cili është prej një çerekshekulli një nga mbështetësit më të vendosur të shqiptarëve në Kongres. Zoti Engel vlerësoi veprën e Kadaresë, për universalitetin dhe mesazhin e rëndësishëm që jep, përmes miteve dhe figurave letrare:
“Kam një kënaqësi të veçantë që jemi mbledhur këtu për të nderuar veprën e Ismail Kadaresë. …Me të drejtë, Ismail njihet gjerësisht si shkrimtari më i madh shqiptar i epokës sonë. Shkrimet e tij lidhen me historinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, po ato sjellin elemente të reja për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Juria e Jeruzalemit, që e nderoi me çmim kohët e fundit Kadarenë e vlerësoi atë si një shkrimtar që përpiqet të ekspozojë përmes miteve dhe metaforave, krimet e kryera; edhe pse protagonistët janë lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre është universale. Unë personalisht jam i lumtur që Kadare është fituesi i çmimit të Izraelit, sepse ky çmim është simbolik.”, – tha ligjvënësi.
Autor i rreth 40 veprave letrare, të shkruara në një periudhë rreth 60 vjeçare, Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, veprat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës.
Në ceremoninë e zhvilluar në një nga sallat e Kongresit amerikan, zoti Engel ja dorëzoi flamurin e valëvitur për nder të Kadaresë, me një dedikim të posaçëm për të, Vehbi Bajramit, botuesit të gazetës “Illyria” në Nju Jork, i cili ishte edhe nismëtari i idesë për të nderuar shkrimtarin:
“Jam shumë i gëzuar që organizohet ky takim në Kapitol Hill për shkrimtarin tonë të madh, një nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë, zotin Ismail Kadare. Pikërisht në këtë ndërtesë zoti Kadare ka dhënë një dëshmi në vitet e para të demokracisë në Shqipëri për nevojën që ajo të rreshtohet në rrugën e demokracisë dhe tani, më tepër se 20 vjet më vonë, pikërisht në ndërtesën e Kapitolit Hillit po organizohet një takim për të nderuar veprën e tij, pasi ai mori çmimin në Jerusalem. Kjo ceremoni u realizua me mbështetjen e kongresmenit Eliot Engel. …Kombet e vogla, si kombi shqiptar, kanë nevojë për figura të mëdha, siç është Ismail Kadare, me të cilin shqiptarët identifikohen në botë dhe mund të them se kjo figurë kaq e madhe, ky shkrimtar kaq i madh është letërnjoftimi më i mirë i shqiptarëve të botë,” – tha zoti Bajrami.
Për veprën letrare të Ismail Kadaresë foli përkthyesi i veprës se tij në anglisht, David Bellos, profesor në Universitetin prestigjioz të Prinstonit. Zoti Bellos, duke u shprehur në mënyre figurative, tha se Kadare është një shkrimtar që hapi një dritare transparente për Shqipërisë në kushtet e periudhës se komunizmit, kur Shqipëria ishte në fakt një dritare opake.
Zoti Bellos tha se vepra e tij nuk është opozitare në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes saj Kadare tregon pasojat gërryese të pushtetit dhe na lejon të kuptojmë thelbin e një shoqërie totalitare. Ai tha se valëvitja e flamurit amerikan mbi Kapitol për nder të Kadaresë është një nder i jashtëzakonshëm për një shkrimtar:
“Mendoj se është një nder i jashtëzakonshëm dhe tepër domethënës; shkrimtarët e huaj nuk janë shumë të njohur në Shtetet e Bashkuara, dhe është e rëndësishme që Kadare po nderohet këtu, edhe pse është një shkrimtar jo amerikan… Të gjitha romanet e tij janë në një fare mënyre për Shqipërinë, por një Shqipëri e veçantë, Shqipëria e Kadaresë; vepra e tij është e lexuar kudo, në Amerikës, apo vende të tjera. Unë mendoj se Ismail Kadare është mes shkrimtarëve më të shquar të kohëve tona, si dhe i të gjitha kohërave.”
Zoti Bellos tha se është një rast i rrallë, kur përmes aktit të ngritjes së flamurit, Shtetet e Bashkuara nderojnë në fakt jo vetëm Kadarenë, jo vetëm Shqipërinë, por letërsinë në përgjithësi.
Rituali i ngritjes së flamurit amerikan mbi ndërtesën e Kapitolit është një traditë e filluar nga Kongresi amerikan 78 vjet më parë, për të nderuar ngjarje historike dhe individë të shquar, së fundi, mes tyre, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.Për Ditarin, Laura Konda, Uashington.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kadare nderohet me një ceremoni, Laura Konda, ne Kongresin amerikan

Lekët e Xhaferrit i kemi ne, jo Pëllumbi

May 21, 2015 by dgreca

Një sukses”i bujshëm”i policisë së shtetit- Show paraelktoral/
Nga Ilir Levonja/
Sot për shqiptarët doli sërish në skenë Fondacioni Xhaferri. Një sukses ”i bujshëm” i policisë së shtetit. A është a s’është i tillë. Nuk ka më asnjë rëndësi. Megjithëse nuk është e vështirë të kuptohet pse u realizua tani. Përpara zgjedhjeve lokale. Nuk është e vështirë të kuptohet se kujt i adresohet ky show. Apo firmat piramidale.
Eshtë në strategjitë tona më të dhimbshme: që pasardhësi t’i kujtoj popullit zullumet e paraardhësit. Një nga strategjitë e grupeve mafioze. Që bëj zhurmë nga ana jugore. Që të vrasim vëmëndjen në anën lindore.
Po a janë vërtetë fajtor djemtë e arrestuar? Asllani dhe Pëllumbi? Vërtet mashtrues? Vërtet i vodhën njerëzve 12 milionë dollar?
1)Para se të bëhej milioner, unë e kam patur koleg Pëllumbin. Punonim të dy në Bashkinë e qytetit. Një djalë hokatar. Por që shpejt u gdhi si milioner. Një nga trashëguesit e një farë beu të ikur në Turqi. Në fakt ishte një lloj inisiative e babait të tij. Në mos gaboj një llogaritar në stacionin e mjeteve bujqësore. Apo të famshet SMT-ë.
Në atë kohë njerëzit ishin kthyer në një lloj lakmirë të lekut. Kjo kishte të bënte me faktin edhe të prurjeve nga jashtë shtetit. Një soj smire për tu rregulluar sa më shpejt. Vinim nga një mizejre kolektive. Të paktët për sa i përket mirëqënies.
Kështu që domosdoshmërisht duhej futur në garë. Puna ishte se kush do të guxonte më shumë. Ndodhi që guxoi babai i Pëllumbit. Guxoi me fqinjët e tij. Me të njohurit. Biles mbas atij ishin këta më aktivët. Frymëzuesit. Plasi epidemia e peshkut.
Ka qënë një nga vitet më të begatë. Aq sa, sa herë ulem dhe e kujtoj, për të riprodhuar pjesë që më duhen. Në lidhje me prespektivën rreth memorjes. Për të shkruar atë periudhë. Eshtë gati eterike. Si e pakapshme. Plotësisht një dehje kolektive. Kanë qënë vitet që në një fare mënyre, na i bën realitet përrallat e Orientit. Të paktën nga tavolinat. Por kjo ëndërr u bë edhe më e bukur me ekipin e futbollit. Kur në Lushnje, në një ndeshje me ekipin e Patosit, do të zbriste Mario Kempesi. Trajneri i pare i huaj në Shqipëri. Një realitet kaq magjik sa, zor të vij më .
Ndaj them se qe një dehje popullore.
2)Në të njëjtën kohë ky shtet që e akuzon sot, që e bastardon, që i faturon atë vlerë dollarësh. Nuk e kishte të rregulluar me ligj huadhënien apo huamarrjen. Ose le të themi, dukuri të tilla. Përreth përshpëritej për veprimtari aktive në vende të ndryshme të fondacioneve të tillë. Ndaj entuziazmi nuk kishte fre. Fondacionin po e imitonin edhe ata pak investitorë. Fondacioni po pillte dhe fondacione të tjerë.
Kam qënë prezent kur një nga këta bosët e rinj, si ai i Popullit, hidhte para në ajër në një aktivet promovimi të çeljes. Kollosi hidhte lekë në ajër. Ne të gjithë përkuleshin të mblidhnim. Ata që kanë qënë aty, ndofta me siguri qeshin tani. Pasi edhe këngëtarët harruan mikrofonët. Shi lekësh, shi i dendur.
Kam pare opozitarë të atëhershëm. Ose qeveritarë të sotshëm me lista kuadri. Që e reklamonin dobinë e huadhënies. Që bënin opozitë me burgun e liderit të tyre. Që bën çmos ta na i merrnin Pëllumbin në Tiranë. Dhe na e morën. Pëllumbi vinte rrallë dhe kush kishte fatin të merrte një përshendetje nga makina e tij, gëzohej sikur të kishte kapur qiellin.
Ndërsa ca muaj më vonë këta opozitarë. Këta ish oficerë të liruar, gjykatës. Mjekë, inxhinjerë. Arsimtarë të devotshëm. Drejtues aksionesh. Ish sekretarë komitetsh…, do akuzonin qeverinë e atëhershme për lejimin e aktivitetit të haudhënies. Madje do të bëheshin pjestarë të djegieve, shkatërrimeve, përndjekjeve dhe vrasjeve. Për t’i dhënë vendit një vit të dytë të mbrapshtë.
Nga ana tjetër edhe ne të thjeshtët, qytetarët…,që sot, çfarë nuk lëmë pa thënë për xhaferrët, nuk e kishin për gjë të shisnin shtëpitë dhe t’i fusnin mik Pëllumbit për të marrë pa radhë këstet.
Ndërkohë kur Fondacioni e reklamonte me të madhe si parrullat e kohës, mos shitjen e shëtipëve, të gjës së gjallë etj.
Por siç e dime, tek ne ka vetëm fajtorë. Dhe asnjëherë bashkëfajtorë.
3)Sot kur i pashë portret e vëllezërve Xhaferri. Mu zgjuan me dhjetra pandehma.
Po përmend vetëm disa:
-Si është e mundur që shumë ish oficerë, ishin drejtues në pikat e shpërndarjeve? Qe rastësi?
-Si është e mundur të dehet një shoqëri e tërë? Qe rastësi ?
-Si është e mundur të futemi në një lojë. Dhe të quajmë fajtor vetëm ideatorin? Eshtë rastësi?
-Si ishte e mundur që, atyre gjysmë investitorëve fondacione. Nuk u dha përkrahje financiare. Për të mos humbur edhe ato pak investime. E rastit? Apo aq dinim?
-Përse i adresojmë një vlerë të atillë, në miliona dollarë…, një njeriu që ka veç frymën.? Për të vendosur drejtësinë? Apo për të rregulluar sistemin e drejtësisë.
Thua iu hoq ngjolla me ato dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet burg, që do vuajnë këta? Vitit të mbrapshtë 1997-ë?
Nuk e besoj.

Filed Under: Analiza Tagged With: i kemi ne, Ilir Levonja, Leket e xhaferrit

ZHVILLIME INTENSIVE NË MAQEDONI

May 21, 2015 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/
Kazani i Maqedonisë prej një kohe të gjatë është në vlim e sipër. Për zhvillimet e fundit, pati shumë pyetje se ku ishin fshehur politikanët shqiptar të atjeshëm të cilët nuk po prononcohen për ngjarjet e Kumanovës.Pse heshtin ata kur ka 22 të vrarë, shumë të plagosur, qinda familje të shpërngulura, mijra të torturuar e stresuar, shtëpi, rrugë e biznese të shqiptarëve të shkatërruara . Dhe ja më në fund në emisionin Opinion të Blendi Fevziut në TV Klan, në mbrëmjen e 19 majit u cfaq lideri i BDI-se Zoti Ali Ahmeti. Se cfarë tha ai në këtë emision do ta analizojmë më poshtë, por së pari do të këthehemi tek lufta e Ushtrisë Clirimtare Kombëtare (UCK) e shqiptarëve në Maqedoni.
Pas ndarjes së Maqedonisë nga ish Jugosllavia, në trojet shqiptare atje ka patur një lëvizje latent popullore për mëvetësi nga maqedonasit për arsye se shqiptarët ndieheshin të shtypur, të poshtëruar dhe pa perspektivë. Në ate kohë politikani më me zë në ato treva ishte Nevzat Halili rreth të cilit ishin mbledhur të gjithë shqipëtarët , një gjë me të vërtetë shumë më e mirë se sot. Por sipas shumë itelektualëve shqipëtar nga Zvicëra e Gjermania dhe sipas të ndierit Arbër Xhaferri e Menduh Thaci, thuhej se ai (Nevzat Halili) e kishte mbaruar misionin e tij dhe se ishte i pa manovrueshëm per të lëvizur më përpara punët në aspektin kombëtar shqiptarë. Në këto kushte u bë e mundur dalja ne skenë e PDSH-së prapa së ciles qëndronte edhe një formacioni ushtarak i quajtur UCK . Drejtuesit e këtij formacion (pra UCK-së), bënë një punë të vyer për 4-5 vjet, përgatitën terenin dhe strukturat për zhvillimet e ardhëshme politike e ushtarake në Maqedoni. Por si rezultat i një tradhëtie të brendëshme përfunduan prapa hekurave të burgjeve maqedonase duke u dënuar nga 4 deri 8 vite burg per cejcilin drejtues (Kujtoj e ashtu quajtura aferë e armëve).Drejtuesit e këtij formacioni ishin atdhetarë, të ndershëm, idealistë, patriot madje disa specialist ushtarak të ish ushtrisë jugosllave të cilët kishin dalë në lirim me qëllim për t’ju përkushtuar UCK-se.Gjatë aktivitetit të këtij formacioni përvec eprorëve të shtabit drejtues erdhën për konsulta e stërvitje në Tiranë edhe eprorët e tyre nga Zvicëra e Gjermania disa prej të cilëve ishin me origjinë nga Cegrani, Struga, Kërcova, Dibra, Tetova, Haracina,Kumanova dhe viset e Kosovës si Ferizaj, Lipiani, Viti,Prishtina e Mitrovica. Kur drejtuesit e shtabit u arrestuan në Maqedoni,ne në Tiranë mbajtëm familjet e tyre për gati dy vite(në gjendje ilegaliteti) me cdo gjë që mundëm si për familjet tona. Por zotërinjt nga Zvicra e Gjermania nuk u dukën më në Tiranë as për ata që u sakrifikuan dhe as për familjet e të burgosurve. U bënë kaq vite, kanë ndodhur shumë ngjarje, por nuk kam patur rastin qoftë edhe një herë të vetme të dëgjoj dikë që të shpreh ndiesinë më minimale për vuajtjet e këtyre atëdhetarëve dhe familjeve të tyre. Ata mbetën dy herë të tradhëtuar: nga brenda strukturave të veta në Maqedoni dhe nga eprorët e tyre në Zvicër.Se kush e bëri tradhëtinë, historia do të na e tregojë dhe do të verë në vend meritat e atyre që punuan, vuajtën e u sakrifikuan për shqiptari, por në anën tjetër ajo do t’ju drejtojë gishtin edhe tradhëtarëve.Kjo ngjarje se si më ngjanë për nga përmbajtja me atë të Kumanovës në sensin e tradhëtisë.
Vazhdim i kësaj UCK-je, por me organizim e struktura te reja, është ajo që doli në skenë në vitin 2001, lufta e së cilës është pa dyshim pjesë e rëndësishme e historisë së luftrave të popullit shqipëtar edhe një vlerë e madhe kombëtare. Edhe udhëheqësit e saj u pritën e respektuan gjatë e pas luftës deri në kufijt e heronjëve për gati 15 vite përfshi edhe Ali Ahmetin. Por pyetja shtrohet se a e coi misionin e vet deri në fund kjo luftë? Pergjigja duhet kërkuar në shumë aspekte të jetës shqiptarëve në Maqedoni, por po preferoj vetëm ti cek disa prej tyre. Unë mendoj se ndërhyrja e ndërkombëtarëve, e politikanëve vendas dhe marrveshja e Ohrit e pamundësuan përfundimin e misionit ose e thënë më shkoqur e ndaluan , e frenuan dhe e penguan atë. Kjo në gjykimin tim duket në faktin se shqiptarët akoma atje përbuzen, etiketohen edhe nga autoritetet më të larta shtetërore si fis i egër, si indianë si shtetas të dorës dytë e të tretë. Shqiptaret paguajnë 38-40 përqind të GDP-së dhe marrin mbrapsh në investime 18 përqind të GDP-së, ata mendojnë se kanë të bëjmë me një shtet fasadë dhe jo shtet të vërtetë demokratik që mbron liritë dhe të drejtat themelore e kombëtare të tyre.Fakti që ka ish pjestarë të UCK-së dhe epror të tyre që kërkojnë të riorganizohen dhe të dalin përsëri në fushbetejë , do të thotë se pakënaqësitë kanë kaluar kufijt e durueshmërisë dhe të zgjidhjes me mjete politike.Këtë gjë lypset ta shikojnë drejt në sy dhe në përmbajtje, politikanët vendor shqiptar dhe ndërkombëtarët, të cilët ideuan dhe formësuan shteti e sotëm të paqëndrueshëm të Maqedonisë.
Atëher pyetja tjetër shtrohet se cfarë ndodhi në Kumanovë ,ku u vranë 22 ,u plagosën dhjetra dhe u arrestuan 40 vetë.Shtëpi, rrugë e biznese të rrënuara,njerëz të traumatizuar nga përdorimi i armëve të rënda,brenda një lagje të populluar dendur dhe qindperqind shqiptare.Operacion i shkallës lartë ushtarako-policore me përdorim masiv të mjeteve të rënda të luftës kundër një” grupi të armatosur armiqësor” në një raportë forcash një me njëqind. Ka të dhëna nga dëshmitarë okular se është hapur zjarr edhe kundër atyre që janë dorëzuar në kundërshtim të plotë me ligjin ndërkombëtar të luftës. Dhe menjeherë pas kësaj masakre cfaqet një terr informativ,zymtësi, brutalitet qeveritar, përgjim i cdo kujt, magalomani e deri në cinizëm të theksuar.
Media thotë se grupi i ashtuquajtur armiqësor përbëhej nga shqiptar të Maqedonisë,Kosovës dhe një person nga Shqipëria. Pjesërisht grupi ishte mbledhur paraprakisht edhe ne Prizren e Podujevë dhe pastaj është futur në Kumanovë me sa duket për mbledhje, shtim të radhëve dhe formësim të mëtejshëm. Gjatë këtyre mbledhjeve kanë infiltëruar shërbimet sekrete duke servirur informacione jo reale por të parapërgatitura nga shefat e tyre se gjoja grupi do të ketë aksione armiqësore. Por deri tani autoritetet maqedonase nuk kanë qenë në gjendje të thonë se cfarë aktiviteti armiqësor ka kryer ky grup.Nga dëshmitarët del se anëtarët e grupit nuk kanë qëlluar të parët, përkundrazi të parët kanë qëlluar forcat qeveritare që në 4 të mëngjezit dhe pa snjë paralajmërim me mjetet më të rënda të luftës kur gjithkush ishte në gjumin e së shtunës. Pasi janë qëlluar, grupi për vetëmbrojtje ka hapur zjarr me aq municion sa kanë patur dhe kjo është një gjë e pranueshme dhe e ligjeshme në një ballafaqim të armatosur. Por këtu ka një errësirë të madhe prej nga dalin disa pikpyetje si : pse ishin lënë të harruar e izoluar ky grup, cfarë i shqetësonte ata, a ishin ata të pa kënaqur me marrveshjen e Ohrit dhe gjendjen në Maqedoni? Në qoftë se kishin ardhur për mbledhje e formësim të mëtejshëm në Kumanovë cfarë aksioni armiqësor kishte këtu? Mbledhja mund të bëhej edhe në një lagje me dendësi banimi, por në se grupi kishin qëllime aksioni, asnjë ushtarak me përvojë s’mund ta fuste grupin në një qendër të banuar pa asnjë koridor tërheqje. Pra dikush e ka tërhequr grupin për ta future në një kurth të përgatitur më parë. Llogjika i kundërshton thëniet dhe veprimet e qeverisë Gruevski. Në se për një moment arrimë në përfundimin se qëllimi ka qenë armiqësor (por nuk është vepruar), atëherë forcat qeveritare nuk mund të hapnin zjarr, sepse njerëzve nuk u shpallet luftë për mendime e deklarata por vetëm për veprime luftarake.
Por atëherë kujt i ka interesuar kjo masakër mbi shqiptarët në Kumanovë? Pa dyshim të parit Gruevskit që e ka projektuar e ideuar sepse ka dashur të largojë vemendjen nga pisllëqet që ka bërë në shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të vendit, të cilat ja vë në dukje cdo ditë opozita. Po ashtu u ka interesuar dhe shërbimeve sekrete serbe e ruse që të largojnë peshën e ngjarjeve të Krimesë, Ukrahinës dhe vetë Serbisë, duke hedhur baltë mbi shqiptarët dhe duke qëlluar mbi interest amerikane dhe te BE-së.
Por cfarë tha në TV Klan Z.Ali Ahmeti? Ai pohoi se e njihte shumicën e grupit te armatosur, kishte luftuar e bashkëpunuar me to, kishte dijeni për lëgvizjet e tyre kur tha se: “edhe zogjt mbi cati e dinin se dicka po leviste”, i kishin kërkuar atij ndihmë për të dalë nga rrethimi, por që ai nuk ju a kishte siguruar me idenë se dikush tjetër mund ti vriste kur ata do të ishin në besën e tij. Kur u pyet për fyerjet që u janë bërë shqipëtarëve ai u përgjigj se duhen konsideruar si biseda të rastit dhe se edhe shqiptarët shajnë në moment të tilla. Pyetjes se a u keni dërguar shkresë udhëheqësve të Kosovës për emrat e këtij grupi, ai nuk ju përgjigj drejt për së drejti por tha se autoritetet shtetrore dhe policore e kanë një detyrë të tillë.Pyetjes se kush i denoncoi ato ai tha se duhet të presim komunikatat qeveritare. Pyetjes se pse grupi nuk u ndalu para se të hynte në qytet dhe si është e mundur që të lejohej një zjarr kaq masiv në mes të popullatës ,Ahmeti ju pergjigj me kunder pyetjen: po pse nuk u vra asnjë civil?Pyetjes se a biseduat ju me kryeministrin Gruevski dhe sa i nformuar ishte ai per ngjarjen, Ahmeti u pergjigj se Gruevski e mori atë në telefon dhe se :”nuk e dijë se a ka qenë i informuar per operacionin,por edhe ta kishte ditë këtë situatë është ai që vendos në se do të më tregonte ose jo. Gruevskit i thashë që të mos vriteshin por të dorëzoheshin”.Pyetjes se ky grup është i mashtruar, avanturjer apo patriot?Ahmeti tha:”Ka prej tyre disa të mashtruar. Se si janë mashtruar nuk e di. Përpara ata nuk kanë qenë djem të këqinj.”Pyetjes se pse ju nuk dolët nga bashkë qeverisja me Gruevskin ai ju pergjigj se:”Unë nuk bëj teatër. Po e braktisa unë qeverinë shkaktohet krizë më e thellë. Ky nuk është interesi i shqiptarëve”.Pra e thënë shkurt qartë dhe pa asnjë ekuivok, Ali Ahmeti pohoi me gojën e tij se dinte gjithcka para,gjatë dhe pas masakrës së Kumanovës. Madje mori në mbrojtje edhe Gruevskin. Jankullovskën dhe veprimet e qeverisë maqedonase.Më qartë s’ka se si të thuhet. Pyetja e fundit ishte se kur filluat luftën në 2001-shin ëndërra juaj ishte qëndrimi në Maqedoni, bashkimi me Kosovën apo me Shqipërinë? Fillimisht-tha Ahmeti- kam menduar bashkimin me Shqipërinë, por në rrethanat e krijuara ceshtjet kanë ndryshuar. Mendoj se është më mirë që Maqedonia të qëndrojë si shtet me dy entitete”. Pra qëllimi strategjik i zotit Ahmeti për bashkim me Shqipërinë ka dështuar. Por historia na mëson se kushdo strateg ose politikan që dështon strategjikisht , cfardo fushatash e betejash të tjera të fitojë ai quhet humbës , sepse nuk ka realizuar qëllimin strategjik.
Si përfundim mund të themi se masakra e Kumanovës ka qenë e ditur dhe është planifikuar më parë me detaje nga qeveria Gruevski si një kurth per shqiptarët. Veprimtaria ushtarako-policore mbi të ka qenë brutale e qëllimëshme dhe kurdisur e me pasoja të rënda. Hetimi i saj ndërkombëtar është domosdoshmëri akute.Me këtë ngjarje (dhe shumë afera të më parëshme) politilanët shqiptar , janë të kompromentuar dhe konsumuar plotesisht. Populli shqiptar në trojet e veta në Maqedoni duhet të kuptojë se cikli i këtyre politikanëve është mbyllur me kaq. Një klasë e re politikanësh të edukuar në perendim,me integritet, vision e platform të realizueshme kombëtare duhet të thirret për veprim. Marrveshja e Ohrit duhet ribërë që t’ju vijë në ndihmë të drejtave e lirive themelore të shiptarëve . Një federatë shqiptaro-maqedonase me një strukturim të ri duhet duhet vënë në tryezën e ndërkombëtarëve me dashjen apo mos dashjen e maqedonasve. Në se një qasje e re nuk ofrohet një gjëmim i ri do të ndiehet në të gjithë hapsirën që sot njihet si Maqedoni (ose ish Republika Jugosllave e Maqedonisë –IRJM). Lufta është ngjarja më e rëndë e shoqërisë,prandaj duhet punuar për ta evitua atë me cdo mjet të mundëshëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, ne Maqedoni, ZHVILLIME INTENSIVE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT